28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Banorët e Matit në protestë kundër ndërtimit të HEC-it

Ndërtimi i një hidrocentrali në Rukaj të Matit rrezikon të lërë pa ujë për vaditje 500 hektarë tokë të kësaj zone. Kanali i Sekës, ndërtuar në vitin 1977 ka dy vjet që ka humbur funksionin e tij për shkak se është dëmtuar. Banorët e fshatrave Prell, Rukaj e Rremull protestuan dhe kërkuan rikthimin e kanalit në gjendjen fillestare. “Dëmtimi i kanalit nga ana e firmës është mjaft serioze dhe se uji i këtij kanali tashmë derdhet në lumë”, thotë Vladimir Kurti, banor i zonës.
“Firma e ka dëmtuar pothuajse të gjithë kanalin duke lënë kështu 500 hektarë tokë pa ujë. Një tjetër shqetësim i kryeplakut të fshatit është shfrytëzimi i inerteve pa kriter nga ana e firmës, e cila ka ngritur edhe një fabrikë për shfrytëzimin e inerteve, kjo duhet të ndalet”, thotë Isuf Kica, kryeplak i fshatit Rremull.
Banorët thonë se zona ka edhe pasuri arkeologjike që po dëmtohen. Kompania që po ndërton hidrocentralin thotë se kanali do të vihet në funksion shumë shpejt. “Kanali hapet më 15 maj, zona nuk është arkeologjike”, ka thënë Erando Abdyli, përfaqësues i kompanisë ndërtuese.

Pasi i hoqi armët, policia fton prokurorët e gjyqtarët t’i blejnë sërish

Me datë 1 prill, zyra e shtypit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit shpërndau një njoftim për media, duke bërë thirrje publike gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëzojnë armët. Në njoftim ndër të tjera thuhej se “nga të dhënat që disponon Policia e Shtetit, institucionet më problematik në dorëzimin e armëve të zjarrit janë gjyqtarët dhe prokurorët.
Por ende pa u mbushur një javë, ABC News ka siguruar një shkresë të Komisariatit Nr.2 të policisë së kryeqytetit, e cila mban datën 25 mars 2016 dhe që i është drejtuar Prokurorisë dhe Gjykatës. Në këtë shkresë, shefi i komisariatit fton prokurorët dhe gjyqtarët të paraqiten pranë Komisariatit të Policisë që të pajisen me autorizim për blerje të armëve të llojit pistoletë. Në shkrese thuhet se, kategoria e juaj, prokuror dhe gjyqtar në bazë të ligjit të armëve ju takon të pajiseni me leje për armët. Për këtë fakt, thuhet në letër, kërkojmë të paraqiteni pranë komisariatit të merrni autorizimin, më pas të blini pistoletën dhe të paraqiteni përsëri në komisariat për të bërë regjistrimin e saj dhe pajisjen me leje përdorimi.
Siç duket në shkresë, nga një anë policia kërkoi që kjo kategori njerëzish të dorëzojnë pistoletat që kanë me leje të pajisur nga policia. E nga ana tjetër i fton ata të paraqiten pranë Komisariateve të Policisë që të pajisen me autorizim për blerje të pistoletave me argumentimin se ligji ia lejon. Në bazë të kësaj shkrese, rezulton se policia kërkon armët e saj, por i jep leje atyre në bazë të ligjit që të blejnë vet pistoletat. Kjo manovër e policisë dhe Ministrisë së Brendshme që propozoi ndryshimet ligjore për armët, sipas prokurorëve, është bërë për të favorizuar disa individë që kanë të drejtën e tregtimit të armëve të llojit pistoletë. Pasi armët që ata kishin marrë me leje nga Policia e Shtetit, janë dorëzuar dhe do të mbahen në magazinat e policisë deri në shkatërrimin e tyre.
Nxitimi i policisë duket se kishte në thelb një arsye tjetër. Ligji favorizon kompanitë private të armëve, të cilat këto ditë do të kenë klientë të tyre prokurorët dhe gjyqtarët. Policia e Shtetit i fton zyrtarët e sistemit të drejtësit të marrin përsëri autorizim për t’u pajisur me armë, me ndryshimin se kësaj radhe pistoletat duhet t’i blejnë vetë. Njoftimi është shpërndarë në 25 mars dhe në bazë të kësaj shkrese, rezulton se policia i tërhoqi armët e shtetit, por i jep leje gjyqtarëve dhe prokurorëve që t’i blejnë vet pistoletat. Armët e dorëzuara do të mbahen në magazinat e policies, deri në shkatërrimin e tyre.

Basha: 1 miliard euro nga ulja e taksave dhe 25 mijë vende të reja pune në vit

Varfëria, papunësia, rënia e fuqisë blerëse, ilaçet e skaduara kanë qenë disa nga shqetësimet që banorët e Cërrikut i kanë shprehur kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Të zhgënjyer nga vota që i dhanë Edi Ramës, pasi jo vetëm që nuk mbajti asnjë prej premtimeve, por e përkeqësoi dhe më keq situatën ekonomike, qytetarët kanë shprehur besim dhe mbështetje tek platforma e Lulzim Bashës.
Zonjë: E votuam për të mirë atë Ramën. Ai na doli… Përkrahjen gocës ia hoqi, 5 veta. Djali ishte invalid, ia hoqi. Prandaj e futëm Ramën ne? Ne do ta heqim!
Tregtare: Veresie sa të mund. Ta fillosh që në mëngjes me një byrek 300 lekë të vjetra e deri në darkë, çfarë do të hajë një fëmijë… Xhiroja ka rënë. Tatimet duhen paguar. Tani unë po nuk shita me se do t’i paguaj?!
I papunë: Jam pa punë, kam aplikuar.
Basha: Kur ke aplikuar, sa kohë ke?
I papunë: Ka gati një vit.
Basha: Një vit, s’ke marrë akoma asnjë njoftim?
Grua: I kanë thënë kur të marrim ne vetë në telefon.
Qytetare: Ja edhe këto vezët veresi i kam marrë.
Basha: Ku i more?
Qytetare: Te dyqani atje poshtë kam gjithë ato borxhe.
Pensioniste: S’ka vetëm me pension. Djali pa punë është vetë i tretë pa punë, as përkrahje, as asgjë. Në kurriz tonë, të pensionit.
Është rikthyer sërish në Cërrik pas afro 8 muajsh, për të bashkëbiseduar me banorë dhe tregtarë. Ata thonë se situata është më keq se 8 muaj më parë. Listat në dyqane janë rritur e po kështu taksat, gjobat e papunësia.
Basha: Çfarë marrin veresie, çfarë mallrash kryesisht?
Tregtare: Ushqimore, vajin, sheqerin që është e domosdoshme për shtëpinë.
Basha: Brenda çfarë afati i shlyejnë?
Tregtare: Unë pres mujoren. Ka raste që nuk m’i sjellin e nuk marr dot furnizim.
Basha: 126.940 lekë.
Tregtar: Janë tri mandate, janë tre për t’u pagu. Shiko xhiron ditore.
Basha: Sigurimet sa janë rrit?
Tregtar: Nga 140 mijë lekë që ka qenë kur keni qenë ju, ka vajtur rreth 200 mijë lekë sigurime për person.
Basha: Pra, vetëm me sigurime dhe taksë bashkiake keni paguar 140 mijë lekë më shumë.
Tregtar: Gjoba na vë jo nuk ke kasë. Kasën e kam, kam 8 vjet që e kam marrë. Më kanë vënë 200 mijë lekë gjobë, jo nuk ke vënë “Ju lutem tërhiqni kuponin tatimor”.
Basha: Domethënë me një gjobë ta kanë marrë dyfish taksën që ka bërë sikur ua ka heq.
Do të ulim taksat. Do të shkojë 9% taksë e sheshtë, 15% do e çojmë TVSH-në.
E dyta, do të vëmë pullën fiskale dhe në momentin që ke pullën fiskale ardhja e tatimorit kur ti ke demonstruar pullën do të thotë e paligjshme, e jashtëligjshme.
Më investimet publike dhe me një klimë investimesh private do të hapim vende pune. Se gjithë taksat po t’i ulim ne ty po s’pate xhiro, s’ke xhiro. Në qoftë se ai vjen të merr veresie ty, ti nuk arrin dot të mbijetosh apo jo?!
Banore: Ilir Beqaj që thoshte do të bëjë këtë, do të bëjë atë. Asgjë s’bëri, për vete.
Basha: E bëri, e bëri për vete se 1 milion dollarë i merr në muaj për vete.
Banore: Të hipë në avion e të zhduket ai. Të zhduket se po vdesim me ato ilaçet që na jep ai. I çova ilaçet në Greqi, m’i hodhi ai. Më tha, ça pini ju? Epo i thashë ne këto na japin. Pensionistat i futi në dhe.
Invalid: Unë jam invalid dhe këtë ilaçin që duhet ta marr pa lekë e marr me lekë.
Basha: Sa të kushton ky ilaç?
Invalid: 8200-8300 lekë. Po nuk më del tani se jo drita, jo ujë, jo bukë. Thanë për përkrahjen që do t’i rrisin, nuk i rritën. 30 mijë lekë merr babai im në muaj.
Zoti Basha u ndal edhe në familjet e disa personave në varfëri ekstreme. Njëri prej tyre, i tha zotit Basha se është detyruar që gruan dhe vajzën t’i çojë në emigrim pasi nuk kishte me çfarë t’i mbante, se vetë është i sëmurë.
Basha: Ku është vajza, në çfarë vendi?
Banor: Në Gjermani bashkë me nusen time, i largova se s’kisha me çfarë t’i mbaja. Kam një vit e 4 muaj që jam vetëm se nuk i mbaja dot me të ngrënë. Kam një vit e ca pa paguar as drita, as ujë se nuk kam, m’i kanë prerë. S’ka ujë.
Banore: Ne vuajmë për bukë, ku të vemi të mbytemi.
Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një bashkëbisedim dhe me të rinjtë e Cërrikut. Zoti Basha ka theksuar se platforma për arsimin parashikon mundësi për të rinjtë për të studiuar dhe orientuar në ato universitete ku tregu i punës është më i madh. Duke iu përgjigjur shqetësimit të tyre për nivelin e lartë të papunësisë, Basha theksoi se shkak për këtë është korrupsioni dhe taksat e larta. Basha solli në vëmendje raportin e Dhomës gjermane të Tregtisë, e cila dëshmon se investitorët po largohen nga Shqipëria. Punësimi është prioritet kryesor, tha Basha, ndërsa theksoi se ulja e taksave do të ketë një efekt prej 1 miliard eurosh në ekonomi që përkthehet në minimalisht 25 mijë vende të reja pune.
Basha: Investitorët gjermanë që janë këtu po fillojnë të mbyllin bizneset, po fillojnë të nxjerrin nga puna më shumë shqiptarë. Ata që planifikonin të vinin, nuk vijnë. Shqipëria është e 19-ta në listën e rajonit.
Shteti nesër nën drejtimin tim, me votën dhe besimin tuaj do të mendojë dhe do të përpiqet për një dhe vetëm një objektiv madhor, punësimin në tërësi dhe punësimin e të rinjve në veçanti.
Hapi i parë, ulja e taksave. Efekti, 1 miliard euro në ekonomi. 1 miliard euro në ekonomi janë minimalisht 25 mijë vende pune vetëm vitin e parë.

Brukseli akuzon Ramën për krimin e organizuar

Krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten një shqetësim serioz për Parlamentin Europian, i cili i bën thirrje qeverisë për të luftuar këto dy fenomene duke dhënë rezultate konkrete. Në Parlamentin Evropian është diskutuar dje rezoluta e raportuesit Knut Fleckenshtain për Shqipërinë. Komisioneri Johahes Hahn deklaroi se duhen më shumë rezultate për të çmontuar krimin e organizuar. Ai theksin tek Reforma në Drejtësi, duke theksuar se ajo do të jetë një zhvillim i rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa bëri thirrje për nisjen me urgjencë të miratimit të kësaj reforme, si dhe dekriminalizimit. Ai thekson se palët politike duhet të dialogojnë midis tyre për të përmbushur 5 prioritetet për çeljen e negociatave për vendin, ku në krye qëndron pikërisht Reforma në Drejtësi. “Do të doja të falënderoj z. Fleckeinstain në përpjekjen e tij për një raport të balancuar, ku jo vetëm pasqyrohet qartë progresi që ka bërë Shqipëria muajt e fundit, por edhe për sfidat që janë përpara për vendin. Veçanërisht, mirëpres vlerësimin që kjo rezolutë thekson për sistemin e drejtësisë, i cili jo vetëm do të ndihmojë në zbatimin e ligjit në vend, por edhe profesionalizimin në këtë sektor, por edhe balancën e duhur në sisteme të ndryshme. Kjo rezolutë ka theksuar se partitë politike duhet të përfshihen në dialog konstruktiv dhe deçiziv. Kjo pa dyshim, është një zhvillim për interesin e qytetarëve. Implementimi i Reformës në Drejtësi është një arritje për të gjithë vendin dhe është shumë e vlefshme për të qenë subjekt i njërës apo tjetrës palë politike. Pres gjithashtu një dialog konstruktiv nga të dyja palët. Faza e fundit është gjithmonë më e vështira për një proces gjithpërfshirës. Gjatë vizitës së fundit, theksova faktin se duhet dialog për të çelur negociatat. Reforma në Drejtësi përcaktohet në rezolutë”. Komisioneri për negociatat e Zgjerimit, theksoi se Shqipëria duhet të dëshmojë precedentë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. “Shqipëria duhet të luftojë krimin dhe korrupsionin. Shqipëria duhet të dëshmojë se duhet të ketë precedentë pozitiv në lidhje me procedimet ndaj luftës ndaj korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta. Duhen më shumë rezultate për të çmontuar krimin e organizuar”. Ai shtoi se duhet të avancohet procesi kundër dekriminalizimit. “Procesi i ashtuquajtur i dekriminalizimit duhet të avancojë. Edhe nëpunësit civilë dhe ata të zgjedhur të jenë subjekt i këtij ligji. Duhen vënë sanksione kur është e nevojshme”, tha Hahn. Një pikë tjetër e theksuar prej tij është përfundimi i reformës zgjedhore. Zyrtari i lartë i BE-së theksoi se duhet të miratohet legjislacioni përkatës sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t.
Fleckeinstein: Duhet një sistem drejtësie, i pandikuar nga politika
Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenshtein tha në Parlamentin Evropian se ka ardhur momenti që Parlamenti i Shqipërisë të miratojë Reformën në Drejtësi. Sipas tij, shqiptarët presin sistem gjyqësor të pandikuar nga politika, si dhe një administratë profesionale që është në shërbim të tyre. “Në 25 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë ndryshim thelbësor. Ka marrëdhënie konstruktive me fqinjët e saj. Shumica e njerëzve në Shqipëri shprehin dëshirën e tyre se duhet të ketë zbatim të madh të ligjit në vend, çka do të thotë se duhet të ketë një sistem gjyqësor funksional jashtë ndikimeve të jashtme, si dhe një administratë publike profesionale dhe në shërbim të qytetarëve. Kjo do të thotë edhe luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Parlamenti dhe qeveria shqiptare kanë ndërmarrë një reformë ambicioze në Shqipëri dhe rrjedhimisht kanë thirrur ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Komisionin e Venecias. Kjo reformë duhet të kalojë nga Parlamenti. Në këtë mënyrë, shqiptarët duhet të dëshmojnë se janë në rrugën e duhur. Komisioni ka rënë dakord për të ndihmuar Shqipërinë. Por, ne e dimë se ka shumë gjëra që nuk janë arritur. Nëse flasim për 5 prioritetet kyçe dhe Reformën në Drejtësi, atëherë mazhoranca duhet të miratojë këtë reformë dhe kjo do të thotë se ka ardhur momenti për të hapur negociatat”, tha Fleckeinstein.

Arben Shahini

Kryebashkiaku i Ramës fyen nënën e varfër: Ta fus portofolin në gojë

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe ka sulmuar përmes një fjalori degradues qytetarët ndërsa një nëne të varfër e cila po i ankohej për kushtet e vështira të jetesës në mënyrë skandaloze e degraduese duke i thënë: “Ta fus portofolin në gojë”. Kanë shkuar për t’i kërkuar një zgjidhje për problemin e tyre, por përgjigjja që kanë marrë i ka lënë pa fjalë. Bëhet fjalë për tregtarët e Lushnjës, të cilët i kanë larguar nga tregu. Ata kanë shkuar te kryetari i Bashkisë së Lushnjës për t’i kërkuar që t’i zgjidhë hallin e tyre. Duket se Fatos Tushe ka qenë i vendosur për të mos marrë parasysh kërkesën e tregtarëve, madje debati degradon në fyerje të tregtarëve nga Tushe. “Ku do të hamë? Kam 12 kalamaj për të ushqyer”, qan hallin një nga protestueset, por përgjigjja e Tushes i lë pa fjalë. “Po kush t’i polli ty? Lagjja apo vetë? Rriti vetë”. Jo vetëm kaq, por debati mes tyre ka vazhduar deri në kërcënime, përsëri nga ana e kryetarit. “Unë dua të drejtën, s’kam ku të ha! Jam e sëmurë!”. “Mos më ngri mua zërin. Ta fus atë portofolin m’u në gojë unë!”. Këtu ka degraduar Shqipëria: me kryetarë që jo vetëm s’të zgjidhin hallin, por edhe të ofendojnë e të kërcënojnë. Se ata janë të pushtetshmit, janë kryetarët! Këta janë kryetarët që duam, kjo është rilindja jonë! Me vendim të Këshillit Bashkiak është vendosur që tregtarët që shesin rrobat e përdorura përreth stadiumit do të zhvendosen diku tjetër. Debati shkon deri në fyerje të tregtarëve. Disa kohë më parë Këshilli Bashkiak ka marrë vendimin për largimin e tregtarëve të rrobave të gabit, të cilët shisnin tek stadiumi. Dje ishte afati i fundit për largimin dhe zhvendosjen e tyre në tregje alternative. Paraditen e djeshme një grup tregtarësh kanë shkuar pranë bashkisë për të rihyrë në negociata. Pikërisht në këto moment mendohet se janë bërë dhe filmimet. Ndërkohë rreth orës 14:00, të ditës së djeshme ka pasur dhe një takim mes kryetarit të bashkisë dhe një përfaqësie të tregtarëve, por nuk dihet më shumë.

Fjalori degradues i Fatos Tushes ndaj qytetarëve

Tushe: Shko atje. Atje nuk do të ketë asnjë.
Tregtarja: Ku do të hamë, ku do të shkojmë?
Tushe: Jua sqarova, asnjë nuk do të qëndrojë.
Tregtarja: Jemi pa bukë ku do të hamë?
Tregtarja: Kam 12 kalamaj për të ushqyer.
Tushe: Po kush t’i polli ty? Lagjja apo vetë? Rriti vetë! Ec atje tek tregu ku është.
Tregtari: Kjo është përgjigjja kush i polli?
Tregtarja: S’kam ku të ha! Jam e sëmurë!
Tushe: Mos më ngri mua zërin. Ta fus atë portofolin m’u në gojë unë!
Një tregtar: Kryetar avash kryetar, nuk e meriton të jesh.
Me këtë gjuhë që na flet ti, nuk e meriton atë post…

Murrizi: Do kërkojmë llogari, Tushe të largohet

Partia Demokratike ka dënuar dje sjelljen skandaloze të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, i cili kërcënoi një qytetare në mes të ditës në mes të qytetit. E kërcënuara nga kryetari i Bashkisë është një tregtare që po protestonte kundër vendimit për mbylljen e tregut. Kryetari i PD-së së Lushnjës, Myslym Murrizi tha se kërcënimi dhe gjuha e përdorur nga kryetari i Bashkisë janë kriminale. “Siç jeni vënë në dijeni është hedhur në qarkullim një video që doli pas një takimi që kryetari i bashkisë në Lushnjë pati me bizneset e stadiumit të Lushnjës, të cilët në mënyrë arbitrare, pa asnjë vendim të Këshillit Bashkiak janë përzënë për të shkuar në një treg të një prej klientëve të kryetarit të bashkisë. Në lidhje me videon, PD dënon gjuhën prej rrugaçi të një zyrtari që kërkon votën e qytetarëve për të qenë jo padrinoja i tyre, por për të qenë kryeshërbëtori i tyre. Është një gjuhë që i shkon për shtat ligji i dekriminalizimit. Është një gjuhë që vetëm me të zgjedhur nga vota e qytetarëve nuk ka asgjë të përbashkët. Është gjuha e rilindjes, gjuha që shpesh përcillet në ekrane nga jo pak zyrtarë të zgjedhur të rilindjes dhe herë-herë edhe nga Kryeministri. Dhe kjo është gjuha që ky kryebashkiak i 150 mijë banorëve të Lushnjës, i drejtohet atyre që 9 muaj më parë i mashtroi dhe u kërkoi votën dhe sot iu fut portofolin në gojë”, tha Murrizi. Murrizi thekson se protesta e tregtares së kërcënuar dhe e tregtarëve është e drejtë, pasi vendimi për zhvendosjen e tregut është klientelist dhe bëhet për të favorizuar klientin e kryetarit të Bashkisë. “Partia Demokratike do të mbështesë protestën e drejtë dhe legjitime të këtyre bizneseve që u ka shkuar letra për t’u larguar nga ai treg dhe për të vajtur me zor tek klienti i këtij kryetari bashkie. 12 këshilltarët e Partisë Demokratike do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak për shpjegime se pse merret kjo nismë e kryetarit të bashkisë pa pasur një vendim të Këshillit Bashkiak. Kryetari i Bashkisë është administrator, por nuk është pronari i qytetit. Parlamenti lokal, Këshilli Bashkiak është ai që merr vendime nëse ka projekte dhe investime konkret tek tregu ku këta kërkojnë t’i përzënë tregtarët. Këshilltarët e PD do t’i kërkojnë në shenjë morali, të respektit të votës dhe të qytetarëve, dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Lushnjës pas sjelljes arrogante e kriminale ndaj qytetares”, tha Murrizi.

Avokati i Popullit dënon sjelljen skandaloze të Tushes

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka reaguar pas gjuhës ofenduese ndaj qytetarëve të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës. Avokati i Popullit e konsideron të papranueshëm, të padenjë dhe të dënueshëm, fjalorin e përdorur nga kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, ndaj disa qytetarëve që protestonin përpara Bashkisë, publikuar në një video në media. Totozani: “Çdo punonjës i administratës shtetërore, qendrore apo vendore, por sidomos të zgjedhurit me votë në krye të pushtetit vendor kanë detyrimin ligjor dhe moral t’u përgjigjen konform etikës dhe rregullave të institucionit, qytetarëve. Madje, janë pikërisht këta të zgjedhur që duhet të preokupohen më shumë se të tjerët për të zgjidhur hallet e qytetarëve dhe jo për t’i denigruar dhe fyer ata. Manifestimet e gjuhës së vrazhdë, ofenduese dhe në shkelje të etikës qytetare janë akte arrogance, në kundërshtim të plotë me funksionet që këta të zgjedhur ushtrojnë”. Avokati i Popullit shprehet i shqetësuar për këtë ngjarje dhe deklaron me bindje se asnjë zyrtar i shtetit që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë nuk duhet të guxojë të ngrejë zërin ndaj qytetarëve, por duhet të jetë vetëm në shërbim të tyre. Totozani: “Një gjuhë e tillë nuk duhet të gjejë vend në administratën publike dhe ngjarje të tilla të shëmtuara nuk duhet të përsëriten”.

Paloka: Mazhoranca, nga një krim kushtetues në tjetrin

Parlamenti në seancë duhet të votojë dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mandateve të dy deputetëve, pra papajtueshmërinë e mandateve të Valentina Leskajt dhe Rakip Sulit. Kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka i bëri thirrje Parlamentit që të votojë sot dërgimin e mandateve të Leskajt e Sulit në Kushtetuese, si dhe të miratojë gjithashtu ngritjen e komisionit hetimor për çështjen e aferës CEZ.
Duke u ndalur tek çështja e mandateve të dy deputetëve, Paloka e cilësoi të papranueshëm vendimin qesharak të urdhëruar nga Rama që Leskaj e Suli t’i drejtohen vullnetarisht gjykatës.
“Ju jeni në dijeni të faktit që mazhoranca u detyrua më në fund të ecë në anën kushtetuese, pasi deri dje ka qenë haptaz në kryerjen e një krimi kushtetues, duke mos pranuar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çuarjen e çështjes së dy deputetëve të mazhorancës në gjykatë. Nga ky akt, pra më në fund janë tërhequr, por sigurisht jo me dëshirë, por nën presionin e opozitës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Pra, hapi i parë është arritur, mund të konsiderohet ose jo, një fitore e jona. Them jo, sepse mazhoranca është e detyruar të zbatojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të bësh beteja për këtë çështje, është alogjike megjithatë në këto kushte jemi dhe për pasojë jemi të detyruar të luftojmë për zbatimin e Kushtetutës në Parlament, megjithatë ky hap tashmë duket i realizuar. Më në fund, mazhoranca është tërhequr nga krimi kushtetues dhe ka marrë vendimin që t’i dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese deputetët e saj”, tha Paloka.
Në lidhje me çështjen e ngritjes së komisionit hetimor ndaj aferës CEZ dhe refuzimit të mazhorancës, Paloka tha se Rama po kryen një tjetër krim kushtetues.
“Por ka një ngërç juridik aty që është sqaruar dhe nga kolegët e mi sepse kuptohet që mazhoranca nuk është në pozita shumë të mira, pasi dihet këmbëngulja e Ramës për të mos i dërguar në Gjykatë Kushtetuese të dyja çështjet. Pas kësaj tërheqjeje, duket që ata përpiqen të bëjnë një shpëlarje, po është çështje e tyre. Duket pra, se ajo letra personale e dy deputetëve përdoret për të fshirë fytyrën e ndotur të mazhorancës në këtë rast. Për ne, rëndësi ka që, me justifikim ose pa justifikim, mazhoranca u detyrua të tërhiqet nga ky krim kushtetues. Por ndërkohë me zhvillimet e reja duket se ikja nga një krim kushtetues nuk po e frenon të shkojë drejt një tjetër krimi kushtetues, që është ai i mospranimit të komisionit hetimor për CEZ. Siç e dini, çështja e CEZ është afera më e madhe korruptive e këtyre viteve në Shqipëri nën qeverisjen e Edi Ramës, ku Edi Rama është direkt përgjegjës, është direkt i lidhur, pra një çështje korruptive që nxjerr direkt para publikut Kryeministrin Rama”, u shpreh Paloka.

– Do të marrë pjesë opozita të premten tek Komisioni i Reformës për Drejtësi?
Unë po ju them që jemi prapë përballë një krimi. Vendimin e merr mazhoranca nesër në Parlament pasi nuk ka pranuar me justifikime aspak të qenësishme ngritjen e komisionit hetimor, një nga çështjet që e ka bërë të qartë Gjykata Kushtetuese në maj të vitit 2014 dhe që e kemi realizuar pas një marrëveshje në dhjetor të 2014, edhe me mazhorancën aktuale. Po i rikthehemi prapë një historie të vjetër ku mazhoranca përpiqet të pengojë ngritjen e komisioneve hetimore me justifikime që nuk kanë asnjë bazë ligjore, për më tepër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në maj të 2014. Ky kthim pas, na çon prapë në pozitat e shkeljes së Kushtetutës nga mazhoranca, të një krimi kushtetues dhe sigurisht që grupi parlamentar i PD do të marrë vendimet e tij.

– Pra, keni kushte të tjera?
Kush foli për kushte. Mua më pëlqen kur gazetarët përsërisin qëndrimet e politikanëve. Kushte të opozitës nuk ka. Kushtetuta është i vetmi kusht që ne kemi. Këtu ligjet janë të vetmet kushte që ne kemi. Po ju ripërsëris që ikën nga një krim kushtetues dhe po kalojnë në një krim tjetër kushtetues. Vendimin mazhoranca e merr nesër pasi nesër, Parlamenti në seancë duhet të votojë dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mandateve të dy deputetëve, pra papajtueshmërinë e mandateve të dy deputetëve të mazhorancës, dhe njëkohësisht duhet të votohet për ngritjen e komisionit hetimor të CEZ që është afera më e madhe korruptive e kësaj qeverie dhe që lidh direkt Edi Ramën me këtë akt korruptiv. Kjo është e vetmja arsye pse mazhoranca nuk pranon ta miratojë këtë komision dhe të kalojë në një krim tjetër kushtetues.
– Do të thotë do të prisni deri nesër?
Do të thotë që pas vendimit nesër në Parlament ne do të marrim një vendim si grup, për të gjitha hapat e tjerë të opozitës.

Ristani: Rama, përpjekje për të fshehur mandatet e Leskajt e Sulit

Në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të shkojë kërkesa e Leskajt dhe Sulit, por duhet të shkojë vendimi i Parlamentit, së bashku me kërkesën e deputetëve të PD. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani tha dje se mazhoranca e kapur ngushtë prej arrogancës së saj për shkak të moszbatimit të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese kërkon të gjejë mjet shpëtimi nëpërmjet formulimeve evazive për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
“Në fakt nuk është e rregullt ligjërisht diçka e tillë, duhet të shkojë po e njëjta në Gjykatën Kushtetuese, shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të PD, të cilët kërkojnë që këtyre dy deputetëve për shkak të abuzimit me mandatin në përfitimin e fondeve publike, t’u mbarojë mandati. Megjithatë është një diskutim që nuk u mbyll me një dakordësi sepse vendimi i mazhorancës është goxha evaziv. Përsa i përket PD, ne do ta vendosim në forumet tona për të marrë një qëndrim për seancën plenare. Në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të shkojnë kërkesa e zonjës Leskaj dhe e zotit Suli. Në Gjykatën Kushtetuese duhet të shkojë vendimi i Parlamentit, së bashku me kërkesën e deputetëve të PD, të cilët kërkojnë mbarimin e mandatit”, tha Ristani.
Ai tha se për të vendosur në raport me sjelljen e PD, në sencën parlamentare do të vendosin forumet. “Do të ishte shumë e thjeshtë që kur u paraqit kërkesa në Parlament, Parlamenti të kishte vendosur ashtu siç është shprehur Gjykata Kushtetuese, që çështja t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese. Pra, të mos përpiqen të gjejnë makinacione të fshehin deputetët nga shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, aq më tepër që sot kemi një vendim të qartë të kësaj gjykate sesi duhet të sillet Parlamenti në raste të tilla. Ndaj ne kemi vendosur siç e dini dhe ju një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, që ka të bëjë jo vetëm me zbatimin e vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por ka të bëjë dhe me amendamentin e ligjit për dekriminalizimin dhe me amendamentin e ligjit për komisionet hetimore parlamentare. Pra, situata është pak më e komplikuar nga ç’duket”, u shpreh Ristani.

Mark Crawford: Investitorët amerikanë po largohen nga Shqipëria

-Anketimi i Dhomës Gjermane e rendit Shqipërinë të fundit në rajon për investimet e huaja; po për Dhomën Amerikane, cili është opinioni i biznesit?
Ne po shikojmë me shumë vëmendje dhomat e tjera, sidomos atë gjermane, pasi ne amerikanët investojmë në bashkëpunim me kompani të tjera ku mund të bëhet një komani kanadeze që ka një amerikane nga mbrapa ose një kompani gjermane që ka një amerikane nga mbrapa. Kuptohet që nga pikëpamja e tatimit jemi pak më poshtë në krahasim me komshinjtë, dhe këtë e thonë disa nga investitorët, besoj se këtë e kanë parë edhe gjermanët, por për mua një gjë që mund të jetë shqetësuese është kur investitorët janë  këtu dhe pyeten a do të investojnë më shumë apo do të riinvestojnë, dhe kur Shqipëria nuk del mirë, ky është një shqetësim. Sepse ata që janë këtu duhet të kujdesemi për to, sepse janë reklamë ose e mirë, ose e keqe për të tjerët që do të vijnë. Unë kur e pashë këtë sondazh, dua të them që duhet të pyesim më thellë se pse nuk janë të kënaqur ose pse nuk kanë dëshirë për riinvestuar, ose pse nuk kanë dëshirë për të investuar më shumë. Unë besoj se është pozitive që po flasim hapur për të gjitha problemet, dhe nëse ka ndonjë problem ose keqkuptim, s’duhet të thuhet që ‘kjo është problem për një kompani ose disa kompani’. Problem është kur shikojmë që është një trend, është diçka që duhet të kenë kujdes edhe bizneset, edhe qeveria.
-Cilat janë problemet me të cilat has biznesi i huaj në Shqipëri?
Mbase është diçka që vjen nga kultura, sepse unë kritikoj gjithnjë miqtë e mi. Nëse unë kam një armik, nuk e çaj kokën fare për të, nuk bëj as kritikë, as asgjë. Kur jam me miq dhe mund të bëhet diçka më mirë, unë e them. Unë kam qenë këtu para 1997-ës dhe kam qenë edhe në vende të tjera ku ka pasur krizë dhe askush s’ka ngritur zë. Unë nuk bëj kështu. Kur unë shikoj diçka, edhe pse mund të mos kem të drejtë, unë e shikoj. Konkretisht jemi duke shikuar disa sektorë dhe nuk them se çdo gjë është e keqe. Për shembull, në sektorin bankar ne kemi investitor një amerikan që ka një bankë dhe është duke e zhvilluar bankën, dhe është diçka pozitive. Edhe kur klima nuk është e mirë, kanë mundësi ata që përballojnë riskun të vijnë të blejnë një kompani dhe të investojnë, të bëjnë një rikthim. Unë përpiqem të tërheq investitorët. Për amerikanët që mund të jenë duke ikur, unë jam duke vëzhguar sektorin e naftës, dhe duke përfshirë edhe të gjitha taksat, sepse ata nuk paguajnë taksë korporate, por paguajnë nga nafta që i japin “Albpetrolit”. Investimet në këtë sektor, edhe tani, edhe më parë, kanë qenë gjithnjë të këqija ose sektor i vështirë. Tani jemi duke parë si mund të përmirësohet kjo pjesë. Jemi duke biseduar me ministrinë për të hequr pengesat, të kalohet në një ambient që është më pozitiv. Unë jam dakord me kritikët që, duhet të paguhen më shumë taksat dhe më pak duhet të paguajnë ata që janë akumuluar deri tani. Unë s’jam dakord me një investitor të huaj që do të vijë këtu dhe të mos paguajë taksat. Kuptoj shqetësimet që kritikët kanë për këtë sektor. Por unë e shikoj edhe faktin se këto janë të diskutuara në bursë dhe janë listuar, dhe kur ka gjëra të këqija bëjnë shumë shpërndarje në bursë. Është shumë vështirë kur bëhet reklamë e keqe dhe ne t’i themi si dhomë, “hajde investo”, sepse ata shikojnë një shpërndarje në “google”. Sidomos me “Albpetrolin” që ka pasur korpusim edhe përpara, jo vetëm tani.
-Kemi hyrë në fazën e dytë të luftës kundër informalitetit. Cili është rezultati i parë në luftën kundër informalitetit; a janë përmbushur pritshmëritë tuaja në këtë drejtim?
Ne gjithmonë kemi mbështetur idenë që duhet luftë kundër informalitet. Nganjëherë duke ndryshuar skemën ose sistemin e taksës është një mënyrë për të shmangur informalitetin, sepse asnjë nuk shkel ligjin kur taksa është zero. Ne kemi mbështetur qeverinë kur ka hequr taksën për bizneset e vogla, ne kemi kundërshtuar regjistrimin në dhomë me detyrim, sepse kjo është një taksë jodirekte, por në fazën e dytë kjo është fokusuar te bizneset e mëdha, dhe kjo është normale, sepse atje janë lekët, edhe problemet janë te bizneset e mëdha. Edhe anëtarët tanë nëse kanë probleme duhet të përmirësohen. Shqetësimi në fillim fare ishte që, kur ka një reformë, nuk bëhet vetëm me shkop, por edhe me iniciativë pozitive. Një shoku im amerikan piu një kafe dhe mori faturën, nuk ishte në dijeni të aksionit anti-informalitet. Unë e pyeta “pse e more faturën?”.  Ai më tha, “unë kam buxhetin tim personal dhe dua të di ku jam”. Dhe unë i thashë, “ke frikë se do shkosh në burg?” Ai u habit. Në lidhje me reformën ne e mbështesim. Kur ka shkop, duhen goditur të gjithë ata që shkelin ligjin dhe jo vetëm të vegjlit. Nuk jemi kundër, përkundrazi, jemi pro reformave. Deri tani ka rezultat pozitiv, kryeministri e ka përmendur se ka rezultate pozitive. Puna është që, a mund të jetë më pozitiv dhe më i qëndrueshëm. Pesha nuk mbahet gjithnjë vetëm nga qeveria, mbahet edhe nga qytetarët. Nëse qytetarët ndryshojnë vetëm për një javë, nuk do të ketë reformë, do të ketë vetëm aksion. Unë nuk pres që qeveria të zgjidhë gjithë hallet e kombit, duhet të jenë edhe qytetarët që të bashkëpunojnë.

Spitalet pa ilaçe, Beqaj firmos tenderin e radhës për zhvatjen e 1.4 miliardë lekëve

Beqaj firmos vjedhjen e radhës përmes një tenderi skandaloz prej jo pak, por prej 1.4 miliardë lekësh për blerjen e një teknologjie që bën kontrollin e gjakut të dhuruar në një kohë kur në spitale mungojnë gjëra më jetike siç janë ilaçet. Koncesionet apo partneritete private, me afat shumëvjeçar që tejkalojnë mandatin e qeverisë, po pasohen edhe me tendera “paradhënie”, disavjeçar, për shërbime të ndryshme. Pas një rasti të ngjashëm nga Policia e Shtetit, denoncohet një tjetër rast, tenderi 3-vjeçar, këtë herë nga e “kudogjendura”, Ministri e Shëndetësisë. Në buletinin më të fundit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, një njoftim i autoritetit kontraktor, Ministria e Shëndetësisë/QKTGJ, bën të ditur çeljen e procedurave të hapura me objekt prokurimi, “Furnizimi i një sistemi për kryerjen e testimeve me metodologjinë NAT për detektimin e HCV/HIV/HBV në gjakun e dhuruar pranë QKTGj-së”. Përpos fondit limit në total – 139.800.000 (njëqind e tridhjetë e nëntë milion e tetëqind mijë) lekë pa TVSH vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, ky njoftim bën të ditur se fituesi i tenderit siguron përfitime jo të vogla, për 3 vjet rresht, nga “asetet” financiare të Ministrisë së Shëndetësisë. Ky super tender i Beqajt vjen vetëm një muaj pasi Ministria e Shëndetësisë ka realizuar në datën 9 mars dy tendera me vlerë të konsiderueshme, fondi limit i të cilëve arrinte në 339 milionë lekë ose mbi gati 3 milionë dollarë. Objekti ka qenë “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme për nevojat e institucioneve spitalore” në tenderin e parë dhe “Blerje materiale mjekimi konsumabël dhe kirurgjikale për nevojat e institucioneve spitalore” në tenderin e dytë. Por në të dy tenderat ka patur një koinçidencë të çuditshme. Në tenderin e parë, atë për “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme për nevojat e institucioneve spitalore” kanë marrë pjesë 6 kompani. Por vetëm njëra prej tyre ka paraqitur ofertë financiare, ndërsa 5 kompanitë e tjera nuk kanë paraqitur fare ofertë. Si rezultat tenderi, me fond limit 168 milionë lekë, është fituar nga ofertuesi i vetëm bashkimi i shoqërive “Montal sh.p.k” dhe “Biometrics Albania”, për vlerën 164.4 milionë lekë ose vetëm 2 për qind poshtë fondit limit. Dyshimet shtohen për faktin se e njëjta skemë është përsëritur edhe në tenderin e dytë atë të, “Blerje materiale mjekimi konsumabël dhe kirurgjikale për nevojat e institucioneve spitalore”, i zhvilluar në po të njëjtën ditë, pra më 9 mars. Edhe në këtë tender kanë marrë pjesë 7 kompani, por çuditërisht vetëm njëra ka paraqitur ofertë, ndërsa 6 të tjerat nuk kanë dhënë asnjë ofertë financiare. Si rezultat tenderi me fond limit 171.7 milionë lekë është fituar nga ofertuesi i vetëm, bashkimi i operatorëve ekonomikë “O.E.S Distrimed” dhe “Euromed”. Edhe ky tender është fituar me një çmim vetëm 1.2 për qind nën fondin limit. Në të dy rastet Ministria e Shëndetësisë ka shpallur fitues ofertuesit e vetëm.

Vendimi, Beqaj centralizoi tenderat

Më 28 dhjetor 2015, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka nxjerrë një urdhër që u heq të drejtën të gjitha spitaleve rajonale anembanë vendit për të realizuar procedura tenderimi mbi shumën e 800 mijë lekëve për blerjen e barnave ose të materialeve mjekësore. Urdhri është përqendrim dhe monopolizim i paprecedent i kompetencave të spitaleve rajonale, të cilat jo shumë vite më parë fituan disa të drejta për vetëmenaxhimin e tyre në kuadër të procesit të decentralizimit dhe rritjes së eficencës, raporton “Hashtag.al”. Beqaj ka ngritur një grup pune që do të shërbejë si njësi prokuruese për të gjitha spitalet, do të jetë kjo njësi që do të marrë kërkesat e spitaleve mbi nevojat që ato kanë për barna dhe mjete spitalore dhe më pas i njëjti grup pune do të zhvillojë dhe procedurat e tenderimit për të gjitha ato blerje që janë mbi 800 mijë lekë. Në grupin e punës prej 4 personash spikat dhe prezenca e zonjës Shpresa Bello, e cila është dhe kunata e drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj.

A.Shahini

Mungojnë ilaçet, mungojnë pajisjet, s’ka shëndetësi, ka biznes Rama-Beqaj

Deputetët e PD shohin gjendjen e onkologjikut. Pacientët në radhë me ditë të tëra. Blejnë ilaçet vetë, kobaltoterapia nuk funksionon.
Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Vokshi së bashku me deputetët e PD-së, Albina Deda dhe Bedri Mihaj, vizituan dje Spitalin e Onkologjisë në QSUT për të parë nga afër kushtet dhe trajtimin e pacientëve. Deputetët bashkëbiseduan me pacientë të shumtë që prisnin në radhë të gjata me orë të tëra për shkak të mungesës së shtretërve dhe kapaciteteve. Pacientë të shumtë u ankuan se mungojnë ilaçet për trajtimin e tyre duke u rrezikuar jetën.
“Jam kryefamiljare me dy vajza të vogla. Njërën 6 vjeç dhe tjetrën 10 vjeç që i kam mbyllur në shtëpi. Jam me ndihmë ekonomike prej 35 mijë lekësh dhe po pres ende këtu. Kurën e ndërpreva prej 4 muajsh sepse nuk kisha mundësi. Tani e kam nisur prapë”, tha një paciente.
“Ilaçi im nuk është këtu. Më thanë ta blej dhe ai bën nga 200 deri në 300 mijë lekë”, u shpreh një grua.
Një prej mjekëve deklaroi se mesatarisht bëjnë nga 6 deri në 12 kimioterapi në ditë, krejt ndryshe nga sa ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, sikur bëhen deri në 80 në ditë.
Deputetët konstatuan se aparatura e kurimit të qafës së mitrës nuk funksionon prej disa vitesh vetëm për shkak se duhet vetëm një VKM e Ramës që të bëhet kontrata e të vihet në funksionim. Po ashtu, njëra pajisje e kobaltoterapisë nuk funksionon si duhet, sepse burimi i energjisë e ka kaluar
afatin duke shkaktuar dëm në jetën e pacientëve.
“Ju i patë vetë radhët e gjata të pacientëve që presin, e që kanë ardhur nga skajet e Shqipërisë, që mbërrijnë që në orët e para të mëngjesit dhe ende nuk kishin pasur mundësi të vizitoheshin. Takuam pacientë që jo vetëm nuk kishin marrë kurën apo kimion falas, por ishin detyruar që barnat t’i blinin që janë shumë të shtrenja deri në 300 mijë lekë. Folëm edhe për pajisjet si ai i kobaltit dhe na konfirmuan se për periudha të caktuara, njëra prej pajisjeve nuk ka funksionuar fare dhe vetëm para pak ditësh është vendosur në funksionim. Dua të theksoj se ndërsa Rama dhe Beqaj japin 338 milionë euro për klientë, sponsor dhe miq të tyre, pacientët dergjen dyerve të spitaleve pa marrë, jo shëndetësi falas, por asnjë kurë që atyre u takon. Po ashtu, pajisjet që janë tenderuar që në kohën e qeverisjes Berisha ende nuk janë vënë në punë, jo vetëm për neglizhencë, por edhe për mungesë vëmendje nga kjo qeveri. Kësaj qeverie nuk i intereson as kujdesi dhe as jeta e pacientëve shqiptarë, por u intereson të përvetësojnë sa më shumë pasuri për veten e tyre”, tha Vokshi.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Shëndetësinë u ndal dhe në presionin e qeverisë ndaj mjekëve dhe profesionistëve.
“Personeli, i cili na shoqëroi tek onkologjiku u kërcënua me urdhër nga lart duke u thënë që të mos na shoqërojnë ne deputetëve të PD-së sepse ato vijnë si kriminelë. Dua t’i them Ramës që nuk jemi ne kriminelë që vijmë të interesohemi për shëndetin dhe jetën e pacientëve, por kriminel është Edi Rama dhe Ilir Beqaj, të cilët paratë që duhet të shkonin për përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë po i çojnë në llogaritë e tyre bankare. Ne nuk do të heshtim, por do të vazhdojmë presionin tonë, të flasim dhe të denoncojmë. Profesor Sallaku na konfirmoi se aparatura për kancerin e qafës së mitrës ka 3 vite që nuk funksionon për shkak se mungon një VKM nga ana e Ramës. Këto janë iniciativat që ne si deputetë do t’i ngremë dhe në Parlament. Të shpresojmë që ankesat e pacientëve të dëshpëruar që dergjen shkallëve të spitalit të mos bie në vesh në shurdhër dhe qeveria të reagojë”, deklaroi Vokshi.