37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Gjushi, 10 miliardë lekë për një rrugë të rikonstruktuar

Punimet e rrugës “Pavarësia” në Durrës ku u hodhën 2 milionë dollarë përfunduan para 10 muajsh, por gjithçka është shkatërruar dhe punimet kanë nisur nga e para. Dako ka urdhëruar punonjësit e Bashkisë të punojnë për rikuperimin e kësaj rruge, duke përdorur edhe makinat e Bashkisë ndonëse punimet e rrugës janë kryer nga një firmë private që kishte fituar tenderin. Skandali është denoncuar nga Shoqëria Civile. Avokati Altin Goxhaj dhe Lorisa Ylli kanë denoncuar dje në Plazhin e Durrësit këtë fakt për punimet në rrugën “Pavarësia”. Sipas tyre, kjo rrugë përfundoi vetëm 10 muaj më parë dhe tani kryebashkiaku Vangjush Dako ka vendosur të kryejë sërish punime në të njëjtin segment. Ajo që bën përshtypje është se edhe pse rikualifikimi i rrugës është bërë me tender, pra do të kryhet nga një kompani private, shihet se punimet bëhen nga punëtorët e Bashkisë Durrës dhe po përdoren mjetet e kësaj bashkie për të transportuar materialet.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Goxhaj shkuan se, u hap gropa pa leje ndërtimi ku po fundosen edhe 10 miliardë lekë të tjera. “Kompanitë e tenderit punojnë me makinat dhe punonjësit e Bashkisë së Gjushit. Ky është një ndër abuzimet më tipike të Gropës që Rama e quan “Rilindje urbane”! 10 miliardë lekë të tjera vetëm pas 10 muajsh, pasi u haxhuan 2 milionë dollarë! Por a kanë leje ndërtimi për ndërhyrje? Pse nuk ka të dhëna as në projektin e Bankës Botërore prej mbi 6 milionë euro për lejen e ndërtimit dhe vendi është bosh dhe as në pjesën e Bashkisë prej mbi 2 miliardë lekësh ku s’ka të dhëna fare për lejen e ndërtimit!”, shprehet Goxhaj.
Avokati Goxhaj më tej shtron pyetjen: A është kjo gropë prej 10 miliardë lekësh e hapur pa leje ndërtimi? “Po makinat dhe punëtorët e Bashkisë çfarë duan aty përderisa e ka fituar “tenderin” një kompani private? Apo kompania private thjesht ka fituar tenderin dhe punën e bën Bashkia e Gjushit? Mbase kompania private është e Gjushit dhe meqë edhe Bashkia është e Gjushit, brenda shtëpisë janë shpenzimet dhe fitimet kuptohet!”, shprehet avokati Goxhaj.
Para pak ditësh, Partia Demokratike e Durrësit denoncoi në Prokurori, kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako për shpërdorimin e fondeve për investime publike të rrugës “Pavarësia”. Investimi në këtë rrugë përfundoi vjet, por nuk dihet pse janë akorduar fonde të reja për punimet.
Stafa deklaroi për mediat se janë kryer investime 2 milionë dollarë, të cilat kanë përfunduar 1 vit më parë dhe tashmë, ai investim është shkatërruar dhe po kryhet një tjetër i ri. Po ashtu, kreu i demokratëve të Durrësit pohoi se po shkatërrohet dhe sezoni turistik.
Prej pak ditësh, ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës “Pavarësia” në zonën e Plazhit në qytetin e Durrësit. Banorët e qytetit pohojnë se kanë vënë re mjete të rënda e punëtorë, të cilët kanë bërë rrethtimin e trotuarëve, prishjen e kuadrateve të gjelbërta të lulishteve, vendeve të parkimit si dhe të shëtitores së biçikletave, investim ky që u inaugurua në muajin qershor të vitit 2015, pak ditë përpara zgjedhjeve lokale. Poshtë këmbëve të Urës së Dajlanit është vendosur tabela me të dhënat sqaruese të firmës së ndërtimit, vlerës së projektit dhe kohëzgjatjes së përfundimit të punimeve.
Bëhet e ditur se investitori i projektit, me afat punimesh 9 muaj, është Bashkia e Durrësit. Projekti konsiston në rehabilitimin e të dyja anëve të rrugës “Pavarësia” dhe sistemimet e rrugëve dalëse në Plazh me vlerë rreth 2.2 miliardë lekë. Por investimi i dytë që po bëhet në të njëjtën rrugë, ka pasuar me reagimin e ashpër të banorëve të kësaj zone si dhe të bizneseve në plazhin e Durrësit. Të revoltuar, banorët i kanë kërkuar Bashkisë të bëjë transparencë me fondet publike, por njëkohësisht i kanë bërë thirrje të bëjë transparent projektin.

R.POLISI

Prokuroria çon në gjyq drejtoreshën e IKMT, shembi restorantin me leje

Prokuroria e Pogradecit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, Kryeinspektoren e Inspektoratit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Dallëndyshe Bici. Po ashtu për gjykim ka shkuar edhe Drejtuesi i Njësisë Operacionale të këtij institucioni, Fatmir Meta. Dy zyrtarët akuzohen se kanë prishur në mënyrë të paligjshme objektin “Bar-Restorant” me sipërfaqe 450 m2, në pronësi të shtetasit M.C., në zonën e Liqenit të Ohrit, në ish-Komunën Udënisht.
Shtetasi i dëmtuar ka kallëzuar në Prokurorinë e Pogradecit se dy drejtuesit e IKMT, në kundërshtim të plotë me ligjin, kanë shkatërruar godinën e biznesit të tij “B…A…”, pavarësisht se ai ishte i pajisur me dokumentacionin e plotë ligjor për ndërtesën dhe ushtrimin e aktivitetit. Po sipas kallëzuesit, pas prishjes së ndërtesës, ai nuk është përfshirë në skemën e dëmshpërblimit në formën e shpronësimit publik.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Pogradecit ka arritur të faktojë se godina në pronësi të kallëzuesit ka qenë e pajisur me lejen e ndërtimit nga organet kompetente. Po ashtu, ditën e ndërhyrjes së inspektorëve të IKMT për prishjen e godinës, në dt. 20.09.2014, pronarit të ligjshëm të saj nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt administrativ përkatës. Një akt i tillë për prishjen e godinës së shtetasit M.C., nuk gjendet as në arkivin dhe protokollin e IKMT-së në Tiranë.
Në bazë të dokumentacionit zyrtar, të vendosur në dispozicion nga kallëzuesi në funksion të hetimit, rezulton se godina e prishur në mënyrë të paligjshme ka vlerën e rreth 60 milionë lekëve. Për efekte të biznesit, pronari i ligjshëm ka vendosur kolateral këtë ndërtesë për marrjen e një kredie në vlerën e mbi 18 milionë lekëve.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Pogradecit arrin në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të IKMT-së kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, bazuar në sa më poshtë, të paraqitura në mënyrë të përmbledhur:
– Vendimi datë 19.09.2014 për prishjen e lokalit “B…A…” është një vendim selektiv, arbitrar dhe haptazi në kundërshtim me dispozitat ligjore, konkretisht me Nenin 5 të Ligjit Nr.9780 datë 16.07.2007, pasi objekti ishte ndërtuar me leje të dhënë nga organi kompetent dhe ishte i regjistrtur në ZVRPP. Nëse leja e dhënë binte në kundërshtim me dispozitat ligjore,  çështja do të zgjidhej në Gjykatë.
Vendimi i mësipërm është selektiv, pasi kishte të paktën edhe dy lokale të tjerë, pjesërisht të ndërtuar në liqen, të konstatuar nga vetë punonjësit e IKMT si ndërtime në kundërshtim me lejen e dhënë. Në këto raste, asnjë prej tyre nuk u konsiderua si ndërtim i kundraligjshëm. Përkundrazi, këto raste janë trajtuar si prishje në kuadër të shpronësimeve për zbatimin e projektit  buzë Liqenit të Ohrit.
Objekti “B…A…” në pronësi të shtetasit M. C., është ndërtuar me lejen e KRRT-së të ish- Këshillit të Rrethit Pogradec, dt.12.06.2000, pjesërisht në brendësi të Liqenit të Ohrit dhe pjesërisht në breg të tij, pasi, kur është bërë ky ndërtim, nuk kishte kufizime për të mos ndërtuar në liqen. Edhe rikonstruksioni është ndërtuar me leje dhe ndërtimi është bërë mbi objektin ekzistues.
– Po kështu, vendimi për prishjen e lokalit “B…A…” është marrë pa verifikuar dokumentacionin dhe urdhëri i prishjes është dhënë në çast, duke mos respektuar kërkesat e Nenit 12 dhe 14 të Ligjit Nr.9780 datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, për afatet e kundërshtimit të aktit administrativ, duke i mohuar pronarit të objektit të drejtën e ankimit në Gjykatë.
– Nga veprimet hetimore rezulton, se në krye të operacionit për prishjen e lokalit ka qenë personalisht Kryeinspektorja e IKMT, Dallëndyshe Bici, e cila, me veprimet e saj, ka shpërdoruar detyrën, duke i shkaktuar shtetasit M. C. dëm ekonomik të konsiderueshëm.

Vrasja e 30-vjeçarit në Sarandë, familja akuzon për zhdukje të provave

Një vit pas vrasjes së 30-vjeçarit Edmond Theodhori (Mehmeti) në Sarandë, në orët e para të mëngjesit të 10 korrikut 2015, familjarët e viktimës kanë hapur një gjyq ndaj prokurorit të çështjes, që e akuzojnë për shpërdorim detyre. Seanca e mbajtur në Gjykatën e Shkallës së Parë Gjirokastër duket se ka qenë zhgënjyese për familjarët, pasi gjyqtarja e ka gjykuar ankimin e familjarëve si të pabazuar në fakte. Babai i viktimës, Hamit Mehmeti deklaron se të arrestuarit si autorë të vrasjes u akuzuan nga Prokuroria vetëm për moskallëzim krimi, pavarësisht deponimeve të tyre në polici për pjesëmarrje në vrasje. “E mori vendimin të menjëhershëm, pa lexuar provat, pa i hapur, vetëm sa i depozitoi. I paraqita edhe videon, që është filmuar nga kamera e sigurisë në vendngjarje, nuk ma pranoi. “S’pranon Gjykata gjëra të tilla”, më tha prokurori. Pa asnjë provë të re, prokurori Ilir Hoxha i ka ndarë, i ka veçuar: Tre të pandehurit që ishin në paraburgim dhe tre që janë arratisur. Unë insistova dhe kam debatuar pse u bë kjo gjë, kur ata e kanë pranuar vetë. Kur ekspertiza shkencore nga Policia e Shtetit, që ka bërë një punë shumë profesionale, e ka të vërtetuar se kanë qenë në ngjarje. Një person shkon për “moskallëzim krimi”, kur nuk ka marrë pjesë në krim dhe është pasiv, jo si në rastin konkret që ata vijnë të organizuar që nga Laçi, me makinë, me armë zjarri, me mjete të jashtë ligjshme, me shkop bejsbolli”, deklaron Mehmeti.
Ai thotë se i është drejtuar të gjitha instancave të drejtësisë, kryeministrit, ambasadave që ndodhen në vendin tonë, e Parlamentit Europian. “Tek Prokuroria e Përgjithshme kam bërë 10 ankesa të shoqëruara me provat e Prokurorisë, s’kam marrë përgjigje. I kam bërë kryetarit të KLD, kam marrë përgjigjen e parë normale “ja dërgojmë për kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm. I kam bërë edhe dy të tjera, s’kam marrë përgjigje. Ministrit të Drejtësisë, edhe ai më ka dërguar përgjigjen që “është në kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm”, deklaron babai.
Edmond Theodhori (Mehmeti) u ekzekutua për hakmarrje në 10 korrik të 2015. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Sarandës se atë kohë, katër nga gjashtë personat që morën pjesë në vrasjen e 30-vjeçarit udhëtuan nga fshati Gjorm i Krujës, ku jetonin, për në Sarandë. Konflikti me viktimën ka ndodhur nga Kevi Hysa, i cili ka njoftuar të afërmit e tij e ka kërkuar ndihmë nga ata e të 6 personat, pasi e kanë dhunuar e qëlluar për vdekje në makinën e tij Edmond Theodhorin, janë rikthyer në Krujë.
Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 nga gjashtë personat e dyshuar, me akuzën e “vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim konkretisht Ledi Hysa, Ajman Zyba e Ylli Reçi, ndërsa tashmë të tre personat do të jenë të lirë, pas kryerjes së vetëm 13 muajve burg. Gani Hysi u kap në Itali, ku vijon hetimi atje edhe për një tjetër çështje, ndërsa dy të tjerët Kevi dhe Elion Hysa u arratisën menjëherë pas krimit.

Elozhe nga UEFA, Rashica ylli i momentit

Në Holandë kanë filluar ta etiketojnë si Neymari shqiptar, krahasimi ndoshta është disi i ekzagjeruar, por e sigurt është se Milot Rashica është një yll në ngjitje dhe sirenat e merkatos kanë filluar të bien për të duke paralajmëruar një verë të nxehtë. Në rubrikën e saj të përjavshme për talentet e rinj, faqja zyrtare e UEFA-s i ka dedikuar artikullin e radhës pikërisht djaloshit nga Vushtria. De Biasi thotë për të se është një lojtar i jashtëzakonshëm, edhe pse ende nuk është i sigurt nëse do ta marrë me vete në Francë, ndërsa trajneri i Vitesse Rob Mass e cilëson si një fitimtar që e di se çfarë do duke shkuar drejt e në shënjestër. Vlerësimet vijnë nga të gjitha anët ashtu si dhe kërkesat për Rashicën.
I piketuar nga Napoli që e konsideron si “Mertensin” e ri, në garë për futbollistin shqiptar janë futur edhe Lazio dhe Everton. Kështu raporton “Tuttomercatoweb.it”. Në një artikull ekskluziv faqja e specializuar italiane në lidhje me lajmet e merkatos raporton se po rritet vëmendja e disa prej klubeve më të mëdha të Europës për të riun e kombëtares shqiptare që aktualisht luan për Vitessen. Në orët e fundit edhe Lazio e Everton i janë shtuar Napolit në listën e skuadrave që kërkojnë futbollistin, të cilin ndihmësi i De Biasit, Paolo Tramezzani nuk ka ngurruar ta etiketojë si të riun më me perspektivë të kombëtares kuqezi. Për momentin, Napoli mbetet në pole position për shërbimet e Rashicës pasi ka realizuar kontaktet e para me njerëzit pranë futbollistit për të marrë informacionet e nevojshme mbi vlerën dhe kërkesat e tij. Për Rashicën ky mund të jetë sezoni i parë dhe i fundit në Eredivisie me disa klube që i kanë vënë syrin dhe padyshim një grumbullim hipotetik në Europian me kombëtaren, diçka për të cilën vetë Rashica thotë se është ëndrra më e madhe e tij për momentin do të shumëfishonte interesin për yllin e ri të kuqezinjve.
Sulmuesi që në fund të muajit mars debutoi edhe me kombëtaren shqiptare në miqësoren me Luksemburgun, krahasohet as më shumë e as më pak, por me Dries Mertens, mesfushorin belg të blerë në vitin 2013 për 9.5 milionë euro nga PSV Eindhoven. Rashica ende nuk i ka mbushur 20 vjeç, por megjithë moshën e re, ka personalitet të jashtëzakonshëm. Luan si sulmues krahu, por mund të aktivizohet edhe si mesfushor krahu apo organizator. Teknikë, vrapim dhe mbi të gjitha i rrezikshëm në zonën kundërshtare. Në këtë sezon të Eredivisies me Vitessen regjistron 7 gola dhe 6 asist në 27 javë të kampionatit holandez.

Atletiko, si Juvja!

Trajneri i Bajernit, Pep Guardiola, e njeh shumë mirë rivalin në gjysmëfinale të Champions-it. Gjatë konferencës për shtyp, strategu spanjoll analizoi me hollësi Atletiko Madridin. “Vazhdoj të jem i mendimit që Barcelona është ekipi më i mirë në Europë, edhe pse u skualifikuan. Ata kanë Mesin, më të mirin në botë, por në një apo dy takime mund të ndodhë gjithçka, Atletiko nuk ka fituar me vite ndaj Realit. Sapo erdhi Simeone u transformuan”, u shpreh Guardiola.
Pep tha më tej se, çdo rival kishte vështirësitë e veta. “Flitet gjithnjë mbi Realin dhe Barçën, por në pesë vitet e fundit Atletiko po i rivalizon seriozisht. Para dy vitesh fituan titullin në Spanjë dhe arritën në finale të 2014-ës. Atletiko është në një nivel me Realin dhe Barcelonën. Ata skualifikuan Barçën dy herë nga çerekfinalet në tre vitet e fundit. Ne kemi luajtur edhe ndaj Juventusit, një prej mbrojtjeve më të mira në botë. Na duhet sërish të çajmë betonin e radhës dhe më duhen shëndoshë e mirë të gjithë lojtarët. Do t’u tregoj gjithçka lojtarëve të mi. Na duhen 180 minuta të zjarrta për t’ia dalë mbanë. Ekipi ka një zemër të madhe dhe Bajerni ka një qëllim madhor këtë sezon”, tha ai.
“Në ‘Visente Kalderon’ mbizotëron ndoshta atmosfera më e mirë në Europë. Jam shumë kurioz për këtë duel. Edhe atmosfera në Lisbonë pas disavantazhit i surprizoi lojtarët e mi. Në Madrid do të luajnë për herë të parë ndaj Atletikos dhe ka për të qenë mjaft interesante për ta. Nuk kam luajtur apo stërvitur me të. Prandaj nuk e njoh mirë. Në jetën time mund të kem biseduar një ose dy herë. Ai ka shumë vetëbesim. Lojtarët luajnë sipas karakterit të tij. Kur ata luajnë mirë, fitojnë gjithmonë. Edhe kur nuk luajnë mirë, nuk i prishin balancat”, tha ai.
Guardiola tha se, edhe Bajerni nuk ka pësuar shumë gola. “Por, ata janë mirë, si Juventusi. Luajnë me presing, mbrohen thellë dhe janë kompaktë. Në krosime Godin është vrasës, por kanë edhe një portier të mirë si Oblak. Janë shumë të strukturuar”, përfundoi Guardiola.
Katalanasit, të cilët deri një muaj më parë shiheshin si të pagabueshëm, kanë hyrë papritur në një kolaps total, duke qenë se pas dy humbjeve në kampionat kanë pësuar atë të radhës në Europë dhe janë larguar nga turneu. Strategu Enrike pranon momentin e vështirë, por shpreson që skuadra të mos nervozohet, sepse në këtë mënyrë rrezikojnë edhe kampionatin dhe kupën. “Futbolli është edhe i tillë. Kemi fituar shumë ndeshje, por një skuadër e madhe duhet të dijë të pranojë edhe humbjet. Më e lehtë do të ishte që ta harronim sa më shpejt këtë eliminim. Duhet vetëm të qëndrojmë të qetë dhe të mendojmë se kemi ende dy trofe të tjerë për të fituar. Është normale që nga ne pritet gjithmonë shumë, por fakt është që prej disa javësh duket sikur ingranazhi është bllokuar. Gjithkush mund të japë mendimin e tij për këtë krizë tonën, ndërsa unë nuk e kam luksin ta bëj këtë. Detyra ime është të analizoj gjithçka duke parë ndeshjet e bëra dhe të mundohem të zgjidh problemin. Por e ritheksoj, nëse nuk qëndrojmë të qetë rrezikojmë që të çojmë dëm edhe kampionatin dhe kupën”, tha Enrike.

Broki: Nuk do të ketë revolucion tek Milani

Trajneri i ri  i skuadrës së Milanit, Christian Broki duket se është gati për aventurën e tij të re në krye të stolit të kuqezinjve. Është ende herët për të dhënë një opinion se sa i suksesshëm do të jetë në rolin e trajnerit, por në konferencën e tij të parë për mediat Broki ka folur për transfertën ndaj Sampdorias dhe duket se i ka idetë e qarta dhe se nuk i trembet të ardhmes.
“Besoj se kundër Sampdorias do të luajmë me formacionin 4-3-2-1. Sigurisht që jo në çdo takim të mbetur ne do të luajmë me këtë skemë. Në rolin e trekuartistit besoj se do të vendos njërin mes Bonaventura ose Kaisuke Honda. Dua nga lojtarët e mi një lojë me pasa në mesfushë, nuk më pëlqen pjesa ku topi nis me një krosim që nga mbrojtja në drejtim të sulmit”, u shpreh Broki.
Më tej Broki u shpreh se dëshiron nga të gjithë lojtarët e tij të japin maksimumin në fushën e lojës, gjithashtu ai foli dhe për sulmuesin e Milanit, Mario Baloteli. “Dua që futbollistët e mi të japin maksimumin ndaj Sampdorias. Kam besim tek ta. Përsa i përket Balotelit kam folur me të dhe më ka premtuar se do të përpiqet maksimalisht”, tha ai.
Në fund të konferencës Broki vuri theksin se nën drejtimin e tij tek Milani nuk ekziston fjala “Unë”, por “Ne”, dhe të gjithë lojtarët duhet ta kuptojnë rëndësinë që ka fanella e kuqezinjve.

“Ronaldo e Messi nuk do të shënonin kaq shumë në Itali”

Rivaliteti mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit i ka dhuruar shumë futbollit vitet e fundit, por mbrojtësi i Interit Miranda, me një të kaluar në La Liga mendon se si portugezi ashtu edhe argjentinasi do ta kishin të vështirë të shënonin edhe në Serinë A si në Spanjë. Ronaldo dhe Messi janë golashënuesit më të mirë në historinë e Realit dhe Barcelonës, me yllin e Los Blancos që ka shënuar 30 gola në La Liga këtë sezon, 8 më shumë se 5 herë fituesi i Topit të Artë Messi. Gjithsesi Miranda që ka luajtur kundër Ronaldos dhe Messit kur ishte në Spanjë beson se të dy do ta kishin të vështirë të arrinin të tilla shifra në Itali.
“Ata janë të dy lojtarë fantastikë dhe do të shënonin shumë gola në çdo kampionat. Gjithsesi këtu në Itali ata nuk do të arrinin para portës aq shpesh sa në Spanjë pasi skuadrat këtu janë shumë më të organizuara taktikisht”.
Miranda u transferua te Interi pasi i dha fund një aventure katërvjeçare me Atletikon e Madridit, skuadër me të cilën fitoi titullin kampion dhe Europa League nën drejtimin e Diego Simeones. El Cholo është përfolur për një rikthim te Interi ku ka luajtur dy sezone në vitet ‘90, tanimë si trajner, por Miranda nuk beson se Simeone mund të lërë Atletikon në të ardhmen e afërt.
“Unë e shikoj vetëm si trajnerin e Atletikos. E di që ai është i lumtur në Madrid dhe mendoj se do të qëndrojë aty edhe për shumë kohë. Ashtu si Atletiko, edhe ne kemi një trajner të madh te Interi, Roberto Mançinin”.

Tripleta e Ronaldos i kushton PSG

PSG-ja ka dalë e humbur nga fitorja 3-0 e Realit të Madridit kundër Volfsgurgut. Nuk lidhet vetëm me faktin që në gjysmëfinale do të ketë si kandidat për kundërshtar një ekip më të vështirë në letër, por ka të bëjë edhe me Kristiano Ronaldon. Media iberike bën me dije se disa javë më parë, zyrtarë të klubit francez kishin pasur takim me Florentino Perezin, ku kishin diskutuar për mundësinë e blerjes së yllit portugez. Në atë moment, lojtari 31-vjeçar nuk po kalonte një moment të mirë individual dhe mundësia e një akordi u përfol për shifra që varionin nga 80-90 milionë euro.
Një nivel pagese që u cilësua i pranueshëm nga ana e sheikut Al-Khelaifi. Por, duket se gjërat kanë ndryshuar menjëherë pas mbrëmjes së ditës së martë. CR7 arriti të shënojë tre golat e ndeshjes, duke u dhuruar kualifikimin madrilenëve. Një “dhuratë” që e bën atë më të shtrenjtë dhe më të vështirë për t’u shitur, për shkak të impaktit te tifozët.
Ndërmjetësve të PSG-së iu komunikua menjëherë se nëse duan të arrijnë një akord, bisedimet duhet të nisin me ofertë më të lartë se ajo që ishte folur paraprakisht. Nga ana tjetër, vetë sulmuesi i ka të qarta edhe kushtet e kontratës që e pret, duke u bërë futbollisti më i paguar në botë për momentin. Ai pretendon të fitojë 25 milionë euro në edicion, pa përfshirë taksat, të cilat në Francë janë mjaft të larta.

Përmbysjet e mëdha në futboll!

Liverpuli e bëri sërish të paimagjinueshmen e futbollit modern një realitet të prekshëm. Sfida spektakolare 4-3 ndaj Borusias së Dortmundit shkroi një faqe të re epike në historinë e sportit më popullor në planet, por fatkeqësisht për tifozët e Milanit përmbysja më e çmendur është dhe do të mbetet një tjetër, ndoshta për dekada. Luhet finalja e Champions League në vitin 2005, një histori e shkruar me germa të mëdha për kuqezinjtë, por vetëm për 45 minutat e para. Superioriteti gati i sikletshëm me golin e Maldinit dhe dopietën e Krespos vendosi diktatin e italianëve, por shumë shpejt do të niste ferri për Milanin në stadiumin e Stambollit. Stiven Xherrard, mesfushori çek Smicer dhe më pas Ksabi Alonso zhvlerësuan gjithçka kishin bërë italianët në vetëm 7 minuta, duke barazuar 3-3.
Më pas, në goditjet e penalltive Serzhinjo, Pirlo dhe Shevçenko gabuan duke i dhënë kupën “Reds”-ave. Por kupa me veshë të mëdhenj nuk ofron vetëm këtë përmbysje historike. Emrat e Tedi Sheringam dhe Ole Gunar Solskjaer ende janë si fantazma në ëndrrat e shumë tifozëve të Bajernit të Mynihut. Kjo për shkak të finales së vitit 1999, kur gjermanët kishin vendosur duart te trofeu deri në minutën e 91. Goli i Mario Basler i dha avantazhin formacionit të Hitzfeld, por pikërisht kur nuk pritej, “Red Devils” bënë përmbysjen epike me dy gola në më pak se dy minuta.
Në fillim një prekje e padukshme e Sheringamit që befasoi Kahnin dhe më pas devijimi i norvegjezit Solskjaer firmosën apoteozën e Sir Aleks Fergusonit, në triumfin e parë të tij në Champions. Përmbysje emocionuese ka rezervuar edhe kampionati italian, me një përballje mes Interit dhe Sampdorias. Edhe pse larg elitës europiane të futbollit dhe pa trofe në lojë, zikaltrit i dhanë jetë një sfide në kufijtë e të paimagjinueshmes. Toneto dhe Kutuzov i dhanë avantazhin dorianëve, ndërsa Martins, Vieri dhe Rekoba firmosën fitoren, një ndeshje që tifozët e Interit e kujtojnë ende me nostalgji.

Titulli është i Juves

Pas problemit muskular që pësoi në ndeshjen ndaj Torinos, Dybala është gati të rikthehet për sprintin final të Juventusit në kampionat, me grintën e nevojshme për të arritur te titulli kampion, me argjentinasin që pasqyron siguri për arritjen e misionit. Sulmuesi argjentinas, i cili la përgjysmë derbin me Torinon, më 20 mars, pritet të luajë titullar kundër Palermos së “tij”, sot në “Juventus Stadium”.
“E pamundur të humbasim titullin kampion? Kështu e mendoj edhe unë, do të ishte diçka e pabesueshme. Të gjithë kujtonin se kishim mbaruar në fillim të sezonit, por dëshira që shfaq kjo skuadër edhe në çdo stërvitje të bën të kuptosh se ky titull është i yni”, u shpreh Dybala.
Por sulmuesi argjentinas ka dhe një dëshirë që natyrisht do t’i shkonte për shtat Juventusit, edhe pse realizimi i saj për momentin mbetet një utopi. “Kur pashë Barcelonën që të eliminohej m’u morën mendtë. Me pak më shumë fat kundër Bajernit, këtë vit Champions-i mund të kishte qenë i yni. Gjithsesi, duke parë se janë gjermanët ata që na eliminuan, shpresoj që në fund të festojë Bajerni. Messi është idhulli im, bën gjëra që askush tjetër nuk mund t’i bëjë. Do të doja shumë që të vinte te Juventusi. Tani shpresoj që ta fitojë Bajerni, të paktën mund të ngushëllohemi që u eliminuam nga më të fortët”, u shpreh ai.
Dybala tani mund të japë edhe një përshtypje më të qartë për vitin e tij të parë me fanellën bardhezi, që padyshim mund të cilësohet tejet pozitiv, edhe pse për të nuk ka qenë e lehtë. “M’u desh të punoja shumë për t’u përmirësuar fizikisht dhe psikologjikisht. Të kalosh nga lufta për mbijetesë te Juventusi nuk është e lehtë, pasi këtu as nuk mund të mendosh ta barazosh një ndeshje. Për fat mësova shpejt dhe kërkoj gjithmonë të përmirësohem dhe të rritem. Jam i kënaqur që tani nuk flitet më për faktin që kushtova 40 milionë euro dhe me siguri që mund të jap akoma më tepër”, tha Dybala.
Dybala ka dhe një objektiv personal, të kalojë kuotën e 21 golave të realizuar nga Carlos Tevez, për ta bërë diçka të tillë i duhet të tundë edhe 3 herë rrjetën në ndeshjet e mbetura në kampionat.
“Në këto dy ditë të fundit i kam kryer pa probleme stërvitjet me pjesën tjetër të skuadrës. Ndihem në 100 për qind. Me 6 pikë avantazh, duket e pamundur që ta humbni këtë kampionat… Kështu mendoj dhe unë, përndryshe do të ishte shumë e rëndë. Pa dyshim që ky do të jetë një titull madhështor, sepse kur të gjithë na jepnin për të vdekur, ne ditëm të kthehemi nga ajo botë dhe të rimerrnim me forcë atë që na takonte. Prandaj ky titull është i yni”, u shpreh Dybala.