28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

U arrestua për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, Gjykata e Tiranës lë në burg Andrew Boden

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Andrew Boden, personin i cili u arrestua dy ditë më parë si i akuzuar për vrasjen e biznesmenit, Edmond Papa, ngjarja e ndodhur në vitin 2022.

 

Bode doli sot para gjykatës, ndërsa u shfaq në pamje duke iu shmangur mediave dhe duke u fshehur pas murit të kafazit prej xhami.

OPERACIONI I ARRESTIMIT

I shpallur në kërkim për vrasjen e Edmond Papës, RENEA arrestoi më 28 gusht 48-vjeçarin Andrew Bode dhe miqtë e tij që e strehonin në Memaliaj, Julian Kalemi dhe Andrea Kalemi. Mësohet se Bode kishte shkuar për ngushëllim te miqtë e tij lidhur me ngjarjen e rëndë të 21 korrikut, ku u vra në lokal Shyqyri Kalemi dhe dy punonjësit Marsel Çela dhe Bledar Muka, ndërsa i plagosur mbeti Artur Kalemi, që ndodhet në spital.

Vrasja e trefishtë në Memaliaj dyshohet se është kryer për hakmarrje, e cila e ka zanafillën në vitin 2022 kur kanë nisur edhe përplasjet mes dy grupeve dhe kanë marrë deri më tani 7 jetë njerëzish nga Athina në Tiranë.

Policia bëri me dije dje se u “finalizua nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër dhe Reparti Special RENEA, operacioni policor i koduar ‘Plani’. Lokalizohet në Memaliaj, kapet dhe vihet në pranga një 45- vjeçar nga Tirana, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i kërkuar për vrasje.

Gjatë operacionit u vu në pranga edhe një shtetas që e strehonte në banesë, në Memaliaj, të kërkuarin. Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga dhe një shtetas tjetër, të cilit bazuar në inteligjencën policore, iu krye kontroll në banesë, ku iu gjetën armë zjarri, armë gjahu, antiplumb, silenciatorë, municion luftarak, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

“Në kuadër të operacionit të zhvilluar në Memaliaj, në banesën e shtetasit J. K. policia kapi dhe arrestoi shtetasin e shpallur në kërkim A. alias F. alias E. B., 45 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, kryer në bashkëpunim dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit E. P. Në vijim të veprimeve procedurale, Seksioni kundër Krimeve të Rënda arrestoi shtetasin J. K., i cili ka strehuar shtetasin në kërkim. Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit A. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë. Shtetasi A. K. u arrestua në flagrancë për veprën penale ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. Megaoperacioni ‘Sundimi i ligjit’ vijon”, – tha Policia e Gjirokastrës.

Si u vra Edmond Papa?

Edmond Papa 49 vjeç, u qëllua në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra.

Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.

Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri ndërsa në Tiranë ndodhej për të shoqëruar nënën për disa vizita mjekësore.

Nga kripa te kafeina, ja disa ushqime që konsumoni çdo ditë, por që dëmtojnë veshkat

Veshkat kryejnë një punë të vështirë në organizëm. Funksioni i tyre kryesor dhe shumë i rëndësishëm është që filtrojnë dhe të eliminojnë mbetjet e ndryshme në gjak.

 

Veshkat mirëmbajnë ekuilibrat e lëngjeve në trup por edhe çlirojnë hormonet e nevojshme për prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut.

Për më tepër, veshkat mirëmbajnë shëndetin e kockave dhe rregullojnë tensionin e gjakut.

Gjatë gjithë jetës, veshkat përballen me një sërë sfidash të ndryshme si pasojë e ushqyerjes, toksinave dhe medikamenteve.

Këto sfida i çelin rrugën formimit të gurëve, e sëmundjeve të tjera që mund të rezultojnë në kolaps të plotë të veshkave.

Ushqimet që dëmtojnë veshkat

Shëndeti i veshkave është jo vetëm në dorë të mjedisit ku jetojmë por edhe në dorë të vetë njeriut. Ka disa ushqime me të cilat njeriu mund ta teprojë në dëm të veshkave.

Njerëzit që vuajnë nga veshkat ose kanë predispozita të larta të preken nga sëmundje të tilla duhet të shmangin ushqimet e mëposhtme.

Arrorët

Nëse keni predispozita të larta të vuani nga gurët në veshka, atëherë është mirë të mos konsumoni arrorë.

Arrorët përmbajnë oksalate, disa minerale që nxisin formimin e gurëve në veshka.

Ushqime të tjera të pasura me këto minerale gur-formuese janë: spinaqi, panxhari, patatinat, patatet e skuqura.

Avokado

Avokadot përmbajnë sasi të mëdha të kaliumit. Ky mineral mban nën kontroll lëngjet, ekuilibrat e elektroliteve dhe pehashin.

Puna e veshkave varet fort nga ekuilibri i kaliumit dhe sodiumit. Nëse ky ekuilibër anon më shumë nga njëra anë atëherë kthehet në problem për veshkat.

Nëse nuk keni probleme me veshkat, atëherë mund të hani avokado pa asnjë problem.

Kafeina

Konsumi afatgjatë i kafeinës mund të përkeqësojë sëmundjet kronike të veshkave. Për më tepër, një gjë e tillë rrit rrezikun e formimit të gurëve në veshka.

Kafeina ndikon direkt tek aftësia e veshkave për të përthithur lëngje. Konsumi i arsyeshëm i kafeinës nuk është i rrezikshëm por nëse e teproni me të, veshkat do të vuajnë.

Produktet e Bulmetit

Qumështi, djathi dhe kosi janë të pasura me kalçium dhe rrisin nivelin e tij në urinë. Një gjë e tillë automatikisht rrit rrezikun e formimit të gurëve në veshka.

Njerëzit që vuajnë nga veshkat duhet të pakësojnë konsumin e këtyre produkteve. Këto të fundit janë faktor rreziku për sëmundjet e veshkave.

Kripa

Kripa e tepërt në organizëm i detyron veshkat të depozitojnë më shumë ujë që të tresin kripën. Kjo është një barrë e panevojshme për veshkat.

Konsumi afatgjatë i sasive të mëdha të kripës rrit tensionin e gjakut dhe dëmton aftësitë filtruese të veshkave.

Mishi

Metabolizimi i proteinave që ofron mishi është një nga punët më të vështira për veshkat.

Për pasojë, konsumi afatgjatë i proteinave shtazore rrit rrezikun e formimit të gurëve në veshka. Njerëzit që vuajnë nga veshkat nuk duhet të konsumojnë shumë proteina shtazore.

“5 vite nga tërmeti ende nuk ka filluar ndërtimi i gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës”, Joni Myshketa: Nxënësit e shkollës pa zgjidhje. Fondi dhe projekti janë miratuar

Kreu i degës së PD-Demokratët Euroatlantikë Durrës, Joni Myshketa, shprehet se 5 vite pas tërmetit të 2019, gjimnazi “Gjergj Kastrioti” në këtë qytet ende nuk ka nisur.

Në një postim në facebook, Myshketa thotë se nxënësit e kësaj shkolle enden nëpër shkolla të tjera pa pasur zgjidhje për situatën.

Ai më tej thotë se punimet janë ndërprerë për shkak të gjetjeve arkeologjike në themelet e shkollës, e vetmja pengesë është gjetja e një vendi tjetër për ndërtimin e saj pasi projekti dhe fondet janë të miratuara.

Reagimi i plotë i Joni Myshketa:

Te nderuar miq!

Foto eshte pjese nga gjetjet arkeologjike ne sheshin ku nisen germimet per rindertimin e shkolles se mesme te pergjithshme “Gjergj Kastriotit”, ose thjesht Gjergjit sic I kane thene prej vitesh mijera gjimnazist durrsak.

Po futemi ne vitin e 6 post termetit te 2019-tes nje plage e hapur per qytetin dhe qytetaret qe vazhdojne ende sot e kesaj dite te vuajne pasojat e asaj fatkeqesie kjo edhe si rrjedhoje e keqmenaxhimit, papergjegshmerise dhe korrupsionit qe ka kapluar dhe ulur kembekryq ne cdo institucion cka tregon qartazi frymen kolektive te kesaj qeverie “rilindase”.

Nje nga gjimnazet me te rendesisheshm te qytetit ka 6 vite qe nuk funksionon. Gjimnazistet marrin dijet e tyre ne shkollat 9 Vjecare te cilat nuk I permbushin kushtet akademike/sportive/laboratoret etj, nje mesim I cunguar nga kushtet oraret jo te plota, neser do te na kthehet ne bumerang e gjithe kjo pasi po ndikojme negativisht ne rritjen dhe arsiminin e qytetarve te rinj!

Dhe pas 6 vitesh nxenesit e Gjergjit enden si hebrenjte ne shkretetire pa pasur nje zgjidhje reale se cfare do ndodhe me ta.

Per hir te vertetes mozaiku I gjetur ne ate terren dhe perreth tij perben nje zbulim teper te rendesishem sipas arkeologeve dhe na verteton dhe nje here thesarin e cmuar te nentokes se Durresit e cila duhet nxjerre ne pah pasi tregon qarte madheshtine e tij nder shekuj dhe eshte nje pike e forte e jona, nje avantazh per tu krenuar e per tu ruajtur e reklamuar duke e bere te aksesueshem per turistet vendas e te huaj e kesisoj nje vlere e shtuar per te gjithe qytetaret durrsak e jo vetem.

Punimet per rindertimin e shkolles jane nderprere per arsyet me siper dhe eshte akorduar nga bashkia nje fond prej afro 13.000.000 lekesh per zbulimin e ketij sitit arkeologjik.

Deri ketu shume mire dhe uroj dhe mbeshtes nismen qe pasuri te tilla te pacmuara te dalin ne siperfaqe duke u ruajtur e mirembajtur e jo duke riperseritur ngjarjet e shkuara ku qellimisht I kemi shkaterruar e mbuluar me beton si rasti I Velieres se “famshme”, asaj grope thithese te parave tona, nen kurriz te historise dhe ne ngritje te nje objekti krejt pa vlere.
Gjetja, ruajtja dhe mirembajtja e nentokes se Durresit eshte nje detyrim I bashkise dhe ministrise perkatese.

Rasti ne fjale pra zbulimi arkeologjik ndodhi rishtaz dhe i bej thirrje Bashkise qe te marre te gjitha masat e nevojshme per ti dhene nje zgjidhje sa me te shpejte e te pershtatshme pasi nuk mundet te pritet edhe 6 vite te tjera me kete situate.

Te gjendet nje vend I pershtatshem se ku do te ndertohet shkolla, pasi projekti eshte gati gjithashtu dhe fondet pa humbur as edhe nje dite me teper.

Viti i ri akademik po troket dhe mijera nxenes presin te ulen ne bankat e shkolles, ne shtepite e dijes, ne vatrat qe furnizojne nje popull me dije, kulture dhe burimet njerezore per te ardhmen, pra institucionit me te rendesishem te nje shteti.

Adoleshenti përplasi për vdekje me motor të moshuarën, zbardhet ngjarja! Djali i viktimës nuk kallëzoi aksidentin, nën hetim dy infermierë

Policia ka zbardhur ngjarjen e 28 gushtit në Ostren të Bulqizës, ku një 16-vjeçar përplasi për vdekje me motor një grua të moshuar.

policia-5-1

Mësohet se pas aksidentit, 16-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes, por më pas u ndalua nga policia për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Hetim është nisur ndaj djalit të viktimës, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi ka patur dijeni se nëna e tij është aksidentuar dhe nuk e ka kallëzuar.

Gjithashtu janë proceduar penbalisht dhe dy infermierë pranë Qendrës Shëndetësore Ostren, të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë raportuar për dëmtimet e konstatuara në trupin e 82-vjeçares.

Njoftimi:

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen djeshme, në rrugën e fshatit Ostren, ku u aksidentua një 82-vjeçare, ngjarje e cila u raportua fillimisht si rrëzim aksidental.

Ndalohet 16-vjeçari, i cili nga hetimet rezultoi se ka aksidentuar 82-vjeçaren, me motomjet dhe më pas u largua nga vendi i aksidentit.

Nis procedimi penal për djalin e 82-vjeçares për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe për 2 infermierë të Qendrës Shëndetësore të njësisë Administrative Ostren, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Me datë 28.08.2024, rreth orës 23.40, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, kanë marrë informacion se në fshatin Ostren , aksidentalisht ishte rrëzuar në rrugë shtetasja S.M., 82 vjeçe, dhe si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Bulqizës, menjëherë është ngritur grupi hetimor për verifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

Pas hetimeve të thelluara, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë dhe grumbullimi i të gjitha provave materiale, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje, ku rezultoi se 82-vjeçarja, rreth orës 20.00, të datës 28.08.2024, ishte aksidentuar nga një motomjet që drejtohej nga shtetasi L.M., 16-vjeç, i cili pas ngjarjes ishte larguar nga vendi i aksidentit.

Në vijim të veprimeve, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit L.M., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Po në vijim të hetimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit :

M., 56 vjeç, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi ka patur dijeni se nëna e tij është aksidentuar dhe nuk e ka kallëzuar.

I.K., 56 vjeç dhe H.K., 62 vjeçe, me profesion infermierë pranë Qendrës Shëndetësore të njësisë Administrative Ostren, të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë raportuar për dëmtimet e konstatuara në trupin e 82-vjeçares.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Teknologjia e degraduar- rrënim i opozitarimit!

Nga Azgan Haklaj

Nuk ka asgjë më rutinë, besdisje deri në neveritje ndoshta dhe për idhtarët e mbetur sesa retorika e veprimet sistematike “opozitare” të dyshes së shpërfytyruar e tashmë botërisht të dizenjuar si të korruptuar Berisha-Meta.
Njëri nga tavani i pallatit e tjetri nga tavanet e kodrave prej kohësh me fjalor të vrazhdë e jashtë mode ulurijnë përditë me strategjinë e njëjtë të mashtrimit e karikimit të atyre pak ndjekësve që u shkojnë pas.
Edhe larmia e rrjeteve sociale dhe e teknologjisë dixhitale ju është kthyer në boumerang total.
Nga ana tjetër Edi Rama përballë kësaj opozite të inskenuar me regjinë e tij vijon me intensitet të çmendur të shënojë rekorde korrupsioni e zhvatje pa u shqetësuar aspak.
Vjedhje në dogana e tatime, vjedhje në rrugë, aeroporte, hekurudha, kontrabandë e ndarje të paurisë publike me oligarkët.
Kjo është tabloja e qeverisjes.
10-të minuta javore protestë përballë Erion Velisë jo vetëm që nuk përfaqësojnë vokacion serioz opozitar por nuk janë gjë tjetër veçse kohë për faktorizimin e proklamimin e 2-3 zarëve të Ilir Metes:Balliu-Këlliçi e Blushi!
E jo vetëm kaq por me të “riatdhesuarit” parlamentarë të tipit Bardhi-Gjekmarkaj & co. pritet që Edi Rama këtë fund mandati parlamentar të aprovojë me koncensus ligje korruptive të zhvatjes së metejme të ekonomisë nacionale.
Kryeoratorët e “opozitës” në ngujim e hetim kombëtar e ndërkombëtar Berisha-Meta nuk kanë më kauza reale dhe as aksione politike por veçse fyrje e vrerë për prokurorë
të SPAK- ut e gjyqtarë të GJKKO- së.
Harruan “revolucionin” e qeverinë e përkohëshme, harruan Ballukun dosën e korrupsionit që përditë vjedh haptas në ç’do veprim prukurues publik me miliarda lekë.
Qytetari dixhital i Sali Berishës është kthyer në shurdh memec per revoltën e qytetarëve të Krujës e Fushë- Krujës që privohen çmendurisht me anashkalim të rrugës nacionale nga koncesionari i Ballukut.
E kjo jo për harresë por për hipokrizi, pasi nga ballkoni i kullës së tij pisket Berisha e në lartësitë e kullës tjetër ka zyrat e tij.
Se këta edhe oligarkët i kanë në bashkëpronësi si aksionet në një kompani.
Të vetmin rivalitet të shqipëruar me Edi Ramën kanë faktin se cili është më pak hajdut e më pak i korruptuar.
As ide novative bashkëkohore opozitare, as kauza reale nuk gjen në këtë moçal që po punon ta moçalizojë e gangrenizojë të gjithë spektrin opozitar.
Edhe futja në lojë e çerrave të tipit Alibej- Kullur, thupraxhi nuk paraqet asnjë risi substaciale përveç kopjimit të strategjisë puniste-ramiziste të viteve ’90-të të krijimit të formacioneve politike të kontrolluara.
Ky spektër i rëndë që po atrofizon përditë shpresën e ndryshimit tashmë kërkon një përgjigje të vërtetë e konsistente opozitare.
Duhet përballje “en bloc” me të gjithë establishmentin e vjetër.
Nuk ka më shpresë se mund të ketë korrigjim mes tyre.
Ata janë në unitet të hapur diktuar nga frika e ndëshkimit ndaj kanë hedhur në skenë para korrupsioni, media të blera, individë karrieristë e analistë servilë e të sponsorizuar pse jo dhe miq sporadikë ndërkombëtarë të investuar.
E vetmja fuqi përballje është Harku Euroatlantik.
Kjo përballje duhet të njohë aksionin e saj më të madh duke thirrur masivisht jo vetëm konservatorët por gjithë shqiptarët që po shohin vendin e tyre, shpresat e ekonominë e tyre në prag të rrënimit.
Nuk ka njeri në këtë vend sot që mendon akoma se era e ndryshimit mund të vijë nga uluritjet e njëjta të Berishës nën çati apo nga 5 prioritetet qesharake të Ilir Metës që i var si menu restorantesh në plazhet e Jalës apo kodrat e Bubçit.
Harku Euro-Atlantik është realitet i materializuar, me program të qartë, të strukturuar dhe të adaptuar me potencialet ekonomike kombëtare.
Ai zotëron në ç’do skaj të vendit struktura aktive, të qëndrueshme e të vendosura për të finalizuar betejën tonë poltike.
Shqiptarët sot janë të velur nga mashtrimi, gjuha e forcës së rreme verbale, sharjet e fyerjet, kafshimet e puthjet hipokrite të
trekëndëshit brinjëthyer politik që po mban peng Shqipërinë, degradon pluralizmin dhe burgos demokracinë.
Ata duan alternativë reale të mbështetur në
ekspertizë euroatlantike dhe ky është edhe misioni emergjent historik i Harkut Opozitar Euro Atlantik.
Në kohë krizash e dhimbjesh të mëdha kërkohen misionarë.
E nuk ka mision më të shenjtë sot që ti prish aksionit të përparimi e lirisë kur po ato janë në prag të agonisë nga “luftëtarët” e rremë
të opozitarizmit dhe drejtuesit e autokracisë.

OSBE djeg Hasanin/ Si gënjeu ministri i Jashtëm për kandidaturën e sekretarit

Shqipëria kandidoi për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së ministrin e Jashtëm, Igli Hasanin. Ky fakt iu bë i njohur opinionit publik vetëm ditën e hënë nga kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të përvitshëm me trupën e ambasadorëve.

Duke i paraprirë rezultatit, që ai e di shumë mirë, Edi Rama si një manipulator i regjur i opinionit publik foli për një shumicë shtetesh në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë. Por djalli qëndron gjithmonë në detaje.

Burime diplomatike i thanë Kapitalit se në një mbledhje që ambasadorët e OSBE kanë zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Vjenë, kandidatura e Igli Hasanit është hedhur poshtë nga disa vende anëtare me peshë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Këto vende kanë kërkuar të gjendet një kandidaturë tjetër për këtë pozicion.

Por në dallim nga kryeministri, në një komunikim me mediat, ministri Hasani i pyetur mbi këtë çështje i cilësoi negociatat si shumë delikate.
“është një negociatë që nuk përfundon me votim, por me konsensus të plotë. Kështu që më lejoni të mos u ushgtroj më presion kolegëve të mi që janë duke negociuar dhe shpresoj që rezultati të jetë sa më i mirë për organizatën, jo për individin,” tha Hasani.

Për ta kuptuar një herë e mirë, OSBE-ja i zgjedh drejtuesit e katër institucioneve të saj me konsensus. Pra për një kandidaturë të paraqitur nuk duhet të ketë kundërshti nga asnjë shtet pasi është çështje balancash politike, gjeografike dhe gjinore.

Përkundër propagandës bajate të pushtetit, që kërkon ti paraqitet shqiptarëve si qendra e botës, Kapitali ka mësuar se kundërshti për kandidaturën shqiptare janë paraqitur zyrtarisht nga disa shtete, çka do të thotë se kandidatura e Igli Hasanit për sekretar të Përgjithshëm të OSBE është djegur përfundimisht dhe bashkë me të edhe deliri i shefit të tij, Edi Rama, i cili nuk rresht su përsërituri shqiptarëve se sa e rëndësishmë është bërë sot Shqipëria në arenën ndërkombëtare.

Në fakt edhe vet Igli Hasani e pohon që negociatat duhet të përfundojnë me sukses. Por ajo që fsheh ministri i Jashtëm para shqiptarëve është fakti se kandidatura e tij tashmë është djegur pasi është kundërshtuar zyrtarisht nga disa shtete me peshë në organizatë.

Nuk ka asgjë të keqe të pranosh të vërtetën dhe tu thuash shqiptarëve që ne u përpoqëm, shpenzuam para për lobim dhe funksionin shtetëror, por nuk ja dolëm dot. E vërteta nderon më shumë se mashtrimi i opinionit publik përmes sofizmave.

Për më tepër, këto të fundit nuk e shpëtojnë dot më as kandidaturën e Hasanit dhe as delirin e Ramës, që u tregon shqiptarëve përralla me Shqipërinë si lojtar i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare./ Kapitali.al

Refleksione mbi turizmin

NGA ERGYS MËRTIRI

Ndonëse kryeministri e mohon me forcë, rënien e turizmit gjatë këtij viti e pohojnë masivisht shumica e operatorëve turistikë. Pyetja që do të duhej shtruar është: A ka lidhje kjo me qeverinë? Ndonëse në pamje të parë nuk ka, pasi çmimet, të cilat duket se janë arsyeja kryesore e rënies, janë një e drejtë e bizneseve, në një mënyrë më të tërthortë qeveria ka patjetër pjesën e saj të fajit, e cila lidhet me atë aspekt që ka të bëjë me klimën e biznesit si dhe kulturën e shërbimit, që ka të bëjë shumë me zbatueshmërinë e ligjit.

Shërbimet, mikpritja dhe çmimet, lidhen ndjeshëm me llojin e njerëzve që shërbejnë: A janë ata shërbyes të mirë? Në një vend ku prona dhe mjediset ku ofrohet shërbimi grabiten me forcë, përvetësohen nëpërmjet korrupsionit, apo rrëmbehen nëpërmjet abuzimesh nga pazarxhinj e matrapazë të lloj-llojshëm, sigurisht që cilësia dhe kultura e shërbimit do të lenë për të dëshiruar.

Kur t’i shikon që në plazhe nuk ka hapësira të lira publike për të vënë një çadër, kur edhe në hapësirat e “privatizuara”, “mafia e shezlonit” ka ndaluar termusin, apo kur shikon që pronarët përzënë turistë pse lahen pa lekë në detin e “privatizuar” prej tyre, këtu kupton se plazhi është uzurpuar nga banditë injorantë, që nuk dinë të sillen si njerëz dhe që hapësirën publike ku presupozohet se duhet të shërbejnë e konceptojnë si feud personal në të cilin ata ushtrojnë pushtetin e pronarit, të vetëledhatuar në sedrën e pabuksit që fillon të ndjehet pronar. Më qëlloi këtë verë, të përballesha me një skenë të tillë në një prej gjireve të vegjël më të bukur të jugut. Një lokal që kish pushtuar të gjithë gjirin duke ngulur në çdo pëllëmbë çadra me shezlone nuk linte asnjë hapësirë për pushues jashtë biznesit të tij.

Në një rast, punonjësi i çadrave iu afrua dy vajzave të huaja që po qëndronin në breg pa shezlon dhe iu kërkoi të largohen pasi ky ishte plazh privat dhe askush nuk lejohet të qëndrojë pa marrë çadër. Nuk ndenja dot pa u përfshirë, duke i thënë djalit se plazhi është publik, se deti nuk mund të privatizohet, se në çdo plazh duhet të ketë hapësirë të lirë për ata që nuk duan shezlone dhe se ai nuk kishte asnjë të drejtë të përzënë njeri nga bregu.

Pasi nuk ma doli dot me llafe, e pasi më pohoi se ai ishte vetëm një punëtor, u largua për t’u rikthyer me përforcime, por ndërkohë vajzat ishin larguar, sigurisht për të shmangur çdo të papritur të pakëndshme feud personal në të cilin ata ushtrojnë pushtetin e pronarit, të vetëledhatuar në sedrën e pabuksit që fillon të ndjehet pronar. Më qëlloi këtë verë, të përballesha me një skenë të tillë në një prej gjireve të vegjël më të bukur të jugut. Një lokal që kish pushtuar të gjithë gjirin duke ngulur në çdo pëllëmbë çadra me shezlone nuk linte asnjë hapësirë për pushues jashtë biznesit të tij.

Në një rast, punonjësi i çadrave iu afrua dy vajzave të huaja që po qëndronin në breg pa shezlon dhe iu kërkoi të largohen pasi ky ishte plazh privat dhe askush nuk lejohet të qëndrojë pa marrë çadër. Nuk ndenja dot pa u përfshirë, duke i thënë djalit se plazhi është publik, se deti nuk mund të privatizohet, se në çdo plazh duhet të ketë hapësirë të lirë për ata që nuk duan shezlone dhe se ai nuk kishte asnjë të drejtë të përzënë njeri nga bregu. Pasi nuk ma doli dot me llafe, e pasi më pohoi se ai ishte vetëm një punëtor, u largua për t’u rikthyer me përforcime, por ndërkohë vajzat ishin larguar, sigurisht për të shmangur çdo të papritur të pakëndshme “rebelimi” i dy vajzave që e shijonin qyl detin e tij.

Ajo që mund ta zgjidhte fare mirë enigmën e këtij mjedisi turistik idiot është pyetja sesi ky biznes ka mundur ta fitojë atë copë bregu. Këtu natyrisht do futeshim tek lejet e ushtrimit të aktivitetit, marrja e truallit në përdorim, kontrollet, eliminimi i konkurrencës etj., të cilat janë stade të seleksionimit natyror që lejojnë të mbijetojnë vetëm speciet me nivel të lartë agresiviteti korruptiv, në mos kriminal. Nëse, qoftë edhe një hallkë e këtij shteti në të gjithë procesin e rrëmbimit të bregdetit apo ushtrimit të aktivitetit do të mund të funksiononte, ky feudal turistik nuk do të mund të sillej dot kështu.

Gjithsesi, turizmi ka nevojë që shteti të ndërhyjë urgjentisht, pikë së pari për të humanizuar hapësirën turistike. Ai duhet të tregojë dhëmbët, së pari ndaj shezlonit, duke u sjellë ashpër me këdo që përzë turistët, që ndalon termusin apo që pushton hapësirat për plazh publik.

Shteti duhet të vihet në krah të turistit, nëse dëshiron që ta ruajë apo zhvillojë turizmin. Por ai nuk e bën këtë, sepse është në ortakëri me kafshët grabitqare që shërbejnë në këtë sektor. Kjo është e kuptueshme, pasi është pikërisht ky shtet që ua ka ofruar atyre mundësitë për të sunduar. Në këto kushte, sigurisht që turizmi do të dojë edhe ca të zhvillohet plotësisht, të paktën aq sa shteti të bëhet shtet e këta të bëhen njerëz.

Përse Rusia po has në vështirësi për të zbrapsur sulmin e Ukrainës në Kursk?

Pas tre javë luftimesh, Rusia po has ende në vështirësi për të zbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut, një reagim befasisht i ngadaltë dhe modest ndaj pushtimit të parë të territorit të saj që nga Lufta e Dytë Botërore.

E tëra ka të bëjë me numrin e ushtarëve rusë dhe përparësitë e Rusisë.

Me shumicën e forcave të saj të angazhuara në ofensiva në brendësi të Ukrainës, Kremlinit duket se i mungojnë rezervistët për të zbrapsur forcat e Kievit.

Presidenti Vladimir Putin duket se nuk e konsideron sulmin – ose të paktën nuk po e jep përshtypjen që e konsideron atë si kërcënim mjaft serioz, që të meritojë tërheqjen e forcave ruse nga rajoni i Donbasit, në pjesën lindore të Ukrainës, që është edhe objektivi i tij kryesor.

“Përqëndrimi kryesor i Putinit është shkatërrimi i shtetit ukrainas, çka automatikisht, e bën të parëndësishëm kontrollin e territorit të humbur”, shkruan analistja Tatiana Stanovaya nga Qendra ‘Carnegie’ për Rusinë dhe Euroazinë.

Përparësitë e Presidentit Putin

Në muajt e parë pas sulmit ndaj Ukrainës në fillim të vitit 2022, Presidenti rus Putin aneksoi në mënyrë të paligjshme rajonet ukrainase të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Khersonit dhe marrja e tyre e plotë është përparësia e tij kryesore. Në muajin qershor ai deklaroi se si kusht për bisedime paqësore, Kievi duhet të tërhiqte të gjitha forcat nga pjesët e këtyre rajoneve, një kërkesë që Ukraina e kundërshton.

“Rusia po bën çmos që të mos i tërheqë forcat nga ofensiva e saj në Donbas”, thotë analisti Nigel Gould-Davis nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike. “Aktualisht Rusia gjykon se mund ta ketë nën kontroll kërcënimin që i vjen territorit e saj, pa rrezikuar qëllimin më të rëndësishëm në Ukrainë.”

Ndërkohë që forcat ukrainase u futën në rajonin e Kurskut më 6 gusht, trupat ruse vazhduan të avancojnë drejt qytetit strategjik Pokrovsk dhe pjesëve të tjera në rajonin e Donetskut.

Për dallim nga Pokrovsku, ku forcat ukrainase kanë ndërtuar pozicione të shumta mbrojtjeje, pjesët tjera të Donetskut, që janë ende nën kontrollin e Ukrainës, janë më pak të mbrojtura dhe mund të jenë shumë më të brishta ndaj sulmeve ruse, nëse ky qytet bie nën kontrollin rus.

Duke folur për Kurskun në një takim me zyrtarët, të transmetuar në media, zoti Putin e cilësoi sulmin si një përpjekje të Kievit për të ngadalësuar fushatën ruse në Donetsk, ku sipas tij, avancimi rus është përshpejtuar pavarësisht zhvillimeve në Kursk.

Injorimi i sulmit

Presidenti Putin i ka kushtuar pak rëndësi operacionit të Kievit në Kursk.

“Në vend që të mobilizojë popullin kundër një kërcënimi ndaj vendlindjes, Kremlini po i kushton rëndësi të veçantë injorimit të sulmit”, thotë analisti Gould-Davies.

Përballë realitetit të pushtimit të territorit rus, makineria shtetërore e propagandës po përpiqet të largojë vëmendjen nga dështimi i qartë ushtarak duke u përqëndruar në përpjekjet e qeverisë për t’u ndihmuar 130,000 banorëve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Mediat shtetërore e portretizojnë sulmin në Kursk si dëshmi të qëllimeve agresive të Kievit dhe si provë shtesë, se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, që filloi në shkurt të vitit 2022, është i justifikuar.

Analistja Stanovaya thekson se megjithëse shumë nga banorët e Kurskut mund të jenë të zemëruar me Kremlinin, ndjenjat e përgjithshme në vend mund të jenë në favor autoriteteve.

“Edhe pse është gjithsesi një goditje ndaj reputacionit të Kremlinit, nuk ka gjasa që të nxisë ndonjë rritje të pakënaqësisë shoqërore ose politike tek populli”, shkruan ajo. “Sulmi ukrainas ka më shumë mundësi të mobilizojë banorët në përkrahje të flamurit dhe të ndikojë në rritjen e ndjenjave anti-ukrainase dhe anti-perëndimore.”

Përgjigja e kufizuar e Kremlinit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se qëllimi i operacionit në rajonin e Kurskut është të krijojë një zonë neutrale për të penguar sulmet ruse. Komandanti i tij ushtarak, Gjenerali Oleksandr Syrskyi, thotë se forcat e Kievit kontrollojnë rreth 1,300 kilometra katrorë dhe rreth 100 vendbanime në rajon, pretendim ky që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Me një fleksibilitet luftarak në Kursk, ndryshe prej vijave të frontit në Donetsk, njësitë ukrainase mund të qarkullojnë nëpër rajon pa vendosur prani afatgjate në shumë prej vendbanimeve që thonë se i kanë nën kontroll.

Vëzhguesit thonë se Rusia nuk ka burime të mjaftueshme të për t’i larguar forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut.

“Përpjekjet e Moskës për t’iu kundërvënë ofensivës së re ukrainase duken të kufizuara sa i përket dërgimit të njësive nga rajone të tjera të Rusisë, përfshirë një pjesë të njësive të parregullta”, sipas analistit Ben Berry nga Instituti Ndërkombëtar për Studime të Sigurisë, i specializuar për betejat tokësore.

Deri tek operacioni në Kursk, zoti Putin i ka rezistuar përdorimit të rekrutëve në luftë, për të shmangur një reagimi të ashpër të publikut. Rekrutët e rinj, si pjesë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak një vjeçar, kanë shërbyer larg frontit të luftës dhe ata që janë dërguar për të mbrojtur kufirin në rajonin e Kurskut u bën objektiv i lehtë për njësitë me përvojë lufte të këmbësorisë ukrainase. Qindra prej tyre u kapën dhe 115 u shkëmbyen me trupat ukrainase gjatë fundjavës.

Analistët thonë se zoti Putin po ashtu po heziton të bëjë thirrje për shtimin e numrit të rezervistëve, për shkak të frikës nga destabilizimi i brendshëm, siç ndodhi kur kërkoi mobilizimin e 300,000 rezervistëve si kundërpërgjigje ndaj kundër-ofensivës ruse në vitin 2022. Qindra mijëra njerëz u larguan nga Rusia për t’i shpëtuar rekrutimit.

Që atëherë, Kremlini i ka përforcuar forcat e veta në Ukrainë me vullnetarë, të cilët joshen nga paga relativisht të larta, por numri i tyre gjatë muajve të fundit është zvogëluar.

Do të duhen dhjetëra mijëra trupa për të zbrapsur plotësisht forcat ukrainase, rreth 10 mijë syresh, që po përdorin pyjet e dendura në këtë rajon për t’u fshehur.

Meqë është e qartë që nuk ka burime për një operacion të tillë të gjerë, Rusia tani është përqëndruar në parandalimin e avancimit të forcave ukrainase duke bllokuar rrugët dhe duke vënë në shënjestër rezervat e Kievit – taktika këto që kanë dhënë pjesërisht rezultate.

Ukraina, ndërkohë, e ka vënë në vështirësi ushtrinë ruse duke shkatërruar urat përgjatë lumit Sejm, duke penguar kështu aspektet logjistike të disa njësive ruse në rajon dhe duke krijuar kushtet për të vënë një pjesë të territorit nën kontroll.

Analisti Nico Lange nga Qendra Evropiane për Analiza të Politikave me seli në Uashington, parashikon se trupat ukrainase mund ta përdorin lumin për krijimin e një zone neutrale.

Rreziqet për Ukrainën

Duke marrë nën kontroll një pjesë të territorit rus, Ukraina e ka turpëruar Kremlinin dhe ka krijuar një realitet të ri në fushëbetejë. Por dërgimi i disa prej njësive më me përvojë nga pjesa lindore e territorit të saj në këtë pjesë të Rusisë, është me rrezik për Kievin.

Përpjekja për të mbajtur një prani në Kursk do të zgjeronte edhe më shumë vijën 1,000 kilometërshe të frontit, duke shtuar sfidat për forcat ukrainase, të cilat janë të mangta numerikisht dhe kanë mungesë armësh. Mbrojtja e pozicioneve brenda territorit të Rusisë do të krijonte probleme serioze logjistike, duke i shndërruar linjat e gjata të furnizimit në objektiva të lehta për t’u goditur.

“Sistemi rus është hierarkik dhe i ngurtë, prandaj i duhet shumë kohë për t’iu përshtatur situatës së re,” thotë analisti Lange. “Por duhet të presim për të parë se si Ukraina do të veprojë kur Rusia të përshtatet me këtë situatë dhe të reagojë me tërë fuqinë e saj.” /VOA

VIDEO/ Muçi dhe Rashica protagonistë, Beshiktashi triumfon me “manita” dhe fluturon në grupet e Ligës së Europës

Beshiktashi triumfoi mbrëmjen e sotme me rezultatin 5-1 në duelin e kthimit ndaj Luganos, duke siguruar kualifikimin në grupet e Ligës së Europës. Protagonistë në këtë përballje u shndërruar edhe Milot Rashica dhe Ernest Muçi.

Rashica u aktivizua titullar, teksa në minutën e 70-të, asistoi për golin e tretë të shënuar nga Rafa Silva. Ndërsa Muçi e nisi sfidën nga stoli duke u aktivizuar në minutën e 66-të.

Talenti shqiptar mundi të linte gjurmë në këtë duel, teksa në minutën e 92-të, “flirtoi” me golin, teksa gjuajtja e tij në hyrje të zonës, u ndal nga portieri kundërshtar dhe u shndërrua në asist për Uçan i cili vulosi shifrat në 5-1.

ASISTI I MUÇIT: VIDEO

Nga depresioni te anemia, problemet shëndetësore që shkakton mungesa e vitaminës B12

Suplementët e vitaminës B12 përdoren kryesisht kundër stresit dhe për rritjen e nivelit të energjisë në organizëm.

Kjo vitaminë ka aftësinë të përmirësojë performancën dhe funksionet mendore. Mungesa e saj nga ana tjetër shkakton shumë komplikacione, disa prej të cilave i gjeni më poshtë në këtë artikull.

Funksionet e trurit

Mungesa e vitaminës B12 tek të moshuarit është faktor nxitës për sklerozën dhe degjenerimin e funksioneve të trurit.

Këtu përfshihet edhe skleroza e shumëfishtë dhe sëmundja e Parkinsonit.

Depresion

Nivelet e ulëta të kësaj vitamine shkaktojnë luhatje humori, depresion dhe ankth. Marrja e suplementëve e rimëkëmb gjendjen e brendshme të njeriut në vetëm një javë.

Ishemia dhe sëmundjet kardiovaskulare

Mungesa e kësaj vitamine ka lidhje të fortë me shfaqjen e ishemisë. Në mungesë të vitaminës B12, nivelet e homocisteinës në gjak janë shumë të larta.

Një gjë e tillë rrit rrezikun e ateroskleroës dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare.

Anemia

Kur nivelet e vitaminës B12 janë të ulëta, organizmi e ka të vështirë të prodhojë rruaza të kuqe. Kësisoj, organizmi është më i predispozuar të preket nga anemia.

Ushqimet më të pasura me vitaminë b12

Kjo vitaminë e rëndësishme gjendet në ushqime të ndryshme siç janë: peshku, mishi, shpendët, vevzët, qumështi dhe nënproduktet e tij.

Vitamina B12 nuk gjendet tek ushqimet bimore por drithërat që konsumohen me qumësht në mëngjes janë të pasuruara me këtë vitaminë.

Sardelet në veçanti janë të pasura me vitaminën B12. Një sasi prej 150 gramë sardele përmban 200% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës B12.

Trofta është një shembull tjetër i një burimi të shkëlqyer të vitaminës B12. Një sasi prej 100 gramë troftë ofron 125% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës B12.

Nga ana tjetër, një sasi prej 200 gramë salmon të pjekur ofron 80% të dozës së rekomanduar ditore të kësaj vitamine të rëndësishme./AgroWeb.org