40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

2.2 miliardë dollarë të vjedhura në dy vjet, 88 milionë USD tendera për 11 miqtë e Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë publike me shifra dhe emra konkretë, vjedhjet, abuzimet me paratë e shqiptarëve dhe kompanitë që përfitojnë shumicën e tenderave në vend. 2.2 miliardë dollarë të vjedhura në dy vjet. 88 milionë dollarë tendera u ka dhënë Edi Rama 11 miqve, ndërtuesve të vilave dhe bashkëpunëtorëve të tij, ndërkohë që 91.6 milionë dollarë janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi, bileta avionësh, për luks.
“E kam thirrur këtë bashkëbisedim me ju për të ndarë pikë së pari shifrat shokuese të korrupsionit dhe mekanizimin e korrupsionit, me anë të të cilëve shqiptarëve iu janë marrë 2.2 miliardë euro vetëm në vitin 2014-2015. 2.2 miliardë euro në taksa, dogana, në prokurime publike.
Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar shkaqet se pse vendi ndodhet në krizë totale ekonomike, në varfëri, në papunësi, një pamundësi të 46% të shqiptarëve për të dalë nga nivel i mjerimit, siç e shfaqin edhe statistikat e fundit të Bankës Botërore, një pamundësi të biznesit për t’u zhvilluar për të hapur vende pune.
Dhe sado të bilbilosë me truket e vjetra të propagandës, Edi Rama këtë realitet nuk e mbulon dot, nuk i bën dot makijazh.
Rezultati i kësaj duket qartë edhe nga të dhënat e depozitave të bankave të Shqipërisë. E mbani mend parullën e famshme të ‘Rilindjes’ që ‘5% e shqiptarëve zotërojnë 50% të depozitave’?! Sot zyrtarisht këta drejtojnë një vend ku 4% e popullsisë zotëron 58% të depozitave. Pra, pjesën më të madhe të depozitave e zotëron një grup edhe më i vogël se sa pretendonin këta para ardhjes së tyre në pushtet. Ndërkohë që konfirmohet se 46.2% e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë për familje dhe jo për frymë”, theksoi zoti Basha.
Lideri i opozitës është ndalur në bashkëbisedimin me gazetarët në tenderat që marrin miqtë dhe bashkëpunëtorët e Kryeministrit. Janë 11 kompani që kanë marrë 88 milionë dollarë tendera.
“Pjesa e luanit në abuzime është pjesa e Edit në fakt, nuk është as e Luanit, as e Gentit, por është e Edit, pak e Olsit dhe e ndonjë tjetri. Është pjesa e prokurimeve publike ku kjo qeverisje ia ka dalë në këto dy vite të vendosë dy rekorde.
Rekordi i parë është që 1/3 e prokurimeve publike si mesatare kryhen drejtpërdrejtë, pra nuk ka garë.
Dhe së dyti do të shikojmë që në këtë nivel prokurimesh kemi një volum shpenzimesh luksi të pakrahasueshme me zërat e shpenzimeve të qeverisjes së mëparshme, të pakrahasueshme për frymë të ndonjë qeverie europiane me ekonomi në rregull e jo më me ekonomi në krizë.
Ndërkohë në muajt e parë të këtij viti, nga 2186 tendera, 1596 prej tyre janë pa tender, janë me negocim të drejtpërdrejtë. 71% e pazareve të qeverisë kanë shkuar drejtpërdrejtë tek klientët, pa tender, theksoi zoti Basha, i cili u ndal në bashkëbisedimin me gazetarët edhe në abuzimet me shpenzime luksi, zyra, orendi, makina etj.
“Ta nisim nga banda e OSHEE-së që ka blerë zyra, mobilje, më 2015 në vlerën 12.6 miliardë lekë. Më 2015 12.6 miliardë lekë për zyra, për mobilje, orendi, etj. Në total tendera të tjerë abuzivë me vlerë 8 miliardë lekë duke përfshirë këtu trajnime psikologjike për stafin e OSHEE-së, etj., etj., bëhet fjalë pra, për një total prej 20.7 miliardë lekësh apo 21 milionë dollarë. 21 milionë dollarë do të thotë 10 shkolla të reja me orendi të reja. Do të thotë duke marrë parasysh pagën mesatare në Shqipëri prej 542700 lekësh, sipas INSTAT-it, do të ishin punësuar 38695 persona në muaj apo 3300 persona në vit me këtë pagë, 542700 lekësh në muaj. Apo do të thotë 306000 familje në ndihmë ekonomike do të merrnin ndihmën e plotë ekonomike, sipas INSTAT-it në vlerën 68500 lekë të vjetra apo 26 mijë familje në një vit do të përfitonin këtë ndihmë të plotë, të pacunguar, në qoftë se OSHEE-ja nuk do të kishte bërë paratë e tyre rrush e kumbulla.
Blerje karburanti 34 milionë dollarë, ta kemi të qartë se për çfarë bëhet fjalë. Prapë duke përdorur indekset mesatare të ndërtimit të një shkolle apo të një page mesatare apo të ndihmës së plotë ekonomike bëhet fjalë për 17 shkolla të reja të pajisura totalisht me orendi të reja, të pandërtuara. 5200 persona të punësuar për një vit me pagë 542700 lekë në muaj apo ndihmë të plotë ekonomike 68500 lekë për 42 mijë familje në vit.
Blerje automjetesh dhe servis, 8.8 miliardë lekë të vjetra ose 8.8 milionë dollarë më 2015 dhe 1.3 të tjera më 2016, pra në këto tre muaj. Bëhet fjalë për një total prej 10.1 milionë dollarësh për blerje automjetesh dhe servis në këto 15 muaj, 5 shkolla të reja që nuk janë ndërtuar, 1500 shqiptarë që mund të punësoheshin me 542700 rrogë në muaj apo 12 mijë familje të tjera në ndihmë ekonomike, që nuk e marrin ndihmën ekonomike.
Orendi dhe mobilie, totali 12.5 milionë dollarë, pra 6 shkolla, 1900 të punësuar për një vit me pagë mesatare 542700 lekë për muaj apo 15 mijë familje të tjera në ndihmë ekonomike që nuk e marrin ndihmën ekonomike.

Ja cila është kombëtarja e oligarkisë

“ALKO IMPEX” – Kompania është në pronësi të Arbër Abazit, nipi i deputetit socialist Sadri Abazi. Ka marrë 30 tendera në periudhën kohore nga viti 2014-2016 me një vlerë totale 1.4 mld lekë.
“Atelier 4” – Kompania e lidhur me Kryeministrin Rama dhe arkitektët e tij personalë, Shkreli, Eftimi ka fituar 18 tendera e vlerë totale 267 mln lekësh.
“CLASSIC” – Kompania është në pronësi të Agron Papulit, mikut dhe ndërtuesit të vilës së Dardhës të Edi Ramës dhe ka fituar 19 tendera me vlerë totale 595 mln lekë.
“EUROCOL” – Kompani në pronësi të mikut të Edi Ramës Aleksandër Carapuli, ndërtuesi i vilës së Surrelit, ka fituar 12 tendera dhe me një vlerë totale prej 1.8 mld lekësh.
“Eurogjici Security” – Kompania është në pronësi të Safet Gjicit, kandidatit socialist për Bashkinë Kamëz. Kjo kompani ka fituar 159 tendera me një vlerë totale prej 718 mln lekësh.
“Fastech. Fastek” – Kompania që përdoret nga “Intech”-u, “Intech”-u i famshëm që u bë shkak për humbjen e mandatit të Ilir Beqajt, në legjislaturën e kaluar dhe që tani përdoret si kompani guackë për shkak të denoncimeve që i kemi bërë “Intech”-ut. Një kompani jashtëzakonisht e vogël që fiton tenderat, por punimet i bën “Intech”-u i Ilirit, 45 tendera me vlerë 752 milionë lekë.
Vetë “Intech”-u, 32 tendera me vlerë 1.5 miliardë lekë.
“Ndreu Security” – Kompania është e lidhur me deputetin Pjerin Ndreu dhe në tre vjet ka fituar 37 tendera me vlerë 91.6 mln lekë.
“Marketing Distribution” – Kompania në pronësi të Vilma Nushit ka fituar 23 tendera në vlerë totale 134 mln lekë.
“Trimed” – Kompani në pronësi të Vilma Nushit ka marrë 458 tendera me vlerë 260 mln lekë.
“Omega Pharma” – Mbi 70% të tenderave përmes negocimit pa shpallje, 58 tendera me 70% prej tyre me prokurim të drejtpërdrejtë, pa tender, 830 milionë lekë.
88 milionë dollarë të shqiptarëve të marra nga kjo 11-she me prokurime të drejtpërdrejta, pra pa tender apo me tendera korruptivë, me tendera të paracaktuar”, theksoi zoti Basha.

Bileta avioni 14.8 milionë dollarë

Po t’i mbledhim së bashku vetëm këto shpenzime dhe abuzime bëhet fjalë për afro 90 milionë dollarë me të cilat mund të ndërtoheshin 44 shkolla të reja të pajisura të gjitha me orendi, me të cilat do të ishin punësuar 14 mijë shqiptarë për një vit me rrogën 542700 lekë të vjetra në muaj ose do të kishin marrë ndihmën e plotë ekonomike prej 68 mijë lekësh të vjetra në muaj, plot 109 mijë familje shqiptarësh që në fakt nuk morën këtë, por morën rrugën e azilit.
90 milionë dollarë mjaftueshëm për t’u dhënë subvencionim të drejtpërdrejtë çdo fermeri shqiptar, absolutisht çdo fermeri shqiptar në masën 30 mijë lekë të vjetra për dynym.
Ky është realiteti dhe këto janë destinacionet e turpshme dhe kriminale të parave, të taksave të shqiptarëve. Taksat janë marrë me kërbaç dhe në vend që të ktheheshin në ndihmë ekonomike për të pamundurit, në vende të reja pune për të rinjtë, të papunët dhe të shpunësuarit, në pensione të rritura apo subvencione për bujqësinë janë kthyer të gjitha në luks qeveritar që është skema më e pastër e korrupsionit dhe e vjedhjes”, theksoi kryetari i opozitës.

Berisha-Ramës: Vendin e ke në burg për vjedhjet

Rama e Meta në minorancë pa bandat, me krimin s’ka zgjedhje

Ish-kryeministri Berisha sqaroi mbrëmë në emisionin “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasili deklaroi se propozimi i tij për armët  bazohet në ligjin amerikan, i cili i jep të drejtën çdo qytetari të lirë që të ketë një armë.  Berisha tha se nëse kjo bëhet me ligj do të forcojë mbrojtjen e qytetarëve të pambrojtur nga bandat ndëersa theksoi se policia është në dorë të Shullazit. Ai theksoi se nga armatosja nuk ka asnjë frikë se shqiptarët do t’i ngrenë ata kundër njëri-tjetrit.
Berisha ripërsëriti se Emiljano Shullazin e arrestoi prokuroria dhe jo policia. Në vijim të denoncimit të policisë, Berisha u shpreh më tej se në prokurori ka kriminelë që shesin dosjet sekret, dosje që rëndom publikohen edhe në media. Duke komentuar përjashtimin e tij për 10 ditë, ai u shpreh shkurt, “më kanë nderuar”.
Berisha tha se kishte mësuar nga një prej hetuesve të dosjes së tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm se të gjitha dyshimet ishin për Emiljano Shullazin. Ai tha se ky hetues i ka referuar të dhënat në grupin hetimor, por e kanë larguar menjëherë nga hetimet. Berisha tha se Gjutët e arrestuar ishin të pafajshëm pasi ndaj tyre nuk kishte asnjë provë. Ish-kryeministri ka zbuluar se për çështjen Shullazi ka folur edhe me ambasadorin amerikan Donald Lu dhe atë të BE-së Romana Vlahutin në takimet që ka pasur me ta. Berisha tha se i ka informuar për lidhjet e tij me ministrat dhe qeverinë.
Berisha deklaroi se ka informacione për vendndodhjen e të dënuarit me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, për vrasjen e komisar Dritan Lamajt.  “Ka dy muaj që thonë se është arrestuar Arben Frroku dhe këta nuk çojnë informacione. Arben Frroku thuhet se është ndaluar në Holandë”, deklaroi Berisha.

– Që nga dita kur ju bëtë një deklaratë që tronditi disi opinionin politik, pati dhe jehonë ndërkombëtare. Si e pritet vendimin për përjashtim?
U ndjeva shumë i nderuar, pasi këtë kohë e karakterizon koha e shullazëve. Për aq sa mediat flasin e paraqesin, për aq sa komentohet e transmetohet, kjo është koha e shullazëve qeveritarë. E kam fjalën për kohën e krimit të organizuar në shkallën më të lartë. Në dy netët e fundit tritol, vjedhje me maska, arrestim të biznesmenit në mënyrën më mafioze, e kam fjalën për zotin Neranxi, që organizonte një panair. Kjo është koha e shullazëve. Shullazi kryesor është Rama, Tahiri. Ai që i bënë Neranxit është rrëmbim. Gjetën rastin për ta kapur, ai kishte një panair që ishte një ngjarje jo vetëm për biznesin e tij, por për të gjithë sektorin e atij lloj biznesi. Është një njeri që ka qenë deputet. Policia shkoi dhe pas një muaj dërgoi atje një revole për ta shpëlarë kriminelin Prenga. Ajo polici, nuk u mjaftua dhe nuk e ekzekutoi dot, një nga familjarët Cali, shkoi t’i merrte jetën tjetrit. Policia fiku kamerat, pasi është më kriminel se ai. Është krijuar korporata e krimit. Mund të rreshtoj këtu me qindra fakte.

– Ju thoni se Prokuroria është penguar për këtë dosje për shkak të rrethanave të ligjit, etj. Ka tentuar që të ndalojë policia herë më parë Prokurorinë?
Nuk kam dijeni, pasi të dhënat e Prokurorisë i quaj sekretin më të madh shtetëror. Sekreti i dosjes është kusht themelor i krimit. Prokurorë janë ata që shesin dosjet dhe ata janë më kriminelë se kriminelët. Kjo është linja më kriminale brenda atij institucioni. Unë po të garantoj se nuk bëj përpjekjen më të vogël për të marrë informacion më të parëndësishëm në këtë institucion. Askush s’i merr ato.

– Kthehemi tek deklarata juaj për armatosje të qytetarëve shqiptarë. Ju thatë se ju bën nder ky përjashtim… Ka pasur shumë komente: “Është deklaratë antikushtetuese”. “Fataliste” e quajti Ben Blushi…
Nuk janë vetëm në qeveri, këto janë faktet e qeverisë dhe unë do ta faktoj. Por, të bëjnë një marrëveshje. Arma dhe njeriu. Arma dhe pushtetit. Cili është qëndrimi i pushtetit ndaj armës? Në diktaturë një nga ligjet më themelore të diktaturës është çarmatosjen e popullit. Lexoni historinë. Një nga aktet çarmatosja duke përdorur të gjithë dhunën dhe terrorin. Kurse në demokraci ky fenomen nuk ekziston. E drejta ligjore e qytetarit për të patur armën. Janë mjeranë në injorancën e tyre.

– Propozimi juaj është serioz kur flisni për armatosjen?
Jemi në një koncept që ndan ditën nga nata, sistemin e vlerave me atë të antivlerave. Amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane. Por gjer sot është në fuqi. Momenti më madhështor i kushtetueshmërisë së njerëzimit. Ka një vend në Europë që ka udhëhequr me shembullin e zhvillimit të sigurisë dhe lirisë, dhe është Zvicra. Ky vend është vendi më i armatosur i botës nga qytetarët e saj, sepse është vend demokratik. Cilat janë demokracitë më stabël sot? Janë Norvegjia, një nga vendet më të armatosura, por edhe një nga vendet më të qeta, Finlanda, Suedia, Çekia. Në deklaratën time thashë që qytetarët shqiptarë të armatosen, jo demokratë armatosuni, as mazhoritarë armatosuni, sepse sot në mënyrë absolute nuk ka qytetar përveç qeveritarëve që ka sigurinë minimale. Çdo ditë marr pafund mesazhe. Kam marrë mesazh nga një qytetar në fshatin Marrash, kur hajdutët shkojnë i vjedhin bagëtinë. Të tilla mesazhe marr nga të katër anët e vendit. Policinë e ka marrë krimi, e ka marrë Saje Qorri, e ka marrë Shullazi. Unë kërkoj nga çdo shqiptar që të mendojë për këto probleme, se sa të rënda janë. Depot i hapën qytetarët. Problemi është se në qoftë se shteti nuk i del zot qytetarit, nuk i garanton jetën, pronën, atëherë qytetari në çdo vend të botës duhet të mbrojë pragun e shtëpisë. Ne po ecim në një situatë të vështirë.

– Kujt i referoheni? Për 2015 statistikat thonë se krimi është ulur.
Janë statistikë gënjeshtër. Të shkelësh mbi kufoma i thonë kësaj. Vetëm gjatë këtyre 4 muajve janë bërë 60 vrasje. Nuk shkojnë shqiptarët në luftë civile. Ata që kujtojnë se shqiptarët shkojnë në luftë civile se kanë armë, ata vetëm fantazojnë.

– A rrezikon kjo deklaratë të destabilizojë?
Nuk ka patur kombe për kapita që të ketë patur më shumë armë se shqiptarët gjatë kohës otomane apo para luftës dhe nuk i kanë përdorur kundër njëri-tjetrit.

– A është thirrja juaj që shqiptarët të mos njohin shtetin?
Shteti i tyre ka bërë një ligj për armët që i lejon çdo qytetari të kërkojë armë. E kanë amenduar edhe këta së fundmi, pra blerjen e armës. E kanë zhvendosur në kushte tregu. Do armë, po. Ky ligj përjashton ata që kanë probleme psikike dhe ata me precedentë kriminalë. Ky ligj të autorizon të kërkosh armë kur ndjehesh në rrezik personal, pra po marr armë të mbrohem.

– Po thoni që lejet jepen që të favorizohet dikush?
Jepen ose për militantët ose kundër ryshfetit 1 mijë euro. Ke dëgjuar të flitet për vjedhje banesash, kanë dalë nga regjistri, nuk i përmend më policia. Shiko me armë pajisen ose banditët ose nëse paguan 1 mijë euro. Ligji duhet të ndryshojë, praktika e dhënies është korruptive. Nuk bëra thirrje të armatosen demokratët jo, por të armatosen qytetarët. Do të thoni po pse e bëre tani? Sepse nuk ka më siguri, çfarë sigurie ka ai që i vjedhin lekët para “Sheratonit”? Policia është inekzistente. Çdo njeri që vendos për të vrarë dikë të jesh i bindur që nuk pengohet nga arma, nuk është arma fajtore, por vrasësi. Zvicra që ka armë, ka vrasjet më të ulëta në Europë.

– Deklaratat tuaja kanë bërë jehonë dhe në mediat e huaja. A ishte qëllimi juaj ky? A mendoni se i keni bërë dëm Shqipërisë me këto deklarata?
Qëllimi im, shqetësimi im, si një ish-President, ish-Kryeministër është një dhe vetëm një: siguria e qytetarëve shqiptarë që po i detyrojnë që të largohen nga ky vend. Shkaku më madhor i vrasjes së shpresës dhe asaj që nuk përsëritet.

– A i bën mirë imazhit të Shqipërisë kjo deklaratë?
Se cili është imazhi i Shqipërisë, shiko imazhin që po bëhet kundër Shqipërisë që ja ka nxirrë Rama. Rama me lidhjen e tij me krimin. Çfarë ndodh sot? Unë para se të vija në pushtet, kaloja nga një studio në tjetër. Unë thashë që do t’i zhduk bandat, nga të cilat janë: Aldo Bare, Nehat Kulla e me dhjetëra të tjerë. Shqipëria nga shpellë e krimit, nga një vend që prodhoheshin libra për mafian, u bë një nga vendet më të sigurta. Banda e Emiljano Shullazit është banda më e rrezikshme në gjithë historinë e vendit.

– Prandaj s’e luftuat dot në kohën tuaj?
Në atë kohë nuk kishte bandë. Në kohën time ishte Dritan Dajti. Kurse ky nuk ishte në atë përplasje. Në kohën time është arrestuar 7 herë, është dënuar disa herë. Por në vitin 2014 ky u shpërblye në kohën e Ramës. Emiljano Shullazi nga Edvin Shullazi mori paret me vendim qeverie. Pra, është më i rrezikshëm. Pse? Sepse ka lidhjet më të fuqishme politike me kreun e qeverisë dhe ministrin e Brendshëm, Tahiri.

– Ministri i Brendshëm ju ka ngritur një sfidë se ju kërkoi të ngrini një Byro Hetimore…
Të gjitha u bënë me leje të Saje Qorrit dhe Shullazit. Janë foto të personave me armë. Ja ku e ruan gjeneralin. (Tregon fotot). Pasi ka marrë vesh se kush e denoncoi, janë bërë oferta të mëdha, kërcënime të mëdha. Të gjitha këto i kam nga oficerë policie. Çfarë ndodhi më 11 shkurt 2014, kur 4 bomba shpërthyen në Tiranë? U gjet një megabombë me gozhda e bulona afër shkollës. Një nga bombat plasi të farmacia e kontrabandistit Tahiri. Çfarë më thotë mua oficeri që drejtoi hetimin? Arrita se bombat i ka vënë banda e Shullazit. E hoqën nga grupi i hetimit. Pse u liruan Gjutajt? A nuk u mor në Norvegji një Brukaj, Brukaj? Po ç’bëri Saje Qorri? Doli që ishte trillim dhe sajesë. Kjo u bë që të mos shkohej tek Shullazi. Gjutaj i çoi tek Shullazi. Prokuroria t’i verë hekurat Saje Qorrit për terrorin me 4 bomba që i ka bërë qytetit të tij…

– A jeni i gatshëm t’i publikoni fotot që më treguat?
Ka një problem hetimi, por do ta shoh nëse nuk cenojnë hetimin.

– Pse e akuzoni Tahirin?
U dha lajmi që u plagos Shullazi në Qafë Kashar, por Saje Qorri përgënjeshtroi policinë, thoshte se nuk është plagosur. E nxori Shullazin për t’i thënë Lul Bashës fole më për mua ke për të lënë kokën.

– “Armatosja”, do ta përktheni në nismë reale në Parlament?
Ligjin, kur dëgjon një ish-ministër se Berisha kërkon legalizimin e armëve po them je i pashpresë me atë nismë që ke. Ky është ligji mbi bazën e të cilit qytetarët shqiptarë mbajnë armët. Armët nuk janë të ndaluara për qytetaret që i kanë me leje. Ky ish-ministri ka qenë aktiv, por i konsideron armët rrezik absolut për njerëzimit. Rama tha se duhet të shkoni në Prokurori në lidhje me deklaratën e bërë nga ju. Do të shkoja që nesër. Padyshim që shkoj. Jam kundër çdo forme korrupsioni. Unë do të përpiqem, por s’do e shtroj platformë partiake, zero tolerancë është platforma partiake.

– Ja ta zëmë se zgjedhjet e 2017 do i fitojë PD. Ç’do të bëhet me këto armë që do të shpërndahen?
E the bukur. Armët në duart e qytetarëve nuk përbëjnë rrezik. Armët përbëjnë rrezik për kriminelët. Po të duan t’i dorëzojnë, po të duan t’i mbajnë e do i jepen lekët, më pak se janë konsumuar. Armë mund të kenë 1, 2, 3.

– Një ditë pas deklaratës ju keni pasur një takim me ambasadorët Vlahutin dhe Lu. A keni diskutuar për deklaratën tuaj?
Asnjë fjalë e vetme nuk u ngrit, asnjë presje e vetme. Në mënyrë kategorike jo. As edhe një fjalë e vetme. Është diskutuar për Shullazin, për lidhjet, etj. Por nuk kanë hapur asnjë fjalë për atë çështje. Pse mediat ndërkombëtare e paraqitën aq mirë deklaratën time? E paraqitën mirë.

– Se nuk është deklaratë e zakonshme bërë nga një ish-Kryeministër…
Jo, thanë se aty s’ka siguri.

– Ju cituan juve.
Jo.

– Kthehemi tek takimet. Pse ju takuan juve për Reformën në Drejtësi?
Sepse unë jam ish-President.

– Pse jo zotin Basha?
Ata e takuan para se të vinin tek unë. Ata më takuan për një eksperiencë politike.

– Ka diçka të veçantë tek ju…
Tek unë ka një eksperiencë më të gjatë në fushën e politikës.

– A po e përdorni ju çështjen Shullazi si një arsye për të vonuar Reformën në Drejtësi?
Edi Rama përdor në këtë mënyrë avokatinë e Shullazit. Po kujt ia thotë ai këto? Rama në një akt të paprecedent për t’i bërë qejfin Shullazit më përjashtoi mua për një deklaratë, është shkelja e themeleve të një Parlamenti. Nëse ishte thirrje antikushtetuese le ta dërgojë në gjykatë, por nëse përjashton deputetët e bëri për Shullazin. Nëse Rama është i interesuar për reformën, pse nuk vepron. Ne kërkonim për tre javë rresht të mos bllokonte vendimin e Kushtetueses. Nëse atij deklarata ime iu duk antikushtetuese le ta çonte në gjykatë, nuk është Rama gjykatës. Kjo është gjithçka. A e di ti raportin e Shullazin me drejtorin e Policisë së Durrësit? Është 10 herë më i afërt se raporti i atij drejtori me çdo zyrtar tjetër të vendit. Nga ajo derë kanë shkuar tonelata drogë në Itali dhe Perlatit s’i ka hyrë gjemb në këmbë. Pse u vranë dy djem në Durrës? Sepse ngatërruan ngarkesat e drogës. Perlati s’bën asgjë nga mëngjesi në darkë, veçse mbyll ngarkesat e drogës. Situata është më e rrezikshme se kurrë. Kreu i bandave është Edi Rama.
Dëshmitarët tërhiqen njëri pas tjetrit, është një presion i tmerrshëm mbi ata qytetarë shqiptarë sot. Kjo është dëshmia më flagrante e pushtetit të Milit të partisë në këtë vend. Fakti që kjo po ndodh tregon se koha është e Shullazit, se Rama e ka idhull Shullazin. Rama merr dhe dërgon në burgun e Burrelit për t’i marrë intervistë Jaho Salihit, vetëm për të thënë e adhuroj Ramën. Ai ka një krim, që pasi ekzekutoi të shoqen e përdhunoi për 24 orë rresht.

– Ç’mund të na thoni në lidhje me vizitën e Ramën në SHBA?
Pritet sepse ka një deal të rëndësishëm marrja ose boshatisja e kampit “Liria” për të marrë muxhahedinë. Kanë qenë një nga problemet e SHBA-ve. Rama bëri gjithçka për ta fshehur dhe Kerry kur e pa se po e fsheh… Unë u nisa, mora kontingjentin e parë, si një kontingjent pilot. Atë që e quaj të turpshme, fshehje tipike staliniste, po bëjmë për qëllime të tilla. Kryesore është kjo temë.

– Do të pranonte të fliste me një Kryeministër të inkriminuar?
Që të them unë ty ai u thirr për t’u falënderuar për këtë në radhë të parë. Për këtë e meritonte. Se Gjermania nuk i mori dhe asnjë vend tjetër. I mori Shqipëria, i mora unë i pari e më pas i mori ai, bravo. Nuk përbën pasaportë.

– Pyet një qytetar, pse duhet i marrim ne?
Presidenti i Hondurasit u prit nga Presidenti i SHBA-ve dhe një nga pyetjet që iu bë nga Obama që të përfitosh nga një fond, unë kërkoj nga ty që të lejosh hetimin e korrupsionit. Pas 6 muajsh Presidenti i Hondurasit u arrestua.

– Cili është morali i fabulës?
Që Obama e dinte se Presidenti i Hondurasit ishte i korruptuar.

– Pra, ai e di se Rama është i korruptuar?
Që ai e di se ka dhe tabulatet e telefonatave të Ramës me Shullazin, se këtë nuk e ka.

– Tahiri i kërkoi të ngrihet komision hetimor për të vërtetuar lidhjet e tij me Shullazin…
Komisioni nuk mund të marrë qoftë edhe dokumentin më minimal, nuk e lejon Kushtetuta. Mund të bëhet vetëm për faktin se si është zbatuar ligji.

– A është blof deklarata?
Po, blof i plotë se ai e di që nga dosja e hetimit, se shërbimet janë detyruar të punojnë të mbrojtur nga informatorët e Shullazit.

– Reforma në Drejtësi, pse ka ngecur?
Venecia i dha të drejtë vërejtjeve tona. Me atë draft që kishte paraqitur Edi Rama bëhej kryegjykatës, kryeprokuror dhe Venecia tha po, e rrëzoi në 34 pika. Çfarë përgjegjësie kishim ne? Drafti u nis nga e para. Draftin e dytë ia rrëzoi, e palosi sërish Venecia. Çfarë përgjegjësie kemi ne? Asnjë përgjegjësi. Erdhi drafti ajo e famshme BKH, e rrëzoi sërish Venecia.

– Ka mbetur pezull si çështje BKH…
Venecia ka deklaruar që BKH të jetë në varësi të Prokurorisë dhe jo të Saje Qorrit. As në varësi të Edi Ramës. Reformën e dënoi vetëm Edi Rama se ka në qafë vilën e Surrelit të ndërtuar me 2 milionë dollarë dhe i ka dhënë Carapulit Shullaz. Ky Fezgo Kodra është menaxher i kompanisë së Shullazit, ky na bëhet pronar i “Vollgës”… Fezgo Kodra menaxher i Pandi Carapulit, tani del pronar për “Vollgën”, ato janë para të Pandit.

– Do t’i zgjidhë Reforma në Drejtësi këto çështje?
Ne e mbështesin reformën, nuk do të lejojmë kapjen e sistemit nga Rama. Nëse ka aferë korruptive më të madhe në tokë se koncesionet e Ramës, nuk ndodh.

– Rama thotë se është futur në borxh për të shlyer dëmet tuaja?
Me këtë gënjen shqiptarët. Vetëm një injorant thotë një gjë të tillë. Thotë kam marrë borxh 1.6 mld e kam paguar 2.2 mld. Nga i ranë paratë nga qielli? Borxhin e ka 72.4%. Berisha e la 62.6%. Ai s’di sa është borxhi ndaj.

– Ndalojmë tek stadiumi?
Është kulla e Olsi Ramës. Projekti im gjithsej kushtonte 25 mln euro dhe ishte me disa mijëra vende më shumë. Ishte projekt spanjoll, kuqezi. Më i bukur se i këtij arkitektit të ryshfetit. Zgjidhi të vetmin arkitekt që dinte të fliste me ryshfet. FIFA i jep mijëra euro vendit për projektin. Rama thotë asnjë qindarkë. Të tjerët marrin anekset.

– Po për akuzat ndaj familjarëve tuaj kur ishit në qeveri, e sot akuza për familjarët e Ramës…
Çdo akuzë është bërë nga mediat për Olsi Ramën dhe jo nga Berisha. Kompania për stadiumin fitoi pas një gare me kompani tjetër. Nuk merr pjesë kush në tenderin e landfillit të Maminasit se u çon Shullazin ai. As për stadiumin, se çon Olsi mesazhi, se çdo i bëjë të gjitha Shullazi.

– Ndalemi tek sondazhi i Institutit Demokratik Amerikan, ku flitet për pakënaqësitë ndaj qeverisë dhe opozitës. Si e lexoni ju këtë sondazh?
Jam njeri që përgjithësisht nuk u besoj sondazheve. Jo se nuk u besoj të gjithave, por dua të kem siguri tek kompania që i realizon. Që këtu ka një vrasje të përgjithshme shprese nga kjo qeveri është e dukshme. Por hyn edhe frika në mes. Në historinë këtij vendi nuk ka ndodhur kurrë që asnjë dëshmitar të mos denoncojë. Përveç rastit të dy akademikëve. 36 persona e kanë refuzuar Blendi Fevziun për të folur në emisionin e tij për Shullazin. Pra, këtu ka frikë. Më 2017 mund të ketë farsë, po jo zgjedhje. A është shenjë diktature që dëshmitarët tërheqin një e nga një deponimet që kanë bërë në polici? Revolucion demokratik me të gjitha mjetet e mosbindjes paqësore. Revolucion do të thotë të ulesh aty në bulevard një muaj rresht derisa kjo klikë të largohet. Unë aktualisht janë deputet i PD. Unë shkruaj atë që besoj.

– E keni diskutuar me Bashën këtë?
Asnjëherë. Unë nuk jam pjesë e udhëheqjes së PD. Edhe në Parlament kam bërë thirrje për revolucion demokratik.

– Ju thoni nuk ka zgjedhje? Ç’do të thoni me këtë?
Nuk mund të ketë zgjedhje me këtë nivel krimi. Sot është mbjellë kanabis në Shqipëri ndoshta më shumë se 20 vite së bashku. E gjitha është në patronazhin e policisë. Fshati Lugjaj më thotë njëri nga policia e kanë mbushur tokën plot. Është si një pishë e vogël kjo bima, që kur lulëzon mund të peshojë gjithë ato kg. Për çdo rrënjë, Shullazi e të tjerët marrin 30%, 40%, 50%. Kryeministri i jugut 100 herë është shprehur për legalizimin e kanabisit. Po kërpi është kërp, ndërsa kanabis janë qindra lloje. Greqia e legalizoi kërpin, po jo kanabisin.

– Kjo qeveri gjëja e parë që ka bërë ka qenë Lazarati…
Ishte politike. Mbylli Lazaratin dhe e bëri Shqipërinë Lazarat. Këto do t’i faktoj. PS dhe LSI pa banda dalin 100% në minorancë. Këto banda i marrin votat. Bandat dhe paratë e drogës zgjedhjet i kanë asgjësuar pa u mbajtur. Shqipëria tani do ja kalojë edhe Meksikës për prodhimin e kanabisit. Çdo proces zgjedhor do të jetë i pamundur në Shqipëri. Pa një revolucion demokratik do të ishte e pamundur.

– Ndalemi tek ekonomia. Ju pse mendoni se kemi mbërritur në këtë situatë, cila është përgjegjësia e opozitës?
Jemi këtu për shkak të qëndrimin armiqësor dhe klientelist të Ramës ndaj biznesit. Ka larguar miliona para nga vendi, ka penguar çdo investim të huaj. Në 3 vite nuk regjistrohet asnjë kompani e vetme serioze. Në vend të kompanive të mëdha që sollëm ne, sot kemi Olsi Ramën, që na e bëri Spitallën siç deshi, po bën kullën siç deshi dhe kompanitë e mëdha po ikin. Shkak tjetër është Shullazi dhe shullazët. Nëse ne shfaqemi si vendi më i pasigurt i Europës do të ikin investitorët. Këtu nuk ke kurrë shans të fitosh, por vetëm kompania e Safet Gjicit, që vitin e kaluar ka fituar 58 tendera. Nuk ka gjë më kriminale se të monopolizosh 2-3 kompani.

– Shpifje i cilësoi këto Rama?
Ai është i papërgjegjshëm, se s’di çfarë flet. Këto janë të dhëna zyrtare. Vendi i Pontës e pret. Reforma do të bëhet dhe do jetë i pashpresë në ato që ka bërë dhe bën. CEZ-i është afera e tij e tmerrshme korruptive. Paratë që ka marrë nga CEZ do të vijë dita që do të gjenden. Pse nuk i anuloi ky pullat fiskale apo markimin e naftës? Përkundrazi. Po faktove korrupsionin më të vogël rrëzon çdo kontratë, ky është ligji i arbitrazhit ndërkombëtar. Nëse kishte korrupsion, Rama i rrëzonte pa vështirësi. Korrupsioni lë shenja. Kontratat e mëdha kontrollohen nga institucione të mëdha. Ne e bëmë markimin, por Koçoja që është më i zi si nafta nuk ndalej. Para 3 javësh i ka dhënë autorizimin të markohet gjithë nafta e nxjerrë.

– Cfarë po bën opozita për të mbështetur biznesmenët që po falimentojnë, këta sipërmarrës?
Opozita ka dëshmuar seriozitetin më të madh, ka alternativë për paketën fiskale, ka denoncuar dhunën, korrupsionin që po bëhet ndaj tyre. Opozita ka dërguar në Parlament amendamente të shumta për biznesin.

– A jeni për koalicion PD-LSI?
Atij që nuk drejton nuk i takon me u marrë me këto. Unë prapë i them… Në qoftë se sovrani më jep mua një kohë votash dhe me to nuk krijoj qeveri para se ta çoj vendin në zgjedhje unë bëj koalicion. Basha është kryetar partie nuk ka pse pyet Sali Berishën për ato që do të bëjë.

– Janë të paktë ata që e besojnë…
E kanë gabim.

– Do ta bojkotoni Parlamentin?
Nuk shkohet në atë sallë pas vendimit që mori Kuvendi të diktuar nga Shullazi.

– Transferimet e grupit të Shullazit si i komentoni?
Po lehtësohen. Gilmandon e kanë çuar për ta lehtësuar në Fushë-Krujë, gjithçka këtu është Saje Qorri dhe Edi Rama. Emiljani i vërtetë është Edi Rama, Mili është i partisë.

(Marrë me shkurtime nga emisioni “Studio e Hapur” e gazetares, Eni Vasili)

90 milionë USD shpenzime për luks, 46.2% e familjeve nën 5 USD në ditë

Basha u ndal dhe tek abuzimi i OSHEE me mbifaturimin e energjisë elektrike dhe me çmimin e rritur që sipas ERE ka prekur 56% të familjeve shqiptare.
“Vetëm për vitin e kaluar, OSHEE-ja ka mbifaturuar 91400 qytetarë, 30 mijë më shumë se vitin e kaluar. Ndërkohë që ERE, sipas të dhënave të publikuara, tregon qartë se 56% e shqiptarëve konsumojnë më pak se 300 kilovat për muaj dhe si rezultat pesha e rritjes së çmimit të energjisë bie tërësisht mbi shumicën e pamundur të shqiptarëve.
Sigurisht Kryeministri pretendon që nuk është rritur çmimi i energjisë, ku në fakt ERE konstaton se çmimi mesatar i një kilovati për familjarët shkoi nga 8.89 lekë/kilovat në 9.52 lekë/kilovat. Për fat të keq nuk habit dhe nuk shokon askënd më, por ja gënjeshtra publike e Edi Ramës se pse me heqjen e fashës së mbrojtjes për konsumatorët dhe me rritjen e tarifës ‘de facto’ për konsumatorët, por edhe për biznesin bie poshtë pretendimi për uljen e çmimit të energjisë. Çmimet e energjisë janë rritur.
Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë janë rritur dhe borxhet e pambledhura edhe kjo është e dhënë e ERE-s. Pra, gjithë miti për mirëmenaxhimin e OSHEE-së është një gënjeshtër e pastër. OSHEE-ja ka rritur përqindjen e faturave të pambledhura. OSHEE-ja ka rritur faturat abuzive me 50% nga 60 mijë në 91400 dhe me faturat aforfe, abuzive dhe me çmimin e rritur të energjisë po i merr shpirtin shumicës më të varfër të popullsisë.
Të vetmit që po përfitojnë nga ulja e çmimit mbi 500 kilovat janë 15% e popullsisë që përbëjnë shtresën e mesme dhe mbi të mesme apo të pasur të vendit.
Këto dy komponentë, 88 milionë dollarë të dhëna klientelës qeveritare dhe 90 milionë dollarë shpenzime luksi do të ishin të mjaftueshme për të punësuar së bashku mbi 25 mijë shqiptarë në një vit me rrogë 540 mijë lekë në muaj.
Do të ishin të mjaftueshme për të ndërtuar 90 shkolla të reja me orendi të reja. Do të ishin të mjaftueshme për t’i dhënë ndihmë ekonomike 215 mijë familjeve shqiptare për një vit me ndihmën e plotë sipas INSTAT-it, 68 mijë lekë të vjetra në muaj.
Nuk po ndodhin. Nuk ka vende të reja pune. Nuk ka investime të reja. Nuk ka asnjë rrugë të re. Nuk ka asnjë urë të re, asnjë shkollë të re sepse paratë që duhet të destinoheshin për këto investime janë bërë rrush e kumbulla nga një grusht qeveritarësh të babëzitur me bekimin e Edi Ramës dhe kanë përfunduar po kështu në kombëtaren e oligarkisë, e cila depoziton të ardhura që merr përmes skemave korruptive në xhepat dhe kontot e saj dhe në xhepat dhe kontot e qeveritarëve të korruptuar shqiptarë”, u shpreh zoti Basha.
Kjo sipas, zotit Basha, ka sjellë jo vetëm tkurrjen e ekonomisë, mbylljen e vendeve të punës, humbjen e besimit të konsumatorit dhe si rezultat edhe të biznesit, rënien e kreditimit, rënien e eksportit, rënien e importit, por ka sjellë edhe një damkë të madhe të biznesit dhe të investimeve të huaja për Shqipërinë.
“56% e biznesit gjerman i pyetur dy javë më parë, ju të gjithë i keni të dhënat, e rreshtuan Shqipërinë të fundit në Europë. 56% e biznesit gjerman të pyetur, të anketuar u përgjigj më negativisht se vitin e kaluar për klimën e biznesit në vend. Taksa të larta, korrupsion i lartë, paparashikueshmëri ligjore, pra mungesa e sigurisë ligjore, janë tri arsyet kryesore pse biznesi ka braktisur dhe po braktis Shqipërinë”, u shpreh lideri i opozitës.
Qershi mbi tortën e korrupsionit e ka konsideruar, zoti Basha, koncesionin e check up-it.
“Çdo vit në Shqipëri ka 360 mijë pacientë, të cilët kërkojnë dhe marrin trajtim shëndetësor duke përfshirë operacione ose më shumë operacione për një individ. Dhe për të gjithë 360 mijë pacientët të sistemit publik shëndetësor shqiptar, shteti ka harxhuar mesatarisht në 5-6 vitet e fundit 800 mijë dollarë për analizat e tyre. Kini parasysh që nuk bëhet fjalë për analiza standard apo për analiza si këto që bën check up-i i Vilma Nushit. Bëhet fjalë për analiza komplekse për 2, 3, 4 palë analiza në ditë dhe buxheti total për këto analiza është 800 mijë dollarë.
Edi Rama ka vendosur të japë 12 milionë euro apo 1 milion euro në muaj për të bërë një palë analiza në vit të 800 mijë njerëzve që presupozohen të shëndoshë. 800 mijë dollarë për 360 mijë të sëmurë në vit, 12 milionë euro për 800 mijë të shëndoshë në vit. Bëjmë edhe një llogari tjetër. Një set reagentësh sot merret me çmim tregu, pra me fitimin e grosistit, 1.8 euro. Ky reagent, që është baza e shërbimit të ofrohet, i cili administrohet nga punonjësit e paguar nga taksat e shqiptarëve, blihet nga shqiptarët për 20 euro. Pra, për çdo palë analiza që bëhen dhe nuk bëhen, sepse ne paguajmë edhe për analizat që nuk bëhen, shqiptarët paguajnë plot 18.2 euro fitim dyshes Nushi-Rama.
Çfarë mund të bëheshin me 11.2 milionë euro që vidhen dhe shpërdorohen përmes check up-it çdo vit në sistemin shëndetësor shqiptar? Së pari mund të bliheshin ilaçe për të gjitha spitalet publike të vendit, ilaçe që sot mungojnë edhe në Spitalin e Traumës. Para dy ditësh e denoncuam. Së dyti, mund të rinovoheshin të gjitha sallat e operacioneve në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe mund të silleshin në gjendje funksionale sipas standardit europian. Sot më pak se 10% e tyre funksionojnë në këto kushte. Me paratë e shpenzuara dhe që parashikohen të shpenzohen për këtë koncension mund të ndërtohej një herë e gjysmë nga fillimi një qendër shëndetësore me kapacitetet e QSUT-së, por me kushtet, pajisjet dhe mbështetjen me personal dhe ilaçe të standardit europian.
Të gjitha këto dhe shumë më shumë se këto, edhe në këtë moment që flasim, ai degradim i shërbimit shëndetësor vjen si rezultat i një koncesioni korruptiv siç është ai i check up-it. E njëjta gjë vlen për sterilizimin. Ne kemi Qendrën e Sterilizimit të ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë, personelit të trajnuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Por në vend që të përdoret kjo shqiptarët duket të paguajnë për herë të dytë plot 9 milionë euro në vit mikut murator të Ilir Beqajt dhe Edi Ramës për të vënë në punë një qendër që ekziston, me personel që ekziston dhe që është trajnuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo është pra, lopata që ka gërmuar varrin e shëndetësisë shqiptare në këto 3 vite”, tha Basha.

Alternativa për nxjerrjen nga kriza

Kryetari i Partisë Demokratike ka shpalosur dhe alternativën e Partisë Demokratike për ta nxjerrë ekonominë nga kriza, e cila do të nisë pikërisht duke prerë kanalet e thithjes së parave publike, kanalet e korrupsionit.“Së pari, duke vendosur një sistem të ndershëm taksimi prej 9% Taksë të Sheshtë dhe duke nxjerrë nga ligji që ditën e parë sistemin e pandershëm të taksimit të Edi Ramës.
Së dyti, duke vendosur procedurat e prokurorimit më transparente që do të eliminojnë mundësinë e prokurorimit pa konkurrencë me anë të së cilës ne do t’i shërbejmë dhe do t’i kthejmë taksapaguesve shqiptarë minimalisht 150 milionë euro çdo vit përmes prokurimeve të ndershme dhe të pakorruptuara.
Së treti, përmes destinimit të çdo qindarke të shqiptarëve në funksion të politikave që hapin vende pune apo përmirësojnë punësimin për shqiptarët si përmes subvencionit të bujqësisë dhe subvencionimit të çdo aktiviteti ekonomik e industrial që punëson rishtazi e në veçanti punëson rininë shqiptare”, tha Basha. Përpjekje të dëshpëruara i ka konsideruar kryetari i Partisë Demokratike daljet e herëpashershme të mazhorancës për t’u thënë shqiptarëve që sa mirë është situata ekonomike.
“Dhe çdo përpjekje për të pikturuar një tablo të ndryshme është e dështuar, jo sepse Lulzim Basha publikon shifrat e vetë qeverisjes së Ramës që e rrëzojnë Edi Ramën, siç e ka rrëzuar ekonomia, por se këto shqiptarët, i ndiejnë në lëkurën e tyre në përditshmërinë e tyre. Shifrat e qeverisë akuzojnë vetë qeverinë dhe sot, të paktën sot, këtë bashkëbisedim dua ta përdor për të folur më shumë, për të sotmen dhe për të nesërmen sepse Edi Rama është e djeshmja e këtij vendi.
Unë kam vendosur me aq sa mundem dhe me çfarë mundem shqiptarëve t’u jap të vërtetat, t’u jap rrugët e daljes. Sot gënjeshtra më e madhe në Shqipëri dhe në Ballkan, rrena më e madhe, epike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve e ka emrin Edi Rama. Asgjë në këtë diskutim me ju, nuk është drejtuar ndaj personit të tij, por ndaj mekanizmit të korrupsionit që ka ndërtuar dhe rrugëve për të çmontuar këtë mekanizëm korrupsioni, jo thjesht si një ushtrim në ligjvënie, por si një mënyrë për t’i kthyer shqiptarëve ato para që u mungojnë në përditshmërinë e tyre. Kështu që, nëse na ndjek dua t’i them s’e kam me ty, por me paratë që ke vjedhur”, tha Basha.

Vjedhjet në një vit të Ramës, dy herë më shumë së abuzimet në 8 vitet e PD

Duke iu referuar shifrave zyrtare të KLSH-së, zoti Basha ka theksuar se dëmi ekonomik më 2015-ën është 125.8 miliardë lekë, dy herë më i madh se sa në vitet 2008-2014 marrë së bashku. Basha iu përgjigj edhe interesimit të medias ku theksoi se i kupton të gjithë ata qytetarë që janë të pakënaqur pse opozita nuk përdor të gjitha mjetet për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar, por Basha tha se rruga e ndryshimeve jodemokratike vjen në një kosto shumë më të lartë se sa përfitimi i parë i saj që është largimi i kësaj qeverie.
“Rruga e ndryshimeve jodemokratike vjen në një kosto shumë më të lartë se sa përfitimi i parë i saj që është largimi i kësaj qeverie, e cila është edhe dëshira e këtyre njerëzve që duan një orë e më parë me çdo mjet për largimin e kësaj qeverie. Një grup njerëzish kërkojnë alternativën, mirë denoncime, por çfarë do të bëni ju?! Dhe ndaj në mënyrë të paprecedentë në historinë politike të këtij vendi ky formacion politik, Partia Demokratike e Shqipërisë, është e angazhuar prej një viti me ekspertët e saj më të mirë dhe me mbështetjen e familjes tonë të Partisë Popullore Europiane dhe partive simotra, CDU-së në veçanti, për hartimin e një programi tërësor, e një alternative për të nxjerrë vendin nga kriza. Dhe unë jam në mënyrë të përjavshme mes shqiptarëve për t’u shpjeguar aspektet e veçanta të kësaj platforme siç janë: Platforma për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Platforma Fiskale, Platforma Ekonomike, Arsimi, Shëndetësia. Kjo po ndodh pothuajse një vit e disa muaj para zgjedhjeve. Dhe po ndodh pikërisht që shqiptarët të kenë kohë ta përtypin dhe ta kuptojnë; janë bajgat e rilindjes që i përtypën dhe po i vjellin tani apo është diçka e besueshme, e bëshme dhe nëse bëhet e aftë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe për të siguruar perspektivën e rritjes ekonomike, punësimin, luftën kundër varfërisë. Do ta nxjerrim Shqipërinë nga kriza, nga të gjitha krizat, duke filluar që nga kriza e kriminalitetit duke shtypur krimin”, u shpreh Basha.

Shullazi transferohet nga paraburgimi tek sektori VIP

Emiljano Shullazi është transferuar nga paraburgimi 302 ku ndodhej që prej ditës së arrestimit dhe është dërguar në Elbasan. Burime nga Drejtoria e Burgjeve kanë bërë të ditur se, ai është dërguar në paraburgimin e Elbasanit, në sektorin VIP. Mësohet se Shullazi është dërguar në të njëjtin vend ku ishte Vladimir Gjuta para se të arrestohej. Ndërkaq bëhet e ditur se miku i Shullazit, Blerim Shullazi është transferuar nga paraburgimi 302 tek ai “Jordan Misja” ose siç njihet Burgu 313. I arrestuari tjetër, Gilmano Dani është dërguar në paraburgimin e Fushë- Krujës. Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet edhe ndaj përfaqësuesit të kompanisë arabe, shtetasit Ylvi Beqja, i cili i dhuroi 20% të pronës së njohur si ish-hotel “Vollga” në Durrës, Emiljano Shullazit. Bëhet e ditur se, grupi hetimor, krahas hetimit penal ndaj Emiljano Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe kanosjes, ka bllokuar llogaritë bankare të kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe përfaqësuesit të saj Ylvi Beqja në Shqipëri.
Sipas akuzës, dyshohet se prona e ish-hotel “Vollgës” është përfituar me anë të dokumentave të falsifikuara dhe për pasojë shitja e një pjese të saj, ka sjellë konsumimin e elementëve të veprës penale të pastrimit të parave. Për këtë fakt, është vendosur sekuestrimi i pronës dhe bllokimi i llogarive bankare, thonë burimet.
Ndërkohë në ditët në vazhdim pritet të merret në pyetje edhe Ylvi Beqja për të dhënë shpjegime për aktin e dhurimit të 20% të pronës së kompanisë së tij Shullazit. Ky dhurim, është pranuar edhe nga vetë Beqja, i cili ka deklaruar në media se i kishte kërkuar ndihmë Shullazit për regjistrimin e pronës. Për kalimin e 20% të pronës me vlerë 700 mijë euro, Beqja ka thënë se ka marrë miratimin edhe nga kompania arabe, që ai përfaqëson në Shqipëri. Ky dhurim, sipas Beqaj, është bërë në shenjë mirënjohje për Shullazin, për ndihmën që i kishte dhënë kompanisë për regjistrimin e pronës. Ai ka deklaruar në media, se ishte i lumtur që kishte kontaktuar Emiljano Shullazin për zgjidhjen e problemeve të tij me individ dhe gjyqësorin në Shqipëri, duke arritur pas shumë vitesh të marrë pronën që kishin blerë në vitin 1994.
Në kontratat e firmosura mes kompanisë arabe dhe Shullazit, specifikohen detyrimet e palëve, ku i arrestuari për “gjobëvënie” merr përsipër regjistrimin e pronës në emër të kompanisë, zgjidhjen e konflikteve mes kompanisë arabe dhe shtetasit Zanmir Hasa si dhe marrjen e çertifikatës së pronësisë në emër të kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”. Kjo marrëveshje është nënshkruar më 18 shkurt 2013 që më pas ka vazhduar edhe me tre kontrata të tjera deri në atë të fundit që mban datën e 9 dhjetorit të 2014, ku merr me anë të dhurimit 20% të pronës. Me marrjen e çertifikatës së pronësisë, kompania arabe me përfaqësues Ylvi Beqjan i shet pjesëtarëve të familjes Kodra 1749 m2 për 671 mijë euro.
Ndërkohë, hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Për momentin, Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.

Shullazi nuk ka paguar asnjë taksë për hotel “Vollgën”

Në ligjin për kalimit e pronësisë, parashikohet pagesa e taksës në rastet e dhurimit të pronës apo pasurisë së paluajtshme. Ligji përjashton nga taksa disa ente apo persona brenda familjes. Por në rastin e “dhurimit” të ish-hotel “Vollgës” në Durrës së fundi, shtetasi përfitues Emiliano Shullazi parashikohet të paguajë detyrime financiare, për pronën e fituar përmes dhurimit. ABC Neës ka pyetur pranë Ministrisë së Financave nëse shtetasi Shullazi ka shlyer detyrimet e tij, por nuk ka patur një përgjigje. Zyrtarët kanë thënë se, në ditët në vijim pritet të kemi një përgjigje.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka shtyrë vendimin për ish-hotel “Vollgën”, në një kohë që Prokuroria po heton mbi mënyrën se si ai kaloi në pronësi të Emiljano Shullazit. Gjykata duhet të ishte shprehur sot me vendim në lidhje me ankimimin e bërë nga kompania “Saudi Brothers” kundër Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit, të cilën e akuzon për falsifikim dokumentash.
Prokuroria po heton në tërësi pronësinë e ish-hotel “Vollgës”, që nga zanafilla e kalimit të pronësisë tek trashëgimtarja e familjes Fortuzi. Përfaqësuesi i “Saudi Brothers” në Shqipëri, Ylvi Beqaj, është shprehur se vetëm pasi pajtoi Shullazin, ai gjeti zgjidhje të problemeve në Gjykatë e Hipotekë. Por, Prokuroria po heton edhe tre gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, sekretaren dhe kancelaren si dhe disa zyrtarë e ish-zyrtarë të Hipotekës së Durrësit e Tiranës, për regjistrimin e pronës.
Hetimi i nisur nga Prokuroria e Durrësit për pronësinë e ish-hotel “Vollgës” ka zbuluar shkelje të shumta që dyshohet se janë kryer jo vetëm nga trupi gjykues, por edhe nga administrata e Gjykatës. Në dosjen e Prokurorisë detajohet historia e pronësisë së Vollgës, e cila nis në vitin 1993, kur u njihet e drejta e pronësisë, trashëgimtarëve të familjes Fortuzi.
Që prej asaj kohe, kjo çështje është endur dyerve të gjykatave deri në vitin 2014, kur një pjesë e saj i është dhuruar Emiljano Shullazit, tashmë i arrestuar për gjobëvënie. Por krahas gjykimit të çështjes në shkallët e tjera të gjyqësorit, Gjykata e Durrësit ka vendosur që prona të regjistrohet në emër të kompanisë “Saudit Brothers Commercial”.

Shtyhet vendimi për hotel “Vollga”, nuk formohej trupa gjyqësore

Mosformimi i trupës gjyqësore në Gjykatën e Lartë ka shtyrë vendimin për padinë e ngritur nga Zamir Hasa në lidhje me pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Seanca gjyqësore pritej që të zhvillohej në ora 9:10 nën kryesimin e relatorit të kësaj çështje Xhezahir Zaganjori ku pritej të jepej një vendim, por seance u shty.
Kjo çështje, e cila ka përfshirë dhe Prokurorinë në hetime për tjetërsimin e pronësisë nga Hasa, tek kompania arabe e më pas në 2014 tek Emiljano Shullazi ka përfunduar në Gjykatën e Lartë pas vendimit të administratives në Durrës që ka rrëzuar pretendimet e Hasës. Zamir Hasa ka bërë kallëzim dhe në Prokurori për pronësinë e “Vollgës” ku ai pretendon se i është marrë me anë të falsifikimeve dhe për këtë rast po hetohen dhe tre gjyqtarët të Gjykatës së Durrësit konkretisht Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura.
E ndërsa Prokuroria ka vendosur sekuestron mbi ish-hotel “Vollgën” Gjykata e Lartë ka nisur sot shqyrtimin e akimimit të kompanisë “Saudi Bradhers”, e cila akuzon hipotekën e Durrësit për falsifikim dokumentash. Çështja po gjykohet në Kolegjin Administrativ ku palët kanë paraqitur pretendimet e tyre. Por Gjykata nuk ka dalë ende me një vendim, duke e shtyrë seancën për një datë tjeter.
Mohammmed Abdullah Bavazeri, përfaqësues i “Saudi Brothers Commercial Company” dhe shtetasi Zamir Hasa, prej disa vitesh ndodhen në proces për pronësinë e objektit në fjalë, Shkalla e Parë i ka dhënë pronësinë Saudi Brothers Commercial, ndërsa Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë  vendim. Çështje që ka mbërritur tashmë në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, Gjykata e Durrësit nëpërmjet vendimit ka urdhëruar Hipotekën të regjistrojë si pronar “Saudi Brothers”.
Çështja e pronësisë së “Vollgës” është duke u hetuar nga Prokuroria, pasi një nga bashkëpronarët e saj është edhe Emiljano Shullazi. Ndërkohë, nga ana tjetër, administratori aktual i kompanisë “Saudi Brothers” pretendon se një pjesë të pronës ia ka dhuruar me dëshirë Emiljano Shullazit, pasi ky i fundit e ka mbrojtur fizikisht nga kërcënimet për vrasje që i vinin herë pas here nga pala kundërshtare e përfshirë në këtë konflikt pronësie.
Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria e Durrësit ka proceduar për shpërdorim detyre tre gjyqtarë dhe dy punonjëse të administratës, të cilat akuzohen se me veprimet e tyre kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

R.POLISI

Kanabis dhe heroinë nga Shqipëria në Zvicër, zbulohet rruga e re e trafikut

Grupet kriminale janë gjithmonë në kërkim të rrugëve të reja të trafikimit të lëndëve narkotike. Kështu, gjatë një aksioni policor është zbuluar edhe një rrugë e re e trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të vendeve të Europës, kryesisht në Zvicër. Pak ditë më parë, të enjten e javës së kaluar në pikën e kalimit kufitar të Batrovicit, në kufirim mes Serbisë dhe Kroacisë është kapur një kamion që po transportonte kanabis të marrë në Shqipëri. Në kamion janë gjetur 63 kilogramë kanabis dhe në pranga janë vënë dy shqiptarë, 26 dhe 18 vjeç. Destinacioni i tyre përfundimtar ishte Zvicra.
Shtypi zviceran shkruan se tani, Serbia është një nga vendet e preferuara të trafikantëve shqiptarë për të kaluar drogë. Nga aty më pas ata “përmbysin” tregun evropian. Zyra Federale e Policisë në Zvicër, (FEDPOL) konfirmon. “Konfiskimet e drogave në Shqipëri dhe Itali tregojnë se kanabisi shqiptar gjendet në të gjithë Evropën Qendrore dhe në Perëndim”, tha zëdhënësi i FEDPOL, Alexandër Rechsteiner. Ai tha se pjesa më e madhe e kanabisit që shitet në Zvicër është i prodhuar në Shqipëri.
“Gjatë aksioneve, ne kemi vërejtur se punonjësit e drogave në plantacione të brendshme janë nga vende të Ballkanit”, vazhdon zëdhënësi. Ai gjithashtu thotë se, kanabisi nuk është e vetmja drogë nga Ballkani. Edhe heroina që shitet në Zvicër vjen shpesh nga Shqipëria. Kokaina, vjen nëpërmjet Afrikës Perëndimore, Itali dhe nga Republikën Domenikane. Origjina e metamfetaminës mbetet i panjohur.

Aksidentohet për vdekje fëmija 10 vjeç teksa po shkonte në shkollë

Një fëmijë vetëm 10¬ vjeç humbi jetën, pasi u përplas nga një makinë teksa ishte duke kaluar rrugën. Aksidenti ndodhi në Velipojë, në zonën e quajtur Sektor dhe fëmija që u përplas për vdekje ka iniciale V.Sh. Policia bëri të ditur se shoqëroi drejtuesin e mjetit. Sipas policisë, në Velipojë, Shkodër, shtetasi Lush Gjelaj, 53 vjeç, banues në Velipojë, duke drejtuar mjetin “Benz”, me targa SH 7355 D, ka aksidentuar shtetasen me iniciale V. Sh, 10 vjeç, banuese në Velipojë, ku si pasojë e dëmtimeve të marra, ka gjetur vdekjen.
Një tjetër aksident ka ndodhur ditën e djeshme, ku një furgon që transportonte nxënës është përplasur me një “Fuoristradë” në aksin Pukë¬-Qelëz, e për pasojë katër prej tyre janë plagosur. Burimet zyrtare thanë se, nxënësit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që janë jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila bëri të ditur se po heton për shkaqet e aksidentit. Bëhet e ditur se dy drejtuesit e automjeteve do të merren në pyetje për hedhur dritë rreth ngjarjes së rëndë.

Hekurudha në protestë, bllokohet hyrja e rrugës te Ura e Dajlanit

Punonjësit e hekurudhës bllokuan hyrjen e rrugës tek Ura e Dajlanit. Rruga është bllokuar për më shumë se një orë dhe si pasojë lëvizja e mjeteve u vështirësua dhe u krijua trafik edhe në hyrje të portit. Protesta ishte për kushtet e punës dhe kundër falimentimit të këtij sektori. Kryetari i Sindikatës së Hekurudhave Shqiptare, Osman Meta tha se, punëtorët kanë 4 muaj që nuk u paguhen sigurimet shoqërore, kurse pagat i marrin me vonesë. Në protestën e tyre sindikalistët kanë bërë me dije se, Hekurudhës Shqiptare i janë bllokuar të gjitha burimet ekonomike nga koncesionarët. Ata thanë se pengimi i hyrjes së trenave në port, transporti i mallrave po falimenton.

Rektorati: Kule dhe Koni njoftuan Tahirin për kërcënimin e Shullazit

Universiteti i Tiranës ka sqaruar dje takimin që rektori Dhori Kule dhe kandidati për rektor, Mynyr Koni zhvilluan me ministrin e Brendshëm, ministren e Arsimit si dhe me drejtues të Policisë. Në një komunkim për mediat, Rektorati deklaron se gjatë takimit, Ministri i Brendshëm dhe Drejtuesit e Policisë së Shtetit janë njoftuar zyrtarisht me “përballjen e problematikës gjatë procesit zgjedhor”.
“Në lidhje me takimin zyrtar që rektori i UT-së dhe kandidati për rektor ka zhvilluar me ministrin e Brendshëm, ministren e Arsimit dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, ju informojmë se ky takim ka qenë zyrtar dhe rruga e zgjedhur për t’u përballur me problematikën e shfaqur gjatë procesit zgjedhor në UT ka qenë vetëm ajo zyrtare. Institucionet e përfaqësuara në këtë takim kanë marrë përsipër përgjegjësitë e tyre institucionale”, sqaron Universiteti i Tiranës.

PD: Rama nuk zbatoi ligjin, mori përsipër negociata private me Shullazin

Partia Demokratike ka reaguar dje pas fakteve të reja të publikuara në media për denoncimin që ish-rektori i universitetit Dhori Kule ka bërë në Prokurori në lidhje me kërcënimet që i janë bërë nga Shullazi dhe banda e tij për atë që tashmë dihet si përfshirja më e fundit që qeveria bëri nëpërmjet kësaj bande kriminale, nëpërmjet Shullazit, edhe në garën për universitetet.
“Dhori Kule ka denoncuar në Prokurori faktin se: pasi ka bërë me dije Kryeministrin për këtë kërcënim, ndërkohë që ishte kërcënuar dhe kandidati për rektor, Kryeministri e ka dërguar tek ministri i Brendshëm, i cili në mënyrë krejt recidiviste, ashtu siç ka ndodhur edhe ca kohë më parë, kur thirri në zyrë Durim Bamin dhe përpiqej ta zgjidhte çështjen në mënyrë krejt informale dhe të paligjshme, të dënueshme penalisht, përsëri, rektorit në detyrë, i premton se do ta zgjidhë ai çështjen dhe të gjitha provat tregojnë se zgjidhja do të ishte ajo që kjo qeveri di të bëjë më mirë. Menaxhimin e krimit dhe nëpërmjet menaxhimit të krimit të zgjidhë problemet siç di ajo. Pra, kjo qeveri përsëri jep provën se nëpërmjet kësaj formule të dërgon krimiminelët, të dërgon Shullazin, të krijon problemin dhe pastaj premton se mund ta zgjidhë. Është prova e fundit që tashmë është e depozituar në Prokurori, se si kjo qeveri është e lidhur kokë e këmbë me krimin edhe nëpërmjet krimit vetëm nëpërmjet krimit, nëpërmjet Shullazit mund të zgjidhë dhe të menaxhojë jetën publike shqiptare” tha deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi në një deklaratë shtyp.
Denoncohet ky fakt në Prokurori, vijoi Bylykbashi, dhe vetëm pak orë më pas ish-Kryeministri Berisha e ka deklaruar publikisht ku të gjithë jeni dëshmitarë, u arrestua Shullazi dhe të mos kishte ndërhyrë Prokuroria ne do të ishim përsëri përpara asaj që Saimir Tahiri di të bëjë më mirë. “Do të menaxhonte në mënyrë private, në mënyrë informale, ashtu siç ai ka bërë edhe në rastet e tjera, duke i dhënë makinën e tij trafikantëve të drogës që ta përdornin për t’i dhënë imunitet, në të njëjtën mënyrë do t’i jepte imunitet kësaj bande, në të njëjtën mënyrë siç ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe duke menaxhuar krimin e duke e kthyer Shqipërinë, në një plantacion me drogë, ku jeta e shqiptarëve vlen zero, ndërkohë që interesi i vetëm është të rrisin pasurinë dhe nëpërmjet këtyre kriminelëve të mbrojnë aferat e tyre” vijoi më tej Bylykbashi.
Deputeti demokrat tha se “Jemi përpara rënies së shtetit dhe përpara rënies së shtetit nuk mund të ketë asnjë garanci për shqiptarët veçse që t’i përgjigjen kësaj qeverie në mënyrën më të fortë të mundshme. Por kundërreagimi i kësaj qeverie është ajo që të gjithë e dinë. Dënohet Sali Berisha, ai që denoncoi këtë krim dhe dënohet vetëm e vetëm jo vetëm për t’i mbyllur gojën opozitës, por për t’i dhënë provën shqiptarëve që ne e mbrojmë krimin dhe me mbrojtjen që i japim këtij krimi askush nuk mund të guxojë që ta kundërshtojë këtë qeveri në zgjedhjet që do të afrohen. Besoj që provë më të fortë sesa kjo për inkriminimin e kësaj qeverie nuk mund të ketë. Shqiptarët vetëm do të shohin më tej se si do të dalin edhe më shumë këto prova”.

Arben Shahini

Skandal/Fshihet tenderi për Parkun e Lojrave, shkak betonizimi i paparashikuar në projekt

Tenderi për ndërtimin e Parkut të Lojërave tek Liqeni Artificial është rrethuar nga një hije dyshimi për mënyrën sesi është zhvilluar.
Sëfundmi Agjencia e Prokurimit Publik ka fshirë nga sistemi të gjithë praktikën e tenderit të ndjekur për ndërtimin e Parkut të Lojërave.
Nëse kërkon në faqen zyrtare të APP-së rreth tenderit për këndin e lojrave që po ndërtohet nga Bashkia Tiranë, nuk gjen asnjë të dhënë. Aty është vetëm tenderi për mbikëqyrjen e punimeve.
Por Openprocurement.al ka mundur të sigurojë të gjithë dokumentat e tenderit përpara se ato të fshiheshin në mënyrë skandaloze nga kjo Agjenci.
Pjesë e dokumentave është edhe raporti teknik, ku sipas saj, në të gjitha zonat e krijuara brenda Parkut të Lojërave do të përdoren materiale druri, ashkla, gomë, plastikë dhe një pjesë rërë e imët.
Ndërkohë pamjet e publikuara nga shoqëria civile shfaqin disa objekte masive prej betoni të ngritura mbi 4 metra lartësi.
Kjo tregon edhe njëherë përpjekjet e pushtetit lokal për të fshehur të vërtetën e ndërtimit të Parkut të Lojrave te Liqeni Artificial.
Më poshtë gjeni zonat e projektuara fillimisht nga Bashkia e Tiranës në tenderin e thirrur dhe që më pas kanë pësuar ndryshime duke u kthyer në ambiente te betonizuara:
1- Zona për femijë prej 9 vjeç e sipër – Propozohet te jete ne hyrje te kendit te lojrave, e pajisur me një amfiteater (duke shfrytëzuar pjerrësine e terrenit) ku perballe tij, jane vendosur mbi nje platforme zhavori të imët 4 fusha ping-pongu për të gjitha grupmoshat. Gjithashtu kjo zonë, e konceptuar ndryshe edhe si hyrja e këndit të lojrave, shfrytezon nje nga pemet ekzistuese te parkut si “Pema e Deshirave”, ku femijët, pse jo dhe te rriturit varin në të deshirat e tyre, te shkruara ne leter. Fushat e ping-pongut janë të vendosura mbi dysheme gome, për të shmangur çdo aksident të mundshëm.
2- Zona për femijë nga mosha 1- 3 vjeç – Kjo zonë është menduar të jetë në formën e një grope rëre të imët, e pajisur rreth e rrotull me stola druri dhe betoni për prindërit. Stolat e betonit janë dizenjuar dhe vendosur me kujdes, duke shfrytëzuar disnivelin natyral te terrenit. Zona është e pajisur gjithashtu me elemente lojrash druri për femijë të kësaj grupmoshe.
3 – Zona për femijë nga mosha 3-6 vjec – Është një zonë e cila eshte ne vazhdimësi të 2 zonave të përmenduar më sipër. Ajo është e pajisur me lojra druri për femijë të kësaj moshe. Për të patur një diversitet dhe dinamikë në materiale, kjo zonë është menduar te jete me ashkla druri, ndërsa në zonat ku  jane instaluar lojrat, gjithmonë ështe menduar të vendoset gomë.
4 – Zona për femijë nga mosha 3-12 vjeç – Është menduar të jetë një zonë paralel me tre zonat e përmendura më siper, me një diference kuote prej afersisht 135 cm dhe është zona më dinamike e të gjithë këndit të lojrave, duke ofruar diversitet ne materiale, lojra dhe aktivitete. Kjo zonë është menduar të jetë e gjitha një platformë gome, e cila vesh në mënyrë natyrale terenin e pjerrët, dhe në zona të ndryshme çahet, për të formuar kodrina me bar natyral. Pjesë e projekti është edhe një mur betoni për ngjitjen e fëmijëve të apasionuar pas alpinizimit, por që ky mur do të ishte në një nivel të afërt me tokën dhe jo 4 metra sipër saj.
5 – Zona për femijë nga mosha 12 vjeç – Është menduar të jetë si një platformë gome në formë eliptike, ku në mes eshte vendosur “Pema e Basketbollit”. Ky element është një instalacion, ku janë shkrirë me njëri-tjetrin elementët e pemës me koshin dhe tabelën e basketbollit. Zona është vendosur me kujdes në një zonë që nuk ka pemë me përjashtim të dy pemëve, të cilat propozohet të spostohen.
6 – Zona për femijë 3 – 12 vjec, ka si element kryesor murin “Shetites” (Ëanderëall) i cili është konceptuar si një element me funksion zbavitës dhe argëetues, duke patur vlera skulpturore sherben gjithashtu si nje vend takimi ndermjet femijeve. Ky element është menduar të jetë 4 m i lartë dhe me një platformë gome të bute, 15 cm nga niveli natyral i tokës.
7- Zona për femijë 6-12 vjeç – Është një zonë me një instalacion drurësh masiv, që shërben për të rritur aftesitë fizike të femijëve të kësaj grupmoshe. Instalacioni është vendosur në terren natyral i gjelbëruar.
8- Zona për femijë nga mosha 14 vjeç – Është një platform e sheshtë betoni e lemuar, ku femijët e kësaj grupmoshe luajnë me patina dhe “skateboard”.

BE: Pa reformë në drejtësi, negociatat shtyhen pa afat

Bashkimi Europian ashpërson paralajmërimin për Shqipërinë sa i përket miratimit të reformës në drejtësi. Nga Shkodra përfaqësuesi i delegacionit Europian në vendin tonë Jan Rudolph kërkoi që klasa politike ta miratojë përpara pushimeve të verës reformën, pasi në të kundërt axhenda e ngarkuar e Bashkimit Europian do ta shtyjë pa afat rekomandimin për çeljen e negociatave. Realizimi i reformës do të përkthehet në rritje ekonomike dhe më shumë investime për vendin shtoi Rudolph.  Sipas tij, kjo reformë do të sjellë klimë pozitive për biznesin dhe ekonominë në tërësi. Zyrtari i BE-së tha se reforma duhet miratuar brenda verës, pasi në të kundërt situata për Shqipërinë do të vështirësohet për zgjedhjeve në Francë dhe Gjermani vitin e ardhshëm. “Zbatimi i saj do përmirësoje klimën e biznesit, sjell rritje investimeve dhe ekonomisë. Çdo gjë është gati prandaj duhet miratuar javët e ardhshme. Nëse nuk arrihet deri në verë do kemi një situatë vështirë. Viti që vjen Franca dhe Gjermania, kanë zgjedhje dhe agjenda BE është e ngarkuar nuk do vijë më ky shans. Nëse e miratoni, Komisioni Evropian jep rekomandimet për çelje të negociatave”. Rudolph ishte i pranishëm në prezantimin e projektit të financuar nga BE dhe UNDP “Fuqizimi social dhe ekonomik për romët dhe egjyptianët”. Së bashku me drejtuesit e bashkisë Shkoder ai vlerësoi këtë projekt që synon integrimin e plotë të këtyre shtresave në shoqeri, duke reduktuar në radhët e tyre varfërinë dhe pabarazinë. Projekti në total prej 4 milion eurosh ka një sërë kompetencash përfshirë: punësimin, zhvillimin lokal, përfshirjen sociale dhe aksesin në shërbime bazë. Për Shkodrën përfituese janë 92 familje rome me afërsisht 443 banorë dhe 2000 egjyptianë.