28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Sulmet në Paris dhe Bruksel, arrestohet bashkëpunëtori i Abdeslam

Mediat belge kanë raportuar se është arrestuar një nga të dyshuarit kryesore për sulmet e ndodhura në 13 nëntor të vitit të kaluar në Francë.

Sipas mediave belge, i arrestuari është Mohamed Abrini, shtetas belgo-maroken. 30 vjeçari konsiderohet si bashkëpunëtori kryesor i Salah Abdeslam, i cili organizoi sulmet vdekjeprurëse në kryeqytetin francez.

BBC shkruan se Mohamed Abrini dyshohet se është edhe personi me kapele i cili u shfaq ne një video përpara shpërthimit në aeroportin e Brukselit.

Edhe pse prokurori federal belg konfirmoi se ka pasur disa arrestime gjatë ditës së sotme në lidhje me sulmet në aeroport dhe metro në Bruksel, ata pritetet të japin detaje të mëtejshme.

Abrini ishte në arrati prej pesë muajsh derisa u arrestua sot Anderlecht të Brukselit.

Në sulmet terroriste të Parisit humbën jetën 130 vetë dhe u plagosën qindra të tjerë.

Avokati i Popullit, Kuvendit: Të zgjidhet aksesi në furnizimin e të varfërve me energji

Aksesi në furnizimin me energji elektrike kualifikohet gati si e drejtë themelore nga direktivat e BE. Institucioni i Avokatit të Popullit ka depozituar pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë disa propozime mbi aksesin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e cënueshëm. Nisur nga aktualiteti, ku çdo ditë e më shumë janë rritur ankesat e ndërprerjeve të energjisë elektrike në disa raste me muaj, për shkak të pamundësisë në përballimin e pagesave të saj, qasja me energjinë elektrike është bërë gjithnjë e më e vështirë për grupet e cënueshme dhe në risk, ka shpjeguar Avokati i Popullit në një raport të dërguar në Kuvend ku sqarohet gjërësisht kjo çështje. Duke iu referuar Direktivës 2009/72/EC, në lidhje me rregullat e përbashkëta të tregut të brendshëm të energjisë elektrike, përcaktohet se duhet të sigurohet një seri e të drejtave për furnizimin me energji elektrike brenda cilësisë teknike, transparente dhe jo diskriminuese dhe shteti duhet të marrë masa adekuate për mbrojtjen e konsumatorit të cënueshëm.
Gjithashtu, referuar Direktivës 2003/54/EC të Këshillit dhe Parlamentit Europian “Në lidhje me rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike dhe që shfuqizon Direktivën 96/92 / EC”, kreu i I i saj, i referohet kompensimit financiar, dhe në veçanti duhet të sigurohen masa adekuate për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë, duke përfshirë masat për të ndihmuar dhe për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elekrike.
Duke i cituar këto direktiva, institucioni i Avokatit të Popullit vë në dukje se me ndryshueshmërinë e çmimit të energjisë elektrike, pamundësinë në pagesën e saj, kjo e lidhur me faktorin ekonomik, shumë qytetarë sot po përballen me mungesë në akses për furnizimin e vazhdueshëm me energji elektrike e ndjerë më së shumti tani në afrimin edhe të stinës së dimrit.
Sipas treguesve të nivelit të varfërisë rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë), si dhe rreth 2.2% jetojnë në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).
Sot, aktualisht rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh, vë në dukje Avokati i Popullit.
Ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike, në muajin janar 2015 u pasua me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e shtresave në nevojë, por në shumë raste është e pamjaftueshme për konsumatorët me të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar pagesën e saj, raporton Avokati.
“Duke gjykuar se, pavarësisht se ekzistojnë skema lehtësuese për pagesën e detyrimeve të prapambetura, apo garanci ligjore për të gjithë ata konsumatorë të cilët rezultojnë debitorë, mbrojtja sociale dhe ekonomike e grupeve të cënueshme nuk është e mjaftueshme dhe duhet të konsiderohet prioritet për shkak se, familjet në nevojë ekstreme nuk arrijnë dot të sigurojnë mbijetesën dhe jo më të përballen me faturat për pagesat e shërbimeve publike. Kjo duhet të shihet e lidhur ngushtësisht edhe me gjetjen e mundësive për shmangien e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për këto grupe” i kërkon Avokati i Popullit Kuvendit.
Gjithashtu, duke sjellë në vëmendje edhe agjendën e miratuar në samitin e Kombeve të Bashkuara, në muajin shtator 2015, “Për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030”, objektivëin numër 7, e cila lidhet me sigurimin, aksesin dhe furnizimin me energji elektrike, të përballueshëm, të qendrueshëm, institucioni i Avokatit të Popullit ka rekomanduar kryerjen e një studimi nga ana e Ministrisë së Energjetikës në bashkëpunimin e Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të identifikuar numrin e familjeve në varfëri ekstreme dhe absolute, të cilat përballen me mbijetesë dhe vuajnë për të siguruar ushqim dhe ngritjen e një sistemi data-bazë për këto familje.
Avokati i Popullit kërkon ofrimin e zgjidhjeve të menjëhershme që këto familje të mos privohen nga e drejta për akses në furnizimin e nevojshëm me energji elektrike, duke siguruar minimumin e mundshëm, ndriçimin në banesë.
Në gjykimin e Avokatit të Popullit, kjo duhet të shoqërohet me një paketë ndryshimesh ligjore me qëllim ndryshimin edhe të skemave për aksesueshmërinë në këtë shërbim për grupet vulnerabël. Është i nevojshëm krijimi i mundësive të diferencuara në mënyrën se si do të ofrohet energjia elektrike dhe krijimi i skemave lehtësuese të përballueshme për pagesat e energjisë elektrike për këto familje. Aktualisht është koha dhe duhet të krijohen programe specifike vetëm për konsumatorët në nevojë.

Gjykata Administrative, “lum” ankesash nga biznesi për tatimet

Rastet që kanë si objekt padie ankimimet ndaj vendimeve të Administratës së Tatimeve janë ato që kryesojnë proceset gjyqësore në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare të kësaj gjykate, në total për vitin 2015 këto çështje u llogaritën në 611, nga të cilat 534 tatimet janë paditur nga biznesi, ndërsa vetëm në 67 raste ky institucion ka qenë në rolin e paditësit. Natyra e çështjeve ka të bëjë kryesisht me gjobat e vëna nga Administrata Tatimore (moslëshim kupona tatimore, mospajisje me kasë fiskale, evazion etj)., për të cilat biznesi pas apelimit i është drejtuar për vendim togave të zeza.
Më të pakta në numër kanë qenë rastet e mbërritura në këtë shkallë nga/dhe për doganat. Në total për vitin 2015 janë arkivuar 120 raste, nga të cilat 180 biznesi ka paditur doganat dhe vetëm 2 raste këta të fundit kanë qenë paditës.
Për vitin e kaluar shifër të lartë ankesash janë regjistruar edhe për vendimet e Inspektoriateve të ndryshme që veprojnë në vend, kryesisht për atë Qendror Teknik, etj. Në total kjo shifër u llogarit në 243 çështje, ku vetëm në një inspektoriatet ishin në rolin e paditësit.
Sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë edhe ndaj Komisionit të Prokurimeve Publike janë arkivuar raste ankimimi dhe për vitin 2015 ishin 105 të tilla. Po gjatë kësaj periudhe nuk u regjistrua asnjë me palë paditëse këtë institucion. Në fillim të muajit mars ishte Këshilli i Investimeve që raportonte se Gjykatat Administrative e kanë të pamundur shqyrtimin e çështjeve brenda afateve ligjore. Për vitin 2016 në Gjykatën Administrative të Apelit janë të mbartura në total rreth 12,000 çështje, që pritet të gjykohen nga 7 gjyqtarë.

Mourinho te Reali?

Jose Mourinho mund të rikthehet tek Reali i Madridit. Sipas gazetës britanike “The Mirror” drejtuesit e klubit madrilen po mendojnë një rikthim të mundshëm të portugezit në krye të stolit të “Los Blancos” për sezonin e ardhshëm. Bisedimet mund të nisin nëse Reali i Madridit nuk arrin të kalojë  fazën e 1/4 të Champions League kundër skuadrës së Wolsburg. Në janar të vitit të kaluar, ekipi mbretëror tentoi ta bindte Mourinhon të rikthehej në drejtimin e stolit Los Blancos, por “Special One” e refuzoi ofertën, pasi ishte i bindur se në fund të sezonit do të firmoste një marrëveshje me klubin e Man.United.
Sidoqoftë situata është krejt ndryshe tani, pasi Reali Madridit rrezikon ta mbyllë sezonin pa fituar asnjë titull dhe e ardhmja e Jose Mourinho duket se nuk e lidh atë me stolin e Djajve të Kuq, pasi trajneri aktual i Man.United, Louis Van Gaal mund të vazhdojë të drejtojë skuadrën dhe për sezonin e ardhshëm në rast se siguron një vend për në Champions League. Nisur nga këto fakte, rikthimi i portugezit në “Santiago Bernabeu” mund të realizohet gjatë verës.

Autoritetet e Kosovës duhet të krijojnë klimë të mirë ndaj bizneseve

Autoritetet e Kosovës duhet të përmirësojnë klimën e biznesit, në mënyrë që të gjenerohen vende të reja të punës, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve dhe investitorëve evropianë në Kosovë. Takimet e shumta të krerëve të institucioneve që po iu bëjnë bizneseve, thonë ata, duhet të rezultojnë me marrjen e hapave konkret në përmirësimin e politikave ekonomike. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, gjatë ditëve të fundit, ka vizituar një numër të konsiderueshëm të bizneseve private, siç thuhet, “për të parë nga afër problemet me të cilat ballafaqohet sektori privat”. Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, konsideron se vizitat e tilla janë të mira, por që bizneseve përveç deklaratave i nevojitet ambient i favorshëm afarist. “Përkrahja e bizneseve dhe gjenerimi i vendeve të punës më së miri vjen nga rregullimi i ambientit të të bërit biznes. Vizitat e tilla janë të mirëseardhura dhe dërgojnë një sinjal pozitiv, por që mendojë se janë më tepër vizita sipërfaqësore. Bizneset më shumë kanë nevojë përvijimin e politikave të mira ekonomike”, thekson Balija.
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2014, tregojnë se papunësia në Kosovë është 35 për qind, ndërkaq, varfëria ekstreme 10 për qind. Që të ketë zhvillim të sektorit privat e më pas gjenerim të vendeve të reja të punës, Shpend Blija, thotë se institucionet duhet të bëjnë reforma fiskale, pasi që sipas tij, në situatën në të cilën gjenden bizneset private, vështirë se mund të ketë ulje të papunësisë. “Reformat e pakos fiskale që janë bërë kanë pasur efekt, por jo ashtu siç është pritur , sepse lënda e parë dhe makineria prodhuese nuk është liruar në tërësi nga taksa doganore. Ka lëndë të parë që duhet të paguajë tarifë doganore, e cila krijon pastaj kosto më të lartë për biznesin. Kemi sfida të ndryshme në fusha të ndryshme e që duhet të rregullohen”, thekson Balija.
Raportet e shumta si të organizatave në Kosovë ashtu edhe të mekanizmave ndërkombëtarë, kanë treguar për një ambient jo të favorshëm biznesor në Kosovë. Raporti i Bankës Botërore “Të bërit biznes për vitin 2016″, e ka radhitur Kosovën në pozitën 66–të. Për ambient jo të mirë biznesor në Kosovë, flasin edhe vetë pronarët e bizneseve vendase. Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, në një bisedë për Radion “Evropa e Lirë”, thotë se institucionet e Kosovës në fokus duhet të kenë ndryshime në politikat tatimore. “Politika tatimore ka të bëjë me taksën në lëndën e parë, derisa nuk hiqet taksa në lëndën e parë, pa marrë parasysh se ajo lëndë e parë nga kush importohet nga kompanitë tregtare apo prodhuese, deri në atë moment që të arrihet kjo, nuk pritet të ketë punësim shumë të mirë në Kosovë”, shton Piraj.

Simeone: Torres do të jetë titullar

Atletico e Madridit nuk heq dorë nga asnjë prej dy objektivave sezonalë. Pavarësisht 6 pikëve disavantazh ndaj Barcelonës në klasfikimin e La Ligas, dhe humbjes 2-1 në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit, në kampin e Los Colchoneros kanë besim se mund t’i bëjnë një mbyllje fantastike këtij sezoni. Në prag të ndeshjes ndaj Espanyolit që do të zhvillohet këtë të shtunë në stadiumin “Cornelia Al Prat”, Diego Pablo Simeone i doli në mbrojtje sulmuesit Fernando Torres, me këtë të fundit që në sfidën e Championsit përballë Barcelonës la skuadrën në baltë, duke u larguar nga fusha me karton të kuq që në pjesën e parë.
“Torres ndaj Barcës bëri një punë shumë të mirë. El Nino do të jetë titullar edhe ndaj Espanyolit. A do të rinovojë me Atleticon? Për diçka të tillë klubi do të na informojë në ditët e ardhshme, por unë jam i bindur se Fernando do të qëndrojë këtu”, u shpreh Simeone.
Të mërkurën, Atletico e Madridit do të sfidojë Barcelonën në çerekfinalen e kthimit të UEFA Champions League ku do të synojë të përmbysë disavantazhin 2-1 të ndeshjes së parë. Gjithsesi El Cholo për momentin është i përqendruar vetëm te sfida ndaj Espanyolit. “Espanyoli është një skuadër shumë e rrezikshme në kundërsulm, në atë skuadër ka një harmoni të mirë mes futbollistëve dhe trajnerit, sëfundmi katalanasit kanë bërë paraqitje shumë të mira. Për momentin mendoj vetëm për Espanyolin, ndeshja e radhës nuk më intereson”, tha ai.

Bayerni 50 milionë euro për Marchision

Claudio Marchisio në radarët e Bayern Munchen. Ekipi bavarez duket se është i vendosur në transferimin e mesfushorit të Juventusit. Madje, vetë trajneri i ardhshëm i Bayern-it Carlo Ançeloti që e ka vendosur lojtarin në krye të listës të lojtarëve dhe kërkon ta ketë në dispozicion për sezonin e ardhshëm. Marchisio ka një kontratë me bardhezinjtë që përfundon në qershor të 2020. Pavarësisht kësaj drejtuesit e klubit gjerman janë të gatshëm të ofrojnë 50 milionë euro për shërbimet e futbollistit.
Këtë sezon të Seria A, Marchisio nuk ka arritur të realizojë asnjë gol dhe një gjë e tillë nuk ndodhte prej gati 8 vitesh, që nga koha kur mesfushori luante për skuadrën e Empolit. Sidoqoftë kjo statistikë nuk ja ul aspak peshën e rëndësisë  që ka lojtari tek “Zonja e Vjetër”. 30-vjeçari e sheh të ardhmen e tij tek Juventusi dhe ëndrra e tij është të marrë shiritin e kapitenit. Ndërkohë që nga ana tjetër, dyshja drejtuese e klubit bardhezi Agnelli-Marotta nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga futbollisti 30-vjeçar, pavarësisht se oferta e bavarezëve është tunduese.
Ndërkohë, Arjen Robben e pranon se dëmtimi i javëve të fundit e ka komplikuar situatën, duke theksuar se është i paduruar për të nisur sa më parë fazën e rikuperimit në palestër. Sulmuesi i Bayern Munchen nuk luan që prej transfertës së Dortmundit për shkak të një problemi fizik, duke u kufizuar në vetëm 22 paraqitje sezonale. Në një intervistë dhënë për të përditshmen “Kicker”, Robben nuk di të japë një datë të saktë për rikthimin në fushë, pasi problemet me muskujt e barkut vazhdojnë ta pengojnë për t’u stërvitur i qetë.
“Është vërtetë freustruese, sepse përpara dëmtimit po gëzoja një formë shumë të mirë dhe shpresoja të luaja në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit”, thekson sulmuesi holandez. Në rast se mjekët nuk do të arrijnë të bëjnë asgjë për rikuperimin e shpejtë të Robben, atëherë Bayerni i Mynihut mund të humbasë deri në fund të sezonit një nga lojtarët më jetikë të skuadrës së Pep Guardiolës. Arjen Robben është një prej emrave më të dashur në “Allianz Arena” për shkak të klasit dhe aftësisë që ka për të vendosur edhe i vetëm një ndeshje.

Konte dëshiron Hysajn te Chelsi

Merkatoja e verës mund të rezultojë vërtet e nxehtë për mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj. Nuk është vetëm Atletico Madrid në gjurmët e lojtarit të lindur në Shkodër, pasi sipas agjentit të tij, Mario Giuffredi, Hysaj është një mbrojtës që mund të jetë i vlefshëm edhe për skuadra si Real Madrid, Manchester United apo Chelsea. I cituar nga mediat spanjolle, Giuffredi e pranon se gjatë verës Hysaj mund të largohet nga Napoli, por ai zgjedh diplomacinë për ta trajtuar me kujdes këtë çështje.
“Nëse Napoli do ta konsiderojë shitjen e tij mund të përfitojë një shumë të madhe. Aktualisht nuk po diskutojmë për rinovimin e kontratës, sepse nuk duam të krijojmë probleme, por është e qartë se vetëm 7 muaj më parë ai ishte një tjetër lojtar dhe me paraqitjet e këtij sezoni ka ndryshuar shumë. E theksoj, rinovimi nuk është prioritet. E njoh Elseidin që prej shumë vitesh dhe e dija se do të shpërthente në Napoli. Tashmë është bërë një lojtar i kalibrit të lartë dhe mendoj se është gati edhe për skuadra si Chelsea, Manchester apo Real Madrid”, u shpreh Giuffredi.
Ndërkohë, faqja e internetit, chelsea-news.co përforcon zërat për interesimin e Antonio Contes ndaj lojtarit shqiptar, duke theksuar se Hysaj është njeriu ideal për skemat e preferuara të trajnerit italian, 3-5-2 ose 4-4-2, pasi ai mund të luajë në të dyja krahët e mbrojtjes. “Shqiptari ka një kontratë me Napolin që e lidh deri në vitin 2020 dhe vlera e kartonit të tij mund të variojë nga 15 deri në 20 milionë paund. Më parë, për 22-vjeçarin kanë shfaqur interes edhe Bayern Münich, Atletico Madrid e Bayer Leverkusen”, shkruan ndër të tjera faqja e specializuar britanike.

Basha-Fajon: Pa zbatimin e vendimeve të Kushtetueses nuk ka asnjë lloj dialogu

Pa zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ketë asnjë premisë për dialog të mirëfilltë politik.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim eurodeputeten Tanja Fajon. Gjatë vitit 2010, kohë kur Shqipëria përfitoi nga procesi i liberalizimit të vizave, Tanja Fajon ka mbajtur detyrën e Raportueses për Shqipërinë. Zonja Fajon ka qenë dëshmitare e progresit të bërë nga Shqipëria gjatë asaj kohe, progres që mundësoi dhe heqjen e vizave.
Basha ka theksuar në takimin me zonjën Fajon se, Shqipëria ka bërë hapa prapa përsa i përket zbatimit të ligjit, demokracisë, standardit të zgjedhjeve dhe situatës ekonomike.
Persona me të shkuar kriminale, si trafikant droge, qeniesh njerëzore etj., janë zgjedhur deputet, kryetarë bashkish, në poste të larta të administratës dhe Policisë së Shtetit. Për këtë, tha zoti Basha pas një viti diskutimesh e negociatash u miratua ligji për dekriminalizimin, ndërsa nënvizoi se pa zbatimin jo vetëm në germë, por në shpirt të këtij ligji, demokracia shqiptare është e rrezikuar e bashkë me të edhe stabiliteti i Shqipërisë.
Zgjedhjet e vitit 2015 u faktuan nga raporti i OSBE/ODIHR-it si jo të lira dhe të ndershme, u provua blerja e votave dhe intimidimi i votuesve. Kjo është konstatuar edhe nga përfaqësues të trupit diplomatik në qendra të ndryshme të votimit.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tha Basha janë jetike për Shqipërinë dhe për këtë kërkoi dhe ndihmën e eurodeputetes Fajon, e cila ofroi mbështetjen e plotë, duke i konsideruar zgjedhjet e lira të rëndësishme, pikë kyçe për një shtet demokratik.
Qeveria në mënyrë arrogante, tha zoti Basha ka zhbërë ligjet konsensuale, refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ushtron presion ndaj institucioneve të pavarura, medias etj., si dhe dhunon në mënyrë sistematike të drejtat e qytetarëve.
Implementimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në asnjë vend demokratik nuk negociohet, por zbatohet theksoi Kryetari i Partisë Demokratike e kjo nuk mund të vihet në diskutim as në Shqipëri. Basha tha se, Partia Demokratike nuk tërhiqet dhe se pa zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ketë asnjë premisë për dialog të mirëfilltë politik.
Partia Demokratike, tha Basha qëndron fort për vlerat dhe parimet demokratike, Kushtetutën, zgjedhje të lira dhe të ndershme, drejtësinë e pavarur dhe të pakapur që lufton dhe nuk mbron korrupsionin dhe krimin me lidhje qeveritare.

Drejtori i projektit për Qeverisjen Vendore në USAID: Bashkëpunim të shkëlqyer me bashkinë Kamëz

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti drejtorin e Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP), Peter Clavelle, pasardhësin në këtë detyrë, Kevin McLaughlin, si dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni. Kryetari i Bashkisë, tha se: “Ky është një takim të cilin unë me shumë dëshirë e kam iniciuar, që ju të ishit të pranishëm në Bashki, sepse realisht jo vetëm institucioni i USAID-it, por edhe ju si drejtor i projektit PLGP keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për qytetin tonë dhe ne realisht krenohemi për këtë bashkëpunim që kemi pasur. Shqipëria, edhe Kamza, ndoshta më shumë, është mjaft sensibël ndaj partnerëve të huaj, sidomos ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E vlerësoj maksimalisht ardhjen tuaj, bashkëpunimin dhe ndërkohë shprehim edhe gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar më tej në të mirë të qytetit”.
Drejtori i projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore Clavelle, duke falënderuar kryebashkiakun Mziu për ftesën tha se: “Kam jetuar dhe punuar në Shqipëri për më shumë se katër vjet. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Kam pasur shumë eksperienca të jashtëzakonshme gjatë jetës sime, përfshirë edhe funksionin e kryetarit të Bashkisë për shtatë mandate; për fushatë elektorale për guvernator të shtetit, por eksperienca e Shqipërisë mbetet një nga më të mirat e jetës sime dhe një nga arsyet kryesore mbetet fakti që Shqipëria është një vend shumë i hapur dhe ne kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë partnerët tanë”. Zoti Clavelle shfrytëzoi këtë takim në Bashkinë Kamëz për të prezantuar edhe pasardhësin e tij, z. Kevin McLaughlin. “Jam i kënaqur që zëvendësi im si drejtues i projektit do të jetë Kevin McLaughlin dhe jam i bindur që Kevin do të forcojë më tepër marrëdhëniet me Kamzën. Kevin ka qenë në Shqipëri që nga viti 1994 si vullnetar i Korpusit të Paqes. Ka jetuar dhe punuar këtu përreth shtatë vjet dhe zotëron një aftësi që unë nuk e kam, flet mirë gjuhën shqipe dhe në 15 muajt e ardhshëm do të ketë mundësinë që ta eksplorojë më shumë gjuhën shqipe”. Duke folur për Kamzën, Clavelle tha se: -Bashkia ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë. Kemi pasur shumë bashkëpunëtorë, por më lejoni të them që Kamza ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë. Kur njerëzit më pyesin se cilat janë bashkitë që menaxhohen më mirë në Republikën e Shqipërisë, Kamza është gjithmonë në një listë të tillë”.
Më pas Clavelle vijoi duke theksuar: “Kemi punuar me ju dhe administratën tuaj për t’ju mundësuar, për t’ju dhënë disa instrumente dhe këto instrumente përfshijnë sistemin e informatizuar të taksave, të financave dhe gjithashtu faturimin e ujësjellësit. Fatkeqësisht jo të gjitha bashkitë i përdorin instrumentet të cilat u janë vënë në dispozicion, por jam i kënaqur që Kamza i ka përdorur këto instrumente dhe ka më shumë të ardhura nga tarifat dhe taksat vendore. Gjithashtu jam i kënaqur nga fakti që ka goxha progres në konsolidimin e Kamzës dhe Paskuqanit. Besojmë dhe shpresojmë që në muajt në vijim do t’i forcojmë këto lidhje që gjithashtu edhe qytetarët e Paskuqanit të përfitojnë nga ky konsolidim”. Duke folur për marrëdhëniet me qytetarët dhe dëgjimin e zërit të tyre, Clavelle vlerësoi përpjekjet e Bashkisë Kamëz për të dëgjuar zërin e tyre. “Presim vazhdimin e bashkëpunimit në muajt në vijim”, ishin fjalët e Clavelle, i cili përfundoi fjalën e tij me një mesazh politik: “Ne e dimë që kryebashkiakët e djathtë nuk janë në mazhorancë në numër, prandaj është e rëndësishme që palët të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të krijuar kushte më të mira për qytetarët, përfshirë edhe kryetarët e bashkive, majtas apo djathtas.
“Shpresojmë që muajt në vijim të zhvillohet dhe të miratohet një ligj për financat e qeverisjes vendore. Ashtu siç keni bashkëpunuar në të shkuarën shpresojmë që do të vazhdojmë të bashkëpunoni në mënyrë që edhe zëri i qytetarëve të Kamzës të dëgjohet në këtë proces. E dimë që vijnë shumë sfida me reformën territoriale dhe gjithashtu jemi të vetëdijshëm që sfidat më të rëndësishme lidhen me decentralizimin fiskal. Shpresojmë që muajt në vijim të krijojmë një ‘arkitekturë’ më të fortë për qeverisjen vendore, për financat vendore, më të fortë nga ajo që është tani” tha z. Clavelle. Më tej takimi vijoi në sallën e Këshillit Bashkiak, aty ku edhe palët nënshkruan marrëveshjen dhe kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, në shenjë nderimi i dha drejtorit të projektit PLGP, Clavelle, certifikatën “Mirënjohja e Qytetit” për kontributin e dhënë në zhvillimin e qytetit, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e rëndësishme me projekte konkrete në dobi të komunitetit dhe të institucionit të Bashkisë Kamëz.