35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Fleckenstein: Marrëveshje me opozitën për Reformën në Drejtësi

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein deklaron se, ai pret që rezoluta për integrimin europian të Shqipërinë të aprovohet nga një shumicë e gjerë eurodeputetësh më 14 prill. Javët e ardhshme Fleckenstein do të vizitojë Tiranën për të motivuar mazhorancën dhe opozitën për aprovimin e Reformës së Drejtësisë.
Qëndrimi i Fleckeinstein i referohet rezolutës së miratuar së fundmi nga Komisioni i Jashtëm në PE për Shqipërinë. “Përshëndesim angazhimin e Shqipërisë për një reformë të plotë të sistemit të drejtësisë dhe inkurajon fuqimisht autoritetet shqiptare të vazhdojnë përgatitjet për këtë reformë të rëndësishme për të nxitur besimin e qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në sistemin e drejtësisë; lavdëron punën e Komisionit Ad Hoc për reformën gjyqësore në përgatitjen e reformës; vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin e Venecias; inkurajon më tej një qëndrim bashkëpunues në rrugën për miratimin e kësaj reforme; bën thirrje të gjitha palëve, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias, për të punuar drejt një kompromisi për ndryshime thelbësore të gjyqësorit, të cilat kanë të bëjnë ndër të tjera për pavarësinë e plotë dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe paanshmërinë e gjykatave, sidomos Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, thuhet në rezolutën e PE që pritet të miratohet. Edhe eurodpeuteti Eduard Kukan dy ditë më parë bëri të njëjtën thirrje. “Atë që shoh, se të dyja palët janë dakord për rëndësinë e aprovimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi. Secila palë e sheh ndryshe këtë reformë. Ky është problemi, por besoj, se ata janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e reformës. Tani që kemi rekomandimin e Komisionit të Venecias, që njohim qëndrimin e Komisionit Europian dhe SHBA-ve, nuk mbetet tjetër përveçse dakordësia. Nuk mund ta imagjinoj që kjo reformë të mos aprovohet dhe të mos zbatohet. Hapi që duhet hedhur tani është marrëveshje midis palëve. Ne nuk mund të bëjmë më shumë. Forcat nga jashtë nuk mund të bëjnë më shumë. Ju iu referuat komisionerit me të drejtë, që Reforma e Drejtësisë, mund të çojë në hapjen e negociatave të anëtarësimit. Kjo nuk do të thotë që kjo do të ndodhë automatikisht. Mos më pyesni, nëse në rast se kjo reformë fillon të zbatohet, atëherë a do të ketë Shqipëria një datë për hapjen e negociatave? Ajo që mund t’ju them, se është e qartë që pa këtë reformë, nuk është realiste të flitet për hapin e ardhshëm të integrimit europian” është shprehur Kukan.

– zoti, Fleckeinstein, rezoluta juaj është mbështetur gjerësit nga Komisioni i Punëve të Jashtme. A prisni të njëjtën mbështetje në seancën plenare të javës së ardhshme? Ka ndryshime?
Mendoj, se rezoluta për Shqipërinë do të gjejë të njëjtën mbështetje, madje ajo mund të jetë edhe më të madhe. Ka një dakordësi në gjirin e Parlamentit Europian lidhur me reformat në Shqipëri dhe pritshmërinë që kemi për hapat përpara.

– Boshtet kryesore të rezolutës suaj janë 5 prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të përcaktuar nga Komisioni Europian. Vazhdoni të besoni që marrëveshja për reformën e gjyqësorit do të çonte në hapjen e negociatave të anëtarësimit, siç u tha edhe nga komisioneri Hahn në Tiranë?
Unë e shoh ekzaktësisht kështu, sepse Reforma e Drejtësisë është themelore edhe për reforma të tjera shumë të rëndësishme për vendin. Ajo që duam të shohim është marrëveshje për të gjitha ndryshimet ligjore apo kushtetuese që nevojiten të bëhen. Duke qenë se kërkohen ndryshime kushtetuese për këtë reformë, përveç përpjekjeve nga ana e qeverisë, kërkohet që edhe opozita të përfshihet në debat dhe të shpresojmë të arrihen rezultate të mira. Nëse arrihet marrëveshje, jam i bindur, që Komisioni Europian do të jetë i predispozuar që të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur.

– Ju e dini që për Reformën në Drejtësi ka një afat të qartë. Që Komisioni Europian të bëjë një rekomandim pozitiv, duhet që marrëveshja për reformën e gjyqësorit të arrihet para verës. A kanë për qëllim vizitat tuaja në Tiranë motivimin e palëve?
Unë do të vizitoj Tiranën një javë pas votimit të rezolutës në seancën plenare të Strasburgut. Qëllimi kryesor është të shoh vijueshmërinë e reformës së gjyqësorit, por gjithashtu të takohem me të rinjtë shqiptarë. Është mirë që të takohesh me të rinjtë dhe jo vetëm me politikanë. Pastaj do të vizitoj Tiranën sërish në maj. Për Reformën e Drejtësisë duhet të ketë një diskutim të gjerë. Reforma do të diskutohet edhe në gjirin e Kuvendit. Por ky diskutim duhet të jetë pa mëdyshje dhe të shpresojmë edhe i shpejtë për të arritur në aprovim. Ne e dimë shumë mirë që pas aprovimit fillon puna e vërtetë, që është zbatimi i reformës dhe është e qartë, se zbatimi do të marrë kohë. Por etapa e parë është aprovimi.

– Ju ishit shumë strikt për disa amendamente. Ju nuk pranuat disa prej tyre. Mund të përmendni çfarë nuk pranuat?
Së pari, nuk pranova amendamentin e grupimit ekstremist të djathtë për ndërprerje të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, pasi kjo përfaqëson qëndrimin e një minoriteti shumë të vogël të Parlamentit Europian dhe së dyti, mua nuk më pëlqejnë rekomandimet që kanë të bëjnë me minoritetet. Unë jam tërësisht në favor të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të drejtave të minoriteteve, por të duash të përmendësh në paragrafe të veçanta çdo minoritet, disa herë duket si të luash një lojë. Të patën kjo nuk do të gjendet në një raport që mban emrin tim.

Marrë nga ABC NEWS

PE: Zbatoni dekriminalizimin, pa Reformë në Drejtësi s’ka negociata

Parlamenti Europian ka publikuar vlerësimet e tij në lidhje me raportin e vitit të shkuar për Shqipërinë, ku ka theksuar se Reforma në Drejtësi është kushti themelor për të hapur negociatat e anëtarësimit në BE. PE i bën thirrje Komisionit të BE që të monitorojë me kujdes progresin e bërë në këtë reformë nga Shqipëria. Gjithashtu në këtë raport theksohet se një rol të rëndësishëm në hapjen e negociatave do të luajë progresi, i cili do të regjistrohet në 5 prioritetet kyçe. Komisionit i kërkohet të krijojë një strukturë monitorimi për të parë në praktikë ecurinë në realizimin e reformave dhe në mënyrë të veçantë kërkohet që theksi të vendoset tek ndëshkueshmëria dhe dekriminalizimi. Në rast vonese të konsensusit kjo vendimmarrje do të realizohet pas zgjedhjeve parlamentare.
PE i bën thirrje të gjitha partive politike për të bërë përpjekje të mëtejshme për t’u angazhuar në një dialog politik më konstruktiv dhe të vërtetë që do të lejojë miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe; fuqimisht beson se bashkëpunimi i qëndrueshëm në mes të qeverisë dhe opozitës në Parlament është thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe për plotësimin e kritereve të pranimit; fuqimisht thekson rëndësinë e mbajtjes së angazhimit të tyre për ndërtimin e një kulture politike demokratike që përfshin hapjen ndaj dialogut, negociatave dhe kompromisit dhe përjashtimin e plotë të bojkotit dhe radikalizmit; mirëpret themelimin dhe punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.
Të zbatohet ligji i dekriminalizimit. PE përgëzon qeverinë dhe opozitën për bashkëpunimin e tyre konstruktiv në miratimin unanim në Parlament të ligjit të dekriminalizimit; përshëndet miratimin e akteve nënligjore në Parlament dhe bën thirrje për zbatimin e shpejtë dhe të plotë të këtij legjislacioni në frymë dhe në letër; inkurajon Parlamentin për të udhëhequr me shembull në zbatimin e ligjeve për të rritur besimin e qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.
Rezoluta për Shqipërinë thotë se, nëse vendi ynë dëshiron të nisë negociatat për në Bashkimin Europian, duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kyçe, si drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në administratën publike dhe të drejtat themelore. “Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian mbetet i shqetësuar për zgjerimin e korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe disa fusha të tjera. Shqetësim përbën edhe përhapja e vetëcensurës mes gazetarëve, të cilët ka raste që edhe pengohen fizikisht për ndjekjen e ngjarjeve specifike, sulmohen ose kërcënohen për shkak të punës së tyre”, lexohet në faqen zyrtare të Parlamentit Europian. Procesi i dekriminalizimit, abuzimet me koncesionet dhe korrupsioni kanë qenë shqetësimet e ngritura nga Parlamenti Europian në lidhje me situatën në Shqipëri, ndërsa bëhet thirrje për miratimin e Reformës në Drejtësi në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në disa amendamente kërkohet zbatimi tërësor në frymë dhe në germë i ligjit të dekriminalizimit, ndërsa shprehet shqetësimi për infiltrimin e krimit në makinerinë politike, nivelin e lartë të korrupsionit në drejtësi, shëndetësi, arsim, prokurimet publike dhe qeverisjes lokale, trafikun e drogës, kultivimin e bimëve narkotike dhe mungesën e kontrollit në nivelin e duhur të trafikut të armëve. Pjesa dërrmuese e amendamenteve të prezantuara fokusohen te reforma e sistemit në drejtësi, lufta kundër korrupsionit.

Basha ironizon: Rama si Borat, recetë për presidencialet në SHBA

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka ironizuar dje deklaratën e Ramës, i cili u shpreh dy ditë më parë, se nëse Donald Trump zgjidhet President i SHBA, atëherë qeveria shqiptare do të prishë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. “Lideri global ka marrë së fundmi një angazhim mbi të zakonshmen, ka vendosur të mësojë amerikanët si të zgjedhin Presidentin e tyre. Nuk është nga ato pleqërimet me Koçon te lapidari i Vunoit, është një punë që kërkon ta bëjë tani, sa më shpejt. Pasi e ndriti në Shqipëri, duke vendosur krizën dhe varfërinë më të thellë, duke instaluar oligarkinë kriminalo-korruptive, duke konkuruar edhe Trumpin për pasuri personale, pasi shkel çdo ditë ligj dhe Kushtetutë, kokoshi ka gati recetën për presidencialet amerikane. Arroganca dhe deliri si rregull e kanë një kufi, por lideri botëror po tregon se për të, këto çrregullime janë të pamata. Amerikanët shpesh e gjejnë një Borat për të kaluar ca orë në ekrane apo kinema. Kësaj radhe regjisorët s’kanë nevojë të lodhen shumë. Personazhi është vetofruar”, është shprehur Basha.

Luftë korrupsionit në shëndetësi

Departamenti i Shëndetësisë i Partisë Demokratike diskutoi programin për sistemin shëndetësor me mjekë dhe specialistë në qytetin e Lushnjës. Kreu i departmentit, Tritan Shehu u shpreh se shendetësia sot vuan nga një centralizim dhe keqmenaxhim duke thelluar më tej krizën në këtë sektor. Sipas tij, në qendër të programit të Partisë Demokratike për sistemin shëndetësor do të jetë pacienti. Shehu tha se programi i PD përmban një model krejt ndryshe për financimin, specializimin e mëtejshëm të personelit dhe parashikon një decentralizim të menaxhimit të sistemit. “Problemet janë tepër të mëdha. Së pari është nënfinancimi i madh. Eshtë ajo që mund të quhet “shëndetësi falas” në varfëri të thellë. Ky është problemi i parë. Mungon një perspektivë e rritjes së financimit në shëndetësi e cila është bllokuar nga slogani shëndetësi falas e cila është absurde. Së dyti ka të bëjë me menaxhimin, ku kemi të bëjmë me një centralizim të të gjitha veprimeve që kryen ky sistem shëndetësor. Kemi një keqpërdorim të buxheteve të financimit, edhe këto në mënyra të centralizuara, gjë që kanë thelluar varfërimin e sistemin tonë. Një element tjetër është problemi që lidhet me personelin tonë shëndetësor, me kualifikimet e tyre, specializimet, numrin e tij, mungesën e specialistëve, me faktin që specialistët e sistemit sot janë të diskriminuar, jo vetëm thjeshtë nga pagat qesharake që marrin por edhe nga mungesa e programeve, projekteve për specializimin e tyre, të realizimit të teknikave të reja, etj. Ne gjykojmë se në bazën e sistemin shëndetësor, në qendër të tij është pacienti, i cili duke qënë i lirë të zgjedhë vetë ai mjekun, klinikën, spitalin, vë në lëvizje të gjithë sistemin duke i dhënë në këtë mënyrë dinjitetin e plotë personelit shëndetësor dhe institucioneve, duke i nxjerrë nga zinxhiret burrokratike ku ndodhet soti mbërthyer ky sistem”, tha Shehu.

BB: Shqipëria vendi me rënien më të madhe të rrogave në Europë, papunësia e lartë

Banka Botërore ka prezantuar raportin për “Ribalancimin e rritjes ekonomike” për vendet e rajonit. Raporti vlerëson se në Shqipëri papunësia mbetet e lartë dhe e qëndrueshme, pagat kanë pësuar rënie, ndërsa varfëria po zbutet me ritme më të ngadalta se në vendet e tjera. Banka Botërore ka rishikuar në ulje projeksionet për rritjen ekonomike të vendit, duke pranuar për herë të parë se rënia e eksporteve po bëhet pengesë. Rritja ekonomike nuk po reflektohet në ekonominë reale. Raporti i fundit i Bankës Botërore “Ribalancimi i rritjes ekonomike” vlerëson se, pavarësisht krijimit të vendeve të punës, papunësia mbetet ende e lartë dhe qëndrueshme në Shqipëri, ndërkohë që pagat jo vetëm që nuk janë rritur, por përkundrazi, kanë pësuar rënie për periudhën 2010-2014. Për herë të parë, raporti thekson se ngadalësimi i eksporteve do të ketë kosto për ekonominë. Banka Botërore ka ulur projeksionet e saj për rritjen ekonomike në 3.2% për këtë vit dhe në 3.4% vitin e ardhshëm. “Arritja është projektuar më poshtë krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo ka ardhur si pasojë e monitorimit të situatës në tregjet eksportuese, konkretisht çmimet e lëndëve bazë dhe mineraleve. Po shikojmë që dhe në Shqipëri firmat që merren me eksporte po ecin më poshtë se parashikimet tona të kaluara. Kjo kryesisht ka motivuar uljen e parashikimit për rritjen ekonomike gjatë 2016, por dhe një ulje të lehtë më 2015 nga 2.7 në 2.6%. Nga 2010 më 2014 paga reale, diferenca ka rënë”, shprehet Hilda Shijaku, ekonomiste e BB për Shqipërinë. Banka Botërore vlerëson se varfëria po zbutet me ritme shumë më të ngadalta se në vendet e tjera të rajonit. “Tendenca rënëse e varfërisë është më e vogël sesa në mesataren e rajonit”, thotë Shijaku. Sipas Bankës Botërore, ekzistojnë risqe për rritjen ekonomike. Përveç ndikimit në tregjet ndërkombëtare, rrezik i mundshëm në ngadalësimin e ekonomisë vlerësohen zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Rënia e pagave

Banka Botërore deklaroi se Shqipëria është vendi që ka shënuar rënien më të madhe të pagave në Europë gjatë 5 viteve të fundit. Në raportin e fundit mbi situatën ekonomike në Europën Juglindore, Banka vëren se në periudhën 2010-2014 paga reale në Shqipëri ka rënë mesatarisht me 2 për qind çdo vit, çka përbën rënien më të lartë.
Kjo do të thotë se për këtë periudhë 5-vjeçare pagat mesatare të shqiptarëve kanë rënë me mbi 10 për qind, çka përbën një përkeqësim të ndjeshëm në standardin e jetesës. Ky tregues është më i keq edhe se sa ai i Greqisë, e cila pavarësisht se po kalon një krizë të thellë shënoi rritje pagash me 1.6 për qind vitin e kaluar.
Në vendet e tjera të rajonit, pagat kanë ruajtur fuqinë e tyre blerëse duke mos u ulur dhe në disa vende madje kanë vazhduar të rriten në terma reale. Më konkretisht sipas Bankës Botërore, në Serbi pagat kanë rënë me rreth 0.2 për qind në vit, në Maqedoni kanë mbetur të pandryshuara, ndërsa në Mal të Zi dhe Bosnje ato janë rritur mesatarisht me 0.3 për qind dhe 0.2 për qind në vit. Serbia u detyrua të ulë pagat në sektorin publik për shkak të krizës së thellë buxhetore. Por pavarësisht krizës fiskale, pagat reale në këtë vend janë ulur më pak se sa në Shqipëri.

Buxheti në vijën e parë

Qeveria shqiptare prej tre vitesh ka vendosur ngrirjen e pagave në sektorin publik, edhe pse çmimet kanë vazhduar të rriten duke çuar kështu në rënien reale të pagës për punonjësit e administratës. Por në sektorin privat rënia e rrogave ka qenë edhe më e lartë për shkak të situatës së vështirë të bizneseve dhe krizës së konsumit. Në periudhën 2004-2009 Shqipëria ka qenë vendi i dytë me rritjen më të lartë të pagave në rajon. Sipas Bankës Botërore, paga reale gjatë kësaj periudhe është rritur me gati 10 për qind në vit duke çuar në një përmirësim të fortë në standardin e jetesës së punonjësve. Por veçanërisht pas vitit 2012, kjo tendencë u përmbys dhe pagat filluan të uleshin me ritme të shpejta.

Familjet shtrënguan rripin

Sipas Bankës Botërore, pagat përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të familjeve. Kjo do të thotë se ulja e tyre përkeqëson standardin e jetesës për pjesën më të madhe të familjeve në vend, çka është konfirmuar edhe nga një tjetër tregues. Të ndodhura përballë rënies së të ardhurave familjet ulën konsumin. Sipas Bankës Botërore, konsumi privat më 2015-ën ra me 2.3 për qind për herë të parë në shumë vite, çka frenoi rritjen ekonomike.

Gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në mjerim

Gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në varfëri, me më pak se 5 dollarë në ditë. Shifrat tronditëse vijnë nga Banka Botërore, institucioni më i specializuar në botë për matjen e varfërisë. Në një raport të fundit, Banka vëren se 6.1 për qind e shqiptarëve jetojnë në mjerim të plotë me më pak se 2 dollarë në ditë. Kjo është ajo që banka konsideron si varfëri ekstreme. Ndërsa, nëse shifra rritet në 5 dollarë në ditë, që është kufiri i varfërisë së moderuar, atëherë rezulton se 46.2 për qind e familjeve shqiptare janë të varfëra. Të dhënat janë shprehur sipas standardit të fuqisë blerëse për të përfaqësuar të ardhurat reale dhe për të bërë të mundur krahasimin mes vendeve. Të dhënat dëshmojnë se, Shqipëria është vendi më i varfër i rajonit. Sipas tyre në të gjitha ekonomitë e ngjashme fqinje familjet kanë një nivel më të lartë të ardhurash. Në Bullgari, shifra e popullsisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë është vetëm 14.8 për qind, në Kroaci 9 për qind, ndërsa në Serbi 14.4 për qind. Sipas Bankës Botërore, edhe Mali i Zi dhe Maqedonia, kanë një standard dukshëm më të lartë jetese se ai i familjeve shqiptare. Përveçse vendi më i varfër në rajon, Shqipëria është duke ecur më ngadalë se të tjerët në zbutjen e varfërisë, veçanërisht gjatë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare nga Banka Botërore tregojnë se në tre vitet e fundit, popullsia që jeton në varfëri është ulur me vetëm 1 pikë përqindje, nga 47.2 për qind që ishte në vitin 2013 në 46.2 për qind në fund të 2015. Me këto ritme do të duhen dhe 50 vjet të tjera përpara se familjet shqiptare të dalin nga kurthi i varfërisë. Ndërkohë që vendet e tjera, të cilat kanë sakaq një standard më të lartë jetese, janë duke e ulur më shpejt varfërinë.

Borxhi u rrit në nivel rekord, qeveria dështoi me të ardhurat

Raporti i BB, treguesit për vitin 2015
•    Rritja ekonomike ishte 2.6 për qind, shifër kjo më e ulët nga sa ishte parashikuar.
•    Ekonomia shqiptare shënoi një përmirësim të lehtë në vitin 2015, e mbështetur kryesisht nga investimet private.
•    Borxhi i përgjithshëm ka arritur një nivel rekord, 73.3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).
•    Mbledhja e të ardhurave nuk ishte në nivelet e parashikuara.
•    Çmimet e pafavorshme të naftës dhe mineralet sollën një performancë të keqe të eksporteve reale.
•    Eksportet neto kontribuan pozitivisht në rritjen ekonomike.
•    Deficiti buxhetor ka arritur në 4.8 për qind të PBB-së në vitin 2015, nga 5.9 për qind në vitin 2014.
•    Konsumi kontribuoi negativisht në rritje e PBB-së, por ka patur shenja të lehta përmirësimi nga fundi i vitit.
•    Kontribut shumë të madh në shërimin e ekonomisë ka patur projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe punimet për hidrocentralin e Devollit (projekti Devolli Hydropower), në jug të Shqipërisë.
•    Dërgesat e emigrantëve u rritën në gjysmën e parë të vitit, por pas krizës në Greqi, pësuan rënie në gjysmën e dytë të vitit.
•    Punësimi në bujqësi pësoi ulje në tremujorin e tretë të vitit, pas rritjes së fillimit të vitit. Ndërkohë që punësimi në ndërtim, prodhim dhe miniera performoi më mirë.
•    Niveli i punësimit është përmirësuar paksa për meshkujt, por ka mbetur në stanjacion për gratë.
•    Papunësia e të rinjve (15-29 vjeç) ra në lidhje me vitin e kaluar, por mbetet e lartë në 32.3 për qind.

Rreziqet dhe sfidat
•    Norma e lartë e informalitetit në punësim pengon mbledhjen e taksave dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.
•    Shqipëria do të përballet me sfidën e gjetjeve të burimeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike.
•    Është shumë i rëndësishme zbatimi i reformave strukturore dhe fiskale.
•    Qeveria duhet të gjejë një zgjidhje për numrin e lartë të kredive të këqija, forcimin e klimës së biznesit në vend, tërheqjen e investimeve të jashtme, forcimin e administratës tatimore, reforma në energji dhe menaxhimi sa më i mirë i investimeve publike.

Fjalimi gjatë inaugurimit, ja objektivat e Thaçit si President

Për mua kjo ditë është e veçantë, sepse shënon një moment të ri angazhimi politik në karrierën time prej tri dekadash.
Si e gjithë gjenerata ime, unë jam rritur me sfidat që ka kaluar populli i Kosovës.
Ndaj, kam emocione dhe kam nder që në këtë shesh t’ju drejtohem si President i Republikës së Kosovës.
Si student edhe në këtë shesh kam demonstruar për liri dhe të drejta demokratike. Për lirinë dhe çlirimin e Kosovës janë sakrifikuar shumë gjenerata. Ju ftoj si qytetarë të Republikës të lutemi dhe t’i falënderojmë të gjithë ata që dhanë jetën, që ne sot të jemi të lirë, sovranë dhe të pavarur. Ju ftoj të mendojmë për një çast për sakrificat që çdonjëri nga ju keni dhënë, që sot të jemi bashkë në këtë ceremoni të tranzicionit të rregullt demokratik. Sot jemi të bashkuar si vend dhe popull.
Jemi këtu. Pjesëtarët e komuniteti shumicë, pjesëtarët e bashkësive etnike dhe fetare, por edhe pjesëtarët e LGBTI. Kemi qenë të bashkuar në kohë të mira dhe në situata të rënda. Në kohë hidhërimesh dhe gëzimesh. Bashkimi na ka ngritur si komb dhe si shtet. Uniteti ynë ka qenë dëshmia më e madhe dhe më e fuqishme për botën se ne jemi një shoqëri e dedikuar për një sistem politik që garanton të drejtat më bazike individuale dhe kolektive. Një rend që buron nga proceset transparente të demokracisë me rrënjë që nuk çrrënjosen më nga askush.
Prandaj ju falënderoj të gjithëve.
Me kontributin dhe sakrificën tuaj, me kohezionin qytetar, sot i tregojmë botës se kemi arritur pjekurinë e një demokracie evropiane në tetë vite të funksionimit si shtet demokratik.
Sot, të nderuar mysafirë dhe të dashur qytetarë, po fillojmë një traditë të re.
Është vetëm edhe një gur në krijimin e një historie të përbashkët si shtet multietnik, sekular dhe përqafues të vlerave të familjes euroatlantike. Kjo ceremoni është një kapitull i ri në librin tonë të suksesit të përbashkët, ku zgjedhjet, ceremonitë, festat nacionale, dalëngadalë po e pasurojnë rrëfimin delikat për shtetin tonë. Janë ornamente të shtetësisë që po i qëndisim bashkë.
Kjo ceremoni përfundon pas pak, por shteti ynë do të shkojë përpara. Edhe më shpejt, edhe më mirë. Ju siguroj se shteti ynë nuk do të ndalet. Nuk do të pauzojë.
Nuk kemi kohë për të humbur. Kemi humbur shekuj. Kemi humbur epoka. Kishim kaluar nga Mesjeta në komunizëm. Nga komunizmi në luftë. Pa tranzicion demokratik. Tash e 17 vite jemi të lirë.
Nuk kemi më asnjë vit, muaj e ditë për t’ia falur hidhërimit, urrejtjes dhe historisë së gjakut.
Si President i Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju them se nuk dua që të marr mantelin e një heroi. Sot dua t’ju them se jam shumë i nderuar se jam vetëm President i Heronjve. Që të pamundurën e bënë të mundur. Ëndrrën, realitet.
Hero është punëtori që ndan nga kafshata e gojës për ta shkolluar fëmijën.
Hero është ndërmarrësi që punëson familje të tëra dhe paguan tatime.
Hero është veterani që dha gjithçka për atdheun, pa pyetur për shpërblim, pa menduar për rrezik.
Invalidi që dha gjymtyrët e trupit për liri.
Familjet e dëshmorëve që dhanë më të dashurit për atdheun.
I burgosuri që kaloi shumë vite në burg për rend demokratik.
Hero është qytetari i diasporës, që nuk kurseu për të sotmen kosovare.
Heronj ishin edhe ata një milion refugjatë gjatë kohës së luftës.
Sot, hero është minoritari që ka vendosur të jetojë këtu në Kosovë, ku ka pasur rrënjët dhe ku është i gatshëm të përballet me sfidat e jetës.
Kosova nuk është e një bashkësie etnike më shumë e një tjetre më pak.
Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.
Hero është mësuesi që edukon brezat e rinj.
Hero është bujku që prodhon bukën tonë.
Hero është mjeku që shëron.
Hero është minatori.
Hero është ambientalisti që kujdeset për natyrën.
Hero është studenti, që ec me trendet e dijes botërore.
Heronj janë edhe fëmijët që shkojnë në shkolla, të cilat i ndërtuam me mundin tonë.
Sot, hero është prokurori i mirë e gjyqtari i drejtë.
Hero është polici që ruan rendin ditë e natë, hero është ushtari që garanton lirinë dhe paqen.
Qytetari i Kosovës është hero.
Ai kujton, por fal.
Ai nuk harron, por nuk hakmerret.
Ai është krenar, ngrihet mbi të kaluarën e pajtohet.
Heronj janë qytetarët e Republikës sonë.
Unë jam vetëm një President i thjeshtë i një populli heronjsh.
Ju premtoj se nuk ka fuqi, që mund t’i ndalë ëndrrat e heronjve.
Ëndrrat tuaja.
Pritjet tuaja.
E ju garantoj që shpresat, ëndrrat dhe pritjet tuaja do të jenë shpresat, pritjet dhe vendimet e mia.
Më lejoni që sot para jush t’i shpalos disa vija të përgjithshme të objektivave të mia si President i Republikës.
Janë katër çështje që do të doja t’i ofroja si një program fillestar, edhe pse që tash e di se do të dalin edhe shumë çështje të tjera.
Do të dalin edhe shumë nevoja të tjera, sfida afatshkurtra dhe plane afatgjata, që duhet të futen në listën e gjatë të obligimeve.
E para, ka të bëjë me Kushtetutën.
Në sistemin tonë demokratik, Presidenti është gardian i kushtetutshmërisë. Nga momenti kur e dhashë betimin dje në Kuvend, unë jam një roje, një mbrojtës i dokumentit tonë themeltar. Këto nuk janë vetëm fjalë dhe vetëm gjeste. Simbolet janë fuqi, sepse kanë domethënie dhe interpretim.
Do të punoj fort për forcimin e identitetit shtetëror. Jam i vetëdijshëm se muajt e fundit kemi kaluar në debate të hapura dhe me tone divergjente politike.
Si roje e Kushtetutës, unë do të jem i paanshëm politikisht. Do të ofroj axhendë dialogu aktiv në mes përfaqësuesve të popullit, pa dallime partiake.
Do të përdor instrumentet këshillëdhënëse që të kemi dialog aktiv edhe me komunitetet joshumicë. Tranzicioni presidencial nuk përbën ndryshim të sistemit, por është vetëm ndryshim personash të dedikuar që ta ruajnë sistemin. Këtë sistem e kemi krijuar ne vetë, gjeneratat e tëra të kosovarëve që luftuan fillimisht për liri, pastaj për pavarësi dhe që do të qëndrojnë së bashku në betejën epike që na pret për t’ju bashkuar komunitetit të kombeve euroatlantike.
Së dyti, do të luaj rol kushtetues në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në rrafshin politik, diplomatik dhe atë social.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se tundime të mëdha, ndryshime tektonike po përshkojnë kontinentin e Evropës dhe mbarë botën. Kosova duhet të luajë rol aktiv në çështje që kapërcejnë madhësinë tonë si shtet apo mundësitë tona si popull. Valët e refugjatëve nga zonat e luftës, radikalizmi dhe terrorizmi i bazuar në urrejtje dhe shkatërrim, si dhe erërat e ftohta që na vijnë nga Lindja, janë sfida që po e testojnë çdo shtet, që po e testojnë çdo aleancë. Aleatëve tanë të nderuar dhe miqve nga mbarë bota, ju premtoj se Kosova do të jetë hallkë e fortë e zinxhirit antiterrorist.
Kosova do të jetë iniciues i nismave për paqe dhe dialog. Kosova po ndërton raporte të mira me fqinj. Kosova po kultivon frymën e dialogut. Kosova e njeh kulturën e negocimit. Për të gjitha çështjet që mund të merremi vesh i kemi dyert dhe zemrat e hapura.
Por, le të jetë e qartë se me ata që kërcënojnë lirinë në botë, me ata që rrezikojnë dhe sulmojnë miqtë tanë, me ata që synojnë shkatërrimin e mënyrës tonë të jetës, liritë dhe të drejtat tona, nuk do të ketë asnjëherë kompromis.
Jemi krenarë që Kosova është pjesë e përpjekjeve globale në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Qytetarët e Kosovës masivisht, pa dallim etnie e besimi kanë orientim euroatlantik.
Unë jam i obliguar nga qytetarët tanë që ta ruaj si sytë e ballit miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.
Unë do të bëj gjithçka që t’i ndihmoj Kuvendit dhe qeverisë që sa më shpejt t’i afrohemi ëndrrës sonë për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.
Jemi këtu, para monumentit të Skënderbeut. Shumëkush e sheh si luftëtar në mes qytetërimeve, por unë sot e shoh si një njeri që preku dy botëra. Vendi ynë është i vëmendshëm për traditat fetare tradicionale islame dhe krenar për gjurmët e shenjtorëve të krishterë që nga koha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Dhe çmojmë margaritarët e Kishës Ortodokse serbe. Vetëm pak metra nga këtu e ngrita monumentin e hebrenjve të Kosovës, edhe një dëshmi tjetër e diversitetit tonë.
Vendi ynë është krenar që sivjet po bëhet e shenjtë një grua e bekuar, që para 90 viteve, si 17-vjeçare në Kishën e vogël të Letnicës, ndjeu urdhrin e Zotit dhe nga Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Terezë, humaniste me përmasa globale. A nuk jemi më të pasurit në Evropë që kemi kaq pasuri, kaq diversitet, kaq tolerancë shekullore? Por, të jemi të qartë – ky vend është sekular. Republika jonë bën dallimin midis rolit të shtetit dhe fesë. Si gardian i Kushtetutës do të jem edhe gardian i kësaj ndarje të qartë.
Pika e tretë ka të bëjë me dy të parat, por meriton kujdes dhe vëmendje të veçantë.
Fjala është për dialogun e dyfishtë në Kosovë me komunitetet jo shumicë dhe me Serbinë.
Ne duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë evropian dhe dialogun me Serbinë, sepse qytetarët na kanë obliguar ta anëtarësojmë Kosovën sa më shpejt në BE dhe NATO.
Ky është një obligim dhe detyrim nacional që edhe në momentet më të vështira, edhe në bisedat më të rënda dhe në çastet më provokuese, mos t’i dorëzohemi dëshpërimit, mos të dorëzohemi para urrejtjes.
Ne do të ndërtojmë fqinjësinë e mirë. Dialogu nuk ka alternativë. Kosova dhe Serbia duhet të kalojnë nga faza e normalizimit të marrëdhënieve në procesin e pajtimit në mes të dy shteteve dhe dy popujve. Jam i bindur se pajtimi do të ndodhë.
Do ta përdor fanarin më të ndritshëm që edhe në errësirën më të thellë të gjejmë njerëz me të cilët mund të dialogojmë, me të cilët mund të ndërtojmë ura. Marrëveshja e Brukselit nuk është një ishull. Ajo solli relaksim raportesh politike në gjithë rajonin tonë. Sot Ballkani dhe gjithë rajoni është ndryshe. Secili komunikon me secilin. Së bashku me Planin e Ahtisarit dhe Marrëveshjen e Rambujesë – ajo është edhe një pikë referuese e historisë sonë moderne, e arkitekturës së paqes në Ballkan.
Pika e katërt është e fundit, por jo më pak e rëndësishme.
Duhet të jemi të qartë, për disa qytetarë politika është bërë një fushëbetejë monotone mes liderëve. Për ta ajo ende nuk sjell shpresën për vende të reja të punës, për progres ekonomik dhe mirëqenie sociale. Qytetarët me të drejtë kanë kërkesa. Të rinjtë kanë nevojë për shpresë. Të diplomuarit kanë nevojë që dija e tyre të shpërblehet. Pensionistët kanë nevojë jetike të sigurohen që kontributi i tyre nuk do të injorohet.
Prandaj do të punojmë që tranzicioni ekonomik të shkojë me hapa po aq të shpejtë si tranzicioni politik, që e kemi përjetuar. Ne – një popull që u ringritëm si feniksi, që rindërtuam shtëpitë tona, që zumë hapin me kohën dhe me botën, duhet të jemi në gjendje të krijojmë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë.
Kam qenë dëshmitar kur shokët e mi më kanë vdekur para syve. Kam përjetuar edhe momente dëshpërimi në rrugëtimet e gjata për lirinë e vendit tonë. Por, kam qenë gjithmonë i bindur se një ditë ky popull do të dalë në dritë. Do ta fitojë lirinë. Beteja e sotme nuk është e tillë që kërkon sakrificën më sublime. Nuk është e tillë që ngrit dyshime ekzistenciale. Ato tashmë i kemi kapërcyer.
Beteja e sotme është që t’i bëjmë krenarë fëmijët tonë dhe fëmijët e fëmijëve tonë me shtetin e tyre, me kualitetin e tyre të jetës. Të sigurojmë që së shpejti të mund të lëvizin në Evropë. T’i bëjmë pjesë thelbësore të projektit demokratik, të shtetit të së drejtës. Edhe sot ndër betejat tona kryesore është fryma e dashurisë ndaj njëri–tjetrit. Prandaj, në këto përpjekje dhe synime unë do të jem pranë jush dhe nuk kam dyshim që së bashku se do të dalim faqebardhë.
Si President i Republikës, si President i një populli heronjsh, unë besoj në shtetin tonë dhe në ardhmërinë e tij të sigurt.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.

Serbia detyrohet të dëmshpërblejë për 14 të vrarët në Podujevë më 1999

Është marrë aktgjykimi i parë në Serbi për dëmshpërblim për shkak të përgjegjësisë së shtetit të Serbisë për krimet në Kosovë.

Gjykata e Parë e Beogradit detyron shtetin e Serbisë të paguajë 210.826 euro kompensim dëmesh për 14 gra e fëmijëve të vrarë në mars të vitit 1999 para shtëpive të tyre në Podujevë. Ata u vranë nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë “Skorpioni”. Përfaqësuesi juridik i Fondit për të Drejtën Humanitare të Beogradit.

Sipas FDH-së ky është aktgjykimi i parë në Serbi me të cilin shteti i Serbisë detyrohet të kompensojë për krime lufte të bëra ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Për këtë krim më 2010 morën dënime të plotfuqishme Dragan Borojeviç, Miodrag Shollaja dhe Dragan Mediq, ndërsa Zhelko Gjukiq u dënua pas procesit të përsëritur më 2011. Para këtyre, për këtë krim ishte dënuar edhe Sasha Cvjetan.

SHBA, të shtëna me armë në bazën ajrore të Teksasit, 2 të vdekur

Dy person kanë mbetur të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një bazë të Forcave Ajrore në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas policisë, autori i ngjarjes është i armatosur dhe ndodhet brenda bazës ajrore, ndërsa është rrethuar nga forcat special.

Një zëdhënës policor the për AP se kishte të shtëna aktive në Joiunt Base San Antonio.

Mirëpo, baza e sulmit ishte shtëpia e trajnimit të Forcës Ajrore.

Autoritetet i kanë bërë thirrje banorëve të zonës të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe mos të dalin jashtë pasi personi i armatosur paraqet rrezikshmëri, javanews.

Nuk dihet ende rreth motiveve të sulmit. Për momentin nuk ka raportime për sulme terroriste.

Fryhet kosto e autostradës së Elbasanit, 13 km e para 81 milionë euro, 35% më shtrenjtë se tuneli

Pesë vjet më parë, pikërisht në këtë kohë, mbase janë të paktë ata që e kujtojnë lajmin entuziast ku qeveria e atëhershme arriti të tenderojë ndërtimin e Tunelit të Elbasanit me vlerë 40 për qind më lirë se shuma e ofruar për tender.
Kompania greke Aktor i ka surprizuar të gjithë, kur ofroi 8.3 miliardë lekë për ndërtimin e tunelit (rreth 58 mln euro), teksa Ministria e Transporteve kishte vendosur në dispozicion 15.5 miliardë lekë. Autoritetet e atëhershme thanë se vlera e ulët e punimeve ishte rrjedhojë e krizës greke për shkak të së cilës Aktor ofroi vlera të ulta për kontratat e asaj periudhe me qëllim mbajtjen e fuqisë punëtore në punë.
Por tani 5 vite më pas, situata është ndërlikuar. Shembja e ndodhur në zonën e Ibës në 13 kilometrat e para, duket se ishte një faktkeqësi natyrore në favor të kompanisë. E ndodhur nën presion për lënien e punimeve për shkak të shembjes, qeveria shqiptare ka miratuar një fond shtesë që ka çuar koston e projektit për 13 kilometrat e para në 11,2 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro (shih. http://www.ekonomia.gov.al/files/userfiles/Investimet_PBA_2016-2018.pdf), nga të cilat 10.9 miliardë lekë janë kërkuar të financohen këtë vit dhe pjesa tjetër 348 milionë lekë vitin që vjen.
Burimet nga Ministria e Transportit bëjnë me dije se, shtesat për punimet nga shembja në Ibë janë llogaritur 50 milionë euro. Ndërsa ekspertë të sektorit pohojnë se vlera për meremetimin e saj është shumë e vogël, por shpjegojnë se kompania greke Aktor e ka shfrytëzuar këtë situatë për të kompensuar humbjet që ka pësuar për punimet në Tunel.
I kontaktuar nga Monitor.al, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika tha se, tashmë është rënë dakord për shtesën e punimeve dhe përfundimi i tyre kryhet brenda këtij viti. Xhika nuk preferoi të fliste me shifra rreth çështjes, por ka pohuar se tashmë çështja e shembjes është zgjidhur. Vlerësimi i kostove është bërë nga një grup pune i posaçëm, tha ai.
Teksa kompania Aktor ka harxhuar rreth 58 milionë euro (8,3 miliardë lekë) për ndërtimin e 5 kilometrave tunel duket se kompania ka siguruar 81 milionë euro (11.2 miliardë lekë), për disa kilometra rrugë, vlerë kjo rreth 35 për qind më e lartë se kosto e tunelit.
Ish-ministër i Ekonomisë, tani ministër i Financave, Arben Ahmetaj, në fund të nëntorit 2015, duke raportuar për investimet publike në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë tha se, rruga Tiranë-Elbasan, ishte një projekt i bërë keq. “Nuk e bëjmë dot. Dua ta ndaj me qytetarët, është një projekt i bërë keq, që nuk i mjaftojnë paratë e dhëna, do gati 50 milionë të tjera euro. Duhet ta themi të vërtetën. Nuk besoj se ka të bëjë me qëllimin e keq, sepse nuk besoj të ketë qenë qëllim i keq. Unë besoj që ka qenë një keqmenaxhim i projektit, i bërjes së projektit në radhë të parë, i nxitimit për ta përdorur atë projekt dhe ja ku jemi. Gati 50 milionë euro të tjera për të përmbyllur atë rrugë. Duhen gati 50 milionë euro të tjerë për shkak se, projekti nuk ka qenë i bërë mirë”, është shprehur ministri Ahmetaj.

Vjedhje edhe me mirëmbajtjen e tuneleve

Mirëmbajtja e dy tuneleve, atij të Krrabës dhe Kalimashit kushtuan në vitin 2015 mbi 304 milionë lekë ose 2.2 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar 134 milionë lekë ose pak më shumë se 1 milion euro janë shpenzuar për mirëmbajtjen e tunelit të Krrabës dhe pjesa tjetër prej 168 milionë lekësh ose 1.2 milionë euro u shpenzuan për mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës pjesë e rrugës së “Kombit”. Ndërtimi i akseve të mëdha rrugore si autostrada e “Kombit” dhe ajo e Elbasanit e kanë rritur ndjeshëm koston e mirëmbajtjes së rrugëve, teksa përpjekjet e qeverisë shqiptare për dhënien me konsecion të këtij shërbimi kanë dështuar për rrugën e “Kombit”. Gjatë vitit 2015 janë shpenzuar për mirëmbajtjen e rrjetit rrugore në vend 2,2 miliardë lekë ose 16 milionë euro. Kjo shumë është sa 14 për qind e fondeve në dispozicion të rrugëve për 2015. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nën administrimin e tij 3947.51 km rrugë shtetërore të ndara sipas Drejtorive Rajonale. Rajoni Verior i Shkodrës ka në inventarin e rrjetit rrugor 1436.02 km. Në vitin 2015 janë lidhur 23 kontrata mirëmbajtjeje nga 27 që janë gjithsej. Drejtoria e Rajonit Qendror Tiranë ka në inventarin e rrjetit rrugor 867.79 km. Në vitin 2015, janë lidhur 14 kontrata mirëmbajtje me bazë performance nga 14 që janë gjithsej. Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër ka në inventarin e rrjetit rrugor 1643.7 km. Në vitin 2015 janë lidhur 24 kontrata mirëmbajtje me bazë përformancë nga 34 që janë gjithsej. Në total të gjitha akset rrugore janë të grupuara në 71 kontrata mirëmbajtjeje me bazë performance, nga të cilat 34 përfshijnë edhe mirëmbajtjen dimërore. Gjatë vitit 2015, janë realizuar në zërin  “Investime” 2,232,869,725 lekë, të cilat në kuadër të mirëmbajtjes, konsistojnë në; përmirësime të gjendjes së shtresave rrugore, për rritjen e sigurisë rrugore.

Deflacioni gjunjëzon ekonominë, rritja e përgjithshme e çmimeve vetëm 0.3% në mars

Për të dytin muaj radhazi, ndryshimi vjetor i çmimeve shënoi ritmet më të ulta të rritjes, duke qenë më afër deflacionit se inflacionit, duke reflektuar një situatë të vobekte të konsumit. INSTAT raportoi se në muajin mars 2016 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 0,3%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 2,2%. Por teksa deflacioni duket se po nxitet nga rënia e çmimeve të transportit, veshjeve dhe qirave, nga ana tjetër çmimet e shportës, sidomos ato të perimeve janë rritur me ritme dyshifrore. Çmimet frutave u rritën në muajin prill me 28% dhe çmimet e zarzavateve me 8%. Rënia e inflacionit në nivelet më ulta të dekadës duket se ka ardhur nga rënia e çmimeve në shërbimet e transportit me -0,28 pikë përqindje Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me rënie -0,18 pikë përqindje dhe çmimet e veshje, këpucëve dhe shëndetit kanë kontribuar me nga -0,09 pikë përqindje secili.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,81 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Por tregjet me pakicës kanë raportuar një situatë të vështirë të shitjeve për muajt e parë të vitit. Aq sa është lajmëruar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Taimeve, e cila lajmëruar edhe një kontroll tjetër në terren për të verifikuar xhirot. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar respektivisht me + 0,05 dhe + 0,03 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin mars 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8% pasuar nga grupi, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,6%, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike me 2,2%, etj.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 28,1%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 8,7%, nëngrupi “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 1,5%, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 0,6% etj. Çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë e vezë” u ulën me 3,7%, pasuar nga nëngrupet “bukë e drithëra” me 2,2%, “kafe, çaj e kakao” me 1,3%,etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me 4,5%, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 2,2%, “Veshje dhe këpucë” me 2,4%, etj. Ndryshimi mujor i indeksit është 0,4%. Krahasuar me muajin shkurt 2016, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 1,1%. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mobilim” me 0,3%.

Kredia mbetet në krizë. BSH: Rënia më e madhe vjen nga huatë për biznesin

Kredia për ekonominë mbetet në krizë, pavarësisht masave të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për rigjallërimin e saj. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka Qendrore tregojnë, se në fund të muajit shkurt stoku i kredisë për ekonominë ishte 12.4 miliardë lekë më i ulët se shkurti i vitit të kaluar. Rënia është 2.2 për qind dhe ka ardhur e gjitha nga kredia për biznesin, i cili duket se nuk po preferon të marrë përsipër zgjerimin e aktivitetit përmes huave bankare. Të dhënat tregojnë se, kredia për ndërmarrjet private ishte në shkurt 14 miliardë lekë ose mbi 120 milionë dollarë më e ulët se një vit më parë, ndërsa kredia për individët u rrit me 1 miliard lekë. Vetë qeveria ka pranuar se ngërçi i kredive rrezikon ta mbajë ekonominë në një krizë të gjatë, duke frenuar ringritjen e saj. Në Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik vëren se, ndryshe nga sa pritej, kredia për sektorin privat është në stanjacion, duke u shndërruar në një kërcënim për perspektivën e ekonomisë. “Rritja e dobët e kreditimit mbetet shqetësimi më i madh për perspektivën e ekonomisë shqiptare”, thuhet në dokumentin strategjik të miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave. Sipas Bankës së Shqipërisë, kriza e kredive pasqyron politikën e shtrënguar të bankave, por edhe kërkesën e dobët të biznesit dhe individëve për borxh. Kërkesat nga autoritetet rregullative të Bashkimit Evropian dhe Eurozonës, persistenca e rëndësishme e stokut të huave me probleme në bilancet e bankave dhe struktura afatshkurtër e burimeve të financimit zbehin gatishmërinë e bankave për të financuar sektorin privat me kredi afatgjatë. Në krahun e kërkesës, ngërçi i kredisë është i lidhur me praninë e vazhduar të hendekut negativ të prodhimit si edhe të pritshmërive ende të paqëndrueshme të biznesit dhe të konsumatorëve për rritjen ekonomike të vendit.