19.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Shqipëria, regjim hibrid, me problem të korrupsionit në qeveri

Në një sistem vlerësimi ku 1 është niveli më i lartë i demokracisë dhe 7 më i ulëti, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një qeveri tranzicioni ose regjim hibrid.
Si vlerësim pikësh Shqipëria ka 4.14, njëlloj si vitin e kaluar. Kjo i atribuohet një përmirësimi në sistemin zgjedhor dhe një rënieje në kategorinë e medias të pavarur.
Në Shqipëri sheh ato prirje që sheh në shumë vende të tjera, jo vetëm në Ballkan, por në gjithë rajonin, thotë drejtori i projektit “Vendet në tranzicion”, Nate Schenkkan.
“Bëhet fjalë për një rivalitet politik shumë të ashpër dhe intensiv mes palëve, që ndonjëherë i kapërcen kufijtë e një konkurrence normale, jashtë rregullave të konkurrencës në demokraci dhe kjo mund ta largojë vëmendjen nga reformat institucionale dhe nga përmirësimi i sistemit të drejtësisë, si të çrrënjosim korrupsionin apo ekonominë informale”.
Zoti Schenkkan thotë se lufta politike ka shkaktuar shpërqendrim dhe në shumë vende të rajonit kur arrihet në një pikë të skajshme konflikti, politika saboton shanset “për të çuar përpara reformat për të cilat ka nevojë gjithë shoqëria”.
Stanjacioni në Shqipëri, thotë zoti Schenkkan, mund të jetë më shumë pasojë e korrupsionit që ka depërtuar thellë.
“Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në 7 drejtime të ndryshme. Kjo vlen për porthuajse të gjitha vendet e rajonit dhe është fakt që lufta më e vështirë për vendet e rajonit, është ajo kundër korrupsionit”.
Megjithëse kapitulli i raportit për Shqipërinë, nuk është ende përfundimtar dhe për këtë arsye nuk është publikuar apo ndarë me median, zoti Schenkkan thotë se më 2015, pati miratim të një sërë reformash dhe ligjesh dhe angazhime për miratim reformash, si ajo për drejtësinë.
Po ai thotë se për vitin 2016, 2017 e më tej, pyetja është nëse këto reforma do të zbatohen. Ai sqaron se Freedom House është e kujdesshme kur bën vlerësimin e saj, qoftë negativ apo pozitiv dhe nuk mbështetet thjesht tek miratimi i ligjeve.
“Ne duam të shohim nëse ato do të zbatohen, çfarë ndodh në terren dhe mendoj se me Shqipërinë jemi në këtë pikë. Ka pasur shumë miratime, si decentralizimi, reforma territoriale, por tani duam të shohim nëse po zbatohen ose jo dhe nëse zbatohen, sa efektive do të jenë dhe kjo do ta përcaktojë nëse vlerësimi për Shqipërinë do të përmirësohet”.
Por gjithsesi ashtu si edhe vende të tjera të Ballkanit, Shqipëria është në të njëjtin nivel ku ishte në vitin 2004.

Kosova, hendek mes politikave të qeverisë dhe asaj që do publiku

Kosova ka shënuar një përparim të lehtë nga 5.14 në 5.07, falë përmirësimeve në median e pavarur dhe qeverisjen lokale. Megjithatë vendi vazhdon të jetë mes regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara. Në raport thuhet se ritmi i konsolidimit demokratik ishte i ngadaltë për vitin 2015.
Drejtori i projektit, Nate Schenkkan beson se ka një hendek mes asaj që do popullata ose që mendon se duhet të marrë përmes shtetformimit dhe marrëdhënies me Evropën dhe Perëndimin dhe asaj që po merr në fakt.
“Kjo qeveri ka një shumicë të gjerë në Parlament e megjithatë politikat që po ndjek duket se nuk janë aspak popullore, jo vetëm me një opozitë mjaft radikale si Vetëvendosja, por jo popullore në masë të gjerë me popullsinë dhe kjo është problematike në një demokraci, që një shumicë e gjerë parlamentare miraton ndryshime para se popullata të dojë që ato të bëhen”.
Zoti Schenkkan thekson se kjo nuk do të thotë që ndryshimet janë të gabuara apo që politikat janë të gabuara, por se mënyra se si i ka paraqitur qeveria nuk ka qenë efektive.
Në raport përshkruhet një dinamikë ku shumica që u krijua pas zgjedhjeve kishte një përqindje mbështetjeje të ulët dhe ndoqi një program legjislativ të debatueshëm dhe opozita përdori mjete jashtë instrumenteve politike deri në përdorimin e gazit lotsjellës në Parlament.
Pakënaqësia sipas zotit Schenkkan ka edhe arsye të tjera.
“Këtë do ta lidhja edhe me padurimin që populli i Kosovës ndjen për integrimin në Bashkimin Evropian, pamundësinë për të patur liberalizimin e vizave dhe me ndjesinë se Serbia po përfiton më shumë nga dialogu sesa Kosova, përsa i takon objektivave kombëtare, prandaj është problem jo vetëm për Kosovën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar që e ka mbështetur Kosovën fuqishëm”.
Ai thotë se është një problem i vërtetë që popullsia nuk mendon se po merr atë që meriton nga marrëveshja me Serbinë dhe qeveria duhet ta kishte sqaruar më mirë situatën.
Përsa i takon prirjeve të demokracisë në raport theksohet fakti i mbizotërimit të udhëheqësve të pasfiduar në grupime të ndryshme politike. Po ashtu korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur megjithë disa përmirësime të lehta në gjyqësor.
Raporti nuk përfshin ngjarjet e vitit 2016 dhe rrjedhimisht vetëm parashikon që zoti Hashim Thaçi do të zgjidhej në postin e Presidentit siç edhe ndodhi, por thotë se opozita si edhe një pjesë e mirë e elitës së shoqërisë, përfshirë median dhe shoqërinë civile ishin kundër zgjedhjes së tij, për shkak të korrupsionit në radhët e anëtarëve të partisë së tij. Po ashtu parashikohet që tensionet politike do të vazhdojnë t’i lënë të anashkaluara zhvillimet e tjera lidhur me politikat, dialogu me Serbinë mund të ngecet, ashtu si edhe ecuria e legjislacionit zgjedhor.

Maqedonia, vendi me rënien më të madhe

Maqedonia kishte rënien më të madhe mes 29 vendeve të analizuara nga Freedom House për raportin “Vendet në tranzicion” për këtë vit, në një krizë politike që në raport thuhet se ishte më e rënda që nga viti 2001. Nga shtatë kategoritë që analizon Freedom House, Maqedonia pati përkeqësim në gjashtë prej tyre, me një vlerësim mesatar që nga 4.07 vitin e kaluar, ra në 4.29.
Kjo ndodhi për shkak të përgjimeve që nxori Bashkimi Social-Demokrat që nxirrnin në pah përfshirjen direkte të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe të partisë në pushtet në korrupsion dhe aktivitete kriminale, që zoti Schenkkan tha se prekte pothuajse të gjitha kategoritë. Kriza vazhdon edhe sot, tha ai, duke iu referuar deklarimeve të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen në qershor.
“Nuk na takon ne të themi a është vendimi i duhur, por duket se do të zgjasë krizën politike dhe është e vështirë ta imagjinosh sesi mund të zgjidhet kjo krizë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu është e vështirë të imagjonohet se si mund të kthehet Maqedonia në një trajektore pozitive, përsa i takon demokratizimit pa reforma thelbësore që u parashikuan nga marrëveshja e verës së kaluar”.
Të gjithë këta faktorë thuhet në raport, do të përcaktojnë rrugën që do të marrë vendi përsa i takon qeverisjes demokratike në vazhdim të vitit 2016.

Pikat kryesore të raportit, kryeson korrupsioni i lartë

Shqipëria konsiderohet regjim hibrid, mes autokracisë e demokracisë, që do të thotë se vendi ka institucione të brishta demokratike dhe nuk respekton apo garanton të drejtat politike dhe liritë civile.
Gjendja e demokracisë në vend është vlerësuar me 4,14 pikë, në një sistem vlerësimi nga 1 në 7— ku 1 tregon nivelin më të lartë të demokracisë dhe 7 nivelin më të ulët.
Në mënyrë më të detajuar, vlerësimet e raportit për Shqipërinë (në shkallën 1-7) janë:
Qeverisja demokratike në nivel kombëtar 4,5
Procesi zgjedhor 3,75
Shoqëria civile 3,00
Qeverisja lokale 3,50
Pavarësia e medias 4,25
Pavarësia e drejtësisë 4,75
Korrupsioni 5,25
Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë është i njëjtë me atë të vitit 2015, por më i ulët se ai i vitit 2014 dhe 2013.
Krahasuar me vitin 2015, treguesi i vetëm që ka pësuar përkeqësim është pavarësia e medias, nga 4,00 më 2015-ën, në 4,25 më 2016-ën.
Krahasuar me vitin 2015, treguesi i vetëm që është përmirësuar është procesi elektoral, nga 4,00 më 2015-ën, në 3,75 më 2016-ën.
Treguesi më i dobët vazhdon të mbetet korrupsioni.
Shqipëria dhe Kosova zënë vendin e parë në Ballkan për numrin e lartë të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian.
Papunësia në Shqipëri është afërsisht 20 për qind, ndërsa papunësia e të rinjve (15-29 vjeç) është 29 për qind.

Prirjet e Ballkanit

Sipas Freedom House, gjendja në vendet individuale është pjesë e kontekstit më të gjerë të Ballkanit. Rajoni ka në një kthim në nivelin ku ishte në vitin 2004. Drejtori i projektit “Vendet në tranzicion”, Schenkkan thotë se ka dy dinamika që ndërthuren.
“Një lloj ngecjeje në përparimin politik, pavarësisht nga fakti se janë hapur proceset për anëtarësim në Bashkimin Evropian për një numër vendesh dhe këto vende po diskutojnë kapituj të ndryshëm. Megjithatë ka një numërim në vend përsa i takon zhvillimit institucional dhe veçanërisht në luftën kundër korrupsionit”.
Dhe nga ana tjetër, thotë ai, ka një lodhje në Bashkimin Evropian përsa i takon zgjerimit.
“Si pjesa e fundit e kontinentit që nuk është integruar, Ballkani Perëndimor është veçanërisht i ekspozuar ndaj kësaj prirjeje. Pyetja se cilat janë ambiciet nga ana e Bashkimit Evropian dhe cili do të jetë niveli i mbështetjes për integrimin në Evropë, është një shqetësim real për vitet e ardhshme”.
Ngecja në shkallë rajoni u atribuohet faktorëve të ndryshëm në vende të ndryshme. Përsa i takon Serbisë dhe Malit të Zi për shembull, si edhe Maqedonisë deri këtë vit, zoti Shankken thotë se udhëheqës autoritarë kanë marrë një kontroll pothuajse të pasfiduar të institucioneve shtetërore, gjë që është shumë pranë monopolizimit të shtetit.
“Në Kosovë dhe Bosnje kemi ende në thelb struktura shtetërore jofunksionale që u ngritën pas luftës në ato vende dhe këto struktura nuk janë zgjidhur, struktura e dalë nga Dejtoni në Bosnje dhe në Kosovë ka një hendek mes preferencave të publikut dhe asaj që qeveria do të bëjë me politikat e saj”.
Sipas Freedom House këto zhvillime të brendshme tani rrezikojnë të ndërlikohen nga mbyllja e kufijve evropianë për të mos lejuar emigrantët që të arrijnë në vendet e BE-së përmes rrugës së Ballkanit.
Por zoti Schenkkan thotë se kriza e imigracionit nuk duhet të bëhet një justifikim për të izoluar Ballkanin nga pjesa tjetër e Evropës.
“Me një papunësi mes të rinjve mbi 50 për qind në pjesën më të madhe të rajonit, kthimi i Ballkanit në një ishull brenda Evropës do të ishte katastrofik për zhvillimin e rajonit. BE-ja nuk duhet të favorizojë stabilitetin e përkohshëm përballë reformave afatgjata në Ballkan”, shprehet ai në raport.

VOA

Shqipëria, destinacioni i fundit në rajon për investitorët gjermanë

Trajtimi jo i duhur fiskal, ligjor, mosrespektimi i kontratave, paqëndrueshmëria e administrates publike etj., duket se e kanë bërë Shqipërinë vendin më pak atraktiv për biznes ndër 20 vende në zhvillim të Europës Lindore. Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në një anketim për klimën e biznesit 2016 verën se, Shqipëria renditet e 19-ta ndër 20 vende për të investuar, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe në vendin e fundit (20-tin), ndaj pyetjes “nëse do të investonit përsëri në vendin ku operoni?” .
Dhoma Gjermane vëren se për më tepër klima e biznesit është përkeqësuar edhe më tej gjatë vitit 2016.
Mbi vëzhgimin e kryer në ecurinë ekonomike të vitit 2016 në Shqipëri, u bë e njohur se 56% e bizneseve të anketuara e vlerësojnë situatën negative në 2016. Vihet re një rritje e përkeqësimit të situatës, pasi vitin e shkuar vetëm 47% e tyre kishin ndjesi negative. Nga ana tjetër, 38% e bizneseve të anketuara e vlerësojnë të kënaqshme situatën në 2016, në krahasim me vitet paraardhëse. Anketimi tregoi, sa i përket të ardhmes, bizneset shpresojnë se do të përmirësohet, sidomos brenda sektorit.
Lidhur me situatën aktuale, 5% e të anketuarve e vlerësojnë “mirë” situatën ekonomike, ndërsa vitin e shkuar këtë vlerësim e kishin 19% e bizneseve.
Më pozitive vlerësohet situata aktuale e vetë bizneseve, në krahasim me një vit më parë. 28% e bizneseve deklarojnë se situata e tyre është përmirësuar, ndërsa vitin e shkuar numri i tyre ishte 23%. Për 54% së të anketuarve situata ka mbetur e pandryshuar, ndërsa 18% e tyre mendojnë se situata është përkeqësuar.

Rritet numri i bizneseve që refuzojnë Shqipërinë

Nga rezultatet e anketimit për vitin 2016 vihet re se, Shqipëria aktualisht nuk ofron mundësitë më të mira për investime. Këtë vit vetëm 67% e kompanive do të investonin sërish në Shqipëri (2014: 86%, 2015: 66%), thuhet në njoftimin e Dhomës Gjermane. Faktorë të vlerësuar si pengesë në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacion investimesh janë “lufta kundër informalitetit dhe korrupsioni”, “transparenca e tenderave publike”, “siguria ligjore”, “parashikueshmëria e politikave ekonomike” dhe “administrata publike”, njoftoi Dhoma.
Për vlerësimin e Shqipërisë si vend për investime, pjesëmarrësit në anketim u pyetën mbi 20 faktorë, të cilët këtë vit pothuajse të gjithë janë përkeqësuar. Vlerësime pozitive në krahasim me një vit më parë kanë marrë “kostoja e punës” dhe “disponueshmëria dhe cilësia e furnitorëve lokalë”.
Këtë vit, të anketuarit kanë qenë më kritikë ndaj zhvillimit të vendit dhe më optimistë për sa i përket bizneseve të tyre. Kjo vihet re si në rritjen e të ardhurave të pritshme të biznesit (45% presin rritje, 40% mendojnë se nuk do të ndryshojnë) edhe në rritjen e numrit të punonjësve. 35% e të anketuarve mendojnë të rrisin numrin e punonjësve, ndërkohë që 55% e tyre (72% një vit më parë) nuk planifikojnë ndryshime. Pyetjes nëse forca e punës në Shqipëri është e përgatitur nëpërmjet sistemit arsimor për kërkesat e kompanive, 10% të të anketuarëve i janë përgjigjur me “Po”, 63% me “Pjesërisht” dhe 28% me “Jo”. 68% e shikojnë si mundësi ofrimin e trajnimeve profesionale brenda kompanisë në përputhje me nevojat specifike.
Nga data 1 shkurt deri më 1 mars 2016, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, së bashku me 16 Dhoma Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK) në Rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore (EQJL), realizoi me kompanitë anëtare anketimin vjetor mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri. Nga të gjitha zyrat (AHK) të rajonit EQJL morën pjesë në këtë anketim 1623 kompani, nga të cilat 40 ishin nga Shqipëria. Kjo korrespondon me një pjesëmarrje prej 44 % të kompanive anëtare të DIHA-s. Pjesëmarrësit marrin pjesë në këtë anketim online dhe përgjigjet analizohen në mënyrë anonime.
Kreu i Dhomës Gjermane, Anette Kasten, ka deklaruar se pika kryesore ku ka nevojë për përmirësim situata në vendin tonë është forcimi i shtetit të së drejtës.
Rekomandimet që DIHA ka dhënë për përmirësimin e klimës në vendin tonë janë:
Personeli i qëndrueshëm: nevojiten persona kontakti që kanë vite që punojnë në sektor. Sipas vëzhgimeve, në rajon personat e kontaktit nuk ndryshojnë.
Shkëmbimi në nivel ministror: Është një pikë shumë e mirë, por duhet që edhe specialistët të kenë zë.
Shteti i së drejtës dhe taksat: Bizneset gjermane mendojnë se, firmat e huaja kontrollohen 20 herë më shumë se vendaset.

Berisha: Denoncimi i ri gjerman i klimës së keqe të biznesit në Shqipëri

Ish-kryeministri Berisha e cilësoi dramatik sondazhin e Dhomës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, e cila e rreshton Shqipërinë si vendin e fundit në rajon që bizneset gjermane do preferonit për të bërë biznes. “Në studimin e saj të fundit për klimën e investimeve, të kryer në 20 vende, Dhoma gjermane e Industrisë dhe Tregtisë ka gjetur se Shqipëria renditet e fundit duke lënë mbrapa vetëm Kosovën. Kështu, në këtë studim 56% e bizneseve gjermane të anketuara shprehen se konsiderojnë negative klimën për investimet në Shqipëri. Po ju rikujtoj këtu se në një studim të botuar nga ambasada gjermane në vitin 2012, mbi 80% e bizneseve gjermane kishin mendim pozitiv për klimën e biznesit në Shqipëri dhe se ata donin të investonin paratë e tyre në këtë vend” shprehet Berisha. “Në studimin e këtij viti vetëm 5% e bizneseve gjermane të pyetura nëse vlerëson “mirë” gjendjen ekonomike të vendit kundrejt 19% apo thuaj 4 herë më shumë që e vlerësonin mirë gjendjen ekonomike të Shqipërisë!  Kambanave të alarmit në Shqipëri për klimën e biznesit ju ra këto ditë edhe Dhoma shqiptaro-amerikane e Tregtisë.  Gjatë tri vjetëve kjo qeveri nuk ka regjstruar dot as dhe një investim serioz të huaj në Shqipëri. Të gjitha investimet e huaja që bëhen aktualisht në Shqipëri janë pa përjashtim kontrata të firmosura nga qeveria e mëparshme. Përkundrazi, kompani të mëdha janë larguar dhe po largohen nga Shqipëria! Ndërkohë Rama dhe Koçot e tij vjedhin ditën dhe natën e pasurohen edhe duke fjetur!” bëri të ditur Berisha.

Ulet me 60% fitimi i bankave për 2 mujorin 2016

Fitimi i sistemit bankar ka shënuar një rënie të ndjeshme në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, për periudhën janar-shkurt 2016, ai ka zbritur në 2.2 miliardë lekë , nga 5.4 miliardë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej rreth 60%. Gjatë vitit 2015, statistikat e Shoqatës së Bankave dhe ato të Bankës së Shqipërisë treguan një panoramë të kundër të fitimeve të sistemit bankar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan një rritje të ndjeshme të fitimeve të sistemit bankar në vitin 2015, me 40% në 15.7 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat sipas standardeve lokale GAAP. Ndërsa të dhënat e Shoqatës së Bankave, të raportuara sipas standardeve ndërkombëtare IFRS, tregojnë një rënie të ndjeshme të fitimeve, nga 12.2 miliardë lekë në 2014-n, në 4.9 miliardë lekë në 2015-n (ky i fundit është dhe standardi sipas të cilit bankat raportojnë dhe te tatimet, e paguajnë taksat). Diferencat shpjegohen me mënyrën si bëhen provigjionimet e kredive me probleme sipas secilit standard. Për bankierët, sfida më e madhe mbetet se si do të veprojnë ata në mjedisin me interesa të ulëta. Në 9 muajt e parë të vitit të kaluar, pjesa më e madhe e fondeve të lira të bankave u investuan në institucione të tjera financiare jashtë vendit, ndërsa kredia për ekonominië (ku bankat mund të fitojnë më shumë), mbeti e vakët për shkak të riskut të lartë. Por, me vendosjen e parave jashtë që filloi të jepte interesa negative, në tremujorin e fundit 2015, bankat i depozituan paratë në Bankën Qendrore. Pas vërshimit të parave të lira në tremujorin e katërt tek Banka Qendrore, kjo e fundit vendosi të mbyllë edhe këtë rubinet të të ardhurave, duke e bërë normën negative të euros në -0.55%, si një mjet “presioni” që bankat të përqendrohen në kreditimin e ekonomisë. Në kahun tjetër, edhe kërkesa e qeverisë për bono (një tjetër mjet investimi i parave të lira të bankave) është e ulët, pas emetimit të eurobondit të ri në nëntor 2015. Të gjendur përballë kësaj situate dhe sinjaleve për një vazhdim të politikës lehtësuese monetare, bankierët kanë pohuar për “Monitor” se kjo nuk do t’i nxisë të japin kredi, për sa kohë që mjedisi mbështetës nuk do jetë pozitiv. “Kombinimi i rritjes së ulët ekonomike së bashku me normat shumë të ulëta të interesit mund të jetë një dhembje koke për sistemin shqiptar financiar dhe ekonominë, duke qenë se normat e ulëta të interesit nuk garantojnë domosdoshmërisht më shumë kreditim për ekonominë, siç po dëshmohet sot në Bashkimin Monetar Europian”, thotë z. Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT). “Për sistemin bankar, ka një problem me uljen e normave të interesit, në këndvështrimin që ky është një kërcënim që biznesi të jetë i qëndrueshëm. Në rast se rënia e ndjeshme e të ardhurave nga reduktimi i normave të interesit nuk do të kompensohet nga një eficencë më e madhe për sa i përket menaxhimit të kostove dhe cilësisë së portofolit të huas, kjo mund të ketë ndikim negativ”, thotë Z.Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank. Po si do të reagojnë bankat. Disa janë alternativat e parashtruara. Së pari, ata do të vazhdojnë të dekurajojnë depozitat e reja, duke ofruar normë të ulët kthimi. Sidomos bankat e mëdha mund ta përballojnë një lëvizje të tillë. Së dyti, nuk është çudi, që në kërkim të normave të kthimit më të larta, bankat të tentojnë rritjen e normave të interesit të kredive (një zhvillim i tillë po ndodh aktualisht në Europë). Së treti, muajt e fundit bankat kanë filluar të njoftojnë klientën për rritjen apo vendosjen e komisioneve për shërbime të ndryshme.

Ja kush janë dhjetë futbollistët më të paguar në botë

Lionel Messi është futbollisti më i paguar në planet. Kjo është ajo që publikohet nga gazeta franceze “France Football” sipas së cilës, sulmuesi argjentinas i Barcelonës është dominues në këtë klasifikim të veçantë.

“France Football” e përpiloi këtë renditje duke u bazuar te paga bruto, bonuset, kontratat publicitare dhe shpërblimet për firmat e tyre.

Sipas revistës franceze, Messi kryeson me 74 milionë euro të fituara në vit.

Menjëherë pasi tij në vendin e dytë qëndron Cristiano Ronaldo me 67.4 milionë, ndërsa i treti është Neymar me 43.5 milionë euro në vit.

Bruksel, policia arreston tre persona të tjerë për dosjen e sulmeve terroriste

Tre persona u arrestuan në vijim të operacionit të sotëm në komunën Uccle pranë Brukselit në kuadër të dosjes hetimore belge për sulmet e 13 nëntorit në Paris, njoftoi Prokuroria federale belge.

“Në kuadër të hetimit të nisur nga Prokuroria federale pas sulmeve terroriste në Paris më 13 nëntor 2015, u kryen kontrolle të shumta në disa qendra banimi në rrugën Stalle në Uccle. Tre persona u arrestuan për t’u marrë më pas në pyetje”, bëri të ditur në një deklaratë të shkurtër Prokuroria e ngarkuar për hetimin e dosjeve për terrorizëm në Belgjikë.

Policia merr në mbrojtje komedianin gjerman, thuri poezi kundër Erdoganit

Komediani gjerman, Jan Boehmermann ka marrë mbrojtjen e policisë pasi më parë ka lexuar një poezi të turpshme për presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

Poezia e tij ngjalli zemërim të madh të autoriteteve turke, ndërsa një makinë policie është parkuar para shtëpisë së tij.

Më parë Erdogan ka paraqitur një ankesë penale kundër satiristit i cili ka nxitur një debat në Gjermani mbi lirinë e fjalës.

Prokurorët gjermanë po hetojnë nëse ai ka thyer ndonjë ligj që cenon apo ofendon udhëheqësit e huaj.

FMN, parashikim jo pozitiv për Shqipërinë

Vendet në zhvillim dhe veçanërisht eksportuesit e naftës e produkteve të tjera që po preken nga çmimet e ulëta do të kenë më shumë probleme për të rikthyer rritjen, derisa të kenë diversifikuar bazën e tyre të eksporteve, një proces ky që pritet të marrë kohë. Fondi Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e prillit të ecurisë ekonomike globale e ka mbajtur të pandryshuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2016 në 3.4%. Në 2017-n rritja pritet të përshpejtohet në 3.8%.  Nga shtetet e rajonit, për vitin 2016 rritjen më të lartë pritet ta ketë Mal i Zi me 4.7%, i ndjekur nga Maqedonia me 3.6%, më pas vijnë Shqipëria dhe Kosova me nga 3.4% dhe Bosnja me 3%. Serbia pritet të vijojë më zgjerimin më të ulët, prej 1.8%. Sipas tabelave të raportit, për 2015-n rritja për Shqipërinë pritet 2.6%, nga 2.7% që ishte në parashikimin e tetorit dhe në linjë me publikimin e fundit të INSTAT për një zgjerim prej 2.62%. Edhe në afatin e gjatë, rritja e Shqipërisë pritet të jetë e ngadaltë, duke u ulur lehtë parashikimi nga 4.2% në 4.1% (periudha 2020-2021). I gjithë rajoni në fakt pritet të zgjerohet edhe në afatin e gjatë me 3-4%, duke shënuar kështu një normalitet të ri, me rritje shumë më të ulët se 8-10% që u panë përpara vitit 2008.  Për Shqipërinë, inflacioni pritet të vijojë i ulët, nën 3% për periudhën 2016-2017, përkatësisht me 2.2% dhe 2.7%, duke qenë poshtë objektivit të shënjestruar prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bilancin e llogarisë korente më të lartin në rajon, përkatësisht me -12.7% dhe -16.5% të prodhimit të brendshëm bruto. Vendet e varura nga eksportet e naftës do rimëkëmben më ngadalë. Raporti thekson se vendet në zhvillim dhe veçanërisht eksportuesit e naftës e produkteve të tjera që po preken nga çmimet e ulëta do të kenë më shumë probleme për të rikthyer rritjen, derisa të kenë diversifikuar bazën e tyre të eksporteve, një proces ky që pritet të marrë kohë. Shqipëria është një shembull tipik i këtij rasti, ku nga shitja e naftës e mineraleve janë siguruar deri në një të tretën e eksporteve (shënim i Monitor). FMN paralajmëron që tregjet në zhvillim mund të shohin një rritje të mëtejshme të stresit, duke reflektuar gjithashtu dobësitë e brendshme. Për shembull, një valë tjetër zhvlerësimi kursi këmbimi mund të përkeqësojë më tej bilancet e koorporatave, dhe një rënie e fortë në flukset hyrëse të kapitalit mund të çojë në një ndrydhje të shpejtë të kërkesës. Rritja globale në 2016 pritet 3.2% Parashikimi bazë për rritjen globale në 2016-n është për një zgjerim modest prej 3.2%, përgjithëssht në linjë me vitin e kaluar dhe me një rishikim në ulje prej 0.2 pikë përqindjeje në raport me rishikimin e janarit 2016. Rimëkëmbja pritet të forcohet në 2017 dhe më tej, teksa kushtet në ekonomitë e stresuara do të fillojnë të normalizohen gradualisht. Por, pasiguritë janë rritur dhe rreziqet e skenarreve për rritje më të dobët po bëhen më të prekshme. FMN rekomandon që konjuktura e brishtë rritur urgjencën për një reagim të gjerë të politikave për të nxitur rritjen dhe për të menaxhuar dobësitë.

Presidentja e Brazilit në gjyq, akuzohet se manipuloi shifrat e buxhetit

Presidentja e Brazilit do të gjykohet për manipulim të defiçitit në rritje në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2014. Vendimi u mor nga dhoma e ulët e kongresit me 38 vota pro dhe 27 kundër. Votimi final do të merret me 17 dhe 18 prill nga dhoma e lartë e parlamentit, dhe nëse ajo voton pro Dilma Roussef pezullohet nga detyra.

Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff ka marrë një goditje të rëndë pasi Komiteti i Dhomës së Ulët i Kongresit të vendit votoi pro gjykimit të saj mbi akuzat se ka manipuluar shifrat e buxhetit të shtetit gjatë vitit 2014.

Nga 65 anëtarë gjithsej, 38 prej tyre votuan pro dhe 27 kundër rekomnadimeve për shkarkim të saj me argumentin se Rousseff ka fshehur defiçitin në rritje të vendit në atë periudhë. Tashmë e gjithë vëmendja do të përqendrohet në 17 dhe 18 prill, kur do të mbahet edhe votimi i plotë në dhomën e ulët të parlamentit. Kjo çështje ka ndarë shoqërinë braziliane, teksa kryeqyteti po përgatitet për protesta të mëdha.

Gjithashtu edhe votimi në komision u shoqerua me debate dhe skena kaotike mes mbështetësve të saj dhe atyre që kërkojnë largimin. Këta të fundit me pankarta në duar bërtisnin Dilma largohu. Votimi i komitetit është kryesisht simbolik, por shihet gjerësisht si masë paraprake për votimin final  në dhomën e ulët të kongresit.

Nëse 2/3 e dhomës  së Ulët të Parlamentit votojnë në favor të largimit të saj gjatë votimit të 17 prillit, kërkesa për largim pastaj do të dërgohet në Senat. Nëse edhe dhoma  e Lartë e Parlamentit do të pajtohet me shumicën e thjeshtë për ta dërguar Rousseff në gjykim, ajo pastaj do të pezullohet nga pozita e saj.

Alegri, te Juventusi deri në vitin 2018

Rinovimi i kontratës së Massimiliano Alegrit me Juventusin është më pranë se kurrë. Sipas “Tutto Sport”, zyrtarizimi i marrëveshjes së re do të vijë javën e ardhshme. Në këtë mënyrë trajneri nga Livorno do të ketë mundësi të vijojë me projektin e nisur në verë të 2014, me kontratë të re që do të jetë e vlefshme deri në vitin 2018, që do të thotë se kontrata aktuale është shtyrë me një vit.
Alegri, pas largimit të Contes gjeti një skuadër me mentalitet fitues, por merita e tij është se jo vetëm e fitoi titullin kampion, por arriti deri në finale të Championsit, ku u mposht nga Barcelona.
Në sezonin e dytë Alegri hasi më shumë vështirësi, pasi i është dashur të rindërtojë skuadrën pas disa largimeve të rëndësishme. Falë mbështetjes së skuadrës ishte në gjendje të ngjitej në vendin e parë pas një starti të dobët të Serisë A.
Alegri nuk u josh nga propozimet për të marrë drejtimin e kombëtares italiane, por edhe të skuadrave angleze dhe spanjolle, të cilat i ka refuzuar të gjitha për të qëndruar te Juventusi.

Rooney rikthehet në fushë pas dy muajsh

Dy muaj pas dëmtimit në gju, Wayne Rooney është rikthyer në fushë, me skuadrën e të rinjve të Manchester United, që në “Old Trafford” u përball me Middlesbrough. Sulmuesi anglez u aktivizua si titullar, ndërsa mungonte prej 13 shkurtit. Në këtë mënyrë, 30-vjeçari, që është edhe kapiten i përfaqësueses së Anglisë, ka nisur fazën e fundit të rehabilitimit, me shpresën se do të rikuperohet në kohë, për të qenë pjesë e Tri Luanëve në finalet e Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Nën sytë e trajnerit Louis van Gaal, sulmuesi luajti 61 minuta me ekipin e të rinjve, duke u larguar më pas nga fusha. Paraqitja e tij përpara më tepër se 6 mijë tifozëve kaloi pa lënë gjurmë dhe rreziku i vetëm u krijua nga një goditje standarde, që përfundoi mbi traversë. Goli i fitores së vendasve u shënua nga Paddy McNair, vetëm pak momente pasi Rooney ishte zëvendësuar.
Sipas drejtuesve të klubit të Manchester United, me progresin e shfaqur në aspektin fizik, Rooney mund të luajë edhe në ndeshjen e përsëritur me West Ham, që “Djajtë e Kuq” do të luajnë në çerekfinalet e FA Cup. Prej dëmtimit në gju, në sfidën ku United u mposht në fushën e Sunderland-it, lojtari ka humbur 12 ndeshje të skuadrës.