39.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Bizneseve u vijnë faturat e taksave sa 55% e xhiros vjetore

Arditi zotëron një biznes të vogël në kryeqytet me xhiro vjetore në fashën nga 5 deri në 8 milionë lekë. Në datën 20 shkurt, në zyrat e biznesit të tij mbërriti vlerësimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin nga Drejtoria Rajonale e Tiranës. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin është një taksë, të cilën biznesi i vogël e paguan në avancë sipas përllogaritjes që bën zyra e taksave. Për vitin 2016 këtij biznesi, i cili gjithë vitin realizon një xhiro bruto më të vogël se 8 milionë lekë, Tatimet i kërkojnë të paguajë si tatim të thjeshtuar mbi fitimin shumën 4.37 milionë lekë.
Pra, sipas faturës zyrtare të Tatimeve, këtij biznesi i duhet të paguajë vetëm si tatim të thjeshtuar mbi fitimin, 55 për qind të gjithë xhiros vjetore bruto. Ky nuk është një lapsus dhe as një rast i izoluar. Fatura më poshtë i përket një tjetër biznesi në kryeqytet, po me xhiro nën 8 milionë lekë. Detyrimi që Tatimet i kërkojnë të paguajë si Tatim të Thjeshtuar mbi Fitimin këtij biznesi është 2.8 milionë lekë ose sa 40 për qind e gjithë xhiros bruto.
Dokumentet e mbledhura nga “Syri.net” dëshmojnë se qindra biznese të vogla në kryeqytet po përballen me të njëjtën çmenduri. Në zyrat e tyre kanë mbërritur fatura taksash, që variojnë nga 40 deri në 60 për qind të xhiros vjetore bruto, çka do të falimentonte edhe bizneset e mëdha.

Vërshojnë gjobat

E gjithë kjo lajthitje e tatimeve ka një kosto të jashtëzakonshme mbi biznesit. Edhe pse me gjasa këto fatura do të shpallen të pavlefshme, biznesi sërish do të paguajë për gabimet e Tatimeve. Afati i fundit për pagesën e këstit të parë të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin ka qenë data 20 prill, pra dy ditë më parë.
Të gjitha bizneset që nuk e kanë paguar në kohë këstin, gjobiten automatikisht nga sistemi me një shumë që është sa 15 për qind e detyrimit. Të gjitha këto biznese një ditë më parë janë gjobitur me gjoba që variojnë nga 15 deri në 20 mijë lekë vetëm për këstin e parë. Kjo jo për fajin e tyre, por për lajthitjen e Tatimeve, të cilat i kërkojnë biznesit të vogël të paguajë taksa sa 60 për qind e xhiros.

Provokimi ndaj avionit të SHBA, Putin po luan me zjarrin

Barbara Wesel

Kemi pasur një “shkëmbim serioz dhe të hapur”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg pas takimit. Kjo do të thotë në gjuhën e diplomatëve: Ishim pak para përdorimit të grushtit. Atmosfera në fakt kuptohej që para takimit: Ambasadori rus në NATO përdori një ton të akullt: Marrëdhënia mes NATO-s e Rusisë është në krizë të fortë, nuk ka një axhendë pozitive dhe as interesa të përbashkëta. NATO ka ndryshuar strategji nga partneriteti në kërcënim. Ky është interpretimi i ri i Moskës për gjendjen e ndryshuar në arenën ndërkombëtare, kjo me kontributin e Moskës.
Rigjallërimi i një instance që ngriu para dy vitesh, pas aneksimit rus në Krime, sipas qëndrimit të Perëndimit është një tentativë me objektiv rivendosjen e dialogut të paktën minimalisht, dhe mundësinë për pak transparencë dhe planifikim në marrëdhënien e dyanshme. Nga ana tjetër bëhet fjalë edhe për shmangien e “keqkuptimeve”. Në fakt një eufemizëm për provokimet e fundit të avionëve luftarakë rusë kundrejt avionëve të NATO-s dhe anijeve në detrat veriorë europianë. Vladimir Putin me sa duket e ka shumë pasion lojën me zjarrin.

Ndërsa takimin në Bruksel ai e përdor më së shumti për ankesa: Me një ton të zemëruar ai akuzon Perëndimin se po zgjerohet pa asnjë të drejtë në drejtim të Lindjes. Stacionimi i trupave të NATO-s në të vërtetë bëhet me vullnetin e plotë dhe dëshirën e vendeve Baltike dhe Polonisë. Arsyeja për këtë është sërish aneksimi i Krimesë nga Moska. Ky detaj lihet jashtë në fushatat propagandistike të Moskës.
Këshilli NATO-Rusi i ofron presidentit rus një forum tjetër për të mbuluar Perëndimin me tirada zemërimi dhe përhapjen e pikëpamjes së Putinit në mediat botërore. Në të njëjtën mënyrë dhe NATO e ka mundësinë tani t’i japë disa paralajmërime Moskës. Ndoshta e çtensionon disi marrëdhënien shkëmbimi i fyerjeve si ritual.
Qeveria gjermane e përshëndet rigjallërimin e Këshillit NATO-Rusi. Sipas saj është pozitive fakti që ka dialog. Por ky është një dialog me një partner që i mbyll të dy veshët kur flitet. Putini nuk do të dëgjojë, por vetëm të shpërndajë me zë të lartë argumentat e tij. Perëndimi duhet t’i kujtojë atij, se ishte ai që hoqi dorë nga partneriteti. Okupimi i Krimesë, mbështetja për rebelët në Ukrainën Lindore, mosrespektimi i marrëveshjes së Minskut dhe veprimet në Siri tregojnë se, kreu i Kremlinit kërkon vetëm realizimin e interesave të tij. Për shkak se ai nuk nxjerr asnjë detaj nga strategjia dhe qëllimet e tij, më kot pritet nga ai transparencë dhe besueshmëri.
Diplomatët janë të mendimit, e ia vlen të mbash më këmbë edhe instanca në plan të parë jofunksionuese, sepse në rast nevoje urgjente, ato mund të riaktivizohen. Në këtë kuptim është diçka pozitive mbajtja gjallë e Këshillit NATO-Rusi: Por NATO nuk duhet të lejojë të manipulohet pafundësisht. Ajo duhet të bëjë të qartë, se është i nevojshëm një bashkëpunim e vëmendje minimale, me qëllim që takime të tilla të mos kthehen në një përpjekje absurde për dialog mes shurdhmemecëve.

Referendumi i Britanisë dhe vizita e Obamës

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson, ka lëshuar një paralajmërim të ri për Presidentin Obama për të mos ndërhyrë në referendumin e Britanisë mbi Bashkimin Evropian. Paralajmërimi vjen në prag të vizitës së zotit Obama në Londër ku ai pritet t’u kërkojë britanikëve që të qendrojnë në BE.
Ky zhvillim nxjerr në pah rolin udhëheqës të kryebashkiakut londinez në garën e ngushtë të fushatës për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE apo jo. Dhe, nëse Britania del nga BE-ja, Boris Johnson, i së njëjtës linjë konservatore me David Cameron dhe sfidues i mundshëm për postin e kryeministrit, mund të dalë si fitimtari më i madh.
Kryebashkiaku 51-vjeçar Bors Johnson është një prej politikanëve më popullorë të Britanisë. Ndërkohë që po përkrah fushatës për largimin nga Bashkimi Evropian, ai mund të jetë një sfidues për postin e kryeministrit nëse referendumi shkon në rrugën e tij.
“Mendoj se është paradoksale që Shtetet e Bashkuara, të cilat as nuk mund të ëndërrojë të lejojë shkeljen më të vogël të sovranitetit të tyre, duhet të na japin leksione rreth nevojës për t’u përfshirë gjithnjë e më thellë në një super-shtet federal. Ky është paradoksi për të cilin po tërheq vëmendjen”.
Në një përplasje mes Cameron-it dhe Johnson-it në Parlamentin britanik disa muaj më parë, kryebashkiaku sfidoi pretendimin e kryeministrit se marrëveshja e tij për reformën evropiane do të rikthente kompetencat legjislative nga Brukseli në Londër.
Por kryeministri britanik është shprehur se ka patur gjithnjë në mendje të mirat e vendit.
“Nuk kam pretendime për t’u rizgjedhur. Unë nuk kam asnjë agjendë tjetër përveçse asaj që është në të mirë të vendit tonë”.
Nëse kryeministri dështon në betejën për të mbajtur Britaninë brenda Bashkimit Evropian, analistët thonë se ai mund të detyrohet të japë dorëheqjen.  Por, nëse Johnson do të zëvendësonte Cameron-in, është një pikëpyetje e hapur, thotë Katharine Peacock me kompaninë e anketave ComRes.
“Atë e pëlqejnë shumë, por nëse do të jenë dakort që ai të udhëheqë vendin, kjo është një pyetje tjetër”.
Stili tërheqës i Boris Johnson, një gazetar i kthyer në drejtues të lojërave televizive e më pas politikan e kryebashkiak i Londrës, i ka mundësuar atij që të përballojë incidente politike që kanë provuar të jenë të dëmshme për politikanë të tjerë. Ndërkohë popullariteti i tij vazhdon të jetë i lartë.

Obama dhe vendet e Gjirit Persik debatojnë për Lindjen e Mesme

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe udhëheqësit e shteteve të Gjirit Persik, po takohen në Riad për të diskutuar rrugët e bashkëpunimit më të ngushtë për të ndihmuar stabilizimin e rajonit të Lindjes së Mesme, me gjithë dallimet për rrugët e veprimit.
Presidenti Obama dhe gjashtë vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, hapën takimin njëditësh të enjten me sesionin e përqendruar në kaosin politik dhe luftën në Siri, Jemen, Irak dhe Libi.
Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përqendrim më të madh në zgjidhjet politike dhe më pak në konfliktin sektar, posaçërisht në shtetet si Jemeni e Siria, ku janë vendosur armëpushime të brishta.
Por, disa vende të Gjirit, si Arabia Saudite, e shohin dhunën sektare si kërcënimin kryesor për sigurinë. Krahas Arabisë Saudite, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit përfshinë Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Bahrejnin e Omanin.
Pas sesionit mbi dhunën rajonale, grupi do të diskutojë rrugët e shtimit të luftës kundër grupit Shteti Islamik dhe al-Qaidas.
Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende perëndimore, i shohin grupet terroriste si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë në botë dhe po kërkojnë më shumë bashkëpunim të vendeve arabe për luftë kundër tyre.
Sesioni përfundimtar do të përfshirjë bisedimet për Iranin dhe veprimet destabilizuese të tij në rajon.
Teherani mbështet kryengritësit huthi në Jemen, ku Arabia Saudite ka hapur një fushatë ushtarake kundër tyre.
Derisa Shtetet e Bashkuara pritet të publikojnë synimet për më shumë ndihmë ushtarake për partnerët e Gjirit, analistët nuk presin shumë në drejtim të marrëveshjes për mënyrën e përballjes së sfidave kryesore në rajon.
“Një nga problemet është fakti se perceptimet dhe përparësitë e Shteteve të Bashkuara, të cilat janë krejtësisht të natyrshme, duke pasur parasysh interesat tona kombëtare, thjesht nuk janë gjithmonë në vijë me interesat dhe përparësitë e vendeve të rajonit” tha Anthony Cordesman, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Por, takimet e tilla, luajnë një rol të rëndësishëm, tha ai.
Pas takimit dy orësh me dyer të mbyllura, Presidenti Obama dhe Mbreti Salman i Arabisë Saudite, janë pajtuar për rëndësinë e “një qasjeje gjithëpërfshirëse në zbutjen e konflikteve në rajon”.
Në një komunikatë të lëshuar pas takimit, Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit diskutuan “sfidat nga veprimet provokuese të Iranit në rajon”.
Tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite janë shtuar për shkak të dallimeve në qasjen ndaj Iranit dhe luftës kundër terrorizmit.
Në komunikatë thuhet se Presidenti Obama e ka mirëpritur armëpushimin në Jemen dhe “përkushtimin e mbretit për të ofruar ndihmë humanitare gjithandej Jemenit”.
Për më tepër, “Presidenti ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të fushatës kundër IS-it dhe ka mirëpritur rolin e rëndësishëm të Arabisë Saudite në kuadër të koalicionit”.
Presidenti Obama takoi të mërkurën edhe princin e kurorës së Abu Dhabit, Sheikun Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Pas takimit, Shtëpia e Bardhë tha se të dy janë pajtuar se takimi “është një mundësi e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e Gjirit që të forcojnë bashkëpunimin kundër IS-it dhe për zgjidhjen e konflikteve në rajon”.
Në përfundim të takimit të së enjtes, Presidenti Obama do të mbajë një fjalim para se të niset për në Londër, ku do të diskutojë me kryeministrin britanik David Cameron, një varg çështjesh, përfshirë luftën kundër terrorizmit, krizën e migruesve në Evropë dhe ekonominë botërore.

Dalja e Ronaldos, masë paraprake

Deri në fund të sezonit në Kampionatin Spanjoll mbeten edhe 4 javë dhe Reali i Madridit do të kërkojë të luftojë deri në fund për të zbritur nga vendi i parë Barcelonën. Në ndeshjet e mesjavës tre skuadrat kryesuese arritën të dilnin fitimtare, duke mos e ndryshuar situatën në klasifikim dhe në rast se katalanasit dhe Atletico do ta mbyllin sezonin me të njëjtën kuotë pikësh, atëherë titulli do të shkonte për skuadrën e Luis Enriques, që ka dominuar në përballjet direkte. Nga përplasja mes dy kryesuesve shpreson të përfitojë skuadra “Los Blancos”, që pas suksesit 3-0 ndaj Villarreal duhet të bëjë llogaritë me një problem serioz, dëmtimin e Cristiano Ronaldos. Dukshëm i shqetësuar, portugezi u largua nga fusha e lojës pak përpara fundit të ndeshjes dhe mimika e fytyrës së numrit 7 nuk premtonte asgjë të mirë për Zinedine Zidane.
Gjithsesi, trajneri i skuadrës madrilene siguron tifozët, duke theksuar se dalja nga fusha ishte një masë paraprake për të mos rënduar situatën. “Një lojtar si ai e ka të nevojshme që ndonjëherë të mos e mbyllë ndeshjen deri në fund edhe pse Cristiano dëshiron të mos largohet asnjëherë. Për mua është një çështje shumë e vështirë, por nëse kishte probleme ishte e drejtë që të largohej pa mbaruar ndeshja. Tani duhet të presim me qetësi dhe të vlerësojmë situatën”, deklaroi Zidane, i cili nuk mund të flasë më shumë për shkallën e dëmtimit të sulmuesit luzitan.
Mjekët e klubit janë vënë në lëvizje për t’i dhënë një përgjigje sa më të shpejtë, pasi aktualisht lojtari duhet t’iu nënshtrohet analizave më të detajuara. Pas dhimbjeve që ndjeu në gju, fillimisht lojtari iu nënshtrua testeve ekografike, por një përgjigje e saktë do të merret të premten pas rezonancës magnetike. Në Madrid janë në pritje të Ronaldos, pasi 6 ndeshjet e ardhshme janë vendimtare për fatet e këtij sezoni dhe pa Ronaldon në fushë misioni titull dhe Champions do të bëhej shumë i vështirë.

Rafa ishte trashaluq

Masimo Morati e konsideron si një nga gabimet e karrierës së tij besimin që i dha Rafa Benitezit. Ish-presidenti zikaltër tregon se, tekniku spanjoll ishte pesimist dhe nuk besonte asnjëherë se skuadra do të fitonte trofe. Në prezantimin e librit të ish-mbrojtësit zikaltër, Kordoba, Morati vlerësoi maksimalisht brazilianin Leonardo dhe foli gjithashtu edhe për të ardhmen e Interit. Ai tha fjalët më të mira edhe për mbrojtësin kolumbian. “Kur Ivan erdhi tek Interi më impresionoi menjëherë, sepse e kishte për zemër skuadrën ku luante. Pavarësisht se ishte një mbrojtës, ai bënte gjithçka në fushën e lojës. Më tërhoqi personaliteti i tij. Fola me Brankën dhe Lipin dhe vendosëm ta afronim tek Interi. Kam kujtime të bukura me Kordobën, mes tyre fitoren e Kupës së Italisë në vitin 2005. Kupa e Italisë në atë kohë nuk festohej shumë, por për ne ishte shumë e rëndësishme. Milani vinte nga humbja e Ligës së Kampionëve në Stamboll me Liverpulin”, tha ai.
Më pas, Morati foli për Benitezin. “Ishte një profesionist i vërtetë, por linte shumë për të dëshiruar nga komunikimi dhe nga raporti që krijonte me lojtarët. Gabuam shumë që e zgjodhëm trajner të Interit. Nuk doja t’i vendosja shkopinj nën goma, por më humbi durimi me të, sepse dukej sikur nuk do të festonim kurrë derisa ai të ishte trajner i Interit. Jetonte në një situatë terrori dhe mungonte entuziazmi në skuadër. Për këtë motiv vendosa të ndjek Leonardon. Ai ishte një nga trajnerët më të mirë që kam pasur. Një djalë shumë i zgjuar dhe inteligjent. Ishte i zoti si trajner dhe si drejtues”, tha Morati.
Morati tha se, të gjithë tremben nëse ai riktheht. “Qarkullojnë disa zëra që duket sikur më kanë frikë po u riktheva. Mendoj se Tohir është duke ecur përpara me projektin e tij për të rikthyer një Inter kompetitiv. Nuk mendoj se do të rikthehem protagonist tek Interi dhe e mendoj shumë të vështirë. Nuk mund të bëhem hije në mënyrë konstante për të. Nëse do ta pranoja faktin që mund të rikthehem, do të vija në vështirësi ata që janë aktualisht. Është mirë që të vazhdojnë projektin e tyre. Nuk i vëzhgoj në punën e tyre, thjesht si mik jap këshillat e mia”.
Morati thotë se ka besim te vendi i tretë. “Unë kam besim. Shpresoj që lojtarët të japin maksimumin dhe ta arrijnë këtë objektiv të rëndësishëm. Mançini ka fituar një kampionat në sekondat e fundit në Angli, ndërsa me ne ka fituar kampionatin në ndeshjen e fundit me Parmën. Shpresoj që të bëjë një tjetër përmbysje të madhe për ta dërguar Interin në Champions”.
Në fund dy fjalë edhe për Francesko Totin. “Toti e ka dëshmuar në çdo moment forcën e tij në fushën e lojës. Ai bën gjithmonë diferencën, pavarësisht faktit se vitet kalojnë. Është e vërtetë që karriera e tij po përfundon, por meriton më shumë respekt. Ne i donim të mirën Kordobës dhe besoj që edhe te Roma i duan të mirën Totit. Është e vërtetë që e kam kërkuar tek Interi në të kaluarën, por ai nuk e tradhtoi kurrë Romën. Ka qenë një lojtar fantastik nga i cili duhet të marrin shembull të gjithë të tjerët”, përfundoi Morati.

Manaj: Ja pse zgjodha Interin para Juventusit

Sulmuesi kuqezi Rei Manaj, i cili aktivizohet me të rinjtë e Interit në Itali thotë se e ka pasur të lehtë zgjedhjen mes zikaltërve dhe bardhezinjve të Juventusit. Pas suksesit që arriti pak ditë më parë, duke shënuar ndaj Juventusit në finalen e Kupës së Italisë për U-19, Manaj thotë se ndihet shumë i lidhur me ekipin e të rinjve, qëndrim ky që duket se shuan zërat për një largim të mundshëm nga Milano drejt anglezëve të Aston Vilës.
“Kur u informova se mund të vija këtu (pranë ekipit të Interit), nuk pata dyshime në zgjedhjen time mes Interit dhe Juventusit”, ka thënë ai sipas portalit të njohur ‘goal.com”.
Duke folur për trofeun e fituar me të rinjtë e Interit, sulmuesi vlerësoi atmosferën në dy ekipet që është aktivizuar.
“Jam shumë i lumtur për TIM Cup dhe për ambientin që ekziston tek të rinjtë. Në ekipin e parë të gjithë më trajtojnë mirë. Jam shumë i lidhur me Medel, më këshillon dhe më korrigjon kur gaboj”, ka thënë Manaj.

Barcelona, tërmet 8 ballësh!

Barcelona tërmet 8 ballësh në Riazor, Atletiko s’i ndahet sipas mënyrës së tij me një fitore të rëndësishme në San Mame, ndërsa Reali nuk fal në “Bernabeu” përballë Villarealit. Vijon e ethshme gara për titullin në La Liga me tre skuadrat e kreut që i ndan vetëm një pikë edhe pas javës së 34, duke premtuar spektakël deri në fund.
Në Riazor Deportivo u kthye në viktimën e shfryrjes së dufit nga Barcelona që vinte pas 3 humbjeve radhazi dhe me kryesimin në fije të perit, me blaugranat që nuk u kursyen për t’u kthyer në shtëpi me një fitore 8-0 për t’i treguar botës se kanë mbetur të njëjtët dhe nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe në garën për titullin.  Te Barca shënojnë të gjithë, por ishte mbrëmje e veçantë për Luis Suarez autor i një katër golëshi që e kandidon si rivalin kryesor të Ronaldos në garën për titullin e kryegolashënuesit. Ishte pikërisht urguajani që hapi festivalin në minutën e 11, në të 24 sërish bis nga El Pistolero që këtë herë i duhet të falënderojë Lionel Mesin për këtë vertikalizim klasi me argjentinasin që i shërben pa e parë fare për golin e 2-0.
Në të 47, Suarez veshi dhe kostumin e njeriut asist për t’i shërbyer Rakitiç topin e 3-0  më ndeshjen që tanimë luhej vetëm me një portë. 6 minuta më vonë tjetër vertikalizim i mrekullueshëm i Mesit për Suarez që i vetëm përballë portierit shënon golin që i jep topin e ndeshjes, ndërsa për ta ekzagjeruar krejtësisht El Matador shënoi dhe golin e katërt personal në të 64.
30 gola për Luis Suarez në La Liga, Cristano Ronaldo është i paralajmëruar ka konkurencë për Këpucën e Artë dhe për t’ia shpërblyer asistet e mrekullueshme Suarez i dhuron argjentinasit një penallti në aksion me Mesin që thjeshtë dhe pastër shënon golin e 501 të karrierës. Makthi për Deportivon ende nuk kishte përfunduar, pasi 5 minuta më vonë Marc Bartra bëri gjithçka vetë duke avancuar dhe gjuajtur edhe pse me vështirësi për të vendosur emrin në tabelën e rezultatit dhe kush kishte mbetur pa shënuar? Vetëm Neymar dhe ja ku është në të 80 teksa merr pasimin nga Suarez shmang dhe portierin dhe shënon golin e tij të 22 në kampionat. Mbrëmje ilaç për Barcelonën që fiton 8-0, 3 asiste dhe katër gola për Suarez, shënon Mesi, shënon dhe Neymar që mungonte në takimin me golin prej 5 ndeshjesh.
Gjithsesi Atletico nuk i ndahet katalanasve, edhe pse jo me bujën e formacionit blaugrana. Los Colchoneros fituan me rezultatin minimal 1-0 një ndeshje të një shkalle vështirësie shumë më të lartë, pasi u imponuan në San Mames përballë Athletic Bilbaos. Ndeshje e vendosur në minutën e 38 nga Fernando Torres, po kalon një rini të dytë El Nino, që shënoi me kokë pas asistit të Antuan Griezman.
1-0 dhe kaq i mjafton Atleticos për të qëndruar në të njëjtën kuotë pikësh me Barcelonën në krye të klasifikimit, duke mbajtur nën presion katalanasit. Mbetet vetëm një pikë pas Realit të Madridit që nuk dështon në provimin me Villarealin, ndeshje e fituar me rezultatin 3-0 nga skuadra e Zinedine Zidane. Los Blancos në avantazh në minutën e 41 me Karim Benzema që nuk fal me kokë.
Në formë francezi që jep dhe asistin e dyfishimit për Lucas Vazques që vë fitoren në kasafortë në minutën e 69. Padyshim i etur për të shënuar Cristiano Ronaldo. Domethënëse pamjet kur shtyn topin në rrjetë me dorë, pasi ka lënë dhe copa bluze në duelin me mbrojtësit e Villareal. Gjithsesi goli i tretë vjen nga Luka Modriç, dhe çfarë goli madje, me kroatin që shënon fluturimthi në krosimin nga e djathta të Danilos.
3-0 dhe mjafton edhe pa golin e Ronaldos, që mbetet në kuotën e 31 finalizimeve, vetëm një më shumë tanimë se Suarez, me Spanjën e futbollit që përjetoi një tjetër mbrëmje spektakolare.

Totti i kundërpërgjigjet drejtuesve

Një legjendë si Francesco Totti nuk vdes kurrë dhe këtë gjë e dinë shumë mirë tifozët e Romës. Pavarësisht moshës së madhe dhe vështirësive që ka kaluar së fundmi, në sfidën e së mërkurës ndaj Torinos, Totti tregoi edhe njëherë tjetër se sa vlen. Ajo që bëri ndaj skuadrës Granata mund të konsiderohet edhe si një fitore personale e kapitenit kundër trajnerit të verdhekuqve, Luciano Spalletti dhe jo vetëm. Mjaftuan pak minuta në fushën e blertë, ku falë dy golave të tij Totti i dha  skuadrës një trepikësh shumë të rëndësishëm. I ndodhur me shpatulla pas murit, teknikut Spalleti nuk i mbeti gjë tjetër veçse të komplimentonte 39-vjeçarin.
Përpara mikrofonëve Spalletti përsëriti sërish se është ai që vendos në lidhje me formacionin. Diçka normale kjo, por kur behët fjalë për skuadrën e Romës dhe numrin 10 të saj situata bëhet disi më e veshtirë. Nga ana tjetër, drejtuesit e Romës vazhdojnë të jenë të mendimit për të mos i rinovuar kontratën Tottit por, paraqitjet në takimet e fundit mund t’i japin një tjetër rrjedhë të ardhmes së kapitenit. Pas asistit për Salah ndaj Bolognës, golit kundër Atalantës erdhi dhe dygolëshi ndaj Torinos. Në vetëm 20 minuta të luajtura në dy takimet e fundit, idhulli i tifozerisë verdhekuqe ka arritur të realizojë tre gola, duke i dhuruar ekipit 4 pikë. Shifra të kënaqshme këto për një futbollist të moshës së tij. Francesco Totti e ndjen ende veten të gatshëm të luaj dhe stoli për të duket i papranueshëm. 39-vjeçari për momentin nuk e sheh veten të ulur në një tavolinë, duke bërë rolin e drejtuesit.
Pas kësaj fitore, e cila pothuajse ia ka siguruar vendin e tretë, trajneri i romakëve, Luciano Spalletti, ka lavdëruar ikonën e klubit, Tottin. “Ishte një fitore e rëndësishme sidomos në lidhje me rezultatet e tjera të kësaj mbrëmjeje”, ka thënë Spalletti prë Premium Sport. “Unë isha duke shpresuar se Totti mund të na frymëzojë. Ishte diçka e madhe për të dëgjuar ulërimë në stadium. Ai e bërë atë që ka bërë edhe herëve të tjera, dhe është një burim i rëndësishëm për ne”, ka theksuar ai.

1 fitore larg titullit

Juventus përgatit festën e titullit kampion në Serinë A. Bardhezinjtë kanë 9 pikë avantazh ndaj skuadrës së Napolit dhe kur kanë mbetur 4 javë nga fundi i kampionatit, titulli i pestë kampion radhazi duket se është një mision që kërkon pak impenjim pas një rrugëtimi fantastik në fazën e dytë të kampionatit. Starti i dobët në fillim të sezonit tashmë duket vetëm një ëndërr e keqe, e harruar pas ecurisë së jashtëzakonshme në vitin 2016.
Juventus të dielën luan në transfertën delikate të Firenzes kundër Fiorentinës dhe në rast të një rezultati pozitiv, e vetmja gjë që i mbetet të bëjë është të ulet përpara televizorit dhe të ndjekë pa kurrëfarë shqetësimi takimin mes Romës dhe Napolit. Festa mund të nisë më 25 prill por, nëse avantazhi vazhdon të mbetet në kuotën e 9 pikëve, atëherë do të ketë shtyrje të zyrtarizimit të titullit. Nëse 25 prilli nuk do të jetë data e e shumëpritur, tifozëve të Juventusit do t’u duhet të presin datën 1 maj në takimin kundër Carpit. Sidoqoftë një gjë është e sigurt, titulli i pestë kampion qëndron pas derës dhe “Zonja e Vjetër” mjafton të presë kohën e duhur për të nisur festën bashkë me tifozët e saj në sheshin qendror të Torinos.
Titulli i 5-t kampion radhazi në Serinë A është vetëm 1 fitore larg për Juventusin. Bardhezinjtë e çuan sërish në 9 pikë avantazhin ndaj Napolit ndjekës në klasfikim dhe tashmë mund të konsiderohen praktikisht kampionë të Italisë për të 5-in vit radhazi. Në Juventus Stadium, të besuarit e Massimiliano Alegri likuiduan me një 3-0 të pastër, Lazion e Simone Inzaghit, duke i shkaktuar humbjen e parë këtij të fundit në stolin e bardhekaltërve. Mandzukiç në pjesën e parë dhe Dybala dy herë në fraksionin e dytë ishin autorët e golave për Juventusin që pas javës së 34-t numëron 82 pikë kundrejt 73 pikëve të Napolit.
Interi, ndërkohë i thotë lamtumirë Championsit. Zikaltërit e Mançinit u mposhtën 1-0 nga Genoa në Marassi dhe 4 javë përpara fundit të kampionatit e shohin veten 7 pikë pas Romës së vendit të tretë, që arriti të çmendur 3-2 me përmbysje ndaj Torinos në Olimpico. Fantastik Francesco Totti i cili edhe pse u hodh në fushë nga trajneri Spalletti në minutën e 86-të, në vetëm pak çaste realizoi dy herë, duke i dhënë një fitore shumë të rëndisishme skuadrës kryeqytetase. Më herët për Torinon kishin realizuar Belotti nga pika e bardhë e penalltisë dhe Martinez, ndërsa barazoi përkohësisht shifrat qëndërmbrojtësi grek Manolas në minutën e 66-të. Për të kthyer te sfida e zhvilluar në Luigi Ferraris pavarësisht përpjejkeve të shumta të Interit, pasaktësia në finalizim e zikaltërve bëri që De Maio në minutën e 77-të të shënonte golin e fitores për Genoan e Gasperinit, gol që hodhi knock-out, Interin e Mançinit.