37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Shqipëria është shndërruar në një parajsë fiskale për mafien

-Z.Berisha, pas publikimit të e-maileve nga Panama Papers është përmendur edhe emri i Ismail Mulletit, siç thuhet një nga ish-ortakët e Shoqërisë Shqiponja dikur në pronësi të Partisë Demokratike. A e njihni ju këtë person?

Problemi është se, Ismail Mulleti është një biznesmen, deri tani i regjistruar si dhjetëra mijëra të tjerë biznesmenë, në ato që duhen “parajsa fiskale”, të cilat janë shumë të fuqishme brenda kontinentit tonë, brenda hapësirës së Bashkimit Europian dhe në mbarë botën. Deri këtu, Ismail Mulleti ka kryer një veprim ligjor. Ku qëndron çështja tani. Duhet të dallojmë bizneset dhe politikanët. Bizneset kanë të drejtë t’i dërgojnë paratë, t’i qarkullojnë ato në çdo skaj, por ta bëjnë këtë në mënyrë transparente, pra jo për evazion fiskal. Në qoftë se transfertat e një biznesmeni, në një nga këto vende që quhen “parajsa fiskale”, nuk janë bërë për mashtrim, kjo është veprimtari plotësisht e ligjshme. Ata të cilët, për hir të së vërtetës ngjallin dyshim të plotë, janë politikanët, përjashtuar ndonjë rast që rastis të jetë biznesmen para se të hyjë në politikë dhe dërgon pasuritë, por politikanët, mendoj unë, nuk kanë motive për të çuar paratë e tyre në “parajsat fiskale”, ndonëse janë transferta të deklaruara dhe të paguara taksat, përsëri edhe kjo nuk përbën shkelje ligji, por të deklaruara në dokumentet e deklarimit të pasurive. Se i ke në këtë bankë apo në x bankë, kjo është çështje tjetër, nëse i ke transparente. Kjo është për çdo biznesmen, kanë bërë transfertë çmimi, kanë bërë evazion, e kanë përdor këtë mekanizëm për evazion, atëherë ata kanë kryer një krim  ekonomik për të cilin ka rregullat e veta të ndëshkimit. Për politikanët është ndryshe. Nëse do më pyesje mua a kanë çuar politikanët shqiptarë para në parajsat fiskale, unë mund të them…

 Jo unë mund t’ju pyes a keni çuar ju para në parajsat fiskale?

Unë po them vetëm kaq. Unë nuk di asnjë arsye që politikanët shqiptarë të çojnë para në “parajsat fiskale”, pasi e kanë këtu, e kanë shndërruar Shqipërinë në parajsë fiskale për ta. Po marrim Edi Ramën. Nuk ekziston asnjë faturë bankare ndërtimore, tatimore për pallatin në pajë, nuk ekziston asgjë transparente për vilën …

 Që është ndërtuar gjatë qeverisjes si “parajsë fiskale” tuajën?

Por përgjegjësinë e ka ai. Kur ne filluam hetimin, ne humbëm zgjedhjet dhe ai, aktin e parë që bëri shkarkoi nga detyra atë që po e hetonte. Shkarkoi nga detyra kreun e atij institucioni, që ka detyrë ta hetonte Edi Ramën. Mos hyjmë në këtë tani…

Apo sarajet e Surrelit, 57 metra të gjata, tre vila të lidhura njëra me tjetrën, ku vetëm pigmenti i betonit është 70 mijë euro, për të mos thënë për xhamin super special të çatisë e të tjera me radhë. Pra, parajsa fiskale, këta e kanë shndërruar vendin me këto. Megjithatë, çdo politikani që t’i gjendet ai duhet bërë përgjegjës.

 A e njihni Ismail Mulletin?

Kam një njohje, por njohje të afërt nuk kam. Ka qenë aktivist në lobin shqiptaro-amerikan, unë e kam takuar kur ka ardhur me lobistë shqiptarë-amerikanë, në mos gaboj ka aktivitete në shoqatat e emigrantëve shqiptarë në SHBA.

 Ka vënë para gjatë qeverisjes suaj të parë kur ju keni qenë President?

Nuk e kam parasysh të them të vërtetën, edhe mund të ketë vënë nuk mund ta them këtë. Nuk e kam takuar ndonjëherë gjatë kohës që unë kam qenë president, nuk e kam takuar ndonjëherë gjatë kohës që unë kam qenë kryetar i PD-së. Unë e kam takuar atë më vonë, kur unë jam bërë Kryeministër, në mos gaboj ose këtu ose në Nju Jork në kuadrin e këtyre shoqatave të lobingut shqiptaro-amerikan.

 Keni informacion që z. Mulleti ka kryer biznes ilegal?

Asnjë informacion.

 Keni informacion që z. Mulleti është prapa firmës “Global Fluids International ”, e cila ka marrë koncesionin e markimit të karburanteve gjatë qeverisjes suaj, në mars të 2013?

Ti e bëre mirë që e the muajin, sepse mbrëmë zëdhënës të mafies thanë se e ka marrë pas zgjedhjeve. “Global Fluids International” ka marrë, ka fituar të drejtën, pas dy vitesh negociatash, për të markuar naftën shqiptare në një çmim, jo siç mashtrojnë zëdhënësit e mafies në studiot televizive, por gjithsej 10 qindarka për litër, ky është çmimi i kontratës. Kjo kontratë nga mafia shqiptare u dërgua në Gjykatë Kushtetuese dhe dëgjoja mbrëmë zëdhënësin e mafies që thoshte se, Gjykata Kushtetuese u detyrua të kthejë mbrapsht paratë që kishin marrë. Se kur vë një mafioz në mikrofon, natyrisht që do të dëgjosh vetëm mafiozitete. Pra, kush donte ta anulonte këtë kontratë? Këtë kontratë donte ta anulonte kontrabanda e naftës,  donin ta anulonin ata të cilët, po t’i lësh, ju derdhën shqiptarëve të paktën 10 mijë ton squfur.

 Në Gjykatë Kushtetuese është paraqitur Shoqata e Hidrokarbureve?

Sigurisht, e manipuluar totalisht nga mafia e naftës.

 Që ka emër?

I njihni të gjithë ata. Vazhdojmë më tutje. Kjo kontratë u firmos me kompaninë kanadeze “Global Fluids International” dhe një ortak i tij Izraelit, kompani, e cila kishte patentën unike të shënjuesit të naftës. Jo bojën, por një substancë tjetër sekretin e së cilës e kishte kjo kompani dhe kjo kompani bënte markim dhe bën markim në një seri vendesh të tjera. Natyrisht që mafies së naftës, kjo nuk i intereson. Pse? Për të ardhur keq se mediat janë larg mbrojtjes së interesit publik. Afera e zbuluar, se 4 milionë litra naftë, afera “Kokëdhima” le të themi, u morën nga puset dhe u hodhën në pompat e benzinës. E di çdo të thotë kjo? Nuk ka krim më të rëndë mjedisi se kjo. Shanset e kancerit në progresion gjeometrik nga ajri që rispirojnë shqiptarët.

-Edhe markimi nuk ka funksionuar …?

Jo prit një minutë. Cili ishte markimi. Markimi ishte çdo litër naftë që importohej dhe që nxirrej në Shqipëri. Pse ishte kjo? Pikërisht për të bllokuar këtë krim të shëmtuar që kryenin kompanitë e naftës, mafiozët e naftës, duke marrë naftë bruto nga pusi dhe duke e futur në pompat e benzinatës. Nga më kryesoret kjo ishte. Ç’bënë kompanitë e naftës apo shoqata e mirëpaguara të naftës? Pse ndikoi në çmim 10 qindarka në çmim, e mori dhe e çoi në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese i ka dhënë kontratës fuqi kushtetuese, pasi e ka analizuar në çdo detaj në çdo aspekt dhe çdo pretendim, jo siç mashtrojnë zëdhënësit e mafies në studio. Pra, Gjykata e ka gjetur atë të ligjshme, të drejtë,  të zbatueshme dhe ajo është e vetmja kontratë që ka prerogativë nenet e Kushtetutës. Kjo është e vërteta. Se çfarë “Global Fluids International”  futuni në uebsite dhe e gjeni se çfarë është. Është një kompani kanadeze, e cila merret me markimin e naftës dhe ka shënjuesin e vet dhe ka patur 25% të aksioneve një kompani izraelite. Tani, a ka patur një kompani shqiptare, por të më pyesësh mua nuk di asnjë kompani të huaj, mbase edhe ka, që të mos ketë një kompani shqiptare të lidhur me të. E kanë ligj kompanitë e huaja këtë.

 Kur ju keni bërë kontratën mua nuk më rezulton një kompani shqiptare…?

Ligji tregtar nuk i pengon kurrë shitjen dhe blerjen e aksioneve. Nuk ka vend në botë që do ta pengojë atë nëse do t’i përmbahen lirisë së tregut. Kështu që, ka shitur aksione e ka blerë aksione, kjo është punë tjetër. Qeveria shqiptare ka firmosur me këtë,  dhe qeveria sot është e detyruar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përkundrazi, këta gjënë e parë që bënë ishte se përjashtuan naftën bruto, e hoqën naftën bruto nga lista e shënjimit dhe dolën se 4 milionë litra naftë bruto u hodhën në benzinatat e Shqipërisë. Por ky është krim i shëmtuar. Ky është i gjithë problemi i kompanisë. Nuk është firmosur pas zgjedhjeve, është negociuar dy vjet me një nga kompanitë serioze të tregut të markimit, me një marker shumë të veçantë që nuk i shpëton dot dhe e gjitha kjo luftë që iu bë kësaj kompanie iu bë nga mafia e kontrabandës së naftës.

  A keni dëgjuar se në këtë kontratë të markimit të karburanteve ka patur ministra, familjarë të tyre që janë lidhur me këtë koncesion?

Familjarë të mi nuk kanë qenë kurrë dhe nuk mund të jenë, dhe kjo është një shpifje që përsëritet sa herë i leverdis qeverisë dhe që nuk paraqesin dot kurrë një fakt të vetëm për asnjë rast. Familjarët e mi nuk kanë pasur dhe nuk mund të kenë kurrë asnjë lidhje me asnjë kompani që ka lidhje me sektorin publik. Ligj i hekurt ky, dhe nuk është thyer qoftë edhe në një rast të vetëm. Përsa i përket ministrave, nuk kam dëgjuar kurrë, por nëse ndonjë ministër ka pasur aksione, atëherë ai ka shkelur rregullat dhe ndaj tij mbahet qëndrim, por në të përgjithshëm nuk shkon kjo. Faktikisht kompania po operon dhe vetëm dy javë përpara është urdhëri i Arben Ahmetajt që të zbatohet kontrata me kompaninë.

 Kur u firmos kontrata me “Global Fluids International” është edhe firma që ju e quani izraelite, por mua më del e regjistruar në Zvicër dhe nuk ka një pronar. Mund të firmoset një koncesion kur nuk dihet pronari?

Nuk ka mundësi të mos ketë pronar, s’ka kompani që s’ka pronar.

 Nuk është publik pronari?

Ajo është punë tjetër është publik apo jo.

 Mund të firmoset një kontratë e tillë? Moralisht jo ligjërisht.

Plotësisht që mund të firmoset. Pronari dihej. 80% të aksioneve i ka pasur kompania kanadeze “Global Fluids International” dhe pjesa tjetër prej 25% e ka patur një kompani që është një kompani izraelite.

 Ka mundësi të jetë ky personi që përfshihet tani?

A mund të jetë ky apo nuk mund të jetë ky, atë nuk mund ta them unë. Në qoftë se ky personi ka patur një kompani tjetër në Shqipëri dhe ka fshehur të ardhurat nga ajo kompani, ky person është përgjegjës para ligjit shqiptar. Di që për kohën që kemi qenë në pushtet, kjo kompani ka siguruar zero të ardhura në Shqipëri, sepse kontrata është nënshkruar në mars dhe shoqata e hodhi  në Gjykatë Kushtetuese dhe ajo bllokoi aktivitetin, nuk e filloi dhe priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mos gaboj është i prillit të vitit 2014.  Çfarë mund të them unë, se ky Halkin përfitoi të ardhurat se nuk kishte asnjë qindarkë dhe i depozitoi në “parajsat fiskale”, kjo është absurde qesharake. Në atë periudhë, kjo kompani ka pasur zero aktivitet.

 Ju keni dijeni që ky izraelit është i njëjti i Petroleum Consulting Partners AG…?

Jo nuk e di. Asnjë lloj interesi nuk kam unë në këtë rast, këto janë lëvizje aksionesh. Nëse kompania “Global Fluids International S.A.” e ka pranuar këtë kompani është puna e tij. Për çfarë arsye, pra pse ka marrë këtë kompani izraelite është problemi i tij, është 80% aksionere.

 Sot, zotëron 90% të aksioneve i ka Petroleum Consulting Partners AG?

Por më thonë se i ka dhënë të gjitha mundësitë për të vazhduar markimin.

 Po gjurmojmë Ismail Mulletin, për lidhje me këtë firmë?

Ismail Mulleti, në dijeninë time nuk ka ekzistuar si aksioner kur  “Global Fluids International S.A.”  kishte 75% dhe kompania tjetër kishte 25%. Por, po ta them këtu edhe sikur të ishin 5 shqiptarë dhe “Global Fluids International S.A.” të ishte kryesor, kjo nuk ndryshonte qëndrimin tim, sepse unë nuk ka pse të paragjykoj, pse ka marrë  këta apo atë ortak. Nuk jua zgjedhim ne ortakun. Gjëja më korruptive që mund të bëjë një qeveri është t’u përcaktojë ortakun të huajve. Kurrë, kurrë nuk është bërë dhe nuk mund të bëhej nga unë. Që në momentin që t’i ke sugjeruar një ortak, t’i ke sugjeruar një interes.

 Pra çdo gjë që do të dëgjojmë dhe do të flitet këto kohë në media dhe nga kundërshtarët tuaj është e pavërtetë ju nuk keni lidhje me atë person?

Trillim fund e krye. Me kompaninë, zero.

 Me Ismail Mulletin?

Zero.

  Ju bëra një pyetje në fillim të intervistës për pasuritë offshore nëse mund t’ju gjejmë emrin tek Panama Papers?

Çdo gjë që gjendet offshore, jo nga unë, por edhe nga fëmijët e mi është e imja, është e Sali Berishës. Kurrë, as mund të ketë dhe as mund të ndodhë. Pra çdo gjë që të gjendet e tyre, është e imja, s’është e tyre.

 Po për ministrat nuk mbani përgjegjësi?

Unë marr ato përgjegjësi që më takojnë. Unë mund të them që edhe për këta nuk mbaj përgjegjësi, se ne jemi të ndarë, por nuk them atë. Unë them se nëse gjendet qoftë edhe një qindarkë e tyre, por ne kemi standardet tona si familje, të cilat as nuk janë shkelur dhe as nuk do shkelen ndonjëherë.

Asnjë tërheqje, sot beteja në Parlament për kushtet

Kryetari i PD, Basha paralajmëroi betejë të fortë të opozitës sot në Parlament, e cila do të kërkojë zbatimin e kushteve të saj përsa i përket zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatet e deputetëve që kanë përfituar para publike përmes bizneseve të tyre, komisionet hetimore, si dhe amendimin e ligjit për dekriminalizimin. Në një prononcim për mediat dje, Basha i cilësoi këto tri çështje si problemet që mbeten pezull për shkak të mungesës së vullnetit politik nga ana e Edi Ramës.

“E para, ka të bëjë me dhunimin e rendit kushtetues. Kushtetuta është pakti shoqëror mbi të cilin bazohet bashkekzistenca, është ajo që ndalon policin të sillet si bandit dhe banditin të sillet si polic. Dhunimi i rendit kushtetues, rënia e rendit kushtetues do të thotë që vendi është në xhungël, që nuk ka më dallim midis policit dhe banditit, midis Kryeministrit dhe kriminelit dhe anasjelltas. Ka katër javë që mazhoranca refuzon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në mënyrë të përsëritur për dy vite cenon rendin kushtetues. Në mënyrë të hapur cenon marrëveshjen politike, dhunon marrëveshjen politike të 24 dhjetorit 2014. E nesërmja është një rast tjetër për t’i dhënë fund këtij dhunimi kaq të hapur, kaq flagrant të rendit kushtetues dhe për të rikthyer vendin në kushtet, të paktën formalisht, të kushtetutshmërisë dhe jo në kushtet e xhunglës.

Respektimi i Kushtetutës do të thotë të respektosh bashkekzistencën qytetare. Të shkelësh, ta shkelmosh Kushtetutën do të thotë ta fusësh vendin në kushtet e xhunglës dhe në kushtet e xhunglës bëhet gjithçka, i dobëti, i pamunduri shkelet, përdhunohet, nxirret nga puna, vidhet, i merret buka e gojës, i asgjësohet mundësia për të ushqyer fëmijët e tij. Gjithçka që ndodh sot anembanë në Shqipëri, kjo krizë ekonomike, ky recesion për të cilin për turp nuk flet askush, kur në fakt është ulur këmbëkryq në të gjitha vatrat e shqiptarëve dhe në shifrat e vërteta të bilancit të shtetit, është efekti i drejtpërdrejtë i efektit të xhunglës, i mungesës së shtetit ligjor që fillon me shkatërrimin e Kushtetutës”, u shpreh kreu i PD.

Basha tha se sot në Parlament do të insistohet fort në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili në këtë rast, tha ai, ka të bëjë pikërisht me korrupsionin, ka të bëjë me pretendimet se dy anëtarë të tjerë të mazhorancës, përtej Koço Kokëdhimës që shkoi atje ku duhet të shkonte, kanë përfituar shuma të mëdha parash dhe asete publike në kushtet e konfliktit të interesit. “Po në favor të korrupsionit, Edi Rama ka treguar mungesën e gatishmërisë për komisionet hetimore parlamentare e në veçanti të komisionit parlamentar që ka të bëjë me vjedhjen e të dhënave të serverit të tatimeve, duke shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjen e 24 dhjetorit. Dhe për këtë nesër opozita do të insistojë në kalimin e amendamentit tonë, i cili përmbush kushtin e marrëveshjes së 24 dhjetorit, funksionimin eficient të komisioneve hetimore”, u shpreh Basha.

“Dhe së treti heqja e vulës së turpit, heqja e pranisë së deputetit që ka plagosur qytetarët me armë pa leje dhe që kur ia do qejfi vjen serbes dhe voton Arben Ahmetajn e kur nuk ia do qejfi ha e pi aty afër Parlamentit. Këtu nuk bëhet fjalë për një emër, këtu bëhet fjalë për një parim dhe parimi është ky: Deputetë, të cilët janë në proces gjykimi për vepra të rënda penale siç janë tentativa për vrasje, plagosje në kushte të rënduara dhe në prani të armëmbajtjes pa leje nuk kanë vend në seancën plenare deri në përfundim të procesit gjyqësor. Është një parim, i cili nuk mund t’i kishte shkuar askujt ndër mend që do të ishte i nevojshëm që të futej në ligjin për dekriminalizimin, por ja që Edi Rama është në gjendje që të na ofrojë edhe çudira të tilla përmes presionit të drejtpërdrejtë që i bën gjyqësorit dhe Prokurorisë. Këto do të jenë betejat e opozitës ditën e nesërme (sotme) në Parlament dhe nga kjo do të varet ngushtë edhe fati i Parlamentit, i funksionimit të Parlamentit dhe hapat që ne do të hedhim edhe në raport me garantuesit dhe ndërmjetësuesit e marrëveshjes së 24 dhjetorit, monitorimin e kësaj marrëveshjeje dhe vendimet e tjera që do të marrim në këtë drejtim”, tha ndër të tjera Basha.

I pyetur në lidhje me rrëzimin e nismave të PD nga mazhoranca, si dhe me bisedat me ndërkombëtarët në lidhje me Reformën në Drejtësi, Basha u shpreh: “Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj beteje. Në kushtet kur rendi kushtetues është dhunuar. Në kushtet kur ky dhunim bëhet për të mbrojtur dy personat e akuzuar për korrupsion, mazhoranca është e vetëdiskredituar, Edi Rama është i vetëdiskredituar si avokat i korrupsionit, si avokat i krimit. Dhe sigurisht që duhet të zgjedhë o avokat i krimit, avokat i korrupsionit ose reformator i drejtësisë”.

Do njohim vetëm zgjedhjet e lira, rasti Prenga i papranueshëm

“Nuk duhet të ketë më persona me të shkuar kriminale në zgjedhjet parlamentare. Shoh që tek-tuk ka ende probleme, por Bashkimi Europian do të insistojë që ky ligj të zbatohet tërësisht, që të mos ketë më përsëritje të rasteve të tilla, që janë thjesht të papranueshme në këndvështrimin e BE-së”

Eurodeputeti shprehet kundër ligjit të qeverisë në lidhje me emërimin e Drejtorit të ri të RTSH

Eurodeputeti Eduard Kukan ka kërkuar dje zbatimin me urgjencë të ligjit për dekriminalizimin ndërsa e ka cilësuar rastin Prenga si të papranueshëm për Bashkimin Europian. Në një intervistë për Abc News, eurodeputeti Kukan ka bërë të ditur se Bashkimi Europian do kërkojë me insistim zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, në mënyrë që siç tha ai raste të tilla si ai i Prengës të mos përsëriten më. “Raste të tilla janë të papranueshme. Fatmirësisht, zoti Prenga nuk merr më pjesë në punimet e Kuvendit, përndryshe do të kishte qenë shumë e vështirë të pranohej kjo situatë. Por të gjitha aktet nënligjore të dekriminalizimit, janë aty që situata të tilla të mos përsëriten. Nuk duhet të ketë më persona me të shkuar kriminale në zgjedhjet parlamentare. Shoh që tek-tuk ka ende probleme, por Bashkimi Europian do të insistojë që ky ligj të zbatohet tërësisht, që të mos ketë më përsëritje të rasteve të tilla, që janë thjesht të papranueshme në këndvështrimin e BE-së” shprehet Kukan.

Ai ka bërë të ditur se do të prezantojë një amendament të ri për rezolutën e integrimit europian të Shqipërisë lidhur me pritshmërinë e BE-së për zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Për Kukan, raste si i ai deputetit Armando Prenga janë të papranueshme për BE-në dhe nuk duhen të përsëriten në zgjedhjet e ardhshme. Kukan shpjegon edhe insistimin e tij për amendamentin për emërimin e drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Rezoluta për Shqipërinë do të diskutohet më 13 prill dhe do të votohet më 14 prill në seancë plenare të PE-së.
– Ju jeni raportuesi në hije i rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë, e cila nuk pati vëmendjen e duhur gjatë aprovimit në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, duke qenë se aprovimi i saj ndodhi ditën e shpërthimeve terroriste në Bruksel. Cili është mesazhi kryesor që përçon kjo rezolutë?

Rezoluta për Shqipërinë ka për qëllim inkurajimin e palëve për të vazhduar përgatitjen për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Jam i kënaqur me përmbajtjen e rezolutës dhe besoj, se do ta aprovohet në seancën plenare javën e ardhshme pa ndryshime.

– Ju keni prezantuar dy amendamente. Një prej tyre ka të bëjë me lirinë e shtypit. Nuk jemi mësuar t’ju dëgjojmë të ndërhyni për këtë çështje. Pse insistuat për këto amendamente?

Njëri prej amendamenteve ka të bëjë me emërimin e drejtorit të Radio Televizionit Publik dhe u aprovua. Mund t’ju them, se nuk ishim në një mendje me zotin Fleckenstein për këtë, ndërkohë që ne jemi përgjithësisht dakord mbi gjithçka. Unë e pashë të rëndësishme të insistoja mbi këtë, sepse versioni i procedurës për emërimin është aprovuar katër vite më parë me insistimin e Partisë Socialiste. Dhe tani është pikërisht Partia Socialiste që e ndryshon këtë. Amendamenti u aprovua dhe jam i kënaqur për këtë. Ai shpreh shqetësimin për emërimin e drejtorit të RTSH-së, pasi nuk është korrekte që të ndërrohen gjërat në varësi të faktit nëse je në opozitë apo mazhorancë. Çdo qeveri duhet të mësojë që parime të tilla nuk vlejnë vetëm gjatë mandatit qeverisës, por ato kanë jetëgjatësi përtej mandatit qeverisës.

– Ju do prezantoni një amendament të ri në seancën plenare. Pse?

Unë do të prezantoj një amendament lidhur me paragrafin për refomën zgjedhore. Ky amendament do të përforcojë gjuhën e përdorur në rezolutë sipas të cilës, institucionet e Bashkimit Europian presin zgjedhje të lira dhe të ndeshme në Shqipëri, që të njihen nga të gjithë dhe që të konsolidojnë situatën e brendshme në Shqipëri.

– Lidhur me procesin e dekriminalizimit, zoti Fleckenstein dhe ju keni luajtur një rol të pamohueshëm si ndërmjetësues të ligjit për dekriminalizimin. Pika kyçe aktualisht mbetet zbatimi i këtij ligji. Si po shkon zbatimi në këndvështrimin tuaj? Zoti Fleckenstein ka shprehur shqetësim për rastin Prenga. Ju ç’mendoni?

Raste të tilla janë të papranueshme. Fatmirësisht, zoti Prenga nuk merr më pjesë në punimet e Kuvendit, përndryshe do të kishte qenë shumë e vështirë të pranohej kjo situatë. Por të gjitha aktet nënligjore të dekriminalizimit, janë aty që situata të tilla të mos përsëriten. Nuk duhet të ketë më persona me të shkuar kriminale në zgjedhjet parlamentare. Shoh që tek-tuk ka ende probleme, por Bashkimi Europian do të insistojë që ky ligj të zbatohet tërësisht, që të mos ketë më përsëritje të rasteve të tilla, që janë thjesht të papranueshme në këndvështrimin e BE-së.

– Reforma në Drejtësi është parësore për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Edhe komisioneri Hahn gjatë dialogut të nivelit të lartë në Tiranë theksoi, se marrëveshja për këtë reformë mund të çojë në hapjen e negociatave të anëtarësimit. Besoni se do të ketë marrëveshje?

Atë që shoh, se të dyja palët janë dakord për rëndësinë e aprovimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi. Secila palë e sheh ndryshe këtë reformë. Ky është problemi, por besoj, se ata janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e reformës. Tani që kemi rekomandimin e Komisionit të Venecias, që njohim qëndrimin e Komisionit Europian dhe SHBA-ve, nuk mbetet tjetër përveçse dakordësia. Nuk mund ta imagjinoj që kjo reformë të mos aprovohet dhe të mos zbatohet. Hapi që duhet hedhur tani është marrëveshje midis palëve. Ne nuk mund të bëjmë më shumë. Forcat nga jashtë nuk mund të bëjnë më shumë. Ju iu referuat komisionerit me të drejtë, që Reforma e Drejtësisë, mund të çojë në hapjen e negociatave të anëtarësimit. Kjo nuk do të thotë që kjo do të ndodhë automatikisht. Mos më pyesni, nëse në rast se kjo reformë fillon të zbatohet, atëherë a do të ketë Shqipëria një datë për hapjen e negociatave? Ajo që mund t’ju them, se është e qartë që pa këtë reformë, nuk është realiste të flitet për hapin e ardhshëm të integrimit europian.

 

Trump dhe Klinton humbasin në Uiskons

Republikani Ted Cruz dhe demokrati Bernie Sanders fituan zgjedhjet e djeshme paraprake në Uiskonsin. Senatori Cruz mundi me lehtësi kryesuesin e garës republikane, miliarderin Donald Trump dhe rriti shanset që republikanët të kenë një kuvend të kontestuar. Kjo mund të shkaktojë përçarjen e partisë gjatë procesit të emërimit të kandidatit të saj presidencial në muajin korrik.
Për senatorin Ted Cruz Texas, kjo ishte fitorja e tij më e madhe në zgjedhjet paraprake, dhe një pengesë e madhe për kryesuesin e garës republikane, miliarderin Donald Trump:
“Sonte është një pikë kthese, është një thirrje nga elektorati i Uiskonsinit për mbarë popullin e Amerikës. Ne kemi një zgjedhje. Unë jam gjithnjë e më shumë i bindur se fushata jonë do të fitojë 1,237 delegatët e nevojshme për të fituar emërimin e partisë republikane!”
Trump pësoi ndoshta humbjen e tij më të rëndë, një humbje që ngadalësoi hovin e tij dhe ka shtuar shanset që republikanët të kenë një kuvend të kontestuar të emërimit të kandidatit të tyre në Klivëlend të Ohajos në muajin në korrik.
Donald Trump lëshoi një deklaratë pas humbjes, duke e quajtur senatorin Cruz si “Kali i Trojës” që po punon me udhëheqjen republikane në përpjekjet për t’i vjedhur atij emërimin.
Zoti Trump nuk ka mbajtur asnjë fjalim publik pas humbjes në Uiskonsin, por foli me gazetarët më parë gjatë ditës në një qendër votimi.
Donald Trump, kandidat presidencial:
“Ne në fakt kemi një fushatë shumë të mirë, dhe unë kam një epërsi tepër të madhe. Askush nuk po flet për nunrin e votave. Unë udhëheq me miliona vota më shumë se kushdo tjetër”.
Guvernatori i Ohajos, John Kasich doli i treti me një hendek të madh mes tij dhe dy kandidatëve të tjerë.
Në garën e demokratëve, Bernie Sanders pati një natë të mirë në përpjekjen e tij për të kapur kryesuesen e garës demokrate, zonjën Hillary Clinton:
“Nëse zgjojmë popullin amerikan dhe në qoftë se njerëzit e klasës punëtore, klasës së mesme, të moshuarit dhe të rinjtë fillojnë të ngrihen, të luftojnë përsëri dhe të votojnë në numër të madh, nuk ka asgjë që ne nuk mund të arrijmë!”
Sanders tani ka fituar gjashtë nga shtatë garat e fundit ndaj ish-sekretares Clinton, e cila dje bëri fushatë në Nju Jork, ku më 19 prill zhvillohen zgjedhjet paraprake të demokratëve.
Përveç zotit Sanders, zonja Clinton është duke u përqendruar edhe kundër Donald Trump-it.
Hillary Clinton, kandidate presidenciale:
“Shumë njerëz janë duke u përpjekur të përçajnë amerikanët. Do të dëshiroja që ata të vijnë në Nju Jork dhe të shpenzojnë pak kohë këtu. Dhe unë do të dëshiroja që kandidati nga Nju Jorku, Donald Trump, të dalë nga gradaçelat e tij, dhe në fakt të eci rrugëve dhe të shpenzojë kohë me njerëzit e këtij qyteti!”
Pavarësisht hovit që po merr fushata e zotit Sanders, zonja Clinton vazhdon të mbajë një avantazh të madh në numërimin e përgjithshëm të delegatëve në kampin e demokratëve.

Komisioni Europian rishikon skemën e emigrantëve

Komisioni Europian do të rishikojë skemën aktuale të krizës së emigrantëve dhe së shpejti do të paraqesë disa opsione të reja për zgjidhjen e saj.

Kjo lëvizje ka ardhur si pasojë e vështirësive që po has Greqia dhe Italia me emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Sistemi aktual i Bashkimit Europian ka dështuar për shkak të fluksit të madh të refugjatëve.

Sipas rregullave, emigrantët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të Unionit ku mbërrijnë.

Por e ashtuquajtura “Karta e Dublinit” dështoi kur kancelarja Angela Merkel i hapi dyert refugjatëve sirianë vitin e kaluar.

Greqia dhe Italia tashmë kanë hequr dorë nga regjsitrimi i çdo emigranti që prek tokën e tyre dhe  kjo bëri që një pjesë e klandestinëve të cilët udhëtonin nga Turqia në brigjet greke e më pas përmes Ballkanit të mos ishin të regjistruar, ç’ka solli ndërtimin e gardheve në kufi nga disa vende si Maqedonia e Sllovenia.

Komisioni Europian pritet të paraqesë dy opsione, i pari është të vazhdohet me modelin aktual, por duke ndihmuar vendet që po përballen me fluksin më të madh.

Ndërsa i dyti është më radikal, i cili parashikon zhdukjen e  rregullave aktuale dhe shpërndarjen e emigrantëve në vende të ndryshme të Europës.

Megjithatë shumë shtete nuk e dëshirojnë këtë ndryshim të plotë të rregullave.

Britania e Madhe dhe disa vende të Europës Lindore e kanë bërë të qartë se duan të vazhdojnë me të njëjtin sistem , ç’ka i jep të drejtën që të kthejnë çdo emigrant në vendin ku ka zbritur për herë të parë në Europë.

Ndërkohë që aktualisht sipas marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Qeverisë turke, të gjithë refugjatët që po mbërrijnë në ishujt grek, po dërgohen sërish në Turqi.

Cavani: Jam i PSG, por të ardhmes nuk i dihet

Edinson Cavani flet për të ardhmen e tij dhe nuk e përjashton mundësinë e largimit nga Paris Saint Germain në fund të sezonit. Në një intervistë të fundit, “El Matador” shpjegon favoret dhe disfavoret e të qenit në qendër të vëmendjes. “Gjithmonë është folur për këtë argument. Nga njëra ana është diçka pozitive, sepse tregon që shumë skuadra më duan, por ana tjerër nuk më vjen mirë që flitet kaq shumë për mua, sepse duket sikur nuk jam i lumtur në Paris”, u shpreh Kavani.
Por a ka patur oferta konkrete për kartonin e uruguaianit? “Mund të them se kam edhe dy vite kontratë me Paris Saint Germain dhe dua ta respektoj, por në futboll nuk i dihet kurrë se çfarë ndodh. Shumë gjëra nuk varen nga unë, por nga mënyra se si do të mbyllet sezoni dhe nga idetë e klubit”, tha ai.

Sulmet terroriste në Bruksel, një nga kamikazët ka punuar në Parlamentin Evropian

Detaje të reja zbardhen në lidhje me sulmet terroriste në aeroportin e Brukselit, më 22 mars, ku humbën jetën 35 persona dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë.

Një nga kamikazët që shpërtheu në aeroportin e Zaventem ka punuar për dy muaj në Parlamentin Evropian. Një muaj në verën e vitit 2009 dhe një muaj në vitin 2010, i punësuar nga një kompani e jashtme pastrimi me një kontratë studenti.

Lajmi u bë i ditur nga Ansa dhe pak orë më vonë u konfirmua dhe nga vetë Parlamentit Evropian, me anë të një deklarate për shtypin.

Identiteti i terroristit që punonte në Parlamentin Evropian mbahet sekret, por mediat shkruajnë se nuk është asnjë nga dy terroristët që shpërthyen në aeroport, por është Najim Laachraoui, prodhuesi i bombave dhe një prej organizatorëve të sulmeve kamikaze në Paris më 13 nëntor.

Najim Laachraoui i cili ishte bashkë me dy vëllëzërit që e hodhën vetën në erë, u arratis nga aeroporti pas sulmit.

Ai dyshohet se ka prodhuar bomba që janë shpërthyer në Paris më 13 nëntor dhe besohet se ka krijuar bomba tjera që vranë 35 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë gjatë shpërthimit në aeroportin e Brukselit më 22 mars.
Najim momentalisht është personi më i kërkuar në Evropë pasi vitin e kaluar i shpëtoi kapjes së policisë kur u kthye nga Siria.

Stevan Jovetiç drejt largimit nga Interi

Me vendin e tretë që tashmë duket si një mirazh në sfidat e mbetura të këtij sezoni trajnerit të Interit, Roberto Mançini do t’i duhet të bëjë një rivlerësim të disa prej lojtarëve që ka në dispozicion. I pari në këtë listë është Stevan Jovetiç, i cili është transferuar te klubi zikaltër në formë huazimi nga skuadra e Man.City-t me detyrim blerjeje në verën e vitit 2017. Për malazezin fillimi i 2016 nuk ka qenë aspak pozitiv. Goli i fundit në kampionat i shënuar nga Jovetiç i takon datës 12 dhjetor në takimin kundër Udineses, ndërsa në Kupën e Italisë sulmuesi ballkanas e ka gjetur rrugën e rrjetës në sfidën ndaj Napolit të zhvilluar më 19 janar. Pengesë për sulmuesin zikaltër janë bërë dhe dëmtimet e shpeshta që e kanë detyruar atë të qëndrojë larg fushës së blertë për një kohë të gjatë.
Pritet që sezonin e ardhshëm Jovetiç të mos jetë pjesë e Interit. Për shërbimet e 26-vjeçarit janë të interesuara disa klube nga Premier League. Nga Interi në verë mund të largohet edhe mbrojtësi Joao Miranda. Për brazilianin interesohen Bayern Munchen dhe Man.United. Pavarësisht paraqitjeve jo të mira me asnjë gol të shënuar deri tani për sulmuesin Eder, i cili u transferua nga Sampdoria gjatë merkatos së janarit me të drejtë blerjeje për 11 milionë euro, situata duket më favorizuese. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dyshen Ljajiç-Telles. Të dy lojtarët nëse duan të qëndrojnë tek zikaltërit do t’u duhet të bindin trajnerin Roberto Mançini në 7 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni.
Ndërkohë, Javier Zanetti mbështet Roberto Mançinin. Zëvendëspresidenti i Interit ka dalë në mbështetje të teknikut të zikaltërve Roberto Mançini, pavarësisht rezultateve jo të mira që ka arritur skuadra në fazën e dytë të kampionatit. Gjithçka nisi mirë për zikaltërit, duke arritur një sërë rezultatesh pozitive gjatë fazës së parë, por tanimë Interi e sheh veten 18 pikë pas Juventusit kryesues dhe misioni për një biletë për në Champions League duket se është një kapitull i mbyllur. Humbja ndaj Torinos e ka thelluar akoma dhe më shumë diferencën mes Interit dhe Romës të vendit të tretë. Sidoqoftë ish-kapiteni i zikaltërve, Javier Zanneti del në mbështetje të Roberto Mançinit dhe shprehet se nuk duhen humbur shpresat për një biletë në Champions League:
“Ne kemi besim të plotë tek Mançini. Është vërtetë që në fazën e parë të kampionatit skuadra ishte më solide, por gjithashtu ne e dinim se rrugës do të hasnim shumë vështirësi. Të gjithë janë shumë të zemëruar me ne pas humbjes kundër Torinos, por unë besoj se arritja e vendit të tretë është ende e mundur edhe pse misioni është bërë shumë më i komplikuar. Do të duhet të japin maksimumin në çdo takim që na ka mbetur”, u shpreh Zanetti.

Simeone te Interi, te Atletico as që e mendojnë diçka të tillë

Ëndrra e tifozëve të Interit është të shohin një ditë Diego Simeonen në stolin e skuadrës zikaltër. Në fakt edhe vetë tekniku argjentinas e dëshiron diçka të tillë, por për momentin ai nuk ka ndërmend të largohet nga Atletico e Madridit. Në një intervistë për mediat italiane, El Cholo deklaroi se në të ardhmen do të ulet në bankinën e Interit, pasi zikaltërit vazhdojnë të mbeten në zemrën e tij pas përvojës që pati në Milano si futbollist. 45-vjeçari nga Buenos Airesi ndodhet prej 5 vitesh në drejtimin e Los Colchoneros dhe gjatë kësaj periudhe, Diego Simeone falë grintës që e karakterizon ka arritur ta shndërrojë Atleticon në një skuadër të frikshme edhe për dy gjigantët e futbollit spanjoll siç janë Reali i Madridit dhe Barcelona.
Falë punës së tij me formacionin bardhekuq, El Cholo tashmë konsiderohet si nga nga trajnerët më të mirë në botë dhe me të drejtë drejtuesit e Interit shikojnë te argjentinasi njeriun ideal për stolin. Gjasat janë që Simeone të qëndrojë deri më 2017-tën te Atletico për të marrë më pas drejtimin e 18 herë kampionëve të Italisë, edhe pse në shtëpinë e Los Colchoneros as që e mendojnë diçka të tillë. Drejtori sportiv i klubit bardhekuq, Jose Luis Perez Caminero në një intervistë u shpreh se zërat që kanë dalë në media për një largim të mundshëm të Simeones janë thjesht thashetheme. “Nuk e mendojmë lamtumirën e argjentinasit, pasi jemi të bindur që ai nuk ka ndërmend të largohet nga Altetico as në të ardhmen”, shtoi në përfundim Caminero.