37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Universiteti zgjedh Konin jo kandidaten e Shullazit

Profesor Mynyr Koni ka fituar përballë kandidates së Shullazit, Klodeta Dibra, në zgjedhjet për Rektor të Universitetit të Tiranës. Numërimi i votave për stafet akademike në Universitetin e Tiranës ka përfunduar rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Nga numërimi ka rezultuar se kandidati për Rektor, Profesor Mynyr Koni ka marrë 460 vota, kundrejt Klodeta Dibrës, e cila ka marrë 243 vota. Pritet të përfundojnë numërimi i votave të studentëve, por vota e tyre ka 10% të peshës në rezultat, ndërsa vota e pedagogëve 90%, çka tregon se rezultati është i vështirë të përmbyset, nisur nga diferenca e madhe mes dy kandidatëve.
Pjesëmarrja e studentëve në zgjedhjen e Rektorit të ri të Universitetit të Tiranës ka qenë e ulët. Nga burime zyrtare mësohet se kanë votuar vetëm 50% e studentëve. Ndërkohë, gjatë paradites, një grup studentësh protestuan, duke bërë thirrje që procesi të bojkotohej.
Megjithë terrorin dhe presionin e bandave për të votuar kandidaten e Ramës, në votimet për Rektor të Universitetit të Tiranës ka triumfuar Profesor Koni, duke e shpëtuar Universitetin nga kandidatja e Shullazit.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e Universitetit të Tiranës ka qenë 98%. Pedagogë dhe studentë i kanë thënë “Jo” me votë kapjes së Universitetit nga bandat pranë qeverisë. Megjithë terrorin e ushtruar gjatë ditëve të fundit, procesi zgjedhor në Universitetin e Tiranës vijoi normalisht. Studentët votuan normalisht në Fakultetet e tyre, për të zgjedhur strukturat drejtuese. Sipas Komisionit institucional zgjedhor, pjesëmarrja në votime ka qenë 98%.

Koni: Studentët dhe stafi akademik dëshmuan vlerat reale të UT-së

Në përfundim të procesit zgjedhor për rektor në Universitetin e Tiranës, kandidati Mynyr Koni ka komentuar zgjedhjet, duke theksuar se pjesëmarrja e stafit akademik ishte në nivelin 98%, ndërsa numri i studentëve që votan ishte 7 mijë. Në një postim në rrjetin social Facebook, Koni shkruan se studentët dhe stafi dëshmuan vlerat reale të UT dhe modelin  e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
“Procesi zgjedhor në Universitetin e Tiranës ka përfunduar. Pjesëmarrja e stafit akademik në këto zgjedhje është në nivele maksimale me 98%. Nga të dhënat paraprake janë rreth 7.000 studentë të cilët kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës për përzgjedhjen e drejtuesve të niveleve të ndryshme të UT-së. Vlerësoj maksimalisht faktin, që në këtë ditë të rëndësishme për universitetin, studentët dhe stafi akademik dëshmuan vlerat reale të UT-së dhe modelin më të mirë për zgjedhje të lira dhe demokratike. Do doja të falenderoj studentët, stafin akademik dhe të gjitha strukturat që kanë ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit të sotëm dhe njëkohësisht për gjithë mbështetjen e dhënë gjatë kësaj kohe”, shkruan Profesor Koni në Facebook.

Bashkëshorti i ministres Nikolla, në garë për dekan pa konkurent

Bashkëshorti i Lindita Nikollës ka konkuruar për dekan në një prej fakulteteve të Tiranës. Ka pasur reagime në rrjetet sociale lidhur me këtë kandidim, ndërkohë që është i vetëm në garë. Kështu, te Inxhinieria Matematike u shpall fitues Ligoraq Nikolla, bashkëshorti i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, pasi ka qenë i vetëm në garë. Qëllimisht nuk është lejuar të kandidojë asnjë pedagog tjetër. Qytetarët konsiderojnë se ky është një rast i konfliktit të interesit.
Numërimi i votave ka përfunduar edhe në Fakultete. Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës u zgjodh Andrea Maliqari. Ai u shpall fitues që me votat e pedagogëve. Dekan i Fakultetit Teknologji Informacioni u zgjodh Vladi Koliqi. Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike fitoi Jorgaq Kacani. Dekan i Fakultetit Inxhinieri Ndërtimi u shpall Gëzim Hasko. Te Gjeologji-Minierat fitoi Vasil Jorgji. Dekan i Gjeoshkencave u shpall Fatos Hoxha. Tek Fakulteti i Mjekësisë kryeson Arben Gjata.
Dekani i Fakultetit të Artit Skenik, Kastriot Çaushi ka fituar me një diferencë të madhe votash ndaj 2 kandidatëve të tjerë në garën për Rektor të Universitetit të Arteve. Ai ka marrë 92 vota.

Gjykata pezullon zgjedhjet në Universitetin e Sporteve, Ministria nuk e zbaton

Gjykata vendosi pezullimin e zgjedhjeve në Universitetin e Sporteve, Ministria nuk e zbaton.
Denoncimin e bëri kreu i Departamentit të Arsimit, deputeti Luçiano Boçi. “Kemi këtu një nga rastet flagrante të ndërhyrjes së ministrisë në procesin zgjedhor dhe madje të shkeljes së ligjit. I referohemi Fakultetit të Veprimtarive Fizike të Universitetit të Sporteve, ku një prej kandidatëve pa bërë padi ndaj Komisionit të Apelimit në Gjykatën Administrative, e cila ka marrë vendimin e saj për pezullimin e procesit zgjedhor dhe bazuar në vendimin e Gjykatës, që po e tregoj këtu, Komisioni i Fakultetit ka ndjekur vendimin e Gjykatës dhe ka marrë vendimin për pezullimin e procesit zgjedhor për dekan të këtij fakulteti, por përsëri është Komisioni i Apelit ai që vendos me ndërhyrjen e njerëzve të dërguar nga ministria që vendos, që procesi të vazhdojë dhe përjashtimin e njërit prej kandidatëve që është Agron Kasa”, shprehet Boçi.
Duke denoncuar edhe futjen e duarve nga ana e qeverisë në procesin zgjedhor, në universitete, për deputetin e PD-së, kjo është jo vetëm shkelje e kompetencave, por edhe shkelje e rëndë e ligjit. “Kjo është jo vetëm shkelje e kompetencave të ndërhyrjes brutale të ministrisë në procesin zgjedhor, ndërhyrje që ne e kemi denoncuar, por është njëkohësisht një shkelje e rëndë ligjore që për të cilën anëtarët e Komisionit të Apelit do të mbajnë përgjegjësi penale, pasi do të bëhet edhe denoncimi përkatës nga kandidati, por jemi këtu edhe për të faktuar atë që kemi thënë këto ditë që ministria dhe qeveria është duarbrenda procesit zgjedhor në universitete në rastin e zgjedhjeve për rektorët dhe dekanët. Gjërat janë e zeza mbi të bardhë dhe nuk mund të mohohen”, përfundon denoncimin e tij deputeti Luçiano Boçi.

Manipulohen zgjedhjet universitare në Durrës, FRESH presion studentëve

Zgjedhjet në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, janë manipuluar nga të rinjtë socialistë. Vëzhguesit kanë deklaruar se, procesi i votimit në Fakultetin e Shkencave Politike është manipuluar. Isa Myzyri, vëzhgues nga radha e studentëve gjatë procesit të votimit, tha se ka pasur ndërhyrje nga strukturat politike, kryesisht nga Forumi Rinor i Partisë Socialiste, FRESSH-i. Sipas Myzyrit, në këto zgjedhje po bëhet manipulim.
“Disa të rinj të FRESSH u kanë bërë presion studentëve që të vtojnë për kandidatin e preferuar prej tyre. Njerëz të paautorizuar janë futur në qendrat e votimit dhe orientojnë studentët se për cilin kandidat duhet të votojnë. Nuk janë lejuar kamerat që të filmojnë. Situata ka qenë mjaft e tensionuar”, u shpreh një student.
Në zgjedhje merr pjesë i gjithë stafi akademik, i punësuar me kohë të plotë. Përjashtohen nga kjo e drejtë ata anëtarë të veçantë stafit akademik që, për shkak të moshës, nuk kanë të drejtë të zgjidhen, por vijojnë të jenë të punësuar për shkak të titujve shkencorë që mbajnë. Në zgjedhje marrin pjesë të gjithë studentët, e të gjitha cikleve të studimit, që studiojnë me kohë të plotë.

Manipulime edhe në Gjirokastër

Edhe në Gjirokastër janë manipuluar zgjedhjet për strukturat drejtuese të Universitetit “Eqerem Çabej”. Akuzat për presione dhe manipulim të procesit janë bërë nga pedagogët dhe studentët. Ndërsa kandidati për rektor, Kostaq Hila deklaroi se, studentët janë vënë nën presion nga kreu i qeverisë studentore për të votuar kandidatin tjetër Bektash Mema.
“Persona që nuk kanë asnjë lidhje me universitetin po bëjnë kërcënime të hapura ndaj trupës zgjedhore për të deformuar vullnetin zgjedhor. Një rol po luan edhe kreu i qeverisë studentore i cili ka kohë që edhe në FB në emër të qeverisë studentore ka dalë hapur me këtë qëndrim dhe sot po zhvillon këtë aktivitet që lidhet me këta persona”, u shpreh kandidati Kostaq Hila. Hila tha më tej se, ka njoftuar Policisë dhe Prokurorinë për manipulimet.
Edhe në Vlorë, procesi i votimit është zhvilluar nën presion. Një ditë më parë, një profesor deklaroi se deputeti i PS, Koço Kokëdhima ka ushtruar presion tek pedagogët që të votojnë kandidatin e preferuar prej tij.
Universitetet publike në vend zhvilluan zgjedhjet për drejtuesit e rinj, të cilët përfshijnë 14 rektorë, 55 dekanë dhe 155 shefa departamentesh. Në mjaft Universitete zgjedhjet u zhvilluan në presion nga të rinjtë socialistë dhe mbështetës të kandiatëve të majtë.
Gara më e ashpër ishte në Universitetin e Tiranës. Kjo për shkak se njëri nga kandidatët për Rektor, Mynyr Koni u kërcënua të tërhiqte kandidaturën e tij. Votimit i janë nënshtruar stafet akademike dhe studentët. Nuk kanë munguar edhe protestat dhe bojkoti i një pjese të studentëve. Ata thanë se nuk përfaqësohen në këtë proces për shkak të peshës 10% të votës së tyre në këto zgjedhje.

R.POLISI

Drogë vietnameze që rritet për 45 ditë, plantacione në gjithë vendin

Një farë e re e kanabisit ka mbërritur në Shqipëri, nga e cila bima rritet për 45 ditë. Zëvendëskryetari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, deputeti Flamur Noka i ka drejtuar një letër kryeministrit të vendit, ku ngre shqetësimin për të dhënat që tregojnë pesëfishimin e sipërfaqes së mbjellë me cannabis-sativa. Në letrën drejtuar Kryeministrit Noka shprehet se, fenomeni i kanabisit është shtrirë në gjithë territorin e vendit, si dhe për faktin që grupet kriminale po përdorin një farë të veçantë, vietnameze çka mundëson kryerjen e ciklit të plotë në 45 ditë.
Nisur nga këto të dhëna shqetësuese, Noka, i kërkon kryeministrit të marrë masa e të nisë para kohe misionin e monitorimit nga ajri, përmes policisë italiane sipas marrëveshjes së vitit 2011.
Noka kërkon shtrirjen e monitorimit në të gjithë territorin e vendit, pa kufizim apo paracaktim të itinerarit, dhe publikimin e plotë të të dhënave të përftuara nga ky monitorim.
“Me shqetësim të thellë konstatojmë se, në vitet e fundit situata e rendit dhe sigurisë, e posaçërisht kultivimi dhe trafikimi i bimëve narkotike ka njohur një përkeqësim të thellë. Vetëm pak ditë më parë, raporti i BE-së për drogat, përgatitur nga EUROPOL, konfirmoi situatën dramatike sa i takon kultivimit masiv dhe trafikimit të bimëve narkotike në vendin tonë, duke e renditur Shqipërinë si vendin kryesor në kultivimin dhe trafikimin e cannabis-sativa drejt vendeve të BE-së, kryesisht drejt Italisë. Ky fakt është nënvizuar po me të njëjtin preokupim dhe shqetësim nga Raporti i DASH, për drogat, bërë publik në mars të vitit 2016”, thuhet në letrën që Noka i ka dërguar Kryeministrit.
Investimet mediatike dhe denoncimet e qytetarëve tregojnë qartë se, fenomeni i kultivimit të cannabis-sativa tashmë kryhet pothuajse në të gjithë territorin e vendit tonë. “Këto burime bëjnë me dije se, gjatë këtij viti sipërfaqet e kultivuara janë drejt pesëfishimit në krahasim me një vit më parë, si edhe për faktin që tashmë grupet kriminale po përdorin një farë të veçantë, të ashtuquajtur ‘fara vietnameze’, e cila e kryen ciklin e plotë të kultivimit, rritjes dhe korrjes brenda 45 ditëve”, shkruan Noka në letrën drejtuar Ramës”, shprehet më tej Noka.
Nisur nga këto të dhëna shqetësuese, Noka i kërkon Kryeministrit të marrë masa e të nisë para kohe misionin e monitorimit nga ajri, përmes policisë italiane sipas marrëveshjes së vitit 2011.
“Ky aktivitet kriminal ka mbështetje nga segmente të larta të Policisë së Shtetit dhe nga drejtimi i lartë politik i Ministrisë së Brendshme si rezultat i kapjes së këtyre strukturave policore dhe politike, por edhe si një shpërblim për kontributin e grupeve kriminale në fushatën e fundit elektorale. Këto segmente kanë nxitur përfundimin e mbjelljes brenda datës 20 prill në të gjithë territorin me objektiv korrjen e plotë deri në javën e parë të qershorit”, thekson Noka.
Noka kërkon shtrirjen e monitorimit në të gjithë territorin e vendit, pa kufizim apo paracaktim të itinerarit dhe publikimin e plotë të të dhënave të përftuara nga ky monitorim. “Në këto kushte ju kërkojmë marrjen e masave për nisjen e parakohshme të misionit të monitorimit nga ajri të strukturave të policisë italiane sipas marrëveshjes së vitit 2011, shtrirjen e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë pa asnjë kufizim apo paracaktim të itinerarit të vëzhgimit ajror, si dhe publikimin e plotë të të dhënave dhe imazheve të përftuara nga ky monitorim”, shkruan Noka në fund të letrës drejtuar Ramës.

R.POLISI

Qeveria bllokon portalet e informimit

Rama bllokon portalet e informimit që kritikojnë qeverinë. Ish-Kryeministri Berisha, në një postim në Facebook shkruan se, Edi Rama me kushërirën Koleka sulmojnë dhe bllokojnë një seri portalesh të njohura për transparencën që bëjnë!
“Të dashur miq, pas vërshimit të lajmeve dhe dokumenteve që faktojnë lidhjet direkte të Edvin Shullazit, Saje qorrit, ministrave të tjerë me Milin e Partisë, janë ndërmarrë sulme nga zyrat e mbrojtjes kibernetike të qeverisë ndaj serverave të një seri portalesh që Rama i ka me rreth të kuq. Ky sulm është një akt i shëmtuar që të rikujton sulme të regjimeve totalitare të Koresë së Veriut dhe diktaturave të tjera ndaj internetit dhe rrjeteve sociale”, shkruan Berisha.
Më tej, Berisha u bën thirrje mediave që të solidarizohen me portalet e informimit që censurohen nga Rama për të bojkotuar çdo veprimtari qeveritare. “Ju bëj thirrje mediave, që në shenjë dënimi ndaj këtij akti censorial stalinist të qeverisë dhe solidarizimi me portalet e bllokuara si ‘opinion.al’, ‘syri.net’, ‘opozita.com’ dhe 12 portale të tjera, të bojkotojnë çdo veprimtari qeveritare për një periudhë 10-ditore! Sb”, përfundon Berisha.

Largim i Tahirit, paralajmërimi i Bashës

Kryetari i PD, Basha vlerësoi dje vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për lënien në burg të kryekriminelit Shullazi, ndërsa kërkoi largimin nga qeveria të avokatit të Shullazit, ministrit të Brendshëm, Saimir Trahiri si domosdoshmëri për procesin e hetimit. Basha paralajmëroi Ramën se procesi i nisur me bandën e Shullazit do të vazhdojë edhe me bandat e tjera të pushtetit.
Basha theksoi se vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për dhënien e masës “Arrest me burg” Shullazit është vendim i drejtë, i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë. “Qytetarët e ndershëm besojnë dhe vlerësojnë hapat e atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve me integritet, të cilët zbatojnë ligjin, i japin kuptim togfjalëshit shtet ligjor, japin drejtësi duke dhënë vendime të drejta siç ishte mbajtja në “Arrest me burg”, masa e sigurisë për bandën e “Shullazit”. Prej më shumë se dy vjetësh opozita, Partia Demokratike ka denoncuar lidhjet e tmerrshme të krimit me pushtetin e Edi Ramës, veshjen e pushtetit të Edi Ramës me krim dhe veshjen e krimit me pushtetin e Edi Ramës. Prej më shumë se dy vjetësh ne kemi denoncuar për epideminë e gjobëvënies, tritolit, kërcënimeve, rrëmbimeve dhe industrisë së narkokultivimit dhe narkotrafikimit si rezultat i lidhjeve të bandave kriminale me Edi Ramën dhe Saimir Tahirin. Por me rastin e këtij operacioni të suksesshëm, të kësaj pike kthese, ku të paktën në këtë fillim duket se pushteti nuk ia ka dalë të ndihmojë lidhjet e tij kriminale, shqiptarët po mësojnë disa të vërteta” u shpreh kreu i PD.
“Po mësojnë, si Emiljano Shullazi me mbështetjen dhe përkrahjen e lidhjeve të tij qeveritare është pasuruar në këto dy vite, duke iu vënë pistoletën në kokë biznesmenëve duke iu thënë “o gjobën, o jetën!”.  Se si në këto dy vite Shullazi dhe shullazët me mbështetje qeveritare ia kanë dalë të përfitojnë shuma marramendëse për shkak të kësaj mbështetjeje, duke i vënë pronarët e bizneseve, qytetarët, pronarët e trojeve para zgjedhjes “o ver firmën për tjetërsim të pronës e prano diktatin e krimit me mbështetje qeveritare ose jetën!”.  Shqiptarët kanë mësuar dhe po mësojnë se si Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë bërë atë që ka kërkuar dhe kërkon Emiljano Shullazi dhe banda e tij dhe shullazët e tjerë. Dhe në këmbim edhe Shullazi bën atë që i kërkon Edi Rama dhe Saimir Tahiri.
Këto janë çështje që opozita i ka denoncuar me forcë, por që sot shqiptarët kanë shansin t’i shohin përmes një procesi gjyqësor, i cili, tha Basha, meriton dhe do të ketë vëmendjen e plotë të opozitës, por po kështu uroj edhe të partnerëve tanë strategjikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian, si një provë që kjo pikë kthese në vigjilje të Reformës në Drejtësi do të jetë për të gjithë shqiptarët shpresa që lidhjet e krimit me pushtetin dhe lidhjet e pushtetit me krimin nuk mund të jenë përherë mbi të drejtën, mbi ligjin”, tha Basha.
“Shqiptarët nga njëra anë kanë mësuar se për 30 mijë lekë të merret shpirti, merresh dhe futesh në burg, ndërsa kur kapesh në flagrancë duke gjobitur, duke vënë tritol, duke mbjellur e korrur hashash në sasi të mëdha e duke e trafikuar atë, në qoftë se ke lidhje qeveritare shpëton paq. Dhe rasti i “Shullazit” nuk është as i fundit, as fillimi. Dje patëm në Fushë-Arrëz rastin e vëllait të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrësit, i cili u arrestua në dijeninë tonë sipas të dhënave operacionale të përfituara sipas hetimeve të Prokurorisë dhe pak orë më vonë u lira sepse deputeti Pjerin Ndreu u gjend papritmas në Fushë-Arrëz dhe zgjodhi të festonte me këtë person me precedentë penalë, të dënuar për 7 vite, sipas informacioneve paraprake. Përpjekja për të ndalur dorën e drejtësisë vazhdon. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në këmbë dhe po bëjnë gjithçka që Shullazi të mos thotë atë që di për këta të dy. Jo vetëm kaq, presioni ndihet kudo, presioni është shtrirë edhe në mediat kombëtare, të cilat nën këtë presion po ndërtojnë alibitë e biznesmenëve, të cilët po na dalin dhe po thonë se nuk ndihen të kërcënuar apo nuk kanë qenë të kërcënuar apo në nxirrjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë hetim. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në zi, janë dhe në këmbë për ta ndalur, për ta sabotuar këtë hetim dhe kjo është diçka tronditëse, por që nuk na habit” tha Basha.
Kreu i PD tha se opozita do të monitorojë rreptësisht procesin deri në fund. “Ne do ta monitorojmë deri në fund këtë proces. Do t’i japim mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme prokurorëve dhe gjyqtarëve me integritet që kanë në dorë këtë rast. Do të ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë të vrasin frikën dhe të dalin përpara me provat, faktet e dëshmitë mbi aktivitetin e kësaj bande dhe bandave të tjera. Sepse ne jemi të bindur që Shqipëria e së nesërmes nuk mund të jetë kurrë Shqipëria e shullazëve, nuk mund të jetë kurrë Shqipëria e qeverisë së bërë njësh me krimin dhe që ka ngritur perandorinë dhe korporatën e krimit këtu në Shqipëri. Që kjo të ndodhë Saimir Tahiri duhet të largohet një orë e më parë” tha Basha.

Media e kapur nga pushteti është në dispozicion të Shullazit

Shteti dhe media e kapur nga pushteti është në dispozicion të Shullazit. Basha tha se kërcënimet e vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndaj opozitës nga Shullazi dhe shullazët vazhdojnë edhe për arsyen sepse protektori i tyre numër një vazhdon të mbajë detyrën e ministrit të Brendshëm. “Ndaj është emergjente largimi i Saimir Tahirit, një njeriu botërisht të njohur për lidhjet e tij me Emiljano Shullazin. Një njeriu që është përgjegjës sot për një fushatë të 5-fishimit të mbjelljes së kanabisit anembanë vendit dhe për të cilën kemi kërkuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë që të nisë menjëherë monitorimi i kësaj situate të paprecedentë dhe të merren masa. Por çdo masë do të jetë e paplotë dhe çdo përpjekje kundër krimit do të kërkojë energji titanike sa kohë që krimi ka ambasadorin dhe protektorin e vet ministër të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë. Dhe ky është momenti që të përsërisim edhe një herë thirrjen tonë për largimin një orë e më parë të Saimir Tahirit, si një domosdoshmëri të ecjes përpara të procesit hetimor ndaj rastit “Shullazi” dhe për ecjen përpara me hetimet për bandat e tjera në lidhje me pushtetin. Një gjë është e sigurt, kjo që ka filluar nuk mund të ndalet dhe nuk do të ndalet. Vullneti i shqiptarëve për shtet ligjor do të përkthehet në të tjera veprime, në të tjera demaskime të lidhjeve të pushtetit me krimin dhe opozita siç ka qenë do të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj përpjekjeje” tha Basha.

Fakte tronditëse do të dalin në dritë nga sot

Në përgjigje të interesit të gazetarëve, kreu i PD, Basha tha se beteja kundër bandës në pushtet nuk do të ndalet ndërsa tha se vullneti i shqiptarëve për shtet ligjor do të përkthehet në të tjera veprime, në të tjera demaskime të lidhjeve të pushtetit me krimin dhe opozita siç ka qenë do të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj përpjekjeje.
(Më poshtë përgjigjet e Bashës ndaj interesit të gazetarëve)

– Me protesta?
Me të gjitha format dhe mënyrat.

– Zoti Basha, përse thoni se duhet të largohet Saimir Tahiri kur ju njësoj fajësoni edhe Kryeministrin Rama, por për ata nuk kërkoni largim?
Ne kemi kërkuar prej momentit të parë të daljes së skandalit të “Habilajve” largimin e Saimir Tahirit dhe këtu nuk ka asgjë të re. Siç e thashë unë duke rishprehur edhe një herë mbështetjen dhe inkurajimin për prokurorët, për gjyqtarët, për personelin e Policisë Gjyqësore në rastin e këtij hetimi, ritheksoj një qëndrim politik të opozitës: largimin e Saimir Tahirit si parakusht për t’i prerë shpresat e këtij grupi kriminal dhe grupeve të tjera të lidhura me të se mund të influencojë përmes kërcënimeve, presioneve hetimet dhe procesin e ndjekjes penale dhe të gjykimit.
Por përgjegjësi kryesor për këtë gjendje të vendit është padyshim Edi Rama dhe largimi i Edi Ramës, krijimi i një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhjet e ardhshme – sepse një pjesë e mirë e kësaj mbështetje politike jepet pikërisht për të kapur dhe prishur zgjedhjet e ardhshme: përmes fushatës së mbjelljes së drogës që shihet si një burim kryesor të ardhurash për të blerë dhe për të intimiduar votuesit shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme, përmes aleancës së çeliktë me krimin arkitekt i saj ka qenë dhe është sot e gjithë ditën Edi Rama, Kryeministri i vendit. Kështu që qëndrimi ynë për Edi Ramën është shprehur tashmë. Me Edi Ramën nuk mund të ketë demokraci, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë shtet ligjor. Por largimi i Saimir Tahirit është parakusht për ecjen normale të procesit “Shullazi”.

– A keni informacion ju se çfarë Emiljano Shullazi di për Saimir Tahirin dhe Edi Ramën, siç ju edhe thatë?
Opozita prej kohësh ka denoncuar atë që dihet publikisht, botërisht. E di Tirana, e di Shqipëria, e dinë partnerët ndërkombëtarë lidhjen e ngushtë të Saimir Tahirit me Emiljano Shullazin, shërbimet e ndërsjella që i kanë bërë dhe i bëjnë njëri-tjetrit. Pyetje dhe fakte tronditëse presim të dalin në dritë edhe në kuadër të hetimeve dhe procesit në fjalë, fakte dhe pyetje tronditëse do t’i drejtohen protagonistëve nga opozita duke filluar që nesër.

– Zoti Ahmetaj më herët i konsideroi abuzuese deklaratat e opozitës në lidhje me ekonominë, duke folur me shifra konkrete për investimet dhe papunësinë në vend. Janë abuzuese sipas tij deklaratat e opozitës. Keni një koment për këtë?
Unë mendoj se sot ai është sjellë si “shullazi i financave” sepse shifrat dhe faktet nuk i denoncoi opozita, por i denoncoi Banka Botërore, anketa e Bankës së Shqipërisë, Departamenti i Shtetit, raporti i Fondacionit “Bertelmann”, Shoqata e Investitorëve gjermanë, Shoqata e Investitorëve të Huaj. Po përmend vetëm gjashtë raporte që u publikuan shtatë ditët e fundit, por Arben Ahmetaj dhe kredibiliteti i tij tashmë dihen. Ky ishte njeriu që tha jap dorëheqjen po të më nxirrni një udhëtim me charter. I kemi nxjerrë 15–të udhëtime me charter. Ka guximin të dalë atje dhe të përrallisë për vende të reja pune, ndërkohë që qeveria e tij, qeveria e Edi Ramës ka mbyllur vetëm vitin e kaluar 72 mijë vende pune në dy muaj dhe është përgjegjëse për shpunësimin më masiv dhe më të shpejtë të shqiptarëve në historinë 25-vjeçare të demokracisë. Del atje kur duhet të ishte duke dhënë përgjegjësi për blerjen e një bilete avioni Tiranë-Vjenë 6 milionë e 700 mijë lekë, pra një hajdutëri me brirë. Megjithatë lajmi i ditës Emiljano Shullazi nuk ka për të shërbyer si alibi për Arben Ahmetajn. Koha do të vijë edhe për Arben Ahmetajn të japë llogari për megaskandalet, për aferat, për vjedhjen masive për leverdi të tij dhe shefit të tij. Ndërsa dënglat për rritje ekonomike nuk i beson as vetë e s’ka shqiptar t’i besojë.

Arben Shahini

Deputeti Ndreu liron të dënuarin ndërkombëtar për trafik droge

Të martën rreth orës 19:00 në Fushë-Arrëz është ndaluar me forca operacionale, vëllai i kryetarit të Bashkisë, Albert Tuci, person me precedentë penalë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge me 7 vite burg.
Policia e Fushë-Arrëzit nuk ka pasur dijeni, është shmangur nga ky aksion, për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që i dyshuari ka në këtë Bashki.
Pasi është mbajtur disa orë në Komisariatin e Pukës, Tuci ka fituar lirinë, me ndërhyrjen e deputetit Pjerin Ndreu.
Dhe pas kësaj, një festë e madhe është zhvilluar në lokalin në qendër të Fushë-Arrëzit, me dolli pa fund për deputetin Ndreu, i cili i hoqi prangat të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë.
Ngjarja në fjalë është denoncuar dje nga Partia Demokratike, ku përmes një deklarate për mediat, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj e cilësoi si të paligjshme ndërhyrjen e paligjshme të deputetit socialist Pjerin Ndreu për të liruar vëllain e kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, ndërsa dënoi standardet e dyfishta që përdoren për mbështetjen e njerëzve pranë pushtetit.
“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës, që tregon pabarazinë para ligjit, që tregon se nëse je i afërt me pushtetin ke lehtësi, favore dhe del menjëherë nga komisariati.
Partia Demokratike e konsideron këtë ndërhyrje të paligjshme të deputetit Ndreu, si dëshmi e dy standardeve, e favorizimit të njerëzve në pushtet.
Ligji nuk vepron ndaj mikut të deputetit, ndaj vëllait të kryetarit të Bashkisë.
Ky ndalim i ligjit para njerëzve të lidhur me pushtetin dhe me deputetët e Edi Ramës, është në fakt oligarkia”, theksoi Alibeaj.
Ai i bëri thirje Prokurorisë që të nisë hetimet ndaj këtij rasti dhe të nxjerrë para përgjegjësisë deputetin socialist si urdhëruesin e lirimit të të dyshuarit për kryerjen e veprës penale.
“Çdo qytetar pa njohje, pa lidhje, do të ishte mbajtur në burg e do të ishte dënuar, qoftë edhe për një tullë të vënë pa leje.
Ndërsa njeriu i deputetit të Ramës, edhe pse i dyshuar për vepra të rënda, edhe pse i ndaluar me Forca Speciale, fiton menjëherë lirinë pas ndërhyrjes së oligarkëve.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të hetojë rastin e të nxjerrë para përgjegjësisë deputetin e Edi Ramës dhe ata që urdhëruan lirimin e të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrëzit”, bëri të ditur Alibeaj.

Preçedentët kriminalë të Pjerin Ndreut

Pjerin Ndreu  është përherë protagonist i ngjarjeve që kanë të bëjnë me dhunë, përleshje të rënda fizike e madje ndaj tij rëndon edhe një akuzë për vrasje, akuzë e ngritur nga brenda partisë së tij. vitin e kaluar, ai u bë protagonist i dhunës fizike ndaj deputetit të opozitës, Gent Strazimiri në ambjentet e Parlamentit.
Ndërsa vite më parë, ish-¬ministri socialist e akuzoi Ndreun pë vrasje Pjerin Ndreu, kur ishte drejtor i Policisë së Tiranës në vitin 2003. Kjo ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur në vitin 2003 në Tiranë. Ku Pjerin Ndreu në bashkëpunim me një person tjetër të njohur publikisht, kanë tentuar të vrasin Petrit Lleshin, i cili ka qenë person i kërkuar për vepra të tjera penale. Petrit Lleshit, policia e Tiranës në atë kohë i mveshi veprën penale të vrasjes së biznesmenit Florian Vila.
Këtë version e rrëzoi Prokuroria. Ndërkohë që operacionin për arrestimin e Petrit Lleshit po e zhvillonin Forcat Speciale, në vendngjarje kanë shkuar Pjerin Ndreu dhe një person tjetër (Ish shefi i Krimeve të Tiranës gjatë 93¬97) i cili nuk është më efektiv i policisë, dhe kanë qëlluar mbi të.
Ndërsa akuzat e fundit ndaj Pjerin Ndreut që ka të bëjë me pasaportat në Gjirokastër, është publikuar edhe më parë nga Ministria e Rendit, e cila pretendon se Ndreu ka pajisur me pasaporta njerëz të kërkuar për krime.
Ndërsa dy akuzat e tjera që kanë të bëjnë me pengimin e punonjësve të policisë për të kryer detyrën dhe të shpërdorimit të detyrës në tenderin e karburantit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, janë akuza që publikohen për herë të parë nga ana e Ministrisë së Rendit.
Mirëpo këto akuza ishin paraqitur nga policia gjyqësore pa prova. çka detyroi Gjykatën e Tiranës (me datë 20. gusht 2004) të mos pranonte asnjë nga akuzat e policisë gjyqësore të Ministrisë së Rendit dhe të Prokurorisë lidhur me arrestimin e kryekomisarit Pjerin Ndreu.
Gjykata e shkallës së parë të Tiranes mbi bazat e provave të paraqitura vendosi lirimin e Ndreut dhe vetëm paraqitjen e tij në policinë gjyqësorë. Ish¬ministri i Rendi Publik, Toska bëri publike më 25/05/2004) akuza të rënda ndaj ish¬drejtuesve të policisë, Pjerin Ndreu për vrasje dhe korrupsion. Pjerin Ndreu është akuzuar për vrasje të ngelur në tentativë, e shpërdorim tenderësh. “Ish Drejtori i Policisë së Tiranës, kryekomisar Pjerin Ndreu akuzohet për vrasje me dashje në bashkëpunim me një person tjetër, e ngelur në tentativë ¬ thoshte ministri i Rendit Igli Toska gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar

Arben Shahini

Dëshmitarët e dosjes së Shullazit po thirren dhe kërcënohen nga Tahiri

Me urdhër të Ramës, të gjithë dëshmitarët e dosjes Shullazi po thirren një nga një personalisht nga Tahiri ku nën presion po u kërkohet që të ndryshojnë dëshmitë e tyre në lidhje me kërcënimet dhe gjobëvëniet që kanë marrë nga Emiljano Shullazi. Denoncimi është bërë dje nga një komisar policie dhe është publikuar nga ish kryeministri Berisha në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
“Komisari dixhital informon nga Ministria e Brendshme: Me urdhër të Ramës janë thirrur dhe po thirren jo në polici, por nga vetë ministri Saje qorri në ministri, të gjithë personat e dosjes Shullazi për të fshehur dokumentet dhe ndryshuar me çdo kusht dëshmitë kundrejt shpërblimeve të mëdha në taksa, dogana, tendera punësh publike, leje ndërtimi etj.,etj” thuhet në denoncimin e publikuar nga ish kryeministri Berisha.
Ky denoncim erdhi pasi mediat nisën të publikonin deklarata të biznesmenëve që kanë rënë pre e kërcënimeve të Shullazit por që në reagimet e tyre ata mohonin që kishin njohje apo presione nga Shullazi. Denoncimi i komisarit dëshmon përpjekjet e pushtetit për të moslejuar ngritjen e dëshmive kundër Shullazit me qëllim lirimin e shpejtë të tij.
Po dje, në një reagim në Facebook, ish-kryeministri Berisha akuzoi qeverinë se është shndërruar në një organizatë kriminale. “Organizatë kriminale qeveritare me në krye Edvin Shullazin para ligjit! Sot lajmet hapen dhe mbyllen me kronikat e proceseve të krimeve të saj! Qeveria shqiptare me në krye Edi Ramën është shndërruar në një organizatë të vërtetë kriminale. Cilido që ka ndjekur lajmet në televizione të ndryshme sot, ka konstatuar se ato u hapën dhe mbyllën me kronikat e proceseve gjyqësore të krimeve të lidhura me qeveritarët. Kështu të gjitha mediat njoftuan se: – Milit të Partisë dhe ushtarëve të tij, gjykata ju vendosi burgun pa afat si masë sigurie. – Saje qorri, që nga dita që është bërë ministër e gjer sot, shqipëroi paradite për herë të parë emrin e Sajmir Shullazit!  – Në Fushë-Arrëz, deputeti Pjerin Ndreu, me porosi të Ramës liroi nga burgu narkotrafikantin e dënuar 7 vjet burg dhe arrestuar me urdhër të Prokurorisë. Narkotrafikanti u lirua sepse ishte vëllai i mikut të ngushtë të Ramës, kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrëzit. – Gjykata Kushtetuese kishte thirrur para trupit gjykues për gjykim, kryemafiozin e Jugut, sivllaun Kokëdhima për vjedhjen e parave publike duke shfrytëzuar mandatin e deputetit! Por krimet për të cilat ishte sot para drejtësisë, organizata kriminale e Edvin Ramës janë thjesht maja e ajsbergut e krimeve monstruoze të saj!” shkruan Berisha në reagimin e tij.
Më herët Berisha postoi denoncimin e një qytetari, i cili dëshmon se si Shullazi i kishte rrëmbyer makinën e tij në qytetin e Vlorës.  “Përshëndetje nuk kam dashur të shqetësoj, por para 2 muajve ne kaluam një situatë shumë të vështirë me Shullazin që doja t’ja harroja emrin, kur të kesh kohë do ta tregoj nga afër, por makinën 100 mijë euro na e mori për një xhiro dhe erdhi edhe duke na bërë presion. Makinën e mban akoma. Shullazi më fal për edukatën një …. Nga Fushë-Kruja” thuhej në denoncimin e postuar nga Berisha.
Gjobvëniet, kërcënimet me jetë të biznesmenëve e familjeve të tyre si dhe torturat e kërcënime ndaj zyrtarëve të hipotekave kanë qenë mjetet e Shulalzit dhe bandës së tij për të përvetësuar mijëra hektarë sipërfaqe toke, biznese, godina etj. Sipas kësaj dosjeje, Emiljano Shullazi dyshohet se është kreu i një “bande”, e cila vijon aktivitetin e saj kriminal, për të realizuar ardhjen e pasojave, marrjen e përfitimeve të padrejta, nëpërmjet kanosjes, si dhe trafikimit e lëndëve narkotike.

Kërcënimi i Shullazit ndaj Dhori Kules, i filmuar nga kamerat e një hoteli

Kërcënimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule nga Emiljano Shullazi, është filmuar nga një kamera sigurie. Ngjarja ka ndodhur fundjavën e kaluar përpara njërës prej kamerave të sigurisë së një hoteli me 5 yje në Tiranë. Këtë fakt e konfirmuan burime të Prokurorisë. Para dy ditësh, profesor Mynyr Koni është thirrur për të dëshmuar në polici për kërcënimin që është bërë ndaj tij. Ai ka thënë se, nuk i mbaj mend fytyrat e personave, por sakaq ka treguar skenën e krimit. “Isha në rrugë, duke shkuar për në shtëpi, një makinë më ndaloi tek këmbët dhe një person më urdhëroi të hyja brenda. Aty jam kërcënuar. Ishin tri veta. Njëri prej tyre më tha ‘Ti do të tërhiqesh deri nesër nga gara!’. I thashë të mendohem deri nesër. Personi në fjalë me ton të lartë më tha: Ti do të japësh dorëheqjen!”, është shprehur Profesor Koni në dëshminë e tij në polici. Pas kësaj, banda e ka lënë akademikun të lirë. Pas kërcënimit, Profesor Koni ka shkuar në zyrën e rektorit aktual të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ku i ka shprehur atij tërheqjen nga gara dhe se do të paraqiste dorëheqjen. Kjo kërkesë e Konit ka hasur në kundërshtinë e Kules, i cili i ka shprehur mbështetjen atij për të vijuar garën deri në fund. Të nesërmen e kësaj dite, të premten më 15 prill, teksa ecte rrugës për në Rektorat tek sheshi “Nënë Tereza”, e njëjta bandë që një ditë më parë kishte kërcënuar akademikun Koni duke i kërkuar të tërhiqej nga gara, ndaloi edhe rektorin aktual Dhori Kule. Me tone kërcënimi, banda i ka kërkuar Kules të ndërpresë urgjentisht çdo lloj mbështetjeje ndaj akademikut Koni përndryshe jeta e tij dhe e familjarëve të tij ishte në rrezik.

Arben Shahini

Shullazi në gjykatë, i papuni me qindra prona në tre vjet

Policia e Shtetit, nën masa të larta sigurie, fillimisht solli në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda Emiljano Shullazin dhe më pas dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi.
Gjyqtari Mulkurti, për arsye të sekretit hetimor, zhvilloi seancat gjyqësore ndaj tre të dyshuarve me dyer të mbyllura.
Shullazi mësohet të ketë deklaruar vetëm të dhënat personale të tij, ndërkohë që i pyetur nga gjyqtari Idriz Mulkurti për aktivitetin që kryente, ai i është përgjigjur “jam i papunë”, raporton “ABC Neës”.
Shullazi i pohoi gjykatës se ishte dakord me gjithçka që do të thoshin avokatët në seancë, të cilët nga ana e tyre kundërshtuan qëndrimin e akuzës.
Prokuroria, sipas burimeve, mbajti të njëjtin qëndrim siç edhe kishte depozituar kërkesën, ndërkohë që në rrugë jozyrtare shprehet se, ka urdhëruar sekuestrimin e disa kamerave të sigurisë në afërsi të “Stacionit të trenit”, ku edhe mendohet të jetë kërcënuar profesor Koni.
Përfaqësuesit e akuzës i thanë gjyqtarit, se gjatë hetimeve disamujore, janë ngritur dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Emiljano Shullazi dhe banda e drejtuar prej tij, ka kryer disa vepra të rënda penale si gjobëvënie në 4 raste ndaj biznesmenëve të njohur, përvetësim trualli e ndërtesa me anë të presionin dhe kërcënimeve, si dhe ka kanosur dy profesorët Dhori Kule e Mynyr Koni.
Sipas akuzës, veprat për të cilat dyshohet Shullazi kanë një marzh dënimi të lartë dhe lënia e lirë e tij përbën rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Për këtë fakt ata kërkuan që Shullazi të mbetet në qeli.
Të njëjtin qëndrim prokurorët mbajtën edhe për të dyshuarit Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi. Edhe këta të dyshuar nuk pranuan të flasin për akuzat, duke pretenduar se janë të pafajshëm.
Ndërsa Gilmando Dani pretendoi se të qenurit i lirë nuk përbën rrezikshmëri shoqërore apo mundësi ikje, pasi ai tha se ishte dorëzuar vetë në polici.
Edhe avokatët mësohet se kanë kërkuar lirimin e dy të dyshuarve, me pretendimin se Prokuroria nuk ka prova që implikon klientët e tyre në këto ngjarje.
Edhe në dalje të gjykatës, avokati këmbënguli në pafajësinë e klientëve, duke u shprehur se ishte një vendim që e prisnin pas gjithë këtij presioni politik.
Të vetmin moment ku mediat arritën të fiksojnë Emiljano Shullazin është kur po transportohej nga ambientet e gjykatës drejt paraburgimit “Mine Peza” në kryeqytet.

Ristani: Jo presion gjykatës për mandatin e Kokëdhimës

Partia Demokratike i bën thirrje Ramës dhe PS të heq dorë nga çdo përpjekje për ti bërë presione Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e Koço Kokëdhimës. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani reagoi pas seancës për mbarimin e mandatit të Kokëdhimës, ku i gjithë grupi parlamentar i PS ishte i pranishëm në sallë  si shenjë presioni ndaj gjykatës.  “Unë shpresoj që Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë në këtë rast, i cili do të çojë në mbarimin e mandatit të deputetit Kokëdhima duke shpresuar njëkohësisht që gjyqtarët nuk do të jenë marrë në telefon për t’u thënë që do t’u këpusim këmbët si në rastin e gjyqtares së Krujës dhe nga ana tjetër mendoj se e kam të vështirë të besoj që qeveritarët e sotëm nuk do të dërgojnë Shullazët për t’u bërë presion edhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ashtu siç po bëjnë ndaj kandidateve per rektor të universiteteve, ashtu siç kanë bërë për garat e tyre të brendshme në parti. Sot ishte e çuditshme, fakti që i gjithë grupi parlamentar i PS ishte në seancën e gjykimit, dukej qartë një lloj presioni ndaj Gjykatës” tha Ristani. Ai deklaroi se PD do të vijojë betejën kundër dekusarizimit të Parlamentit. “Isha vetëm unë dhe një përfaqësues i grupit parlamentar i cili ka ndjekur ecurinë e kësaj çështjeje. Unë shpresoj shumë që i madhi nuk do të ketë çuar Shullazët për të kërcënuar gjyqtarët e nuk do ti ketë marrë në telefon për t’u thënë që do t’ju pres këmbët. Shpresoj që çështja do të ecë mbarë dhe ne do të vazhdojmë në linjën tonë të dekusarizimit të parlamentit ashtu sikurse kemi arritur disa fitore të vogla, sepse do të vazhdojë akoma dhe më tutje dekriminalizimi i parlamentit dhe jetës politike të vendit” tha Ristani.

ALBtelecom mbështet Autoritetin Rrugor Shqiptar për ndriçimin e hyrjes së autostradës Tiranë-Elbasan

Kompania më e madhe e telekomunikacionit në Shqipëri, ALBtelecom, në kuadër të projekteve të përgjegjësisë sociale të korporatës, mbështet institucionet publike dhe bashkëpunon me ta në projekte të ndryshme. Kohët e fundit, ALBtelecom ka mbështetur Autoritetin Rrugor Shqiptar në projektin e ndriçimit të hyrjes së autostradës Tiranë-Elbasan. Ndriçimi i një segmenti prej tre kilometrash është përfunduar në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ky segment mes Saukut dhe Tirana East Gate, është edhe hyrja e Tiranës për të gjithë vizitorët që vijnë në Tiranë nga pjesa lindore e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë.
Kryetari i Bordit të ALBtelecom, Z. Giuseppe Farina tha se “ALBtelecom është mjaft i kënaqur për mundësinë e bashkëpunimit me ARRSH-në dhe Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Ne kemi rrjetin më të gjerë fiks dhe më të madh të infrastrukturës me fibra optike në Shqipëri, të instaluar në rrugët kryesore për ofrimin e shërbimeve të telekomunikacionit. Duke qenë operatori më i madh në Shqipëri për sa u përket shërbimeve dhe ofertave, ne jemi më të përgjegjshëm për rolin tonë që kemi në zhvillimin e vendit. Ne do të vazhdojmë me këto projekte që lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe gjithashtu do të mbështesim agjencitë publike për të sjellë standardet më të fundit”.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Z. Edmond Haxhinasto, duke falënderuar ALBtelecom për mbështetjen, ka vlerësuar projektin si shumë të rëndësishëm. Gjithashtu ai i ftoi kompanitë e tjera të bashkëpunojnë me agjencitë publike të Ministrisë.
ALBtelecom ka rrjetin backbone me fibra optike më të gjerë, më të standardizuar dhe më të sigurt në sistemin “Ring” në Shqipëri, i cili mundëson shërbimet më të mira të internetit për operatorët e tjerë dhe gjithashtu shpejtësi interneti deri 1Gbps nëpërmjet teknologjisë GPON për çdo klient. ALBtelecom është ofruesi më i madh i internetit dhe kjo kompani ka lidhje me fibra optike me Italinë, Greqinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë. ALBtelecom ndjek nga afër teknologjitë më të fundit në tregun global. Rrjeti i fiks Next Generation Network (NGN), kombinuar me shërbimet e lëvizshme të Eagle Mobile në Shqipëri, mundëson ofrimin e kapaciteteve më të larta të transmetimit të të dhënave, si dhe shpejtësinë më të lartë të internetit në vend.
Infrastruktura e ALBtelecom, veçanërisht rrjeti i Fibrave Optike mund të përdoret nga Autoriteti Rrugor (ARRSH) dhe agjencitë e tjera shtetërore për shërbimet që mbështesin menaxhimin e trafikut rrugor, etj.
ALBtelecom është e vetmja kompani që ofron gamë të gjerë të shërbimeve nën konceptin “One Stop Shop”, ku përdoruesit mund të gjejnë shërbimet e telefonisë fikse dhe të lëvizshme, internet, ALBwifi dhe WiFi në publik zona, televizion, shërbime Cloud etj
Për më shumë informacion ju lutem kontaktoni: [email protected]

Rama i jep Veliajt 28 mijë metra katrorë në qendër të Tiranës për aferën e parkingut

Qeveria ka vendosur t’i kalojë në pronësi Bashkisë së Tiranës një pronë prej rreth 28 mijë metra katrorë në qendër të kryeqytetit për të ndërtuar parkingun nëntokësor. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave. Me këtë vendim, tashmë i hapet rrugë Bashkisë së kryeqytetit për të ndërtuar parkingun nëntokësor tek Parku “Rinia”. Projekti në fjalë ka të bëjë me një aferë të nisur nga Rama në kohën kur ai ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës, e që tashmë po vihet në jetë nga Erjon Veliaj. Parkingu do t’i jepet me koncesion ortakut të vjetër të Ramës, Besnik Sulaj. Këshilli Bashkiak futi në rend dite në mbledhjen e datës 30 dhjetor 2015 një kontratë koncesioni për ndërtimin e një parkingu privat në tokë shtetërore në Parkun “Rinia”, duke riaktivizuar një vendim të administratës së Bashkisë të vitit 2009, kohë kur Bashkia drejtohej nga Kryeministri aktual Edi Rama. Vendimi i Këshillit Bashkiak [Mbi] “miratimin e termave kryesore të kontratës koncesionare”, argumenton se procesi i kërkesës së koncesionit me nismë të koncesion marrësit është marrë në maj të vitit 2009, ndërsa miratimi i termave të kontratës u bë në vitin 2015. Në tenderin formal për kontratën e koncesionit të zhvilluar në vitin 2009 pati vetëm një pjesëmarrës, i cili u shpall fitues. Sipas kontratës, kompania Taiwan shpk do të marrë një sipërfaqe toke në Parkun “Rinia” (sasia e tokës nuk përcaktohet) dhe do të shpenzojë 1.9 miliardë lekë (13.5 milionë euro) për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore me kapacitet prej 1342 vende. Kompania ka paraqitur në Bashki tarifat që do të aplikojë për parkimet, të cilat fillojnë nga tarifa bazë prej 120 lekë për orë, tarifë që ulet në 100 lekë për orën e dytë, të tretë dhe të katërt dhe më pas, në 30 lekë për çdo gjysmë ore më pas. Sipas kontratës, Bashkia e Tiranës do të marrë një “tarifë koncesioni” prej 10 për qind të fitimeve. Kjo formë tarife koncesioni ka rezultuar deri tani shumë e pafat për Shqipërinë, (p.sh. rasti i koncesionit të Bankersit), pasi kompanitë koncesionare janë në gjendje që të fryjnë shpenzimet dhe ta shpallin kompaninë e koncesionit me humbje përgjatë të gjithë periudhës së koncesionit. Parku “Rinia” është një pronë publike që i qe transferuar Bashkisë së Tiranës në vitin 2006 me një vendim qeverie, por që më pas në vitin 2009 iu kalua po me vendim qeverie Ministrisë së Punëve Publike. Në shtator 2015, një vendim tjetër i qeverisë ia kaloi sërish Bashkisë së Tiranës këtë truall. Kompania Taiwan shpk është nën pronësinë e biznesmenëve Besnik Sulaj (80%), Apostol Goci, (5%) Albano Aliko (5%) dhe Avni Braçaj (10%). Ajo ka aktivitet të deklaruar në shërbime hotelerike, bare e restorante, shitje me shumicë e pakicë, administrimi i parkingjeve dhe tregtimi me pakicë i karburanteve. Sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, xhiroja e saj për vitin 2014 qe 131 milionë lekë (rreth 935 mijë euro). Por aksionet e aksionerit kryesor, Besnik Sulaj, janë shpallur nën sekuestro që nga korriku i këtij viti për shkak të një detyrimi të pashlyer prej 100 mijë eurosh borxhe.  Këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Tiranës thonë se projekti për parkingun nëntokësor në Parkun “Rinia” mund të çojë deri në tjetërsim të këtij parku, nga një zonë e gjelbërt në një shesh me sipërfaqe betoni. Investimi për parkingun nëntokësor do të kryhet nga konçesionari në vlerën e 1 miliard 937 mln lekë. Bashkia do ta rimarrë në kompetencë këtë parkim pas 30 vitesh.

Koncesioni

Veliaj në serinë rekord të shkeljes së ligjit në pak muaj të ushtrimit të funksionit ka bërë të njëjtën gjë edhe për procedurën për dhënien me koncesion të parkimit nëntokësor tek Parku “Rinia”. Kjo proçedurë e filluar në vitin 2008 nga eprori i tij me qëllime të pastra klienteliste dhe korruptive, vazhdoi pas 7 vjetësh dhe u përmbyll brenda disa ditëve në shkelje të plotë të ligjit nga z. Veliaj. Ai zbatoi ligjin e gabuar në mënyrë që të shmangte ato hallka proceduriale të detyrueshme siç ishte negociimi me operatorin e renditur i pari, “Shoqëria Tajvan shpk”, shmangu dhënien e miratimit me shkrim, të detyrueshëm, nga ana e njësisë së trajtimit të koncesioneve “Atrako” dhe hallvën e pjekur ia dërgoi Këshillit Bashkiak për të marrë vendim në lidhje me miratimin e kushteve të kontratës koncesionare. Në të njëjtën ditë që Veliaj i kërkon kinse miratimin për të vijuar apo jo procedurën e para shtatë viteve me shoqërinë “Tajvan shpk”, në të njëjtën ditë i paraqet Këshillit Bashkiak për miratim kushtet kontraktore të kontratës koncesionare.

Arben Shahini