40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

…sikur të ketë edhe SHIK-un e Prokurorinë?

Bledi KASMI

Prokuroria nuk ka qenë një histori suksesi në këtë vend, por arrestimi dhe mënyra se si Kryeprokurori ka vepruar në arrestimin e një kryekrimineli si Shullazi është një dritë në tunelin e drejtësisë.
Tre ditë më parë nuk është arrestuar një kriminel i rëndomtë nga ata që kryejnë një vepër penale dhe i fshihen drejtësisë. Tre ditë më parë është arrestuar ushtari i krimeve të kreut të qeverisë që ka pasur përgjatë gjithë kësaj kohe koperturën e Ministrisë së Brendshme në aktivitetin e tij dhe kjo nuk është pak.
Është arrestuar nga operacioni i Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ një kryekriminel që takohej me kryeministrin, që përdorte si shofer ministrin e Brendshëm dhe më pas kërcënonte kryetarin e opozitës, ushtronte terror në zgjedhje dhe vinte gjoba masive ndaj bizneseve nën mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e plotë të ministrit të Krimit në këtë vend.
Për ta ilustruar më qartë se çfarë përfaqësonte Shullazi për këtë pushtet mjaftojnë dy shembuj për ta bërë më të qartë për opinionin.
Pas atentatit ndaj Shullazit në mbikalimin e Kasharit u transmetua nga mediat se ai ishte shoqëruar me makinë të blinduar të policisë në lëvizjet e tij. Shoferi i Shullazit-ministër ishte i preokupuar për jetën e tij. Por kjo nuk ishte fundi.
Një ditë pas atij atentati, ministri-shofer i Shullazit ushtroi një terror ndaj disa bizneseve në aksin e autostradës Tiranë-Durrës në kërkim të atentatorëve të Shullazit. Po pse një operacion i tillë ndaj këtyre bizneseve? Arsyeja ishte e thjeshtë, sepse pronarëve të këtyre bizneseve Shullazi i kishte vënë gjoba dhe tani ministri që ishte në dijeni të plotë të gjobave të Shullazit po kërkonte se kush nga biznesmenët mund të kishte porositur atentatin.
Është e qartë që varësia e ministrit të Krimit ndaj një banditi të tillë. Sërish edhe kjo nuk është fundi përballë shqetësimit të një biznesmeni shumë të njohur, i cili trokiti i shqetësuar tek dera e kreut të qeverisë për t’i shprehur hallin se Shullazi i kishte vënë gjobë. Dhe ndërsa biznesmeni priste që kreu i qeverisë të reagonte me habi apo i shqetësuar për hallin e tij, ai iu përgjigj ftohtë: “Nuk e di se çfarë ka këto kohët e fundit se nuk është mirë”.
Këto janë vetëm dy shembuj, ndërsa rastet janë të shumta dhe historitë janë kthyer në legjenda të këtij krimineli që i ka pengje të tij kreun e qeverisë dhe ministrin e Krimit. Kjo ka qenë arsyeja se përse Prokuroria dhe SHIK i kanë zhvilluar hetimet mes tyre, duke përjashtuar titullarët e Ministrisë së Brendshme.
Por, nëse Prokuroria dhe SHIK janë për t’u përshëndetur në këtë operacion për arrestimin e kryekriminelit të pushtetit, pyetja që shtrohet sot dhe jo vetëm për shqiptarët, po edhe për partnerët që tashmë e kanë mjaft të qartë panoramën e krimit në këtë vend, është se çfarë mund të bënte një i çmendur në krye të qeverisë sikur t’i liheshin edhe çelësat e Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ?
Rasti Shullazi provon qartë se Shqipëria do të legjitimohej si një diktaturë krimi. Kjo është edhe arsyeja se përse Rama që në ditët e para kur u ul në krye të qeverisë aksioni i parë politik ishte ai për uzurpimin e Shërbimit Informativ, sepse edhe atje i duhej një shofer tjetër i Shullazit si në rastin e Ministrisë së Brendshme.
Kjo është arsyeja që tani përmes Reformës në Drejtësi kërkoi që të ndërpritet mandati i Kryeprokurorit Llalla, sepse i duhet një kryeprokuror që të mos ia prekë kryekriminelët, të cilët i sigurojnë pushtetin përmes terrorit në votime dhe blerjes së votave jo vetëm në zgjedhje parlamentare dhe ato lokale, por edhe në zgjedhjet në universitete.
Kjo është arsyeja se përse ky njeri kërkoi që edhe Byroja e Hetimit të ishte një institucion në varësi të shoferit të Shullazit që drejton aktualisht ministrinë e Krimit, sepse vetëm përmes një kontrolli të plotë të institucioneve ligjzbatuese dhe nënshtrimit të drejtësisë, Rama mund të përjetësojë pushtetin e tij kriminal.
Arrestimi i Shullazit duket se e ka trembur jo pak Ramën. Skema është prishur dhe tani ai nuk është më njeriu që luan kartat.
Zarat janë hedhur diku tjetër dhe lojën e tij e luajnë të tjerë aktorë. Ajo çfarë duhet kuptuar është se Ramës po i priten këmbët si fillim, pra krimi. Kjo ngjan si një torturë, sepse pa këmbë vërtet mund të vegjetosh deri në momentin e fundit kur është pjesa më e dhimbshme, prerja e kokës së pushtetit.
Kjo është lufta që kërkoi Rama. Ai luajti me armët e krimit mbi ligjin, tani është radha të luhet me armët e ligjit kundër krimit.

Për Universitetin

Mynyr KONI

Ka qenë një nder dhe mbi të gjitha kënaqësi e madhe për mua të prezantoj para jush kandidaturën time për të drejtuar në postin e Rektorit universitetin më të madh në vend, Universitetin e Tiranës.
Në letrën e drejtuar ndaj jush përpara tre javëve, jam munduar të shpreh rëndësinë që ka procesi zgjedhor jo vetëm për ata që janë në garë, por për Universitetin e Tiranës si institucion dhe mesazhin që ai i transmeton shoqërisë në tërësi. Kam nënvizuar faktin që “zgjedhjet janë të universitetit për universitetin”, si dhe faktin që përfshirja e aktorëve të jashtëm e dëmtojnë këtë proces dhe rrjedhimisht edhe vetë Universitetin e Tiranës.
Sot kisha programuar që të ndaja me ju takimet e ndryshme të zhvilluara javën e fundit të fushatës, por fatkeqësisht, siç ju tashë jeni në dijeni, ngjarjet e javës së kaluar më detyrojnë që të kem një formë tjetër komunikimi me ju. Unë kam qenë nën presion që të tërhiqem nga gara, por falë mbështetjes së kolegëve, miqve dhe strukturave shtetërore, vazhdoj të jem në garë.
Detaje nga kjo ngjarje janë jo produktive nëse do i ndaja me ju, për më tepër, kur organet kompetente janë duke vepruar. Por një gjë duhet ta ndaj me ju:
Kam qenë totalisht i papërgatitur që një ngjarje e tillë do të ndodhte në Universitetin e Tiranës dhe që unë bashkë me familjen time do të kalonim ditë të vështira thjesht, sepse unë besoj që bashkë me ju UT-në mund ta zhvillojmë më shumë në mënyrë që studentët, pedagogët dhe shoqëria shqiptare të marrë maksimumin nga ky institucion.
Gjatë javëve të fundit jam munduar që të zhvilloj një fushatë dinjitoze, duke bashkëbiseduar me kolegë për të përmirësuar dhe pasuruar platformën e paraqitur në fillim të kësaj fushate.
Asnjëherë nuk kam vepruar kundër procesit zgjedhor dhe interesave të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për shoqërinë. Tentativat për prishjen e procesit zgjedhor apo hedhjen baltë mbi të, bëhen vetëm nga individë të verbuar nga epshet e tyre të pakuptueshme.
Pedagogët dhe studentët janë nga njerëzit më të lirë që ka shoqëria shqiptare dhe jam i bindur që gjithmonë ata vendosin bazuar në logjikën dhe dëshirën e tyre dhe kurrsesi jo në sajë të presioneve apo provokimeve që mund t’i bëhen.
Nuk ka ofendim më të madh që na bëhet të gjithëve kur dikush i përshkruan pedagogët si qenie pa dinjetit, të cilët votojnë dhe jetojnë nën presion. UT duhet të jetë një garanci solide suksesi në të ardhmen, duke kontribuar pareshtur në një arsim cilësor që do të reflektohet në formimin e brezave të denjë të specialistëve më të mirë në vend. Besoj fort se tani më shumë se kurrë kam mundësi të sjell risi në këtë universitet.
Vizioni dhe plani im për UT-në është i qartë dhe vij me shumë vullnet për ta implementuar atë me sukses.
Miqtë e mi, dëshira ime është që Universiteti i Tiranës të jetë vend i sigurt për një të ardhme të ndritshme akademike dhe profesionale, universiteti që është zëri juaj, mundëson mbështetje reale ndaj problemeve tuaja. Me përulje para jush ju kërkoj të më jepni mundësinë të punoj në postin e Rektorit të këtij universiteti.
I uroj suksese të gjithë kandidatëve të përfshirë në këto zgjedhje në poste të ndryshme drejtuese brenda UT-së.
Të nderuar kolegë, tashmë më shumë se kurrë duhet të bëhemi bashkë që mbyllja e këtij procesi të jetë dinjitoze, në lartësinë e duhur të institucionit ku ne të gjithë punojmë, për të treguar sëbashku vlerat reale që ka Universiteti i Tiranës, modelin dhe mesazhin që bota akademike duhet t’i japë shoqërisë në tërësi!
Edhe një herë gjej rastin për t’ju falenderuar për mbështetjen tuaj dhe besimin që më keni dhënë gjatë gjithë këtij procesi!

PD i kërkon SHBA të monitorojnë procesin ndaj Emiljano Shullazit

Dëshmi, fakte dhe prova konfirmojnë se si, Emiljano Shullazi ngriti në këto tri vite një perandori të krimit, me gjoba ndaj biznesit, me rrëmbime pronash, me trafik dhe drogë.
Partia Demokratike ka kërkuar ndërhyrjen e ndërkombëtarëve veçanërisht të ambasadës amerikane, për të monitoruar procesin hetimor ndaj Emiljano Shullazit, i arrestuar si drejtues i bandave kriminale për të shmangur në këtë mënyrë ndërhyrjet politike. Përmes një deklarate për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani theksoi dje se vështirësia më e madhe e Prokurorisë në hetimin e Shullazit ka qenë dhe është qeveria.
“Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë pasur dijeni për të gjithë këtë aktivitet kriminal. Nga provat dhe faktet e bëra publike, duket se Edi Rama dhe Saimir Tahiri e kanë ditur, e kanë lejuar, madje e kanë ndihmuar Emiljano Shullazin në grabitjen e ‘Vollgës’ në Durrës, në marrjen me dhunë, përmes kërcënimesh, me armë e me eksploziv, të qindra mijëra eurove nga biznesmenët.
Shullazi jo vetëm kishte çdo zyrë të shtetit të Edi Ramës në dispozicion, por mbështetja ndaj tij shkonte deri atje, sa efektivë të forcave speciale shërbenin për sigurinë e tij”, tha Ristani.
Ai theksoi se makinat e Shullazit nuk ndaleshin asnjëherë dhe nuk kontrolloheshin në dogana, siç ishte rasti i denoncuar nga PD, i futjes së makinës së blinduar pa asnjë verifikim nga Porti i Durrësit.
Nga ana tjetër ai vuri në dukje se përfaqësues të rëndësishëm të biznesit në vend janë ankuar tek Edi Rama për gjobat që u ka vënë Shullazi, por kanë gjetur shpërfilljen, madje edhe justifikimin e tij për Shullazin. “Tek Rama, biznesi nuk ka gjetur garantin e rendit dhe sigurisë, por ortakun e Shullazit. Dinamika e rastit Shullazi flet qartë: Vështirësia më e madhe e Prokurorisë në hetimin e Shullazit ka qenë dhe është edhe sot qeveria, Edi Rama e Saimir Tahiri. Ata i kishin dhënë Shullazit statusin e të paprekshmit. Megjithë denoncimet e qytetarëve, megjithë denoncimet e Partisë Demokratike, madje edhe të partnerit tonë strategjik, Shullazi vazhdonte të kishte mbështetjen pa rezerva të qeverisë”, tha Ristani.
Sot, vijoi ai, opinioni publik e ka të qartë se në tri vite, një prej personave më të rrezikshëm në vend, ishte mik, ortak e partner me Edi Ramën e Saimir Tahirin dhe vazhdon të jetë, sepse as dje, as sot, ata nuk guxojnë t’i përmendin as emrin.
Partia Demokratike inkurajon Prokurorinë në hetimin e plotë të aktivitetit kriminal të Shullazit dhe i kërkon organit të akuzës të mos ndikohet nga presionet e Edi Ramës e Saimir Tahirit.
Ristani tha se ky hetim duhet të nxjerrë në dritën e diellit, se nga i vinte pushteti një krimineli që vinte gjoba e grabiste prona.
Partia Demokratike i kërkon partnerëve ndërkombëtarë e në veçanti ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ta monitorojnë këtë proces, të japin kontributin e tyre për të ndalur ndërhyrjet e qeverisë e për të siguruar drejtësi.
“Ne nxisim qytetarët, biznesmenët që janë kërcënuar, rrëmbyer e gjobitur nga ky bandit dhe banda e tij, të denoncojnë faktet e dëshmitë që ata kanë. Drejtësia duhet dhe do të triumfojë në këtë rast. Nuk do ta lëmë vendin peng të Edi Ramës, Saimir Tahirit e Emiljano Shullazit”, u shpreh ndër të tjera Ristani.

Vollga dhe fshat turistik në Gjirin e Lalzit, disa nga pronat e kryekriminelit

Lista e pronave të Shullazit të zhvatura përmes kërcënimeve me jetë është e gjatë. Në qytetin e Durrësit, përveç pronësisë së Hotel “Vollgës”, Shullazi kohët e fundit ka marrë një leje të firmosur nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako për ndërtimin e një fshati turistik në Gjirin e Lalzit. Por krahas kësaj leje, Shullazi ka marrë pothuajse nën zaptim gjithë bregdetin e Durrësit përmes pesë kompanive të tij për të menaxhuar sezonin turistik, ndërsa ka marrë në pronësi gjithashtu edhe një territor rreth kodrës mbretërore. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një dokument, në të cilin tregohet se si Emiljano Shullazi ka përvetësuar hotelin e njohur në Durrës, Hotel “Vollga”, si dhe ka marrë një leje nga Dako për ndërtimin e fshatit turistik në Lalz.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Berisha ka theksuar se Shullazi ka kërcënuar kreun e Hipotekës së Durrësit, si dhe ai kishte pasur konflikte me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon. “Prona tek ‘Vollga’ është bërë mollë sherri mes bandave të qeverisë. Siç kam shkruar në faqen time në Facebook, para 16 muajsh për këtë pronë pati një aferë të rëndë, ku bandat e qeverisë e kërcënuan me jetë kryeregjistruesin.  Ndërsa për Vit të Ri 2016 u vra në mënyrë të mistershme në Durrës një i ri me mbiemrin Kodra, por që nuk dihet nëse ka lidhje me pronën tek ‘Vollga’.  Por përveç këtyre, burime nga Durrësi, qytet në të cilin Mili i Partisë kishte zhdëpur Gjushin e Bashkisë, informojnë se dy muajt e fundit ka marrë miratimin e këtij të fundit për ndërtimin e një fshati turistik në Lalz. Përveç këtyre, Milit të Edvin Shullazit i janë dhënë në Durrës kodra mbretërore territori, rreth pallatit mbretëror. Ai me 5 kompani ka marrë në përdorim për sezonin turistik të gjithë bregdetin e Bashkisë Durrës”, thekson Berisha në postimin e tij.  Ish-Kryeministri thekson se ky kriminel së bashku me drejtorin e Policisë së Durrësit, narkotrafikantin Pleurat Çullhaj (drejtori i vetëm që në tre vjet nuk ka lëvizur nga detyra dhe që vetëm në konto bankare ka 3 milionë euro) kontrollojnë këtë vit të gjitha plantacionet e pafundme të kanabisit në territorin e Qarkut të Durrësit. Ai ka bllokuar tenderin e landfillit të Maminasit. Berisha i bën thirrje Prokurorisë të mos privohet nga presioni politik duke evituar bllokimin e hetimeve. “Duke shprehur mbështetjen time më të plotë për goditjen e njërit prej eksponentëve më kryesorë të krimit qeveritar, i bëj thirrje Prokurorisë të qëndrojë me vendosmëri ndaj çdo presioni politik që kërkon të bllokojë hetimet dhe të pengojë shembjen e perandorisë së krimit të shullazëve të pushtetit! I bëj thirrje qytetarëve të ndihmojnë hetimin e kësaj organizate kriminale me çdo të dhënë që ata disponojnë”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

E vërteta e pronësisë së “Vollgës”

Pronësia e ish-Hotel “Vollga” në qendër të qytetit të Durrësit është mbështjellë për momentin me mister se si një nga asetet kryesore të qytetit bregdetar është në dorë të Emiljano Shullazit.
Në kartelën e pasurisë, e bërë publike tashmë, konstatohet lëvizja e pronësisë gjatë viteve të fundit.
Nga informacionet e siguruara nga “Boldnews.al”, rezulton se në vitin 2003, me vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronësia e ish-Hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi. Kjo e fundit, në të njëjtën ditë që ka bërë regjistrimin e pronës në Hipotekë, ka dorëzuar edhe një “trashëgimi testamentare” në emër të shtetasit Zamir Hasa.
Pronarja e ligjshme, Alie Fortuzi, e shkuar në moshë dhe e vetme, prej vitesh ishte ndihmuar nga Hasa për kryerjen e nevojave të përditshme. Në shenjë respekti për angazhimin e Hasës për shëndetin e saj, ajo ka vendosur që pronën, “ish-Vollgën”, t’ia japë me testament atij, i cili do të bëhej pronar i ligjshëm pas vdekjes së Alie Fortuzit.
Gjithnjë duke parë dokumentin e publikuar, rezulton se po në të njëjtën ditë me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer.
“Boldnews.al” ka mësuar se, për këtë kontratë shitjeje, trashëgimtari testamentar Zamir Hasa, ka ndjekur rrugën gjyqësore, pasi ka paraqitur pretendimin se është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive.
Procesi gjyqësor ka vijuar në tre shkallët e gjyqësorit. Në kohën që Gjykata e Lartë, me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, Gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.
Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator.
Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove shtetasve Fejzi dhe Marjeta Kodra. Këta dy shtetas, për të cilët ka dyshime mbi mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë, vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre.
Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company”, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit.
Nuk ka asnjë shpjegim se përse është bërë ky dhurim.

Arben Shahini

Fundi i bandës, qelitë u hapën

Heshtja e Ramës, deklaratat e Tahirit, sjelljet e policisë po dëshmojnë se ata po punojnë në drejtim të kundërt me Prokurorinë
Edi Rama refuzoi sot të distancohej publikisht nga Emiljano Shullazi, ushtari i krimeve që bëhen në emër dhe për llogari të kryeministrit. Në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama nuk dënoi krimet e ushtarit të tij, duke lënë të kuptohet se Shullazi, shërbimet apo krimet e tij janë ende të nevojshme për pushtetin e tij. Rama nuk pati as kurajon e Klodeta Dibrës, që të “divorcohej” nga Shullazi, për të cilin ekzistojnë një mal me prova dhe akuza për vrasje, akte terrori, grabitje, trafiqe, shantazhe dhe kërcënime ndaj shumë qytetarëve.
Heshtja e kryeministrit Rama, deklaratat e ministrit të Brendshëm Tahiri, sjelljet e policisë dhe propaganda e mediave pranë pushtetit dëshmojnë se ata po punojnë në drejtim të kundërt me Prokurorinë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Këto të fundit kanë mbledhur dëshmi të viktimave të Shullazit, përgjime bisedash telefonike që janë informacion mbi aktivitetet e tij të dendura kriminale, si edhe me lidhjet që Shullazi ka me Ramën, Tahirin, pushtetarë të gjitha niveleve dhe veçanërisht me drejtuesit e lartë të policisë.
Shullazi, është një nga ata eksponentë të krimit të organizuar në Shqipëri, ku reflektohet si tek asnjë kriminel tjetër i përkëdhelur i pushtetit, simbioza e kryeministrit Rama me krimin. Prej 15 vitesh, të gjitha aktet kriminale, ku është përfshirë kryeministri Rama, kanë fytyrën e Shullazit. Nëse kur u kthye nga Parisi i duhej që të lante hesapet me furnitorët e kokainës, Shullazi ishte pjesë e bandës që kreu misionin. Nuk ka zgjedhje të zhvilluara në kryeqytet, që Shullazi të mos ketë drejtuar shtabet e dhunës elektorale të Edi Ramës. Nuk ka biznesmen që ka paguar, apo nuk ka paguar për lejet e ndërtimit apo tenderat tek Rama, që të mos ketë paguar edhe taksën “ekstra” tek Shullazi.
Fakti që ministri i Brendshëm dhe kryepolicët e tij janë ushtarët e bindur të Shullazit dëshmohet nga mungesa e një raporti publik mbi arrestimin e këtij krimineli dhe bandës së tij, ndërsa kemi parë se në raportet ditore të policisë kanë treguar me emër dhe foto edhe ata që kanë urinuar poshtë urës së Lanës, apo edhe drejtuesit e automjeteve që kanë shkelur vijat e bardha. Dy vjet më parë, kur Shullazi u qëllua në rrugën Tiranë–Vorë, Tahiri ushtroi terror policor tek të gjithë biznesmenët e kryeqytetit që ishin gjobitur nga Shullazi për të zbuluar nëse ata kishin paguar dikë për vrasjen e tij. Të gjithë ata që kanë denoncuar në polici Shullazin janë detyruar nga Tahiri dhe sejmenët e tij që të tërheqin paditë dhe janë këshilluar të paguajnë gjobat e Shullazit.
Pushteti i Shullazit nuk erdhi dhe nuk mbahet rastësisht. Ky pushtet është rritur në progresion me pushtetin e Ramës, për të njohur shkëlqimin e vet këtë periudhë që Rama është kryeministër. Ndaj gjobat e Shullazit janë haraçe që qytetarët i paguajnë sulltanatit të krimit të organizuar që ka në krye Edi Ramën. Në kryeqytet dhe në zonat përreth ky haraç është më i shtrenjtë, pasi është pjesa e Ramës dhe pjesa e Shullazit. Ndaj kultivuesit e hashashit në gjithë Shqipërinë paguajnë 30 për qind, ndërsa në zonat e kontrolluara nga Shullazi ata detyrohen të paguajnë 50 për qind.
Shullazi është një gur në qafën e Ramës, nga i cili kryeministri nuk do të mund të çlirohet kurrë. Ai mund të zgjedhë të heshtë, mund të urdhërojë Tahirin që t’i dërgojë edhe kokainë në qeli, mund të urdhërojë t’i krijojnë edhe një dhomë me 5 yje në burg, por nuk mundet të fshijë, fshehë dhe injorojë provat e pakundërshtueshme të bashkëpunimit të tij me Shullazin dhe bandën e tij. Ky bashkëpunim shumëvjeçar i Ramës me Shullazin dhe krimin ka ardhur drejt fundit dhe Rama e ndjen se fundin do ta ketë më të keq se të ushtarit të krimeve të tij. Shullazi dhe krimi i organizuar që vepron lirisht në Shqipëri po bëjnë vërtet para dhe pasuri për vetë bandat dhe pushtetarët që rrinë pas tyre, por po mbjellin me shpejtësi një armiqësi të egër të shqiptarëve, që i fajëson për papunësinë, mjerimin, drogën dhe pasigurinë. Largimi i Ramës, apo burgosja e Shullazit nuk i ndalon shqiptarët që t’u kërkojë të paguajnë një më një për të gjitha fatkeqësitë që ju kanë sjellë.
Nesër janë zgjedhjet në universitet dhe ka arsye të besojmë se do të jenë më të lira tani që Shullazi është në burg. Shpejt do të jenë zgjedhjet parlamentare dhe nuk ka dyshim që do të jenë më të lira nëse Rama përfundon në qeli tek ushtari i krimeve të tij. Dekriminalizimi, Reforma në Drejtësi dhe Njësia e Posaçme Hetimore që do të jenë funksionale së shpejti, pavarësisht kundërshtimeve të Ramës, na japin siguri se drejtësia do t’ua tregojë vendin qelbësirave.

Basha: 25-vjetori e gjen Kuvendin të mbushur me vrasës, banditë e tutorë

Kryetari i PD, Basha ka reaguar dje me rastin e 25-vjetorit të Kuvendit, duke deklaruar se ky përvjetor e gjen tempullin e demokracisë në gjendje të mjerë. “Narkotrafikantë me damkë, vrasës, banditë dhe tutorë e trafikantë të grave dhe vajzave shqiptare u përzgjodhën me dorë nga shefi i mazhorancës dhe u sollën në këtë Kuvend si përfaqësues të botës së krimit, duke poshtëruar kësisoj çdo shqiptar dhe shqiptare.  Ky Kuvend ka qenë në këto 3 vite pararojë e shkeljes dhe dhunimit të të drejtave të qytetarëve, dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, agresionit fizik, verbal dhe institucional kundër opozitës. Ligje kundër pronës dhe pronarëve, ligje kundër arsimit dhe studentëve, rritje taksash dhe tarifash, falje të 500 milionë euro bashkëhajdutëve të CEZ, amnistim të hajdutëve të votës, reforma territoriale antiqytetare janë vetëm disa nga “bëmat” në këtë Kuvend nga deputetët e nënshtruar të qeverisë së krimit dhe korrupsionit. Nga ana tjetër deputetë të Edi Ramës në këtë Kuvend kanë gjakosur qytetarët në dyert e komisariateve, kanë strehuar kriminelë në makinat e tyre për t’i ikur ndjekjes policore, kanë grabitur pasuritë publike dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë për vete dhe fëmijët e tyre, kanë spastruar me listë në dorë administratën publike dhe janë kthyer në sundimtarë të Jugut e Veriut duke ju pirë gjakun qytetarëve përmes vjedhjes, batërdisjes dhe arrogancës së tyre ekzemplare. Spastrimi i këtij Kuvendi nga krimi dhe kriminelët është prioriteti më urgjent kombëtar. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe përgatitja për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë urgjencat e vërteta të demokracisë shqiptare. Në këtë 25-vjetor thirrja ime është që ta shpërbëjmë Kuvendin e kapur peng nga krimi dhe t’ja rikthejmë Parlamentin shqiptarëve, duke mundësuar zgjedhjen me votë të lirë të qytetarëve më të denjë, me përfaqësues, më të respektuar dhe me më shumë reputacion në tempullin e përfaqësimit dhe vendimmarrjes sovrane”, shprehet Basha në një postim në Facebook.

Kërcënimi i Shullazit për Zakën: Ose biznesin ose jetën

Mbrëmjen e 3 shkurtit, rreth orës 20:00, një biznesmen u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Jani Zaka, 40 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, kërkoi të kontaktonte me një nga drejtuesit e policisë. Ai i tha oficerit roje se kishte marrë një kërcënim me jetë. Oficerit të Policisë Gjyqësore që nisi t’i marrë deklaratën i përmendi emrin e Emiljano Shullazit dhe të Blerim Shullazit. Ai tha se, Shullazi i kishte kërkuar që t’i kalonte në pronësi një parking nëntokësor me sipërfaqe 1 200 metër katrorë, në rrugën “Sali Butka”, në Tiranë, pranë Policisë Bashkiake.
Kërkesa vinte pasi personit që Jani Zaka ia kishte blerë, shtetasi Fatmir Sinani, i kishte thënë se parkingu kushtonte më shumë sesa ishte paguar. “Para disa vitesh, tek Nesheraku, i kam blerë shtetasit Fatmir Sinani një parking nëntokësor me sipërfaqe 1200 m katror, për një vlerë prej 300 mijë eurosh. Parkingun e kam blerë me kontratë porosie, pasi pallati është i pahipotekuar. Fatmiri, pasi më bëri shitjen më ka thënë se, parkingu kushtonte më shumë seç ia kisha blerë unë. I jam përgjigjur se, në qoftë se më kthente lekët, në çdo moment do t’i ktheja pronën këtij shtetasi”.
Por në vend të përgjigjes nga Sinani, Zaka thotë se është kontaktuar nga Emiljano Shullazi. “Para dy ose tre muajsh më ka ardhur tek garazhi një person i gjatë, të cilit nuk ia di emrin dhe më thotë që të kërkon Emiljano Shullazi… Ditën tjetër më telefonon rreth orës 13:00 ky person, si datë nuk më kujtohet dhe më thotë se po të presim tek lokali mbrapa Xhakës. Unë kam vajtur tek lokali dhe atje ishte dhe Emiljano, i cili më priste në lokal. Emiljano më thotë, çfarë garazhi i ke mbajtur peng Fatmirit. Unë i kam thënë që nuk i kam mbajtur peng garazh, por më ka shitur garazh dhe ai më thotë, zgjidheni me Fatmirin këtë problem. Për këtë gjë, unë kam vënë në dijeni dhe kushëririn tim Mitri Prifti”.
Në polici ka dhënë deklaratën e tij edhe Mitri Prifti. Ai ka thënë se, Jani ka qenë shumë i frikësuar nga kërkesa për të takuar Shullazin. “Jani mbas këtij takimi ka qenë shumë i frikësuar dhe i dërgon njoftim Fatmir Sinanajt dhe i thotë më jep paratë që të kam dhënë dhe unë tërhiqem nga prona, vetëm problem nuk dua. Por djali i Fatmirit, shtetasi Andi Sinanaj i kishte kthyer përgjigje duke i thënë, tani merru me ata që kanë hyrë në lojë dhe mundohu t’i bindësh se e di çfarë të gjen”.
Mitri Prifti ka dhënë detaje edhe për takimin me Emiljano Shullazin. “Në datën 02.02.2016, Janin e kanë marrë në telefon dhe e kanë takuar dy persona, rreth orës 11:00, tek Nesheraku. Pasi i ka takuar personat, që ai nuk i njeh me emër, ata i kanë thënë, hip në makinë se të kërkon Emiljano Shullazi dhe Jani i ka thënë, që marr taksi dhe vij vetë dhe personat i kanë thënë të vish tani për dy minuta, se ai nuk do të presë ty. Jani shkon tek një lokal i kuq mbrapa qendrës ‘Globe’ dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai i thotë nesër nga ora 10:00 ta kesh telefonin e hapur dhe do të vijë ky djali i xhaxhait tim, të kalojë pak atë pronën në emër të tij. Pa i lënë mundësinë që ai të flasë, Emiljano i ka thënë të dilte jashtë, pasi kishte mbaruar punë me të. Jani më tha se do të fikte telefonin që kishte komunikuar me këta persona dhe do të largohej nga Tirana, pasi personat ai i klasifikon me rrezikshmëri tej mase të lartë”.
Pas këtij takimi, Jani Zaka dhe kushëriri i tij marrin një tjetër kërcënim. “Rreth orës 14 e 30 më ka ardhur një telefonatë nga numri……. dhe më thotë: Mario ti je? – unë i them – po, kush je? Më thotë jam Blerim Shullazi, i thuaj kushëririt tënd Jani të vijë për dy minuta tek lokali, se përndryshe do vish ti në vend të tij. Unë i kam thënë se, nuk kam si t’i them se nuk kam numër të tij dhe nuk kam përse të vij se nuk kam përgjegjësi për kushërinjtë e mi. Personi filloi të më ofendonte dhe të më kërcënonte, duke më thënë se, ‘o djalë do të më qash me duar, e di çfarë të bëj, por hajde urgjent për 10 minuta të jesh këtu’, por unë i kam thënë se nuk vij, se nuk jam në Tiranë dhe i kam mbyllur telefonin. Personi më ka marrë përsëri në telefon dhe më ka thënë, ku je se do të vij unë. Dhe unë i kam thënë, as dua të të njoh dhe as dua të më njohësh. Personi më tha në çfarë ore vjen në Tiranë dhe unë i kam thënë se vij në orën 19:00, por ai më tha në orën 17:00 të jesh tek lokali, pasi jam unë që i përcaktoj oraret dhe jo ti dhe duke më sharë, më mbylli telefonin”.
Një muaj më pas, më 13 mars të këtij viti, në derën e garazhit të Jani Zakës shpërthen një sasi tritoli. Dëmet ishin të vogla, por për policinë dhe Prokurorinë, që kishte nisur hetimet, ky ishte një paralajmërim. Jani Zaka ishte larguar, ndërkohë jashtë vendit, bashkë me familjen. Policia, më datën 09 shkurt, materialet hetimore – proceduriale ia kishte dërguar Prokurorisë për Krimet e Rënda me materialin referues, deklarim të Jani Zakës dhe Mitri Priftit, për vlerësim dhe cilësim të saktë juridik.

A.Shahini

Si u rrëmbye me makinë nga Shullazi, Profesor Koni?

Të enjten e 14 prillit, akademiku Mynyr Koni, kandidat për postin e rektorit në Universitetin e Tiranës ishte duke u kthyer për në shtëpi kur një makinë e blinduar ndaloi para këmbëve të tij. Një person i kërkoi nën kërcënim të futej brenda në makinë, brenda së cilës ishin edhe dy persona të tjerë.
Pasi e fusin nën gjuhën e kërcënimit, brenda automjetit të tyre, akademikut të nderuar i kërkohet në mënyrë ultimative që të tërhiqet urgjent nga gara. Ultimatimi i dhënë nga banda ndaj Profesor Konit ishte që nga gara të jepte dorëheqjen urgjent që ditën e nesërme. Tonet e kërcënuesve janë ashpërsuar më tej kur, akademiku Koni u ka thënë se do të mendohej mbi këtë ultimatum. Në këtë moment, reagimi i bandës për dorëheqjen e tij ka qenë i prerë.
Profesor Mynyr Koni është thirrur për të dëshmuar në polici për kërcënimin që është bërë ndaj tij. Ai ka thënë se, nuk i mbaj mend fytyrat e personave, por sakaq ka treguar skenën e krimit. “Isha në rrugë, duke shkuar për në shtëpi, një makinë më ndaloi tek këmbët dhe një person më urdhëroi të hyja brenda. Aty jam kërcënuar. Ishin tri veta. Njëri prej tyre më tha ‘Ti do të tërhiqesh deri nesër nga gara!’. I thashë të mendohem deri nesër. Personi në fjalë me ton të lartë më tha: Ti do të japësh dorëheqjen!”, është shprehur Profesor Koni në dëshminë e tij në polici.
Pas kësaj, banda e ka lënë akademikun të lirë. Pas kërcënimit, Profesor Koni ka shkuar në zyrën e rektorit aktual të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ku i ka shprehur atij tërheqjen nga gara dhe se do të paraqiste dorëheqjen. Kjo kërkesë e Konit ka hasur në kundërshtinë e Kules, i cili i ka shprehur mbështetjen atij për të vijuar garën deri në fund. Të nesërmen e kësaj dite, të premten më 15 prill, teksa ecte rrugës për në Rektorat tek sheshi “Nënë Tereza”, e njëjta bandë që një ditë më parë kishte kërcënuar akademikun Koni duke i kërkuar të tërhiqej nga gara, ndaloi edhe rektorin aktual Dhori Kule. Me tone kërcënimi, banda i ka kërkuar Kules të ndërpresë urgjentisht çdo lloj mbështetjeje ndaj akademikut Koni përndryshe jeta e tij dhe e familjarëve të tij ishte në rrezik.
Profesor Mynyr Koni është dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe në zgjedhjet universitare që zhvillohen të mërkurën (20 prill), ai garon për rektor. Teksa garës po i afrohej fundi, Sali Berisha del në një konferencë dhe denoncoi se Mynyr Koni është kërcënuar dhe përmend direkt emrin e Emiljano Shullazit. Sakaq po atë ditë (të shtunën 16 prill) ndalohet Shullazi dhe merret në pyetje. Nuk vonoi shumë dhe Prokuroria rreth mesnatës së të shtunës lëshoi urdhër arrest për Shullazin dhe dy të tjerë. Hetimet për ta kishin nisur më parë, që në shkurt. Shullazi po hetohet edhe për gjobëvënie dhe kërcënime të së paku dy biznesmenëve.

72 orë nga arrestimi i Shullazit, policia asnjë foto të ndalimit të tij

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar dje ndaj mungesës së publikimit nga ana e policisë të momenteve të ndalimit të Emiljano Shullazit, në një kohë kur policia edhe për aksione elementare nxiton menjëherë t’i publikojë ato.
“Shullazin s’ka kush ta fotografojë! Kohët e fundit është bërë praktikë pune që çdo aksion policor, person i ndaluar apo i arrestuar publikohet me figurë dhe video në lentet mediatike të Saje qorrit që nuk i përmend dot emrin Milit dhe Edvin Shullazit, që ishte bërë sot vrer e sterë i zi nga tronditja. Zellit mediatik për të treguar punën e palodhur të Tahirit nuk i kanë shpëtuar as shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.
Ata, përveç gjobës u është dashur të shohin veten në media si ornament të fasadës të luftës ndaj krimit. Por sot kanë kaluar 72 orë dhe nga zyrat mediatike të Saje dhe Edvin Shullazit nuk ka dalë qoftë dhe një foto apo video e vetme e ndalimit të vrasësit dhe gjobëvënësit, simbolit të fuqisë kriminale të Partisë Siçiliste. Për Edvin Shullazin, arrestimi i diktuar i nënkryetarit të tij për problemet e sigurisë, nuk është as arritje dhe as sukses, por humbja tejet e rëndë e një qendre të çmuar të pushtetit, që paktet nuk i bën me qytetarët, por me kriminelët”, shkruan Berisha në reagimin e tij.
Në një tjetër reagim, Berisha ka dënuar ashpër edhe reagimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në lidhje me ndalimin dhe arrestimin e Shullazit. “Ja deklarata që dëshmon tmerrin e Saje qorrit nga arrestimi i bosit të tij, Milit të Partisë. Saje qorrit i kanë cofur morrat. Saja nuk guxon në deklaratën e tij prej 132 fjalësh, të shqiptojë qoftë dhe një herë të vetme emrin apo mbiemrin e bosit të tij të arrestuar. Këtu më poshtë keni deklaratën e plotë të sotme të Saje qorrit”, shkruan Berisha. Deklarata e Tahirit: “Policia kryen arrestime, Saliu me Lulin thonë që ndërkombëtarët paskan urdhëruar Edi Ramën që ta bëjë këtë, pasi po sipas Saliut dhe Lulit ai e përdori të arrestuarin kryesor për të kërcënuar kandidatin për rektor!
Çfarë degradimi moral, politik, logjik! Edi Rama dhe PS nuk kanë ndërhyrë asnjë çast dhe në favor të askujt në garën e zgjedhjeve universitare. Këto që po zhvillohen janë të parat zgjedhje të lira nga ndikimi i qeverisë që janë zhvilluar ndonjëherë në universitete. Ndërsa Policia e Shtetit provoi edhe një herë se nën këtë qeveri s’ka asnjë të mbrojtur nga ligji, asnjë mbi ligjin. Sot na akuzojnë për të njëjtat gjëra që i bënin vetë kur ishin në qeveri. Në këtë vend, për dy dekada, ka vetëm një njeri e një parti që ka nxitur, përkrahur e mbrojtur botën e krimit, e po këta kanë gojë sot të na akuzojnë ne. Prandaj Saliu dhe Luli sot meritojnë vetëm fjalën e urtë popullore: qentë le të lehin karvani ecën përpara”, përfundon Berisha postimin e tij, duke publikuar deklaratën skandaloze të Tahirit në lidhje me arrestimin e Shullazit.

Arben Shahini

Rama çoi krimin edhe në Universitet

Partia Demokratike ka dënuar ashpër kërcënimet ndaj ndaj dy figurave të nderuara të jetës akadmeike në vend ndërsa e cilëson ngjarjen si dëshmi se Rama nga Parlamenti e administrata publike e çoi krimin edhe në universitet. “Është zyrtare që kandidati për rektor i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, është kërcënuar nga Emiliano Shullazi, që të tërhiqet nga gara. Eshtë po ashtu zyrtare se ky është fundi i çdo standardi të Republikës, një rrënim që mban emrin dhe firmën e Edi Ramës. Profesor Koni, u kërcënua nga kreu i bandës më të rrezikshme në vend, sepse nuk është kandidati i Edi Ramës. U kërcënua me jetën e djalit të tij, për ti hapur rrugën njeriut të Edi Ramës, për ti hapur rrugën kapjes së Universitetit të Tiranës. Nga shumë këmbana alarmi që kanë rënë prej tre vitesh për arsimin në vend, kjo është padyshim më e rënda, është klithma e rënies së botës akademike në duart e krimit. Universiteti ndoshta ishte i vetmi institucion ende i painkriminuar nga Edi Rama. Dhe kjo ishte një sfidë për kryeministrin, që ka vënë në shërbim të banditëve e trafikantëve çdo zyrë publike, deri dhe parlamentin. Pasi rriti tarifat, duke favorizuar klientelën e tij e duke privuar të rinjtë që s’kanë mundësi ekonomike, nga e drejta kushtetuese për arsim të lartë, Edi Rama tentoi ta pushojë së ekzistuari Universitetin, duke caktuar rektor Shullazin. Por ky model i Edi Ramës për universitetin,  ka për t’u refuzuar me përbuzje e neveri nga bota akademike, nga profesorët, pedagogët e studentët e Tiranës” është shprehur përmes një deklarate për shtyp, deputeti demokrat Luçiano Boçi.