28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Shqipëria në udhëkryq…

Nga Prof. Dr. Kastriot Islami

25 vjet Parlament pluralist demokratik janë edhe shumë por edhe pak për të ndërtuar një demokraci perëndimore, liberale dhe funksionale. Demokraci pluraliste parlamentare. Shtet ligjor. Rend e siguri në respekt të të drejtave të njeriut. Drejtësi profesionale e të paanshme. Për t’u anëtarësuar në NATO dhe qenë kandidat për në BE.
Tranzicioni 25-vjeçar shqiptar është karakterizuar nga lufta e ashpër politike, më shumë për pushtet sesa për parimet e demokracisë, vendosjen e shtetit ligjor, drejtësinë e pavarur, e madje në ndonjë rast ka vendosur në plan të dytë edhe çështjet madhore të integrimit. Megjithatë politika e jashtme, konstruktive ka qenë e pa cenuar nga ndarjet partiake po ashtu edhe çështja madhore e Kosovës.
2016 e pakrahasueshme me 1991. Në varësi të këndvështrimit, shpesh duken të paimagjinueshme arritjet dhe situata aktuale duket e pakrahasueshme me atë të para vitit 1990. Shpesh duket se jemi ende shumë larg asaj që kemi ëndërruar apo ku edhe madje dje apo sot synojmë të shkojmë. Empirikisht të gjithë bien dakord se, shpejtësia dhe cilësia e tranzicionit shqiptar mund të kishin qenë ndryshe, pra shpejtësia më e madhe dhe cilësia më e lartë. Kurse përgjigjet e pyetjeve përse këto dy kërkesa nuk janë realizuar, në shumicën e rasteve janë subjektive, jo fort të thelluara, dhe të pastudiuara integralisht.
Shumica nuk janë nostalgjikë për para 1990. Situata aktualisht është e pakrahasueshme me para 1990 dhe kjo as që duhet vënë në diskutim. Ata që kanë jetuar para 1990 ju duket sot sikur kanë jetuar në dy planete të ndryshme dhe në dy shekuj shumë larg njëri-tjetrit. Besoj shumica dërmuese nuk ka fare nostalgji për para 1990 ndonëse reminishenca, metoda a sjellje autoritare, të kamufluara me veshje “kontemporane” mbeten ende një rrezik potencial për zhvendosjen drejt sistemeve autoritare të pakicës, që mund të ishte kryesisht oligarkike apo diçka tjetër, shpresoj të paktën jo fetare. Natyrisht një pjesë mbetet ende nostalgjike për ndonjë aspekt, por më shumë kjo është emocionale sesa e shpjegueshme racionalisht dhe lidhet ose me paaftësinë për t’u integruar në kushtet e demokracisë e të ekonomisë së tregut ose me ndonjë një “rehati” personale para 1990.
Shembuj të shumtë të ndryshimeve të mëdha 2016-1991. Mund të jepen shembuj të shumtë për ta provuar ndryshimin e madh. Parlamenti pluralist as që mund të krahasohet me Parlamentin monist, në çdo aspekt. Kushtetuta jo e jo. Ligjet që gjithashatu prej disa vitesh përafrohen me kërkesat europiane janë të pakrahasueshme me ato të para vitit 1990, ndonëse zbatimi i ligjit dhe vendosja e shtetit ligjor lëngojnë ende diku më shumë e diku më pak. Insitucionet e pas 1990 gjithnjë e më shumë të ngjashme me ato të vendeve të BE dhe NATO as që mund të krahasohen me ato të sistemit komunist. Funksionimi i tyre as që bëhet fjalë. Angazhimi dhe roli i Parlamentit në aktivitete ndërkombëtare parlamentare është në mënyrë të paimagjinueshme i pakrahasueshëm me ato të para 1990. Kështu mund të vazhdohet me politiken e jashtme e diplomacinë parlamentare. Rolin e kontributit në rajon. Rivendosjen e marrëdhënieve me SHBA, Gjermani, Britani, Vatikan, Greqi, e tjerë, të ndërprera para 1990. Kërkesa, anëtarësimi dhe kontributi në NATO janë arritje historike, ndërkohë që para 1990 ajo konsiderohej armike. Progresi drejt BE s’ishte as ëndërr para 1990, ndërkohë që distanca prej saj është shkurtuar ndjeshëm.
Mirëqenia e rritur në mënyrë të konsiderueshme. Rritja e të ardhurave për frymë nga 200-300 dollarë në 1990 është rritur në rreth 4500 dollarë për frymë aktualisht pra 20 herë ështe e paimagjinueshme. Paga mesatare nga 600 lekë në muaj në 30 mijë lekë në muaj, pra rreth 50 herë, një rritje e paimagjinueshme, ndërkohë që çmimet janë rritur me ritme më të ulta, të themi çmimi i bukës është rritur nga 4 lekë në 50 lekë pra vetëm 10 herë. E tjerë e tjerë. Natyrisht, shqiptarët nuk janë të kënaqur…Dhe gishti drejtohet në shumicën e rasteve drejtohet te politika dhe më konkretisht te qeveria e më tej te Parlamenti. Sepse rritja ekonomike nuk është shoqëruar me rritje të mirëqenies… për shkak të korrupsionit, papunësisë, varfërisë ende të larta dhe polarizimit të konsiderueshëm. Dhe qytetarëve nuk ju duket se është bërë ajo që duhet për interesin publik.
Përse kjo mospërputhje mes arritjeve të pakrahasueshme dhe perceptimit publik? Mendoj se ka shumë arsye, por dy arsye janë kryesore. Së pari, pritshmëria e të gjitheve në 1990, mesa analizojmë sot realitetin, rezulton të ketë qenë shumë më e lartë pra jo realiste, siç duket në atë kohë. Së dyti, rruga për të arritur te “standardet europiane” në demokraci, ekonomi, të ardhura të përgjithshme apo për frymë, mirëqenie, arsim, shëndetësi, duket ende shumë larg. Vetëm një parametër, të ardhurat nominale për frymë në Shqipëri janë 4500 dollarë për frymë dhe në 28 vendet e BE janë mesatarisht rreth 36 mijë dollarë, pra ne ndodhemi në nivelin e 12 për qind të mesatares së të ardhurave për frymë të 28 vendeve të BE, ndërkohë që 15 shtete kryesore të BE janë mbi këtë mesatare dhe Bullgaria në pozicionin më të ulët është me rreth 20 për qind.
E kaluara, varfëria e korrupsioni, përcaktuan shpejtësinë e cilësinë e tranzicionit. Si mund të shpjegohen këto perceptime apo realitete? Arsyet janë disa. Së pari, e kaluara jonë mesa duket rezulton një pengesë e keqllogaritur në 1991, për pritshmëritë në të ardhmen, ky parameter duket ka luajtur një rol në cilësinë dhe ecurinë e procesit të tranzicionit 25-vjeçar. Shqipëria vlerësohet vendi me komunizmin më të egër dhe vendi më i izoluar i kontitentit. Së dyti, Shqipëria vazhdon të konsiderohet vendi më i varfër i kontinentit dhe në të gjithë studimet ky është një parametër që përcakton shpejtësinë e cilësinë e progresit demokratik. Së treti, një vend i mbyllur e me tradita të ulta demokracie, me hapjen e vendit ndaj demokracisë dhe ekonomisë së tregut ka shfaqur shenja të avancuara të korrupsionit, krimit e trafiqeve, të një lufte politike të ashpër për pushtet, duke përcaktuar trajektoren jo vetëm me ngjitje të ngadaltë, por edhe me ulje e ngritje të këtij procesi të tranzicionit demokratik.
Shqiptarët jo fort të kënaqur… Nga një bilanc i suksese/arritjeve dhe mosarritjeve/dështimeve e deri krizave pas 25 vjetësh, Shqipëria, një vend komunist,  madje stalinist klasifikohet një demokraci hibride, ndonëse anëtare e NATO dhe kandidate e BE. A janë të kënaqur shqiptarët? As emocionalisht dhe as racionalisht nuk duken të jenë të kenaqur. Disa arrijnë të vendosin në një analizë racionale të kaluarën, potencialet, arritjet dhe dështimet, duke u përpjekur të përcaktojnë një vlerësim më realist e një qasje më optimiste për të ardhmen. Disa të tjerë, rezultojnë pas 25 vjetësh, më pak optimistë dhe deri-diku të pashpresë, dhe për rrjedhojë duan të largohen nga vendi. Shqipëria është ndoshta vendi që ka prodhuar më shumë emigrantë në këto 25 vjet nga të gjithë vendet e Europës Qendore e Lindore, kryesisht për shkak të së kaluarës, por edhe për shkak të perceptimeve jo fort pozitive e deri pesimiste gjatë tranzicionit.
Parlamenti ka degraduar këto vitet e fundit. Mendoj se ka një parametër që ka pësuar regres; dhe këtë “përfundim” do ta evokoj më shumë për ta përcaktuar si një nga sfidat e ardhshme të demokracisë shqiptare e natyrisht të Parlamentit shqiptar. Po krijohet bindja, gati-gati e palëkundur, dhe kjo jo vetëm si perceptim apo si emocion, por edhe si realitet apo bindje racionale se cilësia e Parlamentit ka degraduar. Parlamenti është më pak cilësor. Me deputetë më pak të arsimuar. Me deputetë që kanë rekorde të dyshimta madje deri kriminale. Me deputetë që vijnë nga pozicione “lukrative”, pasuria e të cilëve është realizuar me mënyra të dyshimta përmes përfitimeve antiligjore nga asetet shtetërore apo publike. Deputetë përfaqësues të interesave apo lidhjeve të pashëndetshme politikë-biznes-media, duke qenë në konflikt interesi me shtetin ligjor, interesin publik dhe parimet e demokracisë.
Shqipëria ka devijuar nga rruga e demokracisë liberale. Shqipëria, si një nga vendet e Ballkanit, por edhe të Europës Lindore po përcaktohet kolektivisht me pothuajse të gjithë vendet ish-komuniste për devijim nga rruga drejt demokracisë liberale perëndimore. Përcaktimin më të saktë të këtij rreziku të interesave të korrupsionit e të oligarkisë që nëpërkëmbin aspiratat e qytetarëve si dhe të pasojave të këtij dizorientimi e ka përcaktuar Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Pasojat më të mëdha do të ishin tre: 1) largim nga rruga e demokracisë liberale, 2) krijimi i hapësirave për penetrimin e faktorëve të tretë, anti-perëndim, anti-NATO, anti-SHBA e anti BE, pra anti-familjes ku jemi apo duam të shkojmë apo anti objektivave të partnerëve tanë strategjike, 3) vënien në rrezik të sovranitetit dhe integritetit të vendit.
Sfida më e madhe e Shqipërisë, një demokraci ende e cilësuar hibride, e cila ndodhet në një udhëkryq me dy mundësi është i) drejt demokracisë liberale e perëndimore apo ii) drejt një regjimi autoritar të një pakice korruptive, oligarkike apo diçka tjetr, e ngjashme me disa nga modelet tashmë të mirënjohura në rajon apo më gjërë. Ky do të jetë vendimi më i rëndësishëm shqiptar, ndoshta po aq historik sa në 1912 dhe 1991, për të ruajtur orientimin e demokracisë liberale e perëndimore. Kjo do të ishte rruga e natyrshme dhe që me siguri do ta mbështesnin shumica e qytetarëve, jo vetëm në sondazhe, por edhe me veprimet e sakrificat e tyre, si dhe një pjesë e politikanëve e intelektualëve patriotë që duan më shumë vendin sesa pushtetin. Nuk është e lehtë, duket e komplikuar, por është plotësisht e mundur të përballohet me sukses kjo sfidë. Unë ende besoj fuqimisht…

Zbardhet një pjesë e pronave të Shullazit, karburante, troje e leje ndërtimi funksionale

Nga zaptimi i gjithë bregdetit të Durrësit, përvetësimit të Hotel “Vollgës”, ndërtimi i një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit, përvetësimi i sipërfaqeve të trojeve në kodrën mbretërore, të tjera të dhëna hedhin dritë mbi njw listw edhe më të gjatë pronash të zotëruara nga Emiljano Shullazi. Bëhet fjalë për biznese,prona e troje tw cilat ai ua ka zhvatur biznesmenëve të ndryshëm përmes kërcënimeve dhe presioneve me jetë.
Ish-kryeministri Berisha publikoi dje të dhëna të reja të denoncuara nga qytetarë në lidhje me pronat e Shullazit,  të cilat kanë të bëjnë pronësinë e një karburanti në Rrugën e “Kavajës”, “Veliaj” përballë Shkollës së Hoteleri-Turizmit. Pronë truall rreth 3000 mijë m2 në rrugën “Vangjel Noti” pas karburant Eldes si dhe së fundmi ai është pajisur edhe me një leje ndërtimi funksionale. Berisha bën të ditur se Shullazi i ka marrë këto prona duke kërcënuar kryeregjistruesit e Tiranës dhe Durrësit dhe se Rama ka qenë në dijeni të plotë të këtyre ngjarjeve.
“Dokumentet për pronësinë e Hotel “Vollgës” i ka firmosur duke i vënë revolen në kokë kryeregjistruesve të Durrësit dhe Tiranës. Kryeregjistruesi i Tiranës ka njoftuar për këtë akt Edvin Shullazin, por ai i ka e lënë në mëshirë të fatit të LSI duke i thënë mos më ngatërro me këto probleme!” shkruan Berisha në reagimin e tij. Ndërsa në denoncimin e qytetarit bëhet e ditur mënyra se si Shullazi u zhvaste bizneset biznesmenëve.
“Mirëmbrëma z.Berisha! Më duhet t’ju bëj me dije edhe dy grabitje me forcë të dy pasurive në Tiranë të Shullazit&co: 1. Karburantin te Rruga e ‘Kavajës’, ‘Veliaj’ përballë Shkollës së Hoteleri-Turizmit, të zotin e ka detyruar që t’ia shesë dhe i ka dhënë në dorë, kesh 500 000€!!!! 2. Prona tokë, truall te sheshi ‘Shqiponja’, kryqëzimi i rrugës ‘Dritan Hoxha’ me rrugën ‘Vangjel Noti’, është një karburant aty, Elda, pas tij rreth 3000 metër katror, pa asnjë lekë! I kërkuan që ta shiste, jo i tha ai, pastaj ia morën me forcë, pa asnjë lekë! Është folur se ka marrë edhe një leje ndërtimi, multifunksionale!” thuhet në denoncimin e qytetarit.
“Për regjistrimin e pronës në Durrës, Shullazi bashkë me një tjetër ka hyrë në zyrën e kryeregjistruesit Ilirjan Muho, duke e kërcënuar me armë pistoletë. Iliriani ka njoftuar direkt Kryeministrin Rama, i cili i ka thënë se je i LSI dhe unë nuk ndërhyj në çështje të Hipotekës. Këto thuaja Ilirit! Disa ditë më vonë, pasi prona nuk po regjistrohej i ka dalë përpara tek Stadiumi ‘Dinamo’, duke i ndaluar makinën me forcë dhe duke i rënë me shpulla e ka kërcënuar sërish me jetë. Pasi ka ndodhur gjithë kjo është regjistruar prona. Dhe në fund e ka pështy. Të uroj çdo të mirë e Zoti të bekoftë, me shumë respekt nga Lapraka” bëhet e ditur në denoncimin e qytetarit. Lista e pronave të Shullazit të zhvatura përmes kërcënimeve me jetë është e gjatë.
Në qytetin e Durrësit, përveç pronësisë së Hotel “Vollgës”, Shullazi kohët e fundit ka marrë një leje të firmosur nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako për ndërtimin e një fshati turistik në Gjirin e Lalzit. Por krahas kësaj leje, Shullazi ka marrë pothuajse nën zaptim gjithë bregdetin e Durrësit përmes pesë kompanive të tij për të menaxhuar sezonin turistik, ndërsa ka marrë në pronësi gjithashtu edhe një territor rreth kodrës mbretërore.

Arben Shahini

Gjobat e bizneseve, torturat ndaj zyrtarëve në hipoteka për prona

Gjobvëniet, kërcënimet me jetë të biznesmenëve e familjeve të tyre si dhe torturat e kërcënime ndaj zyrtarëve të hipotekave kanë qenë mjetet e Shulalzit dhe bandës së tij për të përvetësuar mijëra hektarë sipërfaqe toke, biznese, godina etj.
“ABC News” ka arritur të sigurojë një kopje të kërkesës së Prokurorisë, të dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku kërkohet që Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve. Sipas kësaj dosjeje, Emiljano Shullazi dyshohet se është kreu i një “bande”, e cila vijon aktivitetin e saj kriminal, për të realizuar ardhjen e pasojave, marrjen e përfitimeve të padrejta, nëpërmjet kanosjes, si dhe trafikimit e lëndëve narkotike.
Në dosje janë renditur dyshimet, ku Emiljano Shullazi, krahu i tij i djathtë Gilmando Dani dhe kushëriri Blerim Shullazi dhe persona të tjerë që po hetohen, janë përfshirë në veprimtari kriminale. Sipas dosjes, thuhet se, Shullazi së bashku me “bandën” e tij, i ka vendosur gjobë dhe ka përfituar shuma të mëdha parash nga biznesmenë të njohur në vend. Prokuroria përmend me emra personat nga të cilët ka përfituar shuma të mëdha, por që për arsye etike nuk po i publikojmë emrat e tyre. Në mesin e personave që kanë paguar gjobë si pasojë e kërcënimeve, është një koncesionar dhe pronar i kompanisë së madhe të hidrokarbureve në Shqipëri.
Përfaqësuesi i një kompani të njohur kafeje dhe pronar i disa lokaleve në Durrës, si dhe një shtetas, i dënuar nga po kjo gjykatë në vitin 2007 për trafik droge tashmë pronar i disa qendrave tregtare. Por, burimet thonë, se asnjëri prej tyre nuk e ka kallëzuar direkt të dyshuarin Emiljano Shullazi për gjobëvënien. Gjithashtu në dosje thuhet se, Shullazi me anë të dhunës, kërcënimeve ka përfituar një sipërfaqe të madhe toke dhe ndërtesën brenda saj, e njohur ndryshe si ish-hotel “Vollga” në Durrës. Për regjistrimin e kësaj prone, në dosje thuhet se “banda” e tij ka rrahur e dhunuar punonjës të Hipotekës në Durrës dhe asaj qendrore në Tiranë. Po me anë të kërcënimeve, prokurorët dyshojnë se Shullazi po tentonte të privatizonte objektin e quajtur “Parku Sportiv” në Durrës.
Me të njëjtat metoda dhune dhe kërcënimi, Prokuroria pretendon se “banda” e drejtuar nga Shullazi ka tentuar të marrë një sipërfaqe prej 1200 m2 parking në kryeqytet, pronarëve të së cilës në formë kërcënimi i ka vendosur edhe eksploziv. Prokuroria, në dosje ka renditur edhe akuzën për kanosje dhe kërcënim ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni për tërheqjen nga gara, akuza për të cilën prokurorët kanë administruar deklarimet e tyre. Përveç këtyre akuzave, grupi hetimor ka ngritur dyshime se Emiljano Shullazi dhe banda e tij, prej kohësh në bashkëpunim me persona të tjerë, shtetas shqiptarë dhe të huaj janë organizuar dhe kanë për qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Bazuar në të gjitha këto akuza dhe raste, Prokuroria kërkon nga gjykata që tre të dyshuarit të mbesin në qeli me masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Akuzat ndaj Shullazit

Emiljano Shullazi do të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda si i dyshuar për 6 vepra penale, më e rënda “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” e më pas “Gjobëvënie”, “Trafik droge”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Masa për vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullazit dhe kërkesa e Prokurorisë për t’i lënë ata nën arrest me burg u shty për të mërkurën në orën 08.30. Shkak i zvarritjes u bë angazhimi i prokurores së çështjes dhe gjyqtarit Idriz Mulkurti në një proces tjetër që parashikohet të zgjasë.
“Top Channel” zbulon detaje të tjera nga qëndrimi që do të mbajë Prokuroria e Krimeve të Rënda në gjykatë. Prokuroria thotë se ka të dhëna se Shullazi bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar kanë kërcënuar për t’ju marrë pasurinë 4 biznesmenëve të njohur. Po sipas Prokurorisë, të tre të ndaluarit po bëjnë përpjekje të privatizojnë parkun sportiv në Durrës. Përmes kanosjes dhe dhunës fizike, sipas organit të akuzës, të dyshuarit kanë regjistruar ish-hotel “Vollgën” e meqenëse prona në fjalë kishte probleme me dokumentacionin, dyshohet se është ushtruar dhunë edhe ndaj kryeregjistruesit të Durrësit dhe dy punonjësve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Durrës e Tiranë.
Por ndërsa nuk ka asnjë kallëzim për dyshimet e mësipërme, Prokuroria i referohet dëshmisë së Jani Zakës e Mitri Priftit, të cilët janë kërcënuar për t’ju marrë pronën, një parkim 1200 metra në Tiranë. Sipas Prokurorisë, pas këtyre kanosjeve, Jani Zaka është larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Prokuroria shprehet ndërkohë se ka të dhëna se ky grup personash, në bashkëpunim me të tjerë shqiptarë e të huaj janë të organizuar dhe kanë për qëllim trafikimin e drogës drejt Bashkimit Europian.
“Do të kërkoj paligjshmërinë e arrestit dhe lirimin e Emiljano Shullazit, nuk ka asnjë bazë në prova për arrestimin e tyre”, deklaroi avokati i Shullazit, Arjan Qafa. Në lidhje me kanosjen e kandidatit për rektor, Prokuroria thotë se është kërcënuar jo vetëm Mynyr Koni, por edhe Dhori Kule. Dhori Kule, thonë burime të “Top Channel” është kërcënuar në afërsi të një hoteli të njohur me pesë yje në Tiranë dhe se Prokuroria disponon si prova edhe pamjet filmike të këtij hoteli.

Ortaku i Shullazit tek Vollga, ndërtuesi i Ramës në Surrel

Është e njohur shprehja që kriminelët lënë gjithnjë gjurmë në vendin e krimit. Sado të mundohet kryeministri Rama të mohojë lidhjet e tij të ngushta të partneritetit në krime me Emiljano Shullazin, është diçka krejt e pamundur, njësoj si të mbulosh diellin me shoshë.
Dokumentat e pronësisë mbi hotelin e famshëm “Vollga” në Durrës tregojnë bashkëpronarë të saj Shullazin dhe çiftin Kodra. Prokuroria ka vënë sekuestron mbi këtë pronë, pas hetimeve se kjo pasuri është përfituar përmes grabitjes, mashtrimit dhe pastrim parash, vepra kriminale që kryeministri Rama dhe administrata e tij i kualifikojnë me termin “mirënjohje”.
Sipas dokumentacionit të hipotekës së Durrësit rezulton se Fejzi Kodra, së bashku me Shullazin janë ortakë në Hotel Vollgën. Fejzi Kodra është gjithashtu sot edhe administratori i kompanisë Eurocol, në pronësi të Pandi Carapulit. Se kush është Carapuli,  tashmë kjo dihet. Ai është një nga përfituesit e mëdhenj të tenderave të Ramës, të cilët i fiton me ofertën më të lartë.
Ortakëria e Ramës me Carapulin është një gjë e konfirmuar nga vetë Rama gjatë një interviste që dha nëntorin e shkuar për gazetarin Sokol Balla, ku ai e konfirmoi si një nga miqtë e tij të ngushtë.
Carapuli dhe firma Eurocol rezultojnë gjithashtu të jenë edhe ndërtuesit e vilës në Surrel të Ramës. Pra, ortaku i Shullazit në Hotel Vollga rezulton të jetë në të njëtën kohë edhe ndërtues i vilës së Ramës.
Të gjithë këta emra, Carapulin, Kodrën dhe Shullazin i bashkon Edvin Rama. Të gjitha interesat dhe lidhjet e tyre përputhen vetëm në drejtim të Ramës. Ai qëndron si favorizuesi i madh i Shullazit me sfondin e të gjitha krimeve dhe gjobave ndaj biznesit dhe i Carapulit dhe Kodrës me tenderat prej dhjetra milionë eurosh. Ndërkohë si kompensim prej tyre, merr nga i pari terrorin në fushata elektorale dhe ndarjen e gjobave dhe nga të dytët edhe vilën në pajë.
Rasti është në flagrancë që provon edhe me letra se Rama rezulton të jetë në ortakëri me Shullazin. Kjo është prova e krimit të tij, prova se ai qëndron pas Shullazit dhe se ai është sponsori kryesor i krimeve të kryera prej tij.
Kjo është prova më e rëndë e kësaj lidhje kriminale mes Shullazit dhe Ramës. Ortakëria e tyre, që nis tek Vollga dhe përfundon tek ndërtimi i vilës në Surrel është një çështje që duhet të jetë për hetim nga Prokuroria për t’i shkuar deri në fund.
Ky është një rast ku mund të provohet qartë se si i kryen Rama dhe mafia transkasionet e parave të pista të krimit dhe të korrupsionit në një skemë të pistë favoresh të ndërsjellta. Ende nuk dihet se çfarë ka në dosje Prokuroria për krimet e Shullazit, por ky rast që RD po denoncon sot është një provë e fortë e ortakërisë së kreut të qeverisë me kryekriminelin e vendit.

Akuzat

Kryeministri Edi Rama i akuzuar në një raport të përpiluar nga OSBE se ka transferuar mbi 200 milionë euro në parajsat fiskale, dihet se ka në pronësi një sërë pronash dhe objektesh shumëmilionëshe në mbarë vendin, duke përdorur emrat e të tjerëve. Hotel “Vollga” është një provë se si i bën pronat (krimet) dhe fsheh emrin e tij Edi Rama. “Vollga” në mënyrë tepër të dyshimtë ka ndryshuar tre herë pronësi nga muaji gusht deri në dhjetor 2014. Fillimisht bëhet kalimi nga pronarët e ligjshëm drejt disa arabë të padëgjuar, pastaj kundrejt një shume rreth 700 mijë euro bëhet ortak i saj Kodra, administratori i pasurive të Carapulit dhe në formë “mirënjohjeje” tërhiqen arabët për të lënë pronarë Shullazin, administratorin e krimeve të Ramës. Në katër muaj, një operacion tërësisht kriminal ka bërë pronarë Carapulin dhe Ramën, sigurisht, duke përdorur emrat e punëmarrësve të tyre. Kryeministri Edi Rama është i detyruar të shpjegojë pronësinë e tij mbi “Vollgën” dhe sa ka qenë i përfshirë në manipulimin e dokumentave nga zyrtarët e administratës së tij me vullnet ose në tytën e pistoletës së Shullazit. Sigurisht, edhe Carapuli, ndërtuesi i Sarajeve të Surrelit duhet të shpjegojë se si i ka transferuar milionat nën emrin e administratorit të tij dhe përfshirjen e tij në këtë aferë kriminale. Rama dhe Carapuli duhet të shpjegojnë se sa herë të tjera e kanë përdorur këtë skemë Al Kapone “korrupsion dhe frikësim” për të përvetësuar prona të tjera në mbarë vendin.

Ish-zëdhënësi i Pentagonit në Fox News: Rama i korruptuar

Akuzat për korrupsion për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nuk vijnë më vetëm nga kundështarët e tij politikë. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një kryeministër shqiptar është akuzuar drejtpërdrejtë për lidhje me korrupsionin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke komentuar deklaratat e Ramës kundër Donald Trump, ish–zëdhënësi i Pentagonit, J.D. Gordon, në një intervistë për emisionin Fox Business, në kanalin prestigjoz Fox News, tha se kritikat vijnë nga një kryeministër i lidhur me korrupsionin dhe që drejton një mazhorancë parlamentare të korruptuar. Ish–zyrtari amerikan theksoi se komentet e Ramës ndaj Trump vijnë për shkak të lidhjeve të ngushta që ai ka me George Soros. Dhe ai theksoi se këto komente kritike ndaj Trump vijnë nga një kryeministër i lidhur me korrupsionin, që drejton një mazhorancë parlamentare të korruptuar.“E dini që këtë javë ishte në Uashington miku i ngushtë i George Soros, i cili ka qenë i ftuar nderi në dasmën e tij. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takime në Shtëpinë e Bardhë. Ky njeri foli për Donald Trump dhe tha që përbën rrezik për civilizimin. Dhe e dini kush e thotë këtë, Edi Rama, i cili është në krye të një Parlamenti të korruptuar, që është i lidhur me korrupsionin. Ne duhet t’u themi këtyre liderëve europianë që të mos fusin hundët në politikën tonë të brendshme”, tha  ish-zëdhënësi i Pentagonit. Kjo është hera e parë në histori që emri i një kryeministri shqiptar përmendet në një televizion prestigjioz në SHBA si i lidhur me korrupsionin. Dhe këto akuza të drejtpërdrejta ndaj Ramës vijnë vetëm pak ditë, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin për të drejtat e njeriut, theksonte se korrupsioni është i përhapur në çdo degë të qeverisjes. Kryeministri Rama është prej kohësh në qendër të akuzave të opozitës për afera korruptive. Kundështarët e tij politikë e lidhin emrin e Ramës me disa koncesione prej qindra miliona eurosh, kryesisht në Shëndetësi e punë publike. Në raportet konfidenciale e ndërkombëtareve, Edi Rama figuron si një njeri me pasuri të dyshimtë. Raporti konfidencial i OSBE, i tetorit të vitit 2014, i botuar ekskluzivisht nga Lapsi.al, fliste për një pasuri prej 200 milionë eurosh që kryeministri shqiptar Edi Rama ka në kompani offshore dhe që menaxhohet nga vëllai i tij Olsi Rama. Por deklaratat e ish–zëdhënësit të Pentagonit mbeten akuzat e para publike që vijnë nga ndërkombëtarët për kreun e qeverisë shqiptare. Shihni më poshtë videon, duke nisur nga momenti 02:01 minuta, kur nis të flitet për Sorros dhe Ramën.

Largohet nga Shqipëria Mitri Prifti, pasi akuzoi Shullazin

Menjëherë pas publikimit të emrit të tij, si personi që ka përmendur emrin e Emiljano Shullazit, Mitri Prifti, ky që shihni në këtë foto, është larguar nga Shqipëria. 32–vjeçari nga Kuçova është kushëriri i ndërtuesit Jani Zaka, edhe ky, që shihni në këtë foton tjetër, i larguar jashtë Shqipërisë pak ditë pasi deklaroi se Shullazi e kishte kërcënuar për t’i marrë parkingun nëntokësor prej 1.200 metrash katrorë, në rrugën “Sali Butka”, pranë Policisë Bashkiake. Deklarimet ata i dhanë më 3 shkurt të këtij viti. Televizioni “Klan” publikoi dje se Mitri Prifti është nisur nga Aeroporti i Rinasit gjatë natës. Ai ka marrë një fluturim të orës 3:32 drejt një kryeqyteti të një vendi të Ballkanit. Ende nuk dihen arsyet e largimit të menjëhershëm të Priftit nga Shqipëria, por dyshohet se kjo ka qenë një masë sigurie e ndërmarrë prej tij. Mitri Prifti ka dhënë detaje edhe për takimin me Emiljano Shullazin. “Në datën 02.02.2016, Janin e kanë marrë në telefon dhe e kanë takuar dy persona, rreth orës 11:00, tek Nesheraku. Pasi i ka takuar personat, që ai nuk i njeh me emër, ata i kanë thënë, hip në makinë se të kërkon Emiljano Shullazi dhe Jani i ka thënë, që marr taksi dhe vij vetë dhe personat i kanë thënë të vish tani për dy minuta, se ai nuk do të presë ty. Jani shkon tek një lokal i kuq mbrapa qendrës ‘Globe’ dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai i thotë nesër nga ora 10:00 ta kesh telefonin e hapur dhe do të vijë ky djali i xhaxhait tim, të kalojë pak atë pronën në emër të tij. Pa i lënë mundësinë që ai të flasë, Emiljano i ka thënë të dilte jashtë, pasi kishte mbaruar punë me të. Jani më tha se do të fikte telefonin që kishte komunikuar me këta persona dhe do të largohej nga Tirana, pasi personat ai i klasifikon me rrezikshmëri tej mase të lartë”. Pas këtij takimi, Jani Zaka dhe kushëriri i tij marrin një tjetër kërcënim. “Rreth orës 14 e 30 më ka ardhur një telefonatë nga numri……. dhe më thotë: Mario ti je? – unë i them – po, kush je? Më thotë jam Blerim Shullazi, i thuaj kushëririt tënd Jani të vijë për dy minuta tek lokali, se përndryshe do vish ti në vend të tij. Unë i kam thënë se, nuk kam si t’i them se nuk kam numër të tij dhe nuk kam përse të vij se nuk kam përgjegjësi për kushërinjtë e mi. Personi filloi të më ofendonte dhe të më kërcënonte, duke më thënë se, ‘o djalë do të më qash me duar, e di çfarë të bëj, por hajde urgjent për 10 minuta të jesh këtu’, por unë i kam thënë se nuk vij, se nuk jam në Tiranë dhe i kam mbyllur telefonin. Personi më ka marrë përsëri në telefon dhe më ka thënë, ku je se do të vij unë. Dhe unë i kam thënë, as dua të të njoh dhe as dua të më njohësh. Personi më tha në çfarë ore vjen në Tiranë dhe unë i kam thënë se vij në orën 19:00, por ai më tha në orën 17:00 të jesh tek lokali, pasi jam unë që i përcaktoj oraret dhe jo ti dhe duke më sharë, më mbylli telefonin”. Një muaj më pas, më 13 mars të këtij viti, në derën e garazhit të Jani Zakës shpërthen një sasi tritoli. Dëmet ishin të vogla, por për policinë dhe Prokurorinë, që kishte nisur hetimet, ky ishte një paralajmërim. Jani Zaka ishte larguar, ndërkohë jashtë vendit, bashkë me familjen. Policia, më datën 09 shkurt, materialet hetimore – proceduriale ia kishte dërguar Prokurorisë për Krimet e Rënda me materialin referues, deklarim të Jani Zakës dhe Mitri Priftit, për vlerësim dhe cilësim të saktë juridik. Rreth 40 ditë pas kanosjes, në portën kryesore të parkingut shpërtheu një sasi eksplozivi. Aktualisht, të dy personat që kanë bërë deklarimet në polici kundër Shullazit, ndodhen jashtë vendit, në pamundësi për t’u pyetur nga Prokuroria.

Dhuruesi i Shullazit për “Vollgën” është djali i xhaxhait të Ilir Beqajt

Skandali i “aktit të dhurimit” të ish-Hotel “Vollgës” Emiljano Shullazit thellohet edhe më tej. Një qytetar ka denoncuar dje se personi kyç që ka kryer aktin e dhurimit të këtij objekti ndaj Shullazit ka qenë djali i xhaxhai të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, akt që dëshmon lidhjet e forta të Shullazit me pushtetin dhe njerëzit e Ramës. Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje denoncimin e një qytetari, sipas të cilit dhuruesi real i kësaj prone është i afërmi i ministrit Beqaj. “Arapi, bamirësi i madh që e bëri të lumtur Milin të Partisë duke i dhuruar Hotel ‘Vollgën’, është fiks Ylvi Beqaj, djali i xhaxhait të Ilir Beqajt. Qytetari informon se arabët e vërtetë, të paktën prej 10 vitesh nuk janë dukur në Shqipëri. Këtu na del një tjetër Shullaz në qeveri. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë lidhjen mafjoze të Beqajve me Milin e Partisë!”, shkruan Berisha në postimin e tij. Ndërsa në denoncimin e qytetarit citohet: “Doktor përshëndetje, përfaqësuesi i arabëve tek ‘Vollga’ është Ylvi Beqaj, djali i xhaxhait të Ilir Beqajt. Dhe arabët nuk kanë shkelur të paktën prej 10 viteve në Shqipëri. Dhuruesi real është djali i xhaxhait të Beqajt se arabët kanë deleguar tek ky pronën dhe nuk vijnë kurrë në Shqipëri”, thuhet në denoncimin e qytetarit. “Dhurim pa asnjë kusht, në shenjë mirënjohjeje”. Me këtë argumentim ligjor, shtetasi Emiljano Shullazi, i biri i Hajdarit dhe Haxhiresë, i datëlindjes 24 prill të vitit 1978 përfitoi një sipërfaqe trualli 749.6 metra katrorë, pjesë e një prone në Durrës, e cila nga të gjitha njihet si ish-Hotel ‘Vollga’. Këtë dokument, që është një akt noterial ka në dorë edhe Prokuroria, por edhe institucione të tjera shtetërore. Dokumenti mban datën 9 dhjetor të vitit 2014 dhe është hartuar nga noterja Aida Spahiu. Para saj janë paraqitur administratori i kompanisë “Saudi Brothers Commercial” , shtetasi Ylvi Beqja në rolin e dhuruesit të pronës dhe shtetasi Emiljano Shullazi në rolin e pranuesit të dhurimit.

Ish-pronarët protestë edhe në SHBA kundër qeverisë Rama

Një grup shqiptarësh që banojnë në SHBA i bënë thirrje qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë të heqin dorë nga miratimi i ligjeve që, sipas tyre bien ndesh me të drejtën e qytetarëve për pronën. Ata u mblodhën dje në shenjë proteste përpara ambasadës së Shqipërisë në Uashington. Kjo protestë u zhvillua me lejen e policisë përballë ambasadës shqiptare në Uashington. Protestuesit kanë ardhur nga Nju Jorku, Bostoni dhe rrethinat e kryeqytetit.  Agim Toro ka ardhur nga Bostoni. “Vërtet ne jemi një numër i vogël këtu sot. Por janë mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë në SHBA dhe që kanë këtë problem”. Një ligj i ri i miratuar në Parlament vitin e kaluar pret shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese. Ligji i ri përmban një formulë që ul ndjeshëm barrën e shtetit për të kryer kompensime.
Ndonëse problemi i pronave shihet si tejet i ndërlikuar, pasi e vë shtetin përballë një fature të madhe financiare, veprimtarë si Agim Toro nga Bostoni, që presin prej vitesh të marrin pronat, thonë se zgjidhja nuk është aq e vështirë: “Njerëzit e korruptuar të goditen, t’u merren pronat që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe t’u kthehen pronarëve. Vetëm kjo do ta ulte nivelin e kompensimit, sepse kështu do të pranoheshin për kompensim vetëm ato prona që i shërbejnë interesit publik”. Lindita Çoku, kirurge nga Nju Jorku mban një pankartë ku shkruhet: Të respektohen të drejtat civile në Shqipëri; kundër standardeve të dyfishta: “Problemi i standardeve të dyfishta është problem korrupsioni në Shqipëri, sepse dihet shumë mirë që ndërtesat e ndërtuara pa leje janë shembur në disa raste për arsye politike, sepse ndërtuesi ka qenë oponent politik i qeverisë. Nga ana tjetër, ndërtesat e ndërtuara pa leje në tokat e pronarëve, nuk mund të shemben”.
Zonja Çoku përmend rastin e pronave të saj, që ajo thotë se i janë zaptuar: “Ne kemi një rast të tillë, ku një sipërfaqe toke në qendër të Tiranës është zënë nga një grup familjar, të cilët kanë ndërtuar shtëpi. Është e pamundur që ne t’i nxjerrim këta pushtues, si mund ta them, megjithëse kemi dokumentin e saktë të pronës. Na kanë thënë: ne jemi të armatosur dhe nuk keni ç’të na bëni”.
Luljeta Karapici ka ardhur nga Nju Jorku. “Ne si familje nuk biem dakord me çmimet, të cilat janë vënë si kompensim të pronave tona. Tani të dëmshpërblehemi me një formë të tillë është qesharake dhe e papranueshme. Qeveria të mendohet edhe një herë, ta shikojë këtë ligj”. “Nuk ka rëndësi se kush vjen në pushtet dhe gjithsecili mendon për veten e vet dhe jo për pronarët, të cilët janë pjesa e lënë pas dore nga të gjitha qeveritë që kanë qenë deri tani në pushtet. Unë jam një qytetar amerikan dhe mendoj që në Amerikë është krejt e kundërta: pronari është ai që ka të gjitha të drejtat legjitime”. “E kuptoj që është problem i vështirë, por le të veprojë edhe Shqipëria siç vepron gjithë Europa, ku çdo pushtet bazohet tek prona”, thotë Artan Guzja nga Virxhinia. “Është e pamundur që të mos respektohet prona. Dështimi me pronën do të thotë dështim për të gjithë sistemin. Praktika e këtyre 25 vjetëve e ka treguar këtë, në Shqipëri nuk ka investime, ka korrupsion të pamasë dhe një tranzicion të tejzgjatur dhe të dhembshëm qytetarët shqiptarë vazhdojnë të ikin dhe nuk ka punësim”, thotë Agim Toro i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Boston.
Ervini ka ardhur nga Nju Jorku. “Baza e çdo vendi të përparuar kapitalist është prona. Ajo është alfa e gjithçkaje. Po nuk u zbatua ligji i pronës dhe po nuk u ruajt prona, asnjë vend nuk mund të ketë dot zhvillim ekonomik”. Dy nga protestuesit shkojnë në hyrjen e ambasadës për të dorëzuar peticionin. Është e dielë, siç duket një ditë pushimi për ambasadën, megjithëse protestuesit thonë se e kanë lajmëruar për protestën. Por ata janë të vendosur ta vazhdojnë betejën dhe nuk pranojnë të quhen ish-pronarë.

Kosovë, institucionet, 200 milionë euro borxhe

Më shumë se 200 milionë euro ka arritur shuma e borxhit të institucioneve në fund të vitit që lamë pas. Bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se pjesa më e madhe e borxhit i përket Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në emër të shpronësimit të pronave për ndërtim të autostradave, apo edhe realizim të projekteve tjera në vend. Ndërkaq, shuma tjetër është borxh që institucionet qendrore e lokale kanë ndaj bizneseve të cilat kanë realizuar projekte të ndryshme, por nuk i kanë marrë paratë ashtu siç është paraparë me kontratë. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave (MF) shihet se borxhi i MMPH-së deri më 31 dhjetor të vitit që lamë pas është 146 milionë euro, e derisa shuma e borxhit në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishte 114 milionë euro. “Shuma prej 145,571,431 e raportuar nga MMPH-ja përfshin vendimet e shpronësimit për pronat private në shumë prej 54,422,439.80 euro, pronat publike në shumë prej 15,503,859 euro, pronat shoqërore në shumë prej 45,454,998.20 euro, pronat komunale 13,584,264.00 euro, dhe objekti i Rilindjes 16,605,870.00 euro”, thuhet në raportin vjetor të Ministrisë së Financave për vitin 2015. Pas kësaj, Ministria e Infrastrukturës prin sa i përket shumës së borxhi. Bazuar në të dhëna zyrtare shuma e borxhit të kësaj Ministrie ndaj operatorëve privatë deri në fund të vitit paraprak ka arritur në 22,3 milionë euro, e derisa në fund të vitit 2014 shuma e borxhit të Ministrisë ndaj operatorëve privatë ishte vetëm 1 milion euro.

Rreth 200 punonjës të KEDS-it në Kosovë rrezikojnë të mbeten pa punë

Distribucioni i Furnizimit më Energji Elektrike – KEDS, në Kosovë ka larguar nga puna 80 punëtorë, kurse 200 të tjerë rrezikohen që muajin e ardhshëm të mbesin pa punë. Këto shqetësime i paraqesin udhëheqës të sindikatës së punëtorëve të kësaj kompanie. Ky distribucion është privatizuar në vitin 2013 nga konsorciumi turko-amerikan “Çalik -Limak” i cili e ka blerë distribucionin për 26.3 milionë euro. Para tre vitesh konsorciumi kishte premtuar se për 15 vitet e ardhshëm do të bëjë investime prej 300 milionë euro për distribuimin e energjisë elektrike. Po ashtu, kompania ishte zotuar se privatizimi siguron furnizim stabil, kosto të përballueshme për qytetarët dhe në të njëjtën kohë, ishte zotuar se do të mbrojë të drejtat e punëtorëve. Fehmi Pajaziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur Elektro-Kosova në këtë kompani, tregon se largimi i punëtorëve po ndodh për shkak se muajin tjetër është përfundimi i mbikëqyrjes së kontratës së blerësit nga qeveria. Kjo sindikatë, edhe përkundër kërkesave zyrtare për posedim të kontratës së shitblerjes nuk ka pasur mundësi të sigurojë këtë marrëveshje. Ai për ketë shprehet kritik në adresë të menaxhmentit të KEDS-it, por edhe Qeverisë se Kosovës. Megjithatë, Pajaziti tregon se në kohën e privatizimit në kompani kanë qenë rreth 2 mijë e 600 punëtorë, kurse aktualisht numëron rreth 2 mijë e 200. ‘’KEDS po vazhdon më avazin e vjetër. Tash i ka larguar 80 punëtorë, kurse edhe 200 punëtorët të tjerë janë të rrezikuar që pas 7 majit, kur përfundon monitorimi i kontratës Qeveri – KEDS , t’ju ndërpritet kontrata”, ka thënë Pajaziti. Ndryshe, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë përmes postës elektronike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se në bazë të marrëveshjes për implementim, KEDS-i do të vazhdojë të ruaj numrin e punëtorëve të punësuar. “KEDS-i do të vazhdojë të ruaj punësimin për gjithë punëtorët në datën e përfundimit (ashtu siç përkufizohet ky term në Marrëveshjen për Shitblerjen e Aksioneve), për një periudhë minimale prej tri vitesh që prej asaj date”, thuhet në përgjigje. “Sa i përket punëtorëve, një nen tjetër i marrëveshjes garanton kontratat e punëtorëve për periudhën 3 vjeçare që nga data e privatizimit, që i bie deri në muajin maj 2016. Deri më tani, kontrata është respektuar dhe nuk ka pasur largime të punëtorëve nga puna”, thekson Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Zyrtarë të KEDS-it ndërkaq kanë thënë se shumica dërmuese e kontratave po vazhdohen. Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht kanë paralajmëruar për një largim eventual të punëtorëve nga kjo kompani.