14.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Lavdi Qenit

Nga Edison Ypi

Ku të gjithë janë hajdutë, parazitë, intrigantë, gënjeshtarë, dallaverexhinj, thashethemexhinj, po vazhdove të jesh Njeri, pisk e ke, nuk çan dot, ke falimentuar, davanë e ke humbur.

Qeni është zgjidhja.

Bëhu qen të shpëtosh.

Tigër, luan, elefant, Iriq, gjarpër, shqarth, kunadhe, gaforre, mi’, merimangë, zhabë, lakuriq nate, hienë, çakall. E ke vet në dorë. Por më mirë qen.

S’ka si qen. S’ka të paguar qënia qen.

Qen gjahu, për shembull, apo zagar, s’ësht keq. E vret tjetrin me çifte ose teke. Ti si zagar s’mban asnjë përgjegjësi, kështu apo ashtu, këtu apo këtje, ishte a s’ishte sezoni i gjahut. Ty ligji s’të kap. Ti vetëm sa shkon e merr atë atje dhe ja sjell tjetrit të vrarë këtu.

Qen kazanash s’ke nevojë të bëhesh. Qen coftinash kahone ke qen.

Turiqen, pakrahasimisht më me leverdi se turiderr, turiskile, turiskuth, turimi, dhe çdo turi tjetër i lavdishëm i kësaj kategorie, bëhesh kollaj. S’ka kosto shtesë. Veç qef të kesh.

Qen rrace, s’ke ç’e do, kushton, më mirë qen dosido.

Qen leshator, ose qen leshko, ose qen gëzof, pra qen si shumica e qenve që dallaveret i bëjnë pa rënë në sy brenda guackës së vet. Po. Bëhu. Nuk do pendohesh. Është zgjidhje qenërore inteligjente për jetë qeni pa telashe.

Qen Kone, si te tregimi i Çehovit “Zonja me Kone”, ku ma gjen. Është qeni i duhur. Ke qëlluar në shenjë. Përveç avantazheve që krehjen do ta bëjë, morrat do t’i heqi, kokën do të ta lajë, në banjë do të çojë, vetë Zonja, do jesh një nga qentë e rrallë të famshëm përmes Letërsisë. Më mirë qen pas ndonjë Zonje që të ndjek nga pas me rrip ose zinxhir, se oreçast pas ndonjë shefi që ta shpif.

Qen sëre. Nëse s’ke turp, ku ma gjen. Ha e pi e dhjamesh me mbeturinat e sofrave, ahengjeve, sebepeve, qokave të parellinjve.

Qen bastard, qen që ngopet me thërrimet e të parëve, është qen me goxha leverdi, që lavdi të vetën s’ka, por bën qindin me rrena dhe intriga të trasha që të bëjnë për të vjellë. S’ke ç’e do.

Qen roje. Nuk ke ndonjë leverdi kushedi se çë, por mund të vazhdosh gjatë, edhe deri në vdekje nëse je aq pleh.

Qen stani është goxha titull. Veç ruaju nga Diabeti. Dhe stanin mos e lër tërë kohës me lepuj. Bëje ndonjëherë edhe me dele.

Qen që vetëm leh, nuk ka nevojë të bëhesh, je.

Qen që vetëm kafshon, ësht nëpunës në Hipotekë. Bëhu po ta mbajti revolucionarja.

Qen që as leh as kafshon, nuk të leverdis, është ëndërrtar, qëndrestar, mitingash.

Qen që edhe leh edhe kafshon, s’ësht qen, ësht deputet.

Qen i punës mund të bëhen të gjithë. S’ke leverdi. Ndërro preferencë.

Qen i lekut është nga qentë më të lavdishëm. Po u bëre, Xhehenetin e sigurove.

LlapaQen, njohuritë fillestare i ke, i rrethuar me të tillë je, bëhu ekspert, bëhu virtuoz, mësoje llapaqenërinë deri në skutat më të humbura. Është më frutdhënësi, më produktivi, më i leverdisëshmi. Dhe ka një të mirë. Është badihava, dhe gjithmonë në modë.

Qen besnik mos u bë. Zoti të ruajt po u bëre. Nuk do livadhisësh më. Nuk do jesh më i lirë.

Qen blu, është më i qelbët se qen i kuq.

Qen i kuq, është më i pranueshëm se qen i zi.

Ku se njeh qeni të zonë, pra vendi ku qeni dhe i zoti janë bërë si këmbët e dhisë në siklet kur është ngjitur mbi një ferrë, është vendi ku dole nga e satëme. Po u bëre qen në këtë vend, ke arritur suksesin më të madh, ke kapur zenitin e qënërisë. Prej atij momenti shprehja “Lavdi Zotit” do dali nga përdorimi, do hidhet tutje si rraqe, do zëvendësohet me “Lavdi Qenit”.

Qenbirqeni, s’ësht i lavdishëm, megjithatë mendoje një herë edhe këtë lloj qeni nëse je bestyt i trashëgimisë.

Nëse secili zgjedh të jetë qeni që i përshtatet, me këtë rast zgjidhet dhe problemi i ikjes. Qentë infermiera, doktora, agronoma, inxhiniera, siç më tha njëri në kafene, Gjermania nuk i pranon.

Bëj çmos ta ndjekin dhe të tjerë shembullin tënd për qenin që i dhe të ngjan. Derisa të bëhemi tejpërtej Qentore, Qenhane, Qënëri.

Bëhu qen sa më shpejt.

Foto/ Zjarr i madh nga djegia e gomave pranë Fushës së Aviacionit në Vlorë

Një tjetër zjarr, këtë herë i pazakontë ka rënë në vendin tonë.

Djegia e gomave të makinave pranë Fushës së Aviacionit ka shkaktuar ndotje të mjedisit dhe shqetësim tek banorët.

Zjarrfikësja është nisur për në vendngjarje, për fikjen e flakëve.

Foto/ Zjarr i madh nga djegia e gomave pranë Fushës së Aviacionit

 

Turistët dorështrënguar nuk i ‘zëvendësojnë’ dot shqiptarët e ikur, konsumi i dobët edhe në tremujorin e parë

Ndonëse në vend has turistë pothuajse gjithandej dhe numri i tyre është shtuar me mbi 40% në krahasim me vitin e kaluar, konsumi vijon të mbetet i dobët.

INSTAT raportoi në treguesit e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) se konsumi final i popullatës u rrit me 3.59% me bazë vjetore në tremujorin e parë të vendit, nga 3.75% që ishte rritja në tremujorin e fundit dhe më e ulët se në tremujorin e dytë 2023, kur zgjerimi arriti në 4.7%.

Ritmet e rritjes së konsumit janë më të ngadalta se në periudhën e para pandemisë.

Ndonëse në vend, në tre muajt e parë të vitit, sipas INSTAT kanë hyrë 1.5 milionë shtetas të huaj, me rritje 43% në krahasim me të njëjtën periudhë të një vitI më parë, konsumi nuk ka shënuar ndonjë gjallërim të dukshëm.

E njëjta tendencë u konstatua dhe vitin e kaluar. Konsumi u rrit me 3.8% në 2023, niveli më i ulët që nga pandemia.

Ecuria e dobët e konsumit lidhet me dy faktorë:

-Së pari ikja e popullsisë vendase. INSTAT gjeri në Censin e fundit se popullsia vendase është 2.4 milionë banorë, nga rreth 2.78 që ishte vlerësimi i mëparshëm. Në krahasim me Censin e 10 viteve më parë, janë rreth 400 mijë persona më pak në vend, kryesisht për shkak të emigrimit. Pjesa më e madhe e të ikurve janë të rinj, largimi i të cilëve ka ndikuar konsumin e produkteve si brumërat, sheqernat, produktet e përpunuara të mishit, frekuentimin e bareve etj.

-Së dyti, Shqipëria është marketuar si vend i lirë dhe turistët që vijnë priren të shpenzojnë pak. Sipas operatorëve të tregut, frekuentimet kanë qenë më tepër nga turistë me të ardhura mesatare e të ulëta, ku deri 70% e tyre janë turistë të aventurës, “me çanta shpine”, që priren të shpenzojnë pak.

Për më tepër që turistët qëndrojnë pak dhe nuk arrijnë të zëvendësojnë konsumin e qëndrueshëm të banorëve të përhershëm.

Turistë “të varfër”, mesatarja e shpenzimit rreth 410 euro/person për udhëtim

Vitin e kaluar, Shqipërinë e vizituan rreth 10,2 milionë shtetas të huaj sipas të dhënave të INSTAT, në rritje me 35% krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë vlerësohet se turistët e huaj shpenzuan gjithsej rreth 4,2 miliardë euro në Shqipëri gjatë vitit 2023. Shpenzimet e turistëve të huaj u rritën me 47% krahasuar me vitin 2022.

Mesatarisht shpenzimet e turistëve llogariten rreth 412 euro për person. Mbështetur te kjo e dhënë, sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, turisti i huaj që frekuenton vendin nuk mund të cilësohet as shpenzues i një buxheti mesatar.

Mbështetur te lloji i restoranteve që parapëlqehet apo frekuentohet nga turistët e huaj Jahja thotë që më tepër zgjedhin strukturat ku ofrohet ushqim zgare, kryesisht qofte dhe gatime tradicionale shqiptare për shkak të çmimeve ekonomike.

“Mbështetur tek e dhëna e shpenzimeve për person që llogariten rreth 420 euro, rezulton se në Shqipëri ka ardhur turisti i kategorisë C, pra turist “cheap” që harxhon më pak sesa harxhon një shqiptar kur frekuenton në muajt e verës resortin më të lirë në Turqi”, pohon Enri Jahja nga shoqata e Bareve dhe Restoranteve./Monitor.al

Amendamenti Gjylameti fundos tregun e pronave, bllokohen të gjitha shitjet

Agjencitë imobiliare në një deklaratë të përbashkët i drejtohen një zëri Parlamentit që të avancojë në lidhje me miratimin e taksës së rivlerësimit 3%. Kjo vonesë po sjell si pasojë shitjen e më pak pronave.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurisë së Paluajtshme të Shqipërise, vonesa në trajtimin parlamentar të këtij propozimi, mungesa e konkretizimit të tij dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut.

Drafti për rivlerësimin e pronave me taksën e zbutur 3 për qind u propozua nga deputetja socialiste Blerina Gjylameti dy muaj më parë. Që atëherë projektligji nuk është shqyrtuar, por ka mbetur në sirtarët e Kuvendit, ndërkohë që maxhoranca socialiste nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë nëse do e mbështesë apo jo këtë draft.

Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij.

Më tej shoqata thekson se mbështetur në të dhënat kombëtare të këtij sektori, vëmë re se në krahasim me vitet kur ky tatim mbahet në nivelin 15%, gjatë periudhave të lehtësirave fiskale ku norma e tatimit aplikohet jo më shumë se 3%, sektori jo vetëm që njeh rritje dhe zgjerim, shqiptarët jo vetëm që fitojnë më tepër, por edhe buxheti arkëton të ardhura më tepër, në nivelet 35-40 milionë euro.

Por cila është barra fiskale e rivlerësimit në 15%?

Shoqata e ndërmjetësve të pasurisë së paluajshtme ndan qëndrimin se pasojë është ngadalësimi i transaksioneve, duke ngurtësuar investimet, konsumimin e stokut dhe sjellë tkurrjen në këtë sektor, duke çuar në rënie të tij me 250-300 milionë euro.

Gjithashtu sipas llogaritjeve, ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore të realizuara, me të paktën 35-40 milionë euro, nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra më të sofistikuara për të shmangur barrën.

Gjermania vend emigracioni, DW: Një ndër çdo pesë banorë me origjinë nga jashtë

Regjistrimi bazohet në një vlerësim kompleks të të dhënave dhe në një anketë me qytetarët, e cila organizohet rreth çdo dhjetë vjet. Rezultatet e publikuara gjenden edhe në internet në faqen e Zyrës Federale të Statistikave.

40 për qind e këtyre emigrantëve kanë marrë nënshtetësinë gjermane.

Vendet nga të cilat ka ardhur numri më i madh i të huajve që jetojnë në Gjermani janë Polonia (12 për qind), Turqia (9 për qind) dhe Rusia (7 për qind). Siria dhe Ukraina përbëjnë secila nga 5 për qind të të huajve.

Rritje e ndjeshme e numrit të ukrainasve

Megjithatë numri i ukrainasve që kanë ardhur në Gjermani për të shpëtuar nga lufta ka vazhduar të rritet ndjeshëm që nga data e përfundimit të regjistrimit të fundit të popullsisë në maj të vitit 2022.

Regjistrimi bazohet në një vlerësim kompleks të të dhënave dhe në një anketë me qytetarët, e cila organizohet rreth çdo dhjetë vjet. Rezultatet e publikuara gjenden edhe në internet në faqen e Zyrës Federale të Statistikave./DW

Oriz dhe kikirikë, ja dieta sekrete e yllit të Spanjës

Lamine Jamal është lojtari i momentit për skuadrën spanjolle dhe në moshën e tij të re është kthyer në një nga premtimet më të spikatura të futbollit në vendin iberik. Dhe, megjithëse nuk i dimë pothuajse të gjitha sekretet e yllit spanjoll për të pasur sukses në një moshë kaq të re, “Marca” ka zbuluar një prej tyre: pjatën e tij të preferuar, orizin me salcë kikiriku.

PJATË IDEALE PARA NDESHJEVE Lamine ka thënë në intervista të ndryshme se kjo pjatë tipike nga Guinea Ekuatoriale (vendi i origjinës së nënës së tij) është e preferuara e tij. E gatuar nga e ëma dhe e servirur para ndeshjeve, ishte një mënyrë për të fituar forcë për ndeshjet, por cilat janë vetitë e këtyre ushqimeve që i japin Jamalit kaq shumë energji? Orizi, përbërësi themelor i kësaj pjate, njihet si një nga ushqimet kryesore në dietën e çdo sportisti së bashku me të tjera si makaronat, vezët apo perimet. Konkretisht, orizi është i gjithanshëm për t’u kombinuar me ushqime të tjera dhe mund t’i jepet shije të ndryshme, duke i dhënë konsistencë pjatës.

Lidhur me vetitë e këtij ushqimi, konstatojmë se është një burim i shkëlqyer energjie për shkak të pranisë së karbohidrateve në të në një përqindje të lartë, një ndër to është niseshteja; e cila përthithet ngadalë kështu që i siguron trupit energji gradualisht. Është gjithashtu një burim i jashtëzakonshëm i vitaminave dhe mineraleve, duke përfshirë magnezin, vitaminën B1, B3, B5 dhe B6, si dhe acidin folik, ndër të tjera. Për më tepër, edhe pse nuk është ushqimi që ka më shumë proteina, ai është lehtësisht i tretshëm; e cila për një sportist është thelbësore. Për sa i përket dobive të këtij ushqimi, përtej lëndëve ushqyese, ato janë një rregullator i madh i tranzitit të zorrëve, është i mirë për zemrën pasi ndihmon në stabilizimin e presionit të gjakut dhe rregullimin e rrahjeve të zemrës; Përmbajtja e lartë e fibrave është një aleat në uljen e niveleve të kolesterolit; ndër shumë të tjera.

KIKIRIKËT, NJË ALEAT PËR ORIZIN Shkathtësia që përmendëm më parë për orizin e bën atë një ushqim shumë të kombinueshëm me të tjerët. Në rastin e Lamine Jamal dhe familjes së tij, shoqëruesi i zgjedhur janë kikirikët dhe është një opsion i shkëlqyeshëm si shoqërues i orizit. Kikirikët janë një bishtajore, jo një arrë, pavarësisht asaj që mund të mendoni. Përveçse është një ushqim i lehtë për t’u ngrënë dhe me një shije shumë karakteristike, ai ndan edhe shkathtësinë e orizit. Për sa i përket lëndëve ushqyese të kësaj farë, mund të flasim për shumë dhe shumë të larmishëm. Kikirikët janë një burim i shkëlqyer i proteinave bimore dhe yndyrave të shëndetshme (Omega 6 dhe acid oleik ndër të tjera). Këto yndyra, kryesisht acidi oleik, ndihmojnë në rritjen e kolesterolit të mirë dhe uljen e kolesterolit të keq. Gjithashtu nxjerr në pah sasinë e madhe të vitaminave dhe mineraleve që ka, duke vënë në pah, në rastin e sportistëve, Vitaminën E, e cila është një antioksidant.

Pushtimi rus i Ukrainës rrit urgjencën e përgatitjeve të NATO-s dhe BE në rast konflikti të papritur me Moskën, por burokracitë e shumta ngadalësojnë lëvizjen e trupave nëpër Evropë

Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 ka çuar në rritjen me urgjencë të përgatitjeve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian edhe lidhur me aftësinë për të dërguar shpejt përforcime, në rast të një konflikti të papritur me Moskën.

 

Në këtë kuadër Rumania, Bullgaria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje për të lejuar lëvizjen e shpejtë të trupave dhe të armëve në krahun lindor të aleancës ushtarake të NATO-s.

Burokraci e shumtë

Sipas NATO-s burokracia e shumtë e ngadalëson lëvizjen e trupave nëpër Evropë. Prandaj marrëveshja synon “të optimizojë korridoret e transportit për t’iu përgjigjur nevojave për lëvizjen e trupave ushtarake duke krijuar vija për furnizimin për rrjetit rrugor dhe hekurudhor mes shteteve pjesëmarrëse.” – njoftoi Ministria rumune e Mbrojtjes.

Kjo marrëveshje do të reduktojë burokracinë dhe do të maksimizojë efikasitetin në rast situatash emergjente, thuhet më tej në njoftim.

Ministria e mbrojtjes e Rumanisë njoftoi gjithashtu se të tri shtetet mund të lidhin edhe portet e tyre në Detin Egje dhe Detin e Zi.

Rumania dhe Bullgaria janë përfshirë tashmë në një nismë të përbashkët me Turqinë për të çaktivizuar minat që enden në Detin e Zi.

Ukraina dhe Rumania nënshkruajnë marrëveshje partneriteti për mbrojtjen

Zyra presidenciale në Kiev njoftoi se Ukraina ka nënshkruar një marrëveshje sigurie me Rumaninë.

Marrëveshja u nënshkrua pas takimit të aleatëve të NATO-s me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski në samitin e tyre në Uashington.

Kjo marrëveshje e çon në 23 numrin e përgjithshëm të marrëveshjeve afatgjata dypalëshe për mbrojtjen që Kievi ka nënshkruar me partnerë, ndër to me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në.

Ndërsa korniza e dokumenteve është e ngjashme, ato janë të gjitha të ndryshme. Një tipar i veçantë i marrëveshjejes mes Ukrainës dhe Rumanisë janë pikat specifike të bashkëpunimit për të forcuar sigurinë në rajonin e Detit të Zi, thuhet në deklaratë.

Sipas marrëveshjes Rumania do të ndihmojë për pastrimin e minave në Detin e Zi dhe do të kontribuojë për trajnimin e pilotëve ukrainas për avionët F-16./DW

E cilësuan “kec i Ramës dhe Bashës”, Dashamir Shehi i përgjigjet PL-së: Meta nuk i bën nder opozitës shqiptare

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi i ftuar në studion e News24 ka komentuar protestën e opozitës, e cila shprehu indinjatën e saj para Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës mbrëmjen e djeshme.

Shehi u shpreh se protesta ishte një celebrim i fitores së luftës së brendshme në PD, ndërsa mesazhi i vetëm që u dërgua ishte thirrja për formimin e qeverisë teknike.

Megjithatë ai u shpreh skeptik për këtë të fundit, duke thënë se nuk beson se është diçka e realizueshme, ndërsa rikujtoi precedentët e qeverive teknike të së shkuarës, të cilat sipas tij nuk ishin të suksesshme.

“Protesta ishte një celebrim i fitores së luftës së brendshme në PD. Jam i sigurtë që Berisha ka dashur të tregojë se ka edhe popullin. Besoj se në plan kjo ka qenë. I vetmi mesazh që pashë ishte ajo e qeverisë teknike. A është një objektiv real? Do ishte bukur që në shtator të niste qeveria teknike. Po kush do e bëjë këtë, Rama do e bëjë? Nuk ma ha mendja që e bën njeri.

Eksperiencat për qeveritë teknike i kemi pasur. Përfundoi me sherre në 1991, në 97-ën nuk e di çfarë i shpëtoi kombit se u morën pushkët. E fundit që u bë me Bashën, një marrëveshje që gjoja do kontrollonte votimet, asgjë nuk ndodhi, votat u grabitën. Rama nuk e mblodhi njëherë qeverinë e përbashkët. Unë e quaj një eksperiencë negative. Nëse do kishte një skemë si RMV, që ta fusim në kushtetutë, 3 muaj përpara të vijë një qeveri teknike, do kishte vlerë.

Por në mënyrë të tillë, si do bëhet, kur do bëhet. Më duket si një kauzë që po krijohet sepse nuk ka një kauzë. Berisha në eksperiencën e vetë vendos një stekë të lartë që nuk mbërrihet dhe u thotë njerëzve të tij se po pengohet qeveria teknike dhe nuk do lejohen”, tha Shehi.

Sakaq, Shehi u përgjigj ndaj një deklarate të Sekretarit të Përgjithshëm të PL, Tedi Blushi, i cili e ka etiketuar si “pseudoopozitar” dhe “kec i Ramës dhe Bashës”.

Kreu i LZHK u përgjigj duke thënë se njerëzit e dinë se kush është, ndërsa shtoi se kreu i PL, Ilir Meta “nuk i bën nder opozitës shqiptare” pasi linja e forcës së tij politike “është një zigzag për interesa të caktuara”.

“Unë mund të jem edhe ky që thonë këto, por nuk ma ha mendja se e beson njeri me dy gramë tru. Presidenti i Ramës ishte Ilir Meta, kryetar i parlamentit me Ramën kur erdhi ishte Meta. Meqë qenkam i Ramës i kisha bërë unë këto punë. Linja e LSI-së është një zigzag për interesa të caktuara dhe nuk besoj se Meta i bën një nder opozitës shqiptare.

Blushin e kam pasur edhe unë zëdhënës, ishte më i sinqertë atëherë. Nuk merrem unë as me Blush as me…Mua nuk më tremb fare kjo punë, më bën nder të madh. Shqiptarët e dinë kush është Dash Shehi, e ka bërë edhe Rama në mes të Parlamentit”, u shpreh ai.

Olsi Rama paraqitet në SPAK për herë të dytë

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Olsi Rama tha se është thirrur si person në dijeni për çështjen “Xibraka”.

“Për çështjen “Xibraka” isha si person në dijeni, dhashë shpjegimet e mia. U pyeta për gjëra që dini dhe ju, sqarova situatën”, deklaroi Olsi Rama.

Vëllai i kryeministrit u paraqit për herë të parë në SPAK më datë 28 qershor, ku u pyet për të njëjtën çështje

“Çmimet e biletave në TKOB, aq sa në Royal Opera”, deputetja e PD: Edhe një kënaqësi të vogël do t’ua mohoni shqiptarëve?

Deputetja demokrate Flutura Açka është shprehur kritike në lidhje me çmimet e vendosura për biletat në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Ajo u shpreh se ky institucion financohet, mbrohet dhe rikonsruktohet, mbështetet tërësisht nga shteti që të prodhojë art të paklasifikuar për njerëz me shumë para ose jo me aq shumë para.

Sipas saj çmimet e vendosura prej 2500, 3500, 5000 lekë për biletat janë të barasvlefshme me ato të Royal Opera.

Reagimi i plotë:

Ndërsa ndiqnim ujkun, çakalli bënte kërdinë
Teatri Operas dhe Baletit është institucion kulturor shtetëror. Financohet, mbrohet, rikonsruktohet, mbështetet tërësisht nga shteti që të prodhojë art të paklasifikuar për njerëz me shumë para ose jo me aq shumë para.
Art i mundashēm për shqiptarë të mundshëm.
Pra, është krejtësisht buxhetor.
Edhe një kēnaqësi të vogël, mes minimumit tê ngjarjjeve kulturore që ka Tirana – se nuk po flas për më tutje – do t’ua mohoni shqiptarëve?
Ka pensionistë dhe rrogëtarë qe do të donin ta shihnin, por të ardhurat i kanë trefishin e biletës.
Po e privatizini kêshtu Teatrin e Operas dhe Baletit?
Biletat 2500, 3500, 5000 lekë.
Plazhin për të kamurit, gjelbërimin për të pasurit, dhe artin për parallinjtë.
Dhe thoni përse ikin shqiptarët?! Kaq kushton bileta në Royal Opera, jo në Tiranë.