19.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Çështja e urës në Mitrovicë, presidentja Osmani: Nuk është në interes të Kosovës konflikti me aleatët

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të enjten se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të hapet, por kjo duhet të ndodhë në bashkërendim dhe të mos nxisë konflikt me aleatët perëndimorë.

 

Ajo i bëri këto komente gjatë një vizite në komunën e Vitisë, rreth 70 kilometra në Jug të Prishtinës, mes debateve rreth synimit të qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që nuk mbështetet nga diplomacia perëndimore.

“Ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të mbetët e hapur dhe jo që kur të hapet të nxisë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin, sepse ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë”, tha presidentja Osmani.

Qeveria e Kosovës thotë se hapja e urës mbi lumin që shënon vijën ndarëse ndërmjet veriut të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare, do t’i shërbente lëvizjes së lirë dhe nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që “mos ta ndërmarrë këtë veprim të pa bashkërenduar”.

“Hapja e urës për trafikun e makinave tani, rrit mundësitë për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk janë shprehur kundër hapjes së urës.

“Por sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulen bashkë, institucionet e Kosovës dhe aleatët tanë të sigurisë dhe të hartojnë së bashku planin e zbatimit i cili i merr parasysh vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë dhe ju siguroj që në shumicën e rasteve dërrmuese ato janë identike sepse bashkëpunojnë institucionet tona dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të përzgjidhet momenti më i volitshëm në mënyrë që çështja e urës dhe hapja e saj të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit por i përhershëm”, tha presidentja Osmani.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë kanë shtuar praninë e tyre në urën kryesore mbi Ibër dhe kanë bërë thirrje që çështja të zgjidhet në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i cili paralajmëroi se çështjen do ta shtrojë në takimin e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por pa dhënë ndonjë hollësi për planet e ndonjë takimi.

Autoritet në Prishtinë thonë se kjo çështje tashmë është trajtuar në marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Presidentja Osmani tha se Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë për hapjen e urës dhe nuk duhet pranuar që të diskutohet për këtë çështje në dialogun e Brukselit.

“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zyrtarëve të saj janë raciste, nuk besoj se meritojnë vëmendje nga ana ime. E kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çfarë e pyesim Serbinë“, tha ajo.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që ishte në vitin 2014 bëri të mundur që në gusht të vitit 2016 të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian investoi 1.2 milion euro për revitalizimin e urës, e cila megjithatë mbeti e mbyllur për lëvizjen e makinave./V

“Vrau veten aksidentalisht duke lozur me revolverin e tij”- Letra fatale për “v*tëvrasje” e Nako Spiros, kush e botoi! Çfarë shkroi njeriu më i afërt i Enver Hoxhës për ish-diktatorin!

DR. VASFI BARUTI/ “E zuri gjaku”, mençuri e popullit, kur e kreu apo në rrugë ta krejë. Vrasësin “e zë gjaku” i të vrarit dhe pushtohet nga hutimi, çoroditja mendore, çka thotë një herë vjen kundër, herë tjetër, s’e mban vendi…! Si “e zuri gjaku” e pamë tek Qemal Stafa, por në rastin Nako Spiro “zënia e gjakut” është me përshfaqje groteske. Qemalin e rrëmbeu patogjeni intelektual zili, në argumenti Papa Francesku; kurse Nako Spirun e kollofiti po patogjeni intelektual, por me emër ”Hakmarrje”, ama është dyfishe: e para, hakmarrje për ç’pësoi tronditje nga një copë letre që Tito ia la në dorë Enverit, kur ishte vizitë në Beograd (1947); dhe e dyta, hakmarrja anti-Tito që Nako refuzoi nënshkrim marrëveshje tradhtie shqiptaro-jugosllave. 

 

Nako numër dy i Partisë komuniste në luftë, udhëheqës i Partisë, më i afërti i Enverit. Në luftë u vendosën lidhje koherente me raporte e informacione të bazës së Partisë me qendrën, thuajse shkruajti çdo numër të “Zëri i Popullit”. Pas lufte Presidenti i BRASHI-it, Ministër i Industrisë, President i Komisionit të Planit të Shtetit, i ngarkuar i posaçëm nënshkrues (në Beograd) i marrëveshjeve skllavëruese, ekonomike midis dy vendeve, kur edhe lindi konflikti me Beogradin, i cili i kërkon të firmoste në çast marrëveshjet porse Nako ngulmon të pritej edhe nënshkrimi i parë të ishte i Enverit. Nëntor ’47 Nako S. mbylli jetë me vetëvrasje/vrasje!

Në Plenumi Dytë i Beratit Nako Spiro ishte njëri nga ”skifterët” më kritik për Enver H.: “Ne nuk donim që emri i Enverit të dilte udhëheqës i luftës. Gjer dje as që kishte dalë emri i Enverit, por sot edhe në listë gjellësh ka emrin e Enverit.”1 Dërrmuese ishte edhe biografia e Enverit[1] e shkruar prej tij në italisht2 me kërkesë të Nijaz Disdareviç misionar i rëndësishëm i Titos, i cili ia vuri në dorë Enverit kur ishte delegacion në Jugosllavi (1947). Letra fatale për “vetvrasje” e Nako S. e botuar nga N. Disdareviç, siç shihet në titullin sllavisht, kurse është po ai Nako që shkruan “Biografi e shkurtër e Enver Hoxhës”, me tone gjeniu!

Pak rreshta të ”biografisë” së Enverit nga Nako S. shkruar me korrigjime larg së qeni letër për Tito, siç njihet sot në historiografi. Nako S.me të vërteta, por gaboi vetëm në një, inteligjenca mediokër: ”Enveri /…/ Inteligjencë mediokër. Në shkollë jashtë shtetit dhe si profesor mediokër. Në Parti sektar. /…/ Tani do ti bëhen lajka. Krijoi klikë rreth vetes. Do të jetë i pari në çdo gjë e t’i marrë të gjithë me shqelma. Të tjerët do t’i shohë fare të vegjël. Asnjë cilësi prej udhëheqësi. /…/ Në popull nuk është njohur e atje ku është i njohur, nuk gëzon reputacion /…/” Letra e Nakos e çoi në apogje armiqësinë e Enverit ama s’ka ndalje armiqësia e tij.

Me letrën e Nako S. për Enverin, Tito synoi dy goditje njëherësh: njëra, te Enveri ngjallje armiqësi kundër Nako S., si faktor negativ për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe mënjanimi i tij nga nënshkrimi i marrëveshjeve ekonomike dhe goditja tjetër kundër vetë Enverit për sa ai bëhej i njohur për Titon, me synim forcimi i pushtetit të tij mbi kreun e Shqipërisë.

DETAJET BËJNË HISTORINË!

Vitet 90 e më pas pati mjaft shkrime e opinione për vetëvrasje/vrasje të Nako S. Verdikti zyrtar qeveritar “vetëvrasje” e Nako S.: “Aksidentalisht vrau veten kur loste me revolverin e tij sa bisedon me funksionarë të Komisionit të Planit.”

Kurse verdikti i pasmë: “Vetvrasja”, përgjegjësi në mosmarrëveshjet e krijuara me Jugosllavinë! … Skena e parë, kur në Beograd Tito nxori nga arkivi dhe i dha në dorë Enverit biografinë e tij denigruese shkruar nga Nako S. dhe pas kësaj diktatori ndërtoi skenë krimi. Skena e dytë, komunikata qeveritare ç’ngjau në sallën e Komisionit të Planit të Shtetit. Skena e tretë, ç’rrëfen informatori i fshehtë i Sigurimit për bisedën e Nakos me shokë të Komisionit të njëjtën kohë në mbrëmjen e gjakosur përkundër me diskutime në Byronë Politike. E katërta, skenë krimi nga kryeshefi i krimeve Koci. X., realizuar pas orës 11:30 në mjediset e Komisionit të Planit të Shtetit. Me qasje detaje të skenave e pas- skenave…

Komunikata qeveritare, 21 nëntor: ”Dje më 20 nëntor 1947 rreth orës 19:45 Ministri i Industrisë dhe Kryetar i Komisionit të Planit aksidentalisht vrau veten. Fatkeqësisht ndodhi në këto rrethana: ndërsa bisedonte me disa shokë, funksionarë të Komisionit të Planit ay loste me revolverin e tij, i cili papritur i plasi në duar duke e goditur në trup. Plumbi qëlloi nën sisa e majtë. Me urgjencë të madhe transportohet në Spitali Ushtarak, vdiq ora 22:05 e 20 nëntorit.”3

Kryeministri Hoxha në komunikatë me dorën e tij shihet i pushtuar nga çoroditje e epërme: deklarata e diktatorit “saktëson”: Në orën 19:45 Nako vrau veten kurse në ora 22:05 vdiq në spital, por fjalët vrau e vdiq janë sinonime dhe akcila e dy fjalëve ka një e vetëm një kuptim: “dha shpirt.”

Referim nga raporti i “Djalit” (informator i fshehtë) ditët e mortit të Nako S.: ”Një ditë në dyqani im erdhi një komunist e më tha: ”Natën kur u vra Nako unë me shokët tanë dhe Nako kemi qenë bashkë në Komisioni i Planit deri në ora 11:30. Nako i tradhtoi, e vranë, pësoi fatin e Mustafa Gjinishit …”5

Përndryshe nga komunikata qeveritare, që vrasjen e saktëson si vrasje teksa luante me armën e vet, Enveri heq maskë e zbulon fytyrë 35 vjet më pas, në libri i tij Titistët: ”… Pak minuta pas orës tetë d.m.th 20:00 në të cilën ishte caktuar mbledhja ai vrau veten, si armik, si tradhtar i Partisë.”4

Diktatori në pështjellim e çorientim të plotë në Komunikatën qeveritare për Nako S.: Asnjë fjalë për homazhin (ora kur e ku), ceremonia e përmortja përcjellëse (ora kur?) dhe homazhet (kur?). Mbahet i fshehtë homazhi të evitohet pjesëmarrja qytetare në varrim, pak qytetarë mundë të kapërcejnë pengesa dhe asistojnë në varrim!

Diktatori i rrokur nga ngufatje vrastare nxjerr nga dora komunikatën qeveritare ding me trille. Ora 20 e 20 nëntorit në mbledhje me byroistët diktatori damkos Nakon armik e tradhtar i Partisë, kur në komunikatën qeveritare të asaj date diktatori ndjehet i “keqardhur” dhe vdekjen e Nakos e ndjen ‘fatkeqësi‘.

Diktatori urdhërdhënës “i kapur nga gjaku” në turbulencë ngjethëse intelektuale nga vrasja e Nakos dhe ja ç‘referon ambasadori ynë në Moskë, Mihal Prifti, dhjetë ditë pas vrasjes, 30 nëntor 47, nga raporti Petrov diplomat i lartë sovjetik për Enver Hoxha e Nesti Kerenxhi: “… unë nuk e kuptoj se si mund të ketë ngjarë vrasja e tij (Nako S.). Ne kemi marrë tre telegrame nga Tirana, por akoma nuk e kemi të qartë vrasjen e tij. Telegramet vinë në kundërshtim njëri me tjetrin. Njëri thotë se është goditur në krah, tjetri thotë se është goditur në këmbë e tjetri gjetiu. Nuk e kuptoj se si ngjau që të mos jenë të rregullt telegramet. /…/ Pra nuk është e qartë tek ne vrasja e tij [Nako S].”6 Telegrame të llojllojshëm i nisen Kremlinit me dorën e diktatorit ndryshe komunikatës zyrtare qeveritare, shkruar me dorën e vet dhe kësisoj kryeministri vuan i kapur keqas nga gjaku Spiru.

Në pështjellim edhe punonjës të dikastereve qeveritare. Në Komisioni i Planit të Shtetit me president Nako S. mëtohet të krijohet pështjellim tek punonjësit për vrasjen e Nako S. Margarita Tirana ish-punonjëse e Komisionit të Planit të Shtetit: “… Na lajmëruan për vdekjen e Nakos, nuk vonoi dhe erdhi versioni: humbi jetën duke luajtur me armën, por erdhi e një version tjetër: Ishte i dehur kur ia hoqi vehtes.”7

Prof Fejzi Hoxha: “… Në dosjen hetimore mungon ekspertiza mjekësore.”, citimi nga mjeku Bardhyl Cipi.8 Nga spitali Ushtarak kufoma s’mund të dalë pa ekspertizë ndaj ajo bie preh e censurës politike ose ekspertiza s’bëhej për interesa politike, që e vërteta të varroset me arkmortin.

Terri informativ preh e censurës politike e s’mund të mendohet pa dorë gjakatare e kryeqeveritarit Hoxha. Nga ora 19:45, kur Nako “vrau” veten, vdekjen e mbuloi terri informativ: Buletini Radiopërhapja, nga ora 6:45 kur nis emisioni deri ora 21 kur mbyll emisioni, nuk ka asnjë shenjë lajmi për vdekjen Nako S., terr informativ dit/nata e 21 nëntorit nga mëngjesi në mesnatë. Gazeta Bashkimi e gazetat e tjera kaluan me heshtje 21 nëntorin, kurse gazeta Rinia të shtatën ditë del me një faqe të bardhë pa asnjë koment!

Fotografi e përgjaktë qeveritare, sa njëmijë fjalë! Ceremoni mortore me kortezh para kryeministrisë, rreshti i parë me dukje Koçi Xoxi, Enver Hoxha, Omer Nishani, Myslim Peza, pas qeveritarët e byroistët, ceremoni mortore në fshehtësi pa qytetarë. Pa fjalë lamtumire, arkivoli në makinë, që s’i gjen të ngjashme. Hakmarrje e gjakosur e kryqeveritarit diktator!

CEREMONI “FONEBËR” PËRCJELLJE NAKO SPIRU, MASKË QEVERITARE GJITHPËRSHIRËSE!

Marria e patogjenit hakmarrje, kufoma e qeveritarit Nako S. s’përcillet në varrim nga asnjë zyrtar i lartë apo i ulët. Në ceremoni varrimi nderojnë familjarët, tiranas me gishtat e dorës që mund të kalojnë pengesat e shumta; edhe regjistrues të fshehtë të raportojnë ç‘shohin e dëgjojnë nga ceremonia mortore. Të vetmit “zyrtarë” në varrim ishin varrmihësit për hapje e mbulim varri të Nako Spiru!

DOSJE SEKRETE!

Diktatorin Enver e ha meraku cili është opinioni qytetar në Tiranë për “vetëvrasjen” Nako S. E meraku mbeti në dosje (47 faqe), fondi sekret i Sigurimit të Shtetit: “Parrulla të elementit armik /…/ mbi vetëvrasjen e shokut Nako Spiru.” Fragmente nga raportet e informatorëve të fshehtë të sigurimit me pseudonime, si Trajko, Tubum, Thaso, Mali, Maziku, Novela, Ajri, Djali etj. Dosja me emërtesë “Vdekje Fashizmit Liri e Popullit. Parulla të hedhura në lidhje me vrasjen aksidentale të shokut Nako Spiru.” Opinioni qytetar për Nako S. me kryefjalë: vrasësi i Nako S. është Enver H., është shteti.

Shkëputje nga dosja. “… Vath Ismaili (rruga 4 Dëshmorët nr. 55) ka thënë: “U bënë tre veta që hëngrën kokën, ky i madhi [Enveri] e ha ndonjë ditë kokën.” Zyra Mancaku: “U vra Nako Spiru, ishalla kanë me u vra të gjithë.” E ëma (anëtare e Partisë.) Marika Lubonja: “Këta vetë vulosin vetë vrasin, Enveri e Koci nuk e deshin Nakon…” Findesa Qatia: “ E vrau vetë Enveri lugat e shkon e sheh…” Fadil Dizdari: “Si Nako Spiru do pësojnë të gjithë qeveritaret.” Xhorxh Zanuta: “Kanë qënë në Kuvendi Popullor e vrau Enveri a Koci.” Tefta Dema: “Nako shkoi kurban i Enverit /…/ Nakon e vrau Enveri në Kuvendi Popullor…” Cace (vjerra e Zanutos): “E vrau qeveria vetë… “. Medie Preza: Nako Spiru e ka vrarë vetë pushteti…” Myzejen Mustafa: “Kur po shkonin në kufomën e Nakos: E vranë Nakon, s‘ka si të vrasë vehten.” Muhamer Pilku: “E kenë vrarë shokët pa dashje…” Kolë Mastaku: “Nako u vra kur ishte duke bërë mbledhje. Kjo vrasje nuk mund të kuptohet si është vrarë mes të gjithëve.” Vait Ceka: “U vra Nako prej kujt s‘dihet, do jetë ndonjë mosmarrëveshje.” Apostol Sotiri (Tolka): ”Nako Spirun e kanë vrarë komunistat, Partija, pse nuk kishin besim tek ai.” Neta Shehu. “Nakon e ka vrarë reaksioni brenda për brenda.” Aziz Alliu: “Nakon e vranë e pësoi si Mustafa Gjinishi…” Baba Rustemi: ”Nako nuk më besohet kurrë të mbajë revolver me vehte për mbrojtje /…/ Nako vdiq por ka babën në burg dhe nuk dihet e kanë nxjerrë të jetë këtu…” Sulejman Veshi… “Ishallah Nako Spiru ka këmbën e mbarë për të tjerët. Populli nuk i ha ato që thonë këta se Nako u vra aksidentalisht, këta e vranë vetë.” Shefi kontabël i NSHI të Cigareve:”… Nako Spirun e ka vrarë Kiço Ngjela” (Rr. Nr. 1).9

Nako Spiru, vrasje apo vetvrasje? Vrasje qeveritare, nga patogjeni hakmarrje. Skenarist e regjisor diktatori Enver, me gjymtyrë qeveritare. Nako Spiru pesë herë i ndërrohet varri, pa të ngjashme në histori. Qemal Stafën e kollofiti patogjeni intelektual zilia, Nako Spirun patogjeni intelektual me emrin hakmarrje; me Qemal S. dikatori me maskë të çjerrë, me Nako Spiru fare-fare pa maskë.

BURIME KRYESORE

1. AQSH, Fondi 14, 1. Dosja 2/1, 1944.

2.Spiro Dede, 2021.

3.Bashkimi 1947: 22 nëntor.

4.E. Hoxha. Titistët: 388.

5.Djali, AIDSSH ish Arkivi i Ministrisë Brendshme, Dosja 54, viti 1947.

6.Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Fondi Dega e Shifrës, 1947, D. 9, Fleta 1-3. Cituar nga Kastriot Dervishi, Plumba politikës 2009:218

7.Margarita Tirana, cituar nga Ferdinand Dervishi. Info Arkiva.

8.Mjeku Bardhyl Cipi Sot News 2016: 2 nëntor.

9.AIDSSH, Dosja nr. 54, viti 1947

Lojtarë në formë dhe telashe, si vjen Kombëtarja shqiptare në Ligën e Kombeve

Diçka më shumë se dy javë dhe Kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.Me një moral të ngritur pas përfaqësimit në Kampionatin Europian dhe një “halli” të zgjidhur siç ishte rinovimi i trajnerit Silvinjo dhe stafit të tij, ekipi kombëtar do të tentojë një nisje pozitive në dy ndeshjet e para, ku shorti e ka vendosur të luajë me Ukrainën më 7 shtator në Pragë (luhet në këtë qytet për shkak të luftës në Ukrainë), si edhe tri ditë më vonë kundër Gjeorgjisë që në një farë mënyre ishte një surprizë në Europian, me këta të fundit që do të mbërrijnë në “Air Albania”.

Mes bazës së lojtarëve që ishin në Europian, Silvinjo do të ketë mundësinë që në këto ndeshje të provojë edhe diçka ndryshe me skuadrën, si në aspektin e lojës, por pse jo edhe ndonjë emër të ri që mund të shihet. Interesant do të jetë edhe qasja që braziliani do të ketë me Myrto Uzunin dhe Keidi Baren, të cilët u lanë jashtë “Euro 2024”, ndërkohë që Cikalleshi e mbylli kapitullin e tij.

SITUATA- Me përjashtimin e disa elementëve të cilët janë në turbullirat e merkatos, veçanërisht sulmi, pjesa tjetër e kuqezinjve në përgjithësi është në formë optimale. Ka disa lojtarë e kanë nisur sezonin dhe po kalojnë momente të mira, si Qazim Laçi, Enea Mihaj, Mirlind Daku, Jasir Asani apo Arbër Hoxha. Po ashtu edhe futbollistë të tjerë që kanë shfaqur shenja pozitive dhe rritje në miqësoret e luajtura, si kundër ka edhe nga ata që nuk janë komodë.

Në portë Strakosha u sistemua, ndërsa Berisha është ende pa ekip, me Alen Sherrin që pret momentin e tij, sidomos tani pasi u transferua te Kaljari. Gjimshiti do të qëndrojë tek Atalanta, ndërsa Kumbulla me Hysajn kërkojnë një sistemim të ri. Këtyre ju shtohet edhe Armando Broja, i cili po përgatitet për një skuadër tjetër, ndërsa probleme edhe për Muçin që me trajnerin e ri ka humbur vendin e titullarit te Beshiktashi. Keqardhje edhe për Nedim Bajramin që duhet ta shohim në Serinë B këtë sezon nëse nuk largohet nga Sasuolo. Më tej, Mihaj, Balliu, Ajeti, Ismajli, Asllani, Ramadani, Medon Berisha dhe Gjasula janë stabël për momentin.

Bankat fillojnë të nuhasin risk në ndërtim, shtrëngojnë kredinë për blerje banesash

Lejet që qeveria jep në seri për ngritjen e kullave të larta deri në qiell duket se kanë filluar të trembin edhe bankat, të cilat kanë filluar të nuhasin risk në sektorin e ndërtimit. Banka e Shqipërisë raportoi se shumë prej bankave private kanë filluar sakaq të marin masat duke e bërë më të vështirë kreditimin për blerjen e banesave.

“Kushtet e ofertës për kredi të individëve ishin të fragmentuara në këtë tremujor, të shprehura në lehtësim të tyre për kreditë konsumatore dhe në shtrëngim për kreditë e dhëna në financimin e blerjeve të banesave,” deklaroi BSH në raportin e fundit të Politikës Monetare.

Zgjerimi i vrullshëm i tregut të ndërtimit ka krijuar jo pak shqetësim në opinionin e gjerë për një fluskë të mundshme të sektorit. Ky është një risk që tani me sa duket kanë filluar ta ndjejnë edhe bankat.

“Zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave konsiderohen prej disa bankave si faktori kyç në shtrëngimin e standardeve, kushteve e termave të kreditimit për kreditë lëvruar individëve në këtë tremujor,” deklaron BSH.

Në tre vitet e fundit sektori i ndërtimit është rritur me ritme dukshëm më të larta se sa pjesa tjetër e ekonomisë. Nga ana tjetër pavarësisht shtimit masiv të ofertës nga ndërtimet e reja, të njëjtën trajektore kanë ndjekur edhe çmimet.

Në dy vitet e fundit ky zgjerim i ndërtimit është mbeshtetur fuqishëm nga bankat përmes kredisë për blerje banesash, e cila ka qenë në nivelet më të larta historike. Por me sa duket tashmë bankat kanë filluar të zmbrapsen nga kreditimi masiv i banesave për shkak të risqeve që perceptojnë.

A është kjo sjellje thjesht një korrektim nga nivelet e larta të dy viteve të fundit apo ka brenda saj edhe perceptimin e një krize të mundshme? Kjo do të bëhet më e qartë gjatë tre mujorëve në vijim. Ndërsa shtrëngimi i kredisë për blerje banesash do të vazhdojë, atëherë bankat po nuhasin më shumë se thjesht risk.

Analiza e The Guardian: A ka ende Putin fuqinë për t’iu përgjigjur pushtimit të Ukrainës?

Rajoni i Belgorodit, i cili kufizohet me Kurskun, është shpallur sot, e enjte, gjendje e jashtëzakonshme në nivel federal nga Ministria ruse e Emergjencave, ndërsa pushtimi i Ukrainës në territorin rus vazhdon.

 

“Situata në rajon mbetet e ndërlikuar dhe e tensionuar. Si pasojë e sulmeve terroriste të grupeve të armatosura ukrainase në rajonin e Belgorodit, u dëmtuan shtëpi dhe objekte infrastrukturore, ka qytetarë të vdekur dhe të plagosur”, tha kreu i ministrisë, Aleksandër Kurenkov.

Ndërsa ofensiva e Ukrainës në Kursk vazhdon, argumenti i Moskës se gjithçka është nën kontroll ka filluar të dobësohet, thekson The Guardian në analizën e saj.

Goditja përfundimtare ishte në pamjet e televizionit ukrainas të së mërkurës të një gazetari që transmetonte nga qyteti Sunja , pa shenja të dukshme lufte në sfond.

Këto imazhe duket se hedhin poshtë pretendimet ruse se “përparimi i pakontrolluar i armikut tashmë është ndalur” dhe se ushtria ruse ka rifituar iniciativën e lëvizjeve, thekson gazeta britanike.

Kujtojmë se Ukraina pretendon se kontrollon 74 vendbanime në rajonin e Kurskut, përfshirë Sunjan, shpërndan ndihma humanitare dhe ul flamujt rusë në rajon, sipas televizionit ukrainas.

Loja e fjalëve ruse

Sipas analizës së The Guardian , “sa më gjatë të zvarritet pushtimi, aq më e vështirë është për Vladimir Putin që ta shmangë atë si një pengesë për një përpjekje tjetër të suksesshme luftarake. Zakonisht është një shenjë se diçka po shkon në Kremlin kur elita fillon të përdorë eufemizma për t’iu referuar asaj. Sulmi i plotë i Kremlinit ndaj Ukrainës nuk ishte, për një kohë të gjatë, një ‘luftë’ ose ‘pushtim’, por përkundrazi një ‘operacion special ushtarak’”.

Siç thekson autori i analizës, “Putini refuzoi të shqiptonte emrin e liderit të ndjerë të opozitës Alexei Navalny sa ishte gjallë, duke iu referuar atij si “një personalitet të caktuar”.

E njëjta lojë gjuhësore duket se po zbatohet tani që forcat ukrainase po përparojnë thellë në territorin rus me FSB-në duke folur për “masa” kundër një “provokimi të armatosur”.

Në të njëjtin kontekst, Putin dhe zyrtarë të tjerë iu referuan “situatës”, “sulmit terrorist” dhe “ngjarjeve në rajonin e Kurskut” me mungesën e dukshme të fjalëve si “pushtim” ose “kontroll ukrainas” i territorit rus.

Dhe kur guvernatori në detyrë i rajonit filloi të numëronte, gjatë një telekonference, numrin e vendbanimeve të pushtuara nga ushtria ukrainase, një Putin dukshëm i irrituar e ndërpreu atë, duke i thënë që t’ia linte këto gjëra ushtrisë dhe të përqendrohej në përshkrimin e përgjigjes humanitare.

Dilema

Pushtimi i pjesëve të Rusisë e bën më të ngutshme përgjigjen e një dileme me të cilën Kremlini është përballur që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës: nëse duhet paraqitur lufta si një betejë ekzistenciale deri në vdekje me Perëndimin dhe një prelud për të tretën lufta botërore, ose nëse duhet të argumentojë se ky është një konflikt lokal që është plotësisht nën kontroll dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

 

Media ruse e kontrolluar nga Kremlini i ka promovuar të dyja këto tregime kontradiktore ndonjëherë, por javën e fundit ka favorizuar versionin e dytë.

Transmetimet u përqendruan në forcat ruse që zmbrapsnin pushtimin dhe njerëzit në të gjithë vendin që dërgonin ndihma humanitare në rajon në shenjë solidariteti, në vend të spektaklit të trupave të huaja që pushtuan tokën ruse për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Deri më tani, kjo duket se po shpërblehet. Studiuesja në Qendrën Eurasia Carnegie Russia në Berlin, Ekaterina Shulman, vuri në dukje se analiza e lajmeve të treguara për rusët përfshin momente të tilla si njoftimi i pushtimit fillestar, grushti i shtetit në Prigozhin, sulmet terroriste në Moskë në mars, por jo pushtimi i Kursk.

Nuk është rastësi që Putini as nuk vizitoi zonat e prekura dhe as nuk mbajti fjalime të zjarrta duke kërkuar një mbrojtje të fuqishme.

A ka akoma fuqi Putin?

Një model i tillë është përdorur nga Putin gjatë viteve të tij në pushtet, duke filluar me fundosjen e nëndetëses Kursk në vitin 2000, pak pasi ai u bë president i Rusisë. Sipas The Guardian, elita ruse është mësuar të shohë Putinin të rimarrë iniciativën e lëvizjeve me kalimin e kohës.

Shih Prigozhin. Vetë reagimi ndaj grushtit të shtetit ishte i mjerueshëm, por kush e qeshi i fundit? Një muaj më vonë ajo u përfshi në flakë”, tha Shulman ndërsa Putin dukej i munguar në skenë, por ishte Prigozhin ai që vdiq më vonë në një shpërthim në avionin e tij privat.

Tani, ata në elitën ruse presin të shohin nëse Putini mund të marrë sërish iniciativën pas reagimit të çrregullt ndaj ngjarjeve të Kurskut. “Ajo që unë dyshoj se ata po shikojnë është kjo: A ka ende fuqi? A e ka akoma në vete?’

Fluturojnë kostot e rrugëve/ Qeveria shton me 260 mln euro faturën për Tiranë-Durrës, Tiranë-Ndroq-Plepa dhe Bypass-in e Elbasanit

Klodian Tomorri

Përmes një vendimi të beftë, qeveria ka miratuar tre ditë më parë një rritje të ndjeshme të kostove për akset kryesore të vendit, të cilat janë në proces ndërtimi apo do të tenderohen së shpejti.

Vendimi i Këshillit të Ministrave i miratuar në datën 12 gusht ndryshon Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, e cila ishte miratuar vetëm 5 muaj më parë, në mars të këtij viti

Kapitali publikon dokumentat ekskluzivë që tregojnë se vetëm për tre akse kryesore, kostoja është shtuar me 260 milionë euro krahasuar me vlerën e 5 muajve më parë. Bëhet fjalë për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës, ndërtimin e rrugës së vjetër të Ndroqit si dhe bypassin e Elbasanit.

Rritja
Sipas dokumentave, në listën e miratuar në mars të këtij viti, kosto totale për zgjerimin e rrugës Tiranë Durrës ishte caktuar sipas projektit në 205 milionë euro. Por me listën e ndryshuar tre ditë më parë, fatura e kësaj rruge është rritur në 298.8 milionë euro ose 45.4 për qind më shumë.

Rritja është shumë më e rëndë në dy projektet e tjera. Për ndërtimin e rrugës së vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa në listën e miratuar 5 muaj më parë kostoja totale ishte parashikuar 39.8 milionë euro. Por me listën e miratuar tre ditë më parë fatura që do të paguajnë qytetarët për ndërtimin e kësaj rruge është rritur në 87 milionë euro ose gati 2.2 herë.

Dyfishim ka edhe për faturën e Bypassit të Elbasanit. Ky projekt ishte përcaktuar të kushtonte 120 milionë euro. Por me vendimin e fundit qeveria e ka dyfishuar koston e kësaj vepre në 240 milionë euro.

Vetëm për këto tre projekte, qytetarët shqiptarë do të paguajnë 260 milionë euro më shumë nga sa ishte përcaktuar. Sipas qeverisë, arsyeja se pse është rritur kaq rëndë kostoja lidhet me rritjen e çmimeve të materialeve, pasi projektet e tyre janë bërë vite më parë.

Po kështu në listën e re është futur edhe një projekt i ri, i cili nuk ka qenë pjesë e listës ekzistuese të projekteve me rëndësi kombëtare. Bëhet fjalë për aksin Elbasan-lekaj, i cili do të kushtojë 360 milionë euro.

Para kostove, fluturuan kokat
Ndryshimi i listës së projekteve me rëndësi kombëtare ishte arsyeja kryesore e ndryshimeve në qeveri pak ditë më parë. Kapitali ka mësuar se ministria e Financave kishte hezituar të pranonte rritjen arbitrare të kostove duke kërkuar që të ribëhej studimi i fizibilitetit për veprat. Kjo pasi rritja e kostove mund t’i nxirrte disa prej projekteve jo fizibël.

Por në vend të ribërjes së studimeve të fizibilitetit, Edi Rama e zgjidhi ndryshe duke ndryshuar ministrin e Financave. Ervin Mete u largua për t’i lënë vendin Petrit Malajt, një ndryshim ky që ka zhbllokuar menjëherë rritjen e kostove. Zoti Malaj nuk ka patur të njëjtat hezitime si paraardhësi i tij dhe e ka firmosur menjëherë listën e re me rritjen e ndjeshme të kostove për këto rrugë.

Por veç ministrit të Financave, një tjetër kokë që fluturoi për shkak të listës së projekteve me rëndësi kombëtare ishte dhe ajo e kreut të SASPAC. Edhe Jona Suli ish drejtoresha e institucionit që koordinon projektet me financim të huaj, ka patur rezerva për rritjen e kostove. Por edhe ky ngërç u zgjidh duke emëruar në vendin e saj Eridana Çanon, e cila më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës së Agjencisë për Mirëqeverisjen.

Si të mbroni zemrën nga kolesteroli, niveli i duhur dhe si ta mbani në kontroll

Kolesteroli i keq rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare ku përfshihen semundjet e zemrës dhe ataku në zemër.

 

Kolesteroli ndahet në tre kategori: lipoproteinë e një dendësie të ulët, tepër të ulët dhe tepër të lartë.

Lipoproteina e një dendësie të lartë është shumë e mirë për shëndetin.

Dy të tjerat janë të dëmshme.

Sipas ekspertëve, niveli i shëndetshëm i kolesterolit është si më poshtë:

Kolesteroli i plotë duhet të jetë më pak se 200 mg/dl (miligramë për një decilitër gjaku)

Kolesteroli LDU duhet të jetë më pak se 100 mg/dl

Kolesteroli LDL duhet të jetë 40 mg/dl  ose pak më i lartë.

Niveli i triglicerideve duhet të jetë më i ulët se 150 mg/dl.

Niveli i kolesterolit matet me një analizë të thjeshtë gjaku.

Si të mbani në kontroll kolesterolin

Sipas të dhënave, ndryshimet në ushqyerje dhe stilin e jetesës janë të nevojshme për uljen e kolesterolit.

Si fillim, njeriu duhet të krijojë një rutinë të aktivitetit fizik të cilës duhet t’i përmbahet. Aktiviteti fizik është mënyra më e mirë për të rritur nivelin e kolesterolit të mirë dhe të ulur trigliceridet.

Ekspertët sugjerojnë kryerjen e 150 minutave aktivitet mesatar fizik në javë.

Sa i përket regjimit ushqimor, mjekët thonë se njeriu duhet të kufizojë karbohidratet dhe yndyrnat e ngopura të cilat gjenden me shumicë në ushqimet e përpunuara dhe të shpejta.

Për më tepër, sheqeri i tepërt nxit gjithashtu rritjen e triglicerideve ndaj duhet kufizuar edhe ai.

Objektivi i njerëzve që duan të ulin nivelin e kolesterolit të keq është që të hanë më shumë perime, drithëra të plota, tërshërë, fasule, arrorë, salmon e të tjerë.

Njerëzit që kanë nevojë për një ulje madhore të nivelit të kolesterolit të keq duhet të marrin medikamente që duhen dhënë vetëm nga mjeku.

Nivelet e kolesterolit për fat të mirë janë lehtësisht të menaxhueshme dhe mbahen nën kontroll. Mjafton vetëm vullneti që të shohësh përmirësimet e zemrës në mesin e shifrave.

Dhunimi për vdekje i Egli Progës/ BIRN: Përplasje publike e pazakontë mes dy institucioneve! Policia e Shtetit sfidon Prokurorinë për hetimin e vrasjes në Pogradec

Nëpërmjet një reagimi të dytë në 20 orët e fundit, Policia e Shtetit sfidoi Prokurorinë e Korçës lidhur me vlerësimin e hetimeve për ngjarjen tragjike që shkaktoi vdekjen e 42-vjeçarit Eglantin Proga, baba i dy fëmijëve.

 

Reagimi i së enjtes lidhet me vendimin e Prokurorisë së Korçës për të hetuar për “shpërdorim detyre” një inspektor të Patrullës së Përgjithshme, i cili akuzohet se nuk ka marrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së 42-vjeçarit.

Përplasjet në distancë mes dy institucioneve ligjzbatuese si Policia dhe Prokuroria janë pjesë e një reagimi më të gjerë publik lidhur me dyshimet për tentativë manipulimi të shkaqeve të vdekjes së Progës, të ngritura fillimisht nga familjarët e viktimës.

Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mbrojti policinë se kishte kryer të gjitha veprimet e nevojshme në një konferencë për shtyp të mërkurën, ndërsa akuzoi median për dizinform. Në të njëjtën linjë qëndrimi, debatit i hodhi benzinë edhe kryeministri Edi Rama, i cili pasi mori në mbrojtje veprimet e policisë, e konsideroi të pakuptueshme akuzën e ngritur nga Prokuroria për “vrasje nga pakujdesia”.

Mëngjesin e së enjtes, Policia e Shtetit bëri përmes një njoftimi për shtyp një vlerësim të ndryshëm nga Prokuroria e Korçës lidhur me inspektorin e akuzuar për “shpërdorim detyre”, si dhe duke pretenduar se i kishte kryer si duhet veprimet hetimore, ndryshe nga sa thotë Prokuroria. Sipas policisë, akt-ekspertimi ligjor për të cilin organi akuzës shprehet se nuk është vendosur në dispozicion, nuk mund të bëhet aty për aty, pasi e kryen Instituti i Policisë Shkencore, përkundrejt vendimeve për kryerjen e ekzaminimit.

Policia pretendon gjithashtu se inspektori me inicialet A.L nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes dhe as me operacionin e policisë për kapjen e autorit. Të dhënat e hetimit tregojnë gjithsesi se autori Denis Meçe u vetëdorëzua.

“Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë të tjera detyra funksionale në vendngjarje, përjashtuar ato hetimore,”, citohet në njoftim dhe theksohet se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.

Ndryshe nga sa evidentoi Prokuroria e Korçës, Policia e Shtetit vlerëson se ka dërguar në pranë organit të akuzës të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak.

“…Materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia”, thuhet në njoftim./BIRN

U vendos në pranga në Maqedoninë e Veriut dhe u la në “arrest shtëpie”, ish-pjesëtari i UÇK-së arratiset

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani – i arrestuar muajin e kaluar nga policia maqedonase – ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.

 

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha të enjten për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

Autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD).

Ramadani, sipas MPJD-së, ka qenë anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare./REL

U ekstraduan nga Dubai, GJKKO cakton masat e sigurisë për Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj! Vrasjet për të cilat akuzohen

Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj janë lënë pas hekurave nga GJKKO. Seanca gjyqësore ndaj tyre nisi në orën 10:00 dhe togat e zeza caktuan masën e sigurisë “arrest me burg ndaj tyre”.

 

Dy të shumëkërkuarit e drejtësisë u ekstraduan nga Dubai dhe u vendosën në prangat e autoriteteve shqiptare.

Plarent Dervishajt iu komunikua masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për vrasjet e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, krime të ndodhura në vitin 2005, si edhe për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në vitin 2019.

Ndërsa Julian Meçaj iu komunikua masa “arrest me burg” për atentatin ndaj ish-Prokurorit Arjan Ndoji, humbi jeten shoferi i tij Andi Maloku.

Njoftimi i policisë:

Sillen nga Dubai në Tiranë shtetasit e shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, kapet në Gjermani shtetasi Fabio Ballabani

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në sajë të punës profesionale hetimore dhe gjurmuese të njësive të specializuara pranë Departamentit të Policisë Kriminale, mundësoi sjelljen nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri të personave të shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj.

Struktura e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, organizuan punën dhe realizuan shoqërimin e dy shtetasve për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Shtetasi Plaurent Dervishaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më datë 26.02.2005, në Durrës, shtetasi Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim  me I. T., L. B. dhe L. R. dyshohet se, kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu, me armë zjarri.

Më datë 27.02.2005, Plaurent Dervishaj, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht E. Sh., I. T., L. B., etj., dyshohet se kanë vrarë shtetasit Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi, me eksploziv.

Ndërsa shtetasi Julian Meçaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më datë 01.11.2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është gjuajtur disa herë me armë ndaj automjetit të drejtuar nga Andi Maloku (i cili humbi jetën), ku pasagjer ishin edhe A. N. dhe A. L. Nga hetimet, Julian Meçaj është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë.

Gjithashtu, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve intensive të “Fast Albania”  me “Fast Gjermani” është bërë e mundur kapja me qëllim ekstradimi i shtetasit në kërkim ndërkombëtar Fabio Ballabani.

Me vendim të Gjykatës Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Fabio Ballabanit është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “goditje ndaj pjesëtarëve të familjes të një personi, i cili kryen një detyrë shtetërore në sistemin e drejtësisë, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, vlerësoi operacionet e strukturave të specializuara të policisë dhe bashkëpunimin me SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë