28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Dënohet ish-kreu i Dhomës së Përfaqësuesve

Ish-kreu i Dhomës së Përfaqësuesve së Kongresit amerikan, Dennis Hastert u dënua me 15 muaj burg në një çështje që përfshin para të paguara në këmbim të heshtjes ndaj një prej të paktën katër ish-nxënësve me të cilët ai akuzohet se ka abuzuar seksualisht para disa dekadash.
Ai duhet t’i nënshtrohet gjithashtu trajtimit si ngacmues seksual, 2 vjet liri të mbikëqyrur pas burgut dhe duhet të paguajë një gjobë prej  250 mijë dollarësh.
Para se të shpallte dënimin, gjykatësi federal në Çikago, Thomas Thornton e përshkroi Hastertin si një “ngacmues serial fëmijësh”.
Hastert u përpoq t’i paguante 3.5 milionë dollarë një burri që tani është në të 50-at, që të mos tregonte se ai kishte abuzuar seksualisht me të, ndërsa ishte trajner mundjeje në një shkollë të mesme në Ilinoi.

SHBA nis eksportin e gazit në Europë

Dërgesa e parë e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara mbërriti në Portugali, një zhvillim që mund të pengojnë dominimin e Rusisë në tregun evropian të gazit.
Çisterna amerikane Creole Spirit arriti të mërkurën herët në Portin e Sines, në Portugali, me një ngarkesë nga kompania Cheniere Energjy me bazë në Hjuston të Teksasit.
Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe filluan zgjerimin e eksportit në tregjet jashtë vendit në fillim të këtij viti. Ndërsa kjo ishte ngarkesa e parë në Evropë, prodhuesit amerikanë kanë dërguar tashmë gaz në Argjentinë, Brazil dhe Indi.
Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë kanë mbyllur kanalet e zakonshme me të cilat Evropa merrte një të tretën e gazit të saj natyror, duke e lënë tregun e hapur për eksportuesit amerikanë. Firma Cheniere gjithashtu ka marrëveshje për dërgesa gazi në Francë dhe Britani në vitet e ardhshme.

Çmontimi i shefit të BND-së

Marcel Fürstenau
Presidenti i Shërbimit Informativ Federal (BND), Gerhard Schindler, nuk i ka plotësuar pritjet e qeverisë federale. Ndaj duhet të largohet para kohe, më 1 korrik të këtij viti. Zyrtarisht nuk ka ndonjë shpjegim. Qeveria federale nuk e ka për detyrim të japë shpjegime. Por do të ishte mirë sikur më vonë të shpjegojë ndryshimet në kreun e BND. Sepse prej kohësh ekzistojnë shkaqe të shpjegueshme për këto masa.
Ndër shkaqet që duhen përmendur është afera e NSA-së, lidhur me të cilën siç u konstatua në vitin 2013, ka qenë e involvuar edhe BND-ja. Plot dy vite me radhë po përpiqet një komision hetues parlamentar që ta zbardhë këtë aferë. Anëtarët e komisionit janë edhe vet të befasuar me informacionet për shkarkimin e Schindlerit.

Befasia nga lajmi
Ndryshe po sillen anëtarët e qeverisë. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier dhe ai i Ekonomisë, Sigmar Gabriel (të dy socialdemokratë) kanë qenë në dijeni prej kohësh mbi planet e ministrit në Kancelari, Peter Altmaier (CDU). Flitet se ministri i Financave Wolfgang Schäuble (CDU), ka influencuar edhe përzgjedhjen e pasardhësit, sepse pasardhësi Bruno Kahl vjen pikërisht nga Ministria e Financave. Ndaj nuk është habi që disa deputetë dyshojnë se pikërisht Schäuble ka pasur gisht në këtë lojë. Ndonëse motivet ende nuk dihen.
Shtrohet pyetja, pse qeveria federale po hesht kaq shumë rreth këtyre çështjeve. Askush nuk mund ta kundërshtojë vendimin në qoftë se thuhet se Schindler është larguar për shkak të aferës BND/NSA. Gjatë punës së komisionit hetimor parlamentar dhe nga raportimet e mediave është krijuar përshtypja se shërbimi sekret ka bërë një jetë të pakontrolluar parlamentare. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Schindler është dashur të largohet para një viti.
Zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert, ka deklaruar në prill të vitit 2015, se “në BND ka pasur mangësi teknike dhe organizative”. Përgjegjësia e presidentit nuk mund të anashkalohet, por këtu ka dhe gjëra, të cilat Schindler i ka trashëguar nga paraardhësit e tij. Probleme të tilla ka shumë, në radhë të parë ato që lidhen me bashkëpunimin e institucioneve me NSA. Bashkëpunimi ka qenë i mundur edhe për faktin se ligji nuk ka qenë i saktë sa duhet.
Disa punonjës të shërbimeve sekrete duket se kanë punuar sipas motos së njohur: ajo që nuk ndalohet me ligj, është e lejuar. Dhe kjo nuk mund të merret në tërësi për keq. Sepse nga BND-ja pritet që në kohët e terrorizmit të rrezikshëm, të evitojë sulmet si ato në Paris, Bruksel apo Stamboll.
Kjo parashikohet edhe në profilin e shërbimit sekret. Korniza ligjore krijohet nga Parlamenti. Reforma e ligjit për BND-në është paralajmëruar kaherë. Grupi parlamentar i SPD-së ka përpunuar para një viti edhe propozime konkrete. Por ndërkohë është krijuar përshtypja, jo vetëm tek socialdemokratët, se partnerët konservatorë të Unionit po luajnë me kohën. Ligjet e miratuara shpejt për azilin dëshmojnë se edhe ligji për BND-në mund të ndryshohet shpejt. Më mirë vonë se kurrë, thonë kritikët.
Por dyshimi mbetet, sepse dërgimi i Schindlerit në pension mund të jetë vetëm një manovër për zhvendosjen e vëmendjes. Motivi: të tregohet aftësi veprimi. Por timing-u dhe muzika përcjellëse krijojnë një përshtypje tjetër. Altmaier falënderon Schindlerin për “punën e gjatë dhe plot merita”, dhe si shpërblim e hedh në – shkretëtirë. Qeveria nuk beson më se Schindler mund të përballet me “sfidat e mëdha”. Kjo mund të thuhej. Por jozyrtarisht dyshohet se ka motive të tjera. Pasardhësi i tij do ta marrë këtë post me këto ngarkesa.

NATO me strategji të re kundër Rusisë në korrik

NATO duhet t’i kundërvihet në mënyrë aktive pretendimit të Kremlinit se Aleanca Ushtarake perëndimore po zgjerohet, duke patur si synim të kërcënojë Rusinë, thotë ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker.
Strategjia e re e Rusisë për sigurinë kombëtare, miratuar nga Presidenti Vladimir Putin në fillim të këtij viti, identifikon zgjerimin e NATO-s si kërcënimin kryesor për Rusinë. Ajo thotë se aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ka intensifikuar aktivitetet ushtarake në vendet anëtare të NATO-s dhe se “po lëviz infrastrukturën ushtarake pranë kufijve të Rusisë”.
Strategjia ruse gjithashtu pohon se. duke zbatuar një “politikë kontrolli të Rusisë” nëpërmjet “trysnisë politike, ekonomike, ushtarake dhe informative” NATO është “duke u përpjekur për të ruajtur mbizotërimin në çështjet globale”.
Ish-ambasadori i SHBA-së në NATO, Kurt Volker, thotë se Kremlini vazhdimisht bën propagandë kundër Perëndimit, duke pretenduar se NATO ka shkelur premtimet e saj për Rusinë.
“Rusia ngre pretendimin se NATO ka premtuar se kurrë nuk do të zgjerohet, se kurrë nuk do të vendosë infrastrukturën ushtarake në territorin e anëtarëve të rinj”, tha ambasadori Volker në një intervistë për shërbimin gjeorgjian të “Zërit të Amerikës”. “Moska mendon se NATO po kërcënon Rusinë dhe Rusia ka të drejtë të mbrojë veten dhe qytetarët e saj; Moska pretendon se në Ukrainë ka patur një grusht shteti dhe se NATO po e shtyn Ukrainën të anëtarësohet në aleancë dhe se Rusisë iu desh të ndërhyjë për të shpëtuar Ukrainën. E gjithë kjo është plotësisht e gabuar, krejtësisht e pavërtetë”, thotë ambasadori Volker.
Zoti Volker thotë se, nëse NATO i lejon këto qëndrime të përhapen pa iu kundërgjigjur atyre me forcë,  ato do të krijonin përshtypjen se argumenti i Kremlinit qëndron. Ambasadori Volker i bën thirrje NATO-s të mbajë një qëndrim të unifikuar dhe të hartojë një strategji të qartë ndaj Rusisë në takimin e lartë të Varshavës në korrik.

Rusia ndryshon ekuacionin

Mamuka Tsereteli, drejtor i Institutit të Azisë Qëndrore dhe Kaukazit, me qendër në Uashington, thotë se strategjia e Rusisë ndaj Perëndimit ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.
Zoti Tsereteli i tha “Zërit të Amerikës” se, “Rusia është duke u përpjekur për të ndryshuar arkitekturën evropiane të sigurisë. Në këtë mjedis të ri, Rusia do të donte që të kishte të drejtën e vetos në vendimin për çdo anëtarësim të ri në NATO, apo në Bashkimin Evropian. Kjo është shkelje e të drejtës sovrane të këtyre vendeve për ta përcaktuar vetë të ardhmen e tyre. Rusia është duke u përpjekur të bindë Perëndimin të pranojë këtë kërkesë”, tha zoti Tsereteli.
Në vitin 1997, kur u nënshkrua Akti Themelues i marrëdhënieve midis NATO-s dhe Rusisë,  më 27 maj, aleanca ra dakort që “në mjedisin e tanishëm dhe të parashikueshëm të sigurisë”, NATO do ta kryejë misionin e mbrojtjes kolektive, duke përdorur infrastrukturën ushtarake ekzistuese, “pa shtuar ndjeshëm numrin e trupave të përhershme në bazat e saj”.
Që atëherë, mjedisi i sigurisë ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Në vitin 2008, Rusia pushtoi Gjeorgjinë dhe njohu dy rajonet e saj – Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut – si shtete të pavarura. Në vitin 2015, Rusia aneksoi Krimenë. Kremlini ka mbështetur separatistët në Ukrainën Lindore për më shumë se dy vjet. Përveç kësaj, Rusia ka shkelur shumë nga marrëveshjet e nënshkruara me Perëndimin, duke përfshirë Kartën e Parisit për një Evropë të Re, Dokumentin e Vjenës, Traktatin për Forcat Konvencionale në Evropë, Memorandumin e Budapestit dhe të tjera marrëveshje.
Ambasadori Volker thotë se është e rëndësishme për të shpjeguar se NATO është një aleancë mbrojtëse, që nuk kërcënon askënd dhe se zgjerimi i NATO-s është një proces i gjatë, në të cilën njerëzit e lirë në vendet e pavarura, punojnë së bashku për të ndërtuar sigurinë e tyre. Kjo nuk është një përpjekje e udhëhequr nga NATO për të fituar territore për të rrethuar Rusinë. Perëndimi, thotë ai, duhet të vazhdojë të shpjegojë dhe të diskutojë për këto çështje publikisht.
“Udhëheqësit tanë kanë prirjen t’u shmangen nga këtyre çështjeve”, tha ambasadori Volker. “Ata nuk duan të provokojnë një atmosferë konfrontuese me Rusinë, ndërsa Rusia duket se është mjaft e lumtur për të patur një atmosferë konfrontuese. Duke pranuar argumentin e Rusisë, ose duke mos e kundërshtuar në këtë pretendim, Rusia merr një pamje të besueshme në ato që thotë. Është shumë e rëndësishme për udhëheqësit perëndimorë që t’i përgjigjen me shumë forcë këtij pretendimi të Kremlinit”, thotë ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker. Takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Varshavë është planifikuar të mbahet më 8 dhe 9 korrik.

Sulmet ajrore në Alepo godasin spitalin

Sulmet ajrore goditën një spital në zonën e kontrolluar nga rebelët në Alepo të Sirisë, duke vrarë të paktën 27 persona përfshi tre fëmijë dhe disa mjekë, tha organizata Vëzhguesit Sirianë për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë, i dërguari i OKB-së për Sirinë tha se, ka në plan të mbajë një raund tjetër bisedimesh për paqen muajin e ardhshëm, por bëri thirrje për rigjallërimin e armëpushimit.
Spitali al-Quds mbështetej nga organizata ndërkombëtare e bamirësisë “Mjekët pa Kufij” që thotë se çdo gjë në spital është shkatërruar, pasi ndërtesa u godit nga një sulm ajror i drejtpërdrejtë që vrau të paktën tre mjekë dhe 14 pacientë.
Kreu i operacioneve të shpëtimit tha se, numri i viktimave mund të jetë 50, duke shtuar se shumica e tyre ishin në një ndërtesë ngjitur me spitalin.
Videot e publikuara në median sociale tregojnë pasojat e sulmeve ajrore dhe zyrtarët e shpëtimit që nxjerrin trupat nga rrënojat.
Ndërkohë, i dërguari i OKB-së për Sirinë tha se, ka në plan të mbajë një raund tjetër bisedimesh për paqen muajin e ardhshëm, por bëri thirrje për rigjallërimin e armëpushimit para caktimit të një date.
“Luftimet duhet të ndërpriten që të rigjallërohet armëpushimi. Unë po bëj thirrje në emër të OKB-së dhe kjo është plotësisht e mundur. E di se, Rusia edhe Shtetet e Bashkuara po bisedojnë për të shpëtuar armëpushimin, që ka qenë në fakt një sukses, por ai duhet ruajtur. Pa armëpushim është vështirë që zhvillosh bisedime”.
Staffan de Mistura i bëri komentet sot, pasi informoi Këshillin e Sigurimit mbi bisedimet. Ai tha se, diskutimet kishin përparuar disi megjithë shkallëzimin e dhunës në Siri.
Organizata Vëzhguesit për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se 91 civilë janë vrarë në sulmet ajrore gjatë gjashtë ditëve të fundit në Aleppo dhe 49 civilë u vranë në një bombardim të rebelëve në zonat e kontrolluara nga qeveria.

Liria e shtypit me nivelin më të ulët në 12 vjet

Një raport i ri thotë se, liria e shtypit në mbarë botën pësoi rënie vitin e kaluar në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë. Freedom House me seli në Uashington, thotë përmes një raporti të publikuar sot se, vetëm një në shtatë njerëz jeton në një shtet ku siguria e gazetarëve është e garantuar dhe institucionet mediatike nuk janë objekt i ngacmimeve dhe presioneve qeveritare.
Raporti thotë se 12 vitet e fundit liria e shtypit në botë ka përsuar një rënie graduale. Jennifer Dunham me Freedom House shpjegon arsyet kryesore të këtij përkeqësimi.
“Është shtimi i dhunës ndaj gazetarëve në botë në vende të ndryshme. Një tjetër arsye është polarizim i theksuar i shtypit”.
Pronarë të fuqishëm mediatikë dhe rebelë të armatosur po ushtrojnë trysni ndaj gazetarëve për të qenë të njëanshëm. Udhëheqësit autoritarë dhe ekstremistët po godasin gazetarinë e pavarur. Temat më të rrezikshme janë krimi i organizuar, korrupsioni, feja, apo sovraniteti i kontestuar.
Raportimi nga zonat e konfliktit është bërë kaq vdekjeprurës sa që është e vështirë rrjedhja e informacionit, thotë për “Zërin e Amerikës”, Jennifer Dunham me Freedom House.
“Në Siri dhe Irak, gazetarët rrezikojnë jetën për të siguruar të paktën ndonjë informacion. Siria ishte vendi me numrin më të madh të gazetarëve të vrarë, 14 gjatë vitit 2015”.
Jetët e gazetarëve po ashtu rrezikohen në vendet e pushtuara nga krimi si Meksika apo vendet e Amerikës Qendrore, ku autoritetet lokale janë korruptuar nga kartele të fuqishëm të drogës.
Shumë vende kufizojnë qasjen në internet çfarë reflekton keqas në qeveritë përkatëse. Kina, aktualisht ka në burg më shumë gazetarë se asnjë vend tjetër dhe mbikëqyr raportimet në ekonomi dhe subjekte të tjera që më parë konsideroheshin të sigurta, thotë për “Zërin e Amerikës”, Sarah Repucci me Freedom House.
“Qeveria ka ndaluar raportimin për disa tema, megjithatë gazetarët nuk arrijnë të raportojnë ose përpiqen të bëjnë raportime investigative për tema të tilla tabu si korrupsioni apo njerëzit me influencë”.
Disa vende, si Rusia, bllokojnë qasjen tek media e huaj në zonat nën kontrollin e tyre, në përpjekje për të imponuar variantin e tyre për zhvillime të mëdha, si përshembull përfshirja e Moskës në Ukrainën Lindore. Raporti thotë se, pjesëtarë të medias në mbarë botën refuzojnë të heshtin pavarësisht rreziqeve dhe frikës.

Skandali Petrobras zhyt Brazilin në kaos institucional

FILE - In this Monday, April 6, 2015, file photo, Brazil's President Dilma Rousseff arrives for the swearing-in ceremony of her new Education Minister Janine Ribeiro at Planalto presidential palace in Brasilia, Brazil. With approval rating in the low teens just five months into her second term, President Rousseff also struggling to win back the public trust amid Brazil’s biggest corruption investigation, an inquiry into a massive kickback scheme at state-run oil company Petrobras. (AP Photo/Eraldo Peres, File)

Disa flasin për grusht shteti, të tjerë për presione të Prokurorisë, por ajo që është e qartë është se afera Petrobras po e çon Brazilin në kaos në kulm të krizës ekonomike dhe kjo vetëm 5 muaj përpara Lojërave Olimpike të Rio de Zhaneiros. Skandali i korrupsionit më të madh të historisë braziliane po zgjerohet gjithnjë e më shumë, duke arritur tashmë të përfshijë ish-Presidentin Lula dhe Presidenten Rousseff  – një hap larg nga ai që quhet impeachment.
Qysh në muajt e kaluar, Gjykata Supreme braziliane kish anuluar procedurën kundër Presidentes Dilma Rousseff, e cila, sa për kujtesë, përpara se të zgjidhej në këtë post ka qenë në këshillin administrativ të Petrobras, kolosit kombëtar të naftës. Hetimet e Prokurorisë në aferën “autolavazh”, Duart e Pastra braziliane, kanë përfshirë më pas ish-Presidentin Lula, i cili vazhdon që të shprehet i gatshëm për zgjedhjet presidenciale të 2018. Ligji brazilian parashikon se nuk mund të kandidosh, pasi ke qeverisur dy mandate, kështu që Lula mund ta riprovojë vetëm pas presidencës të së përkëdhelurës së tij, Rousseff.
Për ta shpëtuar nga arrestimi, Presidentja Dilma e ka emëruar Lulën ministër të Shtëpisë Civile dhe shef kabineti të qeverisë, por masa e emërimit është pezulluar dhe më pas është konfirmuar nga gjykatës të ndryshëm dhe prej ditësh në Brazil asistohet në një kaskadë vendimesh lidhur me emërimin.
I përfshirë në skandalin Petrobras për korrupsion dhe për mashtrim fiskal të supozuar, ish-Presidenti shumë i dashur ka marrë goditjen e parë nga Prokuroria në fillim të marsit, kur është marrë i shoqëruar nga policia me qëllim që t’i nënshtrohej një seance pyetjesh. Në mes, interceptimi tashmë i famshëm i divulguar nga prokurori Sergio Moro në të cilin Dilma e informon Lulën se është e gatshme të bëjë emërimin ministror, ama për ta përdorur “vetëm në rast nevoje”, domethënë për ta shpëtuar nga arrestimi.
Sipas investiguesve, interceptimi është prova se Rousseff e ka emëruar Lulën ministër vetëm për ta mbrojtur nga Prokuroria, sidomos nga Sergio Moro, prokurori federal i vendosur që t’i shkojë deri në fund aferës Petrobras, por se do t’i kishte duart e lidhura në rast se Lula do të bëhej ministër.
Nga ana e saj, Presidentja flet për ndërhyrje të padrejtë të gjykatësve dhe për grusht shteti me qëllim rënien e qeverisë. Gjithçka ndodh pas protestave nëpër rrugë: prej ditësh në të gjithë Brazilin regjistrohen manifestime kundër qeverisë dhe një shi rekursesh në të gjitha gjykatat braziliane kundër emërimit të Lulës si ministër. Por telashet vazhdojnë edhe për Dilmën. Pas tentativës së dështuar të vitit të kaluar, kësaj radhe opozita ka arritur që të iniciojë procedurën e impeachment për Presidenten, tani do t’i takojë një komisioni special që të vlerësojë bazën e kërkesës.
Ai, Ignacio Lula, vazhdon që të thotë se është i pafajshëm dhe të flasë për “puç” ndaj qeverisë së Rousseff. Populli i majtë, Partia e Punëtorëve në të cilën janë pjesë Lula e Dilma vazhdon që ta mbështesë qeverinë dhe të këmbëngulë lidhur me legjitimitetin e vendimit për emërimin e Lulës. Ajo që do të vendosë pas pak ditësh do të jetë Gjykata Supreme Federale.

72 pikë penalizim në Serinë B e Lega Pro

Penalizimi i Flamurtarit me heqjen e 3 pikëve në renditje gjatë këtij sezoni të Kategorisë Superiore, apo dënimet e shpeshta me zbritjen e pikëve në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar nuk duhet të përbëjnë çudi.
Në Europë ka edhe raste më të pabesueshme, me rekordin që vjen nga Italia fqinje. Sipas statistikave të periudhës nga viti 2013 deri në sezonin aktual, numri i klubeve profesioniste përtej Adriatikut ka zbritur nga 111 në 96. Por, pikët me të cilat klubet janë penalizuar kanë pësuar rritje. Të dhënat e 3-vjeçarit të fundit janë shqetësuese, duke përbërë një rekord me 72 pikë të hequra për skuadrat e Serisë B dhe Lega Pro.
Në kohën kur klubet në aktivitet kanë rënë me 13,5 për qind, pikët e penalizimeve janë rritur nga 30 në vitin 2013, në 61 dhe deri në 72 në sezonin aktual, me një rritje të pabesueshme prej 140 për qind. Plot 18 skuadra të përfshira, praktikisht një në 5 ekipe. Që futbolli në Itali është në krizë, kjo nuk përbën më lajm, por statistikat të cilat u referohen dënimeve ndaj klubeve lidhen thuajse të gjitha me faktin, se klubet nuk arrijnë të paguajnë lojtarët. Në Serinë B janë regjistruar 9 pikë penalizim: 7 për Lanciano-n dhe 2 për Novara-n. Asnjë problem në sezonin aktual në Serinë A, që vitin e kaluar u përball me dënimin e Parmës me 7 pikë, ndërsa më pas klubi pjesë e të cilit ishte edhe Andi Lila, falimentoi.
Por, kriza duket se ka mbërthyer kategorinë e tretë italiane, e njohur edhe si Lega Pro. Rasti i Riminit është thuajse i krahasueshëm me atë të Tërbunit në Kategorinë Superiore. Por, ndryshe nga pukjanët që vijojnë të dhurojnë surpriza dhe nuk janë penalizuar pavarësisht se lojtarët nuk paguhen thuajse prej startit të sezonit, ekipi italian është penalizuar me 3 pikë, pasi klubi nuk shpërndan rrogat prej tetorit 2015. Grupi i Jugut është edhe më problematik, me 9 nga 18 skuadra të penalizuara, ku spikat Catania me 10 pikë penalizim. Por, askush nuk mund të thyente primatin e Savonas, që pas 14 pikëve të hequra në Grupin B, prej disa javësh ka zbritur në kategorinë e katërt.

Reali është makineri

Që nga koha kur drejtimin e skuadrës së Realit e ka marrë Zinedin Zidan, ekipi “galaktik” ka filluar të dominojë kundërshtarët në aspektin fizik. Diçka e tillë nuk ndodhi të martën, sepse Siti arriti të vraponte më shumë se Reali. Pavarësisht këtij fakti, “qytetarët” nuk arritën për asnjë moment të tregonin këtë dominim fizik, sepse në pamje të parë ishte Reali që kishte gjithmonë topin dhe rastet më të rrezikshme për të shënuar.
Tetë prej lojtarëve të Realit të Madridit vrapuan më shumë se 10 kilometra, duke garantuar grintë, muskuj dhe lojë të fortë fizike. Vetëm 2 (portieri nuk llogaritet) prej tyre nuk arritën të kalonin këtë shifër. Marselo u ndal në 9.6 kilometra dhe Benzema, i cili u largua nga fusha e lojës për shkak të dëmtimit. Lukas Vaskez ishte ai që nuk u ndal kurrë dhe arriti të përshkonte 13.323 metra, dy kilometra më shumë se De Bryjne, i cili vrapoi më shumë në radhët e Mançester Sitit. Në total, anglezët vrapuan 113.177 kilometra, ndërsa Reali 112.691. Pavarësisht këtij dominimi të lehtë fizik, skuadra e Pelegrinit nuk krijoi raste për të shënuar dhe kjo shpjegohet me skemën dhe taktikat e përdorura nga dy trajnerët.
Siti ishte i shthurur dhe nuk arriti asnjëherë të vendosej ashtu siç duhej taktikisht, duke u thyer në mesfushë nga skuadra e Realit. Aguero, Navas dhe De Bryjne nuk mund të bënin asgjë, sepse asnjëri prej tyre nuk mund të thyente mbrojtjen e hekurt dhe mesfushën e blinduar të Zidanit. Reali, pavarësisht se në fillim e nisi ndeshjen me skemën 4-3-3, gjatë saj e transformoi në 4-5-1, duke u mbrojtur në mënyrë perfekte për të mos u lënë hapësirë kundërshtarëve.
Luka Modriç dhe Toni Kros janë dy lojtarët kryesorë të “bandës” së Realit, të cilët me teknikën dhe zgjuarsinë e tyre arritën të kryenin pasime të sakta. Toni Kros gaboi vetëm një nga 77 pasimet e tij në total, duke u shndërruar në një robot të vërtetë. Pas tij edhe Modriç bëri një ndeshje spektakolare dhe 87% të pasimeve të tij ishin të sakta.
“Galaktikët” luajnë shumë pak herë me topa vertikalë dhe kjo i bën një skuadër shumë të fortë për t’u thyer. Me mungesën e Ronaldos sigurisht që kishin humbur në aspektin fizik dhe teknik, por grinta e këtij ekipi vazhdon të jetë e njëjta. Me Zidanin kanë gjetur shpirtin luftarak.

Tatimet u kërkojnë bizneseve të vogla të kalojnë me dëshirë te i madhi, ndryshe…

Bizneseve nga 5-8 milionë lekë, që u është verifikuar xhiro afër 8 milionë lekë u kërkohet të kalojnë si subjekt i madh (tatim fitimi u rritet automatikisht nga 7.5% në 15%), ndërsa atyre afër 5 milionë lekë u kërkohet të regjistrohen me TVSH. Çdo kalim në një kategori më lart do të rriste ndjeshëm barrën fiskale për subjektet përkatëse. Tatimet u kanë nisur një sërë bizneseve të vogla njoftime zyrtare ku u kërkojnë subjekteve që e kanë xhiron afër 8 milionë lekë (që është kufiri që e ndan biznesin e vogël nga i madhi) që të kalojnë vullnetarisht në biznes të madh, pasi nga verifikimet në sistemin e ri elektronik ka rezultuar se qarkullimi i realizuar nga kompania është i përafërt me kufirin e regjistrimit si biznes i madh. Si rrjedhojë, Drejtoria e Tatimeve i ka ftuar bizneset që të paraqiten në mënyrë të vullnetshme brenda datës 31 maj pranë zyrave të saj, për të bërë kalimin në biznes të madh. Në shkresën e tatimeve shprehet qartë se, nëse bizneset do të refuzojnë të paraqiten vullnetarisht, atëhere dy punonjës të tatimeve do të paraqiten tek subjekti për të bërë verifikim dhe kontroll në vend të situatës dhe nëse do të gjejnë shkelje atëherë do të bëhen subjekt i masave ndëshkuese. Edhe subjekteve me xhiro afër 5 milionë lekë (që është kufiri që ndan biznesin e vogël pa TVSH me atë po të vogël me TVSH) dhe që bëjnë vullnetarisht deklarimin në biznes të vogël me TVSH u është kërkuar që të kryejnë deklarimet mujore të librave të shitjeve dhe të blerjeve dhe deklarimin e TVSH-së brenda datës 14 të çdo muaji.

Si rriten automatikisht taksat

Subjektet me xhiro nga 0-8 milionë lekë janë biznese të vogla me dy kategorizime. Subjektet me xhiro nga 0-5 milionë lekë nuk paguajnë TVSH, ndërsa dhe taksa e biznesit të vogël prej disa muajsh është bërë zero. Ndërsa subjektet nga 5-8 milionë lekë janë të përfshirë në TVSH dhe paguajnë tatim fitimi të thjeshtuar prej 7.5%. Çdo kalim në një kategori më lart do të rriste ndjeshëm barrën fiskale për subjektet përkatëse: biznesi deri në 5 milionë lekë do të bëhej subjekt i TVSH-së (çka do të duhej ta reflektonte në çmimet e produkteve e shërbimeve) dhe do paguajë 7.5% tatim fitimi. Ndërsa biznesi nga 5-8 milionë lekë, nëse kalon te i madhi do të bëhej automatikisht subjekt i tatim fitimit prej 15% (pra dyfishim taksash). Pak ditë më parë, ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi se të gjitha bizneset e Bllokut do të kategorizoheshin si subjekte të mëdha.