20.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Zgjedhjet e 11 Majit/ Sot heshtje zgjedhore, qytetarët u drejtohen të dielën kutive të votimit! Mbi 3.7 milionë shqiptarë me të drejtë vote

Ditën e dielë do t’u drejtohen kutive të votimit 3.7 milionë shqiptarë, të cilët do të zgjedhin 140 përfaqësuesit e tyre në parlament.

 

Risi në këto zgjedhje parlamentare është vota e diasporës, ku për të zgjedhur për Parlamentin e ri janë regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë.

Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.

Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.

Inflacioni ngjitet në 2.3% në Prill/ Zarzavatet, sërish kampione të rritjes së çmimeve

Indeksi i Çmimeve të Konsumit për muajin Prill të këtij ka shënuar një rritje vjetore prej 2.3%, nga 2.1% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues, i cili mat ndryshimet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të konsumit, ka shënuar rritje edhe krahasuar me një muaj më parë.

Rritja vjetore është nxitur kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili kontribuoi me 1.29 pikë përqindje në inflacionin total. Grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dha një ndikim me 0.24 pikë përqindje, ndërsa “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kontribuoi me 0.22 pikë përqindje. Nga ana tjetër, grupi “Transporti” ishte i vetmi që dha ndikim negativ, me -0.16 pikë përqindje, duke reflektuar një ulje të çmimeve në këtë sektor.

Në krahasim me prillin e vitit të kaluar, çmimet janë rritur më së shumti te “Argëtimi dhe kultura”, me një rritje prej 6.3%. Pasojnë “Pijet alkoolike dhe duhani” me 3.9%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.8%, si dhe “Mobilje dhe pajisje shtëpie” me 3.2%. Ndërkohë, sektori i transportit ka përjetuar një rënie të ndjeshme të çmimeve prej 2.6%.

Në kuadër të ushqimeve, nëngrupet që kanë shënuar rritjen më të fortë janë “Zarzavatet përfshirë patatet” me 7.7%, “Vajrat dhe yndyrnat” me 6.4%, dhe “Qumështi, djathi dhe vezët” me 5.2%.

Në përgjithësi, inflacioni në prill mbetet në kufijtë e qëndrueshmërisë, megjithatë ushqimet dhe energjia vazhdojnë të mbeten faktorët më të ndjeshëm për buxhetin e familjeve shqiptare./SCAN

Koalicioni Euroatlantik – Një grupim që jep zgjidhje halleve të njerëzve dhe mban nën kontroll populizmin

Nga Namir Lapardhaja

Në një realitet politik të polarizuar dhe shpeshherë të dominuar nga zhurma populiste dhe retorika boshe, Koalicioni Euroatlantik, nën drejtimin politik të Lulzim Bashës, paraqitet një alternativë racionale dhe e qëndrueshme.
Ky shkrim do të ndalet shkurtimisht në katër aspekte që tregojnë pse ky grupim meriton vëmendje dhe besim.

Së pari, Koalicioni Euroatlantik dhe drejtuesi i tij politik, Lulzim Basha, treguan maturi politike dhe profesionalizëm gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 Majit. Përballë një agresioni të koordinuar politik, mediatik dhe oligarkik, ky grupim arriti të krijojë një narrativë pozitive dhe të bëhet refreni i fushatës. Në vend që të përdorte gjuhën e urrejtjes apo premtimeve të parealizueshme, fushata e drejtuar nga Basha u karakterizua nga një diskurs qytetar, euroatlantik dhe i bazuar në vlera. Kjo e dallon thelbësisht nga forcat e tjera që shpeshherë mbështeten në tensione, ndasi, një gjuhë polarizuese apo premtime boshe, të paralizueshme dhe në tërësi në një shportë dëshirash elektorale.

Së dyti, një prej avantazheve më të mëdha të Koalicionit Euroatlantik, është përbërja cilësore e kandidatëve të tij. Në tërësinë e tyre, ata janë profesionistë të dalluar në fushat ku operojnë, përfaqësues të shtresës së mesme të shoqërisë, individë që nuk mbartin ‘brenga’ nga e kaluara, qofshin këto lidhje me regjimin komunist apo probleme me drejtësinë. Kjo i jep këtij grupimi një imazh të pastër dhe besueshmëri në sytë e qytetarëve që kërkojnë përfaqësim të ndershëm dhe të pakorruptuar. Në një kohë kur integriteti moral i përfaqësuesve publikë është një shqetësim madhor, ky është një kapital i çmuar për çdo forcë politike.

Së treti
, Basha dhe Koalicioni Euroatlantik janë një garanci e eksperiencës si antidot ndaj populizmit banal. Në një rajon ku eksperimentet politike me figura të reja dhe premtime populiste kanë dështuar shpesh, përvoja e gjatë politike e Bashës dhe njerëve rreth tij janë një aset i rëndësishëm. Basha nuk është një politikan i rastësishëm apo i dalë nga rrethana të përkohshme; ai ka një histori të gjatë në drejtimin e institucioneve shtetërore dhe njeh mirë funksionimin e shtetit. Kjo e bën atë më të përgatitur për të mbajtur nën kontroll populizmin dhe për të garantuar një qeverisje të përgjegjshme. Populizmi ka treguar se nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme – përkundrazi, ai shpesh çon në zhgënjim. Koalicioni Euroatlantik synon t’i japë fund këtij cikli të dëmshëm.

Së katërti
, Koalicioni Euroatlantik përfaqëson një mundësi reale për qytetarët shqiptarë që të mos ndihen të detyruar të zgjedhin mes të keqes më të vogël. Ai ofron një alternativë për të gjithë ata që janë të lodhur nga politika e vjetër, por që njëkohësisht nuk bien pre e populizmit të rrezikshëm. Mbështetja për SPAK dhe reformën në drejtësi është një tjetër pikë kyçe që e ndan këtë grupim politik nga të tjerët. Edhe pse është sulmuar dhe bojkotuar nga media të mëdha dhe një pjesë e sistemit politik të vjetër, ky grupim ka treguar se ka kapacitet të mbijetojë dhe të shndërrohet në një faktor qeverisës. Kjo është një provë që forca e ideve dhe përkushtimi ndaj interesit publik mund të mposhtin edhe aleancat më të errëta mes politikës, medias dhe krimit.

Në fund të kësaj analize do të thosha se Koalicioni Euroatlantik është më shumë sesa një ofertë elektorale – ai është një thirrje për përgjegjësi, për qeverisje të ndershme dhe për ndërtimin e një Shqipërie më të mirë. Në një kohë kur shumë qytetarë ndihen të zhgënjyer dhe pa shpresë, ky grupim vjen si një dritë në fund të tunelit, duke ofruar jo vetëm fjalë, por edhe alternativa konkrete dhe njerëz të denjë për t’i zbatuar ato. Ai është një shans për të kthyer besimin në politikë dhe për të ndalur avancimin e populizmit që kërcënon themelet e demokracisë.

“Takimin me Nënë Terezën, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, e organizova unë me…”/ Dëshmia e rrallë e Lume Juka, e bija e ish ministrit më besnik të Mbretit Zog, i larguar nga Shqipëria në Prillin e ’39-ës

Nga Keze Kozeta Zylo

Zonja Lume Juka është një intelektuale e Diasporës, ajo punoi si profesore e frëngjishtes një jetë të tërë, por dhe pse e detyruar të largohej qysh në moshën fëminore nga Mëmëdheu, ajo kurrë s’e harroi vendin e të parëve, vendlindjen e saj, Shkodërlocen e bukur. Eshtë në nderin tonë si shqiptarë, që kemi midis nesh këto figura të ndritura dhe që kanë punuar kaq shumë për Kombin, është në nderin tonë që të mos heshtim…! Nga biseda telefonike që pata me këtë zonjë, ajo rrezatonte mirësi, gati-gati hyjnore, thjeshtësi të pazakontë, ajo nuk donte të fliste kurrë për vehten, por vetëm për dashurinë e motrës së saj, profesore Safete Jukën, familjen e saj, si dhe për Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur.

Kam mbështetur idenë që profesore Safete Juka të shpallet “Nderi i Kombit”, por deri tani në vesh të shurdhët. Unë me këtë rast dua të falënderoj z.Eduard Dilo, mikun e afërt të familjes Juka, si dhe pinjollin e familjes mëmëdhetarë dhe të persekutuar Dilo, me dekada të tëra, që më mundësoi këtë bashkëbisedim kaq të ngrohtë dhe tepër njerëzor.

Znj. Juka, ç’zë i bukur më tingëllon në telefon, sikur të jeni një vajzë e re?

Vajzë e re jam, (qesh), shpirti nuk më plaket kurrë! Kur kam kenë e vogël, gjithmonë dëgjoja për të më moshuarit urimin: “Pleqni të mbarë”! Nga ana tjetër thoshja me vete: “Pse ja kujtojnë kaq shumë pleqninë”? Në fakt plaku respektohej shumë atëherë, e vijshin në qoshe, në krye të oxhakut dhe e dëgjonin për fjalët e mençme!

Unë u largova në moshën 11 vjeç dhe u vendosëm në Egjipt së bashku me familjen time. Egjipti ka kenë qendra e kundërshtarëve të politikës komuniste. Atje u takuam me Ali Kërcyrën, Koco Mukën etj… ata u bashkuan së bashku. Babai im ndërroi jetë në Aleksandri.

Ju jeni vajza e Musa Jukës, ish ministrit në kohën e Zogut, ç’kujtoni për babanë tuaj?

Babai im ka udhëhequr tri Ministri, Ministrinë Botore, të Ekonomisë dhe Ministrinë e Brendshme.

Qenka një rast i rrallë që të mbikëqyrësh tre ministri?

Po, kjo është një e vërtetë, ai i drejtoi ato me profesionalizëm dhe kulturë për atë kohë. Ai ishte shkolluar në Stamboll. Prindërit e mi vinë nga familje të pasura, nga Shkodra, por i kam dëgjuar shpesh, që thoshin se ju vinte turp që ishin të pasur në atë vend të varfër. Shtëpia ka kenë e hapur për të varfrit, nuk kemi pasur shërbyese. Shtëpia jonë është djegur dy tri herë. Mbaj mend njëherë, se vëllai i vogël kishte ardhur prej shkolle dhe po dridhej së ftohti.

Nana e pyeti, se ku e kishte xhaketën që kishte veshur në mëngjes?  Ai iu përgjegj se ja kishte falur një shoku, që kishte më shumë ftohtë se ai. Kur baba i jepte ndonjë pare, ai gjithmonë i ruante dhe shkonte me shokët në kinema. Mirësia ka qenë tipari i dallueshëm tek prindërit e mi. Babai im ka qenë një burrë i heshtun. Babai im dhe në burg kur bisedonte me njerëz të ndryshëm, iu thoshte, se të gjithë përpiqemi për Kombin tonë, por në mënyra të ndryshme. Prindërit e mi e kanë admiruar shumë Faik Konicën, ata e kane vlerësuar mençurinë dhe diplomacinë e tij.

Ju flisni një gjuhë të kulluar, si është e mundur që e keni ruajtur kaq të pastër si bora e bjeshkëve të bardha?

Gjuha e pastër imja, është merita e prindërve. Edhe kur nuk e gjejshim ndonjë fjalë, ata na thoshnin gjej fjalën shqipe, mos e zëvendëso kurrë me fjalë të huaj. Ne në shtëpi flisnim vetëm shqip, ata nuk na lejonin të flisnim gjuhë tjetër. Ishin shumë të merakosur që ne të mos e harronim kurrë gjuhën tonë.

Kur keni shkuar në Shqipëri për herë të parë?

Për herë të parë kam shkuar në Shqipëri në vitin 1995 dhe kam ndenjur pranë familjes Petrela në Tiranë. Ata kishin katër djem të mirë, punonin shumë dhe të gjitha të hollat ja dorëzojshin babës së tyre. Për këtë gjë i çmoja së tepërmi, familjen shqiptari e ka pasur të shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Aty pashë nga afër këtë traditë të familjes shqiptare, respektin reciprok që duhet të kemi për prindërit dhe fëmijët.

Arsyeja që ngulmova disa herë për t’ju intervistuar ishte, se kohët e fundit lexova në disa gazeta amanetin e motrës suaj, profesore Safete Jukës. Ajo kishte dhuruar një shumë 40 mijë dollarë, për t’i vënë në shërbim të Bibliotekës Kombëtare. Ç’mund të na thoni më tepër për këtë gjest sa fisnik po aq dhe human? Ndërkohë ju i dërguat letër drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, z.Plasari, ku e sqaronit për më shumë.

Kam kenë tepër e emocionueme, nuk e prisja që ajo letër kaq e thjeshtë do të kishte kaq emocion, kaq lexues. Motra ime këtë veprim e ka bërë në heshtje. Mua më lajmëroi Banka Amerikane, që ajo kishte depozituar 40 mijë dollarë, për Bibliotekën Kombëtare.

Kam lexuar shpesh për prof. Safete Jukën, kam mbështetur idenë, që ajo të shpallet “Nderi i Kombit”…!

Unë kam dashur me shpirt të të falënderojë, që ju e vlerësoni të bukurën, intelektualizmin e çdo gjë. Unë ju falënderoj si familje për shkollën shqipe dhe për hapjen e Televizionit. Kur lexova shkrimin tuaj për Diloiadën, lotët më rridhnin pa pushim, qava. E kam njohur nga afër atë familje të persekutuar. Motra ime e kishte në shpirt Kosovën. Nuk ka lënë një demonstratë pa shkuar për Kosovën, në shi dhe në borë. Ajo nuk dilte nëpër podiume, po e dini se çfarë bënte?

Rrinte midis popullit dhe kur kalojshin të huajt, ajo gjithmonë ju fliste për Kosovën, për gjenocidin serb, për popullin e vuajtur të Kosovës. Ka pasur një personalitet tepër të thjeshtë, por gjithmonë më mundonte ndërgjegjja se a është dashur me e lënë në heshtje, apo duhet t’i shkruaja letër Bibliotekës për amanetin e saj? Iu luta Zotit për këtë veprim.

Kadareja e ka vlerësuar Prof. Safete Jukën si një Dora D’Istria të dytë, keni komunikuar direkt me shkrimtarin e madh?

Kadareja këtë gjë e ka vënë në dukje, nëpërmjet Dr. Moikom Zeqos. Më 1994, në Bibliotekën e Durrësit, Dr. Zeqo ka gjetur librin e saj me titull “Kosova”, dhe është magjepsur kur ka parë dokumentacionin e saj. Ai ka shkruajtur një artikull në gazetën “Koha Jonë”, për të. Ka kenë i pari që ka shkruajtur rreth saj. I jam mirënjohëse Dr. Zeqos. Ajo mbrojti doktoratën në filozofi në Sorbornë të Francës, më 1969. Ka organizuar konferencën shkencore për Kosovën, në New York, dhe më vonë botoi librin “Kosova”, ku jep mjaft të dhëna për shqiptarët me dokumente historike. Motra ime ka shkruar shpesh dhe në gazetën “Dielli”. Ajo e donte këtë gazetë dhe bashkëpunonte me këtë organ të Vatrës.

Ishte shumë e shkëlqyeshme kur dëgjova që do të ribotohet përsëri gazeta “Dielli”, njëherë në muaj dhe editor do të ketë Dalip Grecën. E kam njohur qysh në Shqipëri Dalipin, i lexojsha shkrimet tek Suplementi dhe ishin shumë interesante. I jam shumë mirënjohëse që shkruajti artikullin për motrën time dhe e publikoi në gazetën e Diasporës, “Illyria” me botues z. Vehbi Bajrami. Edhe Zenepe Luka ka shkruar dhe mbështet mendimin për ta shpallur Prof. Jukën “Nderi i Kombit”. Për mua S’ka rëndësi fare në se nuk ja japin, ajo punoi me shumë zemër. Janë të hapura dorëshkrimet e saj. Mua më është coptue zemra, Safetja dhe vëllai im i shtrenjtë shkuan herët në atë botë, në të njëjtin vit.

Ju jeni bashkëpunëtore e motrave të Nënë Terezës dhe e keni takuar Nënë Terezën disa herë, ç’kujtoni nga takimet me të?

Unë ju thashë që në fillim të bashkëbisedimit tonë zonja Kozeta, që nuk dua të flas për veten, dua të flas vetëm për disa kujtime me motrën time Safete Jukën.

Ju lutem znj. Lume, unë e kuptoj thjeshtësinë tuaj, por duhet ta bëni këtë vetëm për lexuesit, pasi mesazhet tuaja janë tepër njerëzore, janë për Kombin tonë të përbashkët.

OK atëherë, në se unë nuk jua prishi qejfin, dua të flas vetëm për eksperiencë shpirtërore. Unë kam dhënë mësime të gjuhës frënge, por ka dhe një gjuhë më të bukur se të gjitha gjuhët e botës, ajo është gjuha e zemrës, gjuha që ta duam njeri tjetrin. Kur jepja mësim, nxënësit rrinin në klasë edhe pas mësimit, sidomos ata që kishin diçka për të diskutuar ose ndonjë paqartësi. Unë pasi mbaroja korrigjimet ulesha dhe diskutoja me ta me kënaqësi. Njerëzit shpesh gjykohen nga diplomat, por duhet të gjykohen se çfarë bëjnë për të tjerët. Unë gjithmonë i lutem Zotit së bashku me murgeshat, unë jam bashkëpunëtore e motrave “Nënë Tereza”.

Ka ndonjë shqiptare tjetër së bashku me ju kur luteni?

Vonë kanë ardhur dy shqiptare prej Kosove që janë bashkuar me ne. Në vitin 1969 kisha një dhembje dhëmbi, dhe po prisja të shkoja tek dentisti. Në dhomën e pritjes tek zyra e dentistit, lexova revistën që nuk del më, “Look”, brenda saj kishte shkrimin “Imagjinoni një yll të bardhë”! Unë po kaloja në një krizë shpirtërore, isha idealiste. Kur e lexova që shkrimi fliste për një shqiptare, u emocionova pa masë!

Nënë Tereza ishte shumë pak e njohur nga Diaspora. E mora revistën dhe me entuziazëm të madh, u fola te nesërmen studentëve për Nënë Terezën. Unë ju fola të gjithëve për Nënë Terezën, bamirësinë e saj dhe mbi të gjitha që ishte një shqiptare. Revistën e ruaj dhe sot, e kam në shtëpi, në Tiranë. Unë pashë dhe filmin “Disa gjëra të bukura janë harruar”, që i kushtohet Nënë Terezës. Autori ka kenë shkrimtar anglez, gazetar dhe punonte në TV.

Ja si e përshkruan autori Nënë Terezën, kur ajo ishte e ftuar në studion e tij: “Po shoh se po vjen një murgeshë, nuk dija gjë me saktësi për të. E pyeta ku i keni shënimet? Tereza m’u përgjigj, se fjalët që kam me thanë, i kam nga Zoti. Filloi me folë, dhe ajo që më bëri më shumë përshtypje nuk kërkoi ndihma, kurse të gjithë të tjerët kërkuan ndihma. Gjysmë ore ishte programi, intervista me të ishte në orën 3 e gjysmë të mëngjesit, dhe në këtë orë nuk e shikojnë shumë, por ajo që më habiti më vonë ishte, se nuk pushuan ndihmat për të”.

Nga frymëzimi që pati gazetari për të, ai donte të shkruante një libër. Kështu qe ai realizoi filmin për Nënë Terezën. Gjatë kohës së filmimit ai kujton, se kur kishte ardhur koha me filmue, me fotografue fëmijët që ishin në rruge gjysmë të vdekur, s’kishte pasur dritë aparati. Ajo i kishte thënë, mos u mërzit, filmoi dhe kështu pa dritë, është drita e Zotit brenda.

Kur autori shkoi në Angli dhe e lau filmin, fotografitë ishin më të bukura se të gjitha ato me dritë. Ai ishte ateist, por pasi u takua me Nënë Terezën dhe motrat e saj, ai u bë i besimit katolik. Ai ndjeu forcën e Zotit i cili thotë: “Njeri, kam nevoje për ty, kam nevoje për zemrën tënde, unë me zemrën tënde shpreh dashurinë time në këtë botë”…! Ai na ka lënë të lirë me zgjedh. Ka qenë forca e Zotit, që e mori Nënë Terezën për ta çuar në Indi, dhe për t’i shërbyer të varfërve. Ajo ka bërë diçka që se ka bërë kushdo tjetër.

Autori e ka vënë në dukje, se çfarë ka bërë ajo në Kalkuta, ku njerëzit hidheshin në rrugë gjysmë të vdekur, ndërsa nënë Tereza i merrte dhe i vendoste në shtratin e saj. Ajo i ka marrë një nga një për t’i pastruar. Ajo thoshte se po ju afroj një vdekje të bukur. Era e tyre dhe krimbat që ishin brenda trupit, bënte që asnjëra prej tyre nuk e kishte guximin për me i pasture, vetëm ajo i merrte dhe i pastronte. Në momentet e fundit të jetës së tyre, ata thoshin se kemi jetuar si shtazë, por tani po vdesim si engjëj.

Si jeni takuar me Nënë Terezën?

Unë jam bashkëpunëtore, shkoj shpesh me motrat Tereza, motër Lume më thonë. Më 5 shtator të këtij viti, ishte përvjetori i vdekjes së saj. Unë shkova në meshë, u luta dhe pasi mbaroi mesha, më thoshin se jam pjesë e saj…! E kam njohur shumë afër, kam banuar në kuvend me të, më shumë se dy muaj këtu në New York. Në vitin 1969 erdhi vëllai i Nënë Terezës dhe u njoha me të direkt. Ishte njeri me kulturë. Më 1976 erdhi dhe Nënë Tereza dhe i thashë motrës të shkonim. Kur shkuam atje ajo, na mori për dore dhe na çoi në një dhomë të vogël. Na i mori duart të dyjave në prehrin e saj dhe filluam të bisedonim për shumë gjëra. E pashë që kishte shumë pak kohë, por ajo na ka mbajtur për tri orë.

Si e realizuat takimin me Nënë Terezën, mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka?

Takimin me Nënë Terezën, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, e organizova unë së bashku me motrën Andrea. Iu luta Zotit qe të takoheshin. Kur unë i telefonova Motër Andreas, se kisha dëshirë që Nënë Tereza të takohej me mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, ajo më tha se Nënë Tereza është shumë e zënë, dhe është në lutje natë e ditë. Iu luta që të bënin diçka të pamundur. E telefonova prapë dhe i thashë: Po Nënë Tereza a ha bukë? Po, – m’u përgjigjën ato, ja çojmë ushqimin me tabaka. Atëherë i them, – ju lutem vendosini një shënim, se Mbretëresha Geraldinë donte ta takonte, jo si Mbretëreshë, por si besimtare dhe vendosni emrin tim mbi të. Ato e pranuan këtë variant që iu afrova.

Pasi Nënë Tereza e kishte lexuar shënimin kishte pranuar takimin me ne. Motra Andrea më telefonoi në orën 11 e gjysmë të darkës dhe thotë se Nënë Tereza ju pret ne orën 6 të mëngjesit. Motrat e Terezës çohen çdo ditë në orën 3 e gjysmë të mëngjesit dhe bëjnë lutjet. E gëzuar mora Princin Leka për takimin. Unë shkova herët dhe prita në holl. Aty gjej Mbretëreshën Geraldinë dhe më tha që ishte dita më e lumtur e jetës së saj, që do takonte Nënë Terezën. Nëna Terezë po na priste në kapele, aty na hapi derën një motër e bukur si pranverë. Shkuam në një dhomë, ndenjëm të tria, ndërkohë i tha Mbretëreshës, se nuk merrem me politikë, por dhe Mbretëresha iu përgjigj: – as unë.

Nënë Tereza i tha se jam lutur gjithmonë për ju dhe familjen tuaj. Mbretëresha iu përgjegj se: -E kam ndie gjithmonë se dikush i lutej Zotit për mua dhe për djalin tim’. Në këtë kohë, ngadalë, ngadalë u tërhoqa, dhe i prita jashtë. Kur dolën të dyja ndritshin me një dritë hyjnore. Kishin pasë të dyja dëshirë të madhe me u takue me njëra tjetrën. Nënë Tereza vazhdoi bisedën ne lidhje me gjuhën shqipe. Ajo pohoi se i kam shkruajtur nënës sime vetëm në shqip. Nënës së saj i thirrte nënë Loke. Edhe me vëllain flisnin shqip. Unë personalisht shpirtin e kam me Nënë Terezën.

Nuk di me u ndal për të. Njëherë na kishin thënë me shkue në orën gjashtë në kuvend, se do të hapej dega e lutjeve shpirtërore, në New York, ngase ishte habitur me vetminë që jetojshin njerëzit. Nëna Tereza kishte dhimbje të madhe për njerëzit, prandaj dhe e hapi këtë degë.  Atë e shoqëronte një shkrimtare irlandeze. Ajo tregonte se kishin  shkuar bashkë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, për të marrë vizë, për me pa nënën e saj, por fatkeqësisht i ishte refuzuar viza. Ishte hera e parë që e pashë duke qarë vazhdoi ajo. Kuptova që vuajtjet e saja e bën që të kuptonte vuajtjet e të tjerëve.

Faleminderit Zonja Lume, për këtë bisedë kaq të ngrohtë, e admiroj shumë thjeshtësinë tuaj, kishja se ç’të mësoja nga ju.

Edhe unë e kisha dëshirue shumë komunikimin me ju, ishte një bisedë shpirtërore. Memorie.al

Staten Island, New York 10 Maj, 2009

Merz e nis punën me sfida të brendshme dhe ndërkombëtare

Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, e viziton Brukselin më 9 maj për takime në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ditët e tij të para në detyrë kanë qenë të vrullshme, me agjendë të ngarkuar ndërkombëtare.

Nga Merz – i cili këtë javë doli në skenën ndërkombëtare duke premtuar se do të sjellë energji të re në politikën e jashtme gjermane dhe evropiane – pritet shumë.

Kancelari i ri gjerman pati një fillim që i dha siklet atij. Për herë të parë në historinë e vet, Bundestagu u detyrua të votonte dy herë për ta emëruar atë, pasi Merzit i munguan gjashtë vota në votimin e parë.

Pra, nuk ishte tamam mbështetja që i nevojitej udhëheqësit të vendit më të rëndësishëm të BE-së.

Mbase çështja më e ngutshme me të cilën përballet Merz është marrëdhëniet jo edhe aq të mira me administratën amerikane, e cila po vë në dyshim pothuajse çdo aspekt të rendit liberal botëror, mbi të cilin është mbështetur politika gjermane pas Luftës së Dytë Botërore.

Merz duhet ta mbledhë një “koalicion vullnetit”, të përbërë kryesisht nga vende evropiane, për ta mbështetur Ukrainën – dhe më e rëndësishmja, për ta sfiduar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Pastaj vijnë sfidat e brendshme: ringjallja e ekonomisë gjermane, e cila u tkurr si në vitin 2023 ashtu edhe në 2024 dhe pritet të jetë e dobët edhe këtë vit; dhe gjetja e një përgjigjeje ndaj partisë populiste të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli e dyta në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit dhe tashmë është e para, bashkë me kristiandemokratët e Merzit në sondazhet publike.

Merz tashmë ka bërë ndryshime në rregullat e rrepta për borxhin e vendit, për ta mundësuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe krijimin e një plani investimi prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën.

Ai shpreson se me këtë do ta gjallërojë ekonominë – dhe se do t’i shmangë pakënaqësitë që do të mund ta bënin AfD-në edhe më të fuqishme në zgjedhjet e ardhshme pas katër vjetësh.

Megjithatë, duket se pikërisht në arenën ndërkombëtare kancelari i porsazgjedhur do të përpiqet të lërë përshtypjen më të fortë në fillim.

Në agjendën e kësaj jave ai ka Parisin, Varshavën, Brukselin dhe Londrën, në përpjekje për ta forcuar unitetin evropian, dhe Merz pritet t’i shënojë disa fitore të hershme simbolike.

Merz është i etur ta rigjallërojë “Trekëndëshin e Vajmarit” mes Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri polak, Donald Tusk, ndajnë të njëjtat pikëpamje për shumicën e çështjeve të politikës së jashtme.

Ata do të kërkojnë rritje të shpenzimeve evropiane për mbrojtjen, më shumë sanksione ndaj Rusisë, hapjen e negociatave të anëtarësimit për Ukrainën dhe rritje të mbështetjes ushtarake për Kievin – përfshirë miratimin për dërgimin e raketave gjermane Taurus, gjë që nuk ishte politikisht e mundur nën qeverinë e mëparshme gjermane.

Në lidhje me Britaninë, Merz do të inkurajohet nga bashkëpunimi më i ngushtë politik dhe ushtarak që pritet të miratohet në samitin e parë BE–MB që nga Brexit-i, më 19 maj në Londër. Zgjedhjet e tij për ministrat e rëndësishëm – Johann Wadephul si ministër të jashtëm dhe mbajtja në detyrë e socialdemokratit të njohur Boris Pistorius si ministër i mbrojtjes – kanë qetësuar partnerët ndërkombëtarë.

Por, ai do të përballet edhe me “klientë të vështirë”.

Merz do të duhet të përballet me populistët e Evropës Qendrore, kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, dhe atë të Sllovakisë, Robert Fico.

Ata e kanë penguar BE-në ta mbështesë politikisht dhe financiarisht Ukrainën dhe kanë parandaluar vendosjen e ndëshkimeve më të ashpra ndaj Kremlinit.

Sfidën më të madhe, megjithatë, do ta përbëjë presidenti amerikan, Donald Trump.

Në letër, ata kanë disa ngjashmëri: të dy janë parë si “autsajderë” me përvojë të kufizuar politike para se ta merrnin pushtetin, por me përvojë të bollshme në bordet e kompanive dhe fushat e golfit.

Merz ka qenë gjithashtu atlantist i zjarrtë deri vonë, por si shumë gjermanë, mbeti i zhgënjyer nga kritikat e ashpra të nënpresidentit amerikan, JD Vance, ndaj Evropës në Konferencën e Sigurisë në Munih në shkurt dhe nga trajtimi që iu bë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë në mars.

Menjëherë pas fitores së tij në zgjedhje, Merz bëri thirrje për një Evropë më të pavarur nga SHBA-ja. Më vonë ai kritikoi ministrat amerikanë të kabinetit dhe iu bëri thirrje që të mos ndërhyjnë në politikat e brendshme të Gjermanisë.

Kjo pasoi kritikat nga Uashingtoni ndaj vendimit të agjencisë së inteligjencës së brendshme gjermane për ta shpallur AfD-në si organizatë ekstremiste.

Por, rëndësi kanë çështjet praktike. Dhe këtu, Merz ka ende nevojë për mbështetjen e Uashingtonit për pak më gjatë. Ai do të takojë Trumpin në samitin e G7-ës në Kanada në mes të qershorit dhe më pas në samitin e NATO-s në Hagë më vonë gjatë atij muaji.

Dy gjërat që Merz do t’i kërkojë me ngulm janë: përkushtimi i SHBA-së ndaj aleancës ushtarake dhe vazhdimi i pranisë ushtarake amerikane në Gjermani.

Ai gjithashtu dëshiron të sigurojë që ekonomia gjermane e përqendruar te eksporti të mos përballet me tarifa të larta amerikane, të cilat për momentin janë pezulluar deri më 8 korrik, ndërkohë që Brukseli dhe Uashingtoni përpiqen të arrijnë një marrëveshje tregtare.

Merz thjesht nuk mund të përballojë shumë telashe të tjera.

REL

Nuk luante dot ndaj Barçës, Interi dërgoi futbollistin si “spiun” në ndeshjen e PSG-së me Arsenalin

Interi ka filluar përgatitjet për ndeshjen ndaj PSG-së që në ditën pas fitores ndaj Barcelonës në Ligën e Kampioneve. Jo në terrenin sportiv duke u përgatitur taktikisht për sfidën me ekipin e Luis Enrikes, por duke mbledhur sa më shumë informacione për të.

Pjesë e punës, ka qenë edhe dërgimi i një “spiuni” për të ndjekur ndeshjen që parisienët luanin të mërkurën ndaj Arsenalit në fushën e tyre. Dhe i dërguari nuk ka qenë vetëm një pjesëtar i stafit të Inzagit, por edhe një prej futbollistëve zikaltër.

Benzhame Pavard ka qenë i pranishëm në tribunën e “Parc Des Princes” për duelin kundër londinezëve, të cilin PSG e fitoi me shifrat 2-1. Lojtari kishte planifikuar që më parë një udhëtim në Francë pas ndeshjes së Interit, të cilin ai e ndoqi si tifoz i mirëfilltë pasi nuk mund të luante për shkak dëmtimi. Por ai ka shfrytëzuar rastin për të ndjekur nga afër rivalët e radhës në Ligën e Kampioneve, me shpresën që kur të vijë dita e finales, të jetë edhe ai në fushë ndaj tyre.

Refluksi gastroezofageal, çfarë duhet të dini për djegien e stomakut! Shkaqet, simptomat dhe mënyrat e trajtimit

Sëmundja e refluksit gastroezofageal, e njohur më shpesh si GERD, është një problem i zakonshëm që prek miliona njerëz në mbarë botën.

Kjo sëmundje mund të shkaktojë simptoma të pakëndshme dhe të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës së një personi.

Ju sjellim një përmbledhje të asaj që duhet të dini rreth GERD, përfshirë shkaqet, simptomat dhe mënyrat e trajtimit.

Çfarë është GERD?

GERD është një gjendje kronike ku acidi i stomakut kthehet mbrapa në ezofag, duke shkaktuar ndjesi djegieje dhe irritim. Ky kthim i acidit ndodh kur muskulatura që lidh stomakun me ezofagun, e njohur si sfinkteri ezofageal i poshtëm, nuk funksionon siç duhet.

Shkaqet

Ekzistojnë disa faktorë që mund të kontribuojnë në zhvillimin e GERD:

Ushqimet dhe Pijet

Disa ushqime dhe pije mund të relaksojnë sfinkterin ezofageal të poshtëm dhe të shkaktojnë simptoma të GERD. Këto përfshijnë ushqimet e yndyrshme, të skuqura, çokollatën, kafetë, alkoolin dhe pijet me gaz.

Mbipesha

Mbipesha dhe shtimi në peshë mund të rrisin presionin në stomak, duke shkaktuar që acidi të kthehet në ezofag.

Pirja e Duhanit

Duhani ndikon në mosfunksionimin e sfinkterit ezofageal të poshtëm dhe mund të përkeqësojë simptomat e GERD.

Shtatzënia

Gratë shtatzëna shpesh përjetojnë simptoma të GERD për shkak të rritjes së presionit abdominal dhe ndryshimeve hormonale.

Simptomat:

  • Urth (ndjesi djegieje në gjoks): Kjo ndjenjë zakonisht përkeqësohet pas ngrënies dhe mund të zgjasë disa orë.
  • Regurgitimi: Kthimi i ushqimit ose lëngjeve nga stomaku në gojë.
  • Dhimbje në Gjoks: Dhimbje që mund të ngatërrohet me atë të një ataku kardiak.
  • Vështirësi në Gëlltitje: Ndjenja e bllokimit të ushqimit në fyt.
  • Kolla Kronike dhe Irritimi i Fytit: Këto simptoma mund të jenë më të shpeshta gjatë natës.

Trajtimi dhe Menaxhimi i GERD

Ndryshimet në Stilin e Jetës

  • Ushqimi i Shëndetshëm: Shmangni ushqimet dhe pijet që shkaktojnë simptoma.
  • Humbja në Peshë: Mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave.
  • Shmangia e Duhanit: Duhani përkeqëson refluksin dhe duhet shmangur.
  • Ushqyerja e Rregullt: Hani vakte të vogla dhe shmangni ngrënien pak para gjumit.

Mjekimet

  • Antacidet: Këto ilaçe neutralizojnë acidin e stomakut dhe ofrojnë lehtësim të shpejtë.
  • Inhibitorët e Pompes Protonike (PPI): Këto ilaçe zvogëlojnë prodhimin e acidit dhe ndihmojnë në shërimin e ezofagut.
  • H2 Bllokuesit: Këto ilaçe gjithashtu ndihmojnë në zvogëlimin e prodhimit të acidit.

Kur Duhet të Kërkoni Ndihmë Mjekësore?

Nëse simptomat tuaja të refluksit janë të shpeshta ose të rënda, është e rëndësishme të konsultoheni me një mjek. Nëse nuk trajtohet mund të çojë në komplikacione serioze si ezofagut, ulçera ezofageale dhe rritjen e rrezikut për kancerin e ezofagut.

GERD është një gjendje që kërkon kujdes dhe menaxhim të vazhdueshëm. Duke bërë ndryshime në stilin e jetës dhe duke përdorur mjekimet e duhura, shumica e njerëzve mund të kontrollojnë simptomat dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. /AgroWeb.org.

Gjergji Nika i Koalicionit Euroatlantik në Vlorë: Ky është shansi i fundit!

Nga Gjergji Nika

“Unë jam i juaji e ju jeni të mitë.”- ka shkruar dikur ungji im, Martin Camaj.

Në këtë zgjedhje vota juaj nuk është thjesht vetëm një votë – është përgjegjësi, është një vendim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e familjes, qytetit dhe vendit tonë.
Nuk ka më kohë për premtime boshe dhe zhgënjime të tjera. Është momenti për ndryshim të vërtetë.

Zgjidhni të ardhmen euroatlantike. Zgjidhni zhvillimin. Zgjidhni drejtësinë. Zgjidhni transparencën e meritokracinë!

Ne jemi gati të luftojmë për ju. Por për këtë, na duhet mbështetja juaj.

Mos e humbisni këtë shans. Merrni përgjegjësinë për të ardhmen tuaj. Votoni për ndryshimin që meritoni!

“Premtime piramidale janë kot pa luftë kundër korrupsionit”, Basha: Dilni nga lluca ku ju kanë futur! Numri 4 i vetmi me mbështetje ndaj SPAK dhe paratë të çojë në ekonominë shqiptare

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin “Log” në Neës24 është shprehur se premtimet e partive të tjera politike janë kot sepse nuk kanë mbështetjen ndaj SPAK. Ai tha se pa luftuar korrupsionin, paratë do shkojnë tek 7×7=313 dhe jo në xhepat qytetarëve.

Basha më tej tha se Koalicioni Euroatlantik numri 4 është i vetmi që me vepra jo me fjalë mbështet SPAK-un pasi pa mbështetjen ndaj SPAK asnjë kokërr leku nuk do shkojë tek qytetarët. Sipas tij, edhe katër vite të tjera me Ramën do të thotë edhe katër vite me gjoba, kërbaç, tritol, emigracion dhe varfëri.

“Të gjithë këtë që bëjnë premtime piramidale, i kanë kot sepse pa mbështetje ndaj SPAK, pa luftuar korrupsionin paratë do shkojnë tek 7×7=313 dhe jo në xhepat tuaj. Dhe vetëm Koalicioni Euroatlantik, sepse ne jemi të vetmit që me vepra jo me fjalë mbështesim SPAK-un dhe pa mbështetjen ndaj SPAK dhe pa luftë kundër korrupsionit asnjë kokërr leku nuk do shihni. Vetëm gjoba, vetëm kërbaç, vetëm tritol, vetëm emigracion, vetëm varfëri. Do vazhdoni të zhgërryheni në lluc. Doni të dilni nga lluca? Numri 4, luftë kundër korrupsionit, paratë nga xhepat e shokëve tek 7×7=313, tek ekonomia shqiptare, tek xhepat e tuaj” – u shpreh Basha.

“Fal gjoba se ka frikë nga vota”, Basha: I jemi drejtuar SPAK, mos u mashtroni nga ai që premtoi legalizimi falas dhe ju shkatërroi shtëpitë

Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “LOG” në News24 se është depozituar zyrtarisht në SPAK kallëzimi penal për vendimin e fundit të qeverisë që fal gjobat me efekt 10-vjeçar, vetëm dy ditë para zgjedhjeve.

“Si mund të dalë Edi Rama dhe të firmosë një akt të tillë elektoral? Kjo është një vepër penale, sipas nenit 91 të Kodit Penal,” u shpreh Basha. “Është një përpjekje e dëshpëruar për të blerë vota me vendime kriminale. Qeveria me gjysmën e kabinetit në burg po shkel ligjin në mënyrë të hapur.”

Basha i bëri thirrje SPAK-ut të reagojë menjëherë: “SPAK duhet të veprojë një orë e më parë ndaj këtij akti. Kandidati ynë Rajmond Dervishi ka dorëzuar kallëzimin penal.”

Ai e krahasoi këtë skemë me premtimet e rreme të vitit 2013: “E mbani mend kur ju thonin që do legalizoheshin shtëpitë falas? Edi Rama sot po ndjek të njëjtën rrugë, me propagandë dhe mashtrim për të mbuluar krimin dhe dështimin.”

Sipas Bashës, ky është një akt i pastër elektoral që konfirmon frikën e qeverisë nga vota e qytetarëve: “Ky njeri nuk ka asnjë kufi moral, asnjë limit ligjor. Shqipëria nuk mund të drejtohet nga një njeri që tallet me qytetarët dhe përdor shtetin për të shpëtuar pushtetin.”

“E kemi çuar sot VKM-n në SPAK – Si mund të dalë Edi Rama, dy ditë para zgjedhjeve, të falë gjobat me efekt 10-vjeçar?! E para punës që është vepër penale, neni 91, nqs nuk gabohem; e dyta çfarë tregon ky, që shkon dhe na vizaton mandatet në Kuç, kur dy ditë përpara bën diçka të paimagjinueshme. Pak e ka njollën e korrupsionit me gjysmën e kabinetit në burg, si qeveria më e korruptuar nga 1912 dhe dy ditë përpara, pasi ka bërë gjithçka që ka patur në dorë për të shkatërruar opozitën, del dhe kalon, në shkelje flagrante të kodit penal këtë. Çfarë tregon kjo? Unë po them pjesën time, mqs nuk më pyetët, po bëj edhe pyetjen, edhe përgjigjen. Pjesa ime është kjo: Shqiptarë e mbani mend, kur ju tha, Enver Hoxha po të ngrihet nga varri, nuk do t’jua prishim shtëpitë, do t’jua legalizojmë të gjitha falas, e mbani mend? Ka kaluar pak kohë. Çfarë ju bëri? Edhe sot e kësaj dite, ju mban për fyti dhe jua shkatërroi shtëpitë, duke ju fut edhe gaz brenda, në orët e herta të mëngjesit- këtu në Tiranë, në mes të Tiranës, me fëmijët që flinin brenda, -kështu që vijini gishtin kokës, se ky çfarë bën para fushate, jo që nuk e plotëson, por shkon komplet në drejtim të kundërt.
Ndërkohë thirrja ime për SPAK-un është të veprojë një orë e më parë ndaj përgjegjësit politik për këtë akt kriminal, të kodit penal, nenit 91 nqs nuk gabohem, në veçanti që sot Koalicioni Euroatlantik, dhe konkretisht një nga kandidatët tanë për deputet, Rajmond Dervishi, ka depozituar zyrtarisht kallzim penal kundër këtij akti korruptiv” – tha Basha.