15.3 C
Tirana
E hënë, 12 Maj, 2025

Mbifaturimet, Prokuroria nis hetimet ndaj UKT-së

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me skandalin e mbifaturimeve në Ujësjellësin e Tiranës. “Ndërhyrje e paligjshme në rrjetet kompjuterike” dhe “shpërdorim detyre” janë veprat penale për të cilat Prokuroria, pas verifikimit vetëm disaditor, ka vendosur të regjistrojë procedim penal. Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se hetimi ka nisur mbi bazën e materialit referues të për disa raste mbifaturimesh muajt e fundit.

Burimet e Prokurorisë thanë se, “pas konstatimit se objekti i kallëzimit dhe ai i materialeve të tjera referuese ishte i njëjtë, është vendosur bashkimi i të gjitha shkresave në një procedim penal”. Pas kësaj faze të ezauruar tashmë nga Prokuroria, grupi i hetimit ka nisur veprimet me qëllim zbardhjen e mekanizmit të anomalisë së ndodhur me sistemin informatik të Ujësjellësit të Tiranës.

Vetëm në muajin janar të gjitha familjeve dhe bizneseve u kanë ardhur faturat 10 herë më të larta se sa kanë harxhuar ujë. Qytetarët kërkojnë që të shikohen sahatet e ujit dhe të korrigjohen faturat, por askush nuk u jep zgjidhje.

Bashkia Kamëz: Ja projektet për vitin 2016 për Paskuqanin

Përmirësimi i infrastrukturës urbane të Paskuqanit është një ndër përparësitë e Bashkisë Kamëz për vitin 2016. Duke qenë buxheti i parë që përfshin këtë zonë, Bashkia ka përqendruar vëmendjen në urbanizimin e mëtejshëm të saj. Kështu, dhjetëra investime do të financohen nga buxheti i këtij viti, projekte me cilësi bashkëkohore dhe me ndikim të gjerë social. Realizimi i tyre do të rrisë dukshëm cilësinë e jetesës së qytetarëve të Paskuqanit, për vetë faktin se, projektet e hartuara kanë të bëjnë me fusha jetike, si: infrastruktura rrugore, e kanalizimeve, arsimore etj.

Në Paskuqan projektet të cilat janë parashikuar të financohen nga buxheti i Bashkisë Kamëz për vitin 2016 janë ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në rrugën “Ibrahim Xhelo” në lagjen Paskuqan 2, ndërtimi i rrjetit të KUN në rrugën “Ibrahim Rugova” në Paskuqan 1, rikualifikim urban i bllokut Babrru-Qendër, rehabilitimi i rrugës “Demokracia”, ndërtimi i rrugës Paskuqan 2 – Vresht (vazhdim loti III) si dhe kanalizimet e ujërave të bardha në lagjen Paskuqan 2, rikonstruksioni dhe riparime te shkolla fillore dhe kopshti “Vëllazërimi” në Babrru, riparime, KUB dhe KUN te shkolla 9-vjeçare “Jashar Hoxha” në lagjen Paskuqan 2, riparime, kanalizime të ujërave të bardha, si dhe rrugicë betoni te shkolla 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri” në Babrru, riparime dhe KUB te shkolla 9-vjeçare “Tahir Sinani” në Kodër të Kuqe, rrethimi i varrezave të vjetra publike në Babrru-Kodër, riparim shtresash te ura në Fushë-Kërçik, si dhe rruga para shkollës “Vëllazërimi”, rehabilitimi i lumit të Tiranës, lirimi i hapësirave publike etj.

Këto investime janë pjesë e rëndësishme e vlerësimit që Bashkia ka marrë në tërësinë e saj për të vazhduar me përpjekje zbatimin e politikave përmirësuese të jetës së qytetarëve. Kjo nuk lë pa përfshirë edhe mbështetjen për projekte të tjera zhvillimi si në fushën e gjelbërimit, në krijimin e ambienteve çlodhëse për fëmijët dhe moshat e ndryshme, kënde lojërash, ambiente argëtimi për të rinjtë e të rejat etj. Kjo është puna e sapofilluar që Bashkia Kamëz ka në vizionin e saj për ndryshimin e vazhdueshëm që po merr qyteti në kuadrin e zbatimit të reformës administrative-territoriale.