23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Eksportet nuk ndalin rënien, tkurren 12% për janar-korrik; tekstilet e këpucët në situatë të vështirë

Eksportet kanë vijuar me ecurinë negative edhe gjatë muajit korrik, të ndikuara nga rezultatet e dobëta të grupeve të mineraleve e lëndëve djegëse, produkteve ushqimore dhe të tekstileve e këpucëve, të ndikuara nga nënçmimi i euros dhe nga rënia e çmimeve nga mbiprodhimi në Europë për produktet bujqësore. Rënia e thellë është amortizuar disi nga ecuria e mirë e grupit të materialeve të ndërtimit.

Sipas të dhënave të INSTAT, Në Korrik 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke u ulur me -12,0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -4,1%, në krahasim me Qershor 2024.

Ritmet e rënies janë përshpejtuar sërish në raport me qershorin, kur tkurrja ishte 8.9%. Në maj, tkurrja me bazë vjetore ishte 12,4%. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8% me bazë vjetore. Në mars eksportet ishin tkurrur me 21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me 29.2%.

Gjatë muajit Korrik 2024, në uljen e eksporteve prej -12,0%, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -11,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,0 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -0,7 pikë përqindje, etj. Pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +1,4 pikë përqindje, etj.

Për shtatë mujorin eksportet kanë shënuar një tkurrje të fortë. Sipas INSTAT, Në këtë shtatëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 233 mld lekë, duke u ulur me -14,5%.

Për 7 mujorin, Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,2 pikë përqindje, etj.  Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,1 pikë përqindje, etj.

Tekstilet dhe këpucët në vështirësi

Në korrik, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend ranë me 13.2%. Për 7 mujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 65.3 miliardë lekë, me një tkurrje prej 17.8% me bazë vjetore.

Industria po vijon të vuajë pasojat e shumë faktorëve si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë.

Për periudhën janar-korrik 2023, një euro u këmbye mesatarisht me 112 lekë, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti këmbehet me 102 lekë, ose gati 10% më pak.

Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve.

Minerale, lëndë djegëse bien ndjeshëm

“Minerale, lëndë djegëse, energji” ishte grupi i dytë më i madh në vend. Në korrik, ky grup iu rikthye tkurrjes së fortë me 44.1%. Ky grup ndikohet nga ecuria e Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin. Për 7 mujorin, ky grup shënoi eksporte me vlerë gati 44 miliardë lekë, me tkurrje 27%. Në korrik, eksportet drejt Spanjës që është destinacioni kryesor i Bankës Petroleum u tkurrën me 53%.

Materiale ndërtimi dhe metale me rritje të fortë

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi i tretë më të madh në vend për 7 mujorin. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Në korrik ky grup përmirësoi ndjeshëm shitjet, me një rritje prej 21.3%. megjithatë për 7 mujorin, sektori është me një rënie prej 8.4%.

Tkurrje e fortë për Ushqime pije e duhan nga rënia e çmimeve

“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit ka shënuar ecurinë më negative edhe në korrik, ndonëse me ritme më të ngadalësuara, duke rëne me 5.6% në korrik, nga 32% që ishte tkurrja në qershor. Për 7 mujorin, ky grup ka rënë me 9.4%.

Eksportuesit pohojnë se tkurrja lidhet kryesisht me rënien e çmimeve për shkak të mbiprodhimit, ndërsa sasitë e eksportuara vijojnë të jenë të larta. Këtë vit ka pasur superprodhim në të gjithë Mesdheun, të nxitura nga çmimet e larta dhe moti i favorshëm, duke bërë që të ketë ofertë të lartë në Europë.

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive. Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në korrik eksportet ranë me 4.5%, ndërsa për 7 mujorin tkurrja është 7.7%.

Thellohet deficiti

Në këtë shtatëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 233 mld lekë, duke u ulur me -14,5%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 526 mld lekë, duke u rritur me 3,2 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 293 mld lekë, duke u rritur me 23,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Në Korrik 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke u ulur  me -12,0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -4,1%, në krahasim me Qershor  2024. Importet e mallrave arritën vlerën 85 mld lekë, duke u rritur me 21,1%, në krahasim me një vit më parë dhe 11,5%, në krahasim me Qershor 2024. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 52 mld lekë, duke u rritur me 59,6%, krahasuar me Korrik 2023 dhe 24,3%, në krahasim me Qershor 2024.

Ulen eksportet me Italinë dhe Spanjën

Në muajin Korrik 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2023 janë: Italia (9,0%), Spanja (53,4%), Maqedonia e Veriut (8,7%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (9,8%), Greqia (0,3%), Gjermania (0,8%), etj.

Gjatë këtij shtatëmujori vendi me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, është: Italia (14,1%), Greqia (21,6%), Gjermania (11,9%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (0,1%), Kina (25,7%), etj.

Në muajin Korrik 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Italia (5,7%), Kina (29,6%), Turqia (19,9 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: SHBA (5,2%), Spanja (8,3%), Kroacia (13,0%), etj.

Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (17,1%), Greqia (19,3%), Gjermania (6,0%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (2,9%), Kina (3,7%), Maqedonia e Veriut (9,4%), etj.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 56,9%, të gjithë tregtisë. Në Korrik 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,8% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,1% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (28,1%), Kina (9,2%), Greqia (7,3%) dhe Turqia (6,3%).

Shkëmbimet tregtare, për shtatëmujorin e parë 2024, me vendet e BE-së zënë 57,9 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Korrik 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,5% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (28,6%), Turqia (8,2%), Kina (7,7%) dhe Greqia (7,3%).

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Revista Monitor

“Ndrydhja, epitet homerik i pushtetit”

BEN ANDONI

Një ngucje e etur e medias, madje edhe tashmë në një nga muajt më të nxehtë të verës, kërkon të kuptojë se çfarë do të ndodhë në vjeshtën 2024 dhe paskëtaj, kur Shqipëria do t’u drejtohet kutive të votimit. Sikur të kemi ndërruar politikanët apo në Kuvend të jenë njerëz të tjerë, përpjekja është e tillë që të kuptohet se sa do ndryshojë dhe risitë. Në fakt, më së shumti është për të parashikuar se çfarë do të sjellin ndryshe politikanët e sotëm dhe si do të përshtatet i gjithë vendi ndaj tyre?! Veçse nëse do të kesh parasysh dy nga pohimet e Fukos për pushtetin, atëherë do kuptosh se gjërat ndryshojnë shumë pak ose më qartë gjithnjë në funksion të idesë së më të fortëve të politikës. “Pushteti as jepet dhe as këmbehet, e as nuk rimerret përsëri, porse vetëm ushtrohet dhe ekziston si i tillë vetëm në veprim, vetëm me aktin e ushtrimit të tij”. Këtij pohimi, Fuko, i shton edhe një të dytë: “Fillimisht pushteti nuk është ruajtje dhe riprodhim i marrëdhënieve ekonomike, porse në thelb dhe, para së gjithash, një raport force”. Dhe, një individi, institucioni apo çdoqoftë në Shqipëri i vjen një kërshëri po kaq e thjeshtë: nëse ky pushtet vetëm ushtrohet, çfarë është në vetvete ushtrimi i pushtetit?! Në të gjithë këtë argumentin, që e ka bazën te Fuko dhe përgjigja vjen po prej tij: “Pushteti është ai që ndrydh”.

Berisha e bëri më së miri si akt në kohën e tij, ku teprimi skajor i pushtetit dhe mbi të gjitha problemet ekonomike e detyruan, ashtu si paraardhësin e tij Nano ta linte qeverisjen, drejt kryeministrit “të ri” Rama, që pushtetin e ka forcuar në kurriz të klasës së mesme, barrëmbajtëses më të madhe të shtetit shqiptar dhe në një cinizëm skajor. Ky lloj pushteti, ku forca është e konsoliduar vetëm tek një njeri (mjafton të shikosh aktivitetet e socialistëve) ka bërë që ekonomia të jetë zë produktiv i pak individëve që kanë lidhje me pushtetin dhe ku informaliteti nuk di të ndalet. Si asnjëherë më parë, tashmë Shqipëria i ka të polarizuara klasat e veta. Menaxhimi dhe lejet mbi territor, ashtu si Berisha, paraardhësi i tij, kryeministri Rama i vendos në mungesë të një panjohurie të madhe publike. Ku të ashtuquajturat dëgjesa publike bëhen sa për t’u bërë dhe qytetet tona po mësyhen nga kulla, si shenjë fuqie e një pushteti, që do të mbetet në histori dhe përmes arkitekturës. Nëse do kesh parasysh atë që thoshte dikur Gëte se: Arkitektura është një muzikë e ngrirë, do realizosh se muzika e kësaj arkitekture që kemi ngado është e frikshme dhe me tonalitete që vret vetë muzikën e kësaj arkitekture pa asnjë identitet. Thjesht mbetja pas emrave të dëgjuar të studiove, që përdoren të lëbyrin vëmendjen publike dhe, eksperimentet për t’i pasur klientë nuk po krijojnë asnjë lloj impakti publik. Po të shkosh më andej, publiku nuk gjen më qetësi në profesionin e jetës dhe mbi të gjitha respektin e mundësive, kur arrin të flasësh dhe mundohesh për një gjë tënden. Shumë po ndihet kjo në vend. Apo të themi respekti për shqiptarin e thjeshtë: Për t’u vlerësuar së fundi apeli deri në ulërimë i deputetit socialist Braçe ndaj një oficeri të Krimeve në Lushnje, pasi ky i fundit arrestoi një qytetar që po riparonte çatinë e banesës së vet! Reforma të tëra, trumbetuar me zhurmë, kanë mbetur përgjysmë në zbatim, por më shumë të llogaritura keq, që po i japin dërrmën qytetarit të thjeshtë, i cili në masë po ikën nga vendi dhe më keq akoma: trendi ende nuk po mbaron. Dhe, shto më tej, ndërsa e dhëna e UNICEF për mbi 40% fëmijëve të kequshqyer duhet të trandte përgjegjësit, tek ne çdo gjë kalon thjeshtë, sikur të mos ketë ndodhur asgjë!

Eksperimenti politiko-social i Shqipërisë së sotme po provon më së miri trendët më të këqija që po merr shoqëria e sotme. Për fat të keq, opozita veç demaskimit (në fakt më mirë sesa ata e bën vetë media dhe ende si duhet Drejtësia) nuk po tregon një Shqipëri tjetër, atë që publiku ëndërron dhe mund ta kishte si limanin e vetëm të prehjes, në vend të largimit.

Në këtë logjikë, sociologu i njohur Zygmunt Bauman do e trajtonte këtë sens të shoqërive të sotme politike se “Nuk ka më ‘kufij natyrorë’, as nuk ka vende të dukshme për të zënë”. Të gjitha sot i kanë qeveritarët, që dinë sesi të mbeten në pushtet. Në shtjellën e vet, Bauman përmbledh në këtë qerthull edhe dy nga pasionet e tij rreth pabarazisë së lirisë së lëvizjes në shoqëri dhe humbjes së hapësirave publike, krahas natyrës së ndërlidhur të të dyjave. Ai e ndjeu fenomenin për shoqëri më të kultivuara duke sqaruar se shkëputja e përshpejtuar në shoqërinë moderne është prodhuar dhe përsëritur falë aftësisë së elitave për të lëvizur kapitalin, pasi drejtimi i punës kudo në botë po tregon që punëtorët duhet ta ndjekin atë me kushte gjithnjë e më shumë përkeqësuese në kurriz të tyre. Në të njëjtën kohë, kjo i bllokon njerëzit e sotëm në hapësira që përshpejtojnë më tej konsumizmin dhe zvogëlojnë ato hapësira publike, ku qytetarët mund të “takohen ballë për ballë, të përfshihen në takime të rastësishme, të përplasen dhe sfidojnë njëri-tjetrin, të flasin, të grinden, të debatojnë ose të bien dakord, duke shmangur gjërat e tyre private, problemet në nivelin e çështjeve publike”. Por, sot, ata që po jetojnë në Shqipëri po përballen jo thjesht me pasigurinë e madhe të jetës, por edhe me një ekonomi, që po bëhet shumë e rëndë për xhepat e tyre. Sërish, Bauman e ndjeu për shoqëritë e sotme globale, kur shkroi gjithashtu për ndryshimin e kulturës sonë politike, që kulmoi në Verbërinë morale të vitit 2013 dhe ai e cilësoi si: Humbja e ndjeshmërisë.

Në fakt, pushteti i sotëm, që kemi përballë po ndrydh sinqerisht natyrën, instinktet, varfëron klasat dhe kuptohet vetë individin. Në këtë logjikë të Fukos”, një përkufizim i tillë i pushtetit, i stërpërsëritur nga aq shumë ligjërime bashkëkohore, nuk është shpikje e re”. Më pas në argumentin e tij Fuko, rendit se titanët e filozofisë duke nisur nga Hegeli, pas tij, Frojd dhe Reich e kuptonin këtë natyrë të pushtetit. Por për Fuko, që nuk e jetoi këtë kohë, se vdiq pa e përjetuar qoftë rënien e Murit, metamorfozat e demokracisë në Lindje dhe krizat ekonomike kishte një logjikë të qartë për pushtetin, ku thuhej se: faktori ndrydhës është bërë një nga epitetet homerike të pushtetit. Ndaj, sot e gjithë herët, duke iu bindur logjikës së tij, duhet të merremi me mekanizmat ndrydhës, që në Shqipëri po na përballin për ditë e më shumë dhe në çdo fushë të mundshme të jetës, ku politika ushtron fuqinë e saj të pamatë e cinike.

(Homo Albanicus)

Deficiti tregtar arrin majat/ Shqipëria humbet 3 miliardë euro nga shkëmbimet tregtare për 7 mujorin

Defiçiti tregtar i vendit u rrit me gati 60 për qind në muajin korrik teksa Shqipëria përjetoi rënie të ndjeshme eksportesh dhe rritje masive të importeve. Instituti i Statistikave raportoi se gjatë muajit të kaluar eksportet e mallrave të kompanive shqiptare në tregjet e huaja u ulën me 12 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa importet u zgjeruan me 21.1 për qind.

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë po reflektojnë tashmë plotësisht forcimin e lekut kundrejt monedhave kryesore të botës, i cili gërryen konkurrueshmërinë e ekonomisë duke i bërë eksportet shqiptare më të shtrenjta për botën dhe importet nga jashtë më të lira se prodhimi vendas. Kjo situatë e shtyn ekonominë drejt defiçiteve të larta tregtare si një cikël korrektimi.

Në shtatë muajt e parë të këtij viti, deficiti tregtar i vendit arriti në 2.93 miliardë euro, duke përbërë nivelin më të lartë historik.

Eksportet
Kompanitë shqiptare eksportuan rreth 33 miliardë lekë ose milionë euro mallra në tregjet e huaja gjatë muajit korrik. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar kjo shifër është 50 milionë euro më e ulët. Sipas INSTAT, rënia e eksporteve ka ardhur kryesisht nga grupi minerale, lëndë djegëse dhe energji.

Eksportet e këtij grupi u ulën me 42 milionë euro krahasuar me korrikun e vitit të kaluar duke kontribuar me 11.3 pikë përqindje në rënien e ekporteve. Në vendin e dytë, grupi me rënien më të madhe të eksporteve ishte ai i industrisë fason. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve rana me 15 milionë euro krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa ato të ushqimeve u ulën me 2 milionë euro.

Si shtatë mujor eksportet totale të Shqipërisë në tregjet e jashtme ishin rreth 2.3 miliardë euro ose 400 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Importet
Në krahun hyrës, shkëmbimet tregtare kanë qenë më të vrullshme. Shqipëria importoi 850 milionë euro mallra nga jashtë gjatë muajit korrik me një rritje prej 140 milionë eurosh krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të INSTAT, grupi me rritjen më të fortë të importeve ishte ai i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit. Importet e këtij grupi u rritën muajin e kaluar me 45 milionë euro ose gati 25 për qind.

Në vendin e dytë ishin importet e materialeve të ndërtimit që u rritën me 37 milionë euro dhe më pas artikujt ushqimorë, importet e të cilave u rritën në korrik me 21 milionë euro.

Si shtatëmujor Shqipëria ka importuar në total 5 miliardë e 250 milionë euro nga bota me një rritje prej 160 milionë eurosh ose 3.2 për qind krahasuar me shtatëmujorin e vitit të kaluar.

Rritja e importeve në korrik sinjalizon një gjallërim të investimeve dhe ecuri të fortë të sektorit të ndërtimit siç dëshmohet nga zgjerimi i blerjeve të makinerive dhe pajisjeve si ai i materialeve të ndërtimit. Ose për shkak të rënies së konkurrueshmërisë, produktet shqiptare të këtyre dy grupeve po zëvendësohen nga importi.

Paralelisht rritja e importeve të ushqimeve sinjalizon konsum më të madh nga turizmi ose rënien e prodhimit vendas dhe zëvendësimin e tij nga importet, të cilat tashmë për shkak të lekut të fortë kushtojnë me lirë.

Megjithatë ky trend korrektues do të duhet të bëjë presion për zhvlerësimin e monedhës kombëtare teksa të paktën në aspektin e produkteve, Shqipëria ka humbur gati 3 miliardë euro valutë nga shkëmbimet tregtare në 7 muaj.

Thellohet skandali i mbetjeve toksike/ Institucionet shqiptare thonë se anijet u ngarkuan në Port pa autorizim

Zyrtarët shqiptarë thonë se po hetojnë se si 800 ton mbetje industriale të dyshuara të rrezikshme u transportuan nga porti i Durrësit pa autorizim, me destinacion Azinë Juglindore, pasi ngarkesa e dyshuar do të kthehet mbrapsht.

Ndërkohë, një anije AP Moller-Maersk A/S që transportonte disa nga ngarkesat e dyshuara shkarkoi kontejnerët në Singapor gjatë fundjavës, duke lundruar fillimisht pranë portit përpara se të ankorohej në një lëvizje të pazakontë. Rreth 40 kontejnerë që grupet mjedisore pretendojnë se mbajnë mbetje toksike pluhuri do të transferohen të hënën në një anije MSC Mediterranean Shipping Company SA që do t’i dërgojë ato sërish në Shqipëri, sipas faqes së internetit të gjurmimit të ngarkesave detare të MSC.

Maersk tha se po punon me autoritetet e Singaporit dhe MSC për të kthyer ngarkesën në Shqipëri. Për momentin, kontejnerët janë vendosur të mbërrijnë në portin Gioia Tauro të Italisë në fund të shtatorit, sipas të dhënave të gjurmimit.

60 kontejnerë të tjerë me mbeturina të dyshuara që janë aktualisht në bordin e një anijeje tjetër konteinerësh Maersk – që do të jetë në Singapor më vonë këtë muaj – do të kthehen gjithashtu në Evropë, tha Maersk.

Zyrtarët kanë punuar për të ndaluar dërgesën që kur Basel Action Network, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë toksike, informoi Tajlandën në fillim të këtij muaji se kontejnerët që ajo beson se janë të mbushura me pluhur potencialisht të dëmshëm të furrës me hark elektrik po shkonin në portin e saj.

Bloomberg News nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur se çfarë po transportonin anijet. Kompanitë që eksportojnë dhe marrin kontejnerët nuk janë identifikuar. MSC nuk iu përgjigj kërkesave për koment, ndërsa autoritetet e Singaporit thanë se nuk ishin në gjendje të komentonin ende. Maersk tha se asnjë nga kontejnerët nuk ishte deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, përndryshe do të kishte refuzuar t’i transportonte ato.

Ambientalistët kanë punuar për të penguar fluksin e plehrave nga vendet e zhvilluara në Tajlandë dhe vende të tjera të Azisë Juglindore – nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike që shpesh janë të mbushura me toksina. Sipas Konventës së Bazelit të Kombeve të Bashkuara, një pakt global i nënshkruar nga shumë ekonomi të zhvilluara, vendet duhet të japin pëlqimin që mbetjet të shkojnë në rrugën e tyre.

Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik, me destinacion përfundimtar Tajlandën e planifikuar për në fund të këtij muaji. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore.

Ndërsa anijet iu afruan Cape Town, zyrtarët e Afrikës së Jugut gjurmuan anijet dhe vendosën një plan që përfshinte marinën, policinë, autoritetet portuale dhe departamentin e mjedisit për të kryer një inspektim të plotë kur anijet të ankoroheshin, tha një zëdhënës i Departamentit të Pyjeve, Peshkimi dhe Mjedisit. Pas komunikimit me Maersk, kompania i tha Afrikës së Jugut se anijet nuk ishin planifikuar të ankoroheshin atje dhe do të vazhdonin rrugën për në Singapor.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë nuk kishte dhënë autorizim për eksportin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, sipas zëdhënësit Erjon Uka. Forcat ligjzbatuese shqiptare po kryejnë hetime me Zyrën Kundër Mashtrimit të Bashkimit Evropian për “rrethanat dhe të gjitha lidhjet logjistike që kanë kryer këtë transport të dyshuar nga Evropa në Azinë Juglindore”, tha ai.

Mbetjet dyshohet se vijnë nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë një kompleksi metalurgjik në Elbasan, pranë Durrësit, tha ai.

Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.

“Konventat ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas në përputhje me to, parashikojnë një sërë detyrimesh për prodhuesit dhe transportuesit e mbeturinave të tilla”, tha Uka. “Zbatimi i këtyre detyrimeve është gjithashtu objekt i hetimeve në vazhdim”./Kapitali.al

 

Azgan Haklaj: Quo vadis Ilir Meta?

Nga Azgan Haklaj

Këto ditë përvëluese të verës i vetmi atraksion humori politik përveç ballkonit rutinë të Sali Berishës ka qënë edhe ortaku i tij në shkatërrimin e Shqipërisë Ilir Meta (Metaj).
Ky i fundit i gjetur po ashtu jo vetëm i pashpresë riparimi e faktorizimi politik kërcen si pagan e noton përrua më përrua dhe kënetë me kënetë si bretkocë duke përfituar qindra meme qesharake në rrjetet sociale për të cilat dhe Lekë Plepi i dikurshëm do ja kishte lakmi.
Në ndërmjetsa pushimi Ilir Meta organizon konferenca shtypi ku demostron dhunën dhe presionin mbi drejtësinë, kryesisht mbi SPAK-un.
Me kode mafioze ai publikisht ushtron presion të hapur dhe mbi bankat pasi duket se nga brenda ka info që llogaritë e veprimet e tij kriminale korruptive tani janë dekonspiruar e jane në dorën e drejtësisë.
Mitomani Metaj kërcënon me falimentim bankën athua së është fondacioni Besa, CEZ DIA, opo LSI që ia ndërroi emrin brenda natës dhe e quajti Partia e Lirisë.
Si gjithmonë në ethet e papërgjegjshmërisë ditë më parë ai publikisht kontestoi euroatlantizmin si opsion e direksion të partisë së tij (anipse është thirrur LSI) dhe trumbetoi duke i rënë tavolinës me grusht se ishte patriot dhe sovranist dhe se ka udhërrefyes të tij Bajo Topullin dhe se e donte shumë Kosovën!
Por pa kaluar disa orë ai e përgënjeshtroj “patriotizmin” e tij me një vizitë të befasishme në Maqedoninë e Veriut ku u prit nga treshja anti-shqiptare, pro ruse e anti euroatlantike, Mickoski, Nikolski e Misajllovski.
Eshtë kjo treshe që së bashku me Ivan Stoilkoviç-in sot drejton qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e cila jo vetëm kërkoi prishjen e Marreveshjes së Ohrit, Marrveshjes së Prespës, prishi Marrveshjen e Përzhinos, por dhe linçimin e denimin e UÇK-së.
Zv kryeministri Stoilkoviç nuk njeh pavarsinë e Kosovës, dhe i quajti banditët e Banjskës të Raidoiçiçit heronj, të cilët synonin ndarjen e Mitrovicës e destabilizimin e Kosovës.
Vizita nuk ishte e rastësishme siç nuk ishte rastësi as ajo e Albin Kurtit në Shkup pasi u krye fill pas dhunimit të paprecedent të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani me porosi pikërisht të treshes famëkeqe maqedone që pritën Ilir Metajn.
Pra pas skenave qesharake të Ilir Metës me divorce estradë si të Bes Kallakut ai nuk harron ti bëjë shërbim faktorit anti shqiptar në Ballkan e më gjërë.
Kjo është e palejueshme edhe për një bari dhishë që deshiron të quhet shqiptar e kur këto veprime kryhen nga një politikan që ka qënë dhe kryetar shteti nuk ka emërtim tjetër përveçse fjalës tradhëtar.
Këto makabritete e paturpësi politike siç ishte dhe rasti i belerizimit e helenizimit të
Himarës do të ndëshkohen natyrisht me votë, por kur bëhet fjalë për veprime të hapta në dëm të interesave kombëtare duhen të gjënden hapsirat kushtetuese ndëshkuese ligjore për ti ndaluar.
As Sali Berisha, as Ilir Meta e as Edi Rama nuk janë padronët e kombit ndonëse të përkundur posteve poltike e shtetërore që fatkeqësisht ata mbajnë në këto 33 vite.
Ka ardhur koha e llogarive biles e llogarive të
mëdha.
Korrusioni i madh i ka kompromentuar aq rëndë sa ata ngelen gjahu i majmë i shërbimeve antishqiptare.
Ndërkohë që publiku i gjerë mbarëkombëtar po i sheh e i degjon bëmat e tyre është koha e agjensive ligjzbatuese që të veprojnë.
Nuk ka delikt më të rëndë për një vend kur cënohen interesat e tij themelore nacionale.

“Shkroi në thasë çimentoje”, si e përktheu Gjon Shllaku në qeli “Iliadën” e Homerit, u dënua me 101 vite burg! Akuza për grupin “Bashkimi shqiptar”

Më 16 gusht 2003 ndërroi jetë shqipëruesi i parë i Iliadës, Gjon Shllaku, njohës i thellë i greqishtes së lashtë e latinishtes. Përkthyesi dhe helenisti i shquar Gjon Shllaku, lindi në vitin 1923 dhe që në moshë të hershme nisi të përkthente.

 

Kur ishte vetëm 17 vjeç përktheu romanin “Ben Hur” të Vallasit, duke e marrë si një shtysë për përkthimet e mëpasshme që do t’i bënte kryeveprave botërore. Tri klasat e para të fillores i kreu në kolegjin françeskan, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri më 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnor duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë, studioi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus. Ishte vetëm 22 vjeç kur në vitin 1946 u dënua me 101 vjet burg, nën akuzën e anëtarësisë në grupin “Bashkimi shqiptar”.

I magjepsur pas antikitetit nisi të përkthente Iliadën në burgun famëkeq të Burrelit, duke shkruar në thasë çimentoje dhe rripa gazetash. Vazhdoi me përkthimin e veprës, pas 1957 kur u lirua nga burgu, pasi kreu 11 vjet nga dënimi që iu dha. Gjatë jetës së tij, jetë të cilën ia kushtoi plotësisht përkthimit, do t’i bënte të flisnin shqip personazhet e shtatë tragjedive të Sofokliut, të katër tragjedive të Euripidit, të shtatë tragjedive të Shekspirit si dhe “Prometeun e Lidhur” të Eskilit dhe “Eneidën” dhe “Gjeorgjikat” e Virgjilit.

Gjithashtu, do të përpilon te edhe dy fjalorë me rëndësi të madhe për të gjithë studiuesit dhe filologët shqiptarë, Greqishte e Vjetër – Shqip me 20 mijë fjalë dhe atë të Gjuhës së Vjetër Latine – Shqip me 65 mijë fjalë. Me përkthimet e tij, i dha Shqipërisë hijeshinë e vargjeve helene e latine. Për këto përkthime, ai do të vlerësohej nga qeveria greke me çmimin “Disku i Argjendtë” ndërsa në Shqipëri me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” (1995). Helenisti i shquar dhe i fundit i shkollës së përkthyesve të klasikëve do të mbyllte sytë përfundimisht në vitin 2003 në Shkodër, duke i lënë gjuhës shqipe një dhuratë të çmuar.

BURGIMI DHE VEPRAT

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si anëtar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkopin Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër, prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten. Pas daljes nga burgu më 1957 punoi te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim. Pas rënies së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat. Një ndër mjeshtrit e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit. 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”.

Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën.

Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjisori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999. Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” nga presidenti Sali Berisha.

Në prill të 2003 i akordohet nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i “Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë./

Vjosa Osmani flet me komandantin e KFOR-it për Urën e Ibrit: Suksesi arrihet me aleatët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të hënën komandantin e KFOR-it, Oezkan Ulutash. Sipas një njoftimit të Zyrës së Presidencës në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.

 

Sipas njoftimit Osmani në takim ka përsëritur qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet të bëhet temë e dialogut me Serbinë.

“Presidentja ka ritheksuar se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Për takimin Osmani ka shkruar edhe në Facebook, duke hënë se hapja e urës është në interes të të gjithë qytetarëve.

“Hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë”, ka shkruar Osmani.

Politizimi ekstrem i policisë së shtetit, vret dy herë!

Nga Namir Lapardhaja 

Problemi i policisë në Shqipëri është politizimi i tejskajshëm, prej ku profesionalizmi hidhet tej dhe gjithçka vihet në funksion të politikës dhe të propagandës.

Shihni rastin e pak ditëve më parë në Pogradec, ku policia u vu në shërbim të fshehjes së një krimi, për shkak të lidhjes së autorit me pushtetar lokal.

Shihni sot në Tiranë, ku kryepolici i Tiranës del e thotë se autori i plagosjes është efektiv policie, por ishte jashtë shërbimit dhe, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, mund të vetëvritet.

Nga e dinte Vocaj gjendjen e rënduar psikologjike të autorit?!

Sigurisht është një mënyrë për ta hequr vëmendjen nga funksioni i policit të autorit dhe një mënyrë për ta orientuar debatin diku tjetër.

Kohët e fundit shpeshherë punonjës të policisë së shtetit janë bërë pjesë e ngjarjeve kriminale, për shkak të politizimit të tejskajshëm të policisë, ashtu si të gjithçkaje në këtë vend.

Janë marrë në punë si militantë partie, pa kurrfarë kriteri dhe pa kurrfarë testi.

Një pjesë e tyre janë konsumues dhe përdorues të lëndëve narkotike, ndërsa një pjesë e madhe e drejtuesve të tyre të lidhur me botën e nëndheshme të krimit.

Kjo është fatkeqësia e një vendi ku polici në vend që të të mbrojë, të vret.

Edhe kur s’të vret si sot me armën e shtetit, të ‘vret’ duke manipuluar provat dhe faktet, si në rastin e Pogradecit.

FOTO/ Plagosi me armë zjarri 45-vjeçarin për motive të dobëta në zonë e Komunës së Parisit, ky është efektivi i policisë

Personi që shihni në foto është punonjësi i policisë, Erion Goxharaj, i cili plagosi me armë zjarri për motive të dobëta 45-vjeçarin Lorenc Kosta, në zonë e Komunës së Parisit mesditën e kësaj të hëne.

Burime bëjnë me dije se shkak pse efektivi Goxharaj plagosi me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta, dyshohet se është bërë një vajzë.

Thuhet se Goxharaj ka qëlluar në këmbë dhe kofshë me armë 45-vjeçarin, pasi dyshohet se ky i fundit i ka ngacmuar parnteren.

Sakaq, Lorenc Kosta mësohet se është dërguar te Spitali i Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa dhe gjendja e tij paraqitet stabël.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 19.08.2024, rreth orës 14:07, në afërsi të një marketi te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi E. G., (punonjës Policie) ka plagosur me armë zjarri shtetasin L. K., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Sa më të dobët janë shqiptarët, aq më e fortë është Maqedonia?!

Nga Kim Mehmeti

Nëse e vlerëson nëpërmjet veprimeve politike të zyrtarëve të Shkupit, ke përshtypjen se ata më shumë kujdesen që të mos i dëmtojnë interesat serbe sesa ato maqedonase.

Dhe ndoshta edhe nuk kanë zgjidhje tjetër ngaqë Serbia, aq mire e ka ngërthyer në kthetrat e veta këtë vend, sa që pa mbështetjen e Beogradit në Maqedoni nuk mund të bëhesh as këngëtar i njohur, e jo më politikanë apo biznesmenë i suksesshëm.

Dhe ndoshta emblema më e përshtatshme njohëse për këtë vend do mund të ishte ‘gjyshja’ Presidente e RMV, e cila ndërtoi karrierë politike duke ndërruar parti si dhe duke e mëkuar dhe ushqyer te populli maqedonas idenë se sa më të dobët janë politikisht e ekonomikisht shqiptarët e këtushëm, aq më i fortë është shteti dhe maqedonasit në të?!

Kalimthi thënë, presidentja e sotme e RMV është nga të fundit që e morri vesh se Jugosllavia e Titos ishte zhbërë dhe kurrë më nuk do rimëkëmbej. Andaj edhe mbeti jugonostalgjike e pashërueshme, e cila edhe gjatë kohë do e vuajë pamundësinë që si dikur, me vëllezërit serb, bashkarish ta luftojnë rrezikun e natyrshëm të tyre – shqiptarinë!

Reshje rekord shiu në Vjenë, ndërpritet transporti rrugor dhe hekurudhor. Përrenjtë e baltës marrin para makinat në kompleksin e skive

Por e gjithë kjo e vërtetë nuk VLEN gjë për pushtetarët e sotëm shqiptarë, të cilët siç duket, as që i intereson se nga është katandisur RVM, por vetëm sa ajo u mundëson t’i mbushin xhepat dhe të mbrojnë pasurinë që e siguruan në të shkuarën duke e zhvatur popullin e vet, edhe atë o si ish kryetarë komunash, o si ministra e drejtorë të ndërmarrjeve publike ku i mbante vetëm një vlerë – emblema e BDI’së!

Por sidoqoftë, shqiptarët e Maqedonisë arritën një sukses të madh në zgjedhjet e fundit parlamentare : u çliruan nga robëria dydekadëshe ‘leniniste’ e BDI’së.

Tani atyre u mbetet ta pastrojnë oborrin e vet politik nga mbeturinat e kësaj diktature, nga ata që duke ndryshuar flamurin pariak, janë të gatshëm t’i shërbejnë cilit do sunduesi maqedonas që do ua mbrojë pasurinë e siguruar nga vazalizmi i deridjeshëm nën emblemën e BDI’së dhe që do ua shpërblejë shtrenjtë këtë të sotmin.

E ndërkohë ne të tjerët duhet ta kuptojmë se ai që ia do të keqen Maqedonisë nuk duhet t’i kritikojë burrështetasit e saj, por duhet atyre t’ua ushqejë iluzionin shkatërrimtarë për vendin se dobësimi i shqiptarëve, e forcon shtetin?!