Mesfushori me tipare sulmuese i Leicester City, Riyad Mahrez deri më tani ka arritur të shënojë 17 gola dhe ka dhënë 11 asiste në Premier League. Falë kësaj forme algjeriani po i ndihmon “Dhelprat” në rrugën drejt drejt titullit të parë kampion në histori. 26-vjeçari është votuar nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, si lojtari i vitit në Premier League. Mesfushori me tipare sulmuese arriti të mposhte në këtë garë shokët e tij të skuadrës Jimy Vardy dhe N’golo Kante. Gjithashtu dhe mesfushorin e Arsenalit, Mesut Ozil, Harry Kane të Tottenhamit dhe Dimitri Payet të West Ham.
Një ëndërr e bërë realitet kjo për Mahrez, i cili vetëm 2 sezone më parë luante në kategorinë e dytë në Francë dhe tashmë është kthyer në sulmuesin më të kërkuar nga shumë klube të mëdha europiane. Çmimi si lojtari i ri më i mirë, shkoi për Dele Alli, talent i skuadrës së Totenham, i datëlinjdes 1996. Në vitin e tij të parë mesfushori ka arritur të shënojë 10 gola dhe ka dhënë 10 asist. Jo keq për një futbollist, i cili deri sezonin e kaluar luante në ligën e dytë angleze me ekipin e Mk Dons. Përsa i përket formacionit të vitit mbizotërojnë futbollistë nga skuadra e Leicester dhe Totenham.
Mahrez, lojtari i vitit në Premier League
Futbolli është kthyer në biznes
Sot futbolli nuk është vetëm sporti më i dashur në Botë, por është edhe një biznes ku investohen shuma marramendëse parash, ku ata që përfitojnë më shumë janë normalisht protagonistët e fushës së blertë pikërisht futbollistët. Në kampionatet më të rëndësishme europiane, shuma të tillë si 2, 3 apo 4 milionë euro pagë vjetore janë mëse normale, madje ka edhe nga ata futbollistë që përfitojnë edhe 5 herë më shumë se kaq. Një lojtar që paguhet shumë mirë është edhe mesfushori spanjoll i Manchester United, Juan Mata, i cili në vitin 2014 u transferua nga Chelsea te Manchester United për më shumë se 45 milionë euro. Por ky futboll me kaq shumë para në mes nuk i pëlqen 27-vjeçarit, i cili në një intervistë theksoi se do të ishte i gatshëm të paguhej më pak, vetëm e vetëm që futbolli të ishte më pak biznes.
“Në krahasim me shoqëri të ndryshme apo kompani në fusha të tjera, unë përfitoj një thes me para, diçka irreale kjo në këtë kontekst, por normale me shumat që derdhen sot në futboll. Kur luan në nivelet më të larta, futbolli është një sport që të shpërblen shumë mirë. Megjithatë për mendimin tim futbolli është kthyer në një biznes dhe kjo gjë nuk më pëlqen, pasi kështu ky sport po e humbet disi bukurinë. Mua më pëlqen kjo lojë, më pëlqen të stërvitem, por edhe të rivalizoj. Jam i gatshëm të përfitoj më pak para që futbolli të jetë më pak biznes”, u shpreh Mata.
Juan Mata është duke luajtur sezonin e tij të tretë në radhët e Manchester United, klub me të cilin numëron 93 paraqitje dhe 24 gola të shënuar.
Koncesioni i Rinasit, qeveria nuk ka asnjë argument për kostot e përfitimet e zgjatjes së kontratës
Qeveria shqiptare dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë të premten (22 prill) propozimin për amendimin e kontratës koncesionare të Aeroportit të Rinasit, por relacioni shoqërues i propozimit nuk mbart vlerësim ekonomik për humbjet apo përfitimet e mundshme që pritet të sjellë ky ndryshim.
Propozimi i jep kompanisë koncesionare automatikisht dy vjet shtesë në kontratën fillestare 20-vjeçare, një ndryshim që mund të sjellë kosto shtesë për ekonominë shqiptare nga monopoli i fluturimeve ndërkombëtare, ndërkohë që përfitimet janë të pasigurta.
Qeveria shqiptare ka negociuar herë pas here që nga viti 2007 me kompaninë të cilës i dha monopolin e fluturimeve ndërkombëtare me një kontratë koncesionare të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2004, për ta hequr klauzolën e ekskuzivitetit dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të mundshëm të aeroporteve të reja në vend. Përgjatë të gjithë këtyre viteve, Aeroporti i Rinasit ka mbajtur çmime të larta të arritura përmes negociatave me Ministrinë e Transportit dhe ka realizuar fitime të mëdha deri në 30 për qind mbi të ardhurat e veta. Kompania, aksionerët e së cilës kanë ndryshuar disa herë përgjatë dhjetë viteve, ka kundërshtuar kërkesën e qeverisë për heqjen e klauzolës së ekskluzivitetit, duke kërkuar kompensim.
Pas shumë vitesh bisedimesh, Ministria e Transportit deklaroi më 1 prill se e kishte arritur marrëveshjen, në bazë të së cilës, Aeroporti i Rinasit heq dorë pjesërisht nga të drejtat e fluturimeve ekskluzive në këmbim të zgjatjes së kontratës. Sipas marrëveshjes, e cila duhet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë që të marrë fuqi ligjore, kompania Tirana International Airport fiton dy vjet shtesë në kontratën aktuale dhe lejon qeverinë shqiptare që të hapë për fluturime ndërkombëtare Aeroportin e Kukësit, ndërsa kontrata do të zgjatet më tej në rast se Shqipëria vendos të hapë një aeroport tjetër përveç Kukësit. Qeveria ka shprehur më herët dëshirën për të zhvilluar për transport civil ish-aeroportin ushtarak të Vlorës. Sipas amendimit të kontratës me TIA, koncesioni i Rinasit do të zgjatet me 0.5 vite për çdo vit operimi shtesë të një aeroporti të mundshëm në Vlorë. Kontrata aktuale ka filluar të zbatohet më 23 prill 2005 dhe skadon në prill 2025. Me propozimin aktual ajo shtohet automatikisht deri në vitin 2027.
Por ndërsa Ministria e Transporteve nuk ka bërë transparencë mbi mënyrën se si u arrit marrëveshja, Autoriteti i Konkurrencës publikoi një vendim ku në mënyrë eksplicite kërkohej që formula e propozuar për marrëveshje të mos pranohej.
Autoriteti i Konkurrencës në opinionin e vet sugjeronte që zgjatja e afatit të marrëveshjes nuk duhej të pranohej apriori nga Ministria e Transportit, por duhej të mbështetej në një logjikë të qartë kostosh dhe përfitimesh. Sipas leximit të amendimit të propozuar të kontratës nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, koncesionari merr dy vjet zgjatje kontrate pavarësisht nëse Aeroporti i Kukësit vihet në punë apo jo dhe pavarësisht se çfarë pjese tregu dhe çfarë dëmi mund t’i shkaktojë Rinasit Aeroporti i Kukësit.
Sipas këshillës së Autoritetit të Konkurrencës, kontrata e koncesionit mund të zgjatej vetëm e lidhur me pjesën e tregut që aeroportet e reja i marrin Rinasit, gjë që do të thotë se nëse Kukësi dështon së zhvilluari si aeroport alternativ, kontrata e koncesionit të Rinasit nuk ka arsye të zgjatet.
Aktualisht Rinasi realizon fitime prej 8 deri në 10 milionë euro në vit, fitime që janë të destinuara të rriten bashkë me rritjen e numrit të udhëtarëve, për shkak se kontrata aktuale e koncesionit lejon rishikimin e tarifave të shërbimeve në rritje, në situatat kur rriten kostot, por nuk lejon rishikimin e tarifave të shërbimeve në ulje, në kushtet kur, siç ndodhi, numri i udhëtarëve u rrit me shpejtësi, duke krijuar fitime monopolistike për kompaninë.
“Pa kosto për shtetin”
Ministria e Transportit deklaroi më 1 prill kur njoftoi arritjen e marrëveshjes se amendimi “nuk do të krijojë kosto shtesë për shtetin”, por fakti është që zgjatja e kontratës do të sjellë humbje për shtetin. Sipas kontratës aktuale, Aeroporti i Rinasit duhet t’i rikthehet nën pronësi shtetit shqiptar në vitin 2025 dhe rrjedhimisht, fitimet e kompanisë për vitet 2026 dhe 2027 do të duhej t’i kalonin buxhetit të shtetit dhe jo kompanisë koncesionare.
Aeroporti i Rinasit është rasti tipik i një kontrate koncesionare të negociuar nga një qeveri në dëm të interesave të vendit, gjë që është pranuar deri më sot nga të dyja palët politike që kanë qeverisur Shqipërinë. Ajo është një nga shumë kontratat koncesionare, të cilat kanë krijuar situata de jure apo de facto monopolesh, duopolesh apo oligopolesh, të cilat kanë rënduar në mënyrë të panevojshme kostot në ekonominë shqiptare, duke realizuar fitime të pamerituara për kompanitë koncesionare.
Ndërkohë, kontrata koncesionare e Aeroportit të Rinasit u ble nga aksionerët aktualë nga dy kompani të reja, China Everbright Ltd. dhe Friedmann Pacific. Një njoftim për shtyp i blerësit nuk bëri të ditur çmimin e transaksionit, por theksoi se marrëveshja për të “krijon një burim të qëndrueshëm të ardhurash dhe një normë të mirë kthimi mbi investimin”. Pronarët e rinj janë menaxherë fondesh investimi nga Kina dhe Hong Kongu.
Shoqata e Ndërtuesve: Ligji për Dhomat e Tregtisë rëndon bizneset
Shoqata e Ndërtuesve ka kundërshtuar ashpër projektligjin, i cili parashikon anëtarësim në Dhomat e Tregtisë të Bizneseve kundrejt pagesës së një kuote. Ndërtuesit e cilësojnë këtë taksë të fshehtë për biznesin për të cilën thonë se rëndon mbi bizneset e vogla. Kuota sipas Shoqatës së Ndërtuesve mund të variojë nga 0.05 në 0.07% e xhiros vjetore. Shoqata e Ndërtuesve e kundërshton projektligjin e Dhomave të Tregtisë ku parashikohet anëtarësim i detyruar për çdo biznes dhe i kërkon Parlamentit që të mos e miratojë këtë draft.
Sipas ndërtuesve kuota e anëtarësimit do të rëndojë së tepërmi bizneset e reja, pasi vlerësohet se kuota e anëtarësimit mund të variojë nga 0.05 në 0.07% e xhiros vjetore.
“Shoqata e Ndërtuesve mendon se ky projektligj do të ketë efekte negative kryesisht tek ato biznese, të cilat do të hapen të reja, pasi që në nisje do të duhen të paguajnë një kuotë, edhe pse nuk është bërë zyrtare se sa do të jetë kjo kuotë, ajo përflitet se do të variojë nga 0.05% deri në 0.07% e xhiros vjetore të biznesit” shprehen ata.
Sipas Shoqatës së Ndërtuesve është e pajustifikueshme pagesa e një kuote në një kohë që Dhomat e Tregtisë nuk ofrojnë asnjë shërbim. “Koncepti i funksionimit të dhomave në çdo vend tjetër të botës është që ato t’ju ofrojnë disa shërbime ekstra biznesit, por në këtë projektligj i ardhur nga qeveria nuk parashikohet që asnjë nga shërbimet publike t’i delegohet Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë”.
Ligji i Dhomave të Tregtisë është kundërshtuar nga pothuajse të gjitha shoqatat e huaja të bizneseve. Aktualisht, draftligji vijon diskutimin në komisione që prej 3 muajve.
Shqipëria me nivel të lartë rreziku për katastrofat natyrore
Indeksi global i rrezikut 2015, që zhvillohet nga Universiteti i Shtutgartit në bashkëpunim me agjencitë e specializura të Kombeve të Bashkuara e klasifikon Shqipërinë në hartën e rrezikut të lartë. Me një normë rreziku prej 10.03% Shqipëria rezulton si vendi i 37¬-të më i rrezikshëm në Botë. Raporti, me fjalën rrezik i referohet katastrofave natyrore.
Ky raport vlerëson 171 shtete në total, dhe çdo vit përpilohet mbi bazën e një fokusi të ndryshëm. Ndërkohë që për vitin e kaluar fokusi ishte: qyteti si faktor rreziku, këtë vit fokusi i raportit është siguria ushqimore dhe duket se Shqipëria nuk performon aspak mirë në këtë drejtim.
Pavarësisht kësaj, vendi ynë nuk ka pësuar asnjë ndryshim në renditje për sa i përket pozicionit, duke ruajtur vendin e 37¬-të, por me një progres fare të lartë në normën e indeksimit, nga 10.17% në 10.03%. Shteti i parë në renditje i referohet vendit me rrezikshmëri më të lartë, që është pikërisht Vanuatu, ndërkohë që vendi i fundit në renditje, Katari i referohet vendit më të sigurtë. Për sa i përket rajonit, vendi ynë paraqet rrezikshmërinë më të lartë sipas raportit, por duke pasur parasysh se Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova nuk listohen.
Qoka me tender e Tahirit, 319 milionë lekë për ofertën më të lartë dhe me një garues
Qëndra e Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit, institucion nën varësinë e Ministrisë së Brendshme ka tenderuar shërbimin “Blerje pjesë këmbimi për grup mjetesh në administrim të QSHAMT-së si dhe të njësive shpenzuese të Drejtorisë së Policisë se Shtetit”.
Janë dy elementë ato të cilët e bëjnë dyshuese tenderin në fjalë.
Bëhet fjalë për mungesën e konkurentëve në garë dhe shpalljen e fituesit me 99.9% të vlerës së fondit limit. Siç duket edhe në faktet e mëposhtme, në garë është paraqitur vetëm një ofertues. Ky i fundit është subjekti “Universal”. Ndërkohë, referuar publikimit të fundit nga Agjencia e Prokurimeve Publike, në njoftimin e shpalljes së fituesit nuk është vendosur fondi limit. Por sipas një kërkimi të citynews, rezulton se fondi limit i tenderi në fjalë është 31 645 054 lekë të reja pa TVSH. Ndërsa fituesi, konkurenti i vetëm në garë, është shpallur me vlerën 31 280 000 lekë të reja pa TVSH. Pra siç duket edhe nga shifrat zyrtare, tenderi është fituar me 99% të vlerës së fondit limit.
Faktet e renditura nga citynews lindin dyshime se kemi të bëjmë me favorizim të një ofertuesi në tenderin e Ministrisë së Brendshme, të drejtuar nga ministri Saimir Tahiri.
Këta kanë ardhur në fund
Frrok ÇUPI
Në fakt, nuk ka fund; ose unë jam nga ata që nuk e besoj fundin. Çfarë thonë disa se fundi i botës po vjen, e gjykoj krejtësisht si një punë marketiste.
…. Por këta kanë ardhur në fund. Ose të paktën e besojnë dhe sillen sikur kanë ardhur në fund, bash në pikën kur jeta mbi “planetin” tonë Shqipëri, të kishte rezervuar për ta fatin e atij që vjen në fund. Kur vjen në fund, nuk ke për të lënë asgjë për askënd, atëherë merr dhe rrënon gjithçka gjen. Aq më tepër, këta e gjejnë veten “me fat” pse para tyre kishte pasur disa njerëz “naivë” ose “budallenj”!, që i lanë gjërat shtruar për ata që vijnë. Të tjerë pas tyre nuk ka.
Kështu kanë menduar të fortët më të këqinj në historinë njerëzore, duke u nisur që nga Mitologjia e deri në dhunimin e njeriut të thjeshtë në kohët moderne. Të gjithë kanë gjetur mbi tokë atë që u ishte lënë dhuratë nga “budallenjtë”.
Këta që po sillen ose edhe mendojnë aktualisht kështu, janë anëtarët e qeverisjes së vendit. Po t’i dëgjoni kur mbajnë fjalime, (madje edhe në një fjalim të kryeministrit dje), këta flasin për “epoka” dhe për “gjenerata”. Këta thonë se punojnë “për gjeneratën tjetër”.., domethënë se në këtë realitet do të rrënojnë çdo gjë!, dhe se “gjenerata” nuk do të jetojë kësaj here; veç herën tjetër kur të rilindë. E tëra është psikoza e atij që jeton në realitet më vete, që jeton si i fundit.
Ja disa tregues:
1.
Këta bëjnë çfarë iu do qejfi.
As duan të dinë për ligj e as për qenie njerëzore; këta i shkelin për vdekje, sikur të mos ishin. Duan këta të shpikin sikur është sulmuar farmacia e ministrit, e shpikin dhe ua lënë në derë njerëzve. Këta merren me përrallën dhe humbin mendjen. Pastaj del se ishte asgjë… Duan këta të të mashtrojnë e të ta bëjnë fushë me lule,.. e bëjnë! As ke punë, as ke shëndetësi falas, madje as shërbim shëndetësor. Kush do t’i kapë prej mëngës së xhaketës e t’u thotë: “Eeej! Ku jeni?” … Duan të ta rrëmbejnë Parkun në mes të ditës? Po, ja ku jemi… Pas tyre nuk ka më njerëz. Duan këta të vjedhin gjithçka kanë nën pushtetin e tyre (dhe nën pushtetin e tyre kanë gjithçka)?!… Duan dhe po i vjedhin. Opozita, duke dhënë shifra, deklaroi dje se vjedhja e tyre llogaritet në afro 1 miliard euro. Do të sillen faturat, edhe faktet, edhe provat? Mirë, po pastaj!? “Ku është problemi?. Hë, ku është problemi?!”, thotë kryeministri. Këta nuk pyesin. Këta janë të fundit, nuk ka më të tjerë që të gjykojnë kush e kreu krimin. Kryetari i qeverisë doli në ekrane dhe numëroi suksese pa fund. Të gjithë njerëzit e provojnë në jetën e tyre se gjithçka thotë “për të mirën” në fakt është tragjike, e rrejshme. Po pastaj?! Kush e provon këtë! Këta kanë ardhur të fundit, dhe askush nuk ekziston që të dëshmojë.
2.
Këta erdhën në kohën kur po prishej bota.
Më e fundit nga deklaratat e hapëta rreth idesë së “botës së prishur”, ishte deklarata e kryeministrit në Amerikë mbi zgjedhjet në Superfuqi. Ky guxoi t’u sulet votuesve amerikanë e t’u thotë “mos votoni për Trump!”, se ndryshe “u zemërova unë atje në Shqipëri!”. Zemërata e “të fundit të botës” tashme tingëllon si shëmtim nga zemërata e Mostrës që nuk i dihet çfarë bën. Mirëpo në papërmbajtjen e vet, kryeministri, “i fundmi i Shqipërisë”, kishte në kokë idenë se bota u prish dhe se këta këtu mund të mbretërojnë përjetësisht si të fundit.
Borive se “bota u prish”, qeveria e tanishme iu ka rënë prej kohësh, duke u kënaqur se, “Europa është në shpërbërje!”, se “Europa ka nevojë për ne…!” Antiperëndimizmi i këtyre nuk vjen veç nga origjina ideologjike staliniste. Këta nuk kanë ideologji, këta kanë interesa që të mos ketë të tjerë. Marrëzia ka të tilla aftësi, saqë edhe një qeverie kaq të keqe në Tiranë, i shkon mendja se mund të jetë e fundit në qytetërimin perëndimor, ku të vjelë çfarë lanë “ata budallenjtë”. Ose jo veç që të rrëmbejnë, por shikojnë ëndërr sikur “Perëndimi nuk ekziston më” dhe këta janë të lirë të bëjnë gjithçka! Sa për njerëzit këtu, këta e kanë mbledhur mendjen se nuk ekziston askush. Këta janë të fundit…
Gjendjen e vështirë ku po kalon sot bota e qytetëruar (kriza e migrantëve, kriza në Siri, përballja me terrorizmin në zemër të Europës) këta e lexojnë sikur ka ardhur dita që të shijojnë fatin e “të fundit”. Këta i gëzohen rënies së ekonomisë dhe sigurisë globale dhe rajonale.
2.
Këta ndjehen si të fundit.
Por zemërata e brendshme pse fati ua la këtë shans për tani dhe nuk ua kishte dhuruar që ditën kur lindën!, i bën të tërbojnë. I kanë hyrë fushës së jetës së njeriut dhe të vendit me një tërbim të pashembullt. Po krijojnë kultin e të Keqes. Po e ngrejnë kultin e të Keqes si një shenjë zemërate për njerëzit që kanë jetuar në këtë vend dhe përbënin një komb. Po i lënë gjurmët e të keqes dhe të shëmtimit, me qëllim që të kënaqen më në fund!; ose me qëllim që edhe po të vijë ndonjë këmbë njeriu në tokën e tyre, ata që mund të vijnë ta ndjejnë veten mes shëmtisë.
E shikoni çfarë po ndodh?
Në mes të Tiranës po ngrihet një pallat përbindësh, ku thuhet se në këmbë të tij do të ketë edhe një stadium. (E shikoni: Një përbindësh që çdo javë fut ndër këmbë mijëra njerëz që mendojnë se merren me sport, por në fakt janë të poshtëruar). Askund në botë nuk ka ndodhur deri më sot. Mos gjyko veç krimin e vjedhjes me anë të atij pallati. Por gjyko se si dinastia e këtyre do të ngulitet për shekuj si damkë. Ose dinastia e tyre do ta zemërojë aq keq njeriun sa ta ngrejë më këmbë e të rrëzojë simbolin e shëmtimit. Gjithë bota do të flasë pastaj për ne si racë me damka shëmtimi.
A nuk i dëgjuat politikanët në Francës dhe Britaninë e Madhe, kur thanë: “Ruhuni, mos u bëni si shqiptarët!”. Sepse këta të këtushmit ngritën kultin e shëmtisë politike në sy të Europës.
Nuk e shikoni qytetin e Tiranës si u bë i pabanueshëm. Sa shëmtim! Nuk e shikoni Korçën me një ironi boshe si kullën e Babelit. Në “Babel” zoti i trembej ngjitjes së njeriut, ndërsa këta tallen me njeriun.
Edhe udhëheqësit më të këqinj e më të shëmtuar të botës, e lanë emrin, por e lanë si shëmtim. Pol Poti, Mao Ce Duni, Hitleri, Gedafi…. Sa e sa të tjerë do të përmenden, por si shëmtim i fundit.
… Këta janë të fundit. Shansi ua ka rezervuar këtë fat dhe po mbledhin gjithçka. Por intuita po iu punon për një neveri të mundshme ndaj tyre. Prandaj po ngrejnë Kultin e Shëmtisë dhe po e lënë mes nesh. Njësoj si në epokën antike, siç ka dëshirë qeveria të thotë kur thotë fjalën “epokë”. Herostrati, një zjarrvënës i Athinës i vuri flakën Tempullit të Artemisës- një nga mrekullitë e botës. Aktin e tmerrshëm e kreu me qëllim që t’i mbetet emri i keq në atë moment kur e gjykonte se ishte i fundit.
Edhe këta kanë ardhur në fund.
Rreziku që i kanoset Tiranës
Artan FUGA
Unë jam shumë dyshues tek konceptet me të cilat operon dhe komunikon arkitekti Boeri që ka ardhur në Tiranë, që prezantohet si personi që konceptualizon urbanizimin e ardhshëm të Tiranës; dhe më shqetësojnë idetë që ai shpreh nga tarraca e Bashkisë.
Por, paraprakisht desha të them që, unë shikoj që kjo ide e tij për shkatërrim dhe ribërje ndërtesash, më duket se mbyll një fazë të urbanizimit të Tiranës në këto 25 vite, të cilat unë personalisht i kam quajtur të dështuara, qytet që ka rënë, që do binte dhe në gjykimin tim, unë jam gati në një rast tjetër ta argumentoj, hipotezën time se konfiguracioni urban i Tiranës, i zgjeruar me metastaza, ku mblidhet 1/3 e popullsisë shqiptare, dhe kjo quhet si një grandomani e theksuar, për mua, ky konfiguracion urban, është shkaku i krizës ekonomike, sociale, dhe modelore të gjithë shoqërisë shqiptare.
Forma urbane e Tiranës ka hedhur në kaos gjithë Shqipërinë.
Ne na ka zhytur, ne jemi mbledhur në Tiranë, dhe Tirana na ka zhytur, na ka zënë brenda.
Kur dëgjoj që ky personazh, arkitekti që jep intervista nga tarraca e Bashkisë, flet për idenë e shkatërrimit, mua më duket sikur ky është zëri i asaj që pranon që ne e arritëm limitin e fundit të një modeli të gabuar urban.
Dhe po të ishte se do të kishte një autokritikë dhe duhet të shkatërronim për të ndërtuar një model tjetër, unë do të isha shumë dakort. Se kur bëhet një e keqe, më e mira e kësaj të keqeje, është që të jetë reversibël, pra të kthehet, të ketë mundësi të kurohet.
Dhe këtu vijmë tashti që na prezantohet një model i dytë, ku përmes shkatërrimit, i cili ka kosto të jashtëzakonshme për të cilat nuk mban asnjëri përgjegjësi, na përplasen delire që të trembin.
Dhe në fillim duhet thënë: “Ç’është kjo energji dhe kapital financiar i shqiptarëve që në 25 vjet u derdh në mënyrë të gabuar, dhe tashti me një fjalë goje të një teknicieni që higjenizon qytetin me metodat e Mesjetës, të rindërtohet ai edhe një herë!!!
Ne kemi ardhur këtu edhe njëherë te Rozafa, por nuk jemi një popull që ndërtojmë, prishim, shkatërrojmë, vërtet e kemi legjendën e Rozafës, por ne duam t’i ikim atij kompleksi. Është legjenda e Rozafës që na vjen nga një “plak” simbolik që në këtë rast është arkitekti italian, i cili na kërkon që të murosim gruan e vëllait të vogël të shtëpisë.
Dhe ky model i dytë urban që na propozohet pa u analizuar mirë dështimi i të parit, mbështetet në disa koncepte që janë shprehur, mua, me thënë të drejtën, të më falin kolegët që janë specialistë, më lemerisin.
E para: Koncepti i parë i këtij Boerit na çudit, duke na thënë që një qytet me dendësi sa më të madhe të popullsisë, është një qytet me më pak kosto.
Po, sigurisht. Mbase për ndërtuesit, por jo për ne banorët. Unë e kuptoj që mund të ndërtosh një pallat të madh, harxhon më pak kohë, harxhon më pak kapital për rentën e tokës dhe për instalime etj., dhe mund të futësh atje, mund të vendosësh atje shumë më tepër familje për banim. Po ky konceptim është krejtësisht jo-financiar, jo me rendiment, një instrument krejt idiot i përllogaritjes së kostos urbane. Sepse kostua nuk përllogaritet thjesht në këtë mënyrë, nuk është thjesht kosto e ndërtuesit, por për mendimin tim dhe kjo është e vërtetuar tashmë në Shqipëri, duke futur një densitet shumë të madh të popullsisë në Tiranë, ne kemi larguar kombin shqiptar nga burimet.
Kush e paguan këtë kosto? Koston e braktisjes të pasurive tona natyrore, nga lumenjtë, nga fushat, nga malet, nga livadhet, nga të gjitha, nga deti, dhe jemi mbledhur të gjithë këtu.
S’ka ekonomist sot që nuk pranon që një densitet i lartë i popullsisë në një territor të njëjtë, rrit çmimet. Kosto e jetës, e mallrave, e shërbimeve, është jashtëzakonisht e kushtueshme. Oferta e madhe rrit çmimet e mallrave dhe shërbimeve.
Së treti, janë kostot jo-financiare që duhen marrë në shqyrtim, që janë kostot mbi shëndetin, mbi psikologjinë e njerëzve, mbi jetën sociale, mbi familjen, e tërë me radhë. Dhe më shumë, në sociologjinë e sotme dhe ekonominë e sotme bashkëkohore, flitet për një qytet, i cili densifikohet në këtë mënyrë, krijon papunësi dhe koston e papunësisë rëndon pastaj mbi pagat, dhe mbi të gjitha elementët financiarë që japin mirëqenie në një shoqëri.
Unë i qëndroj kësaj që koncepti i parë i Stefano Boerit është absolutisht i gabuar, dhe vendimmarrësit duhet të kenë kujdes që të mos i marrin të gjitha paret që shndërrisin sikur janë pare të vërteta meqë shkëlqejnë.
Dhe ajo që më shqetëson tjetër është një lloj amatorizmi propagandistik i këtij arkitekti që unë nuk e njoh, por nuk pranoj të më flasë e të jetë mesazheri dhe zëri i pushtetit që kam zgjedhur unë, apo s’e kam zgjedhur dhe e kanë zgjedhur të tjerët, është një çështje tjetër.
Ai na thotë që kështu kemi vepruar në Berlin, në Milano, në Londër. Unë po them që të krahasosh Tiranën me Londrën, do të thotë të mos kesh asnjë ide mbi tipoligjizimin e realiteteve sociologjike dhe urbane dhe të krahasosh Londrën, një qytet kozmopolitan, financiar, një qytet i cili rrezaton nga pikëpamja e një aktiviteti që e ka ai, por që nuk mund ta ketë kurrë Tirana, një qytet rajonal, gjysëm-oriental, i një shoqërie relativisht të varfër, që kërkon përzgjedhje tjetër; mua kjo më krijon atë kaosin konceptual në të cilin unë shikoj të zhytur publikun nga arkitekti Boeri.
Dhe e fundit, koncepti i fundit që mua më ka frikësuar dhe më ka revoltuar, dhe i bëj thirrje intelektualëve shqiptarë dhe teknicienëve shqiptarë, të shohin mirë anën konceptuale dhe të ballafaqohen në mënyrë alternative, dhe vetes time për të evidentuar ato strategji konceptuale që janë të drejta: ai flet për “zhvendosje të të drejtave volumetrike”.
Unë e kuptoj si koncept, e kuptoj dhe që i përdorur në një kontekst tjetër, sigurisht mund jetë një mekanizëm zhvillues urban. Por kur italiani më thotë që disa hapësira që s’mund të ndërtohen brenda Tiranës, të zhvendosen si të drejta për t’u ndërtuar jashtë Tiranës, që Tirana të shkojë drejt Durrësit, kjo për mua do të thotë që, hapësirat që s’mund të ndërtohen në Tiranë, që mund të jenë kopshtie, mund të jenë distanca që duhen respektuar etj., etj., t’i transformojmë për pronarët në të drejtë të tyre për të betonizuar terrenin bujqësor dhe të gjithë tokën bujqësore nga Tirana në Durrës, do të thotë që do të ndodhi ajo që urbanistët (ju e dini më mirë se unë) e quajnë një dinamikë kancerogjene e qytetit, që metastazat e veta të qelizave të sëmura në qendër i shpërndan gjithandej, dhe ky është rreziku që ne të vijmë në një model të dytë, i cili është një përpjekje për të zgjidhur krizën dhe rënien e modelit të parë që është Tirana, me një model të dytë që është një krizë dhe më e madhe dhe që pas 20-30-40 vjetësh ata që do të vijnë do të detyrohen ta shkatërrojnë, ose do t’i zërë dhe ata brenda.
Arkitekt Stefano Boeri duhet të ndalet që të zhvillojë në praktikë këto ide të dëmshme për Tiranën.
“Puka e Migjenit dhe Puka migjeniane”
Sokol GJONI
I rikthyer pas 80 vitesh si formësim i një identiteti kulturologjik, që lidhet më së shumti me skalitjen e disa personazheve të tij tipologjik dhe mishërues të kohës dhe mjedisit, monumentalizimi i poetit “të mjerimit” Millosh Gjergj Nikolla përmes skulpturës së vendosur në qendër të qytetit të Pukës, përtej vlerësimit dhe mirënjohjes qytetare për ideuesit, inicuesit dhe kontribuesit, mbart brenda vetes një ngarkesë polivalente multikontekstualizuese. I diagnostikuar me tuberkuloz, Migjeni, asokohe mësues në Vrakë dhe më vonë në shkollën “28 Nëntori” të Shkodrës, do të kërkonte pranë autoriteteve arsimore të kohës ta transferonin në Pukë me besimin se ai vis malor do të ishte kurativ, por, asnjëherë nuk e kishte menduar se në sofrën e madhe të bujarisë dhe të mikëpritjes së banorëve të këtyre anëve, mjerimi ishte kafshata që s’kapërdihej dhe që kishte damkosur me vulën e tij të shëmtueme jetën e banorëve deri në skajet e të paimagjinueshmes. Qëndrimi në Pukë, si kryemësues për afro dy vite, e ballafaqoi mësuesin-poet me një realitet dramatik në të cilin qe kredhur popullsia e kësaj treve. Nën ndikimin e fortë të mjedisit malësor erdhën nga penda e tij krijime dhe skicime që pasqyronin mjerimin dhe dramacitetin ekzistencial të këtyre zonave, si dhe nxori nga galeria e personazheve të tij bartësit e një realiteti të trishtë, duke i portretizuar të gjallë dhe realë, si personifikim substancial i çdo banori. Sot, pas 80 vitesh, busti i poetit të madh dhe përkëdhelja që i jep Lulit të vocërr, erdhën në Pukë me pompozitetin e kolltukofagëve (shprehim mirënjohjen për ideatorët dhe kontributorët) që kapardiseshin me fjalime delirante, por mesazhi që perceptohet, deskriptivisht është i trishtueshëm dhe rezonon për Pukën dhe pukjanët të njëjtin kontekst zhvillimor, social dhe ekonomik të periudhës migjeniane. Sfondi është gri. Puka qenka e dënuar të ketë një simbiozë me mjerimin. Perspektiva zhvillimore e saj, rritja dhe mirëqenia ekonomike, cilësia e jetës është një “baladë qytetase” që shoqëron gjithnjë shpresat dhe ëndërrat tona të intonuara me “meloditë e këputuna” të premtimeve dhe mashtrimeve të drejtuesve aktualë. Dhjetëra vende pune të shkurtuara, asnjë investim real, përveçse pallavra kodoshësh që mbushin me recitale ekranin televiziv lokal me premtime herë-herë haluçinante, mungesë vizioni për politika të qëndrueshme dhe iniciativa strategjike, klientelizëm në shumë shërbime publike, militantizëm dhe nepotizëm masiv në administratë, arrogancë dhe prepotencë komunikative me qytetarët, tallje dhe cinizëm me interesat komunitare, do të përbënte refrenin e qytetit tim, tashmë, jo i dyzuar mes tragjedisë dhe komedisë. Këngët e rilindjes (ringjalljes) që u kënduan monetarisht më 21 qershor 2015, sot, janë këngë që s’kuptohen, të mbushura me frymëzime që nuk frymëzojnë askënd. Varfëria rritet dita-ditës, biznesi tkurret, politikat fiskale dhe tatimore përmes rritjes po shtrëngojnë deri në falimentim sipërmarrjen e lirë, vendet e punës shkurtohen, qytetarët grabiten me fatura aforfe, arbitrariteti i institucioneve ka kapur përmasat e uzurpimit, korrupsioni dhe ryshfeti janë të dukshëm në çdo qelizë të administrimit institucional, jeta e qytetarëve kërcënohet nga oligarkia sunduese. Kjo është “kënga e dhimbjes krenare” që “drejtimi i duhur” u mësoi qytetarëve, duke e kompozuar me nota reformash e shpikjesh të pashoqe në favor të klientelës ekonomiko-kriminale. Migjeni u rikthye në Pukë. Sot, ai vëren tek kalimtarët në trotuarin para tij, se nuk ka veç fytyra të zbehta dhe sy të jeshilta, por shpresa dhe ëndrra të vrara me mendje të mpihta. Klithma simbiotike e Pukës me mjerimin është zëri që duhet të bëzajë, për t’i dhënë qytetarisht dhe përgjegjshmërisht një grusht të fuqishëm, çporrës, kësaj filozofie, me drejtues …pa krena!
Bojkot Parlamentit për vendimin e Byrosë
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dënuar me ashpërsi dje përjashtimin e ish-Kryeministrit Berisha nga punimet e Parlamentit për një afat 10 ditor. Pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat, në një prononcim për mediat, Basha tha se dënimi i Berishës erdhi si shenjë hakmarrjeje e Ramës në mbështetje të Shullazit. Ndaj këtij vendimi absurd të Kuvendit, Basha tha se PD ka vendosur bojkot të plotë dhe të gjithanshëm të gjithë aktivitetit parlamentar gjatë kësaj jave.
“Në shenjë proteste ndaj një vendimi të padrejtë, të pambështetur dhe të paargumentuar në ligj dhe në rregullore, Grupi parlamentar vendosi bojkot të plotë dhe të gjithanshëm të gjithë aktivitetit parlamentar gjatë kësaj jave. Një vendim që u mor si hakmarrje e Edi Ramës për denoncimin e aferës së Shullazit, megaskandalit të shtetit ‘Rama-Shullazi’ me shpresën se përmes një vendimi të tillë do të sfumojë dhe debatin publik, i cili po rritet nga dita në ditë, po zmadhohet, po forcohet mbi shtetin e Edi Ramës që rezulton të jetë shteti i Emiljano Shullazit. Shteti i banditit dhe banditëve, ku çdo zyrë duke filluar nga zyra kryeministrore, zyra e ministrit të Brendshëm dhe zyra të tjera të shtetit, hipotekat, doganat, policia janë në dispozicion të banditëve. Të banditëve që sot terrorizojnë jo vetëm biznesin, qytetarët, por kanë guximin të diktojnë vendimet politike për të marrë pasuritë e shqiptarëve, për të grabitur pasuritë e shqiptarëve e për të mos u përgjigjur para ligjit dhe për t’i shpëtuar ligjit dhe ndjekjes penale”, tha Basha.
Basha bëri të ditur se nga njëra anë PD do të vazhdojë të inkurajojë “hetimin e kësaj çështjeje, prokurorët me integritet, të cilët përkundër gjithë shanseve në këto dy vite e gjysmë për një hetim të pavarur të krimit të organizuar me lidhje qeveritare kanë shënuar një pikë kthese me arrestimin e Emiljano Shullazit dhe disa prej anëtarëve të bandës së tij”.
Por nga ana tjetër, vijoi Basha, po ndjekim dhe do të ndjekim me vëmendje të madhe bashkë me qytetarët tanë, bashkë me partnerët ndërkombëtarë çdo hap që qeveria e Edi Ramës dhe Edi Rama personalisht po hedhin për t’i dhënë gajret bandës.
“Siç është dënimi i Sali Berishës pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë argument apo qëndrimi i pafalshëm i Edi Ramës të premten ku në një logore të gjatë e të zvarritur, me zë të dridhur u mundua të bëj avokatinë e Emiljano Shullazit dhe bandës së tij.
Është pozicionuar qartë kjo qeveri, ka vendosur të jetë deri në fund avokate e Emiljano Shullazit. Frytet e para të kësaj avokatie janë kërcënimi i disa prej dëshmitarëve me shpresën se ata do të tërhiqen nga një proces, i cili i përfunduar me sukses do të shohë para drejtësisë jo vetëm Emiljanon, por edhe emiljanot e tjerë në qeveri”, tha kryetari i PD.
Ai theksoi se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka në rrugë institucionale e politike dhe në bashkëpunim me qytetarët shqiptarë dhe me faktorin ndërkombëtar që kjo të mos ndodhë dhe e kundërta të ndodhë.
“Që kjo pikë kthese të shndërrohet në aktin e parë të Reformës në Drejtësi, të hedhë poshtë çdo logore, çdo përbaltje dhe të nxjerrë përpara shqiptarëve hapur se përse për dy vite e gjysmë Edi Rama e vonoi Reformën në Drejtësi. Pikërisht që të mos ndodhte kjo që ka ndodhur dhe se si ai po përpiqet me të gjitha forcat dhe mënyrat, jo vetëm të devijojë diskursin publik nga ky skandal që ka nxjerrë zbuluar shtetin e Edi Ramës, shtetin e Shullazit, shtetin e krimit dhe korrupsionit, por po kështu të shpëtojë bandat dhe banditët me të njëjtat mënyra dhe forma siç ka vepruar për të shpëtuar zyrtarët e tij të korruptuar.
Siç ka vepruar për të shpëtuar po këta në rastet e konfrontimit me armë në qendër të Tiranës apo anembanë Shqipërisë. Siç ka bërë dhe siç bën për të mbrojtur rrethin e tij të ngushtë të oligarkëve dhe kriminelëve me të cilët keqqeveris Shqipërinë prej tre vitesh tashmë dhe tek të cilët ka vënë bastin për të mbajtur me çdo kusht pushtetin e tij të inkriminuar dhe të korruptuar.
Bast, i cili është vënë përballë gjithë shqiptarëve të ndershëm demokratë dhe socialistë, jo vetëm para opozitës, është vënë edhe para Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është Edi Rama. Emiljano Shullazi është faqja tjetër e medaljes së qeverisjes së Edi Ramës. Opozita e ka thënë këtë, e ka argumentuar, ka luftuar dhe sot është më e vendosur se kurrë ta çojë këtë betejë deri në fund, deri në fitore se fund tjetër nuk mund të ketë për vendin, bashkë me qytetarët shqiptarë, bashkë me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Basha.
A.Shahini