Ditët e fundit mediat franceze, ndër të cilat edhe prestigjiozja “L’Equipe”, kanë shkruar shumë për një interes të Paris Saint Germmain për Neymar, madje është raportuar se drejtuesit e kampionëve të Francës janë gati të paguajnë klazolën e largimit 193 milionë euro për të siguruar me çdo kusht shërbimet e brazilianit.
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i presidentit të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i cili e ka bërë të qartë se e ardhmje e 24-vjeçarit do të jetë me ngjyrat blaugrana.
“Nëse ndonjë klub do të vijë për të negociuar për Neymar, ne nuk do ta lejojmë. Ju siguroj se Neymar do të qëndrojë për shumë kohë te Barcelona. Gjithmonë jam shprehur se vetë Neymar nuk ka të bëjë me ato që thuhen për të. Ai ka thënë se dëshiron të luajë te Barcelona. Kjo ishte dëshira e tij. Jam i sgurtë se këto zëra do të vijnë duke u sfumuar, derisa të zhduken plotësisht”, u shpreh Bartomeu.
Më pas, Bartomeu shfrytëzoi rastin për t’i dhënë një mesazh Santosit, ish-ekipit të Neymar, që ndihet i mashtruar nga Barcelona përsa i përket shumës së klubit spanjoll pagoi për futbollistin.
“Santosi në fakt duhet të jetë shumë i lumtur, sepse trajneri ynë na kërkoi që të merrnim një vit më vonë lojtarin pa shpenzuar para. Nëse do të kishte ndodhur kështu, Neymar do të transferohej te ne pas Botërorit, ndërsa Santosi dhe shoqëria që zotëronte një pjesë të kartonit të tij nuk do të përfitonin asnjë kacidhe”, tha trajneri i Barcelonës.
Bartomeu shuan zërat për shitjen e Neymar tek PSG
Zanetti beson tek Roberto Mançini
Javier Zanetti mbështet Roberto Mançinin. Zëvendës/presidenti i Interit ka dalë në mbështetje të teknikut të zikaltërve Roberto Mançini, pavarësisht rezultateve jo të mira që ka arritur skuadra në fazën e dytë të kampionatit. Gjithçka nisi mirë për zikaltërit, duke arritur një sërë rezultatesh pozitive gjatë fazës së parë, por tanimë Interi e sheh veten 18 pikë pas Juventusit kryesues dhe misioni për një biletë për në Champions League, duket se është një kapitull i mbyllur. Humbja ndaj Torinos e ka thelluar akoma dhe më shumë diferencën mes Interit dhe Romës të vendit të tretë. Sidoqoftë ish-kapiteni i zikaltërve, Javier Zanneti del në mbështetje të Roberto Mançinit dhe shprehet se nuk duhen humbur shpresat për një biletë në Champions League:
“Ne kemi besim të plotë tek Mançini. Është vërtetë që në fazën e parë të kampionatit skuadra ishte më solide, por gjithashtu ne e dinim se rrugës do të hasnim shumë vështirësi. Të gjithë janë shumë të zemëruar me ne pas humbjes kundër Torinos, por unë besoj se arritja e vendit të tretë është ende e mundur edhe pse misioni është bërë shumë më i komplikuar. Do të duhet të japin maksimumin në çdo takim që na ka mbetur”, u shpreh Zaneti.
Ndërkohë, Inter dhe Seedorf janë përfshirë në skandalin e Panama Papers. Mesi di si të driblojë por nuk di se çfarë firmos. Prej ca kohësh organet fiskale po e markojnë si Sergio Ramos në El Clasico, edhe pse argjentinasi driblimin më të vështirë e tentoi, kur u shpreh në lidhje me skandalin e Panama Papers, që ka zbuluar emrat e atyre që përfitojnë nga parajsat fiskale për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar “Unë nuk shikoj se çfarë firmos, firmos atë që më thotë im atë”. Më pas, familja Mesi reagoi me një komunikatë ku i etiketon si të gënjeshtërta akuzat, por nuk është vetëm Lionel Mesi mes njerëzve të sportit që kanë të bëjnë me skandalin e Panama Papers.
Lista e atyre që akuzohen se kanë tentuar të fshehin të ardhurat në Parajsën Fiskale është zgjeruar pas Mesit dhe Michel Platini, dy emrave të parë që dolën në dritë nga bota e sportit edhe me të tjerë të njohur si Clarence Seedorf dhe Jarno Trulli e deri te kontrata e Nico Rosberg me Mercedes. Në Panama kanë arkëtuar të ardhurat e tyre dhe ish-futbollistë të tjerë, si Ivan Zamorana dhe Gabriel Heinze, si dhe Leonardo Ulloa që tani po magjeps me Leicester. Nuk mungojnë në listën e dokumenteve të dala së fundmi në dritë dhe emra klubesh të rëndësishëm. mbi të gjithë Interi, por dhe Boca Juniors në Argjentinë edhe pse në klubin zikaltër në reagimet e para kanë deklaruar se janë të qetë dhe se nuk rrezikojnë asgjë.
Higuain pezullohet 4 javë
Ambiciet e Napolit drejt titullit kampion në Itali marrin një goditje të fortë. Sikur të mos mjaftonin 6 pikët distancë nga Juventusi kryesues, tashmë erdhi edhe vendimi i Disiplinorit, që pezulloi për 4 ndeshje Gonzalo Higuain. Golashënuesi më i mirë i Serisë A dhe njeriu që po udhëhiqte skuadrën e Sarrit drejt ëndrrës, u dënua për episodet në ndeshjen ku të kaltërit u mposhtën 3-1 nga Udinese. Pasi realizoi golin e barazimit të përkohëshëm, i 30-ti sezonal për të, në minutën e 75-të, Higuain u ndëshkua me karton të kuq. Sulmuesi reagoi ashpër ndaj gjyqtarit Irrati dhe kundërshtarëve në fushë.
Ishte pikërisht sjellja e keqe sportive, ajo që ndikoi të rriste pezullimin e lojtarit, që prej kartonit të kuq do të humbasë sfidën ndaj Veronas në San Paolo. Ndërkohë, prej sjelljes anti-sportive, Gonzalo Higuain nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë Napolin në ndeshjet vendimtare në garën për titull kundër Bolognas, Interit e Romës.
Një ndëshkim me përmasa Biblike për Napolin. Kjo edhe për faktin, se në sfidën e kësaj fundjave ndaj Veronas, për të kaltërit i pezulluar është edhe trajneri Maurizio Sarri, që u largua nga fusha gjatë ndeshjes me Udinesen. Të tjera mungesa ndaj verdhebluve do të jenë edhe Koulibaly e Mertens që kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Simeone kërkon Hysajn te Atletiko
“Tani po e kuptojnë të gjithë sesa i fortë është Hysaj”. Me këtë fjali e nis shkrimin dedikuar mbrojtësit shqiptar e përditshmja italiane, “Corriere Dello Sport”, e cila i dërgon një mesazh të veçantë trajnerit të Atletico Madrid, Diego Simeone, i cili ka shfaqur interes për lojtarin. Në vijim të shkrimit, “Corriere” thekson se, gjatë merkatos së verës askush nuk besoi te aftësitë e mbrojtësit, por ishte Maurizio Sarri, ai që këmbënguli për t’i dhënë mundësinë e hapit të madh të karrierës pas kalimit të të gjitha fazave te të rinjtë e Empolit dhe më pas te ekipi i parë.
“Me pak fjalë një blerje largpamëse për rreth 5 milionë euro. Fillimisht u mendua si një emër më shumë për Napolin, por më pas ai shpërtheu, duke u transformuar në një lojtar jetik dhe asnjëherë në dyshim për vendin e titullarit. Fillimisht në të majtë dhe më pas vetëm në të djathtë. Autoritar dhe paraqitje gjithmonë në rritje të vazhdueshme”, nënvizon “Corriere Dello Sport”, që përqendrohet më pas te sirenat e merkatos që vijnë nga Franca dhe mbi të gjitha nga Spanja. Është Diego Simeone ai që e kërkon mbrojtësi kuqezi në Madrid, por sipas të përditshmes italiane është vetëm Napoli që do të marrë vendimin përfundimtar. “Klubi i kaltër mund të arkëtojë shumë të ardhura, por vetëm nëse dëshiron ta largojë”, theksohet në fund të mesazhit që “Corriere Dello Sport” i dërgon virtualisht trajnerit të skuadrës spanjolle.
Kontrabanda, Crown Agents: Si zbuluam 1 mln euro evazion nga importi i grurit
Gruri është një nga artikujt më të importuar në vend, ndaj dhe kontrabanda në këtë produkt duket se është e pranishme.
Nga kontrollet dokumentare, gjatë krahasimit të importeve dhe eksporteve të grurit të kryera në një kompani shqiptare, e cila importonte kryesisht nga Rusia, Crown Agent kompania e Konsulencës në Dogana, të cilës iu ndërpre kontrata nga qeveria shqiptare për vitin e tretë, konstatoi mospërputhje të madhe të stokut të grurit.
“Duke qenë se gruri ishte importuar për t’u përpunuar dhe për t’u ri-eksportuar, ishte i përjashtuar nga detyrimet doganore. Kontrolli pas zhdoganimit mbi këtë kompani, i kryer bashkërisht prej ekipeve të Crown Agents dhe specialistëve të Drejtorisë së Kontrollit Pas zhdoganimit, identifikoi rreth 20,000 ton grurë të padeklaruar që mungonte në magazinën e kompanisë e që përbënte evazion të dyshuar të detyrimeve doganore në vlerën e 1 milion euro” bën të ditur, Crown Agents në një raport zyrtar ku ka përmbledhur aktivitetet e punës në Shqipëri.
Crown Agents, pohon se, kontrolli me bazë risku është një element mjaft efikas për zbardhjen e evazionit fiskal.
Për të testuar vlefshmërinë e kësaj analize, Njësitë Operacionale të Crown Agents shkuan për të kryer kontrolle të ngarkesave, të cilat ishin profilizuar për kontroll fizik bazuar në një numër të përzgjedhur profilesh risku për ngarkesa ekzistuese.
Bazuar tek këto kontrolle, shkalla goditëse e zbulimit të parregullsive dhe shkeljeve u rrit nga përafërsisht 1% në 13.6% në njërin prej profileve të riskut, ku u arrit kapja e një sasie të madhe materiali lëkure dhe ngjitës të padeklaruar.
Në një ushtrim të dytë, skuadrat e Crown Agents kryen 18 kontrolle fizike ku u arritën katër rezultate pozitive që do të thotë 22% shkallë goditëse. Ky kontroll përfshiu 2 raste të keqklasifikimit tarifor dhe keqpërshkrimit të mallit dhe 2 raste që kërkonin rivlerësim doganor në mënyrë që të barazonin vlerën e referencës mbi këto lloje mallrash. Një tjetër rezultat i këtij rishikimi ishte modifikimi i kritereve për 14 profile risku, fshirja e 10 të tjerave e krijimi i 10 profileve të reja.
Kontrabanda me naftën e importit
Ekspertët e Crown Agents vitin që shkoi kryen një kontroll mbi veprimtarinë e flotës së anijeve shqiptare të peshkimit nga ku rezultoi se këto anije përdoreshin për importimin e sasive të mëdha të karburantit ‘duty free’ të ardhur nga portet e Italisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Të dhënat e marra nga Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës treguan që në periudhën 1 janar–12 mars 2015, kishin hyrë rreth 2 milionë litra karburant ‘duty free’, ku çmimi i blerjes së karburantit ishte shumë herë më i ulët se sa ai i marrë prej burimeve të ligjshme shqiptare. Indikatorë të qartë risku sugjeronin se këto importe karburantesh bëheshin për të shmangur taksat, duke e shitur karburantin në mënyrë të paligjshme brenda vendit. Provat e mbledhura iu raportuan Doganës së bashku me rekomandimet për të forcuar kontrollin e importit të karburantit. Në muajin korrik u prezantua një udhëzim i ri, i cili i detyronte pronarët e këtyre anijeve të peshkimit të regjistroheshin si taksapagues, të depozitonin një deklaratë doganore dhe të paguanin TVSH-në për çdo lloj karburanti të huaj ‘duty free’. Gjithashtu rregullat e reja kërkojnë, që karburanti i importuar për anijet e peshkimit të jetë i shënjuar e i ngjyrosur për të lehtësuar identifikimin e statusit ‘duty free’ të këtij karburanti. Si përfundim, pati një rënie drastike të fenomenit të furnizimit të anijeve shqiptare të peshkimit me karburant nga vende të tjera, për ta shitur më pas në Shqipëri.
Kontrabanda me naftën e vendit
Crown Agents në një sqarim zyrtar shpjegon se, prodhimi vendas i naftës është një sektor jetik për sa i përket të ardhurave që mblidhen për buxhetin e shtetit. Për këtë qëllim Crown solli ekspertë afat-shkurtër shtesë për të kryer një rishikim të kontrollit doganor në kompanitë kryesore prodhuese. Raporti i ekspertit përfshiu ndër të tjera disa rekomandime që synojnë uljen e riskut të rrjedhjes së të ardhurave dhe përmirësimin e sistemeve audituese dhe kontrolluese. Një prej rekomandimeve të implementuara nga Dogana ishte një program i përbashkët kontrolli për karburantet. Kjo përfshinte kontrolle në rrugë, pra ndalimin e autoboteve dhe kontrollin e karburantit në to dhe gjithashtu kontrollin e depozitave të paregjistruara të karburantit. Nën drejtimin e grupeve operacionale të Crown Agents u kryen një sërë kontrollesh në periudhën mes muajit korrik-dhjetor 2015. Këto kontrolle u kryen në bashkëpunim me personelin e akcizës në administratë dhe me kompaninë përgjegjëse për markimin e karburanteve. Crown bën me dije se, ky bashkëpunim rezultoi në zbulimin e më tepër se 120 rasteve të karburantit të tregtuar jo në përputhje me ligjin, në një total prej më tepër se 48,000 litra.
Paga reale në sektorin publik, për herë të parë me rënie

Për herë të parë që nga viti 1999, rritja e pagave në sektorin publik në terma realë rezultoi negative për vitin 2015, bëhet e ditur nga INSTAT, ku të punësuarit në shtet morën pagë efektivisht më të ulët se sa më 2014. Pagat e sektorit publik në Shqipëri gjatë vitit 2015 pësuan një rritje reale negative për herë të parë në mbi 15 vjet, si pjesë e programit të qeverisë për të mos pagat e sektorit publik me synimin për të mbajtur të ulëta shpenzimet dhe borxhin publik. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare bruto e sektorit publik qe në masën 54 mijë lekë, me një rritje prej 1.8 për qind në krahasim me vitin 2014, kur paga mesatare bruto qe pak më shumë se 53 mijë lekë. Në të njëjtën kohë, Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 1.9 për qind, gjë që bën që paga reale, e cila llogaritet si pagë minimale minus inflacionin, të zbresë në minus 0.1 për qind. Kjo është hera e parë në pesëmbëdhjetë vjet që paga në sektorin publik pëson rënie në terma realë. Në fakt, pagat në sektorin publik kanë që nga viti 2012 që janë në stanjacion ose rritje minimale. Rritja reale për vitin 2014 qe 0.1 për qind ndërsa më 2013 qe 2 për qind. Instituti i Statistikave e raporton pagën mesatare të sektorit publik bazuar në të dhëna administrative. Duke qenë se këto të dhëna raportohen bruto, ato nuk reflektojnë të ardhurat neto të të punësuarve pasi fshehin në vetvete ndryshimet në politikën fiskale të qeverisë. Janë dy ndryshime të mëdha që duhet të kihen parasysh: ndryshimi në sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale në vitin 2007 dhe në vitin 2014. Në vitin 2007, qeveria miratoi kalimin nga taksimi progresiv në tatimin e sheshtë. Duke qenë se pagat e ulëta u vendos të tatoheshin në masën 10 për qind nga zero që qe më parë, qeveria vendosi të rrisë pagat e ulëta në masën 10 për qind dhe automatikisht ta taksojë këtë të ardhur shtesë. Shifra e paraqitur nga INSTAT për rritje nominale të pagës mesatare në masën 17 për qind për vitin 2007 për rrjedhojë mbart edhe ndryshimin fiskal. E kundërta, në vitin 2014, qeveria vendosi sërish tatimin progresiv të të ardhurave nga paga, gjë që u konvertua në ulje të barrës fiskale për pjesën më të madhe të të punësuarve në shtet. Për rrjedhojë, rritja bruto prej 1.7 për qind në vitin 2014, e fsheh rritjen reale në të ardhura të përfituara nga ulja e tatimit mbi të ardhurat personale. Në vitin 2015, për shkak se nuk ka pasur ndryshime në politikën fiskale, rënia në të ardhurat reale në masën 0.1 për qind është ashtu siç shihet, rënia e parë e pagave reale të sektorit publik në mbi 15 vjet.
Shoqata e Tregtarëve çon taksën e arsimit në gjykatë: Është antikushtetuese
Faturimi për çdo NIPT sekondar i bizneseve për taksën e arsimit ka angazhuar Shoqatën për Mbrojtjen e Tregtarëve në një proces gjyqësor me Bashkinë e Tiranës, e cila në fillim të këtij viti nisi aplikimin e taksës së përkohshme për arsimin.
Taksa e cila do të vilet për 7 vitet në vijim faturohet 1800 lekë në vit për familjet, 4000 lekë bizneset e vogla, 270 mijë për bizneset e mesme dhe 370 mijë lekë për bizneset VIP, është në kundërshtim me parimin kushtetues, i cili garanton arsim falas në Shqipëri, pohon Nikollaq Neranxi nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve. Ai tha se, Shoqata i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e taksës së arsimit e cila jashtë çdo logjike ngarkon me taksim të shumëfishtë të njëjtin biznesin duke e vjelur taksën për çdo NIPT sekondar. Si një nga tregtarët me shumë NIPT-e sekondare në kryeqytet, Neranzi tha se, fatura e këtij viti vetëm për taksën e arsimit është mbi 35 mijë dollarë. Ai shpjegon se tërësi taksa nuk është e logjikshme përderisa Kushtetuta e sanksionon se e drejta për arsim është falas, por biznesi nuk mund të solidarizohet me pallogjikshmërinë e bashkisë që kërkon që tek një biznes të vjelë taksën me mbi 20 herë. Ai tha se kërkesën në Kushtetuese për shfuqizimin taksës ka e ka bërë Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve bazuar në nenet 57 dhe 59 të kushtetutës. Neni 59 pika 1 germa ç thotë se “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë”. Vetëm nga taksimi minimum dyfish i bizneseve me NIPT-eve sekondare, bashkia pritet të marrë të paktën 1.2 milionë euro, apo një të pestën e shumës totale të planifikuar për t’u mbledhur nga kjo taksë. Janë rreth 7455 NIPT-e sekondare aktive që janë të regjistruara në Tiranë, ku bizneset që i kanë ato do të detyrohen të paguajnë të paktën dy herë taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore. Drejtori i Taksave dhe Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, Arli Naska thotë se nga këto 3765 janë biznes i mesëm, 940 janë biznes i vogël, 2665 janë biznes VIP dhe të tjera janë 85. Neranxi tha se, Bashkia nuk është duke ofruar shërbimin që kërkohet edhe për taksat e tjera që vjel. Ai mori si shembull taksën e pastrimit, të cilën e paguan për të gjitha dyqanet veçmas. Neranxi tha se për shërbimin e pastrimit ai ka kontraktuar një kompani private me pagesë vjetore, e cila bën çdo ditë pastrimin e ambalazheve në njësitë e pastrimit me pakicë. Si rregull këtë shërbim duhet të kryente bashkia. “Nëse unë nuk do ta kryeja privatisht shërbimin e pastrimit, në pikat e mia të biznesit do të bëhej katrahura”, pohoi ai.
Gjithçka mbi Panama Papers dhe Mossack Fonseca
Luke HARDING,
The Guardian
Një publikim i paprecedent prej mbi 11 milionë dokumentesh nga baza e të dhënave të kompanisë ligjore të katërt më të madhe në botë, Mossack Fonseca. Të dhënat u përftuan nga një burim i panjohur i gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”, e cila i ka shpërndarë ato Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ) dhe më pas i kanë rishpërndarë me një rrjet të madh partnerët ndërkombëtarë, përfshirë këtu “The Guardian” dhe BBC.
-Çfarë kanë publikuar dokumentet?
Dokumentet kanë dhënë prova të një sërë mënyrash se si të pasurit e botës shfrytëzojnë regjimet e fshehta të taksave në parajsat fiskale. Dymbëdhje liderë kombëtarë ndërmjet plot 143 politikanëve sëbashku me familjet e tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë nga e gjitha bota tashmë njihen me emra për përdorimin e këtyre parajsave fiskale.
Një shteg prej 2 miliardë dollarësh të çon deri në këmbët e Vladimir Putinit. Miku më i mirë i Presidentit rus, Sergei Roldugin, qëndron në qendër të skemës, nëpërmjet të cilës janë fshehur paratë nga bankat ruse në parajasat fiskale. Një pjesë e këtyre parave kanë përfunduar në një resort skish ku në vitin 2013 u martua Katerina, vajza e Presidentit Putin.
Në mes të liderëve kombëtare të që fshehin pasuri në parajsat fiskale janë Nawaz Sharif, Kryeministri Pakistanez; Ayad Allawi, ish- kryeministër i përkohshëm dhe ish-zëvendës/president i Irakut; Petro Poroshenko, President i Ukrainës; Alaa Mubarak, djali i ish-Presidentit të Egjiptit; dhe Kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugsson.
-Çfarë është Mossack Fonseca?
Eshtë një kompani ligjore me qendër në Panama, shërbimet e të cilës përfshijnë inkorporimin e kompanive në juridiksione të huaja, si për shembull Ishujt Virxhin Britanikë. Ajo administron kompani në këto parajsa fiskale kundrejt një pagese të përvitshme. Shërbime të tjera përfshijnë menaxhimin e pasurisë.
-Ku e ka qendrën?
Kompania është panameze, por operon në mbarë botën. Faqja e saj e internetit lëvdohet për një rrjet global prej 600 personash që punojnë në 42 shtete. Ajo ka degë përreth botës, ku nëndegë që operojnë ndaraz janë në kërkim të klientëve të rinj dhe kanë të drejta ekskluzive të përdorin markën e saj. Mossack Fonseca operon në parajsa fiskale, duke përfshirë Zvicrën, Qipron dhe Ishujt Virxhin britanikë, si dhe në vende në varësi të Kurorës britanike, si Guernsej, Xhersi dhe Ishulli i Men.
-Sa e madhe është?
Mossack Fonseca është ofruesi i katërt më i madh në botë i shërbimeve në parajsa fiskale. Ka vepruar për më shumë se 300 mijë kompani. Ka një lidhje të fuqishme me Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë se gjysma e kompanive janë regjistruar në parajsa fiskale të administruara prej britanikëve, si dhe në vetë Mbretërinë e Bashkuar.
-Sa të dhëna janë nxjerrë?
Shumë. Rrjedhja është një prej më të mëdhave në histori – më e madhe se kabllogramët diplomatikë të nxjerrë nga Wikileaks në vitin 2010, si dhe dokumentat e fshehtë që iu dhanë gazetarëve nga Edward Snowdeni në vitin 2013. Janë 11.5 milionë dokumenta dhe 2.6 terabajt informacion të nxjerrë nga baza e të dhënave të Mossack Fonseca.
-A janë hajdutë të gjithë ata që përdorin llogaritë në parajsat fiskale?
Jo. Përdorimi i strukturave në këto parajsa fiskale është krejtësisht i ligjshëm. Ka shumë arsye legjitime për ta bërë këtë. Biznesmenë në vende si Rusia dhe Ukraina zakonisht i fusin pasuritë në parajsa fiskale për t’u mbrojtur nga “sulmet” prej kriminelëve, si dhe të shmangin kufizimet e monedhave. Të tjerë i përdorin për arsye trashëgimie dhe planifikim pronash.
Hello Gill
Edison YPI
Ke zbritur nga avioni në Hithrou. Sapo ke marrë trenin për ato pak kilometra deri në Londër, menjëherë e kupton se ajo çka dyshove kur Londrën e pe nga aeroplani, është e vërtetë; Je gënjyer gjithë jetën me ëndrra dhe dokrra. Ke shpenzuar për të ardhur në vendin më të trishtë të planetit.
Shtëpi të vogla dhe rrugë të mjera nën një qiell me re të pista si lëvere të palara.
Nuk duket si udhëtim. Duket si lexim i ndonjë libri të Engelsit mbi gjendjen e mjerë të klasës punëtore në Angli.
Zbret nga treni. Shetit pak. Ulesh në një kafene. Hedh sytë rrotull. Bindesh përfundimisht se gjithçka tjetër që do shohësh gjatë këtij udhëtimi nuk mund të jetë më pak dekurajuese se ky fillim.
Rrëkëllejnë birrë më këmbë si të babëzitur. Gjerbin pa pushim kafe të holla si lëng gështenjash në filxhanë të mëdhenj të thellë si gaveta ushtrie. Pinë të etur kapuçino edhe më të mëdha se kafetë. Currili i kapuçinos derdhet ngadalë nga brimat e ekspresit brenda gavetës shoqëruar me fërshëllima si lokomotiva e Stivensonit.
Pëshpërisin si hijet. Flasin si belbanë. Fjalët i shkurtojnë. Të folurën e ngatërrojnë.
Profesorë universitetesh, filozofë të shquar, shkencëtarë me nam, i shtyjnë ditët në shtëpi të vogla, të vjetra, si shtëpi minatorësh ngritur shpejt e shpejt pas ndonjë përmbytjeje nja dy a treqind vite të shkuara. Të merr të qarët tek i sheh ato furriqe.
Megjithatë, shtëpinë e vogël dhe të vjetër ku ma gjen. Qindra londinezë të pastrehë kalojnë jetën futur nëpër thasë plastmasi nëpër rrugë, sheshe, dyer hotelesh.
Zhgane zhelanësh pisanjosë presin para depove të marrin ndonjë lëmoshë nga shteti.
Në lindje të Londrës jetojnë mijëra anglezë aq fukarenj, sa lindin e vdesin pa i parë kurrë me sy sheshet kryesore të qytetit. Dhjetëra mijëra të tjerë londinezë jo-fukarenj të tmerruar nga piskamat metropolitane prej vitesh u janë larguar përgjithmonë atyre shesheve për ta pritur plakën me kosore nëpër katunde.
Në Hithrou pasaportën ta kontrollon një indian.
Në një minimarket paketën e cigareve ta zgjat një dajua i tij.
Kafenë ta sjell një nepalez.
Rrobat kineze t’i shet një kurd.
Picën italiane ta servir një filipin.
Në bankë të shërben një kongolez.
Shitësi i hamburgerit është një eskimez.
Janë aq të paditur, aq të paarsimuar, aq gdhë, sa të lypset një ditë e tërë për të jetur vetëm një, i cili ta dijë ku bie Shqipëria.
Mund ta kalosh edhe një javë të tërë në kërkim të dikujt, që të thotë përmendësh dy vargje të Shekspirit.
Janë aq pa fantazi, aq të varfër në imagjinatë dhe kreativitet, sa është e pamundur që emrin që e ka njëri të mos e kenë edhe të paktën nja dy a tre milionë të tjerë.
Rinia është edhe e ngordhur edhe zevzeke njëkohësisht.
Mbathin T-shirt-a të pista dhe pantallona të varura. Janë aq të ftohtë dhe indiferente ndaj seksit, sa nuk e kanë për gjë që “ky këtu” të gdhihet e ngryset në të njëjtin apartament të ngushtë me të dashurën e “atij atje” nja njëzet kilometra larg në skajin tjetër të qytetit, ndërkohë që, e dashura e “këtij këtu” gdhihet e ngryset në një garsonierë me 1 banjë me “atë atje” ditë e natë e natë e ditë në një spirale paradoksale vetmie dhe sëkëlldie, që shkatërron kimitë e truve respektivë në mënyrë të pariparueshme.
Londra ka aq shumë zgëqe të fëlliqura, sa nuk kanë të gjitha Brrakat e Shqipërisë së bashku. Ujëra të fëlliqët, rrëkera, pellgje me ta shpif. Natën avuj të frikshëm ngrihen përpjetë ngadalë nga puseta rrugësh si nëpër filmat e horrorit.
Muret e holla të shtëpive ngrihet drejt nga toka. Po t’i pyesësh “Pse nuk kanë themele shtëpitë tuaja ?!” të thonë; “Nuk na lypset themel se këtu nuk ka rënë kurrë tërmet”. Janë pra aq të trashë sa kujtojnë se ngaqë nuk ka rënë tërmet në të kaluarën, tërmet nuk do bjerë kurrë as në të ardhmen. Para një bankomati, një anglez. Ka pritur radhën. Radha i ka ardhur. Ka futur kodin dhe pret. Kurrgjë. Llogaria është bosh. Zë e shan anglezi me rrënjë e me degë gjithë njerëzimin duke lutur Zotin që një bombë atomike të ta shkatërrojë botën nga Grinuiçi në Grinuiç.
Një tjetër anglez të këshillon të mos mbash më tepër se dyqind sterlina në xhep, sepse janë “big money”. Uh ç’më shkrive o perandorak. Për sa pare xhepi duhet të kem frikë mo ? Për dyqind sterlina ? E shoh se s’ditke gjë për fierakë e skraparllinj që qarkullojnë nëpër pesë kontinente me dy milionë dollarë nëpër benevrekë.
“Hyde Park” dhe të tjera parqe të famshme janë plot me mashtruesa pisanjosa, që hiqen për poetë, shenjtorë, filozofë.
Mbrëmje. Soho. Turista gjithandej. Ta zë rrugën një dymetrosh. Përshëndet. Qartëson se nuk është dosido, por “english gentleman”, dhe të kërkon ndonjë kacidhe për të pirë një gotë çaj.
Metroja e Londrës është më e vjetra në botë. Nëpër stacionet me kthesa, që të mos biesh në shina dhe të shndrrohesh padashur në një Anna Karenina në pesqint copa, një altoparlant të paralajmëron me një “Mind the Gap” që e përsërit pafund dhe të mbetet për gjithë jetën në vesh.
Metroja e Londrës do dukej arkivol nëse në shkallët e saj të mos shfaqeshin hera-herës me klithmat e tyre plot jetë shqipet e maleve, divat nga Kalaja e Dodës, Mati, Skrapari, Roskoveci, Divjaka, Puka, Mirdita.
Historia e Anglisë ? Enciklopedi shumëvëllimëshe që përmban intrigat më të sofistikuara individuale, shtetërore, ndërshtetërore, dallaveret lokale dhe ndërkombëtare të të gjitha llojeve dhe nënllojeve.
Anglia është një spital plot me pacientë që vuajnë nga një mpleksje sëmundjesh psiko-neuro-endokrinologjike.
Ky spital ka në krye një Mbretëreshë. Mbretëresha është 9 ujë 1 kos.
Parlamenti i Anglisë është plot me pleq me qurra, që gërhasin dhe flenë me orë të tëra ca më këmbë ca shtrirë. Para kësaj qurrnaje ku ma gjen Parlamentin e Shqipërisë, atë çmendinën ku mafiozët e zgjedhur nga populli ulurasin e rrihen si n’harradoz.
AA Gill u vërtit nja dy orë nëpër Tiranë. Mblodhi ca dromca kafenesh. J’u duk se e njohu Shqipërinë, dhe bëri një reportazh për “Sunday Times”.