22.5 C
Tirana
E enjte, 5 Qershor, 2025

“Panama Papers” po ndihmojnë kandidaturën e Sanders në SHBA

Matthew Turner

Për disa amerikanë, Hilari Klintoni është mishërimi i një elite globalem që përfiton prej skemave të shmangies së taksave. Bernie Sanders, kundërshtari i saj, është antiteza.
Zbulimi se të pasurit dhe të pushtetshmit po fshehin para në parajsa fiskale jashtë vendeve të tyre nuk është befasues. Megjithatë, përmasa e 11.5 milionë dokumentave të dalë prej kompanisë panameze Mossack Fonseca, ka shkaktuar një furtunë dhe ka rikthyer në agjendë problemin e drejtësisë së taksimit. Me shumë gjasë, Panama Papers është vetëm maja e ajsbergut, dhe nëse zbulohen të tjera gjëra për punët financiare të udhëheqësve botërorë, pasojat për politikën globale do të jenë shumë të mëdha.
Zgjedhjet primare mes demokratëve në SHBA janë karakterizuar nga rritja e zemërimit ndaj elitës globale. Skandali i Panama Papers vetëm sa do të rrisë indinjatën popullore ndaj veprimeve të figurave të establishmentit – atyre që kanë ndenjur duarkryq dhe kanë lejuar të ndodhë kjo gjë.
Ndonëse deri në këto momente nuk ka patur “viktima” amerikane pas daljes së dokumentave, të gjithë kandidatët presidencialë do të pyeten për skandalin. Dhe askush nuk do të gjendet në më shumë presion, se sa Hilari Klintoni, ajo është mishërimi i “elitës globale”, ndërkohë që Bernie Sandersi është antiteza.
Rrjedhja e madhe e dokumentave ekspozon qeveritë përreth globit që me vetëdije injorojnë shmangien e taksave prej të pasurve. Ndonëse Klintoni nuk është lidhur me asnjë transaksion pas rrjedhjes së dokumentave, ka një ndjesi se ajo është mes elitës së të pasurve, disa prej atyre anëtarëve pra, që kanë përfituar prej skemave të tilla.
Eshtë zbuluar se Clintoni nxiti Marrëveshjen e tregtisë së Lirë me Panamanë, në të njëjtën kohë që Sandersi e kundërshtoi me forcë, duke cituar studime që thoshin se ajo do të kufizonte aftësinë e qeverisë për t’iu kundërvënë në raste aktivitetesh të paligjshme. Edhe nëse Klintonët mbeten të papërmendur në dokumentat e ardhshme, Sandersi mund të vazhdojë të shfrytëzojë narrativën që Klintoni është pjesë e demografisë përgjegjëse, dhe se ka asistuar abuzimet flagrante përmes marrëveshjeve tregtare.
Ndërkohë që duket se skandali do të shtrihet në kohë, tani ka gjithnjë e më shumë gjasa që votuesit e pavendosur do të priren drejt Sandersit në primaret e ardhshme, duke përfshirë Nju Jorkun. Në zgjedhjet e përgjithshme, e kaluara Donald Trumpit me shmangien e taksave do ta lërë të ekspozuar shumë, përballë të kaluarës tejet të pastër të Sandersit. Ai është madje i vetmi kandidat që përmend 1 përqindëshin kundrejt 99 përqindëshit. Nëse siguron kandidimin, sondazhet e tanishëm tregojnë se do të fitonte edhe kundër Trumpit.
Por më shumë se betejë kandidatësh, kjo është betejë idesh.
Sa më gjatë të zgjasë ky skandal, aq më mirë do të jetë për Bernie Sandersin. Dhe nëse më shumë skelete në sirtarin e Klintonëve shohin dritën, kjo do ta parashutonte Bernie Sandersin në Shtëpinë e Bardhë.

Fitorja e radhës
Sanders doli fitimtar ditën e martë në zgjedhjen e kandidatëve demokratë në Wisconsin, duke e vazhduar kështu radhën e fitoreve kundrejt Hilari Klintonit. Gjatë fjalimit të fitores nga Wyoming, Sanders tha se kjo ishte një arritje shumë e madhe dhe argumentoi përse ishte një kandidat më i fortë se Klinton për president.
“Jemi duke mposhtur Trampin me shifra tepër domethënëse”, tha ai për kandidatin deri tani kryesor të republikanëve, përpara se të vinte në shënjestër klasën e bilionerëve që ishin duke financuar me para fushatat e tjera. “Po, mund ta ndryshojmë status kuonë, kur mendojnë gjëra të mëdha dhe kur kemi vizion”, tha Sandersi. “Unë nuk jam naiv, e njoh mirë pushtetin e Wall Streetit  dhe furnizimet e tyre të pashtershme të parave”.
Klinton postoi në Twitter urime për fitoren e Sanders duke shtuar: “për të gjithë votuesit dhe vullnetarët që dhanë zemrën e tyre në këtë fushatë: Përpara!” me këtë fitore të madhe, Sanders ka futur në xhep plot gjashtë nga shtatë betejat e mëparshme edhe pse e ka kaluar me shumë pak kandidaten tjetër rivale.
Megjithatë, duket se Klinton nuk i ka humbur aspak shpresat. “Nuk do të dorëzohemi, do të vazhdojmë të luftojmë me çdo mundësi që kemi dhe me çdo shans që do të na paraqitet”, tha ajo. Klinton do të duhet të luftojë më shumë dhe për më gjatë nga sa kishte planifikuar për të arritur fitoren e kandidaturës. Tani që gara do të spostohet drejt New Yorkut, një shtet që ajo priste ta fitonte me një marzh të madh, duket se beteja do të jetë e ngushtë, sipas Dan Gerstein, drejtues i “Gotham Ghostwriters” dhe analist i pavarur politik në New York. “Do të jetë një vazhdim i një dinamike më globale”, tha Gerstein. “Klinton ka për të fituar, por fitorja do të jetë më e ngushtë nga sa duhet të ishte”.
Megjithatë, një fitore më e ngushtë nga ç’pritej nuk përkthehet detyrimisht në disavantazh dhe demokratët janë duke fituar garën demokratike të vitit 2008 si provë që Klinton nuk ndodhet në rrezik të vërtetë. Ishte pikërisht në ditët e fundit të betejave për kandidaturën, kur senatori i atëhershëm Barack Obama arriti të fitonte garën e madhe të kandidaturës presidenciale. Vetëm atëherë Klinton u përball me humbjen përfundimtare.

Karaxhiç kërkon të lihet i lirë nga Haga

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, kërkoi të lihet i lirë në pritje të përgjigjes për kundërshtimin e tij ndaj dënimit për gjenocid dhe mizori të tjera, ndërsa ka thënë se burgu po e shkatërron shëndetin e tij.
Gjatë një seance dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në hapësirat e ish- Jugosllavisë, ai tha se është “i pafajshëm” ndërsa e quajti vendimin si “monstruoz”.
Ai u ankua për kushtet në paraburgim dhe kërkoi një kompjuter të ri për të përgatitur mbrojtjen e tij.
Gjykatësi, Theodor Meron, hodhi poshtë kërkesën e tij për lirim dhe tha se do të urdhërojë zyrtarët që të shqyrtojnë kushtet në qendrën e paraburgimit.
Muajin e kaluar, Radovan Karaxhiç, u shpall fajtor dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie nën akuzat për mizori të kryera gjatë luftës së Bosnjës që la pas vetes 100 mijë të vrarë.
Gjykata tha se, ai është përgjegjës për gjenocid në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, kur forcat serbe vranë 8 mijë burra e të rinj myslimanë të Bosnjës, në atë që është vlerësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që nga Holokausti.
Po në Hagë, Prokuroria e Gjykatës, tha se do të apelojë vendimin e muajit të kaluar për lirimin e ultra nacionalistit serb, Vojisllav Sheshel, Partia Radikale e të cilit, synon të fitojë vende në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill.
Kryeprokurori Serge Brammertz tha se, gjykatësit kanë injoruar një numër të madh të dëshmive kur kanë liruar Sheshelin, javën e kaluar.
Vojisllav Sheshel, ishte akuzuar për nxitje të urrejtjes etnike kundër myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës, në vitet ‘90-ta.
Kryeprokurori Brammertz, tha se gjykatësit i kanë keqinterpretuar provat në atë mënyrë që “dëbimi i civilëve është cilësuar gjest humanitar” dhe se “fjalimet ndezëse janë bërë thjesht për të rritur moralin e forcave serbe”.
Vojisllav Sheshel, tha se nuk është i shqetësuar me apelin dhe aktualisht është duke marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet parlamentare të këtij muaji në Serbi, ku ai synon të sfidojë Partinë Përparimtare serbe të drejtuar nga kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dikur një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Thaçi betohet si President i Kosovës

Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi dha betimin e tij në Parlamentin e Kosovës në një seancë solemne, e cila u bojkotua nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Hashim Thaçi, pason në këtë post, Presidenten Atifete Jahjaga, e cila sot përmbylli mandatin e saj pesëvjeçar.
Presidenti Thaçi tha se në detyrën e re do të vazhdojë të angazhohet për një Kosovë demokratike, evropiane dhe shumë etnike.
“Kam shpresë dhe besim në vendin tonë dhe në qytetarët tanë. Kam besim të plotë në institucionet e Kosovës, në Parlament, në qeverinë e vendit. Kam besim që do të vazhdohet me qeverisje të mirë. Si president do të jem garantues i respektimit të Kushtetutës dhe Ligjeve, mbrojtës dhe përfaqësues i interesave të Kosovës. Do të jem faktor unifikues politik dhe qytetar, përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje, race dhe gjinie”, tha Presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se, Kosova është faktor paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon dhe po zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit. Ai tha se, Kosova është zotuar të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Të dy vendet duhet të punojnë që të anëtarësohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian, duke lehtësuar njëra-tjetrën dhe jo duke e penguar. Dialogu, nuk ka alternativë, por tani ai duhet të ketë dinamikë dhe energji të re, vendimmarrëse dhe zbatuese”.
Ai tha se si president i vendit, edhe sa i përket dialogut, do të punojë për ndërtimin e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe qytetar.
Presidenti Thaçi tha se, Kosova do të punojë në mënyrë edhe më aktive, për t’u bërë anëtare në nismat rajonale, evropiane dhe ato botërore.
“Kosova do të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që të bëhet anëtare e OKB-së. Kosova është pjesë aktive e bllokut antiterrorist në botë. Do të jemi të pa kompromis në luftë ndaj fundamentalizmit dhe ndaj çdo elementi ekstremist, kudo dhe kurdo që paraqitet”, tha ai.
Zoti Thaçi tha se do të jetë president i unitetit qytetar.
“Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euroatlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik, ndërpartiak, për komunikim me Shoqërinë Civile, me media, bizneset dhe iniciativat e lira. Si kreu i shtetit do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Parlamenti i Kosovës zgjodhi më 26 shkurt me 71 vota për dhe dhjetë vota të pavlefshme, Hashim Thaçin, ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, në postin e presidentit të Kosovës.
Ai u zgjodh në raundin e tretë të votimeve, pasi që në dy raundet e para ai mori 50, përkatësisht 64 vota.
Më 4 mars partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovës, i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë procesin që sipas tyre ishte jo legjitim dhe i përcjellë me parregullsi.
Më 4 prill, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e shpalli të papranueshme kërkesën e partive opozitare në Kosovë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës.
Kjo ishte hera e tretë që Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjen që kanë të bëjnë me presidentin e vendit. Në dy rastet e para, vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë bërë që të dorëhiqen dy presidentë të Kosovës, Fatmir Sejdiu në vitin 2010 dhe Behgjet Pacolli, më 2011.

Renditja e FIFA-s, kombëtarja zbret në vendin e 45

Kombëtarja shqiptare humbet shumë pozicione në klasifikimin e FIFA-s për këtë muaj. Skuadra kuqezi tashmë e sheh veten në vendin e 45 me 632 pikë, 10 shkallë më poshtë në krahasim me renditjen që kishte muajin e mëparshëm.

Kombëtarja jonë fitoi me Luksemburgun 2-0 në miqësore, por kishte humbur më parë me Austrinë 2-1, ndeshje kjo që pati ndikim në humbjen e pikëve dhe si pasojë edhe të pozicioneve.

Renditja e FIFA-s pësoi ndryshime edhe në vendet e para të saj. Tani është Argjentina ajo që ka dalë në krye me 1532 pikë, duke zbritur në vendin e dytë Belgjikën, ndërkohë që në vendin e tretë është ngjitur Kili. Kanë pësuar rënie në klasifikimin e FIFA-s edhe Gjermania e Spanja. Skuadra kampione e Botës e sheh veten në vendin e pestë, pas Kolumbisë, ndërsa kampionët në fuqi të Evropës janë të gjashtët.

Zbresin në renditje Anglia e Italia, që gjenden respektivisht në vendin e 10 dhe të 15, ndërsa Franca është ngjitur në vendin e 21.

Skandal, Ibrahimoviç akuzohet për doping

Një akuzë mjaft e rëndë vjen nga Suedia në drejtim të Zlatan Ibrahimoviç. Ulf Karlsson, ish- trajner i Kombëtares Suedeze të Atletikës së lehtë deklaroi për të përditshmen Aftonbladet, –“Sipas meje Zllatan Ibrahimoviç dopohej kur luante te Juventusi. Zlatan shtoi 10 kilogramë në 6 muaj te Juventusi, dhe kjo fizikisht nuk është e mundur”, deklaroi Karlsson.
Ulf Karlsson, trajner i Kombëtares nga 2001 deri në 2004 është një emër i rëndësishëm në Suedi, pasi e ka lidhur karrierën e tij me vitet e arta të atletikës suedeze dhe për këtë arsye fjalët e tij kanë shkaktuar sensacion në Suedi dhe më pas në mbarë botën. Por duhet theksuar se, Karlsson nuk e ka stërvitur kurrë Ibrën, çka i bën fjalët e tij kundër Zlatan dhe kundër Juventusit shumë të rrezikshme. Karlssin që gjithmonë ka qenë i ashpër në luftën kundër dopingut insiston se diopingu përdoret shumë edhe në sportet e skuadrave dhe jo vetëm ato individuale, duke cituar pikërisht simbolin e futbollit suedez. “Jam i bindur, deklaroi ai duke shtuar. Shikoni Zlatan Ibrahimoviç te Juventusi shtoi 10 kilogramë muskuj në 6 muaj. Sipas meje dopohej. Ky është opinioni im”, tha ai.
Karlson madje në një tjetër intervistë i konfirmoi akuzat e tij të rënda, duke shkuar edhe më tej ndërsa tha: “Nuk është një akuzë personale në drejtim të Zlatan. Unë po flas për sportet e skuadrave, klubet kontrollohen më pak në krahasim me sportistët e tjerë si atletët apo skiatorët për shembull. Nuk është e mundur të shtosh 10 kg në kaq pak kohë. Dhe shikoni Albin Ekdal. Ai shtoi 8 kg në 6 muaj në të njëjtin klub. Besoj se diçka e tillë në atë kohë ishte në kulturën e Juventusit. Kishin një mjek që u pezullua për 22 muaj”, përfundoi Karlsson.

Çështja “Panama Papers” në sport

Policia zvicerane ka kryer një kontroll në zyrat e UEFA-s, në kërkim të informacioneve për një kontratë që është publikuar në çështjen e “Panama Papers”, e cila ishte firmosur nga ish-sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino, sot President i FIFA-s. Vetë Infantino ka mohuar të ketë kryer diçka të gabuar, ndërsa UEFA bëri të ditur se po ndihmon policinë. Ndërkohë një zyrtar i Komitetit Etik të FIFA-s, emri i të cilit kishte dalë në “Panama Papers”, Juan Pedro Damiani ka dhënë dorëheqjen. Dokumentet e zbuluara së fundmi sugjerojnë se uruguajani dhe firma e tij kishin dhënë asistencë ligjore për të paktën 7 kompani “offshore”, të lidhur me Eugenio Figueredon.
Ish-zv/Presidenti i FIFA-s, Figueredo është një ndër 14 personat e arrestuar në Zyrih majin e vitit të kaluar si pjesë e operacionit të nisur nga hetimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës bëri të ditur se kontrolli në zyrat e UEFA-s në Nyon ishte pjesë e një hetimi për veprime kriminale, i cili ka nisur për shkak të dyshimeve për keqmenaxhim kriminal. Ata shtuan se procedimi ka lidhje me shitjen e të drejtave televizive. Ndërsa ishte te UEFA, Infantino ka bashkëfirmosur një kontratë për shitjen e të drejtave televizive në 2006 me dy biznezmenë që janë akuzuar nga FBI për korrupsion. Kompania, Cross Trading, në pronësi të Hugo Jinkis dhe të birit të tij, Mariano, bleu të drejtat televizive për Champions League në 2006 për 110 mijë dollarë dhe ja shiti ato menjëherë emitentit Ekuadorian, Teleamazonas për 311 170 dollarë. Cross Trading gjithashtu pagoi 28 mijë dollarë për të drejtat e Superkupës së Europës, duke ja shitur Teleamazonas për 126 200 dollarë.
Kontratat dolën në dritë pas publikimit të 11 milionë dokumenteve të vjedhura nga Kompania Legale panameze Mossack Fonseka. UEFA ka mohuar që të ketë kryer diçka të paligjshme, duke nënvizuar se të drejtat televizive ju shitën ofertuesit më të mirë në një tender të hapur. Infantino i cili la UEFA-n, pasi u zgjodh si President i FIFA-s në 26 shkurt tha se ai mirëpret çdo hetim në lidhje me këtë çështje. Italiani u shpreh, “Nëse vendosmëria ime për t’i rikthyer futbollit reputacionin ishte që më parë shumë e fortë, tani është akoma dhe më e fortë. Është në interesin tim dhe në interesin e futbollit që gjithçka të dalë në dritë.

Higuain mund të rikthehet në Madrid

Rritet numri i skuadrave që pretendojnë blerjen e Gonzalo Higuain.

Këtë radhë skluadra që ka hedhur sytë nga sulmuesi argjentinas i Napolit është Atletico Madrid që e shikon Higuain si alternativën më të mirë nëse dështon në tentativën për të kthyer në Spanjë, Diego Costan.

Atletico nuk do ta ketë të lehtë të arrijë te Higuain edhe pse është gati të ofrojë 40 milionë Euro.

Pengesa e madhe e ka emrin Aurelio De Laurentiis, me presidentin e Napolit që do të bëjë rezistencë përballë ofertave për argjentinasin.

Tatimet terror bizneseve: Pse ju është ulur xhiro? Nuk e kuptojnë se ka krizë

Tatimet dhe biznesi prej një viti janë përfshirë në një marrëdhënie të tensionuar për shkak të luftës antinformalitet. Por tani kur aksioni është futur në fazën e dytë, arritjet e së parës po shuhen.
Tatimorët janë të alarmuar për rënien e kuponëve nga kasat krahasuar me tremujorin e fundit 2015. Nisur nga ky fenomen, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Tiranë, ka lëshuar një njoftim për tatimpaguesit në të cilin thuhet se, subjektet që kanë ulur numrin e kuponëve do të jenë objekt kontrolli.
“Në kuadër të masave për sensibilizimin e tatimpaguesit, si dhe duke vlerësuar treguesit tuaj të deklaruar për shtypjen e kuponave tatimorë, nisur nga transmetimi i pajisjeve fiskale, rezulton se nga ana juaj është ulur ndjeshëm transmetimi i kasës krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2015!”, thuhet në shkresën që u është drejtuar bizneseve që kanë raportuar më pak xhiro ditore. Ata paralajmërohen se, nëse do të vazhdojë kjo situatë do të jenë subjekt kontrolli dhe u thuhet që të lëshojnë kupon për çdo blerje.
Por bizneset shprehen të shokuar nga sjellja e tatimeve. Pas supertaksave të Bashkisë, që ka rritur ndjeshëm barrën fiskale për bizneset, duket se edhe konsumi është futur në një cikël krize. Një pikë e shitjes me shumicë në Tiranën e Re raportoi ulje të ndjeshme të xhiros në muajt e parë të 2016-ës. Biznesi që ka më shumë se një dekadë në këtë aktivitet, pohon se gjithmonë xhiroja e muajve të parë të vitit është më e ulët se e fundvitit.
Ai tha se, përpos këtij cikli kostot e qytetarëve janë rënduar me taksa e tarifa, ndërkohë që vende të reja pune nuk ka dhe rrogat nuk janë rritur. Njerëzit nuk kanë ku t’i gjejnë lekët pohoi mjaft i indinjuar tregtari, i cili lajmëroi se xhiroja, do të ulet më tej.
I gjendur nën presionin e taksave më të larta bashkiake dhe në presionin e përditshëm të tatimeve ai tha, se do të mbyllë aktivitetin për punë ditësh. “E shikon, 100 lekë ora (të reja) parkingu, tek kjo rrugica. Fatura e ujit sa qimet e kokës, dritat po e po. Ku do t’i gjejnë njerëzit lekët. Si do të rris xhiron unë. Hajde shiko listën e borxheve sa është”, vijon më tej tregtari, një vendali që shet artikuj ushqimorë me shumicë për gati 15 vite.

Sipërmarrjet e mëdha: Pas heqjes së taksës, biznesi i vogël nuk po merr fatura

Nga ana tjetër, sipërmarrësit e mëdhenj ankohen se heqja e taksave për bizneset e vogla deri në 5 mln lekë po bën që prodhuesit të gjenden para refuzimit të tregtarëve për të marrë faturë, por edhe për të blerë. Kjo do të sillte rritje të xhiros së sipërmarrjeve të vogla, deri në kalimin e tyre në të mesme e të mëdha, pra një biznes objekt taksash. Prodhuesi i birrës, Stefan Pinguli pohon se, industritë prodhuese po vendosen gjithnjë e më shumë para presionit për të shitur pa faturë. Ju do të pyesni, pse ky shqetësim i madh, kur edhe deri dje, sipërmarrjet e vogla tregtare nuk merrnin faturë për mallrat e blera?! Ndryshimi gjendet po ashtu te formalizimi (i drejtë dhe i padiskutueshëm për rëndësinë e tij). Sipërmarrjet e mëdha janë formalizuar plotësisht, duke rritur nivelin e deklarimeve, ndërsa kjo nuk reflektohet te partnerët e tyre tregtarë. Duke thelluar hendekun mes prodhuesit e tregtarit, bizneset e vogla zgjedhin më mirë të shesin më pak mall të siguruar pa faturë, se të shtojnë xhiron “de facto” e “de jure”. FMN paralajmëroi (pasi qeveria vendosi të heqë taksën e biznesit të vogël prej 25 mijë lekë në vit për xhiron deri në 5 milionë lekë) se kjo do të kishte efekt negativ në luftën ndaj informalitetit, pasi nxitja për evazion masiv do të jetë më e madhe dhe shumë biznese do të tentojnë të qëndrojnë në këtë nivel, ndërsa të tjera do tentojnë të ndahen që të zbresin në kufirin ku nuk paguhen taksa.

Gënjeshtra që kompromenton Kodhelin në rrëzimin e Helikopterit

Zbulohen fakte të reja për rrëzimin e helikopterit në Liqenin e Shkodrës. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari i cili e informon se kopteri ka fluturuar mbi Shkodër në orën 8:26 të mëngjesit. “Qytateri dixhital përrgënjeshtron njoftimin e gjeneral Trafikut! Helikopteri ka fluturuar mbi Shkodër në orën 8:26 të mëngjesit, ka dërguar ngarkesën në Vermosh dhe është kthyer në doganën e Hanit të Hotit dhe aty ka marrë një thes (mundet me miell për gjeneral Trafikun). Shih fotot! Sb”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Shkodra.
“Mirmjes Doktor, uroj te jeni mire.
Ne mendimin dhe gjykimin sipas rrjedhes se ngjarjeve dhe fakteve per helikopterrin ngjarja ka ndodhur keshtu keshtu:
1) Nje helikopterr ka kaluar mbi qytet ne shkoder ne oren 8.26 minuta dhe ska patur helikopterr tjeter qe te jete degjuar me vone deri ne ate te shpetimit te derguar ne dreke, pas rrezimit te helikopterrit trannsportues.
Helikopterri nuk eshte nisur nga farka ne oren 12.10 sic pohoi ministria dhe ushtria dje.
2) Helikopterri eshte ndalur ne Vermosh, ka shkarkuar mermer pavaresisht zerave qe flasin se se helikopterri po transportonte ne zonen e Kelmendit nje arkivol.
3) helikopterri eshte kthyer ne zonen e malesise se madhe rreth ores 10 e pak minuta.
Ka ngarkuar (!!!!!!) nga nje furgon i bardhe per tu kthyer me pas per tirane.
Fotot bashkengjitur qe jane te ores 10.05 tregojne nje furgon te bardhe afer helikopterrit re ulur ne Grizhe afer liqenit dhe dy persona. Njeri ka nje thes ne dore dhe eshte afer helikopterrit.
Cfare kerkonte helikopterri i ulur ne afersi te doganes?! Ne Shkoder!?
Menjehere sapo helikopterri ka rene, forcat e policise jane afruar dhe furgoni ka qene gjithe kohes ne fushe pa levizur. Askush akoma nuk eshte marre me kete fakt!!!
Mendoj qe duhet te shqyrtohet me kujdes, pasi mendoj se eshte me rende se sa duket”.

Ahmetaj firmosi për kompaninë në letrat e ‘Panama Paper”

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, mbajti një qëndrim interesant në lidhje me skandalin “Panama Paper”. “Mezi pres edhe lajme të tjera nga ‘Panama Papers’, sepse mund të shohim edhe emra të tjerë, dhe besoj se nuk do të habitemi. Për mua si ministër Financash në përgjegjshmëri do të ishte e ekzagjeruar të shprehesha në ekstrem. Por mund të them që nuk është se nuk e prisnim. Dhe nuk është se emrat nuk kanë lidhje me qeverinë e kaluar”.

Por tre javë para se të bënte këtë deklaratë intriguese, Ahmetaj kishte firmosur një shkresë që i jepte dritën jeshile kompanisë “GFI Albania” (e përmendur në Panama Paper) që të ndërhynte dhe të markonte cilësinë e karburanteve bruto. Bëhet fjalë për karburantet që nxirren nga disa koncensionarë të tjerë këtu në Shqipëri. Kjo shkresë është ndoshta treguesi më i qartë se si Shqipëria është e mbërthyer nga koncesionet dhe se si ministri i Financave, në zyrë firmos urdhra që i bëjnë koncesionarët të fitojnë miliarda, ndërsa në media bën “gjëagjëza” me dosjet e paqarta të Panamasë.

Po e shpjegojmë skemën më poshtë. “GFI Albania” është koncesionari i përmendur në ‘Panama Paper’ dhe që në Shqipëri ka të drejtën ekskluzive për markimin e karburanteve. Pra garantimin e cilësisë së tyre. Për çdo litër karburant, kjo kompani merr pjesën e vet. Koncesionarët e hidrokarbureve janë po njësoj kompani të regjistruara në parajsa fiskale që në Shqipëri kanë të drejta ekskluzive në nxjerrjen e naftës bruto.

Urdhri i Ahmetajt detyron kompanitë naftënxjerrëse që të pranojnë GFI-në të kryejë analizat dhe ta paguajnë GFI-në për pjesën e fitimit që i siguron kontrata. Por edhe pse kompanitë naftënxjerrëse e paguajnë GFI-në, këto kosto nuk i nxjerrin nga xhepi, sepse kontratat që kanë lidhur me shtetin shqiptar i mbrojnë ato nga shpenzimet shtesë dhe këto shpenzime u llogariten si kosto dhe u rimbursohen. Në fund fare rezultati është që GFI, sipas llogaritjeve, vjel rreth 10 milionë euro nga markimi i naftës bruto, ndërsa këto 10 milionë euro nuk paguhen nga koncesionarët e naftës, por rimbursohen, duke iu hequr buxhetit të shtetit. Pra e paguajnë shqiptarët.

Kjo skemë përveçse zbardh qartësisht darën në të cilën e kanë futur Shqipërinë kontratat koncesionare, njëherësh zbulon dhe hipokrizinë e ministrit tonë të Financave, i cili deklaron çdo muaj se koncesionet-PPP janë prioritet i kësaj qeverie, më pas firmos dhe urdhra për t’u garantuar këtyre koncesioneve që të vjelin fitimet që u siguron kontrata, ndërsa kur del në media, Ahmetaj tregon gjëagjëza panameze.