19.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Aksident i rëndë në aksin Elbasan – Librazhd, përfundojnë në spital katër anëtarët e një familjeje

Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme (22 gusht) në aksin Elbasan – Librazhd.

 

Një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut, në rrethana ende të paqarta është përplasur me një automjet tjetër.

Si pasojë e këtij aksidenti, kanë përfunduar në spital katër anëtarët e familjes, drejtuesi i mjetit me targa të Shkupit, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët.

Po ashtu automjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë për trajtim mjekësor në repartin e kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Çfarë ka ndodhur në Ballkan këto muaj që ka tërhequr vëmendjen e CIA-s amerikane, ndërsa shefi i kësaj agjencie Uilliam Bërns ishte së fundmi në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës dhe Beograd

Nga Sebastian Zonja

1. Me futjen e prorusëve në qeverinë malazeze, nisi një konflikt me Kroacinë. Mbeti pak jashtë vëmendjes së medieve qendrore, ndërkohë që tonet u ashpërsuan shumë. Prorusët dhe proserbët në Mal të zi janë unison sa i përket rihapjes së çështjeve të Luftës së Dytë Botërore me ustashët kroatë.

2. Serbia nuk e ka sansksionuar Rusinë për luftën pushtuese në Ukrainë, ndërkohë që ideatori i sulmit terrorist në Banjskë mbrohet nga Beogradi. Së fundmi, ish-shefi i shërbimit inteligjent serb Aleksandër Vulin ishte në Moskë.

3. Incidenti me presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit mund të shihet në prizmin e sigurisë si tentativë për të ndezur tensione etnike në Maqedoninë e veriut.

4. Bosnja është një vatër e nxehtë aktualisht. Ndërkohë që ka bashkëpunim mes Kroacisë dhe Serbisë për të izoluar faktorin boshnjak, myslimanët e Bosnjës kanë çelur një derë për influencën e Iranit në Sarajevë.

5. Po në Bosnjë, Milorad Dodik nuk ka mbështetjen e Beogradit sa ka atë të Moskës. Tentativat e tij për shpërbërjen e federatës boshnjake, duke sjellë fantazmat e luftës së tre dekadave më parë, kanë ngritur antenat e agjencisë amerikane të inteligjencës.

6. Diplomacia perëndimore ka dështuar për të afruar Ballkanin me Bashkimin Evropian, ndërkohë që ka lënë dyer të hapura për influenca ekonomiko-politike për Kinën, Rusinë dhe Iranin. Edhe pse nuk e pranon, dështimi duket haptazi.

7. Kisha Ortodokse Serbe është e lidhur ngushtë me Kishën Ruse dhe shërben si instrument propagande dhe destabiliteti. E njëjta qasje që u përdor me ndihmën e Greqisë për të shkëputur Kishën Ortodokse të Ukrainës nga tutela e Moskës, mund të përdoret për të shkëputur këto fije të politikës shoviniste që ndjek Rusia me anë të instrumentave fetarë dhe etnikë sllavë në Ballkan.

8. Po ashtu, një tjetër instrument i Rusisë për të shtuar influencën e saj në Ballkan është gazi dhe nafta. Faktorizimi i Kroacisë si pikë qëndrore për shpërndarjen energjetike në Ballkan sjell stabilizim të rajonit nga varësia ruse që aktualisht ndihet në Hungari dhe Serbi.

9. Situata është bërë më e ndërlikuar teksa pritet sulm iranian ndaj Izraelit dhe Ukraina ka hyrë në Kursk. Zbritja e shefit të CIA-s në terren tregon se situata nuk është e mirë.

10. Pas këtyre nëntë pikave, vlen të pyesim gjithë analistët e darkave në Prishtinë – Tiranë dhe Shkup nëse qënkesh me vërte Kosova ajo që tensionon gjithë Ballkanin apo është Serbia dhe fijet e Rusisë?

Fatura e PPP këtë vit 11% më shumë. Një ndër shkaqet, inceneratori i Tiranës

Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2024 me destinacion mbështetjen nga buxheti i shtetit për kontratat koncesionare/PPP, sipas planit vjetor të buxhetit 2024 me ndryshime janë në total rreth 14.15 miliardë lek.

Nga këto, rreth 5.89 miliardë lek janë investime dhe rreth 8.26 miliardë lek shpenzime korente.

Ministria e Financave në një analizë të posaçme që i bëri zbatimit të buxhetit 2024 vlerësoi se krahasuar me pagesat faktike vjetore 2023, të cilat arritën vlerën rreth 12.66 miliardë lek, pagesat e planifikuara për vitin 2024 janë rreth 1.49 miliardë lek më të larta ose rreth 11.8% më shumë, konkretisht si rrjedhojë e:

– Planit më të lartë të pagesave 2024 për kontratat ‘Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit’ dhe ‘Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajta e Rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)’, në referencë të skedulit të pagesave në modelet financiare të miratuara, pjesë integrale e dy kontratave konçesionare përkatëse.

-Planit më të lartë të pagesave për vitin 2024 për kontratën “Ndërtimi i Landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”. Inceratori i Tiranës, një vepër që nuk ekziston dhe procesi është nën hetim dhe sekuestro nga SPAK, do të financohet këtë vit nga taksat e shqiptarëve me 1,27 miliardë lekë ose 20% më shumë (12 mln euro) se në vitin 2023.

Ministria e Financave raportoi se në 5 mujorin 2024, pagesat faktike për kontratat koncensionare rezultojnë në masën rreth 4.65 miliardë lek ose 32.9% të pagesave të planifikuara vjetore 2024, sipas planit me ndryshime. Krahasuar me të njëjtën periudhë 2023, ato rezultojnë rreth 705.8 milionë LEK më të larta ose 18% më shumë, që i referohet pagesave më të larta konkretisht për:

Kontratën “Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”, ku rritja e planit të pagesave vjetore 2024 ka sjellë edhe realizim më të lartë si 5M dhe Kontratën “Për përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës (Loti 1 dhe Loti 4)”, si rrjedhojë e lëvrimit më herët të fondit vjetor për vitin 2024, nga MAS.

Në zbatim të Nenit 4/2 të Ligjit Organik të Buxhetit, shuma totale e pagesave vjetore që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme (NJQP), të cilat rezultojnë nga kontratat PPP, si rregull, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.

Kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat PPP për vitin për vitin 2024, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2023, përllogaritet në rreth 29.9 miliardë LEK. Plani i pagesave 2024 për kontratat konçesionare me PPP, të raportuara nga Autoritetet Kontraktore përkatëse, përbën 2.36% të totalit të të ardhurave tatimore faktike 2023, duke respektuar rregullin fiskal prej ‘jo më shumë se 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës’.

Shumica e kontratave koncesionare me mbështetje buxhetore janë në hetim nga SPAK për kosto të larta dhe shkeljeve të rregullave dhe ligjeve.

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor

Përmbyset anija me 25 emigrantë, po kalonte nga Serbia në Bosnje! 18 prej tyre shpëtojnë, vazhdojnë kërkimet për personat e tjerë

Një anije me emigrantë është përmbysur ndërsa po kalonte nëpër lumin Drina nga Serbia në Bosnje, ka thënë policia serbe.

 

Policia është lajmëruar në orët e para të mëngjesit nga autoritetet në Bosnjë dhe një qytetar që e ka raportuar rastin, ka thënë ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç.

Daçiç është shprehur se 18 emigrantë, përfshirë tre fëmijë, ia dolën të kalonin në Bosnje, nga 25 persona gjithësej që ishin në anije kur u përmbys.

Pritet që në operacionin e kërkimit të përfshihen edhe palombarët, raportoi AP.

Emigrantët që shfrytëzojnë të ashtuquajturën rrugë ballkanike në përpjekje për të arritur Evropën Perëndimore, shkojnë në Serbi nga Bullgaria ose Maqedonia e Veriut para se të vazhdojnë në Hungari, Kroaci ose Bosnjë.

Importi i mbetjeve në Shqipëri/ Mirela Karabina: Qeveria që pasurohet nga plehrat me inceneratorë që nuk ekzistojnë kërkon të rris grumbujt e mbetjeve në vend

Zëdhënësja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina, në një deklaratë për mediat ka reaguar për projektiligjin e qeverisë për që lejon importin e mbetjeve në Shqipëri. Karabina shprehet se qeveria e Edi Ramës e cila do të mbahet mend për pasurimin nga plehrat, me ligji e ri i jep të drejtën Këshillit të Ministrave që të përcaktojë se cilat lloje të mbetjeve do të importohen nga jashtë, ndërkohë që sasia e mbetjeve tona të grumbulluara nga mosfuksionimi i incerenatorëve i ka tejkaluar kapacitetet e landfillit, duke rënduar dhe shtuar rreziqet e ndotjes.

Karabina më tej merr rastin e inceneratorit të Elbasanit i cili nuk punon dhe që ka sjellë gjendjen që është sot, grumbullime masive të mbetjeve të cilat qytetarët e elbasanit ia shohin flakën, ia ndiejnë erën e keqe dhe vuajnë pasojat e ndotjes së mjedisit. Sipas saj, Bashkia Elbasan paguan 2500 lekë për ton mbetjesh kompaninë Eco-Alb, mbetjet vetëm grumbullohen dhe as përpunohen e as incenerohen sipas kontratës.

 

DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË PD-DEMOKRATËT EUROATLANTIKË, MIRELA KARABINA

Impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, pavarësisht se kanë harxhuar miliona euro dhe vazhdojnë duke e rritur koston financiare, tashmë janë kthyer në rrezik të madh mjedisor duke ndikuar drejtëperdrejtë në shëndetin dhe jetën e qyetarëve.
Sikur mos mjaftonte kjo krizë aktuale mjedisore që është shkaktuar nga kjo politikë e incinerimit, Qeveria e Edi Ramës, e cila do të mbahet mend si qeveria që u pasurua nga plehrat, do të miratojë një projektligj të propozuar nga Ministria e Mjedisit që lejon importimin në Shqipëri të mbetjeve.
Projektligji, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, I jep të drejtën Këshillit të Ministrave që të përcaktojë se cilat lloje të mbetjeve do të importohen nga jashtë, ndërkohë që sasia e mbetjeve tona të grumbulluara nga mosfuksionimi i incerenatorëve i ka tejkaluar kapacitetet e landfillit, duke rënduar dhe shtuar rreziqet e ndotjes.
Kështu, inceneratori i Elbasanit prej muajsh nuk punon dhe kalon nga remonti në remont, dhe për këtë përgjegjësia është direkte e Bashkisë Elbasan si aksionerja më e madhe me 52% të aksioneve dhe kompanisë publike Eco-Alb, të cilat kanë mungesë të plotë transaprence në lidhje me mosfunksionimin e impianitit.
Kompania publike Eco-Alb që administron incerenatorin e Elbasanit ka deklaruar se përgjatë vitit 2022 impianti ka punuar vetëm 24 ditë ndërsa përgjatë 2023-it ka punuar më gjatë, por si rezultat i defektteve të shumta, impianti është fikur.
Fikja e impianit ka sjellë gjendjen që është sot, grumbullime masive të mbetjeve të cilat qytetarët e elbasanit ia shohin flakën, ia ndiejnë erën e keqe dhe vuajnë pasojat e ndotjes së mjedisit.
Para instalimite të impianitit mbetjet digjeshin po në fushë por në anën tjetër të qytetit duke e ndotur atë, asokohe pa kosto financiare. Ndërsa sot, edhe pse Bashkia Elbasan paguan 2500 lekë për ton mbetjesh kompaninë Eco-Alb, mbetjet vetëm grumbullohen dhe as përpunohen e as incenerohen sipas kontratës.
Duket qartë që Bashkia Elbasan paguan për procese të cilat nuk bëhen.
Me ndërtimin e inceneratorit nuk duhet të kishte depozitim të mbetjeve apo landfill, por nga mbetjet duhet të ishin vetëm hirat të depozituara në formë të kontrolluar, larg ndikimit në mjedis.
Mostrajtimi i tyre sot do të ndotë edhe lumin Shkumbin, duke e kthyer në një tjetër vatër të rrezikshme për Elbasanin.
Mosfunksionimi i plotë i impiantin të Elbasanit po ia shton hallet mjedisore qytetit, i cili është ndër më të ndoturit në vend, dhe prej dekadash vuan ndotjen më të rëndë mjedisore shkatuar nga Kombinati Metalurgjik që e helmoi qytetin dhe tani përballet me djegien e mbetjeve.
Elbasani është cilësuar si qyteti që po vdes ngadalë për shkak të ndotjes së lartë dhe duket që qytetarët elbasanas nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të jetojnë nën tymin ndotës karcerogjen derisa një Bashki e përgjegjshme e Demokratëve Euroatlantikë të mendojë për qytetarët dhe t’i shërbejë atyre.
Qytetarët elbasanas meritojnë të jetojnë mirë dhe shëndetshëm.
Shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeverisje që i ndot mjedisin përmes korrupsionit të plehrave në këmbim të shëndetit të tyre.
Shqiptarët meritojnë më shumë.
Shqipëria Meriton më Shumë.

Fundosja e jahtit luksoz pranë Palermos, gjendet edhe trupi i gjashtë i pajetë

Trupi i pestë është nxjerrë nga rrënojat e jahtit, ka thënë autoriteti i mbrojtjes civile për Sky News.

Kjo e çon numrin total të vdekjeve të konfirmuara në gjashtë, pasi trupi i shefit të kuzhinës Recaldo Thomas u gjet në ditën e fundosjes.

Kujtojmë që ditën e djeshme u nxorën katër trupa, mes tyre ai i manjatit britanik dhe vajzës së tij.

Tre trupat e tjerë nuk janë identifikuar ende.

Hiqeni traun, lërini njerëzit të lirë!

Nga Enriketa Papa

Pershtypjet e udhetimit tre ditor ne Kosove: Gjakove-Peje-Mitrovice dhe komunat perreth, ishin mbreselenese. Kudo ndihej fryma e shqiptarise, patriotizmit, nderimit te te reneve per lirine e Kosoves. Pashe shtepi dhe terrene te mirembajtura. Qytetare te ndergjegjshem per cfare kane arritur, fale dhe sakrifices se secilit. Nuk ka besoj, familje a fis, qe te mos kene sakrifikuar per Kosoven. Jane kallur te gjithe per ate toke. Liria fitohet, nuk dhurohet. Liria ka emer. Ajo quhet Kosove!
Kudo ndjeva dashurine dhe respektin, per ne shqiptaret e matane Morines. Kudo ku vajtem, u mirepritem me respekt, pershendetje dhe buzeqeshje, teksa shihnin targat e Shqiperise.
Mes nesh dhe Kosoves, nuk duhet te kete kufi. Trau duhet hequr. Njerezit duhet te ndihen te lire te vershojne pa pengesa ne dy anet e atdheut. Vetem liria eshte mjeti me i fuqishem per te bashkuar rrymat njerezore dhe njohur realitete historike, kulturore, sociale, edukative dhe ekonomike mes nesh.
Shqiptaret nuk e meritojne traun!
Kane sakrifikuar dhe dhene aq shume qe Shqiperi dhe Kosove te jene nje!
Hiqeni traun!
Lerini njerezit e lire!

Kthimi i legjitimitetit të PD-së domosdoshmëri historike!

Nga Azgan Haklaj

Odiseja e vulës dhe siglave të PD-së duket si një rrugë pa krye që në finish nuk do ketë të fituar brënda demokratëve.
Në fakt kjo nuk është në thelb një betejë mes demokratëve.
Është një betejë e pastër parimesh.
Është beteja midis klanit pseudopluralist të post diktaturës së krijuar nga Ramiz Alia e sigurimi i shtetit dhe demokratëve qëndrestarë të prirë nga Lulzim Basha që vendosën të bëjnë pastrimin, ndryshimin dhe rivendosjen e aspiratave të pastërta mbi të cilat u krijua Partia Demokratike.
E pikërisht atëherë kur filloi materializimi i këtij objektivi jetik filloi dhe reaksioni agresiv.
Ky reaksion pavarësisht mantelit propagandistik ishte një unison i treshes Berisha-Rama-Meta për asgjësimin e PD-së.
Operacioni filloi me sulmin e dhunshëm mbi selinë e demokratëve, i cili u ndihmua nga policia e shtetit dhe organet ligjzbatuese.
Ata bënë sehir teksa një grup kriminal i skeduar përdori gjithfarë mjetesh deri në rrezikimin e jetës së deputetëve, zyrtarëve e demokratëve që gjëndëshin në selinë e tyre.
Edhe veprimet e mëpastajme të organeve të drejtësisë ishin në unison me strategjinë e trekëndëshit të Bermudës për të kulmuar me një vendim jo logjik e aspak juridik i njohur si vendimi “Zhukri” i cili grabiti përkohësisht simbolet, vulën dhe legjetimitetin e Partisë reale Demokratike.
I vetmi argument qesharak deri në çmenduri ishte një tubim dimëror në stadium me njerëz të pa mandat të mbledhur me autobusë e të rekrutuar me 5 mijë lekeshe të fondit “bamirës” të Shkelzen Berishës.
Asnjë instancë partiake legjitime nuk mori pjesë perveç kasafortës së ndyshkur në zyrën e Edi Palokës, një tjetër kryengritës dhe ky në krah të non gratës Sali Berisha.
Nuk kishte nevojë për asnjë lloj reflektimi juridik dhe as thellimi hetimor nga gjykata e Zhukrosur, mjaftonte vetëm hapja e kasafortës dhe aty do gjendeshin fletë formularësh të falsifikuara, të gjitha të vulosura e firmosura nga nëndega nr.3 e kryeqytetit dhe aspak sipas rregullit dhe statutit me vulën qëndrore të partisë.
Shumëkush pyet pse pikërisht tani mori hov ky revansh?
Shpjegimi është i thjeshtë dhe i argumentuar.
Eshtë revanshi i dëshpërimit i treshes Rama-Berisha-Meta.
-Sapo Sali Berisha kishte marrë ndëshkimin “non grata”nga SHBA-të dhe Ilir Meta ishte paralajmeruar seriozisht..
-Deshtoi me turp konsipracioni” McGonigal” kundër Lulzim Bashës dhe çështja kishte arritur në Gjykatën Federale Amerikane.
-Establishmenti kishte marrë sinjale reale se organet e drejtësisë se re të përfaqësuar nga SPAK kishin filluar hulumtimet për bëmat e tyre me korrupsion madhor.
Pra me pak fjalë çeta e çakejve nuk kishte rrugë tjetër veçse atë të faktorizimit politik me dhunë si presion ndaj shqiptarëve dhe aleatëve tanë euroatlantikë për t’ju deshmuar se duhet të jenë të paprekshëm pasi kanë mbështetje masive.
Por ndonëse në këtë situatë kaotike ata u munduan të notojnë dhe të tejkalojnë gjithçka por do të përfundojnë me mbytjen e tyre përfundimtare politike.
-Sali Berisha i ngujuar nën çati ka muaj që ulurin broçkulla me keq se të sëmurët mentalë në spitalin e psikiatrisë.
-Ilir Meta vijon me zhytje i ndërgjegjshëm dhe i lemerisur se shpejt e pret një mbytje.
-Edi Rama i diskretituar botërisht me korrupsionin më të paparë në glob, me gjysmën e qeverisë e administratës politike e publike në qelitë e burgut si dhe i anatemuar nominalisht nga raportet më reputative ndërkombëtare.
E solla këtë tablo-parantezë jo se nuk dihet botërisht por si freskim kujtese njerëzore e juridike e cila nuk le vend për asnjë gjykim tjetër veçse kthimin e simboleve dhe legjitimitetit të grabitur të PD-së për interesa okulte, klanore e familjare.
Loja më vulën nuk është rastesi.
Është pjesë e ujdisë Rama-Berisha që përditë po shikohet qartë që nga unisoni parlamentar për amnistinë dhe reformën zgjedhore deri tek inkuadrimi i zv / Kryeministres Balluku në grabitjen e vulës dhe siglave të PD-së nga rrethi i saj nepotik në gjyqsor.
A ka gjë më absurde se sa vendimi i treshes së Gjykatës së Apelit që legjetimon Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit KPR apo G29, duke rrezuar kërkesën e Alibeajt se gjoja nuk kishte fuqi juridike sepse Basha që ia delegonte kishte dhënë dorëheqje publikisht.
Natyrshëm lind pyetja po KPR a bëri zgjedhje një antar nje votë dhe zgjodhi Sali Berishën.
Si ka mundësi që Gjykata e Apelit, rrëzon Gjykatën e Lartë, zinxhirin gjyqsor elektoral, KAS, Kolegj Zgjedhor, KQZ që kishin legjetimuar Alibeajn dhe këshilltarët e firmosur nga ai, shkurt rrëzon zgjedhjet e 14-të majit.
Me vendimin e pjesshëm shënoi një precedent të rrëzikshëm.
A ka paradoks më të madh se sa me vendim të Gjykatës së Apelit Berisha dhe Noka janë bashkëkryetar tek G29, njëkohësisht prezantohen publikisht ndonëse nuk janë ligjërisht si kryetar dhe sekretar i përgjithshëm.
Tek G29 e gjyqtareve të Apelit tre nuk janë pjesë, faktike, pasi i ndjeri ish Presidenti Nishani ka ndërruar jetë, znj Kokalari është larguar, dhe z Agron Shehaj ka formuar një parti tjetër dhe e ka regjistruar në gjykatë.
A kemi përvetësim të paligjshëm të titullit zyrtar?!!
A kemi ushtrim të paligjshëm të drejtimit të një force politike?!!!
Si e ushtron detyrën z Berisha!!?
Me prokurë përfaqësimi!!!
Po z Noka??!!
Ligjërisht duhen 28-të prokura, çka nuk i bëjnë dot sepse tre mungojnë dhe këto thjesht si përfaqësim jo ushtrim detyre.
Pra si konkluzion pranimi i rekursit nga Gjykata e Lartë dhe vendimi për gjykim të thelluar është zgjidhja që jo vetëm jep drejtësi por vulos me vulën e turpit këtë kastë të rrezikshme politike që po e çon vendin tonë drejt një katastrofe të
pa kthim.

Vendet e varfra po i ndalojnë importet e plehrave, ndërsa Shqipëria po bën të kundërtën

Nga Gjergj Erebara

Deri në vitin 2017, Kina ishte, mes shumë gjërash të tjera, gjigandi ndërkombëtar në përdorimin e materialeve të riciklueshme, të tilla si plastika, letra apo metalet. Nga e gjithë bota, anijet e ngarkuara me mbetje mbërrinin në Kinë ku, teorikisht, proceset e përpunimit të tyre kushtojnë më lirë për shkak të krahut të lirë të punës se sa, në vende të pasura, fjala vjen, Shtetet e Bashkuara.

Në këtë vit, Kina vendosi se kishte importuar plehra mjaftueshëm shumë sa të bezdisej. Ajo nisi Operacionin “Shpata Kombëtare” dhe ndaloi importin e plehrave. Arsyeja, pjesa më e madhe e plehrave të importuara me qëllim riciklimin ishin të ndotura apo të pavlefshme për riciklim, kështu që ato përfundonin menjëherë në landfill pas importimit. [link]

Vendimi i Kinës shkaktoi telashe për shumë vende të pasura, të cilat prodhojnë plehra me tepri, për shkak se janë të pasura dhe për shkak se nuk duan kokëçarje gjatë jetesës së vet të përditshme. Vietnami pasoi Kinën duke njoftuar ndalime në importin e mbetjeve në vitin 2018. [Link] Edhe këtu, problemi ishte i njëjtë. Ajo që importohej si lëndë e parë, ishte në fakt mbeturinë për groposje.

Pak vite më vonë, problemi u shfaq në Rumani. Kini parasysh se Rumania është një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe zbaton legjislacionin e Bashkimit Evropian, legjislacion që mes të tjerash, lejon kalimin tranzit apo importimin e lëndëve të para të nxjerra nga procesi i ndarjes në burim apo në impiante të mbeturinave. Problemi ishte se edhe këtu, njësoj si në Kinë, përmes dokumentacioneve që sugjeronin se mbeturinat ishin për qëllime tranziti në territorin e Rumanisë apo se po importoheshin si lëndë e parë, në fakt përfundonin të groposura. Në mungesë të Kinës, Rumania dhe disa vende të tjera të botës u kthyen papritur në fushat e plehrave të botës së pasur. [Link]

Në linkun më sipër mund të gjeni një lajm nga Radio Evropa e Lirë, e cila, në vitin 2021 citon ministrin e mjedisit të Rumanisë: “Ajo që në teori sillet me këto kontenierë është lëndë e parë për riciklim,” tha Tanczos Barna. “Po them ‘teorikisht’ për shkak se shumë shpesh në këto kontenierë ka diçka tjetër nga çfarë deklarohet.”

Duke hasur të njëjtin telash, vitin e kaluar, Tailanda njoftoi ndalimin e importit të plehrave. Tani është Indonezia vendi që po bëhet gropë plehrash të botës dhe po mendon të bllokojë importet, të cilat, teorikisht vijojnë të mos kenë asgjë të keqe.

Qeveria shqiptare ka propozuar së fundmi edhe një herë, për herë të katërt në 20 vjet, lejimin e importit të plehrave, propozim ky brenda kuadrit të përfitimeve teorike të pak fabrikave që Shqipëria ka dhe që kanë kërkesa për materiale të tilla. Sipas propozimit, kërkesat për importe do t’i bëhen Këshillit të Ministrave, i cili, do të miratojë, rast pas rasti, kërkesat për import.

Shqipëria e ka dëgjuar këtë histori edhe më parë./ Birn

Qeveria tenton edhe një herë rikthimin e importit të plehrave

Nga Elira Kadriu

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ky projektligj është publikuar më 18 gusht dhe faza e konsultimeve do të qëndrojë e hapur deri më 16 shtator. Nisma parashikon lejimin e importit të plehrave, një çështje e shumë debatuar në shoqërinë shqiptare.

“Për herë të katërt në 20 vjet na duhet të shpëtojmë edhe një herë Shqipërinë nga plehrat”- ka shkruar në rrjetet sociale ambientalisti Lavdosh Ferruni.

Dhjetëra protesta të shoqërisë civile që prej vitit 2016 sollën tërheqjen e qeveirsë nga importi i plehrave. Duket se një skenar i ngjashëm mund të përsëritet në 2024 nëse grupet e interesit do të anashkalohen.

”Nuk na kanë thirrur akoma në seancë, jemi në pritje. Kjo është hera e katërt që ata po tentojnë, herën e tretë na anashkaluan, ne zhvilluam protestat në shesh që ata u detyruan të na thërrasin. Ata s’mund të na anashkalojnë përndryshe do thërrasim njerëzit në protestë” – analizon për Citizens Andi Tepelena, bashkëthemelues i AKIP (Aleanca Kundër Importit të Plehrave).

Projektligji parashikon përjashtohen nga fusha e veprimit mbetjet që rregullohen me ligj të të posaçëm si ato radioaktive, lëndët plasëse të çaktivizuara, anijet e dala jashtë përdorimit, shkarkimet e gazta në atmosferë etj. Përfaqësuesit e AKIP shprehen kundër këtij projektligji që sipas tyre synon kontrollin dhe monitorimin e importit të mbetjeve, që do të realizohet nën petkun e “mbetjeve të gjelbra”.

“I qëndrojmë retorikës zero import të mbetjeve, sepse e dimë fare mirë që kontrolli është ai që është, nuk ka monitorim të çfarë lloj mbetjesh do kalojnë. Këto do shkojnë në funksion të industrisë së riciklimit, që nuk janë as brenda normave, ata ndotin në mënyrë të tmerrshme për vete”- përfundon Tepelena.

Aktualisht menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri rregullohet nga ligji nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i ndryshuar, i cili në vitin e miratimit të tij mbante shënimin se ligji ishte përafruar plotësisht me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 19 nëntor 2008.

“Si rrjedhojë e ndryshimeve të Direktivës kuadër të mbetjeve dhe akteve të tjera të BE-së për menaxhimin e mbetjeve, lind edhe nevoja e përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit shqiptar për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Kjo nevojë është theksuar edhe nga Komisioni Evropian në progres raportin e vitit 2023 për Shqipërinë” – thekson relacioni i projektligjit.

Historiku politik i çështjes së lejimit të importit të plehrave
Përpjekjet për importin e plehrave kanë nisur që në 2004 dhe me projektligjin e ri të propozuar përpara dy ditësh duket se do të ketë zhvillime të reja.

Në vitin 2004, kryeministri Fatos Nano nënshkroi një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë për importin dhe riciklimin e plehrave. Kur drafti i marrëveshjes u bë publik ish kryeministrin e akuzuan së marrëveshja ishte bërë për të favorizuar biznesmenin italian Francesco Becchettin, i cili aktualisht pret të marrë dëmshpërblimin prej 135 milionë eurove nga vendi ynë, sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut.

Në vitin 2009 qeveria Berisha nisi hartimin e një projektligji për importimin dhe riciklimin e mbetjeve. Partia Socialiste dhe shoqëria civile e kundërshtuan dhe protestuan kundër miratimit të tij në Kuvend.

Në shtator 2011, pavarësisht kundërshtimeve, ligji për menaxhimin e mbetjeve u votua në Kuvend me 76 vota pro.

Dy muaj pas votimit, Presidenti Bamir Topi riktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend, por mazhoranca e rrëzoi dekretin e presidentit me 71 vota.

Në vitin 2012, një bashkim qytetarësh dhe shoqatash të shoqërisë civile të njohur si Aleanca kundër Importit të Plehrave (AKIP) mblodhi rreth 64 mijë firma për mbajtjen e referendumit kundër importit të mbetjeve.

Firmat u dorëzuan në KQZ në mars 2012. Në mars të 2013-ës, Gjykata Kushtetuese u shpreh pro mbajtjes së referendumit pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2013.

Ndalimi i importit dhe riciklimit të plehrave u kthye në një nga premtimet kryesore të kreut të PS Edi Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2013.

Me ardhjen në pushtet, vendimi i parë që mori qeveria Rama ishte miratimi i projektligjit për shfuqizimin e ligjit të vitit 2011. Por në vitin 2016, Rama veproi totalisht ndryshe dhe vendosi të tentojë sërish importin e plehrave. Projektligji u miratua në parlament, por u kthye nga ish-presidenti Bujar Nishani dhe ngeci pasi ish-aleati i Ramës, Ilir Meta dhe LSI, nuk lejuan rrëzimin e dekretit të Nishanit./ Citizens.al