22.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Dosja me oficerë të inkriminuar prej një viti fle në zyrën e Tahirit

Presidenti Bujar Nishani deklaroi dje se, prej një viti në zyrën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka një dosje nga Shërbimi Informativ me emra konkretë të oficerëve të Policisë së Shtetit të lidhur me krimin. “Kryeministri i vendit ka përgjegjësinë të reagojë, të merrte disa vendime, të kthente besimin opozitës politike, që qeveria ka mundësi për të goditur fort përmes këtyre vendimeve institucionale, dhe i takon që ta marrë situatën në dorë, për të kthyer besimin te ajo pjesë e popullsisë, që iu është tronditur besimi. Jua sugjeroj që të ndërmarrë disa hapa dhe vendime institucioanle për të rikthyer këtë besim. Së dyti, duke larguar nga institucionet, nga Policia dhe Prokuroria të gjithë ata që janë të lidhur me krimin. Ka në zyrën e ministrit të Brendshëm një informacion të SHISH prej më shumë se një viti me emra konkretë të oficerëve të policisë të lidhur me veprimtari kriminale, informacion që fle në sirtarët e Ministrisë së Brendshme”, theksoi Presidenti Nishani, në një intervistë në emisionin “Të Pa Ekspozuarit”.
Presidenti deklaroi se i kishte kërkuar informacion Bashkisë së Tiranës për Bunkerin tek Ministria e Brendshme, por kërkesa e tij është injoruar totalisht. “Me Bashkinë ka qenë mjaft i qartë komunikimi, për fat të keq ka pasur eksperiencë të mëparshme, përsëri për bunkerin te Ministria e Brendshme. I kërkova dokumentet Bashkisë së Tiranës, dhe është injoruar totalisht”, u shpreh Presidenti.
Presidenti iu përgjigj edhe pyetjes për vizitën pak ditë më parë tek Parku i Liqenit, ku doli në mbrojtje të protestuesve, duke bërë thirrje që qytetarët të mbrojnë parkun. “Është çështje që do të trajtohet gjatë jo vetëm në Shqipëri. Unë dua të solidarizohem ne ndjeshmërinë e të gjithë atyre që kanë kërkuar të jenë pjesë e vendimmarrjes. Kjo s’është kapriço e atyre individëve, por është detyrim i shtetit të zbatojë ligjin. Detyrimin e Republikës ndaj Konventës së Ahosit, që parashikon tre kolona: së pari, të drejtën për të pasur akses në mjedis, në vendimmarrjen për mjedisin, e drejta e qytetarëve në drejtësi për mjedisin. Dy kolonat janë injoruar, qytetarët s’kanë pasur akses në vendimmarrjen, kanë pasur akses vetëm në sistemin e drejtësisë. Së pari, i prita në zyrë dhe konstatova se zëri i tyre ishte mbërthyer në terr, askush s’po dëgjonte të trajtonte problemin e tyre, duke nisur nga Bashkia, nga qeveria dhe nga institucionet e tjera. Këta djem dhe vajza, që janë me mentalitet perëndimor, me sensibilitet qeveritar, trokitën në derën e Presidentit dhe kërkuan që nëpërmjet meje të sensibilizojnë mbarë opinionin, që ndodhesh përpara një breshëri fyerjesh”, u shpreh Presidenti Nishani.
Më tej Presidenti Nishani tha se, ishte një vandalizëm, ishte beton i paimagjinuar, hedhur nëntokë dhe mbitokë, disa qindra linear hekur të instaluar në parkun natyror të Tiranës, kishte një dëmtim të ambientit, të pemëve të gjithë gjelbërimit. Në situatën ku jetojmë, për fatin e keq gjatë dy dekadave, kemi një shkatërrim të Tiranës. Ishte i vetmi vend ndryshe, i cili për fat të keq një pjesë, u kthye në një vend ku çohet beton. “Atje kanë shkuar mbi 70 betoniere, kemi thënë zhavorr dhe fidanë… Jo vetëm që është derdhur, por është hedhur sikur do ndërtohen godina disa kate. Si mund të justifikohet me këndin e lojërave. Jam i bindur që fëmijët, që krahas këndit të lojërave, të kenë edhe park natyror”, u shpreh Presidenti.

R.POLISI

Policia nuk zbaton vendimin e Gjykatës për hotel “Vollgën”

Edhe pse ka një vendim Gjykate për vendosjen nën sekuestro të hotel “Vollgës” ku një nga aksionerët është Emiljano Shullazi, policia ende nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga vendimi i Gjykatës pas kërkesës së Prokurorisë për sekuestron e hotel “Vollgës”, Policia nuk ka kryer asnjë veprim dallues që tregon zbatimin vendimit të Gjykatës së Durrësit. Boldneës.al ka publikuar disa foto ku duket qartë se nuk është vendosur asnjë shirit për të rrethuar godinën, e cila është nën sekuestro.
Para dy ditësh, Prokuroria e Durrësit vendosi për sekuestrimin e ish-hotel “Vollga”, një pjesë e të cilit i është “dhuruar” Emiljano Shullazit, i arrestuar nën dyshimin për gjobvënie dhe disa vepra të tjera të rënda penale. Në argumentat e Prokurorisë, dorëzuar para Gjykatës, konstatohen shkeljet e renditura si më poshtë:
– Paligjshmëri në veprimet e kryera mbi ndryshimet e pronësisë, ku vihet re se, edhe me vendim Gjykate të formës së prerë të vitit 2014, është konstatuar fakti i falsitetit të dokumentit të vërtetimit hipotekor e shënimet e vendosura në hipotekë për pasurinë objekt kallëzimi. Po ashtu, me vendim Gjykate është pranuar edhe falsiteti i dokumentit të prokurës së bërë në Selanik për një shtetas që pretendon se është përfaqësues i trashëgimtares së ligjshme të pronës, Alie Fortuzi.
– Paligjshmëri në lëshimin e çertifikatave të pronësisë në vitin 2014, në kohën kur nga ana e Gjykatës së Lartë është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit të dhënë në favor kallëzuesit në vitin 2014;
– E në vazhdim me tjetërsimin e po kësaj prone në vitin 2014, veprime këto zinxhir që kanë patur për qëllim mbulimin e veprimeve të paligjshme të kryera për përfitimin e pasurisë, nëpërmjet veprimeve të tjetërsimit që gjithsesi shfaqin dyshime për paligjshmëri.
Pikërisht këto veprime krijojnë dyshime mbi veprime të kundraligjshme që konsistojnë në zhdukjen e origjinës së kësaj prone dhe vënien në dispozicion të saj të personave me precedent kriminal nëpërmjet “dhurimit” të dyshuar, e krijimin kështu të dyshimeve për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 287 i K.penal.

Si u falsifikua përvetësimi i ish-hotel “Vollgës” nga Shullazi

Blerja, përfitimi dhe dhurimi i ish-hotel “Vollgës” që nga pronarët e vërtetë, të kompania arabe dhe më pas aksionerët shqiptarë, mes tyre Emiljano Shullazi po hetohet nga Prokruoria për Krime të Rënda. Burimet pranë grupit hetimor, konfirmuan se Prokuroria ka sekuestruar të gjithë dosjen e ish-hotel “Vollgës” në Hipotekën e Durrësit dhe atë të Tiranës, për të verifikuar të gjitha veprimet e kryera për këtë pronë që nga viti 1994. Pasi dyshohet se kjo pronë, ka përfunduar në pronësi të familjes Kodra dhe Shullazi me anë të falsifikimit dhe kërcënimeve të vazhdueshme.
Burimet thonë se, autorizimi për shitjen e kësaj pronë në marsin e vitit 1994 që i kalon pronarëve dyshohet se është e falsifikuar. Po atë vit, në dhjetor pronarët i kanë shitur këtë pronë shtetasit arab Muhamed Abudulla Bawzeer. Që në atë kohë, dyshohet se veprimet hipotekore janë falsifikuar nga pronarët dhe personat që janë autorizuar për të kryer veprime. Pas kalimit të pronësisë, janë zhvilluar disa procese gjyqësore mes pronarëve të vërtetë dhe kompanisë arabe. Në vitin 2003, trashëgimtarët e familjes Fortuzi arrijnë të regjistrojnë pronën në emër të tyre. Po atë vit, shtetasi Zamir Hasa që tashmë ka kallzuar për vjedhjen e pronës së tij, ka regjistruar pronën në emër të tij me prokurë dhe autorizim të pjesëtarëve të familjes Fortuzi.
Në këtë kohë, kompania arabe hap përsëri një proces gjyqësor që në korrik të 2014 Gjykata e Lartë vendos të pezulloi regjistrimin e kësaj prone në emër të kompanisë arabe. Pavarësisht këtij vendimi, Gjykata e Durrësit me një vendim të çuditshëm hedh poshtë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe urdhëron regjistrimin e pronës në emër të kompanisë arabe. Ky vendim, dyshohet se është zbatuar nga drejtues të Hipotekës së Tiranë dhe Durrësit me anë të presionit dhe kërcënimeve.
Me regjistrimin e pronës, kompania arabe në nëntor të 2014 i shet pjesëtarëve të familjes Kodra 2/3 e sipërfaqes së kësaj prone me 670 mijë euro. Një muaj më pas, në dhjetor të 2014 përfaqësuesi i kompanisë arabe Ylvi Beqja dhe pjesëtarët e familjes Kodra në shenjë mirënjohje i dhurojnë 30% të sipërfaqes së ish-hotel “Vollgës” Emiljano Shullazit. Ky dhurim, dyshohet se është kryer pasi, Shullazi kishte arritur që me anë të presionit dhe kërcënimeve të regjistrojë pronën në emër të shoqërisë arabe dhe në shenjë shpërblimi i kanë dhënë 30% të sipërfaqes totale të ish-hotel “Vollgës”. Por ajo që bie në sy nga hetuesit, është fakti se nga verifikimi i dosjes së sekuestruar në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës rezulton se janë zhdukur materialet që tregojnë origjinën e kësaj prone, që është një nga pistat e tjera të hetimit të kësaj dosje.

Gjysma e bandës në qeli, gjysma në qeveri

Flamur NOKA

Arrestimi i Shullazit dhe njerëzve të tij kryesorë ka qenë kryelajmi i këtyre ditëve. Jo vetëm se krimi shet, siç thonë gazetarët, por sepse në këtë histori janë përfshirë njerëz të njohur, të pushtetshëm, nga nëpunësit e zyrave që ka pasur në shërbim banda e deri tek këta këtu, ministri i Brendshëm e Kryeministri. Arrestimi i Shullazit është një fillim i mbarë, por sërish mbetet një zhvillim i paplotë, është gjysma e mozaikut. Sepse në burg sot ndodhet vetëm gjysma e bandës. Gjysma tjetër e bandës, më e rrezikshmja është këtu zonja e zotërinj. Është në këtë sallë, është pas meje. A kam unë dëshirë të them se gjysma e bandës së Shullazit është ende e lirë, madje në pushtet? A mos ndjej unë apo çdokush këtu, kënaqësi ta njohim e ta shpallim këtë realitet dramatik? Që gjysma tjetër e bandës jo vetëm është ende në aktivitet, por dhe në pushtet madje. Gjysma tjetër e rrezikshme e kësaj bande, që është ky ministri i Brendshëm dhe kumbari i tij Kryeministër. Më besoni, asnjë lloj gëzimi nuk më jep ky denoncim. Një keqardhje madje të fortë, të pamasë, se ku ka përfunduar vendi im, keqardhje se kush i qeveris shqiptarët. Jo vetëm unë, që për shkak të detyrave të mëparshme dhe funksionit që kam sot, kam informacion të bollshëm, por çdo shqiptar tashmë e di se Saimir Tahiri ishte dhe është anëtar i bandës së Emiljano Shullazit. Madje një anëtar krenar i kësaj bande, aq krenar sa kurrë prej tre vitesh, në asnjë ditë të vetme ai nuk e mohoi këtë fakt. Nuk e mohoi se është kërthizëlidhur me Shullazin. A mund të pranojmë ne sot të kemi ministër të Brendshëm një anëtar të bandës së Shullazit? Kush është gati ta pranojë këtë fakt, ka humbur përfundimisht ndërgjegjen dhe integritetin njerëzor. Nëse gjysma e bandës është në qeli, nën akuza të rënda, më e pakta, gjysma tjetër duhet të largohet nga detyra e t’i hapë rrugën drejtësisë. A mund të pranojmë ne sot që Shullazi të jetë edhe në burg për gjobëvënie, kërcënim me jetë, zhvatje, vendosje eksplozivi e shumë të tjera dhe ai të jetë njëkohësisht edhe këtu në Parlament, edhe ministër i Brendshëm? Jo, kjo s’mund të ndodhë kurrë. Ik tani, ik menjëherë, fshihu ose dorëzohu është zgjedhja jote po ndiq deri në fund zgjedhjen që ke bërë si anëtar krenar i bandës së Shullazit, se ky vend, ky Parlament, shqiptarët, nuk të mbajnë më asnjë sekondë për ministër. Është turpi yt dhe i Edi Ramës që ndërkohë që ke zgjedhur të jesh shullazist, na vjen këtu dhe si ministër. Po nëse ti dhe ju s’e keni problem ta hani turpin me bukë ose me ndonjë lëndë tjetër të preferuar, ne nuk do t’ua lejojmë, ta harroni këtë. Qysh në fillim, unë e kam denoncuar këtu në këtë foltore, që ditën e parë kur je paraqitur si ministër i Brendshëm, se ky ishte një lajm i keq për vendin. I kemi njohur lidhjet e tua me krimin që në fushatë. Madje jam i sigurtë se ky ishte pakti i kumbarit Rama me krimin. Ata u përfshinë në zgjedhje, bënë maksimumin që ju të vini në pushtet, ndërkohë që Rama u premtoi Ministrinë e Brendshme. Dhe kështu ndodhi. E shpall sot këtu pa asnjë hezitim, se ky ishte i vetmi premtim që mbajti Edi Rama. Premtimi, për t’i dhënë krimit Ministrinë e Brendshme. Përmes kujt, përmes njeriut më të përshtatshëm, përmes Saimir Tahirit, një person me probleme jo të vogla të karakterit, një i parritur që donte të hidhte shtat me Shullazët e kompani. Lidhja e tyre ka qenë evidente përpara se të vinin në pushtet. Më pas u sanksionua, u kodifikua, u kthye në normë të biznesit kriminal. -Trafiku i drogës. Bandat e drogës, me Shullazin si kordinator të përgjithshëm, gjetën gjithë lehtësitë që kishin nevojë. Kanë 5 fishuar sot territorin. Po shpyllëzojnë kodra pa fund, për t’i mbjellë me kanabis. Në çdo cep të Shqipërisë. Raporti i Bashkimit Europian e konfirmoi e zeza mbi të bardhë. Shqipëria prodhuesi më i madh i drogës që trafikohet në Europë. U ngrit në funksion të drogës gjithë mekanizmi i duhur. Banda e Shullazit kontrollonte jo vetëm territorin, por dhe pikat kyçe në Policinë e Shtetit, në pikat kufitare, në dogana. Shërbimi i këtij shullazistit këtu ndaj trafikut e trafikantëve, shkoi deri tek dhënia e makinës personale, që u bë taksia më e madhe e drogës në vend. Por nuk mjaftoi droga. U rrit oreksi i bandës. Donin dhe para të shpejta e prona të shtrenjta. Shihni sa të lehtë e ka pasur Shullazi të tjetërsojë Vollgën, ta kthejë në emrin e tij. I papuni Shullaz, papritur bëhet pronari i truallit më të çmuar të qytetit e më tej i gjysmës së Durrësit. Pse? Kush ia siguroi këtë akses, kush ia siguroi këtë gatishmëri të zyrave të shtetit për të firmosur gjithçka ai kërkonte? Kush ia siguroi pushtetin që biznesmenë të panumërt të paguanin qindra mijë euro gjoba? Kush ia siguroi policët e Forcave Speciale që e shoqëronin për t’i ofruar siguri? Kush ia dha lehtësinë të kalojë në doganë pa e kontrolluar makinën e blinduar? Kush ia dha lehtësinë të përfshihet në përplasje të armatosur, e policia të pastrojë vendin e ngjarjes nga provat e ta shoqërojë atë me kujdes deri në banesë? Kush ia dha këtë status, këtë paprekshmëri, aq sa të dalë në mes të Tiranës e të caktojë dhe Rektorin e Universitetit? Mos ia dha ndonjë OJQ, ndonjë shoqatë veteranësh. Jo zotërinj, jo të nderuar qytetarë. Këtë status, këtë paprekshmëri ia dha Shullazit kjo qeveri, ky kryeministër, ky anëtar krenar i asaj bande që vjen edhe sot këtu si ministër i Brendshëm. Nuk ka asnjë dyshim se kjo goditje ndaj bandës erdhi nga jashtë, nga Prokuroria me mbështetjen direkte të partnerëve të çmuar ndërkombëtarë. Prokuroria është sot në një rol historik, për të bërë një kthesë të madhe në drejtësi. Ajo po vuan presionin e gjysmës tjetër të bandës që është në liri, që është këtu në këtë sallë. Por ka mbështetjen e mbarë qytetarëve të vendit, të miqve ndërkombëtarë, të shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të bërë një hetim të plotë. Për të nxjerrë në dritë të diellit mekanizmin, lidhjet, pushtetin e kësaj bande që u kthye në 3 vite në perandori të krimit. Vetëm një hetim i plotë, vetëm një zbardhje e plotë e lidhjeve kriminale të bandës, do të ishte drejtësi. Ky është rasti i artë, që drejtësia t’i shërbejë vendit. Jo vetëm duke dënuar një bandë, por duke pastruar politikën e institucionet nga rrënjët e shtrira të krimit e shullazëve në shumë zyra, institucione, e deri në majën e qeverisë. Ne e dimë mirë se, pengesa më e madhe në këtë hetim do të jetë qeveria. Edi Rama dhe Saimir Tahiri. Ky anëtari krenar i bandës do të përdorë çdo mjet për t’i shërbyer deri në fund shokëve. Ndaj kjo s’duhet lejuar. Ky është krim mbi krimet, dhe ne nuk do ta lejojmë. Hapi i parë, largimi i menjëhershëm i Tahirit nga zyra, nga detyra. Të bashkohet me gjysmën tjetër të bandës e ta dëshmojë besnikërinë e dashurinë ndaj saj atje, bashkë me ta, në qeli. Ik tani, mos e rrit edhe më shumë zullumin. Me siguri do të përfitosh lehtësi, nëse bashkëpunon me drejtësinë.

Rama i hapi krimit edhe portën e Universitetit

Luçiano BOÇI

Gara në universitete tashmë është mbyllur dhe urimi në këtë rast për të gjithë ata që ia kanë dalë me sukses është i natyrshëm sikurse mbetet i tillë për ata që patën kurajën të merrnin pjesë në këtë garë. E them këtë që patën kurajën, sepse në këto zgjedhje universitare sikurse të gjitha llojet e zgjedhjeve të bëra në Shqipëri në këto 3 vjet nuk ishin aspak të lehta dhe aspak normale. Këto zgjedhje u shkelën, u dhunuan, u tronditën pikërisht nga politika e veshur me krim dhe nga krimi i cili kërkoi të vishte edhe tunikën e fundit që i kishte mbetur pa futur në garderobën e tij, tunikën e akademikut. Republika e dijes në analogji me republikën e letrave siç mund ta quajmë republikën e universiteteve, u kërcënua nga republika e rrugës dhe iu kërkua të imponoheshin me zor pikërisht parimet e republikës së rrugës dhe paradoksi këtu është që iu kërkua që të imponoheshin këto parime të republikës së rrugës, pikërisht nga ajo që e ka për detyrë ta mbështesë, ta zhvillojë dijen, ta zhvillojë universitetin, pikërisht nga politika. Sigurisht, shumë kolegë këtu në këtë sallë, që tashmë e kanë shprehur këtë gjë, por edhe unë vetë do ta konsideroja disi naive një deklaratë timen sot, nëse nga kjo foltore do të thoja se ishte Rama vetë ai që e çoi Shullazin tek Profesor Koni, dhe aq më pak ishte Nikolla, por pavarësisht se e vërteta e kësaj deklarate është disi afër, megjithatë më lejoni të bëj një paralelizëm shumë të thjeshtë dhe paksa profesional timin. Kur Tolstoin, shkrimtarin e madh rus e pyetën me indinjatë duke e akuzuar se pse Ana Kareninën, personazhin e tij të dashur e çoi në rrotat e trenit, ai u mbrojt me akuzën, se Ana Karenina vajti vetë, unë thjesht e krijova, e mbështeta dhe e frymëzova personazhin tim. Edhe një herë ndjesë për krahasimin se s’mund të krahasohet Tolstoi me kryeministrin tonë pasi Tolstoi i ka letrarë personazhet e tij, dhe i krijon për të mbështetur dhe përhapur vlera njerëzore, ndërsa kryeministri i krijon personazhet e tij real për të grabitur vlera njerëzore. Dhe sigurisht edhe nëse unë do e pyesja kryeministrin, për personazhin e tij real ai do jepte të njëjtën përgjigje, jo ai ka ikur vetë, siç e ka lënë të nënkuptohet, por ama gjithsecili prej nesh në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle e di shumë mirë se ky personazh real është i krijuar nga ky kryeministër dhe është ky kryeministër që e mbështeti, e frymëzoi, dhe e bëri atë që të kapërcejë portën e rëndë të universitetit, duke dashur të mbjellë imponimin e politikës së kriminalizuar. Eshtë ky kryeministër, i cili republikën tonë e ka shndërruar në republikë të krimit dhe të rrugës, i cili republikën tonë e ka shndërruar në republikë bananesh, dhe jo republikë bananesh nga fakti që malli eksportohet, republikë bananesh nga ata që e drejtojnë këtë vend. Sepse nëse do të nisemi nga malli që eksportojmë, tragjikisht Shqipëria eksporton rininë e saj drejt Europës dhe tragjikisht, eksporton vetëm mendje. Ky kryeministër e ka shndërruar Shqipërinë në republikën ku jeta s’ka vlerë, ku universiteti s’ka vlerë, ku ekonomia nuk ka vlerë, biznesi nuk ka vlerë dhe vota nuk ka vlerë.

Tahiri i dërgoi Shullazin, Gjutajve për pajtim, tritolin e vendosi vetë

Të dhëna të reja u denoncuan dje në Parlament mbi bashkëpunimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Emiljano Shullazin, në lidhje me ngjarjen e vendosjes së eksplozivit pranë banesës së babait të Tahirit.
“Një ditë prej ditësh shqiptarët marrin vesh se “Bashkim kontrabandisti”, Bashkim Tahiri, i arrestuar për kontrabandë në flagrancë, dikush i vuri tritol tek farmacia e tij dhe dikush tjetër i dërgoi një kallëp tritoli në rrugën ngjit me shtëpinë, ndër ata të parët që e ka quajtur “akt terrorist” kam qenë edhe unë, e kam dënuar dhe pavarësisht se ai është një kontrabandist i mirëfilltë, por çdo akt terrorist e dënoj dhe do ta dënoj me ashpërsinë më të madhe. Kush i vendosi ato? Për tritolin tek farmacia e kontrabandistin u arrestuan 7 vetë, por vetëm një mendje idioti mund të thotë se 7 vetë u morën me vendosjen e një tritoli. Po të jenë 3 e marrin vesh 13, por të jenë 7 e marrin vesh 70, këtë nuk e hante kush. U arrestuan të gjithë Gjutajt, edhe Bruka, unë nuk njoh asnjë prej tyre dhe kërkoj ndjesë që detyrohem t’u përmend emrat këtu. U soll tjetri nga Suedia.
U bënë një seri arrestimesh. Ec procesi, ngec procesi. Thirri Prokuroria Bashkim kontrabandistin, tha se ata më janë vendosur për shkak të detyrës së djalit tim. U arrestuan 7 vetë, por çfarë ndodhi? Një ditë prej ditësh Prokuroria i liroi të gjithë ata ndërkohë zotëria hapte fjalën se një nga Gjutajt ka tradhtuar Gjutajt e tjetër dhe se ka dëshmuar kundra tyre. Mirëpo ata, nga i pari tek i fundit dolën jashtë. Pse dolën jashtë? Ja ku e kam dokumentin: “Përshëndetje zoti Berisha. Jam një oficer policie që ka marrë pjesë në hetimin e atentatit të vendosjes së tritoleve kundër të atit të ministrit të Brendshëm. Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, unë, së bashku me një kolegun tim arritëm në konkluzionin e prerë se tritolet i kishte vendosur banda e Shullazit, por ministri i Brendshëm, sapo e mori vesh, akti i parë që bëri ishte të më largojë nga hetimi, më pas më transferoi në periferi dhe unë sot jam jashtë radhëve të policisë”.
Prokuroria njofton se edhe i tmerrshmi i të tmerrshmëve, Vladimir Gjuta dhe një me mbiemrin Bruka, të lirohen menjëherë nga paraburgimi. Çfarë kishte ndodhur? Jua them unë. Saje Qorrin e kishte kërkuar Prokuroria jo një herë, por disa herë, zoti ministër urdhëroni dhe dëshmoni. Saja nuk shkonte. Po pse nuk shkonte? Sepse Gjutajve u kishte dërguar Shullazin. Saje Qorri i dërgoi Emilin Vladimir Gjutës disa herë dhe zhvilloi negociata të mëdha që ta mbyllnin këtë punë, sepse Emili e kishte vendosur vetë. Përse u arrestuan Gjutaj? Sepse përpara zgjedhjeve, në Bllok e kishin shtrirë përtokë Saje Qorrin dhe rrahur në mënyrën më të egër. Dhe tani Saje Qorri u bë me krahë dhe duhet t’u bënte rremën Gjutajve dhe për t’u bërë rremën Gjutave duhet të vendoste me Emilin e Partisë… Nëse Saja s’e kishte vendosur vetë tritolin me Emilin, shkonte në Prokurori ai, por Saja nuk shkonte dot nga përgjimet, të cilat fatmirësisht kësaj here nuk janë vetëm të një burimi, por të disa burimeve.
Saje Qorri nuk shkoi të kryente detyrën, sepse veten e konsideron mbi ligjin, sepse Emilin e tij e ka mbi ligjin dhe ligji nuk ekziston për ta. Ligji ekziston për ata që kanë detyrim 35 dollarë, për ata që parkojnë diku gabim, për ata që bëjnë gabime të tilla, po për Sajen, Emilin dhe Edvin Shullazin nuk ka dënime. Ai kishte frikë. Mediat kapën një gjë interesante para dy ditësh. Për herë të parë në jetën e tij ai shqiptoi emrin e Emilit të Partisë, nuk e shqipëronte dot. E kisha akuzuar me dhjetëra herë këtu dhe ai një herë të vetme nuk e kishte shqiptuar emrin e tij. Po pse? Sepse e kishte në mendjen dhe në shpirtin e tij, sepse Emili i kishte gllabëruar shpirtin këtij njeriu” u shpreh ish kryeministri.

Roja i paraburgimit: Shullazi i dërgoi sms Saimir Tahirit të përgënjeshtronte Ramën

Berisha publikoi dje në Parlament denoncimin e rojes së paraburgimit ku mbahet Shullazi, sipas të cilit, Shullazi i dërgoi një sms nga qelia Tahirit që të korigjonte fjalimin e Ramës në Parlament në lidhje me faktin se nga kush erdhi arrestimi i tij, nga policia apo nga prokuroria.
“Çfarë më shkruan sot, para një ore, gardiani dixhital: “Përshëndetje Doktor, ndoqa me vëmendje diskutimet në Parlament. Jam në roje të paraburgimit të Shullazit. Ju garantoj se sms Saimir Tahirit për të përgënjeshtruar Ramën, ja ka dërguar direkt Shullazi, i cili ka dyshimet më të mëdha se ja ka bërë policia, i cili nuk beson se ajo ishte një grackë e Prokurorisë siç e paraqesin mediat dhe pasi e kërcënoi Saje Qorrin se do të nxjerrë gjithçka di për të, Saja doli i mori fytyrën Ramës dhe tha se ai bëri një lapsus”. Cila është kërkesa ime? Kërkesa ime është kjo: i bëj thirrje prokurorit të sekuestrojë të gjithë trafikun e thirrjeve e sms të komunikimit të Shullazit, të gardianëve të Shullazit, të Saje Qorrit dhe Emil Shullazit. Me këtë rast Prokuroria do të gjejë një nga çelësat e të vërtetave mbi Shullazin. Edi Rama tha këtu se kemi kërkuar përgjimin e tij. Po s’mund të binte Prokuroria në kurthe të Edi Ramës, kurrsesi. Në fakt Rama ra në kurthin e Prokurorisë dhe të shërbimeve të tjera. Pra, ky është gardiani dixhital. A e pyetët veten ju si ka mundësi ta përgënjeshtrojë Saje Qorri në mënyrën më flagrante Edvin Shullazin? Ai të thotë se e arrestoi Prokuroria, kurse ky të thotë se ishte një lapsus pasi e arrestoi Prokuroria” tha ish-kryeministri. Berisha denoncoi nga ana tjetër terrorin që po ushtrohet ndaj qytetarëve nga OSHE. “Qytetarët kanë gjithë ditën që dëgjojnë krimet e shëmtuara, dëgjojnë emra vrasësish kriminelë, qeveritarësh kriminelë, anëtarë bandash e me radhë, por unë kam dy probleme të tjera të rëndësishme. Në Elbasan çdo faturë elektrike është dyfishuar me urdhër, sepse punonjësit e OSHEE mbetën pa rroga për shkak të “suksesit” të madh të Çelës dhe tani bjeru qytetarëve të thjeshtë. Qytetari tjetër më thotë: “Përshëndetje zoti Berisha, kemi mbifaturim nga OSHEE rreth 200 kv për çdo familje, jemi 17 familje që jemi në këtë pellg dhe na kanë bërë këtë gjë”. Kurse nga Shkodra një qytetar më thotë: “Ne në qytet, na kanë faturuar kësaj radhe për çdo familje 100 kv më shumë sesa rrethinave me aforfe”. Çfarë më njofton biznesi i Korçës, kanë nxjerrë që biznesmenët duhet të paguajnë taksën e komunave, të cilën s’e kanë paguar nga 2007 dhe kanë rekrutuar individë që s’plotësojnë kriteret për të qenë agjentë tatimorë, të cilët shkojnë e ja u marrin me dhunë, pa dokumente, po shkojnë po i gjobisin vetëm e vetëm për të mbushur arkën dhe janë gjoba të paapelueshme.  Mendoj se këto zhvillime janë dëshmi e një shpartallimi tuajin, janë dëshmi e një shpartallimi përfundimtar të kësaj mazhorance, e cila ka humbur çdo ligj dhe moral për të qeverisur më tutje. Ndaj dhe ftoj qytetarët që me një revolucion demokratik e me mjete paqësore t’i hedhim sa më parë aty ku e meritojnë: në koshin e plehrave të historisë!” tha Berisha.  Ish kryeministri dënoi me ashpërsi kiber-atakun ndaj portaleve, të cilat irritojnë shumë Ramën. “Të gjitha të dhënat e deritanishme tregojnë se ai kiber-atak është ndërmarrë nga grupi i mbrojtjes kibernetike të Këshillit të Ministrave nën drejtimin e kushërirë Kolekës. I bëj thirrje Prokurorisë të bëjë një hetim ndaj këtij akti të shëmtuar censorial të një njeriu, i cili udhëhiqet nga haluçinacione dhe fuga paranojake” tha Berisha.

Prokuroria dhe pesë shërbime të huaja kanë dosjen Shullazi

Deklarata e Berishës në Parlament për të ligjin e armëve që do tu mundësojë qytetarëve vetmbrojtje trembi një pjesë të mirë të qeverisë Rama dhe deputetëve të tij. Berisha solli në vëmendje praktikën e SHBA, ku qytetarëve u lejohet me ligj armë mbajtja për arsye vetmbrojtje.
“Për të gjitha këto ka një shtet kudo, përveç Shqipërisë që ka një bandë, një bandë kudo e penetruar. Atëherë, vendi më i madh i lirisë në botë, SHBA-të kanë një praktikë të tillë që u lejojnë armë qytetarëve. Unë kam kohë që e mendoj këtë punë, kur shoh mbi 40 roje, që i ka aty Edi Rama në dosje, të Shullazit të pajisur me të gjitha llojet e armëve për të vrarë, për të vjedhur, për të grabitur, për të plaçkitur, atëherë çdo qytetar i ndershëm duhet të ketë të drejtë ligjore, të ketë njëlloj si një vend tjetër i madh i lirë, armën për t’u mbrojtur. Këtyre u kërcejnë kaq keq se kjo jua cof morrat bandave të tyre dhe banditëve në pushtet” tha Berisha.

– Ju ja keni hequr armët deputetëve…
Jo nuk i kemi hequr armët deputetëve, absolutisht. E theksoj, me ligj, jam plotësisht i mendimit që, përderisa këtu të zhduken bandat njerëzit duhet të kenë të drejtë të mbrohen.

– Me këtë po kujtoni ‘97-tën…
Zonjë, ajo është një histori krejt tjetër. Ai ishte një rebelim komunist. Armët me të cilat u armatosën fallangat e kuqe erdhën nga jashtë, kurse shqiptarët dhe kosovarët u armatosën me armët e tyre.
Kurse kjo këtu ka të bëjë deri me rivendosjen e rendit. Ligji amerikan është ligji më i drejtë dhe unë do ta shoh këtë me vëmendjen më të madhe. Sepse unë nuk mund të konceptoj që një bandë me 40 vetë në mes të Tiranës të ushtrojë të gjitha llojet e dhunës. A e dini ju se Saje Qorri dhe Edvin Shullazi e kanë shpërblyer Milin e Partisë, në kundërshtim flagrant me ligjin, për dënimin që ka bërë, pa e çuar në Gjykatë të Apelit. Ligji detyron institucionin, që për çdo gjyq të humbur në Shkallë të Parë, detyrimisht në emër të mbrojtjes së interesave të taksapaguesve të vet, të shkojë në Shkallë të Dytë. Kurse Mili i Partisë bën përjashtim, nuk shkoi në Shkallë të Dytë, por Edvini urdhëroi ministrin e Financave t’ja jepje paratë një më një për krimet që kishte kryer. Pra, kemi të bëjmë me një organizatë kriminale. Këtu ju shihni që po diskutohet gjerësisht se policia ka denoncuar, ndërsa Prokuroria s’ka reaguar. Si mund të reagojë Prokuroria, kur çdo njeri që denonconte në polici shkonte më parë tek Shullazi dhe banda e tij sesa në Prokurori. Çfarë do të bëjë Prokuroria? A e dini ju sa zyrtarë të lartë janë në dosje të regjistruar? Shkoni shihni pak ortakët e Shullazit në dosjen e Shullazit. Që të gjithë politikanë me peshë, drejtora, ministra etj.

– Ju në këtë moment po i riktheheni çështjes së ligjit, por ju në fjalën tuaj nuk përmendët ligjin në fillim… A po e kuptoni që thirrja juaj mund të shërbejë për të hapur një luftë civile në vend, ligjin e përmendët në fund?
Tani po i lejon vetes diçka joprofesionale. Më vjen keq, unë dua të të respektoj, por nuk po më lë. Se si e ndërtoj unë fjalinë është puna ime. A je avokatja e Shullazit apo e një përdhunuesi? Nëse je gazetare ti nuk mund të më thuash mua se ku duhet ta vë atë fjalë, në fillim apo në fund. Nuk e dikton dot atë, as unë ty e as ti mua. Natyrisht unë nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë dhe atë po e them prapë. Përse po më thua se po e ndryshoj? Ku e gjen ti këtë të drejtë morale? Nuk shkon kjo, për ty se për mua s’ka problem…

– Ju bëtë thirrje për armatosjen e qytetarëve dhe më pas thatë të bëjmë ligjin. Në fakt kjo për qytetarët merret si një thirrje për t’u armatosur.
Jo, kjo merret nga shullazët e qeverisë, ndërsa qytetarët e kanë shumë të qartë këtë. E kanë shumë të qartë se çfarë do të thotë kjo, kurse shullazët e qeverisë e kanë tmerr këtë. Mos u bëni zëdhënës të shullazëve.

– Pse do të ndërmerrni një iniciativë ligjore për t’u depozituar në Kuvend referuar deklaratës që bëtë sot?
Fola, kjo kërkon që të merret një nismë ligjore, por, a do e ndërmarrë apo jo, kjo është për t’u parë. Asaj që thashë asnjë presje nuk i heq. Armë, në këto kushte kur nuk ka rend, qetësi, siguri, duhet të ketë çdo njeri, duhet të ketë çdo njeri për të siguruar jetën e tij, të fëmijëve të tij, të pronës së tij. Mazhoranca është një organizatë kriminale. Ajo qeveri që bashkëpunon me Shullazin është një organizatë e mirëfilltë kriminale, në kuptimin absolut të fjalës.

– Sa do ta mbështesni ju ngritjen e komisionit hetimor për këtë ngjarje, që propozoi ministri i Brendshëm?
Së pari, a e dëgjove ti ministrin Saje Qorri të thoshte një fjalë të vetme për Gjutën, Brukën, për arrestimin e shtatë pjesëtarëve nga një familje e vetme? A e dëgjove të thotë një fjalë të vetme për ndryshimin e komunikatave të qeverisë për ngjarjen e Kasharit dhe atë të Rrugës së “Kavajës”, unë e akuzova direkt. A përmendi ndonjë gjë ai apo vetëm u hodh si histerik meqë përmenda armët?
Përsa i përket komisionit, absolutisht po, madje edhe më thellë se komisioni dhe absolutisht mos mendo se unë, personalisht flas, nuk po punoj në shumë drejtime për këtë punë. Unë jam i vendosur të bëj transparencën. Po kur unë, nga burime policore direkte, marr dosje në të cilat më faktohet se Shullazi është lejuar me mbi 40 e ca banditë me të gjitha llojet e armëve dhe snajpera, me të gjitha makinat e blinduara, atëherë kjo qeveri është një organizatë kriminale. Këta që bërtasin sot dhe mbrojnë Shullazin, këta janë ushtarë të Aldo Bares, të “Hakmarrjes për Drejtësi”, të gjithë atyre bandave që u arrestuan një për një.
Pra, komisioni hetimor është plotësisht i mundshëm, mendoj unë. Por komisioni hetimor maksimumi që mund të hetojë në këtë rast është ligjshmëria. Dokumentet s’i ka ministri, i ka tjetër kush, i Prokuroria ato dhe 5 shërbimeve të huaja.

– Si e shini rolin e prokurorit në këtë proces?
Roli i prokurorit dhe i prokurorëve është për t’u përshëndetur, morën përsipër për të bërë atë që s’e bënë oficerët e Tahirit. Nuk donin ta arrestonin. Në këtë mënyrë, mendoj unë, duhet një mendim eksperti. Po të ishte se kemi të bëjmë vetëm me ligjin atëherë mund të bëhej komisioni, por komision për probleme të dokumenteve të dosjeve, që janë në hetim nga Prokuroria dhe gjykata, nuk mund ta bëjmë. Kur të mbarojë hetimi absolutisht po, mund ta bëjmë.

– A do ta pengojë kjo situatë Reformën në Drejtësi?
Reformën në Drejtësi e pengon Viktor Ponta dhe Edi Rama. Ponta i tha Edit se po e bërë reformën përgatit një vend si ky që më kanë bërë mua këtu (burgun). Ministri përgënjeshtroi Kryeministrin. Edi Rama urdhëroi Tahirin të thotë se Kryeministri gënjeu. I kuptoni vetë ju se ku janë gjithë problemet e tyre.

– Mazhoranca ka depozituar në Kuvend kërkesën… Jeni i gatshëm të shkoni në Prokurori lidhur për këtë deklaratë?
Mazhoranca e krimit është e lirë të depozitojë çdo lloj akuze dhe kërkese. Mos harroni që rreth 16-17 vjet më parë, mazhoranca që kish dalë nga rebelimi komunist, më hoqi imunitetin me akuzën për krime kundër njerëzimit 8 muaj përpara se Haga të akuzonte Sllobodanin. Këta janë vetëm frikacakë e burracakë, forca e tyre janë bandat, forca jonë qëndron tek ligji dhe tek e drejta.

Krimi po penetron në çdo qelizë të vendit

Niveli i lartë i krimit në vend dhe cenimi serioz i sigurisë së qytetarëve. Vendi ndodhet nën pushtetin e bandave. Berisha denoncoi në Parlament bashkëpunimin kriminal të qeverisë me bandat.
“Përsa i përket fjalës time edhe një herë theksoj këtu se, në mënyrë absolute nuk i heq asnjë presje. Pse? Sepse sot rendi dhe siguria e qytetarëve është më e kërcënuar se kurrë në memorien time. Ka patur krim në periudha të caktuara në këtë vend, por s’ka patur kurrë bashkëpunim qeveritar të shkallës së tillë siç ka sot. Ju e dëgjuat Saje Qorrin. Foli një orë me histeri, por nuk tha një fjalë të vetme për eksplozivin që ka vendosur tek i ati i tij kontrabandist për të arrestuar ata që quan kundërshtarë. Nuk tha një fjalë të vetme. Unë kam me dhjetëra fotografi dhe ju tregova njërën me ushtarët e Shullazit me të gjitha llojet e armatimeve, të cilat i kam marrë nga Policia e Shtetit, por të gjitha ato ai i ka me autorizimin e Saje Qorrit. Banda e Edvin Shullazit ka të paktën 4 makina të blinduara të prodhimit të fundit, ndërkohë që ligji i vendit makinat e blinduara i kodifikon në mënyrë të caktuar, se kush ka të drejtë të mbajë. U çudita pak me reagimin, mirë Vasilikën e kuptoj se ka ndjeshmëri më të madhe, por ju të tjerët, se jeni dhe burra e nuk ju shkon.
Ka një vend në botë që ka armë dhe ky vend është SHBA. Pse ky vend nuk i ka hequr dot? Dikush thotë për arsye se lobi i armëve është shumë i fuqishëm dhe nuk lejon bllokimin e tregut të armëve. Në fakt ka një argument tjetër pak më të thellë, për ju që kërcyet në këtë mënyrë. Ka një statistikë shumë kokëfortë, e cila tregon se në shtetet, të cilat i kanë ndaluar armët krimi është shumë më i lartë. Dhe ky është shkaku më kryesor. Atëherë, çfarë të bëjmë? Mora vesh se keni bërë një kërkesë dhe ju them se më keni nderuar shumë dhe ftoj Byronë që menjëherë ta çojë në Prokurori atë kërkesë. Në vitin ‘98 më akuzuat për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Millosheviçi të ishte i akuzuar nga Haga, ju hyri frika në palcë nga Sali Berisha. Dhe tani, sapo përmenda fjalën armë u shkritë nga frika, u hyri frika deri në palcë. Po pse e keni këtë frikë ju? Sepse keni bashkëpunim kriminal me banda, se ministri del këtu e flet 1 orë dhe nuk thotë se kush ndryshoi komunikatat e policisë për Qafë-Kasharin. A e dini që Shullazin e shpërblyet ju? Ja dhatë një më një ditët e burgut që bëri në periudhën time, duke shkelur me të dy këmbët ligjin. Ja dhatë me vendim të Shkallës së Parë, sepse ligji kërkon që dëmshpërblimi jepet me vendim të formës së prerë. Dhe çdo njeri ka përfituar shpërblimet kur ka marrë vendimin e formës së prerë, kurse Mili i Partisë s’kishte nevojë për vendim të formës së prerë sepse kishte Shullazin e partisë në krye, se kishte Shullazin tjetër në krye të rendit. Po kush e çoi te rektori? Asnjë tjetër përveç Ramës, i cili nxiu zgjedhjet në universitete me damkën e krimit. A e dini se në Universitetin e Sporteve ka dalë dekani me 9 vota në një kohë kur 30 e ca të tjera i ka nxjerrë vetë të pavlefshme. Sepse Edi dhe Olsi donin që një basketbollist, ta vinin me çdo kusht dekan, me 9 vota.  Armët kanë lidhje sepse krimi po penetron në çdo qelizë të këtij vendi dhe armët janë e vetmja mënyrë për t’i kërcënuar bandat, për ta ditur që në çdo tentativë që bëjnë marrin përgjigje kushtetuese të merituar”.

Terrori në Universitete, burri i ministres i vetëm në garë

Një tjetër rast që dëshmon terrorin në zgjedhjet në universitete ishte edhe ai i bashkëshortit të ministres i cili kandidonte pa patur asnjë rival përballë. Berisha tha se ky rast dëshmon terrorin që është ushtruar në universitete.
“Sot është një ditë e veçantë për vendin. Dje të gjitha universitetet bënë zgjedhje. Si u zhvilluan zgjedhjet akademike? Që të gjitha në shenjën e Edi Ramës, në shenjën e Edvin Shullazit. Në Vlorë, Koço Kokëdhima përzuri kandidatin, sepse gara duhej të bëhej në stilin “alla Rama”, me një kandidat të vetëm. Burri i ministres fitoi me 97% me një kandidat të vetëm në garë.
A mund të më thuash pak këtu se çfarë ju bëre ti atyre rivalëve të burrit tënd, që u tërhoqën të gjithë? Sot do të doja shumë t’i çoja një urim botës akademike dhe uroj të gjithë ata që janë zgjedhur me dy kandidatë. Dënoj garën me një kandidat si një akt të shëmtuar. Dënoj ndërhyrjen e krimit. Një akt i paprecedent ai që ndodhi. E arrestoi Edi Rama Shullazin tha. Jo more jo. Polici i Edi Ramës nuk pranonte ta arrestonte. Përgëzoj Prokurorinë për aktin e saj dhe i jap mbështetje të plotë.
Perandorinë e krimit, Emiljano Shullazi e krijoi nëpërmjet tytës së armëve, nëpërmjet falsifikatorëve, nëpërmjet gjykatësve dhe prokurorëve. I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm, i bëj thirrje kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të studiojë në detaje dosjen “Shullazi”, se është fytyra më e shëmtuar e kësaj qeverie organizatë kriminale. Po të doni i marrim një nga një krimet e tij. Saje Qorri tha se e arrestova me një sms. E kuptoni se ku jemi, të arreston Saja me një sms. Me këtë shndërrim në organizatë kriminale që i keni bërë qeverisë së vendit, në mënyrë absolute po e çoni vendin drejt një konflikti të pashmangshëm të të gjitha llojeve” theksoi Berisha.

Paloka-Prokurorisë: Të dalin tabulatet e Ramës, do përfundojë si Shullazi

Edi PALOKA

Historia me Shullazin ka evidentuar dhe një herë makthet dhe tmerret e Edi Ramës nga një drejtësi që nuk është e kapur prej tij, totalisht prej tij dhe që mund t’i dalë jashtë kontrollit dhe nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Këto dy tmerret e Edi Ramës i ka evidentuar ngjarja e fundit me shefin e tij, Shullazin. Pse e them këtë? Sepse, tek ajo që ndodhi me Shullazin, që e morët vesh papritur dhe pa kujtuar dhe ky nuk arriti ta kuptonte se ç’po ndodhte, kanë frikë se i ndodh nesër atyre të tjerëve që ka rrotull. Ka frikë se mund t’i ndodhë dhe atij vetë, papritur, nga dikush që nuk kontrollohet dot nga ai, që nuk varet nga ai. Mund t’i dalë para derës dhe mund t’i vendosë prangat. Për këtë, ky zotëria nuk e do atë Byronë e Hetimit që nuk varet nga Tahiri i tij. Prandaj i ka bërë gjithë këto numra, nga kjo frikë, se i trembet që si Shullazi mund të përfundojë dhe vetë pa e lajmëruar kush, pa i thënë se çfarë mund t’i ndodhë. Ja pse ky bën lloj-lloj akrobacirash për të mos e pranuar Reformën në Drejtësi, pavarësisht se del e thotë gjithë ditën se opozita nuk e do Reformën në Drejtësi.
Ka frikë se atje ku ishte, mos i vjen ndonjë porosi tjetër. E patë si u trullos për tri ditë zotëria bashkë me Tahirin e tij, u kap Shullazi, tri ditë qëndroi memec, nuk fliste njeri. Bëri lajm dje se i përmendi emrin. Ministri i Brendshëm më në fund i përmendi emrin e Shullazit, kjo u bë lajm nëpër media. Folën të gjithë, Tahiri i përmendi emrin. Pse? Sepse sado që të flasin për gjyqe, për shpifje, të vërtetën e dinë këta dhe për fat të mirë e dinë të gjithë shqiptarët.
Është lidhja direkte e ministrit të Brendshëm me Shullazin dhe indirekte e Kryeministrit dhe mbase do Zoti hapen ato tabulate që nuk m’i pranuan mua në gjyqin tënd si provë, se ku i dihet se çfarë del zoti Rama. Uroj që Prokuroria ta vazhdojë ashtu siç e ka nisur këtë çështje në mbështetjen e atyre që e kanë nxitur dhe sigurisht mbështetjen e opozitës që është gjithmonë për luftën kundër krimit. Uroj që t’i shkojë deri në fund, t’i hapë ato tabulate, t’i shohim me kë ka biseduar ky zotëria dhe pastaj të shohim nëse jam unë shpifësi? A kam shpifur unë kur kam folur për lidhjet e tua apo është ashtu siç kam folur unë.
Dhe sa për atë pjesën tjetër të gjyqit që lidhet me pulën, ti e di mirë, se ti ike nga gjyqi. Dole dhe the që këtu vazhdon e njëjta farsë. Për fat të mirë, janë të gjitha të filmuara. Dole nga gjykata dhe ti kishte premtuar që do të vije në çdo seancë dhe the që nuk mund të vazhdosh të vish sepse këtu vazhdon e njëjta farsë. Ti e di shumë mirë, që kurrë para teje nuk kam qëndruar si pulë. Dhe këtë e mbyllim këtu si çështje aq më tepër kur bëhet fjalë për lidhjet e tua me krimin, që unë i njoh prej një kohe të gjatë.
Po çfarë e tremb tjetër zotin Rama?
Se do të vini prapë më 2017, prapë këtu do të jemi.
Çfarë do të ndodhte sikur Sali Berisha mos të dilte dhe të denonconte aktin që ndodhi, me kërcënimin ndaj kandidatit për rektor, i cili shkoi për të dhënë dorëheqjen? Çfarë do të ndodhte?
Sot do të kishim Shullazin rektor, sepse ai zotëria u kërcënua të jepte dorëheqjen dhe sigurisht do të fitonte kandidatja e tij që tha nuk ka mbështetje, por e ka në krye të listës së këshilltarëve socialistë, por nuk ka lidhje me PS. Pra, sot do të kishim këtë situatë.
Kandidati që sot është rektor, se kishte votat dhe e tregoi që kishte votat dhe mbështetjen, sot do të ishte në shtëpi dhe në krye të universitetit do të kishim një person që nuk i kishte votat. Për këtë u kërcënua ai zotëria dhe kjo tregon se çfarë mentaliteti ka ky njeri për zgjedhjet. Dhe nuk është rasti i parë, e tregoi dhe në partinë e vet, që na thonë për të na kompleksuar se: ç’punë kemi ne me partinë e tyre, se ç’duam ne se çfarë bën PS.
Jo mor jo, nuk është ashtu, nuk bëhet fjalë për një problem të brendshëm të PS. Sigurisht ne nuk duam të dimë se kur zgjidhet kryetari i PS, por ne nuk mund të jemi të painteresuar për mënyrën se ky zotëria që është në krye të qeverisë, bën zgjedhje qoftë në partinë e tij, qoftë në universitet. Dhe del se kjo është mënyra e vetme që ky mund të bëjë zgjedhje, sepse ndryshe nuk fiton. Pa shullazët, pa ata që blejnë votat, ky nuk fiton. Dhe e ka treguar edhe herë tjetër dhe për këtë arsye i duhen shullazët dhe këtë tregoi edhe ky rast. Nuk është çështje e një universiteti, e një rektori, e një emri apo e një tjetri, jo. Është koncepti i këtij për zgjedhjet, që e tregoi edhe kur ishin zgjedhjet në Korçë. Vetëm 2 muaj pasi kishte ardhur në pushtet. Zgjedhje që i kishte të fituara. Siç kishte të fituar edhe të ashtuquajturin referendum brenda partisë, por kjo nuk e pengoi që të manipulonte prapë, të kërcënonte prapë, të dhunonte votën prapë, sepse ashtu e ka mentalitetin e zgjedhjeve. Prandaj e kemi thënë dhe do të vazhdojmë deri në fund të kërkojmë që zgjedhje me këtë Kryeministër nuk ka dhe nuk mund të ketë në Shqipëri. Le të shkojë ku të dojë, se nga ai vendi ku ishte i erdhi edhe akuza se është Kryeministri më i korruptuar dhe jam i bindur se ish-zëdhënësi i Pentagonit pavarësisht se ka akuzuar Kryeministrin e vendit tim, është pak më i besueshëm se sa ky. Të jeni të bindur se ka më tepër personalitet ai, se Kryeministri juaj, kur e thotë një gjë. Nga ai vend erdhi edhe raporti i DASH, që thoshte të njëjtën gjë, qeveria më e korruptuar në të gjitha degët e saj. Por çfarë ndodhi nga gjithë ajo fryrje e madhe. Sigurisht që të takosh Presidentin e SHBA nuk është gjë e vogël, por ia mbylli Shullazi, ia mbylli gojën, e harroi vizitën në SHBA prej Shullazit, erdhi dhe e mbylli gojën për Obamën se nuk e linte Shullazi. E dëgjuat edhe këtu, as këtu nuk foli për vizitën e tij “të madhe” dhe “të suksesshme” sepse ia mbylli gojën Shullazi. Kujt do i thotë, kujt do i flasë për çudinë e tij në SHBA, kur dje doli ambasadori i SHBA-së dhe tha: më në fund është bërë ajo që duhej bërë prej kohësh, u arrestua kapomafia. Kush e bëri? Tre ditë nuk i përmendnin emrin dhe jo vetëm kaq, por ditët e para privatisht dhe publikisht duke përdorur mediat e tyre, u përpoqën t’i thoshin atij zotërisë, se nuk jemi ne, nuk dinim gjë, ne të morëm sa për të larë gojën, mundësisht ta nxirrnim blof Sali Berishën.
Por iu prish plani sepse dolën të tjera gjëra. Kujtuan se do ta linin me aq. I priti në kafe ai zotëria policët, e morën vesh nga mediat, s’kishte asgjë me vete, i pastër krejt, se sipas tyre ai qarkullon i pastër gjithmonë, s’kishte asgjë, as telefon nuk kishte. Jo se e kishte njoftuar policia, se kjo kuptohet, s’ka lidhje policia me këtë. I priti, i përcolli, e çuan aty me bindjen se do të dilte pas gjysmë ore, siç ka dalë gjithmonë. Siç ka dalë gjithmonë për gjysmë ore në këto 3 vite. Dhe do të dilte një nga këta zëdhënësit dhe do të thoshte se Sali Berisha është shpifës, Sali Berisha është mashtrues, etj., etj. U prish plani se ishin disa forca më madhore, që këta, nuk i kontrollonin dot, për fat të keq. Kjo i tremb. Se ka ca forca që nuk i kontrollojnë dot dhe nuk e kam fjalën thjesht për Prokurorinë, e cila për këtë rast e përgëzoj dhe uroj që të vazhdojë të shkojë deri në fund.
Kjo pra, është historia. Kush e bëri. Vetëm dje dolën dhe sot po përpiqen që të marrin meritat: e bëmë ne, ne e arrestuam, ndërsa dje po përpiqeshin të justifikoheshin tek ai, që nuk të kemi prekur ne. Siç i thanë, nuk e ke prej nesh, e ke nga SHISH dhe nga Prokuroria. Kështu i thanë, ne nuk dimë gjë, na e futën, na ngritën kurth. Kjo është historia e asaj që sot dalin këtu e thonë e bëmë ne. Si duket e kanë marrë vesh se ai nuk do të flasë, se edhe ai nuk ka interes t’i nxjerrë se i duhet mbrojtja e tyre nga jashtë, kanë marrë vesh këtë punë dhe tani thonë: Ne e bëmë. Dhe sa për 2017-ën, të jesh i bindur se sado të mbledhësh si ai që hyri brenda, fundin e tij do të kesh!

Bylykbashi: Ligji për pronat do të shfuqizohet

Partia Demokratike nuk do të pranojë ligjin e ri të pronave, i cili u grabit pronat ish pronarëve. Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi deklaroi dje për mediat se ligji i qeverisë për pronat është antikushtetues dhe bie ndesh me Kushtetutën. Ai tha se PD do të garantojë në mënyrë maksimale që kjo e drejtë të shkojë në mënyrë përfundimtare dhe të plotë tek pronarët.
“Gjykata Kushtetuese po shqyrton një nga çështjet më të rëndësishme të këtyre 25 viteve, çështjen me ligjin me të cilin qeveria rishpronëson pronarët. PD ka paraqitur bashkë me subjektet e tjera kundërshtimet e saj ndaj këtij ligji. Ky ligj është antikushtetues, bie ndesh me jurisprudencën e kësaj gjykate. Mbi të gjitha, bien ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, sepse cenon jo vetëm parimet e Kushtetutës të Shqipërisë, por dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.  PD ka bërë të qartë që ne i qëndrojmë në mënyrë absolute të drejtës së pronarëve për të rimarrë pronën që në mënyrë të padrejtë u është marrë para më shumë se 70 viteve. Do të garantojmë në mënyrë maksimale që kjo e drejtë të shkojë në mënyrë përfundimtare dhe të plotë tek pronarët” shprehet deputeti demokrat.
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se PD nuk do lejojë zbatimin e këtij ligji.
“Duke marrë parasysh faktin që në 25 vite ka patur dhe padrejtësi, kjo nuk është arsye që kjo qeveri, e cila buron drejtpërdrejt nga koncepti i shpronësimit të vitit ‘45, me këtë vjen sot përpara kësaj gjykate, të ketë të drejtën për të rishpronësuar së dyti. Ne garantojmë që ky ligj do të shfuqizohet, por ajo që ne presim është që Gjykata Kushtetuese duke i qëndruar jurisprudencës së saj, ta shfuqizojë këtë ligj si antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të rikthyer të drejtën e pronës tek pronarët. Me atë që bën ky ligj e përsëris, është rishpronësimi i pronarëve. Ne këtë nuk do ta lejojmë.
Sot ajo që presim është që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim lidhur me pezullimin e zbatimit të ligjit. Është një ligj, i cili tashmë ka filluar efektet e tij, prodhon pasoja të rënda e për rrjedhojë kërkesa para kësaj gjykate është që ky ligj të pezullohet derisa gjykata të marrë një vendim. Shpresojmë që gjykata ta marrë në konsideratë këtë rrezikshmëri të lartë që prodhon kjo normë e re e kësaj qeverie” theksoi Bylykbashi.
Qeveria ka krijuar pasiguri juridike në lidhje me pritshmëritë e subjektit të shpronësuar, i cili pret të kompensohet në tokën e vet, pasi më parë të bëhet vlerësimi për tokën e tij referuar llojit të pronës në momentin e shpronësimit. Fakti që një ish-pronar i është drejtuar më parë Strasburgut dhe i është dhënë shpërblimi i drejtë dhe një tjetër ende s’ka marrë kompensimin, nuk mund të lejojë ligjvënësin të krijojë një situatë pabarazie, pavarësisht interesit publik që synohet të mbrohet në ligj.

Skandali, Rama stadium me kullë 17-katëshe për klientelën

Rama prezantoi dje aferën e radhës miliona euro që po përgatit përmes ndërtimit të stadiumit të ri “Qemal Stafa”. Siç shihet edhe nga foto, projekti i prezantuar dje e që do të nisë së shpejti ndërtimin mbart në vetvete një kullë të lartë, e cila flitet të jetë me 17 kate. Për ndërtimin e këtij projekti është pajtuar kompania “Alb Star”, e njohur si kliente e ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto. Projekti do të kushtojë 50 milionë euro.
Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij është në pronësi të kompanisë “Qendra Spotive Kuq e Zi sha” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), e cila ka organizuar edhe procedurat e zhvillimit dhe tenderimit për ndërtimin e ri. Stadiumi i ri, i titulluar “Arena Kombëtare”, do të ndërtohet si bashkëpunim publik-privat: një kompani private do të ndërtojë me financimin e saj stadiumin dhe si shpërblim asaj do t’i jepet në pronësi e gjithë pjesa tregtare (restorante, kafe, etj.) e stadiumit dhe një kullë e lartë në cep të stadiumit për çfarëdolloj përdorimi që ajo dëshiron. Tenderi ndërkombëtar për “Projektimin, prishjen, financimin dhe ndërtimin” e stadiumit të ri u zhvillua më 29 shkurt 2016. Në të paraqiti ofertë vetëm një kompani, e cila u shpall fituese – kompania fierake “Alb Star shpk”.
Projekti i propozuar nga “Alb Star” është hartuar nga arkitekti italian, Marco Casamonti. Sipas Kryeministrit, investimi do të jetë 50 milionë euro. Nuk është e qartë nëse kjo shifër përfshin vetëm pjesën e stadiumit apo edhe kullën private në pronësi të “Alb Star”. Nuk është e qartë nëse ndërtuesi do të bëjë edhe investimin në aparatura, pajisje dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e stadiumit apo vetëm të pjesës së ndërtimit. Mbas përfundimit, Federata Shqiptare e Futbollit, përmes QSKZ-së, do të ketë në pronësi vetëm fushën e futbollit dhe 4 mijë metra katrorë për zyra. Të gjitha hapësirat e tjera të stadiumit, përfshi gjithë mjediset që mbeten në trupin e stadiumit dhe kulla, e cila nga disa burime raportohet 17 kate e lartë, do të jenë në pronësi të kompanisë “Alb Star shpk”. Stadiumi nuk do të ketë pistë atletike apo për ndonjë sport tjetër, por vetëm infrastrukturë për futbollin.
Vetëm vitin e fundit “Alb Star” ka marrë miliona euro tendera nga ministri Haxhinasto. Kjo kompani, e cila përveç lidhjeve të ngushta me ministrin Haxhinasto, sipas boom.al është përfshirë edhe në transaksione të mëdha të evazionit fiskal.
Vitin e kaluar, kokretisht më tetor të 2015, mediat denoncuan një skandal ku ishte i përfshirë ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto i cili i dha posaçërisht firmës “Alb Star” tenderin për “Për përmirësimin e furnizimit me ujë të zonës së plazhit, Lagja 13, Durrës” me fond limit rreth 200 milionë lekësh të reja ose 1 milion e 424 mijë euro. Nga ana tjetër, kjo kompani është gjithashtu protagoniste në bashkimin e saj me kompaninë e djalit të Valentina Leskajt në marrjen me koncesion të hekurudhës Fier-Vlorë për një periudhë 25-vjeçare.
Ajo që u vu re nga kriteret për kualifikim është një disproporcionalitet ndërmjet licencave dhe kategorive të licencave të kërkuara në raport me volumin e punimeve, llojin e tyre dhe stafin e kërkuar përfshi edhe stafin inxhinierik, si dhe çertifikatat ISO, pajisjet, numrin e punonjësve, etj., duke treguar haptazi një preferencë të ministrit Haxhinasto për “Starin” e tij të fuqishëm. Ajo që bie në sy në këtë tender është fakti se fondet nuk i janë dhënë Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës–Kanalizimeve Durrës për të cilin bëhet ky investim, por i ka menaxhuar vetë Drejtoria e Përgjithshme e Transportit dhe Infrastrukturës.

Në tender mori pjesë vetëm një kompani

Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”, mori pjesë vetëm një kompani. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare “Alb Star shpk” me qendër në Fier. Sipas Kompania nuk ka asnjë përvojë sadopak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji. Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama. Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qendër tregtare, e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të federatës. Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze e aq më pak kompani të huaja. Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar. Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare. Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do të jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive— fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive — dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj., e cila do të jetë në pronësi private. Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme pasi vendimi i qeverisë që ia kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive. Duke lënë mënjanë anën ligjore, formula që ka zgjedhur federata dhe qeveria është novacion shqiptar, e padëgjuar dhe aq më pak, e provuar më parë në botë. Kjo lloj formule financimi është zgjedhur edhe pse ekzistojnë të gjitha fondet për financimin e stadiumit. Federata ka marrë nga UEFA rreth 10 milionë euro për ndërtimin, qeveria ka premtuar gjithashtu 10 milionë euro, ndërkohë që miliona euro të tjera do të merren si shpërblim për kualifikimin në Francë 2016. Ndërkohë, kostoja e ndërtimit të stadiumit të ri, me kapacitet rreth 22 mijë vende, vlerësohet rreth 25 milionë euro. Ndërsa të gjitha procedurat që po zbaton qeveria Rama për prishjen e stadiumit ekzistues dhe ndërtimin e një stadium të ri, me shumë gjasa, janë procedura kriminale.