28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Tirana Airport në negociata për t’u shitur, kinezët të interesuar?

Tirana International Airport (TIA), kompania që ka një kontratë koncesionare për menaxhimin e Aeroportit të Rinasit është në negociata për t’u shitur, sipas burimeve nga institucionet shtetërore vendase. Burime zyrtare nga TIA, të kontaktuar nga Monitor, thanë se nuk kanë koment lidhur me këto negociata, ndërkohë që pohuan se janë shumë afër mbylljes së negociatave me qeverinë shqiptare për rishikimin e kontratës koncesionare.
Monitor ka mësuar se një kompani kineze, emri i të cilës mbetet i pakonfirmuar, është e interesuar për të blerë TIA, dhe negociatat po vijojnë prej disa kohësh.
Aktualisht, pronarët e Tirana International Airport janë:
– DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH-31.7%
– Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%
– AviAlliance GmbH-47%
Së fundmi, kompanitë kineze po shfaqin interes për tregun shqiptar. Jeo Jade, një nga grupet më të mëdha të pavarura të energjisë kineze, njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje për të blerë kompaninë e prodhimit të naftës Bankers Petroleum, për një shumë prej 407 milionë dollarë.

Rishikimi i kontratës
Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana International Airport”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.
Prej disa vitesh, qeveria është në negociata me koncesionarin për ndryshimin e kontratës dhe disa herë ka deklaruar zyrtarisht se negociatat janë mbyllur.
Ky eskluzivitet ka penguar hyrjen e kompanive me kosto të ulët në Shqipëri dhe ka bërë që vendi të ketë tarifat më të shtrenjta të biletave në rajon, duke bërë që shumë shqiptarë të zgjedhin aeroportet e Prishtinës, Podgoricës apo Shkupit drejt destinacioneve europiane.

Nga 1 janari 2017, “çertifikata e energjisë” e detyrueshme për të gjitha ndërtesat

Duke filluar nga data 1 janar 2017, çertifikimi i performancës së energjisë në ndërtesa duhet të jetë i detyrueshëm, sipas përcaktimeve në projektligjin për “Për Performancën e Energjisë të Ndërtesave.
Çertifikata është një dokument i lëshuar nga audituesi energjetik, ku përcaktohet performanca e energjisë së një ndërtese ose të njësisë së një ndërtese e përcaktuar dhe e lëshuar sipas kërkesave të këtij ligji.
Sipas përcaktimeve në projektligj me çertifikatë duhet të pajisen të gjitha ndërtesat ose njësitë e ndërtesave, të cilat do të shiten ose do të jepen me qira, të gjithë ndërtesat e reja, të cilat do të parashikohen të ndërtohen, ose do t’i nënshtrohen rinovimit të rëndësishëm dhe të gjitha ndërtesat në fazën e projektimit, për të cilat lëshohet çertifikata e përkohshme e performancës së energjisë.
Me përfundimin e punimeve të ndërtimit, këto ndërtesa, pajisen me çertifikatën e performancës së energjisë për qëllime të lejes së përdorimit.
Kur ndërtesat ose njësitë e ndërtesave ndërtohen, shiten ose jepen me qira, çertifikata e performancës. Sipas përcaktimeve të reja ligjore, çertifikata e energjisë duhet t’i dorëzohet çdo blerësi ose qiramarrësi dhe duhet të jetë e vlefshme për një periudhë maksimale prej 10 vitesh nga momenti i lëshimit, nëse nuk do të ketë ndryshime që do të ndikojnë në vlefshmërinë e saj.
Çertifikata e performancës së energjisë lëshohet nga Audituesit e Energjisë, në bazë të të dhënave teknike të performancës së energjisë dhe raportit të verifikimit.
Procedurat dhe kushtet e çertifikimit të performancës së energjisë të ndërtesave si dhe modeli, përmbajtja, kushtet e regjistrimit të  çertifikatës së performancës së energjisë të ndërtesave përkatëse përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe ministrisë përgjegjëse për ndërtimin.
Çertifikata e performancës së energjisë të një ndërtese ose njësie të një ndërtese duhet të përfshijë:
(a) Llogaritjen vjetore të performancës së integruar të energjisë të ndërtesës ose të njësisë të ndërtesës;
(b) Treguesin e llogaritur për performancën e energjisë të ndërtesës ose të njësisë të ndërtesës;
(c) Treguesin numerik të konsumit të energjisë primare të ndërtesës ose të njësisë të ndërtesës;
(d) Karakteristikat e përgjithshme të ndërtesës ose njësisë të ndërtesës, duke përfshirë këtu dhe periudhën datën e ndërtimit;
(e) informacion mbi vlerësuesin e performancës së energjisë për ndërtesën ose njësinë e ndërtesës, si dhe autoritetin e miratuar që e ka lëshuar çertifikatën;
(f) Vlerat krahasuese, të tilla si kërkesat minimale të efiçencës së energjisë për të njëjtën kategori ndërtesash dhe të atyre që janë tipike për stokun referent të ndërtesave, në mënyrë që pronarët apo qiramarrësit e ndërtesës apo njësisë së ndërtesës të krahasojnë performancën e energjisë për ndërtesën e tyre që po vlerësohet;
(g) Rekomandime për përmirësimin e kostove optimale ose kostove efektive të: i. Sistemeve teknike të ndërtesës; ii. Elementëve të mbështjelljes të ndërtesës dhe njësisë të ndërtesës etj.
Çertifikata e performancës së energjisë mund të përfshijë informacione shtesë të tilla si konsumi vjetor i energjisë për ndërtesat jo-banimi dhe përqindja e energjisë prej burimeve të:
Projektligji përcakton se, përpara çertifikimit të performancës së energjisë së ndërtesave audituesit energjetik mund të kryejnë një verifikim të gjendjes së performanancës së energjisë në ndërtesa edhe sistemeve teknike dhe në përfundim, lëshojnë një raport verifikimi, i cili ndër të tjera duhet të përmbajë rezultate të vlerësimit të performancës së energjisë së ndërtesave dhe sistemeve teknike të instaluara në ndërtesë si: sistemet e ngrohjes, ajrit të kondicionuar, ventilimit, ndriçimit dhe ujit të ngrohtë sanitar, duke përfshirë kaldajën, pompat e nxehtësisë, akumulatorët e energjisë, sistemin e kontrollit, si dhe pompat e qarkullimit të ujit, etj;
Penalitetet
Mos zbatimi i detyrimeve për çertifikimin e banesave dënohet me gjobë. Kështu projektimi i ndërtesave dhe njësive të tyre pa kushtet e performances se energjisë dënohet me gjobe në masën 300,000 lekë për projektuesin dhe në masën 1,000,000 për zbatuesin e punimeve.
Mosdhënia e çertifikatës së performancës dënohet me gjobë në masën 500,000 lekë.
Lëshimi i raporteve të pasakta të verifikimit, dënohet me gjobë në masën 500,000 lekë.
Mospërmbushja e detyrimeve të parashikuara në nenin 14 nga subjekti që ka në pronësi apo në përgjegjësi administrimi ndërtesën, dënohet me gjobë në vlerën nga 0,5 për qind deri në 2 për qind të vlerës së vlerësuar të ndërtesës që ai ka në pronësi apo në përgjegjësi administrimi.

Një njësi speciale amerikane po vret krerët e terrorit të ISIS

Në Uashington do të mblidhen sot presidentët dhe kryeministrat e 51 vendeve të ndryshme, në “Nuclear Security Summit”. Zyrtarisht thuhet se, tema kryesore është parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore në botë. Por tema dominuese me siguri që do të jetë luftimi i të ashtuquajturit “Shteti Islamik”.
Në SHBA po vazhdon fushata parazgjedhore për kandidatët e republikanëve dhe demokratëve për president të ardhshëm amerikan. Zgjedhjet do të mbahen nga fundi i vitit, por Presidenti Barack Obama do të dëshironte që deri në fund të mandatit të tij, të shkatërrojë pjesën më të madhe të “Shteti Islamik”. Ndaj është e sigurt, që pas sulmeve të fundit në Bruskel, kjo konferencë do të shfrytëzohet për dërgimin e një sinjali të fuqishëm për unitet në luftën kundër terrorizmit dhe terroristëve.

Sulmet po vazhdojnë prej javësh
Prej javësh po vazhdojnë sulmet amerikane kundër IS në Siri dhe Irak, bën të ditur revista “Spiegel”, duke shtuar se “krahas sulmeve ajrore dhe ndihmës së trupave irakiane dhe kurde në tokë, një rol të madh po luan edhe angazhimi i Njësive Speciale”. Ushtarët elitë të Ushtrisë amerikane angazhohen në të ashtuquajturat misione “Kill-or-Capture”, që do të thotë se obligimi i tyre është që të kapin apo të vrasin kuadrot e IS, me qëllim asgjësimin apo të paktën dobësimin e rrjetit terrorist. Në fillim të marsit, gazeta “New York Times” ka njoftuar për arrestimin e personave të rëndësishëm të IS në Erbil të Irakut. Gazeta shkruan se qëllimi i dërgimit të ushtarëve të Njësisë Speciale “Delta Force” është të dobësojë udhëheqësinë e IS. Ndërsa këto ditë është konfirmuar edhe vrasja e një prej krerëve të IS.

200 ushtarakë elitë kundër udhëheqësve të IS
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni i kanë hedhur poshtë informacionet për angazhimin e Njësive Speciale. Por njëkohësisht janë theksuar sukseset e tyre, për shkak të kritikave të shtuara ndaj Presidentit Obama dhe strategjisë së qeverisë së tij në luftën kundër IS. Ministri i Mbrojtjes, Ashton Carter ka bërë të ditur së fundi se Njësitë Speciale do të “eliminojnë krerët e Kabinetit të IS” një nga një. Ndërsa më i kërkuari në këtë listë është Abu Bakr al-Baghdadi. Së fundi është vrarë i ashtuquajturi “ministër i Financave” i IS, Abdul al-Kaduli. Qëllimi fillestar ka qenë që Kaduli të arrestohet. Rrjeti CNN njofton se, pas  identifikimit të Kadulit dhe njëjsisë së tij në territoret e IS, kanë filluar aksionet për arrestimin. Por gjatë aksionit ai dhe luftëtarët e tij janë vrarë. Ndërkohë njoftohet se njësitë amerikane kanë kapur shumë pjesëtarë të tjerë të IS.
Mediat njoftojnë se Njësia Speciale numëron rreth 200 ushtarakë elitë dhe ata vijnë kryesisht nga Delta Force, një njësi komando, e cila prej 30 vjetësh me radhë angazhohet në aksionet kundër terrorizmit. Presidenti Obama dhe këshilltarët e tij janë të bindur në sukseset e njësisë, por mendojnë se aksionet duhet të jenë të kujdesshme. “Ne nuk mund të sulmojmë objektiva pa qenë të sigurt se kush është në shënjestër”, tha ai.

Kritikat ndaj strategjisë së Obamës
Kritikët e Obamës mendojnë se kombinimi i Njësive Speciale dhe sulmeve ajrore nuk mjafton për eliminimin e “Shtetit Islamik” Gati të gjithë kandidatët e republikanëve në fushatën parazgjedhore kanë paralajmëruar aksione shumë më të ashpra kundër IS. Disa prej tyre flasin madje për dërgimin e dhjetëra mijëra ushtarëve në luftë kundër IS. Republikanët John McCain dhe Lindsey Graham kanë kërkuar dërgimin e trupave tokësore amerikane, të cilët duhet të luftojnë së bashku me peshmergët dhe irakianët. SHBA ka aktualisht rreth 3000 ushtarë në Irak, por ata kryesisht kryejnë punën e këshilltarëve dhe koordinatorëve. Obama deri tani i mbetet besnik strategjisë së tij. Mendohet se këtë strategji do ta mbrojë edhe në samitin e ardhshëm.

Ban Ki Moon kërkon rishpërndarjen e 480 mijë emigrantëve nga Turqia

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon ka kërkuar që të gjithë shtetet e globit të luajnë rolin e tyre, për t’u bërë pjesë e një plani që ka si synim rishpërndarjen e 480.000 refugjatëve brenda tre viteve të ardhshme.

Ai tha se pret një përgjigje solidare nga krerët e shteteve për t’i dhënë përgjigjen e duhur qindra mijëra azil-kërkuesve që po largohen nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftës.

Sipas planit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, emigrantët duhet të zhvendosen nga Libani, Turqia dhe Jordania, pasi numri i refugjatëve që janë strehuar në këto tre vende i ka kaluar disa milionë.

Moon: Agjencia e OKB-së për refugjatët ka përllogaritur se të paktën 10% e emigrantëve sirianë kanë nevojë që të rishpërndahen në vende të sigurta. Për të qenë më konkretë, bëhet fjalë për 480.000 persona, shifër kjo relativisht e ulët po të shohim miliona azil-kërkues që po qëndrojnë aktualisht vetëm në Turqi, Liban dhe Jordani.

Ndërkohë, në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi, i cili theksoi se emigrantët nuk duhet thjesht që të rishpërndahen.

Ai bëri thirrje që atyre t’u rezervohet një pritje humane, duke iu dhënë mundësi për t’u ribashkuar me familjet e tyre, si dhe duke iu ofruar punësim ose shkollim. Sipas tij, në rast se ky plan do të zbatohet me sukses të gjithë do të dalin të fituar.

Icardi nuk i zë besë Torinos

Pas dy ditëve të lëna pushim nga ana e trajnerit të Interit, Roberto Mancini me rastin e festës së pashkëve, futbollistët zikaltër i janë rikthyer stërvitjes në qëndrën stërvitore Appiano Gentile, ku skuadra po përgatitet për takimin e fundjavës kundër Torinos. Është rikthyer nga dëmtimi dhe sulmuesi Mauro Icardi. Në një intervistë dhënë për mediat Italiane, sulmuesi shprehet se gara për një vend në Champions League është ende e hapur dhe se duhet bërë kujdes ndaj një kundërshtari sic është Torino.

“Gara është e hapur për një biletë në Champions League, ka ende shumë pikë në dispozicion. Në Itali duhet të kesh kujdes ndaj cdo skuadre, nuk duhet nënvlerësuar kudërshtari. Më kujtohet takimi i vitit të kaluar kundër Torinos, ku pësuam gol në minutat e fundit të ndeshjes nga një goditje këndi”.

Më tej sulmuesi argjentinas, i cili pritet ta nise ndeshjen e së Dielës si titullar vuri theksin tek forma e mirë që po kalojnë dyshja kroate Brozovic-Perisic, ku sipas sulmuesit, të dy lojtarët janë një plus i madh për ekipin.

Valencia, shkarkohet Neville

Gary Neville shkarkohet nga stoli i Valencias. Trajneri anglez është larguar nga drejtimi i skuadrës spanjolle 8 javë përpara fundit të sezonit për shkak të rezultateve të dobëta dhe në vendin e tij është emëruar Pako Ayestaran. Presidenti Peter Lim e kishte paralajmëruar largimin e 41-vjeçarit në fund të sezonit, por presioni i madh bëri që numri 1 i klubit të marrë një vendim që shkakton kaos në radhët e skuadrës që ndodhet vetëm 6 pikë larg zonës së ftohtë të klasifikimit. Me 16 ndeshje në stolin e skuadrës së Valencias, Neville grumbulloi vetëm 14 pikë dhe kontrata e tij skadonte në fund të sezonit pasi ai mori drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Nuno Espirito Santo në datën 29 Nëntor.

53-vjeçari Ayesteran nuk është një emër i panjohur për Valencian pasi gjatë periudhës 2001-2004 ai ka mbajtur detyrën e zv/trajnerit  me dy tituj të fituar në Spanjë dhe një Kupë UEFA. Të njëjtën detyrë ai e ka mbajtur edhe në klubin e Liverpoolit ku u shpall kampion Europe. Dy ndalesat e tij të fundit në pozicionin e trajnerit kanë qenë në Izrael me Maccabi Tel Aviv dhe në Meksikë me klubin e Santos Laguna. Ai do të jetë trajneri i 16 në 16 vitet e fundit te Valencia.

Trump: ISIS duhet fshirë nga faqja e dheut

Në debatin elektoral të organizuar nga CNN-i në shtetin e Uiskonsinit, ku javën e ardhshme zhvillohen zgjedhjet praparake, tre kandidatët e mbetur në garën e republikanëve për president, ishin të një mendimi për nevojën e mposhtjes së grupit Shteti Islamik, por ata nuk shprehën mbështetje për njëri-tjetrin lidhur me këtë çëshje.
“Ne duhet ta fshijmë ISIS-in nga faqja e globit me dhunë dhe me shpejtësi, se nuk kemi zgjedhje tjetër”, tha Donald Trump, që kryeson garën e republikanëve.
Senatori i Teksasit Ted Cruz, i cili deri tani është i dyti në radhë për nga numri i delegatëve të siguruar, tha se Shtetet e Bashkuara duhet që fillimisht të përdorin “forcë ajrore dërrmuese” pastaj të armatosin luftëtarët kurdë “që ata të luftojnë ISIS-in”. “Vendimi nëse duhen përdorur forcat speciale, apo ato tokësore amerikane, duhet marrë pas kësaj”, tha zoti Cruz. Senatori Cruz, kritikoi edhe Presidentin Obama, duke thënë se ai vetë nuk do t’i çonte trupat amerikane jashtë vendit sipas rregullave strikte luftarake që nuk garantojnë fitoren.
Administrata Obama ka patur përplasje si me qeverinë e Irakut, edhe atë të Afganistanit lidhur me kushtet e veprimit të trupave amerikane në këto vende.
Guvernatori i Ohajos, John Kasich, mbështeti idenë e një koalicioni për shkatërrimin e Shtetit Islamik, ku të kenë kontribut më të madh shtetet e Gjirit Persik. Ai tha se, fushata duhet të jetë ajrore dhe tokësore dhe pastaj trupat të kthehen në vend.
Kasich po ashtu kritikoi propozimin e zotit Cruz, që policia të patrullojë lagjet myslimane, në mënyrë që të çrrënjoset terrorizmi.
“Ne nuk mund t’i lejojmë vetes polarizimin e njerëzve në botën e civilizuar”, tha Kasich.  “Në të gjithë botën ka njerëz që e dinë se ky kërcënim duhet ndalur, duhet shkatërruar dhe ne duhet të bashkëpunojmë me vendet e tjera, sepse kur vdesin njerëz të pafajshëm, gra dhe fëmijë në shpërthime me bombë si në Pakistan gjatë shërbesës fetare të Pashkëve, vdes edhe një pjesë e jona”.
Zoti Trump tha se, Shtetet e Bashkuara po paguajnë shtrenjë për mbështetjen ndaj NATO-s, që ai e cilësoi “të vjetëruar” dhe se vende të tjera të Aleancës janë duke përfituar me të padrejtë prej saj.

Mesi synon golin e 500 në “El Clasico”

MSN apo BBC, kur na ndajnë vetëm pak ditë nga El Clasico i radhës mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, shifrat thonë MSN, me tredhëmbëshin sulmues të skuadrës blaugrana që është më i besueseshëm se ai i Los Blancos. Falë edhe tre yjeve të saj, Barca ka grumbulluar 10 pikë më shumë se Reali pas 30 javëve të para dhe kjo është një e dhënë që tregon për efikasitetin përpara portës të treshes, Mesi-Suarez-Neymar. 69 gola numëron tredhëmbëshi i Barcelonës në këtë sezon të La Ligas kundrejt 63 finalizimeve të treshes së përbërë nga Bale-Benzema dhe Ronaldo.
Gjithsesi për të fituar duelin e golave treshja sulmuese e Barcës ka zhvilluar 7 ndeshje më shumë se ajo e Los Blancos, pasi Mesi-Suarez dhe Neymar kanë luajtur në total 23 takime së bashku, ndërsa Bale-Benzema e Ronaldo vetëm 16 kjo natyrisht vjen si pasojë e dëmtimeve që kanë pësuar këta futbollistë në periudha të ndryshme. Tredhëmbëshi i Barcelonës fiton ndaj ai të Realit edhe përsa i përket golave të shënuar në El Clasico. Mesi-Suarez dhe Neymar, kur kanë qenë të tre së bashku në lojë e kanë dërguar në 12 raste topin në rrjetën e portës së Realit, ndërsa Bale-Benzema dhe Ronaldo vetëm 11 herë në atë të Barcelonës. Për të kuptuar që treshja e skuadrës katalanase është më e besueshme se ajo e asaj merengues mjafton të shikosh golat e realizuar krahasuar me goditjet në portë në këtë sezon të La Ligas.
Edhe pse numëron në total vetëm 322 goditje në kuadrat tredhëmbëshi i Barcës ka shënuar 69 gola, ndërkohë që ai i Realit pavarësisht se i ka goditur portat kundërshtare më shumë më ekzaktësisht në 333 raste ka realizuar vetëm 63 gola. Gjithsesi përqindjen më të lartë të shënimit e ka një madrilen dhe ai është Karim Benzema me 24,7, pas tij vinë Bale dhe Suarez me Cristiano Ronaldon që pozicionohet në vendin e fundit nga këta 6 lojtarë përsa i përket saktësisë përpara portës. MSN apo BBC të shohim se cili do të triumfojë këtë herë.
Lionel Mesi apo Diego Armando Maradona? Kjo pyetje do të mbizotërojë gjithmonë në kokën e të gjithëve, pasi 5-herë fituesi i Topit Artë me klasin, stilin dhe personalitetin që shfaq në fushën e lojës ngjason gjithnjë e më shumë me “El Pibe De Oro”. Në ndeshjen mes Argjentinës dhe Bolivisë, takim në të cilin shënoi golin numër 499 në karrierë, Lionel Mesi i mahniti të gjithë me lojën dhe driblimet e tij, si rast i minutës së 60-të, kur Leo dhuron spektakël me futbollistët kundërshtarë që edhe pse të shumtë në numër që nuk arrijnë ta frenojnë dot. Të shtunën luhet në “Camp Nou” El Clasico, dhe në një sfidë të tillë kaq të rëndësishme gjëja më kryesore për tifozët e Barcës dhe trajnerin Luis Enrique është që Mesi vjen në një formë fantastike dhe mbi të gjitha i motivuar për duelin ndaj Realit.
I intervistuar nga mediat në përfundim të sfidës mes Argjentinës dhe Bolivisë, 28-vjeçari la të kuptohej se vëmendja e tij tashmë e gjitha te El Clasico, takim në të cilin synon të realizojë edhe golin e tij të 500 në karrierë. Deri tani Mesi ka shënuar 449 gola me fanellën e Barcelonës dhe 50 me atë të Argjentinës. “Do të ishte diçka me të vërtetë shumë e bukur për mua ta arrija këtë shifër në një sfidë ndaj Realit sidomos nëse goli im do t’i jepte avantazhin skuadrës”, u shpreh 5-herë fituesi i Topit të Artë.

Revoltë ndaj Veliajt: Hiq nga Facebook-u foton e fëmijës tim! (Foto)

Një grua është revoltuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për një foto që ka postuar në Facebook-un e tij disa ditë më parë të një fëmije.
Ina Kastrati, është nëna e fëmijës së mitur, fotografia  e të cilit është publikuar nga Veliaj në Facebook pa lejen e saj. Ajo ka kërkuar nga kryebashkiaku që të heqë fotografinë e fëmijës së saj të publikuar pa leje, por edhe pse kanë kaluar disa ditë, Veliaj ende nuk e ka fshirë fotografinë.

“Z. Erion. Ky është fëmija im. Nuk më keni marrë leje për ta publikuar foton e tij në mbrëmjen e ORA e Tokës, pa lejen time si prind. Ju lutem hiqeni sa më parë”, shkruan në Facebook-un e Veliajt nëna e vogëlushit.

Komisioneri Hahn-Ramës: Dekriminalizimi të bëhet sa më shpejt

Komisioneri europian për Zgjerimin, Johaness Hahn, deklaroi sot nga Tirana se Shqipëria e ka urgjente për dekriminalizimin.

“Duhet të jemi të qartë që legjislacioni duhet të zbatohet shpejt dhe në mënyrën e duhur”, tha Hahn. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Hahn e vuri theksin tek reforma nw drejtwsi si njw nevojw urgjente. Po ashtu, ai vuri në dukje, se nuk ka datë të përcaktuar për hapjen e negociatave për anëtarësim.

“Mund t’ju them vërtet që ishte një takim produktiv, shkëmbim idesh, jo vetëm me Kryeministrin por edhe me përfaqësuesit e opozitës dhe u bë një debat i gjallë dhe kështu duhet të jetë nw fakt,  të ketë diskutime duke përfshirë edhe shoqërinë civile, por në fund të jetë e qartë që wshtw e ardhmja evropiane e Shqipërisë, interesi kombëtar i këtij vendi, pasi bëhet fjalë për perspektivën europiane të vendit. Vend do të thotë qytetarët, brezi i ri dhe duhet t’u japim atyre një shans për të ardhmen.

Ka qënë e rëndësishme se cilat janë çështjet më urgjente dhe më lejoni të them që për momentin, kyç është reforma në drejtësi. Këtu na duhen shumë shpejt zbatime dhe kjo reformë krahasuar me ç’po ndodh në vende të tjera fqinje, është në një shkallë të paprecedentë. Pra, është e rëndësishme të ketë një vendim para se të fillojë zbatimi i saj.