37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Takimi me shefin e CIA-s, Kurti: Vizitë historike! Mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns.

 

Sipas njoftimit zyrtar nga Qeveria e Kosovës, kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Raportohet se Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes” thuhet më tej në njoftim. .

Vendet evropiane me internetin më të shpejtë dhe më të ngadaltë, ja ku qëndron Shqipëria

Sondazhi i bërë nga faqja britanike Cable ka trajtuar pikërisht këtë temë dhe rezultatet janë publikuar nga portali “ Landgeist ”.

 

Kur bëhet fjalë për vendet e Gadishullit Ballkanik, me shpejtësi lidhjeje interneti prej 97.9 Mbps, Maqedonia është në vendin e parë.

Maqedonia është përpara Sllovenisë (97 Mbps), Serbisë (60.5 Mbps), Greqisë (53.9 Mbps), Malit të Zi (49.5 Mbps), Bosnje dhe Hercegovinës (44 Mbps) dhe Bullgarisë (40 Mbps).

Interneti më i shpejtë në Evropë është në ishullin Jersey (264 Mbps), i cili ndodhet midis Britanisë së Madhe dhe Francës, në Lihtenshtajn (246.8 Mbps) dhe në Islandë (229.4 Mbps).

Në Francë shpejtësia e internetit është 152.5 Mbps, në Holandë 142.5 Mbps, në Spanjë 133.3 Mbps dhe në Gjermani 81.7 Mbps.

Interneti më i ngadalshëm në Evropë është në Kroaci 25.7 Mbps, Shqipëri 25.4 Mbps dhe Turqi 24.8 Mbps.

Të dhënat bazohen në një analizë të më shumë se 1.5 miliardë testeve të shpejtësisë së brezit të gjerë në 229 vende gjatë 12 muajve që përfundojnë më 30 qershor të këtij viti.

Dita e kujtesës evropiane që dënon krimet e stalinizimit/ Agim Baçi: S’duhet të përsërisim gabimet e së shkuarës, shoqëria të ketë aftësinë të ndajë të mirën nga e keqja

23 gushti është dita e kujtesës europiane që dënon krimet e stalinizmit, rreth kësaj teme i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’, në News 24, analisti Agim Baçi.

Sipas Baçit ne si shoqëri na duhet ende punë por që duhen edhe ligje për të rregulluar atë raportin për të cilin i duhet shoqërisë, pra të jemi të aftë të ndajmë të mirën nga e keqja por edhe pasojat.

Baçi thotë se jemi ndër të paktët vende që nuk kemi të penduar, teksa kemi ende një shoqëri që nuk e tregon të vërtetën kjo bën që të ketë më shumë mundësi për të gabuar.

Baçi:

‘‘Ajo që duhet të na trishtojë është që ne jemi ndër të vetmit vende që nuk kemi të penduar dhe të falur dhe në vend që të ishim një shoqëri që atyre që kanë kryer një vepër penale të kishim mundësin ti linim të faleshin dhe të rrëfenin sepse u hodh parulla bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës.

Kjo ndodhi për shkak se u bë me ligj se nuk mund të flisje me krenari për një sistem apo për të shkuarën, një shoqëri që nuk ka aftësinë të ndajë të mirën nga e keqja ka shumë mundësi të gabojë.

Sipas psikologëve e studiuesve ende kemi raste që shoqëria nuk arrin ta ndajë këtët çështje sepse njeriu e ka të pamundur ta besojë se çfarë është i aftë të bëjë njeriu, pra çfarë krimi”, u shpreh Baçi.

Kosova e kërkon për trafikim njerëzish/ Kush është pronari i klubeve të striptizmit që u arrestua dje në Durrës

Ditën e djeshme u arrestua nga policia shqiptare, Dodë Rica i cili është pronari i rrjetit të lokaleve strip “Club Shqiponja”.

47-vjeçari Rica u arrestua nga policia në Durrës, pasi siç thuhet zyrtarisht, drejtësia në Kosovë e akuzon për trafikim të personave. Ndaj tij Gjykata e Prishtinës ka caktuar masë “arrest me burg” në mungesë.

Nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore të shkëmbyera mes Interpol Tiranës dhe agjencive në Kosovë, forcat e posaçme operacionale të Durrësit e lokalizuan të shpallurin në kërkim ndërkombëtar, në lagjen numër 13 të qytetit bregdetar.

“Në kuadër të megaoperacionit ‘Sundimi i ligjit’, si dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni kundër Trafiqeve, Durrës, kapën në lagjen nr.13 dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Dodë Ric, 47 vjeç, i lindur në Mirditë”, njoftoi Policia e Durrësit më 22 gusht.

Pronar i lokaleve të natës “Club Shqiponja” në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë prej vitit 2013, i cili ka hapur biznes edhe në Prishtinë në vitin 2022 me emrin tregtar “Cyborg Strip Club”, pritet të ekstradohet drejt Kosovës.

Pas arrestimit, pritet të mbahet seancë në Gjykatën e  Durrësit, qytet ku Dodë Rica u vu në pranga, për të marrë vendim nëse do t’i dorëzohet drejtësisë në Kosovë.

Dodë Rica nuk është emër i panjohur për organet e rendit në Kosovë. 47-vjeçari që nga viti 2019 ka qenë duke u hetuar Prokuroria Speciale, për kryerjen e veprën penale “shmangie nga tatimi”. Vetëm në vitin 2021 ndaj tij u ngritë aktakuzë, raporton Insajderi.

E vërteta e Pardesyve të Bardha!

Nga Kolec P. Traboini

Dikush po lakon se Pardesytë e Bardha 1990-1991 nuk kishin lidhje me Sigurimin e Shtetit. E të gjithë po na dalin të larë e të shplarë. Çfarë nuk bën propoganda e stilit enveristo-gebelsian. Këto Pardesytë e Bardha i di edhe macja dhe qeni se janë dhënë nga Sigurimi i Shtetit për ti dalluar mbajtësit që të mos ti qëllojnë në rast rrethanash kaosi, siç ndodhi në Shkodër prill 1992. Pardesytë e Bardha nuk shprehin se janë agjentë mbajtësit e tyre, megjithëse edhe ashtu mund të kenë qenë se kot nuk janë perzgjedhur nga Ramiz Alia që i njihte një e për një, por e sigurtë është se sipas direktivave të Partisë së Punës së Shqipërisë (sot PS) mbroheshin nga Sigurimi i Shtetit.
Këtu kemi qenë, i dimë mirë të gjitha….Nuk të afronin në zyrat e partisë së sapoformuar PD sepse Sigurimi dhe Ramiz Alia e kishin piketuar Partinë. I kishin caktuar njerëzit. Kot lodheni të motivoheni ndryshe. Është punë e kryer. Keni ish ministrat e Saliut me dosje spiunimesh. 3000 faqe spiunime kishte një ish ministër Kulture i Sali Berishës. I shkreti Bezhan (RIP) u detyrua ti jepte spiunit çertefikatën e pastërtisë me urdhër direkt të Sali Berishës, dhe fap spiuni me 3000 faqe spiunime ministër. Këtë e ka pohuar vetë Bezhani.
Se mos vetëm një….pothuaj gjysma e Parlamentit ka qenë me ish spiunë e agjente Sigurimi. Unë nuk u besoj kartave as të Gentjana Sulës. Dyshoj se edhe ajo është pjesë e lojës, e mbijetësës (kush pyet për ideale sot), që kur duan shefat e mëdhenj, i lëshon letrat e bardha. Dosjet janë manipuluar tashma dhe kush ka pas aces aty, i ka futur duart dhe i ka pastruar të vetat e të miqëve.
Tani të gjitha dalin me biografi akullore si duart e Vangjushit të Durrësit. O tempera o Mores!

Ndonjë komentuesi nostalgjik për kësisoj udhëheqesi legjendarë me brekë komuniste nëpër këmbë dua ti them:
Si na dolën e i veshën të gjithë këta myteberrë të Partisë së Punës pardesytë e bardha në një ditë. Partia e Sigurimi ishin një. Nano, Saliu, Pashko, Rama, Mustafa e të tjerë ishin të piketuar në krye të Politikës që të ndodhte ajo që ndodhi. Nuk lahet as ndërgjegja e as historia me sapllake, or miq.
Dhe ato pardesyttë nuk i gjeje në dzqane me konfeksione, të pakten mua mos mi thoni këto sajime se kam bërë një film për veshjet në vitin 1990. Asnjë pardesy e tillë nuk ishte në treg. Apo nuk e paskeni dëgjuar Salën me pardesy të bardhë në qytetin “Studenti” të mbllaçitet rroftë shoku Ramiz Alia… kur studentët thërrisnin “O Ramiz o gomar, do të varim në litar”.
Hajt tash, jo kali i kuq e jo kali blu….karrocjer e bojaxhi ishte Ramiz Alia.

PARDESYTË E BARDHA

Ju caktoi Partia për një Botë të Re,
lule more trima, që na shtritë përdhe,
na zhveshët, na vodhët, na latë pa Atdhe!

Kol Shkodrani

Enriketa Papa depoziton në Bashkinë Tiranë kërkesën për miratimin e biletës unike elektronike, premtim i zgjedhjeve lokale të 14 majit

Kryetarja e Grupit të Këshilltarëve të PD- Demokratët Euroatlantikë në Këshillin Bashkiak Tiranë, ka depozituar sot në Bashkinë Tiranë kërkesën për miratimin dhe aplikimin e biletës unike elektorinike “Tirana për transportin urban”, i cili ka qenë një ndër premtimet e zgjedhjeve lokale të kësaj force politike.

Gjithashtu, Papa ka depozituar edhe kërkesën e Grupit të Këshilltarëve euroatlantikë për informacion mbi kontratën e nënshkruar nga Bashkia Tiranë me shoqërinë britanike “Delivery Associates” mbi auditimin e veprimeve dhe kontrolleve të Bashkisë Tiranë.

Më poshtë postimi i plotë:

Sot dorëzova ne Bashkine Tirane, propozimin, sipas premtimeve që kishim me Roland Bejko në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023, për:

1. Miratimin dhe aplikimin e biletës unike elektronike “Tiran@ për transportin urban.

2. Miratimin dhe ofrimin e biletave elektronike Tiran@, 1 orëshe, 24 orëshe, si dhe të aboneve 1 mujore, 3 mujore, 6 mujore dhe 1 vjeçare, ofrimin e shërbimit falas ose të reduktuar të transportit urban për shtresat e pensionistevë, femijëve deri në 10 vjeç, të rinjve deri 25 vjeç, pensionistëve dhe njerëzve me aftësi të kufizuar dhe çdo kategorie sociale vulnerabël, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë;

3. Formatimin e stacioneve të kronometruara urbane, me tabela informuese digjitale mbi kohën e mbërritjes dhe nisjes së autobusëve.

Gjithashtu depozitova në emër të grupit Kërkesën për informacion mbi Kontratën e nënshkruar nga Bashkia Tiranë me shoqërinë britanike, “Delivery Associates” mbi auditin e veprimeve dhe kontrollove të Bashkisë Tiranë.

Anijet me mbetje toksike, media tajlandeze: Dyshohet se erdhën nga Shqipëria dhe një vend tjetër europian

Tajlanda sapo fitoi një betejë të vogël kundër kontrabandës së paligjshme të mbetjeve toksike. Dy anije mallrash të ngarkuara me mbetje toksike u detyruan të ktheheshin në destinacionet e tyre të origjinës, që dyshohet se janë Shqipëria dhe një vend tjetër në Evropë, pasi zyrtarët lokalë bllokuan anijet nga ankorimi, shkruan media tajlandeze.

Basel Action Network, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmonte dërgesën e paligjshme dhe Ecological Alert and Recovery-Thailand (Earth), një grup qytetar që monitoron mbetjet industriale, punuan me qeverinë tajlandeze për të penguar përpjekjen e kontrabandës.

Dy anijet, Maersk Candor dhe Maersk Campton, raportohet se mbanin rreth 100 kontejnerë me pluhur toksik të destinuara për në Portin Laem Chabang në provincën Chon Buri këtë javë. Qeveria shqiptare dhe ajo tajlandeze nuk miratuan dërgesën e mbetjeve toksike.

Ngarkesa e dyshuar në 40 kontejnerë në Maersk Campton do të kthehet në Itali, sipas faqes së internetit të gjurmimit të ngarkesave detare të MSC Mediterranean Shipping Company, e cila do të transportojë ngarkesën përsëri në Evropë.

Rasti i fundit vetëm konfirmon se Tajlanda është bërë një vend depozitimi për mbetjet elektronike dhe toksike. Kina ishte vendi kryesor i hedhjes së mbetjeve elektronike dhe toksike në botë përpara se Pekini të godiste operacionet në vitin 2018. Si rezultat, importi i mbetjeve është ndaluar dhe duket se operacionet kanë migruar në Tajlandë dhe ndoshta vende të tjera në Azinë Jugore dhe Juglindore.

Politika e qeverisë tajlandeze për promovimin e industrisë së riciklimit të mbetjeve, së bashku me zbatimin e dobët të ligjit, ka mundësuar që kontrabanda e mbetjeve toksike të depërtojë.

Ndërsa komunitetet në të gjithë vendin vuajnë nga ndotja nga fabrikat e papërgjegjshme, qeveritë, përfshirë atë të ish-kryeministrit Srettha Thavisin, janë fokusuar në akomodimin e investitorëve.

Për shembull, në maj, kabineti i Srettha urdhëroi zyrtarët të përshpejtojnë 100 aplikime për hapjen e fabrikave pavarësisht mungesës së disa dokumenteve mjedisore./oranews

Inteligjenca ukrainase “hakon” kanalet televizive ruse, ndërpresin programet dhe shfaqin humbjet e ushtrisë së Putinit

Inteligjenca ukrainase “hakoi” kanalet televizive ruse dhe tregoi të vërtetën e luftës.

 

Burime të inteligjencës ukrainase deklaruan për RBC-Ukraine se specialistë kibernetikë nga GUR sulmuan serverët e kanaleve televizive rus

Videot u shfaqën tri herë në kohën kryesore në “Pervouralsk TV, Eurasia 360, Eurasia, Channel One” dhe të tjerë.

Një sërë kanalesh televizive u detyruan të ndalonin transmetimin për një kohë të gjatë.

Takimi me shefin e CIA-s, reagon Osmani: Aleanca me SHBA garanci për siguri, paqe e sukses

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar zyrtarisht për takimin e djeshëm që pati me Shefin e CIA’s, William Burns.

 

Osmani ka thënë se aleanca me SHBA’të, është garancë për siguri, paqe e sukses.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, ka shkruar Osmani, derisa ka publikuar edhe foto nga takimi.

Burns është takuar sot edhe me Kurtin.

Vizita e tij në Kosovë vjen pas asaj që raportohet se pati në Beograd dje dhe Bosnjë të mërkurën.

Për vizitën në Serbi, nuk ka dalë ende asnjë detaj. Madje nuk është konfirmuar ende.

Ndërkohë, në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Një zyrtar i Qeverisë amerikane, ka deklaruar për REL se arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.

Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.

Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi.

Një ditë më parë u takua me presidenten Osmani, shefi i CIA-s në Qeveri për takim me Kurtin

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë.

 

Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Rreth takimeve të së enjtes nuk është deklaruar askush nga palët.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.

Nga Qeveria amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë “ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”.

Gjatë vizitës, sipas zytarit amerikan, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Një ditë më vonë, Dodik deklaroi se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.

Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.

Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Pavarësisht se vizita e tij në Kosovë nuk u konfirmua, në mesditën e 22 gushtit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gazetarët e Radios Evropa e Lirë panë një avion të ushtrisë amerikane të ndalur në zonën “VIP” të aeroportit.

beee

Me këtë avion, besohet se Burns ka udhëtuar edhe në vende të tjera të rajonit. Ndërkaq, sipas ueb-faqe për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, ky aeroplan futuroi më 22 gusht nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës.

Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.