24.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Britania i dha 240 milionë paund për emigrantët/ Ruanda e qartë pas dështimit të marrëveshjes: S’kemi asnjë detyrim, paratë nuk kthehen

Ruanda ka thënë se nuk do t’i kthejë paratë Britanisë së Madhe për marrëveshjen e emigrantëve e arritur në kohën e Rishi Sunak, për të cilën kryeministri i ri britanik, Keir Starmer tha se ajo “ka vdekur dhe është varrosur”.

 

BBC raporton se qeveria e mëparshmë konservatore i ka paguar Ruandës 240 milionë paund ose 310 milionë dollarë.

Britania e Madhe shprehu shpresën të hënën se disa para nga marrëveshja mund të rikuperoheshin. Të nesërmen, një zëdhënës i qeverisë së Ruandës i tha televizionit shtetëror të vendit: “Le të jetë e qartë, kthimi i parave nuk ishte kurrë pjesë e marrëveshjes.”

Alain Mukuralinda tha se marrëveshja “nuk parashikonte” rimbursimin e parave dhe se Mbretëria e Bashkuar i ishte afruar Ruandës dhe kishte kërkuar një partneritet, i cili u “diskutua gjerësisht”.

Në janar, pas 21 muajsh nga bllokimi i skemës, presidenti i Ruandës, Paul Kagame, sugjeroi se disa para mund të ktheheshin nëse nuk dërgoheshin azilkërkues në vend.

Por qeveria e Ruandës më vonë specifikoi se nuk kishte “asnjë detyrim” për të rimbursuar MB-në.

Në kryeqytetin e Ruandës, Kigali, punëtorët e punësuar muaj më parë për të ndërtuar banesa për azilkërkuesit shprehën shqetësimin për vendimin e Starmer.

“Vdekja” e skemës mund të “ndikojë keq në jetën tonë”, tha një punëtor në sitin Gahanga për BBC.

Sherri për vendparkimin e makinës, arrestohet pas disa orësh autori që plagosi ish-efektivin e Shqiponjave! Ja si është gjendja e tij

Policia ka arrestuar autorin e plagosjes së ish-efektivit të Shqiponjave, Lavdosh Metaj, i cili u dënua me 5.4 vit burg për trafik droge, por që u lirua nga qelia rreth 3 muaj më parë pasi përfitoi nga Amnistia.

 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40 të mëngjesit të sotëm (11 korrik) në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës në një vendparkim.

Uniformat blu raportojnë se pas konfliktit të çastit, për motive të dobëta, autori ka plagosur me thikë ish-efektivin. 41-vjeçari, banues në Sarandë, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa autori, 41 vjeçari me iniciale A. Sh., banues në Sarandë u arrestua pas disa orësh.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi L. M., kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit:

A. Sh., 41 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 03:40, në lagjen nr.1, në një vendparkim, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. M., 41 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Kush është ish-efektivi

Dyshohet se Lavdosh Metaj është plagosur nga roja i një hoteli në qytetin bregdetar pasi refuzoi të paguante lekët për parkimin e automjetit.

41-vjeçari me origjinë nga Mallakastra kishte parkuar automjetin brenda hotelit në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës dhe kur ka shkuar ta marrë, nuk ka pranuar të kryejë pagesën.

Lavdosh Metaj u arrestua më 12 qershor 2021 pas një operacioni të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në kuadër të hetimeve qe zhvilloheshin ndaj tij për shpërndarje kokaine ne Sarande.

Në momentin e arrestimit në flagrancë, efektivit iu sekuestruan 11 doza kokainë, me peshë totale 5 gramë, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpi, iu gjetën edhe 165 gramë, lëndë narkotike, e të njëjtit lloj, kokainë, si dhe një peshore elektronike.

Një ish-efektiv i Forcave “Shqiponja” të Sarandës më 10 nëntor 2022 është dënuar me 5.4 vite burg nga Gjykata, pasi u shpall fajtor për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Vendimi u dha nga gjyqtarja Suela Xhani, e cila e dënoi atë me 8 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje dënimi.

Qeveria nuk rrëzohet me modelin e ngjashëm!

Nga Namir Lapardhaja

Qeveria nuk rrëzohet me protesta, as duke sulmuar SPAK-un dhe drejtësinë, as duke ngritur kauzë “lirimin e liderit të opozitës”, as duke ricikluar të njëjtat figura të ndryshkura politike, as duke nxjerr bashkë ata që nuk kanë lënë gjë pa i thënë njëri-tjetrit, duke filluar prej akuzave më monstruoze, as duke vënë në krye ata që e kanë shpërdoruar besimin e njerëzve, kur kanë qenë në pushtet, dhe të demokratëve, gjatë kohës së opozitës, as duke bërë pazare natën me pushtetin, duke përfituar kulla dhe tendera, dhe ditën duke mos i lënë gjë pa thënë, as duke e mbushur dynjanë me gënjeshtra pesëlekëshe, as duke mos qenë të vërtetë me njerëzit dhe publikun, as duke qenë të përulur ndaj njëshit lart ballkonit dhe duke qenë agresiv dhe arrogant ndaj kujtdo tjetër që Ay e ka shenjestruar si armik.

Qeveria nuk rrëzohet me modelin e ngjashëm. Nëse akuzohet për korrupsion, nuk mund t’i vendosësh përballë disa të korruptuar. Nëse akuzohet për lidhje me krimin, nuk mund t’i bësh opozitën me njerëz të lidhur po me grupet kriminale. Nëse akuzohet për abuzime me tenderat dhe koncensionet, nuk mund t’i bëjnë akuzat ata/ato që njihen si përfitues të tenderave dhe koncensioneve nga qeverisja e djeshme.

Qeveria nuk rrëzohet me parimin “ikni ju, të vijmë ne”, për sa kohë nuk ke treguar vullnet dhe dëshirë për të ndryshuar dhe për t’i bindur njerëzit se pse ti je ndryshe nga kjo qeveri.

Qeveria nuk rrëzohet duke i folur vetëm militantëve të partisë me një gjuhë të drunjtë dhe një model të stërvjetëruar, sepse ashtu mund të fitosh militantët që janë gati të hanë barë për partinë, por, kurrsesi, shoqërinë shqiptare, e cila, në dallim, nga hallet e kësaj opozite, ka halle krejtësisht të tjera, që nuk pikëtakohen gjëkundi me retorikën e saj.

Qeveria nuk rrëzohet nga një opozitë e pareformuar, e marrë peng nga një njeri dhe nga një familje që për interesa politike dhe ekonomike i venë nga pas edhe nja dyzet kalkukues për deputetë dhe mundësisht për hajdutë në rastin e marrjes hipotetike të pushtetit.

Qeveria nuk mund të rrëzohet nga një parti që gënjeshtrën brenda vetes e ka ngritur në sistem, përuljen ndaj udhëheqësit e ka shndërruar në idhujtari, konfliktin e brendshëm në lubrifikant për të ecur përpara.

Qeveria nuk mund të rrëzohet nga një grupim politik në të cilin e drejta nuk ka vend, e arsyeshmja është e paftuar, e ndershmja e dëbuar, normalja e anatemuar, ku politikës ia kë zënë vendin ‘rruga’, argumentit ‘forca’, logjikës ‘turma’, ku e Gënjeshtërta është ulur në fronin e së Vërtetës dhe prej aty drejton gjithçka, ndërsa Verbëria është parimi kryesor për të qenë pjesë e këtij ansambli të vuvët ku përherë fitohet dhe rrëzohet qeveria, ndërsa të nesërmen e kësaj gjëje historia fillon nga e para, duke përsëritur në mënyrë ciklike vetveten.
Domethënë nga humbja në humbje të vazhdueshme, deri në asgjësim.

Vula, ky institut i moralit politik!

Nga Besart Logu

Shoh disa ish eksponentë të lartë të PD që kanë ndryshuar kurs 180° në raport me qëndrimet e tyre të mëparshme, diktuar kjo nga vendimi i Gjykatës së Apelit që legjitimoi Berishën si kreun e PD. Disa artikulojnë teza ojf-iste të tipit “jemi kundër kryetarokracisë” e disa të tjerë shkojnë edhe më tej, duke ngritur akuza se “Basha ka qenë dhe është në funksion të Berishës”.

Gjithkush është në të drejtën e tij të artikulojë çfarë të dojë por që nisma e re të ngjisë në opinionin publik, sidomos ndër demokratë, duhen ruajtur dy elementë shumë të rëndësishëm: koherenca dhe morali. Kështu, një ndryshim i tillë drastik të imponon ngritjen e disa pyetjeve që sqarojnë faktin politik: kur e konstatuat pushtetin absolut të kryetarit (Lulzim Bashës)? Po lojën e dyfishtë të tij me Berishën? Pse nuk e ndërmorët aktin e ndarjes prej tij para humbjes së vulës?

Dikush mund të thotë se këto shqetësime janë ngritur në mënyrë informale dhe në nivel kafenesh por këto nuk janë akte politike, janë thashetheme koridoresh. Prandaj ngritja e partisë së re mbi këto argumente e ka fatin e paracaktuar, është e destinuar të dështojë. Nëse goditja e kryetarokracisë dhe distancimi nga “loja” e Bashës do të bëhej kur ai gëzonte legjitimitetin e kreut të PD, atëherë po, do të kishim akt politik të mirfilltë, që përcillte moral dhe që shtrihej në koherencë të plotë duke gjetur mesin e artë ndërmjet parimeve mbi të cilat funksionojnë dhe fenomenit që denoncojnë.

Të godasësh Lulzim Bashën sot, në momentin më kritik të tij, flet shumë më shumë nga sa pretendohet publikisht.
E para, tregon nivel të lartë mosmirnjohje sepse e ke mbështetur atë vetëm kur ishte i fortë dhe legjitim. Pra, kur kishte çfarë të të jepte. E në momentin kur nuk i gëzon këto dy cilësi jo vetëm e braktis por edhe e godet.
E dyta, kjo sjellje tregon se sa të dobët janë. Godasin dikë në një moment që shënon mbase kurbën më të ulët të karrierës politike të tij. Dhe kjo është në kufijtë e pabesisë. Kështu ngrihen edhe pritat, ku shfryrëzohen momentet kritike me qëllim pasjen rezultat në goditje.

E treta, ky akt tregon paqëndrueshmëri në atë çfarë ke thënë e synuar të bësh. Lufta kundër berishizmit ishte një vullnet për ta kaluar Partinë Demokratike në një stad tjetër më të avancuar, në të menduarit dhe bërit politikë, të organizimit dhe drejtimit të partisë, si dhe të një qasje tjetër ndaj qytetarit, duke përmbyllur kështu një periudhë në PD me uljet dhe ngritjet e saj dhe duke hapur një cikël të ri siç mund të ndodhë normalisht në një parti politike. Thënë ndryshe, ishte diçka që nisi dhe duhet të mbaronte në PD dhe për PD. Partia e re, del kundër logjikës dhe frymës të luftës së pretenduar, asaj kundër berishizmit. E lë PD aty ku ishte dhe ashtu si ishte. Është totalisht ndryshim kursi sepse luhet vetëm për një ose dy ulëse në parlament e në këtë mes nuk ka asgjë parimore dhe se lufta kundër berishizmit i bie të ishte loja.

Sa më sipër dhe për mbyllje, që në momentet e para të artikulimit të idesë për krijimin e partisë së re, kam qenë kundër. Pashë që po tentohej të luhej me emocionet e humbjes së gjyqit. Sot, kur jo vetëm unë por të gjithë logjikojnë ftohtë, për më tepër kur dëgjojmë arsyet se pse u dashka partia e re, po refuzohet në masë çka e gjithë kjo zhurmë do të përfundojë në “parti e mbetur në tentativë”.

Shqipëria, me shpenzime rekord për ndërtimin në Europë në 2023

Varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit në Shqipëri ishte më e larta në Europë në vitin 2023, sipas të dhënave që janë përditësuar së fundmi nga Eurostat.

Shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar.

Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%.

Vendi i dytë pas Shqipërisë ishte Rumania, me 17.9%, i ndjekur nga Suedia, me 15.7%.

Në rajon, pas nesh renditet Maqedonia e Veriut, me 13.3%, e ndjekur nga Bosnja me 2.5%, Mali i Zi 11.4% dhe në fund Serbia me 9.6%.

E fundit në Europë është Greqia, shpenzimet nominale të së cilës për ndërtimin ishin vetëm 4.9% e PBB-së.

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ndikuan në gati 50% të rritjes ekonomike

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se si aktivitetet e pasurive të paluajtshme, ashtu dhe të ndërtimit, që vitet e fundit ka hyrë në një cikël të ri rritjeje, kanë qenë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen ekonomike të 2023.

INSTAT bëri të ditur se ekonomia u rrit me 3.44% në 2023.

Të dhënat tregojnë se ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë ndikuar në gati 50% të kësaj rritjeje, ku efekti më i fortë ishte në tremujorin e parë dhe të fundit.

Po sipas INSTAT, aktiviteti i ndërtimit arriti në 235 miliardë lekë, ose rreth 2.2 miliardë euro, me një rritje preale prej 9.7%. Ashtu si pasuritë e paluajtshme, edhe ndërtimi rinisi ciklin pas vitit 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 137 miliardë lekë vitin e kaluar, ose rreth 1.3 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shitblerjeve i regjistruar ndonjëherë./ Monitor.al

“Ekonomia kontrollon gjithçka!”- Biden apo Trump? Votuesit amerikanë: Vendosim duke pyetur xhepat tanë

“Ekonomia kontrollon gjithçka,” thotë Chris Stinson, drejtor shitjesh në Karolinën e Jugut, “Ekonomia më shqetëson më shumë, atë do të mbaj parasysh kur të votoj këtë nëntor”.

Dhe Chris Stinsono nuk është i vetmi. Kur kanë mbetur më pak se 4 muaj deri nga dita e votimit, mirëqenia ekonomike, të ardhurat në xhepat e tyre, janë përparësi për amerikanët.

Një anketim i rrjetit CNN, javën e kaluar, tregoi se 36 për qind e të anketuarve thanë se ekonomia është përparësia e tyre kryesore se për cilin kandidad do të votojnë. “Mbrojtja e demokracisë” u rendit në radhë të dytë.

“Kujt t’i besoj me këtë gjendje ku ndodhet ekonomia?”, pyet zoti Stinson. “Jam i pavendosur. Demokratët duken krenarë që janë kundër biznesit dhe pro-forcimit të rregullave administrative për biznesin, por (kandidati i pritshëm republikan dhe ish-presidenti) Donald Trumpi na çoi drejt këtij inflacioni shkatërrues, kur ai prezantoi planin për të nxitur ekonominë gjatë periudhës së COVID-it”.

“Por di që këto çështjet e të tjera për të cilat demokratëve u pëlqejnë të flasin, duke dëmtuar individëve të bardhë si puna ime, duke shtuar rregullore kudo që të munden… njerëzve nuk u intereson as gjendja e oqeaneve, as se cilin tualet mund të përdorin transgjinorët, nëse ata janë të papunë, apo nëse nuk gjejnë dot një vend pune”, tha zoti Stinson për Zërin e Amerikës.

Ky shqetësim për ekonominë përjetohet pavarësisht zbutjes së inflacionit dhe një raporti mujor, më të mirë nga sa pritej, që tregonte se në qershor u hapën 206,000 vende të reja pune.

Megjithatë, shqetësimet lidhur me ekonominë ka të ngjarë të ndikojnë tek zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Në qershor një anketim i rrjetit PBS News/NPR/Marist tregoi se 54 për qind e votuesve të regjistruar që u anketuan besonin se zoti Trump mund ta menaxhonte më mirë ekonominë, se sa Presidenti Joe Biden (45 për qind).

Votuesi demokrat nga Alabama, Collins Pettaway tha se ekonomia “do të luajë një rol të madh në këto zgjedhje, siç ka ndodhur shpesh dhe kam besim maksimal se Presidenti Biden do të vazhdojë të menaxhojë ekonominë në mënyrë të dobishme, ashtu siç bëri duke na nxjerrë nga pandemia e pashembullt dhe ekonomia e shkatërruar që trashëgoi në mandatin e tij të parë”.

Një komb i shqetësuar

Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew i muajit maj tregoi se vetëm 23 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara besojnë se ekonomia është në gjendje të shkëlqyer ose të mirë, nga 28 për qind që ndanin këtë mendim në fillim të vitit.

Ky ndryshim është kryesisht rezultat i votuesve demokratë, opinioni kolektiv i të cilëve ka rënë në 37 për qind, nga 44 për qind në janar.

“Është e pamundur të mohohen efektet e inflacionit”, i tha Zërit të Amerikës Carl Fink, një votues demokrat dhe baba i tre fëmijëve në Nju Orlins, të Luizianës. “Ushqimet, sigurimi i makinës, daljet për t’u argëtuar, janë të gjitha shumë më të shtrenjta tani. Por ato as nuk mund të krahasohen me rritjen e kostos për çerdhet apo kopshtet dhe shkollimin e mirë, në këto katër vjet, që përkon me kohën kur lindi fëmija ynë i parë. Gjithçka është shumë më e vështirë tani”.

Javën e kaluar, Rezerva Federale (Banka Qendrore) vuri në dijeni Kongresin se “pati rënie të dukshme të inflacionit vitin e kaluar dhe përparim modest deri më tani këtë vit”. Rezerva Federale thotë se pret që çmimet të mos rriten më me ritmin e lartë të këtyre viteve të fundit për shkak të inflacionit, por të kthehen në ritmin normal të rritjes të para COVID-19.

Por për shumë amerikanë që janë përballur me rritjet më të shpejta të çmimeve që nga fillimi i viteve 1980, diskutimet për ngadalësim të inflacionit nuk sjellin ndonjë përmirësim të gjendjes së tyre aktuale financiare.

“Ekonomia është faktori kyç në këto zgjedhje, sepse qytetarët si unë nuk po mund të përballojnë dot më atë që dikur konsiderohej baza e të jetuarit në Amerikë”, tha George Barisich, një peshkatar dhe votues republikan nga Shalmet, Luiziana.

“Çmimet e naftës dhe gazit kanë shkuar në qiell. Nuk po nxjerr dot më para”, tha ai.

“Të paktën Trumpi është një njeri i biznesit”. “Besoj se ai do të jetë në gjendje të na ndihmojë”.

Kur ekonomia vlerësohet sipas bindjeve politike…

Në një periudhë kur polarizimi politik po shtohet, profesori i asociuar i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Clevelandit, David Stack thotë se votuesit i shohin treguesit ekonomikë sipas optikës së bindjeve politike.

“Nëse jeni demokrat, e vini theksin tek rënia e nivelit të papunësisë dhe thoni: “Shikoni se si Bideni i dha zgjidhje rrëmujës që trashëgoi nga Trumpi. Ai duhet të jetë president”, i tha zoti Stack Zërit të Amerikës. “Por nëse jeni republikan, e vini theksin tek niveli i inflacionit dhe thoni: “Shihni se si Bideni po e shkatërron ekonominë? Trumpi e menaxhoi më mirë, kështu që Trumpi duhet të jetë president”.

Zoti Stack thotë se shumica e republikanëve besojnë se shkalla e lartë e papunësisë në fund të mandatit të zotit Trump ishte rezultat i pandemisë, ndërsa demokratët besojnë se paketa stimuluese gjatë COVID-19 çoi në një rritje të parashikueshme të inflacionit.

Ndikimi në zgjedhjet e nëntorit

Shane Finkelstein, një votues demokrat nga Nju Orlinsi, i cili humbi biznesin e tij gjatë pandemisë dhe pas 2 vitesh tanimë ka gjetur një vend pune thotë se është i kënaqur me mënyrën se si zoti Biden e ka menaxhuar ekonominë.

“Është një nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballemi, dhe mendoj se është sektori ku Bideni vepruar më së miri”, tha zoti Finkelstein. “Inflacioni është një problem i madh, por zakonisht është gjithashtu pasqyrim i një ekonomie të fortë. Arsyeja që ka qenë më intensiv këtë herë është për shkak të COVID-it”.

Votuesi nga Merilendi, Nick Merson thotë se shpreson që nëse jo ekonomia, çështje të tjera, të tilla si kontrolli i armëve dhe qasja ndaj abortit, do të forcojnë pozitat e demokratit Biden për një mandat të dytë.

“Pikëpamjet aktuale rreth inflacionit dhe ekonomisë do të rezultonin në një fitore të lehtë për republikanët”, i tha zoti Merson Zërit të Amerikës.

“Por republikanët kanë gjithashtu kandidatin më toksik në histori. As ne nuk kemi ndonjë kandidat shumë të mirë, por këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme prandaj nuk mund të rrimë duarkryq”./VOA

Sirena angleze për Asllanin, dy klube të Premier Ligës interesohen për mesfushorin kuqezi dhe tundojnë Interin

Kristjan Asllani po bëhet gati që të nisë pas pak ditësh sezonin e tij të tretë si lojtar i Interit. Por kjo verë mund të jetë pak më ndryshe për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, pasi me lëvizjet e fundit që ka bërë Interi, roli i tij në skuadër nuk është më aq i sigurt.

Afrimi i Piotr Zielinskit ka shtuar rivalitetin për një vend në rreshtimin e zikaltërve, qoftë edhe si alternativë nga stol. Ndaj për klubin mund të jetë një opsion tërheqës edhe shtija e tij, duke pasur parasysh që ofertat nuk mungojnë. Fiorentina prej kohësh ka shfaqur interesi për lojtarin, të cilit mund t’i japë edhe hapësira si titullar në rreshtimin e vjollcëve.

Por së fundmi në skenë kanë dalë edhe ekipet angleze. Portalet pranë Interit kanë mësuar se ka pasur një interesim konkret nga dy klube të Premier Ligës, Kristal Palas dhe Uest Hem, të cilat kanë mundësitë ekonomike për të përballuar kërkesat e klubit zikaltër dhe vetë futbollistit.

Tani mbetet të mësohet se çfarë drejtimi do të vendosin të zgjedhin Asllani dhe klubi, ku ai deri para fillimit të kësaj vere cilësohej një alternativë e rëndësishme për zikaltrit.

Karbohidratet apo yndyrnat, cilat ju pengojnë për të humbur peshë? Ja çfarë duhet të dini rreth atyre që konsumoni

Keni menduar ndonjëherë se cila është dieta e duhur për ju? Të humbasësh në peshë duket se është mision i pamundur për disa dhe fare e thjeshtë për të tjerë.

Për këtë ka një arsye të fortë që qëndron pas. I gjithë sekreti qëndron tek dieta e duhur dhe zgjedhja e duhur e saj.

Ndër më të njohurat janë dietat që masin yndyrnat e ushqimeve dhe ato që masin karbohdratet. Në këtë artikull do t’i vëmë të dyja përballë për të parë se kush është më efektive.

Dietat me pak karbohidrate

Këto lloj dietash ulin tërësisht konsumimin e ushqimeve të brumit, sheqrnave, yndyrnave e karbohidrateve të tjera. Ato ndahen në tre kategori në dieta me shumë pak karbohirate ku këto të fundi zënë vetëm 10% të kalorive totale ditore, ose e përkthyer në 20-50 gram në ditë karbohidrate në një dietë me 2000 kalori.

Kategoria e dytë janë dietat me karbohidrate të ulta me më pak se 26% e kalorive totale ditore, ose më pak se 130 gram në ditë bukë, brumra, sheqerna apo bishtajorë.

Tek kategoria e tretë futen dietat e moderuara të karbogidrateve që zënë 26-44% të kalorive totale ditore. Zakonisht dietat me shumë pak karbohidrate hyjnë tek dietat ketogjene të cilat i kufizojnë energjinë trupit për të stimuluar dobësimin.

Në përgjithësi, këto dieta kufizojnë ushqimet si pijet me sheqer, produktet e brumit dhe ëmbëlsirat.

Disa versione gjithashtu mund të kufizojnë burimet e shëndetshme të energjisë siç janë bishtajorlt, perimet, frutat me shuml sheqer apo makarinat. Në këto lloj dietash e gjithë energjia e trupit tuaj duhet të vije nga mishi, peshku, bulmeti apo arrorët.

Dietat me pak yndyrna

Dietat me pak yndyrë fokusohen në kufizimin e marrjes së yndyrës në më pak se 30% të kalorive totale ditore. Ushqimet me yndyrë të lartë si vajrat e gatimit, gjalpi, avokadot, arrat, farat dhe bulmeti me yndyrë janë zakonisht të ndakuara në këto lloj dietash.

Ju duhet të konsumoni ushqime me pak yndyrë si si frutat, perimet, drithërat, të bardhat e vezëve, bishtajoret dhe shpendët.

Gjithashtu edhe ushqimeme yndyrë të reduktuar si kosi me pak yndyrë, qumështi pa yndyrë e çdo produkt tjetër që nuk e përmban atë.

Cila është më efektive?

Ekspertët në këtë pikë thonë se dietat me pak karbohidrate janë më efikase për të humbur peshë më shpejt, por në terma më afatgjatë të dyja dietat janë efikase njësoj.

Me të dyja këto dieta nëse ndiqen në mënyrë të shëndetëshme do të mund të humbisni peshë thuajse në të njejtën mënyrë në terma afatgjatë. E rëndësishme për të humbur peshën dhe për ta mbajtur atë konstante është që të zgjidhni atë të duhurën për organizmin tuaj.

Kur ulni karbohiratet do të keni më pak uri dhe do të kontrolloni më mirë nivelet e sheqerit ne gjak gjë që do të çojë në djegien e dhjamit.

Ndërsa kur ulni yndyrnat do të mund të ulni yndyrën e tepërt në trupin tuaj dhe do të stimuloni humbjen e peshës./AgroWeb.org

Transaksionet e pasurive të paluajtshme ngadalësohen ndjeshëm në tremujorin e parë

Rritja e aktivitetit të pasurive të paluajtshme është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të fundit nga INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Transaksionet e shitblerjeve në vend arritën në 36 miliardë lekë, ose gati 360 milionë euro në periudhën janar-mars. Ndonëse në vlerë ky është një rekord i ri, ritmet e rritjes janë më të ulëtat që nga mesi i vitit 2011, përpara se tregu të niste zgjerimin e fortë dyshifror.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se aktiviteti i pasurive të paluajtshme u rrit me 5.9% me bazë vjetore në tremujorin e parë të këtij viti. Ritmet e rritjes janë përgjysmuar në krahasim me 2023, kur kulmuan në 11.3%, niveli më i lartë në të paktën një dekadë.

Ndryshe nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme, sektori i ndërtimit ka vijuar rritjen e fortë, duke sinjalizuar për herë të parë në këto dy vitet e fundit për një mospërputhje të kërkesës me ofertën. Ndërtimi u rrit me 14% në janar-mars 2024, nga 9.8% që ishte zgjerimi vitin e kaluar.

Ndërsa kërkesa duket se është në rënie, oferta do të vazhdojë rritjen. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e zhvillimit për një ndërtesë me 65 kate mbi tokë dhe gjashtë nën tokë.

Në listën e KKT janë edhe disa projekte në rrugën “Dritan Hoxha” me 35 kate, apo në rrugën “Teodor Keko”, me lartësi 50 kate mbi tokë. Tashmë duket se kullat po kalojnë zonën brenda unazës duke u shtirë edhe në pjesën më periferike të kryeqytetit.

Një projekt që parashikon një kompleks multifunksional rezidencial prej 27 katesh në zonën e Kasharit. Më herët, edhe ndërtuesit kanë pohuar se tregu po shfaq shenja ngadalësimi në kahun e porosive.

Sipas anketës së besimit të bizneseve të Bankës së Shqipërisë (BSH) të qershorit, sektori i ndërtimit nuk është optimist për të katërtin muaj radhazi. Madje në prill – qershor, balanca është kthyer në negative, që do të thotë se pesimizmi mbizotëron mbi optimizmin.

Bizneset presin më pak porosi. Balanca e përgjigjeve[1] për pyetjen e kontratave porositëse ishte negative prej -22.5, që tregon se më shumë ndërtues presin që të ketë më pak porosi. Ky është niveli më i ulët i këtij viti.

Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për prona me çmim shitjeje mbi 1,500 euro/m². Nga ana tjetër, rritja e çmimeve në qendër zhvendosi kërkesën në periferi, duke bërë që dhe kjo e fundit të rritet në 1000-1200 euro/m².

Një faktor tjetër që ka frenuar kërkesën lidhet me hetimet e SPAK. Sipas agjentëve imobiliarë, blerësit me të ardhura të rregullta hezitojnë të blejnë në pallate, ndërtuesit e të cilëve mund të jenë objekt i SPAK.

Edhe një sërë hetimesh nga SPAK kundrejt figurave të fushës politike por edhe të sipërmarrjes, po jep ndikime në tregun e shitblerjes së pasurive të paluajtshme.

Një burim që po furnizon tregun mbeten blerjet e të huajve, sidomos në zonat bregdetare.

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se gjatë tremujorit të parë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e Investimeve të Huaja Direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 21%, e hidrokarbureve, në masën 13%, e energjetikës, në masën 5%, si dhe komunikacionit, në masën 5%. Në vlerë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme ishin rreth 81 milionë euro në tremujorin e parë.

Në vitin 2023, sipas INSTAT, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 137 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shitblerjeve i regjistruar ndonjëherë.

Në 2022 dhe 2023, aktiviteti i pasurive të paluajtshme u rrit me shpejtësi, me përkatësisht 11.2 dhe 11.3%, ritmet më të larta nga të gjithë sektorët e tjerë.


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor

Ja ku gjalloj

NGA EDISON YPI

Do me më gjet ku jam, ku jetoj, ku gjalloj? Nisu ku po ndërtohet një pallat pa leje nga një pareli me ekzemë në tru. Mu aty, futu te një tunel i ngushtë që do të dalë para me të gjithë madhështinë e vet si nënujori i La Manshit. Pastaj drejt. Kur të shohësh djathtas një kafene që nuk paguan taksat, sepse ndihmon partinë gjatë fushatave, kthehu majtas te një fason që ia jep shtetit taksat, por punëtorëve u merr shpirtin. Mos u frikëso nga macja e zezë që do ta presë rrugën me mjaullima fyti dhe shkreptima sysh. Mos u merr me një copë mace. Ajo aq di, aq bën, s’ka tjetër zanat, tjetër talent.

Vazhdo në drejtim të servisit që me pare kurbeti e ngriti Çimi Hajries, me papërgjegjësi e përdori Timi Sanies, me hajdutllik e falimentoi Gimi Nuries. Prej aty, vrik te dyqani celularëve kontrabandë te qoshja e urës njit me një fotograf që dyqanin e mban kot, veç për me shit fshehtas hashash. Nja njëqind metra më tutje spaciatorit, futu te rrugica që të çon te një vilë e madhe me tre kate, të gjitha dyert e dritaret mbyllur. E ngriti me pare droge Llesh Leshi nga Shijaku, ai që më vonë e vranë t’u ia përplas kokën me çizme pas murit dhe vila met batall, fantazmat hedhin valle natën. Mos u tremb nga qeni i skeduar te shtëpia me portë me kangjella druri me dy kuçedra allçini anash, që nxjerrin zjarr nga goja. Është qen budalla. As të leh as të kafshon. Gardhit me tela me gjemba që ta zuri rrugën, hidhi sipër gunën e Selam Musait.

Kësaj cisternës që ka blloku kalimin, shpërtheja brenda bombat e Vojo Kushit. Me dyqanin e bulmetit që ka njëqind lloje djathërash njëri më i bardhë se tjetri, prej të cilëve asnjëri s’hahet, laji një herë e mirë hesapet, vritja shitsin. Të njëjtën gjë bëje me kasapin e Mishtore-s që ty të jep kockat, ndërsa miqve tulin. Nga shpia e Gonit që ka pas lujt te filmi “Ishte se ç’na ishte, një gomar me bishte” dhe nga qejfi i suksesit, vdiq nga damllaja para se me lujt noi film tjetër, deri ke marangozi që e mylli dyqonin se boni sherr me ortakun, mos vrit as mos rrif njeri se jan gjynof.

Pastaj kthehu te rrugica djathtas. Ka ky qytet disa vene si kjo rrugica, ku s’futet as ambulanca as zjarrfikësja, ore as guglli po të them. Ku s’hyn guglli, hyn budallallëku. Banorët që nuk pytën kënd kur i ngritën shtëpitë aq afër me njoni-tjetrin, s’e kan hiç problem djegien e shpiave, as vdekjen e pleqve. Ata ate dun. Ata atë ëndërrojn. Mos u mërzit. Ja dhe pak. Ky plaku me shkop ulur mbi stol me vështrim nga infiniti është Hysamedini. Para ca vitesh, Hysa dha bakshish dhe e falenderoi një mik që i gjeti gocës punë jashtë shtetit. Mirëpo miku që kishte qen trafikant femrash, ia çoi gocën në Milano.

Hysa u sëmur. Pastaj u çmen. Tani rri gjith ditën para portës, gjith notën cipër celularit për me gjet gocën e humbur si Çaplini Titinën te “Kohët Moderne”. Dy dyer mo tutje, i çun lagje, pasi maroi ‘Harry Fultzin’ dhe msoi zanot, u nis m’Angli. S’pat fat. U myt në La Mansh bashkë me nja dhjetë të tjerë si vetja dhe kamionin ku ishin mçef. Në fund të rrugicës banon Maria. S’pati fat e shkreta. Mori i burr, pastaj të dytin, pastaj të tretin. Maria i provoi burrat si shalqina me thik te koka. Asnji s’i doli si e desh’. Të gjithë të modifikuar gjenetikisht. Iku Maria.

Pa nam e nishan. S’dihet ku. Parullën e kuqe mbi mur ku shkruhet “Partia mbi të gjitha”, e kan ly me gëlqere të bardhë, por akoma lexohet. Njit me parullën osht i dyqon byreqesh. Haje i byrek se u lodhe. Bureku s’ka për të pas brenda gjiz, spinaq, domate, qep. Po, por ka për të pas aromën e qepës, domates, gjizës, spinaqit. Ngopu pra me erën e atyre që byreku pretendon se ka brenda. Edhe pak dhe ia arrite qëllimit për me më gjet. Shtëpi me qelpiça, qur, oborr me hurma, carac, mandarina.

Osht e imja. Arrite. Ulu pak boj i çik muhabet me Momën teme, dridhni noi cigare dahon, pini nai kafe turke sa t”vi un. Ou, Moma paska vdek. Muret qekan shem. Zjarri qeka fik. Vatra qeka ftof. Caraci qeka tha. Pusi qeka shterr. Qielli qeka nxi. Qeka vorrezë. Qeka Ferr. S’ka problem. Aty jam. Aty më ke. Aty më gje. Aty gjalloj. Sa të vi pas pak, ulu falju Baba Fetahut, përfytyro Qafën e Martës, nigjo Këngën e Lace Backës.