Bashkimi Europian shprehu dje alarmin e saj mbi rreziqet që paraqesin për BE fuqizimi i organizatave kriminale të trafikut të drogave që përfitojnë çdo vit më shumë se 24 miliardë euro nga shitja e tyre. Dy agjencitë më të mëdha të Europës në luftën kundër krimit të organizuar kërkuan që Shqipëria, krahas Afganistanit të vihen nën monitorim të rreptë të Bashkimit Europian për prodhimin dhe trafikimin e drogave.
Shqipëria, në raport mbetet një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit, si edhe një nga rrugët kryesore të trafikut të kanabisit, vajit të kanabisit dhe heroinës të prodhuara në Afganistan. Ndërkaq organizatat kriminale shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në furnizimin e Europës me kanabis dhe heroinë. Qendra e Monitorimit Europian të Drogave dhe Varësisë së Drogave së bashku me Europol publikuan dje raportin e tregjeve të drogës në BE, ku organizatat kriminale shqipfolëse mbeten nga më aktivet në trafikimin, shpërndarjen dhe shitjen e drogave në tregjet europiane.
Me gjithë operacionin policor në Lazarat, Shqipëria zë sërish vendin e parë në Europë për prodhim kanabisi dhe shitjen e tij në tregjet e paligjshme europiane. Pas saj vjen Holanda, ku ky mall distribuohet, duke shkelur shumë herë edhe ligjet për konsumin e tij. Heroina, që rrjedh prej opiumit, vjen nga vendet e Kaukazit përmes Turqisë, Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor
Shqipëria cilësohet si një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit në Europë dhe furnizuesit kryesorë të tregjeve në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Në raport thuhet se shqiptarët përmes bashkëpunimit me organizatat kriminale të Holandës, kanë arritur të transportojnë sasi të mëdha droge edhe në Britaninë e Madhe. Ndërsa bashkëpunimi me organizatat kriminale marokene dhe lokale i ka fuqizuar ata në kontrollin dhe fitimet që sigurojnë nga tregjet e drogës në Francë dhe Gjermani. Shqipëria, së bashku me Holandën është kanali kryesor i trafikut të vajit të hashashit afgan në Holandë.
Heroina është një nga drogat e tjera ku shqiptarët rezultojnë ndër grupet kriminale të fuqishme në furnizimin e tregut europian. Shqiptarët janë aktorët kryesorë në realizimin e fitimeve nga trafikimi, shpërndarja dhe shitja me pakicë për përdoruesit europianë, pasi turqit mbështeten shumë në fuqinë e mafias shqiptare. Raporti thotë se këto organizata kriminale janë aktive edhe në trafiqe të tjera kriminale, sikurse është ai i armëve dhe i emigrantëve.
BE tha se në analizë të këtij raporti vëren një lidhje më të madhe mes trafikut të drogës dhe krimeve të tjera, që përfshijnë terrorizmin, duke bërë që krimi i organizuar të krijojë aleanca përtej kufijve dhe ndarjeve etnike, duke e vështirësuar ekspertizën, si edhe vërehet koncentrimi gjeografik i grupeve të specializuara në droga të veçanta, përmes konsolidimit të trendeve të shkuara dhe krijimit të zonave të reja.
BE: Shqipëria, prodhuesi kryesor i drogave në Europë

Basha: Paguajmë 1 milionë dollarë në muaj për Vilmën
Banorët e fshatit Fermë, Radostinë, Dërmenas, etj të qarkut të Fierit kërkuan mbështetjen e Kryetarit të PD, Basha dje ndërsa i shprehën atij shqetësimin për infrastrukturën rrugore, kanalet e vaditjes dhe kullimit në të cilat nuk është vënë asnjëherë dorë, mungesën e subvencioneve dhe shërbimin e munguar shëndetësor. Basha, ka vijuar bashkëbisedimin me fermerë, mjekë, mësues, inxhinierë e profesionistë të tjerë në Fier.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa ka shpalosur programin për bujqësinë ka theksuar se ashtu siç infrastruktura u kthye në prioritet të investimeve në vitet 2005-2013, në qeverisjen e tij prioritet do të jetë bujqësia.
Basha ka denoncuar me qytetarët vjedhjet masive të qeverisë në këto vite duke përmendur vjedhjen prej 1.2 miliardë në vit nga tatimet e doganat ndërsa veçoi se vetëm për një klient të afërt të pushtetit siç është Vilma Nushi, nga paratë e qytetarëve zhvaten 1 milionë euro muaj për muaj , kjo për shkak të megaferës 120 milionë euroshe me shërbimin check up.
“Këta kanë vjedhur në një vit 1.2 miliard dollarë. Imagjinoni se çfarë mund të bëhej me 1.2 miliard dollarë në të gjithë Shqipërinë? Janë 6 vjet fatura energjie të të gjithë Shqipërisë. Do të zgjidhej problemi i ujitjes dhe i kullimit në të gjithë Shqipërinë. Synimi ynë është që në vitin e parë në qeverisje ne të jemi me 150 milionë euro me buxhet për bujqësinë, për të subvencionuar bujqësinë, për të subvencionuar punën, bujkun, jo grumbulluesin, jo 4-5 veta që kanë lidhje me qeverinë. Po drejtpërdrejtë bujkun dhe blegtorin” është shprehur Basha.
Arsimi, shëndetësia, taksat e larta dhe tarifat ishin në qendër të bashkëbisedimit që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi me mjekë dhe mësues, inxhinierë, avokatë, noterë etj. Kryetari i Partisë Demokratike e ka cilësuar tallje cinike me shqiptarët lavdërimet që u thuri kryeministri drejtoreshës së Dogave dhe Tatimeve, të cilat vetëm në një vit sollën një gropë prej 400 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit.
“E patë se si lavdëroi drejtoreshën e Doganave, drejtoreshën e Tatimeve. Tallje më cinike me shqiptarët nuk mund të ketë. Për çfarë i lavdëroi që i dhanë buxhetit të shtetit një gropë prej 400 milionë dollarësh vitin e kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave?! Për çfarë i lavdëroi, për të ashtuquajturin aksion kundër informalitetit me anë të cilit sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në periudhën shtator –tetor u mbyllën 73 mijë vende pune?! Për çfarë i lavdëroi, që si rezultat i kërbaçit, arbitraritetit, gjobave nuk u mblodhën më shumë, por u mblodhën më pak lekë, sepse informaliteti u rrit, bizneset falimentuan.
E vetmja që pësoi rritje të vërtetë ishte fatura e ryshfetit. Për çfarë t’i lavdëroi? Në fakt bënë mirë që i lavdëron se në fakt dikush ka përfituar nga kjo punë. Ato 400 milionë dollarë që nuk mbërritën në buxhet, në fakt diku kanë mbërritur apo jo?! Se di janë nisur për në Panama apo diku tjetër, por në kontot e pushtetarëve shqiptarë kanë mbërritur.
Të falënderosh doganat dhe tatimet është njësoj si të falënderosh Ilir Beqën, që po na shton ditët me shëndetësinë falas dhe të reformuar, kur në Spitalin e Fierit e në urgjencat e Fierit nuk ka jod, nuk ka garza. Të falënderosh Ilir Beqën që jep 1 milion dollarë në muaj Vilma Nushit.
Ça i ka mbetur tjetër të falënderoj Arben Ahmetajn për ecurinë e ekonomisë?! Të falënderoj Emiliano Shullazin për gjendjen e rendit?!
Ata që se besojnë dhe se votojnë janë dele. Biznesi qenka miu, duhet ta kapi macja. Në fakt shqiptarët janë pyetur se çfarë kafshe iu sjell ndërmend Edi Rama. Po duke qenë se as unë nuk jam i fushës së zooteknikës” vijoi Basha.
Për të ndryshuar realitetin, theksoi Basha kërkohet garantimi i votës së lirë. Me votë të lirë, me përballje programesh dhe ekipesh, Basha u shpreh i bindur se alternativa që ai përfaqëson është fituese.
“Me zgjedhje të lira e të ndershme, me ofertë programesh ta shikojmë pastaj se kush është më i zoti, ta shikojmë pastaj kush jep shpresë dhe besim për të nesërmen ky bojaxhiu batutaxhi apo Partia Demokratike dhe ekipi im europian që do t’i japë patjetër Fierit dhe Shqipërisë demokracinë dhe ekonominë europiane që meriton”.
Revolta e socialistëve: PS e ka groposur këtë vend
Banor: Unë kam qenë supersocialist. Kam patur një vëlla të sëmurë dhe e kam të sëmurë. Me 30 mijë lekë në muaj, ia hoqën edhe atë pensionin. Unë sot kam kartën e Lulzim Bashës në xhep. Ja ta tregoj është firma jote e Lulzim Bashës, sepse PS e ka groposur këtë vend.
Banor: Këtu bie një shi dhe ne notojmë në ujë. Ne notojmë në ujërat e zeza, dalin të gjitha të zezat. Këtu uji i pijshëm është katastrofë. Katastrofë janë gjobat, 15 mijë lekë aforfe. Unë vetë i gjashti i papunë, vetëm nëna ime pensioniste.
Basha u njoh me shqetësimet e shprehura nga mjekë, të cilët e konsiderojnë aspak produktive check-up-in dhe rezultatet e saj të manipuluara.
Mjeke: Qytetarët e Fierit po të duan ta shikojnë që në 06:30 të mëngjesit që mbajnë radhën aty për të marrë një sërë analizash, duke filluar nga analizat më ordinere për të marrë një patentë, lëre kur marrin analizat dalin me prostatë. Kam patur fatin se e kam parë vetë. Këtë e them jo për të qeshur, por është një fakt.
Basha: I merr paratë nga taksat tona dhe në vend që t’i çojë për trajnim të personelit shëndetësor, në vend që t’i çojë për kushte më të mira të urgjencës apo të reanimacionit, apo të sallave të kirurgjisë i bën rrush e kumbulla për të ashtuquajturin check-up-e. Që ja këtu u konfirmua edhe një herë, jo se kishte nevojë për konfirmim që nuk sjellin asnjë dobi. Pse? Sepse janë falso, sepse nuk bëhen. E gjithë skema e check-up-eve është në fakt një skemë gjigante e korrupsionit. Me një milion euro në muaj, ne mund të përfundonim brenda një viti 12 urgjenca jashtë Tiranës. Mund të ngrinim këtu në Fier një sallë moderne të kirurgjisë. Po nuk e bëjnë këtë, sepse këto para që dalin nga taksat e shqiptarëve përfundojnë drejtpërdrejtë në xhepat e qeveritarëve”.
Mësuesit u ankuan për persekutimin që u bëhet, të cilët pavarësisht prej kualifikimit transferohen në shkolla të largëta dhe në vend të tyre emërohen mësues pa arsim përkatës vetëm se kanë teserë partie. Një tjetër kërkesë në drejtim të zotit Basha ishte për hapjen e universitetit në Fier.
Banor: Me ardhjen në pushtet të PD të rishikojë mundësinë e mbështetjes të rihapet Universiteti i Fierit si një qendër shumë e madhe, ku mund të përgatiten specialistë në shumë fusha, të bujqësisë, të veterinarisë, të zooteknikës, të naftës, të arsimit, të shëndetësisë, të ekonomisë e me radhë.
Mësuese: Kam tre vite që nuk na japin 2%-in e pagës që na i mbajnë në muaj. Vështirësinë e rrugës jo e jo. Kam dy vite rresht që të gjithë mësuesit në fundviti nga muaji nëntor-dhjetor e deri në janar na shesin kredite.
Mësuese: Unë lëviz në tre shkolla, pa i marrë parasysh shkallët e kualifikimit tim, 5-vjeçar dhe 10-vjeçar. Zysha të tjera që thjesht sepse kanë teserën e PS-së dhe të LSI-së vazhdojnë të qëndrojnë në atë shkollë, duke mos iu referuar le të themi meritokracisë, figurës dhe dinjitetit të mësuesit, po boll bindjeve partiake. Është shumë e turpshme kjo që po ndodh me arsimin shqiptar. Na vjen zor që ballafaqohemi me situata të tilla kur dinjiteti jonë përbuzet, përbaltet, figura e mësuesit është bërë për të ardhur keq.
Arben Shahini
SHBA dhe BE kundër përgjimeve masive me kamera nga qeveria

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ia ka fshehur Parlamentit një raport të ICITAP dhe PAMECA mbi ligjin “për masat shtesë të sigurisë publike”. Misioni i Departamentit Amerikan të Drejtësisë ishte shprehur kundër vendosjes së kamerave me detyrim në ambientet publike e private. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e përmendi këtë fakt në relacionin që shoqëroi vendimin e tij për ta kthyer këtë ligj në Kuvend. “Në arsyetimin e kthimit të këtij ligji janë marrë në konsideratë gjithashtu komentet dhe mendimet e misioneve PAMECA IV dhe ICITAP, të cilat kanë identifikuar cënimin e një sërë të drejtash themelore, për të cilat kanë dhënë rekomandimet përkatëse”, shkruan Nishani. Raporti i zbuluar nga “HashtagAl” tregon detaje të tjera mbi qëndrimin që në veçanti ICITAP ka patur mbi ligjin. Këtë raport ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ua fshehu dy komisioneve parlamentare; Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Sigurisë.
ICITAP ka patur një letërkëmbim me ministrin Tahiri në periudhën prill–qershor 2015. Misioni i Asistencës Ligjore të SHBA i kishte kërkuar një raport të detajuar mbi arsyet përse duhej miratuar ky ligj, përse duheshin vendosur kamerat me detyrim në ambientet publike e private. Por Tahiri e injoroi këtë kërkesë. Ai nuk ua paraqiti kurrë amerikanëve relacionin e kërkuar. U dërgoi vetëm draftin, të cilin, më pas e dërgoi në Kuvend, në tetor të 2015, pa u konsultuar me ta.
Në raport thuhet: “Ministria e Brendshme dorëzoi pranë ICITAP vetëm kopjen e projektligjit dhe nuk e shoqëroi me ndonjë relacion shpjegues dhe as nuk u mbajt ndonjë takim për të shpjeguar tekstin dhe ndryshimet e bëra në versionin fillestar. Si rrjedhojë nuk është e qartë nëse në këtë, gjatë hartimit të këtij versioni janë marrë parasysh mendimet e ICITAP (Prill 2015) mbi versionin e mëparshëm. Siç do të shihet dhe më poshtë, shumë prej komenteve të ICITAP janë përsëritje e mendimeve tona mbi versionin e parë të këtij projektligji”.
Ndryshimet e kërkuara nga ICITAP, në raportin që ata i kishin dërguar, ishin injoruar gjithashtu. ICITAP e kishte bërë mjaft të qartë: Tahiri duhet të hiqte dorë nga ky ligj.
Në raport, qëndrimi kundër ilustrohej me dështimin e policisë në dy ngjarje kriminale të bujshme, të filmuara nga kamerat e sigurisë; vrasja e bankierit Artan Santo dhe grabitja e “Babagjyshëve” në një argjendari në TEG.
“Në Dhjetor 2013 një grup i armatosur i njohur si banda e “Babagjyshëve” hyri në një qendër tregtare i armatosur (TEG) për grabitje argjendarish, duke i kërcënuar me armë zjarri. I tërë incidenti u kap me kamerat me qark të mbyllur ÇTV dhe aksioni kriminal u krye pavarësisht një numri të caktuar të rojeve të sigurisë.
Po kështu në qershor të vitit 2014 një bankier i nivelit të lartë (Santo) u vra në një rrugë me shumë lëvizje në Tiranë, nën vështrimin e një oficeri të Policisë së Shtetit dhe autorët e krimit ishin filmuar nga një sërë kamerash ÇTV para, gjatë dhe pas vrasjes. Kamerat e sigurisë dhe prania e personelit të sigurisë as nuk parandalojnë dhe as nuk zbulojnë rastet e kriminelëve të organizuar që fshehin identitetin e tyre.
Në kushtet e bareve dhe klubeve të natës, prania e kamerave të sigurisë dhe/ose e personelit të sigurisë, mund të ndihmojë në zbulimin e krimeve me armë, por janë provuar si më pak efikase, si pengesë.
Në dy rastet e fundit që përfunduan me viktima, (Kuliçi 2013) dhe (Xhuvani 2014), mund të thuhet se shkelësit, të cilët ishin nën ndikimin e alkoolit dhe të drogës, nuk do të ndiheshin të penguar nga masa të tilla të sigurisë.
Hulumtimet tregojnë se kamerat e sigurisë kanë një vlerë të kufizuar për sa i përket parandalimit të krimeve të rënda.
ICITAP e konsideronte draftin antikushtetuese; ai kufizonte të drejtat e qytetarëve. Ekspertët amerikanë ishin shprehur qartë se policia mund t’i nxiste bizneset për të vendosur kamerat e sigurisë, por nuk mund t’i detyronte. “Një nismë e tillë nuk ekziston gjëkundi, as në SHBA dhe as në ndonjë shtet të Europës”, shpreheshin ata në raport.
“Ka një shqetësim se masat e propozuara do të krijojnë një barrë të konsiderueshme financiare për disa biznese private. Kostoja e procesit të çertifikimit dhe rinovimeve të mëvonshme të sistemeve të kamerave ÇTV dhe personelit të sigurisë mund të rezultojnë një barrë e panevojshme për shumë biznese të vogla e të mesme.
Në shumë vende, veçanërisht në SHBA, ekziston një praktikë ku policia i nxit bizneset private dhe individët të investojnë në sisteme për të parandaluar dhe për t’u mbrojtur kundër krimit. Megjithatë, këto nisma për policimin në komunitet, kurrë nuk kërkojnë të imponojnë një detyrim normativ për t’u respektuar, e aq më pak akoma të kriminalizojnë mos-respektimin e tij”.
Rekomandimi i ICITAP është shumë i qartë: Tahiri duhet të heqë dorë nga kjo nismë.
“Siç ka deklaruar dhe në dokumentin e mëparshëm, ICITAP-i, do të dëshironte fillimisht të shihte një relacion ku diskutohen politikat në vend se të shikonte një projektligj të përfunduar.
Praktikë normale është një relacion ku të diskutohen:
–Vëllimi i njohur dhe karakteristikat e krimit apo problemit të rendit publik, përfshirë statistikat e sakta
-Një listë të opsioneve të detajuara të shkelësit të ligjit, për të rritur shkallën e zbulueshmërisë, duke u mbështetur në metoda që kanë rezultuar të suksesshme në vende të tjera
-Kostot përkatëse të çdo opsioni si për qeverinë ashtu dhe për biznesin privat
Ky projektligj nuk ofron asnjë gjë nga sa thamë më lart, thjesht merr të mirëqenë problemin dhe imponon një zgjidhje pa dhënë prova për arsyetim.
Si rrjedhojë ICITAP dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ta lënë mënjanë projektligjin dhe të përgatisin një dokument politike të hollësishëm ku të trajtojnë pikat e përmendura në këtë paragraf”.
Tahiri këto kërkesa të qarta nuk ua vuri përpara asnjëherë deputetëve. Ai u tha atyre se ishte konsultuar me ICITAP dhe misionin PAMECA, pa u shpjeguar se çfarë qëndrimesh kishin dy misionet e asistencës. Referuar shpjegimit të Presidentit të Republikës, edhe PAMECA kishte shprehur të njëjtat shqetësime.
Rama fshehu raportet e ICITAP e Pameka-s për ligjin e përgjimit
Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje fshehjen e qëllimshme të raportit të ICITAP dhe Pameka në lidhje me ligjin e përgjimeve. Përmes një statusi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Berisha thekson: “Edvin Shullazi fshehu, për të mbushur xhepat, raportet e ICITAP dhe PAMEKA-s që denoncojnë si antikushtetues ligjin e survejimit me kamera! Ligji i survejimit dixhital, pra me kamera, i mjediseve publike i Edvin Shullazit, të cilin e ktheu Presidenti i Republikës, u denoncua para miratimit në Parlament në dy raporte ndërkombëtare, atë të ICITAPIT dhe PAMECA-s, përkatësisht të SHBA dhe BE si një ligj antikushtetues dhe që shkel në mënyrë flagrante edhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Këto raporte, Edvin Shullazi, i lidhur kokë e këmbë me kompaninë e kamerave, i fshehu jo vetëm nga publiku, por dhe nga Parlamenti. I bazuar në këtë raport, Presidenti ktheu në Parlament si antikushtetues ligjin e survejimit dixhital të mjediseve publike. Fshehja e raporteve të ekspertizës ndërkombëtare të ligjit përbën dëshminë dhe skandalin e radhës banditesk te kreut të ekzekutivit, i cili për të mbushur xhepat nuk njeh ligj, Kushtetutë as dhe konventa ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria është palë”, shprehet Berisha në reagimin e tij.
Cënimi i privatësisë dhe të dhënave personale
Referuar Komisionit të Ligjeve dhe opinionit të dhënë nga komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë hedhur dyshime në lidhje me respektimin e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve nga aplikimi i masave të parashikuara.
Sipas argumentave të Presidentit në kthimin e këtij ligji, ky ligj mbasi detyron bizneset, administratorët e pallateve, shkollat private dhe publike apo të gjitha institucionet publike të instalojnë kamera dhe të ruajnë përmbajtjen e tyre, nuk jep asnjë garanci se si do të ruhen të dhënat personale të individëve të siguruara nga këto kamera.
Në rastin konkret, jo vetëm që ndërhyrja nuk është proporcionale me qëllimin që do të arrihet, por nuk ofrohen as garancitë në përpunimin e të dhënave. Policia është përgjegjëse vetëm për survejimin e ambienteve publike me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Përmes Ligjit 19/2016 bëhet i detyrueshëm survejimi edhe i ambienteve private, duke lënë në gjykimin e policisë se kush duhet survejuar dhe ku duhet të instalohen kamerat. Nuk ka përcaktime në lidhje me mënyrën e vendosjes së kamerave, të cilat në rast se janë të lëvizshme mund të filmojnë edhe ambiente të tjera apo të personave të ndryshëm që nuk kanë lidhje me qëllimin. Kjo krijon hapësirë për abuzime dhe cenim të rëndë të privatësisë si një e drejtë themelore kushtetuese. Neni 13 i ligjit i jep të drejtë policisë të marrë pamje filmike, ndërkohë që KPRP penale përcakton qartë se diçka e tillë mund të realizohet veç përmes autorizimit të Gjykatës.
Ligji nuk përmban asnjë dispozitë që të garantojë të dhënat e përftuara nga vendosja e mjeteve të regjistrimit-përgjimit. Kështu që, mundësia e keqpërdorimit të pamjeve filmike dhe të dhënave personale, shfrytëzimit për qëllime që nuk kanë lidhje me sigurinë apo mundësia e keqpërdorimit të tyre nga ana e strukturave policore si mjet kërcënimi, diskreditimi publik apo për shantazh është evidente. Pra, ligji i miratuar nuk jep asnjë garanci lidhur me ruajtjen e privatësisë së qytetarëve.
CNN: Skandali me “Panama Papers” do rrëzojë qeveritë e korruptuara
Po qëndron prej disa ditësh në Tiranë, Frida Ghitis, gazetarja e “CNN” që pak ditë më parë nuk i kurseu fjalët më të mira, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në opinionin e saj, ajo vlerësonte harmoninë fetare dhe shprehte pa komplekse, bindjen se Shqipëria mund të jetë një shembull për të gjithë botën. Gazetarja vazhdon të qëndrojë në Tiranë dhe sapo ka botuar një shkrim tjetër. Kësaj radhe, e frymëzuar nga skandali “Panama papers”, Frida Ghittis paralajmëron rrëzimin e qeverive të korruptuara që do të bien nga dokumentet që do të publikohen. “Disa do ta zhvlerësojnë që ta zhdukin si çështje, duke ju thënë se është e gjitha një keqkuptim i madh. Do t’ju thonë se është një fortunë në gotë, ose ndoshta një teori e madhe konspiracioni. Mos i besoni! Shpërndarja e dokumenteve të Panamasë është një çështje e madhe”, shkruan Frida Ghittis. “Ky është një tërmet. Lëkundjet do të vazhdojnë për muaj me radhë, ndoshta edhe vite. Ky mund të jetë edhe fillimi i fundit të sekreteve. Disa prej figurave më të fuqishme botërore dhe të afërmit e tyre akuzohen se kanë fshehur pasurinë. Dhe të mendosh që sapo kemi filluar”, shkruan Frida Ghittis për “CNN”, gjatë kohës që qëndron në Tiranë. “I gjithë ky informacion në shumë raste mund të krijojë dëme ose të lërë pasoja. Dhe nuk do të vijë si një shok. Në vend të kësaj, nxjerrja e këtyre dokumenteve mund të konfirmojë shumë dyshime. Por nëse të dhënat në këto dokumente dalin të sakta, ato do të ndihmojnë në ndryshimin e sjelljes- kur Wikileaks publikoi të dhënat e një feste luksi në Tunizi të organizuar nga dhëndri i Presidentit, me akullore që ishte sjellë nga Franca, kjo ndihmoi në rritjen e revoltës që përmbysi diktatorin. Siç e kam shkruar më herët, korrupsioni është një helm vdekjeprurës që paralizon ekonominë, shton varfërinë dhe ndërsa rritet, mund të marrë edhe jetë. Krerët e shteteve jo vetëm i vjedhin paratë e vendit të tyre, por në shumë raste ato i orientojnë politikat drejt përfitimeve personale, duke i privuar vendet nga qeverisja e drejtë. Pastaj janë miqtë e njerëzve të fuqishëm, që papritur bëhen të pasur. Pasuria e tyre nuk është vetëm provë e bujarisë së qeveritarëve. Jo, autokratët i pasurojnë njerëzit rreth tyre për të mbrojtur fuqinë e tyre, të blejnë miratimin e tyre, që bashkëpunëtorët e tyre të heshtin. Ndonjëherë kritikët shkojnë në burg, ndonjëherë pasurohen. Në të dyja rastet, qëllimi është që ata të heshtin. Në përfundim, korrupsioni minon qeverisjen e mirë dhe forcon diktatorët. A ishte surprizë që ‘Panama Papers’ nxorën në dritë kompani të parajsave fiskale të lidhura me Presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad apo me Moamar Gadafin dhe Presidentin e rrëzuar të Egjiptit, Hysni Mobarak? Në një nga lëvizjet më pozitive të kohërave tona, njerëzit po përdorin gjithnjë e më shumë informacionin të shkulin korrupsionin. Ata tashmë kanë rrëzuar qeveri. Publikimi i dokumenteve të Panamasë shenjon një moment të rëndësishëm në këtë trend. Mos lejoni askënd t’ju thotë se kjo nuk është një çështje e madhe!”, shkruan Frida Ghittis. Skandali i Panamasë i quajtur ‘Panama Papers’ ka nxjerrë në pah emrat e shumë liderëve botërorë dhe figurave publike, emrat e të cilëve janë ndodhen në plot 11.5 milionë dokumente, zbulimi më i madh gazetaresk i bërë ndonjëherë. Llogaritë bankare të quajtura offshore përdoren për të shmangur kontrollet dhe taksat. Kompanitë apo individët përdorin këto llogari për të fshehur pronësinë apo informacione të tjera në lidhje me fondet apo pasurinë. Këto llogari të fshehta ndodhen më së shumti në Panama, Ishujt Cayman, Bermuda dhe në disa vende të tjera të vogla, të cilat konsiderohen ndryshe parajsa fiskale.
OKB: Vendet e varfra humbin çdo vit 100 miliardë USD nga offshoret
Vendet në zhvillim po humbasin çdo vit 100 miliardë dollarë nga taksat për shkak se investitorët e huaj i kanalizojnë fitimet e tyre përmes parajsa fiskale për t’i shpëtuar taksimit. Përfundimi tronditës vjen nga një raporti i organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Praktikat e shmangies së taksave përmes parajsave fiskale janë përgjegjëse për një rrjedhje të madhe të burimeve financiare të vendeve të varfra duke penguar zhvillimin e tyre,” deklaroi pas publikimit të raportit, Mukhisa Kituyi, sekretarja e përgjithshme e UNCTAD-it, krahu ekonomik i OKB-së. Sipas raportit, investitorët e huaj devijojnë rreth 450 miliardë dollarë fitime në vit nga vendet në zhvillim drejt parajsave fiskale. Sikur këto fitime të taksoheshin mesatarisht me 20 për qind atëherë, vendet e varfra të botës do të kishin rreth 100 miliardë dollarë më shumë në vit për të financuar zhvillimin e tyre. Shifra është thuajse e barabartë me të gjithë ndihmën që vendet e zhvilluara japin për ekonomitë e varfra të botës.
Shifrat
Sipas OKB në vitin 2012, kompanitë kishin 21 trilionë dollarë investime të huaja në mbarë botën. Por më shumë se 30 për qind e këtyre investimeve, ose 6.5 trilionë dollarë janë kanalizuar përmes parajsave fiskale. Por si shmangen taksat përmes parajsave fiskale? Skema është e thjeshtë. Kompanitë i realizojnë të ardhurat në vendet e varfra ku kanë investuar, por faturojnë në këto vende shpenzime artificiale përmes parajsave fiskale. Përmes shpenzimeve të fryra articialisht, të cilat nuk mund të kontrollohen pasi origjinojnë nga parajsat fiskale, kompanitë ulin në minimum fitimet e tyre dhe rrjedhimisht edhe taksat që duhet të paguajnë në vendet pritëse. Këto para do ishin të mjaftueshme për të financuar mijëra projekte dhe për të përmirësuar jetën e miliona qytetarëve të varfër në mbarë botën.
Nishani-Ader: Shqipëria duhet të përmbushë kushtet e BE
Presidenti Bujar Nishani priti dje Presidentit të Republikës së Hungarisë, János Áder, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore dy ditore në vendin tonë me ftesë të Kreut të Shtetit shqiptar. Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të të dy shteteve, Presidenti Nishani dhe Presidenti Áder, të shoqëruar nga delegacionet përkatëse, zhvilluan bisedimet zyrtare, ku vlerësuan marrëdhëniet historike e të shkëlqyera mes dy vendeve si në nivel dypalësh ashtu edhe në nivel rajonal e shumëpalësh. Një vëmendje e veçantë në këto bisedime iu kushtua procesit të integrimit evropian të Shqipërisë si dhe forcimit e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik. Presidenti Áder ritheksoi vijimin e mbështetjes së plotë të Hungarisë ndaj integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ndërsa përsa i përket thellimit të marrëdhënieve, Kreu hungarez i Shtetit bëri me dije vendosjen së shpejti një linje ajrore direkte fluturimi mes Budapestit dhe Tiranës. Po ashtu, në kuadër të protokollit dyvjeçar të arsimit, Hungaria do të ofrojë 20 bursa studimi për të rinjtë shqiptarë. Në prani të dy Presidentëve, u nënshkrua Programi i Bashkëpunimit në Fushën e Shkencës dhe Arsimit ndërmjet Ministrisë së Burimeve Kombëtare të Hungarisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë nga Ambasadori Antal Heizer si dhe për palën shqiptare, nga Ministrja Lindita Nikolla. Pas bisedimeve dypalëshe në krye të dy delegacioneve zyrtare respektive, Presidenti Nishani dhe Presidenti hungarez Áder dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, duke iu përgjigjur edhe interesimit të përfaqësuesve të medieve të pranishme. “E sigurova Presidentin Áder se procesi i integrimit evropian mbetet objektivi më madhor i shqiptare dhe alternativa e vetme për të ardhmen e tyre evropiane. Gjithashtu, e informova mikun hungarez se Shqipëria është e fokusuar në përmbushjen e reformave të nevojshme dhe të pesë prioriteteve të përcaktuara qartë nga Bashkimi Evropian. Jemi të ndërgjegjësimin se hapi tjetër i hapjes së negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian është i lidhur ngushtë me përmbushjen e të gjitha këtyre prioriteteve, bazuar në standardet më të mira evropiane” tha Nishani. Ai u shpreh se gjatë bisedimeve të djeshme palët u fokusuan edhe në bashkëpunimin dypalësh dhe atë shumëpalësh, por edhe në zhvillimet dhe sfidat me të cilat po përballet Evropa sot. “Sigurisht, që nxitja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar zuri një vend të rëndësishëm në bisedat tona, pasi vlerësojmë se përtej marrëdhënieve shumë të mira diplomatike e politike, ato ekonomike janë ende larg pritshmërisë dhe mundësive të të dy vendeve. Konstatuam me kënaqësi se kuadri i përbashkët ligjor në fuqi i krijon të gjitha hapësirat e nevojshme për nxitjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve. Marrëveshjet dhe konventat kryesore për eliminimin e taksimit të dyfishtë dhe të mbrojtjes dhe nxitjet së investimeve reciproke janë nënshkruar dhe janë në fuqi që në vitet e para pas ndryshimeve demokratike, kështu që mbetet vetëm të punohet më shumë për të nxitur strukturat e të dy vendeve për krijimin e lehtësirave të nevojshme” tha Nishani. Gjithashtu ai theksoi se sesioni i mbajtur në muajin maj të vitit të shkuar i Komisionit të Përbashkët Ekonomik ka identifikuar qartë mundësitë e bashkëpunimit dhe për këtë arsye mbetet të nxiten institucionet përgjegjëse për t’i përkthyer ato në veprime e agjenda konkrete bashkëpunimin. “Përshëndeta interesin e Hungarisë për të hapur Dhomën Kombëtare Hungareze të Tregtisë në Tiranë dhe besoj se shumë shpejt kjo do të realizohet, duke kontribuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Falë potencialeve tona, interesi i bashkëpunimit mund të shtrihet edhe në fushat e energjisë, turizmit, infrastrukturës, transportit, bujqësisë, etj. Siç e patët mundësi ta ndiqni edhe pak më parë, bashkëpunimit ynë dypalësh u pasurua sot edhe me një angazhim tjetër. Në kuadrin e vizitës së mikut hungarez, u bë i mundur nënshkrimi i programit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e shkencës dhe arsimit për periudhën 2016-2018, duke iu shtuar kështu kuadrit shumë të mirë ligjor që ekziston mes dy vendeve. Pritet që ky program do t’i japë një nxitje të re bashkëpunimit në këtë kuadër, përmes mbështetjes së studentëve dhe punonjësve shkencorë të të dy vendeve për të studiuar në vendet respektive” vijoi Nishani. Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, Nishani vlerësoi modelin e Grupit të Vishegradit, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Hungaria luan një rol të rëndësishëm, si dhe e njohu Presidentin Áder, për vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar me politikën e saj të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit. Ndërsa për çështje e krizës së refugjatëve Nishani theksoi edhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë, për gatishmërinë për të qenë pjesë e një zgjidhje të përbashkët evropiane, sipas mundësive dhe kapaciteteve të saj reale.
Rama, peng i vrasësit Prenga, nuk e largon nga Kuvendi
Mazhoranca rrëzoi dje kushtin e opozitës në lidhje me amendimin e ligjit për dekriminalizimin. Vendimi i djeshëm i Komisionit të Ligjeve me votat e mazhorancës vjen pas rrëzimit së një tjetër kushti të opozitës që kishte të bënte me funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. Krahas kushtit për komisionet hetimore parlamentare, opozita kishte vendosur disa kushte ndaj mazhorancës në lidhje me funksionimin normal të Parlamentit, të cilat kanë të bëjnë me amendimin e ligjit për dekriminalizimin, amendim i cili parashikonte largimin e menjëhershëm të çdo funksionari që gjatë kryerjes së detyrës së tij publike kapej në flagrancë duke kryer një vepër penale. Rasti nga i cili opozita mori shkas për këtë amendament ishte ai i deputetit socialist Armando Prenga, i cili pak muaj më parë u bë protagonist i një përleshjeje të përgjakshme me armë, si dhe ishte autor i plagosjes së disa personave. Por ky amendament, i cili parashikonte largimin e Prengës dhe çdo rasti tjetër të ngjashëm që mund të përsëritet si precedent në të ardhmen u rrëzua dje nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve. Vendimin e mazhorancës përfaqësuesit e Partisë Demokatike e cilësuan mungesë vullneti për të zbatuar këtë ligj, ndërsa zyrtarisht në Komisionin e Ligjeve brenda radhëve të mazhorancës u artikuluan qëndrime të hapura se ligji i hartuar dhe miratuar si presion i ndërkombëtarëve dhe i përshëndetur prej tyre si arritje, përmban elementë antikushtetues. Demokratët pas vendimit braktisën mbledhjen me akuzën se mazhoranca po mbron kriminelët. Amendamenti i PD synonte që ligji për dekriminalizimin të përcaktonte si rast ndalues kur një zyrtar i lartë arrestohet në flagrancë për një krim kundër jetës. Ky amendament u hartua duke marrë shkas nga rikthimi në Parlament i deputetit Armando Prenga që akuzohet dhe po gjykohet për plagosje me armë. Për anëtarët demokratë, kundërshtitë e mazhorancës për propozimin e tyre, por dhe deklaratat publike se ligji ka elementë antikushtetuesë, i cilësojnë si mungesë vullneti të hapur të mazhorancës për të respektuar dekriminalizimin. “Po tregoni sot me të gjithë oratorinë e përdorur nga ju që e keni lëmsh në fyt atë që miratuat më 17 dhjetor. Sepse po dalin deputetë të rëndësishëm për Kryeministrin siç deklaroi Kokëdhima, vetë Kryeministri po na kërcënon me çështje kushtetuese, edhe këtu në këtë komision u përmend dhe këto janë shenja që ju doni të tërhiqeni edhe nga dekriminalizimi. Ndërkohë që është e qartë se te ajo pika e tretë që është zbatimi sistematik i Gjykatës Kushtetuese nuk keni dhe nuk keni ndërmend”, theksoi ai. Mazhoranca i ka rrëzuar zyrtarisht tre kushtet e opozitës, të cilat ishin kushte për marrëdhënien e tyre me Kuvendin. Opozita vendosi marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin duke kërkuar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e mandatit të deputetëve socialistë Rakip Suli dhe Valentina Leskaj, amendimin e ligjit për dekriminalizimin duke synuar ndalimin dhe largimin nga funksioni publik i zyrtarëve që gjatë ushtrimit të mandatit kryenin vepër penale, si dhe mundësimin e funksionimit normal të komisioneve hetimore duke eliminuar mundësinë e mazhorancës për të bllokuar punimet e këtij komisioni sa herë që hetohen afera apo pazare të qeverisë.
Tre kushtet e rrëzuara të opozitës
1. Mandatet e deputetëve Leskaj dhe Suli nuk po shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe ky sipas opozitës është refuzimi i zbatimit të vendimeve të kësaj gjykate. PD pretendon se vendimi për Kokëdhimën flet njësoj për çdo mandat deputeti, është Kushtetuesja që vendos, jo Kuvendi.
2. U rrëzua nisma për ndryshimin e funksionimit të komisioneve hetimore edhe kur shumica mungon.
3. Gjithashtu u rrëzua nisma për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit me të cilin synohej pezullimi i funksionarëve të arrestuar në flagrancë për vrasje apo plagosje.
Pa konsensus me opozitën, Reforma në Drejtësi nuk kalon
Paketa e ndryshimeve kushtetuese nuk do të shkojë në Parlament për votim nëse nuk gjendet konsensusi për to. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi përmes një prononcimi për mediat thekson rëndësinë e përputhjes së çdo pike të reformës me rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias. “Minimumi janë dhjetë pika kardinale që pa u zgjidhur ato nuk mund të ecet. Ai draft pa e zgjidhur këtë çështje, që do të zgjidhen me kompromis. Ne mund të kemi ndërmend një zgjidhje, pala tjetër një zgjidhje, në fund fare shkruajmë një të tretë së bashku. Pa e zgjidhur këtë çështje ai draft ka probleme të mëdha dhe këtë e thotë Komisioni i Venecias”, thotë Bylykbashi. Përveç Reformës në Drejtësi, Bylykbashi ka thënë se duhet edhe një reformë e plotë kushtetuese në të gjitha hallkat e saj, duke garantuar një sistem të qëndrueshëm. “Vetë fjala e plotë nënkupton shumë. Ne sot jemi përpara, për fat të keq me ndryshime masive, drastike që po i bëhen Kushtetutës sot, jemi përpara një zhbilancimi shumë të fortë të gjithë arkitekturës kushtetuese, nuk po flas vetëm për sistemin në drejtësi. Pjesa e sistemit në drejtësi është më vete problematike, por është një nga tre kolonat. Dhe asnjë nga tre kolonat nuk funksionon e vetme, e shkëputur. Nëse një pjesë zgjidhet keq dhe fillon dhe jep probleme në harkun e disa viteve, kjo do të marrë me vete dhe dy kollonat e tjera të pushtetit, ekzekutivin dhe legjislativin”, është shprehur Bylykbashi. Duke folur për reformën zgjedhore, deputeti demokrat ka theksuar problematikën e financimit të partive, duke shprehur edhe propozimin e PD, si dhe u shpreh kundër listave të hapura të kandidatëve në garë. “Ne po bëjmë një propozim që është shumë i fortë. Kemi shkuar deri aty sa të propozojmë 100% të financimit publik, të mos ketë financim privat. Belgjika e ka bërë këtë lloj sistemi pas një numri skandalesh në vitet ’90, skandale shumë të forta financiare, politike. Financim politik korruptiv me probleme të rënda. Korrupsioni politik është themeli i gjithë të këqijave. Ne po propozojmë që politika të mos jetë pre e parasë, aq më keq kriminale, qoftë korruptive apo krimi i organizuar, ta pastrojmë”, thekson ai. Kjo bëhet duke ulur koston e politikës dhe shqiptarët nuk kanë pse paguajnë një çmim të lartë. Mund të paguajmë shumë para nga buxheti i shtetit, por është akoma më shumë paraja që vjen nga privati. Ne listat e hapura në një version të tyre i kishim deri në vitin 2005 dhe ajo që u provua, komenti i një eksperti ndërkombëtar nga më të mirët, ka qenë: “Ajo që kam parë në Shqipëri me këtë votim preferencial që bëni ju është mënyra më e shëmtuar e vjedhjes, ku shoku vjedh shokun”. Pse? Sepse kandidatët e partisë fillonin dhe konkurronin me njëri-tjetrin dhe jo me kundërshtarin.
Shqiptarët depozituan jashtë vendit 114 milionë euro më 2015

Për vitin 2015, shqiptarët depozituan jashtë vendit 114 milionë euro. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, viti i kaluar regjistroi një rritje të ndjeshme të sasisë së parasë që ekonomia shqiptare e ka vendosur jashtë vendit. Për vitin 2014, bilanci i depozitimeve jashtë vendit ishte negative në vlerën e 93 milionë eurove, çka tregon shumën neto të riatdhesuar nga pronarët e kapitaleve. Në bilancin e pagesave, kjo klasifikohet në zërin “monedha dhe depozita”, çka përfshin vetëm vendosjet në para. Statistikat nuk detajojnë sa prej këtyre parave i takojnë bankave, shoqërive tregtare apo individëve, megjithatë, kjo shumë nuk përfshin format e tjera të transfertave, si ato kapitale dhe investimet financiare. Duke llogaritur edhe këto të fundit, vlerat janë edhe më të larta. Vitin e kaluar, transfertat kapitale të shqiptarëve jashtë vendit arritën në 101 milionë euro, nga 94 milionë që patën qenë në vitin 2014. Nga pikëpamja teknike, transfertat kapitale përfshijnë kryesisht pagesat për transferimin e pronësisë së një aseti fiks. Për shembull, nëse një individ rezident në Shqipëri blen një pasuri të paluajtshme jashtë vendit, kjo klasifikohet si transfertë kapitale. Mes depozitave dhe shpenzimeve kapitale, llogarisim se shqiptarët kanë investuar jashtë 215 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, investimet direkte të individëve dhe kompanive shqiptare jashtë vendit vitin e kaluar, në terma neto, ishin vetëm 11 milionë euro, nga rreth 58 milionë euro që patën qenë në vitin 2014. Nëse llogarisim së bashku depozitat jashtë vendit, transfertat kapitale dhe ato financiare, shqiptarët investuan jashtë vendit 226 milionë euro gjatë vitit 2015.
“Panama Papers” të korruptuarit dhe kriminelët nuk do të mund të flenë
Rrjedhja e mbi 11 milionë dokumenteve nga një firmë ligjore në Panama ka zbuluar se si elitat globale, përfshirë bashkëpunëtorë të Presidentit rus, Vladimir Putin, kanë të fshehura shuma të mëdha parash.
Në lidhje me këtë çështje, korrespondenti i Radios “Evropa e Lirë”, Pamir Sahill, ka biseduar me zotin John Christensen, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Drejtësisë Tatimore, që është një mekanizëm i pavarur ndërkombëtar.
– Si e interpretoni rrjedhjen e Letrave të Panamasë (Panama Papers)? A është ky një zbulim i habitshëm?
Mendoj se Letrat e Panamasë janë një nga rrjedhjet më të mëdha të kohës moderne. Janë rrjedhja e parë e madhe nga një firmë ligjore, që ka çuditur shumë njerëz. Miliona letra janë zbuluar dhe vazhdojnë të zbulohen.
Ato përfshijnë njerëz të nivelit shumë të lartë, jo vetëm politikanë, por edhe njerëz të biznesit dhe elita në gjithë botën. Mendoj se kjo rrjedhje është në të njëjtën shkallë me zbulimet e Edward Snowdenit (ish-kontraktor i inteligjencës amerikane, i cili ka publikuar dokumente sekrete të SHBA-së), sepse ajo zbulon nivelin e korrupsionit në mes të elitave globale, politike dhe të pasura.
Ky korrupsion ka vazhduar me dekada. Kjo është hera e parë që kemi një zbulim në këtë shkallë.
– Dhe, kur politikanët dhe elitat bëjnë përpjekje të krijojnë kompani jashtë vendeve të tyre ose t’iu shmangen taksave, a është kjo ligjore?
Le të jemi krejtësisht të qartë. Evazioni fiskal është i paligjshëm në të gjitha rrethanat. Edhe kur shmangia e taksave ndodh përmes strukturave jashtë vendit, pothuajse në të gjitha rastet, edhe kur apelohet në gjykatë, del të jetë e paligjshme.
Mendoj se publiku e di këtë shumë mirë. Publiku e di se kur njerëzit krijojnë struktura jashtë vendit, kompani jashtë vendit ose besim në juridiksionet si ato të Panamasë, kjo është diçka e paligjshme ose korrupsion.
– Pra, kompanitë jashtë vendit janë të paligjshme?
Jo, e keqja është se kompanitë jashtë vendit janë ligjore. Problemi real me kompanitë jashtë është fakti se vendet si Panamaja nuk kërkojnë që pronarët, pronarët e vërtetë të kompanive jashtë vendit të bëjnë të ditur identitetet e tyre.
Kompanitë si Mossack Fonseca, nga e cila kanë rrjedhur Letrat e Panamasë, sigurojnë emrat e aksionarëve dhe emërojnë drejtorët. Këta janë njerëz që japin emrat e tyre për të vepruar si drejtorë ose aksionerë, për të fshehur identitetin e njerëzve të vërtetë. Kjo është ajo pjesa tronditëse në lidhje me kompanitë jashtë vendit, që nuk bëjnë të ditur identitetin e njerëzve të vërtetë që fshihen prapa kompanive jashtë vendit.
– Rrjedhja e letrave është duke vazhduar. A mendoni se do të ketë reagim të madh nga njerëzit në gjithë botën?
Shpresoj shumë që publiku në të gjitha vendet e botës do të nisë të bëjë presion serioz mbi politikanët, që të ndërmarrin hapa. Çfarë hapash kërkojmë ne? Para së gjithash, duam një traktat global ose kërkesë që çdo juridiksion në botë të krijojë një regjistër publik të pronësive të kompanive jashtë vendit dhe të fondacioneve jashtë vendit. Kjo nuk do të ndodhë derisa politikanët të mos detyrohen nga publiku për të ndërmarrë hapa, sepse shumë politikanë janë vetë ose i kanë familjet e tyre të përfshira në struktura jshtë vendit.
Ata do ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur të kenë presion nga publiku, presion real global. Për dekada të tëra, politikanët kanë premtuar se do të ndërmarrin veprime kundër parajsave të taksave dhe nuk kanë bërë asgjë. Tani është koha. Rrjedhjet nga Panamaja janë zile alarmi për pjesën tjetër të botës, që të ndërmarra hapa.
– Si e shihni të ardhmen e këtyre firmave ligjore? A mendoni se elitat financiare dhe politike të botës do të jenë tani më të kujdesshme kur të transferojnë para jashtë vendit?
Le të shohim. Politikanët, tregtarët e drogës dhe të gjithë njerëzit e tjerë që kanë përdorur kompani jashtë vendit, kanë qenë të kujdesshëm. Ata kanë operuar në atë mënyrë që firmat ligjore të mbrojnë identitetin e tyre.
Kjo do të bëjë që shumë njerëz të mos flenë në javët e ardhshme, sepse ata e dinë se nuk do të mund të mbështeten më në firmat ligjore. Mendoj se, kriminelët dhe eliatat e bizneseve, ashtu si edhe elitat e pasura në gjithë botën, që u janë shmangur tatimeve dhe nuk i kanë zbuluar konfliktet politike të interesit, nuk do të mund të flenë, sepse niveli i sekretit që kanë pasur për dekada të tëra, nuk mund të garantohet më.
Gruaja e Komisionerit të BE në skandalin “Panama”
Bernd RIEGERT
Micaela Domecq Solis-Beaumont – ky emër gjendet krah mijërave të tjerëve në dokumentet e publikuara nga të ashtuquajturat “Panama Papers”. Bëhet fjalë për gruan e komisionerit të BE-së për Energjinë e Mbrojtjen e Klimës, Miguel Arias Canete. Micaela Solis-Beaumont, e cila vjen nga një familje e pasur, nga viti 2005 ka pasur të drejtën e nënshkrimit për firmën “Rinconado Investment Group”, një firmë fiktive në Panama. Kjo firmë ka ekzistuar edhe në kohën kur Miguel Arias Canete kishte poste në Spanjë, por edhe nga viti 2014, kur ai mori një post në Bruksel. Kur një gazetar i rrjetit investigativ që kishte vlerësuar dokumentet i bën një telefonatë eurokomisionerit, për ta njoftuar, ky i fundit e kap vetë telefonin për t’ia bërë me dije presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker se ka mundësi për publicitetit negativ për Komisionin.
Pranohen dokumentet
Çiftit Canete nuk i janë provuar veprime ilegale biznesi dhe as evazion fiskal, por megjithatë për komisionerët e BE-së, steka e moralit është shumë e lartë. Para fillimit të punës në postin e tij, sipas rregullores, Canete i kishtëe bërë publike aktivitetet e biznesit të njerëzve të tij të afërt. “Deklaratat e komisionerit Canete nuk bien ndesh me rregullat e Komisionit”, tha Margaritis Schinas, zëdhënësi i Komisionit Europian të hënën (04.04) në Bruksel, me kujdes, por duke theksuar se ky vlerësim bazohet në të dhënat e Canetes. Firma në Panama ku bën pjesë edhe gruaja e tij nuk është aktive prej vitesh, ka deklaruar Canete, pra, nuk ka pasur konflikt interesi që do ta pengonin punën e tij. Avokatët e Micaela Demecq Solis-Beaumont pohuan se, klientja e tyre i ka bërë të gjitha deklaratat e duhura për autoritetet fiskale spanjolle.
Përmasa “skandaloze” të fshehjes së taksave
Komisioni Europian e ka shpallur prioritet luftën kundër fshehjes së taksave e evazionit fiskal në të ashtuquajturat parajsa fiskale. Një komision i KE-së po heton nëse presidenti i tij, Jean-Claude Juncker gjatë kohës si kryeministër i Luksemburgut përmes modeleve të mënjanimit të taksave e ka shndërruar këtë vend në një parajsë fiskale për shumë koncerne të mëdha, Juncker i hedh poshtë akuzat e ngritura para dy vjetësh. Deputeti liberal gjerman, Michael Theurer, i cili trajton çështjen e “Lux-Leaks” në komision i shikon si “skandaloze” zbulimet. “Sigurisht, komisioni për tatimet do të shqyrtojë edhe gjurmët e faktet që dalin nga ‘Panama Papers’. Dihej që Panamaja ishte një parajsë fiskale. Por përmasat e evazionit fiskal dhe dyshimi se janë përfshirë edhe krerë shtetesh e qeverish, madje gjurmët të çojnë deri tek Siemens, të gjitha këto janë ‘skandaloze'”, thotë deputeti gjerman.
BE kërkon futjen e tatimit aty ku fitohet
Në Luksemburg ka tatime shumë të ulta për fitimet që rrjedhin nga vende të tjera të botës. Një praktikë e tillë, e njohur edhe në vende të tjera si Irlanda, Holanda, do duhet të reduktohet me një ligj të ri të BE-së. Komisioneri europian për tatimet, Pierre Moscovici, ka propozuar në fillim të këtij viti që fitimet të tatohen aty ku edhe nxirren. Kështu modelet e kursimit të tatimeve si psh. në Luksemburg nuk do të jenë më interesante. Moscovici i ka thënë televizionit francez, RTL se në BE nuk ka më parajsa fiskale. Megjithatë edhe ekzistenca e një firme fiktive, pra thjesht një kuti postare nuk është shkelje ligjore. Shumë qeveri në Europë bënë të ditur se do të bëjnë hetime lidhur me publikimet e Panama Papers.
Të penalizohen bankat?
Eksperti për financat i Partisë së Gjelbër, Sven Giegold, kërkon penalizimin e bankave europiane, të cilat bëjnë pazare me firma të dyshimta fiktive. “Anëtaret e BE-së përmes pasivitetit të tyre u mundësojnë elitave të pasura të fshehin pasuritë e tyre në vende të treta për t’i ikur tatimit në vend. Është skandaloze që nuk ka asnjë lloj transparence për biznese të tilla dhe që ne jemi të varur nga informacionet e zbuluesve apo gazetarëve”, thotë Giegold. Komisioni Europian u kundërpërgjigj eurodeputetit Giegold. Bankat europiane që tani duhet t’i bëjnë publike veprimet e tyre për tatimet dhe të publikojnë pjesëmarrjen e tyre, thotë një zëdhënës i Komisionit. Ndërkohë në listat e Panama Papers dalin emra të njohur nga Europa, si kryeministri islandez, Sigmundur David Gunnlaugsson dhe dy ministra të tij, një punonjës i afërt i ish-kryeministrit grek, Antonio Samaras dhe babai i ndarë nga jeta i kryeministrit britanik, David Cameron.