24.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Avionët F-16 do fluturojnë mbi qiejt e Ukrainës këtë verë, por a ia zgjidhin problemin e luftës?! Nga kohëzgjatja e procesit, tek trajnimi i pilotëve, çfarë e zemëroi Kievin

Grupi i parë me avionët luftarakë F-16, prodhim amerikan, do të mbërrijë së shpejti në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda. Ata do të fluturojnë mbi qiejt ukrainas këtë verë, tha të mërkurën sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

 

Kohëzgjatja e procesit, nga prokurimi i avionëve luftarakë dhe trajnimi i pilotëve ukrainas e deri te fluturimi i tyre, e ka zemëruar Kievin.

Rusia ka pasur kohë për ta përgatitur mbrojtjen në përpjekje për ta asgjësuar ndikimin e avionëve F-16, ndërkohë që Ukrainës i është dashur të mbijetojë me një mbrojtje të dobët ajrore, e cila është shumë më e vogël sesa mbrojtja ajrore e sofistikuar e armikut.

Më poshtë mund t’i lexoni disa fakte për mënyrën se si avionët F-16 mund ta ndihmojnë Ukrainën dhe për pengesat me të cilat përballet ajo për përdorimin e tyre.

Ndikimi i mundshëm

Disa analistë thonë se vetëm avionët F-16 nuk do të dëshmohen si pikë kthese në luftën pushtuese që Rusia e nisi në shkurt të vitit 2022.

“Duhet ta ndani simbolizmin nga ndikimi i mirëfilltë në fushëbetejë – i cili do të jetë i dobishëm por i thjeshtë, posaçërisht në fillim”, tha Mark Cancian, këshilltar i lartë për Programin e Sigurisë Ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

Serhii Kuzan, kryetar i Qendrës Ukrainase për Siguri dhe Bashkëpunim, një grup hulumtues joqeveritar, tha se nevojiten së paku 60 avionë për operacione të mëdha në përpjekjet e Ukrainës për ta zmbrapsur aviacionin rus matanë kufijve të vet.

Ligjvënësja Oleksandra Ustinova, e cila e udhëheq komisionin parlamentar të Kievit për armët dhe municionet, tha se Ukraina ka nevojë për gati 120 avionë F-16, për ta forcat dukshëm mbrojtjen ajrore.

Derisa pilotët fitojnë përvojë në qiejt ukrainas dhe ushtria ndërton infrastrukturën ajrore, dërgesat e para mund ta ndihmojnë Ukrainën së paku ta forcojë mbrojtjen e vet ajrore, thonë ekspertët.

“Do të ofrojnë paksa mbrojtje ajrore dhe, mbase, do të ndihmojnë për t’u mbrojtur kundër Shahedëve [dronëve të prodhimit iranianë] dhe kundër raketave lundruese”, tha Justin Bronk, hulumtues i lartë i teknonologjisë dhe fuqisë ajrore në Royal United Services Institute (RUSI).

Ushtria ukrainase ka punuar fort për ta kufizuar kërcënimin ndaj avionëve F-16 në muajt e fundit, duke i sulmuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë, sipas Kuzanit.

“Formimi i fushëbetejës, posaçërisht në jug, është duke ndodhur tashmë. Ukraina ka armë për ta sulmuar vazhdimisht mbrojtjen kryesore ajrore të Rusisë”, tha ai.

Pilotët dhe mirëmbajtja

Trajnimet do të jenë vendimtare. “Mund të kesh shumë avionë luftarakë të shpejtë, por nëse ata nuk kanë armë efektive dhe ekuipazh për t’i përdorur ata me taktika efektive, atëherë ata do të rrëzohen me shumicë”, tha Bronk.

Kohëzgjatja e trajnimit të pilotëve ukrainas për përdorimin e avionëve F-16 ka qenë tema kryesore e bisedimeve për dërgimin e më shumë se 70 avionëve luftarakë që i janë premtuar Ukrainës.

Deri në fund të këtij viti, Ukraina pret t’i ketë së paku 20 pilotë të gatshëm për t’i fluturuar avionët F-16, thotë Ustinova.

Sipas saj, në fillim Ukraina do të ketë më shumë avionë F-16 sesa pilotë të kualifikuar.

“Nuk është në rregull të presim në radhë për 10 vjet derisa pilotët tanë të jenë të trajnuar”, shtoi ajo.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se pyetet për trajnimet duhet t’i drejtohen Ukrainës dhe kanë theksuar se pilotët mund të stërviten edhe në Evropë. Megjithatë, Bronk tha se kapacitetet e NATO-s janë të mbingarkuara tashmë.

Ai shtoi se mirëmbajtja e avionëve është sfidë edhe më e madhe sesa trajnimi i pilotëve.

Ai theksoi se shumica e mirëmbajtjes dhe ndreqjeve duhet të kryen brenda Ukrainës dhe se asaj mbase do t’i duhet të varet nga kompani të huaja që e njohin këtë lloj avioni.

Bazat ajrore të kërcënuara

Rusia i ka rritur tashmë sulmet ajrore në infrastrukturën e cila mund të përdoret për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e avionëve F-16, sipas disa ekspertëve.

“Rusia po i sulmon të gjitha fushat ajrore, bazat e mundshme të avionëve F-16, çdo ditë, dhe po tenton t’i dëmtojë pistat ajrore dhe infrastrukturën. Këto sulme nuk kanë pushuar në dy muajt e fundit”, tha Kuzan.

Objektivat do të bëhen edhe më të cenueshme kur të mbërrijnë avionët, pilotët dhe ekipet mirëmbajtëse.

Kjo me gjasë do ta detyrojë Ukrainën të vendosë kundërajrorë për t’i mbrojtur ata, edhe pse ajo përballet me mungesë kundërajrorësh dhe municionesh për ta.

“Ne duhet ta pranojmë faktin se fushat ajrore do të jenë të mbrojtura shumë mirë kur të sulmohen objektivat civile”, tha Kuzan, duke shtuar se çdo bazë do të ketë nevojë për së paku dy kundërajrorë Patriot dhe dy bateri NASAMS, për t’u mbrojtur.

“Sapo t’i përforcojmë aftësitë tona luftarake, ne do t’i zmbrapsim avionët luftarakë të tyre dhe terrori do të marrë fund. Por, dy muajt e parë do të jetë vërtet të vështirë”, shtoi Kuzan./REL

I nxehti afrikan mbërthen Shqipërinë/ Lajda Porja: Në fundjavë priten temperatura ekstreme

Shqipëri është përfshirë nga mot i nxehtë, ku temperaturat kanë arritur mbi 40 gradë. Këtë të premte, gjatë një interviste në emisionin “7pa5”, sinoptikania Lajda Porja, bëri me dije se termometri të shtunën dhe të dielën, do të shënojë 42 gradë në hije.

Përveç temperaturave të larta, prezent do të jetë edhe hiri saharian, ç’ka do të bëjë që i nxehti të ndihet edhe më tepër.

“Sot do të jemi në temperatura 38-39 gradë. Do të ketë vlera 40 gradë Tirana, Fieri, në Elbasan 41 gradë dhe në Gjirokastër 41 gradë. Ndërkohë që pjesa tjetër e territorit luhatet nga 37-39 gradë.

Përsa i përket vijës së bregdetit është pak më freskët. Nga Velipoja deri në Sarandë e Ksamil, termometri do të shënojë 37-39 gradë, ndërsa në zonat malore, temperaturat do të jenë në veri lindje. Kukësi dhe Hasi do të jenë me temperaturat 38-39 gradë dhe pak më freskët nëse mund ta quajmë kështu, do të jetë zona e juglindjes, qarku i Korçës, ku temperaturat do të regjistrohen 36 gradë celsius.

Rënia që presim sot në mesditë do të rritet nesër. E shtuna do të shënojë sërish 42 gradë dhe parashikohet që edhe dita e dielë të mos ketë ndryshim.

Qarku i Gjirokastrës dhe Beratit do të shënohen temperaturat 42 gradë këtë fundjavë. Parashikohet që moti të jetë i kthjellët, por hiri i Saharasë do të jetë prezent dhe qielli nuk do të duket i pastër. Do të ketë vranësira të lehta dhe kalimtare. Janë rritur ndjeshëm vlerat minimale, ku mëngjeset janë shumë të nxehta”, tha Porja.

Ajo shtoi se prej disa ditësh vala e nxehtë afrikane ka përfshirë Ballkanin dhe Shqipërinë, edhe pse dita e sotme ka sjellë një rënie shumë të lehtë, do të thoja të pandjeshme 0.5-1 gradë në të gjithë territorin shqiptar, pasi dita e enjte shënoi temperatura mjaft të larta, 42 gradë maksimumi në rang territori. Madje ka pasur temperatura të larta në Koplik, në Shkodër.

Temperatura mjaft të larta janë shënuar ditën e djeshme në qarkun e Elbasanit, Beratit dhe Gjirokastrës.

Regjistrimi i popullsisë, publikohen rezultatet: Kosova ka 1.58 milion banorë! Ja sa janë regjistruar në Diasporë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe sipas këtyre të dhënave, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha se të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë planifikohet të publikohen në fund të vitit.

Ai tha se nuk pritet të ketë dallime të mëdha nga të dhënat paraprake, duke theksuar se sipas praktikave edhe në vendet e rajonit, ndryshimi mund të jetë nga 1 deri në 3 për qind.

Regjistrimi i popullsisë u krye në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.

Kastrati tha se në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon. Aktualisht, sipas tij, në diasporë janë regjistruar rreth 600.000.

Sa i përket regjistrimit të komunitetit serb, ASK, tha se procesi u bojkotua në masë të madhe në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ndërkaq, serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit.

Të dhënat paraprake të regjistrimit tregojnë se mosha mesatare në Kosovë është rritur. Më 2011, mosha mesatare në vend llogaritej të jetë rreth 30 vjeç, ndërkaq tani është 34.32.

Gjatë prezantimit të të dhënave u tha se nëntë komuna kanë pasur rritje të popullsisë, ndërkaq 29 të tjera ka pasur rënie. Fushë Kosova prin me rritjen më të madhe prej rreth 84 për qind. Në këtë komunë po ashtu jetojnë më së shumti persona në një metër katror, përkatësisht 762.

Gjatë ngjarjes ku u publikuan të dhënat paraprake, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë ishte ndër projektet më me prioritet të ekzekutivit që ai udhëheq.

Kurti tha se të dhënat e këtij procesi do të shërbejnë që institucionet të bëjnë shpërndarjen e barabartë të burimeve dhe të marrin vendime më të mira.

“Pa të dhëna të sakta, pa statisitika edhe vendimet mund të mos jenë cilësore”, tha Kurti.

Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë i realizuar më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte rreth 1.7 milion. Procesi ishte bojkotuar në masë të madhe nga serbët./REL

“Burgu dhe pasuria”, Poli Hoxha zbulon çfarë i bashkoi Metën e Berishën në protestën para kryeministrisë

Gazetari Poli Hoxha i ftuar në Frontline, tha se Ilir Meta dhe Berisha kanë një hall të përbashkët: SPAK. Kjo është dhe arsyeja përse Meta ndodhej në protestë për të mbrojtur veten.

Poli Hoxha vuri re faktin se gjatë protestës pati një abandonim ndaj ish deputetit të Bashës, Kreshnik Çollakut nga turma berishiste

Protesta ka vetëm një kauzë, Lironi Berishën dhe hajt të zhbëjmë SPAK. Këto protesta nga partitë vetëm Shqipëria po i bën. Edhe Vuçiçi kur thërret 100 mijë veta i thërret në emër të nënës Serbi dhe jo në emër të partisë së vet. Vetëm ne bëjmë protesta për partitë.
Meta u tregua I sinqertë e nisi me Dum Dumanin dhe e mbylli me Dum Dumanin. Ka më personale sesa kjo.  Edhe këtë xhaketën po të më marrësh e ke me mua, jo të më marrësh pasurinë, të më bësh prangat e qelinë. Ka më personale sesa burgu e pasuria

Hoxha tha gjithashtu, se në atë protestë u kërkua të gjendej një demokrat që është larguar nga Basha për tiu bashkuar Berishës.

Protesta – funeral i idhujve të rremë…!

Nga Azgan Haklaj

Protesta e djeshme e thirrur nga Sali Berisha nuk ishte vetëm një deshtim por në tërësinë e saj një vetdiskretitim.
Dje u pa qartë që “kryerithemeluesi” Berisha në fakt rezultoi haptas të jetë një kryemashtrues i kauzave te demokrateve, opozitareve dhe gjithë shqiptarëve.
Radiografia e saktë e ketij tubimi ishte e paralajmëruar!
Presion rruge duke keqpërdorur disa demokratë ndaj Shteteve te Bashkuara të Amerikës për dizenjimin “non grata” si dhe kundër krijesës së brishtë të tyre por me rezultate sistematike kundër krimit e korrupsionit me emrin SPAK.
Oratorë që më shumë ngjanin si rapsodë popullor privince ishin zgjedhur të dobët e pa peshë politike që vemendjen ta pushtonin dy kriminelë të deshmuar të pluralizmit 30 vjeçar:
Sali Berisha e Ilir Meta.
Ujdisë tashmë të denoncuar Berisha-Rama për të ndaluar me ç’do kusht vrullin e organeve të reja anti-korrupsion qoftë dhe bashkim të paprinciptë vullnetesh e votash, dje i ra totalisht makiazhi.
Duket qartë se regjizori i këtij tubimi vetëasgjesues ishte Edi Rama.
Përkundër lejimit të ndonjë shashke apo molotovi në dyert e kryeministrisë,Edi Rama ishte kujdesur që t’ju impononte edhe datën e protestës pasi ajo nuk kishte asnjë lloj domethënie përveç faktit të paralajmeruar në protokoll se Rama ndërkohë do te ishte në Washington mes liderve botëror të NATO-s.
Pra Berisha dhe Meta mes rreshtash të dekriptuar dhe lehtësisht të lexueshëm me stilin e tyre përvers po ju thonin në fakt shqiptarëve se ky regjim autokratik e i kriminalizuar mund të tundet aq sa mund te tundet Aleanca-Euroatlantike!
Një gjest i ndyrë me truke dekurajuese siç shpeshherë ka operuar Sali Berisha.
Po aq pa sens ishte dhe “vokacioni” nacionalist e sovranist në gervalljet e dyshes Berisha-Meta sidomos për Kosovës kur dihen bëmat e Sali Berishes me thyrjen e embargos ndaj Serbisë, qendrimin armiqsor kundër UÇK-së e Rambujesë apo krushqinë e Ilir Metës me kompaninë ajrore”Air Serbia” fill pas luftës së përgjakshme të Kosovës!
E kush mund të jetë ai kujtesë -shpëlarë të besojë atdhetarizmin e tyre kur jo vetëm suportuan por shndërruaan në kauzë politike e morale një kriminel anti-shqiptar, përfaqësues i qarqeve më të erreta panhelenike si Fredi Beleri?!
A ishin këta të dy “nacionalistë” që përshëndetën të parët Mickovskin pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut!
Ndërrimi i destinacionit në kulmin e tubimit drejt ndërtesës se bashkisë jo vetëm që e rrudhi atë në një tubim lokal por legjitimoi paprekshmërinë e Edi Ramës!
Një veprim infantin që i shkon shprehjes:
“Kur nuk mundemi të kapim pulën o burra ti turremi sorrës”.
Dhe laraska e zezë ishte Erion Veliaj.
Jo se ai nuk meriton protestë e ndëshkim por kjo kastë non gratash nuk ka moralin t’ja japë sepse vetë eshte damkosur e vulosur ndërkombtarisht per krim e korrupsion domethënës.
E për më tepër kur Erjon Velisë pasi i është burgosur shpura e tij, i eshte hapur hetim penal personal e familjar nga SPAK, një dublim i tillë është thjeshtë dublim mediokër i kompetencave të një institucioni i cili me mbështetjen e SHBA-ve po shndërrohet në makth për kriminelët dhe te korruptuarit e establishmentit.
Fakti i “harresës” së ndrikullës kontinentale të korrupsionit Belinda Balluku nga Berisha, ndonëse zyrat e saj janë ngjitur me ato të Erion Veliajt deshmon qartë e pa ekuivok se ishte shpërblimi për intervenimin e saj energjik në Gjykaten e Apelit për grabitjen e vulës e simboleve të Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha.
Përse kjo shurdhëri e indiferentizëm ndaj kancerit korruptiv të shekullit me emrin Balluku disa miliarda dollarësh në infrastrukturën tokësore, ajrore e navale të vendit pa përmendur skandalet energjetike kriminale në bashkepunim me kompanitë e Serbisë.
Pra konsipiracioni kundër demokratëve qendrestarë e Lulzim Bashës vazhdon ndonëse janë ndërruar autorët e paguar të skenarit ndërkontinental pas burgosjes nga drejtësia amerikane të McGonigal.
Dikush të cilit militantizmi ja rrudh gjykimin mund të përkëdhelet me faktin se dyshja Berisha-Meta leshuan shumë akuza për Edi Ramën!
Po cilat akuza?
Ato që shtypi më reputativ i kontinentit dhe globit ka vite që i përsërit!
Kjo është farsë e papranueshme dhe lehtësisht e identifikueshme.
Regjimet nuk rrëzohen me repriza e retorika bajate, por me doktrinë e program të qartë politik,ekonomik e social e Sali Berisha nuk e ka dhe as e tenton një gjë të tillë.
Ai thjesht po luan aktin e fundit të komedisë duke imituar dhelprën që le peng bishtin për të shpëtuar trupin dhe lekurën.
Ky regjim nuk rrëzohet me megafon as molotovë, por me votë të lirë të garantuar por Sali Berisha këtë e ka injoruar pasi që me dashje sabotoi e prishi komisionin zgjedhor duke pranuar sajesa sorrogato parlamentare si arnime për të fshehur prapanicën e ujdisë se tijë të bërë zhele me Edi Ramën.
Të shpresosh sot se pronari i izoluar i një bunkeri anti-amerikan në zemër të Europës EuroAtlantike mund të të sjellë në pushtet me e pakta është çmenduri.
Të besosh tek ai që jo vetëm e coptoi PD-në por e dhunoi e degradoi objektivin dhe vetë parimet më të qenësishme të ekzistencës së saj është marrëzi.
Ndaj është koha që vetë demokratët të braktisin “madhështinë” e marrëzisë së Sali Berishës.
E kjo duhet të ndodh me shpejtësi.
E për më tepër sot kur në ndihmë të demokratëve e shqiptareve janë SHBA-të dhe institucionet e reja të drejtësisë që me prova të frikshme po demontojnë këta përbindësha të korrupsionit e krimit në kurriz të shqiptarëve duke mbjellur vetëm varfëri, mungesë shprese, pesimizëm e depopullim.
Besoj në zgjimin e maturitetin e demokratëv qendrestarë euroatlantikë dhe tek mazhoranca e shqiptarëve duke pasur si postulat thënien e të madhit Viktor Hygo:
“Se kur popujt zgjojnë inteligjencën e tyre vetëm atëherë ata do të jenë sovran”.

Protesta përfundoi. Po tani?

Ardi Stefa

Protestat janë i vetmi mjet që të kujtohemi se jetojmë në demokraci!

Çdo protestë kundër vjedhjes, plaçkitjes, varfërisë; çdo protestë për dinjitetin dhe të ardhmen është e ligjshme!

Secili në Shqipëri secili ka nga një arsye për të protestuar: kundër varfërisë së ulur këmbëkryq, rritjes së çmimeve, arsimit të shkatërruar, shëndetësisë në gjendje mjerane; shpopullimit, largimeve masive të shqiptarëve, sidomos rinisë; kundër korrupsionit, kundër shpërdorimit e vjedhjes së pasurive publike…

Madje edhe protesta e djeshme e thirrur nga PD për arsyet e mësipërme, ishte një protestë, e cila duhet të tregonte se shoqëria shqiptare ka ende puls, ka ende dëshirë për reagim e ndryshim…

Por pas përfundimit të saj nuk mund të mos kërkojmë të analizojmë atë çka pritej, atë çka ndodhi dhe atë çka do të vijë.

Fillimisht duhet të kuptojmë se protestat e partive politike kishin kuptim në vitet ’90; kishin vrull, mesazhe, dinamizëm. Sot janë janë të dobëta, sepse ka ikur koha e tyre.

Protesta e djeshme kishte mijëra njerëz, demokratë idealistë, të cilët me dashje ose pa dashje, me entusiazëm mbështesnin deputetët, ish-deputetët dhe aspirantët për një vend në parlament.

Ata protestues idealistë meritojnë respektin më të thellë. Vallë e meritojnë respekt ideatorët, projektuesit dhe zbatuesit e një proteste që nuk rezultoi siç ishte thirrur?

Por protesta e djeshme kishte pak entusiazëm dhe shumë më pak njerëz nga protesta e 7 korrikut 2022 dhe nga protesta e 20 shkurtit.
Sepse opozita ka ngelur e ngërthyer tek e shkuara dhe nuk gjen as ide të reja, as mesazhe të reja e frymëzuese, as njerëz të rinj.

Data e zgjedhjes së protestës ishte jo fort e përshtatshme, pasi sot në Washington kremtohej 75 vjetori i krijimit të NATO-s, i cila u kurorëzua me nënshkrimin e një dokumenti, në të cilin theksohej kërkesa për stabilitet të Ballkanin Perëndimor dhe mbështetje e pakufizuar për Drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. Dhe kjo protestë e thirrur kundër varfërisë, shpopullimit, korrupsionit të qeverisë rezultoi se kishte në fokus sulmin kundër SPAK dhe drejtësisë. Denoncojnë korrupsionin e qeverisë së Ramës, por duke sulmuar SPAK dhe Drejtësinë bashkohen me Ramën…

Protesta jam i bindur se ishte thirrur për t’u treguar njerëzve se sa ishte rritur PD pas marrjes së vulës dhe të logos. Por numri i protestuesve tregoi se nuk janë rritur ndjeshëm.

Protesta u thirr për rotacionin, ndërkohë që rotacionin në Shqipëri nuk e pengojnë amerikanët e ndërkombëtarët, por kjo elitë politike që refuzon me kokëfortësi të largohet dhe i thotë popullit: “Ose na votoni ne, ose vrisni veten!”. Dhe, opozitarët, që janë shumicë nuk fitojnë dot, kur alternativa e vetme janë ata. Shumica e deputetëve ishin veshur me bluza ku shkruhej “Free Berisha” dhe vetëm Bardhi e disa të tjerë ishin veshur me këmisha, duke përcjellë me imazhin e tyre mesazhin se janë ata që e “përdorin Berishën”. Ha ha ha…

Skenë pikante ishte pjesëmarrja “tek pullë” në protestë e kryetarit të PPSH (Partisë së Pensionistëve të Shqipërisë), Jenisherit, i cili i bënte fresk vetes me një freskore të vogël kineze me bateri.

Protesta u çel nga një aktor, i cili kërkonte veprime radikale dhe lirimin e Berishës; pastaj foli një mësuese, e cila ka thënë se “Shqipëria është prostitutë”; pastaj një profesor, që kërkoi thjesht lirimin e Berishës, siç e kërkoi pas tij edhe një mjek. Ndërkohë që kur u tha emri i Metës dhe ushtuan daullet, mendova se do të kërcente në skenë “Vallen e shqipeve” dhe u tremba. Por kur dëgjova në mikrofon përçartjen e tij kundër SPAK-ut, Dumanit, këshilltarëve dhe opozitarëve, Vuçiçit e Ramës; kur u kthye tek fermerët për ta mbyllur me kërcënimin se Berisha duhet liruar me çdo kusht, mendova se më mirë do ishte të kërcente.

Fjalimi i Berishës, ishte fjalimi më i dobët dhe pa entusiazëm i tij që kam dëgjuar ndonjëherë. I përmbledhur në 5 rreshta ishte fjalim kundër SPAK-ut dhe Drejtësisë, deklarimi se shqiptarët janë sovranë dhe nuk varen nga të tjerët, kërcënimi i 190-të ndaj Ramës se “O sot, o kurrë” lideri i opozitës që mbahet në arrest padrejtësisht duhet të lirohet dhe se Rama duhet të lejojë krijimin e qeverisë teknike…
Dhe bam- bum molotovët…

Jo rastësisht në miting folën vetëm dy politikanë: Meta e Berisha!

Dhe, menjëherë pas fjalimit të Berishës, u bë thirrja më e pakuptimtë e kësaj proteste të pakuptimtë, që të drejtoheshin drejt Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër lali Erit.

Fatkeqësisht protesta kombëtare u kthye në lokale, teksa u kërkohej protestuesve nga Berati, Delvina, Pogradeci e Shkodra, Mirdita e Fieri të protestonin para zyrës së Veliajt…
Përsëri disa bomba molotov.

Pas bashkisë iu drejtuan selisë së PD, ku Noka shpalli mbylljen e protestës dhe kauzën e vërtetë: “Lirimin e Berishës dhe qeverinë teknike!”. Shyqyr që nuk këndoi himnin kombëtar duet me Gaz Bardhin…

Por, e realizoi qëllimin protesta e djeshme?

Jo! Sepse ishte copy paste e protestave të mëparshme. Ide nuk kishte, alternativa reale përsëri nuk u paraqitën, as zgjidhje për një lidership të ri, i cili mund t’i hapë rrugën rotacionit brenda opozitës, në mënyrë që opozita të mbështetet masivisht nga populli për të ardhur nesër në pushtet.

Megjithëse thuhet se pas protestës Rama nga Washingtoni miratoi kërkesën për qeverinë teknike me Bardhin dhe Gjekmarkajn ministra; Dumani firmosi lirimin e Berishës; Erion Veliaj pranoi që është hajdut, i la bashkinë Belindit dhe pastaj kërkoi vetë që t’i vinin prangat, për t’i lënë pa protestë të enjten…

Dashamir Shehi për Metën: Bën qesharake luftën antikorrupsion, të shkojë të përballet si burrat në SPAK

I ashpër ka qenë Dashamir Shehi me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe pjesëmarrjen e tij në protestën e opozitës, ku sipas tij mesazhet e vetme që dha ishin për të mbrojtur veten dhe familjarët nga prokurorët që i vijnë vërdallë, duke ia vënë fajin sistemit.

Për Shehin, nëse kërkon që ta bësh qesharake luftën kundër korrupsionit në vend, merr Ilir Metën dhe hipe në podium, njësoj si bëri opozita një ditë më parë.

“Ne që nuk besojmë te Berisha dhe Meta. E kishim harruar këtë të fundit dhe na doli dje në tribunë. Qëllimi ishte që të hipte atje të thoshte ato Dum Dumanët, të shante prokurorët që i vijnë vërdallë.

Në vend të që të përballet si burrat për atë që kanë bërë ia venë fajin sistemit. Që Berisha mund të qahet dhe të bërtasë, i ka nja dy të drejta, pasi po mbahet në arrest për një çështje administrative, unë do e kisha nxjerrë nga burgu që mos bëjë heroin nga penxherja. Se u bë mit.

Po ky tjetri çfarë do në tribunë. U bë presidenti i Edi Ramës, u votua me sallë bosh që nuk ka ndodh ndonjëherë. Nuk i luajti qepalla. Ishte kreu i Kuvendit të Ramës, dhunonte deputetët.

Nëse do ta bësh qesharake temën antikorrupsion, hip këtë në tribunë. Nuk mund ta bëjmë qesharake opozitën për interesat e një familje apo dy familjeve”, tha Shehi në A2 CNN.

Prodhimi i qumështit ndjek rënien e blegtorisë, 8% më pak 2023

Sasia e qumështit të grumbulluar vitin e kaluar shënoi rënie me 8% në krahasim me vitin 2022, raportoi INSTAT në vrojtimin e bërë me kompanitë e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit në vend.

Prodhimi i qumështit është rrjedhoje e rënies së numrit të bagëtive, të cilat vitin e kaluar ishin 11% më pak se në 2022 për secilën kategori.

Në vitin 2023, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 101 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8,0%, krahasuar me 2022.

Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 80 mijë tonë, duke pësuar rënie me rreth 7,6%, krahasuar me 2022.

Sasia e grumbulluar e qumështit të deles, në vitin 2023, është rreth 13 mijë tonë, duke shënuar rënie me rreth 10,6%, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 8 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8,2%, krahasuar me vitin 2022.

Nga sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar, rreth 13 mijë tonë është përdorur për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, pjesa tjetër shkon për përpunim. Struktura e qumështit të prodhuar për konsum dominohet nga qumështi i plotë i përpunuar 88,2%, qumështi gjysme i skremuar 8,1%, qumështi i papërpunuar 3,2% dhe qumështi i skremuar 0,5%.

Sasia e prodhuar e djathit gjithsej pësoi rënie me 7,7%. Ndërkohë djathi i prodhuar nga qumështi i dhisë shënoi rritje me 0,6%, djathi i prodhuar nga qumështi i deles shënoi rënie me 12,9% ndërsa djathi i prodhuar nga qumështi i lopës pësoi rënie me 7,3%. Sasia e djathit të prodhuar sipas fortësisë për vitin 2023, është: djathë i butë 49,0% djathë gjysmë i fortë 27,9%, të tjera prodhime të freskëta 14,4% dhe djathë i fortë 8,8%.

Sasia e prodhuar e gjalpit gjithsej për vitin 2023 është rreth 608 tonë, ku 98,2% e zë gjalpi tradicional dhe 1,8% e zë gjalpi i shkrirë.

Ndryshe nga të dhënat administrative, Anketa e qumështit dhe nënprodukteve të tij është një vrojtim statistikor që kryhet pranë ndërmarrjeve të cilat grumbullojnë dhe përpunojnë qumësht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Objektivi kryesor i vrojtimit vjetor të qumështit është të japë informacion të plotë për sasinë e qumështit të grumbulluar (të gjitha llojet e qumështit) dhe të nënprodukteve të tij. Të dhënat për qumështin e grumbulluar dhe nën produktet e prodhuara, objekt i këtij publikimi i përkasin vetëm sasisë që përdoret nga industria e cila zë vetëm një pjesë të prodhimit gjithsej të qumështit të njësive ekonomike bujqësore.

Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT në vitin 2023 në të gjithë vendin kishte 263 mijë gjedhë me rënie vjetore 11.5%

Ndërsa numri i të imtave shënoi rënie me 11.7 për qind. Me rënie 16% ishte edhe numri i derrave. Teksa me rritje ishin vetëm shpendët dhe kosheret me nga 2,6 dhe 8.2% secila.

Sipas të dhënave numri i gjedhëve në vitin 2023, është 263.385 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga lopët e qumështit me rreth 88,24% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Në vitin 2023, numri i të leshtave është 1.206.206 krerë. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 83,43% ndaj numrit gjithsej të tufës. Numri i të dhirtave në vitin 2023, është 640.242 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit me 79,96% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

34 vjet e njëjta gjë dhe asgjë e re!

Nga Alban Daci

– Të njëjtët

– Me të njëjtat premtime

– Me të njëjtat diskutime

– Ndonjëherë gjejnë disa personazhe jashtë korit, por përfitues të vetëm janë po atë të korit 34 vjeçar

– Përballë të njëjtës godinë

– Me egon e vetme për pushtet

– Shtiren sikur s’kanë qeverisur asnjëherë

– Citojnë rilandasit e vetë janë modeli tipik haxhiqamilist si simbolikë shtetërore dhe modeli politik.

Muzika vazhdon e për fat të keq ky është tranzicioni i vetëm shqiptar që nuk po mbaron kurrë!

Teksa i shikoj përsëri këta që flasin në emër të demokracisë ndjej një keqardhje të madhe për vendin tim, për njerëzit e mi që kanë zgjedhur ose kanë mbetur të jetojnë në Shqipëri!

Këta pasanik që flasin për të varfërit!
Këta që kanë shpie e vila e flasin për shqiptarët që nuk paguajnë qiranë!

Këta që flasin për largimin e shqiptarëve e vetë po i shkollojnë në universitet më të mira e te shtrenjta të Perëndimit!

Këta që flasin për rrogat e shqiptarëve dhe vetë kanë pensione prej deputetësh, rrogë deputeti e privilegje të tjera e të tjera!

Këta që flasin për papunësinë e shqiptarëve e kanë 30 vjet që nuk ju ka thënë njeri punë e mbarë!
Këta flasin për sipërmarrësit dhe janë pjesë e çdo sipërmarrje!

Këta flasin si njerëz të oborrit, të mbyllur në kështjellë për njerëzit e thjeshtë që kanë mbetur jashtë mureve e tentojnë të mbijetojnë me dinjitet e kur nuk ja dalin, me zhgënjim, por prapë me dinjitet zgjedhin të braktisin familjet e të marrin rruget e emigrimit!

Më vjen keq për Shqipërinë që ka akoma këta dhe unë s’jam dakord aspak se Shqipëria i meriton këta! Megjithatë jam plotësisht dakord se nuk janë ata për të cilën duhet të krenohet!

Këtyre duhet t’u hiqet e drejta të flasin në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve! Këta as veten e tyre nuk e përfaqësojnë më dhe jo të na përfaqësojnë neve!

Masat monitoruese të BE-së ndaj Rusisë, autoritetet malazeze ndalojnë transmetimin e programeve të 20 mediave ruse

Autoritetet malazeze ndaluan të enjten transmetimin e programeve të 20 mediave ruse, përfshirë shërbimin ballkanik RT (ish Russia Today ) dhe Sputnik. Me këtë vendim, Podgorica zyrtare vazhdon të veprojë në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian në masat monitoruese ndaj Rusisë, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.

Të gjithë transmetuesit u urdhëruan të ndërpresin programet e mediave ruse dhe të pezullojnë çdo marrëveshje për transmetimin ose shpërndarjen e përmbajtjes së tyre.

Shkelja e këtyre detyrimeve dënohet me gjobë deri në 40 mijë euro, sipas informacioneve të Agjencisë për Media Elektronike të Malit të Zi.

Ndërsa delegacioni i BE-së e përshëndeti përafrimin me politikën e tyre të jashtme, zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova e cilësoi veprimin e Podgoricës zyrtare si armiqësore.

“Vendimi i qeverisë malazeze është akt armiqësor i censurës së pa maskuar dhe këto veprime armiqësore nuk do të kalojnë pa një përgjigje të duhur”, tha zëdhënësja Zakharova.

Ndalimi i mediave ruse nisi pasi Rusia filloi sulmin e saj në Ukrainën fqinje në shkurt të vitit 2022. Dy muaj më vonë, Mali i Zi iu bashkua sanksioneve evropiane, por gjithashtu ndaloi transmetimin e disa shërbimeve të RT (ish Russia Today ) dhe Sputnik.

Që atëherë, qeveria e ka zgjeruar listën, kështu që ajo tani përfshin shtatë shërbime.

“Rusia i përdor të gjitha këto media për të përhapur qëllimisht propagandë dhe për të kryer fushata dezinformuese, duke përfshirë agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës”, tha zyra e Bashkimit Europian në Podgoricë.

Për ta kundërshtuar këtë, BE-ja ka pezulluar transmetimet dhe licencat e disa mediave të mbështetura nga Kremlini që përhapin dezinformata. Ajo vendosi gjithashtu sanksione ndaj organizatave të medias dhe individëve përgjegjës për propagandë dhe dezinformim./VOA