Vazhdojnë bisedimet mes presidentit të Interit, Eric Thohir dhe drejtuesve të Sunnig Comerce Group, për shitjen e 20% të aksioneve të klubit zikaltër. Pas vizitës që delagacioni kinez bëri të shtunën në Milano, ndërsa këta të fundit ishin të pranishëm edhe në “Appiano Gentile”, por edhe në “San Siro” për të ndjekur ndeshjen Inter-Udinese, gjithçka lë të kuptohet se bisedimet mes palëve janë në një fazë të avancuar. Shefi ekzekutiv i Interit, Bolingbroke, po punon për të arritur akordin me Sunnig Comerce Group. Me afrimin në klub edhe pse me një kuotë minorance të investitorëve kinezë, Interi mund të hedhë pas shpatullave shumë nga problemet financiare.
Flitet se Sunnig Comerce Group do të derdhë në arkat e Erick Thohir shumën e 60 milionë eurove për të blerë 20% të aksioneve të Interit dhe pasi do të hyje në klub me një kuotë minorance me kalimin e viteve do të tentojë të marrë mazhorancën e klubit zikaltër, ashtu siç është përmendur shpesh në media gjatë ditëve të fundit. Gjithsesi për të hedhur poshtë këto zëra ka menduar vetë presidenti Eric Thohir, i cili në një intervistë theksoi se nuk ka ndërmend të shesë të gjithë paketën e aksioneve që zotëron në klubin zikaltër dhe nuk po mendon të blejë një klub anglez.
Thohir: Nuk e shes shumicën e aksioneve
Interi gjen fitoren ndaj Udinezes
Për herë të fundit Interi kishte “shijuar” në shtëpi një fitore kundër Udinezes pesë vite e gjysmë më parë. Edhe dje zikaltërit e nisën keq ndeshjen, duke kaluar edhe në disavantazh të një supergoli, por falë Jovetiç dhe Eder gjithçka shkoi siç duhet. Suksesi përballë Udinezes u lejoi zikaltërve që të “blindojnë” vendin e katërt (Fiore është pesë pikë larg) dhe të shikojnë vendin e katërt (Roma ka 4 pikë më shumë).
Ishin 6 brazilianë, 4 francezë (njëri me pasaportën maliane), 2 kolumbianë, një slloven, një japonez, një kroat, një malazez, një argjentinas, një grek, një zviceran, një portugez, një serb dhe një ganez.
Nuk është një barsoletë, por është një rekord. Ishte thjesht Inter-Udineze ku në fushë, për herë të parë në historinë e kampionatit italian, zbritën dy formacione pa asnjë italian në formacionin titullar. Në pesë kampionatet e mëdhenj të kontinentit, vetëm në Angli ka ndodhur që dy formacione të mos rreshtonin nga fillimi asnjë anglez. Flasim për takimin mes Portsmuthit dhe Arsenalit të 2009-ës.
Nëntë minutat e para të lojës ishin të shëmtuara për Interin që i lejoi Udinezes të bënte gjithçka në “Meazza”. Për pak çaste të pranishmit menduan se do të asistonin në një tjetër mbrëmje ku qielli do të ishte më shumë i zi sesa i kaltër. Badu harkoi topin nga thellësia dhe Tero me një prekje magjike nuk u mendua dy herë për të shënuar golin e vitit me topin që nuk preku tokën që prej krosit të afrikanit.
Vendasit nisën që të luanin vetëm pas minutës të 16-të. Jovetiç asistoi mirë Kondogbian që me të majtën provoi reflekset e Karnezisit. Edhe pas këtij episodi, Interi vazhdoi të ishte i ndrojtur dhe të sulmonte keq Udinezen që me kalimin e kohës filloi t’i besonte fitores. Në të 35-ën vërshëllimat e publikut vendas (përveç ultrasve të “Curva Nord”-it) zgjuan malazezin, i cili në ato çaste çoi dëm një aksion të mirë.
Për të normalizuar Interin, u desh një event special. Ikardi bëri Jovetiçin, ndërsa malazezi interpretoi argjentinasin. Pak minuta përpara se të mbaronte pjesa e parë, Ikardi në të djathtë futi topin në qendër. Sfera kaloi tërë pasqyrën e portës të ekipit friulan derisa gjeti këmbën e Jovetiçit që e depozitoi në rrjetë.
Malazezi ishte në formë dhe këtë e tregoi edhe në pjesën e dytë kur shënoi një gol të bukur me gjoks falë harkimit të Biabianisë. Në fund, Manço aktivizoi edhe Ederin, i cili në një zbritje perfekte u zhbllokua nga ngërçi psikologjik që e kishte zënë, duke shënuar golin e parë me fanellën zikaltër. Ky gol “vulosi” fatet e një takimi që ishte shumë i rëndësishëm për vendasit, të cilët nuk mundnin Udinezen në “Meazza” që prej shtatorit të 2010-ës.
Al-Khelaifi: Blanc qëndron te PSG
Suksesi 2-1 ndaj Lille në finalen e Kupës së Ligës, solli në shtëpinë e Paris Saint Germain, trofeun e dytë gjatë këtij sezoni teksa deri në fund ekipi nga Parc Des Princes, ka për të luajtur edhe finalen e Kupës së Francës ndaj Olympique Marseille. Por ai triumf i treti radhazi në këtë kompeticion më shumë sesa për futbollistët e skuadrës pariziene ishte i rëndësishëm për trajnerin Laurent Blanc, i cili pas këtij suksesi me shumë gjasa do të qëndrojë në stolin e kampionëve të Francës edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Ishte vetë presidenti i klubit parizien, Naser Al Khelaiffi, i cili në një intervistë për mediat në përfundim të ndeshjes ndaj Lille bëri të ditur se, trajneri Blanc nuk do të largohet nga kryqyteti francez.
Sëfundmi ishte folur shumë në media për një lamtumirë të mundshme të tenikut francez me Jose Mourinhon, që shihej si zëvendësi i mundshëm i Blanc në stolin e Paris Saint Germain, por sipas Al Khelaiffit, diçka të tillë nuk do të ndodhë, pasi ai dhe drejtuesit e tjerë të klubit janë shumë të kënaqur me punën e Blanc gjatë këtyre viteve. Numri 1 i Parisit shtoi se, Blanc e ka rinovuar edhe për dy vite të tjera kontratën e tij me klubin dhe normalisht, që ai do të qëndrojë te kampionët e Francës.
United, super buxhet për Mourinjon
Sëfundmi kanë qarkulluar zëra se transferimi i Jose Mourinhos në krye të stolit të Manchester United nuk do të realizohet, pasi teknikut aktual Louis Van Gal do t’i ofrohet rinovimi, por këto lajme nuk janë të vërteta, sepse në Angli të gjithë janë të sigurtë se, brenda dy javëve të ardhshme portugezi do të firmosë një kontratë me “Djajtë e kuq”, e cila do të zyrtarizohet në fund të sezonit. Drejtuesit e Manchester United kanë besim tek “Special One” dhe duket se janë të gatshëm t’i plotësojnë çdo dëshirë përsa i përket merkatos, në mënyrë që skuadra të rikthehet tek fitoret dhe të rivalizojë me kundërshtarë të tillë si Manchester City i Guardiolës, Chelsea, Arsenali dhe Liverpooli.
300 milionë paund, është buxheti që do t’i vihet në dispozicion Mourinhos, për të transferuar në “Old Trafold”, lojtarët që ai dëshiron të këtë në dispozicion. Në listën e trajnerit është sulmuesi i Paris Saint Germain, Zlatan Ibrahimoviç. Portugezi pëlqen gjithashtu dhe mesfushorin e Juventusit, Paul Pogba, sulmuesin e Barcelonës, Neymar, atë të Bayern Munich, Thomas Muller, qëndërmbrojtësin Raphael Varane si dhe bomberin uruguian, Edinson Cavani.
Juve nuk di të ndalet
Gardiani i portës së Juventusit, Gianluiggi Buffon, i cili ishte dhe protagonist në fitoren kundër Fiorëntinës, duke pritur një 11-metërsh në minutat e fundit të takimit, është shprehur se fitorja vertetoi se forca e kamionëve është ajo e një grupi të konsoliduar. “11-metareshi më kujton një episod nga sezoni i kaluar kundër Genoas, ku prita një penallti, fituam takimin dhe ishim me një dorë tek titulli kampion. Jam shumë i lumtur që skuadra arriti të fitonte. Treguam se jemi një ekip i fortë dhe se nuk dorezohemi kurrë”, u shpreh Bufon.
Bardhezinjtë janë afër titullit të 5 kampion radhazi dhe për Buffon, ky i këtij viti mund të konsiderohet si një nga triumfet më të veçanta, duke patur parasysh startin e dobët në fillim të kampionatit. “Mund të them, se ky është një nga titujt kampion më të bukur, pasi po të kujtojmë fillimin e kampionatit askush nuk e mendonte një sukses tonin”, tha portieri i Juventusit.
Në fund të intervistës 38-vjeçari foli dhe për objektivat e së ardhmes, ku sigurisht Champions League është një prej tyre. Sipas Buffon, eliminimi nga Bayern Munich do t’i shërbeje si leksion ekipit që sezonin e ardhshëm të bëjë akoma dhe më mirë.
Juventusi fitoi ndaj Fiorentinës me rezultatin 1-2 në transfertë, duke thelluar diferencën e pikëve me ndjekësit e Napolit në +12. Bardhezinjtë kaluan të parët në avantazh me anë të Mario Mandzukiç në minutën e 39′. Bardhezinjtë fituan ndeshjen e 24-ërt në 25 takimet e fundit në Serinë A, duke zgjatur akoma më tej rekordin botëror të fitoreve për numrin e sfidave të luajtura si më sipër. Një 11-metërsh i pritur nga Buffon në minutën e 90-të i lejoi Juventusit të fitonte sfidën, duke patur protagonist jo vetëm portierin, por dhe Mandzukiç e Moratën, me spanjollin që shënoi vetëm 2 minuta pas barazimit të Fiorentinës. Një fitore që mund të shpallë Juventusin kampion këtë të hënë në rast se Napoli nuk fiton me Romën.
Mandzukiç i dha epërsinë bardhezinjve në pjesën e parë, ndërsa Fiorentina iu përgjigj 9 minuta para fundit, duke konkretizuar lojën e mirë që po zhvillonte. Juventus, megjithatë tregoi se di të jetë cinike kur i nevojitet dhe në goditjen e dytë në kuadrat Morata shënoi golin e dytë. Ndeshja mund të kishte patur një tjetër fund, nëse Kalinic do të kishte realizuar nga pika e bardhë, por dhe Buffon donte të merrte merita në këtë sukses dhe u tregua i saktë mes dy shtyllave, me Juventusin që fitoi për të nëntën ndeshje radhazi në kampionat.
Aktualisht, Juventus ndodhet në krye të Serisë A me 85 pikë dhe një hap fals i Napolit nesër ndaj Romës do të bënte që bardhezinjtë të festonin tri javë para titullin kampion. Në ndeshje nuk munguan edhe polemikat. Si Juventusit ashtu edhe Fiorentinës iu anuluan nga një gol në pjesën e parë. Për këto episode, shtypi italian ka ‘kryqëzyar’ arbitrimin e ndeshjes.
Gati rinovimi me Suarez
Luis Suarez ka rezultuar protagonisti absolut në radhët e Barcelonës në dy ndeshjet e fundit ndaj Sportingut të Gijonit dhe Deportivo La Corunas, sfida ku sulmuesi uruguajan realizoi nga katër gola, duke i kthyer buzëqeshen Luis Enriques. Në një kampionat me kaq shumë rivalitet, forma e golashënuesit më të mirë të Primera Division e mban Barcelonën në vendin e parë, në kuotë të barabartë pikësh me Atleticon e Madridit.
Sipas “Sport.es”, një media shumë pranë klubit katalan, rinovimi i kontratës se Suarez është bërë më emergjente e zgjatja e bashkëpunimit me Busquets apo Neymar. Për këtë arsye, në përfundim të sezonit, presidenti Josep Maria Bartomeu, do të nisë menjëherë bisedimet me sulmuesin për të gjetur gjuhën e përbashkët për zgjatjen e kontratës. Statistikat e Suarezit dhe gjuha e përbashkët në fushë me Lionel Mesin, janë argumenta të mjaftueshëm për t’i besuar për një kohë shumë më të gjatë uruguajanit.
Sigurisht, që nuk do të lihet pas dore rinovimi i kontarës së Neymar, pavaërisht se nuk po kalon momentin e tij më të mirë të sezonit. Tifozët e Barcelonës kërkojnë me çdo kusht që të blindohet për të shmangur çdo tundim që mund t’i vijë nga ofertat faraonike të klubeve të mëdha europiane.
Sammer trondit Bayernin
Mathias Sammer trondit ambientin te Bayerni i Mynihut. Drejtori sportiv i bavarezëve ka shfaqur probleme serioze me shëndetin, por fatmirësisht gjendja e tij është në përmirësim e sipër. 48-vjeçari është prekur nga një çrregullim i qarkullimit të gjakut në tru, e për rrjedhojë nuk ka qenë i pranishëm në dy ndeshjet e fundit të kampionëve të Bundesligës.
Mjeku i Bayernit, Roland Schmidt është munduar t’i qetësojë tifozët e Bayernit, duke deklaruar se Sammer do të shërohet shumë shpejt dhe ky problem në tru nuk do t’i lërë asnjë pasojë. Ndërsa vetë Sammer është shprehur se pas një periudhë kohe që do t’i nevojitet për ta kaluar këtë situatë do të kthehet shumë shpejt në detyrë.
Diagnoza për ish-futbollistin e kombëtares gjermane është mpiksja e gjakut në tru që në gjuhën mjekësore quhet ishemi, e cila shkakton probleme në të folur dhe paralizë të pjesshme. Por për fat të mirë, pas një kohë të caktuar gjithçka kthehet si më parë.
Hummels do qëndrojë me çdo kusht
Çfarë të ndodhë me të ardhmen e Mats Hummels, është kjo pyetja që shqetëson më shumë tifozët e Borussias së Dortmundit aktualisht. Kapiteni ka një kontratë me klubin verdhezi deri në vitin 2017 dhe frika se mund ta humbasin atë gjatë verës është shumë e madhe në klubin nga Signal Iduna Park. Hummels kërkohet nga shumë klube të mëdha europiane ku në radhë të parë qëndrojnë Barcelona dhe Bayern Munich, gjithsesi te Dortmundi nuk duan të privohen nga shërbimet e mbrojtësit 27-vjeçar dhe do të bëjnë gjithçka për të rinovuar marrëveshjen aktuale me kampionin e Botës.
Hummels ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij dhe për momentin kapiteni i Dortmundit ka shumë dilema në kokë, të largohet për të gjetur stimuj të rinj apo të qëndrojë te Borussia dhe të shndërrohet në një ikonë të këtij klubi. I intervistuar nga mediat gjermane më konkretisht gazeta prestigjioze “Bild”, shefi ekzukutiv i Dortmundit, Hans Joachim Watzke deklaroi se ashtu siç ka bërë më herët më të tjerë futbollistë edhe për Hummels, klubi verdhezi do ta gjejë një zgjidhje.
Watzke theksoi se Dortmundi do të bëjë maksimumin për të mbajtur në skuadër lojtarë si Hummels e Mkhitaryan. Ndërkohë drejtori sportiv Michael Zorc nënvizoi se klubi është në bisedime me Mats për rinovimin, por ende nuk është arritur një marrëveshje.
4 milionë Euro shpenzim për poçat në rrugën Tiranë-Kashar
Autoriteti Rrugor Shqiptar në analizën vjetore për vitin 2015 ka raportuar se janë shpenzuar 548.7 milionë lekë (rreth 4 milionë euro) për sinjalistën e Autostradës Tiranë-Durrës dhe segmentin Kashar-Rinas, që përbën gati gjysmën e shumës së shpenzuar në total në vend për këtë qëllim në 2015-n.
Është lehtësisht e verifikueshme nga një udhëtim nga Tirana në Durrës, që pjesa më e madhe e fondeve është shpenzuar për segmentin Tiranë-Kashar, sinjalistika e cilit është dukshëm më cilësore e moderne se e segmentit tjetër nga Kashari në Durrës, që përveçse nuk ka ndriçim, asfalti, sa vjen e po amortizohet nga dita në ditë , duke u kthyer në stres dhe kosto (amortizim automjeti) për këto që e përshkron atë .
Autoriteti Rrugor shpenzoi gjithsej vitin e kaluar për sinjalistikën 1,2 miliardë lekë (8.5 mln euro). Autoriteti ka arritur të shpenzojë gjysmën e fondeve që u vu në dispozicion për mirëmbajtjen e sistemit rrugor me 2015.
Loti i parë i projektit “Plotësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore” kushtoi 246 milionë lekë.
“Plotësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore, vazhdimi i Lot2 “ kushtoi 337.5 milionë lekë.
Ndërsa vendosja e mbikalimeve për këmbësorë në aksin Plepa-Kavajë-Rrogozhinë ishte 51 milionë lekë dhe implementimi i Sistemit te Menaxhimit te Trafikut 19,9 milionë lekë.
Në një raport të mëparshëm Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se auditimi i zbatimit të punimeve të objektit “Përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore në superstradën Tiranë-Durrës dhe segmentin rrugor Kashar-Rinas” Loti 1, rezultoi një përfitim i padrejtë nga ana e sipërmarrësit të punimeve në vlerën 11.2 milionë lekë.
KLSH ka kërkuar që të hetohen dhe 5 punonjës të tjerë të ARRSH-së për abuzimet në projektin e zgjerimit të superstradës Tiranë- Durrës. Sipas KLSH përgjatë periudhës së përgatitjes së dokumenteve të tenderit dhe zhvillimit të procedurës së prokurimit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës”, janë bërë disa investime nga institucione të tjera me fonde të buxhetit të shtetit, investime të cilat me zbatimin e projektit të zgjerimit të superstradës “Tiranë-Durrës”, do të mbivendosen, ribëhen apo prishen plotësisht.
Shpenzimet për sinjalistikën:
Përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore në superstradën Tiranë-Durrës dhe segmenti Kashar-Rinas 548,783,997
Plotësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore, vazhdimi i Lot 1 246,178,177
Plotësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore, vazhdimi i Lot2 337,547,268
Vendosja e Mbikalimeve për këmbësorë në aksin Plepa-Kavajë-Rrogozhinë 51,000,199
Implementimi i Sistemit te Menaxhimit te Trafikut 19,991,400
TOTALI 1,203,501,041
Vendi i rrezikuar nga niveli i lartë i borxhit
Raporti global mbi borxhet që u publikua së fundmi nga dy organizatat gjermane Misereor dhe Erlassjahr.de ka shkaktuar diskutime në radhët e ekspertëve dhe analistëve shqiptarë të ekonomisë. Panaroma e raportit ishte e zymtë, duke vlerësuar edhe se borxhet shtetërore kundrejt donatorëve të jashtëm në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion janë në rritje prej vitesh dhe kanë arritur, ndërkohë një shumë të përgjithshme prej rreth 5,4 bilionë dollarë, rritje e cila përshkruhet si pesë herë më e madhe se para 25 vjetësh.
Referuar raportit, 108 shtete konsiderohen si “me borxhe kritike”. Raste dramatike paraqiten në periferinë europiane si në Kroaci, Serbi, Ukrainë e Shqipëri. Këtyre u shtohen edhe vende si Gambia, Gana dhe Mauritania në Afrikë, India e Pakistani si dhe Libani e Jordania në Lindjen e Mesme.
Dr. Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Biznesit, në Institutin Kanadez të Teknologjisë thotë se, shqetësimi i ngritur në raportin e Misereor dhe Erlassjahr.de është i njohur dhe diskutuar prej kohësh në ambientet e brendshme akademike dhe kërkimore, duke e konsideruar atë si një nga rreziqet serioze me të cilat vendi mund të përballet në të ardhmen. Sipas tij, një arsye është se edhe në nivelet më modeste te borxhit publik, nën 60% të PBB-së, kostoja e shërbimit të borxhit ka qendruar në nivele 3.4-3.8% të PBB-së, një shumë kjo e konsiderueshme, pothuaj sa 60% e totalit të investimeve publike të vendit.
“Duke qenë se, pesha e borxhit aktualisht e ka kaluar 72% të PBB-së; kushtet e financimit të borxhit janë kushtet e tregut, në dallim nga kushtet e borxhit të trashëguar nga fillimi i tranzicionit që ishte borxh jotregtar; struktura e borxhit është zhvendosur drejt borxhit të huaj në sajë të huamarrjes së shtuar në tregjet e huaja kapitale, duke shtuar përveç normës së interesit edhe rrezikun e kursit të këmbimit – pra, të gjithë këto faktorë e rëndojnë edhe më shumë problematikën e menaxhimit të borxhit publik në të ardhmen. Për këtë arsye, prej kohësh ekspertë vendas i kanë kërkuar dhe rekomanduar qeverisë që të vendosë rregulla strikte në kufirin e borxhit publik dhe të kryejë rregullime institucionale për të kufizuar diskrecionin e qeverisë”, thotë për “Deutsche Welle”-n Dr. Xhepa.
Ai kujton se FMN-ja e ka ngritur gjithashtu këtë problem, por deri më tani nuk ka pasur një adresim konkret të tij. Programi trevjeçar i ardhshëm i qeverisë ka vendosur disa objektiva që e vënë huamarrjen publike në trajektoren rënëse të tij, por sërish mendoj se rregullimet institucionale duhet të jenë më të forta dhe më angazhuese për të penguar shkeljen e tyre nga autoritetet, vëren eksperti Xhepa.