24.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

6 kg kokainë në Kapshticë, publikohet fotoja e shoferit; pjesë e një grupi kriminal

Ky është Valmir Balliu nga fshati Slabinjë e Pogradecit, i cili ditën e djeshme përmes pikës kufitare të Kapshticës, tentoi të trafikojë drejt Greqisë, një sasi prej 6 kg lëndë narkotike heroinë.

Balliu është përdorur si korrier nga një grup kriminal që vepron në zonën e Pogradecit dhe Korçës.

Ndërkohë kanë qenë strukturat e Agjensisë së Mbikqyrjes Policore (AMP) që kanë monitoruar dhe hetuar rastin.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se makina që drejtohej nga Valmir Balliu, nuk është kontrolluar nga punonjësit e policisë kufitare Kapshticë, ndaj nisur nga ky konstatim hetuesit e AMP-së, kanë vendosur të kryejnë arrestimit e përgjegjësit të turnit dhe dy kontrollorëve.

Ndaj tyre tashmë ka nisur hetimi për veprën penale të Shpërdorimit të detyrës. Ndërsa ndaj shoferit të mjetit ku u sekuestrua sasia prej 6 kg heroinë, hetimet janë përqëndruar për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” mbetur në tentativë.

Tashmë, hetimet ndaj këtij rasti vijojnë nga prokuroria e Korçës, e cila është përqëndruar në zbulimin e personave të tjerë që kanë bashkëpunuar me Valmir Balliun, me qëllim realizimin e trafikut të heroinës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Balliut, i është sekuestuar aparati i telefonit me shpresën e gjetjes së komunikimeve me bashkëpuntorët e tij, për trafikun e drogës.

Test për qeverinë Vuçiç, mbahen zgjedhje lokale në dy komuna të Serbisë

Dy komuna të vogla në Serbi janë duke i mbajtur zgjedhjet lokale më 8 qershor, proces zgjedhor që konsiderohet test për Qeverinë, pasi është i pari prej nisjes së bllokadave të studentëve nëpër fakultete, në nëntor të viti 2024, të nxitura nga vdekja e 16 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Në të dyja këto komuna, prej vitesh, është në pushtet Partia Përparimtare Serbe (SNS), e themeluar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 në të dyja komunat, dhe do të mbyllen në orën 20:00.

Në Zajeçar, qytetarët do t’i zgjedhin 50 anëtarë të Asamblesë komunale ndërsa në Kosjeriq 20 të tillë.

Screenshot 2025-06-08 121552

Në Zajeçar garojnë tetë lista elektorale, ndërsa në në Kosjeriq vetëm tri.

Në Kosjeriq garojnë listat: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Partia ruse – Serbia në BRICS, Sllobodan Nikoliq” dhe “Të bashkuar për Kosjeriqin”.

Në Zajeçar garojnë listat: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Ndryshimi që e besojmë në Ugljesha Gjuriçkoviq, Dragana Rashiq”, “Të bashkuar për të ruajtur Zajeçarin, Mirko Jellenkoviq, Milladin Kërstiq”, “Doktor Nenad Ristoviq – Vendas për Zajeçarin”, “Ivica Daçiq – SPS – Të vendosur për Zajeçarin”, lista minoritare “Koalicioni për Serbinë Lindore – Sasha Radulloviq Gërlanac”, “Ne, Forca e Popullit – profesor Branimir Nestoroviq” dhe “Serbët Liberalë – Vlladimir Kovaçeviq”.

Komisioni Zgjedhor ka bërë të ditur se në territorin e Zajeçarit, të drejtë vote kanë 47.357 banorë, ndërsa në Kosjeriq, 8.898.

Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) ka bërë të ditur në mëngjesin e 8 qershorit se të gjithë vëzhguesit e organizatës janë në Zajeçar dhe Kosjeriq.

Ndonëse në parim mund të mos duken zgjedhje shumë të rëndësishme, fushata zgjedhore në dy komunat është përcjellë nga incidentet, përleshjet mes mbështetësve të Qeverisë dhe opozitës dhe sulmeve ndaj ekipeve të gazetarëve.

Pavarësisht se kanë pak banorë, ato janë kthyer në një temë të rëndësishme javëve të fundit dhe në destinacione të domosdoshme vizitash për zyrtarët e lartë shtetërorë, përfshirë edhe vetë Vuçiqin./REL

Lajme të këqija për pasagjerët/ Tani avionët mund të vonohen deri në 4 orë pa kompesim

Pasagjerët që udhëtojnë më avion do të përballen me vonesa më të gjata pa patur të drejtën të marrin kompesim nga kompanitë ajrore. Lajmi i keq vjen pas një vendimi të Bashkimit Europian për të zgjatur tolerancën e vonesës së avionëve si për fluturimet e shkurtra ashtu edhe për ato më të gjata

Pasagjerët në fluturimet me distanca të shkurtra do të duhet të vonohen me katër orë ose më shumë përpara se të mund të kërkojnë kompensim nga kompania ajrore. Për fluturimet me distanca të gjata vonesat duhet të jenë gjashtë ose më shumë orë. Rregullat aktuale të BE-së diktojnë që pasagjerët mund të kërkojnë kompensim nëse fluturimi i tyre vonohet për më shumë se tre orë.

Vendet e BE-së ranë dakord gjithashtu të rrisin shumën e kompensimit për ata që vonohen në fluturimet me distanca të shkurtra nga 250 € në 300 €, por planifikojnë të ulin kompensimin për fluturimet me distanca të gjata nga 600 € në 500 €.

Rishikimi i të drejtave të pasagjerëve ajror të BE-së u propozua fillimisht në vitin 2013 nga Komisioni Evropian. U deshën 12 vjet negociata që shtetet anëtare të arrijnë një marrëveshje mbi ndryshimet në kornizën kohore për kompensimin dhe planet ende duhet të negociohen me Parlamentin Evropian përpara se të bëhen ligj.

Organizata Evropiane e Konsumatorit, BEUC, tha se plani do të privonte “shumicën e pasagjerëve nga të drejtat e tyre të kompensimit”, pasi shumica e vonesave janë nga dy deri në katër orë.

Organizmi tregtar Airlines for Europe (A4E), i cili përfaqëson kompani të tilla si Ryanair, easyJet dhe Lufthansa, gjithashtu dënoi planin sepse donte që kohët e vonesës të ishin edhe më të gjata përpara se të fillonin pagesat e kompensimit.

Ourania Georgoutsakou, drejtoresha menaxhuese e A4E, tha: “Evropa ka pritur për të drejta transparente dhe të zbatueshme të pasagjerëve për 12 vjet dhe shtetet anëtare kanë rënë në pengesën e fundit për t’i ofruar.

“Në vend që të sigurojnë pragjet e vonesës prej pesë dhe nëntë orësh që do të kursenin deri në 70% të fluturimeve të anuluara, shtetet anëtare kanë holluar propozimin origjinal të Komisionit Evropian dhe kanë prezantuar edhe më shumë kompleksitet.”

Plani fillestar i Komisionit Evropian përfshinte zgjatjen e kohës në pesë orë për fluturimet me distanca të shkurtra dhe nëntë orë për distanca të gjata.

Marrëveshja përfshin gjithashtu një “të drejtë për t’u ridrejtuar” kur ka vonesa të gjata, automatizimin e formularëve për kompensim dhe të drejta më të forta për pasagjerët me aftësi të kufizuara ose lëvizshmëri të reduktuar.

Këto ndryshime do të prekin dhe qytetarët shqiptarë, pasi edhe nëse nuk transpozohen në ligj nga autoritetet shqiptare, pjesa dërrmuese e fluturimeve për dhe nga Shqipëria janë në vendet e Bashkimit Europian.

Të rinjtë shqiptarë ndër më të paaftët për zotësi digjitale në Evropë

Të rinjtë shqiptarë nuk janë më të ndriturit në Evropë sa u takon aftësive digjitale. Përkundrazi, ata në fakt mund të jenë në listën e më të paaftëve.

Kështu zbulon raporti i fundit i Eurostat për vitin 2024, i cili shqyrton përdorimin e internetit dhe aftësitë e përdorimit të aftësive digjitale në kontinent, ku e përfshirë në raport ka qenë edhe Shqipëria.

Duke parë raportin, bie në sy fakti se interneti është gjerësisht i përdorur në Shqipëri, ku në tërësi, 85.89% e popullatës ka qasje në internet dhe te të rinjtë akoma më shumë, me 99.28% të tyre, të cilët e përdorin internetin.

Por, mjeti sa duket nuk përputhet me qëllimin dhe në realitet, ky përdorim duket se shkon për çështje shterpë si shfletimi i mediave sociale, përmbajtjeve jo edukuese dhe jo zhvilluese.

Në një grafik të paraqitur nga Eurostat, bie në sy fakti se në Evropë, për vitin 2023, mesatarisht 70.7% e të rinjve (grupmosha 16-29 vjeç) kanë aftësi digjitale minimalisht bazike.

Ky numër është më i lartë në vendet nordike, në gadishullin Iberik, apo edhe në vendet më të zhvilluara.

Teksa, kur harta kalon nëpër Ballkan, ngjyra e gjelbër, e cila reflekton aftësitë digjitale sa më e fortë të jetë, zbehet.

Në Shqipëri, Eurostat raporton se vetëm 1 në 2 të rinj kanë aftësi digjitale minimalisht bazike (49%).

Shifra është më e ulët vetëm në Rumani, ku shkohet në 46%. Ndërsa raporti nuk radhit të dhëna për Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, apo Ukrainën.

Shifra të ngjashme me Shqipërinë kanë edhe Serbia me 51%, apo Bullgaria me 52%.

Teksa, si shembull në rajon, mund të merret Kroacia, e cila shfaqet si një ndër vendet më të zhvilluara në këtë aspekt, me 87% të të rinjve, të cilët kanë minimalisht aftësi bazike digjitale.

Vendi me rezultatin më të lartë megjithatë është Malta, me 92%.

Zyrtarët që përdorin makinat shtetërore për interesa private

Nga Lindita Çela/ shteg.org

Në shkurt të vitit 2025, Ministrja e Transportit në Australi, Jo Haylen, dha dorëheqjen pasi një investigim mediatik zbuloi se kishte përdorur makinën ministrore për çështje personale. Për më tepër, u raportua se ajo kishte angazhuar një shofer të paguar nga shteti për të transportuar veten dhe fëmijët në aktivitete sportive gjatë fundjavave.

“Të gjithë bëjmë gabime; askush nuk është i përsosur,” tha Haylen me përulësi, teksa lexoi publikisht deklaratën e dorëheqjes. Një akt që, në demokracitë funksionale, shihet si minimumi i përgjegjësisë institucionale ndaj taksapaguesve.

Në Angli, ish-shefi i kabinetit të Guvernatorit Ned Lamont u zbulua po nga media se përdori një automjet shtetëror për udhëtime personale që nuk kishin lidhje me punën. Jonathan Dach, i cili u largua nga pozita e shefit të kabinetit verën e kaluar ndërsa autoritetet atje nisën edhe hetimet ndaj zyrtarit të lartë.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në internet për të kuptuar se raste të tilla nuk janë të rralla: zyrtarë të lartë në vende perëndimore janë detyruar të japin dorëheqjen për përdorim personal të burimeve shtetërore. Dhe reagimi është zakonisht i njëjtë, kërkim ndjese publike dhe largim nga posti.

Por jo në Shqipëri. Kur zyrtarët kapen “gafil” nga mediat, nuk kërkojnë falje. Nuk japin dorëheqje. Nuk shfaqin as pendesë. Në vend të kësaj, kërcënojnë gazetarët, i etiketojnë si “maniakë”, “legenë” dhe “turpi i gazetarisë”, duke u përpjekur të shmangin transparencën me arrogancë institucionale dhe viktimizim personal.

Ky është rasti i fundit me kryetaren në detyrë të Bashkisë së Tiranës, znj. Anuela Ristani, që pas zbulimeve të emisionit investigativ “Piranja” për përdorimin privat të makinës dhe shoferit të bashkisë, nuk dha asnjë sqarim mbi thelbin e akuzave, por sulmoi median dhe e akuzoi për “shantazh” dhe “terror psikologjik”.

Si u kthyen makinat publike në shërbëtorë familjarë

Kryetarja e Bashkisë Tiranë dhe gazetari Edon Kuqi
Credits: shteg.org – Kryetarja e Bashkisë Tiranë dhe gazetari Edon Kuqi

Gjatë një vëzhgimi disaditor të emisionit “Piranjat”, gazetarët dokumentuan përdorimin e makinave zyrtare të Bashkisë së Tiranës për nevojat private të familjes së kryetares Anuela Ristani.

Sipas raportimit, “makina e bardhë me targa AB649LD, pronë e bashkisë, ndalet çdo mëngjes për të marrë zotin Bledi Cikopana“, bashkëshorti i kryetares dhe punonjës në presidencë. Në të njëjtën kohë, një tjetër mjet bashkiak përdoret për ta shoqëruar fëmijët e saj në shkollë.

Ndërkohë, një tjetër mjet bashkiak me targë AB338OA përdoret për nevoja të tjera familjare, përfshirë edhe dërgimin e fëmijës në shkollë. Vetë zonja Ristani, në vend që të niset drejt zyrës, nis ditën me një seancë në palestër dhe shfaqet në zyrë vetëm pas orës 9:00 të mëngjesit.

Gazetarët ngritën pikëpyetje mbi ligjshmërinë dhe etikën e këtij përdorimi të resurseve publike. Pavarësisht përpjekjeve për të marrë një qëndrim nga vetë Ristani, ajo nuk pranoi të sqarojë përdorimin e automjeteve publike nga familjarët e saj.

Në vend të një sqarimi, pamjet tregojnë se znj. Ristani u përfshi edhe sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarit Edon Kuqi dhe ekipit të “Piranjas”, duke përdorur terma si “legenë”, “maniakë”, dhe “turpi i gazetarisë”.

Ndërsa në faqen e saj të facebook-ut ajo bëri një deklaratë të gjatë ku ngrinte pretendime ndaj emisionin Piranja për “shantazh”, “përndjekje fizike” dhe “terrorizëm psikologjik” ndërsa bëri të ditur se i ka dorëzuar të gjitha provat dhe dokumentet pranë autoriteteve dhe do të ndjekë çështjen ligjërisht.

Ajo e zhvendosi theksin nga hetimi për përdorimin e burimeve publike, në një reagim emocional ndaj raportimit.

“Ky nuk është një reagim për mua si përfaqësuese publike, por si nënë, bashkëshorte dhe qytetare. Sepse kur dhuna mediatike shndërrohet në ndjekje fizike të fëmijëve të mitur, atëherë nuk kemi më të bëjmë me gazetari,” – shkroi Ristani.

Ajo mohoi çdo tentativë për të ndalur publikimin e materialit dhe i quajti shpifje akuzat për ndërhyrje në faqet e emisionit në rrjetet sociale: “Unë nuk kam frikë nga e vërteta … Por të përndjekësh fëmijë, është e ulët edhe për gjobaxhinjtë më të pacipë,” – theksoi ajo.

Megjithatë, nuk pati një shpjegim të qartë lidhur me arsyet e përdorimit të mjeteve të bashkisë nga familjarët, apo për faktin që aktivitetet private të saj ndodhnin gjatë orarit të punës zyrtare.

Ndërkohë, reagimi i znj. Ristani përfshiu edhe sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarit Edon Kuqi dhe ekipit të “Piranjas”, duke përdorur terma si “legenë”, “maniakë”, dhe “turpi i gazetarisë”.

Ndaj deklaratave të znj. Ristani ka reaguar  Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili e cilëson gjuhën e përdorur si të papranueshme dhe të rrezikshme.

“Znj. Ristani, në vend që t’u përgjigjej me transparencë pyetjeve legjitime të ngritura nga një investigim gazetaresk mbi përdorimin e resurseve publike, zgjodhi të shantazhojë verbalisht gazetarin dhe të përpiqet të viktimizohet,” – thuhet në deklaratën zyrtare të Asociacionit.

Sipas tyre, sulmet e tilla bien ndesh me etikën institucionale dhe përbëjnë një kërcënim ndaj lirisë së shtypit në Shqipëri.

“Çdo tentativë për ta kriminalizuar këtë mision përmes etiketimeve si ‘përndjekje’, ‘shantazh’ apo ‘terrorizëm psikologjik’, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit,” – theksohet më tej.

Gazetaria si mbrojtje e interesit publik

Liria shprehjes
Credits: Respublika – Liria shprehjes

“Safe Journalists Albania” thekson se raportimi për përdorimin e aseteve shtetërore për qëllime private nuk përbën shkelje të privatësisë, nëse është në funksion të interesit publik. Ata kujtojnë se, sipas standardeve ndërkombëtare, “jeta private e zyrtarëve mund të raportohen vetëm kur lidhet drejtpërdrejt me detyrat publike.”

Rasti i znj. Ristani nuk është i pari dhe as i vetmi ku zyrtarë të lartë në Shqipëri janë kapur nga emisioni “Piranjat” duke përdorur asetet publike për qëllime personale.

Ish-ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, kishte vënë në dispozicion të nënës së saj notere një makinë të ministrisë. Një fuoristradë e zezë e Ministrisë së Jashtme e dërgonte çdo ditë të moshuarën në një noteri ngjitur me shkollën “Edith Durham”, dhe makina qëndronte aty gjithë ditën, në dispozicion të saj.

Ish-drejtoresha e “Illyrian Guard”, një tjetër institucion publik, u kap nga gazetarët duke përdorur makinën e institucionit për të çuar fëmijët në shkollë.

Ish-kryetari Erion Veliaj është filmuar duke përdorur mjetet e bashkisë për të çuar çdo mëngjes djalin e tij në kopsht.

Në të gjitha rastet, përdorimi i makinës dhe shoferëve të administratës shtetërore për dërgimin e bashkëshortit dhe të fëmijës, apo familjarëve të tjerë në aktivitete ditore është i lidhur qartazi me keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe si i tillë, është absolutisht i raportueshëm.

Por si në të gjitha rastet, në vend që të kërkohet ndjesë dhe të sqarohet opinionin publik, edhe znj. Ristani zgjodhi të viktimizohej dhe të sulmonte median, duke shmangur thelbin e çështjes me abuzimin me mjetet publike.

Dallimi mes një vendi me institucione funksionale dhe një shteti me kulturë arrogante pushteti bëhet i qartë pikërisht në këto momente: në Australi, një ministre jep dorëheqje për një makinë. Në Shqipëri, një kryetare bashkie sulmon gazetarin që e zbulon.

Izolimi i elitës së dijes edhe forcimi i elitës së pushtetit edhe famës!

Nga Irena Beqiraj

Eseisti belg Simon Leys ishte ulur një ditë në një kafene të thjeshtë australiane, i pa shqetësuar edhe i pa vëmendshëm nga zhurmat që vinin nga radioja, te cilën askush nuk dukej se po e dëgjonte. Papritmas ne radio, filloi të luhej një sonatë e bukur nga Mozarti e cila tërhoqi vëmendjen e njerëzve. Ne ketë moment një burrë ndryshoi me vendosmëri stacionin. Leys arriti në përfundimin se në fakt të pakulturuarit mund ta dallojnë bukurinë shumë mirë, por nuk duan të përballen me të. Ai shkroi: “Në çdo aspekt të përpjekjeve njerëzore, talenti edhe dija janë një fyerje e patolerueshme për mediokritetin.”

Me pak vëmendje në shoqëri dallohen tre forma të elitës – elita e dijes, elita e pushtetit dhe elita e famës . E dyta dhe e treta në fakt nuk janë elita mirfilli, pasi pothuajse të gjitha funksionet që ato mbulojnë mund të kryhen nga njerëz pa ndonjë talent të veçantë. Ato kryesisht popullohen nga njerëz të cilët përmes parave, politikës ose famës janë transformuar nga njerëz te zakonshëm në personazhe në dukje të jashtëzakonshëm, duke mos e fyer por përkundrazi duke i dhënë vlerë te veçantë mediokritetit . Ndërkohë të jesh pjesë elitës së dijes, nuk është vetëm çështje e pasjes së një diplome akademike. Kërkohet kultivim , dashuri për leximin dhe etje për dije, mundësisht të fituar në më shumë se një gjuhë.

Ndërkohë që po kaq qartazi dija, pushteti dhe fama janë të një rëndësie të pabarabartë në shoqëri. Për ta dalluar ketë mjafton te shikoni listën e të ftuarve në një event kulturor, në ekrane, apo nëpër pritjet e organizmave ndërkombëtare. Do të gjeni aty shumë personazhe që përkasin elitave të pushtetit edhe famës të cilat ushqehen pazgjithshmërisht nga njëra-tjetra. Si fillim ishte pushteti që siguronte para dhe famë. Më pas, paratë filluan të jepnin akses në pushtet dhe famë. Ndërkohë që më zhvillimin e mediave sociale, fama u jep disa njerëzve akses në para dhe pushtet.

Çdo ditë e më rrallë, elitat e dijes ushqejnë elitat e pushtetin apo famës, madje elitat e dijes me pavarësisë që të jep kjo e fundit, po mbi të gjitha me sfidën që i bëjnë mediokritetit janë kthyer “në armiqtë” e pushtetit edhe famës boshe.

“Izolimi” i elitës së dijes jo vetëm po promovon një model suksesi të paqëndrueshëm por zhvlerësimi i saj është vdekjeprurëse për demokracinë.

Pa një elitë vibrante të dijes e cila çon shoqërinë përpara, demokracia do te jetë jashtë funksioni edhe nëse ruan pamjen e saj te jashtme.

Qeveria e tenderëve “pa garë”, 70 prokurime me flamur të kuq në vetëm 5 muaj!

Në vetëm pesë muajt e parë të vitit 2025, Qeveria shqiptare ka realizuar 70 tenderë me “flamur të kuq”, një sinjal i qartë alarmi për mungesë transparence dhe prirje drejt klientelizmit.

Të dhënat janë publikuar nga platforma “Open Data Albania”, që thekson riskun e lartë në këto procedura që përfshijnë miliarda lekë nga buxheti i shtetit.

Sipas analizës së “ODA”, shumica dërrmuese e tenderëve kanë fitues me ofertë thuajse identike me fondin limit, ndërsa në garë shpesh hyn vetëm një kompani – një shenjë klasike e mungesës së konkurrencës reale. Në raste të tjera, kompanitë që hyjnë në garë skualifikohen menjëherë, duke lënë rrugë të lirë për “fituesin e paracaktuar”.

Vlera totale e këtyre tenderëve kap shifrën e 34 milionë eurove, një shumë kolosale që ka kaluar përmes një procesi prokurimi të diskutueshëm. Autoriteti që shfaqet në dokumente është Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) – një shoqëri 100% shtetërore, por që prokuron për një sërë institucionesh: burgje, spitale, polici, etj.

Disa prej tyre janë: “Blerje orendish dhe pajisjesh për Forcën Ajrore” – 51,832,236 lekë; “Blerje pjesë këmbimi për Qendrën e Menaxhimit të Mirëmbajtjes së Mjeteve të Transportit” – 3,676,887 lekë; “Sigurim i detyrueshëm (TPL) dhe vullnetar (KASKO) për mjetet e Gardës” – 18,480,729 lekë; “Rikonstruksion i Godinës së Djegies Plastike në QSUNT” – 522,918,891 lekë;  “Blerje ushqime koloniale” – 107,898,940 lekë; “Blerje materiale të buta për Spitalin Rajonal Berat” – 3,897,044 lekë; “Blerje pajisje mobilieri për shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm” – 11,705,568 lekë; “Furnizim me lëndë djegëse (Gazol 10 ppm)” – 558,501,629 lekë, etj.

Sipas “Open Data Albania”, shënimi “RedFlag” tregon ekspozim të lartë ndaj rrezikut të korrupsionit dhe praktikave abuzive. Edhe pse ligji shqiptar e lejon prokurimin me një ofertues të vetëm, në praktikë kjo po shndërrohet në një rrugë të shpejtë për favorizime dhe manipulim të konkurrencës.

Në vend të konkurseve të hapura dhe ofertave konkurruese, kemi një model që vjen erë marrëveshje të fshehta, duke zhytur paratë publike në grykën e klientelës së pushtetit. Dhe si gjithmonë, qeveria hesht.

Italia voton sot dhe nesër për Referendumin 2025

Më 8 dhe 9 qershor, Italia do të votojë në pesë referendume të propozuara nga sindikata CGIL dhe partitë e krahut të majtë (PD, 5Stelle dhe Alleanza Verdi e Sinistra).

Katër prej tyre kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve dhe njëri ka të bëjë me kohën e nevojshme për të marrë shtetësinë italiane.

Megjithatë, përpara se të shqyrtojmë pikat, dy sqarime, të nevojshme sado që mund të duken të qarta.

Kuorumi

Këto janë referendume abrogative, domethënë, ato kërkojnë të anulohet një rregull: kjo ndodh me një po! Nëse triunfon një jo ligji mbetet siç është.

Për këto konsultime kërkohet një kuorum: nëse të paktën gjysma plus një e atyre që kanë të drejtë vote nuk marrin pjesë në votim, referendumi nuk është i vlefshëm dhe nuk ka rëndësi nëse vota po apo jo fitoi.

Dhe tani flasim për çështjet.

Referendumi numër një shfuqizon rregullat e futura në vitin 2015 nga qeveria Renzi, në lidhje me pushimet individuale nga puna në kompanitë e mëdha.

Në kompanitë me më shumë se 15 punonjës, para vitit 2015, në rastin e pushimeve të paligjshme nga puna, pra pa shkak të drejtë, parashikohej rikthimi në vendin e punës: Punëtorëve, në versionin e “dobësuar” nga qeveria Renzi, mund të pushoheshin edhe pa shkakun e drejtë. Iu hiqej e drejta e mundësisë së kthimit në punë.

Vetëm për ata që kishin një kontratë pa afat, iu lejohet një kompensim e cila varion nga 6 deri në 36 muaj pagë bazuar në vitet e shërbimit: dy muaj pagë për çdo vit të kaluar në kompani.

Ata që votojnë po janë në favor të rikthimit të rregullit që u lejon gjyqtarëve të rivendosin në punë një punëtor të pushuar padrejtësisht nga puna ose të japin kompensim deri në 36 muaj pagë.

Referendumi numër dy ka të bëjë me pushimet e padrejta nga puna në kompanitë e vogla me më pak se 15 punëtorë, duke eliminuar kufizimet aktuale për kompensimin dhe duke u lejuar gjyqtarëve të përcaktojnë shumat që konsiderohen të përshtatshme.

Në fakt, sot pritet që një punëtor i pushuar padrejtësisht nga puna, pra pasi një gjyqtar e ka konsideruar pushimin nga puna si të paligjshëm, të mund të marrë një maksimum prej 6 muajsh kompensim.

Nëse fiton “Po”, me kuorum, kufiri i lejuar anulohet dhe gjyqtari do të përcaktojë kompensimin pa asnjë kufizim.

Referendumi i tretë kërkon që punëdhënësit të specifikojnë arsyet pse po u ofrojnë punëtorëve një kontratë me afat të caktuar.

Kontratat me afat të caktuar tani mund të krijohen për deri në 12 muaj pa detyrimin që kompania të tregojë ndonjë arsye specifike që justifikon punën e përkohshme.

Detyrimi për të treguar një arsye, siç është zëvendësimi i një kolegu në leje lindjeje ose zhvillimi i një produkti të ri, u eliminua në vitin 2015 me Aktin e Punësimit nga qeveria Renzi.

I katërti ka të bëjë me nënkontraktimin dhe propozon heqjen e rregullit që përjashton kompaninë kontraktuese nga përgjegjësia në rast dëmtimi të njerëzve ose pronës.

Nëse po fiton, kompania kontraktuese do të jetë përgjegjëse bashkërisht me kontraktorin ose nënkontraktorin për të gjitha dëmet e pësuara nga punëtori për të cilat ky i fundit nuk kompensohet nga shteti.

Referendumi i pestë zvogëlon vitet e qëndrimit të ligjshëm në Itali për të marrë shtetësinë.

Të qenit në gjendje të kërkosh të jesh shtetas italian pas pesë vitesh qëndrimi në vend në vend të dhjetë.

Është më mirë të sqarohet menjëherë që nuk bëhet fjalë për ius soli (pra marrjen e nënshtetësisë për kë lind në Itali), as për ius scholae (për ata që kanë kryer shumë vite cikël shkollor që në fëmijëri).

Çështja ka të bëjë me shtetësinë e kërkuar nga qëndrimi dhe synon të shkurtojë kohën.

Forcat qeveritare kanë thënë të gjitha se janë kundër propozimeve për referendum, kështu që nëse fitojnë pesë votat pro, kjo do të jetë një humbje politike për qeverinë Meloni, por edhe një pjesë e atyre në opozitë, të cilët nuk bashkohen në disa pika.

Nëse fitojnë po-të, Bota e punës dhe punonjësit në atë rast do të vendoset në qendër të agjendës politike italiane.

Përtej arritjes së kuorumit, brenda një historie italiane dështimesh në referendume, objektivi i vërtetë është prova gjenerale e zgjedhjeve politike, sfida ndaj qeverisë, duke sjellë në votime më shumë se ata 12.3 milionë që zgjodhën Melonin në vitin 2022.

Të internuarit e demokracisë

Ferri ngjan se ka mbërritur në tokë, për të zënë vend në ish-kamp-burgun e Torovicës në Lezhë, aty ku ende frymojnë 31 banorë të ndarë në tetë familje. Dy gra luten me zë ballë statujës së vogël të Shën Marisë, teksa shtrëngojnë në duar kryqin dhe librin e shenjtë. Dëgjojmë të kërkojnë mbarësi dhe shëndet, duke premtuar se do ndjekin udhën e drejtë të Perëndisë… Por udha që të çon në ish-burgun dhe kampin e internimit për të dënuarit politik të kohës së komunizmit, është e mundimshme. Vuajtësit ikën në vitin 1991, por kampet e kohës së errët vijuan të mbajnë të “dënuar” me dëshirë…!

“Halli bir, halli na solli, e halli na mban. Nuk kemi ujë, nuk kemi mbështetje, nuk kemi energji elektrike, na kanë harruar”,- Marie Velaj

Gjetën mjerimin
Kampi i internimit i zaptuar, blerë e riblerë nga banorë që zbritën në fillim të viteve 90’ kryesisht nga zonat e thella të Pukës, Mirditës dhe Tropojës, vijon të jetë i njëjtë, aq sa as koha nuk e bren, për të sfiduar gjithë sistemin dhe treguar me heshtje se “internimi” vijon… Kërkuan tokë të mirë dhe afërsi me “qytetërimin”, por ajo që gjetën nuk përngjan fare me këtë ëndërr që ka mbetur e tillë edhe sot e kësaj dite. “Halli bir, halli na solli, e halli na mban”, thotë 63-vjeçarja Marie Velaj, e zbritur nga malësia e Rubikut në vitin 1991.

Erdhi për një jetë më të mirë, por ajo që gjeti atëkohë, dhe ajo që ka tashmë pas 33 vitesh jetesë aty, është varfëria, dëshpërimi dhe thirrja e vazhdueshme që dikush nga qeveria lokale dhe qendrore të mendojë për të dhe shtatë familje të tjera. “Nuk kemi ujë, nuk kemi mbështetje, nuk kemi energji elektrike, na kanë harruar”, thotë Maria, ndërsa pas çdo fjalie shton: “Jetojmë njësoj e mos më keq se të internuarit në atë kohë”.

“Këtë shtëpi e kam blerë 9 milionë lekë (të vjetra), para 11 vitesh. Erdha nga Tropoja, por vuajtjet nuk mu ndanë“, -Niman Osmani


Britje e lirshme!
Ndoshta ndër të vetmet ndryshime të asaj bote (komunizmit) me botën e së tashmes (demokracisë), është se mund të ankohet hapur ndaj pushtetit që nuk ka investuar asgjë aty, por pa pasur frikën se do e “ridënojnë” për agjitacion e propagandë kundër shtetit. Fundja, në repartin ku dikur qëndronin policët, jeton Niman Osmani me bashkëshorten dhe vajzën e tij, edhe ai një hallemadh fort i ngjashëm me familjet e tjera. “Këtë shtëpi e kam blerë 9 milionë lekë (të vjetra), para 11 vitesh. Erdha nga Tropoja, por vuajtjet nuk mu ndanë”, thotë Osmani, ndërsa me një kosore të vjetëruar mundohet të pastrojë ferra e barëra të egra, që i kanë zënë pragun e oborrit të vogël. I thotë shtëpi pikërisht godinës së vogël, por më të fisme nga të tjerat ku qëndronin të privilegjuarit policë dhe gardianë. “Kjo shtëpi është shitur tre herë, unë jam i katërti”, pohon Osmani, ndërsa për dokumente pronësie as nuk bëhet fjalë t’i ketë.
Kampi

I gjithë kampi rezulton objekt shtetëror, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, pasi ende në zërin kadastral figuron “kamp internimi”. Në fillim i zunë disa banorë të zonës nën pretendimin se aty ishin tokat e të parëve. Të tjera u zaptuan nga “më të zotët”, (disa të vetëshpallur të fortë), për t’ua shitur më pas hallexhinjve që vinin nga zona të thella. “Në fillim kur kam ardhur këtu isha me shpresën se do të qëndronim pak kohë dhe do iknim, në Lezhë, apo Tiranë”, thotë Ndue Velaj, bashkëshorti i Maries.
Sot bashkë gëzon një pension 19 mijë lekë dhe 9 mijë që i merr bashkëshortja. Mbahen disi, por thotë që çdo gjë brenda banesës janë munduar ta rregullojnë” – Cifti Ndue dhe Marie Velaj


E tashmja
Ajo kohë nuk erdhi, tashmë që është 74 vjeçar i gëzohet vetëm faktit që fëmijët janë rregulluar, dy jashtë vendit e dy të tjerë në Lezhë, edhe ata me halle, por më mirë se prindërit, jeta e të cilëve është më shumë se gri, gati mjaft e ngjashme me zymtësinë e katër ndërtesave që shërbyen dy si kamp dhe burg për të dënuarit politik.
Dy nga katër fëmijët (që i ka) i lindi pikërisht në këtë kamp, dy dhomat e së cilës i ktheu në banesë. Sot bashkë gëzon një pension 19 mijë lekë dhe 9 mijë që i merr bashkëshortja. Mbahen disi, por thotë që çdo gjë brenda banesës janë munduar ta rregullojnë, por ajo që shihet është një rrëmujë sendesh dhe erë varfërie. Sytë i kthejnë nga shteti e paçka se prej tij nuk kanë marrë asgjë veç premtimeve të pambajtura sërish aty ankohen e kërkojnë.

Një nga telat e energjisë që çon dritë në shtëpinë time kalon tek ai haur, ra teli dhe u mbyt në korrent lopa e komshiut”, tregon ai, me brengën e madhe të dëmit”, Niman Osmani

“Jemi të varfër, por njerëz jemi edhe ne. Ujin e blejmë 1 mijë lekë bidoni. Për tu larë si njerëz (në dysh) as që bëhet fjalë”, thotë Maria, ndërsa tregon një kazan të vjetër që shërben për ngrohje uji dhe larje me kanaçe.
Rruga deri në një pjesë të fshatit Malecaj është relativisht e mirë, por kthesa që të shpie drejt kampit e deri në atë vend aty i ngjan një shtegu që të paralajmëron se ‘diktatura proletariatit i ndëshkon armiqtë e partisë’. “Rrugë jo, ujë jo, energji e zymtë që shpesh ikën, ambulancë as që bëhet fjalë”, tregon Maria.

Lopa e “vdekur” në kamp

Tre tela energjie varen frikshëm mbi kokat e banorëve. Janë ende shtyllat e kohës së komunizmit që çojnë pak dritë në kampin terr. “Jam ankuar disa herë tek OSHE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë), për të ndryshuar rrjetin pasi për shumë vite nuk është vënë dorë”, thotë Nimani, i cili më pas tregon edhe hallin e madh… “Një nga telat e energjisë që çon dritë në shtëpinë time kalon tek ai haur, ra teli dhe u mbyt në korrent lopa e komshiut”, tregon ai, me brengën e madhe të dëmit, por edhe telasheve sepse të humbësh një lopë në këtë kulm varfërie është shumë, gati si burim kryesor i “të ardhurave mujore”. Nimani e ngre ca më shumë zërin kur flet për ata të OSHE-së, më shumë se për ta dëgjuar ne, fjalët t’i shkonin në vesh të komshiut se ishte pa faj në “vdekjen e lopës”, pasi fajtori qëndron diku në shtet…
“Kujtohen të vijnë pushtetarët, por kur ka zgjedhje. Na premtojnë shumë pastaj na lenë për të ripremtuar sërish pas katër vitesh të njëjtat gjëra”
Premtimet
“Kujtohen të vijnë pushtetarët, por kur ka zgjedhje. Na premtojnë shumë pastaj na lenë për të ripremtuar sërish pas katër vitesh të njëjtat gjëra”, thotë mjaft rrjedhshëm Maria, e cila ka një lloj protagonizmi se di të artikulohet. “Këtu në vitin 2013 ka ardhur edhe Edi Rama, premtoi shumë se ishte akoma në opozitë atëherë. Tani nuk kujtohet më”, vijon me një lloj thumbimi ironik Maria. Pak më larg, si në ndrojtje të theksuar për punën e lopës së humbur aksidentalisht Niman Osmani vijon me hallin e energjisë:
“Do shkoj prap, do ia zë derën e zyrës drejtorit derisa të zgjidhet kjo punë”.
Frika

Këtu në Torovicë, veçanërisht në ish-kampin e burgut dhe internimit punët nuk zgjidhen, të paktën me shtet. “Asnjë investim në ujësjellës, kanalizime, energji apo rrugë”, thotë Preng Gjoka, një ish-banor që ka vite që është larguar dhe atëditë ndodhej rastësisht për të takuar fqinjët e dikurshëm të tij, dy të moshuar që nxitojnë të ikin për t’iu “shmangur” gazetarëve…! Nuk e kuptuam pse kanë frikë të flasin, pasi fjala këtu është e vetmja që tentohet të thuhet lirshëm.

Në shtëpinë e Paçramëve dhe Lubonjave
Kërkojmë për emra të njohur që kanë bujtur pa dëshirën e tyre në atë kamp ferri dhe ata pak banorë që kanë mbetur njëzëri na drejtojnë në cepin e godinës së kampit, specifikisht në katin e parë. “Këtu ka jetuar familja e internuar e Fadil Paçramit. Ndërsa ngjitur familja e Todi dhe Fatos Lubonjës”, thotë Ndue Velaj, dëshmitari i parë i kohës që ka parë sesi pas lirimit erdhën dhe morën pak rroba ç’kishin mbetur. Fati i keq për ta erdhi në Pleniumin e IV-të të PPSH-së që u mbajt më 26-28 qershor 1973, Todi Lubonja drejtor i RTSH-së dhe Fadil Paçrami Ministër i Arsimit dhe Kulturës, u shënjestruan nga Enver Hoxha në një fushatë kundër liberalizmit dhe “ndikimeve të huaja”, kjo e lidhur me festivalin e 11 të RTSH-së, ku u akuzuan për “shfaqje të huaja” dhe “liberalizëm”.
Todi Lubonja pasi kreu 13 vite burgim u lirua në vitin 1987 dhe u internua pikërisht në Torovicë deri në vitin 1990, ndërsa familja e tij vuajti internimin po në Torovicë që nga viti 1973. Gjithashtu edhe Fadil Paçrami dhe familja e tij pësoi të njëjtin fat po për të njëjtat akuza e po në një vend internimi.

Asgjë nuk ka ndryshuar

Katër godinat kanë shërbyer në sistemin komunist fillimisht nga viti 1956-1963 si burg, për të dënuar të cilët detyroheshin të punonin në tharjen e kënetave, por të rrethuar me tela kloni dhe roje gardianësh, policësh dhe inspektorëve të Sigurimit të Shtetit.
Dokumentet janë të pakta, por dëshmitë e banorëve përçart thonë se kanë jetuar mbi 300 të dënuar dhe internuar, që vinin e iknin në kohë të ndryshme.
Pas vitit 1963 ai vend u kthye në kamp internimi, ku nuk u lejohej të lëviznin nga zona pa leje dhe ishin nën survejimin e vazhdueshëm të policisë dhe sigurimit të shtetit. Koha bren edhe muret, por aty në Malecaj të Torovicës këto kampe i kanë jetuar çdo kohe.

Partia është truri dhe zemra e popullit. Rroftë Komiteti Qendror i PPSH me në krye shokun Enver Hoxha”, parulla në hyrje të një prej godinave


“Partia është truri dhe zemra e popullit. Rroftë Komiteti Qendror i PPSH me në krye shokun Enver Hoxha”, kjo është parulla e vendosur mu bash në hyrje të një prej godinave të kampit e cila kishte shërbyer për administratën dhe mensë. Askush nuk ka vënë dorë as ta fshijë, jo se duan të kujtojnë të shkuarën që historitë të mos përsëriten, por edhe këtë kohë kurrkush nuk “guxon” të dalë jashtë atij kampi hijerëndë! Maria ishte 29 vjeç kur erdhi në “kampin e internimit”, shpresëplot se jeta do i ndryshonte për mirë. Tre dekada më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar për të dhe 30 banorët e tjerë, të “internuar” në kohë Demokracie. “Jetesa është si në kohën e internimit, por jam e lirë të shkoj në Lezhë e gjetkë, pa i marrë leje kujt”, thotë Maria dhe pohohet si fjalë me vend edhe nga bashkëshorti Ndue.

Gjurmët
Gjurmët e pasojave të komunizmit janë kudo, asgjë nuk është prekur nga kampi hijerëndë. I vetmi “investim i ri” është ajo statujë e vogël e së Shenjtës Mari, të cilët ata që kanë mbetur e kthyen në vend të shenjtë. Të vetmes që ende i besojnë!/ Nga Sebi Alla- Faktoje.al

Kulla që mbulon ‘shtëpinë’ e Zotit me beton

Nga Doriana Musai

Në një ditë që i përket kujtimit të sakrificës, në një shesh që i përket historisë, u lartësua një kullë që s’ka të bëjë as me Zotin, as me qytetin.

Më 6 qershor 2025, në Kurban Bajram, Edi Rama nuk flijoi një dash. Flijoi një tjetër copë Tirane. Me lavdi dhe spektaklin e ngjyrave të larmishme të tepihëve, inauguroi një nga kullat më të kontestuara të Tiranës.

E ngulur pas Sahatit dhe ngjitur me Xhaminë e Et’hem Beut, në zemër të zonës historike të qytetit, ajo kullë nuk është thjesht një ndërhyrje urbane.

Forma e saj pesëkëndëshe nuk është e rastësishme. Si vetë Pentagoni amerikan, simbol i komandës dhe i pushtetit absolut, kjo kullë ngrihet si një shenjë e arkitekturës që nuk strehon njerëz, por mbart një mesazh të koduar: një rit i ri flijimi, një ideologji e re.

Atje ku dikur sakrifikohej biri për një vizion hyjnor, sot sakrifikohet qyteti për një vizion personal.

Kjo kullë, që ka sfiduar ligjin dhe moralin, e ngritur mbi hirin e Bar Sahatit – e paralajmëruar dhe denoncuar pesë vjet më parë – është projektuar si një lavatriçe gjigande: një makineri betoni për riciklimin e parasë së zezë dhe larjen e mëkateve shtetërore me bojë estetike dhe forma arkitektonike.

Fjalimi i hapës i kryeministrit ishte një akt i mirëfilltë teatral. Me poezi, me metafora të ngarkuara me folklor, me përmendje të Abrahamit dhe “mendjeve të lira që nuk mbyten nga rregulloret”, ai nisi një spektakël ku arkitektura u shndërrua në alibi, dhe arti në pretekst për dominim, ku të vetmit spektator ishin mëkëmbësit e tij: Arkitektët.

Ai nuk ishte thjesht një fjalim, por një skenar për të legjitimuar një sistem. Një mashtrim i paketuar bukur për sytë e ushtrisë (siç i quajti vetë) prej 150 arkitektësh të huaj të ftuar, që si mëkëmbës të bindur duartrokitën – jo nga madhështia e idesë, por nga mirënjohja ndaj atij që u siguron çeqet dhe terrenin “më të lirë në Evropë” për të ndërtuar pa pyetur askënd: “në mënyrë të pabesueshme e lirë nga komforti i rregulloreve që nuk mbysin” (cit.).

Në emër të imagjinatës dhe ëndrrave arkitektonike, me investitorë të garantuar që s’kanë asnjë kërkesë përveçse të ndërtojnë shpejt, me vetëm një gjeneral idesh, dhe me projekte ku paguhen mbi 1 milion euro vetëm për dizajnin, Shqipëria u prezantua si vendi ku ëndrrat bëhen realitet – jo ëndrrat e qytetarëve, por të atyre që duan të pastrojnë para dhe të lyejnë krimin me ngjyrat e artit.

Si çdo lavatriçe që ka nevojë për aromatizues, edhe kjo lavatriçja e re urbane ka nevojë për arkitektë që të japin miratimin estetik. Ata u prezantuan si ushtri vizionarësh, por në thelb janë bashkëpunëtorë të një makinerie pushteti që përdor arkitekturën për të prodhuar amnezi kolektive.

Rama, i shndërruar nga piktor në arkitekt, nga kryeministër në “host-man”, ndoshta për disa minuta edhe e besoi atë që tha.

Por për të huajt që i vërtiten rrotull, fakti që kryebashkiaku i Tiranës është sot në burg për korrupsion, është thjesht një detaj – sa kohë që spektakli vazhdon, lejet vijojnë miratohen pa pengesa dhe çeqet 1 milion dollarësh plotësohen me përpikëri.

Për ne që jetojmë këtu, maketet, 3D-të dhe animacionet janë si tymi i djegies së plehrave – në pritje të inceneratorëve që nuk vijnë, dhe me sytë nga SPAK-u: kush e ka radhën pas Erionit?

Sepse ne e dimë, se pas atyre emrave dhe projekteve fshihen lejet e paligjshme, ndërhyrjet mbi monumente, mbi zonat historike, mbi zonat e mbrojtura, mbi malet dhe pyjet, bregdet, lumenj dhe liqene.

Pas shkëlqimit një ditor të “star-arkitektëve” fshihet dëbimi i njerëzve nga shtëpitë, dhe një ekonomi që mbijeton jo nga zhvillimi, por nga larja e parasë të bërë pis nga krimi dhe korrupsioni.

Arkitektët vendas, trullosur nga poezia e Kryeministrit, ndoshta dolën nga salla të frymëzuar – me atë vetëkënaqësinë e rreme se “arkitektura transformon jo vetëm hapësirën, por edhe mendjet” ose ndoshta si ushtarë të bindur – janë rreshtuar krah për krah me të huajt, përpara udhëheqësit të tyre, të cilit i kanë dhënë pushtetin e Kryearkitektit.

Ata u bënë bashkë në ditën e kurbanit – jo për të ndërtuar qytete më të drejta, më të qëndrueshme, më njerëzore – por për të zbatuar një mision shumë më të thjeshtë: Të shpëlajnë mëkatin me stil dhe të legjitimojnë krimin me dizajn.

Andaj, kulla pentagonale ku u prezantua ky “vizion” nuk është një koincidencë formale, porse ajo mishëron formën gjeometrike të një rendi të ri – ku sakrifica nuk është më akt besimi, por një strategji propagande.

Aty futen paratë e pista, betoni i paligjshëm dhe iluzioni i progresit, për të dalë më pas të pastruar me ngjyrat e artit dhe bekimin e arkitektëve të ftuar.

Prandaj, ngritja e saj pranë Sahatit dhe Xhamisë nuk ishte një zgjedhje arkitektonike-urbane – por një ritual i përmbysur flijimi, sepse sot, në këtë qytet, nuk sakrifikohet më djali për vizionin – por sakrifikohet vetë qyteti, për ta bërë vizionin të paprekshëm./Citizens.al