14.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Gjergji Nika: “Më 11 maj, ndëshkoni me votë ata që tallen me qytetarët e Vlorës”

Në një qëndrim të fortë me fakte dhe deklarata publike, kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Vlorës, Gjergji Nika, ka akuzuar hapur figurat kryesore të Partisë Socialiste në zonë për tradhti ndaj interesave të qytetarëve të Orikumit, Rradhimës, Tragjasit dhe Dukatit.

Në një postim të drejtpërdrejtë për qytetarët, Nika solli në vëmendje tre raste të rënda të abuzimit dhe mashtrimit:

Vullnet Sinaj, deputet aktual, i cili votoi në parlament për t’u marrë ujin 33 fshatrave të Lumit të Vlorës për t’ia dhënë oligarkëve.

Endri Hyseni, kandidat për deputet, që miratoi dhënien e 840 hektarëve tokë në Kaninë për panele fotovoltaike, pavarësisht kundërshtimit të pronarëve dhe banorëve.

Damian Gjiknuri, ish-ministër dhe deputet, që në 2018 premtoi se zona nuk do të kishte më probleme me energjinë, premtim që pas shtatë vitesh është kthyer në një mashtrim të hapur pasi edhe sot kjo zonë turistike elitare vuan mungesën e energjisë elektrike.

Sipas Nikës, këto raste tregojnë qartë modelin e keqqeverisjes që duhet ndëshkuar me votë. Ai nënvizon se çdo ditë që kalon nxjerr në shesh të vërtetat e hidhura të premtimeve boshe dhe të interesave klienteliste që fshihen pas tyre.

Duke i bërë thirrje qytetarëve për reflektim dhe reagim të përgjegjshëm, Gjergji Nika shkruan:

“Të nderuar qytetarë të Orikumit – Rradhimës – Tragjasit – Dukatit!
Javën e kaluar kam denoncuar me zë dhe figurë deputetin aktual Vullnet Sinaj për miratimin në parlament të marrjes së ujit të 33 fshatrave të Lumit të Vlorës për oligarkët.
Kam denoncuar gjithashtu Endri Hysenin, i cili miratoi dhënien e 840 hektarëve të Kaninës për panele fotovoltaike, pavarësisht kundërshtimit të banorëve.
Damian Gjiknuri, që në maj të 2018 premtoi fundin e problemeve me energjinë, ka dështuar, dhe sot zona jonë vuan ende mungesën e saj.
Në 11 maj duhen ndëshkuar me votë, pasi çdo gënjeshtër e tyre po zbulohet çdo ditë!
⏳ Është koha t’u japim fund pasigurisë, të çlirojmë ekonominë dhe të rikthejmë besimin te qytetarët!
Voto Nr. 4 – Koalicioni Euroatlantik!”

Myzafer Elezi: “Më 11 maj, zgjedhim rendin, sigurinë dhe mirëqenien sociale”

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Vlorës, Myzafer Elezi, ka publikuar një mesazh për qytetarët e Vlorës, Sarandës dhe Delvinës, duke i ftuar të zgjedhin ndryshimin dhe të votojnë për një të ardhme më të sigurt dhe më të ndershme.

Në deklaratën e tij publike, Elezi thekson rëndësinë e një qeverisjeje që bazohet në rend, siguri dhe mirëqenie sociale — tre shtylla që ai i konsideron thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit dhe të vendit.

Ai angazhohet personalisht për një administrim të ndershëm të çështjeve publike, për vendosjen e një shteti ligjor ku ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, dhe për politika të qarta që mbështesin qytetarët në çdo hap të jetës së tyre.

Duke bërë thirrje për një pjesëmarrje të gjerë, Myzafer Elezi i fton qytetarët të mos qëndrojnë pasivë, por të përdorin votën si mjet ndryshimi real:

“Të nderuar miq,
Më 11 maj, Vlora, Saranda dhe Delvina votojnë për rendin, sigurinë dhe mirëqenien sociale.
Si kandidat i Koalicionit Euroatlantik, me numrin 4 në fletën e votimit, unë angazhohem për një qeverisje të ndershme, ligj të barabartë për të gjithë dhe politika që mbështesin qytetarët në çdo hap.
Zgjidh ndryshimin. Voto Nr. 4.
Voto Myzafer Elezi”

Ahmetcenaj: “Jam një prej jush! Mbroj shtëpitë tona nga padrejtësia dhe korrupsioni”

Në një deklaratë drejtuar qytetarëve të prekur nga projekti i devijimit të lumit Lana në Tiranë, Alfred Ahmetcenaj, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik, ka denoncuar ashpër atë që e cilëson si një aferë korruptive dhe grabitje të pronës private me firmë shtetërore.

Duke iu drejtuar posaçërisht 380 familjeve që rrezikojnë prishjen e shtëpive të tyre, Ahmetcenaj tregon se ai vetë është një prej tyre, ndaj nuk flet vetëm si politikan, por si bashkëqytetar dhe i prekur drejtpërdrejt nga padrejtësia.

“Te nderuar pronare… unë jam njëri prej jush dhe kam një projekt të qartë për mbrojtjen e shtëpive tona”, shkruan ai në një reagim publik që është përhapur gjerësisht në rrjetet sociale.

Sipas Ahmetcenajt, projekti i miratuar nga Këshilli Bashkiak për devijimin e lumit Lana është një skemë korruptive që duhet hetuar në mënyrë të pavarur dhe transparente në nivel parlamentar. Ai akuzon pushtetin vendor për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara për të zhveshur banorët nga e drejta mbi pronën që u përket me ligj dhe me kontrata noteriale që datojnë që prej vitit 1996.

Ahmetcenaj thekson se pronarët nuk kanë shkelur asnjë ligj dhe se janë viktima të një procesi abuziv dhe klientelist që ka nisur që prej vitit 2008 dhe vijon edhe sot. Ai i bën thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre dhe për të ndëshkuar korrupsionin me forcën e votës.

Deklarata e tij përfundon me këtë apel të qartë dhe të drejtpërdrejtë:

“Të nderuar pronarë të 380 shtëpive që jeni përfshirë për prishje nga projekti i lumit Lana, unë jam njëri prej jush dhe kam një projekt të qartë për mbrojtjen e shtëpive tona.
Së pari, projekti i miratuar nga Këshilli Bashkiak për devijimin e lumit Lana është #KORRUPTIV dhe meriton një hetim dhe transparencë parlamentare!
#Ne nuk kemi shkelur asnjë ligj të Republikës së Shqipërisë.
Ne jemi #pronarë të ligjshëm të shtëpive tona!
Ne na kanë #vjedhur tokën me letra të falsifikuara sejmenët e pushtetit, duke filluar nga 2008 e në vazhdim.
Kontratat që kemi bërë para noterit që në vitin 1996 nuk na i njeh shteti!
Ndaj, më #11maj votoni për #shtëpitë tuaja, t’i themi #stopkorrupsionit!
#votoniNr4
#votoKoalicioniEuroatlantik
#votoAlfredAHMETCENAJ!”

Endri Hasa: “Koha për të shembur bunkerin e listave të mbyllura – qytetarët të marrin në dorë fatin e tyre”

Në një mesazh për opinionin publik, Endri Hasa, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, ka folur për një prej deformimeve më të mëdha që, sipas tij, ka pësuar demokracia në Shqipëri: bunkerizimi i listave të mbyllura.

Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Hasa ka akuzuar politikën e vjetër se është përpjekur me çdo mënyrë ta mbajë qytetarin larg procesit të zgjedhjes së përfaqësuesve të tij. Ai e cilëson ndryshimin e Kodit Zgjedhor si një strategji për të zhveshur popullin nga fuqia e votës reale, duke ia kaluar kontrollin disa individëve në majat e partive politike.

Në kontrast me këtë qasje, Koalicioni Euroatlantik paraqitet si alternativa e vetme që i jep qytetarit pushtetin për të vendosur. Hasa thekson se lista 100% të hapura janë garancia që vota e çdo qytetari shkon realisht për kandidatin që ai zgjedh dhe njeh.

“Politika e vjetër ka bërë gjithçka që ta largojë qytetarin nga të zgjedhurit e tij. E ndryshuan Kodin Zgjedhor për të bunkerizuar listat e mbyllura. Koalicioni Euroatlantik ka aplikuar në këto zgjedhje lista 100% të hapura për t’ia lënë tërësisht në dorë qytetarëve zgjedhjen!”, shkruan ai.

Mesazhi i tij përmbyllet me një thirrje për besim dhe angazhim:

Beso te Shqipëria
✅ Voto Nr. 4️⃣ – Koalicioni Euroatlantik
✅ Voto Endri Hasa

Votoni për një “qingj”, por fiton një “ujk” – Mesazhi i fortë i Naim Metës për votuesit e Elbasanit: Koalicioni Euroatlantik, e vetmja alternativë që zgjedhin vetë qytetarët

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, Naim Meta, ka dhënë një mesazh të qartë dhe të fuqishëm përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai u bën thirrje qytetarëve që të mos lejojnë më që të tjerët të vendosin për fatin e tyre dhe të votojnë me ndërgjegje dhe guxim.

Meta e cilëson këtë proces zgjedhor si një moment historik për Shqipërinë, duke theksuar se vendi nuk ka më kohë për të humbur. Ai shfaqet si përfaqësuesi i një modeli të ri politik, i lidhur ngushtë me qytetarët, me një qasje të qartë kundër “kryetarokracisë” dhe listave të mbyllura që, sipas tij, kanë dëmtuar demokracinë për më shumë se tri dekada.

“Jo më kandidatë të panjohur që ju serviren nga lart”, shprehet Meta, duke vënë theksin te transparenca dhe fuqizimi i votuesit përmes listave të hapura, një element që ai e sheh si garanci për përfaqësim të denjë dhe të ndershëm.

Në një tjetër pasazh të fortë, ai paralajmëron për rrezikun e manipulimit të votës përmes figurave fasadë: “Votoni për një qingj, por fiton një ujk!”. Për Metën, kjo është pasqyra e realitetit të hidhur që sjellin listat e mbyllura – një votë që përfundon në duart e atyre që qytetari nuk i ka zgjedhur kurrë.

Sipas tij, Koalicioni Euroatlantik përfaqëson një alternativë të besueshme për shqiptarët – një koalicion që mbështet drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin me SPAK-un. Ai kërkon mbështetje për njerëzit e zakonshëm të zonës, për ata që “jetojnë mes jush dhe nuk bëjnë kompromise”.

Mesazhi i tij përmbyllet me një apel të drejtpërdrejtë për votuesit e Elbasanit: të marrin fatin në duart e tyre dhe të mos e lënë votën në dorë të askujt tjetër. Ai vetë, si kandidat në kolonën 4, shfaqet si një përfaqësues që garanton dinjitet, guxim dhe përkushtim ndaj interesave të komunitetit të tij.

Postimi i plotë i Naim Metës:

“O Sot, O Kurrë!
Vota Juaj, E Ardhmja Juaj!
Të nderuar qytetarë të qarkut të Elbasanit,
Në këto zgjedhje historike, Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Ka ardhur momenti për të bërë ndryshimin e vërtetë, atë ndryshim që secili prej nesh e ka ëndërruar për dekada me radhë. Sot, më shumë se kurrë, vendi ynë ka nevojë për vigjilencën, përkushtimin dhe ndërgjegjësimin tuaj qytetar. E ardhmja është në duart tuaja – në fuqinë e votës suaj.
Votoni me kujdes. Mbështesni masivisht Koalicionin Euroatlantik, koalicionin që garon vetëm me lista të hapura, ku qytetari ka të drejtë të zgjedhë drejtpërdrejt përfaqësuesit e tij. Jo më lista të mbyllura dhe vendime të imponuara nga lart, jo më kandidatë që nuk i njihni, por ju “serviren” nga kryetarët e partive si zgjidhje të detyruara. Kryetarokracia e ka dëmtuar vendin tonë për 34 vjet dhe tani është momenti që qytetari të marrë fuqinë në dorë.
Mos u mashtroni nga ata që kërkojnë votën tuaj për emrin e tyre, ndërkohë që në realitet, ajo votë shkon për njerëzit e preferuar të kryetarëve. Votoni për një “qingj”, por fiton një “ujk”! Ky është paradoksi i listave të mbyllura. Deputetë që nuk i keni votuar dhe që nuk i dëshironi, do të marrin pushtet dhe do të shërbejnë jo për ju, por për oligarkët që e kontrollojnë atë.
Por, fatmirësisht, këtë herë ka një zgjidhje. Ju mund të votoni drejtëpërdrejt bijtë dhe bijat e qarkut tuaj, njerëzit që i njihni dhe që jetojnë mes jush. Ata nuk bëjnë kompromise, nuk kanë frikë nga drejtësia dhe mbështesin punën e SPAK-ut. Ata garojnë me lista të hapura sepse besojnë tek forca e qytetarit.
Mos e lini votën në dorë të tjerëve. Votoni për veten tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për një Elbasan që merr frymë lirisht. Votoni në kolonën 4, votoni Naim Metën, një zë i ndershëm i qarkut tuaj, një përfaqësues që ju përfaqëson me dinjitet dhe guxim.
Shqipëria: O sot, o kurrë. Vota juaj është arma juaj. Përdoreni për të ndërtuar të nesërmen që meritoni.
Miqësisht,
Naim Meta”

Pse janë mbledhur bashkë të gjithë të korruptuarit kundër Lulzim Bashës?

Nga Namir Lapardhaja

Nëse ka një politikan që është sulmuar më shumë se kushdo tjetër në skenën politike shqiptare të dekadës së fundit, ai është Lulzim Basha. Sulmet ndaj tij nuk kanë ardhur vetëm nga kundërshtarët politikë natyralë, por edhe nga aleatë të dikurshëm, media të kapura nga oligarkë dhe madje edhe elementë të botës së errët të krimit të organizuar. Kjo është një panoramë që ngre një pyetje thelbësore: Pse janë mbledhur bashkë të gjithë të korruptuarit kundër Lulzim Bashës?

Që nga dita e parë kur Basha hodhi hapin për të mbështetur me forcë institucionet e drejtësisë së re si SPAK, si dhe nismat për vetingun e politikanëve dhe më herët dekrekiminalizimin e politikës, ai u kthye në një kërcënim serioz për klasën e vjetër të tranzicionit. Një klasë që, pavarësisht përkatësive të ndryshme partiake, ndan një interes të përbashkët: mbrojtjen nga drejtësia.

Pikërisht për këtë arsye, akuzat e Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste, janë ricikluar në të njëjtën mënyrë nga Sali Berisha dhe sejmenët e tij mediatikë. Është një aleancë që nuk i bashkon bindja politike, por frika ndaj drejtësisë dhe pushtetit të një lidershipi të pastër që synon ta çlirojë politikën nga hijet e korrupsionit dhe lidhjet me krimin.

Në këtë ofensivë të sinkronizuar kundër Bashës, nuk kanë munguar as mediat e oligarkëve, të cilët prej vitesh ushqehen nga lidhjet e errëta me qeverinë dhe politikën e vjetër, duke marrë tendera e leje ndërtimi nga Edi Rama dhe duke i hedhur benzinë zjarrit të sherrnajës në radhët e opozitës, duke promovuar dhe ndihmuar Berishën për të uzurpuar opozitën. Janë po ato media që heshtin për aferat korruptive dhe skandalet miliona euroshe, por gjejnë hapësira pafund për të sulmuar Lulzim Bashën. Janë po ato media që e kanë ‘fshirë’ nga ekrani aktivitetin e tij politik, po në analizat e tyre merren vetëm me atë çfarë ai po bën ‘keq’.

Krimi i organizuar dhe bandat, që në zgjedhje janë përdorur si mjete presioni dhe manipulimi nga PS dhe Berisha, siç është dokumentuar nga shumë burime në rastin e organizimit të ‘Foltores’ apo në rastet e Elbasanit, Durrësit dhe gjetkë në këto zgjedhje, janë gjithashtu në një sintoni të frikshme kundër Bashës. Kjo është një tjetër dëshmi se kërcënimi i vetëm për pushtetin e tyre të kalbur vjen nga një politikë alternative, që ka ekspertizën dhe lidhjet e duhura ndërkombëtare, i cili në çdo rast është aty për t’i rivalizuar dhe për t’u treguar të kundërtën.

E megjithatë, përballë kësaj vale të orkestruar sulmesh dhe baltosjesh, Lulzim Basha ka arritur të mbijetojë, të qëndrojë i qetë dhe të ecë përpara me një vizion të qartë për të ardhmen. Një rezultat pozitiv në zgjedhjet e 11 majit do të jetë më shumë sesa një fitore elektorale e tij — do të jetë një fakt i ri politik, një mesazh i qartë se shqiptarët janë gati për një të nesërme ndryshe dhe për një qeverisje të ndershme.
Dhe kjo është ajo që frikëson të korruptuarit: ardhja e një kohe ku askush nuk është mbi ligjin.

TREGIME E NOVELA- Marcel Hila

Nga Arben Borshi

Marçel Hila ka vite që asht prezent në panoramën e librit shqiptar por edhe përtej kufijve kombtar.

Narrativa e tij përshkohet prej te vërtetës historike të periudhës ma të errët që njerzimi ka përjetu qysh në agun e tij. Të bazueme në ngjarje dhe personazhe të vërtetë, realë, romanet, novelat dhe tregimet e tragjedisë të popullit shqiptar, me nji gjuhë të pasun, na vijnë para syve dhe të emocionojne aq sa edhe ti që e lexon, pershkohesh prej emocionesh të forta. Ashtu siç janë edhe pikturat e tij, që të mahnisin, ( sepse asht edhe artist piktor), edhe narracioni i tij të trondit. Në kto narracione, ndeshena edhe me aktorin vetë si protagonist. “Perla në plagën e një martese”- asht nji prej veprave të tij ku vetë asht protagonist.

Marçeli shkruen me të njajten mjeshtri si në gjuhën gegë, ashtu edhe në atë “të njehsuar” apo gjuhën zyrtare. Kjo falë nderës origjinës të tij prej Shkodrës. Njef mjaft mirë terrenin gjeografik, doket dhe zakonet, sidomos ato të pjesës veriore të Shqipnisë, mbasi ka sherby si shoqnues dhe përkthyes i emisarëve të klerit katolik, kryesisht italiane, në ndihmë të popullsisë vendase e sidomos të zonave të thella malore.

Por eksperienca ma domethanese e Marçelit, mbetet pjesa e jetës që ka kalu nën nji prej regjimeve ma kriminale komuniste të Europës Lindore. Kët eksperiencë, do ta pasunonte s’tepermi edhe detyra

që iu ngarku prej organizatës ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e mohueme të ish viktimave të regjimit kriminal komunist, pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të shtetit. Asht pikërisht kjo periudhë e nji pune të dendun ajo që do ta rrisin bagazhin e pasun të Marçelit, me ngjarje dhe personazhe që i çfaqen para sysh çdo orë e çdo çast, ndërsa shfleton me qindra mijëra dosje të viktimave, në arkivin e Sigurimit të partisë-shtet!

“Internimi i kufomës”, “Zoti zbret në ferr”, “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”, “Rekrutimi i gjimnazistit”, Perla në plagën e një martese”, janë vetëm disa prej veprave të Marçelit, të cilave i shtohet edhe nji volum tjetër i botuem prej “Enja botime” në Tiranë në vitin 2023. Nji përmbledhje prej 21 tregime dhe novela, prej 446 faqesh.

Brezit tonë, pra edhe i Marçelit si bashkëmoshatar, ndër të tjera, iu mohu edhe e drejta me lexu autorë të themelit të klasiçizmit botnor si Dostojevski, Zamjatin, Pasternak, e ma vonë Huxley, Orwell, Shalamov, Solgjenitcyn, Camus, Arendt, Bradbery etj, të cilët u konsideruen prej kupolës të realizmit socialist, si reaksionarë, prandaj të damshëm për ideologjinë kriminale komuniste, edhe pse në mes tyne pati edhe Çmim Nobel për letërsinë. Por edhe pse të ndaluem, disa prej veprave të “reaksionarëve” i qarkullojshim me shum kujdes, tuj u ruejte mos me ra ne sy të rrjetës të imtë të bashkpuntorve të sigurimit. Mbas shembjes të “Perandorisë të së keqes” edhe Lirija e leximit u realizu për ne, armiqtë e partisë!

Por t’i kthehena narrativës të Marçelit. Libri “Tregime e novela” ka 21 të tilla në 446 faqe. Janë tregime që i përshkon vektori i përbashkët i tragjedisë, i krimeve ndaj njerëzimit, i viktimave të pafajshme, si ato të ekzekutuem si ata që i mbijetuen “ferrit komunist, e si ata të internuem apo të persekutuem. Janë shum, shum! Vetëm dosjet që kanë “pshtu” numrojn rreth 4 milion faqe A4. Vetëm vjehrri i jem,Z. Esat Qehaja, që ka ba 10 vjet burg me dënim për “agjitacion dhe propogandë, ka nji dosje me 160 faqe.

I tmerrshëm asht tregimi me titull: “Sytë e ballit”, ku viktima, nji i ri Mirditas me banim në Rrëshen i fejuem me nji vajzë simpatike dhe të hijshme, dënohet me 10 vite burg prej hetuesit të Rrëshenit, sepse ky i fundit i kishte vu synin të fejuemes simpatike. Mbas nji akuze-shabllon me dëshmitar të rremë me akuzë “për agjitacion dhe propogandë” me nenin famkeq nr.55, e çon në burg kët djalosh të ri dhe i përdhunon të fejuemen. Prej dëshprimit, kur e fejuemja i tregon në nji takim me familjarët, mbyllet në vetvete dhe nuk flet ma me askënd. Nji ditë nuk del me shokët e qelisë në orar të ajrimit. Kur shokët kthehen, shofin se ishte mbulu me çarçaf dhe në pjesën e fytyrës dukeshin dy njolla gjaku të mëdha. Ndërsa i zbulojnë ftyrën, gjenden para nji pamje të tmerrshme: dy kokërdhokët e syve që i vareshin poshtë në nji pellg gjaku. Nji llahtar i vërtetë që as regjizori me famë botnore, Alfred Hichcock nuk do t’ kishte mujtë me e realizu. Mbasi kishte gjetë nji kaçavidë, kishte nxjerr sytë e vet, për mos me pa ma tmerrin që i deltë para syve çdo çast.

Si përfundoi historija? Asgjâ! Hetuesi kriminel, mbas ‘90, me siguri ashtu si “kolegët e tij” ka zdeshe Tyrben e zezë të kriminelit, për me veshë pelerinën e avokatit, shpesh edhe me hapjen e zyrës në kryeqytet!

Nji tjetër tragjedi jo ma pak e tmerrshme, asht edhe ajo e protagonistit të romanit:”Rekrutimi i gjimnazistit”. Taulant D, nji maturant ekselent në Tiranë, dhunohet prej hetuesit të zonës të shkollës, Qaniut dhe për të mos u ba bashkpuntor i tij tuj spiunu shokët dhe të afermit, vendose të vetëvaret, si e vetmja rrugë për mos me hupë dinjitetin!

Por edhe “Perla në plagën e një martese” asht nji tragjedi tjetër. Nji student i akademisë ushtarake italiane, mbaron studimet dhe martohet me nji vajzë të hijshme, Gorizia-n. Vendosin të kthehen në atdhe të të shoqit, por mbasi Valentini ishte i biri i gjeneral Preng Pervizit, sapo hyn në Shkodër bashk me të shoqen italiane, arrestohet, dhe të shoqen e nisin mbrapsht në Itali. Nuk kan ma kontakt me njëri-tjetrin për 47 vite me radhë, ku Valentini i kalon nëpër burgje dhe internime. Kur shembet perandoria e të keqes, në pranverën e ‘91 arrijn të takohen. Ajo vajzë e kishte pritë për të gjith atë kohë, për të jetu 8 vitet e fundit të jetës bashkë. Në fakt vdes në 1999 në Itali, ku i njofin edhe gradën nënkolonel!

Por në narrativën e Marçelit, Hera herës ndeshim edhe hapsina të vogla të “humorit theres shkodran” , atij humor që aq shum trazonte kupolën e krimit komunist. Nji moment i tillë na vjen në tregimin përmbyllës të librit voluminoz “Tregime e novela” me titull: “Dhitë në mur” që asht nji tjetër narrative tragjike por në të lexojmë edhe sarkazëm ndaj prokurorit dhe hetuesit që me gojën e tyne pohojnë dhe insistojnë se 13 dhitë e vizatueme prej piktorit Agim A. ishin personifikimi i 13 antarve të komitetit qendror të partisë, dhe insistojnë për këtë. Por në fund, kur Agimi nuk duron ma dhunën e përditshme, nën nji trysni të dëshpërimit të epërm, i drejtohet gardhit me tela me gjemba, i vetëdijshëm se po kryente vetvrasje. As thirrjet e shokut të tij nuk e ndalin. Vetëm plumbat e kallashnikovit, që ia mbushin trupin e detyrojnë të ndalet në nji pellg me gjak. Ashtu siç merret nji bagti, me karrocë dore e hjedhin në nji gropë pa shej dhe pa emën.

Kto ishin vetëm disa prej veprave që Marçeli ka botu, dhe që ia vlen të lexohen. Bile duhet të ishte në programet shkollore kjo lloj narrative e shoqnueme me ftesë ndaj autorit për diskutim. Por aktualisht kjo duket nji utopi, tuj pasë parasysh regjimin e ri të instaluem në atdheun tonë.

Saimir Lika u drejtohet votuesve të Diasporës: “Votoni lirshëm për një Shqipëri më të mirë”

Në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun Tiranë, Saimir Lika, ka shpërndarë një mesazh për të gjithë votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Në një postim drejtuar Diasporës, Lika thekson rëndësinë e votës së lirë dhe të ndërgjegjshme, duke u bërë thirrje bashkëkombësve që të mos ndihen të kufizuar apo të ndikuar nga politika e vjetër.

Postimi i plotë:

Votues të Diasporës kudo që ndodheni:

Votoni lirshëm ashtu siç e mendoni dhe vlerësoni Ju.

Vota Juaj është e shenjtë.

Vendi jonë ka 34 vite që vidhet nga politikanë që s’paskan pasur të ngopur.

Votoni për një ❤️Shqipëri❤️ më të mirë 

Shou me aeroportin e Vlorës, si ai i zbarkimit të Ramës para katër vitesh në Kukës

Dikur në opozitë, Edi Rama deklaronte me gojën plot se ata që u thonë se do ngremë aeroporte të reja në një vend aq të vogël sa Shqipëria iu gënjejnë, ndërsa tani po e përdor të njëjtën fabul për fushatë elektorale. Njësoj siç u veprua katër vite më parë me aeroportin e Kukësit sot po bëhet me atë të Vlorës.

“Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të hapet në ditët e para të maji” ka deklaruar së fundi zv kryeministrja Belinda Balluku, duke theksuar se gjithçka po bëhet gati për fluturimin inagurues që do të kryhet prej kompanisë shqiptare “Air Albania”.

“Sot, jemi vetëm pak ditë larg nga ulja e avionit të parë në aeroportin e Vlorës. Në ditët e para të majit, Airalbania do bëjë fluturimin inaugurues duke prekur pistën më të madhe në Ballkan, 3.2 kilometra dhe 22 mijë metra katrorë terminal” tha ajo.

Por sipas të gjithë specialistëve aeroporti i Vlorës ende nuk është gati. Fluturimi që do të bëhet nga kompania ajrore që e përdor edhe Edi Rama për çareterin e tij privat, duket se do të ketë qëllime elektorale. E njëjta fabul, si tani me Vlorën, u përsërit edhe në prag të zgjedhjeve të vitit 2021 me aeroportin e Kuksit.

Atëhere një avion i kompanisë Wiz Air, u nis nga Londra në Tiranë dhe pasi ndaloi aty sepse kaq i lejohej për një fluturim ndërkombëtar bëri edhe një rrugëtim tjetër Tiranë- Kukës. Rama e përdori këtë zbritje të sforcuar, në 18 prill 2021, për të thënë se ata emigrantë tifozë të PD-së që e kishin akuzuar si gënjeshtar po e shihnin këtë ëndër të bëhej realitet.

Video/ Kryeministri takon adashin në avion: Ky është Edi Rama dhe

⇑Edi Rama në prill 2021 në linjën Tirane Kukës me një pasagjer qe e paraqiti si opozitar qe nuk i kishte besuar kësaj endërre. Poshte pergatitjet e kesaj ceremonie elektorale⇓.

Natyrisht udhëtimi qe një fallcitet propogandistik që u organizua vetëm si shou për zgjedhjet. Atëherë kryeministri e justifikoi këtë fakt me rregullin se aeroportet e reja fillimisht provojnë me linja lokale për të kaluar më pas tek ato ndërkombëtare.

Por fama e atij që kryeministri e konsideronte me mburje si Porta e dytë ajrore e Shqipërisë zgjati pak. Pasi ibëri edhe një inagurim tjetër dhe Zbriti në shkurt 2022 bashkë me ministret në Kukës ku u tha se do kishte nga dy fluturime në javë me destinacion Gjermaninë Austrinë dhe Zvicrën, ky aeroport sot nuk funksionon më. Prej tij nuk ngrihet apo ulet asnjë kompani ndërkombëtare. Ai më tepër shërbeu si shou për fushatën e katër viteve më parë për të gënjyer emigrantët nga veriu, sidomos çunat e Londrës, se do të vinin më lehtë pranë shtëpive të tyre.

E njëjta fabul po përdoret edhe tani në prag të 11 majit, kur Belinda Balluku, në rakordim me Air Albania po oganizojnë një udhëtim të vetëm sa për efekt të fushatës. Sipas parashikimeve më realiste fluturimet reale nga ky aeroport nuk mund të fillojn përpara nëntorit të këtij viti dhe ajo që do të organizohet para zgjedhjeve është thjeshtë një spektakël.

Ky njoftim vjen pas përhapjes së lajmit se kompania Munich Airport International (MAI), një degë e Flughafen München GmbH, ka vendosur të tërhiqet nga angazhimi i saj në projektin e ndërtimit të aeroportit ndërkombëtar në Vlorë. U pretendua se gjermanët e ndërprenë bashkëpunimin  kritikave të shumta nga organizatat mjedisore dhe institucione ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm negativ të aeroportit në zonën e mbrojtur të Vjosës dhe lagunës së Nartës, një habitat i rëndësishëm për shpendët e rrallë.

Dhe që asgjë të mos njollosë punët madhështore të qeverisë është rekrutuar kompania me flamur shqiptar që të kryejë një fluturim simbolik para zgjedhjeve./lapsi.al

“Në dhjetorin e 1945-ës, Kuteli ndodhej i burgosur në kampin e Maliqit, kurse profesori majtist Nasho Jorgaqi, na paraqet sikur ai i shkruan letër shkrimtarit dhe…”! Si u falsifikua jeta e Fan S. Nolit?!

Më 1937, me rastin e festimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, shkruhej: “Në qiellin e botës kulturore shqiptare shndrijnë tre yje të pashuar, Naimi, Noli dhe Fishta”! Në albumet e përkryera me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, shkëlqente dhe portreti i hijshëm i Fan S. Nolit. Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë, si burri që arriti i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të fllas gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Më 1943 Mitrush Kuteli do të shkruante: “Vjersha e Nolit nuk ka ondulacionin e valëve në mezin e detit, po përplasjen e tyre anës, me zhurmë, gjithmonë të përsëritur. Në botën e arkitekturës ajo nuk u përngjan pjesëve të rumbulla, por çipeve të mprehta. Sepse Noli nuk gdhend në mermer, po në krastë. Nuk limon me daltë, po pret me sëpatë dhe me çekan të rëndë”. Imam Vehbi Ismaili në ligjëratën e vitit 1965 u shpreh: “Fan Noli u bë prift, që t’i shërbente më mirë Shqipërisë. Fan S. Noli ishte drita, ishte syri i gjithë bashkatdhetarëve të tij të mërgimit. Bashkë me të në krye, luftuam me çdo mjet për të liruar dhe për të mbrojtur vendin e lindjes”.

Ndërsa nacionalisti Baba Rexhepi, e quan: “Frymëzuesin e parë të ndjenjave kombëtare, udhëheqësin e të gjithë lëvizjeve patriotike, fetare e të kulturës në këtë vend të bekuar; lulja e simbolit të bashkimit dhe të mburrjes kombëtare si para botës shqiptare dhe para botës së huaj”. Të dhënat e parashtruara sa do të ngjeshura nuk mund të japin të plotë portretin e tij. Në mars të vitit 1944 shkrimtari Milto Sotir Gura, do të shkruante: ”Duhen volume të tëra, për të përshkruar veprën e këtij Titani të Rilindjes Kombëtare”.

Noli dhe hulumtuesit

Mbledhja, analiza dhe botimi i veprave të Fan S. Nolit, nuk është as meritë dhe as pronë e një grupi të caktuar intelektualësh. Qysh në vitet e para të shekullit që shkoi, veprat e Nolit qarkullojnë me sukses në Amerikë dhe në atdhe. Gazetat “Kombi” e “Dielli” ishin të parat, të cilat nxorën në dritë krijimtarinë e tij. Në antologjinë, “Shkrimtarët shqiptarë”, botuar më 1941 në Tiranë, Andon Frashëri paraqet disa nga shkrimet. Më 1943, Mitrush Kuteli u jep lexuesve librin “Mall e Brengë”, më 1944, Lifter Dilo, “Ligjëron Fan Noli”. Me këto punime mjaft tërheqëse merr udhë njohja e veprës së “vatranit” të madh dhe botimi i mëtejshëm i saj nga hulumtues të tjerë, prej të cilëve veçojmë disa.

Me kujdesin e Nolit, Federata “Vatra” boton më 1948, “Albumin-I”, ndërsa Qerim Panariti më 1966, “Albumin-II”. Nexhat Peshkëpia në Nju Jork, u jep lexuesve shqiptarë librin, “Noli si poet dhe si poet-përkthyes”, Tajar Zavalani e kujton në librin, “Historia e Shqipërisë”. Vehbi Bala dhe Pirro Tako, sipas kërkesave të kohës, marrin përsipër detyrën për trajtimin e veprës noliane. I pari, më 1958 “Albumi-1948”, “Poezi të zgjedhura të Nolit” (1966), “Jeta e Fan S. Nolit” (1972) dhe një kapitull në “Historinë e Letërsisë Shqiptare” (1984).

I dyti, “Fan Noli në fushën e politikës dhe publicistikës” (1975), “Rron, o rron e nuk vdes shqiptari” (1976) dhe “Kronika e jetës dhe e veprimtarisë së Fan S. Nolit”. Ylli Zajmi boton, “Jeta dhe veprat e Fan S. Nolit” (1986). Me interes janë studimet dinjitoze të dijetarëve shqiptarë në Kosovë. Për jetën e veprën e Nolit kanë shkruar gjithashtu dhe shumë studiues të huaj në Europë dhe në Amerikë. Të gjithë bashkohen tek një përcaktim: patriot, fetar i përkushtuar, demokrat, poet i lirisë, shkrimtar, dramaturg, shqipërues i pashoq, shtetar, orator, historian, filozof, muzikolog, kompozitor etj.

Mitrush Kuteli dhe profesorët “nolistë”!

Në analizën mjeshtërore për krijimtarinë e Nolit më 1943, Mitrush Kuteli ëndërronte: “Dhe tani, në mbarim, pyetja që na rëndon në shpirt është kjo: A do të kemi fatin të vazhdojmë dhe të plotësojmë këtë vështrim panoramik mbi veprën poetike të Fan S Nolit? Në këto, ngritjet dhe përmbysjet e sotme askush nuk mund t’a dijë. Dhe në qoftë se na refuzon fati këtë hir, ata që vijnë pas nesh- se vijnë të fortë- le t’a vijojnë”.

E ku ta dinte prozatori ynë i shquar, se pas tij do të vinin të “fortët”, “profesorët”, të cilët do të orvateshin, si shumë të tjerë, ta fshinin nga faqet e historisë. Ata që nga mosnjohja e teologjisë, ngatërrojnë Galilenë e Palestinës me Galileo Galilein e Italisë. Ata që nxjerrin përfundime se Noli është dhe ashtu dhe kështu: “Si patriot, artist e dijetar, ai u rrit në gjirin e lëvizjes antifeudale dhe antiimperialiste”.

Pasi harrojnë se ç’thanë më lart, vazhdojnë: “Disa anë negative në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij të shumanshme, rrjedhin nga kufizimet dhe presioni i ideologjisë sunduese borgjeze, apo nga të meta të karakterit subjektiv…”! Ata që sajojnë letra misterioze dhe Parlamentin e viteve ‘30 e ngatërrojnë me Kuvendin e viteve ‘20. Ata që thurin ndodhi me zyrtarë amerikanë pa emër, të “Departamentit të Shtetit në Boston“…(?!).

Ata që kanë probleme me njohjen e gjuhëve të Nolit, e presin largimin nga jeta të ndonjë studiuesi për të përfaqësuar punimet e tyre. Me përjashtim të “Vëllimit-4”, gjendemi përballë një masakre të frikshme kulturore. Në hyrjet e parathëniet nga kreu në fund, shohim vetëm trajtime politike. Në vend të atdhetarit, kërkohet me ngulm marksisti, leninisti dhe antizogisti. Në vend të poetit, kërkohet “revolucionari socialist”. Fetari- filozof shkruan e vepron “pa bindje” fetare.

Sipas profesorëve, Noli paskësh krijuar “pak poezi”. Shqipërimi i poemës “Gjergj Kastrioti Skëndërbe”, është “nën nivel”. Në poezinë “Thomsoni dhe Kuçedra”, “mburr” figurën e një koloneli holandez, Thomson, i sjellë në vendin tonë për të organizuar xhandarmërinë e qeverisë reaksionare të Durrësit, në shërbim të fuqive imperialiste”. Poezitë e fundit, “Kabineti dhe Sulltani” e “Vdekja e Sulltanit”, “vjersha pa pretendime”. Por poezitë e Albumit si “Hymni i Flamurit”, “Thomsoni dhe Kuçedra”, “Shpella e Dragobisë”, “Syrgjyn Vdekur”, “Anës Lumejve”, “Maratonomaku”, janë të barasvlershëm me mijëra poezi.

Në një kohë kur marrëdhëniet e Vatrës me qeverinë komuniste ishin prishur përfundimisht, “Albumi”-1948 merr pamjen e Manifestit Kombëtar. Duke nisur nga Hymni i Flamurit, poezitë e tjera na sjellin ndër mend viktimat e kombit në gjyqet speciale, maratonomakun me lajmin e fitores mbi diktaturën. Pas Korbit, Anabel Li-së, poemës Skënderbe dhe Rubairave, Hamleti e Don Kishoti, jepen fragmentarë. Makbethi i frikshëm e Jul Çezari i vrarë me të pabesë, nuk shfaqeshin as në skenat e teatrove tona.

Ashtu si veprat madhore të Shekspirit, edhe kryeveprat e Nolit, herë klasike, herë moderne, herë popullore, jetojnë të sotmen, mbijetojnë në të nesërmen, janë të përjetshme! Duhej një paleontolog si Eftim Dodona, të zbulonte shkrime që flasin me gjuhën e dokumenteve për të vërtetën, madje të përpiqet si me fosilet të hulumtojë shkrime të fshehura në “guvat” enigmë në arkivat e Universitetit të Harvardit.

Noli ndonëse jetonte e krijonte jashtë atdheut, gjuha shqipe, fjalët e reja që përdori, vargu i zjarrtë, proza e rrjedhshme që krijoi, janë shembuj për veprim si për shkrimtarët, ashtu dhe për historianët e sotëm. Megjithatë u vu re, se vargu i shqipërimeve, nga Shekspiri, Servantesi, Ibseni, Ibanjezi u shkëput nga veprat dhe emri i tij, humbi si përkthyes i thjeshtë nën mbulesat e antologjive, i dëmtuar nga parathëniet tendencioze të profesorëve.

Nëpër libraritë e botës nuk po shohim të ribotuara në gjuhë të ndryshme kryeveprat noliane. Libri “50-Vjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë”, vijon të dalë nga shtypi me mangësi. Ky libër me përkushtimin e zgjeruar ndaj figurave të shquara të kombit, me përshkrimet historike, autobiografinë, dokumentet e fotografitë, zbardh gjithçka rreth jetës së Fan Nolit dhe bashkësisë shqiptare në Amerikë.

Punimet për veprat e Nolit, nga “të fortët” përshkohen nga i njëjti bosht. Hyrjet, parathëniet e shënimet, kanë të njëjtën ngjyrë, të njëjtin trajtim e të njëjtat synime. Një gjendje të tillë pasqyron, “Antologjia e mendimit estetik shqiptar 1504-1944”, botuar nga shkrimtari Nasho Jorgaqi më 1979, me shkrime të gatshme nga autorë si Barleti, Bardhi, Budi, Samiu, Naimi, Çajupi etj. Fan S. Noli me introduktet, i reshtur krahas tyre, zbulohet nën peshën e parathënieve mbi parathënie. Libri është pa redaktor, pa reçensues e pa piktor!

Së fundi mbi mbulesën e antologjisë vendos me gërma kapitale emrin e tij, duke marrë kështu pamjen e autorit. Më 1994 e rendit në librat e veta të realizmit socialist, si; “Mërgata e Qyqeve”, “Poetika e Dokumentit”, “Skenarët”, “Dueli i heshtur”, “Tana”, “Mimoza llastica”, “Tomka dhe shokët e tij” etj.

Noli dhe letërkëmbimi

Profesor Jorgaqi njihet mbi të gjithë, si mbledhës, përpunues e botues letrash të çfarëdoshme. Kjo punë nis me librin “Poetika e Dokumentit”, në kohën kur sistemi komunist po merrte tatëpjetën. Lënda publicistike dhe letrat janë të larmishme me tema si: “Për një album folklorik të Karl Marksit dhe për një këngë popullore”, “Marksi letrar i ri”, “Lenini mik i një publicisti shqiptar” (N. Ivanaj), “Gjergj Fishta, udhëheqës shpirtëror i klerit”, “Mendime dhe konsiderata të F. Nolit, për personalitetin dhe rolin historik të shokut Enver Hoxha”, “Noli para-marksist”, “Noli, në barrikadat e luftës klasore”, “Tri letra të Ali Kelmendit për Fan Nolin”, “Letër një miku të panjohuri grek” etj.

Përshkrimi i vlerave të Marksit e Leninit, i “konsideratave” për diktatorin, shtrembërimi i jetës së Nolit apo zhvlerësimi i Fishtës, janë në përputhje të plotë me pohimin e sotëm të autorit, i cili i mbetet “besnik i vetë-vetes, bindjeve, idealit dhe natyrës”, së tij. Edhe tri letrat e Kelmendit më 1938, sado tepër fragmentare, përcjellin vetëm nderime dhe asnjë “ftesë” për pjesëmarrje, “në frontet revolucionare”.

Noli bujar, dërgon për mërgimtarin e sëmurë në Paris, vetëm libra dhe ndihma financiare. Ndërhyrjet para, ndërmjet e në fund, janë thjesht fantazi, punë reporterësh të majtë. Një gjetje e rrallë epistolare mban emrin: “Letër mikut të panjohur grek”, më saktë, njeriut të padukshëm grek. Nga kjo “letër”, me doza të forta humori mësojmë se Noli, paskësh qenë një djalosh me “borxhe”, që “arratisej” jo ditën po “natën”. Për kohën kur ishte mësues në Fajum të Egjyptit, paskësh shkruar: “Aty më kanosën të më martonin, dhe unë u arratisa në Shëmtirat e Bashkuara të Amerikës në Nju Jork! Statuja e lirisë! Dollarë plot! Rroftë!”

Atje qenkësh dorëzuar prift, jo për qëllime fetare apo atdhetare, por thjesht për nevoja të ngushta vetjake, “në qytetin Boston, Athinën e SHBA-a”. Ndaj profesori na bind: “Nga sa shkruan, kuptohet qartë se ai nuk ka pasur asnjë shtytje të brendshme dhe as bindje”. Pasi vlerëson këtë letër të shëmtuar, në shënimin poshtë sqaron: “Në krahasim me Autobiografinë, në letër jepen më saktë të dhëna për jetën plot peripeci të Nolit në këtë kohë”(!?).

Mandej shton: “Letrën nuk e njohim në kopjen origjinale. E nxorëm nga gazeta greke ‘Paneperitikon’ agon”. (Shif. “Poetika e dokumentit”, faqe 214-215). Varianti i dytë, më i gjerë dhe më i mbrapshtë i letrës, drejtuar mikut të panjohur grek, ribotohet te “Vepra-6”, viti 1996. (Shif: faqe 361-364.) E para me emrin “Theofan Noli”, e dyta “Theofanis Nolis”, data 15 qershor, 1910.

Është koha kur Noli, si udhëheqës i madh, mban ligjërata të zjarrta në përkrahje të kryengritësve shqiptarë në Kosovë e në veri të Shqipërisë. Por profesori mendon ndryshe. Për t’u mbushur mendjen lexuesve, në labirintin e shënimeve, jep 17 sqarime! Për sajime të tilla, na vjen në ndihmë studiuesi Mërgim Korça, me bëmat e Baronit Munchhauzen:

“Ishte e acaruar në kulm lufta. Vija e frontit gjarpëronte dhe nuk dinim se si zhvillohej situata. Hipa kaluar në majën e grykës së topit dhe i dhashë urdhër topçiut të shtinte…! U kapa pas gjyles dhe fluturova mbi vijën e frontit. Mbasi e studiova situatën u hodha nga gjylja mbi të cilën fluturoja dhe u kapa pas një gjyles që vinte nga vijat e armikut drejt pozicioneve tona. Kështu u ktheva në bazë”?

“Poetika e Dokumentit” mund të mbijetojë vite e vite, nëse autori do ta pagëzonte “Poetika e Gënjeshtrës”. Disa fraza nga letra me grekun misterioz, profesori i vë në punë edhe në shkrimin “Udhëtim me Fan Nolin” (1994), ku trajtimi i pandalshëm majtist i ngjarjeve, tendencioziteti i njohur, mënyra e vjetër e rrëfimit “gju më gju me popullin”, jeton në vazhdimësi.

Si një bashkudhëtar i vërtetë, autori përshkruan udhëtimin e Nolit drejt Amerikës: “Me Lloidin udhëtonin 300 njerëz, shumica në kushtet e kafshëve…! Noli prezantohet si revolucionar…! Gjithë udhëtimi do të ishte një mundim pa fund, ditë e natë me shi e të ftohtë, mes dallgëve tronditëse të oqeanit…! Por ndërsa të tjerët rrinin mbyllur në kabina, ai dilte sipër në kuvertë dhe lexonte Niçen“(?!!).

Mos vallë Noli i ri po lundronte për të organizuar revolucionin socialist në Nju Jork? Më tej shton: “Por vjen një çast që tronditet e preket se gjithë këta njerëz, nuk e dinin se ekzistonte një vend që thirrej Shqipëri”!

Do të duhej viti 1913, viti i vendimeve të padrejta, që “njerëzit e munduar” e të lodhur në kabina, të shihnin në hartën e Ballkanit një shtet të ri. Shkrimi ndërtohet dhe me ndihmën e grave amvisa të moshuara, të cilat nuk mund të flasin shqip apo të ndonjë mërgimtari, i cili qenkësh takuar me Nolin rastësisht në një park, tek lexonte gazetën me lajme nga Hungaria. Autori kuptohet lehtë kur mendimin e tij ndaj Kryengritjes Hungareze, orvatet t’ia adresojë poetit tonë liberator. Në bisedë me “vatranët” e vjetër, gjithashtu përpiqet më kot, që në kundërshtim me faktet, kujtimet e tyre t’i përdorë si dëshmi për ta vendosur Nolin e lirisë së mendimit në krahun e majtë.

Më tej vijon vargu i letrave. Hasim përsëri njoftime të çuditshme. Autori shkruan: “Herë pas here Noli ka marrë letra nga intelektualë në zë të Shqipërisë… M. Kuteli i jep lajmin e gëzuar se është zgjedhur Kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe se një varg letrarësh ndjekin në fushë të letërsisë rrugën e tij.”

Japim pa koment dy letra që ndriçojnë këtë çudi. E para, Mitrush Kuteli 30 maj 1945:

“I dashur Mjeshtër, zoti Stephan i Misionit Amerikan në Shqipëri po më jep rastin t’Ju shkruaj këto radhë. Ay vetë, më parë, më pat dhënë mendimin t’Ju dërgoj përmbledhjen e disa vjershave t’Uaja së cilës i dhashë emrin “Mall e Brengë”,… Me këtë rast po Ju dërgojë dhe disa nga librat e mija, dyke ju lypur ndjesë për paraqitjen e tyre të vobekët- ashtu siç është dhe vendi ynë- si edhe për të meta të tjera. Munt të them pa droje se ju kini krijuar këtu një shkollë letrare, ryma e së cilës ndjehet shumë në shkrimet e të rinjve. – Ju uroj shëndet dhe pleqëri të mirë. Mitrush Kuteli”.

E dyta, Sejfulla Malëshova 12 dhjetor 1945:

“Hirësisë së Tij Imzot Nolit. Për kontributin e madh që kini dhënë në fushën e kulturës dhe të letrave shqipe, Konferenca e Shkrimtarëve të Shqipërisë që u mblodh në Tiranë më 7-11 Tetor 1945, Ju zgjodhi Kryetar Nderi të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ndjej një gëzim të madh që jam unë ay që po ju komunikon këtë gjë. Me respekt-Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Sejfulla Malëshova”.

Në atë kohë Mitrush Kuteli ndodhej në kampin tragjik të Maliqit, ku në mëngjeset e ftohta të dhjetorit 1945, i heshtur duhej të dëgjonte apelin para barakave të kampit. Nga këto sajesa lind natyrshëm dyshimi për saktësinë e letrave të tjera, madje dhe të disa ligjëratave, kur Noli jetonte e krijonte në Europë.

Vargu i gjatë i letrave zyrtare me Qeverinë Komuniste në Tiranë, për çështje të rëndësishme kombëtare gjatë vitit 1946, shpreh shqetësimin e madh e kujdesin e Nolit për Atdheun. Në fund të atij viti, ndihet qartë zemërimi i tij ndaj sjelljes së delegatëve që dërgonte Enver Hoxha për bisedime me porosi të rrepta. Pas kritikave dhe lajmeve të hidhura që arrinin nga Shqipëria, bekimet e Nolit kanë marrë fund.

Më 1947 marrëdhëniet diplomatike janë prishur krejtësisht. Vatra patriotike do të cilësohej nga Akademia e Shkencave si: “organizatë reaksionare që kaloi në mbrojtje të politikës antishqiptare të qeverisë amerikane. Në vitin 1960 pjesa patriote u largua prej saj dhe krijoi organizatën “Shqipëria e Lirë.”(?!).

Pra, një shtrembërimi tjetër, kur dihet se kjo organizatë është krijuar si kundërshtare e “Vatrës” shumë kohë më parë. Për këtë hedh dritë një dokument domethënës, botuar në gazetën “Dielli”, janar-mars 2003.

Në vijim, letrat për Milto Sotir Gurën, të botuara nga Profesor Jorgaqi edhe më 1996, u përdorën për të bindur popullin shqiptar se sa “i lumtur” jetonte nën terror. A mundej Noli, pas lajmeve tronditëse nga Shqipëria, të rrezikonte me letra postare miqtë e vet? Si mund të qahej për gjendjen e tij në Amerikë, në kulmin e përparimit? Memorie.al Nga Agim Xh. Dëshnica