37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Vuani nga rënia e flokëve? Ja ushqimet që duhet të konsumoni

Rënia e flokut është një problem që shkakton shqetësim, madje në disa raste edhe episode ankthi.

Disa nga faktorët kryesorë që shkaktojnë rënien e flokëve janë kushtet klimatike, mosha, niveli i lartë i stresit dhe dieta e varfër ushqimi.

Mungesa e balancës hormonale, faktorët genetik, infeksionet e skalpit të kokës dhe duhanpirja mund të shkaktojnë gjithashtu rënien e flokëve.

Ashtu siç mund të ndikojë edhe përdorimi i produkteve të pasura me kimikate, disa medikamente të caktuara.

Në këtë dukuri aspak të pëlqyer ndikojnë dhe sëmundje të caktuara siç janë çregullime e tiroideve, imuniteti i dobët, anemia, pra, mungesa e hekurit si dhe sëmundjet kronike.

Mënyrat e trajtimit të këtij problemi në mënyrë natyrale janë të larmishme, megjithatë përpara ndjekjes së tyre, njeriu duhet t’i kushtojë vëmendje hekurit në organizëm.

Rëndësia e Hekurit Për Shëndetin e Flokëve

Hekuri është një ushqyes i domosdoshëm për një sërë funksionesh të organizmit, përfshirë këtu edhe prodhimin e gjakut.

Kur në organizëm ka nivele të ulëta të hekurit, ai përthith depozitat e mbetura, përfshirë këtu edhe ato që përdoren për rritjen e flokut. Kësisoj ky i fundit nis të bjerë.

Përpara se të vendosni që të merrni suplementë të hekurit, sigurohuni që po konsumoni mjaftueshëm ushqimet që janë të pasura me të.

Këtu përfshihen:

Barishtet e gjelbërta si spinaqi

Mishi i viçit, peshkut, pulës dhe gjelit të detit

Brokoli

Thjerëzat

Gocat e detit

Farat e kungullit

Fasulet

Frutat e thata

Vitamina C Për Përthithjen e Hekurit

Ekspertët këshillojnë që përveç hekurit, njerëzit që kanë probleme me flokun duhet të sigurohen që të marrin mjaftueshëm edhe vitaminën C.

Kjo e fundit është e domosdoshme për përthithjen e sasive të nevojshme të hekurit.

E fundit, por jo për nga rëndësia, ekspertët thonë se duhet të shmangni sa më shumë kafenë, çajin dhe verën gjatë vakteve sepse ato bllokojnë përthithjen e hekurt./AgroWeb.org

Reagim i Bashës: Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Distancimi prej tij është kusht i pashmangshëm për t’u ndarë nga korrupsioni

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur akuzave të Ilir Metës. Me anë të një postimi në facebook, Basha shkruan se Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve.

Ai më tej e quan njeriu me bllok në dorë që ka përdorur pushtetin e demokratëve për interesat e tij personale dhe për te fuqizuar Edi Ramën, vijon me mashtrime ordinere për të mbuluar pazaret e tij të pista.

Sipas Bashës distancimi nga kreu i PL dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për t’u ndarë nga korrupsioni.

Postimi i plotë i Bashës:

Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Njeriu me bllok në dorë që ka përdorur pushtetin e demokratëve për interesat e tij personale dhe për te fuqizuar Edi Ramën, vijon me mashtrime ordinere për të mbuluar pazaret e tij të pista.
Sot po kërkon sërish me akuza qesharake që të bejë pazarin e rradhës në kurriz të demokratëve e të përfitojë nga votat e tyre.
Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën dhe Partinë Demokratike ndaj distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për tu ndarë nga korrupsioni dhe për fitoren e saj.

Raporti ‘konfidencial’: Banka e Shqipërisë ‘printoi para’ për blerjen e Hotel Dajtit

NGA OLA XAMA

 

Shtatë vjet pas nisjes së punimeve për rikonstruksion dhe afro 1 dekadë e gjysmë pas blerjes së godinës ikonike të hotelit të famshëm “Dajti” në bulevardin qendror të Tiranës, Banka e Shqipërisë hapi dyert për të pritur punonjësit e saj në një ceremoni që kishte në fokus promovimin e turizimit.

“Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në ambientet e reja të Bankës së Shqipërisë, dikur të njohura si Hotel Dajti,” tha guvernatori Gent Sejko, ndërsa i drejtohet kryeministrit Edi Rama gjatë përurimit të ndërtesës së rikonstruktuar.

“Ky monument kulture, i cili i është kthyer tashmë thesarit të trashëgimisë tonë kulturore, u rikonstruktua me një vizion të qartë, atë të ruajtjes së vlerave dhe stilit arkitekturor të kohës,” shtoi Sejko, ndërsa pranoi se “projekti i rijetëzimit ishte sa impenjativ aq dhe shpërblyes”.

Vetë kryeministri Edi Rama e falënderoi guvernatorin që zhvilloi një takim me fokus turizmin si aktivitetin e parë në godinën e rikonstruktuar.

“Faleminderit guvernatorit dhe Bankës së Shqipërisë për këtë aktivitet, që me sa kuptoj është i pari në mjediset e këtij institucioni, që përveçse institucion qendror i Republikës është monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, tanimë i rikthyer në identitet por me një funksion tjetër,” tha Rama.

Vetëkënaqësia e shprehur nga dy zyrtarët e lartë të shtetit për rikonstruksionin e ndërtesës mund të jetë e kuptueshme, duke llogaritur kohën e gjatë që projekti ka marrë.

Por një raport ‘konfidencial’ auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2017, i siguruar nga BIRN, tregon se falenderimet e dy zyrtarëve duhet t’u drejtoheshin qytetarëve, pasi ata kanë dhënë kontributin kryesor për blerjen dhe rikonstruksionin e godinës.

KLSH ka konstatuar në auditin e saj se Banka Qendrore ka printuar kartëmonedha për të blerë me 4 miliardë lekë [30 milion euro me kursin e kohës] në vitin 2010, godinën e rrënuar të hotelit dhe truallin përreth.

Raporti sugjeron se dhe financimi i shpenzimeve për rikonstruksionin e godinës qendrore në sheshin “Skënderbej” është bazuar në emetimin e parave, pasi rezervat në llogari për këtë qëllim nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se i emetimi i parave nga Banka e Shqipërisë ka sjellë kosto shtesë për qytetarët nëpërmjet rritjes së inflacionit.

“Në momentin që merret vendimi për printimin e parave dhe efekteve që prodhon ky vendim, rritet niveli i inflacionit sepse vendimi përkthehet në ofertë monetare të shtuar dhe çmime më të larta, veprim të cilin e pësojnë në kurriz qytetarët,” tha Pano Soko, ekspert i ekonomisë dhe anëtar i Nismës Thurje.

Printimi i parave për investime në pasuri të patundshme nuk është i vetmi problem i identifikuar nga KLSH. Sipas raportit, Banka e Shqipërisë në një rast dyshohet se ka ndihmuar një kompani private të shmangë pagesën e detyrimeve tatimore dhe kredisë bankare.

Raporti i auditit të KLSH-së shtrihet si në periudhën kur banka drejtohej nga ish-guvernatori Ardian Fullani, ashtu edhe gjatë periudhës së drejtuar nga guvernatori aktual, Gent Sejko. Emetimi i parasë i filluar gjatë periudhës që Fullani drejtonte bankën për blerjen e hotel Dajtit, dyshohet se mund të jetë vazhduar nga pasardhësi i tij Sejko për të financuar rikonstruksionin e godinës.

Sejko gjithashtu akuzohet nga grupi i auditit i KLSH-së se pas marrjes së drejtimit të institucionit më të lartë financiar të vendit, u përfshi në një procedurë të dyshimtë prokurimi për blerjen e një makine luksoze ‘Range Rover’.

Banka e Shqipërisë tha në një përgjigje për BIRN se gjetjet e audituesve që sugjerojnë shkelje janë pjesë e raportit paraprak, por jo përfundimtar, që sipas Bankës u rishikua pas vënies në dispozicion të dokumenteve.

“Nuk ka patur gjetje dhe asnjë rekomandim në raportin e KLSH, por pjesë e raportit paraprak, i cili, sikurse parashikon procesi, u rishikua nga ana e auditorëve si rrjedhojë e paraqitjes të dokumentacionit përkatës dhe bazës ligjore relevante nga ana e palës së audituar,” tha BSH.

“Emetimi i monedhës, sikurse parashikohet në ligj, bëhet në funksion të plotësimit të nevojave të ekonomisë me para, dhe në asnjë moment për të financuar shpenzimet e vetë institucionit”, shtoi Banka Qendrore.

Ish-kreu i KLSH për vitet 2011-2020, Bujar Leskaj i tha BIRN se vendimi i tij për ta klasifikuar raportin si konfidencial merrte parasysh specifikat e Bankës Qendrore.

Duhet të jetë shpjeguar në Vendimin e Kryetarit, mbështetur në specifikën e subjektit që auditohet dhe sensibilitetin e çështjeve të trajtuara dhe se i është përcjellë Këshillit Mbikëqyrës të BSH,” tha Leskaj, duke shtuar se gjetjet kryesore janë edhe në Raportin për Zbatimin e Buxhetit dhe Raportin e Performancës së KLSH, që i janë përcjellë Kuvendit dhe Komisionit të Ekonomisë.

Ish-guvernatori Ardian Fullani nuk i’u përgjigj një kërkese për koment të drejtuar nga BIRN deri në publikim e këij shkrimi.

Blerja e “Dajtit” me emetim parash

Raporti ‘konfidencial’: Banka e Shqipërisë ‘printoi

Banka e Shqipërisë është institucion kushtetues i ngarkuar me përgjegjësinë e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve e atë financiar, dhe organi i vetëm që siguron prerjen e tërheqjen nga tregu të monedhave dhe kartëmonedhave. Bankës Qendrore i lejohet procesi i prerjes dhe asgjësimit të parave në bazë të rregulloreve rigoroze, në mënyrë që të shmanget ndikimi në ekonomi me ulje apo rritje të ofertës monetare.

Për të siguruar pavarësinë në vetëfinancimin e saj, Banka e Shqipërisë realizon të ardhura nga operacionet e kredive njëditore, komisionet e obligacioneve dhe interesat në investimin e rezervës valutore dhe letrave me vlerë shqiptare.

Ligji e lejon Bankën që nga të ardhurat e saj të zbresë shpenzimet vjetore dhe të mbajë 25% të tyre si rezervë të përgjithshme, derisa fondi të arrijë 37.5 miliardë lekë, pjesa tjetër duhet të transferohet në buxhetin e shtetit.

Hotel “Dajti” u ndërtua gjatë periudhës së pushtimit fashist të Tiranës mes viteve 1939-1942 dhe njihet si pjesë e monumenteve të kulturës të trashëguara nga ansambli i arkitektit fiorentinas, Gherardio Bosio, i cili ka dizenjuar edhe stadiumin “Qemal Stafa” apo Teatrin Kombëtar, godinë që fatkeqësisht nuk ekzistojnë më.

Hoteli mbeti i hapur si një nga destinacionet kryesore të kryeqytetit gjatë regjimit komunist, duke pritur vizitorët e rrallë që vinin në Shqipëri, ndërsa mbylli dyert në mesin e viteve 2000 për shkak të degradimit dhe mungesës së investimeve.

Nga viti 2007 deri në vitin 2010, vit në të cilin u krye transakasioni për blerjen e ish-Hotel Dajtit, Banka Qendrore ka transferuar 24.5 miliardë lekë [181 milionë euro me kursin e kohës] fitime në buxhetin e shtetit. Gjatë kësaj periudhe nuk janë lënë rezerva për të financuar investimet kapitale, çka për Kontrollin e Lartë të Shtetit është krijuar bindja se paratë për blerjen e hotel Dajtit janë printuar dhe kanë ndihmuar qeverinë e kohës me likuiditet.

“Si rezultat i veprimeve të mësipërme nga viti 2010 rezervat për investime kapitale të kryera dhe parashikuara janë më të vogla se vlera e investimeve kapitale,” shkruan KLSH, ndërsa shton se “trendi i hendekut është paraqitur negativ nga viti 2010 duke kapur një vlerë prej rreth 7 miliard lekë në vitin 2014, ulur në rreth 6.37 miliardë lekë në vitin 2016 si rrjedhojë e amortizimit”.

“Nga sa më sipër rezulton se shpenzimet kapitale të Bankës së Shqipërisë të kryera në periudhën 2010-2014 janë financuar me emetim/rritje të ofertës monetare,” shton KLSH në projekt-raport.

Eduart Gjokutaj, ekspert financiar dhe drejtues i qendrës Altax, i tha BIRN se emetimi i parasë është i lidhur me plotësimin e nevojave të ekonomisë për para të gatshme dhe të përshtatshme për qarkullim, por gjithmonë duke u bazuar te monitorimi dhe analiza e tregut monetar.

“Nëse e analizojmë emetimin e parasë të lidhur thjesht me nevojat për një transaksion që duhet të kryente qeveria, kuptohet që këtu ka një konflikt të pastër me strategjinë e BSH, por edhe një cedim të integritetit të saj duke ju nënshtruar nevojave të qeverisë dhe jo të ekonomisë”, theksoi ai.

Dyshimet se qeveria “Berisha” u ndihmua me para nga Banka Qendrore u denoncuan edhe nga socialistët në opozitë në vitin 2010.

“Një operacion i pastër që nuk justifikon blerjen e këtij objekti nga ana e Bankës së Shqipërisë, por që dëshmon qartësisht dhënien e parave nga ana e Bankës së Shqipërisë, për arkat bosh të qeverisë së Sali Berishës” do të deklaronte atë vit deputeti Erion Braçe.

Por me të ardhur në pushtet, socialistët duket se ulën dalëngadalë tonet jo vetëm për çështjen e Hotel Dajtit por dhe për shpenzimet e luksit në Bankën Qendrore të denoncuara shpesh nga ata, ndërsa votuan emërimin si anëtar të Këshillit Drejtues, Ridvan Boden, ish-ministrin e Financave që e akuzuan për këtë aferë.

KLSH deklaron se praktika e printimit të parave ka vazhduar dhe në vitet e tjera për rikonstruksionin e godinës qëndrore në Sheshi Skënderbej, ndërsa hedh dyshime se edhe paratë për rikonstruksionin e Hotel Dajtit gjatë kohës që në krye të bankës u emërua Gent Sejko, nuk kanë qënë në llogari.

“KLSH vëren, bazuar në të dhënat e paraqitura, që aktivet fikse në bilancin e Bankës së Shqipërisë për një vit do rriten me 700 milionë lekë (1.4 miliardë investime minus 700 milionë lekë amortizim) ndërkohë rezerva e cituar, e cila ka kundërparti, nuk do të ndryshonte,” shkruhet në projekt-raportin e auditit.

“Pra vlera prej 700 milionë lekësh rritje neto e investimeve në bilanc në vit për vitet 2016-2018, nëse nuk do mbahen rezerva të reja nga fitimet, nuk mund të mbulohet nga rezervat aktuale dhe rrjedhimisht do financohet me emetim/rritje të ofertës monetare në vitin e investimit”, shtoi KLSH.

Sipas Eduard Gjokutajt, ky operacion duhet të ishte miratuar fillimisht nga Këshilli Mbikëqyrës.

“Në lidhje me financimin e shpenzimeve për krijim/rritje të aktiveve, natyrisht që mungesa e rezervës ligjore duhet të ishte marrë një vendim më së pari nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, për mbulimin e humbjeve dhe më tej të mendohej për vendime që lidhen me aktivet,” tha ai.

“Me hedhjen e parave të reja në ekonomi pa disponuar një analizë specifike apo edhe periodike, duke ju nënshtruar edhe kriterit të transparencës dhe llogaridhënies (mbajtje konfidenciale e veprimit të emetimit) krijon në vetvete një ndryshim të ekuilibrit të sasisë (ofertës) së parasë vendase në qarkullim,” shtoi Gjokutaj, ndërsa theksoi se rasti në fjalë “ka një ndikim mjaft të kufizuar dhe nuk ka efekte direkte në treg.”

Gjithsesi, ekspertët theksojnë se rritja e ofertës monetare në treg ka një kosto për qytetarët dhe ata që e kanë marrë këtë vendim duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Nga pikëpamja e përgjegjësisë se kush mban përgjegjësi për rëndimin e jetës së qytetarëve dhe në atë pasojë që mund të ketë sjellë kjo shifër që ka ndikuar në rritjen e ofertës monetare, përgjegjësia është e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë,” deklaroi Pano Soko.

“Justifikimet që janë nxjerrë për të marrë këtë vendim, janë ato që duhet të hetohen,” shtoi ai, ndërsa theksoi se “nëse qëllimi ka qenë ndryshe nga justifikimi aty kemi një diskordancë.”

KLSH dyshon gjithashtu se jo vetëm që janë emetuar para, por vlera e blerjes së godinës së Hotel Dajtit dhe truallit të saj ka qënë më e lartë se tregu, çka është vërtetuar dhe në vlerësimin që Banka Qëndrore i ka bërë asetit në janar të vitit 2015.

Sipas vlerësusve, godina e Hotel Dajtit bashkë me truallin nuk kushton më shumë se 2.4 miliardë lekë, ndërsa banka ia bleu qeverisë për vlerën 4 miliardë lekë, 70% më shumë, duke rezultuar me 1.6 miliardë lekë dëm ekonomik.

BSH dyshohet se ndihmoi kompaninë Halili të shmangë taksat  

Raporti ‘konfidencial’: Banka e Shqipërisë ‘printoi

Për vite me radhë, një pjesë e stafit të Bankës së Shqipërisë u akomodua në një godinë në afërsi të zonës së Selvisë në kryeqytet, që njihet si kompleksi “Halili”. Godina zotërohet nga kompania e presidentit të Klubit të Futbollit Tirana, Refik Halili – i dërguar së fundmi në gjyq me akuzën e fshehjes së të ardhurave nga Prokuroria e Tiranës.

Por sipas projekt-raportit të auditimit të KLSH-së, Klubi i Futbollit Tirana nuk është subjekti i vetëm që nuk ka përmbushur detyrimet fiskale. Edhe kompania tjetër e tij, “Halili” shpk ka rezultuar debitore për pagesën e sigurimeve shoqërore në periudhën e marrë në vlerësim. Ky subjekt ka patur të lidhur një kontratë qiraje me Bankën Qendrore, procedurë ku KLSH ka gjetur shkelje të njëpasnjëshme.

Dokumentacioni i audituar nga KLSH tregon se në momentin që është hapur procedura e drejtpërdrejtë “Marrje me qira e ambienteve të reja në Kompleksin Halili, për një periudhë 3-vjeçare” në vitin 2016, kompania Halili rezultonte debitore ndaj shtetit shqiptar, konkretisht Drejtorisë së Tatimeve, për pagesën e sigurimeve shoqërore ndaj punonjësve. Në të dhënat publike, firma Halili rezultonte në atë kohë në regjistrin e debitorëve të tatimeve, ndërsa në ekstraktin e saj kishte një vendim të autoriteteve tatimore për bllokimin e llogarive.

Pavarësisht kësaj situate, komisioni i prokurimit ka vijuar negocimin e kontratës me shoqërinë “Halili” shpk, duke hequr si kriter depozitimin e vërtetimit se subjekti nuk duhet të ketë detyrime tatimore të papaguara, kusht i cili përcaktohet si thelbësor në rregulloren e prokurimit të bankës. KLSH dyshon se kërkesa vetëm e ekstraktit të kompanisë si person juridik, “krijon hijen e dyshimit se qasja e tillë është e menduar për të favorizuar këtë subjekt për sa kohë që vendimarrja është e paracaktuar”.

Kjo tezë përforcohet pasi në fund të procedurës me fond limit 790 mijë euro për 3 vjet, është konstatuar se derdhja e pagesave të qirasë për vitin e audituar 2016 në vlerë 32.6 milionë lekë [240 mijë euro me kursin e kohës] është bërë në llogarinë e administratores së kompanisë, Xhakonda Halili dhe jo në llogaritë e shoqërisë. KLSH konstaton se përmes këtij veprimi, institucioni i Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar subjektin që të shmangë përmbushjen e detyrimeve tatimore, duke shkaktuar efekte negative në buxhetin e shtetit.

“Nga konstatimi i kryer, KLSH kërkoi të investigonte kohëzgjatjen e kësaj dukurie, llogaritë e përdorura dhe vlerat përkatëse të transferuara, por ky informacion nuk është paraqitur prej subjektit të audituar,” thuhet në raport.

KLSH ka mbajtur të njëjtin qëndrim dhe pas kundërshtive që ka bërë Banka Qendrore.

“Ligji dhe udhëzimi për procedurat tatimore, ndryshe nga sa pretendohet nga Banka, njeh si llogari për kryerjen e pagesave “llogarinë e tatimpaguesit”, në këtë rast llogarinë e subjektit Halili shpk, dhe në asnjë rast nuk parashikon pagesa në llogari personale të administratorëve” sqaron KLSH.

BIRN ka gjetur se llogaritë e firmës Halili kanë rezultuar në këtë periudhë të bllokuara dhe nga një shoqëri përmbarimore për llogari të bankës BKT. Zyra “Ardael” ka urdhëruar sekuestro mbi kuotat e shoqërisë më datë 27 maj 2015 për një kredi të pashlyer dhe e ka hequr sekuestron në vitin 2018, pas shlyerjes së detyrimeve.

Pronari i kompanisë ‘Halili’, Refik Halili, nuk iu përgjigj një kërkese për koment të drejtuar nga BIRN, ndërsa Banka Qendrore sqaroi se detyrimet tatimore dhe debitore të shitësit të shërbimit nuk ishin përgjegjësi e saj.

“Banka e Shqipërisë ka detyrim që të kryejë pagesën sipas të dhënave të faturës tatimore të lëshuar nga shitësi dhe këtë pagesë ta kryejë në llogarinë bankare të kërkuar dhe të vetëdeklaruar po nga shitësi”, tha BSH në një përgjigje me shkrim.

“Detyrimet debitore ndaj subjekteve të ndryshme ndiqen sipas procedurave përmbarimore nëpërmjet llogarive rrjedhëse në bankat tregtare,” shtoi BSH.

Blerja e Range Rover për guvernatorin e ri

Raporti ‘konfidencial’: Banka e Shqipërisë ‘printoi

Në nisje të detyrës së tij si guvernator i Bankës së Shqipërisë në shkurt të vitit 2015, Gent Sejko trashëgoi një automjet të markës BMW Seria 7, të cilën e kishte përdorur më parë paraardhësi i tij, Ardian Fullani.

Disa muaj më pas, duket se makina nuk konsiderohej tërësisht e përshtatshme për postin e drejtuesit të Bankës Qendrore, ndaj në projekt-buxhetin e vitit 2016, guvernatori i propozon Këshillit Mbikëqyrës që të miratojë një fond me vlerë 450 mijë euro (kursi i asaj periudhe) për të mundësuar blerjen e 10 automjeteve.

Kërkesa bazohej në një dokument që kishte hartuar administrata e bankës, ku argumentohej se flota ishte e vjetër, makinat kishin kosto të lartë për riparime dhe shpenzime karburanti.

Pavarësisht këtyre sqarimeve, Këshilli Mbikëqyrës refuzon të miratojë të gjithë fondin menjëherë, duke e ndarë atë në dy vite buxhetore: për 2016-n do të financohej blerja e 5 makinave dhe 5 të tjera do të merreshin vitin pasardhës. Administrata tashmë kishte në dispozicion 344 mijë euro për të kontraktuar mjete të reja për 5 administratorët e Bankës, mes të cilëve dhe guvernatori Sejko.

Sipas projekt-auditit të KLSH, procedura përfundoi në fund me blerjen e 4 automjeteve, ku afro gjysma e fondit, 165 mijë euro, u përdor për t’i blerë guvernatorit Sejko një fuoristradë të re të markës ‘Range Rover’ me ngjyrë të zezë. Vlera e blerjes e rendit mjetin në listën e makinave më të shtrenjta që përdorin krerët e shteteve dhe institucioneve – jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon dhe në Evropë.

Pjesa e procedurës së blerjes së makinave është hequr nga raporti përfundimtar i KLSH-së për Bankën e Shqipërisë.

Një burim pranë KLSH-së i tha BIRN se “ndërhyrjet gjatë periudhës së auditimit në Bankën Qendrore ishin të shumta dhe se në raportin final, disa pjesë të rëndësishme u hoqën, përfshirë këtu dhe blerja e mjetit Range Rover”

“Në KLSH dihej se projekt-raporti është mendimi i grupit të punës dhe përfundimtari i kryetarit Leskaj”, shtoi i njëjti burim.

Sipas audituesve, si propozimi për rinovimin e flotës së automjeteve, ashtu edhe procedura e blerjes së tyre është bërë në shkelje. Grupi i punës thotë se nuk ka patur një shpjegim që të justifikojë gjendjen e makinave që duhet të ndryshoheshin dhe amortizimin e secilës prej tyre. Projekt-raporti konstaton se përgjegjësi i parkut të automjeteve fillimisht ka kërkuar shtimin me 10 makina, por kur është hapur procedura për blerjen e 4 makinave në maj të vitit 2016, ka miratuar ndarjen e fondit “duke marrë vendime kontradiktore”.

“Në shkresat e sipërcituara, argumentet janë zëvendësuar nga një përshkrim i përgjithshëm, pa arritur të justifikohet nevoja për automjete nëpërmjet një analize të qartë dhe teknike, por edhe nominale për secilin automjet që nuk e kryen më funksionin e tij.” thuhet në projekt-raportin e auditimit të siguruar nga BIRN.

Ndarja e fondit që mundësoi blerjen e fuoristradës luksoze u bë në fshehtësi, duke anashkaluar vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës, i cili kishte dhënë miratimin për të blerë 5 makina dhe pa bërë diferencime në vlerën dhe llojin e tyre.

“Ndarja e fondit limit për blerjen e një automjeti tip fuoristradë me vlerë 22.400.000 lekë dhe të tre automjeteve tip autoveturë me vlerë 23.949.000 Lekë është realizuar jashtë planifikimit të buxhetit vjetor të miratuar prej Këshillit Mbikëqyrës, megjithëse relacionet drejtuar Këshillit nuk përcaktojnë diferencime në llojet e automjeteve të cilët nevojiten për t’u bërë pjesë e parkut” konstatoi grupi i audituesëve të KLSH-së.

Sipas Pano Sokos, ky prokurim ngre dyshime se nuk është ndjekur rrjedha ligjore.

“Problemi ligjor është se në momentin që vjen drejtuesi i ri, jo domosdoshmërish çdo dëshirë e tyre duhet të bëhet realitet dhe administrata duhet të zbatojë vendimet e bordit dhe buxhetin e miratuar prej tij”, tha ai.

“Dalja nga këto detyrime që erdhi kur u zgjodh kreu i ri i bankës duke shpërfillur kuadrin ligjor është një vepër penale dhe që duhet hetuar,” shtoi Pano Soko.

Procedura për blerjen e 4 makinave gjatë vitit 2016 u zhvillua përmes një tenderi sekret, duke i dhënë të drejtë autoritetit kontraktor që të përzgjedhë ofertuesit, në shkelje të hapur me rregulloren e prokurimit në Bankën e Shqipërisë.

Rregullorja lejon zhvillimin e procedurave të kufizuara vetëm në rastet kur fondi limit nuk kalon vlerën 90 mijë euro në rastet e mallrave, ose kur kandidatët që i ofrojnë ato janë një numër i kufizuar operatorësh në treg.

“Mallrat e kërkuar nuk janë të kufizuar vetëm nga operatorët ekonomik të ftuar dhe vlera e fondit limit për mallrat e prokuruar është disa herë më e madhe se kufiri i përcaktuar për kufizimin e tij,” konstatohet në projekt-raportin e KLSH.

“Në kryerjen e prokurimeve, vetë rregullorja e Bankës së Shqipërisë përcakton qartë dhe tavanet e shumave që tenderohen në tenderat e hapur dhe të kufizuar. Shuma që përmendet e tejkalon këtë tavan me të paktën 2.5 herë,” thotë Gjokutaj.

Kandidatët që Banka Qendrorë ftoi për të marrë pjesë në garë ishin Autostar Albania, Hari Lena Group, Classic, Tirana Auto dhe Porche Albania. Në qershor të vitit 2016 janë kualifikuar si kandidatë për të dhënë oferta kompanitë Autostar Albania dhe Tirana Auto.

Edhe klasifikimi i këtyre kandidatëve është bërë në kundërshtim me rregulloren e prokurimit kanë konstatuar audituesit e KLSH, pasi kompania Tirana Auto ishte palë në një proces gjyqësor me objekt “detyrim përmbushje kontrate”, çka në kuptim të rregullores së prokurimit, duhet të ishte kriter për ta përjashtuar nga gara.

Në fund të procedures, Banka Qëndrore bleu një fuoristradë ‘Range Rover’ për 165 mijë euro nga kompania Tirana Auto e cila reklamon ekskluzivitetin e markës Land Rover dhe 3 autovetura me fond total 176 mijë euro nga Autostar Albania që ofron eksluzivitetin e markës ‘Mercedes-Benz’.

“Nga pikëpamja morale, problemi është më i thellë, ku harrohet se jemi në vendin më të varfër dhe paga mesatare është e tillë që nuk përballon dot një makinë që kushton 2 mijë euro,” tha Soko.

Banka e Shqipërisë pretendoi në një përgjigje me shkrim se për prokurimin e automjeteve, shpenzimet ishin bërë sipas buxhetit të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës.

“Në rastin në fjalë janë respektuar fondet vjetore të parashikuara për zërin “Automjete” sipas buxhetit të Bankës së Shqipërisë të miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës,” tha BSH.

Rregulloret e BSH për transparencën në shpenzime nuk ndryshuan

Raporti ‘konfidencial’: Banka e Shqipërisë ‘printoi

Largimi i guvernatorit Ardian Fullani nga Banka e Shqipërisë mund t’i lihet rastësisë po aq sa dhe keqmenaxhimit, por thuajse një dekadë më pas, zotimet e ndërmarra nga pasardhësi i tij, Gent Sejko në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë nuk duket se janë përmbushur.

I ardhur nga sektori bankar, Sejko u duk si një kandidat i përshtatshëm për të ndryshuar fytyrën e institucionit të Bankës Qendrore në kohën që ishte përfshirë në skandalin e madh të zhdukjes së 713 milionë lekëve, ndërsa pati një konsensus politik për postin e tij nga të gjitha forcat kryesore parlamentare.

Gent Sejko është sot në mandatin e dytë dhe në vitin e dhjetë të drejtimit të Bankës së Shqipërisë, por ende mund të konsiderohen të mbajtura premtimet e tij për zbardhjen administrative dhe rikuperimin e shumës së parave të vjedhura në thesar, rishikimin e rregulloreve që lidhen me transparencën e institucionit dhe uljen e shpenzimeve të larta për paga dhe shërbime që konsiderohen si një luks i tepruar për institucionet publike.

Fondi i pagave në Bankën e Shqipërisë është rritur me 32% më shumë se një dekadë më parë, ndërsa shpenzimet administrative janë 6-fishuar.

Debatet për shpenzimet e luksit të Bankës Qëndrore janë ngritur me shqetësim për vite me radhë nga deputetë të Kuvendit, e sidomos nga socialistët gjatë periudhës kur ishin në opozitë. Deri më tani, ligjvënësit nuk kanë marrë asnjë nismë për të ndryshuar ligjin bazë të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës ka vijuar të mbajë në fuqi të njëjtat rregullore prokurimi duke bërë që Banka Qendrore të jetë i vetmi institucion ku tenderat zhvillohen me zarf.

Rekomandimet për ndryshime i ka lënë disa vite rresht dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në raportin e vitit 2017 kërkon rishikim të menjëhershme pas ka rregullore “ku baza e tyre ligjore është e shfuqizuar prej vitesh.” KLSH ka konstatuar se për disa rregullore për të cilat janë lënë rekomandime ndër vite, janë përmirësuar dhe ndryshuar.

BSH i tha BIRN se rregullorja e prokurimit është përditësuar vazhdimisht dhe se pavarësisht faktit se tenderat zhvillohen me zarf, procedurat e prokurimit zhvillohen në prani të palëve që marrin pjesë.

KLSH ‘fshehu’ raportin

Raporti i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit u kundërshtua nga Banka e Shqipërisë në disa observacione, por pas diskutimeve, grupi i auditimit vendosi që gjetjet lidhur me emetimin e parave të qëndronin edhe në raportin përfundimtar, i cili nuk u publikua kurrë.

Ekzistenca e tij duket se dihej vetëm nga një grup i vogël i deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë, Banka e Shqipërisë dhe KLSH. Për herë të pare, raporti përmendet në rezolutën e miratuar në vitin 2018 nga Kuvendi për veprimtarinë gjatë vitit 2017 të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Komisioni i Ekonomisë dhe Financave nxit Kontrollin e Lartë të Shtetit të thellojë më tej hetimin e blerjes së Hotel Dajtit në kushtet e financimit me emetim të monedhës, pavarësisht faktit se të ardhurat mund të ishin të mjaftueshme për të bërë një blerje të tillë,” deklaroi gjatë leximit të rezolutës së KLSH-së deputetja socialiste, Blerina Gjylameti.

Por çështja e emetimit të parave është hequr nga rezoluta përfundimtare e miratuar dhe publikuar në Fletoren Zyrtare.

“(KLSH) të thellojë dhe të përshpejtojë procedurat e auditimit mbi privatizimin e hotel “Dajtit” nga Banka e Shqipërisë, për të rritur transparencën e këtij procesi dhe për të forcuar përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit,” thuhet në rezolutën e publikuar.

Në një përgjigje për BIRN, kreu i KLSH-së në atë periudhë, Bujar Leskaj tha se në vitin 2019, ‘nuk kemi patur mundësi të auditonim kërkesën në fjalë.”

‘Besoj duhet të jetë kryer në vitet në vijim”, theksoi ai.

Dhe pse kanë kaluar 7 vjet nga përfundimi i raportit të auditimit, KLSH nuk e ka publikuar atë, ndërsa refuzoi dhënien e tij pas një kërkese të drejtuar nga BIRN me arsyetimin se “raporti konsiderohet konfidencial për shkak të informacioneve që përmban” duke iu referuar nenit 27 të ligjit “Për organizimin e dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit”.

BIRN dërgoi një ankesë pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, duke argumentuar se ligji bazë i KLSH-së nuk i jep tagrin të klasifikojë dokumente dhe raportet mund të kufizohen vetëm nëse grupi i auditimit ndeshet në informacione të klasifikuara dhe pajiset me çertifikata sigurie, çka nuk ka ndodhur në këtë rast. Zyra e Komisionerit ndodhet në proces të shqyrtimit të ankesës.

“Mbajtja e raportit të auditimit konfidencial tregon frikën nga gjetjet, por dhe se fytyra e institucionit nuk ndryshoi nga drejtimi i ri,” tha Pano Soko.

“Drejtimi i ri nuk shkoi për të mbrojtur të mirën publike,” përfundoi ai./BIRN

Të pambrojturit “meritojnë” të vdesin në Shqipëri

NGA BEN ANDONI

Muaj më parë në Vlorë një baba u godit me grusht dhe ndërroi jetë para agresorit, shumë më të ri në moshë. Një grua, një nënë, pas pune në një moment qetësimi do merrte plumbin si “shëlbim” të jetës së saj të mjerë, ndërsa ishte gabuar në vend të shënjestrës. Një kamerier do e pësonte pak javë më parë në Jug të vendit, ndërsa shërbente për herë të fundit në jetë në një klub të zgjedhur për masakër. Një prind në Pogradec do të lutej që të mos ia dorëzonte paratë e xhiros (kronika e medias) pak orë më parë dikujt, por do të rrihej deri sa të ndërronte jetë. Lista, nëse do ta hartonte ndonjë koleg i kronikës do të ishte shumë më e pasur. Ajo që i bashkon të gjitha këto ngjarje dhe të tjera si këto: Policia shpesh fle dhe mbron “të fortët” ngado në vend, kurse Drejtësia, të cilës shqiptarët i dhuruan të gjithë sakrificën dhe mundin e tyre, i quan rastet si “vrasje nga pakujdesia”.

Ka një cinizëm, kur i sheh të gjitha këto ngjarje, ku për të gjitha duket se për të varfrin dhe të pambrojturin ekzistojnë vetëm ligjet e përzgjedhjes natyrore. Përndryshe, ka të tjerë që nuk i hyn gjembi në këmbë ose ata që lidhen me pushtetin vetëm pasurohen. E filluan me Berishën dhe tashmë me Ramën janë fare të pambajtshëm. Shqiptari i thjeshtë po shikon se çdo gjë po i tjetërsohet para fytyrës. Jo më kot, indikacionet ekonomike janë të pamëshira me vendin dhe mënyrën e qeverisjes, por edhe mënyrën e sjelljes ndaj shqiptarëve të pambrojtur.

Kryesisht nga shteti i tyre, të cilit i paguajnë taksa. Në ligjet e mbijetesës natyrore thuhet se: Organizmat që janë më të përshtatur me mjedisin e tyre kanë më shumë gjasa të mbijetojnë dhe të kalojnë gjenet që ndihmuan suksesin e tyre. Ky proces bën që speciet të ndryshojnë dhe të ndryshojnë me kalimin e kohës (literatura). Po pse mbijeton kaq shumë e keqja? Pse fiton gjithnjë padrejtësia? Pse po përcillet te pinjollët e rinj, që nuk njohin më asgjë? Pse nuk janë vrasës vetëm këta që të rrahin, por edhe shumë funksionarë të së Drejtës?

Sërish literatura: Evolucioni nuk është i njëjtë me përshtatjen ose përzgjedhjen natyrore. Përzgjedhja natyrore është një mekanizëm ose shkak i evolucionit. Përshtatjet janë tipare fizike ose të sjelljes që e bëjnë një organizëm më të përshtatshëm me mjedisin e tij. Variacioni i trashëgueshëm vjen nga mutacione të rastësishme. Po pse përshtaten mirë vetëm të padrejtët dhe cilat janë mutacionet e rastësishme? Etja për pasuri, guximi për të vrarë, cinizmi prej mosndëshkimit dhe, mënyra sesi mund të vjedhësh pa u ndëshkuar tashmë janë cilësi, që mësohen rëndom në familjet tona. Ndaj, apeli publik i pak shqiptarëve që e duan vendin e tyre shkon në kotësi. Ata, të tjerët, që kanë para, pushtet dhe privilegje do të fitojnë shpesh e më shpesh dhe mund të vrasin edhe për hobi. Vajzat e ‘show biz’ na e treguan dhe tashmë bëjnë karshillëk me policinë. Nuk është ai i forti, që mendonin dhe vlerësonin njerëzit që e gjykojnë keq Darvinin, por ai që mbijeton në funksione të tjera.

Në edicionin e pestë të “Origjinës” (botuar në 1869), Darvini filloi të përdorte frazën “mbijetesa e më të fortit (fittest)”, e cila ishte shpikur disa vjet më parë nga ekonomisti britanik Herbert Spencer, si stenografi për përzgjedhjen natyrore. Ky ishte një vendim fatkeq, pasi ka disa arsye pse “mbijetesa e më të fortit” është një përshkrues i dobët i përzgjedhjes natyrore. Në kontekstin e Darvinit, “më i përshtatshmi” nënkupton “më së miri për një mjedis të caktuar” sesa “më i përshtatshmi fizikisht”, por ky dallim vendimtar shpesh anashkalohet në përdorimin jo teknik (Gregory, 2009) (veçanërisht kur shtrembërohet më tej për të “mbijetuar vetëm të fortët”), shkruan një studiues tek “Understanding Natural Selection: Essential Concepts and Common Misconceptions” (Kuptimi i përzgjedhjes natyrore: Konceptet thelbësore dhe keqkuptimet e zakonshme).

Drejtësia dhe policia, por edhe opinioni publik do të vijë në hulli dhe do të qetësohet kur të kuptojë se të fortët e Shqipërisë nuk janë përzgjedhje natyrore, që do të thotë se janë më të fortë se ne, por që thjesht se dinë të notojnë më mirë se ne në ujërat, që shqiptari i thjeshtë nuk denjon për dinjitetin e vendit të tij. Ashtu si qeveritarët tanë duhet të kuptojnë se Shqipëria s’u ndërtua për një ditë, që të kuptojnë se është turp të na kërcënojë kjo fashë shoqërore, që për fat të keq vetëm sa po forcohet. Të pambrojturit nuk meritojnë të vdesin në Shqipëri.

Pas 8 muajsh zbardhet vendimi i kullës pas Teatrit, me 10 kate shtesë

Nga Arbjona Çibuku 

Në mbledhjen e 26 Dhjetorit 2023, në rendin e ditës u diskutua leja e ndërtimit për një kullë 33 katëshe nga Fusha shpk me vendosje krah pedonales Murat Toptani.

Vendimi i firmosur kryetari i KKT-së, z. Edi Rama dhe ministrja e linjës znj. Belinda Balluku u bë publik pas 8 muajsh në faqen e AZHT pas kërkesave të vazhdueshme nga redaksia e Citizens.al.

Foto: Kullat e Tiranës të gjeneruara në 3D | Burimi: Përdoruesi K999 në Blogun SkyScrapperCity;

Citizens iu drejtua Agjencisë së Zhvillimit të Territorit me një kërkesë për informim për të siguruar vendimet që u morën në këtë mbledhje. AZHT refuzoi t’i vinte në dispozicion edhe pas ndërhyrjes së komisionerit për të drejtën e informimit.

Përfaqësues të AZHT u shprehën se “me përfundimin e procedurës së sipërcituar, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të vijojë me publikimin e vendimeve të miratuara në datë 26.12.2023, sikurse ka vepruar në çdo rast gjatë 8 viteve të shkuara”. 

Institucionit iu deshën 8 muaj për të bërë publike në faqen zyrtare vendimin e firmosur për këtë leje ndërtimi.

Citizens publikoi pak muaj më parë projektin për ndërtimin e një kulle pas Teatrit Kombëtar, që informacioneve në dispozicion ishte 23 katëshe. Por vendimi zyrtar rezulton që kulla është me 33 kate, pra i janë shtuar dhe 10 kate të tjera nga projekti fillestar.

Sipas dokumentit, kulla kufizohet në jug me pedonalen Murat Toptani, në veri me Sarajet e Toptanëve, në perëndim me Teatrin Kombëtar dhe në lindje me objekte shërbimesh.

Pasi dështuan të realizojnë ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar në këmbim të kullave, sipërmarrësi Shkëlqim Fusha dhe qeveria shqiptare kanë vijuar planin në një formë tjetër.

Citizens ka zbardhur si Bashkia e Tiranës i ka dhënë kompanisë Fusha shpk, përmes një vendimi të datës 3 Maj 2023, 1266.6 m2 truall në rrugën “Abdi Toptani”, dhe dy ndërtesa përkatësisht 801.4 m2 dhe 183 m2. Njëra prej tyre është godina e ndërmarrjes së dekorit të Tiranës.

Kujtojmë se kompania “Fusha” ishte ofruar që në vitin 2018 për ndërtimin falas të Teatrit Kombëtar në këmbim të një sipërfaqeje prej mijëra metra katrorë ku do të ngrinte edhe një kompleks prej 6 kullash. Aktualisht, Teatri me një kosto prej 40 mln. euro po ndërtohet nga fondet publike, megjithatë sipërmarrësi po e realizon ambicien për të ndërtuar mbi tokë publike në zemër të kryeqytetit.

SON Engineering & Construction është kompania që ka projektuar ndërtimin e të dyja kullave, e cila ka shoqëri bijë “Shoqërinë Koncesionare Tirana 4”, që 32.9% të aksioneve zotërohen po nga kompania “Fusha’, ndërsa administrator është Elti Fusha, djali i Shkëlqim Fushës./citizens.al

PRONARË ME 300 MIJË LEKËSHA/ Redi Molla i “5 D”-së, aksione dhe tek “Gastro Factory”, administrator Elvin Tivari, ish-drejtori tjetër i Tiranës

Redi Molla, ish-drejtori në Bashkinë e Tiranës duket se nën administrim të tij nuk ka pasur vetëm shoqërinë famëkeqe “5D konstruksion”, por ka qenë ortak edhe në disa shoqëri të tjera.

Sipas shkresave hetimore që “Ora News” disponon, rezulton se me datën 13.10.2023 është regjistruar subjekti tregtar “Gastro Factory shpk”, me seli në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë.
Si aktivitet tregtar ka restorant dhe import dhe eksport, apo tregtim mallrash ushqimore në fushën e gastronomisë.

Administratori i shoqërisë rezulton të jetë Elvin Tivari i cili njëherësh ka qenë ish-drejtor i shitjeve në Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), ku është ortak me vlerë kapitali 34,000 lekë.
Ortakë të tjerë në këtë shoqëri rezulton të jetë Redi Molla me 33,000 lekë, dhe po me të njëjtën shumë kapitali ortaku tjetër është Dritan Kadiu.

Sipas arsyetimit të gjykatës nuk ka asnjë të dhënë nëse Prokuroria e Posaçme e ka pasur në vëmendje këtë fakt lidhur me investimin e të ardhurave të Redi Mollës në subjektin tregtar “Gastro Factory shpk”.
Po në vijim thuhet se në relacionin e oficereve të policisë gjyqësore është evidentuar ky fakt dhe se në konkluzionet e këtij akti i është propozuar Prokurorisë së Posaçme që sekuestron preventive të shtrijë në 33 % të aksioneve që i përkasin Redi Mollës./ Ora News

Vrapi vuan

Nga Edison Ypi

Kur në televizion nuk ka tjetër gjë për të parë veçse shkuma party ku bibat e Tiranës sipas këshillave të mamit budallaqe shpenzojnë paret e babit hajdut, nga këto hajvanllëqe, ku me u arratis ?
Në perëndim të Baldushkut, veri të Peqinit, lindje të Kavajës, jug të Ndroqit, ndodhet një Parajsë malore, Vrapi.
Rruga për në Vrap kthen drejt perëndimit në skajin jugor të luginës së Baldushkut.
Dikush thotë se Vrapi është 2 orë larg. Tjetri gjysëm ore. E kështu me rradhë, njëri kaq e tjetri aq, secili të tregon kohën që i është dashur mjetit me të cilin e ka kapur Vrapin ku ndoshta ka qënë ndonjëherë.
Sapo lë asfaltin konstaton se rruga për në Vrap është e tëra një hukubet me mijëra kthesa dhe miliona gropa mbi tabanin e fortë të një ish kalldrëmi dhe ish asfalti.
Një Golf anës rrugës sapo ka thyer trasmisionin, çpuar gomën, djegur motorrin, çarë radiatorin, djegur kushinetën, dhe ka lënë më këmbë ca dasmorë që as vet nuk e dinë nëse do vazhdojnë drejt dasmës apo do kthehen nga u nisën me dhurata në duar.
Furgoni i vetëm “i linjës”, me 7 vende por 27 pasagjerë, zvarritet nëpër kthesa duke u kollitur si Djall i plevitosur.
Kthesat e pafundme dhe gropat e panumurta të ngjisin në një lartësi prejnga lugina e Baldushkut fanepset aq e bukur sa nis e kërkon ta sjellësh në hatër cili ishte të shkosh ta vrasësh edepsizin që u bë shkak që këtë parajsë ta shohësh me kaq vonesë.
Një kamion që ecën me ngadalësi rrënqethëse ka zënë rrugën, nuk e hap krahun për qamet. Me karrocerinë e mbuluar me mushama, ky kamjon duket si ai i filmit “Pagesa e Frikës” që transportonte Nitroglicerinë që mund të shpërthejë nga çasti në çast. Pas nja njëzet minutash, në një vend disi të gjërë, më së fundi kamioni bën pak mënjanë. Pasi e kaloj, sipas një kodi të pashkruar mirsjelljeje autostradale, e falenderoj me një buri. Nuk përgjigjet. Vështirë të besohet, por meqënse pak konspiracion shqiptarit nuk i bën kurrë keq, ngarkesa e kamjonit nuk mund të jetë veçse Tritol. E përforcon këtë hamendje peisazhi malor dhe i gjelbër me reliev të ngjajshëm të vendeve ku Hollivudi xhiron filmat e makthit.
Golfi i shkalavarur, furgoni i mbingarkuar, kamioni me tritol, ishin të vetmet mjete me rrota në këtë udhëtim.
Ja, më së fundi, qafa e shumpritur që dukej nga larg. Deri te kjo qafë mund të shihje pak përpëra dhe, po të ktheje kokën, shumë prapa. Këtu e tutje, si pas çdo qafe, mund të shohësh vetëm përpara.
Të tjera kilometra me po ato kthesa që ndjekin përpikmërisht terrenin. Është e qartë se rrugën pa asnjë gërmim dhe asnjë mbushje, pra me shpenzime minimale dhe vuajtje maksimale, e ka projektuar një inxhinier kursimtar.
Pas qafës, pamja është më magjike se lugina e Baldushkut që le pas. Aq e bukur, e butë, e begatë, sa sdi me çfarë ta krahasosh.
Gjatë atyre kthesave, ngaqë sa të ha syri nuk duket as Vrapi as ndonjë katund tjetër, nis e dyshon mos ke gabuar rrugën. Sheh me merak sa naftë të ka mbetur. Sigurohesh për dy batanije që i mban në bagazh për kësi rastesh po të zuri nata ku kalimtarë dhe makina nuk ka, nafta po të mbaron, celulari po të shkarkohet.
Gjurmët e gomave mbi ish rrugën e ish kalldrëmit të ish asfaltit, janë prova se rrugën nuk e ke humbur. E merr veten. S’ke të ngopur me pamjet magjike që të dalin përpara që aq lehtë asociohen me ngjarje romanesh, ku janë bërë luftra, dashurira, duele, intriga.
Pas njërës prej kthesave, ja më së fundi Vrapi.
Vrapsit, vrapistët, vrapianët, vrapiotët, vrapalinjtë, quaji si të duash, të sjellshëm, të butë, të qetë, i ofrojnë udhëtarit të lodhur të gjitha të mirat; ujë, kafe, cigare, muhabet. Gjatë muhabetit, një ftesë e sinqertë;
-Rrim sonte, therim pula, i pjekim, ja shtrojm me mish e pilaf e raki.
-Jo-jo. Dua ta këpus me dorën time një fik nga dega, dhe një gotë ujë kroi, kaq dua.
-Nga dega, nga rrënja, nga gjethja, fiq Vrapi, kumlla Vrapi, rrush Vrapi, mollë Vrapi, Lajthi Vrapi, vetëm ulu të bëjmë pak muhabet.
-Për çfarë të bëjmë muhabet ?
Shohin njëritjetrin në sy.
-Për rrugën pra. Duam rrugë. Po fikemi, po ngordhim, po vdesim, për rrugë.
Vrapi është ku qan qameti. Në grykën ku është strukur duket si ca rraqe të hedhura në kosh.
Asnjë shtëpi e re. Ambulanca, shkolla, për ibret.
Përveç furgonit gërrhitës të linjës, asnjë makinë tjetër nuk vjen këtu.
Në thellësi të Mirditës, Martaneshit, Gramshit, Labërisë, në asnjë vend të Shqipërisë nuk ka një fshat kaq të bukur dhe kaq të varfër.
Gur kilometrik ! 32 kilometra nga Tirana. Dikush thotë se nga asfalti i Baldushkut e deri këtu janë 11 kilometra. U dukën më tepër, shumë më tepër, por ja që aq janë.
Poshtë në luginën që lashë pas, si në gjithë fshatrat e Shqipërisë ka shtëpi dhe vila të reja me të ikë menia. Këtu asgjë e re. Këtu ora ka ngecur në vitet ’50 të shekullit të 13. Tmerr e shkuarr tmerrit. Parajsa me Ferrin janë me miliona kilometra larg, Baldushku me Vrapin jo më tepër se 11.
Në horizont asnjë katund. Pyes dikend ku janë katundet e tjerë. Tregon me dorë dhe u thotë emrat katundeve që nuk duken.
Fukara, i izoluar, i mjerë, Vrapi duket si ato vendet e paarritshëm të Argjentinës ku janë fshehur nazistët pas luftës. Ndoshta Hitleri është fshehur dhe ka vdekur në Vrap. I duhet kërkuar varri.
Më rrethojnë pesë a gjashtë adoleshentë të rreshkur dhe seriozë.
-Thuaju nuk duam Internet, nuk duam fejsbuk, nuk duam disko, nuk duam party. Bujqësinë, blegtorinë, tregëtinë dhe gjithçka tjetër i bëjmë vetë. Duam vetëm rrugën.
-Pa merak. Do u lutem Zotave të m’i për rrugën tuaj. Do i lutem me lot në sy Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Ndre Mjedës, Fan Nolit, Konicës, Lasgushit, Shekspirit, Çurçillit, Pushkinit, Naimit, Kadaresë, do u lutem të venë dorën në zemër për 11 kilometrat e munguara të rrugës së Vrapit.
-Harrove Obamën, Klintonin, Bushin, Tony Blerin.
-Edhe atyre do u lutem për rrugën tuaj, që sigurisht ju duhet, sigurisht e meritoni.
Më falenderojnë. Ndahemi.
Del një mesoburrë nga një ferrë. Thotë mesoburri i ferrës; Për shkak të mungesës së asfaltit, çmimi i transportit të materialeve të ndërtimit është aq i lartë sa ndërtimi i një shtëpie të re në Vrap kushton më tepër se në Tiranë.
Përballë afrohet kërcënueshëm kamioni i nitrogricerinës nga “Pagesa e frikës” me Iv Montanin në timon.
Fare afër Tiranës, mu tek dera, mu te pragu, por që duket si në fund të botës, as mëndja s’më vajti për të bërë fotografi në Vrapin që vuan dhe rënkon për 11 kilometra asfalt.

Vulin i sanksionuar nga SHBA, siguron Moskën: Serbia nuk do t’u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë

Zëvendëskryeministri pro rus i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha të mërkurën në Moskë se vendi i tij “nuk është pjesë e histerisë antiruse”, duke i siguruar zyrtarët e lartë të Rusisë se Beogradi nuk do të bëhet pjesë e sanksioneve kundër Kremlinit.

 

Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov.

Në një njoftim të qeverisë serbe thuhet se të dy zyrtarët u pajtuan se bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është shumë i mirë dhe se po zhvillohet në të gjitha nivelet, para së gjithash falë marrëdhënieve miqësore dhe të përzemërta mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe atij rus Vladimir Putin.

“Vulin përsëriti se është krenar që Serbia nuk është pjesë e histerisë anti-ruse dhe se nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, thuhet në njoftim.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit për pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës.

Në njoftim e qeverisë serbe thuhet se zv/kryeministri Vulin “i shprehu mirënjohjen e tij Rusisë dhe ministrit Lavrov për qëndrimin e tyre parimor për tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbështetjen e tyre vetëmohuese në luftën e popullit serb kundër rezolutës për Srebrenicën”.

Vizita e zëvendëskryeministrit serb Vulin në Rusi është e dyta që kur ai u emërua në këtë post në pranverën e këtij viti.

Ai u emërua në qeverinë e Serbisë disa muaj pasi në nëntor të vitit 2023 dha dorëheqje nga posti i shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit, pasi që në korrik të atij viti sanksionua nga Shtetet e Bashkuara, për përfshirje në veprimtari korruptive dhe destabilizuese që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, për ndihmë Moskës në veprimtaritë keqdashëse dhe për lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet të trafikut të drogës.

Rikthimi i tij në post qeveritar ku kishte shërbyer edhe më parë si ministër e Brendshëm e ministër i Mbrojtjes, nxiti “zhgënjimin” e Shteteve të Bashkuara, ndërsa opozita serbe tha se me përfshirjen e tij në qeverinë e re “Serbia zyrtarisht nuk është më në rrugën evropiane”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç prej vitesh pretendon se ndjek një politikë “neutrale”, duke balancuar lidhjet mes Moskës, Pekinit, Brukselit dhe Uashingtonit.

Zëvendëskryeministri i tij Vulin ka diskutuar me zyrtarët në Moskë për forcimin e bashkëpunimit strategjik si dhe “modelet dhe mekanizmat për vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe organizatës BRICS”, një bashkim ekonomik i vendeve si Rusia dhe Kina, së bashku me vende të tjera nga Azia, Afrika dhe Amerika Jugore./voa

Premier Liga vjen me një risi këtë sezon, episodet e VAR-it do të shpjegohen në kohë reale në rrjetin social “X”

Kampionati anglez Premier Liga ka vendosur të nisë sezonin e ri një risi të rëndësishme për të përmirësuar komunikimin me tifozët përsa i përket VAR-it. Premier Liga ka lançuar një llogari të re në rrjetin social X, përpara fillimit të sezonit 2024/25: Qendra e Ndeshjeve në Premier League.

Për herë të parë, kjo llogari zyrtare sociale do të ofrojë shpjegime dhe përditësime pothuajse në kohë reale mbi çështjet operacionale dhe të arbitrazhit për çdo ndeshje të Premier Ligës. Llogaria do të postojë shpjegime të vendimeve të arbitrimit në fushë dhe përfshirjes së gjyqtarit ndihmës video (VAR), duke përfshirë rolin e teknologjisë në procesin e vendimmarrjes.

Në mungesë të transmetimeve të drejtpërdrejta audio VAR, pasi ato nuk lejohen aktualisht në futbollin botëror, Qendra e Ndeshjeve të Premier Ligës do të jetë në gjendje të transmetojë informacione në kohë reale nga qendra VAR në mediat sociale gjatë një ndeshje të ligës.

“E bëra burgun, përse po më…”- Letra e Musine Kokalarit për Enver Hoxhën pas 15 vitesh në qeli, çfarë i kërkoi! Vdiq në internim nga kanceri, kur e zhvarrosën duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba

Më 13 gusht 1983 ndërroi jetë Musine Kokalari. Ajo ishte gruaja e parë shkrimtare në historinë e kombit shqiptar. Musine Kokalari ishte një nga 1 mijë gratë shqiptare dhe 1 nga 30 shkrimtarët që u arrestuan dhe u dënuan me burg si kundërshtarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

 

in 1921, familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Kreu shkollën e mesme pranë institutit “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë, në Itali, të cilin e mbaroi me rezultate të larta. Familja e saj u vendos në Tiranë nëntë vite pasi u rikthyen në Atdhe. Vëllai i saj, Vejsimi, kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve ’30. Më 1937 mbaroi Instituti Femëror “Nana Mbretneshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin.

Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943 Partinë SocialDemokrate. Më 12 nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq, vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari. Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pas qenë themeluese e Partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes.

Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim: “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”.

Në vitin 1962, pasi kishte bërë 15 vite burg, një vendim i ri e dënonte me internim 5-vjeçar në rrethin e Mirditës. Kokalari i shkroi vetë Enver Hoxhës, me lutjen që të shqyrtohet internimi i saj, pasi siç shkruan, për veprimet e dikurshme ka paguar 15 vitet burg, kurse internimi tani duket i pakuptueshëm. Përveç kësaj, Kokalari i kërkon Hoxhës që t’i ktheheshin dorëshkrimet e saj folklorike që kishte mbledhur. Letra ruhet ne fondin e ish-Arkivit të Partisë në AQSH. Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983.

Vepra e saj e parë, “Siç më thotë nënua plakë” botuar në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, më korrik të vitit 1940, ishte, në fakt, një hartim i bërë në klasat e larta të Institutit Femnor. Pasi u botua u përcoll nga një kritikë prej Lasgush Poradecit më 30 të atij muaji. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”. Në janar të vitit 1945, doli nga shtypi libri i tretë i Musine Kokalarit “…sa u tunt jeta”. Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 nga Komuniteti i Treshit (pararendës i Klubit PEN). Në 1993, Kokalari u shpall pas vdekjes “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha. Në vitin 2008 i jepet nga Presidenti në detyrë Bamir Topi titulli i lartë “Nderi i Kombit”. Emrin e saj e mban një shkollë në Tiranë, Qendra Kulturore në Gjirokastër, një rrugë në Rrëshen, një rrugë në Prishtinë, një bibliotekë lagjeje në Tiranë.

“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq më 14 gusht 1983, nga kanceri. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.

LETRA

Deri sa u instalua regjimi komunist Musine Kokalari ishte një shkrimtare e re me shumë perspektivë. Ajo kishte publikuar tre libra: “Seç më thotë nëna plakë”, Tiranë, Bota e re, 1940, “Rreth vatrës” 1944 dhe “Sa u tund jeta” 1945″. Por pasi mori pushtetin, Enver Hoxha realizoi hakmarrjen ndaj Musine Kokalarit. Në 12 nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e Musinesë si armiq të popullit. Dy vjet më pas u arrestua edhe Musineja, si themelues e Partisë Socialdemokrate dhe kundërshtare e sistemit komunist të instaluar.

Ajo deklaroi në sallën e gjyqit: “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim, edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”. Pas këtyre fjalëve Musine Kokalari u dënua me 20 vjet burg. Ajo kaloi 15 vjet si në burgun e Burrelit. Sapo u lirua, u internua në Rrëshen dhe u detyrua të punonte si pastruese e rrugëve të qytetit. Në këtë moment ajo i shkroi një letër me 4 faqe Enver Hoxhës, në të cilën i kërkoi të mos internohej, sepse e kishte përfunduar dënimin e vet. Përmes kësaj letre të shkruar nga vetë Musineja, ajo lutet që të shqyrtohet internimi i saj, pasi siç shkruan, për veprimet e dikurshme ka paguar 15 vitet burg, por për të internimi tani duket i pakuptueshëm. Përveç kësaj, Kokalari i kërkon Hoxhës që t’i kthehen dorëshkrimet folklorike që kishte mbledhur. Mes të tjerave në letër ajo ka shkruar: “Kur lexova fjalinë tuaj se pas dënimit të çdokujt nuk do të kishte më as ndjekje, as pengesa. Burgun e mora si një borxh që duhej larë. Vetë veprova, vetë e pagova. Por dënimi i dytë nuk është trajtim i drejtë. Prandaj, ju lutem, shqyrtojeni edhe një herë, sepse, nëse ka arsye tjetër, unë jam gati të përballem”.

“Në qoftë se unë si e internuar, nuk kam të drejtë të merrem publikisht me lëvizjen e librave, besoj se nuk më ndalohet që orët e lira të jetës sime private të merrem me metariale folklorike. Përse vallë të mos m’i jepni? Përse të bëhet ky persekutim?”. Pas kësaj letre Enver Hoxha nuk denjoi t’i kthente përgjigje. Diktatori mësohet të jetë shprehur: Akoma gjallë qenka kjo? -Musine Kokalari vdiq në Rrëshen, në internim, 21 vjet pas dërgimit të kësaj letre dhe 2 vjet para se të vdiste diktatori Hoxha. Ajo vdiq e izoluar dhe e përndjekur, duke shënuar një rast nga më të rëndët të përndjekjes së intelektualëve dhe një femre gjatë regjimit komunist.

Vite më parë historiani dhe studiuesi, Uran Butka, në 100-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit bën publike letrën që vëllai i saj, Muntaz Kokalari, ka shkruar tri ditë para arrestimit, duke treguar arsyet e persekutimit të fisit Kokalari. Prejardhja e familjes së nderuar Kokalari, krahasuar me atë të Enver Hoxhës, por mbi të gjitha idetë e saj liberale, formimi në Perëndim dhe krijimi i Partisë Socialdemokrate ishin arsyet e armiqësisë dhe luftës së fortë që kreu komunist bëri ndaj Musinesë dhe familjes së saj, duke i pushkatuar dhe internuar. Ishte Musine Kokalari, që përmes një platforme të opozitës së bashkuar, e cila kërkonte qeverisje demokratike, zgjedhje të lira dhe njohje nga fuqitë e mëdha të neutralitet të Shqipërisë.

DËSHMIA

Bibika Kokalari është nuse në derë të Kokalarëve, por qëlloi të ishte një ndër njerëzit që do ta shihte më shpesh Musinenë, madje asaj e të shoqit, Platonit, do t’u besonte dorëshkrimet dhe disa sende personale që i ruajnë me fanatizëm edhe sot. Në vitin 2017, pikërisht në 100¬-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, Bibika ka rrëfyer njohjen me të dhe ditët e fundit të shkrimtares e politikanes, që dha frymën e fundit në internim, në Rrëshen, larg njerëzve të dashur. Por cili ishte takimi i fundit më Musinenë. “Kam vajtur në korrik. Në disa letra, me radhë, ajo na lutej që të shkonim të merrnim disa gjëra të saj. Ajo i kishte përgatitur dorëshkrimet dhe ca gjëra të saj, si këtë unazë, që ka qenë e nënës së Musinesë.

Na shkroi sërish dhe na thoshte që ejani se kam akoma ca gjëra për t’jua dhënë. Mirëpo unë shkova në Vlorë te prindërit dhe nuk arritëm të shkonim më, sepse ajo u shua më 13 gusht të 1983-shit. Ne ishim ende në fshat. Të dielën nuk punonte posta, të hënën kur erdhi telegrami, ne u nisëm, por kishte mbaruar gjithçka dhe ajo ishte varrosur. Kur kam shkuar në Kanada para 6¬7 viteve, kam gjetur atje varrmihësin Gjergji Gjergo, dhëndri i Beqir Ballukut. Edhe ai ishte i internuar në Rrëshen. Të komunales i thanë ta hapte varrin në fund, sepse mendonin se ishte ujë, por, në fakt, ishte shtufë, shumë i fortë dhe mezi e kanë hapur. “Edhe atje që ata donin ta dënonin, prapë nuk e dënuan dot”, më tha”. ka treguar zj.Kokalari.

Ajo ka shtuar se: “Musineja ne na dha shumë gjëra, që edhe pse unë nuk e dija që do vinte kjo ditë, i kam ruajtur. Ajo ka lënë vetë gjëra me shkrim për muze. Janë ekspozuar një çarçaf dhe një brez që i kishte në Rrëshen. Kam dorëshkrime të saj, thuajse të pabotuara. Pak gjëra janë botuar, ndonjë poezi apo “Si lindi Partia Social¬Demokrate”, për të cilën është kujdesur im shoq, Platoni, që i vinte shpesh në Rrëshen. Ka përralla, gjëegjëza, ritualet e dasmave, vdekjes, lindjes. Por ato kanë nevojë për një studiues që të botohen”. Lidhur me kushtet e jetesës së saj, Bibika ka thënë: “Musineja ka ndërruar 10 shtëpi. Parmbrëmë e kam lexuar në një dorëshkrim të sajin, ku thoshte se kishte ndryshuar 10 shtëpi në Rrëshen. Unë një herë e kam gjetur në një shtëpi të vjetër, shumë të keqe. Që aty e çuan diku tjetër, në kushte pak më të mira. Kishte një dhomë me sende të pakta: një krevat dërrase, një raft buke me rrjetë teli, një tavolinë, dy karrige, një sobë të vjetër”.