35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Rama jep dhe aneksin e stadiumit “Qemal Stafa” për bandat kriminale

Edi Rama ka planifikuar që një truall të rëndësishëm në Tiranë, aneksin e stadiumit “Qemal Stafa” ta vërë në dispozicion të një bande tjetër kriminale. Ishte parashikuar lulishte e kënd lojërash, por Rama do ta bëjë kullë betoni për bandën tjetër të preferuar. Kryetari i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj ka denoncuar këtë aferë skandaloze, ndërsa ka bërë të ditur se zona e parashikuar për tu ndërtuar kënd lojrash nga Bashkia kur drejtohej nga Basha është zhdukur si projekt dhe në vend të saj do të zhvillohet një projekt klientelist betoni.
“Më parë, kur bashkia drejtohej nga z. Basha, kjo zonë ishte parashikuar të bëhej lulishte, me kënd lojërash për fëmijët në shërbim të komunitetit. Por Edi Rama e ka fshirë këtë projekt dhe ka në plan që t’ia japë bandës tjetër të preferuar, për të ngritur selinë e saj qendrore. Bëhet fjalë për këtë truall që, në zemër të Tiranës, që nga lulishte jo vetëm për banorët e zonës, por për mbarë qytetarët, shndërrohet në kullë betoni, kullë përfitimi, kullë zhvatjeje e korrupsioni. Siç është bërë publike, banda e Shullazit me Edi Ramën mori pronën dhe truallin më të çmuar në mes të Durrësit, godinën historike të hotel ‘Vollgës’”, tha Alibeaj.
“Tashmë, Edi Rama po planifikon të shërbejë Shullazin dhe një bandë tjetër, lidhjet me të cilën janë të vjetra për të, qysh se u bë për herë të parë kryetar bashkie, me këtë truall në qendër të Tiranës. Kjo është qeveria e bandave që qëndrojnë mbi ligjin, që marrin prona publike, që ndërtojnë ku të duan. Ky është Kryeministri i bandave, i bandave që vënë gjoba, që grabisin e plaçkisin qytetarët me tytën e armës. I është sulur popullit me kërbaç e me burg e po i merr dhe kacidhen e fundit, ndërsa vetë ndan prona e troje, ndan pasurinë e vendit me bandat e kriminelët më të rrezikshëm në vend”, u shpreh Alibeaj.

Goditet me dru kokës biznesmeni në Sukth pas gjobës së bandës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në orën 6 e 30 të mëngjesit në mes të Sukthit, ku një bandë e armatosur me kallashnikov dhe me maska ka dhunuar biznesmenin Osman Pana.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se, ky ishte një paralajmërim i bandës ndaj biznesmenit dhe besohet se ngjarja vjen pas gjobës që banda i ka vënë ndaj tij.
Denoncimi është bërë dje nga Partia Demokratike, ku kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj bëri të ditur se fushata e terrorit dhe kërcënimeve nga banda e Dakos është shndërruar në një makth të vërtetë për këto zona. Ai tha se vetë policia nga njëra anë nuk ka asnjë të dhënë mbi këtë terror e kërcënime e nga ana tjetër as që e merr mundimin për të marrë masa, dëshmi kjo e lidhjes së fortë të këtyre bandave me Dakon e Ramën.
“Banditët që shërbyen Dakon dhe Ramën në zgjedhje sundojnë Sukthin e Durrësin. Terrori i këtyre bandave në Sukth është i pranishëm prej kohësh dhe policia e di kush janë personat, por nuk merren masat, sepse maskat e armatosura janë të lidhura me Vangjush Dakon dhe Edi Ramën.
Janë të njëjtët banditë që kanë terrorizuar qytetarët në zgjedhjet e fundit lokale, që kanë dhunuar komisionerët, banditë që ishin në shërbim të Dako-Ramës”, bëri të ditur Alibeaj.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë që të hetojë e të nxjerrë përpara ligjit banditët që terrorizojnë qytetarët.
“Ky është sundimi i krimit të veshur me pushtet, në Sukth dhe në gjithë vendin. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me shpejtësi e të nxjerrë para ligjit këta banditë që dhunojnë, vendosin gjoba e terrorizojnë qytetarët. Është koha e një bashkimi të madh kundër krimit e bandave. Ne nuk mund ta lëmë vendin peng të maskave e gjobëvënësve të Edi Ramës, Vangjush Dakos dhe Saimir Tahirit”, u shpreh Alibeaj.

Biznesmeni përgënjeshtron policinë

Biznesmeni Osman Pana, 33 vjeç nga Sukthi, i cili u dhunua dje nga disa persona, ka folur nga Spitali i Durrësit ku është i shtruar.
Në një prononcim për portalin “Durrëslajm”, Osman Pana thotë se kanë qenë 5 ose 6 vetë që e dhunuan, ndryshe nga sa thotë policia në reagimin e saj zyrtar që kanë qenë 2 autorë.
“Ishin 5 ose 6 persona që m’u sulën nga mbrapa. Ishte ora rreth 7 e mëngjesit, sapo shkova në magazinën time. Më kanë qëlluar nga pas. Nuk e di kush ishin, por më qëlluan me dru. Ata ishin shumë dhe unë isha një i vetëm. Nuk i pashë nëse ishin të maskuar, nëse kishin apo jo armë zjarri. Mua më kanë qëlluar me dru e më lanë pa ndjenja. Më kanë marrë komshinjtë e më kanë sjellë në spital.
Unë nuk kam konflikte me njeri përveç se me komshiun për shkak të dritareve. Jam duke ndërtuar katin e dytë dhe komshiu nuk do që dritaret e mia të bien nga ana e tij e shtëpisë. Dyshoj që mund të jetë për këtë shkak. Por policia t’i gjejë e t’i vërë para drejtësisë autorët. Ngjarja është e filmuar sepse të dy komshinjtë e mi kanë kamera sigurie. Gjobë nuk më ka vënë njeri. As më kanë kërkuar para”, thotë biznesmeni Osman Pana.

Berisha: Situatë terroriste për biznesin në Shqipëri

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar dje terrorin që po ushtrohet ndaj bizneseve në mbarë vendin, ndërsa tha se sot rendin e kanë në dorë bandat e lidhura me Shullazin dhe pushtetin.
“Kronikat e përditshme të lajmeve janë të mbushura me njoftime për sulme, eksplozive, gjoba, maska, arrestime nga bandat e qeverisë dhe çunat e krimit për biznesmenët. Në Shqipëri është krijuar një situatë e vërtetë si në Afganistan apo Irak. Në një hark kohor dyditor janë njoftuar vendosje eksplozivësh, maska, gjoba, arrestime të biznesmenëve dhe pronave të tyre në Tiranë, Durrës, Sukth, Bulqizë, Elbasan etj. Sot rendin e kanë në dorë vetëm bandat e lidhura me Edvin Shullazin dhe pushtetarët me të cilët ndajnë dhe trofetë e gjahut të tyre kriminal”, shprehet Berisha në reagimin e tij në rrjetin social Facebook.

Arben Shahini

Aferat korruptive të Braçe-Kokoneshit me lejet e ndërtimit në Divjakë

Një punonjës i Bashkisë së Divjakës ka denoncuar aferat korruptive mes kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, si dhe deputetit socialist, Erjon Braçe me lejet e ndërtimit në këtë bashki. Denoncimi është publikuar dje nga ish-Kryeministri Berisha, i cili në një postim në Facebook shprehet: “Famozët e Divjakës: Kokoneshi dhe Braçe, se si lejojnë kundrejt ryshfetit, ndërtime pa leje, ndërtim për ata që paguajnë dhe dërgojnë në burg të tjerët për të njëjtën shkelje!”, shkruan Berisha në komentin e tij.   Në denoncimin e tij, punonjësi i Bashkisë tregon se si Braçe dhe Kokoneshi shpërndajnë leje klienteliste ndaj militantëve socialistë. “Përshëndetje Dr! Jam një punonjës i Bashkisë së Divjakës. Sot vjen në Divjakë për të inauguruar një qendër shëndetësore Edi Rama. Për ironi të fatit në krah të kësaj qendre shëndetësore vegjeton dhe një objekt i ndërtuar pa leje (në fakt me izmin e Kokoneshit e Braçes). Ky objekt pa leje që ka përfunduar është i një militanteje të PS. (Marie Shkoza është pronarja e objektit), e cila nën kujdesin e Kokoneshit e Braçes e ka dhënë të gjithin me qira… e sigurisht një pjesë të mirë të kësaj të ardhure i përfiton Kokoneshi. Ju sjellim në vëmendje se në kontrast me veprim ….. qytetari Perik Preni u dënua nga Gjykata e Apelit për ndërtim pa leje për një vepër qesharake që bënte kohë që ishte ndërtuar. Mendojmë që ju jeni personi i vetëm që mund të denonconi një situatë të tillë qesharake… e cila është aferë e pastër korruptive. Objekti është ngjitur me Qendrën Shëndetësore e i bën karshillëk rregullit e ligjit e sot pagëzohet dhe nga Kryeministri”, thuhet në denoncimin e publikuar nga ish-Kryeministri.

Kosovë, Kuvendi heziton të ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi

????????????????????????????????????

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar seancën e radhës më 28 prill, por as kësaj radhe në rend të ditës nuk është paraparë çështja e ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, për demarkacionin e kufirit. Marrëveshja për demarkacionin është nënshkruar në Vjenë më 25 gusht të vitit të kaluar. Ajo ishte prezantuar nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës si shumë e rëndësishme, pasi që Kosova po shënonte vijat kufitare me shtetet fqinje. Mirëpo, subjektet politike opozitare në Kosovë e kanë kundërshtuar në vazhdimësi këtë marrëveshje, duke konsideruar se ajo cenon tërësinë territoriale të Kosovës. Lidhur me këtë çështje, në Kuvend, por edhe jashtë tij, opozita ka organizuar protesta, duke kërkuar anulimin e marrëveshjes. Marrë parasysh shqetësimet e opozitës dhe qytetarëve që kishin protestuar në Prishtinë dhe qytete tjera, ish-presidentja e Kosovës, Aitifete Jahjaga, pati angazhuar një ekip ndërkombëtar të ekspertëve për të shqyrtuar marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ky ekip i ekspertëve ndërkombëtarë, në fund, nuk kishte gjetur shkelje në marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Kalkulimi i Vuçiç

Dragoslav Dedoviç

Zgjedhësit do t’i dhuronin kryeministrit të kudogjendur një mazhorancë edhe më të madhe, e hapësira e tij e veprimit do të zgjerohej edhe më shumë, ky ishte kalkulimi i kryeministrit aktual dhe atij të ardhshëm Aleksander Vuçiç para zgjedhjeve në Serbi. A i doli atij ky kalkulim?
Po dhe jo-qeveria e Vuçiçit edhe në të ardhmen do të ketë një shumicë absolute të qartë, por ajo nuk është zgjeruar edhe më shumë.
Partneri i deritanishëm i koalicionit të Vuçiçit, Partia Socialiste, ishte qysh në zgjedhjet e vitit 2014 i tepërt, sepse partia e përparimit e vetme kishte 158 nga 250 mandatet. Megjithatë, Vuçiçi preferonte më mirë ta afronte në koalicion partinë e autokratit të dikurshëm Sllobodan Milosheviç, e kësisoj kryetari i saj Ivica Daçiç u bë ministër i Jashtëm. Kjo ishte një lëvizje e mençur, sepse socialistët me nota nacionaliste në opozitë do të mund të forcoheshin edhe më shumë. E në rast të masave shtrënguese apo gabimeve është praktike, që të kesh mundësi t’i referohesh ndarjes së përgjegjësisë.
Po tani? Koalicioni i deritanishëm me sa duket do të vazhdojë të jetë edhe ai i ardhshmi. Partia e kryeministrit ndonëse vazhdon të ketë shumicën absolute, ajo është paksa më e dobët. Edhe socialistët, forca e dytë në vend, do të jenë më modest, sepse rezultati i tyre në zgjedhje nuk lë hapësirë dhe ata në çdo rast duan të bashkëqeverisin.
I përjetshmi i sapokthyer nga Haga, Vojislav Sheshelj, në të kundërt mund të gëzohet: partia e tij radikale, e cila njihet për një përzierje të shakave bajate dhe devijimeve të shëmtuara verbale, më në fund ia doli që të përfaqësohet në Parlament. Por, megjithatë forca e dashamirësit të Rusisë dhe radikalit anti-perëndimor nuk është e rrezikshme me vetëm 20 depuetë.

Opozitë e përçarë
Opozita në zgjedhje nuk mundi të bjerë dakord për një strategji të përbashkët, sepse egoja e ndokujt ishte e madhe. Kësisoj ajo hyri e përçarë në garë dhe konform kësaj u ndëshkua: vetëm një grup ia doli ta kalojë pragun e përfaqësimit parlamentar prej 5% të votave – të tjerët dështuan. Kësisoj këto parti mbeten mjaft të vogla, duke mos qenë të forta sa duhet për të korrigjuar aktivitetet politike. Pellgje të vegjël e krokodilë të mëdhenj, thotë një shprehje në Beograd. Ky nuk është një ndryshim i vërtetë i raporteve të pushtet.
Vuçiç mbetet pra zot i situatës si në politikën e brendshme edhe në atë të jashtme, pavarësisht nëse me apo pa socialistët. “Të vazhdojmë kështu” kjo është receta e suksesit të tij. Vazhdimisht proklamohet anëtarësimi në BE si objektivi zyrtar, megjithatë herë pas here orientimi kthehet nga Moska. Të shmangen gabimet vetiake, e në vend të tyre të lihen fqinjët nervozë Kroacia e Kosova që të bëjnë gabime. Rënimi social të shitet si sakrificë në altarin e së ardhmes. Mediat në dukje preken me doreza mëndafshi, por ato megjithatë janë nën timonin e tij.
Për të gjithë, që shpresonin për një alternativë të vërtetë Vuçiç, situata mbetet e pashpresë. Aq më tepër nëse u beson liderëve opozitarë, sepse edhe ata duan të vazhdojnë të bëjnë si deri më tani.

Një projekt bërthamor për Energjinë

George PUTIC

Të gjitha centralet e sotme bërthamore prodhojnë energjinë nëpërmjet procesit të ndarjes së atomeve të uraniumit – që krijon nxehtësi të dobishme, por edhe mbetje të shumta e të rrezikshme bërthamore që janë  vdekjeprurëse. Procesi i kundërt, ai i bashkimit të atomeve, apo fuzioni, gjithashtu krijon ngrohje, por edhe thuasje aspak rrezatim të dëmshëm. Problemi është se fuzioni është mënyra më e vështirë për t’u arritur. Shkencëtarët nga 35 vende, përfshi Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën, po përpiqen ta zgjidhin këtë problem – duke krijuar teknologji që mund ta furnizojnë botën me energji për mijëra vjet.
Shkencëtarët e dinë prej kohësh se nga bashkimi i atomeve të dy izotopeve të hidrogjenit, deuterium dhe tritium, çlirohen sasi të mëdha energjie dhe shumë pak rrezatim. Por, kjo kërkon atë lloj nxehtësie dhe presioni që gjendet tek dielli, por të përqendruar në një pikë shumë shumë më të vogël.
Teknologjia moderne thotë se kjo është shumë e vështirë, por jo e pamundur për t’u arritur. Rrezet e fuqishme lazer do të siguronin presion dhe nxehtësi, ndërsa magnete të mëdha do të mbanin në ajër këtë diell të vogël,  të futur një dhomë të veçantë.
Sipas parashikimeve, kjo shkrirje atomesh, do të jepte deri në 10 herë më shumë energji se sa konsumon.
Filluar në vitin 1985, një projekt në jug të Francës i quajtur ITER po zhvillohet ngadalë së bashku me planet për një reaktor funksionues energjie nëpërmjet bashkimit  bërthamor. Projekti është pllakosur nga vështirësitë politike, organizative dhe financiare.
Por, drejtori i ri i përgjithshëm, fizikanti dhe kimisti frncez, Dr. Bernard Bigoh thotë se reaktori më në fund është duke u ndërtuar.
“Për shembull pjesa e parë e asaj që ne e quajmë ‘cryostat’ po vjen nga India.  Ndërsa firma amerikane General Atomics ka qenë në gjendje të japë pjesën e parë të ‘solenoidit qendror”, thotë Dr. Bigoh.
Komisioni i Kongresit që miratoi pjesëmarrjen e SHBA-së në këtë projekt e ka pakësuar mbështetjen e tij. Në vitin 1998, Komisioni u tërhoq nga projekti, vetëm për t’iu ribashkuar përpjekjeve në vitin 2005 dhe pastaj për t’i pakësuar në mënyrë drastike fondet në vitin 2008. Dr. Bigoh erdhi në SHBA në përpjekje për ta bindur Komisionin që të mos tërhiqet nga projekti.
“Shtetet e Bashkuara tani po pyesin nëse ia vlen të vazhdohet me projektin ose ndoshta të japin dorëheqjen. Prandaj ishte mjaft e rëndësishme për t’u treguar amerikanëve se përkundër faktit se ata mbulojnë vetëm  9% të investimeve, projekti po vazhdon dhe ia vlen që SHBA të qëndrojnë në të “.
Dr. Bigoh thotë se, në qoftë se plani i ri i punës miratohet nga shtatë anëtarët kryesorë të projektit, duke përfshirë SHBA-në, Kinën dhe Rusinë, montimi i reaktorit mund të përfundojë deri në vitin 2025, me eksperimentet e para, duke filluar nga viti 2028.
Në fund të fundit, reaktori do të kushtojë miliarda dollarë për t’u ndërtuar, por nëse punon, vlera do të jetë e pallogaritshme.

Përvjetori i Çernobilit dhe blloku komunist lindor

Robert Schwartz

Fund prilli 1986. Më 26 prill 1986 – saktësisht në orën 1 e 23 minuta – në Çernobil të Ukrainës shpërtheu një reaktor bërthamor. Aksidenti pati pasoja masive për ambjentin, jo vetëm në pjesë të Bashkimit Sovjetik të atëhershëm, por edhe në Evropën Veriore, Qendrore dhe Juglindore.
Reja radioaktive mbi Çernobil u shpërnda me shpejtësi në drejtim të Bjellorusisë dhe Rusisë dhe dy ditë më vonë mbërriti në Skandinavi, Poloni, në Jug të Republikës Federale të Gjermanisë dhe në RDGJ e atëhershme. Shi i helmuar ra edhe në Rumani dhe në Bullgari. Re radioaktive u shpërndanë brenda pak ditësh mbi të gjithë gjysëmrruzullin verior.
“Gjithçka të jetë nën kontroll”, kjo nuk ishte vetëm motoja e rumunëve, por edhe autoriteteve të sigurisë të RDGJ, kur morën vetëm tri ditë pas aksidentit informacionet e para nga kolegët e tyre sovjetikë. Tri ditë, në të cilat pjesë të popullatës e kishin dëgjuar lajmin përmes stacioneve radiofonike dhe televizive perëndimore.
Stacionet e RDGJ transmetonin vetëm lajmet e zbutura të komanduara nga Stasi. Me këtë udhëheqja e shtetit dhe e partisë nuk donte të mbulonte vetëm gjendjen faktike të katastrofës, por edhe pasojat në ekonomi.
Çernobili hoqi një brazdë të thellë nëpër popujt e shteteve të atëhershme “të vëllazëruara” komuniste. Në këtë përfundim arrijnë ekspertët në një aktivitet me temën “Super-aksidenti dhe Stasi”. Katastrofa bëri të qartë para së gjithash si reagon një diktaturë dhe policia e saj politike e fshehtë ndaj një “shoku antropologjik”.

Ushqime të helmuara
Meqenëse udhëheqja e RDGJ nuk publikoi vlera të matjes për një kontaminim të mundshëm radioaktiv të perimeve dhe qumështit, këto mallra nuk mund të eksportoheshin më dhe u shitën brenda vendit. “Asnjëherë dyqanet nuk kanë qenë më plot se atëherë”, kujtojnë dëshmitarët sot. Ushqimet e kontaminuara iu shpërndanë atëherë mensave të shkollave, thotë fizikani dhe ish-aktivisti për të drejtat e njeriut të RDGJ, Sebastian Pflugbeil. Nxënës, prindërit e të cilëve shikonin në “televizionin perëndimor” lajmet dhe që u kishin treguar fëmijëve për kontaminimin e mundshëm, nuk e preknin ushqimin. Për kënaqësinë e “të paditurve”, që papritur lejoheshin të hanin dy ose tre porcione. Zyrtarisht në RDGJ thuhej se nuk kanë ekzistuar asnjëherë rreziqe për shëndetin, thotë Pflugbeil.
Politikë e ngjashme u ndoq edhe në shtetet e tjera komuniste. Në Bullgari pas fatkeqësisë për ditë të tëra u vendos bllokadë për informimin. Paraskeva Ninova, një mjeke dhe profesore, e cila mbikëqyrte atëherë të gjitha spitalet në Bullgari, tregoi për udhëzime të fshehta për shefat e pavioneve: fëmijëve nuk duhet t’u jepej më në klinika qumësht i freskët dhe sallatë – këto ishin masat e para mbrojtëse kundër radioaktivitetit në rritje. Por publikut ato nuk iu transmetuan. Madje edhe manifestimet e 1 majit në Sofie u zhvilluan nën shiun radioaktiv që binte.
Në Rumani, shumë patën dëgjuar përmes stacioneve perëndimore Radio “Free Europe” dhe “Deutsche Welle” për katastrofën, por askush nuk ishte në gjendje t’i vlerësonte rreziqet. Vetëm në 2 maj u rekomandua zyrtarisht në Rumani që të lahen mirë perimet dhe frutat – dhe që fëmijët të mbaheshin kryesisht në dhoma të mbyllura. Në kopshte fëmijësh dhe në shkollat e të gjithë bllokut lindor në fillim të majit u shpërndanë tableta me jod ose lëngje kundër rrezatimit radioaktiv.

Pasoja të pahulumtuara
Për numrin e viktimave ose pasojat shëndetësore të katastrofës deri sot nuk ka të dhëna të sigurta. Vitet e para ishte e ndaluar që të mbaheshin shënime për viktimat, për përmasën e rrezatimit bërthamor dhe për sëmundje të mundshme. “Nuk ka të dhëna të besueshme, shifrat u manipuluan”, shprehet Pflugbeil. Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) flet për rreth 8000 vetë që kanë humbur jetën prej katastrofës, gjysma e tyre e humbi jetën në pasoja të mëvonshme të dëmshme të rrezatimit.

Cruz dhe Kasich shpallin aleancën ndaj Trump

Amerikanët në pesë shtete – Connecticut, Delaware, Maryland, Pennsylvania dhe Rhode Island – po votojnë sot në zgjedhjet paraprake. Megjithëse nuk janë domosdoshmërisht vendimtare, këto votime mund t’i ndihmojnë kandidatët kryesorë që të konsolidojnë pozitat e tyre, ose të sinjalizojnë një zhvendosje në garë. Kandidatit republikan Donald Trump i duhet një fitore e sigurt që t’i afrohet numrit të nevojshëm prej 1,237 delegatësh për të siguruar kandidimin e partisë. Dy rivalët e tij, senatori nga Teksasi, Ted Cruz dhe guvernatori i Ohios, John Kasich, kanë bashkuar forcat në përpjekje për të mos ta lejuar atë të arrijë këtë synim.
Dje, kandidatët Cruz dhe Kasich njoftuan për një marrëveshje: zoti Kasich nuk do të bëjë fushatë në zgjedhjet paraprake të Indianës më 3 maj dhe zoti Cruz ra dakord të mos bëjë fushatë në Oregon dhe New Mexico. Ky njoftim, e zemëroi zotin Trump, të cilit i duhet të fitojë mbi gjysmën e gjithë delegatëve të mbetur, para se zgjedhjet paraprake të mbyllen në qershor.
Ai tha gjithashtu se, kjo marrëveshje do të ishte e paligjshme në botën e biznesit. Guvernatori Kasich mbajti një qëndrim sfidues në një ndalesë fushate në Philadelphia:
“Ky lajm i habiti të gjithë. Është zbavitëse në fakt. Askush nuk e di se cili është hapi ynë i ardhshëm”.
Senatori Cruz e mbrojti aleancën në një takim në Indiana:
“Mendoj se ky vendim, kjo shpërndarje burimesh, është e arsyeshme dhe synimi i tij është që të fitojmë ndaj Hillary Clintonit në nëntor dhe ta ndryshojmë drejtimin e vendit”.
Zoti Trump këmbënguli se ai mund të fitojë ndaj kandidates kryesore demokrate në zgjedhjet presidenciale:
“Unë do ta mund Hillary-në, Hillary-në mashtruese. Do të jetë një fitore dërrmuese. Dhe gënjeshtari Ted Cruz nuk mund ta mundë atë”.
Zonja Clinton, foli hapur në një referencë të qartë për zotin Trump. Ajo u tha përkrahësve të saj në Delaware se ai që do të bëhet President i Shteteve të Bashkuara duhet të njohë amerikanë nga të gjitha fushat e jetës.
“Nuk mundesh thjesht të vish me një avion të madh, të mbash një fjalim, t’i ofendosh të gjithë, dhe pastaj të marrësh prapë avionin e të kthehesh në klubin tënd në Florida, apo në shtëpinë luksoze në Nju Jork”.
Aktualisht, zonja Clinton ka një epërsi të ndjeshme ndaj rivalit Bernie Sanders në garën për delegatë për kuvendin demokratik. Por senatori nga Vermonti, po kryen një fushatë të suksesshme me mesazhin e tij kundër pabarazisë:
“Ne amerikanët, punojmë më shumë orë në vit, sesa gjithkush tjetër në botën e industrializuar e megjithatë, me gjithë atë punë, 58 për qind e të ardhurave i shkon 1 përqindshit më të pasur”.
Pas 7 qershorit, tabloja do të jetë më e qartë, kur të kenë mbaruar zgjedhjet paraprake në gjashtë shtetet e fundit, përfshirë Kaliforninë, shtetin me popullsinë më të madhe.

Clinton apo Trump, kë preferon Kremlini?

Dmitry Polikanov

Kandidati republikan Donald Trump dhe kundërshtarja e tij demokrate Hillary Cliton duket se kanë më shumë gjasa të jenë protagonistët e garës presidenciale amerikane të vitit 2016. Secili prej tyre ka vizion të ndryshëm për sa i përket marrëdhënieve amerikano-ruse dhe kjo e bën më të vështirë parashikimin e Krimlinit të mënyrës se si do të evoluojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vende gjatë viteve të ardhshme.
Tani për tani, duket se lidershipi rus ka më shumë simpati për Trumpin. Në fund të fundit, kandidati kryesor republikan ka premtuar se do të shkojë mirë me Rusinë dhe se do të nisë një debat serioz në Shtetet e Bashkuara lidhur me politikën e ardhme kundrejt Kremlinit. Atëherë, deri ku shtrihen shpresat e Moskës për përmirësimin e mundshëm të marrëdhënieve me Uashingtonit nën lidershipin e Trumpit dhe sa të justifikuara janë ato?
Skeptikët mund të argumentojnë se, mbështetja që presidenti rus Vladimir Putin ka treguar ndaj Trumpit është thjesht një mënyrë e zgjuar për Kremlinin që të hapë diskutimin e dobësive të theksuara të sistemit politik të Shteteve të Bashkuara dhe defektet e sistemit të votimit amerikan. Sipas këtij shpjegimi, vetë ekzistenca e Trumpit si kandidat mund të konsiderohet si dhuratë për Kremlinin që vërteton se “Amerika është duke degraduar” dhe së shpejti do të ngelet mbrapa.
Më tej, ekspertë të ndryshëm argumentojnë se presidenca e Trumpit do të sillte avantazhe për Rusinë për shkak se do ta dobësonte ndjeshëm pozicionin e Shteteve të Bashkuara në botë. Trump është shfaqur hezitues për të përdorur forcën dhe po bën thirrje për ndjekjen e një lloji të ri izolacionizmi. Dyshimet e shfaqura kohët e fundit nga ana e kandidatit republikan lidhur me vlefshmërinë e NATO-s ishin si muzikë për veshët e Rusisë.
Edhe nëse distancohemi nga spekullimet, Trump duket përsëri një kandidat joshës për elitën politike ruse. Përveç aftësisë së tij për të çrrënjosur stereotipet e vjetra të politikës amerikane, Trumpi është një pragmatist i lindur. Me pak fjalë, ai nuk është detyrimisht i kufizuar brenda “rregullave” të politikës së Shteteve të Bashkuara. Për sytë e Moskës, ai është një lider i vërtetë i karakterizuar nga mashkullorësi e shfrenuar, një tipar tepër i rëndësishëm për liderët rusë, të cilët besojnë në vlerën e marrëdhënieve ndërpersonale ndërmet krerëve të shteteve.
Kandidatja e Partisë Demokratikë është një tjetër rast tërësisht i ndryshëm. Pasi ka kaluar dekada të tëra në politikën amerikane, ajo, sipas mendimit të Kremlinit, është tepër e lidhur me stereotipet politike, veçanërisht atyre të formuar gjatë mandatit të saj si Sekretare e Shtetit. Natyrisht, ndryshe nga Donald Trump, Hillary e njeh më mirë Moskën dhe ka qëndrime më të forta dhe të rrënjosura mirë kundrejt marrëdhënieve dy-palëshe, gjë që e bën më të parashikueshme për Kremlinin.
Në të njëjtën kohë, Hallary ka fituar reputacionin e një politikaneje të vjetër dhe tepër kërkuese, një lloj “gruaje të hekurt” me të cilën është e vështirë të përballesh. Lidershipi rus ka një kujtesë të fortë dhe i mban mend shumë mirë fjalimet e debatueshme të Clintonit rreth presidentit Putin, thirrjet e saj për të frenuar “perandorinë” ruse dhe kundërshtinë e hapur që ka shfaqur gjithnjë për “sferat e influencës” së Rusisë, për të mos folur më pas për entuziazmin e saj për politikën ndërhyrëse në Libi, Siri dhe Ukrainë.
Si presidente e ardhshme e Shteteve të Bashkuara, Clinton ka shumë gjasa të shtyjë më tej përpjekjet për demokraci, respektimin e të drejtave të njeriut dhe ndryshimin e regjimit në afërsi të kufijve rusë, sipas Kremlinit. Këto dyshime duket se kanë gjeneruar pritshmëri negative për Moskën, ku shqetësimet e Amerikës rreth të drejtave të njeriut konsiderohen si një formë hipokrize e pastër që mbulon realpolitikën e stilit amerikan.
Dy gjëra shpesh keqkuptohen në Moskë. E para, është influenca e ekipit të presidentit. Të gjithë presidentët nuk janë të lirë për të bërë gjithçka që mendojnë, është ekipi i partisë dhe administratës ai që drejton në fakt politikën amerikane. Qoftë Trump apo Clinton, kur të vijë në pushtet do të ketë një punë të përditshme radikalisht të ndryshme nga deklarata dhe fjalimet e mbajtura gjatë fushatës.
Nuk është ende plotësisht e qartë nëse Trump është një izolacionist, apo thjesht po luan rolin e tillë për të fituar sa më shumë vota. Ai gjithsesi po përpiqet të bëhet sa më elastik të jetë e mundur. Duke patur parasysh këtë, mund të ndodhë që Trump të sulmojë publikisht Putinin në të ardhmen vetëm për të qenë përsëri në qendër të vëmendjes. Ekipi i tij i këshilltarëve të politikës së jashtme do të përbëhet nga neokonservatorë, vizioni i të cilëve rreth botës është tepër i ndryshëm nga ai që po përçohet në fjalmet e Trumpit gjatë ditëve të sotme.
Ekipi i Clintonit është fakt më i favorshëm për Rusisë. Ajo e ka rrethuar veten me veteranë të administratës Obama, me të njëjtët njerëz që kanë qenë arkitektët e politikës së ripërtëritjes së marrëdhënieve me Rusinë. Nga kjo perspektivë, ekipi i Clintonit ka më tepër eksperiencë se ai i Trumpit për të krijuar bazat e përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë.
Faktori që Moska e mbivlerëson më tepër se çduhet është roli i Rusisë në politkën amerikane. Për të dhënë të vërtetë, votuesit amerikanë nuk kanë asnjë interes për politikën e jashtme dhe Rusia nuk gjendet aspak në listën e prioriteteve të tyre, madje edhe kur flitet për marrëdhënie ndërkombëtare. Si Trump, ashtu edhe Clinton e kanë përmendur “çështjen ruse” gjatë fushatës së tyre, por është një çështje që qëndron tërësisht në periferi krahasuar me të probleme të tjera të shqyrtuara nga kandidatët.
Pavarësisht simpatisë së dukshme për presidencën e Trumpit, Rusia si gjithmonë po përpiqet të mos t’i vendosë të gjitha vezët brenda një shporte të vetme. Kremlini shpreson për fitoren e Trumpit, por po përgatitet për negociata të ashpra me Clintonin. Politikanët rusë e dinë mirë se politika amerikane mund të bëhet shpesh e parashikueshme.
Ajo që liderët rusë nuk do të donin kurrë është një tjetër aktivitet ndërhyrës nga ana e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare. Nëse kjo nuk ndodh, Kremlini duket se është i gatshëm të mbështesë cilindo kandidat që do të fitojë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e këtij viti.

Atletiko-Bajern, gjykon anglezi Klatenburg

Atletiko-Bajern në “Vicente Calderon” i është besuar arbitrit anglez Mark Klatenburg. Elektriçisti më i famshëm në ishull, i cili konsiderohet edhe bilbili më i mirë anglez që prej tërheqjes së Hauard Uebit, numëron disa precedentë gjykimi si me Bajernin, ashtu edhe me Atletikon. Hera e fundit që ka dhënë drejtësi në një ndeshje të spanjollëve ka qenë barazimi në “Vicente Calderon” 0-0 me PSV-në, në ndeshjen e kthimit të 1/ 8-ve këtë sezon. Përpara kësaj, ai i ka gjykuar “Los Colchoneros” në 5 raste të tjera: Kupa UEFA 2007-’08, përballë Lokomotivës së Moskës (3-3, në Rusi); Ligën e Europës 2010-’11, në vizitën me Arisin e Selanikut (1-0); Ligën e Europës 2011-’12, në transfertën me Hanoverin (1-2); Ligën e Kampioneve 2013-’14, humbja në shtëpi me Milanin (0-1); dhe Ligën e Kampioneve 2014-’15, në fitoren në Malmo (0-2).
Bajerni ka 3 precedentë me 41-vjeçarin: Liga e Kampioneve 2011-’12, në goleadën në shtëpi që i bëri Bazelit (7-0); Liga e Kampioneve 2012-’13, në triumfin në shtëpi 2-0 ndaj Juventusit dhe Ligën e Kampioneve 2014-’15, në triumfin 3-2 ndaj Barcelonës në gjysmë-finale. Por në vitin 2002, Klatenburg u denoncua në “FA” për një fyerje të mundshme të lojtarëve spanjollë të Çelsit gjatë një ndeshjeje Griezman Presion Bajernit me maskën e “Star Wars”-ave.
Ai është çelësi i suksesit së Atletiko Madridit dhe kërcënimi i rivalëve të “El çolo”-s. Është pikërisht ylli francez Antuan Griezman. Dy ditë para gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve kundër Bajernit, sulmuesi ka postuar një foto në profilin e tij në “Instagram”, duke mbajtur maskën e një “Stormtrooper-i” të filmave të famshëm “Star Wars”.
Më poshtë, ai ka lënë edhe një mesazh të huazuar nga filmi legjendar: “Forca qoftë me ne”. Kërcënimi është mjaft domethënës dhe frymëzues për “gladiatorët” e Diego Simeoneskundër Mançester Junajtid. Të prekurit ishin Mata, Azpilikueta dhe Torres, ky i fundit sot një lojtar i Atletikos. “El Ninjo” do të jetë përballë tij nesër, ndërkohë që akuza ndaj Klatenburgut nuk u provua asnjëherë.