19.5 C
Tirana
E enjte, 3 Korrik, 2025

Koalicioni Euroatlantik kallëzim në SPAK për blerje votash në Fier/ Zyrtari i PS kapet në kamera duke dhënë para për vota

Kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Fation Pollozhani, ka depozituar ditën e sotme një kallëzim penal në SPAK ndaj Roland Ziut, për blerje votash në zonën e Rapëzit, Fier.

Sipas kallëzimit, ngjarja është dokumentuar me pamje filmike dhe fotografi, ku shtetasi Mario Velçani shfaqet duke marrë para nga Roland Ziu, aktualisht Drejtor i Spitalit Rajonal të Lushnjes dhe njëkohësisht Kryetar i PS në këtë qytet.

Materialet janë vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme për hetim të menjëhershëm.

Dibra me pjesëmarrjen rekord në votim, 50 %! Ja qarku më pak i interesuar, me 30.24 %

Qarku i Dibrës ka pjesëmarrjen rekord për zgjedhjet e sotme (11 maj), ku të gjithë qytetarët i janë drejtuar qendrave të votimit prej orës 7 të mëngjesit.

 

Sipas të dhënave të përpunuara nga KQZ, në qarkun Dibër kanë votuar 50  përqind. Ndërkohë në zgjedhjet e 2021, qarku i Dibres kishte nje pjesemarrje prej 53.44 %.

Screenshot_1

Ndërsa qarku me më pak interes për të dalë në votim është Vlora, 30.24 % përqind. Ndërsa në zgjedhjet e 2021, Vlora ka pasur nje pjesemarrje prej 31.67 %.

Screenshot_2

Ndërkohë në rang kombëtar deri në orën 16:00 kanë votuar në total 42 %.

Denoncimi i Marinela Ziut: Në qendrën e votimit 3746/1 në Voskopojë të gjithë votuesit konsiderohen sikur nuk shikojnë për të votuar me patronazhistë

Kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik, Marinela Ziu, ka denoncuar se në qendrën e votimit 3746/1 në Voskopojë, të gjithë votuesit po konsiderohen si persona që nuk shikojnë, duke lejuar në këtë mënyrë votimin patronazhist dhe votimin familjar.

Ziu shprehet se kjo vërtetohet edhe nga pamjet filmike të kamerave në qendrën e votimit.

Ajo gjithashtu i bën thirrje SPAK procedojë penalisht shtetasin Genci Bardhi punonjës i njësisë bashkiake dhe Kostas Guri, ish-kryetar i njësisë administrative Voskopojë për këtë situatë.

Denoncimi i plotë i Marinela Ziu:

Nga informacionet e sigurta të vëzhguesve të Koalicionit Euroatlantik, në qendrën e votimit 3746/1 këtu në Voskopojë, kemi info të sigurt që vërtetohet nga pamjet filmike, nga pamjet e kamerave të qendrës së votimit se të gjithë votuesit po konsiderohen si persona që nuk shikojnë, duke lejuar në këtë mënyrë votimin patronazhist dhe votimin familjar. Konkretisht i bëjmë thirrje SPAK që të marrë pamjet filmike të kësaj qendre votimi dhe të procedojë penalisht shtetasin Genci Bardhi punonjës i Njësisë bashkiake, që sipas informacioneve që ne kemi askush nuk e ka parë të shkojë një ditë në punë dhe një tjetër patronazhist që quhet Kostas Guri, ish-kryetar i njësisë bashkiake Voskopojë. Koalicioni Euroatlantik është i vendosur në këto zgjedhje për të lejuar çdo qytetar për të votuar në mënyrë të lirë dhe të ndershme. Dhe do të bëjmë gjithçka për të denoncuar çdo shkelje në SPAK dhe çdo organ tjetër kopetent për të lejuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nuk ka rezultat! Vijon kriza politike në Kosovë, dështon për herë të 14-të ta konstituojnë Kuvendin

Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar sërish – në përpjekjen e tyre të katërmbëdhjetë– ta konstituojnë Kuvendin e ri.

Dështimi më i fundit ndodhi të dielën, kur kanë kaluar tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe të dielën kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të martën në mëngjes.

Në seancën e së dielës u pa edhe një mungesë më e theksuar e deputetëve, pasi të pranishëm ishin vetëm 92 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.

Asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.

Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces.

Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Kushtetuta i jep të drejtë partisë fituese të propozojë kandidatin për kryeparlamentar dhe një ditë para seancës të dielën, kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, e përsëriti se partia nuk e ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër pos Haxhiut, duke thënë se është detyrë e të gjitha partive parlamentare ta konstituojnë Kuvendin.

Haxhiu dështoi në gjashtë seanca t’i merrte më shumë se 57 vota dhe pas kësaj, në seancat pasuese, kryesuesi i seancës – që vjen nga Vetëvendosje – ka propozuar vazhdimisht formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Por, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, NISMA dhe Lista Serbe nuk po marrin pjesë në votim, duke e bërë të pamundur formimin e komisionit.

Pavarësisht disa lëvizjeve së voni për ta zhbllokuar ngërçin, nuk ka asnjë marrëveshje mes partive parlamentare.

LDK-ja, e cila doli e treta duke i fituar 20 ulëse, e ka hedhur poshtë ofertën e Vetëvendosjes për koalicion qeverisës.

Në vend të kësaj, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një qeverie kalimtare mes partive parlamentare deri në emërimin e presidentit të vendit, pra në prillin e vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.

Derisa Vetëvendosje e ka kundërshtuar menjëherë idenë e një qeveri të tillë, partitë e tjera parlamentare kanë shprehur vullnet për të biseduar.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, tha për Radion Evropa e Lirë se kriza aktuale dhe paraliza politike e krijuar në Kosovë duhet të shërbejë si një nxitje për të rimenduar dhe rindërtuar kulturën politike.

Ai theksoi se ky është një test i pjekurisë së Kosovës si shtet, dhe i aftësisë për ndërrim të qeverive dhe pushteteve pa ndërhyrje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Është paradoksale që partitë aktuale kanë kërkuar pavarësimin e Kosovës nga mbikëqyrja ndërkombëtare, por tani po e kanë të vështirë ta bëjnë atë funksionale dhe të vetëqëndrueshme”, tha Visoka.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndihmuar në daljen nga ngërçi politik.

Këshilltari i saj, Bekim Kupina, tha të enjten se kabineti presidencial do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për një takim me udhëheqësit e subjekteve politike.

Donika Gërvalla, deputete e Vetëvendosjes dhe ministre e Jashtme në detyrë, nuk tregoi qartë nëse do t’i përgjigjeshin ftesës së presidentes, duke thënë se “duhet ta marrim ftesën dhe të shohim se çfarë përmban ajo dhe për çfarë na thërret ajo”.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se janë të hapura për të marrë pjesë në një takim me presidenten.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./REL

Papa Leon XIV bën thirrje për paqe në Gazë dhe Ukrainë: Jo më luftë!

Papa Leoni XIV ka bërë thirrje të dielën për paqe të drejtë dhe mirëfilltë në Ukrainë, si dhe për armëpushim të menjëhershëm në Gazë, në mesazhin e tij të parë të së dielës për njerëzit e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

 

“Edhe unë u drejtohem fuqive të mëdha të botës për ta përsëritur thirrjen: ‘Jo më luftë’”, tha Leoni XIV para rreth 100.000 njerëzve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit.

Duke folur në italishte të rrjedhshme, Leoni XIV – i cili u zgjodh papë më 8 maj – përshëndeti gjithashtu armëpushimin e brishtë të arritur së fundmi mes Indisë dhe Pakistanit, dhe tha se po lutej që Zoti t’i dhurojë botës “mrekullinë e paqes”.

“Jo më luftë!” – tha papa, duke përsëritur një thirrje të shpeshtë të Papa Françeskut të ndjerë dhe duke përmendur 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në të cilën u vranë rreth 60 milionë njerëz.

Papa Leoni tha se bota sot po përjeton “skenarin dramatik të një Lufte të Tretë Botërore që po zhvillohet pjesë-pjesë”, duke përsëritur sërish një shprehje të përdorur nga Françesku.

Mijëra njerëzit e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit dhe përgjatë rrugës “Via della Conciliazione” që të çon në Vatikan, shpërthyen në duartrokitje kur Papa Leoni bëri thirrje për paqe.

Papa i ri tha se në zemrën e tij mban “vuajtjet e popullit të dashur të Ukrainës”.

Disa orë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, propozoi bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme trivjeçare, Leoni bëri lutje për bisedime që do të sillnin “paqe të mirëfilltë, të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Papa tha gjithashtu se është “thellësisht i trishtuar” nga lufta në Gazë, duke kërkuar armëpushim të menjëhershëm, ndihmë humanitare dhe lirimin e pengjeve të mbetura.

Ai shtoi: “Por ka kaq shumë konflikte të tjera në botë!”

Leoni, ish-kardinali me emrin Robert Prevost, u bë papa i parë amerikan kur u zgjodh më 8 maj për ta pasuar Françeskun, i cili vdiq më 21 prill./rel

Pjesëmarrja në zgjedhje/ Kryesojnë Tirana dhe Dibra, Vlora mbetet e fundit

Sipas të dhënave të KQZ-së, Tirana mban vendin e parë për nga numri i votuesve dhe përqindja më e lartë të pjesëmarrjes, me 163,292 zgjedhës që kanë ushtruar të drejtën e votës, që përbën 33.93% të votuesve të regjistruar në këtë qark.

Pas Tiranës, renditet Dibra me një pjesëmarrje 33.85%, ndonëse me një numër më të vogël votuesish 17,489.

Në krahun tjetër, Vlora mbetet qarku me pjesëmarrjen më të ulët në vend, ku vetëm 31,512 zgjedhës kanë votuar, duke përfaqësuar 21.10% të trupës elektorale të këtij qarku.

Pjesëmarrja në qarqet e tjera është si më poshtë:

BERAT: 22,012 votues ose 28.34%

DURRËS: 71,770 votues ose 27.37%

ELBASAN: 47,099 votues ose 30.81%

GJIROKASTËR: 17,144 votues ose 28.53%

KORÇË: 53,154 votues ose 29.29%

KUKËS: 10,530 votues ose 31.82%

LEZHË: 19,609 votues ose 30.31%

SHKODËR: 39,215 votues ose 25.94%

Pjesëmarrja totale në rang vendi deri tani është 29.74%, me një rritje të ndjeshme krahasuar me përqindjen e mëhershme prej 22.37% të regjistruar në mesditë.

Florenc Çapja kërkoi të ushtrojë të drejtën e votës, Gjykata e Tiranës e rrëzon

Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Ina Hoxhaj, duke qenë se ka dënim të përjetshëm.

Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë paraqitur 159 kërkesa me objekt “lejim votimi”, nga të cilat 137 janë të pranuara.

Të gatshëm për të pritur këto kërkesa kanë qenë gjithë gjyqtarët e Dhomës Civile të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me përjashtim të gjyqtarëve me raport mjekësor dhe atyre që janë me leje të miratuar paraprakisht nga Kryetari.

Zgjedhjet 2025/ Nën drejtimin e SPAK dhe BKH-së, Task-Froca monitoron procesin e votimit në qarkun e Korçës

Procesi zgjedhor ne qarkun e Korçës po monitorohet në vazhdimësi nga Task-Forca e ngritur pranë Prokurorisë së Korçës.

Nën drejtimin e prokurorit të SPAK, Vladimir Mara, prokurorët e Prokurorisë së Korçës ,agjentë të BKH dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut, po ndjekin nga afër procesin zgjedhor.

Task- Forca është në pritje dhe gatishmëri të plotë ,për të hetuar çdo denoncim që do të vijë në lidhje me procesin zgjedhor, duke garantuar ndjekje të kujdesshme dhe të paanshme të çdo denoncimi.

Rikuperim me buzëqeshje, Ernest Muçi gati për Kombëtaren

Pas një dëmtimi muskulor që e mbaj ti jashtë fushave për rreth një muaj, sulmuesi shqiptar i Beshiktashit, Ernest Muçi, është pranë rikthimit në fushë. Futbollisti 23-vjeçar po përgatitet intensivisht në stërvitje, ndërsa rikthimi i tij është planifikuar për dy javët e fundit të kampionatit turk.

 

Megjithatë, ekziston një dilemë mes stafit teknike dhe mjekësor, nëse ai duhet të aktivizohet menjëherë apo të ruhet për ndeshjet e muajit qershor me Kombëtaren shqiptare, duke qenë se Beshiktashi nuk lufton për ndonjë trofe madhor, madje edhe nga Kupa e Turqisë është eliminuar.

Me një ftesë ende në pritje nga trajneri Silvinjo, forma fizike dhe gjendja shëndetësore e Muçit mund të jenë vendimtare për përfshirjen e tij në grumbullimin e kuqezinjve për ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Megjithatë, ai ka qenë pjesë e rregullt e grumbullimeve të Kombëtares, edhe pse nuk është preferuar shpesh nga trajneri Silvinjo.

LOJËRAT ME RASHICËN

Ndërkohë që rikuperimi po shkon drejt fundit, Muçi ka shfrytëzuar kohën e lirë për të marrë pjesë në disa aktivitete argëtuese të organizuara nga klubi i Beshiktashit. Ai është parë bashkë me shokun e skuadrës, Milot Rashica, duke marrë pjesë në lojëra me shigjeta, një sfidë miqësore për të testuar saktësinë dhe për të shkëputur mendjen nga presioni i rikuperimit. Atmosfera pozitive në grup dhe mbështetja e bashkëlojtarëve kanë qenë elementë kyç në rikthimin gradual të Muçit.

Në një tjetër moment të publikuar nga klubi, ai shihet në sallën e brendshme së bashku me grupin, duke shijuar bashkëpunimin dhe shpirtin e ekipit. Tashmë, vëmendja është te vendimi i stafit për aktivizimin ose ruajtjen e tij, ndërsa vetë lojtari mbetet i fokusuar dhe pozitiv, me sytë nga rikthimi si në fushë, ashtu edhe në fanellën kuqezi. Në ditët e fundit, Muçi ka marrë vesh edhe një lajm tjetër shumë të mirë. Partnerja e tij ka zbuluar se pret një fëmijë me lojtarin e Kombëtares që do të bëhet baba për herë të parë dhe, e veçanta, në moshën 23-vjeçare.

Orjola Pampuri apel qyetarëve: Votoni të lirë, askush nuk e kontrollon votën tuaj!

Në ditën e zgjedhjeve, kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik, Orjola Pampuri, ka përcjellë një mesazh të qartë dhe frymëzues për qytetarët shqiptarë.

Përmes rrjeteve sociale, ajo ka theksuar rëndësinë e votës së lirë si mjeti më i fuqishëm për të ndikuar në të ardhmen e vendit dhe të brezave që vijnë, duke i ftuar të gjithë të zgjedhin me ndërgjegje dhe guxim.

Mesazhi:

Ne votuam
Vota juaj vendos te ardhmen e brezave te ardhshem. Me voten tuaj mund te beni ndryshimin.
Voten tuaj nuk ua sheh e nuk ua kontrollon njeri, votoni te lire, shprehni vullnetin tuaj, beni me te miren sot, qe e nesermja te jete me e mire.