28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Raportet ndërkombëtare: Korrupsioni i qeverisë ka kthyer Shqipërinë mbrapa

Dy raporte të rëndësishme ndërkombëtare kanë konfirmuar realitetin tronditës në Shqipëri për gjendjen e ekonomisë dhe të demokracisë. Freedom House dhe Dhoma gjermane e Industrisë bashkohen tek një tregues në lidhje me përkeqësimin e situatës në vendin tonë, që është korrupsioni galopant. 56 për qind e bizneseve gjermane e vlerësojnë si negative klimën në vend. Në 1 vit bie me 9 për qind vlerësimi gjerman për Shqipërinë. Të fundit e konsideron biznesi gjerman Shqipërinë, si mundësi investimi në rajon. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku në një deklaratë për mediat, duke iu referuar dy raporteve, tha se faktorë të vlerësuar si pengesë në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacion investimesh janë mungesa e luftës kundër informalitetit dhe korrupsionit, transparencës në tendera publikë, sigurisë ligjore, parashikueshmërisë së politikave ekonomike dhe administratës publike. Nga ana tjetër, Freedom House thotë se Shqipëria është kthyer 12 vite mbrapa në gjendjen e demokracisë, pikërisht në realitetin e vitit 2004. “Korrupsioni, është treguesi më negativ edhe sipas Freedom House. Dhe në fakt, korrupsioni i Edi Ramës dhe oligarkëve të tij është i pranishëm në çdo vendim, në çdo fond, në çdo zyrë publike. Tendera me fitues të përcaktuar ofertuesin me vlerën më të madhe, sa 99% e fondit limit. Sekserë të gërbulur në vjedhje si Kokëdhima që është kthyer në adresën zyrtare të investitorëve. 340 milionë euro të shëndetësisë që u ndanë mes miqsh, ndërkohë që shëndetësia është në ditën më të keqe, pa ilaçe e pa pajisjet bazë. 400 milionë dollarë u vodhën në dogana e tatime vetëm vitin që shkoi. 970 milionë euro dëme në një vit të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Dhe ndërsa hajdutëria rritet, Banka Botërore tregon se 46.2 për qind e familjeve shqiptare janë zhytur në varfëri e jetojnë me jo më shumë se 5 dollarë në ditë”, u shpreh Tabaku. Ajo tha se ky është realiteti dramatik që po konfirmohet çdo ditë edhe nga institucionet ndërkombëtare. “Kjo është oligarkia e korrupsionit e Edi Ramës, që qytetarët e shohin çdo ditë, por tashmë e konfirmuar edhe nga raportet e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare”, tha Tabaku.

PD dënon sulmet e ulëta të Veliajt ndaj Presidentit

Ky njeri që nga mëngjesi deri në darkë punon vetëm për interestat e klientelës së vet, që e ka futur në një kolaps të vërtetë Tiranën, vetëm e vetëm për interesat klienteliste të miqve të tij dhe Kryeministrit të tij, një njeri që përballë 700 milionëve nuk u ndal të gllabëronte të vetmen mushkëri të gjelbër që i ka mbetur për fat të keq Tiranës
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë denoncuar dje abuzimet e kryetarit të Bashkisë, Veliaj dhe kanë dënuar sulmet e ulëta dhe fyerjet e tij ndaj Presidentit të Republikës. Këshilltarët e PD e mbajtën qëndrimin e tyre pranë Kullës së Sahatit, ku aktualisht po hedh shtat një tjetër abuzim i Veliajt me punimet skandaloze që ai po bën mbi simbolin e qytetit. “Jemi sërish me një nga paradokset më të mëdha të qeverisjes vendore. Vijojmë të jemi sërish në shkelje të pastër të zotimit që Veliaj ka marrë përpara qytetarëve, për të qenë administrator i këtij qyteti, por që realisht në këto 8 muaj është shndërruar në masakrues i qytetit si nga pikëpamja urbane ashtu edhe nga ajo ekonomiko-sociale. Masat shtrënguese që ne kemi paralajmëruar me kohë tashmë kanë tronditur të gjithë biznesin në Tiranë, i cili në vetvetë është 50% e biznesit të gjithë vendit. Nga ana tjetër, kemi vandalizimin e paparë dhe krimin e rëndë mjedisor që është kryer jo vetëm tek Liqeni Artificial”, u shpreh Leonard Olli.
Kreu i këshilltarëve demokratë dënoi sulmin e paprinciptë të Veliajt ndaj Presidentit të Republikës. Olli tha se ai po e kthen Bashkinë në vend të pazareve dhe trampolinë për interesat e tij politike. “E pikërisht ky është Erion Veliaj i vërtetë. Vandali i vërtetë. Militanti i vërtetë. Por në vetvete është edhe rilindist i vërtetë pasi nuk ka asnjë lidhje me ata që e besuan brenda Partisë Socialiste dhe jashtë saj. Ky njeri që nga mëngjesi deri në darkë punon vetëm për interestat e klientelës së vet, që e ka futur në një kolaps të vërtetë Tiranën, vetëm e vetëm për interesat klienteliste të miqve të tij dhe Kryeministrit të tij, një njeri që përballë 700 milionëve nuk u ndal të gllabëronte të vetmen mushkëri të gjelbër që i ka mbetur për fat të keq Tiranës, një njeri që po përgatit siç e ka deklaruar edhe vetë, edhe të tjera ndërhyrje në mushkërinë e gjelbërt të Tiranës, sot brenda arrogancës dhe guximit për të mashtruar dhe për të vjedhur, pati kurajon dhe paturpësinë për të sulmuar figurën e Presidentit të Republikës, në vetvete simbolin e unitetit kombëtar.
Deri këtu ka arritur rilindisti Veliaj që të mos pyesë më as për funksionin dhe as për detyrimet që ka dhe as për keqdrejtimin që po i bën Tiranës në këto 8 muaj, as për krimet mjedisore, as për bandën e klientëve të tij dhe të shefit të tij politik Rama që po grabit mushkërinë e qytetit dhe për interesat e betonit që janë të gatshëm të shkatërrojnë gjithçka. Janë këta njerëz që kanë prodhuar këtë produkt që shohim edhe pas nesh, një kullë e meremetuar për të disatën herë, por tashmë e shëmtuar deri në detaje, ashtu siç vetëm ai di të veprojë. Dhe sot pati kurajon të prekë edhe personalitetin e institucionit të Presidentit duke u marrë me individin dhe duke harruar atë që përfaqëson ai institucion i nderuar. Nga ana tjetër, lufta e tij e fshehtë për të marrë kreun e Partisë Socialiste, pasi ata po thyhen dhe janë të destinuar të largohen me votat e shqiptarëve shumë shpejt në zgjedhjet që janë shumë pranë, e detyron të dalë nga betimi që ka bërë para qytetarëve, nga betimi që ka bërë për të drejtuar qytetin e Tiranës, e për këtë ambicie bën sulme politike dhe bëhet palë me krimin e organizuar, palë me mafien e betonit, si mjetet e vetme për të ruajtur pushetin e tij në bashki apo atë që shpejt ai shpreson të marrë në Partinë Socialiste”, u shpreh Olli.

Korrupsioni është komunizmi i ri

Brian Whitmore

Tanket sovjetikë hynë në Budapest dhe Pragë.  Bankat ruse ngritën llogari sekrete “offshore” dhe kompanitë guackë (të dyshimta) blenë tinëzisht ndikimin dhe gëlltitën asetet strategjike nëpër Europë.

Kuislingë në Lindje dhe shokë udhëtarë në Perëndim, në linjën leniniste. Biznese dhe lobe industriale në Lindje dhe Perëndim papagallojnë si Putin. Një rrjet i partive komuniste dhe grupeve të frontit çojnë përpara interesat e Moskës.

Një faqe interneti e korporatave të errëta, marrëveshjet e errëta të energjisë, skemat e pastrimit të parave fusin në grackë elitat e huaja dhe formojnë një paradhomë për Kremlinin.

 E shkuara takon të tashmen

Në shumë mënyra, korrupsioni rus është komunizmi i ri sovjet. Rryshfeti i sponsorizuar nga Kremlini është Kërcënimi i ri i Kuq.

Në Lindje, aleanca e shteteve satelite me stilin socialist sovjet të komandimit të ekonomisë dhe sistemet politike autoritare është zëvendësuar me një grupim kleptokracie të stilit rus të ekonomive të kapitalistëve-miq dhe me qeverisje jo-fuksionale.

Dhe përpjekjet e Bashkimit Sovjetik për të shkatërruar Perëndimin me fuqinë e një ideje i kanë hapur rrugën Rusisë së Vladimir Putin që të kërkojë ta korruptojë atë duke e joshur me para.

Sa më shumë ndryshojnë gjërat, aq më shumë qëndrojnë të njëjta

“Kremlini nuk ka nevojë të jetë lideri suprem i një blloku të kombeve të Paktit të Varshavës; në vend të kësaj mund të përkeqësojë ndarjet ekzistuese, të shkatërrojë institucionet ndërkombëtare dhe të ndihmojë në krijimin e një bote ku të lulëzojë forma e vet e autoritarizmit të korruptuar”, shkruajnë Peter Pomerantsev dhe Michael Weiss në raportin e tyre “Kërcënimi i Irealitetit: Si po e armatos Kremlini Informacionin, Kulturën dhe Paranë” që po qarkullon gjerësisht.

Kapja e elitave

Bashkimi Sovjetik u përpoq ta përhapë komunizmin dhe të krijojë një bllok të kombeve besnikë të Moskës. Rusia e Vladimir Putinit kërkon për të përhapur modelin e saj të korruptuar të biznesit për të krijuar një bllok të vendeve të varura nga Kremlini.

Bashkimi Sovjetik shqetësohej së pari për fqinjin e tij, Europën Lindore, por gjithashtu shpresonte që ta përhapte modelin e tij socialist edhe më tej.

Rusia e Putin po fokusohet tek fqinji i saj i afërt, ish–BRSS, por ka vendosur të shtyjë përpara më larg edhe kleptokracinë.

Ajo ka përdorur skema të dyshimta të energjisë me struktura të errëta të pronësisë, si RosUkrEnergo, EuralTransGas dhe Moldovagaz, si karrem për të kapur elitat në ish–shtetet sovjetike si Ukraina, Bjellorusia dhe Moldavia.

Në Perëndim, Kremlini ka zhvendosur kompanitë guacka si Vemex, një kompani tregtare me një strukturë të errët pronësie që të çon te Gazprom, që ka  kapur rreth 10–12% të tregut të energjisë në Çeki.

Kremlini ka përdorur artin e marrëveshjeve të korruptuara për të krijuar marrëdhënie padron-klient edhe përtej kufijve të Rusisë.

“Gazprom, me mbështetjen e heshtur të Kremlinit, ka ndërtuar mbi 50 kompani ndërmjetëse, të lidhura fshehurazi me të dhe i ka shpërndarë në të gjithë Europën”, thotë analisti i energjisë Roman Kupchinsky, ish–drejtor i RFE/Shërbimit RL të Ukrainës, në një dëshmi përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin Amerikan, në qershor 2008.

Kupchinsky përmendi grupin me bazë në Vjenë, Centex, që është në pronësi të një kompanie Holding me bazë në Qipro dhe të kompanisë RN Privatstiftung në Austri, sikundër edhe rrjetin Gazprom në Gjermani.

Fronte të tilla, shtoi ai, “nuk shtojnë ndonjë vlerë për çmimin e gazit rus që po shitet në tregjet europiane, por ata përfitojnë shuma të mëdha parash, të cilat zhduken përmes kompanive guackë në Qipro dhe në Lihtenshtajn”.

Kupchinsky i tha gjithashtu komitetit se, “në Hungari, kompani hije që dyshohet të kenë lidhje me krimin e organizuar dhe Gazprom kërkojnë të kontrollojnë segmente të shumta të shpërndarjes së gazit dhe të biznesit të prodhimit të energjisë”.

 “Kjo është historia e një pushtimi”

Ka gjithahtu të dhëna se Putin ka rekrutuar disa anëtarë të rrjetit të tij të vjetër të shërbimeve sekrete në Stasin gjerman për të ndërtuar kompani në mbarë Europën.

Një investigim i gazetarit gjerman Hans-Martin Tillac, në shtator të vitit 2007, zbuloi se si Gazprom në Gjermani ishte “si një klub për ish- anëtarët e shërbimit të sigurimit të Gjermanisë Lindore”.

“Kjo është historia e një pushtimi. Një fushatë masive, e planifikuar mirë shumë më parë. Shtabi Qendror është vendosur larg në lindje, në Moskë, kryeqytetin e Rusië. Shënjestra është Gjermania-dhe pjesa tjetër e Europës Perëndimore”, shkruante Tillack.

“Por historia e këtij pushtimi është mbushur me ish-oficerë të Stasit dhe figura në hije. Është historia e kompanive të postës që s’kanë as kuti postare, të kompanive të strehuara brenda kompanive. Përshtypja kryesore? Ata po fshehin rrjedhjen e fondeve”.

Por ky është një pushtim, në të cilin shumë elita në Perëndim janë me dashje – ose në mënyrë të paqëllimtë – pjesëmarrës.

“Pranim i heshtur i korrupsionit rus, me fonde të paligjshme që pastrohen rregullisht në të gjithë Perëndimin, punë në favor të Kremlinit si brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në raportin e Pomerantsev dhe Weiss.

“Nëse premisa e idesë neoliberale të globalizimit është se paraja është politikisht neutrale, se ndërvarësia do të jetë një impuls drejt afrimit dhe se tregtia ndërkombëtare sublimon dhunën në harmoni, pikëpamja ruse mbetet më së miri merkantiliste, me para dhe tregti që përdoren si armë dhe me ndërvartësi që përdoret si një mekanizëm për agresion”.

Komunizmi, pavarësisht nga gabimet e tij, u përpoq të apelojë idealet universale të njeriut dhe aspiratat. Por në praktikë, ai shkonte kundër natyrës njerëzore.

Korrupsioni thërret instiktin më të ulët njerëzor dhe më universalin – lakminë. Dhe fatkeqësisht është shpesh në harmoni me natyrën njerëzore –çka e bën Kërcënimin e ri të Kuq potencialisht më të rrezikshëm dhe  më të fshehtë se kërcënimi i vjetër.

Korrupsioni nuk është vetëm një çështje e qeverisjes së mirë më. Tani ai është një çështje e sigurisë kombëtare dhe duhet trajtuar si e tillë.

Kush është “Porta” e xhihadit në Europë?

Bret STEPHENS

 

Vite më parë zhvillova një bisedë me 3 të rinj myslimanë, teksa prisnim në një sallë në Aeroportin “Hithrou” për të udhëtuar drejt Islamabadit. Isha duke shkuar në Pakistan për të raportuar mbi pasojat e një tërmeti shkatërrues në Kashmir. Ata ishin duke shkuar atje për të bërë atë që e cilësuan si “punë bamirëse”.

Qenë veshur me veshjet tradicionale pakistaneze, me mjekrat e tyre në stilin salafist dhe të folurën me theksin e jugut të Londrës. Unë u përpoqa ta mbaj bisedën tek tërmeti. Ata donin të flisnin për politikë. A e kisha parë dokumentatin e Majkëll Mur “Fahrenheit 9/11”? Iu shmangia dhënies së një opinioni në lidhje me një film që ata qartazi e vlerësonin.

E vërteta e pazbukuruar mbi Amerikën – nga një amerikan. Autoriteti dhe origjinaliteti i mbështjellë në një. Mendoj se për atë bisedë, sa herë që del në pah ndonjë subjekt i radikalizimit islamik. Ekziston një marrëveshje e madhe e literaturës në lidhje me atë se si të rinjtë myslimanë shpesh të lindur në Perëndim, në gjirin e klasës së mesme dhe jo veçanërisht në familje fetare – kthehen sytë nga xhihadi.

Mendoni për një moment për Muhammed Emvazin, i diplomuar në Universitetin e Uestminsterit, i njohur më vonë si xhihadisti Xhon. Ose Majorin Nidal Malik Hasanin, e ngjarjes famëkeqe në bazën ushtarake amerikane Fort Hood. Ose Naxhim Lashrauin, i cili kishte studiuar për inxhinieri elektrike në Universitetin prestigjioz Katolik të Luvenit në Belgjikë, para se të hidhte veten në erë muajin e kaluar në Bruksel. Ose vëllezërit Carnaev në Boston, dhe Sajed Farukun në San Bernardino të Kalifornisë.

Është një listë e gjatë. Dhe në shumë raste, hetuesit janë në gjendje të identifikojnë një agjent të radikalizmit. Majori Hasan mbante lidhje online me klerikun ekstremist Anvar Al-Aulaki. Lashraui duket se u ra nën ndikimin e një predikuesi në Molenbek, të quajtur Kalid Zerkani. Vëllezërit Carnaev morën këshilla për ndërtimin e bombës nga “Inspire”, një revistë në internet në gjuhën angleze, e publikuar nga dega e Al-Kaedës në Jemen.

Por ndikimi i Aulakëve të botës, s’mund të shpjegojë deri në fund mendësinë e këtyre xhihadistëve. Ata janë edhe bijtë e Perëndimit të arsimuar në shkollat e multikulturalizmit, të ngritura mbi veprat e Noam Comskit dhe ndoshta Franc Fenonit, konsumatorë të një diete të rëndë lajmesh, me raportet e pabesisë nga ushtarët amerikanë ose britanikë apo izraelitë.

Nëse islamizmi është medikamenti i tyre ideologjik i zgjedhur me dëshirë, ortodoksitë politike të  së majtës moderne janë porta e tyre drejt xhihadit. Merrni çështjen më të fundit të trajtuar tek “Inspire”. Një përzierje fotosh, për të treguar hapat e ndërtimit të një granate dore të sinkronizuar në kohë, dhe një analizë të masakrës në Charlie Hebdo. Ka ndërkaq një artikull të gjatë mbi shtypjen e zezakëve në Amerikë, duke filluar me vrasjen në Ferguson të adoleshentit Majkëll Braun.

Çështja e ‘Pranverës 2013’, përmban një “mesazh për kombin amerikan” nga komandati i Al-Kaedës, Qazim Ar-Reimi në të cilin ai pyet nëse “ndërhyrja në punët tona dhe instalimi i agjentëve dhe lakejve në shërbim të tiranëve, që do të thotë se ju doni ata që vrasin dhe shtypin, është diçka e falshme?”

“Na lini rehat me fenë, tokën dhe kombet tona, dhe merruni me çështjet tuaja të brendshme”, shkruan komandanti tashmë Emir. “Shpëtoni ekonominë, kujdesuni për shqetësimet tuaja, që të jeni më mirë se momentalisht”. Kjo nuk është gjuha e Islamit, me traditën e tij mbresëlënëse të pushtimit. Kjo është gjuha e të majtës progresive, të asaj që Xhejn Kirkpatrik e cilësoi në Konventën Republikane të 1984, si turmën e “Fajësoni më së pari Amerikën”. Ajo i përshtatet pikëpamjes të së majtës mbi Perëndimin si mëkatari shumëvjeçar dhe për pjesën tjetër të botës, si viktima e saj e vazhdueshme.

Kjo është gjuha e kthimit të faqes mbi një dekadë lufte, të përqendruar në ndërtimin e kombit në shtëpi. Ajo deklaratë na duket si radikale, vetëm për shkak se vjen nga pena e një terroristi. Nëse do të ishte shfaqur si një editorial në “The Guardian”, do të merrte miratimin dhe përshëndetjet e shumë lexuesve, një ngritje supesh shpërfillëse nga të tjerët, por në çfarëdolloj rasti asnjë kundërshti të zëshme.

Në fillim të viteve ‘90 ish-kolegu im gazetar Tomas Frenk, artikuloi frazën e zgjuar “rehatizimi i mospajtimit”, për të shpjeguar se si kapitalizmi i ka kthyer të gjitha llojet e besimeve kundërkulturore dhe ideve radikale thjesht në një produkt çfarëdo të paketuar në një kuti, për t’u shitur dhe shpërndarë përmes kanaleve të zakonshme.

“Fahrenheit 9/11”, mund të ketë qenë një zbulim politik apo edhe një thirrje për të armatosur disa myslimanë të rinj ndikueshëm nga Tower Hamlets, por në Hollivud dokumentari arkëtoi 222.5 milionë dollarë. Kjo e bëri atë një triumfues në tregun e ideve, dhe cili mund të kundërshtojë këtë? Rehatizimi i mospajtimit mund të ketë efektin e ashpër të ndikimit të të gjitha llojeve të koncepteve ekstreme.

Por ajo mund të na bëjë të shurdhër ndaj ekstremizmit të tyre, duke na lënë të habitur kur dikush kalon nga idetë tek veprimet konkrete. Katarsisi i dhunës duket si një ide interesante në faqet e “Të varfërve të Tokës”. Në praktikë, rezultati është dhjetëra të rinj të vrarë në një sallë koncertesh në Paris.

Ne jemi duke u bërë dembelë në të menduarit tonë rreth Islamit dhe Perëndimit. Çështja nuk është nëse Islami i praktikuar nga Al-Kaeda apo ISIS-i është “radikal”, apo thjesht tradicional. Por nëse Perëndimi mund të njohë faktin se nihilizmi moral i Xhihadistit të sotëm Xhon, është pasojë logjike e relativizmit moral, e cila duket se është feja e parapreferuar e Perëndimit të sotëm.

Maqedonia në prag të destabilizimit

Në Maqedoni opozita filloi protestat, duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit Gjorgje Ivanov, pas vendimit të këtij të fundit për të ndërprerë hetimet lidhur me skandalin e përgjimeve. Opozita e ka quajtur vendimin e presidentit një “grusht shteti”.

Presidenti Ivanov u tha gazetarëve të martën në mbrëmje se vendimi i tij synonte t’i jepte fund “agonisë politike në të cilën ndodhej vendi prej një viti” për shkak të skandalit të përgjimeve. Opozita akuzon ish-qeverinë e kryeministrit Gruevski për përgjimin e mbi 20 mijë zyrtarëve dhe ka bërë publike një pjesë të përgjimeve. Vendimi i Presidentit duket se e ka acaruar më tej krizën në këtë vend.

Vendimi i Presidentit Ivanov për të mbyllur hetimet, për një prej skandaleve politike  më të rënda të këtij vendi, u kritikua me forcë edhe nga Bashkimi Evropian që e quajti atë një veprim që bie në kundërshtim me shtetin ligjor.

Gjatë një konference për mjetet e informimit Presidenti Ivanov tha se, vendimi i tij është i bazuar në Kushtetutën e vendit dhe se këtë të drejtë do ta përdorte me qëllim të ruajtjes së interesave shtetërore dhe nacionale, por dhe që të ndihmojë për dhënien fund krizës politike, e cila sipas tij, rrezikon ta dëmtojë seriozisht vendin.

Udhëheqësi i opozitës Social Demokrate, Zoran Zaev, që ngriti i pari akuzat e përgjimeve, tha se ky vendim i presidentit do ta çojë vendin në buzë të greminës dhe ai është praktikisht një grusht shteti. Zoti Zaev bëri thirrje për dorëheqjen e presidentit dhe për fillimin e protestave.

Qindra protestues u mbodhën më pas para selisë së partisë VMRO  për të kërkuar dorëheqjen e presidentit. Përmes një deklarate, Komisioneri i BE për marrëdhëniet me vendet që aspirojnë të anëtarësohen, Johannes Hahn u shpreh se një vendim i tillë vë në dyshim besueshmërinë e zgjedhjeve si dhe forcimin e marrëdhënieve me BE dhe NATO-n.

Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës pas skandalit të përgjimit. Skandali do të hetohej nga një prokuror i posaçëm dhe ish-kryeministri Gruevski ra dakort që Maqedonia të zhvillojë zgjedhje të parakohshme, të cilat janë planifikuar për në qershor.

Parlamenti i vendit u shpërnda javën e kaluar, por opozita theksoi se do t’i bojkotojë zgjedhjet, pasi nuk janë përmbushur kushtet për të cilat u ra dakort në marrëveshje që zgjedhjet të jenë të lira e të drejta.

Presidenti Ivanov është aleat i ish-kryeministrit Gruevski, i cili e mbështeti atë të zgjidhej në këtë post.

Presidentja e Brazilit do gjykohet për korrupsion

Një komision parlamentar në Brazil ka rekomanduar që  Presidentja Dilma Rouseff të përballet me akuza për korrupsion. Nëse ky propozim merr vota të mjaftueshme, atëherë ajo do të përballet me një gjykim në Senatin brazilian, i cili do të vendosë nëse ajo duhet shkarkuar apo jo.

“Ka tregues të mjaftueshëm se ajo ka kryer shkelje që mund të përkufizohen edhe si akte penale”, thotë Jovair Arantes, deputet brazilian.

Komisioni votoi me shumicë në favor të rekomandimit, të cilin do t’ia dërgojë tani Dhomës së Ulët të Parlamentit. Nëse aty miratohet me 2/3-at e votave, atëherë Presidentja Rousseff do të gjykohet në senat.

Dhoma e Ulët pritet të votojë brenda një jave dhe studiuesit politikë thonë se, rezultati duket shumë i ngushtë për t’u parashikuar.

Zonja Rousseff akuzohet se, pati fshehur të dhënat e gjendjes së rëndë të ekonomisë së Brazilit për të siguruar rizgjedhjen e saj në vitin 2014.

Mbështetësit e saj thonë se, këto akuza janë pjesë e një puçi të organizuar nga zëvendëspresidenti, Michel Temper, i cili i është bashkuar kampit në favor të gjykimit të saj. Por, edhe ai vetë do të përballet me të njëjtat akuza me të cilat po përballet zonja Rousseff.

Zëvendëspresidenti Temer tha dje, se është qarkulluar gabimisht teksti i një fjalimi që ai do të mbante për publikun, ku ai tingëllon sikur të jetë bërë president që tani. Zoti Temer këmbëngul se, në tekst nuk ka asgjë të re nga çka ai ka thënë në të kaluarën.

Benzema zyrtarisht jashtë Europianit

Karim Benzema i thotë lamtumirë europianit që do të zhvillohet pikërisht në vendlindjen e tij, Francë. Ishte vetë sulmuesi i Realit të Madridit që e konfirmoi i pari mungesën e tij në këtë event nëpërmjet një postimi në Twitter, duke i paraprirë zyrtarizimit të këtij vendimi nga Federata franceze e Futbollit.

“Fatkeqësisht për mua dhe për të gjithë ata që më kanë mbështetur, nuk do të grumbullohem për Europianin tonë në Francë”, shkruante në profilin e tij 28-vjeçari, i përfshirë në shantazhin që iu bë shokut të tij në kombëtare, Mathieu Valbuena.

Kohët e fundit ishte folur për pranimin e tij te skuadra e Dechamps, por menjëherë u shtuan zërat që i kërkonin trajnerit të “Bluve” për të mos e grumbulluar në Europian. Madje edhe Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ishte shprehur kundër. Ndërsa Federata franceze nëpërmjet një komunikate zyrtare, sqaroi vendimin e saj për të mos pranuar rikthimin e Benzema në kombëtare.

“Nga pikëpamja juridike, nuk ekzistojnë pengesa për grumbullimin e lojtarit në kombëtare. Por paraqitja sportive nuk është i vetmi faktor që duhet marrë në konsideratë. Vlen edhe uniteti, ruajtja e grupit dhe sjelljet korrekte. Për këtë arsye Presidenti i Federatës, Noël le Graët dhe trajneri Didier Deschamps, kanë vendosur në unitet të plotë që Benzema të mos përfshihet në listën e lojtarëve që do të luajnë në “Euro 2016””.

Broki nis aventurën

Kristian Broki, trajneri i ri i Milanit, u prezantua në Milanello nga administratori i deleguar i kuqezinjve, Adriano Galliani, i cili theksoi se kjo zgjedhje është bërë për të mirën e klubit dhe se do të jenë rezultatet ato që do të mund ta konfirmojnë 40-vjeçarin edhe për sezonin e ardhshëm. Ndërsa vetë Broki në fjalën e tij premtoi se do të bëjë më të mirën në drejtim të Milanit, duke i mëshuar fort kulturës së punës, e cila më pas do të sjellë rezultatet.

“Nuk kam frikë se do të digjem. Me shumë përulësi dua që t’ia përçoj idetë e mia të lojës kësaj skuadre. Nuk iu premtoj se do t’i fitojmë shtatë ndeshjet e ardhshme, por thjesht dua që futbollistët e mi të japin 110%. Sigurisht që nuk është e lehtë të bësh gjithçka brenda pak ditësh, por po mundohem që lojtarët t’i kuptojnë idetë e mia”, u shpreh Broki.

Praktikisht, Broki ka vetëm dy muaj kontratë, por ky fakt nuk e vë aspak nën presion. “Në karrierën time si futbollist, aspektin ekonomik dhe kontraktual e kam vendosur në plan të dytë. Nuk më intereson t’i kem shpatullat e ngrohta nga një kontratë, por e mira e Milanit. Nëse gjërat do të shkojnë keq, do të di ta nis nga e para me përulësi, por unë dua të jem trajner i Milanit edhe për sezonin e ardhshëm”, tha trajneri i ri i Milanit.

Por cili është modeli i trajnerit të cilin kërkon të ndjekë Broki? “Në karrierën time kam patur fatin të punoj me trajnerë shumë të mirë. Ata nga të cilët kam mësuar më shumë janë Prandelli dhe Ancelotti. Tani është momenti të shfrytëzoj mësimet që kam marrë prej tyre”, tha Broki.

Trajneri i ri italian e fitoi simpatinë e presidentit Silvio Berlusconi falë stilit të lojës që aplikoi te të rinjtë. Objektivi i Brokit është kualifikimi në Europa League, nëpërmjet kampionatit, që skuadra të jetë me mentalitetin e duhur në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit.

Me ndryshimin e trajnerit, Milani i Silvio Berlusconi-t po ndjek një kurs të ri, diçka që nuk ishte regjistruar për afro tri dekada. Nga Allegri, për të vazhduar me Seedorf dhe Inzaghi-n, e së fundmi Mihajloviç. Nga janari i vitit 2014, kuqezinjtë kanë shkarkuar nga detyra plot katër trajnerë. Një ndryshim tendence me kuptimin e plotë të fjalës. Kjo edhe duke u nisur nga fakti që deri në largimin e Allegrit, presidenti Berlusconi kishte shkarkuar vetëm katër trajnerë në 28 vjet në krye të klubit.

Ata ishin Liedholm, Tabarez, Zaccheroni dhe Terim. Për momentin, trajnerët nën kontratë me “Djallin” janë po katër: Seedorf, Inzaghi, Mihajloviç dhe i fundit është Broki, i cili bëhet edhe trajneri i tretë debutues te kuqezinjtë. Gjithçka nisi më 25 janar 2014, kur i ndikuar edhe nga e bija, Barbara, Silvio Berlusconi shkarkoi Allegrin pas humbjes 4-3 në fushën e Sassuolo-s. Prej aty erdhi zgjedhja e Seedorf, që edhe pse e mbylli sezonin me mjaft pikë të fituara, kishte debate me disa lojtarë dhe klubin.

City për herë të parë në gjysmëfinale

Manchester City për herë të parë arriti gjysmëfinalet e Champions, pasi mundi 1-0 në ndeshjen e kthimit PSG, dhe me rezultat të përgjithshëm 3-2 arriti të kalojë më tej. Në pjesën e parë, Aguero humbi një 11-metërsh, por gjithsesi nuk ndikoi në kualifikim, pasi në të 76-ën De Bruyne shënoi golin e fitores. PSG pa t’i anulohej një gol me Zlatan Ibrahimoviç në minutën e 85-të për pozicion jashtë loje. Për parizienët ky ishte sezoni i katërt radhazi që eliminohet në çerekfinale.

Manchester Cty ka mposhtur 1:0 PSG për të kaluar për herë të parë në histori të skuadrës në gjysmëfinale të Ligë së kampionëve. Kevind de Bruyne shënoi golin e fitores në minutën e 76’, gol ky i historisë. City në gjysmëfinale kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 3:2, pasi ndeshja e parë në Paris kishte përfunduar baraz 2:2.

Trajneri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini ka thënë se ata ishin skuadër më e mirë se PSG dhe merituan të kualifikohen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. “Ne luajtëm më mirë se PSG dhe kemi shumë besim se mund të luajmë kështu edhe kundër cilitdo kundërshtarë tjetër në gjysmëfinale”, tha Pellegrini pas ndeshjes.  “Në dy edicionet e fundit ishim të pafat, pasi luajtëm kundër Barcelonës, por këtë edicion jemi përmirësuar kundër Dynamos dhe PSG”.

Reali i Madridit dhe Man.City janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të UEFA Champions League. Los Blancos përmbysën humbjen 2-0 të ndeshjes së parë ndaj Wolfsburg duke konfirmuar se në “Santiago Bernabeu” janë një makineri golash. Skuadra e Zidane fitoi 3-0 në sfidën e kthimit me Cristiano Ronaldon që ishte protagonisti i madh i takimit me 3 gola, që e konfirmojnë dhe si kryegolashënues të këtij kompeticioni me 16 finalizime. Goli i parë ishte mjaft i thjeshtë me portugezin që thjesht shtyu topin në rrjetë, ndërsa në të dytin goditi saktë me kokë pas një harkimi të Kroos nga këndi. Ndërsa goli i kualifikimit ishte i tëri i tiji duke i dhënë dhe përmbysjen që në kohën e rregullt Los Blancos, duke barazuar dhe rekordin e Mesit me 5 tregolësha në këtë kompeticion.

Ronaldo, numri 1

Real Madridi ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve fal het-trickut të Cristiano Ronaldos. Ky i fundit i shënoi tre gola në ndeshjen ndaj Wolfsburgut për t’i mundësuar Los Blancos të ëndërrojë triumfin në Champions këtë sezon. Kjo është hera e gjashtë me radhë që Real Madrid kualifikohet në gjysmëfinale, rekord ky në Ligën e Kampionëve.

Cristiano Ronaldo ishte heroi i Real Madridit në ndeshjen ndaj Wolfsburgut, në takimin e kthimit të çerekfinale së Ligës së Kampionëve. Portugezi, me hat-trickut ndaj ekipit gjerman i dhuroi Los Blancos kualifikimin në gjysmëfinale të garës më prestigjioze evropiane. Ai ka arritur që të realizoi 46 gola në 42 ndeshje të zhvilluara deri më tani këtë sezon.

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka thënë se Cristiano Roanldo është lojtari më i mirë në botë. Portugezi shënoi het trik në fitoren 3:0 të Realit kundër Wolfsburgut. “Kjo është dita për të festuar. Ronaldo është një lojtar special, i cili bën diferencën. Ronaldo tregoi se kush është, ai është lojtari numër 1 në botë”, tha Zidane. Në fund ka vend dhe një krahasim ndërmjet Ronaldo portugezit dhe atij brazilian: “Janë të dy lojtarë shumë të fortë, dy fenomenë”, u shpreh Zidane në përfundim të ndeshjes.

Kapiteni i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është shumë i lumtur që skuadra e tij është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ai tha se, këtë e kanë dhuratë nga Ronaldo, i cili e meritoi një natë si kjo. “Ronaldo e ka merituar një natë kaq magjike. Na ka shpëtuar nga eliminimi”, tha Ramos pas ndeshjes.

Mbrojtësi i Real Madridit, Marcelo ka thënë se askush nuk mund të dyshoi në Cristiano Ronaldo.

Portugezi shënoi tre gola në fitoren 3:0 të Realit kundër Wolfsburgut, duke kualifikuar skuadrën e tij në gjysmëfinale. “Ka qenë një natë fantastike. Nuk mund të ia arrinim këtij rezultati pa ndihmën e tifozëve. Në net të tilla vuan, por tashmë askush nuk mund të dyshoi në Cristiano Ronaldon”, tha Marcelo.

I entuziazmuar është shfaqur edhe Karim Benzemea. “Real Madridi nga asgjë mund të fitojë dy trofe këtë sezon: Ligën e Kampionëve dhe La Ligën. Kështu mendon sulmuesi i Los Blancos, Karim Benzema. Real Madridi është vetëm katër pikë larg Barcelonës në La Liga, derisa mbrëmë ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. “Jam shumë i lumtur jemi kualifikuar në gjysmëfinale. Ishte një natë e madhe”, ka thënë Benzema pas ndeshjes ndaj Wolfsburgut. “Ne jemi shumë të lumtur, pasi ajo ishte një lojë e vështirë. Ne jemi një ekip me shumë lojtarë të mirë dhe ne do të luftojmë deri në fund. Ne do të mundohemi ta fitojmë Ligën e Kampionëve dhe La Liga”, ka deklaruar francezi.