24.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

13 korrik 1990/ Mitingu i turpit

Nga Kastriot Dervishi

Më 13 korrik 1990, në sheshin “Skënderbej”, u zhvillua një mitin i madh kundër refugjatëve të ambasadave që ishin larguar atë mëngjes. Folën shunë zyrtarë. Folësi kryesor, sekretari i KQ të PPSH-së, Xhelil Gjoni, i quajti refugjatët “huliganë”, “njerëz pa ideale e moral”, të cilët me veprimin e tyre, sipas tij, u shërbenin planeve të armiqve, të cilët donim të rikthenin borgjezinë dhe bejlerët e përmbysur. Sipas Gjonit, ata ishin mashtruar, kishin shkelur “mbi gjakun dhe eshtrat e martirëve”. Pavarësisht artikulimeve publike të Gjonit dhe folësve të tjerë, populli ynë heroik nuk u pa të kishte ndonjë kujtesë e ndjeshmëri ndaj tyre.

Censi 2023, jemi më pak dhe më të plakur

Nga Aurora Sulçe

Shqipëria ka zyrtarisht 2,4 milionë banorë. Një shifër që ka ardhur duke u tkurrur në vite, për shkak të disa valëve emigrimi, që fatkeqësisht vijjnë ende. Por, pakësimi është vetëm një element. Emigrimi ka shkaktuar edhe rritjen e moshës mesatare të popullsisë. Kjo do të thotë se sot, përveçse më pak, jemi edhe më të plakur.

Të dhënat janë të Censit 2023, realizuar nga Instituti i Statistikave. Teorikisht censet ofrojnë të dhëna të vlefshme për të hartuar politika më të mira në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe zhvillim të qëndrueshëm. Të dhënat e fundit për tkurrjen dhe plakjen e popullsisë të bëjnë të reflektosh dhe shtojnë përpara emergjencën e ndryshimit të të gjitha strategjive të zhvillimit dhe politikave të ndërmarra deri më tani.

Por, çfarë ka ndodhur me popullsinë e Shqipërisë në vite?

Popullsia e Shqipërisë ka arritur aktualisht në 2,4 milionë banorë, duke pësuar një rënie prej rreth 420 mijë banorë ose me 13,8% kundrejt censit 2011. Një tendencë që ka vijuar gjatë dekadave të fundit, nëse shohim censin e vitit 1989. Qartazi duket se Shqipëria ka hyrë në një fazë rënie pa kthim të popullsisë.

Largimi i fuqisë punëtore dhe vitet e fundit edhe shtresës së mesme, që janë të kualifikuarit, ka krijuar probleme në funksionimin e biznesit dhe produktivitetin e ekonomisë. Por, tkurrja e popullsisë është vetëm shqetësimi i parë që Censi 2023 nxori në pah. Problemi i dytë është plakja me ritme të frikshme. Numri i të rinjve po bie me shpejtësi, ndërsa ai i të moshuarve po rritet ndjeshëm.

Sipas Censit, raporti i varësisë së të rinjve ka zbritur aktualisht në 24% nga 30,4% që ishte në censin 2011, ndërsa raporti i të moshuarve është rritur në këtë periudhë me 13,7%.

Të dhënat e detajuara tregojnë edhe grupmoshat që kanë pësuar në vite luhatjet më të ndjeshme.

Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan mbi 268 mijë të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në censin 2023 numri i tyre gati u përgjysmua. Kjo grupmoshë ka pasur edhe rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve, si në numër dhe në përqindje. Kjo tregon qartazi se numri i të rinjve në Shqipëri po bie me shpejtësi dhe shpjegohet me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016.

Në krahun tjetër, rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin të moshuarit mbi 85 vjeç.

Grupi i popullsisë 85-89 vjeç arriti në mbi 26 mijë persona në censin 2023, nga rreth 14 mijë të tillë më vitin 2011, me rritje 79%. Një tregues i qartë i plakjes së popullsisë me ritme shumë të shpejta.

Por, cilat janë pasojat në ekonomi të një popullsie të plakur?

Efektet janë afatshkurtra dhe afatgjata dhe kanë nisur të ndihen tek ne. Ajo që ndodh janë problemet me gjetjen e burimeve njerëzore në tregun e punës, mungesa këto që çojnë në uljen e produktivitetit të ekonomisë; në një ulje të të ardhurave në tërësi në ekonomi. Ndërkohë që shtrimi i të moshuarve kërkon më shumë shpenzime nga buxheti i shtetit për skemën e pensioneve.

Censi 2023 konstatoi lëvizjet masive të popullsisë në dekadën e fundit në dy drejtime: jashtë vendit që njihet si emigracion dhe drejt zonave të tjera që njjihet si migrimi i brendshëm.

Për shkak të zhvendosjes brenda territorit, përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare, ose rreth 32%, banon në Qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10%, ndjekur nga Elbasani dhe Durrësi. Ndërsa qarqet më pak të populluara janë Gjirokastra dhe Kukësi, me më pak se 3%.

Çfarë do të thotë një përqendrim i tillë i popullsisë për ekonominë?

Qartazi duket se në territor është krijuar trekëndëshi Tiranë, Durrës, Fier. Në këtë trekëndësh ndodhet pjesa më e madhe e popullsisë dhe rrjedhimisht edhe e bizneseve. Ky trekëndësh me këto tre qarqe është kontribuesi kryesor në rritjen ekonomike dhe rrjedhimisht, edhe përfituesi kryesor i saj. Kjo do të thotë se vendet e punës janë përqendruar këtu, së bashku me investimet publike dhe private dhe rrjedhimisht, edhe zhvillimi. Pjesa tjetër e qarqeve dhe e territorit është e përjashtuar nga rritja ekonomike dhe mundësitë për zhvillim.

Ekspertët shpjegojnë se centralizimi i popullsisë në pak zona është një dukuri, me të cilën janë përballur edhe vendet e tjera dhe ka modele se si kjo mund të amortizohet dhe si mund të zhvillohen zonat e braktisura.

Largimi jashtë vendit i një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve, si dhe vendosja brenda territorit e një pjese tjetër është një ndër arsyet pse shumë banesa kanë mbetur bosh. Sipas të dhënave zyrtare të censit, në vitin 2023 rezultuan mbi 1 milion banesa në të gjithë vendin. Por, stoku i banesave është rritur me gati 75 mijë që nga regjistrimi i vitit 2011. Një dukuri kjo që, sipas ekspertëve, ka edhe arsye të tjera. Por, investimi në banesa të dyta apo të treta, edhe ai i shqiptarëve të diasporës, nuk konsiderohet nga ekspertët si alternativa më e mirë, pasi bëhet fjalë për një kapital që në shumë raste është i fjetur.

Shqipëria ndodhet sot në këto kushte: me më pak popullsi, me më pak të rinj e më shumë të moshuar e më shumë shtëpi bosh. Ekspertët shpjegojnë se jemi vonë me politikat për të frenuar pasojat e emigrimit, përballë edhe agresivitetit të vendeve të zhvilluara për të marrë fuqi punëtore nga shtete më të varfra.

Censi 2023 nxori në pah dinamikat e forta në lëvizjen e njerëzve, të ecurisë së grupmoshave të caktuara, zhvillimit të territorit dhe investimeve të tyre në tregun e pasurive të patundshme. Dinamika që shtrojnë përpara sfida ku kryesorja është mbajtja e njerëzve në vend.

Gjithçka nis nga pranimi. Njerëzit kanë të drejtë të lëvizin dhe të jetojnë ku të duan. Por, detyra e çdo qeverie dhe institucioneve është të mos lejojë braktisjen e një vendi, atë që po ndodh tashmë prej shumë vitesh e që do të vijojë nëse nuk merren masa.

SPAK lëshon urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes tyre dhe një gazetar

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar disa urdhër-arreste pas hetimeve për inceneratorin e Tiranës.

Raportohet se urdhër-arrestet janë lëshuar për Denisa Tollkucin, Dashamir Ymeraj, për gazetarin Endrit Habilaj dhe për 3 shtetas të huaj.

Skandali me çmimet, Ciko: Produktet në Shqipëri shiten nga 80% deri në 250% më shumë sesa në BE

I ftuar në Ora News, studiuesi dhe eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko u shpreh se sipas një studimi që ka bërë shumë produkte në vendin tonë janë më shtrenjtë se jashtë.

Ai shtoi se shumë shqiptarë e vënë re kur dalin jashtë, befasohen se në marketet e ndërkombëtare gjejmë shpesh çmime më të lira se në vendin tonë.

Ciko: Bëhet fjalë për produkte që gjenden në markete, duke filluar qysh nga ato ushqimore deri tek ato kozmetike. Gjetjet e studimit thonë se përballemi më një nga zhvatjet më të mëdha në Evropë, ku kompaninë e mëdha përdorin praktika diskriminuese për konsumatorin shqiptar, kjo është një barrë shumë e rëndë me të cilën përballet konsumatori shqiptar.

Shumë shqiptarë e vënë re kur dalin jashtë, befasohen se në marketet e ndërkombëtare gjejmë shpesh çmime më të lira se në vendin tonë. Është tregu që e vendos çmimin, por deformimi dhe monopoli dikton çmimet që janë abuzive. Sot p.sh një kg miell shitet gati 1 euro në Milano. Në vendin tonë, sipas studimit, për të njëjtin produkte rezulton që bizneset e shesin 2.7% më shumë se në BE, ndërsa konsumatorët presin që të jetë diku 5.5% më shtrenjtë. Realiteti është se sot një produkt i tillë shitet me 250 lekë, ose 250% më shumë. E njëjta gjë është edhe për produktet e tjera.

NAREA: Vonesa e rivlerësimit po bllokon tregun, të ardhurat nga shitja e banesave të para të përjashtohen nga tatimi

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) propozon disa ndryshime në skemën e tatimit mbi të ardhurta nga shitja e pasurive të paluajtshme.

Sipas NAREA, në përpjekje për të ndihmuar vazhdimësinë e kontributit pozitiv që ky sektor jep në ekonominë shqiptare tatimi duhet të përcaktohet në vlerë dhe në kategori të ndryshme, për subjekte tregtare dhe individ, pasi ndryshon momenti i pagesës.

Në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse pasuria në transaksion ka shërbyer si vendbanim i parë për të paktën 5 vite nga momenti i marrjes në pronësi, ose nëse provohet që ka shërbyer si banesë e parë për të paktën 50% të kohës së zotërimit, atëherë transaksioni me këtë pasuri të përjashtohet nga Tatimi mbi Fitimin Kapital të Realizuar. Sipas NAREA, një praktikë e tillë ndiqet në 2/3 e vendeve të OECD.

NAREA propozon që, në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse ka fitim Kapital të tatueshëm, baza e tatueshme (çmimi i shitjes – çmimi i blerjes/marrjes në pronësi) të korrigjohet me normën e inflacionit vjetor, për çdo vit nga momenti i blerjes deri në atë të shitjes, si dhe me kostot financiare të gjeneruara në momentin e marrjes në pronësi apo dhe gjatë zotërimit (kostot e financimit të blerjes, interesat e huave bankare hipotekore, ato te restaurimeve etj).

Nëse ka kapital të realizuar, pasi baza e tatueshme është korrigjuar si me sipër, NAREA propozon që e ardhura kapitale të tatohet me jo me tepër se 3%.

Nëse të ardhurat e fituara nga shitja e pasurisë se paluajtshme, ri-investohen në blerje të një pasurie tjetër, brenda 12 muajve nga momenti i shitjes, atëherë tatimi i marrë nëpërmjet kapitalit të realizuar të rimbursohet.

Sipas NAREA, shembujt në shtete si Hungaria, Italia, Gjermania dhe SHBA, tregojnë se ri-investimi brenda 12 muajve i të ardhurave të fituara nga shitja e një pasurie, jo vetëm që nuk tatohen por dhe nxitet për tu përdorur si oksigjen për sektorët e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin, që sot sigurojnë 25-35% të rritjes së GDP në vend.

Kjo incentivë shërben shumë mirë edhe si mjet për ndjekjen e flukseve të parasë, për evidentimin e pjesës së shëndetshme që injektohet në sektorit e pasurive të paluajtshme dhe atë të ndërtimit, si dhe mitigimin e risqeve të lidhura me pastrimin e parave.

Ndërkohë, NAREA vëren se vonesa në trajtimin parlamentar të propozimit ligjor për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut.

Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij.

Mbështetur në të dhënat kombëtare të këtij sektori, NAREA vëren se në krahasim me vitet kur ky tatim mbahet në nivelin 15%, gjatë periudhave të lehtësirave fiskale ku norma e tatimit aplikohet jo më shumë se 3%, sektori jo vetëm që njeh rritje dhe zgjerim por dhe buxheti arkëton të ardhura më tepër, në nivelet 35-40 milionë euro.

Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, tregon se në vitet 2020-21-22 ku tatimi ka qenë në nivelet 3%, për buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura për çdo vit nëpërmjet këtij tatimi, pra rreth 60% me tepër në krahasim me vitin 2019 ku tatimi ka qenë 15%.

“Në këtë kontekst, si NAREA ne ndajmë qëndrimin se një barrë fiskale kaq e lartë, prej 15% ngadalëson transaksionet, duke ngurtësuar investimet, konsumimin e stokut dhe sjellë tkurrjen në këtë sektor, duke çuar në rënie të tij me 250-300 milionë euro; ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore të realizuara, me të paktën 35-40 milionë euro; nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra më të sofistikuara për të shmangur barren; neutralizon efektin pozitiv të çdo iniciative për korrigjime të bazës së tatueshme,” thuhet në deklaratën e NAREA.

 

OECD: Shqipëria përkeqësohet në 28% të objektivave të zhvillimit 2030, arsimi rënie skandaloze

Shqipëria ka bërë progres të moderuar drejt arritjes së objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Axhendës 2030 gjatë periudhës së vlerësimit në vitin 2023, të bërë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Organizata e njohur ndërkombëtare analizoi në hollësi zhvillimet në Shqipëri në publikimin e fundit, ku vuri në dukje se vendi ynë ka bërë njëfarë progresi në 30.9% të treguesve, ndërsa performanca është përkeqësuar në 27.9% të treguesve nga grupi i 17 objektivave globale kryesore që duhen realizuar deri në vitin 2030.

Teksa në disa objektiva, Shqipërua ka bërë progres të dobët ose ka qëndruar në vendnumëro, sektori i arsimit ka përkeqësim të fortë. Një shoqëri e arsimuar është baza për zhvillimin e qëndrueshëm në të ardhmen, ndaj rënia e nivelit arsimor në vend është një ogur i keq për të gjithë fushat e zhvillimit social dhe ekonomik në të ardhmen.

OECD analizon se qeveria ka integruar Objektivat Globalë të Zhvillimit të Qëndrueshëm në axhendat kombëtare dhe sektoriale, por progresi mbetet i dobët për shkak se nuk janë mbështetur me buxhet. Analiza tregon se, Shqipëria ka ruajtur arritjet në dy fusha, varfëria (Objektivi 1) dhe veprimi klimatik (objektivi 13), dhe është në rrugën drejt arritjes në furnizimin me ujë të pastër (objektivi 6) dhe reduktimin e pabarazive (Objektivi 10).

Progresi ka qenë më i moderuar në fushën e energjisë së përballueshme dhe të pastër (objektivi 7). Ndërkohë, OECD vë në dukje se Shqipëria ka bërë hapa pas në sektorin e arsimit (objektivi 4), me rënie të normave të regjistrimit në parashkollor dhe fillor.

Në testimin PISA 2022 që organizohet nga OECD për testimin e njohurive të 15-vjeçarëve, Shqipëria u rendit në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim. Në rezultatet e testimit për programin PISA 2018, Shqipëria u pozicionua në vendin e 61, Rezultatet e Shqipërisë shënuan rënie të fortë në raport me rezultatet e testeve paraardhëse.

Vlerësimet e PISA evidentuan se Shqipëria kishte pësuar rënien më të madhe të rezultateve që një vend ka pasur në të gjithë historinë e zhvillimit të testeve që nga 2001. Shqipëria ka ruajtur ecurinë e saj në eliminimin e varfërisë ekstreme që nga viti 2021 (objektivi 1). Qasja në ujin bazë të pijshëm dhe shërbimet higjienike janë rritur në të gjithë popullsinë (të dyja mbi 95%).

Rezultatet shëndetësore (objektivi 3) mbeten pozitive dhe mesatarisht në përmirësim, me nivelet e synuara për 2030. Por vendi ynë duket se ka bërë hapa pas me rënien e shkallës së vaksinimit tek foshnjat dhe mbulimin e shërbimit universal shëndetësor. Progresi ka mbetur në vendnumëro në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe komuniteteve (objektivi 11). Përmirësimi i shërbimeve të aksesit në ujësjellës, transport dhe shërbime të tjera mbeten sfida të rëndësishme.

Progresi është gjithashtu i nevojshëm në fushën e ekonomisë rrethore (objektivi 12) dhe mbrojtjen e ekosistemeve tokësore (objektivi 15). Mangësitë më të rëndësishme mbeten në fushat e punës së denjë dhe rritjes ekonomike (objektivi 8), jetës detare (objektivi 14), drejtësia dhe institucionet e forta (objektivi 16).

Progresi ekonomik dhe përfshirja mbeten të kufizuara nga mungesa e aksesit në burimet financiare në të gjithë popullsinë, papunësia e lartë e të rinjve dhe mungesa e të drejtave themelore të të punësuarve. Drejtësia dhe institucione të forta (objektivi 16) kanë mbetur në vendnumëro nga vrasjet e vazhdueshme, korrupsioni i lartë, praktikat e paligjshme të shpronësimit dhe rënies së lirisë së shtypit./ Monitor

Hamleti – princ i vetëdijes njerëzore

Nga dr. Yzedin Hima
“Pas Jezusit, Hamleti është figura më e cituar në vetëdijen perëndimore; askush nuk i lutet atij, por askush nuk e shmang atë për shumë kohë” Harold Blum
Në Shqipëri Shekspiri ka zbritur relativisht vonë dhe mjaft gjenerata nuk i takuan tekstet e shkrimtarit gjenial, që me artin e tij ndikoi fort në vetdijen e qytetërimit perëndimor dhe atij botëror. Krahas faktorëve të jashtëm dhe atyre të brendshëm, që ndikuan në prapambetjen e këtij vendi, mund të rendisim edhe si të dorës së parë mungesën e gjuhës së shkruar, librave, shkollimit dhe … mungesën e leximit të veprave të Shekspirit nga gjenerata të tëra, deri në çastin kur imzot Fan Noli, ndoshta si politikan e jo si kulturolog, gjykoi se ky vend mund të bëhej më i mirë, më i qytetëruar, më europian, pikërisht nëse banorët e tij do të lexonin Uilliam Shekspirin, gjeniun e letërsisë. Dhe iu vu përkthimit të veprave  shekspiriane.
Faik Konica, një nga mendjet më të kultivuara ndër shqiptarët, pas shpalljes së pavarësisë, shkroi: E bëmë Shqipërinë, tani duhet të bëjmë shqiptarët! Ky shqiptar i madh, i dallonte qartë, më qartë se kushdo virtytet dhe veset e shqiptarëve, sikurse Bajroni, romantiku i shquar euripian, shkroi: /Të rreptë bijt’ e Shqipes! Po vetitë / Nuk u mungojnë; veç t’ishin më t’arrira./
Edhe sot, krahas reformave që na sugjeron Brukseli në legjislacion, ekonomi, qeverisje vendore dhe qendrore, kërkon reformim të shkollës sonë dhe afrim të saj me atë europiane, e kur thotë këtë, ka lënë si detyrë të nënkuptuar edhe … leximin dhe studimin e Shekspirit për të ndërtuar vetëdijen europiane, gjë të cilën perëndimi ka kohë që e ka bërë dhe vazhdon ta lartësojë.
Po si ka ndikuar Shekspiri në qytetërimin perëndimor, në ridimesionimin e njeriut, substancës së tij? Harold Blum, kritik i famshëm dhe shekspirolog amerikan, në veprën e tij “Shekspir: shpikja e njeriut”, shkruan se ndikimi i veprës së Shekspirit është pranë ndikimit të Biblës, për nga përmasat, teksa nënvizon: “Shekspiri është autori i parë universal, që ka zëvëndësuar Biblën me vetdijen e sekularizuar.”; apo ” Pas Jezusit, Hamleti është figura më e cituar në vetëdijen perëndimore; askush nuk i lutet atij, por askush nuk e shmang atë për shumë kohë.” Dikush mund të mendojë se edhe në perëndim jo të gjithë e lexojnë Shekspirin. Mund të shtonim si përgjigje se edhe Biblën nuk e kanë lexuar dhe nuk e lexojnë të gjithë, por shumë besojnë te kristianizmi. Edhe Shekspirin, vërtetë nuk e kanë lexuar dhe nuk e lexojnë të gjithë, por tekstet shekspiriane tashmë, sikurse shkruan Blumi, e kanë krijuar njeriun, që përcillet ndër gjenerata te njeriu.
Hamleti, figura më e madhërishme e krijuar nga pena e një shkrimtari, është njeriu që ka lindur tepër herët, në shekullin X, ndërkohë që ka shijet, ndjeshmërnë, mendjen brilante të njeriut të sotëm dhe atij të nesërm. Gjenia e Shekspirit qendron pikërisht se te Hamleti projektoi njeriun modern të shekujve që do të vinin, njeriun që përbuzi botën e bërë pis nga vesi dhe shëmtia e sjelljeve njerëzore. Tek ai jeton dhe Oresti eskilian, që mëton hakmarrjen për babanë e vrarë mizorisht, por që është ridimesionuar në substancë për të dialoguar me lexuesit dhe shikuesit e të gjitha kohrave nën emrin Hamlet, larg primitivizmit orestian. Them për të dialoguar sepse tragjedia “Hamlet” është e mbushur plot me pyetje dhe përgjigjet e tyre lexuesi i gjen në tekst dhe te vetja.
Princi Hamlet është qytetari i parë i Europës, që synonte të jetonte estetikisht, ndaj edhe krimin, zvetënimin njerëzor, ai e shikonte si shëmti e deformim të njeriut, krijesës më të përsosur, që baret mbi tokë. Dikush mund të thotë se europianët e parë, që u përpoqën të jetonin estetikisht, qenë fiset helene, dhjetë shekuj para Jezu Krishtit, të cilët luftuan dhjetë vjet me Trojën dhe trojanët për shkaqe estetike: donin t’i kthenin hapësirës helene bukurinë e grabitur, Helenën. Mund të jetë shkak i stisur, por i mrekullueshëm: një popull, në mug të qytetërimit lufton dhjetë vjet për të bukurën. Natyrisht, që Shekspiri u ndikua nga letërsia antike greke.
 Në tragjedinë “Hamlet” ridimesionimi i njeriut ose shpikja e njeriut, siç e përcakton Harold Blumi, duket qartë edhe në këtë fragment: “Çfarë vepre është njeriu! Sa bujar nga arsyesja! Sa i pakufishëm nga zotësitë! Nga shtati dhe nga lëvizjet, sa i hijshëm dhe sa i çuditshëm! Nga veprimi si ëngjëll! Nga kuptimi si perëndi! Xhevahir i botës ! Kurora e gjërave të gjalla.”
Duke u lexuar gjatë katër shekujve, duke u shfaqur në teatrot e qyteteve, për shkak të katarsisit, ndikimit të artit të madh, gjeneratat njerëzore lëvizën drejt humanizmit, drejt arsyes, drejt së bukurës, duke lënë pas urrejtjen, dhunën, krimin, shëmtinë. Ngadalë, por pa ndërruar drejtim. Po a ka patur rënie, degradim, përbaltje? Një gjeni si Shekspiri i ka parandjerë të gjitha, kur shkruan: “Ardhka një kohë, kur virtyti u dashka t’i kërkojë ndjesë vesit.”
Kjo kohë përsëritet herë pas here në historinë njerëzore. Fashizmi, nazizmi, komunizmi, kanë qënë triumfe të Vesit në dimesione të tmerrshme, ku Virtyti u dënua, u dëbua, u masakrua. Kur Vesi triumfoi, Hamleti, për të shënuar përmasat e së keqes, thërret në ndihmë Turpin dhe i drejtohet: “O turp! Ku e ke skuqjen?! Kjo pyetje retorike përvijon përmasat e së keqes, që ka pushtuar botën dhe substancën e saj, njeriun. Edhe turpit duhet t’i vijë turp dhe të skuqet nga rënia dhe e keqja.
Në përmasa të vogla përherë ka një luftë të heshtur midis virtytit dhe vesit, ku herë triumfon njeri, e herë tjetri, brenda njeriut dhe shoqërisë. Hamleti, ose vetdija njerëzore, u rrëfen njerëzve se ku po shkojnë.
 Në vendin tonë, si vend ku Shekspiri “shkeli” mjaft vonë, Virtyti shpesh e më shpesh i ka kërkuar ndjesë Vesit: “Më fal, o Ves, që edhe unë rastësisht u gjenda në këto troje dhe u përballa me ty!” Edhe sot e gjithë ditën në trojet tona Virtyti ka ndrojtje t’i dalë përballë Vesit, i cili shfaqet sasior dhe shpesh i veshur me të tëra pushtetet, përveç pushtetit të virtytshëm.
Hamleti nuk e shikon rrjedhojën e të keqes, vesit, vetëm mbi shpatullat e tij, por e shikon atë si një të keqe globale. Kur vesi, krimi, hipokrizia, babëzia, etja për pushtet e kanë zvetënuar njeriun, njerëzit, atëherë i gjithë vendi, bota ka humbur drejtpeshmin dhe po shkon për dreq, ndaj ai ka kurajon të përballet me botën dhe t’i drejtohet plot kurajë: /“Turn back, dull earth, / and find they center out!”/(Botë e shurdhët, ktheu pas dhe gjej drejtpeshimin!)
Hamleti, kur thotë: “Kjo botë u shthur, o prapësi o dreq, unë paskam lindur të të ndreq!”, zotohet para njerëzimit të të gjitha kohrave për diçka sublime: do ta ndreqë botën pikërisht te substanca e saj, te njeriu, dhe njeriun te substanca e tij, duke ia ndriçuar së pari mendjen dhe pastaj edhe shpirtin. Po a e mbajti Hamleti zotimin e tij?! Po. Bota sa vjen e bëhet më njerëzore, më e lirë, më e bukur, më e jetueshme dhe ndikimi hamletian ka vendin e tij në këtë progres. Hidhini një sy në vendet ku Hamleti nuk “shkeli” dhe nuk “predikoi.” Ato ende jetojnë kohërat para shekspiriane.
Hamleti shpejton për të ndrequr botën, sepse e di se jeta është mjaft e shkurtër, ndërsa mundësitë e njeriut të pakufishme. Ai ka vënë bast me kohën kur shprehet: “Koka më zien nga idetë, nuk e di a do të kem kohë për t’i vënë në jetë!” Sfida me kohën është sfida e kohëve moderne për mendjet e ndritura. Gjithashtu Princi Hamlet tmerrohet nga harresa njerëzore, pluhuri i së cilës ka zbehur  dhe tretur qytetërime të tëra. Ai jeton njëherësh në tre dimesione kohore: të shkuarën, kohën e tashme dhe të ardhmen, ndaj shpreh frikën nga e ardhmja: Sa emër të plagosur do të lë/ Në mbetshin punët të panjohura…/
Hamleti vëren botën e kohës së tij dhe botën e së ardhmes edhe në detaje. Kur shohim sot reklamat e parukerive, që konkurojnë kafenetë, na vjen ndër mend shprehje e mprehte e tij, kur i drejtohet Ofelisë: “Zoti u dha një fytyrë, por ju krijoni një tjetër.” Hidhni një sy vajzave dhe grave tona: ato janë të bukura me fytyrën e dhënë nga Zoti në të gjitha ditët e vitit, me përjashtim të ditës, kur dalin nga parukeritë.
Te Shekspiri, falë gjenialitetit të tij,  i takojmë të gjitha dukuritë e nyjëtimit të tekstit, të cilat do të shfaqen gjatë shekujve që do të vijojnë pas tij. E takojmë ekzistencializmin, katër shekuj para se ai të shfaqej si dukuri letrare në Europën e shekullit XX – të: “Të jesh a të mos të jesh, kjo është çështja”, apo absurdin në këto radhë po nga tragjedia “Hamlet”: “Një njeri mund të zërë peshk me krimbin që ka ngrënë një mbret dhe të hajë peshkun, që u ushqye me atë krimb”.
Kam bindjen se  tekstet shekspiriane kanë kuptime të kodifikuara gjithkohore. Këto tekste presin lexuesin e kohrave për t’u dekodifikuar pambarimisht. Kur i lexon sot duken sikur janë shkruar jo para katër shekujve, por jo më larg se dje. Besoj se “dialogimi” me lexuesit e kohrave që do të vijnë do të jetë edhe më estetik se sa leximi i sotëm herë herë qëllimor.
Gjenia e Sheksipirit e ka mahnitur aq shumë kritikun amerikan Harold Blum, sa ky shprehet: “Nëse ndonjë autor është bërë një perëndi i vdekshëm, ky duhet të jetë Shekspiri.”

“Kur popullsia lokale vuan për shkak të turistëve”/ Analiza e DW, kambanë për Shqipërinë

Shumë rajone turistike në Europë këtë verë presin rekorde te reja vizitorësh. Por në shumë vende banorët po ngrihen kundër turizmit masiv. A ka zgjidhje?

Në Venecia vitet e fundit disa banorë kanë zaptuar shtëpi. Ata konsiderojnë se qyteti po vuan pasojat nga turizmi dhe banorët nuk po ia dalin me strehimin për vete.

Në qendrën historike jetojnë rreth 49.000 vetë si rezidentë të përhershëm. Numri i vizitorëve në Venecia, sipas vlerësimeve të ndryshme, çdo vit arrin në mbi 20 milionë. Jeta e përditshme e banorëve është për turistët si një dekor për përjetimet e tyre gjatë udhëtimit për pushime.

Rrugë në Venecia mbushur me turistë duke tërhequr valizhe
Rrugë në Venecia e mbushur me turistë

Europa është kontinenti me numrin më të madh të turistëve ndërkombëtar dhe Venecia nuk është i vetmi qytet, që vuan prej pasojave të turizmit masiv.

Aktualisht raportohet për protesta në Barcelonë dhe në të tjera qytete spanjolle. Edhe në Lisbonë, në Pragë apo në Amsterdam turizmi masiv po krijon gjithnjë e më shumë tensione mes udhëtarëve dhe banorëve të përhershëm.

Arësyet janë të ngjashme kudo: shtrenjtim i qirave, çmime astronimike të pasurive të patundshme dhe se kush në fakt lejohet të përdorë dhe sa burime.

Turizmi si burim të ardhurash

Turizmi për shumë nga këto qytete dhe rajone është burimi kryesor i të ardhurave. Në Bashkimin Europian turizmi përbën rreth dhjetë përqind të rendimentit ekonomik. Sipas përllogaritjeve rreth 12,3 milionë vetë janë të punësuar në këtë sektor.

“Këto janë shifra abstrakte”, thotë Sebastian Zenker nga Copenhagen Business School. Banorëve lokalë këto të ardhura nuk u sjellin asgjë, thotë Zenker, kur njëkohësisht qiratë rriten, banesat private janë të papërballueshme për banorët dhe restorantet i ngrenë çmimet aq sa vetëm turistët mund t’i përballojnë. Për banorët duhet të ketë një ekuilibër të perceptuar, thotë studiuesi i turizmit.

Ndonëse edhe shumë njerëz fitojnë nga turizmi, fakt është që “janë shumë pak ata që fitojnë mirë dhe mund të jetojnë mirë”, thotë Zenker në bisedë për DW. Një problem është edhe se pagat në këtë sektor janë shumë të ulëta. Në Itali nuk ka një pagë minimale të ligjëruar, në Portugali paga minimale është 4,85 euro për orë pune, ndërsa në Spanjë 6,87 euro.

Çështje e shpërndarjes

Pra ku derdhet paraja, që shpenzojnë turistët në vendet e Mesdheut? Shumë para nxjerrin industria e fluturimeve, rrjetet e mëdha të hoteleve, firmat ndërkombëtare dhe industria e kroçerave, thotë Paul Peeters. Ai është studiues në Universitetin Breda në Holandë në fushën e turizmit dhe transportit me efekt mbrojtës ndaj mjedisit.

Për të llogaritur qarkullimin e parasë në këtë sektor vendimtare është të mësohet, se kush në çfarë mënyrë udhëton. Turistët e kroçerave flenë dhe hanë në bordin e anijes. Turistët që preferojnë paketa all inclusive: fluturim, hotel dhe ushqim, i blejnë ato përmes agjencive të mëdha turistike, shpesh ata nuk shpenzojnë asgjë në vendin që vizitojnë.

Edhe në Amtserdam ka fluks turistësh-katedralja në qendër
Edhe në Amtserdam ka fluks turistësh

Nga ana tjetër ky grup turistësh influencojnë negativisht në ndotjen e ajrit dhe konsumit e ujit, në kurriz të banorëve lokalë në vendet ku ata shkojnë për të kaluar pushimet. Kjo thellon pabarazinë dhe nxit tensione mes vendasve dhe turistëve. “Të gjithë aktorët janë të vetëdijshëm, se i duan turistët. Pyetja është se si dhe çfarë forme turizmi duan”, thekson studiuesi i turizmit nga Kopenhaga Zenker.

De-Marketing, rregulla dhe ndalime

Tashmë janë ndërmarrë edhe nismat e para politike. Në Amsterdam nuk lejohet më të ndërtohen hotele. Po ashtu qyteti përmes një fushate të qëllimshme De-Markting përpiqet të verë nën kontroll turizmin për party dhe drogë.

De-Marketing quhen strategjitë e reklamës, që kanë për qëllim që një produkt – pra qyteti Amsterdam – të mos jetë më tërheqës për grupe të caktuara.

Në Lisbonë dhe në Palma de Mallorca ka kohë që tregu i qirave është shumë larg nevojave dhe realitetit ekonomik të banorëve. Masat e para janë: moslëshimi i licencave të reja për dhënien me qira të objektevepërmes platformave si Airbnb dhe p.sh. në Palma de Mallorca janë vendosur afate bllokimi për dhënien e imobiljeve me qira për qëllime turistike.

Barcelona po ndërmerr masa edhe më të rrepta. Qyteti katalonjas ka shpallur, se do të mbyllë afatin e dhënies me qira për turistë për rreth 10.000 banesa. Kjo ka për synim që të zbusë presionin e krijuar në tregun e banesave. Në dhjetë vitet e fundit qiratë në qytet janë rritur me mbi 60%.

Për kroçerat ka gjithnjë e më shumë kufizime dhe tarifa të larta. Në Venecia anijet e mëdha nuk lejohen më të ankorojnë që nga viti 2021, të njëjtën gjë planifikon edhe Amsterdami duke filluar nga viti 2026. Kjo masë synohet të pakësojë jo vetëm masën e turistëve, por edhe emisionet e dëmshme për ajrin.

Turistë të mirë dhe të këqinj?

Ngjashëm si Amsterdami edhe Mallorca do që të shpëtojë prej imazhit si qytete për party të shfrenuara. Synohet që të joshen më pak turistë, por që të shpenzojnë më shumë para. Ky konsiderohet turizëm i nivelit të lartë në zhargonin e kësaj dege. Por a është kjo zgjidhja?

Jo thotë, Macià Blázquez-Salom. Spanjolli është banor në Palma de Mallorca, profesor gjeografie dhe aktivist. Turizmi i luksit do ta thellojë edhe më shumë pabarazinë.

Protestues në Palma de Mallorca kundër turizmit masiv me parrullën: Mallorca nuk është për t'u shitur"
Protestues në Palma de Mallorca kundër turizmit masiv me parrullën: Mallorca nuk është për t’u shitur”

“Turizmi në segmentin party dhe plazh kufizohet në zona të veçanta, e funksionon thuajse si një fabrikë”, i tha DW-së Blázquez-Salom. Pasojat direkte në këtë rast do të ishin të kufizuara ndaj një pjese të vogël të komunave.

Turistët me një nivel më të lartë ekonomik do të kishin pretendime më të larta, duke konsumuar më shumë ujë, kanë tendencën për udhëtime më të shkurtëra si dhe nëse u pëlqen edhe të blejnë imobilje. “Kjo bën që të vihet në lëvizje makineria e gentrifikimit dhe bashkë me të edhe e spekulimeve me imobiljet”, thotë Macià Blázquez-Salom. “Këta turistë kësisoj ndërhyjnë direkt në jetën e banorëve.”

Turizmi i konceptuar në favor të ruajtjes së mjedisit

Një pjesë e madhe e industrisë së turizmit ende mendon thjesht për shifrat në rritje. Çdo vit rritjet e rekordeve të vizitorëve pranohen me gëzim. Për shumë banorë në Spanjë në qytete si Barcelona, Venecia apo Palma de Mallorca rritjet e mëtejshme nuk janë një opcion. Pra çfarë duhet bërë? Një përpjekje mund të jetë, që numri i turistëve të mbahet në një nivel, aq sa mund ta përballojnë qytetet dhe komunat, thotë Paul Peeters.

Faktorët ekologjik dhe social duhet të luajnë në këtë kontekst një rol qendror. Për këtë megjithatë duhet të vendosen kontrata me shoqëritë ajrore dhe sipërmarrjet e porteve apo aeroporteve, sugjerojnë studiuesit e turizmit. Sepse shpesh këto kompani orientohen në tejkalim kapacitetesh, pra rritje dhe të ardhura të mëtejshme. /Marrë nga DW

Himara, zonë e “nxehtë”/ U përfitua në mënyrë të paligjshme tokë në bregdet! Çfarë thuhet në dosjen “Bollano” dhe si përfunduan në burg dhe nën hetim të gjithë kryebashkiakët

Emisioni Në Shënjestër i gazetares Klodiana Lala në News24 ka trajtuar atë që ka ndodhur me Himarën, e cila prej më shumë se 1 viti nuk ka një kryebashkiak të zgjedhur, ndërsa në 4 gusht pritet të votohet për atë që do të drejtojë një prej bashkive, që ka prodhuar shumë tensione, qoftë edhe artificiale.

Himara, që nuk gjen qetësi edhe atëherë kur tonet nacionaliste fillojnë e tërhiqen dhe jeta duhet t’i rikthehet normalitetit.

Kur qytetarët kanë nevojë të marrin shërbim, por kur politika, duket se i ka mbërthyer në një retorikë të fortë me vetveten, por ku në krahun tjetër vazhdon të prodhojë drejtues të korruptuar dhe paralelisht destabilitet, në një nga zonat më të nxehta të Shqipërisë.

Me një kryetar të zgjedhur si Alfred Beleri në burg, i dënuar për krim zgjedhor, apo një ish-kryetar bashkie, Jorgo Goro sot në hetim dhe i arrestuar me urdhër nga SPAK si i dyshuar për përfshirje në një skemë tjetërsimi pronash në bregdetin e shumëlakmuar.

Pasi në bashkëpunim me vartës të tij dhe zyrtarë të Kadastrës, kishte mundësuar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të një shoqërie të zotëruar nga Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, ish ministre e Jashtme.

I njëjti që kishte fituar edhe statusin e investitorit strategjik të dhënë nga qeveria Rama.

Por si kur të mos mjaftonin këto dy emra kryebashkiakësh, të cilët si në asnjë rast të ngjashëm, i hapën në një farë mënyre varrin politik njëri-tjetrit, njëri i mbështetur nga maxhoranca socialiste që humbi zgjedhjet në Himarë dhe që kërkoi revansh me burgosjen për krim zgjedhor të Belerit, dhe ky i fundit që nga qelia denoncoi rivalin e tij Goro për falsifikim të dokumenteve të pronave, një rast i ngjashëm duket se ndodh tashmë me ata që janë kryetarët e komanduar të Bashkisë Himarë.

Të cilët në thelb duhet të ishin njerëzit më të ndershëm, më të papërlyer, për të drejtuar punët në këtë bashki derisa të zgjidhej një kryebashkiak i ri, por që në fakt nuk ka rezultuar aspak kështu.

Pasi mesa duket vesi për të futur duart në pronat e Himarës, qenka një sëmundje që kaploka pothuaj çdo politikan në këtë zonë të Shqipërisë të njohur për bregdetin e saj të lakmueshëm.

Ku është përfolur shpesh për tjetërsime të shumta pronash, ku të përfshirë janë edhe politikanë në Tiranë.

Të cilët duke shfrytëzuar pozitën e tyre vendimarrëse, kanë mundur të shtrijnë duart e tyre edhe në këtë pjesë të rivierës shqiptare.

Gjë që është parë edhe te shkrirja e Kadastrës së këtij qyteti, ku drejtuesit e saj kanë dalë shpesh të përfshirë në këtë aferë.

Ashtu si edhe drejtuesi aktual i komanduar i Bashkisë Himarë, Arqile Bollano, i cili u komandua në këtë detyrë vetëm një muaj më parë, pas dorëheqjes nga drejtimi i Bashkisë problematike, të Blerina Balas.

Arqile Bollano dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme sipërfaqe të mëdha toke në bregdet.

Por si i përfitoi Bollano, mijëra metra katrorë tokë në Himarë?

Sipas të dhënave, dosja ndaj Arqile Bollanos në dyshimet se ka përfituar padrejtësisht pronë u transferua nga prokuroria e Vlorës në SPAK një muaj përpara se ai të mandatohej për të qenë kryetar i komanduar i Himarës.

Dosja Hetimore

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguar për kompetencë nga Prokuroria e Vlorës ka regjistruar procedimin penal nr. 127, të vitit 2024, për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’.

Hetimet zbuluan se një sërë procedurash për dhënien e tokës familjeve bujqësore nga Bashkia Himarë janë kryer në shkelje të ligjit dhe një prej familjeve përfituese ishte ajo e Arqile Bollanos.

Por si mundi familja Bollano, në këtë rast e kryetarit aktual të komanduar të Bashkisë Himarë, të shtinte në dorë këtë sipërfaqe të madhe toke?

Cila ishte procedura që u ndoq dhe a ushtroi kjo familje pushtetin e saj politik, për të përfituar këtë pronë me vlerë qindra mijë euro?

Pse Prokuroria e Vlorës e mbajti kaq gjatë në sirtar këtë dosje dhe nuk e çoi për gjykim eksponentin e lartë politik të maxhorancës në Himarë.

A ishte ky një shpërblim që Bollano mori për kontributin e tij në punët e partisë?

Sipas dosjes hetimore gjithçka e ka zanafillën në vitin 2015.

Në kohën kur në bregdetin e Himarës nis procedura për për plotësimin me tokë, të familjeve që në vitin 1992, nga ndarja që iu bë këtë kohë sipas ligjit 7501 të tokave bujqësore, rezulton se kishin marrë tokë më pak se çfarë u takonte.

Ky mesa duket ishte edhe momenti i përfitimit nga familja Bollano por edhe shumë të tjera, të cilat nëpërmjet kësaj procedure, përfitojnë mijëra metra katorë në mënyrë abuzive.

Dosja Hetimore

Si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, shtetasi Arqile Bollano ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, datë 25 Gusht 2016, një sipërfaqe toke prej 4 263 m2. Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi Arqile Bollano është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin ‘Për Tokën’ sipas AMTP, datë 8 Mars 1996, me sipërfaqe totale 7 700 m2.

E gjithë kjo procedurë e cila më pas përfundoi në një aferë korruptive, u krye në sytë e Këshillit Bashkiak të Himarës, që në vitin 2015 drejtohej nga Jorgo Goro.

Këshill Bashkiak që pasi shqyrtonte kërkesat e familjeve që pretendonin se në vitin 1992 kishin marrë më pak tokë bujqësore se çduhej, vendoste edhe se kush do të ishin përfituesit.

Në këtë rast edhe familja Bollano, pavarësisht se nga hetimet del se kjo tokë nuk i takonte aspak.

Por mesa duket duke shfrytëzuar afrimitetin me Partinë Socialiste që jo vetëm ishte në pushtet, por drejtonte edhe Bashkinë Himarë si dhe Këshillin Bashkiak, mundi ta kishte më të lehtë për ta shtënë në dorë këtë sipërfaqe toke.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Jorgo Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi Arqile Bollano dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim ligjin ‘Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore’, i ndryshuar, si dhe VKM ‘Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore’, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.

Për këto arsye, ndaj Jorgo Goros krahas masës së parë të sigurisë për rastin e tjetërsimit të pronës së përfituar nga ish-deputeti socialist Artan Gaçi me kërkesë të SPAK u caktua nga gjykata një mase e re sigurie ‘arrest me burg’.

SPAK ndërkohë po heton për të identifikuar përgjegjësinë e personave të tjerë të përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave, përfshirë dhe përfituesin e pronës Arqile Bollano.

Por siç e thamë Bollano nuk është as i pari dhe as i fundit nga zyrtarët lokalë në Himarë të lidhur me Partinë Socialiste, që dyshohet se ka përfituar në mënyrë të padrejtë pronë në bregdet.

Në një nga zonat më të përfolura për falsifikim të dokumenteve të pronësisë.

Jorgo Goro, i cili drejtoi për tre mandate Bashkinë Himarë dhe pretendoi edhe një të katërt përballë Fredi Belerit në zgjedhjet e vitit 2023, është një tjetër kryebashkiak që ndodhet nën masën e arresti me burg.

Ai dyshohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, ka kryer tjetërsimin e sipërfaqeve të konsiderueshme të tokave shtet në Himarë

Kjo në favor të personave të lidhur me pushtetin, siç është edhe përfitimi nga shoqëria në pronësi të Artan Gaçit, bashkëshortit aktual të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Të cilit, iu sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, 5 512 m2 truall, në zonën e lakmuar bregdetare të fshatit Gjilek në Dhërmi.

Sekuestro preventive e cila u vendos pas dyshimeve të krijuara nga SPAK, për falsifikim të akteve të marrjes në pronësi të kësaj parcele toke.

Ku i pari që trokiti në dyert e Prokurorisë së Vlorës, në vitin 2021, ishte Mihallaq Bonjaku, i cili pretendonte se i ishte vjedhur prona.

Ose më saktë një pjesë e pronës mbi të cilën Artan Gaçi, ishte shpallur ‘investitor strategjik’ dhe kishte nisur ndërtimin e një resorti luksoz.

Mihallaq Bonjaku

Maj 2021

Lidhur mbi mënyrën e fitimit të pronësisë si dhe titullit të pronësisë së shtetasit Foto Mëhilli, pretendimi im është se akti i marrjes së tokës në pronësi me nr.9677 që bën fjalë për një sipërfaqe prej 5 512 m2 të familjes Mëhilli, është falsifikuar.

Nga krahasimi i dokumentacionit të listës së përfituesve të tokës bujqësore në fshatin Gjilek, Dhërmi, shtetasi Foto Mëhilli ka përfituar tokë në pronësi me sipërfaqe totale prej 1200 m2, e cila për më tepër ka vendodhje tjetër me atë që ai pretendon sot.

Për këtë arsye kam depozituar ndër të tjera edhe dokumentin plan rilevimi, datë hartimi muaji shkurt 2019.

Por ndërsa Mihallaq Bonjaku, duket se i kishte humbur shpresat te drejtësia, nga brenda qelisë ku ndodhej i ndaluar me urdhër të SPAK për krim zgjedhor, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, kallëzoi biznesmenin Artan Gaçi, bashkëshorten e tij Olta Xhaçka dhe kryetarin në detyrë të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.

SPAK pas arrestimit të Goros dhe firmosjes së masave për disa zyrtarë të tjerë,

Prokuroria në muajin maj të këtij viti njoftoi se kishte sekuestruar edhe sipërfaqen tjetër prej 5080 metra katrorë tokë, mbi të cilën Artan Gaçi po zhvillon investimin strategjik.

SPAK

Ka dyshime se personat nën hetim kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren.

Ky planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme.

E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.

Pra, duke përfshirë edhe Fredi Belerin, i dënuar për krim zgjedhor dhe dy drejtuesit e tjerë të Bashkisë, në këtë rast Goro i ndaluar dhe Bollano në hetim, të dy për tjetërsim të pronave në bregdet, Himara në këto dy vite më shumë ka prodhuar pranga se sa shërbim për qytetarët.

Aq sa edhe vetë politika këtu në Tiranë e ka të vështirë të gjejë një drejtues të duhur, të papërlyer në punë të tilla, për Himarën që edhe pa këtë korrupsion është mjaftueshëm e nxehtë si zonë.

Por që mesa duket edhe vetë politikës i interesojnë të tillë personazhe, për ta pasur me të kollajtë për të futur duart e saj të pista në këtë zonë, e cila është pasuri e lakmueshme për këdo.

Trump ka rënë nga pesha, ç’po ndodh me kandidatin republikan për President/ Dyshimet e medias amerikane

Donald Trump nuk është shquar kurrë për pamjen e tij veçanërisht në modë, por muajt e fundit kostumet e tij i janë përshtatur edhe më keq se zakonisht. Ish-presidenti i SHBA-së ka rënë dukshëm në peshë – dhe në një kohë të shkurtër!

Fytyra duket më e hollë, mjekra më e mprehtë – dhe spekulimet se si Trump e arriti këtë po bëhen gjithnjë e më të zhurmshme. A po merr Donald Trump injeksionin për humbje peshe?

E famshmja “New York Times” në një pyetësor drejtuar ish-presidentit, pyeti ndër të tjera, nëse Trump kishte përdorur Ozempic, injeksion për humbje peshe, apo diçka të ngjashme.

Një tjetër teori për të cilën media amerikane mbështetet në qarqet e brendshme: gruaja e tij Melania ndryshoi në mënyrë rigoroze dietën e Trump dhe e vuri atë në dietë.

Humbja e peshës së Trump nuk është e dukshme vetëm vizualisht, por edhe në shifra: kur republikani u arrestua gushtin e kaluar, ai raportoi peshën e tij si 97 kilogramë. Në vitin 2020 ai peshonte 110 kilogramë.

Por çfarë ka ndodhur? Një dietë e mërzitshme, injeksioni për humbje peshe apo Trump e arriti në një mënyrë tjetër?

Mjeku nga Düsseldorf Dr. Afschin Fatemi përjashton të paktën një variant: “një mundësi është të ndryshoni zakonet tuaja të të ngrënit, por kjo është e vështirë, veçanërisht kur jeni të moshuar, dhe mendoj se kjo është gjëja më pak e mundshme për Trump në një kohë stresuese si fushata zgjedhore paraprake”.

“Ozempic është sigurisht një opsion, por edhe zvogëlim i stomakut apo balon gastrik”, thotë Fatemi. Këshilla ime është një tullumbace gastrike sepse ju lejon të humbni një peshë relativisht të madhe në një periudhë të shkurtër kohore pa asnjë ndërprerje.

Ndryshe nga kundërshtari i tij aktual Biden, Fatemi nuk beson se Trump ka bërë ndërhyrje në fytyrë.