23.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Gjergji Nika, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në Vlorë: “Mos u gënjeni, kërkoni llogari!”

Me afrimin e datës së zgjedhjeve të 11 majit, kandidati për deputet në qarkun e Vlorës nga Koalicioni Euroatlantik, Gjergji Nika, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për qytetarët, duke i ftuar të reflektojnë mbi të kaluarën politike dhe të votojnë me ndërgjegje për të ardhmen e qytetit dhe të vendit.

Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetet sociale, Nika theksoi rëndësinë e zgjedhjes së drejtë në këtë moment kyç, duke kritikuar premtimet që, sipas tij, bëhen vetëm në prag të zgjedhjeve dhe harrohen sapo ato përfundojnë.

“Mos u gënjeni… Reflektoni! JU kërkoni llogari të gjithëve çfarë kanë bërë. Ju duan vetëm SOT… se NESËR do t’ju harrojnë, ashtu si ju kanë harruar gjithë këto vite,” – shkroi ai.

Kandidati i Koalicionit Euroatlantik u bëri thirrje qytetarëve të Vlorës të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të votojnë për një të ardhme më të mirë, duke e shoqëruar mesazhin e tij me moton “#voto4”, që përfaqëson numrin e subjektit në fletën e votimit.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Vlorës!

Në 11 Maj do të votoni për drejtimin e Shqipërisë dhe Vlorës për 4 vitet e ardhshme

Mos u gënjeni…..reflektoni JU kërkoni llogari të gjithëve cfarë kanë berë…….ju duan vetëm SOT …. se NESËR do tu harrojnë ashtu si ju kanë harruar gjithë këto vite

#voto4

#KoalicioniEuroatlantik

#BesoTeShqipëria

Marinela Ziu: Në Korçë, PD dhe PS përveç pazareve, i bashkon edhe frika nga SPAK

Nga Marinela Ziu

Bashkëpunëtorët e mi më informojnë për disa të ashtuquajtura denoncime që PD i bën Partisë Socialiste dhe që PS i bën Partisë Demokratike, kandidatëve të njërës apo tjetrës parti, si për t’u dukur që janë në betejë elektorale.

PS dhe PD në Korçë janë palë, janë ortakë në pazar, janë blerësi dhe klienti. Këtë më mirë se kushdo e dinë korçarët.

Përpara se të denoncojnë nëpër rrjete sociale njëra-tjetrën, partitë politike duhet të denoncojnë Kryetarët e tyre që u sollën në krye të listave të mbyllura në Korçë, dy kandidatë që kanë kaluar disa herë pragun e SPAK-ut.

Për Niko Peleshin, mas Media ka dhënë disa informacione lidhur me atë se përse është thirrur, por asgjë të sigurtë, apo të pohuar nga i pyeturi në SPAK.

Niko Peleshi në këto 48 orë të fundit të fushatës, duhet të dalë publikisht dhe t’u bëjë me dije votuesve që u kërkon votën:
1. Përse është thirrur në SPAK?
2. Në çfarë cilësie?
3. Për cilat çështje korruptive është thirrur për t’u marrë në pyetje?

Pasi të ketë bërë transparent pozicionin e tij përballë ligjit, atëherë dhe vetëm atëherë mund t’u kërkojë votën korçarëve, pogradecarëve, kolonjarëve, maliqarëve, devollinjve dhe minoritetit maqedonas.
Banorët e rajonit të Korçës janë punëtorë dhe pasurinë e vogël apo të madhe të tyre, e kanë me punë, me djersë, me mund, me sakrifica dhe konform ligjit.

Në të njëjtin pozicion, ndoshta edhe më të paqartë, është kandidatja e Partisë Demokratike Ledina Alolli, e cila gjithashtu është thirrur në SPAK disa herë.

a. Përse është thirrur në SPAK kandidatja Alolli?
b. Për cilat çështje korruptive ka dijeni apo është pjesë?
c. Pse nuk i ka bërë transparente dhe publike shkaqet për të cilat është thirrur në SPAK?
d. Cilat janë lidhjet e saj me njerëz që sot janë me masa shtrënguese dhe me akuza të ngritura nga SPAK?
e. Është marrë në pyetje nga SPAK si pjesë e politikës dhe si ish kandidate (humbëse), apo edhe si dekane për çështje që lidhen me universitetin?

Kandidatja e PD-së duhet padyshim t’u thotë dhe t’u bëjë transparente korçarëve dhe banorëve të rajonit të Korçës, të cilëve u kërkon votën, pozicionin e saj me ligjin.

Nëse këta dy kandidatë, drejtues të listave të partive të tyre, nuk bëjnë transparente dhe nuk i japin përgjigje pyetjes “Pse janë thirrur në SPAK?”, do të thotë që kryetarët e tyre i kanë strukur në listat e mbyllura, për t’u dhënë imunitetin e deputetit dhe se vërtet problemet me ligjin i paskan madhore.

⛔️Asnjë votë kandidatëve që kanë probleme me ligjin dhe që SPAK i ka objekt të marrjes në pyetje, hetimit apo procedimit penal.

Krimi dhe korrupsioni ka pushtuar dhe drejton dy Partitë politike si motra.

Sot, ato dhe kupolat e tyre drejtuese janë të lidhura ngushtë, sepse ndajnë të njëjtin makth përballë ligjit dhe SPAK-ut.

Ne jemi ndryshe. Asnjë nga kandidatët tanë nuk ka lidhje me korrupsionin dhe nuk ka frikë nga SPAK-u.

Për ne, lufta pa kompromis kundër korrupsionit është themeli i programit tonë politik, që fillon nga vetja, me heqjen e imunitetit dhe vetting-un e politikanëve, sipas modelit të drejtësisë.

Korça meriton më shumë!�️ Voto 4️⃣ Koalicioni Euroatlantik�️ Voto ✅ Marinela Ziu

S’ka prodhim vendas, rriten çmimet në prill, inflacioni arrin në nivelin më të lartë në 14 muaj

Çmimet në muajin prill kanë shënuar një rritje përtej tendencës sezonale, teksa zakonisht në këtë periudhë fillojnë e ulen për shkak të daljes së prodhimeve vendase.

Këtë vit, ecuria negative e sektorit të bujqësisë dhe çuarja e një pjesë të prodhimit kanë bërë që inflacioni të arrijë në 2.3% në prill, që është niveli më i lartë në 15 muaj, që nga marsi i vitit 2024, i ndikuar kryesisht nga çmimet e ushqimeve. Gjithsesi, ai vijon të mbetet poshtë objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Banka e Shqipërisë ndërkohë në mbledhjen e fundit vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë në 2.75%, që është instrumenti i Bankës për të kontrolluar inflacionin, ndërsa guvernatori paralajmëroi se ekonomia ka shfaqur tendenca ngadalësimi në tre muajt e parë të vitit.

Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Prill 2025, arriti 119,8 kundrejt muajit Dhjetor 2020. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2025 është 2,3 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2025, krahasuar me Mars 2025 është 0,1 %.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,29 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,24 pikë përqindje.

Gjithashtu, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ndikuan me +0,22 pikë përqindje, “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,19 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,14 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,10 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,04 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,03 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,02 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Transporti” me -0,16 pikë përqindje./ Monitor
S’ka prodhim vendas, rriten çmimet në prill, inflacioni arrin

Joni Myshketa: Më 11 Maj, qytetarët kanë një alternativë reale, larg hijes së së shkuarës

Kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik, Joni Myshketa, ka shpalosur një mesazh të fortë dhe reflektues në kuadër të fushatës zgjedhore. Duke vënë në pah zhgënjimin e qytetarëve nga sistemi politik aktual, ai u bëri thirrje të gjithëve të mbështesin alternativën e re, të ndërtuar mbi ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj shërbimit publik.

Myshketa kritikoi ashpër dy partitë e mëdha, të cilat sipas tij, ndajnë pushtetin si trashëgimi dhe jo si përgjegjësi, ndërkohë që qytetarët vuajnë mungesën e drejtësisë, pasigurinë ekonomike dhe shpopullimin.

Në deklaratën e tij, ai u ndal edhe tek sulmet dhe paragjykimet që hasin partitë e reja dhe kandidatët e rinj, duke e quajtur këtë një paradoks të shoqërisë shqiptare që kërkon ndryshim, por shpesh nuk e mbështet kur ai shfaqet realisht.

“Nuk kemi frikë nga politika — por nga indiferenca. Jemi këtu për të ndezur një fije shprese. Për ta kthyer këtë vend në një hapësirë ku qytetari ka fjalën e fundit — jo klani, jo partia,” tha Myshketa, duke e mbyllur thirrjen me një apel të qartë për votë në numrin 4, Koalicioni Euroatlantik.

POSTIMI I PLOTË NGA JONI MYSHKETA:

Prej dekadash në Shqipëri na është thënë se “s’ka zgjidhje”, se “nuk ka alternativë”. Se jemi të dënuar të zgjedhim mes dy partive të mëdha që ndajnë pushtetin si trashëgimi, jo si përgjegjësi. Nga njëra anë, Partia Socialiste, e cila ende ruan frymën e Partisë së Punës. Nga ana tjetër, një Parti Demokratike e lodhur, që në 30 vite nuk arriti t’i përmbushë premtimet e saj më themelore — duke filluar nga drejtësia për të përndjekurit politikë dhe pronarët që ikën nga kjo jetë pa parë drejtësi, pa parë tokat e shtëpitë e tyre të kthehen.

Sot na thonë se politika është plakur. Se nuk ka vend për të rinjtë. Por më 11 maj, përballë jush do të dalin katër parti të reja — me njerëz të ndershëm, profesionistë, punëtorë, mjekë, juristë, ekonomistë, qytetarë të lagjeve tona. Janë njerëz që nuk vijnë me premtime boshe apo me hijet e së shkuarës, por me energji të pastër, me përvojë reale dhe me një dëshirë të vërtetë për të shërbyer.

Dhe si shpërblim? Një lumë sharjesh. Një helmosje e opinionit publik nga njerëz pa emër, por me tastierë. Që e sulmojnë çdo nismë të re si “të shitur”, si “vegël e dikujt tjetër”. A nuk ishit ju që kërkuat parti të reja? A nuk i kërkuat njerëzit e ndershëm të përfshihen? E tani që dalin përballë jush, ju i mbyllni derën. Madje i përgojoni. I baltosni.

A jeni ulur ndonjëherë të pyesni veten: çfarë duam vërtet?

Ne duam t’i kthejmë politikën njerëzores. Te familja. Te ndershmëria. Te fjala e dhënë. Ne nuk kemi frikë nga politika — por nga indiferenca. Dhe po, ka një kontradiktë të thellë mes asaj që themi dhe asaj që bëjmë. Na pëlqen guximi në vende të tjera, por e përçmojmë tek ne. Jemi të dashuruar me pushtetin që na dhunon, që na vjedh, dhe arrijmë deri aty sa të justifikojmë: po mirë, vjedhin, por vjedhin më pak…

Por ne jemi këtu për t’i thënë mjaft. Ne jemi këtu për të ndezur një fije shprese. Për ta kthyer këtë vend në një hapësirë ku qytetari ka fjalën e fundit — jo klani, jo partia.

Pëllumb Seferi: Çdo premtim është një detyrim. Ju votoni, ne bëjmë atë që themi!

Kandidati për deputet në Tiranë nga Koalicioni Euroatlantik, Pëllumb Seferi, ka shpërndarë mesazhin e tij të parë drejtuar qytetarëve, duke theksuar përgjegjësinë që sjell çdo votë dhe rëndësinë e mbajtjes së fjalës në politikë.

Çdo premtim është një detyrim ndaj çdokujt prej jush që po na mbështet dhe që më 11 Maj do votojë ekipin tonë – për një Tiranë që meriton më shumë, për një Shqipëri që meriton më shumë! Ju votoni, ne bëjmë atë që themi!” – u shpreh Seferi në një deklaratë publike.

Fushata e tij fokusohet te ndershmëria, besimi dhe përfaqësimi real i komunitetit, duke i dhënë zë qytetarëve që kërkojnë ndryshim të prekshëm dhe të qëndrueshëm.

Altin Dumani në Shkodër, zbardhen mesazhet e drejtuesit të SPAK gjatë mbledhjes së taskforcës: Policia dhe prokuroria të jenë sa më vigjilente lidhur me krimet zgjedhore

Ka përfunduar mbledhja e Task Forcës në Shkodër ku kreu i SPAK, Altin Dumani zhvilloi një takim me drejtuesin e prokurorisë atje, drejtorin e policisë së qarkut dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ligjzbatuese.

 

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, sipas burimeve, gjatë mbledhjes ka vendosur theksin tek zbulimi i krimeve zgjedhore.

Altin Dumani deklaroi se SPAK ka procedime konkrete lidhur me krimet zgjedhore dhe se pritshmëritë janë të mëdha.

Po ashtu, Altin Dumani ka kërkuar që në rastet kur ka akuza apo deklarata publike për shitblerje vote, personat që i bëjnë këto akuza duhet të thirren për të bërë kallëzim në polici dhe prokurori, si edhe të mos neglizhohen si raste.

Po ashtu, kreu i SPAK Dumani kërkoi që policia dhe prokuroria të jenë sa më vigjilente lidhur me krimet zgjedhore në këto ditë të fundit të fushatës elektorale.

Dumani mësohet se ka vlerësuar punën e policisë dhe prokurorisë Shkodër duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha strukturat ligjzbatuese.

GJKKO firmos 6 urdhra për kontrollin e shtabeve elektorale të Partisë Socialdemokrate në Shkodër!

GJKKO ka firmosur 6 urdhër kontrolle për anëtarë të shtabeve elektorale të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit në Shkodër.

Burime për News 24 bëjnë me dije se janë sekuestruar celularët, ndërkohë që janë kryer kontrolle dhe kontroll edhe në makinat e anëtarëve të shtabeve elektorale të PSD.

Raportohet se njëri prej tyre ka refuzuar kontrollet. Për pasojë ai është shoqëruar nga policia.

“Qytetarët e kanë kuptuar agoninë e Ramës dhe rrangallave të tranzicionit”, Basha: Të dielën dilni masivisht të votoni Koalicionin Euroatlantik për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, u ndal sot në Njësinë 11 në Tiranë ku zhvilloi takime me qytetarë dhe biznese. Basha thotë se qytetarët janë të lodhur nga tranzicioni i pafund dhe korrupsioni, por tashmë po rikthejnë shpresën dhe besimin përmes alternativës së Koalicionit Euroatlantik.

Ai gjithashtu tha se qytetarët refuzojnë një mandat të katërt me Edi Ramën dhe “rrangallat e tranzicionit”.

Sipas tij, vota për numrin 4 është votë për ndëshkimin e të korruptuarve dhe për kthimin e parave në xhepat e qytetarëve. Basha u bëri thirrje qytetarëve që të dielën të votojnë masivisht për Koalicionin Euroatlantik.

“Edhe ditën e sotme me të gjithë qytetarët që jam takuar, agonia e 4 viteve prap me Edi Ramën, apo rrefuzimi i riciklimit të rrangallave të tranzicionit dhe korrupsionit, i kanë lënë vend shpresës dhe besimit, se vota për numrin 4 fhe Koalicionin Euroatlantik, është votë për familjet shqiptare, për fëmijët shqiptarë, për prindërit shqiptarë, është votë për veten e tyre. Vota për numrin 4, është votë kundër korrupsionit, është votë për fundin e pandëshkueshmërisë, është votë për paratë në xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe jo në xhepat e të korruptuarve. Ndaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të dielën masivisht në kutitë e votimit për numrin 4, Koalicionin Euroatlantik” – tha ai.

Basha më tej foli edhe për programin i cili jo vetëm do t’u vij në ndihmë familjeve shqiptare, të rinjve dhe pensionistëve, por u lehtëson bizneset dhe sipërmarrjet.

Për sipërmarrësit:
• Vendosja e taksës së sheshtë në masën 9%
• Heqja e TVSH për biznesin e vogël
• Lehtësira reale për hapjen dhe formalizimin e çdo iniciative të ndershme

Për familjet shqiptare:
• Subvencione për strehimin e çifteve të reja
• Dyfishim i ndihmës për nënat kryefamiljare
• Deri në 20 mijë euro bonus për fëmijën e tretë

Për të rinjtë:
• 100 milionë euro investime për programin NextGen në 4 vite
• Praktika të paguara, mbështetje për start-up-et dhe bursa për vajzat
• Shkolla me orar të zgjatur, drekë të garantuar dhe kushte që i japin vlerë arsimit publik

Në përfundim të takimeve, Basha theksoi se Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë:
Ose Shqipëria e 313-s dhe korrupsionit të pandëshkuar, ose Shqipëria e ndershme që zhvillohet dhe garanton një të ardhme më të mirë për çdo familje.

Tre ditë para zgjedhjeve/ SPAK publikon të dhënat për krimet elektorale: Janë administruar 123 materiale kallëzuese, 35 kanë kaluar për hetim

SPAK ka bërë të ditura të dhënat e fundit në lidhje me krimet zgjedhore. Me anë të një njoftimi Prokuroria e Posaçme thotë se janë administruar 123 materiale kallëzuese, ku 35 prej tyre kanë kaluar në fazën e hetimit, pra janë regjistruar si procedime penale.

 

22 janë vendime për mosfillim të hetimit penal, ndërsa 16 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore.

SPAK njofton se 10 materiale janë dërguar për verifikim në Drejtorinë Vendore të Policisë për informacion shtesë ose për kryerje të veprimeve të para, ndërsa 1 material është bashkuar me një çështje tjetër ekzistuese.

Në lidhje me 35 procedimet, 20 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK. Vetëm 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm. Dy të tjera kanë nisur nga kallëzimet e subjekteve politike dhe dy të fundit janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.

“29 procedime janë regjistruar për veprën penale të nenit 328 (korrupsionit aktiv në zgjedhje).

4 procedime janë regjistruar për të dy nenet, respektivisht, sipas nenit 328 me nenin 328/b (korrupsioni aktiv/pasiv në zgjedhje).

1 procedim është regjistruar sipas nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike).

1 procedim është regjistruar për nenin 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike dhe nenin 248 (shpërdorimi i detyrës)”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gënjeshtrat politike të Berishës për “non gratën”, mbajnë në pushtet Ramën

Nga: Ermal Peçi

Në politikën shqiptare, e vërteta shpesh është viktima e parë. Por kur gënjeshtrat bëhen sistem, pasojat nuk ndihen vetëm në diskursin publik, por në vetë rrënjët e demokracisë. Rasti i Sali Berishës dhe mënyra se si ai ka zgjedhur të manipulojë të vërtetën për “non gratën” është një ilustrim i qartë i kësaj patologjie politike. Këmbëngulja për ta relativizuar, mohuar apo përkthyer si një “medalje nderi” ndihmon vetëm një njeri: Edi Ramën.

Sot jemi në një pikë ku një pjesë e opozitës ka vendosur të mos i besojë Departamentit Amerikan të Shtetit, por një postimi në Facebook nga një gazetar që thotë: “më kanë thënë mua”, pa asnjë provë apo fakt. E ndërsa opinioni shpërqendrohet me këto përralla dixhitale, të njëjtët njerëz po paguajnë miliona dollarë — 6 milionë, sipas dokumenteve publike të lobimit në SHBA — për të tentuar të heqin “non gratën”. Në publik u thuhet se është “e padrejtë”, ndërsa pas perdes bëhen pazare të shtrenjta për të shpëtuar kokën e një njeriu.

Në vend që opozita të përballej me mazhorancën e konsumuar nga skandalet dhe arroganca, është kthyer në një bunker personal për mbijetesën politike të Berishës. Ai e ka shndërruar opozitën në një organizatë ku armiku nuk është qeveria, por SHBA-ja, partnerët ndërkombëtarë dhe çdo demokrat që guxon të kërkojë pastrim, reflektim dhe ringritje.

Në këtë teatër absurd, Berisha ushqen militantët me fabula. Histori që ai vetë i shpik, e më pas i shpërndajnë me zell sejmenët e tij në media, rrjete sociale dhe çdo dalje publike. Çdo përgënjeshtrim përkthehet si “sulm politik”. Çdo kërkesë për reflektim, si “tradhti”. Kështu krijohet një realitet paralel ku të vetmet të vërteta janë ato që thotë Berisha – edhe kur janë haptazi të rreme.

Dhe ndërsa kjo farsë vazhdon, Rama fiton. Ai nuk ka më përballë një opozitë që kërkon reformë dhe drejtësi, por një figurë të konsumuar dhe të izoluar, të cilën e përdor si alibi për të justifikuar dështimet dhe kapjen e shtetit. Çdo herë që diskutohet për korrupsion, loja kthehet te “non grata” e Berishës. Dhe Rama fshin duart: “Shikoni kush më kritikon!”

Ironikisht, Berisha po i jep Ramës legjitimitetin që ai nuk do ta arrinte dot vetë. Duke e mbajtur opozitën peng të interesave personale, duke e ndarë dhe duke e helmuar me gënjeshtra, ai i ka dhënë këtij regjimi kohë, hapësirë dhe qetësi. Kjo nuk është më thjesht një gabim strategjik. Është një tradhti ndaj shpresës së mijëra qytetarëve që kërkojnë ndryshim.

Koha e gënjeshtrave ka mbaruar. Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga një njeri dhe paranojat e tij. Opozita nuk mund të ringrihet mbi fabula, lobime të fshehta dhe sulme ndaj aleatëve strategjikë. E ardhmja ndërtohet vetëm mbi të vërtetën. Dhe e vërteta është e thjeshtë: sa më shumë Berisha të mohojë “non gratën”, aq më shumë zgjat pushteti i Ramës.

Sepse kur opozita nuk është alternativë, pushteti bëhet përjetësi.