Të ardhurat buxhetore shënuan një rënie vjetore me 4 për qind në muajin mars, ndonëse në nivel tremujor arkëtimet janë 10 për qind më të larta se të vitit të kaluar, për shkak të ecurisë pozitive në janar e shkurt.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave totali i të ardhurave në muajin mars ishte 1.2 miliardë lekë më i ulët se i marsit 2015, apo 4% më pak.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë pasur një ecuri të mirë, duke shënuar një rritje me 11 për qind në krahasim me 2015, porse rënia duket të ketë ardhur nga zërat jo tatimorë.
Në marsin e vitit që shkoi arkëtimet nga të ardhurat jo tatimore shënuan 4.9 miliardë lekë. Ky zë në atë periudhë i dedikohej shitjes ë lejeve 3G ndaj operatorëve celularë. Nga të ardhurat jo tatimore në tremujorin e parë janë arkëtuar vetëm, 1.5 miliardë lekë me një rënie 68 për qind në krahasim me 2015.
Më përkeqësim janë edhe të ardhurat nga pushteti vendor. Megjithëse janë bërë përpjekje për rritjen e arkëtimeve të taksës së pasurisë, duke e përfshirë atë te fatura e ujit, sërish të ardhurat nga taksa e banesave janë në rënie. Në mars 2016 të ardhurat nga pushteti vendor janë ulur me 10 për qind, ku rënien më të madhe e ka pësuar taksa mbi pasurinë, ndërtesat me 45 për qind më pak se marsin e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat nga taksat e biznesit të vogël në mars janë rritur me 200% në krahasim me marsin e vitit 2015. Më poshtë, shihet tabela me ndryshimet përkatëse në të gjitha zërat e të ardhurave.
Ngadalësimi i rritjes së të ardhurave ishte i pritshëm, për shkak se rritja dy shifrore e dy mujorit i dedikohej dhe nivelit të ulët të të ardhurave në janar-shkurt 2015, për shkak të problemeve që u hasën me sistemin e ri online dhe uljes së importeve të mallrave të akcizës, teksa ato u importuan ndjeshëm më shumë në dhjetor 2014, në pritje të rritjes së taksave.
Financat duket se do ta kenë të vështirë të ruajnë ritmin e lartë të rritjes së të ardhurave të konstatuara në dy muajt e parë të vitit. Niveli i ulët i të ardhurave në dy muajt e parë të vitit të kaluar dhe rritja e fortë e mallrave të akcizës, dy faktorët që ndikuan në rendimentin e mirë të janar-shkurtit, nuk pritet të “ndihmojnë” më në muajt në vijim.
Në janar dhe shkurt 2015 u mblodhën më pak se 30 mld lekë në muaj (25.7 mld në janar dhe 26 mld lekë në shkurt), më pas, ritmi u përmirësua ndjeshëm dhe mesatarja mujore ishte gati 33 miliardë lekë në muaj (as shkurti as janari 2016 nuk e kapën këtë mesatare të mars-dhjetorit 2015).
Ndalet rritja: Të ardhurat buxhetore shënuan rënie me 4% në mars, ja arsyet
Real Madrid nuk heq dorë nga Neymar
Në 2013-ën Neymar Jr, refuzoi një ofertë faraonike nga Reali i Madridit për të firmosur me Barcelonën, duke zgjedhur skuadrën blaugrana si opsionin më të mirë për të vijuar karrierën. Por edhe pse kanë kaluar tre vite nga ai refuzim, te Reali i Madridit nuk kanë hequr dorë nga sulmuesi brazilian dhe do të bëjnë gjithçka për të bërë të tyrin 24-vjeçarin, edhe pse në këto momente t’i shkëputësh Neymarin, Barcelonës ngjason më shumë me një mision të pamundur. Presidenti i Los Blancos, Florentino Perez vazhdon të mbetet i fiksuar mbas Neymar dhe sipas gazetës, “El Confidencial” është gati të bëjë një çmenduri financiare për të transferuar në kryeqytetin spanjoll, kapitenin e Selecaos.
Kjo e përditshme ka zbuluar se gjatë muajve të kaluar ka patur një takim të dyfishtë mes numrit 1 të Realit dhe babait të Neymar, që është njëkohësisht edhe menaxheri i futbollistit. Ideja e Perez është të bindë të atin e 24-vjeçarit që Neymar Jr të transferohet në “Santiago Bernabeu”. Takimi i parë mes palëve ka ndodhur në Madrid në muajin dhjetor, ndërsa i dyti në Zurich gjatë mbrëmjes gala të Topit të Artë. Sipas “El Confidencial”, Florentino Perez në bisedat që ka patur me babain e Neymar i ka bërë të qartë këtij të fundit se do ta mbulonte me ar djalin e tij vetëm e vetëm që ylli brazilian ta vazhdonte karrierën te Reali i Madridit.
Milan, 30 vite, 820 milionë euro shpenzime
Milani është në momentin më të vështirë të tij në 30 vitet e presidencës së Silvio Berluskonit. Në aspektin sportiv, skuadra kuqezi edhe këtë vit mbeti jashtë Ligës së Kampioneve, ndërkohë që me dëshpërim po kërkon pjesëmarrjen në Europa League. Ndërsa në aspektin financiar gjërat janë akoma më keq.
Në bilancin e vitit 2015, Milani rezulton me një humbje prej 89.3 milionë eurosh, ndërkohë që shifra e shpenzuar vitin e kaluar nga Berluskoni ishte 150 milionë euro. Por problemi nuk është vetëm viti 2015. Që nga viti 1986 e deri tani, kompania FinInvest, që zotëron 99.9% të Milanit, ka investuar në forma të ndryshme një total prej 820 milionë eurosh. Më e keqja është se gjatë kësaj periudhe, Milani vetëm në 3 raste e ka mbyllur bilancin e tij me fitim. Hera e fundit që ka ndodhur kjo ishte në vitin 2006, me një fitim prej 11.9 milionë eurosh, kur Milani lejoi largimin e Shevchenkos te Chelsea.
Sigurisht, nuk mund të mohohen sukseset dhe trofetë e fituara nga ky klub në arenën italiane dhe atë ndërkombëtare, por situata e viteve të fundit ka bërë që ato të harrohen disi, ndërkohë që raporti me tifozerinë është përkeqësuar. Milani tashmë e ka humbur vendin e tij në elitën e futbollit evropian, duke ia lënë atë Juventusit, që ka siguruar të ardhura prej 328 milionë eurosh, 100 milionë më shumë se milanezët, që në vitin 2015 regjistruan të ardhura prej 219.7 milionë eurosh.
Zenga: De Biasi trajneri i Italisë
Emri i Gianni De Biasit vazhdon të mbetet shumë i përfolur përtej Adriatikut. Valter Zenga ish- portieri legjendar i Interit dhe përfaqësueses së kaltër vë bast madje është i bindur se De Biasi do të jetë trajneri i ardhshëm i Italisë, duke pasuar kështu në stolin e 4-herë kampionëve të Botës, Antonio Conten, i cili do të largohet pas përfundimit të Euro 2016-të. Në një intervistë për “Sport Mediaset” Zenga la të kuptohet se De Biasi do të jetë trajneri i ri i përfaqësuses së kaltër. Por për 59-vjeçarin interesohet edhe Lazio. Simone Inzaghi me shumë gjasa do të largohet nga drejtimi i klubit bardhekaltër në përfundim të këtij sezoni, dhe siç raporton e përditshmja italiane “Il Messaggero”, përveç Cesare Prandellit dhe Sinisa Mihajloviç një kandidaturë e fortë për t’u ulur në pankinën e Lazios është edhe De Biasi.
59-vjeçari është nën kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në vitin 2017-të, megjithatë ky fakt nuk e pengon aspak presidentin e Lazios, Claudio Lottito të shfaqë haptazi interesin e tij për De Biasin. Edhe pse për momentin Prandelli dhe Mihajloviç janë më të avantazhuar numri 1 i stolit të Shqipërisë ka shanset e tij për të marrë drejtimin e skuadrës kryeqytetase. Së fundmi, mediat italiane kanë raportuar edhe për një takim mes trajnerit italian dhe drejtorit sportiv bardhekaltër Igli Tare, por vetë De Biasi i intervistuar nga mediat italiane ka mohuar gjithçka, duke nënvizuar se ka rreth një vit që nuk e takon Taren. Trajneri i Kombëtares Kuqezi ka shtuar gjithashtu se nuk ka asgjë mes tij dhe klubit të Lazios.
Ronaldo mungon në ndeshjen e kthimit me Citin
Në momentin më të mirë të sezonit, Zinedin Zidan duhet t’i bëjë llogaritë pa disa nga lojtarët më kryesorë të Realit. Pas përmbysjes spektakolare në kampionat dhe kualifikimit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, tani duket se ka ardhur momenti më i vështirë për madrilenët. Mungesa e Ronaldos në sfidën e së martës dëshmoi qartë se, Reali e ka shumë të vështirë të luajë pa të, sepse ai është pikë referimi për skuadrën. Si të mos mungojë vetëm dëmtimi i Ronaldos, Zidan duhet të shqetësohet edhe për situatën e Benzemasë dhe Heses.
Klubi madrilen i siguroi të gjithë se Kristiano Ronaldo nuk kishte asnjë dëmtim të rëndë dhe se do të ishte i gatshëm për ndeshjen e ardhshme ndaj Mançester Sitit. Deklarata e Zidanit një ditë përpara ndeshjes rezultoi një gënjeshtër e madhe, sepse portugezi nuk ia doli.
Madje, ai rrezikon të luajë edhe në sfidën e kthimit. Mediat në Spanjë kanë zbuluar se, Ronaldo ka dëmtuar fibrat e muskujve të kofshës dhe nuk mund të rrezikojë, nëse nuk është i rikuperuar plotësisht. Mjekët e Realit kanë filluar trajtimin special me injeksione, duke tentuar mrekullinë për ta rikthyer atë të gatshëm për ndeshjen e ardhshme ndaj Sitit, e cila do të luhet javën e ardhshme. Të gjithë i kanë sytë nga Ronaldo.
Benzema ia doli të luante vetëm 45 minuta në Angli ndaj Sitit dhe braktisi fushën e lojës për shqetësimet muskulore. Edhe Karim Benzema është në dyshim për gjysmëfinalen e kthimit dhe do të provojë të jetë me çdo kusht në fushën e lojës. Francezi është një pikë shumë e fortë e skuadrës së Zidanit, pasi sa herë që ai mungon, reparti i sulmit çalon.
Nuk ka dy, por tre. Hese Rodrigez është një tjetër shqetësim për trajnerin Zidan. Sulmuesi spanjoll ka ndier dhimbje në kofshë dhe, me shumë mundësi, nuk është i gatshëm për ndeshjen e ardhshme në kampionat kundër Sociedadit. Reali po luan në dy fronte, por rivali më i madh për momentin duket se janë dëmtimet.
Kosova aplikon për përfshirje në gazsjellësin TAP

Qeveria e Kosovës edhe zyrtarisht ka aplikuar për përfshirje në rrjetin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), shkruan sot Koha Ditore. Ky projekt ka paraparë ndërtimin e tubacionit të gjatë 878 kilometra, që do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan (rajoni Kaspik). Lajmin për aplikimin e ka dhënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Ndërsa, më shumë hollësi ka dhënë zyra për informim e kësaj ministrie. “Republika e Kosovës ka aplikuar bashkërisht me Republikën e Shqipërisë për përfshirje e projektit të Gazsjellësit Shqipëri-Kosovë, në Listën e Projekteve me Interes për Komunitetin e Energjisë (PECI – listës 2016)”, thuhet në përgjigjet e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Në MZHE kanë thënë se hyrja e këtij projekti në kuadër të listës PECI-2016 ka përparësi të mëdha për Kosovën dhe nëse do të kualifikohet për të hyrë në Listën PECI-2016, automatikisht do të trajtohet si projekt me prioritet. Nëse gjithçka shkon sipas planifikimit fillestar, afati i realizimit të projektit është parashikuar të jetë deri në fund të vitit 2022.
“Shuplakë” Bayernit

Atletiko e Madridit hodhi hapin e parë drejt finales së Milanos, pasi mundi 1-0 Bajernin e Mynihut, në ndeshjen e parë gjysëmfinale mes tyre në Champions League. Në sfidën e luajtur në “Vincente Calderon” ekipi i Simeones triumfoi 1-0 falë një goli të Saul në minutën e 11-të që mposhti Neuer me një goditje të bukur në hyrje të zonës. Atletico që në shtëpi është një kështjellë arriti të ruajë rezultatin deri në fund, pavarësisht se Bajerni në krahun tjetër u përpoq jo pak, sidomos në pjesën e dytë për të arritur te goli i barazimit.
Madje Alaba me një goditje fantastike në minutën e 55-të goditi dhe traversë, ndërsa dhe Vidal provoi gjithashtu nga distanca (74), por gjeti gati Oblak. Rezultati mund të kishte qenë dhe më i thellë në favor të Atleticos nëse “El Nino” Torres nuk do të kishte goditur shtyllën në të 75-ën, pasi kishte dribluar me mjaft mjeshtëri dhe Alaban. Pavarësisht se në fund Bajerni mbajti topin 70 për qind kundrejt 30 të Atleticos, los colchoneros arritën të fitonin, duke u nisur të favorizuar për ndeshjen e kthimit në “Allianz Arena” falë dhe faktit që nuk kanë pësuar gol në sfidën shtëpiake.
Saul Niguez shënoi një gol që do ta kishte zili edhe Lionel Mesi, një perlë, të cilën mesfushori i Atletikos së Madridit e vlerëson si më të rëndësishmin dhe padyshim më të bukurin e karrierës së tij: “Ta analizoj golin? Nuk e di, në momentin e parë pashë që kisha lënë dy kundërshtarë mbrapa, pas driblimit të parë dhe më pas ishte më e lehtë që të hyja në zonë dhe me të majtën ta dërgoja topin në shtyllën më të largët. Ishte shumë i bukur si aksion, ndonëse atë që kisha bërë e kuptova më qartë vetëm në dhomat e zhveshjes, kur e pashë në televizion. Për mua, ky ishte goli më i bukur dhe më i rëndësishëm që kam shënuar deri në këtë hap të karrierës sime”, nënvizon 21-vjeçari, i cili duket se ka dalë me pengje nga ky takim.
“Si e mendoj ndeshjen e kthimit? Shumë më të lehtë, nëse do të kishim qenë disi me fat në rastin e Torresit. Ajo shtyllë do të na kishte dhënë një shtysë më të madhe, sepse Bajerni ishte skuadra më e fortë me të cilën jam përballur ndonjëherë, taktikisht dhe teknikisht. Gjithsesi, tifozëria jonë bëri diferencën, prandaj në Gjermani duam të kualifikohemi edhe për ta”, tha ai.
Antuan Grizman nuk është aspak i frikësuar nga Bajerni i Mynihut në pritjen e ndeshjes së kthimit, sepse takimi më i vështirë sipas sulmuesit francez ishte ai i djeshmi në shtëpi, ku presioni për të fituar ishte edhe dyfish më i madh. Prandaj, në pritje të duelit të dytë dhe deciziv, të martën e ardhshme mëngjarashi premton një luftë edhe më të fortë nga ana e Atletikos së Madridit: “Bajerni ishte favorit, por Atletiko nuk i trembet askujt. Ne treguam edhe njëherë tjetër se përpara cilësive vjen karakteri i grupit dhe ne kemi me shumicë. Madje, nuk shoh ekipe në qarkullim që të kenë vetëbesimin tonë. Edhe fizikisht ndihemi mirë, prandaj jemi gati për betejën e radhës.
Në Gjermani do të jemi psikologjikisht më të çlirët, prandaj besoj se do të luajmë edhe më mirë sesa në shtëpinë tonë. Në këtë takim, kishim përkrah tifozët dhe presioni ndaj nesh ishte dyfish më i fortë, sepse donim të fitonim edhe për ultrasit tanë. Dhe fatmirësisht ia dolëm, ndonëse ky ishte vetëm hapi i parë. Besojmë te finalja dhe jam optimist se do t’ia dalim”, tha Grizman.
Kosova pagoi 248 milionë dollarë në mungesë të kodit
Nga viti 2000 deri në vitin 2016 Kosova ka paguar 248 milionë dollarë për dy kompani të huaja telefonike në mungesë të kodit të vet ndërkombëtar. Kështu shkruan në numrin e saj të fundit gazeta amerikane USA Tuday, transmeton RTK. Mosdhënia e kodit telefonik ndërkombëtar për Kosovës, ka prapavijë politike por edhe ekonomike. Sipas gazetës, USA Tuday, ndonëse Serbia dhe Kosova janë marrë vesh në Bruksel që Kosova të marrë kodin 383, kjo nuk do të ndodhë të paktën edhe një vit për shkak të pengesave që Serbia po ia nxjerrë Kosovës së pavarur. Si komb i ri i Evropës, Kosova ka shumicën e simboleve të vendeve të tjera sovrane, siç është flamuri dhe himni kombëtar. Por ajo që Kosova ende nuk e ka, për motive politike dhe ekonomike, është kodi ndërkombëtar i saj telefonik, gjë kjo që zemëron njerëzit në këtë vend të vogël prej 1.8 milion. Nga viti 2000 deri në vitin 2016 Kosova ka paguar 248 milionë dollarë për dy kompani të huaja telefonike në mungesë të kodit vetanak ndërkombëtar. Kështu shkruan në numrin e saj të fundit gazeta amerikane USA Tuday.
Nëse dëshironi të telefononi në Kosovë, ju këtë mund ta bëni vetëm përmes prefiksit të Monaco (377) apo Sllovenisë (386). Ndërkaq, në telefonat fiks duhet të thirrni kodin e Serbisë (381) – që është një trashëgimi frustuese qysh nga koha kur Kosova ishte një krahinë serbe dhe subjekt i vrasjeve dhe dëbimeve masive nga serbët. Është e padrejtë thotë Fjollë Shaqiri, studente e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. “Ne jemi të pavarur dhe tani jemi pjesë e komunitetin ndërkombëtar. Jemi në Evropë “ thotë ajo. Vendi i fundit që ka marrë kodin telefonik ndërkombëtar është Sudani në vitin 2011, i cili u pavarësua tre vjet pas Kosovës. Janë 193 vende në botë që kanë kodin e vet ndërkombëtar telefonik
Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 pas një lufte brutale, e cila përfundoi në vitin 1999. Shteti më i ri në Ballkan e kishte të ndarë kodin ndërkombëtar 383 qysh në vitin 1981, kur ishte pjesë konstituive e Federatës Jugosllave. Kjo ishte bërë nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomit që është një agjenci e Kombeve të Bashkuara. Por, Serbia e cila nuk njeh pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar përdorimin e kodit vetanak ndërkombëtar telefonik për Kosovën. Të dy shtetet kanë arritur në Brueksl marrëveshje për ndarjen e kodit ndërkombëtar për Kosovën që në muajin gusht të vitit të kaluar, por është Serbia që po pengon zbatimin në praktikë të kësaj marrëveshje. Gjurgja Gjukiq, hulumtues i iniciativës civile për demokraci dhe të drejta civile në Serbi, thotë se “Serbia ka bllokuar kodin ndërkombëtar për Kosovën, pasi ndodhet në luftë me simbolet e Kosovës”.
Neuer: Në ndeshjen e kthimit japim gjithçka
Manuel Neuer pas ndeshjes me Atletikos ka deklaruar se Bayerni në ndeshjen e kthimit në Munih, do të japë gjithçka për të kaluar në finale. Manuel Neuer ka deklaruar se është faji i tyre për golin e shënuar nga Saul Niguez i Atleticos, që në fund doli të ishte edhe i fitores për skuadrën spanjolle.
Megjithatë, portieri gjerman e pranoi që edhe goditja e Niguez ishte e mrekullueshme. “E kemi lënë Saulin t’i afrohej shumë golit. Duhet ta pranojmë fajin. Por megjithatë, ai e realizoi mjaft mirë goditjen”, deklaroi Neuer.
“Ne treguam shumë agresion dhe kurajë në pjesën e dytë. Ne ishim të humbur në pjesën e parë. Në Munih duhet të jemi ndryshe. Me tifozët prapa nesh, ne do të japim gjithçka për të shkuar në finale”, ka deklaruar Neuer.
Ndërsa trajneri i Atletikos, Diego Simeone, pas fitores që arriti në ndeshjen e parë ndaj Bayernit është ndier i lumtur ku lavdëroi skuadrën e tij për fitoren ku shtoi se pret një ndeshje të mrekullueshme në Gjermani. “Ishte ndeshje e mrekullueshme. Të gjithë besuan në punën e tyre. Takimi i kthimit do të jetë i mrekullueshëm. Bayerni ka shumë opsione në sulm, çdo ndryshim që bëjnë i bën edhe më të fortë se që janë”, ka thënë Simeone pas takimit.
Bindet Pallotta, Roma i ofron rinovimin Tottit
James Pallotta i shtrin dorën Francesko Tottit. Duket se në shtëpinë e Romës, situata mes presidentit Pallota dhe kapitenit Totti është drejt normalizimit. Përpara disa ditëve në mediat italiane u raportua se sulmuesi 39-vjeçar do të nisej drejt Bostonit për t’u takuar me Alex Zeccën, krahun e djathtë të Pallotës. E prej andej vinë lajme pozitive mbi të ardhmen e Francesko Tottit. Presidenti i Romës tashmë është i bindur që t’i ofrojë një rinovim kontrate kapitenit legjendar, e cila pritet të jetë dhe kontrata e fundit e një karriere të jashtëzakonshme e të gjatë me fanellën e Romës. Paraqitjet e mira në takimet e fundit dhe pesha që ka kapiteni në dhomat e zhveshjes, kanë qenë arsyet që e bindën presidentin Pallota për të zgjatur bashkëpunimin me Tottin.
Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet gjatë ditëve në vazhdim ose ndoshta javën e ardhshme. Kontrata e parë e Francesko Tottit është firmosur në shtator të 1996, ku president në atë kohë ishte Franco Sensi, ndërsa 20 vite më pas pas një karriere të jashtëzakonshme me skuadrën kryeqytetase, ai është në pritje të kontratës së fundit. Pas përfundimit të saj, 39-vjeçarit pritet t’i ofrohet një post drejtuesi tek verdhekuqtë.