27.5 C
Tirana
E martë, 3 Qershor, 2025

“Yaya Toure mund të kalojë te Interi”

Agjenti i Yaya Toure i hap derën Interit. Pavarësisht se kontrata e tij përfundon sezonin e ardhshëm, mesfushori i Manchester City do të largohet nga Anglia në fund të këtij sezoni. Lajmin e konfirmon agjenti i futbollistit nga Bregu i Fildishtë, Dimitri Seluk, i cili gjithashtu i ndez dritën jeshile Interit për një transferim të mundshëm të Yaya Toure në Milano.
“Yaya tek Inter? Për momentin mundem vetëm të konfirmoj se klienti im do të largohet nga Man.City në fund të sezonit. Inter është një klub i madh dhe ka një projekt ambicioz. Të gjithë e dimë që Yaya ka një marrëdhënie shumë të mirë me trajnerin Mançini. Në drejtim të futbollistit kanë ardhur shumë oferta dhe ne jemi duke i marrë të vlerësuar secilën prej tyre”, tha ai.
Mesfushori nga Bregu i Fildishtë prej kohësh kërkohet nga klubi ziklatër. Trajneri Roberto Mançini sezonin e kaluar e dëshironte  me ngulm lojtarin, por pavarësisht se mes tij dhe 34-vjeçarit pati sinjale pozitive, transferimi nuk u realizua. Sidoqoftë konfirmimi se Yaya Toure do të largohet nga Citiziens, ka rindezur shpresat e Interit dhe ndoshta sezonin e ardhshëm Mançini do të këtë në dispozicion shtatlartin afrikan.
Ndërkohë, Antonio Conte zyrtarisht i Chelseat. Trajneri i Kombëtares së Italisë do të marrë drejtimin e skuadrës londineze në fund të Euro 2016. Lajmin e bën të ditur vetë klubi britanik, duke u dhënë fund zërave për të ardhmen e stolit pas largimit të Guus Hiddink në fund të sezonit. 46-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me “Blutë e Londrës”. Chelsea vazhdon të mbetet i pamundur  në Premier League që pas largimit të Jose Mourinhos, por pavarësisht këtij fakti, presidenti Roman Abramovich ka vendosur të mos i japë besim holandezit Hidink, i cili ka një kontratë të përkohshme deri në fund të sezonit.
Me zyrtarizimin në stolin e Chelseat, Conte do të nisë eksperiencën e parë jashtë Italisë, ku arriti të triumfonte për 3 sezone rresht me Juventusin. Ai zuri vendin e Cesare Prandellit në stolin e Italisë pas largimit të ish-trajnerit të kaltër që dështoi në Botërorin 2014. Gjatë dy viteve në drejtimin e Kombëtares, Conte arriti të siguronte kualifikimin për në Euro 2016, duke regjistruar një ecuri pozitive në grupin eliminator ku nuk regjistroi asnjë humbje. Me emërimin në stolin e Chelseat, Conte konfirmon traditën e trajnerëve italianë te Chelsea, ku më parë kanë punuar edhe Vialli, Di Matteo apo Carlo Ançeloti.

Francezët: Benzema jashtë Kombëtares

Francezët nuk e duan Karim Bezema. Sipas një sondazhi të zhvilluar në këtë vend, 73 për qind e të anketuarve nuk duan që sulmuesi i Realit të Madridit të jetë pjesë e kombëtares për finalet e Euro 2016, që do të zhvillohet në Francë. Shkak është bërë akuza e ngritur ndaj Bezema për shantazh ndaj shokut të Kombëtares, Mathiue Valbuena. Një veprim të cilin tifozët francezë duket se nuk e kanë toleruar. Sondazhi është zhvilluar nga kompania Odoxa, e cila sqaron se 71 për qind e atyre që kanë votur janë tifozë dhe i ndjekin ndeshjet e futbollit. 28-vjeçari Benzema është në pritje të vendimit që do të japë Gjykata, por ndërkohë futbollistit do t’i duhet të rifitojë dhe zemrat e francezëve.
Anketa është shfrytëzuar gjithashtu edhe për të krijuar një ide, se cilët janë lojtarët më të preferuar në radhët e bluve, kundërshtarëve të Shqipërisë në Grupin A. Kështu, në krye të futbollistëve që kanë mbështetjen e tifozëve, qëndron lojtari i Atletico Madrid, Antonie Griezman, i ndjekur nga Andree Pierre Gignac, për të përfunduar me sulmuesin e Arsenalit, Oliver Giroud. Pikërisht në këtë sondazh, Benzema ka siguruar një përqindje shumë të vogël të votave, pavarësisht formës mjaft të mirë që ka shfaqur te Reali i Madridit.

Mbrohet Mesi: Nuk i lexoj ato që firmos

Denoncimi vjen nga media të ndryshme. Studiot ligjore ndërkombëtare si dhe banka të ndryshme kanë trensferuar shuma marramendëse parash në parajsat fiskale në Panama për llogari të grupeve krimimale, liderëve politike, fuksionarëve të agjencive të inteligjencës, por edhe të personazheve të njohura të sportit. Denoncimi vjen nga media të ndryshme ndërkombëtare që kanë botuar materialet e zbuluara nga gazetarët investigativë dhe Wikileaks. Njerëzit me pushtet që kanë përfituar nga kjo skemë kriminale janë presidenti i Rusisë. Vladimir Putin, familjarë të liderit kinez Xi Jinping, të afërm të presidentit ukrainas Poroshenko, Mbretit Saudit dhe të kryeministrave të Islandës dhe Pakistanit.
Më pas. zbulohet emri i Lionel Mesit, i cili ka kaluar peripeci ligjore edhe në Spanjë, ku është akuzuar për evazion fiskal. Sulmuesi argjentinas, sipas dokumentave të zbuluara, i është drejtuar studios “Mossack Fonseca” për të krijuar një shoqëri në Panama, e cila do të menaxhonte përfitimet nga të drejtat e imazhit, me qëllim shmangien e taksave.
Emra të tjerë të botës së futbollit të zbuluar nga miliona faqe dokumentash janë Michel Platini, Ivan Zamorano, Gabriel Heinze, lojtari i golfit Nick Faldo dhe ish-piloti i Formula 1 Jarno Trulli. Gjithashtu shfaqet edhe emri i Luca di Montezemolo dhe i drejtuesve të futbollit afrikan, të akuzuar edhe për skandalin e FIFA-s.
Lionel Mesi reagon ndaj akuzave për evazion fiskal. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, ka reaguar pas bërjes publike të disa e-mailve, ku shumë personazhe të ndryshëm nga bota e biznesit, politikës, por edhe ajo e sportit akuzohen për evazion fiskal, në kompani të ashtuquajtura of-shore. Argjentinasi është akuzuar përpara disa kohësh nga gjykatat spanjolle për evazion në shumën e 4.1 milionë eurove. Sulmuesi u shpreh, se nuk është në dijeni për dokumentat që firmos, pasi sipas tij ai nënshkruan çdo gjë që i jep babai i tij, gjithashtu ai shtoi se nuk i sheh me vëmendje dokumentat dhe nuk kërkon informacione mbi përmbatjen e  tyre. Në lidhje me skandalin, kanë reaguar dhe avokatët e Michel Platini, një tjetër emër i madh i sportit që është përfshirë në këtë çështje.
Përfaqësuesit ligjor të ish-numrit 1 të UEFA-s, deklaruan se të gjitha llogaritë bankarë të klientit të tyre janë të verifikuara nga administrata fiskale zvicerane, ku Platini është rezident që prej vitit 2007. Sipas asaj që raportojnë mediat, numri i atyre që janë të përfshirë në skandal pritet të rritet. Pjesë e saj janë ish-drejtues klubesh dhe drejtues aktual. Të përshirë janë jo vetëm emra nga bota e futbollit, por edhe nga sporte të tjera.

Çmendet PSG, ofron 193 milionë euro për Neymar

Paris Saint Germain çmendet për Neymar. Presidenti i kampionëve të Francës, Naser Al-Khelaifi ka vënë në qendër të objektivave të tij për sezonin e ardhshëm, sulmuesin e Barcelonës, Neymar. Numri një i klubit parizien duket se për të bërë të mundur transferimin e brazilianit në “Parc Des Prince” është i gatshëm të paguajë dhe klauzolën e lojtarit, e cila kap shumën e 193 milionë eurove. Lajmin e ka konfirmuar dhe agjenti i futbollistit Wagner Ribeiro, i cili ka deklaruar se klienti i tij është zgjedhja e parë e Nasser Al-Khelaifit për sulmin e Paris Saint Germain.
Afrimi i 24-vjeçarit brazilian tek klubi parizien shihet si zgjidhja më e mirë për skuadrën, pasi edhe në rast të një largim të mundshëm të dy sulmuesve Zlatan Ibrahimoviç dhe Edinson Cavani, do të bëjë të mundur që gjetja e golit të mos jetë sërish problem për parizienët. Braziliani ka një kontratë me blaugranat, që skadon në qershor të 2018 dhe çështja e rinovimit të saj për momentin duket se ka mbetur pezull, pasi dhe vetë Neymar ka dyshime mbi të ardhmen e tij tek Barcelona. Në rast se transferimi i 24-vjeçarit nuk realizohet, drejtuesit e klubit francez kanë dhe emra të tjerë në listë për të udhëhequr sulmin për sezonin e ardhshëm dhe ata janë, Eden Hazard, Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale.

Presidenti kundër përgjimeve masive

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për “Masat shtesë të sigurisë publike” që ka të bëjë me mbikëqyrjen me kamera.

Kreu i shtetit shpjegon se ligji i Ministrisë së Brendshme për vendosjen e kamerave në rrugë dhe në biznese përbën cenim të së drejtës familjare dhe të privatësisë. Presidenti arsyeton se ky ligj bie ndesh me direktivën për të dhënat personale.

Sipas Presidentit ligji i Ministrisë së Brendshme për vendosjen e kamerave në rrugë dhe në biznese përbën cenim të së drejtës familjare dhe të privatësisë. Presidenti arsyeton se ky ligj bie ndesh me direktivën për të dhënat personale

“Në seancën plenare të datës 10 mars 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 19/2016 ‘Për masat shtesë të sigurisë publike’. Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 16 mars 2016. Ky ligj ka për qëllim marrjen e masave shtesë të sigurisë publike nga subjektet publike dhe private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë, duke siguruar bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe këtyre subjekteve, me synim mbrojtjen e jetës, pronës dhe garantimin e sigurisë publike. Ligji në tërësinë e tij synon marrjen e të dhënave private për qytetarët, kryesisht për ata që ushtrojnë aktivitet privat biznesi, por edhe për qytetarët në tërësi, për çdo aktivitet të tyre, i cili përfshin lëvizjet, takimet, vendndodhjet, kohëqëndrimet, bisedat, veprimet (përfshirë edhe ato intime), etj. Ky informacion sipas ligjit të miratuar synon të arrihet nëpërmjet regjistrimit me kamera në ambientet e banimit dhe qendrat private të bizneseve të ndryshme. Sipas këtij ligji Policia e Shtetit është ajo që bën analizën e vlerësimit të rrezikut dhe njofton subjektet për gjendjen e rrezikut dhe nivelin e masave shtesë të sigurisë që duhet të marrin, duke përfshirë kryesisht sistemin e kamerave CCTV, informacion i cili do të vihet në dispozicion të Policisë së Shtetit sipas kërkesës” thekson Presidenti.

“Rregullimet ligjore në lidhje me masat shtesë të sigurisë, subjekteve që do i zbatojnë dhe përpunimi i të dhënave nuk sigurojnë respektimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve referuar nenit 35 të Kushtetutës dhe nenit 8/1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), duke vënë në dyshim se gjatë zbatimit të ligjit mund të krijohen premisa të cenimit të parimit të ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit referuar nenit 8/2, 17 të KEDNJ-së.

Presidenti i Republikës është plotësisht i angazhuar në zbatimin e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në plotësimin e detyrimeve referuar nenit 79 të MSA-së në drejtim të mbrojtjes të jetës private dhe familjare” thuhet në reagimin e Presidentit.

 

Cënohen të dhënat personale

 

Përmes këtij ligji, duke përcaktuar masa shtesë të sigurisë, përmes vendosjes së kamerave të sigurisë, të cilat përfshijnë sheshe të hapura, parqe, kënde lojërash, mjedise të hapura apo të mbyllura publike, mjedise të punës ku ushtrohet një biznes privat, mjedise të hapura dhe të mbyllura për fëmijë cenohet e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare e garantuar nga neni 35 të Kushtetutës së RSH-së dhe neni 8/1 i KEDNJ-së.

Në rastin konkret, Ligji 19/2016 përcakton ndër kategoritë që duhet të marrin masa shtesë, ku përfshihen: ambientet e biznesit, mjediset e hapura dhe të mbyllura për fëmijë referuar nenit 4 apo edhe ambientet e hapura dhe mbyllura që janë në pronësi/administrim të subjekteve publike referuar nenit 5 të ligjit. Masat shtesë të sigurisë të vendosura referuar nenit 8 të ligjit i referohen kryesisht vendosjes së sistemit të kamerave të sigurisë CCTV, me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe. Kjo do të thotë që menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të ndërhyhet në jetën private dhe familjare të shtetasve shqiptarë në të gjitha mjediset publike apo private, në qendrën e punës, ambientet e pallatit ku banojnë, në ambiente publike të hapura apo të mbyllura, në shkolla dhe parqe. Pra, është e qartë se përmes këtyre masave, shteti do të ndërhyjë në jetën private dhe familjare duke prekur subjektet dhe interesat, të cilët janë të mbrojtur nga neni 8/1 i KEDNJ-së dhe neni 35 i Kushtetutës së RSH-së.

Referuar Komisionit të Ligjeve dhe opinionit të dhënë nga komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë hedhur dyshime në lidhje me respektimin e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve nga aplikimi i masave të parashikuara.

 

Ministri i Brendshëm i merr kompetencat Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave

 

Ligji i miratuar bie ndesh me Direktivën 95/46 EC dhe dispozitat e Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale’, i ndryshuar.

Ligji krijon mundësinë që përpunimi i të dhënave personale, i cili do të kryhet nga një prej sistemeve më të rëndësishëm, atë të video survejimit do të monitorohet nga ana e Policisë së Shtetit, pasi më parë ajo të ketë bërë vlerësimin e riskut dhe të ketë vlerësuar se ku do të vendosen kamerat, ndërkohë që kjo është kompetencë e Autoritetit të Pavarur të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ligji nuk konsideron se të gjithë palët e përfshira në kuptim të ligjit janë ‘kontrollues’ dhe si të tillë ata zgjedhin në mënyrë të pavarur mjetin dhe mënyrat me të cilat përpunojnë të dhënat personale. Në këtë mënyrë këto subjekte janë të detyruara të zbatojnë Ligjin nr. 9887/2008 (i ndryshuar). Inspektimi në lidhje me këtë detyrim ligjor i takon komisionerit, ndërkohë që në nenin 15 të ligjit kjo kompetencë i njihet ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.

Neni 6 i ligjit i jep pushtet të pakufizuar Policisë së Shtetit për të vlerësuar instalimin e sistemit të kamerave të sigurisë kudo nëse përbën ‘burim rreziku të shtuar’, ndërkohë që nuk janë përcaktuar as kriteret mbi bazën e të cilave kufizohet apo përcaktohet lloji dhe masa e rrezikut. Analiza e vlerësimit të rrezikut sipas nenit 7 është vendimtare në vlerësimin e masave shtesë të detyruara nga Policia e Shtetit, e cila si rrjedhojë ndiqet edhe nga përpunimi i më shumë të dhënave dhe pa dyshim cenimi i privatësisë është edhe më evident.

Neni 4/a i ligjit, që parashikon vendosjen e kamerave në ambientet e punës bie në kundërshtim me pikën 10/2 të Udhëzimit nr. 11/2011 “Për përpunimin e të dhënave të punonjësve në sektorin privat”, të komisionerit, i cili ndalon në mënyrë kategorike survejimin e punonjësve, pasi është në tejkalim të qëllimit.

Ndryshe nga sa përcakton neni 6 i ligjit, Udhëzimi i Komisionerit nr. 12/2011 “Për kontrollin dhe identitetin në hyrje të ndërtesave”, ndalon përpunimin e të dhënave të vizitorëve në këtë mjet nëse një ndërtesë ose një zonë është e hapur për publikun.

Gjithashtu, referuar këtij udhëzimi, pronari ose administratori duhet të mbajë lidhje dhe të njoftojë komisionerin për çdo përpunim për qëllime të mbrojtjes së pronës ose të administrimit të ndërtesës dhe të sigurisë.

Ndryshe nga sa përcakton neni 7 i ligjit, udhëzimi i komisionerit nr. 21/2012 “Për përcaktimin e rregullave për ruajtjen e sigurisë të të dhënave personale të përpunuara nga subjektet përpunuese të mëdha”, përcakton se analiza e vlerësimit të riskut është një prej detyrimeve që mbart çdo kontrollues.

 

Ligji krijon hapësirë që të dhënat të përdoren edhe si mjet kërcënimi

 

Ndërhyrja në të drejtën për jetë private dhe familjare përmes masave të parashikuara në nenin 8 të ligjit nuk është e justifikueshme, e domosdoshme dhe proporcionale.

Neni 35 i Kushtetutës, krijon mundësinë e bërjes publike të të dhënave personale edhe pa pëlqimin e personit, nëse një gjë të tillë e ‘kërkon ligji’ (paragrafi 1) ose në  rastet e ‘parashikuara me ligj’ (paragrafi 2). Një kufizim i tillë, në kushte të caktuara, gjen mbështetje edhe nga neni 17 i Kushtetutës (kufizimi të bëhet ‘…vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve…’).

Gjykata Evropiane ka arritur në përfundimin se shtetet kanë një marzh vlerësimi në lidhje me respektin që duhet treguar për mbrojtjen e të dhënave personale, por gjithmonë duke patur në konsideratë një balancë të drejtë mes interesit të përgjithshëm të komunitetit dhe interesave të individëve.

Qëllimi i Ligjit 19/2016 është marrja e masave shtesë të sigurisë publike nga subjektet publike dhe private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar, duke siguruar bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe këtyre subjekteve, me synim mbrojtjen e jetës, pronës dhe garantimin e sigurisë publike. Referuar raportit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ky ligj mundëson përgjegjësinë dhe ndërveprimin e të gjithë aktorëve të një shoqërie, për ta bërë vendin më të sigurt, për garantimin e sigurisë së përbashkët, nga njëra anë dhe nga ana tjetër për të luftuar informalitetin, paligjshmërinë, kriminalitetin, si dhe në funksion të luftës kundër terrorizmit, si dhe parandalimit të kriminalitetit.

Sipas jurisprudecës së GJEDNJ-së, ndërhyrja duhet të jetë ‘në përputhje me ligjin’, çka do të thotë se shteti duhet t’i sigurojë ‘shkallën minimale të mbrojtjes që qytetarët duhet të kenë sipas ligjit në një shtet demokratik’. Gjithashtu, ndërhyrja duhet të jetë e nevojshme në një shoqëri demokratike. Gjithashtu, GJEDNJ ka kërkuar që në çdo rast ndërhyrja duhet të jetë në proporcion me qëllimin që ndiqte. Pavarësisht, se në raste të ndryshme, GJEDNJ ka pranuar domosdoshmërinë e mbledhjes së informacionit, ajo ka insistuar në dispozitat ligjore, të cilat garantojnë mbrojtjen nga abuzimi i shtetit ndaj qytetarëve.

Në rastin konkret, referuar dokumenteve parlamentare nuk del e qartë se përse masat e deritanishme nuk kanë sjellë rezultate dhe përse pikërisht përdorimi i masave shtesë të sigurisë do të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë publike, zhdukjen e paligjshmërisë dhe informalitetit.

Referuar nenit 2 të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, mbrojtja e jetës, pronës dhe garantimi i sigurisë publike është detyrë e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, në Republikën e Shqipërisë ekzistojnë një sërë mekanizmash, të cilët garantojnë luftën ndaj paligjshmërisë dhe informalitetit. Në realitet Policia e Shtetit, referuar ligjit të saj organik dhe KPRP ka të gjitha kompetencat që të aksesojë xhirimet që i nevojiten, por brenda qëllimit të përpunimit dhe jo më tepër.

Në praktikën ndërkombëtare, përdorimi i kamerave të sigurisë CCTV është konsideruar si një mënyrë e padëshiruar, por e gjetur si e fundit për të arritur qëllime të caktuara. Udhëzimi nr. 3/2010 i komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka parashikuar përdorimin e kamerave të sigurisë CCTV si mjet dhe mënyrë e fundit, dhe që në rast se përdoret kërkon marrjen e pëlqimit me shkrim në mënyrë të detyrueshme nga 75% e banorëve të pallatit. Gjithashtu, udhëzimi përcakton detyrimin për informimin e subjekteve me qëllim që të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe në rast cenimi të privatësisë t’i drejtohen komisionerit.

Ligji në fjalë mbasi detyron bizneset, administratorët e pallateve, shkollat private dhe publike apo të gjitha institucionet publike të instalojnë kamera dhe të ruajnë përmbajtjen e tyre, nuk jep asnjë garanci se si do të ruhen të dhënat personale të individëve të siguruara nga këto kamera.

Në rastin konkret, jo vetëm që ndërhyrja nuk është proporcionale me qëllimin që do të arrihet, por nuk ofrohen as garancitë në përpunimin e të dhënave. Policia është përgjegjëse vetëm për survejimin e ambienteve publike me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Përmes Ligjit 19/2016 bëhet i detyrueshëm survejimi edhe i ambienteve private, duke lënë në gjykimin e policisë se kush duhet survejuar dhe ku duhet të instalohen kamerat. Nuk ka përcaktime në lidhje me mënyrën e vendosjes së kamerave, të cilat në rast se janë të lëvizshme mund të filmojnë edhe ambiente të tjera apo të personave të ndryshëm që nuk kanë lidhje me qëllimin. Kjo krijon hapësirë për abuzime dhe cenim të rëndë të privatësisë si një e drejtë themelore kushtetuese. Neni 13 i ligjit i jep të drejtë policisë të marrë pamje filmike, ndërkohë që KPRP penale përcakton qartë se diçka e tillë mund të realizohet veç përmes autorizimit të gjykatës.

Ligji nuk përmban asnjë dispozitë që të garantojë të dhënat e përftuara nga vendosja e mjeteve të regjistrimit-përgjimit. Kështu që, mundësia e keqpërdorimit të pamjeve filmike dhe të dhënave personale, shfrytëzimit për qëllime që nuk kanë lidhje me sigurinë apo mundësia e keqpërdorimit të tyre nga ana e strukturave policore si mjet kërcënimi, diskreditimi publik apo për shantazh është evidente. Pra, ligji i miratuar nuk jep asnjë garanci lidhur me ruajtjen e privatësisë së qytetarëve.

Taksim dyfish bizneseve me NIPT-e sekondare dhe banesave

Janë rreth 7455 NIPT-e sekondare aktive që janë të regjistruara në Tiranë, ku bizneset që i kanë ato do të detyrohen të paguajnë të paktën dy herë taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore. Drejtori i Taksave dhe Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, Arli Naska thotë se, nga këto 3765 janë biznes i mesëm, 940 janë biznes i vogël, 2665 janë biznes VIP dhe të tjera janë 85.
Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore u vendos nga Bashkia e Tiranës këtë vit dhe varion nga 1800 lekë në vit për familjet, në 37 mijë lekë në vit për bizneset VIP (shih tabelën në fund).
Aplikimi i saj disa herë tek bizneset që veprojnë më NIPT-e sekondare shkaktoi pakënaqësi të shumta tek sipërmarrjet, që u ankuan se pse ata duhet të paguajnë disa herë, kur në bazë të ligjit ata konsiderohen si një subjekt i vetëm. Naska thotë se, taksat dhe tatimet aplikohen për çdo NIPT dhe bizneset do të paguajnë taksat e Bashkisë për aq NIPT-e sa kanë aktive. Ai i referohet si bazë ligjore Ligjit 9723, viti 2007. “Detyrimi i subjekteve për t’u regjistruar përbën dhe bazën tonë për të aplikuar detyrimet”, thotë ai.
Sipas burimeve nga Bashkia janë dy nene, 22 dhe 59. Neni 22 i ligjit në fjalë (Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit) përcakton detyrimin e bizneseve për t’u regjistruar dhe Neni 59 flet për regjistrimin e njëkohshëm, sipas të cilit regjistrimi i subjekteve në regjistrin tregtar përbën, gjithashtu, regjistrimin e njëkohshëm të tyre pranë Administratës Tatimore, Qendrore dhe Vendore, në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe pranë Inspektoratit të Punës.
Por, ekspertët kontabël ngulin këmbë që pagimi i taksës së arsimit për NIPT-et sekondarë është i jashtëligjshëm dhe ligji në fjalë flet vetëm për detyrimin e subjekteve për t’u regjistruar.
“Kjo është e paligjshme, nuk ka kuptim që bizneset të faturohen për çdo nipt sekondar. Mendoj se ky është një kaos i shkaktuar nga paligjshmëria, deficienca administrative e politikës dhe e administratës publike dhe e gjithë shoqërisë sonë që nuk di të prodhojë lidership”, thotë Artan Xhiani nga Uhy Elite.
Kontabilisti Arjan Dhimertika, pohon se ky veprim i Bashkisë nuk ka logjikë ekonomike taksimi dhe është një vendim, i cili që në krijimin e projektligjit, nuk kishte transparencë dhe qartësi. “Duhet të ishte më e specifikuar, që kjo taksë t’i vilej njëherë një njësie biznesi. Nuk ka logjikë dhe sens që kjo të ndodhë për çdo NIPT sekondar që biznese të ndryshme kanë në qytet, në varësi të aktivitetit të tyre tregtar apo shërbimi”, tregon z. Dhimertika.
Ekspertët e Easy Credit & Taxes pohojnë se Ligji 9723 përcakton vetëm detyrimin për t’u regjistruar jo për të taksuar bizneset. Ndërsa, se cilat taksa duhet të paguhen, përcaktohen me ligje të tjera tatimore dhe ligjin e procedurës tatimore. Ata pranojnë se është normale që të kërkohet taksa e pasurisë  dhe e pastrimit dhe për çdo NIPT sekondar, pasi ato caktohen përkatësisht në bazë të sipërfaqes dhe vendit ku ushtron aktivitetin, por kjo logjikë nuk qëndron për taksën e arsimit, e cila mblidhet për pagimin e shpenzimeve të tjera (ndërtimin e shkollave në këtë rast) dhe duhet të paguhet për subjekt.
Për më tepër, theksojnë ata, për këto shpenzime të tjera të qeverisë, bizneset i paguajnë shtetit TVSH dhe tatim fitimi, ndaj ky taksim është në thelb antikushtetues, dhe aq më shumë për NIPT-et sekondare.
Shumë biznese kanë zgjedhur t’i drejtohen Gjykatës për të zgjidhur këtë handikap të pagimit të shumëfishtë të taksës së arsimit. Ekspertët pohojnë se, bizneset do ta kenë të lehtë të fitojnë, pasi referenca ligjore e Bashkisë Tiranë nuk qëndron.

Edhe familjet me disa prona po paguajnë disa herë

Të njëjtin problem e kanë dhe familjet që kanë nga dy ose më shumë prona të regjistruara dhe po paguajnë taksën e arsimit nga dy apo më shumë herë, pavarësisht se ajo duhet të paguhet për familje. Vendimi i Bashkisë përcakton se, “Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit te Bashkisë së Tiranës”.

Sa do vilet nga NIPT-et sekondare

Në projektbuxhetin e vitit 2016 të Bashkisë Tiranë, parashikohen të mblidhen këtë vit 650 milionë lekë nga taksa e arsimit (rreth 5 milionë euro), nga të cilat 320 milionë lekë do i paguajnë familjarët dhe 330 milionë lekë subjektet tregtare. Në vitin 2017, planifikohen të mblidhen 690 milionë lekë dhe në 2018-ën rreth 720 milionë lekë.
Por, vetëm nga NIPT-et sekondare (taksimi minimum dy herë i bizneseve që kanë një NIPT tjetër përveç atij kryesorit), bashkia pritet të arkëtojë minimum 167 milionë lekë në vit, apo rreth 1.2 milionë euro (sipas tabelës më poshtë), apo një të pestën e shumës totale të planifikuar për t’u mbledhur nga kjo taksë. Në tabelën më poshtë, për bazë llogaritje për biznesin e vogël, që ka disa fasha, është marrë niveli më i ulët prej 17 mijë lekësh, ndërkohë që pjesës më të madhe të bizneseve të mesme po u vjen fatura e Bashkisë me tarifën prej 27 mijë lekësh. Nëse llogaritet me 27 mijë lekë, shuma e pritshme totale për t’u arkëtuar shkon në 202 milionë lekë (1.4 mln euro).

Qeveria pranon korrupsionin

Në kuadër të rishikimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe integrim në pesë vitet e ardhshme deri më 2020, qeveria ka artikuluar se dobësitë në administratën publike dhe korrupsioni me format e veta të shumëfishta janë pengesat themelore për jetësimin e reformave. Në draftin e SKZHI 2015-2010 që tashmë është në një proces konsultimi qeveria ka shpallur 6 prioritet e mëdha për pesë vitet në vijim të cilat fokusohen në:
1-Shërbime publike inovatore, që kanë në qendër qytetarin (qeverisja e mirë);
2-Efikasitet në koston e furnizimit me energji elektrike (energjia);
3-Nxitja e novacionit dhe konkurrueshmërisë (investimet e huaja direkte dhe të brendshme);
4-Menaxhimi i integruar i ujit;
5-Rritja e qëndrueshmërisë së tregjeve të tokës (sistemet e tokës dhe prona
6-Reforma strukturore.
Mirëpo në dokument thuhet se qeveria përballet me një numër risqesh gjatë zbatimit të SKZHI-II dhe vonesash në realizimin e vizionit të saj për zhvillim kombëtar dhe integrim në BE. Në analizën e posaçme thuhet se pjesa dërmuese e këtyre risqeve konsiston në nivele të brendshme dhe mikro apo sektoriale (si p.sh. risqe sociale, të tregut, të mjedisit, shëndetit, kredisë etj). Hartuesit e dokumentit që është publikuar nga Ministria e Ekonomisë pohojnë se, paraqesin një rrezik të lartë për reformat kufizime të thella të kapaciteteve përthithëse në radhët e Administratës Publike dhe Shërbimit Civil, të cilat mund të sjellin si pasojë vonesa të mëdha, cilësi të dobët të zbatimit të SKZHI-II dhe përfitime të ulta për investimet për fonde zhvillimi. “Kufizimet për koordinimin dhe zbatimin e politikave mund të çojnë në keq akordim të fondeve, të rrisin konkurrencën e brendshme për burime, mund të çojnë në duplikime, vonesa në vendim-marrje apo mungesë efikasiteti në vendim-marrje dhe humbje të fokusit strategjik në përgjithësi nga ana e qeverisë”, thuhet në dokumentin themeltar të politikave të zhvillimit. Gjithashtu korrupsioni me format e veta të shumfishta, paraqet elementë me rrezik të lartë dhe mund të pengojë zbatimin e të gjitha reformave, duke përfshirë edhe vetë ato që kanë të bëjnë me Administratën Publike dhe Shërbimin Civil.
Ekziston një risk që burimet e disponueshme qoftë si fonde, ashtu edhe si burime njerëzore të mos jenë të mjaftueshme, në veçanti në lidhje me përpilimin dhe zbatimin e reformave madhore. Përformanca e dobët e Shërbimit Civil gjithashtu mund ta pengonte zbatimin, për shkak të hapësirës së kufizuar për shpërblim, vlerësim të performancës dhe mundësive për t’u ngritur në detyrë, trajnimeve dhe zhvillimit etj. “Politizimi i Shërbimit Civil mund të pengojë zbatimin e SKZHI-II përmes lëvizjeve të vazhdueshme të personelit (sidomos në nivelet e larta); dhe në rastin e medias dhe Shoqërisë Civile, politizimi mund të pengojë zhvillimin e demokracisë në përgjithësi” thuhet në gjetjet e qeverisë për rreziqet që kanosin reformat për zhvillimin e vendit.

AFP: Si e kanë shkatërruar islamikët Palmirën

Statuja të çara, mure të shkatërruara të tempujve, mure të shkarravitura: qyteti antik sirian i Palmiras tregon plagët pas dhjetë muajsh nën sundimin e dhunshëm të milicisë xhihadiste «Shteti Islamik» (IS). Përmasën e shkatërrimit dhe keqpërdorimit të objekteve kulturore nga ana e ekstremistëve tani kishte mundësi ta shikonte nga afër një ekip i agjencisë franceze të lajmeve AFP, pasi trupat qeveritare siriane para një jave rikthyen kontrollin mbi këtë qytet antik.

Në hyrje të Tempullit të Balit dymijë vjet të lashtë xhihadistët me ngjyrë të zezë kanë shkruar: «Shteti islamik. Ndalohet hyrja e civilëve dhe vëllezërve (luftëtarëve)». Muret e jashtme dhe oborri i tempullit qëndrojnë ende, por pjesa e brendshme, ku zhvilloheshin lutje, tani është vetëm një grumbull me gurë. IS e kishte hedhur në erë tempullin gjatë verës.

Në përgjithësi terreni i qytetit antik është i mbuluar me gurë me ngjyrë bezh dhe oker, të cilët dikur përbënin kolonat dhe harqet. Mamun Abdulkarim, i cili është përgjegjës për objektet e lashta kulturore në qeverinë e Sirisë, tha se ishte optimist se objektet kulturore të shkatërruara nga IS mund të ndërtohen brenda pak vitesh me ndihmën e OKB-së. Por edhe ai e pranoi: «Natyrisht që Tempulli i Balit nuk do të jetë kurrë më ai që ka qenë».

Teatrin Romak, një ndërtim madhështor nga shekulli i dytë, i cili është ende i paprekur, xhihaidstët e kanë keqpërdorur për ekzekutime publike. Një mur është i njollosur me emra të luftëtarëve, një tjetër i mbuluar nga vrimat e plumbave. Këtu fëmijët e luftëtarëve të IS ishin të detyruar të rrokin armët dhe, mes tjerash, të ekzekutojnë ushtarët qeveritarë.

Atje ku gjendej faltorja e Tempullit të Balshaminit, po ashtu të shkatërruar, tani shihen vetëm katër kolona. Edhe pjesët e mbetura të harkut madhështor të triumfit janë të shpërndara në tokë. «Nuk do të jetë vështirë të rindërtohet, sepse të gjithë gurët janë këtu», thotë Abdulkarimi. Po ashtu ai thotë se harku në vitet 30-të është restauruar njëherë. «U bëj ftesë arkeologëve dhe ekspertëve nga mbarë bota për të ndihmuar».

Edhe në Muzeun Nacional në Palmira xhihadistët janë marrë me shkatërrime. Ata kanë hequr kokat e busteve të grave të stolisura, kanë nxjerrë vizatimet nga muret dhe kanë shëmtuar skulpturat prej guri, të cilat kanë vlerë të paçmueshme. Gjatë sundimit të tyre në Palmira muzeu u shërbente xhihadistëve si gjykatë religjioze.

Talal Barasi, guvernator i provincës, tha se ishte i lumtur që ishte arritur që 400 «pjesët më të bukura» të muzeut të ruheshin në një vend të sigurt para se të vinte IS.

Hotelet e qytetit, dikur plot me turistë, janë të zbrazëta. Në çdo vend mungojnë xhamat. Një kishë aty afër ishte shndërruar në qendër rekrutimi. Burgun e dikurshëm të Palmiras xhihadistët e hodhën në ajtër dhe hapën qendrat e tyre të burgimit, mes tyre edhe në një pallat të drejtësisë të qeverisë.

Atje në njërën nga dyert në bodrum shkruan: «Qendër përgjimi». Shihet një hapësirë e gjatë, pa orendi, me dyshekë në dysheme. Në mur të burgosurit kanë lënë emrat dhe porositë e tyre. Fjala «farah», arabisht për «gëzim», gjendet e rrethuar me një zemër të madhe.

«Kam qenë 14 ditë në këtë qeli», tregon Abu Mahmud, më parë një nëpunës në Palimira. Për çdo ditë vinin xhelatët e IS, sauditë, irakianë apo tunezianë dhe e merrnin në pyetje. «Me atë rast ma vënin shpatën në fyt».

Mahmudin e nxorën nga burgu, ai iku dhe iu bashkua një trupe të afërt me qeverinë. Disa nëpunës të tjerë nuk kishin kaq shumë fat. «Ata u ekzekutuan, kufomat e tyre u hodhën në shkretëtirë dhe u shqyen nga qentë».

Sipas guvernatorit Barasi ekspertët vlerësojnë se 30 për qind e qytetit të vjetër të Palmiras është shkatërruar. Për pak Palmira ka shpëtuar nga më e keqja, siç tregon Mahumdi dhe konfirmon Barasi. IS minoi qytetin antik me 4500 mjete shpërthyese. «Njëri prej nesh është veshur si xhihadist dhe e ka vrarë atë që duhej të ndizte mjetet shpërthyese», tregon Mahmud. Tani mjetet shpërthyese po çmontohen një nga një.

Vritet zëdhënësi i Al Kaedës

Zëdhënësi i Al Kaedës, organizatë e lidhur me Al Nusrën, është në mesin e 20 apo më shumë xhihadistëve të vrarë gjatë sulmet ajrore në Siri.

Sipas Observatorit sirian për të drejtat e njëriut,  Abu Firas al-Suri  vdiq bashkë me djalin e tij, gjatë bombardimeve në provincën  Idlib të dielën.

Sipas të dhënave, në mesin e viktimave ka edhe militantë të huaj, teksa sulmet ajore nuk është ende e qartë nëse janë kryer nga forcat siriane apo ato ruse.

Në Siri është vendosur një armëpushim i përkohshëm ndërmjet forcave qeveritare dhe rebelëve, por në të nuk  përfshihet Fronti al Nusra apo i ashtuquajturi Shtet Islamik.

Terrori, 12 mijë gjoba ndaj bizneseve në 2015

Për nga numri, apelimet tatimore janë më të lartat e pesë viteve të fundit, ndërsa për nga vlera, gjobat e vëna nga administrata dhe të ankimuara vitin e kaluar janë më të lartat e tre viteve të fundit
Bumi mes sipërmarrjeve nuk ka munguar vitin e kaluar. Nuk flasim për bum shitjesh, investimesh apo prodhimi. Por, për hovin që morën gjobat ndaj sipërmarrjeve. Qeveria fali një pjesë të gjobave të vëna në prag e përgjatë zgjedhjeve elektorale të vitit 2013, por nuk e ndali hovin për të formalizuar ekonominë përmes gjobave administrative. Apelimet dhe vendimet tatimore nxjerrin në pak faktin se administrata u nxitua, duke gabuar ndjeshëm. Gjobat e lëna në fuqi ishin vetëm 32% e atyre të shqyrtuara. Aksioni kundër informalitetit vitin e kaluar u shoqërua me një mori gjobash nga Administrata Tatimore. Ndërsa fali gjobat elektorale të vitit 2013, administrata nuk ngurroi të firmosë penalitete mes bizneseve të ndryshme.
Sipas të dhënave mbi gjobat, të disponueshme nga tatimet, apelimi i gjobave ishte gati tre herë më i lartë se një vit më parë, duke arritur në gati 12 mijë (11.880). Por ndërsa administrata ka qenë më dinamike në rritjen e ritmit të gjobvënies, nuk ka ecur me të njëjtat ritme zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Sipas të dhënave, në 2014-ën, është marrë vendim për 75% të gjobave të apeluara, ndërsa vitin e kaluar, iu dha përgjigje 62% të gjobave të apeluara nga biznesi. Për nga numri, apelimet tatimore janë më të lartat e pesë viteve të fundit, ndërsa për nga vlera, gjobat e vëna nga administrata dhe të ankimuara vitin e kaluar janë më të lartat e tre viteve të fundit. Arriti në 16.2 miliardë lekë ose 116 milionë euro shuma që biznesi ankimoi te Drejtoria e Apelimit Tatimor. Këto janë ankesa që kryesisht bizneset i kanë bërë, sepse nuk kanë qenë dakord me vlerësimet tatimore pas kontrolleve, apo për gjoba të ndryshme. Pjesa më e madhe e ankimimeve kanë qenë për taksat kombëtare, me rreth 6.8 miliardë lekë, të ndjekura nga TVSH, me 4.9 miliardë lekë, tatim fitimi me 1.6 miliardë lekë. Vetëm 537 milionë lekë, apo rreth 3.3% e shumës së ankimuar është shfuqizuar, 5.3 miliardë lekë është në fuqi, 10 miliardë lekë është refuzuar dhe 357 milionë lekë është kthyer për saktësim.
Grafikët tregojnë se pavarësisht morisë, vitin e kaluar ka qenë më i ulët numri i gjobave të lëna në fuqi, duke treguar se administrata u nxitua më shumë se kurrë në penalizimin financiar të bizneseve për shkelje administrative. Vitin e kaluar, krahasuar me pesë vitet e fundit, është shënuar numri më i lartë i gjobave të refuzuara. Nga të dhënat mujore rezulton se, korriku dhe dhjetori kanë qenë periudhat me gjobat më shumë të apeluara. Sipas ligjit për procedurat tatimore, kur tatimpaguesi nuk është dakord me një akt administrativ dhe beson se Administrata Tatimore nuk e ka zbatuar në mënyrë korrekte ligjin, ai ka të drejtën e ankimit në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke kërkuar rishqyrtimin e pavarur të çështjeve që lidhen me këtë akt. Biznesi mund të ankimohet për çdo njoftim vlerësimi (për shembull një vlerësim tatimor i nxjerrë pas një kontrolli tatimor), çdo akt tjetër administrativ që ndikon detyrimin tatimor të tatimpaguesit, përfshirë kërkesën për kompensim (kur, për një tatim ose disa lloje tatimesh, tatimpaguesi ka një detyrim, por gjithashtu gëzon edhe të drejtën e kreditimit ose rimbursimit), çdo akt që ndikon kërkesën e tij për rimbursim, çdo akt që ndikon kërkesën e tij për lehtësim tatimor, gabimet në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës dhe vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të gjobave.

Rivlerësimi i detyrimeve është arbitrar, e pranon edhe Këshilli i Investimeve

Në një anketim që Këshilli i Investimeve ka publikuar së fundi për mekanizmat e zgjidhjes së marrëveshjes mes biznesit dhe administratës publike ka konstatuar se, “ekziston një perceptim i përgjithshëm mbi faktin se shpeshherë, rivlerësimi i detyrimeve tatimore ose doganore kryhet në mënyrë arbitrare nga administratat përkatëse pikërisht për të krijuar të ardhura dhe për të arritur objektivat dhe planet e tyre buxhetore, duke shfrytëzuar këto “mundësi” ligjore”. Në këtë aspekt, parashikimet e legjislacionit të zbatueshëm veçanërisht në fushën tatimore dhe doganore, konsiderohen nga biznesi se favorizojnë administratën në marrjen e vendimeve arbitrare. Institucionet fiskale kanë “de facto” epërsi ligjore ndaj biznesit në përballjen me to, pasi ky i fundit duhet të parapaguajë detyrimet pa u shqyrtuar ende në thelb mosmarrëveshja. “Parapagimi i detyrimit në rastin e tatimeve dhe i një pjese të gjobës në rastin e doganave ka krijuar një klimë mosbesimi të ndërsjellë”, vëren raporti i hartuar mbi funksionimin e apelimit tatimor. Sipas biznesit, do të duhet që këto struktura dhe e gjithë administrata të mos ketë si kritere vlerësimi të punës së tyre apo të realizimit të objektivave buxhetore, shumat e mbledhura si rezultat i parapagimit të detyrimeve apo gjobave”.
Po sipas këtij raporti, Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT) ndonëse është e njohur gjerësisht nga biznesi, nuk perceptohet si një strukturë e pavarur nga pjesa tjetër e Administratës Tatimore dhe as e paanshme në vendimet e saj. Vendimet e kësaj të fundit janë në masën dërrmuese jo në favor të bizneseve, por të Administratës Tatimore. DAT ju jep të drejtë bizneseve në mënyrë të qartë vetëm në 4% të rasteve. Roli i DAT dhe i vendimeve të tij shikohen me dyshim nga bizneset dhe vihen në diskutim nga vetë ligji “Për procedurat tatimore” (i ndryshuar), në të cilin parashikohet se vetë vendimet e DAT janë sërish të ankimueshme në gjykatë nga Administrata Tatimore (drejtoritë rajonale), kur kjo e fundit nuk është dakord me to. Referuar të dhënave të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të Tiranës, kjo e fundit ka vendosur në favor të Administratës Tatimore (drejtorive rajonale), kur këto të fundit kanë ankimuar vendimet e DAT në vetëm 1.4% të rasteve në vitin 2014 dhe 2.4% të rasteve në 2015-ën.