8.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Ngjela: Protesta e pavlerë, e thirrur nga një ‘non grata’

Avokati Spartak Ngjela në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, e konsideroi si të pavlerë protestën e thirrur nga opozita.

Ngjela tha se protestën e ka thirrur një “non grata” që nuk ka asnjë vlerë. Avokati u shpreh i bindur se në protestë nuk do të ketë pjesëmarrje për shkak se ajo thirret nga një “non grata” që mendon se mund të shpëtojë veten nga protestat. Ngjela tha se ai u shpall ‘non grata’ nga Sekretari amerikan i Shtetit, i cili ka thënë që nëse Sali merr partinë e gjithë partia do të jetë ‘non grata’.

“Sali Berisha është ‘non grata’ në SHBA, pse nuk bëri gjyq? Nuk bëri sepse i hapnin dosjet. Pushteti nuk merret me protesta, merret me votë. Këta janë në shekullin e 17-të. E dini sa është PD sot? 16-17 %, si mund të fitojë kjo parti me këtë përqindje mbështetjeje që ka”, tha Ngjela.

Joe Biden nën presion që të “hapë rrugën”! Nga Kamala Harris, te Michelle Obama, kush do të mund ta zëvendësonte si kandidat kryesor në garën për president

Pak muaj para zgjedhjeve në SHBA, Joe Biden është nën presion që t’i hapë rrugën për të kandiduar kundër Trumpit një kandidati më të ri dhe më energjetik. Kush mund të futej në garën elektorale nëse Bideni del prej saj?

Debati i parë presidencial midis Donald Trumpit dhe Joe Biden ishte shkatërrues për presidentin aktual amerikan. Bideni, tani në moshën 81 vjeçare, u shfaq shpesh i humbur dhe konfuz, duke lënë frekuentisht fjalinë përgjysmë dhe duke i ngecur fjalët, duke bërë që Trumpi 78 vjeçar, i njohur për fjalimet e tij emocionale, me ekstravaganca që mezi kuptohen, të dukej më i përmbledhur dhe inteligjent, në krahasim me të.

Ndërkohë që shqetësimet për moshën e Bidenit dhe aftësitë mendore të tij nuk janë gjë e re, diskutimet për këtë gjë shihen si moment kthese. Në një sondazh zhvilluar me kërkesë të sipërmarrjes mediatike amerikane CBS, mbas debatit presidencial, 72 përqind e gjithë votuesve të regjistruar thanë se Bideni nuk ka “shëndetin mental dhe kognitiv” për të shërbyer si president i SHBA. Më shumë se gjysma e votuesve të regjistruar thanë të njëjtën gjë për Trumpin.

Mbase më shqetësuese është që 46 përqind e gjithë votuesve demokratë të regjistruar për sondazhin mendojnë se Biden nuk duhet të kandidojë për të qëndruar në post edhe një periudhë tjetër legjislacioni. Ky rezultat tregon një rritje prej 10 përqind që nga muaji shkurt.

Partia Demokratike e ka kuptuar tashmë këtë. Megjithëse udhëheqësit kryesorë të saj janë në krah të Bidenit, dhe Shtëpia e Bardhë është duke thënë me ngulm se ai nuk është „absolutisht” duke dalë nga gara, spekulimet janë duke u shtuar për kandidatët e mundshëm që mund të futen në garë për tu përballur me Trumpin në muajin nëntor. Kush pra mund të futet kaq vonë në lojë për të vazhduar fushatën e Bidenit?

Kamala Harris

Personi i dytë në hierarki pas Bidenit, Kamala Harris, është zgjedhja më e mundshme për kandidatin tjetër demokrat. Në vitin 2020 ajo hyri në histori duke qenë gruaja e parë, personi i parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë indiane që merr postin e zëvendëspresidentit amerikan.

Por gjatë qëndrimit të saj në Shtëpinë e Bardhë, Harris e ka patur të vështirë të zerë vend si udhëheqëse politike e pavarur nga Bideni. Në ditët e hershme të administratës së Bidenit, ajo u ngarkua me drejtimin e përgjigjes që Amerika i jep migracionit masiv që vjen nga Amerika Latine.

Ajo dështoi krejtësisht në uljen e migracionit dhe fushata zgjedhore e Trumpit është duke e përdorur këtë gjë kundër saj.

Që nga viti 2023 Harris ka qenë duke krijuar profilin e saj si zë për të drejtat e riprodhimit, madje duke u kthyer në zëvendëspresidentin e parë në histori që viziton një klinikë aborti, vizitë që e zhvilloi marsin e këtij viti. Identiteti i saj gjinor dhe trashëgimia mund ta ndihmojë të sigurojë më shumë mbështetje nga votuesit femra, me ngjyrë, dhe nga Azia Juglindore. Në të njëjtën kohë, karriera e saj si prokurore në Kaliforni e bën atë të jetë e hapur ndaj sulmeve që vijnë nga një pjesë e të majtës, akuza që mund të përmblidhen më mirë nën slloganin “Kamala është një police”, akuza që e ndoqën gjatë kandidimit të saj në garën presidenciale të vitit 2019.

Në sondazhin e zhvilluar nga Ipsos këtë javë, Harris mori për një garë të mundshme vetëm një përqind më pak se Trumpi (Harris’ 42% në krahasim me Trumpin 43%). Sidoqoftë, i njëjti sondazh e nxorri Trumpin dhe Bidenin me pikë të barabarta, ku secili prej tyre mendohet të marrë 40 përqind të votave. Harris është 59 vjeç.

Gretchen Whitmer

Governatoja e Michiganit, Gretchen Whitmer është 52 vjeç dhe me pushtet legjislativ në Partinë Demokratike. Ajo ka vënë në jetë disa politika progresive në shtetin e saj, përfshirë kredi më të mëdha taksore për familjet me të ardhura të pakta, mbrojtje më të madhe për grupet LGBTQ+, disa masa për kontrollimin e armëve, dhe sigurimin e fondeve për t’i bërë më ekologjike firmat e automobilëve me bazë në Detroit.

Në vitin 2020, ajo u përball me një komplot të një grupi të krahut të djathtë, të cilët e rrëmbyen dhe e nxorrën para”gjyqit” për gjoja tejkalim kompetencash, në lidhje me masat e marra për vendosjen e shtetrrethimit gjatë COVID-19 në Miçigan.

Vetëm nëntë ditë pas arrestimit të komplotistëve, Trump mbajti një miting në Miçigan ku tregoi edhe një here qëndrimin e tij kritik ndaj politikës që Whitmerit ka përdorur gjatë pandemisë, duke u thënë mbështetësve të tij “futeni brenda”.

Whitmer ka ende popullaritet në Miçigan, një shtet ku të dy partitë kryesore kanë mbështetje gati të njëjtë, dhe pritet të kandidojë për presidente në vitin 2028. Duke ndjekur debatin aktual Trump- Biden, sipërmarrja mediatike, Politico citoi një burim që nuk e thotë emrin, sipas të cilit Whitmer është ankuar duke thënë se Bideni nuk do të jetë në gjendje të fitojë në Miçigan.

Whitmer e hodhi poshtë këtë pretendim si të gabuar. “Unë jam krenare të mbështes Joe Bidenin në kandidimin e tij dhe jam 100 përqind krah të tij në luftën për të mposhtur Donald Trumpin,” tha ajo në një deklaratë.

Gavin Newsom

Governatori i Kalifornisë Gavin Newsom e mbrojti me shpejtësi Bidenin në debatet që pasuar dhe nuk u mor me thirrjet për të hequr dorë. “Ju nuk i ktheni kurrizin (kandidatit tuaj) për shkak të një aktiviteti. Çfarë lloj partie e bën këtë gjë?” i tha Newsom kanalit televiziv amerikan, MSNBC.

Sidoqë të jetë, Newsom përmendet shpesh si pasardhës i mundshëm nëse Bideni heq dorë. 56-vjeçari ka punuar në biznes dhe ka shërbyer si Kryetar Bashkie i San Franciskos, para se të zgjidhej dhe rizgjidhej guvernator i Kalifornisë, shtetit më të populluar dhe më të pasur të Amerikës.

Por lidhjet e biznesit të Newsomit dhe karriera politike mund të përdoren kundër tij nga fushata e Trumpit, sidomos për çështjen e rritjes së numrit të të pastrehëve në shtetin e tij dhe shtimin e vjedhjeve nëpër dyqane në San Francisko.

JB Pritzker

Governatori i Ilinoisit, Jay Robert “JB” Pritzker ka lindur në një nga familjet më të pasura të botës. 59-vjeçari është trashëgimtar i pasurisë së Hoteleve Hyatt dhe ka një rrjet me vlerë prej rreth 3,5 miliardë dollarësh (2.78 miliardë euro), siç vlerëson revista e bizneseve, Forbes.

Pritzker ka kohë që e përdor pasurinë e tij për të mbështetur Partinë Demokratike dhe fushatën e tij të kandidimit. Në vitin 2008, ai i diskutoi ambiciet politike në një bisedë telefonike me ish-guvernatorin e atëhershëm, tashmë të larguar të Ilinoisit, Rod Blagojevichin. Pritzker nuk pranon të ketë bërë ndonjë gabim në këtë çështje.

Miliarderi u bë guvernator i Ilinoisit në vitin 2018. Që nga ajo kohë ai ka punuar me politika progresive në kontrollimin e armëve, të drejtat e LGBTQ+, të drejtat e riprodhimit, imigracionin, dhe rrogën minimale.

Duke ndezur më shumë garën presidenciale midis Trumpit dhe Bidenit, Pritzker kritikoi ashpër kandidatin republikan, duke e goditur atë si “fajtor të dënuar, përdhunues që ka përfunduar në gjyq dhe si gënjeshtar të lindur.”

Pritzker e ka quajtur Trumpin po ashtu „racist, seksist, narcist mizogjen që kërkon të përdorë pushtetin për të pasuruar veten dhe për të goditur këdo që guxon të thotë një fjalë kundër tij.”

Trump u përgjegj me sjelljen e tij tipike fëmijërore duke e quajtur Pritzkerin “të lerosur” dhe “buf,” dhe tha se governatori i Ilinoisit ka qenë “emocional” në drejtimin e biznesit familjar.

Pete Buttigieg

Ministri aktual i transportit, Pete Buttigieg ka qenë një figurë politike që nuk binte në sy para se të kandidonte për president në vitin 2022 dhe të siguronte më pas një vend në administratën e Bidenit. Por karriera e tij politike ka qenë më mbresëlënëse se kaq: Mbas përfundimit të studimeve në Harvard, Buttigieg vazhdoi studimet në Oksford, dhe punoi në kompaninë e këshillimeve, McKinsey. Karriera e tij tetëvjeçare me marinën e SHBA, përfshijnë gjashtë muaj në Afghanistan, si oficer inteligjence.

Ai u bë kryetar Bashkie në South Bend, një qytet i vogël në shtetin e Indianas, në vitin 2011 dhe u fut në kandidimin për president në 2019, për t’u larguar nga gara në favor të Bidenit. Ai ka qenë një nga kandidatët e parë gay që futet në garën për tu zgjedhur president.

Me moshën 42-vjeçare, ai është me diferencë të madhe kandidati më i ri i listës.

Josh Shapiro

Governatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro ka mbështetje të gjerë në shtetin e tij, i cili do luajë një rol të rëndësishëm në betejën kundër Trumpit, në nëntor. Shapiro ka treguar se është udhëheqës bipartizan, në favor të shkurtimit të taksave për korporatat, por edhe të rekrutimit të më shumë oficerëve të policisë. Gjatë pikut të pandemisë së COVID-19, Shapiro shtroi në pyetje disa nga masat e marra për maskat dhe vaksinat. Këto qëndrime mund të largojnë votuesit nga komunitetet më liberale.

Një pikë tjetër diskutimi mund të jetë mbështetja e madhe e Shapiros për Izraelin. Një pjesë në rritje e elektoratit ka qenë kritike ndaj mosdhënies së mbështetjes së Bidenit për fushatën ushtarake në Gaza, në të cilën janë vrarë mbi 38 mijë civilë duke e kthyer enklavën në prag të urisë. Kritikët i bëjnë thirrje presidentit amerikan të japë mbështetje financiare dhe ushtarake për Izraelin, në mënyrë që të ndalohen vrasjet.

Shapiro, ndërkohë ka akuzuar kolegët amerikanë se nuk kanë luftuar antisemitizmin në protestat pro-palestineze të zhvilluara në SHBA. Në maj ai tha se “ka kaluar koha” kur Universiteti i Pensilvanisë „shpërndau kampin” e studentëve protestues. Më parë, duke pasuar një valë të ngjashme protestash studentore në kampuset e SHBA, studentët e Universitetit të Filadelfias uzurpuan sipërfaqen e kolegjit prë të protestuar kundër luftës që Izraeli bën në Gaza.

Duke ndjekur debatin Trump- Biden, Shapiro pranoi se Bideni “kaloi një natë të keqe” duke vënë në dukje se Donald Trump ka qenë “president i keq”.

Michelle Obama

Ish-zonja e parë Michelle Obama është kandidatja e vetme në këtë listë që nuk ka mbajtur ndonjëherë ndonjë post politik dhe e vetmja që sondazhet e vendosin shumë para Trumpit, nëse ajo vendos të futet në garën elektorale.

Këtë javë sondazhet e Ipsosit e nxorën atë fituese të 50 përqind të votave, kundrejt Trumpit me vetëm 39 përqind.

Michelle Obama ka përsëritur disa herë se nuk është e interesuar të kandidojë për presidente. Por nëse politika e SHBA na ka treguar diçka javët e fundit, ajo ka qenë se asnjë rezultat elektoral nuk është aq i pamundur të arrihet, saqë dikush të vendosë të heqë dorë prej tij paraprakisht./DW

“Pasi partia i dha urdhër tim shoqi të divorcohej nga unë, më morën me forcë dy djemtë! Mua më ra të fiktë, por e gjithë Selenica…”- Dëshmia e vajzës së ish-sekretarit të Partisë së Tiranës

E çuditshme sesi jeta merr tatëpjetën. Ndërsa je mirë e bukur,sa hap e mbyll sytë, e gjen veten në internim. Për më tepër, të kuptosh se ke njohur vetëm fasadën e jetës, ku realiteti përtej “Bllokut” fliste gjuhën e skamjes dhe mjerimit. Por ja që për ironi të fatit, mund të tokesh me të këtilla ‘surpriza’, të cilat Partia kujdesej mos mungonin, si shumë absurditete të asaj kohe. Andaj edhe fati i Kozeta Mamaqit, bijës së Dashnor Mamaqit, ish-kryeredaktorit të gazetës “Zëri i Popullit” e Sekretarit të Partisë së Tiranës, që befas u bë “armik”, nuk kishte si mos kalonte në sitën e regjimit. Megjithatë, para se të vinin “ditët e zeza” të internimit, jetesa e Kozetës, që ndoqi kursin e gazetarisë, kishte qenë mes gjithë të mirave, aspak e denjë për qasje me Kozetën, personazhin e Hygoit.

 

Ndoshta, ngjashmëritë do të vinin vite më vonë, pikërisht atëherë kur nuk ta priste mendja. Një vegjëli e mbushur me lodrat dhe kuriozitete fëminore. Më tej një adoleshencë pa andralla. E ka të lehtë të flasë mbi ato vite, por edhe degdisja në Selenicë të Vlorës dhe divorci, nuk ia ndërprenë humorin edhe atëherë, kur nuk kishe për çfarë të qeshje. Përpos vuajtjeve te shumta, ajo pohon se e gjeti forcën, për të ecur me kokën lart.

Gazetare, më tej “lopatologe”, mësuese për një vit dhe përsëri gazetare, Kozeta shprehet se i ka shijuar të tri profesionet. Madje lidhjen e saj me lopatën, e përkufizon me dashuri, si i vetmi mjet që ia lehtësoi ekzistencën. Përtej peripecive, e bija e Dashnor Mamaqit, rrëfen gjerë e gjatë për raportin e ngushtë me të atin, bisedat që ndante me të, në letërkëmbimet nga koha e Moskës, deri tek qelitë e ftohta të burgut…!

Znj. Kozeta, thonë se fëmijëria është një nga periudhat më të rëndësishme të jetës dhe ndikon në veçanti në formimin e karakterit të njeriut, ju çfarë mbani mend prej saj?

Ka qenë një kohë, kur lejoheshin festat fetare. Shkonin në kishë për të parë kur pagëzoheshin ato vajzat me fustane të gjatë, deri në fund të këmbëve. Më pas puthnin gjithë ato ikonat, na dukej sikur kushedi se ku kishim shkuar. Ndërsa në xhami, vetëm sa ngatërronim këpucët. Edhe pse mundësitë tona ishin të pakta, ka qenë një fëmijëri e mbushur me lojëra.

Megjithatë merresha dhe me aktivitete të ndryshme, si piano, recitime dhe sporte të ndryshme, pa e ditur se këto aktivitete do të më kalitnin për vitet e vështira, që do të vinin më vonë. E vogël kam studiuar piano, në Shtëpinë e Pionierëve, me znj. Baçe, e cila ishte një grua shume e bukur. Ndryshonte nga gratë e tjera. Sa herë kishim pushim, ajo nxirrte një pasqyrë dhe lyhej, gjë që asokohe ishte e rrallë. E kam ende nëpër mend modelin e saj aq modern për kohën.

Si kanë qenë raportet me babain tuaj, Dashnor Mamaqin, përgjatë këtyre viteve?

Deri në moshën 6-vjeç, raport më të afërt, kam pasur me gjyshen, pasi babai atë kohë, shkoi me studime në Bashkimin Sovjetik. E ndieja shumë mungesën e tij. Ai komunikonte nëpërmjet letrave, ku shkruheshin radhë veçanërisht, për secilin nga ne fëmijët, zakon që e ruajti edhe kur u fut në burg. E kam pasur idhull, pasi e shihja gjithnjë me librin në dorë. Ai ishte serioz, ndryshe nga mamaja, e cila ka pasur një natyrë të qeshur e, të gëzuar.

Ai ua ushqeu dashurinë karshi librit?

Babai dëshironte që ne të lexonim dhe të kishim kulturë. Ai kishte një bibliotekë shumë të madhe, pasi sa herë vinte nga Bashkimi Sovjetik, sillte më shumë libra pa fund, sesa të mira materiale. Megjithatë edhe ai këtë kulturë e kishte të trashëguar nga i ati, i cili ka 5 libra në Bibliotekën Kombëtare, madje shkonte kudo nëpër Shqipëri dhe i shpërndante ato. Për të ka shkruar gazeta “Drita” e asaj kohe, por unë s’e kam njohur, pasi vdiq në moshë të re.

Ajo që më ka bërë përshtypje tek këto botime, ishte ndjeshmëria. Në fund të librave, shkruhej emri i cilitdo që kish kontribuar me fr. ari. Përkushtimi në krye të tyre, i behej Mbretit, Ahmet Zogut. Gjyshi kishte patur edhe një kafe me emrin e Omar Kahjamit, ku mblidheshin burrat e Përmetit dhe diskutonin mes tyre. Babai ka botuar një vëllim me tregime, më pas u mor me politikë. Më vonë, isha unë që ndoqa traditën e të shkruarit.

Babai juaj ka punuar si kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, e më pas Sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, vite kur u shtuan ndjeshëm të mirat materiale. Si ishte jeta në ish-“Bllok”?

Jeta në “Bllok”, sipas meje, ishte e njëjta që bëhej edhe përtej tij. Nuk kishin shumë ndryshime nga njerëzit e tjerë. Deri diku ngjasonin në stilin e jetesës. Ishte tjetër gjë tek anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Ne nuk kishim konditat siç i kishin ata, megjithatë ishte një dyqan i veçantë, ku mund të bliheshin ushqime, apo gjëra industriale. Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, kishim një punonjëse shtëpie. Por gjyshja dhe mamaja ime, nuk është se rrinin duarkryq. Ato punonin gjithë ditën, duke më dhënë një shembull të mirë.

Ndiheshit e privilegjuar në krahasim me shoqet tuaja?

Jo, pasi shoqet e mia në shkollë ishin njësoj, hanin bukë me gjalpë me djathë, ashtu sikurse unë dhe bënin çdo gjë që bëja unë. I vetmi vend që ndihej diferenca e jetesës, ishte plazhi. Por edhe aty dilja jashtë “Bllokut” hermetik, për t’u argëtuar me shoqërinë time.

Në plazh ndihej diferenca sepse, kishe në dispozicion një marinar, që të mësonte notin, një doktoreshë që maste temperaturën e ujit, nëse uji ishte i ftohtë, nuk të linin të futeshe. Kishim mësuese baleti, kinema për fëmijë paradite dhe një orar për të rritur, ku shkonim fshehurazi. Aty ndihej, ndërsa në Tiranë, nuk i kam ndjerë privilegjet. Nuk bëja asgjë më pak, ose më shumë se të tjerët.

Thatë që babain e keni pasur model. Si vijoi marrëdhënia juaj me kalimin e viteve? Ishte autoritar?

Jo, përkundrazi, ishte shumë i qetë dhe i ëmbël. Më thërriste me përkëdheli “puçi i babit”. Më vonë të tërë më thërrisnin Kozi, ai më thërriste; Xeti. Kur vinte puna për të më mbushur mendjen për të ardhmen time, paraqiste një mijë argumente. Për zgjedhjen e shkollës së lartë dhe më tej, jam konsultuar me të, pasi po të ishte për mua, do të kisha zgjedhur mjekësinë. Ishte ai që më shtyu të studioja gjuhë-letërsi. Më pas mbarova dhe kursin dy-vjeçar për Gazetari.

A konsultohej me ju për problemet e punës?

Nuk i sillte kurrë në shtëpi problemet e punës, përveçse njëherë, më zgjodhi mua për t’u rrëfyer, mbi një libër të Bilal Xhaferrit. Ishte shumë i prekur. Më tregoi se një djalë i ri, i kishte dhënë një libër për Skënderbeun, libër që sipas tij, ishte një ndër më të bukurit që kishte lexuar. Me sytë e përhumbur, gjatë rrëfimit vijoi të më thoshte, se djali kishte vullnet të hekurt, shtronte rrugët dhe kur mundej të merrte ndonjë ditë leje, shkonte vend më vend, për të mbledhur gojëdhëna, materiale rreth Skënderbeut.

I mbeti peng, pasi e parashikonte që ai libër, nuk do të botohej kurrë. Dhe ashtu ndodhi. Keqardhja e babait, ishte aq e madhe, sa nuk iu shqitën nga kujtesa për shumë vite, thonjtë e tij të zinj nga sera e asfaltit. Ishte hera e parë dhe e fundit, që mu rrëfye çiltërsisht. Më pas jeta jonë mori tatëpjetën.

Si u zbulua realiteti i përtej “Bllokut” për ju?

Kisha disa vjet që punoja gazetare dhe kisha udhëtuar në vende të ndryshme. Por vetëm kur u internova, e kuptova se gjithë ajo që njihja dhe aq sa kisha parë, kishte qenë fasadë, pasi varfëria qe e skajshme. Nuk mundesha ta kuptoja nga kronikat e asaj kohe, që paracaktoheshin nga Komiteti i Partisë. Atë kohë botova dhe vëllimin tim me tregime e skica, kuptohet brenda kornizave të realizmit socialist, pasi indoktrinimi, ishte i jashtëzakonshëm. Nuk e kisha njohur jetën dhe vetëm duke e prekur nga afër, e kuptova realitetin.

Si i kujtoni çastet kur morët lajmin, se familja juaj ishte shpallur “armike e popullit”?

Ndërkohë që babain tim e kishin arrestuar dhe futur në burg, erdhi një lajmërim, që duhet të paraqitesha në Këshillin Popullor të lagjes. Aty u shkëmbeva me shokun e babait, gazetarin Jusuf Alibali. Ai më mbylli sytë, më dha të kuptoja që mori fund çdo gjë. Kur shkova aty, me thanë se nesër do të largohesha nga Tirana. Asokohe i kisha të dy fëmijët.

Më morën ditën me një kamion të madh, lagjja ngarkoi plaçkat. Më pas shumë nga plaçkat, i sekuestruan në Selenicë. Mbaj mend se bëra nja dy dredhi, për të shpëtuar bibliotekën. Mumrin e librave që duhej të sekuestronin, e mbusha me libra didaktikë, ndërsa librat e rëndësishëm, i shpëtova.

Ku ju çoi ai kamion?

Pasi na bënë një xhiro nëpër Tiranë, për të parë populli “armiqtë”, na mbuluan kamionin, pa e ditur se ku do të shkonim. Madje mbaj mend se atë ditë, djali i vogël, ka qenë me temperaturë 39 e gjysmë, mezi ma morën në kabinë brenda. Ndërsa, unë me djalin e madh, ishim ulur mbi tendën e kamionit dhe as 40 pont larg meje, ishte një polic me automatik.

Na ndaluan para shtëpisë, ku prisnin gjyshja, mamaja, vëllai dhe motra. Ata kishin mbërritur pak muaj para meje dhe ishin sistemuar në shtëpinë që na kishin caktuar. Aty mora vesh që gjendesha në Selenicë të Vlorës. Ishim momente tejet të vështira, por të paktën kisha familjen pranë. Mbaj mend se nuk kishte vend ku të lije plaçkat. Një pjesë i shitëm për të mbijetuar, të tjerat u kalbën në oborr.

Pas një jete me të gjitha të mirat, si e përballuat degdisjen tuaj në Selenicë? Sa e vështirë ishte të pranonit se tanimë gjithë privilegjet, nuk ishin veçse pjesë e së kaluarës?

Fillimisht, gati nuk më besohej. Mbaja shpresa aq të mëdha, sa më dukej internimi ynë dhe burgimi i babait, i padrejtë. Nuk isha ende e kthjellët, për atë çka më kishte ngjarë. Nuk filloja punën, ngase më kishin mohuar të drejtën e profesionit. Kur u mbaruan gjithë përpjekjet dhe ëndrrat e mia me sy hapur, pas një muaji, u ktheva “me këmbë në tokë”, fillova punë ku më çuan. Nuk kisha rrugë tjetër, veçse të përshtatesha. Dhe ashtu bëra.

Me se u morët?

Më dhanë lopatën, belin e kazmën. Ne të deklasuarve, na mbeteshin punët më të rënda në bujqësi. Ditën e parë në punë, shkova me një palë këpucë me porosi, me qafa leshi, që më ngelën në baltë. Ditën tjetër, vesha çizmet e llastikut pulla-pulla, teksa këmbët e mia përditë rrinin të fishkura nga lagështia. Për të mos folur për pantallonat me arna, për të cilat mamaja ime, ishte bërë specialiste. Ishin vite të gjatë e tejet të vështirë, por arrita të rezistoja falë forcës e shpresës. Sot pyes veten se ku e kam gjetur atë forcë.

Megjithëse më janë shfaqur shumë sëmundje, sërish nuk ndjehem e dobët. Megjithatë, ka pasur momente që i kujtoj me nostalgji edhe mes gjithë atyre rraskapitjeve dhe apelit të detyrueshëm. Ose më mirë, arrija të isha optimiste dhe aty ku nuk kishte vend. Shkoja e para në punë dhe bëja normën çdo ditë. Për më tepër u specializova si “lopatologe”. Aq shumë u dashurova pas lopatës sime, sa edhe kur mbaronim punën, nuk e fshihja si punëtorët e tjerë nëpër parcela, por e mbaja gjithnjë mbi supe. Ai mjet pune, në dukje aq i thjeshtë, ma bëri ekzistencën më të lehtë.

Po vendasit, si silleshin karshi jush?

Në fillim ishin të egër. Të ngacmonin pasi ishim ndryshe nga ata, të mbytur deri në fyt nga varfëria, padituria. Na paragjykonin në çdo detaj, për më tepër unë dhe familja sado të rënë moralisht, vinim nga një tjetër mentalitet, nga kryeqyteti, mes gjithë të mirave. Pikërisht kjo nuk shihej mirë prej tyre. Por kur morëm edhe në hijen e tyre, me pantallona gjithë arna dhe hanin fasule si ata, atëherë sikur na harruan.

Deshën, s’deshën, u afruan edhe ata me “armiqtë”, por kuptohet me rezerva. Më kujtohet që një mëngjes na kishte mbaruar buka në shtëpi dhe nuk kisha për të marrë me vete në punë. U nisa te mensa e punëtorëve të minierës, ku para meje, prisnin njerëz të tjerë. Kur më erdhi radha, shitësi më tha se buka kishte mbaruar, megjithëse kishte akoma…!

Cili ishte momenti më i vështirë që kujtoni në ato vite internimi?

Përveçse u internova, partia i dha urdhër tim shoqi, të divorcohej nga unë. Në fund të fundit, kushdo në vend të tij, do të kishte vepruar njësoj. Por kjo nuk ishte gjëma më e madhe, ajo erdhi më pas. Kam bërë gjashtë seanca gjyqësore, për ndarjen e fëmijëve. Në fillim m’i dhanë dy djemtë, më pas vendimi i Gjykatës së Vlorës, vendosi që ata të jetonin me të atin.

Momenti më i keq në jetën time, ishte kur erdhën t’i merrnin me forca djemtë, ndërsa mua më kishte rënë të fiktë. I vetmi rast kur e gjithë Selenica, derdhi lot në shtëpitë e tyre. Kjo ishte pjesa më e vështirë, t’i marrësh nënës fëmijën. Po ja që edhe ndarjet, i vendoste Partia. Më vonë mora vesh se ish-bashkëshorti im, kishte qarë publikisht, pasi kishte kërkuar divorcin dhe fitoi kujdestarinë e fëmijëve.

Po me babain në burg mbanit kontakte? A kishte rënë moralisht, e shprehte në radhët që ju shkruante?

Ai ndenji dy vjet në hetuesi, në duart e hetuesit më famëkeq, por edhe pas torturave, nuk firmosi akuzën që i kishin ngarkuar. U dënua për miqësi me Beqir Ballukun dhe grupin e tij. E futën te “Grupi i Kulturës”, edhe pse nuk kishte asfare lidhje. Dy herë në muaj, na shkruante letra, ku gjithnjë theksonte se nuk kishte bërë asnjë faj.

“Mbajeni kokën lart”, shkruante gjithnjë, pa e vrarë mendjen se ato letra kontrolloheshin. Edhe në takime, i përsëriste këto këshilla. Nuk shkonte më tej, por na pohonte se nuk e kishte prekur një qime partinë. Megjithatë, edhe kjo protestë e tij, me kalimin e kohës u zbeh, bisedat u fokusuan tek familja. I ruaj të gjitha letrat.

Sa vjet qëndruat në internim?

Plot 11 vite. Kam shkuar 29-vjeç dhe u largova pas të 40-ve. Aty më ikën vitet më të bukura të jetës.

Pas Selenicës, ku jetuat?

U afrova në Shijak, ku punova në rrobaqepësi, nga viti 1987, deri më 1990-ën. Më pas munda të marr të drejtën e profesionit dhe punova për një vit mësuese gjuhë-letërsie në fshatin Luz i Vogël të Kavajës. Është një ndër vitet më të nostalgjik të jetës sime. Edhe pse ngrihesha që në orën 4 të mëngjesit, për të kapur autobusin e vetëm, isha e lumtur. Me nxënësit kam qenë gjithnjë e butë dhe e dashur, aq sa një pjesë e tyre më kujtojn ende. Kur punoja në shkollë, më erdhi lajmi se kishin shkruar mbi babain tim tek “Zëri i Popullit”, duke ia rehabilituar disi figurën.

Ishte shoku im i fakultetit, Spiro Dede, i cili dikur kishte qenë gazetar te “Zëri i Popullit” dhe e pat njohur nga afër babain tim, ai që e kishte shkruar atë shkrim. Ka qenë një nga ditët më prekëse, ku e gjithë jeta më kaloi para syve, aq sa humba autobusin dhe konceptin e kohës. Kam kaluar keq, por kudo që rashë, nuk u përkula, por jetova jetën ashtu si më erdhi. Memorie.al

Numri i vdekjeve pëson rënie, por humbjet e jetëve nga tumoret u rritën!

Numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2023, është 21.286, duke shënuar 11,3% vdekje më pak, krahasuar me vitin e kaluar.

 

Jetët e humbura nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe ato të frymëmarrjes shënuan rënie gjatë vitit të kaluar, por ato me sëmundje tumorale shënuan rritje.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, vdekjet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” zënë peshën më të madhe në totalin e vdekjeve të regjistruara me 51,7%, duke vazhduar të jetë shkaku kryesor i vdekjeve. Krahasuar me vitin paraardhës, vdekjet nga kjo grup-sëmundje kanë shënuar rënie me 15,9%.

“Sëmundjet kronike të zemrës” (37,4%), “Sëmundjet ishemike të zemrës” (24,4%) dhe “Sëmundjet e enëve të trurit” (24,2%) zënë peshën më të madhe të vdekjeve në grup-sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.

Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbën grupin e dytë me peshën më të lartë të vdekjeve (20,9%). Krahasuar me vitin e kaluar, janë shënuar 8,6 % më pak humbje jete. Vdekje nga pleqëria përbën 73,7% të vdekjeve për këtë grup-sëmundje.

Grup-sëmundja “Tumoret” përbën grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 15,7% të vdekjeve gjithsej. Krahasuar me vitin 2022, janë regjistruar 3,2% më shumë humbje jete.

Sëmundjet “Tumor malinj i aparatit të tretjes” (38,0%), “Tumor malinj i aparatit të frymëmarrjes” (22,2%) dhe “Tumor malinj i organeve urogjenitale” (13,8 %) përbëjnë peshën më të madhe të vdekjeve në këtë grup-sëmundje.

Krahasuar me vitin 2022, vdekjet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të frymëmarrjes” zënë peshën kryesore në rënien gjithsej të vdekjeve të regjistruara gjatë vitit 2023.

Nga 21.286 të vdekur gjithsej, 53,8% janë meshkuj dhe 46,2% janë femra. Si te femrat dhe te meshkujt, grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” përbën shkakun kryesor të humbjeve të jetës, përkatësisht 53,6% femra dhe 50,0% meshkuj.

Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun e dytë kryesor të vdekjeve për të dyja gjinitë, ku përqindja e vdekjeve te femrat është më e lartë se te meshkujt, 24,3% me 18,0%. Grup-sëmundja e tretë vijon me “Tumoret”, me përqindjen më të lartë të vdekjeve te meshkujt (18,0%) krahasuar me femrat (12,9%).

Për grup-moshën 0-19 vjeç, pesha më e madhe e humbjeve të jetës lidhet me grup-sëmundjet “Sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes” (29,5%) dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (20,3%). “Dëmtime traumatike dhe helmime” (32,4%) dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (27,0%) përbëjnë grupet me peshën më të madhe në vdekjet e shkaktuara për grup-moshën 20-44 vjeç.

Për grup-moshat 45-64, 65-79 dhe 80+ vjeç, grupi kryesor mbetet “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.

Analizuar sipas shkakut të vdekjeve, në grup-sëmundjen “Tumoret”, përafërsisht gjysma e humbjeve të jetës i përket grup-moshës 65-79 vjeç (49,6%). Në grup-sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, 51,3% e humbjeve të jetës i përket grup-moshës mbi 80 vjeç.

“Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun kryesor të vdekjeve për grup-moshën mbi 80 vjeç (75,3%). Ndërkohë, në grup-sëmundjen “Dëmtime traumatike dhe helmime”, 31,3% e humbjeve të jetës i përket grup-moshës 45-64 vjeç.

Në vitin 2023, në secilin qark, numri më i madh i vdekjeve shkaktohet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” ndjekur nga “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” dhe “Tumoret”.

Tumore Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë Sëmundje të tjera./Monitor

Në emër të Komisionit të Medies/ Vdekja e gazetarit Lumezi, Flutura Açka ngushëllime për familjarët dhe miqtë e tij!

Në emër të Komisionit të Medies, deputetja e Demokratëve Euroatlantikë,  Flutura Açka ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe miqtë e gazetarit të njohur Aristir Lumezi, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme pas një sëmundje të rëndë.

POSTIMI I AÇKËS:

Aristir Lumezi

Padyshim në radhën e gazetarëve shqiptsrë që kanë lënë shenjê në median e shkruar, është edhe gazetari i njohur Astrir Lumezi. i cili u nda nga jeta para kohe.

Në emrin tim personal dhe në emër të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informiit Publik i përcjell ngushëllime të thella familjes, të afërmve, kolegëve të Focus Grup dhe Panorama, miqve, të njohurve dhe ndjekësve të shkrimeve dhe opinioneve të tij.

U prehtënë paqe dhe u kujtoftê gjithmonê me dashuri!

Gazeta Panorama Online

Media Shqiptare

“Shpirtin nuk ta mëson stërvitja”, Bellingam për finalen me Spanjën: Të lodhur, por kemi edhe një sforco

Sulmuesi i Anglisë, Xhud Bellingam, duke folur për “BBC Radio 5 Live” rikonfirmoi edhe njëherë shpirtin e garës së “Tre luanëve” që e vendosën veten përballë Spanjës në finalen e Europianit këtë të diel.

“Ju thamë herën e fundit që ne jetojmë për të luftuar një ditë tjetër. Një tjetër gol i vonë, por do të ishte mirë të shënonim të parët dhe të kishim atë qetësinë mendore. Kur ata shënuan golin e parë nuk mendoja se po luanim keq, ishte një finalizim i mirë për të qenë i sinqertë. Jam vërtet krenar për djemtë. Reagimi, qëndrimi dhe mentaliteti. Cilësia është një gjë, por ato karakteristika nuk mund t’i mësoni në stërvitje. i merrni nga përvoja dhe njëri-tjetri. Tani kemi një ndeshje më shumë. Ne jemi të lodhur, ka qenë një sezon i gjatë, por kjo është një shtytje e fundit për vendin tonë dhe për historinë”, tha ylli i Realit të Madridit, i cili luan shumë edhe për “Topin e Artë” në rast të një suksesi në Berlin të dielën.

Ai u ndal të komentonte edhe rivalët spanjollë, të cilët i njeh shumë mirë, por edhe emocionet e golit të Oli Uotkins, për të cilin tha se është shumë i lumtur: “Ne do të marrim kritika kur nuk luajmë mirë, por është e rëndësishme që ta ndërtojmë atë rezistencë ndaj tyre dhe të bashkohemi dhe t’i fitojmë këto ndeshje. Këto momente janë të mrekullueshme, na bashkon si një ekip dhe një familje. Këto momente na bëjnë më të bashkuar dhe ne e marrim atë në finale tani. Oli Uotkins hyri në lojë dhe shfrytëzoi mundësinë e tij. Unë jam shumë i lumtur për të. Ju nuk po e nisni titullar çdo ndeshje si për klubin tuaj dhe kjo është e vështirë për një futbollist. Ai hyri nga stoli dhe na fitoi ndeshjen.

I jemi me të vërtetë mirënjohës, sepse nuk jam i sigurt nëse kisha një tjetër 30-minutësh në këmbët e mia. Ai është heroi dhe na shpëtoi. Spanja është dukur e mrekullueshme, ata janë dukur shumë mirë në këtë Europian. Tani ne do të ulemi dhe do të analizojmë se si ata luajnë për të kuptuar më mirë se çfarë duhet të bëjmë të dielën. Do të bëjmë analizën e duhur për këtë ndeshje. Është vetëm një ndeshje teke dhe gjithçka mund të ndodhë. Do të jetë interesante të shkojmë dhëmbë për dhëmbë me ta.

Shqipëria, e dyta në Europë për normat më të larta të vdekshmërisë foshnjore! Nga mungesa e mjekëve neonatalë, tek… Ja shkaqet

Lindjet në Shqipëri janë duke rënë me shpejtësi, por treguesi i vdekshmërisë foshnjore mbetet i lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023, në 1000 lindje të gjalla humbën jetën 6.1 foshnja, nga 6.5 në vitin 2022.

 

Me këto rezultate, Shqipëria ka vdekshmërinë foshnjore dy herë më të lartë se mesatarja europiane më 2022, me 3 vdekje në 1000 lindje të gjalla.

Shqipëria, me të dhënat e vitit 2023, renditet e dyta për vdekshmërinë foshnjore më të lartë në Europë, pas Turqisë (9.2).

INSTAT raportoi se në vitin 2023, janë regjistruar 144 vdekje foshnjore, 52,1% janë neonatal i hershëm (0-6 ditësh), 18,0% neonatal i vonshëm (7 -27 ditësh) dhe 29,9% janë postneonatal (28-365 ditësh).

Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore janë “Sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes” me 49,3%, “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” me 20,1% dhe “Anomali të bashkëlindura” me 9,7% të vdekjeve të regjistruara.

Mjekët pohojnë se Shqipëria ka vdekshmëri të lartë foshnjore për shkak të mungesës së mjekëve neonatalë.

Neonatologjia është një degë e pediatrisë që trajton shëndetin e foshnjave në 28 ditët e para të jetës. Duke pasur fokus specifik dhe për një periudhë të shkurtër jetën e bebes, mjekët pediatër nuk preferojnë të specializohen në këtë drejtim.

Ata e shohin më të udhës të punojnë si pediatër i përgjithshëm, pasi do të mbulojnë problemet shëndetësore për fëmijë deri në 14 vjeç, ndryshe nga neonatologët të cilët duhet të specifikohen për bebet njëmuajshe.

Gjithnjë e më pak mjekë të rinj zgjedhin këtë profesion, ndërkohë që kërkesat për shëndetin e bebeve në ditët e para të jetës janë në rritje. Pothuajse të gjitha spitalet rajonale nuk kanë mjek neonalatë po vetëm obstetër.

Para 6-7 vitesh, në dy maternitetet publike të Tiranës, “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” ishin 20 mjekë neonatalë, ndërsa tani nuk janë as gjysma e tyre.

Si në të gjitha grupet e sëmundjeve, stili i jetesës ndikon te shtatzënitë dhe sëmundjet pas lindjes. Mosha e martesës te gratë po rritet, gjithashtu pirja e duhanit, alkoolit, obeziteti janë gjithnjë e më të përhapura te gratë.

Për shkak të këtyre ndryshimeve, tani gjithnjë e më pak nëna lindin në mënyrë natyrale dhe gjithnjë e më pak zgjedhin t’i ushqejnë foshnjat me gji.

Entet publike përgjegjëse për të shqyrtuar këta faktorë dhe ndikimin e tyre në vdekshmërinë foshnjore ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë studim, por të dhëna të tërthorta tregojnë se, paralelisht me rritjen e kontrolleve mjekësore, modeli i jetës te nënat e reja po ndryshon me shpejtësi. /Monitor

SHBA do të vendosë në Gjermani raketa me rreze të gjatë veprimi! Synimi, të mbrohet Evropa përballë kërcënimeve ruse në rritje

Shtetet e Bashkuara do të fillojnë vendosjen e raketave me rreze më të gjatë veprimi në Gjermani në vitin 2026, njoftuan të dy vendet gjatë një takimi të vendeve të NATO-s të martën. Ky është një hap madhor që synon të mbrojë Evropën përballë kërcënimeve ruse në rritje.

 

Armët më të fuqishme amerikane, që do të vendosen në Gjermani, përbëjnë dislokimin më të rëndësishëm ushtarak në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë, një paralajmërim i qartë për Presidentin Vladimir Putin.

Deklarata amerikano-gjermane thotë se “dislokimi në faza” përbën një përgatitje për stacionim afatgjatë në Evropë të kapaciteteve luftarake ku do të përfshihen raketa të tipit Tomahawk dhe armë hipersonike me rreze më të gjerë veprimi.

“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të aleatëve”, thanë aleatët në një komunikatë të publikuar të mërkurën.

Në komunikatën e lëshuar nga krerët e shteteve dhe qeverive që marrin pjesë në takimin e NATO-s në kryeqytetin amerikan, aleatët bënë të ditur synimin për t’i ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake me një vlerë prej 40 miliardë euro brenda vitit të ardhshëm.

Dokumenti gjithashtu shprehet me një gjuhë më të ashpër se në të kaluarën ndaj Kinës, duke e quajtur atë si “mundësuese e përpjekjeve” luftarake të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe se Pekini vazhdon të paraqesë sfida sistematike për sigurinë euro-atlantike.

Ballkani Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi kanë një rëndësi strategjike për aleancën dhe NATO-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të tyre, thuhet në komunikatë.

“Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik me Ballkanin Perëndimor për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale dhe të luftojmë kundër ndikimit malinj, përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike nga aktorë shtetërorë dhe aleatët e tyre”, thuhet në komunikatë.

Dokumenti thekson rëndësinë e vlerave demokratike, shtetin e së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik, thuhet në pikën për Ballkanin.

“Mbetemi të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë të udhëhequra nga NATO”, thekson komunikata.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Konfirmoi të mërkurën se drejt Ukrainës janë nisur avionë të tjerë të tipit F-16 të dërguar nga Danimarka dhe Holanda.

Gjatë një interviste të mërkurën për radion e rrjetit FOX NEWS, kandidati republikan për president, Donald Trump tha se nuk do t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja ndërsa përsëriti thirrjet që vendet anëtare të shpenzonin më shumë për mbrojtjen.

“Unë thjesht dua që ata të paguajnë detyrimet e tyre. Ne po e mbrojmë Evropën dhe ata po përfitojnë nga kjo”, tha zoti Trump.

Në komunikatë i bëhet thirrje Kinës që të ndërpresë mbështetjen materiale dhe politike për përpjekjet luftarake të Rusisë, ndërsa shprehen shqetësime lidhur me aftësitë hapësinore të Kinës. Dokumenti foli për zgjerimin e shpejtë të arsenalit bërthamor kinez duke i kërkuar Pekinit që të angazhohej në bisedimet strategjike për uljen e rrezikut./VOA

Aksidenti i frikshëm, “Toyota” i pret rrugën mjetit me targa gjermane ku udhëtonte familja prej 4 anëtarësh! Makina përfundon e përmbysur në kanal, si është gjendja e tyre

Një aksident ka ndodhur në aksin nacional Berat-Lushnje në fshatin Moravë.

 

Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, pasi një makinë tip Toyota i ka prerë rrugën një makine me targa gjermane, ku udhëtonte familja Berberi.

Siç shihet në pamje, automjeti ku udhëtonte shtetasi Ëngjëll Berberi, së bashku me bashkëshorten dhe dy fēmijët 14 dhe 9 vjeç, ka përfunduar në kanal.

Ata janë transportuar drejt Repartit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku po marrin mjekim.

Mjekët e spitalit të Beratit konfirmojnë se ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe se të katërt kanë pësuar shembje në pjesë të ndryshme të trupit.

Mësohet se drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasi Brahim Agalliu, nështë shoqëruar në polici për të dhënë deklarimet në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që konfirmohet se nuk nga testi Drager, nuk ka rezultuar me prezencë alkooli.

Në vendngjarje kanë shkuar efektivë të policisë rrugore, që po kryejnë edhe kqyrjen e vendit të aksidentit.

Vapa ekstreme, ja simptomat e papritura që mund të shkaktohet për shkak të saj

Disa rreziqe shëndetësore vijnë me motin e ngrohtë, disa prej të cilave mund të jenë të dukshme, si djegia nga dielli dhe dehidratimi. Një problem shëndetësor më pak i zakonshëm që mund të shfaqet kur temperaturat rriten është diarreja.

 

Çrregullime të ndryshme mund të shkaktojnë diarre gjatë nxehtësisë ekstreme, thanë ekspertët, shkruan Verywellhealth.com.

“Kur jashtë bëhet nxehtë, disa gjëra mund të shkaktojnë probleme me stomakun si diarre”, tha Saurabh Sethi, një gastroenterologe me bazë në Fremont, Kaliforni.

Thënë kështu, ka disa hapa që mund të ndërmerrni për të pakësuar shanset tuaja për të përjetuar këtë efekt anësor të motit të ngrohtë.

“Nuk ka asnjë përgjigje se pse ndodh kjo, por mund të ketë disa faktorë kontribues” për të cilët mund të përgatiteni, tha për Verywell Dana Zalkin, një gastroenterologe.

Për të qëndruar të shëndetshëm në ditët e nxehta të verës do të ishte mirë të dini se si të ruani ushqimin siç duhet.

Çfarë e shkakton diarrenë gjatë vapës ekstreme?

Ka shkaqe të ndryshme të diarresë së lidhur me nxehtësinë, duke përfshirë bakteret nga ushqimi i gatuar jo mirë, dehidratimi dhe disa çrregullime shëndetësore.

Bakteret nga ushqimi i jo përgatitur siç duhet

Një nga shkaqet kryesore të diarresë në verë është gastroenteriti bakterial, një lloj gastroenteriti infektiv.

“Temperaturat më të ngrohta e bëjnë më të lehtë rritjen e baktereve në ushqim”, tha Sethi. “Ngrënia e ushqimit me shumë baktere mund t’ju japë gastroenterit, i cili ju bën të sëmurë dhe mund të shkaktojë diarre”.

Temperaturat më të ngrohta janë arsyeja pse gastroenteriti bakterial është më i zakonshëm në verë, shtoi Zalkin.

Lloje të ndryshme bakteresh mund të shkaktojnë gastroenterit bakterial, duke përfshirë E. coli dhe Salmonella.

Dietat që njerëzit zakonisht i konsumojnë në temperatura më të ngrohta mund të luajnë gjithashtu një rol, tha Sethi.

“Në mot të nxehtë, njerëzit shpesh hanë më shumë sallata, fruta ose ushqime që mund të mos jenë mbajtur në ambiente të ftoha”, shpjegoi ai. “Nëse nuk kujdeseni siç duhet për këto ushqime, ato mund të kenë baktere që shkaktojnë helmim ushqimor, duke çuar në diarre”.

Dehidrimi

Çështje të tjera shëndetësore që janë të zakonshme gjatë verës – domethënë dehidratimi dhe sëmundjet e lidhura me nxehtësinë – mund të kontribuojnë gjithashtu, tha Sethi.

“Moti i nxehtë ju bën të djersitni më shumë, gjë që mund të çojë në humbjen e tepërt të ujit nga trupi juaj”, shpjegoi ai. “Kur je i dehidratuar, mund të ndikojë në stomak dhe të shkaktojë diarre”.

Sëmundja inflamatore e zorrëve

Disa kërkime kanë ngritur gjithashtu pyetje nëse njerëzit me sëmundje inflamatore të zorrëve (IBD) mund të përjetojnë simptoma më të rënda, duke përfshirë diarrenë, gjatë temperaturave më të ngrohta.

“Ka disa studime që kanë sugjeruar se ka një rrezik në rritje të shpërthimeve të IBD në muajt e ngrohtë, [por] ne nuk e dimë domosdoshmërisht nëse është [i lidhur] me vetë motin ose gjëra të tjera, [si] ndryshim në dietë ose dehidrim”, shpjegoi Zalkin.

Vlen gjithashtu të theksohet se aspekti psikologjik i nxehtësisë mund të lidhet këtu; Sethi shtoi: “Vetë moti i nxehtë nuk e përkeqëson drejtpërdrejt sëmundjen inflamatore të zorrëve, por ndjenja e stresit nga nxehtësia mund t’i përkeqësojë simptomat për njerëzit që e kanë atë”.

Nëse keni një trakt gastrointestinal të ndjeshëm, duhet të qëndroni në ambiente të freskëta.

Në përgjithësi, qëndrimi për një kohë të gjatë në nxehtësi ekstreme mund të jetë i rrezikshëm, shtoi ekspertja Sethi.

“Përpiquni të mos qëndroni gjatë në vende të nxehta dhe gjeni mënyra për t’u freskuar”, potencoi ekspertja.