28.5 C
Tirana
E premte, 6 Qershor, 2025

Çfarë po kërkon të fshehë Mrika nga rrëzimi i helikopterit?

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të helikopterit në Liqenin e Shkodrës ku mbetën të vdekur dy pilotë duket se kanë ngecur. Ndonëse kanë kaluar tre ditë nga ngjarja tragjike, rrethanat e këtij aksidenti mbeten ende të paqarta, ndërsa tv Klan bën të ditur se Prokuroria e Përgjithshme është tërhequr nga hetimet, duke ia lënë këtë çështje hetuesve ushtarakë. “Pasi ka nisur hetim për ngjarjen, Prokuroria e Përgjithshme është tërhequr nga hetimet duke ia lënë këtë çështje hetuesve ushtarakë. Gjithashtu edhe për nxjerrjen e mjetit, pritet që të vihen në dispozicion mjetet e ushtrisë”, saktësoi tv Klan.
Megjithëse nuk kanë dalë versionet zyrtare mbi këtë aksident, ka dyshime paraprake mbi pasigurinë që kishte mjeti fluturues. Ai është i ndërtuar në formë të tillë që uljen e ka me slitë, që nënkupton se në rast aksidenti, duhet të kishin funksionuar jastëkët e ajrit. Në rastin konkret, duket se ata nuk kanë qenë aktivë, çka ka sjellë edhe tragjedinë. Që dy pilotët mund të kenë besuar në mjetin që drejtonin, kjo përforcohet edhe nga fakti që ata ishin me rrip sigurimi të lidhur, çka tregon se nuk tentuan hedhjen nga helikopteri, duke shpresuar minimalisht në hapjen e jastëkëve të ajrit pranë pjesës së slitës. Helikopteri “EC 145” i Forcës Ajrore Ushtarake Shqiptare ka kryer dy fluturime para se të rrëzohej në Liqenin e Shkodrës, ku fatkeqësisht humbën jetën dy pilotët Florian Deliaj dhe Dorian Hoxha.
Dje mbërritën në Tiranë edhe ekspertë të kompanisë prodhuese të helikopterit EC 145 që ra në Liqenin e Shkodrës. Rreth orës 13:00 ata kanë mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza” ku janë pritur nga përfaqësues të Ministrise së Mbrojtjes. Më pas, grupi i ekspertëve është nisur për në Shkodër, në bregun e liqenit, ku ka ndodhur edhe aksidenti ajror. Helikopteri EC 145 kishte ardhur në Shqipëri 7 muaj më parë, pasi ishte pjesë e një partie helikopterësh të blerë nga Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë, nxjerrja e helikopterit nga Liqeni i Shkodrës ka dështuar. Polumbarët e Forcave RENEA kanë provuar në disa tentativa, që të vendosin jastëkë ajri për të ngritur në sipërfaqe të Liqenit të Shkodrës, helikopterin EC 145, që u rrëzua tre ditë më parë. Orvatjet e tyre nuk kanë sjellë rezultat. Sipërfaqja e butë e rërës në fundin e Liqenit ka bërë që me peshën e rëndë mjeti të zhytet dhe të jetë e pamundur të lidhen jastëkët e ajrit.
Misioni i dështuar, bën edhe më të domosdoshme praninë e ekspertëve të kompanisë prodhuese, si dhe angazhimin e mjeteve të tjera për nxjerrjen e helikopterit, qoftë të një helikopteri tjetër apo të një vinçi, pasi vetë helikopteri i zhytur peshon afërsisht 1 ton e 800 kilogramë. Prej dy ditësh mjeti që u rrëzua duke i marrë jetën pilotit Florian Deliaj dhe Togerit Donald Hoxha, ruhet nga një motoskaf i Policisë Kufitare. Në brigjet e liqenit janë vendosur forca të Policisë së Rendit dhe Policisë Ushtarake, të cilët nuk lejojnë civilët të afrohen. Tragjedia me dy viktima dhe një të plagosur ndodhi mesditën e së mërkurës. Ende nuk dihet misioni i helikopterit me tre pensona në bord në Veri të vendit.
Dje pasdite janë nxjerrë nga Liqeni disa mbetje të helikopterit ushtarak. Tek pjesët e nxjerra rezultojnë të jenë një sedilje e helikopterit, një pjesë e motorit të helikopterit si dhe disa mbetje të tjera. Ndërkohë, që nga operacioni nuk është gjetur ende kutia e zezë. Bëhet e ditur se mbetjet janë transportuar me një furgon të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë. Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe një përfaqësues i kompanisë ‘Eurocopter’.
Nxjerrja e helikopterit do t’i shërbejë edhe hetimeve të nisura tashmë nga Prokuroria për shkaqet e rënies së tij. Mësohet se në hetime do të përfshihet edhe kompania franceze “Eurocopter” nga e cila u blenë vitin e kaluar dy helikopterë të modelit “EC 145”. Përveç polumbarëve, nga Tirana në operacionin e nxjerrjes së pjesëve të helikopterit kanë qenë edhe forcat RENEA.
Dyshohet se helikopteri i ushtrisë ka patur për mision ardhjen në ndihmë të helikopterit privat “Shega Trans”, që sipas burimeve, kishte rënë në Malësinë e Madhe, në një kohë që është e ndaluar me ligj që helikopterët e ushtrisë të kryejnë misione që nuk i përkasin Forcat e Armatosura.
Helikopteri i kompanisë private “Shega Trans” pësoi një defekt gjatë fluturimit për të cilin lajmëroi operatorin e kullës në Rinas. Kjo e detyroi që të ulet rreth orës 10:00 në zonën ku është parë në liqenin e Shkodrës. Për t’u shkuar në ndihmë është nisur nga Farka, Helikopteri EC 145, me numër 637, me 3 persona ekuipazh në bord. Janë këto burime jo zyrtare për abc neës që sjellin një variant të ndryshëm të aksidentit që ndodhi ditën e mërkurë. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaroi se, helikopteri ishte ngritur në fluturim për një stërvitje rutinë, por në fakt ai gënjeu për të fshehur skandalin që rëndon mbi të.

Të dhëna kontradiktore për shëndetin e ushtarakut Baramuça

Ushtari profesionist Gerald Baramuça që u plagos pas rënies së helikopterit në Liqenin e Shkodrës qëndron në një dhomë në pavionin “VIP” të Spitalit Ushtarak në Tiranë, nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe ende nuk është marrë në pyetje nga Prokuroria për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike që ka shfaqur. Familjarët e tij janë të irrituar sa i përket botimit të disa intervistave që sipas tyre janë të sajuara, pasi asnjë person tjetër veç mjekëve nuk ka hyrë në dhomën e Geraldit.
Ndërkohë një burim nga Spitali i Traumës bën me dije, se për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, ushtarit Baramuça nuk i është thënë lajmi i hidhur për humbjen e jetës së 2 shokëve të tij, kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha, me të cilët po fluturonte me helikopterin e ushtrisë. Sipas familjarëve, për momentin atij i kujtohet vetëm ndihma që i ka dhënë një peshkatar i zonës.Një mjek i Spitalit të Shkodrës konfirmoi një ditë më parë se, situata e Baramuçës pas aksidentit ishte e stabilizuar dhe se ai ishte në gjendje të mirë.
Ushtari i plagosur, Gerald Baramuça, kishte menduar se kishin rënë në pjesën malazeze të Liqenit të Shkodrës ndaj edhe kishte kërkuar ndihmë në gjuhën serbo-kroate. “Unë së bashku me Xhixhin, shkuam dhe nxorëm ushtarin e plagosur nga uji. Ai sa na pa duke menduar se kishte rënë në pjesën malazeze të liqenit na kërkoi ndihmë në gjuhën serbo-kroatishte. Më pas përsëriste gjithmonë, “ku është spitali, ku është spitali”, ndërsa na tregoi se kishin qenë tre persona në bordin e helikopterit. Nuk e dimë çfarë plagësh dhe ku i kishte marrë, ndërsa Xhixhi e çoi në spital”, tregon Skënder Cenaj.
Incidenti i tre ditëve më parë solli humbjen e jetëve të kapiten Florian Deliajt dhe toger Donald Hoxhës, që të dy pilotë të talentuar që kishin kaluar disa kurse të gjata trajnimi, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Vrasja e tifozit në Vlorë, familjarët: Prokuroria të zbardhë ngjarjen

Familjarët e tifozit 42-vjeçar që humbi jetën në shkallët e Stadiumit “Flamurtari” në Vlorë, pasi u shty nga një punonjës policie dhe ra nga shkallët e stadiumit, i bëjnë apel Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen. Nga vendi ku Mikel Selmanaj humbi jetën, ata thanë se ndoqi deri në fund ekipin e zemrës, Flamurtarin. “Ne nuk po arrijmë të gjejmë një njeri të drejtë që ka qenë këtu në shkallët e stdiumit që ta ketë parë. Mënyra si u la ky djalë aty shtrirë është për t’u tmerruar. Edhe unë jam i bindur se është një dorë që e ka shtyrë atë njeri. Ai do kishte bërë gjënë më të mirë aty dhe të kishte thënë që ajo ndodhi. Edhe polici do ta shtyjë tifozin dhe fatkeqësisht mund të bjerë dhe të vdesë”, u shpreh dje Xhelil Xhelilaj, daja i viktimës.
Ngjarja tragjike ka ndodhur të mërkurën në stadiumin e Vlorës, pas përfundimit të ndeshjes mes Flamurtarit dhe Kukësit. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se, 42-vjeçari Mikel Selmanaj, banues në Rradhimë të Vlorës, u rrëzua, pasi u shty nga një punonjës policie pas përfundimit të ndeshjes. Një tifoz deklaroi pas ngjarjes së rëndë, se e kishte parë vetë policin që kishte shtyrë 42-vjeçarin Mikel Selmanaj. Ngjarja tragjike u publikua edhe në një video në internet ku dukej se si ishte shtyrë tifozi nga policia dhe kishte rënë në tokë i vdekur.
Ndërkohë, bëhet e ditur se efektivi që dyshohet se ka kryer këtë akt është pezulluar ditën e djeshme, por identiteti i tij nuk bëhet me dije. Prokuroria e Vlorës ka nisur një hetim për ngjarjen, ndërsa janë marrë në pyetje edhe disa efektivë të policisë për të hedhur dritë mbi rrethanat e episodit tragjik.
Prokuroria e Vlorës bëri të ditur dje, se është në pritje të rezultateve mjeko-ligjore, si edhe janë pyetur disa tifozë, dëshmitarë në stadium. Ende nuk është arritur në një konkluzion, nëse Mikel Selmanaj ka rënë aksidentalisht, apo është shtyrë nga një efektiv policie në shërbim thotë Prokuroria.

Rrëzimi i helikopterit nga cilësia e karburantit?

Dalin në dritë fakte të reja për rrëzimin e helikopterit të Ushtrisë në Liqenin e Shkodrës. Ish-Kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se, qytetarët dixhitalë japin të dhëna të reja mbi helikopterin e rënë në Liqenin e Shkodrës dhe vdekjen e dy pilotëve të tij. Duke cituar një nga qytetarët, Berisha shkruan se shkak i mundshëm i rrëzimit të tij mund të jetë karburanti jo i cilësisë së duhur, për çka opozita ka thirrur në interpelancë ministren. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar tre mesazhet e qytetarëve.
“Mirëmëngjes, nga burime të besueshme rezulton se helikopteri i ushtrisë nuk ka komunikuar me Albkontroll (të Belinda Ballukut) ndërkohë që thuhet se e ka detyrim nëse largohet 5 km nga Farka ku ka vendqëndrimin. Kurse helikopteri i Shega Trans është regjistruar nga Albkontroll, por nuk dihen oraret. Mos komunikimi me Albkontroll është shkelje, por ata të Albkontrollit ndjehen më mirë kështu se në rast rrëzimi do të ishin pjesë e hetimeve”, shkruhet në njërin nga mesazhet që qytetari i ka dërguar ish-Kryeministrit Berisha.
“Përshëndetje Doktor! Burimet nga regjimenti i helikopterëve, thonë se aksidenti më së shumti i dedikohet defektit në motora për shkak të:
1. Karburantit të mbajtur jashtë kushteve teknike (denoncuar nga opozita në interpelancë parlamentare në shkurt 2015. Burimet thonë gjithashtu se po përpiqen të rregullojnë letrat në lidhje me këtë, dhe se po pengohet Prokuroria të administrojë dokumentacionin).
2. Problemet e mirëmbajtjes për shkak se firma është inkompetente dhe e përzgjedhur për arsye ryshfeti në tender (tender i kundërshtuar me forcë nga drejtuesit e Regjimentit në kohën kur është bërë pazari”, shkruhet në mesazhin tjetër të qytetarit.
“Zoti Berisha, skandali policisë dhe rojeve që rrethuan perimetrin e zonës ku ra helikopteri s’ka të sosur. Helikopteri ka rënë nga një lartësi prej 15 m dhe me sa pamë nga disa pamje fotografike ai nuk ishte dëmtuar aq sa pamë sot, në pjesë aq të vogla, ky është skandal. Dje janë dëgjuar shpërthime me tritol në liqen pranë asaj zone apo pikërisht aty, nuk dihet saktësisht, por një gjë është e sigurt. Peshkatarë këto ditë nuk ka pasë për arsye se nuk i lejonte policia të afroheshin”, shkruhet në mesazhin e qytetarit.

R.POLISI

Skandal! Mimi përzë prokurorët nga hetimi për rrëzimin e helikopterit

Skandal! Mediat kombëtare raportuan dje largimin e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme nga hetimet mbi shkaqet e vdekjes së dy pilotëve të ushtrisë pas rrëzimit të helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes. Mediat thanë se hetimi i tragjedisë është marrë përsipër nga prokurorë ushtarakë??? Ligji shqiptar nuk njeh as Prokurori dhe as Gjykatë Ushtarake.
Nëse mediat kanë patur parasysh Policinë Ushtarake, kjo është tërësisht diçka tjetër. Vërtet kjo polici ka të drejtë të kryejë hetime mbi veprat penale të kryera në Forcat e Armatosura, por nuk mund të jetë kurrsesi rasti që të mund të aplikohet. Që në orët e para të rrëzimit të helikopterit në ujërat e Liqenit të Shkodrës, dëshmitarët në vendngjarje dhe mediat kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi rrethanat e rrëzimit, itinerarin e helikopterit, misionin e tyre, duke etiketuar qartazi edhe përgjegjësit e kësaj tragjedie.
Mbi të gjitha që në orët e para të kësaj ngjarjeje të rëndë, burime të ndryshme kanë implikuar direkt ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, se helikopteri po transportonte mjete ndërtimi për vilën e saj familjare në Vermosh. Mediat kanë ngritur pikëpyetje të mëdha edhe për gjendjen fizike të helikopterit, moskompletimin e tyre sipas standardeve, mungesën e pajisjeve të nevojshme të mbrojtjes apo edhe deri tek cilësia e karburantit të përdorur. Edhe sikur një nga këto arsye të jetë e vërtetë, në një rast të tillë përgjegjësia e ministres së Mbrojtjes është e drejtpërdrejtë, përgjegjësi jo vetëm morale, por edhe ligjore.
Hetimet e kryera vetëm nga hetuesit e Policisë Ushtarake e komprometojnë rëndë këtë hetim. Policia Ushtarake është një strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes në varësi direkte të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Nëse helikopteri është rrëzuar për shkakun se korrupsioni qeveritar në momentin e marrjes në dorëzim të helikopterëve i ka lënë ato larg standardeve të nevojshme dhe pa mjetet e duhura mbrojtëse, atëherë përgjegjësia është e ministres Kodheli. Faji i Mimit është edhe nëse cilësia e karburantit të përdorur nuk ka qenë e duhura dhe rrëzimi ka ardhur nga shuarja e motorëve. Përgjegjësia e ministres është edhe nëse helikopteri është përdorur për të furnizuar me mermer firmën që po dekoron vilën e ministres. Përgjegjësia e ministres është edhe nëse pilotët nuk kanë kryer fluturimet, trajnimet dhe nuk marrë trajtimet e duhura nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes që është më i ulëti në historinë e vendit dhe pjesa që shkon për ushtrinë keqpërdoret nga korrupsioni i skalioneve të kusarëve që kontrollojnë çdo gjë në këtë vend.
Vartësit e Mimit nuk mund të hetojnë Mimin apo shefat e tjerë të lartë të ushtrisë dhe nuk mund të jenë kurrsesi të paanshëm në hetimet që po kryejnë. Prania e ekspertëve francezë dhe largimi i prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme veçse e mjegullon edhe më këtë çështje. Në çdo vend normal të botës, për më tepër anëtar i NATO-s do të ndodhte e kundërta, Prokuroria e Shtetit do të ishte në krye të hetimeve dhe eksperti nga kompania prodhuese do të ishte thjesht për të asistuar ekspertë të pavarur që të hetonin në thellësi dhe detaje çdo provë apo të dhënë që do të ndihmonte në zbulimin e shkaqeve që sollën rrëzimin e helikopterit dhe humbjen e dy pilotëve shqiptarë.
Prokuroria duhet të hetojë mbi këtë ngjarje tragjike, pasi jeta e atyre dy pilotëve nuk mund të kthehet mbrapsht dhe nuk mund të shitet as me gradat që shpërndan Mimi për vartësit e saj, as me llokmat e korrupsionit të pushtetit që po rrëzojnë këtë vend rrëmbimthi në mjerim dhe fatkeqësi. Pse humbën jetën dy pilotët, pse u rrëzua helikopteri nuk mund të hetohet nga Mimi. Kjo bëhet vetëm për fshehur shkaqet dhe përgjegjësinë e Mimit dhe bandës që ka rreth vetes.

Studioja e sheshit, projektoi edhe shtëpinë e Ramës, nën hetim për korrupsion në Belgjikë

Një skandal që ka shpërthyer në Belgjikë me një tender të zhvilluar për studimin e fizibilitetit për realizimin e projekteve në Shqipëri ka nxjerrë në sipërfaqje lidhjet e arkitektëve që janë nën hetim nga autoritetet belge me Edi Ramën. Jo vetëm kaq, por pas këtyre fijeve lidhen edhe familjarë e bashkëpunëtorë të ngushtë të Kryeministrit shqiptar.
Peter Swinnen, drejtues i Qendrës së Arkitektëve flamanë, këshilltar i qeverisë flamane dhe themelues i studios “51N4E” po hetohet për shkak se një tender, sipas nismës “Atelier Albania” të Edi Ramës, ia ka dhënë një miku të tij në konflikt interesi, edhe ai i njohur i Kryeministrit shqiptar.
Swinnen konsiderohet si njeri me lidhje të forta me qeverinë shqiptare për shkak të njohjeve me Ramën. Ai nuk është i lidhur me kryetarin e qeverisë së Tiranës vetëm përmes projekteve publike kur Rama drejtonte bashkinë e kryeqytetit, por edhe me projekte private të tij të kohëve të fundit. “51N4E” është projektuese e vilës së Edi Ramës në fshatin Surrel, rrëzë malit të Dajtit.
Veç projekteve të fituara në Bashkinë e Tiranës, në regjistrat e “51N4E” zbulohet edhe një lidhje familjare mes Peter Swinnen dhe Ramës. Një prej bashkëpunëtorëve të kësaj studioje arkitekturore rezulton të jetë Rea Xhillari, vajza e Linda Bashës, bashkëshortes së Kryeministrit shqiptar. Emri i saj është në listën e mëposhtme që pasqyron skuadrën e “51N4E”.
Veç familjares së Kryeministrit, “51N4E” është e lidhur edhe me një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Anri Sala, një prej miqve më të afër të Ramës (bashkëpunëtor në lyerjen e fasadave të kryeqytetit) ka bashkëpunuar me “51N4E” në projektin për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, sipas projektit belg që Rama synonte të implementonte në Tiranë kur ishte kryetar i bashkisë.
“51N4E” është jo rastësisht edhe projektuesja e kullës shumëkatëshe (TID) të ndërtuar në rrugën “Abdi Toptani” nga një prej miqve të ngushtë të Ramës.
Peter Swinnen u shkarkua nga detyra dhe po hetohet në Belgjikë pasi favorizoi në tenderin për studimin e fizibilitetit të projekteve në Shqipëri studion “Centrum voor Stadsontwikkeling” CVBA, që drejtohet nga Patrick Janssens. “Lapsi.al” zbulon se lidhjet mes tyre të çojnë sërish në Shqipëri.
Janssens, kryetar i Partisë Socialiste flamane në Belgjikë dhe kryetar i Bashkisë së Atnwerpit, kohë gjatë së cilës mendohet se është njohur me Ramën, ka qenë pjesë e jurisë së konkursit për projektin e “Lungomares” – shëtitores së Vlorës.
Ky projekt u fitua nga “XDGA”, e drejtuar nga Xaveer de Geyter. Fijet e lidhjes shtrihen nga Geyter tek “51N4E” e Peter Swinnen, pasi Xaveer de Geyter rezulton të ketë qenë pjesë e komisionit të vlerësimit për projektin e sheshit “Skënderbej”, të hartuar nga “51N4E”. Ai ka qenë edhe redaktor i manualit të “51N4E”.
Swinnen dhe Janssens kishin vendosur të bashkëpunonin më në fund hapur për projektet e “Atelier Albania”, një organizëm në vartësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, i drejtuar nga arkitekti Joni Baboçi. “Atelier Albania” është një “njësi laboratorike” në brendësi të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit të drejtuar nga Adelina Greca. Zonja Greca ka qenë funksionare në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe shefe e Departamentit të Planifikimit në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur ajo drejtohej nga Edi Rama.
Misioni i “Atelier Albania” është: “’Atelier Albania’ do të hartojë procesin për projektet transformuese urbane dhe territoriale në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha ministritë e interesuara, me shoqërinë civile, si dhe të gjithë palët publike apo private me interes të drejtpërdrejtë në zhvillimin territorial dhe atë urban. ‘Aterlier Albania’ do të projektojë dhe koordinojë planin për hartimin e një plani. Ajo do të funksionojë si një platformë e përhershme bashkëpunimi midis ekspertëve vendas, ekspertëve të huaj dhe grupeve të interesit; duke ndërtuar kapacitete në të gjitha nivelet e shoqërisë për sa i përket zhvillimit hapësinor, territorial dhe urban në Shqipëri. ‘Atelier Albania’ do të jetë një instrument për ndërtimin e projekteve dhe për ndërlidhjen e donatorëve me prioritete të vendit dhe me ekspertizën e duhur lokale dhe të huaj”.
Tenderi për të cilin po hetohet kreu i studios belge, i cili ka projektuar edhe shtëpinë e Ramës në Surrel, ishte pikërisht për studimin e fizibilitetit për projektet që mund të zhvilloheshin në bashkëpunim me “Atelier Albania”, që siç shihet drejtohet nga një “besnike” e Ramës.
Kështu, afera e fundit që ka shpërthyer në Belgjikë, ashtu siç thonë tashmë mediat belge, nuk ka qenë e rastësishme. Arsyet që të çojnë në këtë përfundim janë lidhjet e forta që Swinnen ka me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, jo vetëm nga bashkëpunimi i hershëm për projekte të rëndësishme miliona euroshe në Bashkinë e Tiranës apo i atyre në rang kombëtar tani që Rama është zgjedhur Kryeministër, por edhe nga njohja dhe bashkëpunimi me familjarët dhe miqtë më të afërt të kreut të qeverisë shqiptare.

Lidhjet e forta të kompanisë belge me Ramën

Kompania “51N4E” e bashkëthemeluar nga Peter Swinnen, shpallësi i tenderit për nismën “Atelier Albania”, ka qenë një nga kompanitë arkitekturore më të rëndësishme për Ramën. Kjo kompani ka bërë projektin për Sheshin “Skënderbej”, që zgjati për 4 vite me radhë, duke mbajtur peng gjithë trafikun në Tiranë dhe si përfundim nuk u realizua kurrë. Po ashtu, fituesi i tenderit të projektit të “Lungomares” në Vlorë u shpall më 21 shkurt 2014 Xaveer de Geyter me studion “XDGA”. Vetëm disa muaj më pas, në korrik të 2014, u evidentua, se projekti kishte probleme. Xaveer de Geyter ka qenë pjesë e komisionit vlerësues për projektin e Sheshit “Skënderbej” dhe i njohuri Peter Swinnen. Xaveer de Geyter rezulton gjithashtu se ka redaktuar manualin për kompaninë “51N4E”.
Në jurinë ndërkombëtare për seleksionimin e projektit të “Lungomares” ka qenë edhe fituesi i tenderit për nismën “Atelier Albania”, Patrick Janssens. Janssens nuk është një i panjohur për Edi Ramën. Ai duket se është njohur me të gjatë kohës që ka mbajtur postin e kryetarit në Partinë Socialiste flamane në Belgjikë, si dhe kur drejtonte (për shumë vite) Bashkinë e qytetit të Antwerpenit, bashkia më e madhe në vend. Në Shqipëri, studioja e tij ka projektuar edhe të tjera objekte si qendra e biznesit që ngrihet pranë sahatit të Tiranës, pikërisht në rrënjët e hamamit të njohur si objekt kulture. Lidhjet e belgut me Kryeministrin Rama duket se janë edhe personale, pasi është pikërisht Janssens që ka ideuar dhe projektuar shtëpinë e re të Kryeministrit Rama.

Trafikanti në krye të OSHEE në Kurbin

Lekë Tuna është kreu i një grupi kriminal që vidhte dhe trafikonte makina, e pikërisht me Edi Ramën u shpërblye duke u bërë drejtori i OSHEE për Kurbinin. Emërimi u denoncua dje nga Kryetari i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj, i cili përmes një denoncimi për mediat deklaroi se inkriminimi i institucioneve nuk ndalet dhe pasurimi i zyrave me trafikantë vazhdon me të njëjtat ritme.
“Lajme të reja vijnë nga inkriminimi Ramist i zyrave publike. Pas një hetimi të gjatë të Prokurorisë së Shkodrës ky person u arrestua natën e 5 prillit, nën akuzën e trafikimit të mjeteve motorike. Por lajmi po mbahet i fshehtë, dhe megjithëse nën arrest për këtë vepër të rëndë penale, Tuna vazhdon të jetë zyrtarisht kreu i OSHEE për Kurbinin. Inkriminimi i institucioneve nuk ndalet dhe pasurimi i zyrave me trafikantë vazhdon me të njëjtat ritme.
Ndërsa Edi Rama krekoset me represionin ndaj të pamundurve, banda e tij në OSHEE vazhdon të dhunojë qytetarët, vazhdon të shtojë radhët me kriminelë me damkë. Në gjithë Kurbinin, mes qindra të rinjve e të rejave, burrave e grave me integritet e të arsimuar, Edi Rama i vuri gishtin pikërisht këtij vjedhësi dhe trafikanti makinash, kreut të një grupi të strukturuar kriminal, me lidhje dhe me mafian rajonale, për t’i besuar drejtimin e OSHEE”, bëri të ditur Alibeaj.
Ndaj dhe ai bëri thirrje për nisjen pa humbur kohë të ligjit për dekriminalizimin në mënyrë që të nisë spastrimi i politikës dhe administratës publike nga personat e inkriminuar.
“Prandaj dhe pikërisht për këta trafikantë me të cilët ndan pushtetin, me të cilët sundon qytetet dhe i ka sjellë deri në Parlament, Edi Rama nuk e donte dekriminalizimin dhe bëri çdo përpjekje për ta ndalur atë. Prandaj dekriminalizimi është jetik dhe duhet të zbatohet një orë e më parë, që zyrat publike dhe politika të pastrohen nga banditët e Edi Ramës”, tha Alibeaj.

Rama po zvarrit qëllimisht dekriminalizimin

Me nisjen e zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, të gjithë funksionarët, duke nisur nga Kryeministri e deri tek zyrtarët e çdo niveli të administratës publike brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e vendimit janë të detyruar të depozitojnë formularin e vetëdeklarimit pranë organit përgjegjës. Çdo formular vetëdeklarimi regjistrohet me një numër unik identifikimi, si dhe ruhet e dokumentohet në rrugë elektronike. Subjekti që ka lënë mangësi ka dhe një mundësi për ta plotësuar vetëdeklarimin për 5 ditë të tjera. Nëse ai nuk e dorëzon vetëdeklarimin të plotësuar sipas konstatimeve fillestare të strukturës apo personit përgjegjës, ai konsiderohet se nuk e ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit.
Në këtë rast, organi përgjegjës e trajton këtë si refuzim për të deklaruar dhe personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Brenda 3 muajve nga skadimi i afatit, organi përgjegjës për administrimin e formularit të vetëdeklarimit është i detyruar të verifikojë të dhënat e deklaruara nga personi sipas hapave të parashikuar në mënyrë të detajuar. Organi përgjegjës dhe më pas Prokuroria brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, nëse provohet ekzistenca e rekordeve kriminale për funksionarët aktualë, organi përgjegjës zbaton procedurat kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra. Për të ardhmen ligji parashikon që për deputetët, Kryeministrin dhe ministrat jo deputetë dhe të zgjedhurit vendorë, formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Prefekti e kryen këtë për kandidatët në funksione publike që emërohen nga këshillat bashkiakë ose të qarkut.
Kryetari i Kuvendit për drejtues apo anëtarë të organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj që zgjidhen nga Kuvendi. Kështu me radhë çdo organ përgjegjës ka subjektet e veta dhe secili prej tyre krijon një strukturë të posaçme ose cakton personat përgjegjës për regjistrimin, administrimin dhe përpunimin e formularit. Formulari me numër unik identifikimi ruhet dhe dokumentohet elektronikisht. Publikimi i tyre në faqet zyrtare në internet është i detyrueshëm dhe organi përgjegjës brenda muajit mars të çdo viti informon Kuvendin dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për numrin e personave që kanë rezultuar në kushtet e ndalimit apo që nuk kanë dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Por dekriminalizimi ende vijon të mbahet peng nga Rama.

Farsa në PS, dje u mbushën kutitë, sot do të votohet

Deputeti i PS, Ben Blushi deklaroi nga Dibra se referendumi në PS i cili pritet të mbahet sot është një proces i manipuluar, pasi sipas tij, kutitë e votimit janë mbushur një ditë përpara zhvillimit të votimit. Sipas Blushit, në listat e votuesve nuk ka socialistë të vërtetë. Blushi u bëri sërish thirrje anëtarëve të PS-së të bojkotojnë këtë referendum dhe të japin dëshmi për manipulimin e procesit. Një ditë më parë, në një prononcim për gazetarët, në mjediset e jashtme të Kuvendit, deputeti Blushi e cilësoi “Pa-Rama Papers” referendumin e ditës së shtunë, duke sqaruar se këto janë letrat e Ramës me rezultat të trukuar. “U bëj thirrje të gjithën socialistëve në gjithë Shqipërinë që me çdo formë dhe çdo mjet që kanë, me shumë prej tyre unë kam folur në shumë rrethe dhe qytete të Shqipërisë, të bëjnë ç’është e mundur për ta monitoruar këtë referendum ditën e shtunë. Të gjejnë mundësitë për të shmangur manipulimin dhe grabitjen e këtij mandati, që nuk është i imi dhe as i askujt, është mandati i anëtarësisë së PS. U bëj thirrje të kthejnë sytë brenda kutive të votimit, sepse po përgatitet një manipulim i madh, e gjitha është manipulim”, tha deputeti Blushi. “Këto ditë po flitet shumë për të famshmin “Panama Papers”. Ky referendum është “Pa-Rama Papers”, këto janë letrat e falsifikuara nga Rama brenda PS për të grabitur një mandat. Doni fakte? Lista për delegatë u votua në fund të muajit shkurt, ju jap rastin që ka ndodhur në Pogradec, pyesni deputetët e Pogradecit nëse e pohojnë, historia është shumë e thjeshtë 400, 500, 600. Në Pogradec kanë qenë në listën e votuesve të PS 500 anëtarë, morën pjesë 400, në kutitë e votimit dolën 600 fletë votimi. Kjo është historia e votimit në PS”, tha Ben Blushi. Sipas tij, tashmë nuk është e qartë, nëse anëtarësia e PS-së është 94 mijë apo 81 mijë apo 150 mijë. Edhe deputetja siocialiste Mimoza Hafizi e quajti referendumin tentativë për të mohuar votën e anëtarëve të PS dhe mekanizëm për të hequr proçesin e zgjedhjes së kryetarit. “Në këtë kongres u vendos që data e referendumit të jetë 9 prilli në kundërshtim me të gjitha noramt e partisë dhe kodin e zgjedhjeve që përcakton se referendumet nuk mund të mbahen pas dy muaj para kongresit ose jo më parë se 2 muaj pas kongresit. Në këtë referendum është mohuar e drejta e fushatës për alternative të ndryshme. Pra është vendosur që ky referendum të zhvillohet pa asnjë fushatë në kundërshtim me të gjitha normat e një jete demokratike. Ndonëse në kodin zgjedhor është përcaktuar se në alterantivat referendare kanë të drejtë vëzhguesit e tyre në të gjitha nivelet e zgjedhjeve kjo e drejtë është shkelur sepse është mohuar e drejta e pasjes së vëzhguesve të alterantivave. Ky referendum tenton të zëvendësojë procesin e zgjedhjes së kreut të PS. Pra është një referendum që tenton ti heqë  të drejtën e votës dhe kandidimit anëtarëve të PS” u shpreh Hafizi.

Fermerët e Beratit në faliment

farmer on his tractor plowing the field, rural wyoming

Fermerët e qarkut të Beratit vuajnë mungesën e vemendjes së qeverisë ndonëse po kalojnë një periudhë nga më të vështirat. Mungesa e infrastrukturës për bujqësinë, përmbytjet dhe mungesa e dëmshpërblimeve, mungesa e tregut etj, kanë bërë që shumë prej fermerëve të jenë në prag të falimentit. Ne fshatin Goriçan, fermerët kërkuan nga Partia Demokratike që të ngrejë shqetësimin e tyre. “Na kanë premtuar se do u sjellim ujin e pijshëm dhe vaditje. Por deri më sot nuk kemi parë asgjë”, tha një fermer.
“Kemi dy vite që jemi mbytur katër herë. Malli nuk po na shitet dhe para dy vitesh kur ishte Berisha kemi eksportuar në 10 vende. Sot trangulli është 200 lekë kur vjet në këtë kohë ishte 700 lekë. Malli na bllokohet në doganë”, u shpreh një tjetër fermer.
Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji u shpreh se Partia Demokratike do të ngrejë hallin e tyre në çdo forum. Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për braktisjen e fermerëve për të favorizuar një grup të vogël oligarkësh.
“Ju e ndjeni në fshatin dhe komunën tuaj braktisjen totale që i ka bërë qeveria të gjithë zonave në Shqipëri. Kështu siç jeni ju është e gjithë Shqipëria dhe kam qënë në dy javët e fundit pothuaj në gjithë territorin e Shqipërisë. Problematikë është që qeveria nuk vjen siç vimë ne sot. Ne sot nuk vijmë për tu premtuar por vijmë për tu dëgjuar, për ta ngritur shqetësimin tuaj, për ti dhënë zë këtij shqetësimi, për ta çuar atë në institucione, për ta çuar atë në parlament, në media, që të vijnë që tu japim dëmshpërblimin për përmbytjet, që të vijnë e të mos kenë sjellje kriminale, që tregtari fiton më shumë se sa ju që punoni për ditë. Një shtet e ka Rama për të bërë paratë e veta për të bërë 200 milionë euro e vila në Surrel, një shtet e ka Meta, një shtet e kanë banditët që vijnë rreth e rrotull. Ay u japin edhe tendera se ndryshe ku do i nxjerrin lekët ata që u japin bandave dhe krimit?! Do i marrin nga ju dhe djersa juaj. Sepse krimi nuk punon. Kriminelët dua drogë, duan armë, duan qef por nuk duan të punojnë. E kanë gjetur të thjeshtë me Ramën se ua jep paratë që u merr ju”, tha Salianji. Edhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lefter Maliqi u shpreh se demokratët po u qendrojnë afër fermerëve të kësaj zone që po vuan braktisjen e qeverisë.

Masakër në Pyllin e Sodës në Vlorë, pishat priten natën

Një masakër e vërtetë po ndodh në Vlorë, ku persona të paidentifikuar presin pishat në pyllin e sodës gjatë natës. Denoncimi është bërë nga banorët e Vlorës, të cilët shprehen se në pyllin e sodës po bëhet një masakër e vërtetë nën hunën e policisë. Banorët tregojnë se, gjatë natës pemët tërhiqen me litarë nga makinat dhe më pas priten me sharrë. Vlora News ka publikuar edhe disa foto ku duket qartë prerja e pishave në pyllin e sodës. “Shikoni si vazhdon masakra e prerjes së pishave në pyllin e sodës në Vlorë. Pemët janë dënuar me vdekje. Banorët e Vlorës tregojnë se, gjatë natës pemët tërhiqen me litarë nga makinat dhe më pas priten me sharrë…”, shkruhet në faqen e Vlora News.
Personat që kanë prerë pishat nuk janë penguar nga askush. Pishat, pasi priten në trungje, ngarkohen dhe transportoheshin për qëllime personale. Masakra e prerjes së pishave në pyllin e sodës çdo ditë vjen duke marrë përmasa alarmuese. Brenda pyllit janë krijuar hapësira të mëdha boshllëqesh të krijuara nga prerja masive dhe largimi i drurëve nga persona të papërgjegjshëm.
Pylli i sodës në Vlorë po shkon drej shkatërrimit. Janë rreth 5 hektarë pisha të prera vetëm nga ndërtimet pa leje. Pishat janë mbjellë nga viti ‘56 deri në vitin ‘62 nga punëtorë të ndërmarrjeve të ndryshme dhe nxënës shkollash, por po nga dora e njeriut po priten. Ndërtimet janë masakra e fundit dhe e pakthyeshme që po ndodh në këtë zonë dhe ajo që është më shqetësuesja, këto godina janë të ligjshme të pajisura me leje ndërtimi nga KKRRT-ja e Bashkisë. Edhe nga Bashkia e Vlorës konfirmohen prerjet masive në Pyllin e Sodës për t’u hapur më pas sheshe ndërtimi.
Një vit më parë, ishin mbeturinat inerte që po dëmtonin gjithë sipërfaqen e pyllit të sodës. Gjatë verës ishin zjarret në shumicën e rasteve të qëllimshme që zhduken me qindra rrënjë pisha, gjatë dimrit ishin rreshjet dhe erozioni që shkulën nga rrënjët pemët dhe tashmë ky pyll i destinuar për t’u zhdukur po pritet për t’u kthyer në zonë të banuar.
Prerja e pishave në këtë pyll është masive, por ajo çfarë po e dëmton më së shumti këtë pyll është niveli i lartë i ndotjes. Në të gjithë pyllin mund të shohësh masive mbetjesh inerte, goma makinash, prodhime deti e shumë të tjera. Thuajse të gjitha firmat private të zonës së Vlorës mbetjet e tyre i hedhin në këtë pyll, duke krijuar pirgje mbeturinash dhe duke e kthyer këtë pyll në një vendgrumbullim plehrash. Gjë e cila ja ka humbur bukurinë dhe po e shkatërron këtë vend çdo ditë e më shumë.
Deri tani, pylli i sodës cilësohej si mushkëria e qytetit të Vlorës, por tani mund të quhet asgjë tjetër veçse një pyll i degraduar dhe i përfunduar në vendgrumbullimi mbetjesh urbane. Edhe pse gjendja është alarmante në këtë pyll askush nuk merr përgjegjësinë për të ndaluar këtë fenomen shkatërrues.

R.POLISI

Tahiri sulmon gazetarin: Nuk më plas fare kush je ti

Pas dhunës verbale të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me gazetarin e “Zërit të Amerikës” në Shkodër, një tjetër ministër i kabinetit “Rama” përplaset me gazetarët. Bëhet fjalë për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili së fundi ishte për një vizitë në Athinë.
Gjatë takimit me emigrantë shqiptarë, Tahiri i ka kërkuar gazetarit Shpëtim Zinxhira që të mos e xhironte takimin. Fjalët me të cilat i është drejtuar Tahiri gazetarit kanë qenë aspak etike. Vetë gazetari e ka denoncuar ngjarjen në faqen e tij në Facebook.
“Ministër gangster apo rrugaç? Priste një falje nga ministri po më kot, pasi gangsterët nuk dinë të sillen si njerëz, nuk dinë se ç’është edukata dhe personaliteti aq më keq kur janë të veshur në pushtet. Nuk respektojnë moshën edhe pse përballë kanë baballarët e tyre…”, shkruan Zinxhiria.
Më tej, Zinxhira shkruan “kamera u fik në një kohë që ministri kishte humbur toruan dhe po u kthente përgjigje emigrantëve me zë të lartë”. Sipas tij, askush nuk mund ta mohojë këtë incident. Më poshtë pjesë nga debati:
DEBATI
Ministri: Fike atë kamer ti more!
Gazetari: Bëj detyrën!
Ministri: Çfarë je ti?
Gazetari: Jam gazetar, unë punën time ti punën tënde!
Ministri: As më plas fare!
Ambasadori, gazetarit në vesh po deshe fike kamerën…

CDU: PD, alternativa që i duhet Shqipërisë

Deputetët gjermanë do të mbështesin Partinë Demokratike si alternativë që i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve për të sotmen dhe të nesërmen e saj europiane. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim deputetët e Parlamentit gjerman, përfaqësues të partisë së kancelares Angela Merkel, Peter Weiss, Andreas Lämmel, Peter Beyer. Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që CDU po i jep Partisë Demokratike në hartimin e programit elektoral dhe betejën e saj për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike dhe shtetin ligjor.
Një vend të veçantë në bisedën e Bashës me deputetët gjermanë zuri alternativa e Partisë Demokratike dhe standardet e demokracisë në funksionimin e saj. Hartimi i programit, theksoi Basha është paraprirë nga konsultimet intensive me qytetarë në të gjithë vendin, grupe interesi, me ekspertët më të mirë në fushën e ekonomisë dhe financave, si dhe me mbështetjen e ekspertëve të CDU dhe PPE.
Partia Demokratike ka shpallur alternativën e saj qeverisëse për një ekonomi që prodhon, punëson dhe pasuron shqiptarët. Në programin e Partisë Demokratike parashikohen taksat më të ulëta në rajon, përmirësimi i klimës së biznesit, investimet në infrastrukturë, mbështetja financiare për bujqësinë dhe në veçanti përmirësimi i klimës së biznesit, në mënyrë që vendi të bëhet tërheqës për investime të huaja që hapin vende pune.
Programi i Partisë Demokratike do t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, me qytetarët dhe grupet e interesit në mënyrë që produkti final të jetë një program i zbatueshëm që siguron zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët, dhe jo siç ka ndodhur me të ashtuquajturën “Rilindje” që erdhi me një program të mbushur me mashtrime dhe prodhoi një ekonomi në krizë të thellë dhe një shoqëri në depresion.
Një vëmendje e veçantë, theksoi Basha po i kushtohet hapjes dhe ripërtëritjes së Partisë Demokratike përmes proceseve demokratike dhe pjesëmarrëse, të cilat përbëjnë një garanci se standardet demokratike që aplikohen brenda PD do të aplikohen nesër në qeverisjen e vendit. Basha theksoi se me parimin “një anëtar-një votë” janë zgjedhur të gjitha strukturat drejtuese. Po kështu, i njëjti standard është aplikuar edhe me zgjedhjet e drejtuesve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Basha ka theksuar se një model i ri, jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan e më gjerë do të aplikohet për zgjedhjen e kandidatëve të rinj për deputet, duke nënvizuar vendimin e tij për t’i propozuar Këshillit Kombëtar që 35% e kandidatëve për deputetë të jenë të rinj.
Basha ka marrë vlerësimet dhe mbështetjen e deputetëve gjermanë të CDU për lidershipin e demonstruar në këtë standard të ri për demokracinë në Shqipëri, si dhe për betejën për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Deputetët e Bundestagut kanë vlerësuar vizionin e zotit Basha dhe alternativën e tij për zhvillim ekonomik dhe punësim. CDU dhe grupi parlamentar i CDU/CSU, theksuan deputetët gjermanë do të mbështesin Partinë Demokratike si alternativë që i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve për të sotmen dhe të nesërmen e saj europiane.