31.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Kriza e mineraleve, vështirësitë e sipërmarrësve

Një pritje e lodhshme po bëhet ajo e sipërmarrësve në miniera. Shumë prej minierave mirëmbahen, ndërsa çmimi vijon të mbetet i ulët. Por, ndërkohë, paketa mbështetëse e premtuar nga Ministria e Energjisë nuk ka mbërritur.  Për minierat e Martaneshit, asgjë nuk ka ndryshuar prej katër muajsh. Vitin e filluan me punë të përgjysmuar, ose vetëm duke mirëmbajtur minierat të mos dëmtohen, por edhe sot, pas katër muajsh, minierat janë nën agoninë e çmimeve të ulëta në tregjet e huaja, pa ndonjë “amortizim” nga politikat e brendshme. Në fillim të vitit, prodhuesit e kromit i kërkuan Ministrisë së Energjisë të punonte për ta bërë më të lehtë kalvarin e eksportit të këtyre mallrave, me kërkesa konkrete, si mënyra e llogaritjes së rentës, apo heqja e nivelit të lagështisë nga përllogaritjet. Rakip Koka, një prej sipërmarrësve më të mëdhenj të kësaj zone, thotë se sipërmarrësit presin “paketën e shpëtimit”, ndërsa kanë paralizuar aktivitetin e tyre për të mbajtur gjallë biznesin. Dy ndryshime pozitive kanë ndodhur në sektorin e mineraleve të ngurta, por duket se nuk u ka dhënë mundësi sipërmarrjeve të nisin rritjen e eksporteve. Koka thotë se renta llogaritet për vlerën e mallit pa TVSH, ndërsa janë ulur lehtësisht disa kosto transporti. Këto, sipas tij, kanë dhënë një efekt pozitiv rreth 7% në rritjen e të ardhurave të eksportuesve. Por, sipërmarrësit në sektorin e minierave, nuk kanë thirrur në punë asnjë nga punëtorët e dërguar në shtëpi pak muaj më parë. 15 miniera vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa të tjerat po zhvillojnë aktivitetin pjesërisht. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në dy muajt e parë të këtij viti, eksportet në vlerë ranë 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e eksporteve ishte kështu më e ulëta e këtyre katër viteve të fundit.

Gjendja aktuale në Martanesh

Në zonën e Martaneshit, numërohen rreth 150 miniera që nxjerrin e tregtojnë krom. Për shkak të uljes së çmimeve dhe barrës së rëndë të taksave, mbi 10% e tyre vlerësohet të kenë mbyllur aktivitetin që gjatë dimrit. Kushtet e vështira të motit iu bashkuan çmimit të ulët, për të bindur përfundimisht tregtarët e përfaqësuesit e industrisë nxjerrëse të tkurren në petkun e tyre. Por, ulja e çmimeve mbi 50% nxori më në pah problemet me taksat. Sipërmarrësit kërkuan në fillim të vitit të rishikohet përllogaritja e rentës minerare. Aktualisht, ajo llogaritet mbi një çmim reference ku nuk hiqet niveli i lagështisë, i cili në dimër arrin në 10% të sasisë që tregtohet. Për të gjitha këto arsye, sipas tregtarëve, renta kalon nga 6% e çmimit në 9%. Renta minerale e kromit si referencë e çmimeve sot është 6% e shumës totale të faturës me shumicë. Ky nivel rente nuk është në bazë të çmimit në tregjet ndërkombëtare, por të një çmimi referencë të cilin ministria është angazhuar ta rishikojë më shpesh. Sipas tregtarëve, çmimi i kromit bazë 40% është këto ditë 15 mijë lekë për ton. Por tregtarët vërejnë se për efekt të rentës, kromi u llogaritet në doganë në bazë të çmimit referencë të vitit 2012 të vendosur nga komisioni Ad Hoc. Çmimi bazë i kromit atëherë ishte 20.5 mijë lekë për ton. Për shkak të kësaj përllogaritje dhe përfshirjes së lagështisë, tregtarët thonë se renta arrin (de facto) sa 9% e vlerës totale të mallit të eksportuar, ndërsa ligjërisht, niveli i rentës është 6%.

Çfarë parashikon paketa e ministrisë

Lehtësitë e para janë te përmirësimi i llogaritjes së rentës minerare. Grupi i punës pranë Ministrisë së Energjisë ka parashikuar të përjashtojë nga renta, pjesën e çmimit që lidhet me koston e transportit. Pra rentën ta llogarisë mbi çmimin në dalje të fabrikës, apo minierës, e jo në mbërritjen në port. Që në fillim të nismës, zëvendësministri i Energjisë, Gëzim Musabelli, pranoi se llogaritja e rentës minerare është shqetësimi kryesor i industrisë nxjerrëse. Për një përllogaritje më të saktë, sipas tij, parashikohet të përjashtohet lagështia e cila në dimër arrin deri në 10% të sasisë së materialit. Kjo do t’u vlente tregtarëve dimrin e ardhshëm. Pjesë e paketës pritet të jetë edhe ulja e mirëfilltë e rentës. “Përqindja e taksës kombëtare parashikohet të ndryshojë, pasi kemi parë edhe rentën në vendet e rajonit”, thotë Musabelli. Për metale të ndryshme, renta pritet të zbresë deri në 2% nga 6% aktualisht për bakrin e kromin, 5% për hekurin. Në plan është edhe lehtësimi i disa burokracive që minierat hapsin kryesisht me drejtuesit e pushtetit lokal. Nuk mungojnë rastet kur edhe një leje minerare e dhënë i është revokuar subjektit pasi nuk ka arritur të sigurojë të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës nga pushteti lokal. Ndër nismat kryesore të paketës është parashikuar të shmangen burokracitë me pushtetin lokal, apo edhe Ministrinë e Kulturës. Përmes një VKM-je mund të bëhet lehtësimi i garancisë për rehabilitimin e zonave. Një nga problemet kryesore është ai i shpyllëzimit të fondit pyjor. Pas marrjes së licencës, heqja nga fondi pyjor merr shumë kohë, ka raste edhe me vite. Në këtë drejtim duket se Ministria e Energjisë e ka marrë përsipër të lehtësojë mundësinë e shfrytëzimit, si përmes komunikimit me Ministrinë e Mjedisit, e përfaqësues të pushtetit lokal. Nisma synon që të gjitha këto të zgjidhen në fazën e marrjes së lejes, dhe me t’u pajisur me të subjekti të mund të fillojë aktivitetin.

Efekti në buxhet deri 4 milionë euro

Një studim i bërë nga grupi i punës parashikon se lehtësitë tarifore për sipërmarrjet minerare do të kenë kosto 3-4 milionë euro në buxhetin e këtij viti. Por sa më vonë të hyjë në fuqi kjo paketë, aq më i ulët do të jetë efekti në buxhet. Ekspertët e grupit të punës mendojnë gjithsesi, se edhe kjo vlerë nuk është e lartë, nëse merren parasysh efektet negative që do të sillte dëmtimi i industrisë. Ata i druhen një dëmi edhe më të madh që mund të shkaktojë mbyllja e minierave. “Në rast se ato nuk do të punojnë, kjo do të shoqërohej me efekte domethënëse negative si sociale (me të punësuarit në zonë) edhe teknike. Ministria pranon se ka raste të minierave që aktualisht vetëm po mirëmbahen, pasi kanë pezulluar aktivitetin.

Kompanitë e mëdha që lanë Shqipërinë në këto tre vjet

Blerina HOXHA

Kombinati i tekstileve në Berat do të ishte ringritur prej dy vjetësh, do të kishte punësuar 6500 punonjës, me së paku 600 milionë euro investim, sikur qeveria shqiptare të ishte treguar e përgjegjshme për të jetësuar projektin e gjigantit turko-kinez të prodhimit të veshjeve në botë, Ëeibo Group.
Kompania që prodhon veshje kualitative për markat e njohura Massimo Dutti, Cortefiel, Barutti, Roy Robson, Brax, Hirmer, Peek & Cloppenburg, Saks 5th Avenue, Dockers dhe shumë marka të njohura në Turqi, me fabrika në Kinë dhe Kamboxhia, rishikoi planet e diversifikimit për hapjen e një linje të re prodhimi në Europë për Europën.
Ëeibo e pati të pamundur të hapte fabrikën në Turqi, për shkak se vendi i ka plotësuar kuotat e eksportit të tekstilit “Made in Turkey” në Europë. Pas Turqisë, ndër vendet e tjera europiane u pa destinacion tërheqës Shqipëria. Në Stamboll, komuniteti i shqiptar është më i madhi, lidhjet e kompanisë me Shqipërinë ishin të mëdha, ndaj planet e para për zgjerim në Europë ishin fillimisht për Shqipërinë. Ndërmjet viteve 2013 dhe 2014, përfaqësuesit e Ëeibo Group survejuan për më shumë se tetë muaj tregun shqiptar.
Kompanitë e konsulencës i rekomanduan riaktivizimin e kombinatit të tekstileve në Berat. Në këtë zonë, industria e tekstilit ka një traditë gati 50-vjeçare të trashëguar nga regjimi komunist. Berati është ndër të paktat qytete në Shqipëri që ka një forcë të kualifikuar punëtore që përdorin që nga tornot deri te qepja. Për më tepër, në Berat ka vijuar tradita, pasi shumë fabrika të tjera të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve kanë aktivitet në këtë qytet, duke ndikuar në krijimin e fuqisë së re punëtore me përvojë. Për rrjedhojë, Berati mund të përmbushte kërkesat e Ëeibo Group me “knoë hoë” si dhe me godina. Me vënien në punë, Ëeibo synonte të realizonte rreth 800 milionë euro eksporte në vit. Por projekti ka dështuar me “sukses” si shumë projekte të tjera të mëdha dhe serioze që i janë ofruar Shqipërisë.
Ky ishte rasti që Shqipëria të vendoste një standard të ri në industrinë fasone, duke realizuar ciklin e mbyllur të prodhimit dhe duke i dhënë shans real zhvillimit të klasterit në këtë industri. Arsyet e dështimit janë disa, por ekspertët që kanë konsultuar kompaninë, pohojnë se kryesorja ishte projekti jofizibël.
Barra e taksave dhe të gjitha kostot e tjera ishin më të larta se sa kostot me gjithë transportin nga Maqedonia në Durrës. Sot gjiganti turko-kinez ka hapur fabrikën në Maqedoni. Për shumë muaj, është impenjuar personalisht Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevksi, i cili i ka pritur investitorët dhe për më tepër, ka përshpejtuar në mënyrë të jashtëzakonshme investimin në Maqedoni.
Kryetari i Bordit të Ëeibo Group, Selcuk Alperen, e njoftoi personalisht përzgjedhjen e Maqedonisë për projektet e reja. Alperen, në një deklaratë zyrtare, ka pohuar se kompania ka ndërtuar zonën e integruar industriale në Kriva Palanka, një zonë e lirë tregtare në Maqedoni. Investimi fillestar ishte 400 milionë euro me 500 të punësuar, me projekt për zgjerim të mëtejshëm në varësi të ecurisë së prodhimit. Kompania, 50% të prodhimit në Maqedoni i ka porosi për Hugo Boss, ndërsa pjesën tjetër për emra të mëdhenj të brandeve europiane të veshjeve. Prodhimi i Ëeibo është i lidhur vertikalisht që nga fillimi në fund. Kompania kujdeset vetë për prodhimin e pambukut dhe kryen të gjitha proceset. Por duket se Maqedonia (Kriva Palanka) nuk e ka përmbushur tërësisht kërkesën për fuqinë punëtore, ndaj Ëeibo është duke kërkuar për transferim të një pjese të aktivitetit edhe në Serbi.
Edhe pse Maqedonia nuk e ka në prioritetet e saj të zhvillojë industrinë e fasonit, kompanitë e huaja që kanë interesa të transferojnë prodhimin në Ballkan, e shohin atë mjaft atraktive. Taksat e ulëta, funksionimi i zonave të lira tregtare (pa taksa në shtatë vitet e para) dhe subvencioni monetar i çdo vendi të hapur pune e ka bërë vendin fqinjë konkurrues të denjë për fason industrial dhe atë tekstil.
Shqipëria, jo vetëm që ka humbur konkurrueshmërinë në aspektin fiskal, në të drejtat e pronësisë, por mbi të gjitha i mungojnë prioritetet e zhvillimit dhe vullneti i mirë për të sjellë investitorë seriozë, thanë ekspertët që më parë kishin këshilluar Ëeibo-n për Shqipërinë. Por ata shpjeguan se Ëeibo nuk është shansi i vetëm i humbur. Janë me dhjetëra raste të dështuara vetëm nga Turqia.
Një nga grupet më të mëdha turistike në Europë me resorte që nga Antalya, Belekeu, Londra dhe Nisa i është ofruar Shqipërisë për një investim 600 milionë euro për zhvillimin e një resorti turistik. Eksperti tha se nuk ishte në interesin e kompanisë të investonte në një zonë joshëse dhe të bukur siç është Jugu i vendit. Turqit ishin të vendosur të investonin në secilën copë toke që do të dëshironte qeveria shqiptare. Resorti do të ishte i nivelit luksoz me pesë yje dhe me kapacitet akomodues mbi 5000-6000 persona. Do të punësoheshin të paktën 900 persona dhe kompania kishte në plane të zhvillonte edhe pjesën e edukimit për shërbimin e turizmit njësoj siç bën edhe në Turqi.
Pas disa takimesh me autoritetet shqiptare, kompania ka hequr dorë. Duke mbajtur konfidencial emrin e kompanisë turke, eksperti tha se tani, projekti që ishte planifikuar për Shqipërinë, po jetësohet në Rumani. Një vend i Bashkimit Europian, Rumania i ka thjeshtuar shumë procedurat për investitorët e huaj. Mjafton të kesh interes të investosh atje dhe qeveria të rimburson që nga biletat e avionit, shpenzimet e hotelit të çdo investitori që shfaq interes.
Një tjetër kompani tuke, Limak, ka shfaqur interes të investonte në sektorin e turizmit në Shqipëri, duke sjellë specialistë të saj për të studiaur fisibilitetin e investimit. Kompania më pas u tërhoq, pasi grupi u përfshi në investimin në Aeroportin e Stambollit.
Por teksa vendet e Ballkanit janë vënë në garë të ethshme në lehtësimin procedurave dhe taksave për investitorët e huaj, Shqipëria ka bërë hapa mbrapa. Aktualisht, vendi ynë ka barrën e taksave më të larta në rajon dhe klimën më të rëndë për të biznes (Doing Business, 2016 Ëorld Bank).
Si pasojë e kësaj situate, qeveria shqiptare në tre vitet e fundit nuk ka sjellë asnjë investitor të huaj të njohur në vend, teksa nga ana tjetër ka pohuar se do të orientojë modelin e zhvillimit të ekonomisë nga konsumi te prodhimi.

Kinezët e Exim Bank fusin Shqipërinë në listën e zezë

Kompanitë kineze kanë qenë gjithmonë aktive dhe këmbëngulëse për të investuar në Shqipëri, por së fundmi, interesi i tyre ka kulmuar me HEC-in e Skavicës dhe Rrugën e Arbrit. Qeveria shqiptare ka qenë në negociata të gjata me Bankën Exim (banka që përfaqëson politikat e shtetit në investimet jashtë Kinës) për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.
Geri Selenica, drejtor i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, tha se “pas vlerësimeve të analistëve të Exim Bank rezultoi që projekti i Rrugës së Arbrit ishte një projekt i keq, madje edhe korruptiv. Pikërisht nga ky projekt dhe nga mosvlerësimi i propozimeve serioze, kjo Bankë e ka vendosur Shqipërinë në listën e zezë dhe për një periudhë katërvjeçare nuk do të vlerësojnë asnjë projekt financimi për Shqipërinë”.
Ky vendim iu komunikua para dy javësh edhe një kompanie kineze që kishte aplikuar për kredi për financimin e autostradës Adriatiko–Joniane, tha Selenica.
Ai tha se këto vitet e fundit, korporata të mëdha kineze kanë pasur interes të investojnë vetëm në sektorin energjetik, kryesisht në hidroenergji dhe më pak në nxjerrjen e naftës dhe gazit, por asnjë projekt nuk është finalizuar deri më tani.
Poëer China ka ofruar në tetor 2014 financimin, projektimin dhe ndërtimin për llogari të KESH të HEC Skavica (e madhe) 485 metër. Investimi kapte vlerën e 1 miliard eurove nga të cilat 600 milionë për ndërtimin e digës dhe mbi 500 milionë euro për shpronësimet dhe rehabilitimin mjedisor dhe ekonomik të zonës së përmbytur.
Mënyra e financimit të Skavicës ishte një kredi e butë për KESH-in mbi 1 miliard euro, e cila do të mund të shlyhej me 15 këste për 15 vjet pas përfundimit të veprës. Ndërkohë sipas llogaritjeve të kinezëve, Skavica me 485 metër do të shlyente investimin për 12 vjet, pasi do të kishte kapacitet prodhimi prej 2 milionë GË në vit me vlerë 100 milionë euro dhe shumë strategjik për ekonominë shqiptare. Qeveria nuk iu ktheu kurrë përgjigje kinezëve. Në sektorin e hidrokarbureve kanë shprehur interes CEFC (China Energy Fund) dhe CNPC (China National Petroleum Corp). Kompania kineze që nënshkroi me Bankers Petroleum marrëveshjen e interesit për blerjen e aksioneve me dyfishin e vlerës së bursës është e listuar në bursë. Shumë analistë burse hedhin dyshime mbi qëllimin e vërtetë të kësaj kontrate, pohoi konsulenti i investitorëve kinezë në Shqipëri.
Ai tregoi se në sektorin e ndërtimit të rrugëve ka pasur interes nga disa firma kineze si: Sinohydro, China Pacific Construction dhe CRBC. Sinohydro po ndërton dy autostrada në Maqedoni, ndërsa CRBC një autostradë në Malin e Zi dhe do të ndërtojë hekurudhën e shpejtë Rijeka-Zagrep-Bozovo (Hungari).
Asnjë firmë kineze nuk ka pasur sukses për rrugët në Shqipëri, pasi nuk ka asnjë projekt serioz rrugësh dhe Shqipëria nuk ka mundësi financimi për të tilla projekte, tha eksperti.
Vënia e Shqipërisë në listën e zezë nga Exim Bank e bllokon automatikisht çdo interes nga firmat kineze për ndërtim rrugësh dhe autostradash, lajmëroi Selenica.

Lënë Shqipërinë për Serbinë

Më herët, “Monitor” ka evidentuar me dhjetëra kompani europiane dhe ndërkontinentale që janë ofruar për të investuar në Shqipëri, por klima që ofron vendi ynë nuk i ka orientuar projektet drejt fizibilitetit, ndaj dhe kompanitë janë zgjeruar në rajon.
Kur kompania e njohur italiane e prodhimit të këpucëve, Geox, në 2013, vendosi të zhvendoste linjën e prodhimit nga Maroku në Ballkan, Shqipëria ishte në fokus, për shkak të pozitës gjeografike dhe kostos së lirë të krahut të punës.
Tre vjet më parë, ata studiuan tregun shqiptar, tregon znj. Donika Mici, drejtuese e fabrikës së prodhimit të këpucëve Donniana, të tërhequr nga forca e lirë e fuqisë punëtore dhe kualifikimi i saj, por një ofertë joshëse nga Serbia, i ka ndryshuar të gjitha planet. Në këmbim të punësimit të 1250 punonjësve, qeveria e Serbisë e ka subvencionuar Geox me 11,2 milionë euro (9 mijë euro për një vend pune, sipas mediave të huaja), duke mbuluar gati gjysmën e vlerës së investimit prej 23 milionë eurosh.
Serbia ka qenë vitet e fundit shumë konkurrente në tërheqjen e investimeve të huaja, sidomos nga Italia. Benetton, Ferrero Rocher, Geox janë disa raste, ku investitorët italianë, pasi kanë studiuar të dyja tregjet, kanë zgjedhur Serbinë për të investuar.
Aktualisht, Serbia është më agresivja në rajon për lehtësirat ndaj investitorëve. Dy janë pikat më të forta. Përjashtimi nga tatimfitimi për tre vitet e para të aktivitetit dhe subvencionimi me 1500 euro për çdo punonjës të punësuar. Gjithashtu, toka për investimin ofrohet falas. Serbia ofron edhe një avantazh tjetër, pasi ka shumë marrëveshje dypalëshe për tregti pa dogana, sidomos me ish-republikat sovjetike, duke i nxitur disa subjekte, që synojnë tregjet e ish-Bashkimit Sovjetik të hapin biznese në Serbi, me synim shmangien e taksave të dyfishta, që duhet të paguajnë në Shqipëri

Rama do t’i japë një bande kriminale truallin pranë stadiumit “Qemal Stafa”

Trualli pranë stadiumit ‘Qemal Stafa’, që ishte planifikuar të bëhej lulishte kur Basha ishte kryebashkiak do t’i jepet një bande kriminale. Kryetari i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj nëpërmjet një deklarate për shtyp, akuzoi Kryeministrin Rama të lidhur me këto banda me të cilat ndan pushtetin. “Edi Rama ka planifikuar që një truall të rëndësishëm në Tiranë, aneksin e Stadiumit Qemal Stafa ta vërë në dispozicion të një bande tjetër kriminale. Më parë, kur bashkia drejtohej nga z. Basha, kjo zonë ishte parashikuar të bëhej lulishte, me kënd lojërash për fëmijët në shërbim të komunitetit. Por Edi Rama e ka fshirë këtë projekt, dhe ka në plan që tia japë bandës tjetër të preferuar, për të ngritur selinë e saj qendrore”, deklaroi Alibeaj.

“Bëhet fjalë për këtë truall që shihni në foto, në zemër të Tiranës, që nga lulishte jo vetëm për banorët e zonës por për mbarë qytetarët, shndërrohet në kullë betoni, kullë përfitimi, kullë zhvatjeje e korrupsioni. Siç është bërë publike, banda e Shullazit me Edi Ramën mori pronën dhe truallin më të çmuar në mes të Durrësit, godinën historike të hotel Vollgës.

Tashmë, Edi Rama po planifikon të shërbejë Shullazin dhe një bandë tjetër, lidhjet me të cilën janë të vjetra për të, qysh se u bë për herë të parë kryetar bashkie, me këtë truall në qendër të Tiranës. Kjo është qeveria e bandave që qëndrojnë mbi ligjin, që marrin prona publike, që ndërtojnë ku të duan.

Ky është kryeministri i bandave, i bandave që vënë gjoba, që grabisin e plaçkisin qytetarët me tytën e armës. I është sulur popullit me kërbaç e me burg e po i merr dhe kacidhen e fundit, ndërsa vetë ndan prona e troje, ndan pasurinë e vendit me bandat e kriminelët më të rrezikshëm në vend”, denoncoi Alibeaj.

Prokuroria thërret zyrtarët që ndihmuan Shullazin për gjobat

Zgjerohet rrethi i zyrtarëve dhe personave të tjerë të përfshirë në vendosjen e gjobave nga kapobanda dhe në falsifikimin e dokumetave të ish-hotel “Vollgës”, veprime të cilat sollën si rezultat regjistrimin e kësaj prone në emër të Emiljano Shullazit. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se do të thirren në Prokurori disa zyrtarë në lidhje me hetimet ndaj Shullazit.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka dyshime të forta se edhe të tjerë zyrtarë të Gjykatës së këtij qyteti kanë shpërdoruar detyrën. Konkretisht thuhet në dosjen hetimore kryesekretarja Adriana Kanina dhe kancelarja Ardena Veli, kanë vulosur sikur vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, të ishte i formës së prerë. Kur vetëm një muaj pas vendimit  Zanmir Hasa, që pretendonte pronësinë e ish-hotelit, ka bërë akimim të vendimit. Në të njëjtën kohë ankimimi është kundërshtuar nga kompania “Saudi Brothers”.
Por Gjykata e Durrësit me një vendim të dytë ka vendosur të mospranojë kërkesën e Zanmir Hasës. Por ai e ankimon në Apel, e cila vendos të ndryshojë vendimin, duke rrëzuar kompaninë arabe. Ndaj këtij vendimi, “Saudi Brothers” bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila vendos pezullimin e çdo veprimi me pronësinë e ish-hotel “Vollgës”.
Pavarësisht këtij kalvari gjyqësor me vendimin e datës 18 shkurt 2013 të Gjykatës së Durrësit, që njeh si pronar “Saudi Brothers”, administrata e kësaj gjykate nuk e ka dërguar në Gjykatën e Apelit ku po shqyrtohej ankimimi i Zanmir Hasës.
Në këtë kontekst sqaron Prokuroria, ky vendim nuk mund të vulosej dhe t’i jepej formë e prerë. Por ka ndodhur e kundërta, ku kancelarja dhe kryesekretarja kanë vulosur vendimin, duke i dhënë formë të prerë. Me këtë veprim vendimi bëhej i zbatueshëm nga Hipoteka e Durrësit, gjë e cila ka sjellë të gjitha pasojat e mëvonshme se çfarë ndodhi me pronësinë e ish-hotelit të njohur.
Dy ditë më parë është thirrur në Prokurori për të dëshmuar Ylvi Beqaj, administrator i kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”. Beqaj, njihet dhe si personi që ka firmosur kontratën e dhurimit të 30 për qind të pronës së ish-hotel “Vollga” në Durrës, tek Emiljano Shullazi.
Burime bënë të ditur se Ylvi Beqaj nuk është paraqitur në Prokurori, me argumentin se atë nuk e ka kërcënuar askush gjatë momentit të dhurimit të pronës tek Shullazi. Bëhet e ditur se, për të bindur administratorin e kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”, të dëshmojë në Prokurori, rreth mënyrës së dhurimit të superpronës tek Emiljano Shullazi, ka marrë kontakt me të direkt drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.
Ky i fundit mendohet se i ka ofruar Ylvi Beqajt garanci dhe siguri në këmbim të dëshmisë së tij. Mësohet se Beqajt i është ofruar dhe statusi i të penduarit apo bashkëpunëtorit të drejtësisë, por në fakt nga sa mësohet, Beqaj nuk ka pranuar të flasë në Prokurori për këtë ngjarje.
Beqaj ka pretenduar se gjithçka ka qenë e ligjshme dhe se Shullazit ia ka dhuruar me dëshirë pronën, pasi ai dikur i kishte bërë një nder. Nuk dihet me saktësi se kush ishte nderi. Sipas tij, pronari  i kësaj kompanie arabi Abdulaziz Al-Nowaiser, e ka caktuar administrator Beqjan, kjo për shkak edhe të njohjes së dikurshme me të, pasi Ylvi Beqaj njihet si person që beson në islam dhe predikon fenë islame. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, bënë të ditur se, prapa këtij hoteli fshihen interesa akoma dhe më të mëdha, ku individë të caktuar me ndikim politik dhe në media, duan të marrin këtë pasuri që ndodhet në qendër të qytetit të Durrësit.
Po ashtu, grupi i hetimit ka ftuar për të dhënë deklarime dy biznesmenë nga Durrësi dhe një sipërmarrës karburantesh në Tiranë. Prokuroria nuk sqaroi nëse tre biznesmenëve në fjalë u ka dërguar thirrje me shkrim apo i ka ftuar përmes kontaktit verbal të hetuesve.
Ajo çka bie në sy, sipas organit të akuzës, është se tre biznesmenët kanë refuzuar deri tani të paraqiten në Prokurori për të bërë kallëzim apo për të dhënë deklarime në lidhje me Emiljano Shullazin.
Shërbimi Informativ dhe Prokuroria kanë siguruar raporte vëzhgimi dhe përgjime telefonike e ambientale, sipas të cilave këtyre tre biznesmenëve, bashkë me Jani Zakën, u janë kërkuar pasuri apo shuma monetare nga Emiljano Shullazi, 38 vjeç, Gilmando Dani, 38 vjeç, dhe Blerim Shullazi, 32 vjeç. Në shkurt 2016, në Polici dhe Prokurori ishte paraqitur e kishte bërë denoncim biznesmeni Jani Zaka, sipas të cilit Shullazi po i kërkonte një parking 1200 m² te “21 Dhjetori”. Prokuroria ka kërkuar edhe dëshminë e Jani Zakës, por ai rezulton të jetë larguar nga Shqipëria në javën e parë të shkurtit dhe nuk është kthyer më në Tiranë.

Kërcënimi i Shullazit ndaj rektorit të ri për pronat e universitetit

Grupi kriminal i Shullazit tentoi të ndërhyjë në garën për rektor të universitetit më të madh në vend, duke kërcënuar dhe dhunuar kandidatin për Rektor, Mynyr Koni për të marrë nën kontroll pronat e Universitetit. Sipas burimeve nga Prokuroria, qëllimi i kërcënimit të Shullazit ndaj Rektorit ka qenë marrja nën kontroll e pronave të Universitetit nga banda kriminale.
Ligji i ri i Arsimit të Lartë fut një skemë të re financimi bazuar në buxhetin e shtetit dhe vetëfinancim përmes të ardhurave që do të gjenerojë universiteti në sajë të një autonomie të re financiare. Sipas këtij ligji: “Pronat e paluajtshme, në të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet publike të Arsimit të Lartë, që i shërbejnë institucionit për të garantuar përmbushjen e misionit të tij, kalojnë në administrim të institucioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit përgjegjës për arsimin.
Po ashtu në ligj thuhet se, “Institucionet mund të zhvillojnë pronat me miratim paraprak të subjektit që i ka kaluar pronën në administrim”. Autoritetet thonë se, sfida e universitetit pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe transferimit të pronave nën administrimin e ri do të jetë e madhe.  Si do ta përballojë këtë sfidë dhe konkurrencë me universitetet e mëdha private? Ndërtimi i kampusit të ri e të madh universitar është njëra prej tyre. Megjithëse vendimmarrja do të jetë kolegjiale nga bordi administrues, sigurisht peshë specifike do të ketë edhe zëri i rektorit të Universitetit të Tiranës. Të sapozgjedhurit edhe nën kërcënimet e mafiozëve, Profesor Mynyr Konit.
Qyteti “Studenti” quhet i tillë. sepse ka përmasa të tilla. Ai shtrihet në rreze të një zone kodrinore periferike të Tiranës, e shquar për vila dhe zona rezidenciale që e kanë bërë atë prej vitesh një nga zonat e preferuara të kryeqytetit.
Me hyrjen në fuqi të ligjit për arsimin, e gjithë kjo zonë do të gdhihet pronë e Universitetit të Tiranës. Projektet për kampusin e ri universitar dhe 30 milionë eurot që i mungojnë atij për ta ndërtuar, janë një arsye e mjaftueshme për të ngjallur interesat e investimeve private, përfshirë edhe paratë e grumbulluara nga aktivitete kriminale. Këtu duhet gjetur edhe përgjigjja përse, sipas Prokurorisë, grupe kriminale si ai i Shullazit tentuan të ndërhyjnë në garën për rektor të universitetit më të madh në vend.

Ish-hotel “Vollga” për Shullazin, hetohet administrata e Gjykatës së Durrësit

Kancelarja dhe kryesekretarja e Gjykatës së Durrësit akuzohen për “shpërdorim detyre”, për vendimin në lidhje me ish-hotel “Vollgën” në Durrës. Prokuroria i akuzon se i kanë vendosur vulë të formës së prerë vendimit të dhënë nga gjyqtarët Vladimir Skënderi, Dhurata Bilo dhe Ndue Dreni. Ndërkohë që ndaj tij ishte bërë ankim.
Një ditë më parë, Prokuroria njoftoi se nisi hetimet për tre gjyqtarët që rrëzuan vendimin e Gjykatës së Lartë në shkelje flagrante të ligjit. Ndërkohë sot, u vunë para akuzës “shpërdorim detyre” edhe kryesekretarja dhe kancelarja e kësaj gjykate Ardiana Kanina dhe Ardena Veli.
Ato akuzohen se hodhën vulën e një vendimi të formës së prerë, mbi vendimin e datës 18, shkurt të vitit 2013 të Gjykatës Durrës, veprim ky  që i ka hapur rrugë rregjistrimit në Hipotekë të pronës. Ndërkohë që ndaj këtij vendimi ishte bërë ankim dhe pas Apelit, çështja ishte ende ne gjykim në Gjykatën e Lartë. Sipas akuzës vënia e vulës sikur vendimi ka marrë formë të prerë ka bërë që vendimi të bëhej i zbatueshëm nga ZVRPP Durrës, duke krijuar në vazhdim pasojat lidhur me disponimin e pasurisë  për çështjen që ishte në gjykim.

Sekuestrohen kamerat që lejuan pa zhdoganim makinën e Milit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar kamerat e sigurisë në Portin e Durrësit për periudhën 23 janar dhe 28 janar 2016, kur Emiljano Shullazi është larguar në drejtim të Italisë me një automjet pa iu nënshtruar kontrollit në pikën doganore. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, këto pamje filmike tashmë janë sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ndodhen në dosjen hetimore.
Nga pamjet filmike ka rezultuar se Shullazi ka udhëtuar drejt Italisë në 23 janar, ku pas 5 ditë qëndrimi në këtë shtet, ai është kthyer në datën 28 janar në Shqipëri, ndërsa makina e tij nuk i është nënshtruar kontrolleve në pikën doganaore. Ky skandal u denoncua publikisht nga Partia Demokkratike, ndërsa autoritetet zyrtare u munduan ta mohonin.
Në reagimin e PD thuhej se, Emiliano Shullazi është futur në Doganën e Durrësit me një makinë të blinduar pa u kontrolluar nga autoritetet. “Pikërisht Besmir Qebini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës. Prej disa javësh ky person, dhe përmes tij krimi, ka në dorë jo vetëm kontrabandën, por edhe anti¬kontrabandën dhe hetimin doganor. Shkurt, krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve.
Duke caktuar si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, këtë lidhje të fortë të çiftit Tahiri¬ Shullazi dhe bandës që kontrollon Tiranën dhe Durrësin, krimi ka siguruar përfundimisht traun e doganës për aktivitetet e veta.
Nuk është rastësi që para disa ditësh u raportua se Emiliano Shullazi u fut nga PKK Durrës me një mjet të blinduar, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë. Ky inkriminim i strukturave shtetërore nga Edi Rama ka sjellë fuziqimin e bandave dhe trafikantëve dhe dobësimin e shtetit. Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre për të larguar sundimin e krimit, dhe për t’ia kthyer doganat dhe policinë interesit publik, interesave të vendit”, thuhej në reagimin e PD. Gjithsesi, pamjet filmike të kalimit të Shullazit me makinë të blinduar pa u kontrolluar në doganë tashmë ndodhen në dosjen e hetuesve.

R.POLISI

Banda kriminale në polici rrëmben biznesmenin Neranxi

Policia e Tiranës arrestoi dje biznesmenin e njohur Nikollaq Neranxi. Arrestimi i biznesmenit të njohur bëhet vetëm 24 orë, pasi ai mbështeti propozimin e ish-Kryeministrit Berisha për një ligj për armët, duke marrë si shembull grabitjen që kishte ndodhur në biznesin e tij. Policia bëri të ditur se shoqërimi i biznesmenit në Komisariatin Nr.6 është bërë për shkak se ka kundërshtuar forcat policore për vendosjen e një gjobe për makinën e tij, por në fakt arrestimi i biznesmenit është bërë për hakmarrje.
Fillimisht, policia njoftoi se ka shpallur në kërkim biznesmenin e njohur Nikollaq Neranxi. Rreth orës 16:10, Neranxi ka debatuar me policët që po i vinin gjobë makinës së tij, në një nga rrugët dytësore të autostradës Tiranë-Durrës. Neranxi po udhëtonte drejt qendrës së biznesit të tij, pasi po zhvillonte Panairin e Kulinarisë 2016. Pas debateve për gjobën, policia ka kërkuar që të arrestojë biznesmenin, por është penguar nga rojet e tij, të cilët janë shoqëruar në polici.
Më pas, biznesmeni është mbyllur në biznesin e tij ku po zhvillohej panairi, ndërsa të gjithë punonjësit e revoltuar kanë protestuar kundër forcave të policisë. Ndërsa Neranxi ka vijuar me aktivitetin e biznesit të tij, dhe është vetëdorëzuar më pas në Komisariatin Nr. 6 për të dhënë shpjegime.
“Unë do shkoj në polici për t’u sqaruar, të nderuar pjesëmarrës, njoftoni ambasadat, Shqipëria dhe shqiptarët po arrestohen. Përjashta, përjashta policia, shikojini dokumentet nuk ka mundësi që të jenë polica, Policia e Shtetit është shumë e respektuar nga ne. Nxirrini përjashta…”, dëgjohet të thotë Neranxi në një video që tregon momentet e tensionit në biznesin e tij ku po zhvillohej panairi.
Nikollaq Neranxi është President i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut të Shqipërisë dhe mjaft aktiv në publik muajt e fundit. Neranxi ka qenë në ballë të protestave të tregtarëve para Bashkisë së Tiranës, duke kundërshtuar rritjen e taksave. Neranxi, në emër të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut, e ka paditur Bashkinë e Tiranës në Gjykatën Administrative për rritjen e paligjshme të taksave. Po ashtu, Neranxi ka qenë mjaft aktiv në media, duke kundërshtuar me argumenta rritjen e taksave për tregtarët nga Veliaj.
Pak ditë më parë, në një status në Facebook, biznesmeni i njohur denoncoi paaftësinë e policisë për të gjetur grabitësit e biznesit të tij. Ai u shpreh pro ndryshimit të ligjit për armët, duke përmendur faktin se prej 14 muajsh, policia nuk kishte asnjë gjurmë nga grabitësit. Ndërsa dy ditë më parë, botoi në median e shkruar një koment ku argumentonte se përse e mbështeste idenë e ish-Kryeministrit Berisha për propozimin e ish-Kryeministrit Berisha për një ligj për armët, duke marrë si shembull ligjin amerikan. Neranxi argumentonte se pajisja me armë është e domosdoshme për shkak se nuk ka siguri dhe rend. Ai shkruante para disa muajsh i ishte grabitur biznesi nga disa persona me maska dhe autorët akoma nuk janë zbuluar dhe arrestuar nga policia.

Arrestimi i biznesmenit, Berisha: Hakmarrje primitive e Edvin Shullazit

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ashpër për arrestimin e biznesmenit të njohur Nikollaq Neranxi. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan: “Hakmarrje primitive e Edvin Shullazit!
Çunat e krimit arrestojnë presidentin, avokatin e fuqishëm të biznesit shqiptar, biznesmenin e njohur, Nikollaq Neranxi”!
“Të dashur miq, në një akt hakmarrjeje primitive, për mbrojtjen burrërore të të drejtave të bizneseve të vogla dhe të mesme nga arbitrariteti qeveritar, Edvin Shullazi ka urdhëruar sot falangat e krimit ta arrestojnë atë. Ky është një akt i shëmtuar stalinist ndaj një avokati të fuqishëm të të drejtave ligjore të biznesmenëve shqiptarë.
Theksoj këtu se qëndrimet dhe pretendimet e drejta te zotit Neranxi në mbrojtje të biznesit, gjetën mbështetje të plotë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Kjo Gjykatë gjeti antikushtetuese ligjin ndëshkues ndaj biznesit të Edvin Shullazit”, shkruan Berisha në Facebook.
Ish-Kryeministri Berisha i kërkon Prokurorisë të vendosë para ligjit autorët dhe urdhërdhënësit e këtij akti të shëmtuar shtetëror. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt stalinist banditesk të hajdutëve të shtetit ndaj përfaqësuesit të biznesit shqiptar dhe interesave të tij legjitime, i bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të vendosë para ligjit të gjithë autorët dhe urdhërdhënësit e këtij akti të shëmtuar shtetëror”, shkruan Berisha.
Në një tjetër reagim në Facebook, Berisha publikon mesazhin që i ka ardhur nga vetë Neranxi. Në mesazhin dërguar Berishës, Neranxi shkruan: “Në këto momente që jam në punën time, në pronën time dhe po bëj një aktivitet për të cilin kam muaj që përgatitem, në pronën time, Policia e Shtetit që paguhet me taksat e mia, ka ardhur të më arrestojë. Nuk kam bërë asnjë krim për të cilin ato po e bëjnë këtë veprim. Merrni masa për këtë marrëzi!.N.Neranxi”.
Deputeti i PD, Gerti Bogdani dhe disa deputetë të tjerë kanë shkuar në Komisariatin Nr.6 dhe kanë kërkuar lirimin e biznesmenit Neranxi. Bogdani deklaroi për mediat se arrestimi i biznesmenit është bërë për hakmarrje pse protestoi kundër rritjes së takasave nga Bashkia e Tiranës.

Neranxi në komisariat: Nuk ka urdhër ndalimi nga Prokuroria!

Biznesmeni Nikollaq Neranxi tha se është shoqëruar në mënyrë të paligjshme nga Policia e Tiranës. Në një reagim për mediat, kompania e tij thotë se: “Biznesmeni Nikollaq Neranxi shoqërohet në ambjentet e Komisariatit Nr. 6 në mënyrë të kundraligjshme, pa një urdhër ndalimi nga Prokuroria. Ai mbahet brenda këtyre ambjenteve për mbi 3 orë, duke iu mohuar edhe e drejta e mbrojtjes nga avokatët.
Forcat e policisë, kanë hyrë forcërisht në ambjentet e shoqërisë Neranxi gjatë organizimit të Panairit të Kulinarisë, në prani edhe të trupit diplomatik. Pretendimi për shoqërimin për më shumë lidhet me kundravajten penale “Kundërshtim i forcave të rendit”; kundravajtje kjo për të cilën nuk parashikohet ndalimi nga organet kompetente”.
Neranxi tha për mediat se, punonjësit e policisë i kishin ardhur rreth orës 12:00 të ditës, duke i deklaruar se do ta shoqëronin. Ai thotë se nuk e kuptonte se për çfarë ndalohej, duke shtuar se respektonte Policinë e Shtetit dhe se ishte i gatshëm t’u përgjigjej pyetjeve në komisariatin e policisë. “Kishin ardhur kompani nga Evropa për t’u treguar konsumatorëve shqiptarë dhe tregtarëve shqiptarë si shijohet dhe si gatuhet në Evropë. Nga ora 02:00 na vijnë një grup policësh ku më thonë: Zt. Neranxi do t’ju arrestojmë dhe do t’ju çojmë në Komisariatin Nr. 6.
Mirë, u thashë, po të paktën nga ora 06:00 të mbarojë aktiviteti. Jo-thanë-është me urdhër! Më erdhi keq, pasi ishte edhe ambasadorja e Kinës. Ajo mbeti e shokuar se si mund të arrestohet një biznesmen me emër që ka bërë markë në Shqipëri dhe për tepër, që unë jam përfaqësuesi i mbrojtjes së tregtarëve dhe tregtisë në Shqipëri. Të gjithë u shokuan, por unë s’kam pse shokohem! Unë do të dorëzohem”, deklaroi Neranxi për mediat.

R.POLISI

Denoncimi: Shullazi rrahu shefin e komisariatit të policisë

Qytetarët dixhitalë denoncojnë rrahjen nga Shullazi të shefit të komisariatit të policisë të zonës së tij, Arsen Sinomati dhe oficerëve e funksionarëve të tjerë të lartë të policisë dhe krijimin, me mbrojtjen dhe miratimin e Saje Qorrit, Edvin Shullazit dhe çunave të krimit në Tiranë, te “Shullazi City”, madje mund të thuhet edhe shtet brenda shtetit bandit të Edvin Shullazit.
Denoncimet janë publikuar dje nga ish kryeministri Berisha.
“Zoti Berisha përshëndetje, po ju shkruaj përsëri, përsa i përket rastit Shullazi, do të doja ta vendosnit pak në vëmendje se ky gangster para disa muajsh tek lagjia e tij Parku i Autobusave rrahu me shpulla shefin e komisariatit Arsen Sinomati sepse një patrullë policie kishte bërë një kontroll rutinë në lagjen e tij, Shullazi ka rrahur shumë e shumë efektivë dhe funksionarë policie”.
“Mbrëma z. Berisha, dua të ndaj me ju tmerrin e paimagjinuar, ankthin dhe frikën e paimagjinuar që banorët e lagjes tek ish-Parku i Autobusave, saktësisht tek bar kafe ‘Beku’. Vendi që çdo natë nga ora 5 e deri në orën 8 zbarkon si të ishte mafja më e fortë e botës ushtarët e Shullazit me super makina, duke shoqëruar të fortin e tyre që ja kishin vënë edhe pseudonimin Gjenerali. Unë kam parë dhe dëgjuar me veshët e mi se si policia zbrapsej për të ushtruar detyrën e saj në lirimin e rrugëve që bllokonin ushtarët 20-vjeçarë të gjithë me arsenal armësh nëpër makina të gjeneralit Shullazi. Nën fjalinë e tipit ‘o shefi ti si të duash bëj, por ne po ruajmë gjeneralin që është brenda në kafe’ policët qërroheshin nga sytë këmbët prej asaj zone. Nuk mund ta përshkruaj atë që për rreth një vit, kam parë e dëgjuar aty në atë lagje që fatkeqësisht banoja aty. Ju përsh”.
“Përshëndetje z. Sali Berisha. Duke parë që vetëm ju hapni gojën për padrejtësitë që bëjnë rilindja ndaj popullit, po denoncoj një tjetër fytyrë të krimit në Tiranë. Atëherë dje isha tek motra ime që jeton në rrugicën mbrapa Komisariatit nr. 2. Dhe ç’të shoh, në lagjen e Shullazit zotëria kriminel, sepse janë bërë zotërinj tashmë, kontrollon lagjen me kamera të vendosura kudo, në total 12. Mos vallë dhe Sajme Qorrit ja ka sugjeruar për sigurinë e vet. Ditën e mirë dhe shpresoj ta bëni publike. Kamerat janë kudo të vendosura në shtylla e cepa pallatesh”.

Faleminderit Mark

Çim PEKA

Portalit SYRI.net, pas pak kohësh do të shënojë 1-vjetorin e themelimit dhe daljes në tregun mediatik elektronik. 1 vit më parë, ne që punojmë në këtë hapësirë të lirë ishim entuziast se do të mund të bënim diçka të mirë në lëmin e informacionit virtual. Ishim të vetëdijshëm se tregu tashmë nuk është aspak i lehtë për të penetruar, dhe se disa piketa të rëndësishme ishin vendosur shumë përpara se ne të bëheshim pjesë e këtij standardi të informimit.
Por ajo që ndodhi ishte realisht në kufijtë e të paimagjinueshmes.
Edhe në pritshmëritë tona më optimiste, ne nuk do ta besonim kurrë atë SYRI.net arriti në 6 muajt e parë, ndërsa sot pas 1 viti jemi akoma duke kuptuar se ç’farë kemi bërë që 800 mijë shqiptarë zgjedhin çdo ditë të informohen në portalin tonë. Kjo nuk na ka bërë aspak të ulim ritmin e misionit që i kemi vënë vetes, atë që çdo informacion, e përsërisim çdo informacion që ka vlerë për publikun shqiptar, ne e publikojmë në portalin tonë. Sqarim, çdo informacion që ka rëndësi për publikun, plus edhe ato që kanë shumë rëndësi për politikën që të mos dalin.
Dhe ndoshta ne këtu e kemi tepruar pak. Ose më saktë ne kemi tepruar keq fare.
Aq keq, saqë në dy ditët e fundit, portali SYRI.net ra pre e një sulmi kibernetik që siç na e përshkruan gardianët e serverave tanë ishte një “intifadë” elektronike nga ato që vetëm Anonymous mund të bëjë. Ata që e njohin botën kibernetike e kanë idenë se për çfarë po flasim. Ne nuk jemi aq delirantë të besojmë se Anonymous që i ka shpallur luftë kibernetike ISIS-it, të sulmojë serverat tanë, por paralelizmi mëton të shpjegojë natyrën e sulmit që kemi patur. Neve nuk na shqetëson aspak sulmi kibernetik, sepse për fushën ku operojmë këto fenomene janë natyrale.
Por ajo që na ka bërë të mendojmë është se pse sulmi është ndërmarrë ndaj portalit SYRI.net pikërisht në 3 ditët e fundit?!…Pse pikërisht SYRI.net, portali pararojë i publikimit të informacionit që ka të bëjë pështjellimin e që ka përfshirë politikën shqiptare me arrestimin e Emiljano Shullazit dhe shokëve të tij, u sulmua me një virus 60 giga?!…
Në morinë e informacionit që kemi publikuar (dhe prisni se nuk keni parë ende asgjë), ne e kemi pak të vështirë të kuptojmë se ku e shkelëm (vijën e kuqe)? Kur nxorëm fakte sesi policia e Saimir Tahirit nuk pranonte të arrestonte Shullazin, apo tek fakti që informacionet e publikuara prej nesh faktojnë se “mandati” i Shullazit për të kërcënuar Mynyr Konin, buron nga Surreli?!…
Apo frika buron tek ajo që ne dimë se kë ka kërcënuar Shullazi përpara se të kërcënonte Mynyr Konin, përpara se ti vinte gjoba Çet Kastratit, pronarit të Pasccuccit dhe atij ndërtuesit tjetër?
Dhe ajo që dimë ne është ajo që Rama e di mirë, dhe ai e di mirë që edhe ne e dimë po aq mirë. SYRI.net i është në dijeni se të gjithë treguesit logjikë, politikë dhe elektronikë (siç na rezulton), na konfirmojnë se sulmi ndaj portalit SYRI.net është urdhëruar nga (zyra me kosh basketbolli) në Kryeministri. Në të njëjtën zyrë ku bujt nursëzi-kryeministër që po e kundërshtove e po i dole kundër, ai të trajton si diversant si ato të filmave të realizmit socialist dhe të godet anijen në det.
Gjithsesi, le ta sqarojmë këtë njëherë e mirë.
Ç’farë nuk të vret, të bën më të fortë!… Ne e lexuam qartë  mesazhin që erdhi përmes sulmit 3 ditor ndaj SYRI.net. Ne kuptuam se ne jemi në “Drejtimin e Duhur” po të doni që të flasin në gjuhën tuaj, në punën tonë. Ne e kuptuam se në një vit ne kemi arritur që të jemi media e identifikuar qartë si jo e kapur nga qeveria, përballë shumicës dërrmuese të mediave që e kanë pranuar këtë nënshtrim sidomos me dëshirë. Ne e kuptuam se çdo të thotë të mos jesh një media që ushqehesh me tendera dhe me udhëtime falas të sponsorizuara prej parasë publike. Ne e kuptuam se çfarë do të thotë të jesh një media që përballë kriminelit i del në krahë akademikëve, që përballë “Dekanit të Krimit” zgjedh Rektorin e Universitetit e që përballë çorbës së propagandës së mëkuar nga Endri Fuga, zgjedh të publikosh filozofinë e lirisë së Artan Fugës.
E duke qenë se në 1 vit ne arritëm të “fitojmë” me djersën e arsyes përmes informimit “mllefin e qeverisë”, e garantojmë atë dhe këdo tjetër që punon në dëm të interesit të shqiptarëve, se qëllimet tona kanë ndryshuar veç pak në misionin tonë.
Thënë kjo, 800 mijë klikimet ditore që kemi aktualisht, po punojmë fort, po fort aman që ato 1 milion vota për të cilat krenoheni se keni marrë ne një ditë të vetme në 23 qershor të 2013-ës, sëshpejti do t’ua kthejmë në 1 milion klikime-shpulla në ditë, çdo ditë e përditë, dhe e gjitha kjo nën shembullin e premtimit tuaj solemn: Prisni, prisni se vërtetë nuk keni “lexuar” ende asgjë!…

Mili-metër!

Arian GALDINI

Politika nuk është krim. Ndërsa krimi është politikë. Madje, nëse do t’i qëndrojmë asaj çka na ka thënë Hannah Arendt, të gjithë do biem në një mendje se dhuna është politikë me mjete të tjera. Dhe këtu lind edhe keqkuptimi i madh i qytetarëve që urrejnë politikën që nuk është krim, ngase deri më sot kanë parë krimin të ushtrohet si politikë. Madje më keq akoma.
Qytetarët kanë parë 50 vjet diktaturë komuniste, pra dhunë të qartë, të hapur, të pamëshirshme, të ushtruar si politikë. Si edhe kanë 25 vjet që shohin çdo ditë e më pak politikë, e ngahera në rritje ndjejnë dhunën të na mbizotërojë çdo sferë të ushtrimit politik dhe institucional. Dhuna dhe krimi janë ngado. Politika askund.
Dhunë verbale në Kuvend, dhunë verbale në foltoret e partive, dhunë verbale në emisionet televizive, dhunë vizuale me udhëheqës të fytyrës së vrerosur, ngrefosje kacagjelash që e kanë nisur politikën me pantallona teritali e sot qepin kostume sipas masës tek Brion, ngërdheshje e ulërima kryetarësh a ofiqarësh që kanë hyrë në politikë të palarë e sot lajnë miliardat në offshore të Panamasë a tjetërkund, Ministra të sotëm që dje ishin zyrtarucë a drejtorucë langaraqë, të cilët lëpinin prapanicat e “qepnin, falcifikonin” letrat e ish-Shefave, ndërsa sot përdorin të tjerë kaqola për letrat e tyre të plaçkitjes, deputetë që nuk flasin kurrë në Kuvend a ndokund, se dinë vetëm të bëjnë punë ‘trimash’ me administrim femrash në semaforë, drogë në qoshe rrugësh të Europës, apo palosje të tjerësh me thikë a kobure, kryetarë bashkish që dje ishin ilegalë se bënin punët e pista të krimit, ndërsa sot duhet të merren me hallet e qytetarëve, drejtorë që paguajnë para për t’u bërë drejtorë e që duhet të vazhdojnë të çojnë rregullisht kuotën sipas marrëveshjes tek udhëheqësi, që të vazhdojnë të mbeten drejtorë, trafikantë që bëhen ndërtues a pronarë dhe pijnë kafe, hanë dreka e darka e bëhen shokë me deputetë, Ministra e Kryetarë, derisa t’u vijë radha që të bëhen vetë deputetë dhe kanabis pa hesap, kanabis ngado.
Kemi arritur në atë pikë, kur ngado gjen e takon njerëz që kërkojnë investitorë për parcelën e tyre të kanabisit, sepse e kanë parapaguar lejen. Ka edhe raste, kur leja është marë për një numër të caktuar rrënjësh kanabisi dhe nëse tejkalohet numri, policia inatoset dhe vjen e ti pret të gjitha e të rras brenda. Nuk mund tua fusësh atyre që ta japin lejen dhe që kujdesen për respektimin e plotë të kësaj lejeje, sepse ata e dinë çdo kordinatë e punojnë me plan dhe veprojnë sipas kordinatave. Flitet se ka raste që ngatërrojnë kordinatat.
Kur ndodh kjo, shkarkohen menjëherë nga Policia. Nuk duhet kurrë të hyjnë në Parcelën e gabuar. Dhe beton e kullëzim ngado. Beton e kulla mbi Parkun e Liqenit, beton e kullë edhe mbi shpinën e Stadiumit Kombëtar. Kemi një qeveri që nëpërmjet 3 P (Partneriteti – Privat – Publik) heq qafe nga çdo gjë Shtetin, por nuk largon prej askund Partinë. Partia është mbi gjithçka. Partia është betoni i pushtetit dhe kulla e arbitraritetit. Sidomos kjo bëhet edhe më domethënëse, nëse Partia është ndërkohë e privatizuar. Sepse kush ka Partinë, ka Shtetin, e kush ka Shtetin edhe mund ta privatizojë atë me 3 P.
Këto 3 P të famshme nga Partneritet – Privat – Publik janë bërë as më shumë e as më pak, veçse Pakicat Plaçkitëse Politike. Për t’i vënë vulën gjithçkaje, asgjësohen zgjedhjet. Partia privatizohet me Referendum. Ndërsa zgjedhjet asgjësohen me shumë para dhe shumë dhunë. Fuqia e parasë dhe e të fortëve, rrëzon e mposht çdo qytetar, çdo komunitet, çdo mundësi, çdo garë, çdo ide, çdo alternative, risi apo nismë. Me Kod Zgjedhor legjitimon pabarazinë e votës, me ushtrinë e komisionerëve dhe numëruesve që janë bërë si hordhi barbarësh shkelmon çdo vullnet e shprehje qytetare duke tjetërsuar, manipuluar, vjedhur votat bashkë me kuti e materiale zgjedhore, me para e dhunë fut nën zgjedhë radhët e qytetarëve që paraqiten në qendrat e votimit, e me media dhe spektaklet marramendëse dhe tejet të kushtueshme të fushatave zgjedhore krijon atmosferën e gjithëfuqisë. Pak a shumë, kjo është panorama antigarë e antiqytetar që ka ndërtuar me ngul e zulm të madh në këto 25 vite, ajo që ne e quajmë Politika shqiptare. Por kujdes.
Kjo nuk është Politika. Sepse sikurse edhe e shohim këto ditë, Politikën nga Krimi e ndan një Emiljano Shullaz. Është dallim mili-metrik, por thelbësor ama. Sepse Mili (kështu e thërrasin shkurt Emiljano Shullazin) si shok dhe partner me Deputetë, Ministra, Policë, Kryeministra, bën Politikë, është politikë me mjete të tjera. Ne derisot, këtë politikë kemi parë. Në këto 25 vite, çdo ditë, javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh, qeveri pas qeverie, parti pas partie, deputet pas deputeti, kemi parë e kemi lejuar këtë marshim mili-metrik e të pavëreshëm në nisje, të krimit që bën e bëhet politikë, i cili ka mbërritur tashmë në krye të vendit.
Ky është një fakt kaq ulëritës, kaq i dukshëm, kaq i rëndë, sa edhe Mili vetë nuk e përgënjeshtron dot më. Mund të ndodhë që Mili të pendohet, mund të ndodhë që edhe të mos pendohet. Pyetja që më lind është e thjeshtë: A e di Kryeministri ynë që është vetëm mili-metra larg Shullazit? Nuk e kam fjalën ligjërisht, sepse Ligji dhe Kryeministri ynë janë të papërputhshëm. Kështu kanë qenë ngahera. Edhe Mehmet Shehu u vetëvra sepse ligji nuk e ndëshkonte dot. Po flas për afërsinë e asaj që përfaqëson Shullazi si krimenel që punon për politikën dhe Kryeministrit si politikan që përdor për politikë dhe punon kaq afër me krimin. Në qoftë se Kryeministri e ka ndërgjegjësimin për këtë dallim mili-metrik, atëherë, Kryeministri pa Milin, edhe mund të fillojë të bëjë politikë. Politikë ama. Sepse Politika nuk është krim.
Ndërsa Kryeministri me Milin, do të vazhdojnë të mbeten ajo politika me mjete të tjera. Shqiptarët meritojnë të njohin politikën si jo krim. Ky është detyrim madhor i çdo intelektuali, çdo universitari, akademiku, studenti, zëri publik, i çdo aktivisti e politikani në këtë vend. Nëse në dhjetorin ’90, kërkuam Pluralizmin politik, sot kemi domosdoshmëri të kërkojmë politikë. Ta kërkojmë e fitojmë politikën si jokrim.

Institucioni Berisha përballë krimit

Ferdinand VELIU

Institucioni Berisha foli përsëri. Këtë radhë jo duke denoncuar, por duke ju kujtuar qytetarëve se sa në rrezik janë nga krimi i veshur me pushtet. Një valë histerizmi pushtoi pushtetarë dhe kriminelë, të paditur dhe ordinerë. Përse? Kjo është shumë e thjeshtë, në këtë gjendje dëshpëruese që ndodhen shqiptarët, zemërimi merr përmasat e një hakmarrjeje antiqeveritare dhe pushteti i krimit e di shumë mirë se kjo ka një kosto katastrofike për ta, populli i rebeluar do kërkojë drejtësi atë të cilën në këto tre vjet pushtet e vranë sistematikisht Edi Rama dhe banda e tij.
Revanshi dhe makutëria e klikës që vetquhet “Rilindje” është i frikshëm pas grabitjes dhe shpërdorimit të çdo pasurie kombëtare janë hedhur në sulm, duke kërkuar të përvetësojnë të gjitha pushtetet dhe çuditërisht gjithmonë përdorin të njëjtën formë…hedhin në veprim bandat. Arturo Ui Kryeministër bën të paditurin, të habiturin, sepse jashtë gjithë kësaj game të frikshme një institucion që quhet Sali Berisha i bëhet barrikadë duke e denoncuar me fakte se ai është koka e meduzës, frymëzuesi dhe inisiatori që ju siguron mbrojtje dhe financim banditëve në këmbim të favoreve politike, kërcënuese, shantazhuese, ndaj opozitës, ndaj elitës intelektuale ndaj biznesit, ndaj qytetarëve të thjeshtë.
Arturo Ui Kryeministër ka zgjedhur metodën më të keqe për të siguruar mbijetesën në pushtet, pas dështimit në çdo aspekt të pseudoreformave të tij që çuan në rritje të frikshme të varfërisë, papunësisë, krimit, çmimeve, taksave ai vërtet është në hall, përballë i rreshtuar me qytetarët dhe opozitën ka dalë fuqishëm institucioni Sali Berisha një prej personaliteteve më të dashur të pjesës më të gjallë të kombit. Beteja ka nisur midis dy forcave ose më saktë midis së mirës dhe së keqes. Pushteti i Krimit me Arturo Ui në në krye është pozicionuar haptazi atje ku është.
Notat e dhëmbjes që lëshon sa herë që institucioni Berisha i denoncon i ka bërë ta humbasin toruan, duke u shfaqur para qytetarëve ashtu siç janë në të vërtetë, egoistë, të pamëshirshëm, hakmarrës. Nëse ky Arturo Ui Kryeministër nuk do të ishte produkt i bandave, të cilat investuan fuqishëm për të në zgjedhjet e 2013, ai sot do të ishte një anëtar në institucionin Berisha, mbase mund të ngrinte edhe vetë një të tillë, por jo për individë me prejardhje biologjike si e tij është plotësisht e pamundur, kriminaliteti dhe urrejtja ndaj qytetarëve dhe ligjit janë ADN ja me të cilën është formuar karakteri i tij.
Sot në Shqipëri po çmontohet me shpejtësi çdo formë demokratike e të qeverisurit. Banda kriminelësh po grabisin dhe po dhunojnë çdo të drejtë kushtetuese, duke pasur mbrojtjen e Krye bandës, një rrezik që po e kthen këtë vend në një xhungël. Të përkëdhelurit e qeverisë vrasin, kërcënojnë, bëjnë demonstrime force me armë të kalibrave të ndryshëm, duke drejtuar si manekinë pushtetet në nivele të para të dyta e deri tek qytetari i thjeshtë. Përballë kësaj çmendurie, Berisha me të drejtë i ka shpallur luftë duke marrë përsipër të jetë avokati që duan shqiptarët, duke mbrojtur me fanatizëm vlera dhe kontribute intelektuale, të cilat janë pasuri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Institucioni Berisha ndodhet tashmë përballë krimit, kalorësi i ligjit dhe së drejtës duket i vendosur dhe i sigurtë se shqiptarët do ta fitojnë betejën me mafian.