37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

KLSH, prokurimet publike rritje të dëmit ekonomik 3.8 herë në 2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë analizës së bërë publike për auditimet e vitit të shkuar, ka cituar se një ndër kontrollet e realizuara ka konstatuar më tepër probleme ka qenë në Prokurimet Publike, dëmi ekonomik i së cilës kishte rritjen më të ndjeshme.
Për Agjencinë e Prokurimeve Publike, auditimi tregoi se kishte rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014.
“Për vitin 2015, kemi rritje të dëmit, i cili arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014, rritje prej 3.8 herë”, thuhet në raport.
Për po të njëjtin institucion, gjatë 2015 është kryer edhe një tjetër auditim, në sistemin teknologjik të agjencisë, sipas të cilit janë vërejtur probleme në zbatimin e procedurave të prokurimit publik.
Për këtë auditim, u përdorën teknikat kompjuterike CAAT si dhe përdorimi i vizualizimit të informacionit.
Nga vizualizimi i gjendjes nëpërmjet paraqitjes së efektivitetit të prokurimeve për operatorët ekonomikë për prokurimet e vitit 2014, KLSH konstaton tre zona me nivel risku të ndryshëm. Rezultatet e auditimit treguan se:
– 35% e prokurimeve me efektivitet nga 0 deri në 5% zonë e cila mbart riskun e marrëveshjeve dhe mungesën e transparencës në procedurat e prokurimit.
– 27% e prokurimeve me efektivitet nga 5 deri në 20% zonë të cilën e vlerësojmë me nivel të ulët risku.
– 38% e prokurimeve me efektivitet nga 20 deri në 58% zonë të cilën e vlerësojmë zonë me risk të lartë në mosplanifikim të saktë me pasojë mos efektivitet fondesh.

Dëmi ekonomik në Tatime dhe Dogana

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka raportuar gjithashtu në Kuvend për një trend në rritje të dëmit ekonomik në sektorin e fiskut, sidomos tatime dhe dogana. “Për vitin 2015, një dëm të konsiderueshëm kemi konstatuar në sektorin e tatimeve dhe doganave në rreth 13% të dëmit total të konstatuar, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013”, referon KLSH në materialin për Kuvendin.
Po të analizojmë në vlerë trendin në rritje të dëmit në sektorin e tatimeve dhe doganave do të vërejmë një rritje me 14 herë krahasuar me shifrën e dëmit të konstatuar në vitin 2014, raporton KLSH. Kështu nga 1,220,319 mijë lekë të vitit 2014 konstatimet në këtë sektor kanë arritur në 16,854,733 mijë lekë në vitin 2015. Për vitin 2015, kemi rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014.
Gjithashtu rritje ka pësuar edhe dëmi në prokurime arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014 me një rritje 3.8 herë. Por KLSH referon se, për vitin 2015, pjesa më e madhe e dëmit vjen kryesisht nga fusha e menaxhimit të pasurisë shtetërore, ku rezulton se është konstatuar rreth 84% e dëmit total në sektorin energjisë e sektorin e hidrokarbureve. Verifikimi i të njëjtit trend lidhur me dëmin në sektorin energjetik, tregon se ky sektor mbetet si sektor me risk dhe adreson domosdoshmërinë e një vëmendje të madhe mbi këto sektorë nevralgjik të ekonomisë. Për vitin 2014, dëmi në këtë sektor ishte në nivelin 79% të totalit të dëmit total të konstatuar, ndërsa në vitin 2013 po në këtë sektor dëmi ishte në rreth 92% të totalit të dëmit të konstatuar.

Kullën tek stadiumi Shullazit, tokën tek aneksi “Hakmarrjes”

“Edi Rama po fsheh planin e tij, për të kthyer në pallat fushën tek aneksi i Stadiumit “Qemal Stafa” për të ndërtuar një kullë betoni ku besohet se kumbari ka bashkuar interesat e dy bandave të tij të preferuara, të Shullazit dhe Hakmarrjes për Drejtësi”.

Denoncimi është bërë sot nga kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj. Sipas Alibeajt, me gjithë denoncimin Edi Rama hesht, sepse ai vetë është arkitekt i pallatit të bandave.

“Ne e denoncuam dy ditë më parë këtë projekt kriminal të Edi Ramës. Ai heshti. Heshti, sepse ai është arkitekti i zhdukjes së kësaj hapësire, i kthimit të saj në një masiv betoni për interesat e tij dhe të bandave të tij. Kjo fushë, ishte parashikuar të bëhej lulishte dhe ishte përfunduar projekti i saj nga bashkia e drejtuar nga Basha. Një projekt që është hedhur poshtë tashmë, dhe ku pritet të mbillet nga Edi Rama pallati i bandave. Edi Rama vazhdon kështu pa u ndalur në trajtimin e Tiranës si plaçkë, në ndarjen e trojeve më të çmuara të qytetit për klientët dhe banditët e tij”,deklaroi Alibeaj.

Alibeaj apelon për moslejimin e ushqimit me pasuri publike të bandave dhe klientëve të Edi Ramës. “Qytetarët e Tiranës nuk mund të lejojnë që Edi Rama t’u marrë fushat, hapësirat, liqenin, parkun, stadiumin, për të ushqyer bandat dhe klientelën e tij. Është koha e një bashkimi të fuqishëm kundër këtij sundimi kriminal”, përfundon deklarata e Enkelejd Alibeajt.

Si po mashtron Balla me rrugët në Librazhd

Bujar VRETO

Beci i përkëdheluri apo i përdoruri i pushtetit të rilindjes, ripërsëriti turin e tij  turistik në rrugët e shkatërruara të rrethit Librazhd tashmë jo me ish- pushtetarë të PD-së të cilët janë në opozitë, por me Ballën që po përgatit mashtrimin e radhës ndaj banorëve të këtyre zonave të varfëra, duke ju premtuar fillimin e shtrimit të rrugëve me asfalt.
Drejtori i FSHZH Beci nën qeverisjen e zotit Sali Berisha ka vizituar rrethin tonë, por puna ishte konkrete, fillim rruge apo inaugurim për përfundimin e tyre, ndërsa tani vjen me duar në xhepa dhe bëhet pjesë e mashtrimeve të qeverisë dhe konkretisht të Ballës për t’u bërë e besueshme se rrugët do fillojnë dhe do financohen para zgjedhjeve të përgjithshme 2017.
Rrethi i Librazhdit nën qeverisjen e PDSH-së ka pasur shumë projekte të kualifikuara për investim dhe investime të realizuara në rrugë rurale dhe nacionale (para 2013)
SI ME POSHTE:
Rrugët e investuara të përfunduara ( ME ASFALT)!
Nga qeveria Berisha.
1-Hotolisht – Dardhë.
2-Hotolisht -Frarë.
3-Hotolisht – Xhyrë.
4-Qukës – Bërzeshtë.
5-Qukës (RRN) – Qukës Shkumbin.
6-Rrajcë (RRN) – Rrajcë Fushë.
7-Urakë -Kotodesh – Katjel.
8-Mirakë – Polis (Zyrat e Komunës).
9-Librazhd – Dorëz.
10-Rrapun – Kuturman.

Rrugë e filluar e papërfunduar ( ME ASFALT)!.
Nga qeveria Berisha.
1-Librazhd – Zgosht – Lunik – Stwbleve – Peshkopi.

Rrugë me projektë të përfunduara dhe të kualifikuara, por për shkak të largimit të PD-së nga qeverisja në 2013 nuk u financuan.
Nga Qeveria Berisha.
1-Manastirec – Stranik – Farret – Shqiponjë – Liraz.
2- Qukës (RRN) – Pishkash – Skroskë.
3- Ura e Bushtricës (RRN) – Qukës Skënderbe.
4-Rrajcë Fushë- Rajcë Sutaj -Rrajcë Skënderbej.
5-Polis Qendër – Polis Gurshpatë – Polis – Vilan.
6-Qaf Drizë – Funarez – Zdranjsh – Orenjë – Gurakuq.
7-Shkallë e Lunikut – Lunik – Prevallë – Kostenjë.
8-Librazhd – Librazhd Qendër – Librazhd Katund.
9-Lirazhd – Babje.
10- Librazhd – Spathar
Zoti Beci për ju kam keqardhje që bëheni pjesë e mashtrimeve elektorale të Ballës tashmë të njohur si i tillë, por gjithsesi ju mirëkuptoj për vështiresitë që keni me stanin e rilindjes……
-kam disa pyetje për ju …..
1- Balla-Beci, pse nuk financuat rrugën Librazhd -Stëbleve – Peshkopi që nën qeverisjen e PD u hap traseja, u nivelua, u shtrua me asfalt deri mbi fshatin Zgosht por për shkak të mos financimit të mëtejshëm mbas vitit 2013, shkoi dëm gjithë puna dhe u rikthye edhe njëherë me gropa të pakalueshme. ( kush mban përgjegjësi për paratë e taksapaguesve që u shpenzuan dhe shkuan dëm).
2-Balla-Beci, pse nuk financuat rrugën “Qafë Drizë-Funarëz-Zdranjsh-Orenjë me projektin e kualifikuar prej jush me një gjerësi 4.5 m dhe gjateësi 17.3 km, por e ndërruat dhe po financoni projektin deri në Zdranjsh me një gjerësi 3 m a thua do shkëmbehen biçikletat apo mushkat.
3-Zoti Beci, pse u bëre pjesë e mashtrimit ekektoral, duke mbështetur kandidatin e Ballës në zgjedhjet e 2015, duke krijuar mundësinë për fillimin e rrugës të Cermenikës pa tender 30 ditë para zgjedhjeve dhe tenderin e bëre 3 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, vetëm për 1.8 km ( turp për ty që rrije mbas Berishës …).
4- Zoti Beci pse përdhos institucionin e nderuar që drejton duke u bërë pjesë e mashtrimeve të një deputeti që do partinëe më shumë se Shqipërinë, (kuptohet pse).
Zoti Beci nëse të ka mbetur pak moral për atë çka përfaqëson (se për Ballën e dinë banorët refrenin e mashtrimeve), kur të vish në rrethin e Librazhdit nën petkun e detyrës që ushtron (hajde për të filluar financimin e një projekti apo inaugurimin e tij jo për t’u bërë cadet e mashtrimeve elektorale të deputetit).
Zoti Beci juve do ju mbetet turizmi, duke shpenzuar ato pak para të kursyera nga rroga juaj (se nuk besoj se ke vjedhur nga fondet publike edhe pse ata që shoqëron sot thonë të kundërtën), se projektet do financohen nga qeveria e re me Kryeministër z. Lulzim Basha…
Taulant bëj rrugën e fshatit tënd Kostenjë se është i vetmi fshat në rrethin e Librazhdit pa rrugë dhe banorët duan 3 orë në këmbë të dalin në rrugë makine….( të garantoj se mbas zgjedhjeve do e bëj unë të shpëtoj banorët).
Mos mashtroni më popullin e shumë vuajtur të rrethit Librazhd o të mjerë e të babëzitur, por pa merak se dita e gjykimit popullor po vjen dhe do jepni llogari pa mëdyshje.

Kryetari i PD Librazhd

Qeveria ka vdekur, rroftë vetmbrojtja

Grabitja e dhunshme në qendër të Tiranës është një shenjë e sigurtë se krimi ka marrë pushtetin në këtë vend. Pak rëndësi ka nëse Emiljano Shullazi është në burg, pasi krimi ka emrin e Edi Ramës, fytyrën e Saimir Tahirit dhe uniformën e Policisë së Shtetit. Shqipëria është nën kontrollin e një korporate kriminale qeveritare, që nuk heziton ta tregojë forcën e vet në qendër të kryeqytetit, në një rrugë të Bulqizës, apo në një shteg mali në Tepelenë. Bandat janë marka e rilindjes që solli Edi Ramën në pushtet e përmes të cilëve Rama mendon se ka siguruar përjetësinë e karriges së tij.
Një qytetar i grabitur në hotelin kryesor dhe më të madh të Shqipërisë, në qendër të Tiranës, pak metra larg zyrës së kryeministrit është dëshmia e forcës që kanë bandat sot në Shqipëri. I kemi parë të grabisin bankat, makinat e parave të bankave, qendrat e bizneseve, por të grabisin edhe kursimet dhe fondet e një qytetari të thjeshtë, tregon se krimi po na futet brenda në portofol. Po shkon deri tek qytetari, deri aty ku Rama mund ta fshehë nga rekordet dhe raportet e policisë. Por kur banda mbërrin tek xhepi i qytetarit, ndërsa krimi ka tejkaluar çdo limit, qytetari ka fituar të drejtën të mbrohet me çdo çmim.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kanë trimëruar krimin në Shqipëri. Jo thjesht për adhurimin, bashkëpunimin dhe përfitimin që sigurojnë nga aktivitetet kriminale dhe kriminelët që lëvrijnë në Shqipëri më shumë se zogjtë, por edhe për mbrojtjen institucionale që kanë krijuar dhe sigurojnë për kapobandat e këtij krimi. Rasti i Shullazit është ulëritës kur mëson se kryeministri, ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e lartë të policisë janë në krye të një operacioni për të tmerruar dëshmitarët që të mos dëshmojnë mbi vrasjet, gjobat dhe grabitjet e bandës më të rrezikshme që ka parë vendi.
Ndaj krimi nuk e sheh policinë, ministrin dhe kryeministrin problem dhe guxon të grabisë në qendër të Tiranës, të vendosë tritol në makina, shtëpi dhe biznese, të vrasë, të mbjellë dhe të trafikojë drogë brenda dhe jashtë vendit. I vetmi problem për bandat dhe qeverinë është bërë opozita, është bërë Sali Berisha, Lulzim Basha dhe qytetarët e thjeshtë që kundërshtojnë dhe tentojnë t’i bëjnë rezistencë krimit të organizuar në Shqipëri. Iniciativa ligjvënëse e Berishës dhe opozitës për t’i lejuar qytetarëve që të ndalin me armë të ligjshme furinë e bandave është diçka që nuk mund të kalojë në heshtje, apo me një dënim banditesk të Parlamentit të kontrolluar nga krimi.
Mbase qytetarët nuk do të lejohen të armatosen individualisht dhe ligjërisht nga kjo qeveri dhe koalicioni i qelbësirave, por ky popull ka ditur t’i dalë zot vehtes edhe kur ka qenë i pushtuar, edhe kur ka qenë i sunduar. Në të dyja rastet armët e tyre kanë marrë përpara edhe bandat edhe qeveritë që kanë qëndruar pas tyre. Mjerë Rama që ka zgjedhur vetëgjyqësinë e popullit për regjimin e tij. Fund i dhimbshëm, por edhe i shpejtë.

Ministër “ta du mamin”

Petrit Kuçana

U fol që “Borati” do të ishte shqiptar. Ishte mrekulli që nuk u bë, (ca thonë që u punua shumë për ta “dërguar” Boratin në Kazakistan”) E megjithatë doli ndonjë film nga ata “Taken” e tek tuk ndonjë lajm tipik i kronikës së zezë, që gati-gati futet në përditshmërinë angleze ku gërvishej ngapak imazhi shqiptar për të rikthyer në kujtesë atë A.Gill që na gërrici pak nervat, me “orën e mbetur” të shqiptarëve.
Më shumë poshtëruese sesa neveritëse, ishte ajo tabloja  “seriozisht” e gjetur, shoqëruar me një shkrim-reportazh tipik anglez të një të dërguari atje. Vetëm pak larg Tiranës, disa kilometra.
Ishte një eklips (krejtësisht i pabesë) për të gjithë shqiptarët (sidomos ata të Britanisë së Madhe) që u duhet të përballojnë këtë goditje që shtrin përtokë gjithçka të tyren. Krenaria paloset nën trishtimin e fjalëve të sinqerta të Qemalit se; “Këtu nuk ka ndihmë nga shteti”, apo “Nëse nuk punon, vdes”. E mbase do të mjaftonin ato fotografitë natyrisht “të gjetura” të shkrimit dhe një fjali e vetme se “Thuajse gjysma e popullsisë së Shqipërisë jeton nën nivelin botëror të varfërisë, me 5 dollarë në ditë”.
U “qartësua” Shqipëria (jo vetëm me flamurin mbi Backingham Palace) edhe tek ata britanikë që perceptimin e kishin të pështjelluar si një vend diku lindor, natyrisht i varfër, e ndoshta edhe tek ndonjë që ka dëgjuar që ka bregdet të bukur, që ka çmime të lira apo nuk është aq vend i sigurtë…Mbase nuk pati asnjë surprizë për ata që besuan për “orëvjedhësit” e ish-Presidentit amerikan Bush.
I vetmi shërim për “imazhin” e Shqipërisë mund të kishte qenë “marrja në bllok” e disa vendeve si Shqipëria, Bosnja (Serbinë nuk do të guxonin me siguri) … etj., etj., por ja u zgjodh Shqipëria, (Boratit ja gjetën atdheun) lehtësisht… Më kot hamendësojmë se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të ishte Serbia në vend të Shqipërisë… Serbia nuk mund të imagjinohej të mos kishte ambasador në Londër. Ne po s’kemi problem. Ka gjashtë muaj që nuk kemi mundur të gjejmë një ambasador për Londrën, e nëse shqiptarët e Britanisë duhet të ulin kokën përballë tablove të tilla, duhet të frenojnë imagjinatën në “reklamat e fuqishme” të vendeve fqinje Kroacisë apo Turqisë që me kohë kanë nisur fushatën e turizmit. Ne akoma nuk e dimë nëse do të çlirojmë Rinasin, ku çmimet e biletave për Tiranë dhe New Jork janë të njëjta. Çfarë mund të ndodhte më keq se kaq? (Shullazëzimi i lajmeve vazhdon).
Ato reklamat e kryeministrit tonë tek “The Economist” sikur nuk hynë shumë në punë dhe as që mund të flitet për asnjë strategji sesi mund të sjellim në Shqipëri kompani britanike për investime apo thjesht turistë britanikë.
E krejt natyrshëm përpëlitemi të mendojnë për ata PR-ët, njëshat e botës… ata këshilltarët falas që ja na duhen më shumë se kurrë dhe nuk po thonë asnjë gjysmë llafi dreqi e mori. Mbetet e neveritshme nëse ata “përdoren” për përdorim të brendshëm, për t’u treguar shqiptarëve se janë mirë, se po jetojnë mirë, se janë bërë hapa përpara se po bëhet shtet… Ku dreqin janë ata PR-et e qeverisë, lobingjet, ambasada …
S’ka sesi të jetë ndryshe… Qemali, gomarshitësi i Gërdecit mbase nuk e di që Shqipëria në Londër nuk ka ambasador, por ai i di shumë gjëra të tjera, që i sheh me sy përditë dhe i ndjen në përditshmërinë e tij… Ambasada? Në Londër Shqipëria s’ka akoma ambasador, prej gjashtë muajsh? Në Londër? Akoma s’kanë gjetur ndonjërin që t’i shkollojë fëmijët këtej të paktën? Akoma nuk u nda pazari…
Nëse ndonjë rreper shqiptar nga ata më “soft” do të gjendej në Londër dhe do t’i dinte disa të vërteta, apo qoftë edhe të vërtetën se shteti shqiptar nuk e sheh “të arsyeshme” të përfaqësohet me ambasador në Londër, së paku do të shkruante ndonjë këngë ministrit të Jashtëm, si ato këngët “Ta du mamin”…dhe jo vetëm ty…

Ekspertët e huaj për Tiranën, alibi për ndërtimet

Besnik ALIAJ

1.Bashkia Tiranë ka nisur hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV). Për hartimin e këtij plani është kontraktuar një ekip me arkitektë e konsulentë kryesisht nga Italia. Titullari i këtij grupimi konsulence ka dhënë së fundi një intervistë në media, duke shprehur idetë dhe konceptet e tij kryesore për “Tiranën e nesërme” bazuar tek: i) gjelbërimi, ii) shkatërrimi-rizhvillimim, iii) dhe policentrizmi … ide dhe zhargon urbanistik tashmë i konsumuar prej kohësh në debatin lokal të zhvillimit. Duke respektuar maksimalisht karrierën dhe përvojën e konsulentëve të huaj në vendet e tyre, jemi të shqetëzuar për lehtësinë me të cilën ata konsumojnë në publikun shqiptar ide të tilla, të cilat dëshmojnë në rastin më të mirë ose njohje të kufizuar të realitetit lokal, ose akoma më keq mungesë respekti për konteksin vendor dhe një axhendë të parapërgatitur ku interesi publik mbetet i paqartë. Kjo situatë mund ta ekspozojë qytetin ndaj rrezikut të “eksperimenteve sociale dhe urbanistike” që nuk përfaqësojnë interesa dhe vullnet vendor.

2.Tirana ndërkohë ka pësuar mjaft deformime dhe ndodhet përballë sfidave gjithnjë e më të komplikuara, të cilat kanë marrë deri më tani vetëm përgjigje të pjesshme ose sipërfaqësore. Në këtë moment, qyteti ka hyrë në një fazë edhe më kritike zhvillimi, pasi mbi të është imponuar një reformë administrativo-territoriale, e cila nuk ka patur konsensus politik dhe social, dhe në këtë mënyrë sfidat janë rritur edhe më shumë, pasi territori i Bashkisë është 10-fishuar ndërsa kompetencat dhe burimet janë zvogëluar dhe centralizuar. Për të korrigjuar këtë deformim po imponohet mbi qytetarët një barrë financiare e pajustifikuar, e cila po jep impakt negativ social dhe ekonomik dhe iniciativën e lirë. Ndërkohë që konstatojmë se pas Reformës së Territorit autoriteti i bashkive sot është ulur në nivelin e Komiteteve Ekzekutive të dikurshme që ishin vetëm krah i qeverisë qendrore në nivel lokal, duke vrarë çdo shpresë për autonomi lokale dhe depolitizim të administrimit publik vendor që do ta sillte qeverisjen më afër interesave të qytetarëve. Kjo ka çuar në një situatë gati pa sens ku qeverisja vendore përfaqëson më shumë interesat e politikës kombëtare dhe shërben si trampolinë krysisht për promovim politik në nivel kombëtar të individëve të caktuar. Qytetarët kanë mbetur të braktisur në hallet e tyre të përditshme, ndërsa qeverisja si model është kthyer më shumë në një “koncert” mediatik. Në vend që ajo të jetë në mbrojtje e shërbim të komuniteteve dhe nevojave të tyre, ajo çuditërisht përplaset dhe konfliktohet me përfaqësitë komunitare, grupet e interesave, dhe me gjithë zërat kritikë edhe kur ata janë konstruktive.

3.Duhet nënvizuar se që pas fundit të viteve ‘80-të autoritetet nuk kanë qenë më në gjendje të hartojnë një vizion zhvillimi për atë se çfarë do të jetë Tirana sot dhe në të ardhmen. Kjo gjendje duket se ka qenë produkt i qëllimshëm i klasës politike, për të patur “fushë veprimi” maksimale mbi zgjedhjet teknike dhe operacionet ekonomike që janë bërë në qytet, shpesh në mënyrë konfliktuale dhe aspak të qëndrueshme, pa patur më parë një dokument publik që do të ishte një instrument rregullator dhe ballafaques i ligjshmërisë, që garanton me transparencë një “pakt social” midis politikëbërjes dhe interesave komunitare. Mungesa e “planit – kushtetutë zhvillimi” dhe indikatorëve të tij tekniko-ligjorë, si dhe keqperdorimi i ligjit, i konkurseve ndërkombëtare dhe i studiove të arkitekturës e konsulencës të importuara nga jashtë, po përdoren më shumë si alibi për abuzimet në zhvillimin e qytetit në kurriz të interesit publik. Instrumenti i pseudo-përfshirjes publike (nënkupto – militantët) i ka shërbyer më shumë simulimit të një “elitë-aliazh” me natyrë oligarkike, që bashkon interesa të caktuara të natyrës se sipërmarrjes, medias e politikës, duke monopolizuar zhvillimin dhe cilësinë e jetesës. Ky zhvillim ka dëmtuar kryesisht interesin publik, hapësirën publike e të gjelbërt, kondicionet e tjera mjedisore e sociale, ka krijuar një treg të deformuar, dhe çmime të pasurive të patundshme në disavantazh të shumicës së popullsisë.

4.Në këto kushte, kur është iniciuar nga Bashkia një proces planifikimi dhe vizionimi i qytetit, ndërkohë po ecet paralelisht e me nxitim me disa projekte strategjike kryesisht në qendrën e qytetit, vendimmarrja e të cilave sot mund të bier ndesh me procesin e planifikimit dhe zhvillimit ligjor të qytetit, nëse ky proces nuk është falco, i paracaktuar dhe i paragjykuar. Nxitimi për të zhvilluar projekte me natyrë strategjike si: parkimet nëntokësore në lulishtet e pakta të qytetit, betonizimi i parkut të liqenit, ndërhyrjet në rrugën e Durrësit, projekti i besimeve në bulevardin kryesor, rindërhyrja në qendrën dhe sheshin kryesor të qytetit, etj; e bëjnë vetë këtë proces planifikimi të pabesueshëm. Ai në këtë mënyrë bëhet më shumë një alibi për vendimet që po merren sot në mënyrë arbitrare dhe të nxituar. Akoma më keq, përqendrimi i gjithaçkaje vetëm në qendër të qytetit në një kohë që territori i bashkisë sot e tejkalon konceptin tradicional të Tiranës historike, dëshmon në rastin më të mirë për politika që do të stimulojnë përfundimisht urbanizimin final edhe të frymes me të fundit të popullsisë që ka mbetur në zonat rurale e bujqësore, atje ku në fakt ndodhen edhe burimet kryesore natyrore dhe shanset reale për rritje ekonomike. Edhe idetë e hedhura nga ekspertët e huaj për rizhvillimin e banesave të vjetra, mbartin akoma më shumë rreziqe për konflikte të ashpra sociale dhe deformime serioze të tregut, e të sistemit ende të pastabilizura të pronësisë, në një qytet ku gjysmë e popullsisë është nën-ose në nivelin e varfërisë.

5.Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese në kushtet kur konsultimet e ashtuquajtura publike – që janë detyrim ligjor – mbeten të njëanshme, formale dhe mbi baza të pjesëmarrjes militante. Ato nuk kanë përfshirë as Këshillin Bashkiak dhe veçanërisht opozitën në këtë këshill, pa folur për përfaqësuesit e spikatur komunitarë e profesionalë, grupet reale të interesit, grupimet me natyrë kritike, mjedisoret, dhe sidomos ekspertët e qytetit e shoqërisë – ata të vërtetët që e duan qytetin nuk i servilosen politikës për interesa të vogla e banale. Dhe ekspertë të tillë Tirana dhe Shqipëria i ka! Nuk është se nuk i ka! Eshtë ofenduese që në dy takimet e para publike të ekipit hartues të planit nuk është bërë publike asnjë dokument analize apo vizioni ashtu siç rregullohen ato me ligjin shqiptar. Edhe ato materiale që janë ekspozuar kanë një karakater më shumë ilustrativ, mbeten të paqarta e sipërfaqësore, dhe tepër të përgjithshme, madje mënyra si serviren dhe arroganca i bën ato tepër fyese për publikun shqiptar. Nuk dënjohet as të komunikohet në gjuhën amtare nga një institucion publik që financohet nga taksapaguesit shqiptarë! Mosrepektimi i parimeve të etikës elementare të komunikimit dhe të demokracisë lokale është shqetësues jo vetëm për hartimin e këtij plani, por tashmë për vetë natyrën e qeverisjes vendore në Tiranëe, e cila duket se për arsye ekstra-ligjore po vetëpozicionohet si një agjenci ekzekutive e interesave politike të partisë mëmë dhe qeverisë qendrore, se sa e komuniteteve që ajo përfaqëson ligjërisht. Ne duam një Tiranë sa më të jetueshme, dhe një qeverisje teë ndjeshme ndaj qytetit dhe shoqërisë, e lidhur me terrenin jo përmes filtrave të militantëve dhe mediave, por direkt përmes njerëzve dhe problematikave të tyre të përditshme. Nuk kemi nevojë për ekspertë të huaj alibi, edhe pse jemi të hapur për kontributet e tyre të sinqerta që do të luftonin bashkë me ne kundër një zhvillimi të deformuar e që e shikon qytetarin nga lart dhe me përbuzje!

200 metra nga zyra e Ramës maskat me armë grabisin 180 milionë lekë

Dy persona të armatosur dhe me maska i grabitën një kambisti 180 milionë lekë në zemër të Tiranës dhe në mes të ditës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:00 në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa” pranë hotel “Sheraton”. Burimet bënë të ditur se, një person i maskuar ka zbritur nga motori dhe nën kërcënimin e armës i ka marrë çantën me 180 milionë lekë kambistit me inicialet S.H., që kishte tërhequr paratë në një bankë të nivelit të dytë që ndodhet në ambientet e hotel “Sheraton”.
Kambisti ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër në momentin që po dilte nga banka. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se dy persona me motor dhe të maskuar kanë mbërritur pranë hotel “Sheraton” njëri prej tyre ka zbritur dhe ka kryer grabitjen, ndërsa tjetri qëndroi në motor për t’u larguar me shpejtësi. Me sa duket, grabitësi ka pasur informacione të sakta rreth tërheqjes së sasisë së parave. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, njëri nga maskat ka dalë përpara lulishtes së këtij hoteli, pasi kambisti po shkonte në pikën e këmbimit valutor dhe u ka rrëmbyer çantën me para nga dora.
Më pas, grabitësi me çantën me para në dorë ka hipur në motorin që po e priste para hotelit dhe janë larguar me shpejtësi drejt rrugës së “Elbasanit”. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, por pa mundur të kapin autorët e grabitjes.

Motori me maskat kishte lëvizur disa herë para hotelit

Dëshmitarët në vendngjarje bënë të ditur se, ngjarja i ngjante një skene filmi. Gazetari Artan Hoxha, dëshmitar në vendin e ngjarjes rrëfen se si kishte ndodhur grabitja. “Dy persona një në moshë më të re, dhe një tjetër kanë kaluar te lulishtja para hotelit, dhe në dorë kishin çantën me para. Ata i priste para hotelit një mjet me të cilin ata do të lëviznin. Një djalë i maskuar dhe me pistoletë në dorë drejtohet tek ata dhe bërtet, “dorëzoni paratë”. U erdhi nga para me vrap. Ka marrë paratë dhe me vrap ka dalë në rrugën përpara hotelit, e priste një motor, dhe pasi hipi u largua. Motori me dy djemtë kishte lëvizur disa herë para hotelit, duke monitoruar situatën. Pra, grabitësit kanë pasur informacion se do të bëhej një transfertë parash, në sasi të konsiderueshme. Kanë ditur edhe orarin kur do ndodhte kjo. Mënyra sesi është bërë grabitja është pak e çuditshme. Personi që priste me motor nuk kishte maskë. Besoj se, kamerat e sigurisë aty rrotull duhet ta kenë fiksuar pamjen dhe lëvizjen e të rinjve me motor”, rrëfeu Artan Hoxha.
Policia e Tiranës ka tentuar të japë detaje për ngjarjen e grabitjes së 180 milionë lekëve një kambisti. Por në këtë tentativë, policia ka dhënë si “detaj” vetëm inicialet e kambistit viktimë, ndërsa ka konfirmuar lajmet mediatike se grabitja ka ndodhur. “Më datë 26. 04. 2016, rreth orës 16:10, në rrugën “Dervish Hima”, te ambientet e jashtme të një subjekti privat, ka ndodhur një vjedhje me dhunë. Shtetasit S. H., i është marrë një shumë monetare e konsiderueshme, nën ushtrimin e dhunës. Shumë të cilën sapo e kishte tërhequr nga një filial i një banke të nivelit të dytë. Në vendin e ngjarjes grupi hetimor po punon për zbardhjen e mekanizmit dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë vendore të Tiranës.

Maskat grabisin 600 mijë lekë në një pikë karburanti

Një tjetër grabitje nga maskat ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Bulqizë. Bëhet e ditur se një pikë karburanti është bërë pre e grabitjes në orët e para të mëngjesit në qytetin e Bulqizës. Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë dhunuar punonjësin e pikës së karburantit dhe e kanë detyruar që të dorëzojë të gjithë xhiron ditore. Sipas burimeve, maskat kanë arritur të marrin 600 mijë lekë dhe janë larguar në drejtim të paditur. Lajmi u konfirmua edhe nga Policia e Dibrës.  Policia e Qarkut të Dibrës informoi se, “rreth orës 01:00, të mëngjesit në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë ka ardhur një telefonatë nga roja i karburantit në qytetin e Ri Bulqizë. Shtetasi H. H ka informuar se një person i panjohur nga ana e tij i ka marrë me dhunë 60.000 lekë të xhiros dhe është larguar në këmbë”.
Bulqiza është kthyer në një skenë krimesh prej disa ditësh. Një ditë më parë u hodh në erë me tritol një makinë në Bulqizë. Biznesmeni i kromit Rexhep Losha, automjeti i të cilit u bë objekt i një sulmi me lëndë plasëse një ditë më parë nuk e ka ndihmuar shumë Policinë e Bulqizës në zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Ai ka shtuar vetëm se ka dyshime që sulmet të kenë ardhur për shkak të konkurencës, teksa shton se veç aktivitetit në minierë ka edhe tre lokale që i ka dhënë me qira.
Losha përpara uniformave të policisë ka pohuar se nuk ka konflikt me ndonjë person dhe se ka dyshime të forta që janë rivalët në biznes që për arsye konkurrence i kanë vendosur tritol në mjet. Ka qenë ora 05:00 e mëngjesit të së hënës, kur automjeti i biznesmenit, Rexhep Losha, u bë objekt i një sulmi me lëndë plasëse. Nga shpërthimi u shënuan dëmë të konsiderueshme materiale. Policia e Bulqizës vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje. Rexhep Losha mësohet se ka marrë përsipër një proces pune në galeritë D të minierës së Bulqizës.

R.POLISI

Prokuroria bllokon llogaritë bankare të Beqes së Shullazit

Në vijueshmëri të hetimeve për dosjen Shullazi, Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka nxjerrë një urdhër sekuestrimi të llogarive të kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe administratorit të kësaj kompanie Ylvi Beqja. Lajmi konfirmohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por edhe nga vetë administratori Beqja, i cili pranoi se Prokuroria ka vendosur një masë bllokuese ndaj llogarive bankare të tij.
Nga ana tjetër sipas Prokurorisë, dyshohet se prona ish-hotel “Vollga” është përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara dhe për pasojë shitja e një pjese të saj, mund të ketë sjellë konsumimin e elementëve të veprës penale të pastrimit të parave. Për këtë fakt, është vendosur sekuestrimi i pronës dhe bllokimi i llogarive bankare.
Masë sekuestroje është marrë edhe për garazhin 1200 m2 që ndodhet në zonën e “Nesharakut” në Tiranë.
Ndërkohë ende nuk ka asnjë konfirmim nga policia për sekuestrimin e hotel “Vollgës”. Edhe pse ka një vendim Gjykate për vendosjen nën sekuestro të hotel “Vollgës” ku një nga aksionerët është Emiljano Shullazi, policia ende nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga vendimi i Gjykatës pas kërkesës së Prokurorisë për sekuestron e hotel “Vollgës”, Policia nuk ka kryer asnjë veprim dallues që tregon zbatimin vendimit të Gjykatës së Durrësit. Boldneës.al ka publikuar disa foto ku duket qartë se nuk është vendosur asnjë shirit për të rrethuar godinën, e cila është nën sekuestro. Para disa ditësh, Prokuroria e Durrësit vendosi për sekuestrimin e ish-hotel “Vollga”, një pjesë e të cilit i është “dhuruar” Emiljano Shullazit, i arrestuar për gjobvënie dhe disa vepra të tjera të rënda penale.

Koncesionet 300 milionë dollarë, merret në pyetje zëvendësi i Beqjas

Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me procedurat dhe dhënien me koncesion të disa shërbimeve spitalore. Në hetim janë marrë koncesioni për hemodializën me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë, si dhe koncesioni i check-up-it falas. Në kuadër të këtyre hetimeve, zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, është marrë në pyetje nga Prokuroria për të dëshmuar në lidhje me koncesionet e hemodializës dhe sterilizimit.
Hetimi për këtë çështje ka nisur nga Prokuroria që në dhjetor të vitit 2015, pas publikimeve në media të dyshimeve për abuzime. Fillimisht organi i akuzës ka sekuestruar dhe verifikuar dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike dhe më pas ka vijuar me marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për çështjen. Përveç zëvendësministrit të Shëndetësisë, Kodian Rrjepaj mësohet se do të thirren në Prokurori të gjithë anëtarët e komisionit të koncesioneve. Ata janë Arben Gjata, Genc Byrazeri, Petro Mersini.
Koncesionet nuk janë firmosur nga minsitri Beqja, por nga zëvendësministrat e tij. Por ndërkohë në komision ministri Beqja ka pasur njerëz shumë pranë vetes. Burime të besueshme thanë se Genc Byrazeri është një i afërm i familjes së ministrit, çfarë do të thotë se, vendimmarrja e koncesioneve ose të paktën një votë në ato koncesioneve ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit.
Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre. Në hetim janë marrë koncesioni për hemodializën me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë si dhe koncesioni i “Check up-i” falas me vlerë rreth 120 milionë euro.
Koncesionet qindra milionë euro të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të Prokurorisë që në dhjetor të vitit të kaluar, e cila zyrtarisht thotë se ka regjistruar procedimin penal. Hetimi fillimisht ka nisur në njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka si objekt të punës së saj hetimin e zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve, prokurorëve dhe të zgjedhurit vendorë.
Në koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, ndër të tjera dyshohet se janë implikuar edhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni. Kjo është arsyeja përse hetimet janë nisur nga njësia Antikorrupsion. Mësohet se fillimisht çështja penale është regjistruar me akuzën e korrupsionit të kryer nga zyrtarë të lartë, por pa emra personash konkretë.
Sipas burimeve të Prokurorisë mësohet se objekt i hetimit të Njësisë Antikorrupsion janë tri koncesione me vlerë rreth 300 milionë dollarë, disa tendera të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe autorizimet e ministrit Beqja për importin e disa ilaçeve nga kompani të ndryshme farmaceutike.
Në hetimet e Prokurorisë përfshihet edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. “Ky hetim ka nisur pas shqetësimeve të shpeshta të ngritura në publik për disa tendera dhe koncesione të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë, vlera e së cilave arrin në disa dhjetëra miliona euro”, bëri të ditur Prokuroria. I pyetur nëse procedimi penal përfshin edhe ministrin Ilir Beqja, prokurori i çështjes tha se “asnjë zyrtar nuk do të jetë i përjashtuar nga hetimet”.
Në fokus të hetuesve janë tri koncesionet e shumëpërfolura: “Check up-i” falas me vlerë rreth 120 milionë euro, koncesioni për shërbimin e hemodializës 86 milionë dollarë, dhe ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, me vlerë 100 milionë dollarë.
Hetimi për koncesionet në sektorin e shëndetësisë asistohet edhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme, për shkak të veprimeve të shumta hetimore që duhet të kryhen. Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqja në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre.

Kush janë tri koncesionet që iu kushtojnë shqiptarëve 300 milionë dollarë

Nga check up-i falas për grupmoshat 40-65 vjeç, shërbimi i hemodializës për të sëmurët me veshka dhe sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale janë tri koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, me vlerë 300 milionë dollarë. “Risia” e koncesioneve për shërbimet shëndetësore që kryheshin në spitale nisi menjëherë sapo qeveria socialiste erdhi në pushtet në qershor të vitit 2013. Pa kaluar 6 muaj nga marrja e pushtetit (shtator 2013), Ministria e Shëndetësisë nisi planifikimin e dhënies me koncesion të disa shërbimeve që ajo i konsideronte të rëndësishme për qytetarët.
I pari ishte check up-i falas apo ndryshe kontrolli shëndetësor për grupmoshat e popullsisë nga 40 deri në 65 vjeç. Ky shërbim i dhënë me koncesion në prill të vitit të shkuar, në thelb ka analizat e gjakut për këtë grupmoshë popullsie me qëllim parandalimin e sëmundjeve të mundshme.
Por procedurat e ndjekura gjatë dhënies së koncesionit, kompanitë e përzgjedhura dhe vlera e tij kanë ngritur dyshime të forta, të artikuluara vazhdimisht nga opozita dhe ekspertë të njohur të shëndetësisë.
Disa nga shkeljet e evidentuara në procedurën e dhënies së këtij koncesioni me kohëzgjatje 10 vjet dhe me një vlerë 120 milionë euro kanë të bëjnë kryesisht me përzgjedhjen e kompanisë fituese.
Sipas dokumenteve të tenderit, fitues i koncesionit është shpallur bashkimi i operatorëve “Marketing & Distribution” dhe kompania “Proton” sh.p.k. E para, ka si aktivitet shpërndarjen e cigareve, alkoolit, materialeve të kancelarisë, detergjentëve dhe ushqimeve, ndërsa kompania e dytë është depo farmaceutike.
Bashkimi i këtyre kompanive kishte dhënë ofertën  730 milionë e 75 mijë lekë për kryerjen e këtij shërbim, ndërsa kompanitë konkurrente, të njëjtin shërbim e ofronin për 617 milionë e 25 mijë lekë. I dyti në listën e koncesioneve të dyshimta është shërbimi i hemodializës.
Sipas dokumenteve publike të koncesionit rezulton se ky shërbim është fituar nga një kompani që ka si aktivitet një bar kafe në qytetin e Beratit në partneritet me një spital privat në Tiranë.
Kompania fituese e koncesionit të hemodializës ishte “Evita sh.p.k”, e cila përfitoi pjesën kryesore të kontratës së majme 10-vjeçare prej 86 milionë dollarësh. Zanafilla e kësaj kompanie është një bar-kafe modeste në qytetin e Beratit, ndërkohë që pronarja e saj, Majlinda Fetiu nuk rezulton të ketë lidhje me fushën e shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se, “Evita sh.p.k” e fitoi koncesionin për hemodializën bashkë me Spitalin Amerikan.
Më pas rezultoi se, Spitali Amerikan do të ketë vetëm 15% të aksioneve në kompaninë e re, të krijuar për operimin e koncesionit. Ndërsa koncesioni i tretë në radhë, i cili është dhënë vetëm pak kohë më parë, ka të bëjë me sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Ish-drejtues të QSU-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë se janë blerë aparatura moderne për sterilizimin e pajisjeve që përdoren në sallat kirurgjikale, por këto aparatura nuk janë vënë asnjëherë në punë.
Njësoj si dy koncesionet e para, edhe ai i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë USD po hetohen nga Njësia Antikorrupsion e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Kompania modeste e emigrantit shqiptar në Peruxhia të Italisë, Ilir Rrapaj, fitoi 40 për qind të kësaj kontrate, si pjesë e konsorciumit italian të udhëhequr nga “Servizi Italia”.
Kompania “Servizi Italia” ka një eksperiencë të gjatë në fushën e trajtimit të mbetjeve spitalore, ndërsa kompania e emigrantit shqiptar ka vetëm dy punonjës të regjistruar në Kosovë dhe pretendon të kryejë 40 për qind të shërbimit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Po ashtu pjesë e hetimit të Prokurorisë janë bërë edhe autorizimet e dhëna nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja për importin e barnave të ndryshme nga kompani farmaceutike që operojnë në vend.
Edhe pse këto barna silleshin në Shqipëri nga kompani të tjera, të cilat kishin kontrata me prodhuesit në vende të ndryshme të Europës, ministri Beqja ka ndërhyrë duke dhënë autorizime të posaçme, të cilat janë komentuar nga ekspertët si antiligjore. Vetëm tri koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë do iu kushtojnë taksapaguesve shqiptarë mbi 300 milionë dollarë.