37.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Falimentimi i një gjykate të mbingarkuar

Dragoslav Dedovic

Në prag të shpalljes së vendimit për Sheshelin, spekulohej vetëm për masën e dënimit. Një prej spekulimeve ishte: nëse Shesheli dënohet me më pak se 19 vjet burg, ai do të ishte njeri i lirë, sepse të dënuarit janë liruar pas vuajtjes së 2/3 së dënimit, e Shesheli ka qenë në burgun e Hagës 11 vjet. Por gjykatësi në Hagë konstatoi se, Shesheli është njeri i lirë, që “nuk ka bërë krime”.
Shesheli ka qenë dhe mbetet njeri i urrejtjes. Veprimi i tij publik ka qenë gjithmonë i bazuar tek fyerjet ndaj grupeve të tjera etnike dhe i mbushur me urrejtje të artikuluar ndaj të gjithë të tjerëve e atyre që mendojnë ndryshe. Nuk ka aspak dilemë që ai në kuptimin moral, por edhe politik, i ka përgatitur “spastrimet enike” dhe që ende është një prej më aktivëve në kërkesat për krijimin e një “Serbie të Madhe”. Përkundër të gjithave, ai u lirua nga Tribunali i Hagës nga të gjitha akuzat. Po pse?
Ai thjesht nuk ka qenë i akuzuar për përhapjen e urrejtjes ndëretnike dhe fetare, sepse e drejta ndërkombëtare nuk e trajton këtë nivel. Në vend të këtyre akuzave, Prokuroria e papërgatitur dhe jo profesionale sa duhet, e ka akuzuar Sheshelin për përgjegësi direkte për krime lufte, dhe krime kundër njerëzimit në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Vojvodinë. Tani po shihet që në 13 vitet e fundit, që prej paraqitjes së tij vullnetarisht në Hagë në vitin 2003, e drejta ndërkombëtare ka përjetuar një dështim total.
Të gjithë ata që e kanë ndjekur procesin kanë mundur të supozojnë se, Sheshelin thjesht e kanë larguar nga Haga në vitin 2014, duke shpresuar mbase se kurrë nuk do ta shohin më, për shkak të sëmundjes së tij nga kanceri. Lirimi është bërë pa asnjë lloj detyrimi ndaj Beogradit për ta rikthyer Sheshelin në Hagë, nëse kërkohet. Dhe kjo dëshmon për një lloj kënaqësie të Tribunalit për largimin e Sheshelit nga Haga.
Shesheli, ndërkohë është shëndosh e mirë e ndodhet në kulmin e fushatës elektorale. Haga është një prej temave qendrore në strategjinë e tij parazgjedhore. Në pankartat e tij nëpër Serbi, ai shkruan vetëm një fjalë: “Fituesi!”. Gjykatësi në Hagë e ka shpallur tani si të tillë edhe zyrtarisht. Shesheli ende flet me fjalë fyese dhe ironizuese për vendin, ku ka kaluar 11 vjet, gjë që ndikon në rritjen e popullaritetit të tij në Serbi.

Fituesit…

Përveç Partisë Radikale Serbe dhe Sheshelit, lirimit të tij do t’i gëzohen edhe miqtë e tij nga bota, siç janë Jean-Marie le Pen dhe Vlladimir Zhirinovski. Retorikë pakënaqësie publike, por njëkohësisht edhe kënaqësi të fshehtë personale, do të ketë edhe tek qarqet nacionaliste në Kroaci dhe në Bosnje-Hercegovinë. Ky vendim është për ta edhe një dëshmi tjetër, se Serbia nuk ka ndryshuar dhe vetëm po i fsheh këmbët si gjarpëri edhe kaq shumë vite pas luftës. Nga ky vendim nacionalistët do të përpiqen të përfitojnë politikisht.
Fshehurazi do të gëzohen edhe Aleksandar Vuçiçi dhe Tomisllav Nikoliqi në Serbi, ndonëse në reagimet e tyre do të mbahet distanca e duhur shtetërore. Kjo, sepse prej konvertimit të tyre në “evropianë”, Sheshelin e kanë pasur si dëshmi se në krahun e djathtë nuk ekziston ndonjë alternativë e civilizuar politike.

…dhe humbësit

Ata të cilët e kanë përjetuar vet politikën e spastrimeve etnike të Sheshelit dhe urrejtjen e tij, natyrisht që nuk do t’i gëzohen fare këtij vendimi të Hagës. Ata nuk do të kenë aspak mirëkuptim për këtë vendim të Gjykatës së Hagës. Si mund t’ua shpjegosh familjarëve të viktimave të njësisë vullnetare “Beli orlov” (Shqiponjat e Bardha) mangësitë dhe boshllëqet e së drejtës ndërkombëtare?
Ndërkohë bota ka brenga shumë më të mëdha se Sheshelin. Agresiviteti i Vojisllav Sheshelit, i cili manifestohet mes aftësisë për argëtimin e masave dhe brutalitetit të pafund, nuk do të shihet më në skenën e Tribunalit të Hagës. Serbia duhet ta mbajë tani këtë njeri të rrezikshëm. Ndërsa vendimi për lirimin e Sheshelit, ndonëse mund të ndryshohet në shkallën e dytë, radhitet në listën e falimentimeve të një gjykate të mbingarkuar. Ky ka një simbolikë të thellë, kur kemi parasysh që qysh nga Mesjeta: Perëndia e Drejtësisë, Justicia, paraqitet me sytë e mbyllur.

Trump në mes dy zjarreve, atij republikan dhe amerikan

Kandidati republikan për president Donald Trump po e gjen veten nën presion për disa komente në lidhje me abortin dhe për faktin se mori në mbrojtje ndihmësin e tij kryesor të fushatës, i akuzuar për përdorim force ndaj një personi. Siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Jim Malone, vështirësitë me të cilat po ndeshet zoti Trump vijnë në një kohë vendimtare në garën paraprake republikane.

Donald Trump është në pozita mbrojtëse lidhur me komentet që bëri në televizionin MSNBC, kur tha se gratë që bëjnë abort duhet të ndëshkohen, nëse aborti është i paligjshëm.

Më pas, zoti Trump nxori një deklaratë ku thoshte se, në qoftë se aborti bëhet në mënyrë të paligjshme, ata që e kanë ofruar këtë abort duhet të ndëshkohen e jo gratë.

Zoti Trump është gjithashtu nën presion se ka mbrojtur menaxherin e fushatës, Corey Lewandowski, i akuzuar se i ka kapur me forcë krahun një gazetareje, e cila po përpiqej t’i bënte pyetje. “Unë e di se do të ishte shumë e lehtë për mua t’i hiqja qafe njerëzit. Por unë nuk e bëj këtë, përkundrazi, u dal zot atyre”, tha zoti Trump.

Rivali republikan Ted Cruz nuk vonoi ta sulmonte rivalin për çështjen e abortit. “Ju e dini, se ai koment ishte i gabuar, është një provë e re se sa pak ka menduar Donaldi për çështjet serioze me të cilat përballet vendi”, tha senatori Kruz.

Zoti Trump u kritikua ashpër edhe nga demokratja Hillary Clinton, që po bën fushatë në Nju Jork.

“Nëse e trajton abortin si krim, atëherë edhe gratë apo mjekët do t’i shohësh si kriminelë. Më bën përshtypje fakti se, republikanët duan një qeveri të kufizuar, përveçse kur bëhet fjalë për të drejtat e grave”.

Problemet për zotin Trump vijnë në prag të zgjedhjeve paraprake të së martës në Wisconsin, ku sondazhet tregojnë se zoti Cruz kryeson. Analisti John Fortier thotë se veç kësaj, zoti Trump figuron dobët në anketa, nëse zgjedhjet e përgjithshme bëhen tani.

“Ai ka një elektorat të ndryshëm, ku bëjnë pjesë njerëz nga më të ndryshmit. Fushata e tij është tepër e ashpër dhe e paqytetëruar”.

Derbi Lazio-Roma, sfidë e hapur

Lazio-Roma, derbi i qytetit të përjetshëm rikthehet në skenë këtë të dielë me bukurinë dhe madhështinë që e karakterizon. Në “Olimpico” sot do të vendosen sërish përballë njëra-tjetrës, dy skuadrat e kryeqytetit italian në një sfidë që nuk e humbet asnjëherë rëndësinë e saj. Nga njëra anë është Lazio e Piolit, ndërsa në krahun tjetër Roma e Spalettit. Ky do të jetë derbi numër 144 mes bardhekaltërve dhe verdhekuqve me Romën që kryeson në përballjet direkte me 50 fitore kundrejt 36 të lacialëve, ndërsa 57 takimet e tjera kanë përfunduar në barazim.
Në këtë edicion Lazio ka zhgënjyer totalisht pritshmëritë e tifozëve të saj, ndërsa Roma pas një nisjeje jo të mirë që i bëri sezonit që solli edhe shkarkimin e trajnerit Rudi Garcia është rikthyer fuqishëm në garë, duke regjistruar 8 fitore në 9 ndeshjet e fundit të kampionatit. Jo vetëm renditja, me verdhekuqtë që numërojnë 18 pikë më shumë se bardhekaltërit, por edhe fakti që Lazio ka që nga 2012-ta që nuk fiton një derbi, bëjnë që Roma e Spalettit të hyjë si favorite në këtë ndeshje. Të vjen keq që një stadium fantastik si “Olimpico” nuk do të mbushet në kapacitetin e tij të plotë për këtë superderbi, pasi tifozët ultras të të dyja skuadrave ashtu si në fazën e parë do ta bojkotojnë sërish këtë sfidë, kjo për faktin se tifozët e Lazios e Romës nuk pranojnë që policia të vendosë barriera ndarëse mes dy tifozerive.
Në mbrëmje luan edhe Interi që shpreson te ndonjë hap fals i Romës në derbi për të ngushtuar disi distancën në klasifikim ndaj verdhekuqve që kanë 5 pikë avantazh. Zikaltërit presin në “San Siro” Torinon, në një sfidë që për Interin duhet fituar me çdo kusht. Roberto Mançini mund të mbështetet te i gjithë grupi i futbollistëve që ka në dispozicion për këtë duel pasi janë rikthyer nga dëmtimet respektive kapiteni Icardi dhe mesfushori francez Kondogbia. Nga ana tjetër Torino e Venturës do të ketë dy mungesa të rëndësishme, pasi sulmuesi Ciro Immobbile është i dëmtuar, ndërsa kapiteni Kamil Glik i skualifikuar. Në orën 15.00 luan edhe Milani që sfidon në transfertë Atalantën me shpresën për t’u rikthyer te fitorja në kampionat.
Fiorentina e Paulo Souzës nga ana tjetër pret në shtëpi Sampdorian, sfidë në të cilën nuk i bën punë asnjë rezultat tjetër veç fitores. Në këtë ndeshje do të kemi një rikthim të Vincenzo Montellës në “Artemio Franchi”. Në Gjermani vëmendja do të jetë e gjitha te sfida e “Borussia Park” mes Gladbahut vendas dhe Herthës së Berlinit, ndërkohë që një takim mjaft interesant do të jetë edhe Hoffenheim dhe Koln, me Mërgim Mavrajn që pritet të aktivizohet si titullar në radhët e skuadrës së drejtuar nga Peter Stoger.
Në Spanjë, Sevilla do të kërkojë të mbajë gjallë shpresat për të pozicionuar në vendin e 4-t kur të presë në shtëpi Real Sociedadin që nuk po kalon një moment të mirë në La Liga. Në Holandë është dita e Ajaxit të Amsterdamit që synon një fitore të thellë ndaj Zwolles për të nderuar ashtu siç duhet, legjendën Johan Cruyff. Në Ligue 1 në Francë, Lyoni me misionin për ta mbyllur kampionatin në vendin e 3-të do të kërkojë të mposhtë me çdo kusht një kundërshtar të vështirë si Lorient në transfertë.

Totti-Roma, divorc i pashmangshëm

Qëndrimit të Françesko Tottit te Roma po i vjen fundi. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “Corriere dello Sport”, raporti mes kapitenit legjendar të verdhekuqve dhe klubit italian është prishur përfundimisht pasi drejtuesit e Romës këmbëngulin në qëndrimin e tyre për të mos rinovuar kontratën e tij edhe për një vit. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, dëshira e Tottit është që të vazhdojë të luajë dhe duke parë këtë situatë të krijuar duket se e ka marrë vendimin për t’u larguar në një kampionat tjetër jashtë Italisë. Ajo që pret tashmë 39-vjeçari është vetëm komunikimi zyrtar i drejtuesve të klubit roman për të bërë më pas edhe zgjedhjen e tij përfundimtare dhe në këtë pikë alternativat nuk i mungojnë.

Ibrahimoviç te Milani?

Në fund të sezonit do të largohet nga PSG-ja. Mirëpo, që prej disa javësh është kthyer në dëshirën e klubeve më prestigjioze të Europës. Por pyetja është se kush do të jetë trajneri i Zlatan Ibrahimoviçit në sezonin e ardhshëm? Te Milani ka luajtur, mirëpo në atë periudhë skuadrën kuqezi s’e drejtonte Sinisha Mihajloviç, i cili nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të stërvitur bomberin suedez. “Do të më pëlqente shumë ta kisha në skuadër, pasi çdo trajner pëlqen që të stërvisë futbollistët e mëdhenj. Kudo ku shkon, Ibra fiton kampionatin, por nuk e di nëse i mjafton vetëm ai Milanit për të fituar titullin kampion. Sigurisht nga ana teknike është një futbollist i jashtëzakonshëm, me një personalitet të shkëlqyer”, tha trajneri serb i Milanit gjatë një interviste për rrjetin e kanaleve “Sky Sport”.
Ish-trajnerit të Sampdorias përpara se t’i etiketojë lojtarët që dëshiron të ketë në skuadër, i duhet që më parë të përcaktojë të ardhmen e tij. Nuk është e thënë se 46-vjeçari të jetë i ulur në stolin e kuqezinjve edhe në sezonin e ardhshëm, siç e ka thënë shpeshherë gjatë këtij sezoni dhe presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni.
Gjithsesi, Mihajloviç nuk bie në pesimizëm: “Për mua janë dy Berluskonë. Një është presidenti, ai që ka fituar më shumë se të gjithë në botën e futbollit dhe më pas, është Berluskoni si njeri, politikan dhe lider. Për mua është një fitore e madhe që kam mundësinë të flas çdo ditë me një njeri të jashtëzakonshëm si Silvio. Shpresoj që ky bashkëpunim të zgjasë akoma”.
Sinisha gjatë fjalës së tij i ka dedikuar edhe një paragraf mikut të vjetër, Roberto Mançini: “Para se të jetë një kundërshtar, Roberto është një shok. Kur luanin së bashku te Lacio, në sfidën kur shënova tri gola me goditje dënimi, unë dhe Roberto kishim vënë bast. Ai duhej të më paguante 1 milion lireta për çdo gol që do të shënoja, rrëfen Mihajloviç. Në fund të ndeshjes shkova te Roberto duke i vënë në dukje se duhej që të më paguante 3 milionë lireta për golat e mi. Ai më vështroi dhe më tha se do të më paguante vetëm 1 milion, pasi unë isha një mbrojtës dhe kishim pësuar dy gola gjatë asaj ndeshjeje. Në fund më dha vetëm 1 milion lireta”.
Ndërkohë, Milani kërkon Xherdan Shaqirin. Mediat italiane shkruajnë për tentativa nga klubi i Milanit që futbollisti me origjinë shqiptare që luan për Stoke Sitin (dhe kombëtaren zvicerane), të rikthehet në Milano. Sipas portalit të njohur “calciomercakoweb”, njohja e Galianit me futbollistin apo eksperienca e tij e mëparshme në Itali me Interin (në vitin 2015), mund të kthejë futbollistin te kuqezinjtë. Milani është gati të vërë bast për “ringjalljen” e lojtarit: Shaqiri ka talent, shpejtësi, driblon me një thjeshtësi dhe është interpretues ideal i 4-3-3 i Eusebio di Francesco.

Conte shënjestron Naingolan-Manolas

Antonio Conte shënjestron dyshen Rada Naingolan-Kostas Manolas. Klubi i Chelsea-t është i gatshëm të ofrojë 65 milionë euro për dyshen e skuadrës së Romës, konkretisht për mesfushorin belg dhe mbrojtësin grek. Sipas asaj që raportojnë mediat, presidenti i Bluve të Londrës, Roman Abramovich po mendon t’i bëjë dhuratë trajnerit të ardhshëm këta dy lojtarë. Një transferim i mundshëm i tyre do t’i shërbente shumë ekipit pasi mesfusha dhe mbrojtja janë dy reparte që kanë nevojë për rinovim.
Të dy futbollistët janë vënë në qendër të vëmendjes, veçanërisht mesfushori belg Nainggolan, i cili preferohet dhe nga Liverpooli, por Conte duket se është i gatshëm të bëjë gjithçka që ta ketë lojtarin në dispozicion, pasi shihet si njeriu kyç i skemave të trajnerit italian. Nga ana tjetër për mbrojtësin grek Manolas është e interesuar dhe skuadra e Evertonit. Vlera e kartonit të Naingolan vlerësohet rreth 35 milionë euro, ndërsa e Manolas 30 milionë. Tek Chelsea pritet të jetë një verë e nxehtë, pasi në planet e klubit është projekti për largimin e plot 9 lojtarëve në fund të sezonit, për shkak të paraqitjeve të tyre të dobëta në këtë sezon.

Balotelli drejt Kinës, rrogë 15 milionë euro

E ardhmja e Mario Ballotelit duket larg Europës. Forma jo e mirë që sulmuesi i Milanit po kalon, ka bërë që për 25-vjeçarin të projektohet vazhdimi i karrierës në një tjetër kontinent, sipas gjasave në Azi. Për sulmuesin interesohet ekipi nga Kina, Jiangsu Suning. Edhe pse në ligat e mëdha europiane askush nuk e dëshiron Balotellin, drejtuesit e klubit kinez janë të gatshëm t’i ofrojnë lojtarit një pagë stratosferike prej 15 milionë eurosh në sezon. SuperMario u transferua te Milani gjatë merkatos së verës, pas këmbënguljes së trajnerit Sinisa Mihajloviç. Por, forma e dobët e shfaqur te kuqezinjtë ka bërë që drejtuesit e “Djallit” të mos ia rinovojnë huazimin edhe për një sezon tjetër.
Balotelli u largua nga Liverpooli drejt Milanit deri në fund të sezonit, por duket se lojtari nuk bën pjesë në projektin e trajnerit të “The Reds”, Jurgen Kloop për sezonin e ardhshëm. Paraqitjet larg pritshmërive, si në Premier League ashtu edhe në Serinë A, kanë bërë që sulmuesi të humbasë dhe vendin e titullarit te kombëtarja italiane, duke rrezikuar të mbetet jashtë Kampionatit Europian, “Francë 2016”.
Shtohen raportimet në shtypin britanik rreth të ardhmes së portierit gjerman të Barcelonës, Andre Ter Stegen. “Daily Telegraf” ka njoftuar se 23-vjeçari do të firmosë për Manchester City-n, që do të paguajë në arkat e klubit katalan 25 milionë euro. Në javët e fundit Ter Stegen ka insistuar se dëshiron të jetë zgjedhje e parë në portë në të gjitha kompeticionet, pra synon që të luajë titullar edhe në takimet e La Ligas, ku i preferuari i Enriques është Bravo. Aktivizimi në ndeshjet e Kupës së Mbretit dhe në Champions League nuk i përmbush ambiciet e tij te Barcelona, ndaj ka kërkuar që të diskutojë me drejtuesit në fund të sezonit për situatën e tij.
Pakënaqësia, që ka ardhur si rrjedhojë e ndarjes së minutazhit në portë me Claudio Bravon, e ka shtyrë Ter Stegenin t’i thotë “po” insistimit të Citizens, që nga vera e ardhshme do të drejtohen nga Pep Guardiola. Trajneri aktual i Bayernit, gjithmonë ka rezervuar fjalë të mira për 23-vjeçarin, i cili ka një klauzolë largimi nga Barcelona që kap shifrën e 80 milionë eurove. Drejtuesit “Blaugrana” nuk dëshirojnë të privohen nga një portier i ri dhe me shumë perspektivë, por nga ana tjetër janë të kënaqur edhe me paraqitjet e Bravos, i cili ka shfaqur siguri në portë. Në fund të sezonit menaxheri i Ter Stegenit do të ulet në tryezë me kupolën drejtuese të Barçës për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të dyja palët. Një gjë është e sigurtë: Blaugranat do të bëjnë gjithçka për ta bindur që të qëndrojë në “Camp Nou”.

Një bllof apo pazar i ri me koncesionarin e aeroportit të Rinasit?

Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Ekonomisë që të mos të mos zgjatet afati i eksluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare pavarësisht kushteve të vendosura nga koncensionari për rishikimin e marrëveshjes. Vendimi i Autoritetit është marrë në dhjetor 2015 dhe u është dërguar në atë kohë palëve të interesuara, që kishin kërkuar mendimin e Autoritetit, por u bë publik vetëm dje, në mënyrë që të mos pengoheshin negociatat. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, tha për Monitor.al se “Autoriteti ka përshëndetur faktin që drafti është konsultuar me ta, por bazuar dhe në raportin e monitorimit që ka bërë më përpara Autoriteti, koncesionari kishte aftësi financiare të tilla që të mundësonte liberalizimin e Aeroportit të Kukësit, pa kosto shtesë për ekonominë, përsëri duke ruajtur mirëqenien ekonomike të koncesionarit”. Rekomandimi tjetër i autoritetit ka qenë që të “Të liberalizohen shërbimet( ground handling) sipas anekseve të kontratës koncensionare: (i) Pagesës së Shërbimit në Tokë dhe e Uljes dhe e Ngritjes, (ii) Pagesës për Pasagjerët, (iii) Pagesës së Kargos, (iv) Pagesës së Parkimit të Avionëve dhe (v) Pagesës së ndriçimit të aerodromit”. Një ditë më parë, Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto bëri të ditur se është arritur marrëveshja për heqjen e eskluzivitetit me Tirana Interniational Airport, kompanisë që ka një kontratë 25 vjeçare për menaxhimin e Aeriportit të Rinasit, funksionale që nga viti 2004. Sipas marrëveshjes së arritur  hapja e aeroportit të Kukësit do t’i shtojë 2 vite kontratës koncesionare së TIA, ndërsa në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, Afati i Koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore.
Po sikur Aeroporti i Kukësit të mos bëhet funksional në dy vjet?!
Autoritetit të Konkurrencës iu kërkua të shprehet në lidhje me të drejtat eskluzive të shërbimit të transportit ajror ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve sa i përket draft-marrëveshjes së propozuar e cila ka si pasojë ndryshimin e zonës gjeografike të eskluzivitetit të operimit të fluturimeve ajrore ndërkombëtare tregtare(kargo dhe pasagjerë). Sipas relacionit, Në nenin 3 të Amendamentit parashikohet zgjatja e afatit të eskluzivitetit të operimit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” të paktën me dy vite (pavarësisht nëse do të operojë ose jo ndonjë aeroport tjetër në territorin e Shqipërisë) dhe në varësi të datës së operimit zgjatjen e afatit sipas tabelës me minimalisht 0.5 vite nëse një aeroport tjetër fillon në vitin 2024 dhe maksimalisht 5 vite nëse ndonjë aeroport tjetër fillon të operojë që këtë vit. Autoriteti i Konkurrencës rekomandon hapjen e tregut dhe të shërbimeve aeroportuale në mënyrë të veçantë nga hyrja e mundshme e kompanive ajrore me kosto të ulët (low cost) por thekson se gjatë negocimit të rishikimit të marrëveshjes duhet marrë në konsideratë:
1- Performaca financiare e “Tirana International Aeroport” gjatë viteve të operimit;
2- Stanjacionin e treut sa i përket numrit të pasagjerëve(rreth 1.81 milionë në vit për 2013 dhe 2014) duke humbur avantazhet e rritjes së shpejtë të tregjeve në rajon dhe vendet e Bashkimit Evropian nga operimi kompanive me kosto të ulët;
3- Metodologjinë e përdorur për zgjatjen e afatit të paktën me dy vjet pa vendosur kusht operimin e aeroporteve të tjera;
4- Bazën e informacionit të vënë në dispozicion nga OSHA nëpërmjet një Memo të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe informacionin shtesë në seancën dëgjimore të datës 23.12.2015;
Këto janë arsyet që e kanë shtyrë Autoritetin të rekomandojë të mos zgjatet afati i eksluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare pavarësisht kushteve të vendosura nga koncensionari për rishikimin e marrëveshjes. Dyshimet janë nëse aeroporti i Kukësit do të arrijë të jetë funksional për dy vjet, për shkak të gjendjes së amortizuar në të cilën ndodhet dhe investimeve të mëdha shtesë që duhen për ta kthyer atë në punë. Nuk është bërë ende e qartë nëse Kukësin do e menaxhojë vetë shteti, apo ky i fundit, në pamundësi për të investuar do e japë me koncesion te privatët. Nuk ka të dhëna as nëse operatorët me kosto të ulët do të kenë interes të operojnë në Aeroportin e Kukësit, në gjendjen në të cilën është si dhe konkurrencën e fortë që mund të ketë nga Aeroporti i Prishtinës, ku operojnë tashmë disa low cost. Kompania ndërkohë është në shitje dhe mësohet që koncesionari ka negociuar fort për të pasur një marrëveshje sa më të mirë, në mënyrë që të mos ulë vlerën e kompanisë te blerësi i ri. Dhe për momentin duket se koncesionari ka arritur të marrë  edhe dy vjet zgjatje kontrate, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse brenda dy viteve të ardhshme shqiptarët do të mund të fluturojnë me çmime të uëta nga Aeroporti i Kukësit.

Ekspertët kundër aeroportit të Kukësit

Heqja e eksluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare nga Rinasi i hap rrugën fluturimeve nga aeroporti i Kukësit, por ekspertët nuk janë në një mendje me qeverinë shqiptare.
Aeroporti i Kukësit u ndërtua në vitin 2004 me synimin për të shërbyer pjesërisht për tregun e Kosovës, në një kohë kur Aeroporti i Prishtinës kishte një kapacitet përpunues të ulët.
Aeroporti, i cili kushtoi 12 milionë dollarë, mbeti i ngrirë për më shumë se një dekadë. Rrjeti investigativ BIRN shkruan se ekspertët mendojnë se ndryshimet e ndodhura përgjatë këtyre 10 vjetëve e bëjnë aeroportin e Kukësit “të ndërtuar në vend të gabuar” dhe me pak gjasa për t’u zhvilluar, pavarësisht se kostot e shërbimit për avionët mund të jenë shumë më të ulëta se sa ato të Rinasit.
Që nga koha kur Kukësi është ndërtuar si aeroport, një autostradë e re lidh Tiranën me Kukësin me një udhëtim prej dy orësh, nga tetë orë që qe koha e udhëtimit në kohën kur aeroporti u ndërtua.
Gjithashtu, tregu i Kosovës ka pësuar ndryshime pasi Aeroporti i Prishtinës është zhvilluar duke rritur kapacitetet.
Përgjatë viteve, ekspertë të ndryshëm kanë sugjeruar që ekskluziviteti i aeroportit të Rinasit të hiqej duke e sulmuar këtë klauzolë në kontratën e koncesionit në bazë të ligjit për konkurrencën.
Në të gjitha vendet e zhvilluara, posedimi i një monopoli ligjor është i paligjshëm dhe qeveria mund të luftonte ekskluzivitetin në bazë të ligjit kundër monopoleve.
Por në vend të kësaj, qeveria hyri në bisedime dhe pranoi zgjatjen e kontratës së koncesionit.
Monopoli aktual konsiderohet si shkaku i një pjese jo të vogël të çmimeve të larta të biletave të fluturimeve ajrore në Shqipëri, të cilat janë krahasimisht shumë më të larta se sa fluturimet drejt vendeve fqinje, duke u bërë një ankesë permanente e operatorëve turistikë.

Rritet kosto e komunikimit në celular për shumicën e konsumatorëve

Ditët e fundit, tre nga katër kompanitë celulare në vend, Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom kanë shkurtuar afatin e vlefshmërisë për pjesën më të madhe të paketave mujore për klientët e tyre, duke i bërë ato 28 ditë, nga mujore (30 ditë) që ishin më parë.
Burime nga kompanitë pohuan se këto ndryshime janë bërë pasi ofertat janë përshtatur në bazë javore, pra 4 javë (28 ditë) dhe ata i kanë njoftuar klientët për këtë veprim. Siç është edhe praktikë në këto raste, njoftimi bëhet pa bujën e reklamave ekstravagante të cilat promovojnë produktet e këtyre kompanive dhe në hapësira publicitare minimale, por që përmbushin detyrimin ligjor të njoftimit të klientelës.
Ajo që ndodh tashmë është se në momentin që aktivizon ofertën, klienti njoftohet që oferta zgjat 28 ditë. Ndërsa, në faqet e internetit përkatëse të kompanive, ku gjenden dhe ofertat e reja, është e vështirë të gjesh se për çfarë periudhe është e vlefshme oferta.
Në rrjetet sociale, konsumatorët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me këtë ndryshim të ofertave nga 30 në 28 ditë, që sipas tyre nënkupton shtrenjtim të çmimit, pasi hiqen dy ditë nga oferta.
Psh për paketën standarde prej 1000 lekësh, vetëm nga shkurtimi i saj me dy ditë, çmimi është shtrenjtuar me 7% (35.7 lekë në ditë nga 33.3 lekë në ditë që ishte më parë). Për paketën 1500 lekë, nga 50 lekë në ditë, shkon në 53.6 lekë.
Në vit, një klient që blen rregullisht karta 1,000 lekëshe, duhet të shpenzojë rreth 900 lekë më shumë për të njëjtën kohë bisede (19,554 lekë për 365 ditë), apo pothuajse një kartë tjetër, duke e çuar numrin e kartave nga 12 në vit në gati 13 në vit.

Ajeti, titullar i padiskutueshëm

Arlind Ajeti tashmë është një titullar i padiskutueshëm i Frosinones. Te mbrojtësi shqiptar skuadra e Stellones ka gjetur sigurinë në prapavijë dhe për meritë edhe të 22-vjeçarit të Kombëtares Kuqezi ka shanse të mira për të siguruar mbijetesën, kur kanë mbetur edhe 8 ndeshje deri në përfundim të sezonit. Edhe në sfidën e radhës ndaj Genoas në transfertë, Ajeti do të luajë që nga fillimi, pasi Frosinone nuk mund të bëjë dot pa të.
Praninë e ish-lojtarit të Baselit në formacionin titullar e konfirmoi trajneri Roberto Stellone në konferencën për shtyp me këtë të fundit që pritet ta rreshtojë Ajetin në qendër të prapavijës përkrah italianit Leonardo Blanchard. Me 27 pikë të grumbulluara pas 30 ndeshjeve skuadra nga krahina e Lazios ka nevojë për një rezultat pozitiv në takimin ndaj Genoas për të patur akoma edhe më shumë shanse për të siguruar mbijetesën mes më të mirëve të futbollit italian edhe për një tjetër sezon. Për të kuptuar rëndësinë e Ajetit te Frosinone mjafton t’u hedhësh një sy statistikave.
Në 11 takime gjithsej me Ajetin në fushë skuadra e trajnerit Stellone ka pësuar vetëm 14 gola me një mesatare prej 1,27 golash për takim, ndërkohë që në këto 11 sfida Frosinone ka grumbulluar në total 13 pikë nga 27 gjithsej në 30 takime. Nëse shikojmë ndeshjet e skuadrës së Stellones pa Arlind Ajetin në formacion gjatë këtij sezoni, Frosinone ka pësuar 41 gola në 19 sfida, duke u ndëshkuar mesatarisht 2,15 herë për takim.
Edhe pikët e grumbulluara janë shumë pak vetëm 14 në 8 ndeshje më shumë. Për të përshkruar të gjitha këto stastika mjafton të thuash, te Arlind Ajeti, Frosinone ka gjetur sigurinë në prapavijë dhe nëse kjo skuadër arrin të mbijetojë në Serinë A, një meritë të madhe do ta ketë padiskutim mbrojtësi shqiptar, i cili e nisi me një gol ndaj Sassuolos që në debutim aventurën e tij italiane. Arlind Ajeti u aktivizua si titullar edhe në ndeshjen miqësore, që Shqipëria fitoi me rezultatin 2-0 përballë Lukemsburgut në transfertë, duke zhvilluar një paraqitje shumë të mirë.

Berisha, gol dhe të kuq në fitoren e Melbourne

Besart Berisha bëhet sërish protagonist në Kampionatin australian, edhe pse këtë herë nuk janë vetëm golat e tij që bëjnë bujë. Sulmuesi shqiptar u aktivizua titullar në transfertën e Wellington ku skuadra e tij, Melbourne Victory siguroi një fitore të thellë me rezultatin 4-1. Ishte pikërisht Berisha, ai që shënoi golin  e parë të sfidës në minutën e 8, por 10 minuta nga fundi, ai u ndëshkua me karton të kuq për shkak të një gjesti jo të lejueshëm, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Ishte minuta e 33-të kur ndaj sulmuesit shqiptar, një prej kundërshtarëve ndërhyri ashpër me bërryl.
Berisha u rrëzua përtokë dhe pas protestave të lojtarëve të Wellington, ai shtyu një lojtar me këmbë dhe kjo skenë ndodhi në praninë e arbitrit të ndeshjes që nuk e kurseu të kuqin për numrin 8. Ky gjest mund t’i kushtojë shtrenjë Berishës dhe skuadrës së Melbourne Victory. Nëse shqiptari dënohet më shumë se një ndeshje, ai do t’i humbasë përballjen e parë play off për titullin kampion. Me suksesin në fushën e Wellington në javën e parafundit, Malbourne Victory mban vendin e dytë dhe do të luftojë për të mbrojtur titullin kampion. Berisha numëron 17 gola sezonalë me fanellën e skuadrës së Melbourne, ku u transferua rreth dy vjet më parë.

Lufta për vendin e tretë

Barazimi me Romën dhe më pas pushimet e detyruara nga miqësoret e Kombëtareve. Interi kërkon të rikthehet bindës në fushën e lojës për të mos humbur shansin e garimit për një vend në zonën Champions. Rrugëtimi rinis nga “San Siro” ku zikaltërit presin Torinon dhe trajneri Roberto Mançini është optimist.
“Kemi ende edhe shumë ndeshje në dispozicion. Roma është 5 pikë larg, por edhe ne kishim 5 pikë diferencë nga Fiorentina dhe tashmë kemi rikuperuar terren. Nuk kemi mundësi zgjedhjeje, duhet të fitojmë shumë ndeshje. Ndoshta pa pushimin do të ishte më mirë për ne, por nuk është zgjedhje në dorën tonë. Këtë sezon kemi regjistruar 18 ndeshje pa humbje, por kemi pasur edhe disa probleme. Tashmë shikojmë përpara. Do të luajmë edhe 8 ndeshje dhe shpresoj të rikuperojmë sa më shumë pikë”, u shpreh Mançini.
Në vijim, trajneri zikaltër u shpreh se shpreson që Roma të humbasë pikë në derbi, ndërsa u përqendrua edhe te çështjet e merkatos si dhe tek kundërshtari i radhës. “Nuk e di nëse duhet të shesim lojtarë të rëndësishëm. Për të ndërtuar strategjitë duhet kohë. Ne jemi Interi dhe duhet të ndërtojmë një skuadër të mirë çdo vit. Torino? Është një skuadër e vështirë për t’u kaluar, sepse ndaj tyre ke mundësinë të luash në nivele të larta. Skuadra e Venturës i vendos të gjithë në vështirësi”, tha ai.
Në fund Mançini u pyet se kë do të zgjidhte mes Ibrahimoviç e Toure, por ai preferoi të përgjigjej me diplomaci. “Nuk besoj se Thohir do të më kërkojë të zgjedh njërin prej të dyve”, përfundoi Mançini.
Ndërkohë, e ardhmja e afërt e Rey Manajt projektohet në Greqi në radhët e Panathinaikosit. 19-vjeçari shqiptar pritet të transferohet në kampionatin grek në formën e huazimit, për t’u vënë nën urdhrat e Andrea Stramaccionit, i cili është në krye të “jeshilëve” të Athinës që nga nëntori i kaluar. Në fakt 40-vjeçari italian ka këmbëngulur fillimisht për Rodrigo Palacion, por Mançini nuk ka ndërmend në privohet nga shërbimet e një sulmuesi me shumë eksperiencë, të cilin po e aktivizon në vazhdimësi.
Në këto kushte stafi teknik zikaltër i ka ofruar Panathinaikosit, Rey Manajt, në formën e huazimit, lëvizje që duhet të ndodhë me nisjen e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm. Sipas mediave italiane tek Interi janë të bindur se Manaj do të gjejë hapësirat e nevojshme në formacion për t’i rritur si futbollist, duke e përjashtuar mundësinë që qëndrimit në “Apiano Gentile”, ku rivaliteti për një fanellë titullari është shumë e ashpër për djaloshin kuqezi, i cili ishte inspiruesi i Shpresave të Shqipërisë në fitoren 2-1 me Hungarinë në eliminatoret e Europianit.