19.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Titullari i Kombëtares i dëmtuar, në rrezik për Ligën e Kombeve

Arlind Ajeti është dëmtuar sërish dhe ka ndier një shqetësim muskulor, duke munguar kështu për Klyzhin në 5 ndeshjet e fundit, përfshi këtu edhe ato të Europës.

Mbrojtësi i Kombëtares ishte për herë të fundit në fushë më 27 korrik ndaj U.Kraiovës, teksa luajti 90 minuta, ndërsa shqetësimi muskulor ka ndodhur në ditët në vijim. 30-vjeçari ishte edhe në merkato, me disa klube arabe që interesoheshin për shërbimet e tij, ndërsa menaxheri i vet u shpreh pak javë më parë se për të do të synohet rikthimi në Serinë A.

Një dëmtim i tillë i vështirëson shumë shanset e një lëvizjeje drejt një ekipi tjetër, pavarësisht se ai luajti një Europian shumë të mirë, ku u preferua titullar përpara Ardian Ismajlit. Ndërkohë, nuk dihet nëse ai do të jetë apo jo gati për Silvinjon në ndeshjet e Ligës së Kombeve që Kombëtarja do të luajë më 7 dhe 10 shtator.

Nga bishtajoret te veza, ja ushqimet që duhet të hani nëse jeni anemikë

Anemia është një sëmundje që kufizon furnizimin me oksigjen të muskujve dhe indeve. Ajo shoqërohet me disa simptoma siç është lodhja, ndjeshmëria ndaj të ftohtit, marramendja, vështirësi në frymëmarrje, rrahje të çrregullta të zemrës dhe dhimbje koke.

Kjo sëmundje shkaktohet nga pamjaftueshmëria e hekurit dhe prek veçanërisht femrat. Hekuri është një mineral që merret nga suplementët por burimet më të mira të tij janë mishi dhe bimët.

Sipas të dhënave, gjeni më poshtë ushqimet më të pasura me hekur që duhen konsumuar nga anemikët dhe jo vetëm.

Barishtet

Trupi arrin të përthithë 70% të hekurit me burim shtazor dhe vetëm 30% të hekurit nga burime bimore. Rrjedhimisht, nëse konsumoni barishte, duhet të rrisni numrin e racioneve të konsumuara në ditë.

Spinaqi i gatuar dhe i plotësuar me limon është një burim i shkëlqyer i hekurit. Vitamina C ndihmon në përthithjen e hekurit nga organizmi.

Arrorët dhe farat

Arrorët dhe farat janë burimet më të shëndetshme të proteinave, yndyrnave të shëndetshme dhe hekurit. Me 28 gramë fistik do të plotësoni 6.1% do të nevojës ditore për hekur.

Mishi i kuq pa dhjamë

Një copë me mish viçi të rritur në natyrë plotëson 22% të nevojës ditore për hekur. Për të maksimizuar nivelin e hekurit të përthithur nga organizmin, rekomandohet që mishin ta shoqëroni me spinaq, domate, speca të kuq, luleshtrydhe, lakra të vogla dhe brokoli.

Soja

Kjo fasule e vogël është një burim i shkëlqyer i hekurit me bazë bimore. Ajo është ideale për veganët dhe vegjetarianët.

Soja është e pasur edhe me proteina ndaj nuk duhet lënë mënjanë.

Vezët

Vezët janë një ushqim që nuk duhet të mungojë në regjimin ushqimor të një anemiku. Ato përmbajnë shumë hekur dhe mund të kombinohen me spinaqin, domaten ose kinoan në një vakt të pasur e të shëndetshëm.

Mishi i bardhë i pulës

Pjesa e gjoksit të pulës është një burim i shkëlqyer i hekurit. Nëse e gatuani në zgarë pa yndyrë, atëherë është shumë më e shëndetshme.

Mund ta shoqëroni me spinaq, brokoli dhe domate.

Bishtajoret

Bishtajoret, veçanërisht thjerrëzat janë të shkëlqyera kundër anemisë. Në gjysëm racioni do të plotësoni 20% të hekurit për të cilin ka nevojë organizmi çdo ditë.

Për më tepër, ato janë burim i shkëlqyer i fibrës që e mban stomakun të shëndetshëm.

Kujdes

Kafeja dhe çaji ndërhyjnë dhe pengojnë përthithjen e hekurit nga organizmi. Ndaj kur të konsumoni ushqimet e lartpërmendura frenojeni dëshirën për kafe ose çaj pas buke./AgroWeb.org

Vrasjet, vetëvrasjet dhe religjioni

Nga Dom Gjergj Meta

Depresioni shoqëror që po shpërfaqet në vrasjet dhe vetëvrasjet e kësaj fundvere në vendin tonë të vogël, sipas mendimit tim, i ka rrënjët në bjerrjen e shpresës se jeta mund të jetohet e gjitha, qoftë si përpjekje për t’i dhënë asaj një kuptim, qoftë si një jetë në shërbim të jetës së të tjerëve. Madje kuptimi më i thellë i jetës, është atëherë kur ajo i shërben jetës së të tjerëve dhe jo atëherë kur ajo kthehet në një litar rreth qafës apo në një karikator automatiku, që zbrazet mbi trupin e dikujt tjetër.

Religjioni mund të luajë një rol të tijin në këtë situatë, duke u vendosur në shërbim të jetës së njerëzve të çdo dite, në mënyrë që njerëzit t’i japin një kuptim a një kahje asaj. Sigurisht që një religjion, sidomos ai i krishteri, për të cilin i jap vetes njëfarë tagri për të folur, nuk mund të jetë në shërbim të jetës kur mundohet vetëm të imponohet me rregullat e veta, me veshjet pompoze, me forcën e hekurt të hierarkisë, a kur mendon se ka në dorë zgjidhjet e vetme ose kur e ngre vetveten si shpëtimtarin e botës. Zoti e shpëton botën dhe jo religjioni, kushdo qoftë ai religjion.

Ky i fundit është një instrument dhe ka si detyrë të parë t’u kujtojë njerëzve trashendencën (të përtejmen), jo për t’i frikësuar apo për t’u imponuar atyre një forcë madhore, që si një Deus ex machina drejton apo përcakton fatet e botës. Por për t’u kujtuar njerëzve se i përkasin një realiteti më të madh se vetja e tyre, se sa fshati, qyteti, etnia, kultura apo planeti i tyre.

Religjioni na kujton se jemi pjesë e një përmase më të madhe, të cilën nuk mundemi ta shterojmë as me shpikjet tona, as me financat apo strategjitë tona. Ai duhet t’u kujtojë njerëzve qiellin me yje, hapësirën e pakufishme dhe jetën si një mundësi e mundësive, ndonëse e kufizuar në kohë. Nëpërmjet fesë-besimit, religjioni na hap drejt një frymëmarrjeje më të madhe, që na tejkalon, sepse na zhyt në një mister, i cili në vetë natyrën e tij është i pakufi.

Kur ne kuptojmë dhe përjetojmë se i përkasim diçkaje më të madhe se sa ne, atëherë jeta nuk atrofizohet, nuk mbyllet në kornizat e ngushta të dhembjes së momentit apo të interesave, që zgjasin sa një llogari e majme bankare. Jeta e jetuar në mbylljen egoike të njeriut, është një varfërim shpirtëror, që sjell një varfërim ekzistencial dhe ky i fundit kthehet në mjerim, në të cilin njeriu nuk shikon veçse deri te hunda e tij e nuk e çon shikimin për më tej.

Kjo po i ndodh shoqërisë sonë, kjo duket se po i ndodh gjithë shoqërisë perëndimore ku ne bëjmë pjesë dhe e ka futur atë në një depresion vrastar apo vetëvrastar.

Feja, si përkatësi në një përmasë të përtejme e jo thjesht e vetëm si një përkatësi në një seri rregullash apo në një strukturë të caktuar, a komunitet të kufizuar, i duhet njeriut dhe sigurisht njeriut shqiptar. Dëbimi i trashendencës nga horizonti i jetës individuale dhe shoqërore është dëbimi i njerëzores dhe mjerimi i saj, pse jo edhe vdekja e saj.

Në këto raste është më e lehtë të akuzojmë policinë, sistemin gjyqësor, qeverinë apo politikën dhe kështu e rehatojmë ndërgjegjen tonë.

Ama e dimë mirë se edhe ne kemi lënë diçka mangët dhe ky është angazhimi ynë, thellimi e kërkimi ynë i kuptimit të jetës, marrëdhënia që ndërtojmë me jetën tonë dhe me atë të të tjerëve, si dhe me detyrat tona ndaj shoqërisë.

Nuk mund të themi vetëm: “Paguaj taksat.” e më pas çdo ditë të shohim indiferentë se si rrëzohet para nesh ngrehina e njerëzores. Duhet të shikojmë më thellë, më lart, më përtej. Jemi përgjegjës për jetën tonë, po aq sa jemi përgjegjës për jetën e të tjerëve, sepse jeta na është dhënë dhe askush nuk ka leje të na e marrë, as ne vetë.

VOA: Vazhdon të jetë shqetësues emigrimi i të rinjve nga Shqipëria

Në Shqipëri fenomeni i emigrimit, kryesisht i të rinjve, vazhdon të jetë shqetësues jo vetëm për shkak të largimit të fuqisë punëtore aktive, por edhe nivelit të demokracisë në vend. Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2011 e në vazhdim, nga Shqipëria janë larguar mesatarisht çdo vit rreth 42 mijë persona, 70 përqind e të cilëve të rinj. Zëri i Amerikës bisedoi me një grup të rinjsh, të cilët shprehen se, për shkak të mundësive të lëvizjes dhe komunikimit, po ndryshon edhe perceptimi i një pjesë të të rinjve përsa i përket emigrimit.

Si shumë të rinj shqiptarë edhe Robert Bisha emigroi drejt brigjeve të Italisë kur ishte në moshën 15-vjeçare me dëshirën për të studiuar për pianoforte. Por ai thotë se, pas përfundimit të studimeve, u përball me mëdyshjen; të qëndronte në vendin e emigrimit apo të kthehej në Shqipëri.

“Në njëfarë mënyre, emigracioni tek unë ishte patjetër shkëputje, një shenjë e fortë ku unë vendos pikëpyetjen: a do të kthehem përfundimisht apo kjo mbetet një çështje e hapur? Distancat tashmë janë të shkurta. Unë ika, por edhe u ktheva. Dhe jam vazhdimisht në lëvizje”, tregon ai.

Vitet e fundit, thotë Roberti, është zvogëluar ndjeshem distanca mes Shqipërisë dhe Italisë, gjë që nuk ndodhte në vitet e para të emigracionit. Kjo i krijoi atij mundësinë që të jetojë e punojë në mes dy vendeve.

“Në Itali luaj pjesë të mijat, bëj koncerte, kam një studio të vogël ku kompozoj, shkruaj. Kur jam në Shqipëri, në Shkodër kam një festival prej katër vitesh që unë e organizoj. Nuk luaj vetë, por luajnë muzikantë që unë thërras dhe që janë ndoshta niveli më i lartë pjanistik që kemi”, thotë ai.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të riun Gerti Palali, i cili emigroi në Torino të Italisë. Ai thotë se një pjesë e të rinjve të shkolluar gjithnjë e më shumë po e ndajnë jetën e tyre mes vendit ku kanë emigruar dhe vendlindjes.

“Jeta në emigracion është pak më ndryshe. Duhet të studiosh, duhet edhe të punosh në një profesion tjetër për të mbuluar shpenzimet e emigracionit, qera e të gjitha këto. Ndërsa këtu kthehem shumë shpesh sepse e brendshmja nuk më len. Vij për të punuar në profesionin tim. Më mungojnë duartrokitjet, emocionet e një sheshi xhirimi dhe të gjtiha këto. Kthehem shumë shpesh gjatë vitit me projekte”, tregon ai.

Sipas Institutit të Statistikave, për shkak të emigracionit, nga viti 2011 e në vazhdim, nga Shqipëria largohen rreth 42 mijë persona në vit, ku 70 përqind e tyre janë të rinj.

Ky largim i të rinjve është me pasoja jo vetëm në rënien e fuqisë punëtore, por edhe nivelin e demokracisë në vend. Shumica e të rinjve largohen kryesisht për mundësi më të mira pune, arsimimi dhe kujdesi shëndetësor, por Gerti thotë se, edhe në emigracion të rinjtë përballen me vështirësi dhe probleme.

“Të rinjtë e shikojnë më të lehtë çështjen ekonomike në një shtet tjetër, çështjen e sigurisë dhe shumë çështje të tjera. Por, është gjë shumë e lezetshme se, kur jemi këtu në Shqipëri themi “lum ju që jeni jashtë se keni lekë, bëni jetë më të qetë”, por kur jemi jashtë themi “ah lum ju që jeni në Shqipëri, sepse si Shqipëria nuk është askush”. Kështu që, besoj se kjo ka me na shoqëruar gjithmonë”, tregon ai.

Në vitin 2020, Sara Prençi shkoi në Turqi ku po studion rreth televizionit, kinemasë dhe aktrimit. Në krahasim me Turqinë, thotë ajo, Shqipëria është ende mbrapa përsa i përket televizionit dhe kinematografisë dhe kjo e bën pesimiste për mundësinë e rikthimit në Shqipëri.

“E shikoj veten si një aktore dhe kjo është lufta ime më e madhe me veten. Dhe e shikoj veten në Stamboll duke luajtur filma ose duke qëndruar pas kamerave duke xhiruar”, tregon ajo.

Megjithëse sipas sondazheve, një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë pëlqejnë të emigrojnë apo të shkollohen jashtë vendit, ka edhe shumë të tjerë që duan të vazhdojnë karierën në vendin e tyre.

Erisela Smaka ka mbaruar studimet për fizioterapi dhe tani po kryen praktikën profesionale mes gjyshërve në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër.

“Kam vendosur për të qëndruar në Shqipëri për t’i shërbyer nënës dhe babit, familjes time dhe pse jo gjyshëve këtu në shtëpinë e të moshuarve. Këtu kemi moshën e tretë, kanë humbje të levizshmërisë, sensibilitetit, humbje të forcës dhe për këtë ka nevojë për ndërhyrjen e fizioterapistit”, thotë ajo.

Drejtuesi i Qendrës Rinore “Arka”, në Shkodër, Marjan Lukani, thotë se emigracioni ka ndryshuar gjatë tre dekadave të fundit, që nga hapja e Shqipërisë drejt Europës.

Ndërsa në fillimet e tij të rinjtë emigronin me synimin per tu rikthyer dhe ndërtuar një banesë apo biznes pranë familjes, me kalimin e viteve ata e ndërtuan jetën e tyre në vendet ku emigruan. Ndërsa tani, me lehtësitë e lëvizjes dhe komunikimin, një pjesë prej tyre, po e shikojnë veten mes vendit të emigrimit dhe Shqipërisë.

“Një pjesë prej tyre e kanë ende dëshirën që të kthehen tek vendi i tyre për të dhënë kontributin e tyre për vendin. Dhe, kam përshtypjen se është një detyrë e madhe e qeverisë, e jona si shoqëri, që të bëjmë të pamundurën që këto të rinj të kenë mundësi për tu rikthy në Shqipëri, tregon Marjan Lukani./VOA

Putini me Kuran në dorë dhe muslimanët

Nga Roald A. HYSA

Një propagandë e ulët dhe ordinere filoruse po na shfaqet me imazhin e Putinit, që puth Kuranin dhe tregon respekt ndaj liderave çeçenë, ku janë pikërisht trupat ruse ato që e shkatërruan dhe e rrafshuan kryeqytetin çeçen Groznin. Historia e marrëdhënieve të Rusisë me vendet muslimane që i ka okupuar prej kohësh është e mbuluar me gjakun e miliona dhe miliona frymëve njerëzore të zhvendosura e të dëbuara me dhunë nga trojet e tyre amtare, që nisin nga Krimea, Ingushetia, Çeçenia, Dagestani, Çerkezia e shkon përtej maleve të Kaukazit në Afganistan e Buharanë e sotme në Uzbekistan. Pogromet ruse ruse nisin qysh në kohën e perandoreshës Ekaterina dhe dashnorit të saj katil princit Potjomkin, të cilët në programet e veta kishin si ëndërr ta rimerrnin Stambollin dhe ta ripagëzonin Kostandinopojë. Madje për këtë Ekaterina e kishte pagëzuar nipin e vet Kostandin perandorin e ardhshëm të Kostandinopojës, që do të vendosej në fronin bizantin, pikërisht Stambollin. Imam Shamili është një nga emrat e mëdhenj ndër shumë nga ata prijësa muslimanë që i rezistuan valëve ruse, të cilat në mënyrë të rregullta i kanë zhvendosur me dhunë popullsitë e këtyre vendeve. Mos ta harrojmë Çerkezinë dhe popullin e saj të masakruar, që i kemi edhe sot e kësaj dite midis nesh në Shqipëri e Kosovë. Masakra pa fund që nisin nga vitet 1850 e vazhdojnë edhe një shekull më pas me të paktën dy milionë çeçenë që u internuan për më shumë se dyzet vjet në Siberi nga pogromet komuniste të Stalinit. Mos të harrojmë këtu të famshmin Enver Pasha ish-Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë së Perandorisë Osmane, i cili ra dëshmor duke luftuar në Turkestanin e largët kundër hordhive të ushtrisë së kuqe leniniste, të cilat po masakronin pa mëshirë popullsinë e pafajshme muslimane për ta futur me dhunë Turkestanin në Bashkimin Sovjetik. Rënia e Bashkimit Sovjetik nuk ka ndryshuar asgjë nga këto politika, ku popullsitë muslimane të vendeve që i përmendëm më sipër kanë vazhduar pandërprerje qysh nga Boris Jelcini e më pas katili i stërvitur në kampet e KGB-së presidenti aktual Putin. Shifrat janë të larta, ku sa për të cituar një fakt më duhet t’ju tregoj se vetëm në Luftën e Dytë Ruso-Çeçene, që zgjati rreth 9 muaj (7 gusht 1999- 30 prill 2000) humbjet njerëzore në ushtarakë e civilë së bashku shkojnë nga 50,000-80,000 frymë. Rrethimi dhe shkatërrimi i Groznit është nga historitë më të dhimbshme në shifra. Në vitin 2003 Organizata e Kombeve të Bashkuara e emërtoi Groznin qytetin më të shkatërruar në tokë, sepse nuk kishte mbetur asnjë ndërtesë e vetme pa u dëmtuar nga bombardimet ruse. Forcat ruse gjatë rrethimit të Groznit patën 368 të vrarë dhe 1469 të plagosur (sipas burimeve ushtarake ruse), ndërsa humbjet civile çeçene shkojnë nga 5,000 – 8,000 frymë të pafajshme. Përpjekjet e Çiçikovit me frymët e vdekura nuk do të kishin gjetur përkrahës më të mirë se sa injorantët modernë që përloten nga një foto e Putinit që puth Kuranin. Kuçedra e pansllavizmit, siç e përshkruante Hafiz Dalliu, nuk i ka humbur ende të shtatë kokat e saj, ku një ndër to i ka fryrë vazhdimisht zjarrit të propagandës filoruse dhe ende vazhdon t’i fryjë sot në Ballkan. Kush preket nga fotografia e Putinit të mos harrojë më së paku atë që ndodhi në Bosnje Hercegovinë e Kosovë si pasojë e modeleve pansllaviste të marra nga këto lloj pogromesh, që kanë nisur nga mesi i shek. 19 e deri më sot kur po flasim.

 

Lufta kundër korrupsionit, Basha ndan videon: Mbështetja e SPAK, krijimi i Njësisë për Pasuritë e Vjedhura, forcimi i KLSH janë vetëm disa nga pikat e programit të Demokratëve Euroatlantikë

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se korrupsioni është gangrenë më e madhe e shoërisë dhe zhvillimit ekonomik në vend. Ai shprehet se Shqipëria ka humbur mbi miliardë euro për shkak të korrupsionit masiv.

Në videon e shpërndarë në facebook, Basha ka publikuar disa nga pikat e Programit për ndërhyrje të shpejt në luftën ndaj korrupsionit. Disa prej tyre janë mbështetja e SPAK dhe GJKKO, themelimin e Njësisë të Zbulimit dhe Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura, verifikimi i kontratave koncensionare dhe PPP, forcimin e KLSH dhe kthimin e tij në një Gjykatë të Kontrollit të Shtetit me fuqi ekzekutive.

Më poshtë postimi i plotë i Bashës:

Korrupsioni mbetet gangrena më e madhe për shoqërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Shqiptarët kanë humbur mbi 10 miliardë euro për shkak të korrupsionit masiv, të shpërndarë në çdo hallkë të qeverisjes.

Në programin tonë ne parashikojmë ndërhyrje të shpejta dhe konkrete për të luftuar korrupsionin:

1. Ne do të themelojmë, sipas praktikave më të mira, Njësinë e Zbulimit dhe Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura, për të gjurmuar kudo pasuritë e vjedhura të shqiptarëve dhe për t’ia kthyer ato arkës publike;
2. Mbështetje e plotë dhe e gjithanshme si dhe bashkëpunim me SPAK dhe GJKKO;
3. Ndryshime ligjore në Ligjin “Anti-Mafia”për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet e zyrtarëve të lartë;
4. Verifikimi i kontratave koncesionare, PPP-ve, Prokurimeve Publike dhe anullimi i çdo kontratë korruptive;
5. Konfiskimi i pasurive të zyrtarëve publik të përfshirë në këto akte dhe PPP abuzive;
6. Do ta shndërrojmë Kontrollin e Lartë të Shtetit, që sot ka fuqi rekomanduese, në një Gjykatë të Kontrollit të Shtetit, me fuqi ekzekutive, vendimet e të cilit do të zbatohen menjëherë dhe pa asnjë pikëpyetje nga qeveria e ardhshme dhe nga çdo instancë e shtetit shqiptar;
7. Rishikimi i kuadrit ligjor për pjesëmarrjen e operatorëve off-shore në tendera dhe koncesione;
8. Çdo kontratë abuzive do të jetë subjekt i ligjit Anti-Mafia;
9. “Të gjithë të barabartë para ligjit” do të jetë fakt dhe jo slogan në qeverisjen tonë;
10. Me parimin “Ndiq paranë” dhe me vetting-un e politikanëve ne do të spastrojmë Parlamentin, qeverisjen qendrore dhe lokale nga politikanët e korruptuar, të pasuruar në kurriz të shqiptarëve – Shqiptarët duhet të dinë kush janë politikanët e korruptuar dhe kush jo;
11. Heqje e imunitetit të deputetëve duke i hapur rrugë hetimit të plotë nga ana e SPAK të çdo zyrtari të dyshuar për korrupsion;
12. Rishikim i Kodit Penal për ashpërsim të masave për të gjitha veprat e korrupsionit aktiv dhe pasiv.

Duke luftuar korrupsionin ne mundësojmë më shume investime, më shumë punësim, më shumë shërbime cilësore për qytetarët tanë.

Sepse Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë.

Problemet e ligjit diplomatik

NGA ARBEN ÇEJKU

Më 30 gusht përfundon afati i diskutimit publik mbi Projektligjin e ri të Shërbimit të Jashtëm, të hartuar nga MEPJ, i cili, pavarësisht komenteve tona, pritet të miratohet në formën që është, në sesionin vjeshtor të Kuvendit, siç ka ndodhur edhe me ligjin në fuqi, që u miratua në vitin 2015. Ftesa e MEPJ për t’u konsultuar me publikun dhe për të marrë në konsideratë vërejtjet dhe sugjerimet e palëve të interesuara, vjen më shumë si kërkesë e Ligjit 164/ 2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, sesa si ftesë për gjithëpërfshirjen e ekspertëve brenda dhe jashtë këtij dikasteri. MEPJ, në fakt ka zbatuar vetëm një pjesë të vogël të këtij ligji, sepse bazuar në kërkesat e Nenit 2 – pika 4, Nenit 8 – pika b, Nenit 9 – pika c dhe Nenit 17 – pika 1, ajo duhet të kishte bërë pjesë të grupit të punës (qoftë edhe si pjesë këshilluese) të gjitha institucionet joqeveritare që merren me mbrojtjen e interesave të diplomatëve. Megjithatë, edhe kaq hapësirë dhe kjo formë komunikimi (publike) që ka mbetur deri në miratimin e këtij projektligji, mjafton për të dhënë disa vlerësime paraprake në dobi të korrigjimeve dhe gjithëpranimit të një ligji bashkëkohor për shërbimin e jashtëm.

Unë besoj se, edhe diplomatë të tjerë që janë brenda MEPJ kanë shprehur ose do të shprehin qëndrimet e tyre, pavarësisht kufizimeve që kanë. Ditëve në vijim, organizata e personalitete do të shprehin qëndrimet e tyre dhe do t’i takojë MEPJ-së dhe grupit të saj të punës (që ka hartuar draftin) të marrë në konsideratë këto opinione dhe mbi bazën e tyre të rishikojë disa pjesë të dokumentit të shpalosur për konsultim. Nëse vërejtjet, vlerësimet dhe sugjerimet publike do të konvergojnë në disa nga pikat kryesore të ligjit (që edhe unë do t’i cek më poshtë) dhe ato nuk do të merren fare në konsideratë nga MEPJ, atëherë do të duket e qartë që ky projekt nuk ka nisur “si një domosdoshmëri për rregullimin e disa problematikave të hasura nga aplikimi i ligjit aktual”, siç shprehet tani MEPJ, por ky akt synon legjitimimin e abuzimeve të deritanishme dhe shkeljen me ligj të disa parimeve juridike, institucionale dhe morale në shërbimin diplomatik. Por, për të mos e paragjykuar nismën, mund të them që në fillim se Ligji për Shërbimin e Jashtëm i vitit 2015 ka nevojë të ndryshojë dhe të korrigjohet në disa pika, të cilat kanë qenë edhe më të debatueshmet në kohën e miratimit të tij. Koha tregoi se ai nuk i përmbushi premtimet e nismëtarëve të këtij ndryshimi që premtuan “profesionalizmin” në vend të “politizimit.

Nuk e di se si ndjehet sot ish-ministri i asaj kohe, kur kolegu aktual thotë se zbatimi ka pasur probleme… Ligji i vitit 2015 jo vetëm nuk e depolitizoi dhe profesionalizoi diplomacinë tonë, por përkundrazi, nepotizmi, klientelizmi, militantizmi dhe nënshtrimi ndaj grupeve të ndryshme të interesit, la në hije dhe në minorancë elitën profesionale të kësaj ministrie. Edhe projektligji aktual, nëse kthehet nesër në ligj kështu siç është, nuk korrigjon asgjë nga problemet që ka sjellë ligji në raport me nevojën që ka kjo ministri për t’ua kthyer diplomacinë diplomatëve! MEPJ ka treguar mungesë vullneti për të korrigjuar ligjin e mëparshëm dhe për ta kthyer diplomacinë në shinat e saj. Megjithatë, le të përmendim si fillim disa përmirësime (risi) pozitive të këtij drafti, në raport me ligjin aktual. Ky draft ka avancuar në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të diplomatëve brenda sistemit, duke ngritur “Komisionin e Apelimit”, për vendimet që merr Komisioni i Karrierës Diplomatike dhe Disiplinës. Ka rritur moshën e trajtimit të fëmijëve të diplomatëve nga 18 në 23 vjeç dhe mbulon sigurimin shëndetësorë të familjarëve të diplomatëve, kur ata janë në udhëtim.

Emërimi i “koordinatorëve” të MEPJ-së në institucionet kryesore të vendit me një mandat 2-vjeçar. Qartësimin e kompetencave të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili tani është përgjegjës për administrimin e burimeve njerëzore dhe financiare në Shërbimin e Jashtëm. (Për ironi kërkohet të ketë njërin prej dy fakulteve –juridik ose ekonomik!) Përcaktimi më i qartë i fushës së veprimit dhe mbështetjes profesionale për Akademinë Diplomatike në MEPJ, e cila duhet të ndihmojë në trajnimin e diplomatëve të rinj dhe atyre që janë në detyra. I jepet më shumë qartësi dhe kompetencë “misionit të posaçëm”, si mekanizëm diplomatik. Po ashtu, ka një avancim në drejtim të pastrimit të radhëve nga njerëzit e ish-Sigurimit të Shtetit, sepse përveç bashkëpunëtorëve, në propozim përfshihen anëtarët dhe të favorizuarit e tjerë të këtij organi. Pra, në tërësi, grupi i punës, ka synuar të akomodojë disa nga problemet e përditshme të stafit të MEPJ-së, duke synuar rregullime edhe në dhënien e gradave dhe vlerësimin e meritokracisë. Rregullorja e Shërbimit të Jashtëm, e cila besoj do të pasojë këtë ligj të ri, do të ketë saktësime më të plota për çështjet e mësipërme dhe uroj që diplomatët shqiptarë dhe familjet e tyre të marrin vlerësimin dhe trajtimin e merituar, ashtu sikundër qytetarët meritojnë një shërbim diplomatik e konsullor akoma më të mirë. Tradicionalisht, problemet më serioze në shërbimin diplomatik nuk kanë ardhur nga brenda ministrisë – ato kanë qenë dhe janë rrjedhojë e diktimeve nga jashtë kësaj ministrie. Mazhoranca socialiste ka bërë Ligjin 9095, datë 3.7.2003 dhe Ligjin e vitit 2015.

Nëse Ligji i vitit 2003 do të kishte disa përmirësime që rregullojnë dinamikën e një shërbimi diplomatik modern, do të ishte mirë. Por, ndryshimet e vitit 2015 jo vetëm e shkëputën diplomacinë tonë nga tradita e organizimit dhe funksionimit të saj profesional, brenda disa kritereve kushtetuese dhe në përputhje me Konventën e Vjenës, por e dorëzuan atë tek paradhoma e ekzekutivit, tashmë edhe me ligj! Ekuilibri i shërbimit të jashtëm i rregulluar me ligjet e mëparshme u shemb dhe të gjitha kompetencat kaluan në dorën e kryeministrit, duke i lënë Presidentit vetëm penën për firmosjen e dekreteve. Madje, për herë të parë atij iu vu një ultimatum kohor prej 30 ditësh për të firmosur dekretin e ambasadorit. Pavarësisht se ambasadorët shkojnë në vendet pritëse me kredencialet e kreut të shtetit, në fakt, kredencialet reale janë nga Kryeministri, sepse Presidenti as nuk e pengon emërimin e as nuk e bën dot shkarkimin e një ambasadori. Ligji i ri që pritet të miratohet në Kuvend, jo vetëm nuk ka bërë asnjë korrigjim në krahasim me problemet që solli ai i vitit 2015, por përkundrazi çimenton më shumë fuqinë e ekzekutivit mbi atë të kreut të shtetit, kur është fjala për emërimin e ambasadorëve dhe hap plotësisht portat për prurje nepotike dhe politike në diplomaci.

Në njërën anë kemi “fuqizim” të Akademisë Diplomatike dhe në anën tjetër, hapet porta e madhe për pranime nga administrata jashtë MEPJsë. Me pak fjalë, kemi konsolidimin e Drejtorisë së Çokave, e cila vjen si trashëgimia më e keqe e ish-sistemit komunist, që diktonte emërimet në diplomaci nga klanet byroiste. Kjo traditë, në një farë mënyre vazhdoi edhe kur pushtetet u ndërruan, sepse klanet nepotike dhe lidhjet e vjetra, dolën se ishin më të forta se kriteret e meritokracisë dhe karrierës profesionale. BE ka kërkuar standarde për administratën publike dhe ne, siç shihet po i bëjmë ato në mënyrën tonë. MEPJ (ish-MPJ) është konsideruar shpesh si “vend pëllumbash” dhe si i tillë ky institucion nuk arriti kurrë të reformohet siç duhet, sepse askush nuk ka dashur të merret seriozisht me të.

“Reformat” janë bërë për të justifikuar largime dhe pranime arbitrare, sipas urdhrave politikë, por jo për të përmirësuar shërbimin diplomatik, i cili ka nevojë për më shumë vëmendje dhe konsensus. Diplomacia, policia, drejtësia, shërbimi sekret, sistemi bankar, janë disa nga sektorët ku politika duhet të kishte konsensus për të mos prekur thelbin e këtyre institucioneve dhe të shërbimeve që vijnë prej tyre. Mirëpo, për fat të keq, abuzimet dhe diktatet politike në këto fusha dhe të tjera, janë bërë të shoqëruara me “ligj dhe reformë”. Arbitrariteti duket më i pranueshëm, kur ai nuk “paketohet” me gjoja ligje reformuese. Pas 30 vitesh tranizcion, të gjithë e kemi të qartë falsitetin e gjithë atyre ligjeve, që u miratuan gjoja në emër të reformimit dhe produkti real i tyre qe deformimi. Edhe ligji që propozohet, më duket se është njëri prej tyre. Hartohet dhe vihet në qarkullim në muajin gusht – në kohën kur të gjithë janë me pushime dhe për të shmangur debatet reale rreth tij. Pastaj vjen shtatori i kartonëve parlamentarë dhe pas nja dy tre ditëve zhurmë nëpër studio televizive, ligji kalon dhe diplomacia “reformohet” akoma më shumë duke i ngjarë edhe më qartë zgjatimit politik të ekzekutivit.

Në ligjin e ri, Presidentit i hiqet jo vetëm mundësia për t’u menduar për kandidatët për ambasadorë, por ai as nuk arrin të lexojë opinionet e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, para se të hedhë firmën mbi dekrete. Aktualisht, kandidati për ambasador duhet që, para dekretimit, të dëgjohet në Kuvend. Në ligjin e ri që propozohet dhe në bazë të Nenit 32, pika 4, propozohet që “Pas emërimit nga Presidenti i Republikës, ambasadori paraqet platformën përkatëse në një seancë dëgjimore pranë Komisionit për Politikën e Jashtme”. Kjo pikë shkelmon edhe Presidencën edhe Kuvendin, sepse asnjëri institucion nuk pyetet – të dyja janë formale përballë kandidatit për ambasador. Edhe kërkesa e agrementit, krijon një situatë të paprecedentë, referuar pikës 5 të po këtij neni: “Në vijim të seancës dëgjimore, ministri i kërkon shtetit pritës dhënien e agrementit për ambasadorin”.

Deputetët nuk pyeten fare, siç nuk pyetet as presidenti, por këtu shtrohet një pyetje; çfarë ndodh nëse shteti pritës nuk e jep agrementin për arsyet e tij, ndërkohë që ti e ke dekretuar ambasadorin dhe e ke dërguar në një seancë fake në Parlament për të paraqitur platformën e tij të drejtimit e përfaqësimit në misionin diplomatik në vendin pritës? Kush e mban përgjegjësinë për diskreditimin publik të ambasadorit të dekretuar? Një absurditet tjetër, që sjell ky draft është vendosja e “ambasadorit” të ministrit në misionet diplomatike, ku ka ambasadorë të dekretuar nga Presidenti! Kjo “risi” e padëgjuar kërkon të legjitimohet nga Neni 37, pika 4, që thotë: “Në raste të veçanta, në përbërje të misionit diplomatik pranë organizatave ndërkombëtare, përveç ambasadorit të emëruar nga Presidenti i Republikës, ministri mund të emërojë diplomatë me gradën ‘Ambasador’, të cilët ushtrojnë funksione të kufizuara përfaqësimi, nën autoritetin e kreut të misionit diplomatik”. Pra, duke vendosur “dy kamberë në një derë”, ato historitë komike me sherre nëpër misionet tona do të tejkalojnë çdo parashikim. Deri tani ka ndodhur që, për shkak të lidhjeve të forta me “qendrën”, shumë shoferë dhe nëpunës të nivelit më të ulët, të jenë sjellë si ambasadorë dhe ambasadorët janë përdorur si “valet parking people”.

Pavarësisht debateve “konstruktive” apo “profesionale”, të cilat mund të shoqërojnë miratimin e këtij projektligji, para syve më dalin emrat e deputetëve, zyrtarëve dhe familjarëve të biznesmenëve dhe atyre që kanë nga një rezervat votash, që do të emërohen nëpër ambasada, qoftë si ambasadorë apo qoftë si “diplomatë” e “konsullorë”. Këtë të “drejtë” ua jep qeveria me ligj, me nenin 33, pika 2, që thotë se “Në raste të veçanta, bazuar në interesat e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë, ministri i propozon Kryeministrit kandidatura për kre të misionit diplomatik jashtë sistemit të karrierës diplomatike, personalitete të shquara në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të së drejtës, ekonomisë, kulturës, shkencës apo të shoqërisë civile, me lidhje ose marrëdhënie dobiprurëse me shtetin pritës” si dhe Neni 36, pika 3, që thotë se: “Kreu i postit konsullor mund të përzgjidhet edhe nga jashtë sistemit të karrierës diplomatike, sipas kërkesave për pranim në Shërbimin e Jashtëm të parashikuara në nenin 40 të këtij ligji”.

Në përmbyllje të këtij opinioni, shpreh keqardhjen që edhe pas 10 vitesh nga hartimi dhe miratimi militantesk i një ligji për shërbimin e jashtëm, nuk bëmë dot as 10 hapa para për ta korrigjuar atë, por përkundrazi po bëjmë edhe 100 hapa të tjerë pas, në raport me atë që kërkojnë qytetarët dhe diplomatët e karrierës. Janë edhe shumë pjesë të tjera të këtij projekt-ligji që duhen korrigjuar e përmirësuar, por së paku, këto që ceka më lart kërkojnë ndërhyrje urgjente për t’u ndryshuar – së paku kthehuni te Ligji 2003 që një tjetër mazhorancë socialiste e pati miratuar! Kthejani diplomacinë diplomatëve dhe hiqeni Drejtorinë e Qokave Diplomatike!/Gazeta Panorama

Ura e Ibrit si çështje serioze dhe “tallavaja” e opinionit publik e atij politik!

Nga Alban Daci

Çështja e një urë po kthehet në një çështje ndërkombëtare të ngjashme me Ukrainën dhe krizën e Lindjes së Mesme.

Në fakt kjo nuk është çështje kaq shumë e rëndësishme, por trajtohet si tillë nga ajo pjesë e opinionit publik që për shkak të urës sulmon Kurtin dhe po ashtu Opozita e Kosovës, por përdor pikërisht urën si instrument për të sulmuan jo drejtpërdrejtë Kurtin, meqë politikisht nuk ka mund dot atë.

Por si qëndron e vërteta?

Po flasim për një urë që lidh të njëjtin qytet brenda Republikës së Kosovës! Pro hapjes së urës është shprehur edhe Kuvendi i Komunës të Mitrovicës e po ashtu pro hapjes është edhe Kurti.

Pra, në këndvështrimin e legjitimitet janë shprehur pro edhe pushteti lokal edhe ai qëndror.

Kosova është shtet sovran dhe i pavarur!

Nenet 1 dhe 2 të Kushtetutës të Kosovës flasin qartë për sovranitetin e Kosovës, tërësinë territoriale! Kurti është zgjedhur nga qytetarët e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale si të pandarë dhe unike.

A ka ndonjë element jo legjitim në ushtrimin e sovranitetit të tij që Kurti kërkon ta bëj për hapur urën?

Ura është garanci për lëvizjen e lirë të qytetarëve që bën pjesë tek liritë themelore të njeriut! Hapja e urës është në shërbim të Shtetit të së Drejtës, garancisë për siguri dhe për të administruar territorin sipas kornizave kushtetueses.

Berlinezët nuk pyetën askënd kur rrëzuan Murin! Ura e Ibrit në absurditetin tonë është muri i vetëm që qëndron në Europë dhe që ndanë pakuptim dhe padrejtësisht në dy pjesë të njëjtin qytetet.

Muri i Berlinit u krijua, le të themi me marrëveshje apo realitetit nderkombetar dhe i rrëzuar vetëm falë vullnetit të gjermanëve.

Ekzistenca e kësaj barriere fizike nuk e ndihmon bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve, nuk e ndihmon bashkëpunimin, sigurinë dhe po ashtu as integrimin e tyre reciprok si një njësi kolektive brenda nocionit shtetëror.

Kosova ka 25 vjet e çliruar dhe 16 e pavarur!

Atëherë do e pranojmë dhe do e respektojmë sovranitetin dhe kushtetutën e saj apo do të bëjmë “hajgare”?!

Disa që nuk din si t’a mundin e ta sulmojnë Kurtin politikisht, po aludojnë se Ura nuk është emergjencë dhe nuk është prioritet.

Në fakt është emergjencë dhe prioritet si në simbolikë, sepse është një urë që nuk duhet të mbyllej asnjëherë, por në të njëjtën kohë është edhe emergjencë për të garantuar të plotë sovranitetin e Kosovës para se ngjarjet ndërkombëtare në vazhdim t’a pengojnë, ngadalësojnë ose t’a privojnë përgjithmonë me ndonjë propozim të ri për ndarje përfundimtare si zgjidhje te ngutshme dhe jo të drejtë.

Kosova është shtet sovran i njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ka Kushtetutën e saj!

Natyrshëm lind pyetjapërse Kosova duhet të dialogojë me Serbinë për një çështje krejt të brendshme të saj dhe për më tepër me një shtet që ka qenë në konflikt dhe nuk e njeh apo pranon pavarësinë e saj?

Këtë e din vetëm Opozitarët e Kurtit dhe analistët që ju shërbejnë atyre! Nuk ka pse fare të bisedohet me Serbinë edhe pse në faktë me marrëveshjen e Europian është rënë dakord edhe për urën e cila duhet të ishte hapur që në 2017.

Kosova nuk është mund të jetë një realitet që mbijeton dhe e mbron sovranitetin e saj në raport me ngjarjet apo me situatat ndërkombëtare! Sovraniteti i Kosovës nuk mund të jetë viktimë apo instrument i vazhdueshëm i probleme në Ballkan apo edhe më gjerë! Sovraniteti i saj duhet të jetë një çështje e mbyllur dhe sa më shumë qëndron si çështje e hapur nuk e ndihmon Naton apo sigurinë e Europës, por komplikon dhe e rrezikon.

Po flasim për realitetin e Kosovës i cili mund të jetë model frymëzues edhe për probleme të tjera në Ballkan! Imagjinoni sikur të merret nisma për të mbyllur edhe urën e Shkupit apo ndonjë urë të ndonjë fshati në Himarë që pretendon se është minorancë greke e nuk pranon autoritetet e Shtetit Shqiptar! Urat e mbyllura janë rrezik konfliktesh e krizash dhe jo urat që hapen! Mbyllja është ndasi se facto e ndërsa hapja është Bashkim dhe bashkëjetesë!

Jam kurioz të di kush është zgjidhja që ka Opozita e Kosovës për Urën të cilët kanë qeverisur Kosovën që nga çlirimi e deri në fitoren e Kurtit e në fakt sa kohë kishin në pushtet as nuk kishin propozime e as nuk e hapën urën! opozitarët e Kosovës a kanë përgjegjësi e detyrime ndaj Kushtetutës dhe sovranitetit kur sulmojnë Kurtin për hapjen e Urës?

Ura dhe ndërkombëtarët!

Zhurma është bërë e madhe e çështja është fryrë sikur të ishte jetike për sigurinë në Europë dhe në Ballkan! Akuzat janë se Kurti po prish marrëdhëniet me SHBA! Këta të fundit do të pranonin që në vendin e tyre të kushte ndonjë urë që ndante qytetet e ndalonte lëvizjen e lirë të shtetasve?

Kosova është investim i SHBA e për këtë s’ka dyshim! Shqiptarët e Kosovës janë më pro amerikanët në botë e kjo e ndihmon shumë interesin gjeopolitik, gjeostrategjik re SHBA, sigurinë e saj, të Natos dhe BE.

Kurti nuk ka theksuar në asnjë moment se ura do të hapet pa konsultime me aleatët perendimor, por ka theksuar se hapja e kësaj të fundit nuk është kundër askujt!

Dallimi me një lideri që qeveris, Opozitës politike dhe opinionit publik është se: i pari ka detyrime kushtetueses, duhet të marr vendime e ka kosto direkte për vendimet që merr.

Ndërsa Opozita e opinioni publik mund të japin disa zgjidhje, mund të bëjnë kritika, por nuk kanë asnjë kosto të drejtëpërdrejtë.

Kurti duhet të marr një vendim në respekt të Kushtetutës dhe sovranitetit! Lider është pikërisht ai që merr vendime që në shumicën e rasteve nuk plotësojnë egot dhe dëshirat e tjerave, por janë themelore e të domosdoshme!

Disa e lidhin sjelljen e Kurtit si tradhti ndaj aleatëve të cilët kanë kontribuar duke e çliruar Kosovën e Duke bombarduar Serbinë.

Ndërhyrja në Kosovës nëse lexojmë vetëm autobiografinë e Blair “Udhëtimi” e kuptojmë se ishte për shkak të genocidit, dhunës e pastrimit etnik që po bëhej.

Prej atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra, kanë kaluar shumë vite, janë ndërruar disa herë liderët e Perëndimit e nuk mund t’i analizojmë perspektivat e Kosovës me optikën e para 25 viteve.

Kosova është më SHBA dhe Europën dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim! Kurti nuk ka asnjë orientim për t’u afruar me Rusinë, Kinën apo faktorë të tjerë që janë ostil me perëndimin! Atëherë si mund të quhet ky si anti-amerikan?!

Kosova si çdo shtet para se të jetë më të tjerët duhet të jetë me veten! Nëse ajo qëndron e forte me veten atëherë është besueshme dhe dobishme edhe për aleatët e saj!

Diplomacia ka dy anë të medaljes: publiken dhe privaten dhe të rezervuarën.

Të parën e dimë te gjithë sepse është publike përmes deklaratave apo qëndrimeve.

Qëndrimet publike të ShBA -ve i dimë, por nuk dimë qëndrimet e tyre të rezervuara e private e ndoshta nuk do t’i dimë kurrë.

Ndoshta më mirë se ne i dinë vetëm Kurti dhe Osmani që janë protagonistët kryesore! Forcimi i Kosovës është forcimi i interesave dhe i sigurisë së SHBA-ve, Natos dhe BE.

Dobësimi i saj është problem serioz për të gjithë bashkë! Ura duhet të hapet.

Vullneti për t’a bërë nuk duhet të mungojë nga të gjithë faktorët kombëtar dhe nga aleatët.

Kosova dhe rreziku permanent!

Mos njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Sërbia dhe qëndrimet e saj aspak miqësore dëshmojnë qartë faktin se Kosova përballet me një rrezik permanent.

Ky rrezik as nuk zgjidhet e as nuk përfundon me hapjen ose jo të urës.

Përballë këtij rreziku Kosova ka vetëm një mundësi: vendime të forta, qëndrimet të forta dhe përballje.

Kosova duhet të modernizojë forcat ushtarake dhe duhet t’i vendos në lartësinë e sfidave! Izraeli nuk kërkon mbështetje apo lëmosha, por ka qëndruar përballë sfidave.

Forcimi i sigurisë që Kosovës nga vetë Kosova është kushti dhe sfida kryesore që garanton ekzistencën dhe vazhdimësinë si entitet shtetëror njësoj së tjetër e të barabartë me të tjerët në qasjen e të Drejtës Ndërkombëtare.

Përplasja me Kurum/ Shqipëria, prodhuese apo trafikuese e mbetjeve toksike?

Në fund të shtatorit pritet që në Durrës të ankorohen dy anije të ngarkuara me 816 ton mbetje të rrezikshme, por deri tani është ende e paqartë se kujt i përkasin kontenierët që u nisën nga Durrësi drej Tajlandës në fillim të korrikut.

Në një reagim për Shqiptarja.com nga Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit thuhet se ngarkesa e ka origjinën tek kompanitë që operojnë pranë metalurgjikut në Elbasan, duke lënë të kuptohet se fatura është e kompanisë Kurum.

“Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS” thuhet në këtë reagim.

Një shpjegim i ngjashëm ishte dhënë edhe më herët për Bloomberg. Por kësaj radhe, qeveria ka sqaruar se “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës”.

Por kompania Kurum ka mohuar të ketë nisur ndonjë ngarkesë me mbetje të rrezikshme drejt Tajlandës. Në një reagim të kompanisë mohohej kategorikisht versioni që jep qeveria për këtë çështje.

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkese për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare” thuhet në deklaratë.

Kompania i kujton ministrisë së kur i duhet të eksportojë materiale aplikon për leje, të cilat janë të verifikueshme në institucionet shqiptare.

Përplasja mes Ministrisë së Mjedisit dhe qeverisë shqiptare shton pikëpyetjet se në ç’mënyrë lëvizin mbetjet toksike në Shqipëri.

Nëse kompania Kurum gënjen, kjo zgjidhet lehtësisht nga Prokuroria e Durrësit. Mjafton verifikimi i dokumentacionit, marrja në pyetje e dëshmitarëve, dhe autorët vihen para drejtësisë bashkë me zyrtarët që janë në shpërdorim të detyrës.

Por nëse Kurum ka të drejtë, historia komplikohet. Në këtë rast, Shqipëria rezulton të jetë shndërruar në vendin e jashtëqitjes së qindra tonelatave mbetje të rrezikshme, që futen në Shqipëri nga vende të tjera dhe dalin jashtë pa u kontrolluar nga askush.

Në këtë linjë ishte edhe reagimi i Doganave për ngarkesën e dytë të bllokuar në Kinë atë me 100 kontenierë të tjerë me mbetje të rrezikshme, edhe ato të nisur nga Durrësi. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kjo ngarkesë e dytë e ka origjinën në Kosovë dhe është nisur nga një kompani private.

“Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk” thuhet në reagimin e doganave.

Versioni që japin doganat për ngarkesën e bllokuar në Kinë është i njëjtë me atë që lë të kuptohet kompania Kurum, se ngarkesat trafikohen nga porti i Durrësit pa u kontrolluar.

Të njëjtin version duket se mbështet edhe Jim Puckett, Drejtor Ekzekutiv i Basel Action Netëork, i cili ka folur tek Syri Tv për skandalin e mbetjeve toksike.

Dyshimet e Puckett janë se Shqipëria është një pikë tranziti që përdoret nga vendet e tjera të Europës për të nisur sasitë e mëdha të ngarkesave me mbetje të rrezikshme.

“Këta eksportues nisen nga Porti i Durrësit, dyshoj se ka shumë mbetje të tjera të përfshira. Shqipëria përdoret si pikë traznisti që përdoret për mbetjet nga Evropë” ka thënë Puckett.

Rrjeti i Bazelit kërkon urgjentisht që mbetjeve që kanë ndaluar në Singapor t’u bëheshin analizat. Në këtë mënyrë do të kishte prova konkrete për ekzistencën e lëndëve të rrezikshme.

Për çështjen është njoftuar se prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet në bashkëpunim me OLAF, Zyrën kundër Mashtrimit në Bashkimin Europian. Deri tani SPAK nuk është përfshirë në hetime, që do të thotë se zyrtarët që hetohen janë të një niveli të ulët./Lapsi.al

Tetë arsye të mundshme pse fëmijët po largohen gjithnjë e më shumë nga prindërit e tyre

Femije shikon tv / AEM
Shumica e prindërve përpiqen të kenë vazhdimisht një marrëdhënie të mirë me fëmijët e tyre. Për shumë prindër, mund të jetë shqetësuese dhe konfuze kur një fëmijë fillon të veprojë në distancë.

 

Kuptimi i arsyeve pas kësaj sjelljeje mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e marrëdhënieve, por gjithashtu të jeni të përgatitur nëse kjo ndodh përsëri në të ardhmen.

Në vijim janë theksuar disa arsye të mundshme, për shkak të të cilave sjellja e fëmijëve largohet nga prindërit e tyre.

Ndryshimet në fazat e zhvillimit

Fëmijët kalojnë nëpër faza të ndryshme zhvillimi që mund të ndikojnë në sjelljen e tyre. Ndërsa rriten, ata kërkojnë më shumë pavarësi, e cila ndonjëherë mund të perceptohet si distancim. Është një pjesë e natyrshme e rritjes dhe nuk është domosdoshmërisht një reflektim i marrëdhënies midis prindërve dhe fëmijëve. Respektoni nevojën e tyre për hapësirë ​​duke mbetur në dispozicion për mbështetje dhe udhëzime.

Shqetësim emocional

Stresi emocional, qoftë nga problemet familjare, miqësia apo shkolla, mund t’i bëjë fëmijët të tërhiqen. Ata mund të mos dinë të shprehin ndjenjat e tyre, gjë që çon në sjellje të largëta. Krijoni një mjedis të sigurt dhe të hapur ku fëmija juaj mund të flasë për ndjenjat e tij pa gjykuar.

Presioni akademik

Stresi i lidhur me shkollën, si detyrat e shtëpisë, provimet ose konkurrenca e bashkëmoshatarëve, mund t’i bëjë fëmijët të ndihen të mbingarkuar dhe t’i bëjnë ata të tërhiqen. Prindërit duhet të inkurajojnë një ekuilibër të shëndetshëm midis të mësuarit dhe aktiviteteve të kohës së lirë dhe të ofrojnë ndihmë me detyrat e shkollës kur është e nevojshme, raporton The Times of India.

Sfidat sociale

Problemet me miqtë apo dinamikat sociale në shkollë mund të ndikojnë ndjeshëm në disponimin dhe sjelljen e fëmijës. Abuzimi në veçanti mund të çojë në tërheqje dhe izolim. Angazhohuni në biseda të rregullta për jetën e tyre shoqërore dhe jini vigjilent për shenjat e ngacmimit ose ankthit social.

Teknologjia dhe koha e ekranit

Përdorimi i tepërt i mediave sociale mund të krijojë një pengesë virtuale mes jush dhe fëmijës suaj. Ata mund të preferojnë të kalojnë kohë në internet sesa të komunikojnë me familjen e tyre. Vendosni kufij të shëndetshëm për kohën para ekranit dhe inkurajoni aktivitete që inkurajojnë ndërveprimin ballë për ballë.

Probleme me shëndetin fizik

Problemet shëndetësore, qofshin ato të vogla apo serioze, mund të ndikojnë në nivelin e energjisë dhe humorin e fëmijës, duke e bërë atë të largët. Si prind, bëni kontrolle të rregullta mjekësore për fëmijët dhe jini vigjilentë për çdo shenjë sëmundjeje ose lodhjeje, raporton The Times of India.

Ndryshoni në shtëpi

Dinamika familjare, si ardhja e një vëllai ose motre të re, divorci ose zhvendosja në një shtëpi të re, mund të prishin ndjenjën e stabilitetit të fëmijës dhe ta bëjnë atë të tërhiqet. Angazhojini ata në diskutime rreth ndryshimit dhe sigurojini për t’i ndihmuar të ndihen të sigurt dhe të përfshirë.

Mungesa e kohës cilësore

Oraret e ngarkuara mund të rezultojnë në kohë më pak cilësore për prindërit dhe fëmijët për të kaluar së bashku, gjë që mund ta bëjë fëmijën të ndihet i lënë pas dore ose më pak i rëndësishëm. Jepini përparësi kalimit të kohës cilësore me fëmijën tuaj, duke u angazhuar në aktivitete që i pëlqejnë dhe duke treguar një interes të vërtetë për jetën e tyre.