30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

VOA: Kina “e shqetësuar” pas njoftimeve se SHBA-ja ndryshoi strategjinë e saj bërthamore

SEUL, Kore e Jugut – Kina tha të mërkurën se është “shumë e shqetësuar” pasi New York Times njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një plan sekret për të spostuar përqëndrimin e strategjisë së tyre bërthamore nga Rusia për t’u ballafaquar me armët e shtuara bërthamore të Pekinit.

Sipas artikullit që New York Times botoi të martën në mbrëmje, Presidenti amerikan Joe Biden miratoi në mars një “udhëzim (të ri) për përdorimin e armëve bërthamore”, një dokument sekret, që përcakton se si Shtetet e Bashkuara do t’i përdornin armët bërthamore në një konflikt të mundshëm.

Sipas shkrimit, dokumenti i cili përditësohet çdo katër vjet, e riorienton strategjinë parandaluese bërthamore për t’u ballafaquar me zgjerimin e shkallës së gjerë të arsenalit bërthamor të Kinës. Dokumenti po ashtu urdhëron forcat amerikane që të bëjnë përgatitje për t’u përballur me “sfida të bashkërenduara bërthamore” nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut, sipas shkrimit.

I pyetur për njoftimin gjatë konferencës për shtyp të mërkurën, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze akuzoi Shtetet e Bashkuara se po “sajojnë teori mbi kërcënimin bërthamor të Kinës” dhe po “gjejnë justifikime me synimin për të krijuar përparësi strategjike”.

“Kina është shumë e shqetësuar nga ky njoftim i rëndësishëm dhe ka fakte të qëndrueshme se Shtetet e Bashkuara vazhdimisht viteve të fundit kanë nxitur të ashtuquajtura teori për të shtuquajturin kërcënim bërthamor të Kinës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.

Rusia nuk bëri komente mbi shkrimin.

Politika bërthamore amerikane për dekada të tëra ishte e përqendruar kryesisht tek Rusia, i vetmi shtet që ka kapacitete të ngjashme bërthamore.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë shpeshtuar paralajmërimet se nën udhëheqjen e Presidentit Xi Jinping, zgjerimi i kapaciteteve bërthamore po zhvillohet më shpejt nga ç’pritej.

Sipas një dokumenti që u bë publik në fund të vitit të kaluar, Pentagoni llogarit që ushtria kineze ka mbi 500 mbushje funksionale bërthamore në arsenalin e saj dhe do të ketë mbi 100 mbushje bërthamore deri në vitin 2030.

Kjo sasi është konkurruese me Shtetet e Bashkuara, e cila në inventarin e saj ka 3,700 mbushje funksionale bërthamore, sipas Shoqatës për Kontrollin e Armatimit, me seli në Shtetet e Bashkuara.

Rusia ka afro 4,380 mbushje bërthamore, përfshirë rreth 1,550 të tilla në sistemet strategjike raketore, sipas llogaritjeve të cilave iu referohet kjo organizatë.

Duke patur parasysh këto sasi, Rusia mbetet “motivuesi kryesor” i strategjisë bërthamore të Shteteve të Bashkuara, shprehej drejtori i shoqatës Daryl G. Kimball në platformën X.

Sipas zotit Kimball, shkrimi i gazetës ‘New York Times’ ekzagjeron ndryshimet e bëra më udhëzuesin për përdorimin e armëve bërthamore të Shteteve të Bashkuara. Ai këmbëngul se nuk po ndodh një riorientim i përparësive nga Rusia drejt Kinës.

“Megjithë zgjerimin e kapaciteteve bërthamore të Kinës, arsenali i Rusisë është shumë më i madh se i Kinës – edhe pasi të jetë realizuar plani ambicioz i zotit Xi. Deri në këtë ndryshim, fokusi do të mbetet tek arsenali i Rusisë”, deklaroi drejtori i Projektit mbi Informacionin Bërthamor pranë Federatës së Shkenctarëve amerikanë, Hans Kristensen.

“Por planifikimi kundër Kinës po rritet, siç po reflektohet në këtë dokument,” shtoi ai në platformën X.

Zyrtarët amerikanë i janë referuar këtij dokumenti mbi armët bërthamore të paktën dy herë, pa dhënë ndonjë detaj rreth përmbajtjes së tij.

Në qershor, drejtori për kontrollin e armëve bërthamore pranë Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Pranay Vaddi, tha se udhëzimi i ri “nënvizon nevojën për të ndjekur me vëmendje rritjen dhe larminë ” e arsenalit bërthamor të Kinës, si dhe nevojën për masa parandaluese në të njejtën kohë ndaj Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut.

Sipas zotit Vaddi, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin një politikë për kufizimin e armëve bërthamore me Rusinë dhe Kinën, por “pa ndryshimin e trajektores në të cilën gjendet Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut”, Shteteve të Bashkuara “do t’u duhet të vazhdojnë të adaptojnë kapacitetet dhe qasjen e tyre për t’u siguruar që të kemi aftësinë për të parandaluar dhe për t’i përmbushur synimet tona të tjera në të ardhmen.”

Zyrtarët amerikanë dhe kinezë flasin shpesh mbi rreziqet e luftës bërthamore, por përpjekjet për të zhvilluar një dialog për këtë çështje kanë dështuar.

Vitin e kaluar, zyrtarët amerikanë dhe kinezë ranë dakord të mbajnë negociata mbi kontrollin e armëve bërthamore, para takimit midis presidentëve Biden dhe Xi. Por Kina pezulloi bisedimet muajin e kaluar, duke iu referuar si arsye shitjes së armëve amerikane Tajvanit, të cilin Pekini e konsideron pjesë të tij.

Shumë analistë janë gjithashtu të shqetësuar për bashkëpunimin e shtuar ushtarak dhe diplomatik ndërmjet Rusisë dhe Kinës. Në vitin 2022, presidentët Xi dhe Vladimir Putin ranë dakord për një partneritet “të pakufizuar” dhe së fundmi i kanë zgjeruar stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe në fusha të tjera.

Në fillim të këtij viti, Rusia iu rikthye një traktati dypalësh të mbrojtjes së dyanshme të kohës së Luftës së Ftohtë me Korenë e Veriut, e cila është e pajisur me armë bërthamore. Dy vendet po ashtu janë treguar të interesuara ta zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Që prej sulmit ndaj Ukrainës në vitin 2022, Presidenti rus Putin vazhdimisht ka paralajmëruar se do të përdorë armë bërthamore ndaj forcave ukrainase, të mbështetura nga Perëndimi./VOA

Gati prezantimi, Broja përfundon testet mjekësore me ekipin e ri

Mungon vetëm zyrtarizimi, Armando Broja do të vijojë karrierën te skuadra e Ipusiç në Premier Ligën angleze.

Nga raportimet e fundit bëhet me dije se Broja ka kaluar përfunduar testet mjekësore, teksa hapi i radhës është prezantimi zyrtar.

Sulmuesi i Kombëtares do të bashkohet me klubin e sapongjitur në elitë me një huazim një vjeçar, por me të drejtë blerjeje. Kjo është marrëveshja e arritur mes Ipsuiçit dhe Çelsit që do të largojë 22-vjeçarin edhe këtë sezon, ndërsa shitja përfundimtare ka një klauzolë në kontratën që do të firmoset.

HUAZIMI DHE BLERJE ME KUSHT

Sulmuesi do të përjetojë huazimin e katërt në karrierë pas atij me Viteshen, Sauthemptonin, Fullhemin dhe së fundmi Ipsuiçin, por këta të fundit janë të hapur për ta blerë në përfundim të sezonit, nëse qëndrojnë në Premier Ligë. Bëhet fjalë për një huazim 1-vjeçar me të drejtë blerje për 30 milionë paund.

https://twitter.com/FabrizioRomano/status/1826326968863731998?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1826326968863731998%7Ctwgr%5Eece5994a6a5e4ad1620321dd13c6024d5c40e43c%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.panorama.com.al%2Fgati-prezantimi-broja-perfundon-testet-mjekesore-me-ekipin-e-ri%2F

Nëse dëshironi një bark të sheshtë, shmangni dy lloje ushqimesh

Ajo që hamë në mëngjes mund të vendosë tonin për pjesën tjetër të ditës. Kjo është arsyeja pse është veçanërisht e rëndësishme të kujdeseni për zgjedhjet tuaja të mëngjesit nëse synoni për një stomak më të sheshtë, sepse dieta mund të përshpejtojë ose ndalojë përparimin tuaj të humbjes së peshës.

Sipas mjekut Dr. Dan Sullivan, fillimi i ditës me ushqime të gabuara mund të sabotojë qëllimet tona të fitnesit.

Në një TikTok të kohëve të fundit, Dr. Sullivan ndau dy llojet më të këqija të ushqimeve të mëngjesit. Ja çfarë ka veçuar.

Mishi i përpunuar i mëngjesit
Mishi i përpunuar i mëngjesit, si proshuta dhe salsiçet, mund të duken si një zgjedhje e shkëlqyer për të nisur ditën. Megjithatë, Dr. Sullivan paralajmëron: “Proshuta, salsiçet, hot dogët ose mishrat e tjerë të përpunuar të mëngjesit shpesh përmbajnë yndyrna të pashëndetshme, nivele të larta natriumi dhe konservues të tjerë”. Këta përbërës mund të kontribuojnë në inflamacionin dhe mbajtjen e ujit, duke e bërë të vështirë ruajtjen e një linje të hollë.
Përmbajtja e lartë e natriumit të mishit të përpunuar mund të çojë në fryrje, një shqetësim i zakonshëm për ata që kërkojnë të kenë një stomak të sheshtë. Nëse jeni adhurues i mishit të mëngjesit, merrni parasysh opsionet më të pakta, organike që nuk përmbajnë konservues dhe hormone të shtuara, këshillon mjeku.

Bagels gjevrek
janë zgjedhja e preferuar e mëngjesit të shumë njerëzve, por sipas Dr. Sullivan, ato janë larg nga zgjedhja më e mirë. “Ushqimet e kripura janë të pasura me karbohidrate të përpunuara. “Këto karbohidrate të rafinuara konvertohen në sheqer në trup relativisht shpejt dhe mund të çojnë në çekuilibër të sheqerit në gjak,” shpjegoi ai.
Kur sheqeri në gjak rritet dhe bie, mund të shkaktojë dëshira dhe të çojë në mbingrënie më vonë gjatë ditës, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e barkut të sheshtë dhe humbjen e peshës.

Për më tepër, Dr. Sullivan thekson se shumica e produkteve të pjekura përmbajnë gjithashtu gluten, i cili mund të jetë problematik për shumë njerëz. Ndjeshmëria ose intoleranca ndaj glutenit mund të çojë në fryrje dhe shqetësime në tretje, gjë që pengon më tej arritjen e një stomaku të sheshtë.

Pra, të kesh një bark të sheshtë nuk ka të bëjë vetëm me të shkuar në palestër – por ka të bëjë edhe me zgjedhje të zgjuara ushqimore, veçanërisht për mëngjes. Këshillat e doktor Dan Sullivan shërbejnë si një kujtesë se ajo që hamë në mëngjes mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në metabolizmin, nivelet e energjisë dhe shëndetin e përgjithshëm. Duke shmangur ëmbëlsirat dhe mishrat e përpunuar për mëngjes, ne mund të përgatitemi për sukses dhe të shkojmë një hap më afër qëllimeve tona të fitnesit.

‘Nismë klienteliste’: Si u lobua projektligji i ri që rikthen importin e mbetjeve

Në një sallë hoteli në Tiranë më 3 maj, përfaqësues nga industritë prodhuese të çimentos dhe riciklimit të letrës dhe plastikës, u ulën në një tryezë me përfaqësues të lartë të qeverisë dhe të Kuvendit, zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetarin e Komisionit për Ekonominë, Eduard Shalsi dhe kryetarin e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Arben Pëllumbi.

Tema e tryezës ishte “Sfidat e Konkurrueshmërisë”, por në takim u fol për 3 kërkesa të Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë për heqjen e akcizës së gazit të lëngshëm, për mundësimin e importimit të lëndëve djegëse alternative (RDF/SRF) në favor të industrisë së prodhimit të çimentos dhe importimin e mbetjeve për industritë prodhuese dhe ricikluese.

Zyrtarët e lartë të qeverisë dhe Kuvendit u zotuan që t’i adresonin kërkesat e prodhuesve përmes një projektligji të ri, duke hapur “kutinë e Pandorës” së importit të mbetjeve –gati 11 vjet pasi qeveria “Rama” u mburr me aktin e ndalimit të importit dhe pas një përpjekjeje të dështuar në vitin 2016 për ta zhbërë këtë premtim.

Madje, Shalsi foli për gatishmëri të Kuvendit për t’i kaluar propozimet “me shpejtësi”, duke akuzuar shoqërinë civile se kishte penguar importin e mbetjeve.

“Ne jemi gati për të përshpejtuar me shpejtësi për të 3 këto inciativa,” tha Shalsi, ndërsa u kërkoi përfaqësuesve të biznesit që të sensibilizojnë zërat kundër importit të mbetjeve. “Ata që janë realisht të shqetësuar për mjedisin, se mes tyre ka dhe sharlatanë,” tha ai.

Shqipëria ka debatuar nisma të tre qeverive përgjatë njëzet viteve të fundit që synonin të lejonin importin e mbetjeve, që të gjitha, të dështuara për shkak të protestave popullore.

Nisma e parë i takoi ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili miratoi një kontratë koncesioni për një impjant incinerimi për biznesmenin kontrovers italian Francesco Becchetti. Në vitin 2011, qeveria e kryeministrit Sali Berisha miratoi një ligj për lejimin e importit dhe dha licenca për importime mbetjesh, sipas formatit të propozimit aktual. Kryeministri Edi Rama, në kohën kur ishte në opozitë, bëri fushatë gjerësisht duke premtuar heqjen e mundësisë për importin e ligjshëm të plehrave në Shqipëri, vendim që e mori në ditët e para të mandatit të parë në vitin 2013.

Në vitin 2016, Rama ndryshoi mendim dhe vendosi të lejojë sërish importin e plehrave, por pas protestave të shoqërisë civile, socialistët hoqën dorë nga nisma një vit më pas.

Nisma e fundit, e botuar në faqen e konsultimeve publike favorizon industrinë e prodhimit të çimentos në vend, e përfaqësuar nga vetëm dy kompani në treg, dhe më pak industrinë e goditur rëndë të riciklimit.

Në takimin e mbajtur më 3 maj, përfaqësuesi i “Titan Cement”, Dritan Nako i shprehu mirënjohjen qeverisë dhe e quajti nismën e saj “avant-gardë”.

“Është hera e parë që ne e shohim qeverinë të gatshme që një zhvillim i tillë është i nevojshëm dhe i kohës,” tha ai, ndërsa shtoi: “propozimet ishin shqyrtuar në detaje, draftet dhe aktet nënligjore janë përgatitur”.

I pyetur nëse industria e çimentos ishte përfituesi kryesor nga importi i mbetjeve, Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, i tha BIRN-it se “ligji nuk po bëhet për 2 kompani”, por plotësim të një kërkese të prodhuesve për të përfituar nga mundësia e importit të lëndëve të reja që do e ndihmonin procesin. Sipas tij, bëhej fjalë për lëndë që janë pjesë e listës së gjelbër të lejuar nga BE.

“Mund të them që industritë e interesuara për lëndë të para dytësore janë të rrymave: përpunim metale, përpunim letër, përpunim plastike,” tha Shkodra, duke shtuar se “fabrikat e çimentos janë të interesuara për lëndët djegëse alternative RDF/SRF”.

Lejimi i importit të mbetjeve ka qenë një kërkesë e hershme edhe e industrisë ricikluese, e cila këtë herë nuk shfaqet shumë entuziaste.

Kreu i Shoqatës së Ricikluesve, Vullnet Haka i tha BIRN se një pjesë e madhe e kësaj industrie ka dalë jashtë funksionit dhe shpresa e tyre në tryezat me qeverinë është “rikthimi i aktivitetit ekonomik”.

“Kërkesa jonë kryesore është që të zbatohet menaxhimi i integruar i mbetjeve, që lëndën kryesore të parë ta marrim nga vendi,” tha Haka. “Importi është plotësues, por s’mund të plotësohen nevojat vetëm nga importi për shkak të kostos së transportit,” shtoi ai.

Projektligji që rikthen importin e mbetjeve kundërshtohet si klientelist nga përfaqësuesit e organizatave mjedisore dhe ngre pikëpyetje për rrezikun që mbart për mjedisin.

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, i tha BIRN-it se, “nga prapa kësaj nisme qëndron sërish i njëjti lob, të cilët e shohin të gjithën si një biznes dhe jo si një mision”.

Ai sugjeron që për të mbajtur këtë industri në këmbë, qeveria duhet të ngrejë dhe të vendosë në funksion një sistem eficent të brendshëm të menaxhimit te mbetjeve.

“Nëse analiza e kostove ekonomike e mjedisore do të provojë edhe nevojën për import, atëherë ndoshta mund të çelej sërish ky diskutim”- thotë ai, duke shtuar se “tani për tani është thjesht një nismë klienteliste dhe kaq”./reporter.al

Ashensorët pa çertifikata sigurie, qytetarët në mëshirë të fatit

Pavarësisht gjetjeve alarmante të një investigimi të vitit 2021 të INA Media, i cili zbuloi se vetëm 1,200 nga mbi 10,000 ashensorë në Shqipëri kishin çertifikata sigurie, shumë pak ka ndryshuar në katër vitet e fundit. Me zbatimin e dobët të rregulloreve të sigurisë dhe mbikëqyrjen administrative të pamjaftueshme, qytetarët vazhdojnë të përballen me rreziqe serioze çdo ditë.

Në dhjetor të 2021, Investigative Network Albania do të publikonte një shkrim në lidhje me sigurinë e ashensorëve në vend. Gjetjet e këtij investigimi paraqisnin një situatë sigurie të rëndë, ku nga më shumë se 10 mijë ashensorë në të gjithë territorin e republikës, vetëm 1200 ishin të pajisur me çertifikatë sigurie, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për mbi 8800 ashensorët e tjerë që funksionojnë në vend.  Personi i cili duhet të ndjekë gjithë procedurën ligjore për sigurinë e ashensorëve, është pikërisht administrator i pallatit, por në 2021, të dhënat e sigurara nga INA MEDIA treguan se shumë pallate nuk kanë administrator. Ndërkohë institucioni shtetëror i cili duhet të çertifikojë këto paisje është Inspektoriati Shtetëror i Mbykqyrjes së Tregut, të cilit për të çertifikuar të gjithë ashensorët në vend do t’i duheshin sëpaku 15 vite. Investigimi nxorri në pah edhe faktin që në vend funksionojnë më shumë se 8800 ashensorë pa patur një çertifikatëƒ sigurie të lëshuar nga ISHMT, që tregon se ligji shkelet edhe nga kompanitë që bëjnë mirëmbajtjen e dhe lejojnë përdorimin e këtyre paisjeve pa patur një çertifikatë sigurie.

Por, tashmë 4 vite pas këtij shkrimi, shumë pak duket të ketë ndryshuar nga situata e përshkruar në shkrimin e INA Media.

Bashkitë nuk zbatojnë ligjin

I gjithë procesi I çertifikimit të ashensorëve në vend, iniciohet nga administratorët e godinave, zgjedhja e të cilëve kryhet nga vet banorët, por ligji nr. 10112 datë 09.04.2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, nga të dhënat e grumbulluara në qytetet me të mëdha në vend, nuk zbatohet në pjesën më të madhe të tyre.

Praktikisht duhet të jenë vetë banorët e pallatit, të organizuar në asamble, të zgjedhin kryesinë dhe më pas administratorin, një ndër detyrat e të cilit është edhe regjistrimi i ashensorit pranë ISHMT-së, lidhja e kontratës me një kompani mirëmbajtëse, si dhe lidhja e kontratës me një trupë të autorizuar për kryerjen e kontrollit teknik, periodik.

Një ndër qytet, i cili ka nisur me zbatimin e këtij ligji është Bashkia Tiranë e cila në përgjigje zyrtare të pyetjeve të ngritura nga INA Media shprehet se: “Drejtoria e Bashkëpronësisë dhe Fondit të Komunitetit, në zbatim të ligjit nr. 10112, datë 09.04.2009, ka çertifikuar dhe ka regjistruar në ‘Librin e Administratorëve’ 1113 administratorë”. Kjo listë është në dispozicion edhe online në faqen Tirana.al, por e pyetur se sa është numri i ashensorëve funksionalë në këtë bashki, kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Nga ana tjetër, qyteti më i madh bregdetarë në vend, Durrësi, i cili është një nga qytetet më të rëndësishme ekonomike në vend, si dhe një qytet ku zhvillimi në lartësi ka njohur rritje të madhe, me qindra pallatet shumëkatëshe, shpreht se nuk disponon një informacion në lidhje me numrin e ashensorëve të instaluar, ndërkohë ka vetëm 8 administratorë të regjistruar në vitin 2023-2024.

Ju informojmë që në regjistrin e Bashkëpronësisë për vitin 2023-2024 rezultojnë të jenë pajisur më çertifikatë regjistrimi 8 administratorë, nga këta 2 janë shoqëri (shpk) dhe 6 janë persona fizikë në kuptim të Kodit Civil,” shprehet Bashkia Durrës.

Ndërkohë në Elbasan, nuk ka asnjë administrator të çertifikuar. “Lidhur me informacionin për numrin e ashensorëve të insatluar në Bashkinë Elbasan dhe numrin e administratorëve të pallateve të çertifikuar nga Bashkia Elbasan, Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit nuk disponon një informacion të tillë”, thotë në përgjigjen zyrtare kjo bashki.

Situata është e ngjashme edhe në bashkinë Fier, e cila thotë se: “Nuk disponon të dhëna të përpunuara për numrin e ashensorëve të instaluar në objektet që ndodhen në territorin e saj dhe nuk ka çertifikuar asnjë administrator pallatesh”.

ISHMT: Të regjistruar vetëm 2648 ashensorë

Nga viti 2021 në 2024 në regjistrin e ndodhur në ISHMT, numri i ashensorëve të regjistruar ka shkuar në 2684, nga 1200 që ishte në vitin 2021.

ISHMT ka informacion vetëm për numrin e ashensorëve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar”, shprehet zyrtarisht ky institucion, i cili në organikën e tij, për stafin që merret me çertifikimin dhe regjistrimin e ashensorëve, e quajtur Struktura e Sektorit të Produkteve Mekanike, ka vetëm 8 inspektorë dhe një përgjegjës për të gjithë territorin e vendit, përballë një numri prej mbi 10 mijë ashensorë.

Gjatë tre viteve të fundit, 2021, 2022 dhe 2023, ky institucion ka kryer gjithësej 879 inspektime për verifikimin e kërkesave ligjore nëse janë përmbushur nga personi përgjegjës, mbi sigurinë e ashensorëve.

Në vitin 2021 janë kryer 336 inspektime dhe janë marrë 95 masa administrative. Në vitin 2022 janë kryer 309 inspektime dhe janë marrë 114 masa administrative. Në vitin 2023 janë kryer 234 inspektime dhe janë marrë 52 masa administrative”, thotë ISHMT, duke shtuar se masat administrative kanë ardhur si rezultat i moskryerjes së vlerësimit të konformitetit dhe regjistrimit të ashensorëve.

Ndërgjegjësim i ulët, por edhe kapacitete të kufizuara

Gjatë tre viteve të fundit nuk kanë munguar as rastet e ankesave nga ana e qytetarëve, ku pranë ISHMT-së kanë qenë 39 të tilla. “Nga verifikimet në terren është vërejtur se këta ashensorë nuk I ishin nënshtruar kryerjes së vlerësimit nga një organ i miratuar për këtë qëllim, më pas është vijuar me ndalimin e përdorimit deri në vlerësimin e konformitetit dhe regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së”, shkruhet në përgjigjen zyrtare dërguar INA Media-s.

Ndonëse kostoja e mirëmbajtjes së një ashensori është e ulët, shpesh herë problemet me pagesat mujore, janë ato që cojnë në mos realizimin e këtyre kontrolleve.

Ne paguajmë rreth 80 mijë lekë të vjetra në vit për ashensorin, kjo përfshin të gjitha shërbimet për të, por nuk është se kontrollohet shpesh. Unë kam 15 vite që banoj në këtë pallat, më ka ndodhur që është hapur dera e ashensorit edhe mes kateve, ka patur raste që edhe është bllokuar, ndërsa njerëz për mirëmbajtjen e tij, kam parë vetëm dy herë që është prishur fare”, thotë Megi, një 38 vjecare, e cila banon në zonën e plazhit në qytetin e Durrësit, e cila shton se pothuajse vetëm gjysma e banorëve janë ata që paguajnë rregullisht.

Gjatë viteve të fundit nuk kanë munguar rastet ku qytetarë janë dëmtuar në ashensor. I tillë ishte rasti i shkurtit të 2023, ku në zonën e Astirit në kryeqytet ashensori pësoi difekt duke rënë nga kati i 5, me 5 qytetarë brenda tij.

Në një mori problemesh, një tjetër që i shtohet është edhe kapacitetet e kufizuara që janë në treg për të garantuar sigurinë e këtyre paisjeve. Nga organet e miratuara, janë në total 6, ku vetëm një prej tyre është për ashensorët e instaluar pas datës 31.12.2019, dhe të tjerët janë për ashensorët e instaluar para datës 31.12.2019.

Në një kohë kur qytetet shqiptare janë duke u zhvilluar gjithmonë e më shumë në lartësi, është e nevojshme rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rrezikun e mosçertifikimit dhe mirëmbajtjes së ashensorëve, por nga ana tjetër, rritja e kapaicteteve për organet që e kryejnë këtë shërbim si dhe ato të ISHMT-së, duke çuar në një çertifikim të këtyre paisjeve në të gjithë vendin./ INA MEDIA

ZËRI I AMERIKËS/ Kjo është shuma që SPAK-u sekuestroi në llogaritë bankare të ish ministrit Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorëve të tij

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sekuestro preventive mbi disa llogari bankare dhe shuma mbi 200 mijë dollarë në monedha të ndryshme, që u përkasin ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij, të cilat cilësohen si “produkte të veprës penale” në çështjen e abuzimeve me fondet e BE-së në agjencinë SASPAC.

Krahas shumave të sekuestruara në llogaritë rrjedhëse, depozita me afat dhe monedha cash të personave nën hetim Ilir Beqaj, Gazmend Haxhia, Elton Marini, Ermal Kurtullaj, Bledar Leka dhe Bjona Zijaj, po me këtë vendim u sekuestruan edhe mbi 19 për qind të aksioneve në shoqërinë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k., si dhe tre automjete në pronësinë e Kurtullajt dhe Marinit.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vazhdon hetimet për persona apo fakte të tjera penale për procedimin penal nr. 190 të vitit 2023, ku gjashtë personat e përfshirë deri tani dyshohen për korrupsion aktiv e pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, mosdeklarim dhe fshehje e pasurive, mashtrim dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera e ankande publike.

Ish ministri i Shëndetësisë Iir Beqaj është në arrest me burg nga fillimi i korrikut, ndërsa Gjykata e Posaçme e Apelit hodhi poshtë në fillim të këtij muaji kërkesën e tij për një masë më të lehtë sigurie në këmbim të garancive pasurore.

Ai drejtonte, nga viti 2021, deri nëntorin e kaluar kur dha dorëheqjen, Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC), kohë kur SPAK-u dyshon se ai u përfshi në një skemë korrupsioni për përfitime nga fonnet e kësaj agjencie.

Zoti Beqaj u arrestua në korrik krahas dy bashkëpunëtorëve të afërt Ermal Kurtullaj dhe Afred Nikolla, ndërsa për katër bashkëpunëtorë të tjerë u dhanë masa më të lehta sigurie.

Prokuroria e Posaçme dyshon se gjatë viteve 2022-23 drejtuesi i atëhershëm i SASPAC-ut Ilir Beqaj ka kryer në bashkëpunim me Kurtullajn “procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregulloret”, ndërsa rendit së paku tetë shërbime të prokuruara “me procedura prokurimi jo të rregullta dhe me fitues të paracaktuar”.

Prokuroria thekson se “fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë kohë më parë se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese”, ndërsa gjithë dokumentat për garat e shpallura janë firmosur nga zoti Beqaj.

Ai dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e vet nga viti 2020 e më pas, duke fshehur interesat e tij pasurore në restorantin “Gzona” në qendër të kryeqytetit, interesa të cilat i ka ushtruar përmes Ermal Kurtullaj, i cili ishte punësuar aty në mënyrë të parregullt.

Prokurorët dyshojnë se në këtë restorant transferoheshin, në formë pagesash për shërbime, paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga organizimi i veprimtarive të ndryshme. Nga hetimet dyshohet se restoranti përdorej edhe si një vend ku mbaheshin veprimtari, të cilat nuk deklaroheshin, duke përdorur më pas emra personash fizikë apo shoqërish, të cilat lëshonin fatura fiktive mbi shpenzimet e kryera në këtë restorant.

Po ashtu dyshohet se zoti Beqaj ka fshehur edhe blerjen e një automjeti 5 vjet më parë, të cilin e regjistroi në emrin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Ermal Kurtullaj.

Kjo është çështja e dytë për të cilën ish ministri Beqaj hetohet nga SPAK-u. Çështja tjetër, ku ai akuzoet për “shpërdorim detyre”, ka të bëjë me koncensionin 10 vjeçar prej afro 100 milionë euro të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, për të cilën janë arrestuar ish zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj. /VOA/

“Radhë me kilometra”/ Gazetari denoncon nga Vunoi: Salillari merr 10 mln euro për një semafor që s’punon

Gazetari dhe analisti Arjan Konomi ka denoncuar nga fshati Vuno, mosfunksionimin e të vetmit semafor në rivierën shqiptare, në momentin kur ikën energjia elektrike, duke shkaktuar radhë kilometrike të makinave dhe një kaos në rrugë.

Përmes një video të publikuar në TikTok, Konomi shprehet se firma “Salillari” merr 10 milionë euro për mirëmbajtjen e asaj rruge, por nuk vendos një bateri të vogël, gjenerator, apo një panel diellor tek një semafor i vetëm.

Sipas gazetarit, ajo situatë krijohet 10 herë në ditë, sa herë që ikin dritat, duke bllokuar të gjithë pushuesit që vijnë dhe ikin, pasi trafiku është i tmerrshëm.

Konomi shton më tej se vjen Policia nga Himara që e zgjidh situatën, por sipas tij, uniformat blu, duan gjysmë ore për të ardhur deri në Vuno.

“Përshëndetje miq, këtu nga riviera turistike, nga Vunoi! Shikoni pak gjendjen këtu të trafikut të makinave. Nga Durrësi deri në Janinë është i vetmi semafor që ekziston dhe firma që kujdeset për mirëmbajtjen e rrugës, që merr 10 milion euro, Salillari, nuk vë një gjenerator këtu dhe krijohet 10 herë në ditë, sa herë ikin dritat, ky problem i trafikut duke bllokuar të gjithë pushuesit që vijnë dhe ikin. Shikojeni gjendjen se si është!

Ky është semafori i vetmi nga Durrësi deri në Greqi, njerëzit janë bllokuar, nuk ka asnjë shpresë, asnjë gjë. Ja trafiku i tmerrshëm, radha e makinave me kilometra. Vjen Policia nga Himara dhe e zgjidh, por duhen gjysmë ore të vijë nga Himara këtu në Vuno. Duhet vetëm një bateri për të mbajtur semaforin me dritë, një bateri e vogël ose një panel diellor, siç e kanë bërë dhe vendet e tjera të Ballkanit. Shikoni radhën deri tutje, me kilometra makinat.” – shprehet gazetari Arjan Konomi.

(Mos)Mirënjohja

Nga Sidi Hasanaj

Shkëputja nga avujt e nxehtë të debateve politike këto javë vere, si këdo edhe mua më ka bërë të distancuar dhe më të ftohtë në gjykim, gjykim për çështjet dhe fenomenet politike e njerëzore brenda saj.

Rezultantja e gjithë reflektimit personal prej këtij distancimi veror, mund të definohet me togfjalëshin:
Neveri për fenomenim e Mosmirënjohjes!

Duke dalë direkt në temë: Po e kam fjalën për Lulzim Bashën.

Sytë dhe veshët e mi, mund të them tashmë, kanë dëgjuar dhe fotografuar mjaft ngjarje në PD.

Përfundimi i gjykimit tim, është një histeri kolektive, një sëmundje e madhe e kësaj shoqërie që rend drejt veprimeve të cilat në thelb kanë mosmirënjohjen!

Kam parë njerëz në PD që të bezdisnin aq sa i bëja block në celular, pasi çdo ditë… çdo mëngjes të dërgonin shkrimin e tyre të përpiluar që herët, ku i thurrnin lavde dhe servilizëm Lulzim Bashës.

Të neveritshëm në zellin e tyre për tju servilosur, sot edhe më të neveritshëm në mosmirënjohjen që reflektojnë, duke hedhur baltë dhe sulme vulgare ndaj Bashës!
Shpesh pyes veten:
“Po këta nuk i kanë fshirë nga fb i tyre shkrimet që bënin deri pak muaj më parë me elozhe ndaj Bashës, a nuk kanë respekt për veten? Për kohën e tyre?!”

Kam parë njerëz, deputetë që të nxirrnin sytë për Bashën, realisht kam parë deputete gra që në kohën e çadrës, (mesa mbaj mend), që vetëm se bisedova njëherë 10 sekonda me Bashën, më shikonin me një inat dhe nuk mi ndanin sytë duke më “mallkuar” në heshtje, se ju mora afrimitetin ndaj pushtetit… të neveritshme atëhere, po njësoj të neveritshme sot e më herët, (pas 9 shtatorit 2021), ku njeriun që dikur i ngjiteshin pas këpuce, e baltosnin me akuza histerike.

Burra deputet nga 60-70 vjeç që dikur i bërtisnin në korridoret e selisë “ku je lideri ynë perëndimor” dhe kanë 2-3 vjet që ndaj tij lëshojnë akuza, ku gërshetohen fantazia e shfrenuar me ligësinë.

Kam parë “burra” që i luteshin si njerëz padinjitet për një post dhe një spalet në hierarkinë e partisë, që literalisht pesë minuta pas mbledhjes së 11 Qershorit me Kolegjin e Kryetarëve, pasi e përkrahën Bashën në sytë e mi dhe të dhjetëra kryetarëve dege… ekzakt pas 5 minutash, bënë prononcim në media se kaluan nga Berisha.

Funksionarë partiak që sot kollarisen në studiot e TV si analistë e publicistë, (falë hapësirës që Basha ju ofroi), që dikur shkruan realisht fragmente deliri që i ngjanin të çmendurve, vetëm e vetëm për ti spikatur Bashës me hovin e tyre:
“Dolën dajat e xhajat me kallashë për të pritur Bashën në zonën tonë nga bandat e Ramës…” , e të tjera marrëzira, dhe po të njejtët djem të rinj i kam parë teksa i fryheshin këmbë mbi këmbë dhe krahët hapur në divanin në zyrën e Bashës, me një fodullëk të turpshëm dhe duke ju drejtuar:
“Hë çfarë pozicioni do më japësh?!”

I ka përcjellë me shumë takt dhe qytetari Basha, pas tre orësh në kafe arrinin deri aty sa tentativave të mia naive për ti bërë të reflektojnë ju përgjigjeshin duke treguar histori të shpikura nga ligësia dhe inati i tyre se si gangsterët e provincave të tyre talleshin me Bashën në telefon duke e detyruar në “loudspeaker” të betohej për vajzat e tij dhe ai jua “plotësonte”.

Dmth të njejtët këta dikur “merrnin armët” për të pritur Bashën në zonën e tyre, të njëjtët dinin që “ai betohej për fëmijët te eksponentët e krimit”
Mashtrime që vetëm njerëz shumë të frustruar dhe të ligj mund ti thonë, pa u ndalur të reflektojnë se ka një kontradiksion te rrëfimet e tyre, aq të madh sa degjeneron vetë këta.

Kam parë pafund debate të zjarrta avokatie ndaj Bashës, dhe çuditërisht sa më të flakëst avokati ndaj Bashës, aq më përçmues ndaj tij kur ai humbi vulën në 11 Qershor.

Mosmirënjohja është thelbi i të ligës ka thënë Imanuel Kant në studimet e tij për antropologjinë, natyrën njerëzore.

Mosmirënjohja do thoja është pika ku takohen mungesa e karakterit, arrivizmi dhe “langaraqllëku”.

Padiskutim çdo bashkëpunëtorë i L.Bashës ka të drejtë të mendojë ndryshe nga ai, dhe të ndërpresë rrugëtimin me të. I jep dorën dhe rrugët tona ndahen, por jo ta sulmosh me gjuhën e Ramës dhe Berishës atë që deri dje e mbroje!

Burri fjalën ka në jetë, në kushte komode e pushteti të gjithë sillen mirë… kur ka vështirësi dhe kërkohen sakrifica njeriu tregon fytyrën dhe ajo fytyrë i mbahet mend deri sa vdes, dhe pasi vdes madje!

Madje do thoja dhe diçka më tej, që është edhe mbase vendim personal:

Nuk është e thënë të lidhesh patjetër me pushtetin në politikë, mbase zgjedhja jote nuk fiton dot… por përsëri faqebardh e me nder pret humbjen, se mosmirënjohës në kampin e fitores.

Njeriu turp duhet të ketë para Zotit dhe ndërgjegjes së tij, mbase më mirë me ndërgjegjien e pastër se sa palaço cirku si kllounët politikë që do mbahen mend gjatë si Bardhi e Salianji me shokë!

E di që një nga tru-atrofizuarit e Berishë do thotë:
“Po ajo që i bëri Basha Doktorit, nuk është mosmirënjohje?!”

Mirënjohja ka sinore vlerat, virtytet dhe qëllimet e ndershme… jo mirënjohës për të mbrojtur krimet dhe aferat e korrupsionit. Kjo nuk quhet mirënjohje, quhet bashkëpunim në krim më pas!

Dikush tjetër do thotë “ai na tradhëtoi ne, se humbi me qëllim vulën për ti shërbyer Berishës”

Mos projektoni frustrimet tuaja dhe justifikimet për veprimet tuaja në këtë argument foshnjarak. Njeriu më i dëmtuar për humbjen e vulës është vetë L.Basha, mos besoni teori koonspiracioni nga torturuesit e Pali Miskës me lojra sadiste.

Mbase L.Basha e fiton përsëri vulën dhe shumë shpejt madje (siç janë indiciet në afatet e gjyk.Lartë) mbase e humb përgjithnjë… s’ka rëndësi fare. Mosmirënjohja me justifikim nga pas, nuk është se zhbëhet si e tillë, dhe mosmirënjohësi nuk është se me justifikimin në xhep amnistohet.

Se harrova, do thotë dikush:
“Mirënjohës për çfarë?”

Do ju përgjigjem me fjalët e vetë Bashës (palejen e tij):

“S’kanë faj ata që thojnë “nuk të jep liri të promovohesh si Basha si Berisha, se i kanë ende në fb fotot në Londër, në Strasburg, Bruksel dhe madje Washington, ku i merrja nga pas dhe i prezantoja e promovoja në çdo takim të nivelit më të lartë politik, edhe pse shpesh më skuqnin faqen me anglishten e tyre të klasë së parë. Ndërkohë bashkë debatonim çdo bisedë se më kritikoje pa rezerva institucionale, për strategjinë time mediatike që ti nuk bie dakort”

Pra, mbase treni i Bashës në politikë ka ikur… mbase jo, pak rëndësi ka, por kujt i ke thënë shok,mik e vëlla nuk e konceptoj dot si mund ta sulmosh me fjalorin dhe arsenalin e akuzave më të papërmbajtur!

Partia e ‘SKY’: si e ktheu Edi Rama forcën më të madhe politike në federatë bandash!

Publikimi i bisedave në aplikacionin SKY, ku të paktën deri tani na është servuar komunikimi mes njerëzve të botës së krimit dhe oficerëve të policisë, tregon shumë…
Në realitet, atë që është thënë prej kohësh, sidomos prej mediave, thjesht ka marrë një formë zyrtare kjo e vërtetë. Ku emërimet në polici dhe administratë, gjatë pushtetit të Edi Ramës nuk i vendos as qeveria, as partia, as deputetët, por njerëzit e bandave kriminale të lidhur me Edi Ramën.
Në procesverbalin e Metamorfozës, duket qartë se Pëllumb Gjoka, i cili është njriu i grupeve kriminale të Shkodrës, lëviz drejtuesit e policisë dhe administratës. Ky aspekt jepet në mënyrën më eksplicite të mundshme. Siç janë në Lezhë grupet e Ben Nokës, në Krujë Rrajat, Tom Doshi, Qifja etj., etj.
“Umberto Eco” i Dibrës që ka zbuluar ndajshtimin “Babloku”, e shumë e shumë të fortë të tjerë, që nga Niçet e Shijakut e Frojdët e Kavajës.
Ata janë realisht “Partia Socialiste e Vërtetë”. Të cilët gjejnë njerëzit për mitingje dhe grupet që do të votojnë.
Eksperimenti i Dibrës së vitit 2016, i ”çamëve” të Ymer Lalës, nuk është as një rastësi, e as një shpikje e ”etimiologut së Muhurrit”. Por një plan diabolik i hartuar nga këshilltarët e Edi Ramës, për të shmangur militantët, apo ata që kërkojnë poste në doganë e tatime, e në fund shkoinë e bëhen me lojtarin e radhës, duke rritur pazarin.
Federata e gangsterëve është më besnike, pasi ju është dhënë një territor, që ata e menaxhojnë si një grup mafioz. E Bablokut i japin ato që ai kërkon, vota. Janë krejt të kota asambletë apo kongreset, mbledhjet e kryesisë apo të krerëve të bashkive. Partia e vërtetë janë ”Spahinjtë” që Babloku u jep tokë e izëm, e merr prej tyre ushtarë.
Tipike sistemi i Timarit Osman, ku drejtuesit real në territor nuk janë zyrtarët apo të zgjedhurit socialistë, por kalorësit.
Të cilët janë më të rëndësishëm se çdo ministër, çdo drejtues qarku, apo çdo drejtues bashkie. Të gjithë këto janë në dispozicion të Spahiut që ka lidhje direkte me Edi Ramën dhe nuk ja vërshëllen fare asnjë deputeti, ministri, drejtori apo shefi.
Partia Socialiste nuk ka forume, nuk ka organe apo institucione, përveç kanaleve të kriptuara si SKY apo encrochat e çfarë të tjera të sjellë koha.
Ata nuk takohen, por vetëm japin urdhëra. Takohen vetëm të mëdhenjtë që kur festojnë nuk gëzohen por shfryhen e shfrehen në orgji pa kënaqësi, për të kaluar në spazma, ku duket dhe marrin vendimet./Pamfleti

Populli nuk mund të mbahet nën zgjedhë nga një kryeministër hajdut që urren fjalën e lirë!

Nga Spartak Ngjela

Ajo shoqëri që jeton në një shtet të pavarur, por nuk di ta fitojë lirinë e saj, këtë nuk e meriton.

ADVERTISING

Ku po shkoni?

Asgjëkundi.

Çfarë po mendoni për të ardhmen?

Asgjë.

Çfarë po kërkon?

Një punë?

Çfarë profesioni keni?

Kam qenë shkrimtar, por tani jam marangoz.

Pse keni hequr dore nga shkrimet?

Sepse ato mërzitnin kryeministrin.

Po pse mërzitej kryeministri nga shkrimet e tua?

Sepse ishin kundër pushtetit absolut të kryeministrit, dhe ato shkrime i pëlqente populli.

Çfarë thoshe ti konkretisht?

Unë kërkoja liri mendimi për të gjithë shoqërinë.

Po pse nuk e pranonte kryeministri këtë?

Sepse kjo lloj lirie kërkonte edhe zgjedhje të lira.

Pse, me zgjedhje të lira, dëmtohej kryeministri?

Fjala e lire i tregon shoqërisë të vërtetën për kryeministrin. Dhe ai e urren të vërtetën, dhe bashkë me të sigurisht që urren edhe votën e lire të qytetarëve.

Por, a e dini ju se çfarë don të thotë që kryeministri i një vendi të urrejë të vërtetën?

Po, ne e dime: kjo don të thotë që ai kryeministër e urren popullin e tij që ai mendon se po e drejton.

Por si mund të mbahet nga populli i tij një kryeministër që urren popullin e vet?

Ai nuk mbahet nga populli i tij, por nga policia sekrete, nga ushtria qe ai vetë drejton, dhe nga paratë që ai i grabit popullit me njerëzit e tij.

Po njerëzit e tij, çfarë janë?

Këta janë qelepirës që paguhen nga populli për të garantuar pushtetin dhe mirëqenien e kryeministrit të plotfuqishëm.

Po nuk e kuptoni ju se kjo nuk don të thotë jetë?

E kuptojmë, por ne nuk keni se çfarë të bëjmë.

Si nuk keni se çfarë të bëni, nuk e rrëzoni dot ju një kryeministër të tillë nga posti i tij?

Ketë nuk e bëjmë dot.

Po nuk e kuptoni dot ju që kjo që po ju ndodh është vuajtje të cilën ju nuk e meritoni?

Jo, për faktin që ne nuk e bëjmë dot një hap të tillë në funksion të lirisë sonë, kuptohet që lirinë ne nuk e meritojmë.

Pse ende nuk e dini ju se liria e një populli fitohet nga vetë ai popull?

E dimë, por ne nuk e bëjmë dot.