30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Mbështetja për TAP dhe SHBA shkatërroi paktin mes Rusisë e Greqisë

Punetore, duke shkarkuar tubat e pare te mberritura ne Shqiperi, te projektit te gazsjellesit TAP, prane Spitalles ne Durres./r/n/r/nWorkers unload newly arrived pipes for the construction of the future Trans-Adriatic Pipeline in Spitalle, near Durres, aimed to bring gas from the Caspian Sea to Europe.The 867 km pipeline will cross through Greece, Albania, offshore under the Adriatic Sea, before reaching Italy.

Revista greke “Pronews” i ka dedikuar një artikull të gjatë ndikimit të gazsjellësve në marrëdhënien gjeostrategjike mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në të shkruhet sesi Lafazanis, ish-ministër i Energjisë në kohën kur vendin e drejtonte Syriza pati ndikuar gjatë periudhës janar – korrik të vitit të kaluar për të kultivuar një marrëdhënie më të ngushtë strategjike me Rusinë, duke synuar redukimin e “tepruar” të SHBA-së dhe BE-së në politikën greke. Një marrëveshje për të nxitur ndërtimin e tubacionit Greek Stream (vazhdimi i projektit tashmë të ngrirë Turkish Stream që parashikohej të kalonte në tokën greke). Me anë të një marrëveshjeje Greqia do të kishte pasur përfitime të rëndësishme dhe të menjëhershme pa asnjë kosto, por ajo nuk mundi të zbatohej.
Sipas Lafazanis, në një intervistë për kryerdaktorin e revistës “Koutras”, ishte presioni i SHBA-së më konkretisht ai i Sekretares së Shtetit, Nuland dhe të dërguarit të posaçëm për Energjinë Hochstein, që ndikuan në tërheqjen e Greqisë nga ky projekt. Në këtë mënyrë iu bë thirrje Greqisë që të mos ndikonte në sigrumin e energjisë nga burime që do të ulnin ndikimin rus dhe do t’i hapnin rrugë gazit që do të përshkonte Sirinë dhe Turqinë e për t’u lidhur më pas me TAP. Nga ana e saj, Rusia i bënte presion Greqisë, duke i premtuar se do të siguronte ndihma financiare për të. Ishte pikërisht kjo që e vuri Greqinë në pozita të vështira për të negociuar borxhet.
Por, nga ana e saj Rusia po përpiqet të fitojë terren në Lindjen e Mesme, si dhe në Ukrainë. Pronews shkruan se refuzimi i presidentit sirian Al-Assad për të rënë dakord për një gazsjellës në zonën Qatar-Arabia (një projekt i mbështetur nga SHBA) kalon nëpër territorin e saj ka qenë një nga shkaqet themelore për luftën civile siriane të vazhdueshme. Pavarësisht “ngrirjes” së projektit Turkish Stream, Rusia është në proces për të “ringjallur” South Stream, duke qenë se një nga linjat e saj ITGI u anullua për shkak të TAP. Rusia përmes këtyre projekteve synon që të ulë ndikimin e atyre që mbështeten nga SHBA, siç është TAP që synon të rrisë ndikimin e gazit azer.
Pronews, hedh si ide se qeveria e krijuar nga Karamanlis, ish-lideri i Partisë Demokracia e Re u “rrëzua” pikërisht për shkak të mbështetjes që ky i fundit i kishte dhënë projekteve energjetike ruse, ndërsa aludohet se Uashingtoni është akuzuar edhe për kërcënim ndaj familjes Karamanlis.

Kërkesat për mallra dhe shërbime bien në pikiatë, s’ka para

Bizneset kanë pohuar në një anketim për Bankën e Shqipërisë se kërkesa për mallra dhe shërbime ka pësuar rënie të fortë në tremujorin e parë të 2016. Bizneset përfaqësuese të katër sektorëve kryesore, industrisë, ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë kanë pohuar për një rënie mesatare me 10 për qind të kërkesës konsumatore. Kjo është tkurrja më e madhe që nga tremujori i fundit i vitit 2013.
Bizneset e sektorit të ndërtimit kanë pohuar rënien më të fortë të kërkesës me mbi 30 për qind në tremujorin e parë. Rënie domethënëse të kërkesës kanë raportuar edhe sektori i industrisë dhe shërbimeve. Ekspertët shpjegojnë se, tremujori i parë i çdo viti karakterizohet me rënie të kërkesës me tremujorët e tjerë për shkak të një pauze që ka konsumi pas festave të funditvitit, por me 2016 rënia ka qenë më e madhe se zakonisht.
Kjo situatë është reflektuar edhe çmimet e ulëta të mallrave dhe shërbimeve. Sipas të dhënave të të INSTAT inflacioni në muajt e parë të këtij viti ka qenë më shumë afër zeros së njëshit. Kërkesa e dobët konsumatore për mallra po ushtron presion për çmime të ulëta.
Kjo situatë po sjell efekte negative në të gjithë zinxhirin e ekonomisë, sidomos në shfrytëzimin nën potenciale të kapaciteteve të biznesit, e cila lajmëron për një perspektivë të dobët në rritjen e punësimit.
Paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë, një tregues direkt ky i ngadalësimit të ekonomisë dhe që është reflektuar dhe në rritjen e dobët të çmimeve, duke ngjallur frikën për deflacion.

Roma, Françesko Totti pranë rinovimit

Francesko Tottit shumë shpejt mund t’i ofrohet rinovimi i kontratës. Drejtori i përgjithshëm i Romës, Baldissoni deklaroi pas përfundimit të takimit me Napolin, se shumë shpejt Presidenti i verdhekuqve James Pallota dhe kapiteni i saj do të japin një njoftim shumë të rëndësishëm mbi të ardhmen e Tottit. E reja qëndron në faktin, se njoftimi mund të jetë diçka krejt ndryshe nga çka pritej deri përpara disa ditëve. Kontrata aktuale që ka Totti përfundon më 30 qershor dhe presidenti i Romës po mendon t’i ofrojë sulmuesit rinovimin edhe me 1 vit.
Pas përfundimit të takimit me Napolin, Francesko Totti u pa teksa largohej nga ambjentet e stadiumit “Olimpico” i qetë dhe i buzëqeshur, në krah të tij qëndronte dhe bashkëshortja Illary së bashku me fëmijët. Kapiteni do të niset këto ditë për në Boston, për t’u takuar me Alex Zecca, i cili është krahu i djathtë i presidentit Pallota. Gjatë kësaj jave drejtuesit e verdhekuqve do të nisin dhe fushatën e abonimeve për sezonin e ri të Serisë A dhe ndoshta do të vijë dhe lajmi i shumëpritur nga tifozët e skuadrës kryeqytetase, ai i rinovimit të kontratës për kapitenin legjendar.
Në Angli janë të sigurtë, Radja Nainggolan sezonin e ardhshëm do të jetë një futbollist i Chelsea-it. Lajmi publikohet nga gazeta “Daily Mirror” në versionin e saj online. Pas 48 orëve bisedime mes drejtuesve të Bluve të Londrës dhe atyre të Romës, palët kanë arritur marrëveshjen për kalimin e mesfushorit belg në “Stamford Bridge”. Kartoni i Radja Nainggolan do t’i kushtojë Chelsea-it, 28 milionë paund rreth 36 milionë euro. Futbollisti pritet të nënshkruajë me Blutë e Londrës një kontratë 5-vjeçare. Presidenti rus i klubit londinez, Roman Abramovich ka arritur t’i plotësojë kështu dëshirën e parë trajnerit të ri, italianit Antonio Conte.
Ky i fundit ka këmbëngulur që të kishte në skuadrën e tij ish-lojtarin e Cagliarit dhe tashmë Conte mund ta bazojë mesfushën e Chelsea-it rreth Radja Nainggolan. Te Blutë lëvizjet në merkato do të jenë të shumta gjatë verës dhe 27-vjeçari me origjinë indoneziane mund të jetë vetëm lojtari i parë që do t’i bashkohet Chelsea-it. Conte kërkon të transferojë në “Stamford Bridge” të tjerë futbollistë nga Seria A italiane, ku spikasin, Bonucci, Pogba, Perisic e Icardi, futbollistë të cilët trajneri i kombëtares së kaltër, i ka ndjekur shpesh nga afër në ndeshjet e fundit.

Eksportet e fasonit nën presion, bie importi i lëndëve të para

Importet e lëndëve të para për industrinë fasone kanë pësuar ulje për tremujorin e parë të 2016 krahasuar me vitin e kaluar, duke paralajmëruar një ecuri më të moderuar të eksportit për këtë industri gjatë periudhës në vijim. Sipas të dhënave nga doganat në tremujorin e parë të vitit importi në regjim të përpunimit aktiv arriti në 22,9 miliardë lekë nga 23.2 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke pësuar një ulje me 1.2 për qind. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë pohuar se importet e destinuar të regjimit të përpunimit aktiv janë një sinjalizim i parë për ecurinë e eksporteve të mëvonshme në industrinë fason. Lënda e parë për industrinë fason pa një rritje të shpejtë në vitin 2014, me zgjerim mbi 35 për qind krahasuar me vitin 2013. Sakaq pjesëtarë të tregut në parashikimet e tyre për këtë vit nuk janë treguar shumë optimistë. Rritja e taksave, çmimit të energjisë elektrike dhe ikja e krahut të kualifikuar të punës në emigracion ka përkeqësuar klimën e biznesit në industrinë fasone. Flamur Hoxha, administrator i kompanisë “Kler” dhe Donika Mici nga kompania “Doniana”, dy kompani që kanë realizuar ciklin e mbyllur e shohin të vështitë këtë vit. Eksportet e sektorit në maksimumin e tyre do të zgjerohen nga 6-10 për qind parashikojnë ata. Eksportet e tekstileve e këpucëve u rritën me 5%, në gati 90 miliardë lekë për vitin 2015, duke u bërë grupi më i madh i eksportuar në vend, me 37% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse dhe energjia me 34% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë vetëm në gjysmën e dytë të vitit, pas rënies në muajt e parë të vitit dhe ka qenë pozitiv në muajt e parë të 2016-ës, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë në 2014-ën.

Objektivat e Barçës

Blerja e një qëndërmbrojtësi do të jetë objektivi parësor i Barcelonës në merkaton e ardhshme, madje mediat që qëndrojnë pranë skuadrës blaugrana aludojnë se mund të jenë dy lojtarët që mund të afrohen në këtë repart. Për të përforcuar mbrojtjen, drejtuesit e Barcës e kanë hedhur vështrimin nga Paris Saint Germain, klub tek i cili kanë piketuar dy futbollistë si afrime të mundshme për skuadrën e tyre. Bëhet fjalë për dy lojtarët brazilianë Thiago Silva dhe Marquinhos. Zgjedhja e parë është pikërisht ish-kapiteni i Selacaos, i cili sipas gazetës katalanase “El Mundo Deportivo” e shikon me sy të mirë transferimin në “Camp Nou”. Thiago Silva ka fituar gjithçka në Francë me Paris Saint Germain dhe për të fituar edhe në Europë dëshiron të kalojë te Barcelona. Në 2012-ën i ndjeri Tito Vilanova kërkoi ta bënte pjesë të Barcës futbollistin, por në atë periudhë Thiago Silva preferoi paratë e shumta që i ofroi Parisi. Gjithsesi tashmë në moshën 31-vjeçare ish-mbrojtësi i Milanit është lodhur, duke fituar kampionatin, Kupën e Ligës dhe Kupën e Francës me skuadrën pariziene dhe kërkon një eksperiencë të re.
Thiago Silva ka një kontratë deri në vitin 2018 me klubin francez dhe për ta lënë të lirë drejtuesit e Paris Saint Germain duan të përfitojnë rreth 30 milionë euro. Por nga kampionët e Francës, Barca kërkon edhe brazilianin tjetër Marquinhos. Sipas “Sport.es” ish-lojtari i Romës pëlqehet shumë nga drejtuesit blaugrana, por në këtë operacion merkatoje gjithçka do të varet nga dëshira e Paris Saint Germain për t’u privuar ose jo nga shërbimet e Marquinhos-it. Është e sigurtë që në verë te Barcelona do të ketë një revolucion në repartin e mbrojtjes, sepse plot 6 lojtarë të prapavijës pritet të largohen. Kështu Dani Alves, Thomas  Vermaleen, Marc Bartra, Aleix Vidal, Adriano dhe Douglas me shumë mundësi do t’i japin lamtumirën skuadrës blaugrana për t’u bërë vend prurjeve të reja. Të sigurtë qëndrimin e kanë vetëm Pique, Mascherano, Jordi Alba dhe deri diku Jeremy Mathieu.
Futbollisti i Villarealit, Eric Bailly, është një nga emrat më të rëndësishëm që Barcelona e ka në konsideratë për përforcimin e mbrojtjes, aty ku skuadra blaugrana nuk po gjen qetësi që pas tërheqjes nga futbolli të Carles Pyol. 22-vjeçari po rezulton lojtari “kyç” në prapavijën e nëndetëses së verdhë, pavarësisht moshës së tij të re. Ka zhvilluar në total 33 ndeshje gjatë këtij sezoni, 24 vetëm në Primera Division edhe pse gjatë muajit shkurt qëndroi në infermieri për shkak të një dëmtimi.
Sekretari teknik i Barcës, Robert Fernandez, ka udhëtuar disa herë drejt Villarealit, për të vëzhguar nga afër Denis suarezin, por duket se në të njëjtën kohë është interesuar dhe për Bailly, një lojtar i ri në moshë dhe polivalent, pasi mund të luajë në çdo pozicion në mbrojtje.

Milan, e ardhmja e Brocchi në dyshim

Nisi në mënyrën më të mirë aventura Christian Brocchi në krye të stolit të Milanit. Kuqezinjtë arritën të merrnin 3 pikë në një transfertë të vështirë përball Sampdorias. Por, festa zgjati pak në Milanelo, pasi humbja ndaj  Hellas Verona skuadër, e cila e ka hipotekuar rënien në Serinë B, ka bërë që në shtëpinë e Milanit ujërat të trazohen. Tekniku Brocchi e dinte shumë mirë, se të marrësh nën drejtim Milan në këto momente për ta ringritur dhe për të siguruar një biletë për në Europa League, do të ishte një mision shumë i vështirë, por ndoshta nuk kishte arritur të dallonte se Milani i sotshëm, nuk ishte më skudra e dikurshme. Mungon fryma e grupit dhe vendosmëria në fushën e blertë.
Gjithashtu dhe në aspektin teknik kuqezinjtë lënë shumë për të dëshiruar. Finalja e Kupës së Italisë që do të luhet më 21 maj, shton akoma dhe më shumë ankthin në radhët e “kuqezinjve”. E ardhmja e Christian Brochi ka tre alternativa. E para është nëse Berlusconi vendos t’ja lërë presidencën investitorëve kinezë, janë pikërisht këta të fundit që do të vendosin për të ardhmen e stolit. Alternativa tjetër është nëse, arrin të fitojë ndaj Juventusit në finale, Brochit mund të vazhdojë aventurën e tij tek kuqezinjtë dhe nëse humbet do t’i duhet t’i thotë lamtumirë Milanelos.

Cristiano Ronaldo te PSG?

Sulmuesi i Real Madrit, Cristiano Ronaldo, ka firmosur një para kontratë me presidentin e Paris Saint Germain, Nasser Al-Khealifi. Sipas asaj që raportojnë mediat, transferimi i CR7 tek parizienët mund të realizohet vetëm në rast se portugezit nuk i ofrohet rinovimi nga ana e drejtuesve të klubit mbretëror. Nisur nga kjo, agjenti i sulmuesit Jorge Mendes ka nisur kontaktet me presidentin e “Los Blancos” Florentino Perez, për të biseduar mbi një rinovim të mundshëm të kontratës, e cila skadon në qershor të 2018.
Aspekti ekonomik është i rëndësishëm për 3 herë fituesin e Topit të Artë, por 31-vjeçari ka kërkuar gjithashtu që në raste transferimi tek kampionët e Francës, këta të fundit të krijojnë një skuadër kompetitive, e cila të jetë e aftë të luftojë për të fituar trofe në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë. Duket se kërkesa e portugezit është e realizueshme pasi, vetë numri i PSG, Nasser Al-Khelaifi i ka dhënë garanci Ronaldos për një gjë të tillë. Madje, ai i ka premtuar gjithashtu dhe afrimin e 3 ose 4 lojtarëve cilësorë për të përforcuar akoma dhe më shumë ekipin.

City-Real, “paqe” në takimin e parë

Ka përfunduar në barazim 0-0 ndeshja e parë mes Manchester Cityt dhe Realit të Madridit e vlefshme për gjysmëfinalet e Champions League. Reali e nisi këtë takim pa portugezin Ronaldo, i cili mungoi për arsye dëmtimi dhe me shumë gjasa Zidane duhet të bëjë pa të edhe në ndeshjen e kthimit.
Për Manchester Cityn, kjo ishte një ndeshje historike, pasi ishin për herë të parë në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni. Anglezët hasën vështirësi në krijimin e aksioneve, por të njëjtën problem patën edhe spanjollët pa Ronaldon në sulm, të paktën në 45 minutat e para.
Në pjesën e dytë, Reali i Madridit ishte më superior, por sërish edhe pse krijuan raste nuk arritën të zhbllokonin shifrat deri në fundin e takimit. Pas barazimit të bardhë në ndeshjen e parë, tashmë mbetet gjithçka e hapur për ndeshjen e kthimit në Madrid, e cila do të luhet me 4 maj në “Santiago Bernabeu”.
Manuel Pellegrini ka bërë të ditur se do të bëjë çmos në ndeshjen e kthimit që të kualifikohen në finale. “Të dy ekipeve u ka munguar kreativiteti. Në kishte më shumë qëndrim, më shumë dëshirë për të fituar ndeshjen, por barazim pa gola nuk është rezultat i keq”, ka deklaruar Pelelgrini.

Reali në ankth për Ronaldon

Reali në ankth për Ronaldon, muskujt e portugezit nuk janë në formën më të mirë dhe nuk është e thënë që Reali i Madridit ta ketë në dispozicion të mërkurën e ardhshme në “Bernabeu” për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të Champions Me Cityn. “Duhet të shohim se si do të jetë gjendja e tij ditë pas dite”, deklaroi Zidane pas barazimit 0-0 në Manchester, të cilin portugezi e ndoqi si spektator. Një kontraktim në muskujt anësorë të kofshës i pësuar në ndeshjen me Villarealin shkaktoi problemin, me Zidane që e la pushim në ndeshjen me Rayo Vallecano, por gjatë stërvitjes së të hënës një tjetër problem muskular, këtë herë në pjesën e pasme të kofshës, e detyroi trajnerin të hiqte dorë nga ylli i skuadrës së tij edhe në Champions.
Tani, Zidane ashtu si dhe tifozët e “Los Blancos” janë në ankth për të mësuar nëse portugezi do të jetë në ndeshjen e kthimit, kjo edhe për faktin se nuk është i njëjti Real pa Ronaldon. Portugezi mungoi ndaj Rayos dhe madrilenët ja hodhën falë Bale, duke përmbusyr rezultatin nga 2-0 në 2-3, me Manchester Cityn mungesa e tij u ndie më tepër. Rezultati 0-0 është paska gënjeshtar, pasi Reali i pati shanset për të shënuar, por ishte evidente se në nivele të tilla ka një diferencë të madhe mes portugezit dhe Lucas Vazques.

Inkriminimi, Rama sistemon Shullazin me qeli luksi tek VIP-at

Emiljano Shullazi është transferuar nga paraburgimi 302 ku ndodhej që prej ditës së arrestimit dhe është dërguar në Elbasan.

Burime nga Drejtoria e Burgjeve kanë bërë të ditur se, ai është dërguar në paraburgimin e Elbasanit, në sektorin VIP. Mësohet se Shullazi është dërguar në të njëjtin vend ku ishte Vladimir Gjuta para se të arrestohej. Ndërkaq bëhet e ditur se miku i Shullazit, Blerim Shullazi është transferuar nga paraburgimi 302 tek ai “Jordan Misja” ose siç njihet Burgu 313. I arrestuari tjetër, Gilmano Dani është dërguar në paraburgimin e Fushë- Krujës.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet edhe ndaj përfaqësuesit të kompanisë arabe, shtetasit Ylvi Beqja, i cili i dhuroi 20% të pronës së njohur si ish-hotel “Vollga” në Durrës, Emiljano Shullazit. Bëhet e ditur se, grupi hetimor, krahas hetimit penal ndaj Emiljano Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe kanosjes, ka bllokuar llogaritë bankare të kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe përfaqësuesit të saj Ylvi Beqja në Shqipëri.

Sipas akuzës, dyshohet se prona e ish-hotel “Vollgës” është përfituar me anë të dokumentave të falsifikuara dhe për pasojë shitja e një pjese të saj, ka sjellë konsumimin e elementëve të veprës penale të pastrimit të parave. Për këtë fakt, është vendosur sekuestrimi i pronës dhe bllokimi i llogarive bankare, thonë burimet.

Ndërkohë në ditët në vazhdim pritet të merret në pyetje edhe Ylvi Beqja për të dhënë shpjegime për aktin e dhurimit të 20% të pronës së kompanisë së tij Shullazit. Ky dhurim, është pranuar edhe nga vetë Beqja, i cili ka deklaruar në media se i kishte kërkuar ndihmë Shullazit për regjistrimin e pronës. Për kalimin e 20% të pronës me vlerë 700 mijë euro, Beqja ka thënë se ka marrë miratimin edhe nga kompania arabe, që ai përfaqëson në Shqipëri. Ky dhurim, sipas Beqaj, është bërë në shenjë mirënjohje për Shullazin, për ndihmën që i kishte dhënë kompanisë për regjistrimin e pronës. Ai ka deklaruar në media, se ishte i lumtur që kishte kontaktuar Emiljano Shullazin për zgjidhjen e problemeve të tij me individ dhe gjyqësorin në Shqipëri, duke arritur pas shumë vitesh të marrë pronën që kishin blerë në vitin 1994.

Në kontratat e firmosura mes kompanisë arabe dhe Shullazit, specifikohen detyrimet e palëve, ku i arrestuari për “gjobëvënie” merr përsipër regjistrimin e pronës në emër të kompanisë, zgjidhjen e konflikteve mes kompanisë arabe dhe shtetasit Zanmir Hasa si dhe marrjen e çertifikatës së pronësisë në emër të kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”. Kjo marrëveshje është nënshkruar më 18 shkurt 2013 që më pas ka vazhduar edhe me tre kontrata të tjera deri në atë të fundit që mban datën e 9 dhjetorit të 2014, ku merr me anë të dhurimit 20% të pronës. Me marrjen e çertifikatës së pronësisë, kompania arabe me përfaqësues Ylvi Beqjan i shet pjesëtarëve të familjes Kodra 1749 m2 për 671 mijë euro.

Ndërkohë, hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Për momentin, Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.

Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.