37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Dhunimi për vdekje i qytetarit në Pogradec/ Mirela Karabina: Ngjarja dëshmon degradimin e shtetit. Të hetohen institucionet përgjegjëse dhe ngjarja të zbardhet sa më shpejt!

Partia Demokratike-Demokratët Euroatlantikë ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në qytetin e Pogradecit. Zëdhënësja Mirela Karabina në një deklaratë për mediat u shpreh se ngjarja në fjalë ka shokuar opinionin publik pasi një person u dhunua për vdekje duke u lënë për 30 minuta në mes të rrugës e në gjendje të rëndë, ku as policia dhe as ndihma e parë mjekësore nuk vepruan në kohë për të shpëtuar jetën e të ndjerit.

Karabina shprehet se ditë pas dite zbardhen fakte të reja të cilat dëshmojnë degradimin e krejt shtetit në këtë vend, pasi nga momenti i ngjarjes e deri më sot, është ndryshuar disa herë versioni zyrtar i ngjarjes.

“PD-Demokratët Euroatlantikë kërkon një hetim te thelluar mbi veprimet e organeve kompetente për mosreagim e tyre në kohë si dhe të vlerësimit që i kanë bërë në tërësi rastit në fjalë, konkretisht: Komisariatit të Policisë Pogradec, Prokurosisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Pogradec si dhe Urgjencës së Spitalit”, shprehet Karabina më tej duke kërkuar zbardhjen e shpejt dhe autorët të shkojnë para drejtësisë.

 

DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË PD-DEMOKRATËT EUROATLANTIKË, MIRELA KARABINA

 

Partia Demokratike-Demokratët Euroatlantikë është duke ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të thellë ngjarjen e rëndë në Pogradec që ka shokuar opinionin publik, ku një shtetas humbi jetën, duke u lënë për 30 minuta në mes të rrugës e në gjendje të rëndë, ku as policia dhe as ndihma e parë mjekësore nuk vepruan në kohë për të shpëtuar jetën e të ndjerit.
Ditë pas dite zbardhen fakte të reja të cilat dëshmojnë degradimin e krejt shtetit në këtë vend, pasi nga momenti i ngjarjes e deri më sot, është ndryshuar disa herë versioni zyrtar i ngjarjes.
Filimisht u raportua si vdekje aksidentale dhe më pas që i riu ishte dhunuar ashpër deri në humbje të jetës në mes të rrugës.
Heshtja dhe mosreagimi në kohë për fshehjen e së vërtetës dhe zbardhjen e vrasjes, ka ngjallur frikë dhe indinjatë te qytetarëve, pasi jeta e tyre është në rrezik dhe shteti nuk funksionon për t’i mbrojtur ata.

Partia Demokratike-Demokratët Euroatlantikë kërkon një hetim te thelluar mbi veprimet e organeve kompetente për mosreagim e tyre në kohë si dhe të vlerësimit që i kanë bërë në tërësi rastit në fjalë, konkretisht: Komisariatit të Policisë Pogradec, Prokurosisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Pogradec si dhe Urgjencës së Spitalit.

Këto autoritete duhet të mbajnë përgjegjësi, duke filluar nga vonesa në dhënien e ndihmës së shpejtë, duke vijuar me përpjekjen e policisë për ta raportuar ngjarjen si aksidentale, pra duke e manipuluar atë, e duke vijuar me autoritetet lokale te drejtesise.
Ngjarja tragjike ka tronditur jo vetëm qytetin e Pogradecit, por mbarë opinonin publik shqiptar.

Kjo ngjarje duhet të zbardhet menjëherë dhe të shkojnë para drejtësisë të gjitha ata që u bënë pjesë e humbjes së jetës së një të riu, një biri, një babai të dy fëmijëve jetimë dhe një bashkëshorti.
Partia Demokratike-Demokratët Euroatlantikë i shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të të Ndjerit.

Përfshihet nga flakët zona në afërsi të Syrit të Kaltër në Theth, rrezikohen të digjen banesat e vjetra të banorëve

Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre në afërsi të Syrit të Kaltër. Zjarri është duke u përhapur me shpejtësi dhe banorët e zonës kërkojnë që të ndërhyhet sa më shpejt nga ajri por edhe forca tokësore.

 

Rrezikojnë të digjen banesat e vjetra të banorëve të Thethit si dhe dëmi në pyje në rast se zjarri vijon të përhapet edhe më shumë është i konsiderueshëm.

Po ashtu, zjarri, në rast nuk ndërhyhet mund të zbresë deri poshtë në bujtina dhe zonën e banuar që në këtë periudhë është e mbushur me turistë të huaj dhe vizitorë vendas.

Të gjendur në këtë situatë banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin sa më shpejt masa për të shuar flakët e zjarrit dhe për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme.

WhatsApp Image 2024-08-14 at 15.15.19

“S’jam fajtore e as komuniste, por…”- Çfarë deklaroi Musine Kokalari në gjyqin ushtarak, në lozhë ndodhej edhe Enver Hoxha! Letra që i ra në dorë diktatorit pasi kushërira e tij refuzoi të martohej me të

NGA VISAR ZHITI

NJË POEZI DHE BURGU I SHKRIMTARES SË PARË SHQIPTARE,

Musine Kokalari

“Jeta ime universitare”.

Dhembje e copëtuar në poezi:

TË ISHA NJË LULE

Të isha një lule vjollce

në mes të ferrave

të qëndroja e fshehur, e pa dukur

dhe një ditë të zbulohesha

prej duarve të dy të rinjve.

Prej frike, të larguar prej njerëzis

do t’më këputnin

do të dhurohesha te njëri-tjetri

për shenjë kujtimi.

Karafil i kuq të lulzoja

dhe me kujdes të vaditesha…

një ditë të vendosesha

në jakë të palltos.

Do të shëtisja dhe unë

rrugëve të qytetit,

do të kuptonja jetën djaloshare

dhe të gjithë do të vështronin

atë dhe mua;

që të dy qënkan të bukur,

do të thoshin.

Më së fundi le t’isha

së paku një lule e egër,

midis rrugës dhe gurëve

pa kujdesin e të tjerëve.

Një ditë do të shtypesha

prej ndonjë këmbe njeriu,

një burrë ose grua… e di por s’ka gjë,

një lule të isha dhe jo njeri…

Në këto copëra të një poezie të Musine Kokalarit sikur përmblidhen gjithë copërat e jetës së saj, dëshirat dhe parandjenjat, kredoja dhe realiteti, profecia dhe ashpërsia e ardhshme, burgu dhe vdekja, ndërkaq aty janë vendosur përballë njëra-tjetrës delikatesa me tragjizmin. Vërtet janë copërat e një poezie, më pak se gjysma e saj, nga ato pak poezi të rënda që na la ajo, me atë gjysmë jete, ku më shumë se sa këndonte, dukej sikur tregonte në prag të një vajtimi. Dhe janë shkruar përpara një gëzimi të madh, kur ajo do të shkonte për studime në Romë, më 1937. Po në këtë vit edhe poeti i njohur i të rinjve shqiptarë, Migjeni, do të shkonte në Torino, por për të vdekur, pa i nisur dot studimet. Temat e tij, lakonizmi do t’i pëlqenin shumë Musinesë dhe do të ndiqte deri diku hapat e tij… Musineja linte kryeqytetin e saj të pakët, Tiranën, i cili s’kishte shumë vite që ishte shpallur si i tillë në një atdhe që kishte dalë nga një robëri shumëshekullore e qe bërë i pavarur. Nga Republikë Presidenciale, befas qe shndërruar në monarki pa ndonjë kryengritje a grusht shteti, por vetë Presidenti shqiptar, Ahmet Zogu, kishte kaluar në Mbret, Zogu I. Tirana sapo kishte filluar të merrte pamjen e një kryeqyteti të çuditshëm, sa oriental në njerëz, po aq edhe perëndimor në arkitekturë, ku kishte dhe ballo në sallone hotelesh dhe në bulevard gra me ferexhe, mesjetë dhe librari, kuaj dhe vetura, gjakmarrje dhe jetë intelektuale, varfëri dhe opozitë, poetë brilantë të një populli me analfabetizmin më të madh në Europë. Në sheshin kryesor punohej të ngrihej një Hark Triumfi. Miqësia mes Shqipërisë së vogël mbretërore po shtohej dita-ditës me Italinë fashiste perandorake. Po me të zbarkuar Italia në Shqipëri, mbreti do të ikte dhe Harku i Triumfit do të shembej.

Musine Kokalari lindi në Adale të Turqisë, më 10 shkurt të vitit 1917, kur po atë vit bota do të tronditej nga revolucioni bolshevik i Leninit. Foshnja e porsalindur do ta pësonte po nga ky revolucion, nga dishepujt e tij ballkanas. Familja e saj kthehet në Shqipëri në vitin 1921 dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë Kokalarët shpërngulen në Tiranë. Në vitin 1937 Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe vendosi të shkonte të studionte në Itali, në Romë, në Universitetin e njohur “La Sapienza”. Në Qytetin e Përjetshëm, një nga kryeqytetet më të bukur në botë, në mos më i bukuri, Musine Kokalarin e priste një jetë të re, moderne, me ëndrra dhe studime, me kohët antike që shpaloseshin gjithandej, që flisnin me statujat, me muret dhe gurët, ku Koloseu mbase do t’i ngjante me një kurorë vigane, jo e rënë trandshëm nga qiejt, por si e dalë nga nëntoka. Donte të bëhej shkrimtare. I kishte hyrë kësaj valleje, për të qenë e tillë kishte lindur. Atdheu i saj nuk dihej të kishte pasur shkrimtare grua. Mbase, por siç thoshte një princeshë në Rumani me origjinë shqiptare, që kishte pasur miqësi me shkrimtarët më të shquar të Europës së Shekullit XIX, Dora D’Istria ose Elena Gjika, që shqiptarët bëjnë shumë, por shkruajnë pak. Edhe Musineja ishte e bukur si ajo, shkruante si ajo. Edhe më shumë, të shkruante, të shkruante…

Poezia e Musine Kokalarit se si ishte, e pangjashme me të poetëve të tjerë shqiptarë, as me të atyre të vjetërve e as me të bashkëkohësve, e pangjashme as me folklorin e lashtë. Trishtim, pakënaqësi, jo këngë dashurie, pa rima kumbuese, pa rima fare, rrallë ndonjë e brendshme, zë i ngjirur, që duhej të kishte thirrur dikur, pa lindur ende, po, po, atë të shkaktonte në shpirt: thirrjen. Mjerimin pasqyronte duke ngjarë edhe vetë e mjerë, e drejtpërdrejtë si ngjarjet në rrugë, madje kjo është edhe jeta, thotë ajo diku. Revoltë, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në formë, vargjet përzgjaten, zvarritshëm i afrohen prozës, hidhësisë, marrin të folurën e përditshme, një gjallëri shqetësuese, rrëfime që kanë terr dhe uri. Çuditërisht nuk i ngjajnë jetës që kishte kaluar a të tashmes së autores, por të ardhmes së saj. Kishte dashur të ishte një lule mes ferrave… Më mirë prozë atëherë dhe aty të shpalos poezinë. Nga pasioni për folklorin, fjalët e rralla dhe proverbat, Musine Kokalari hidhet tek tregimi i shkurtër, ja ashtu “Siç më thoshte nënua plakë” dhe pikërisht këtë titull i vuri librit të saj të parë, që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në vend. Një shkrimtare grua?! Edhe tek ne?! Në botë ka. Atëherë po përmbysej bota… apo po bëhej më e mirë? Ndërkaq, Italia e Musolinit kishte pushtuar Shqipërinë. Kishte pasur përplasje me armë në qytetet bregdetare, edhe të rënë, teksa Mbreti ikte nga atdheu e mbretëresha lehonë mbante në krahë djalin e porsalindur. Do të përgatiteshin festa dhe dhënie lulesh për autoritetet italiane, por kur do të vinte për vizitë në Tiranë mbreti Viktor Emanuali, do ta varej në mes të sheshit djaloshi Vasil Laçi, që guxoi të shtinte mbi mbretin.

Atentati dështoi, por jo vdekja e atentatorit. Musine Kokalari në Romë nuk është e qetë. Ajo po shkruan librin “Jeta ime universitare” (1940-1942), fakte dhe histori, etnografi e meditim, që se si duket, sikur pushtimi kalon dhe nëpër trupin e saj prej gruaje, por ajo nuk do të jepet, madje qëndron shumë më lart se poseduesi dëshirëmadh. Studime dhe spitale. Nipi i saj i vogël është sëmurë. Apo Shqipëria? Kush do të operohet, kujt do t’i ngulen thikat? Çalon koha apo vogëlushi i gjorë, kockëhollë? Musineja shoqërohet me të rinjtë antifashistë në Romë. Organizon takime kulturore me studentë shqiptarë, klubet ndodhte që i prenotonte dhe Dane Zdrave, që kishte studiuar në Akademinë Detare në Napoli, merrej edhe me biznes, ai do të hapte kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, do të çonte kombajnat e para, centrale elektrikë, do ta sponsorizonte dasmat e vajzave të miqve dhe do të hapte në Tiranë dyqan mode. Të çliroheshe përmes pushtimit. Pas mbarimit të Luftës II Botërore, atë e arrestojnë dhe ai vdes në burg. Oficerët komunistë që e torturonin mbase zbrisnin në qeli me uniformat që u kishte blerë ai dikur…

Erdhi koha që Musine Kokalari duhej të mbronte diplomën universitare në “La Sapienza”. Kë shkrimtar të zgjidhte për studimin e saj? Danten e madh? Ai tani ishte dhe poeti kombëtar i shqiptarëve. Se siç shpjegon shkrimtari Ismail Kadare, bashkëqytetar i Musinesë, “Nën kurorën e përbashkët, Italia po sillte si prikë poetin e saj të parë: Dante Aligierin”. (“Dantja i pashmangshëm”, fq. 23, bot. “Onufri” 2005). Po sikur të merrte Leopardin apo nga poezia moderne italiane? Poetët italianë vërtet mund të ishin bërë zyrtarisht të përbashkët, por përkohësisht gjithsesi dhe mbeteshin të një gjuhe tjetër. Të kërkonte një poet etiopas më mirë, se dhe me ata bënin pjesë në të njëjtin shtet tani? Jo dhe jo. Vetëm Naim Frashërin, poetin kombëtar të vendit të saj, që ribëri atdheun gjatë pushtimit otoman. Poezia e Naimit u ndez si qiriri. Dridhej drita e tij, por edhe terri prej asaj drite. Ta shihnin italianët edhe atë. Veprimtarinë si antifashiste, të nisur në Romë, e vazhdon në Tiranë, shkruan nëpër gazetat antifashiste dhe më 1943 bëhet nismëtare për të themeluar një parti social-demokrate me intelektualë të shquar si Skënder Muço e profesorin e Sorbonës, Isuf Luzaj. Rri dhe punon me rininë nacionaliste. Librarinë “Venus” të vëllezërve të saj e shndërron në qendër kulturore. Vazhdonte Lufta II Botërore. Maleve të Shqipërisë luftohej me pushtuesin fashist dhe nazist. Në fillim së bashku, nacionalistë, monarkistë, komunistë, por këta të fundit po dilnin të parët dhe po e çonin vendin në luftë civile. Si në Spanjë, hakmarrje për Spanjën. Musine Kokalari po luftonte me armë të tjera, me libra. Dhe kundër sundimit më të rëndë, injorancës, e cila tek gratë shumëfishohej e bëhej në heshtje më kërcënuese. Gruaja shqiptare ishte mbyllur brenda mureve të një fanatizmi barbar. Mona Liza shqiptare ishte me shami në kokë. Kishte 500 vjet që kishte hyrë ferexheja bashkë me natën e gjatë të pushtimit. Vajzat kokëzbuluara, me flokët që ua merrte era, që duke vallëzuar e duke kënduar ishin hedhur në humnerë për të mos rënë në duar të pushtuesit, tani ishin futur në legjendë. Në kohën kur Roma e lashtë kishte perandorë dhe me origjinë ilire, në bregun përballë paraardhësit e shqiptarëve kishin pasur mbretëreshë, Teuta, por ajo qe harruar fare, veç emri i saj u vihej ende vajzave, mbase pa ditur pse.

Musine Kokalari po ndihej shkrimtare. Ky mision duhej përmbushur më së miri. Sa keq që s’kishte pasur grua shkrimtare ky vend, edhe pse ishte shekulli XX. Duhej të kishte, do të kenë qenë harruar… zhdukur… siç ikin gratë kur nuk i duan… Këngëtare anonime të nina-nanave po, edhe vajtojca patjetër që po. Pra, kur lindnin dhe kur vdisnin njerëz. Po ato këngë të mrekullueshme dashurie, që ne i futim në folklor, kush i krijoi? Patjetër duhej të kishte dhe gra poete anonime. Kur kështjellat tona binin një e nga një e pirgjet e tyre shkrumboheshin nga flakët, mbetën bedenat e dhëmbëve. Gojët e grave ruajtën gjuhën, teksa burrat i shpinin nëpër luftëra kudo në Ballkan, edhe më larg, përtej Europës, shkretëtirave të Azisë dhe Afrikës. Musine Kokalari duhet të flasë për të gjitha ato. Në vitin 1944 boton librat “Rreth vatrës” dhe “…Sa u tund jeta”. Entuziazmon gjithë shkrimtarët e njohur shqiptarë, albanologë dhe studiues në Itali, në Gjermani, në diasporë deri në SHBA. Tashmë ajo është vërtet shkrimtare, e pjekur, me autoritet. E para… Shkruan studime, mbledh folklor, boton artikuj për Kosovën. Romani i saj “Teto Nurieja” mbetet përgjysmë, por edhe jeta e saj. Brenda vetes ajo ndien elegjinë, që nuk do të lejohej ta shkruante kurrë. Por gjithçka tek ajo është poezi. Është karafil i kuq mbi jakë palltosh, siç thoshte ajo. Pra, i këputur…

Kur Lufta II Botërore po mbaronte, kur po dëboheshin dhe largoheshin nga kryeqyteti pushtuesit nazistë, gjermanët po iknin drejt Veriut e betejat po zhvilloheshin rrugë më rrugë, shembeshin mure, merrnin flakë çatitë e vriteshin njerëz, në shtëpinë e Musinesë trokasin fitimtarët, partizanët dhe me urdhër të kushëririt të Kokalarëve, diktatorit të ardhshëm Enver Hoxhës, marrin dy nga vëllezërit e saj, Mumtazin dhe Vesimin, të tretin, Hamitin, jo, se ishte tepër i sëmurë, me ethe, po vdiste vetë dhe s’kish pse ta mbartnin e të harxhohej plumbi për të. Po ku i çuan? Apo i donin për ndonjë shërbim a do t’i pyesnin për ndonjë gjë? Se liria fillon me librin e ata me libra merreshin. Luftë ishte, s’dihej. Dhe do t’i gjenin të vrarë mes shumë kufomave të tjera të përgjakura, të grirë nga breshëritë e skuadrave të pushkatimit. Fitimtarët kishin grumbulluar intelektualë të njohur, gazetarë, që nuk ishin komunistë, por borgjezë, sipas tyre, i kishin mbyllur në bodrumet e nëndheshme të hotel “Bristol” dhe bënë masakrën para festës së çlirimit të kryeqytetit. Kishte filluar të derdhej gjaku, jo nga shkaku i pushtuesve tani.

NJË GRUA MARTIRE PËRBALLË DIKTATORIT – BASHKËQYTETAR I SAJ…

Shkrimtarja e parë shqiptare, grua me ndërgjegjen e lartë të krijimit dhe është vetëm 27 vjeç. E ylltë. Vepra e saj do të ishte plot me fjalë të gjalla, nga ato të popullit, të vjetra, gjithë thellësi, që gjuhëtari i shquar, Profesor Eqrem Çabej, bashkëqytetar dhe bashkëkohës i saj, do të merrej me seriozitet shkencëtari me shqipen dhe do të ishte studiuesi dhe etimologu me autoritet ndërkombëtar. Skenat dhe personazhet lokalë të veprës së Musine Kokalarit, Gjirokastra e çuditshme, do të merrnin hov dhe zhvillim të paparë më pas në romanet e përkthyer gjithandej nëpër botë të bashkëqytetarit tjetër të saj, shkrimtarit botëror Ismail Kadare. Ai realitet, ajo jetë sa orientale, po aq dhe Perëndimore, që po shkonte drejt Europës së kulturuar, ai pluralizëm dhe demokraci parake, që do të tronditej nga Lufta e II Botërore, do të përmbysej e do të shkatërrohej nga sundimtari i kuq, diktatori Enver Hoxha, edhe ky bashkëqytetar i Musine Kokalarit. Shtëpitë e tyre nuk janë larg midis tyre, dritaret shikojnë njëratjetrën, por njerëzit nuk shikohen dot në sy. Diktatori i ardhshëm kishte shëtitur në Europë, në Itali, Belgjikë, Francë etj., kështu mbahej i shëtitur, ndiqte modën, ishte regjistruar edhe në një universitet në Montpelie, ku nuk dha asnjë provim e nuk u diplomua kurrë dhe kur mori pushtet, futi në burg ministrin e Arsimit, poet dhe ai, Mirash Ivanaj, ndër më të kulturuarit në Ballkan, dinte 11 gjuhë, si hakmarrje që nuk kreu dot shkollë dhe do t’i urrente gjithë jetën.

Jo urrejtje pasive, por me veprime mizore, duke i persekutuar rregullisht. Duke marrë në ndihmë intelektualë të tjerë, nga ata që do të denonconin kolegët e do t’u vidhnin veprat dhe do të aplikonin realizmin socialist shqiptar, duke himnizuar me poema e romane diktatorin. Katër ditë pas vrasjes së vëllezërve, arrestojnë dhe Musinenë dhe e mbajnë 17 ditë në burg. Mes rrëmujës, kur fitimtarët ende nuk dinë se çfarë të bëjnë, përveç pushkatimeve, pushtojnë zyra dhe hapin burgje, edhe kishat i bëjnë burgje, ndërkaq Musineja vepron, bashkohet me intelektualët, që krijojnë “Koalicionin demokrat”, programin e shkruan ajo, u çojnë nota SHBA-ve dhe Anglisë për vëzhgimin e zgjedhjeve politike të 1945. Shkrimtare e plotë tashmë, me autoritet. Më shumë se sa poezi, tani është elegjia që po fillon të ndihet brenda saj, më e fuqishme se marshet e fitimtarëve. Një vit më pas, më 23 janar 1946, e arrestojnë përsëri Musinenë. E nxjerrin në gjyqin ushtarak me 36 intelektualë të tjerë. Gjyqet bëheshin në teatrin që kishin ndërtuar italianët gjatë pushtimit. Në skenë, ku duhej të luhej ndonjë nga veprat e Musinesë, vendosej trupi gjykues, të akuzuarit, policët. Aktorë të vërtetë të një drame të vërtetë. Në lozha ndodhte që ta ndiqte gjyqin vetë Enver Hoxha. Ndoshta vinte monoklin në sy si në operat në Paris. Në altoparlantë që ishin vendosur jashtë në rrugë njerëzit e grumbulluar dëgjojnë zërin e Musinesë: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj… Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”. Mbase Enver Hoxhës i është kujtuar që nëna e tij në Gjirokastër i kishte kërkuar nënës së Musinesë vajzën për djalin, që t’i martonin… Po janë kushërinj?! Musineja nuk donte absolutisht. E tmerronte ndryshimi kulturor e moral që kishte me të. Enverit i kishte rënë në dorë një letër e vëllait të Musinesë, ku ai fliste keq, shumë keq për Enverin, e quante mizor, mediokër, hakmarrës, vagabond, mjerë vendi, po të vijë ai në pushtet… Ja që erdhi!? S’donte ajo, kuçka, të bëhej gruaja ime, do t’i zhduk nga faqja e dheut të gjithë Kokalarët…

Ndërkaq dikush i caktuar thirri në sallën e gjyqit se ajo, Musineja, duhet të dënohej me vdekje në litar. Kryetari i gjyqit F. N. tha: “Hë, a e dëgjove ç’kërkonte populli”? Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju turmat”. Dënohet me 30 vjet heqje lirie, aq sa vjeç ishte. Në qelitë e burgut të Burrelit i vinin për vizitë bashkëpunëtorë të diktatorit, ministra të tij dhe i thoshin që t’i kërkonte falje Enverit. Nisën torturat, nga më banalet, deri dhe futje e maces në trup që ta çirrte me thonj, pastaj një polic nudo përballë… Musinesë i binte të fikët, por nuk dorëzohej. Doli profecia e saj në poezi. U bë një lule e egër midis gurëve, jo pa kujdesin e njerëzve, por nën dhunën e tyre. “Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu”, shkruante Musineja, por atë e shkeli çizmja e tmerrshme e diktaturës. Kaluan vite të rënda rrethuar me tela me gjemba, brenda mureve të pandryshueshëm të burgut, po ato njolla e brenga e uria gërryese e ajo lodhje e shpirtit e britma policësh e rojash. Po poezia? Edhe ajo në burg. Nuk dimë në ka shkruar fshehurazi poezi, a ka mbajtur shënime, a ia kanë gjetur e konfiskuar a djegur. Por Musineja diçka tregon a të tjerë për atë, një poezi sysh… Kur dilnin të burgosurit në shesh për ajrosje a për larje, të ndarë nga gratë e burgosura, ajo u njoh me dikë, e dashuroi fuqimisht si pamundësinë, iu bë ëndrra dhe brenga me fuqinë e vdekjes… Mbas 16 vjetësh burg e lirojnë në vitin 1961, duke e çuar në një tjetër lloj dënimi, në internim, në Veri, në Rrëshen, andej nga malet. E vetmuar. Përsëri me policë. Dhe në punë të rëndë, shumë të rëndë edhe për burra. Punonte në ndërtim, me tulla, bënte llaç…

Askush nuk i fliste. Më shumë se sa me policë, ishte e rrethuar me spiunë, të cilët kanë mbushur dosjet me raportime, se deri ku shëtiste ajo pasi perëndonte dielli, çfarë libri mori në bibliotekën e vogël të qytezës, si ishte krehur, si ishte veshur, thjeshtë por prapë bukur, sfiduese, çfarë tha te fqinji i saj, te shtëpia e rrënuar mes baltës. Të nesërmen prapë ulej në stolin e lulishtes së vetme, ku askush nuk e përshëndeste. Shkruante, merrej me folklor, por edhe ditar, rreth 1000 faqe… I vinte ta shikonte një nipi i saj, Platori. Dhe është mahnitëse se si ajo njihet me një shkrimtar të ri, Bilal Xhaferrin, edhe ai nga Jugu, por më thellë se Gjirokastra e saj, ai vinte nga Çamëria. Babanë e tij e kishte pushkatuar partia si nacionalist. Prandaj dhe s’ishte lejuar të studionte, të shkonte në universitet. Punonte në shtrimin e rrugëve, punëtor. Por shkruante poezi dhe tregime të shkëlqyera. Musineja iu gjend pranë. Iu bë mecenate shpirtërore, e udhëzonte. Nisi të botojë, por ia ndaluan botimin. Dhe ai u arratis në SHBA, por atje spiunët e fshehur në diasporë ia bënë gropën. E goditën me hekur kokës dhe e helmuan në spital në Çikago. Çudia tjetër, në vitin 1972 Musineja përfundon librin manifest “Si lindi Partia Social Demokrate”, fshehurazi. Dhe diktatori Enver Hoxha, me shumë bujë si zakonisht, i shton botimeve të tij librin “Kur lindi Partia”, por në vitin 1981. Ndërkaq në gjoksin e Musine Kokalarit kanceri ka hapur metastazat e veta.

E çojnë në spitalin e Tiranës, aty i vinin për ta parë, gjithmonë fshehurazi mbesat, nipi – personazhe në librin e kujtimeve të Romës. Ajo vetë u bë lulja e fshehur e poezisë së saj. Përmes lotëve të padukshëm kujtonte nënën e vdekur, si i kishin dhënë leje nga internimi ta takonte një herë e si pastaj nuk e lejonin. As në spital në kryeqytet nuk mund të vinte më. Edhe pse kishte aq shumë nevojë. Të domosdoshme. Por mjaft! Le të vdiste. Nuk mund të harxhonin për një armike. Ishte orientim nga Partia. Dhimbjet shumëfishoheshin. Të tmerrshme. Lë një pusullë për të nipin: “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale. Musine”. Përmes vuajtjeve, që i duronte pa u ankuar, stoike, zemra e saj pushoi së rrahuri. Fqinji i saj i mbylli sytë. Balta përreth u bë më e zezë. Makina e zhavorrit, pa funeral, me arkivolin e varfër të saj përsipër, ikën me nxitim për në varrezat e qytezës. Dy punëtorë me kazma e lopata e mbulojnë shpejt e shpejt. Ishte viti 1983. Dy vjet më vonë vdes diktatori Enver Hoxha. Autobusët nga e gjithë Shqipëria shkarkonin njerëz gjatë gjithë javës së zisë kombëtare, i vinin në rreshta ta gjata për të bërë homazhe para kufomës të mbuluar me kurora dhe aroma dhe për të qarë me zë burra dhe gra. Nëpër gazeta vërshonin poezitë për atë…

“NJË LULE TË ISHA DHE JO NJERI” Kështu shkruante Musineja në poezitë e saj të para, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Sot, kur janë hequr të gjitha statujat e diktatorit, u morën zvarrë nga sheshet, u thyen dhe me mermerin e tyre u bënë vajza nudo, që nuk lejoheshin nga ai në diktaturë, ndërkaq më fanitet Musineja e bukur, e qeshur, studente e përjetshme, ajo në gjyq, që akuzon dhe tani, guximtare, teksa janë vënë pllaka të mermerta, memoriale për të, jo vetëm në vendlindje, i është botuar vepra e plotë, i është dhënë titulli i lartë “Nderi i Kombit” si shkrimtarja e parë grua në letërsinë moderne shqiptare dhe si disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste. Vuajtja e saj, qëndresa dhe dinjiteti mbi baltën gjeneral janë poema më e madhe. “Një lule të isha dhe jo njeri”, klithi ajo. E lodhi njeriu në luftën për të mbetur njeri. Të gjithë ne. Që të ishim të lirë në një atdhe të lirë bashkë me botën. Por, ajo deshi të ishte lule. Është. Tani ajo është lulja e bukur e njeriut, e njerëzimit…

Visar Zhiti: parathënia në shqip e librit

“La mia vita universitaria” e Musine Kokalarit,

botimet “Viella” 2016, Roma.

Tregime/ Nga Dr. Flamur Topi: Me fal bir! Nuk munda të të gjendesha pranë…

DR.FLAMUR TOPI/ Që prej dy orësh, doktor Hemi po bënte ç’ishte e mundur të shpëtonte prej kthetrave të vdekjes një fëmijë të rrëzuar nga kati i tretë i një godine në ndërtim. Djali kishte pësuar goditje të shumta e të rënda. Atë ditë të nxehtë gushti, Hemi ishte kirurgu i vetëm në shërbim. Kolegu po pushonte me të shoqen dhe fëmijët jashtë vendit, përndryshe, në atë operacion të vështirë, s’do të kishte ngurruar ta thërriste për ndihmë.

Ai bëri prerje, qepje e lidhje të shumta vazësh e indesh për të ndalur hemorragjinë e frikshme dhe në një çast, qëndroi. Për të parë më mirë, drejtoi projektorin në atë pozicion që fasha e përqendruar e dritës të binte mbi shpretkën e djalit, prej nga, si prej një sfungjeri të nginjur, bulëzonin pareshtur pikëza gjaku.

– Zgjeroje më shumë, – iu drejtua asistentes, teksa ia mori vetë në dorë zgjeruesin metalik të indeve.

Kirurgu u përqendrua gjatë mbi organin e kuq në kaf, ndërsa tampononte pareshtur. Për fatin e keq të vogëlushit, shpretka qe dëmtuar rëndë në zona të ndryshme anatomike të saj dhe doktor Hemit i duhej prerazi e pa humbur kohë të merrte një vendim delikat: ta hiqte apo jo shpretkën? Ai mund edhe ta qepte aty-këtu, ta “arnonte”, siç shprehej figurshëm në kësi raste kolegu kirurg, por mund të ndodhte që, pas mbylljes së barkut, tinëzisht, pa u ndier, të rridhte gjak pareshtur pikë-pikë dhe fëmija të mos e mbërrinte dot agimin e nesërm.

– Përgatituni për heqjen, – iu drejtua i vendosur ekipit pas pak, ndërsa nxitoi të lidhë një arterie të dëmtuar.

Zilja e paradhomës së operacionit tringëlliu fort. Pushoi një çast të shkurtër, madje shumë të shkurtër, e sërish ngulmoi gjatë, zhurmshëm.

– Drita, hape! Duhet të jetë yni.

Infermierja e sallës së operacionit nxitoi drejt derës. Ashtu ishte vërtet. Një infermiere e repartit të kardiologjisë së spitalit, duke marrë frymë me zor nga të vrapuarit, e, ca më shumë, prej stresit që e kishte kapluar, këmbënguli të takonte kirurgun Hemi. Duhej t’i thoshte doemos diçka shumë të rëndësishme.

Ndonëse flisnin me zë të ulët, u kuptua qartë se infermieret nuk po merreshin vesh me njëra-tjetrën. Infermierja e sallës së operacionit qe bërë barrikadë e pakapërcyeshme për të porsaardhurën. Asepsia [1] është asepsi dhe një sallë operacioni nuk bën kurrsesi ta shkelë e ta marrë nëpër këmbë.

– Drita, po lërini llafet, të shkretën. Le të hyjë. Ta dëgjojmë si e ka hallin, – foli mjeku, i përqendruar në përgatitjet e nevojshme për heqjen e organit.

Paksa e tronditur, ende e hutuar për misionin e vështirë që i kishin ngarkuar, duke iu marrë fryma, infermierja e vjetër e kardiologjisë iu afrua me drojë kirurgut.

– Hë! Si është puna? – pyeti kirurgu, pa e hequr vështrimin nga pamja romboide e përgjakur që zbulonte në qendër të saj mbulesa e gjelbër e pacientit.

Infermierja e kardiologjisë nuk po mundej të shpjegohej. Kirurgu ktheu kokën nga ajo, pa arritur të kuptojë ngurrimin e stërzgjatur (tani vërtet për t’u shqetësuar) të infermieres. Në vend të përgjigjes, ajo i bëri një shenjë domethënëse, duke iu lutur të dëgjohej veçmas prej të tjerëve.

jeku, deri diku i bezdisur që po e shqetësonin në një moment delikat të ndërhyrjes kirurgjikale.

Megjithatë, nuk lëvizi nga pozicioni i tij. U mënjanua paksa dhe përkuli kokën për nga infermierja, si për të dëgjuar më mirë.

– Më falni! – gati i pëshpëriti ajo. – Para një çerek ore kanë sjellë në repartin tonë të kardiologjisë djalin tuaj.

– Djalin?! – hapi sytë, i tronditur, doktori.

– Po, po. Djalin tuaj. Po luante futboll në oborrin e shkollës dhe papritur ka rënë përdhe, pa ndjenja.

– Si është tani? – pyeti plot ankth doktori.

– Humbet ndjenjat herë pas here. Kur vjen në vete, ju kërkon ju. Babin, thotë, dua babin.

– E pa doktor Tani?

– Po, po. Ai më dërgoi.

– Ç’thotë?

– Ka çrregullime të përçimit. Na tha se ju e keni ditur më parë këtë gjë.

Vërtet ashtu ishte. Ai e dinte. Djali vuante nga një bllok atrioventrikular dhe kolegët i kishin rekomanduar të vendoste një peismeiker të përkohshëm, deri në një sqarim të plotë të diagnozës. I zënë gjithnjë me punë dhe hallet e të tjerëve, doktor Hemi e kishte shtyrë me sot e me nesër ekzaminimin e rëndësishëm. Por javë më parë e kishte ndarë mendjen top. Ta zgjidhte atë hall të madh sa më shpejt të ishte e mundur, ndoshta sapo kolegu të kthehej në punë pas pushimeve.

Kirurgu psherëtiu thellë, tërë dëshpërim. Iu duk vetja si i zënë në çark. Nuk mund ta linte kurrsesi në mes operacionin, për asnjë shkak, për asnjë arsye.

– Do të vini, doktor? – pyeti infermierja, duke e shikuar ngultas, a thua se prej atij vështrimi do të varej edhe përgjigjja e Hemit.

– Jo. S’mund të vij tani. Nuk mund ta lë fëmijën që po operoj. Do të më ikte nga duart.

– Po djalit si t’ia bëjmë? Ju kërkon pareshtur sa herë kthjellohet e vjen në vete.

– Qetësojeni. I thoni se babi do të vijë shpejt, se është këtu, në të njëjtën ndërtesë, se po operon një fëmijë si ai.

– Mirë, – foli me gjysmë zëri infermierja e, kokulur, me hapa të kujdesshëm, të pazhurmë, doli nga ajo sallë e heshtur operacioni, ku ndihej era e gjakut, e barnave të narkozës dhe e kimikateve të ndryshme.

Ndihmësit vështruan tërë shqetësim kirurgun, që tani dukej më i zbehtë. Bulëza djerse i kishin veshur ballin e gjerë dhe befas frymëmarrja i qe rënduar dhe bërë e zhurmshme, si të vuante nga astma.

– Më sillni stolin, – foli me gjysmë zëri.

Nxituan t’ia sillnin dhe ai u ul, i këputur. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, kërkoi një gotë ujë për të pirë dhe një orë më pas, t’i matnin tensionin (dhembjet e kokës, që i nisën papritur, po e çmendnin), ndërsa ai vazhdonte të operonte.

Kirurgu ofshau thellë, si të mos ngopej dot me frymë. Njëqind metra më tutje, në të njëjtën ndërtesë, shtrirë në krevat, i pandjenjë, në rrezik të madh jete, qe i biri dhe ai s’mund të bënte asgjë për të, asgjë. I dukej vetja si i lidhur, duar e këmbë, me zinxhirë të padukshëm, pas asaj tryeze të gjatë e të ngushtë të operacionit. Po ai donte ta shihte të birin. Donte t’i gjendej pranë, ta ndiqte sëmundjen e rëndë sekondë më sekondë, ta përkëdhelte, ta përqafonte, ta puthte, t’i fliste me fjalë të ngrohta zemre, t’ia shtrëngonte lehtësisht dorën e vogël, t’i maste pulsin pareshtur, minutë për minutë.

S’mund të bënte asgjë nga këto. Vështroi një çast të shkurtër fëmijën që operonte. Ishte vërsnik me të birin dhe ai, kirurgu, duhej ta shpëtonte doemos. Me çdo kusht. Çdo largim, qoftë edhe pak minutash, i kërcënonte jetën. Dhe, jashtë sallës së operacionit, prindër si ai, vëllezër e motra, miq e shokë, prisnin pas dere, tërë ankth.

– Doktor, hidhu pakëz nga djali. Derisa të vish, parametrat jetikë i mbajmë ne, – iu drejtua, gati me të lutur, asistentja.

– Jo, Zana, jo. Kthimin do ta kisha më të vështirë. Edhe atje, doktor Tani, si unë këtu, do të përpiqet, do të luftojë për jetën e tim biri. Do të luftojë.

Zëri iu mek, iu zvarg, iu trash befas, iu deformua, si zëri i një pllake të vjetër gramafoni ngecur në vend dhe mendja iu mor. U ul përsëri në stol.

– Gërshërët, – iu drejtua instrumentistes së sallës së operacionit. – Pincat. Ketgutin.

Pas pesë orësh, i lodhur, i rraskapitur, i dërrmuar, me një ndjenjë të vakët lehtësimi, hoqi më në fund dorezat e kirurgut dhe ende i veshur me përparësen jeshile, llangosur aty-këtu me njollëza gjaku, mori drejtimin për nga dalja e sallës së operacionit.

Priste të ndeshte, si zakonisht, të afërmit e pacientit të operuar: prindërit, vëllezërit, motrat. Shokë, miq, por… O Zot! Iu zbulua një pamje krejt e ndryshme. E prisnin një grup kolegësh. Të gjithë kokulur, mbytur në dëshpërim.

Zemra gati i çau gjoksin mespërmes dhe u flakërit tutje, jashtë. Iu mor fryma.

Si një somnambul, mend duke u rrëzuar, eci midis kolegëve që hapnin udhë në heshtje të pikëlluar. Ndjeu t’i përmbyteshin sytë prej lotëve.

– Më fal, bir! – foli me vete tërë dëshpërim e dhembje të thellë shpirti. Nuk munda të të gjendesha pranë. Nuk t’u gjenda kur më kërkove. Do të më falësh, bir, se isha në punë. S’e lija dot. Nuk e lija. Operoja një djalë si ti. Të vogël si ti.

Me hapa të rëndë plumb, kaptoi shkallët e ulëta të repartit të kardiologjisë si të kishte ngjitur Himalajet.

Atë ditë të nxehtë gushti kishte fituar një jetë fëmije.

Kishte humbur një jetë djali.

Marrë nga libri me tregime dhe novela “Një natë jetë”, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”.

[1] Asepsi – është tërësia e masave higjienosanitare që merr një sallë operacioni për të siguruar sterilitetin e plotë dhe të sigurt të saj.

Tragjike! Binjakët e porsalindur vriten në Gaza teksa babai i tyre po shkonte t’i regjistronte! Rrëfimi i të atit: Nuk arrita as të festoja për ta

Një ngjarje tragjike është regjistruar në Gaza. Binjakët e porsalindur janë vrarë në një sulm ajror izraelit, ndërsa babai i tyre ishte në një shërbim të qeverisë lokale për të njoftuar lindjen e tyre, raporton BBC.

 

Asher dhe Aisel ishin vetëm katër ditësh kur babai i tyre, Mohammed Abu al-Qumsan, shkoi për të marrë certifikatat e tyre të lindjes. Pastaj fqinjët e tij e thirrën për ta informuar se shtëpia e tyre në Deir al-Balakh ishte bombarduar.

Shpërthimi gjithashtu vrau gruan e tij, gjyshen e binjakëve.

“Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Më thanë se një predhë goditi shtëpinë. Nuk arrita as të festoja për ta”, deklaroi ai.

Ministria e shëndetësisë në Gaza tregon se 115 foshnja kanë lindur dhe më pas janë vrarë gjatë luftës.

Sipas agjencisë së lajmeve AP, familja ndoqi direktivën për t’u larguar nga qyteti i Gazës në javët e para të luftës Izrael-Gaza, duke kërkuar strehim në pjesën qendrore të enklavës, siç u ishte thënë nga ushtria izraelite.

Edi Rama e ka gjithmonë një fajtor për të gjetur!

Nga Desada Metaj

Media media… të fortët bëjnë kërdinë

Ka një kod moral (dhe etik) që kur vritet një i pafajshëm, kryeministri i çdo vendi në reagimin publik së pari ngushëllon familjen. Më tej mund të nisë analizën dhe sulmet ndaj çdo institucioni që nuk e ka në varësi apo dhe medias.

Edi Rama, Muhamet Rrumbullaku dhe të tjerë kanë lënë sot pushimet dhe kanë thyer heshtjen për ngjarjen kriminale të Pogradecit. Dhe këtë e bënë në ditën e tretë të një skandali për të cilin foli veç media. Hallkat e të gjithë institucioneve përgjegjësi heshtën në seri.

Dhe siç pritej, kryeministri dhe drejtori i përgjithshëm i policisë kanë treguar me gisht fajtorin. Pa gjetur qoftë dhe një fije përgjegjësie tek vetja. Për Edi Ramën nuk e ka fajin policia që e ka referuar ngjarjen siç duhet (edhe pse me dy raporte) por prokuroria. Të dy bashkë mendojnë se ambulancat në këtë vend vijnë për 4 minuta. Rrumbullaku madje i bashkohet shefit të madh me argumentin se fajin e ka media.

Dhe në fakt media ka plot mëkate në këtë vend, sidomos ajo që i shërben propagandës së Edi Ramës. Ka dhe mëkate të tjera lidhura me etikën për të cilën nuk ja ka fajin Rama. Por në raste të tilla, në skandale si ai i vrasjes së Klodian Rashës , media mbetet e vetmja që i jep zë të pafuqishmëve që nuk gjejnë drejtësi në asnjë hallkë të shtetit dhe pushtetit.

Pa denoncimin e medias për vrasjen e Egli Progës në Pogradec, sot çështja do të ishte mbyllur. Pa pasqyrimin në media të dëshmisë së motrës së viktimës, Denis Meçe do ishte duke vijuar i qetë pushimet. Për më tepër “shefi madh” dhe “shefi vogël” reaguan vetëm kur media raportoi për ditë me radhë skandalin e ndodhur në Pogradec dhe përpjeket për ta tjetërsuar rrjedhën e vrasjes.

Media është ndoshta hallka e vetme e mbetur ku njerëzit pa pushtet dhe mbështetje gjejnë disi hapësirë për hallet e tyre. Dhe sigurisht që nuk ështe faji i saj pse kriminelët me pushtet vrasin e presin pa i hyrë gjëmb në këmbë. Nuk i ka veshur media me pushtet banditët. Dikush tjetër i ka bërë deputetë, ministra apo drejtorë të rëndësishëm.

Media ka pjesën e saj të mëkatit por më së paku ka ende gazetarë që nuk heshtin. Qé ngrejnë zërin për padrejtësitë. Gjë që nuk thua dot më për administratën apo drejtuesit shtetërorë, për të cilët përgjegjësia është diçka që ekziston në letra. E ku dorëheqja mbetet tabu e paprekur dhe e pafolur.

Të gjithë vartësit e Edi Ramës, në çdo nivel tashmë i gjejnë armiqtë që hanë dardha dhe kumbulla veç pas shpinës së tyre. Asnjë prej tyre madje nuk gjen as guximin ti thotë shefit të madh se kur flitet në publik për një viktimë të pafajshme, së pari ngushëllohet familja dhe së dyti i shkruhet emri dhe mbiemri në shenjë respekti për qytetarin që i forti me pushtetin e Ramës e rrahu dhe qeveria e vrau!

Të tjerat janë llogje pazaresh që ditën e tretë zhurma e propagandës do ti vrasë, siç arroganca e pushtetit dhe e krimit vret dhe pret pa u trembur në këtë vend!

Kryeministri i Japonisë njofton dorëheqjen pas pakënaqësive nga qytetarët në lidhje me skandalet politike dhe rritjen e kostos së jetesës

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka thënë se do të japë dorëheqje muajin e ardhshëm, pas pakënaqësive nga qytetarët në lidhje me skandalet politike dhe rritjen e kostos së jetesës.

 

“Politika nuk mund të funksionojë pa besimin e publikut. E mora këtë vendim të vështirë duke menduar për publikun, me vullnet të fuqishëm për të shtyrë për reforma politike në të ardhmen”, tha Kishida në një konferencë për media, ku njoftoi vendimin për të mos garuar për t’u rizgjedhur në krye të Partisë Liberale Demokratike (LDP).

LDP-ja do të mbajë zgjedhje për lider të ri në shtator.

Vlerësimi publik për Kishidan filloi të bjerë furishëm pak pasi ai e mori detyrën më 2021, pasi u zbuluan lidhjet e LDP-së me Kishën kontroverse të Unifikimit. Popullariteti i tij mori një goditje tjetër kur u zbulua se ishin bërë donacione politike të paregjistruara në ngjarjet e LDP-së për grumbullim fondesh.

Ai u përballë gjithashtu me pakënaqësi nga populli, pasi dështoi t’i rrisë pagat në një kohë kur kostoja e jetesës u rrit.

“Kryeministri nga LDP-ja nuk mund të garojë për president të partisë, nëse nuk e ka të sigurt fitoren. Është sikurse kampioni i madh i sumos. Nuk mund të fitosh dosido, duhet të fitosh me elegancë”, tha Koichi Nakano, profesor i shkencave politike në Universitetin Sophia.

Kushdo që e pason Kishidan si lider të LDP-së duhet ta rikthejë besimin e publikut në parti dhe ta luftojë rritjen e kostos së jetesës dhe tensionet e përshkallëzuara gjeopolitike me Kinën.

Kishida vjen nga një familje politikanësh – babai dhe gjyshi i tij kanë qenë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë.

Ai u bë anëtarë i Dhomës për herë të parë në vitin 1993. Më pas, ai u bë ministri i Jashtëm më jetëgjatë i Japonisë, kur e mbajti postin nga viti 2012 deri në vitin 2017.

Ai u bë kryeministër në tetor 2021, duke e pasuar Yoshihide Sugan, i cili kishte dhënë dorëheqje pas vetëm një viti në detyrë. Kishida e udhëhoqi LDP-në drejt fitores në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.

Kishida e udhëhoqi Japoninë drejt daljes nga pandemia e COVID-19./rel

Misteri i vrasjes tragjike të Ali Maliqit nga bashkëvuajtësi i tij! Dëshmia e ish-të dënuarit politik, për ngjarjen e bujshme: Kur takova djalin e tij në burg…

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

 burg komunizem

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Autori

                                                                                                      SHKËLQIM ABAZI                                                                    R E P S I

                                                    (Kampi i punës së detyruar)

Memuaristikë

Takimi i parë

                                                        (Varka e mbytur në stere)

S’jam në gjendje ta pohoj apo mohoj këtë fakt, ngaqë s’kam qenë kurrë një birucë me të. Porse në një rast kur i përmenda shkarazi ngjarjen, vura re të stepej, mornica i përngjethën fytyrën e menjëherë bëri prapaktheu dhe s’mu duk ca kohë. S’provova t’ia zija me gojë përsëdyti por, bindja se ky person kish bërë një krim dhe, ashtu si Makbethi, e vuante e do ta vuante për tërë jetën, s’mu shqit.

Edhe pse më mungon informacioni për fatin e mëtejshëm të këtij individi, përsëri i mbetem mendimit se: ai do ta ketë vuajtur, deri në ekstrem, krimin që kish kryer dhe me siguri, shpirti s’do t’i gjejë prehje kurrë! Më pas u njoha me djalin e Ali Maliqit, Avninë, ia hapa këtë temë, por shkurt, më tha: “Gjithë kjo histori, or mik, ka vetëm një emër: “KRIMET E SIGURIMIT!”.

Po përmend tani, dy shembuj të dënimeve ekstreme. Edhe pse gjykatat s’kishin dhënë dënime mirëfilli kapitale, ekzekutim me pushkatim, gjithsesi ata persona përfunduan në vdekje, për arsye se dënimet i kapërcenin kufijtë e moshës fizike. Për koincidencë, të dy pleqtë që njoha unë kishin të njëjtin emër, Karafil. Njëri ishte dibran, tjetri devolli. Të dy i kishin dënuar mbi kufijtë e moshës fizike, për dy vepra të njëjta penale dhe që të dy patën të njëjtin fund, vdekjen. Njëri në burgun e Burrelit dhe tjetri, në kampin e Ballshit. Xha Karafili nga Dibra, ishte një plak me mustaqe të prera shkurt, paksa i zymtë, hollak, i gjatë dhe pak i përkulur nga mosha.

Veshur me tirq e qeleshe, të cilën edhe kur flinte s’e hiqte nga koka, por vetëm sa e zhvendoste mbi sy, të mos e vriste drita, ai ende s’ish shkëputur prej modës së vjetër. Edhe në mendime ishte po aq arkaik. Përfytyrimet për nderin dhe besën, i kish mbetur pak a shumë, perceptimet e shqiptarit të viteve tetëqind. Kur fliste, dukej pak naiv por, kur u njoha nga afër, e kuptova se isha gabuar; ai ishte inteligjent, shakaxhi, me fjalor të pasur krahinor dhe këngëtar i rrallë. Kur merrte çiftelinë dhe këndonte me zërin e zvarguar, nga goja e tij rridhnin mijëra vargje që, sapo linte veglën muzikore mënjanë, s’i përsëriste dot më.

Shpesh pyesja veten: “Mos është pak poet, ky plak?” Po, ishte rapsod! Deri në momentin kur e dënuan me burg, si më i moshuari udhëhiqte familjen dhe fisin. Ia mbërrinte me djersën e ballit e me ndershmëri, të ushqente kallaballëkun e tij, ndonëse s’renditej ndër më kamurit, po ndër më punëtorët. S’qe përzier kurrë në çështje politike, këtë e konsideronte: “Luks për zengjinët! Fukarasë i duhet me sigurue bukën për gjininë dhe nderin për miqtë!” Kjo kish qenë motoja e tij në jetë. Por s’qe e thënë, ta ngryste pleqërinë pranë plakës! Në vitin 1967 u dha orientimi për kolektivizimin e bujqësisë pa përjashtim, në gjithë vendin.

Bëhej fjalë kryesisht për zonat malore sepse pjesa tjetër, kishte përfunduar me vakt. Pavarësisht propagandës për kolektivizimin vullnetar, në fakt metodat përdorura s’ishin dhe aq me dëshirë, sa thuhej. Atje ku s’pinte ujë, ja niste dhuna; njërin e cilësonin kulak, edhe pse mund të kishte pesë dynym tokë, dy që dhe dhjetë dhi; tjetrin e shpallnin “armik të pushtetit”, e rrasnin në burg dhjetë vjet, për agjitacion e propaganda, që t’iu linte datën të tjerëve dhe në fund, dashje pa dashje, do bëheshe anëtar kooperative.

Mirëpo në kooperativa nuk bashkonin vetëm tokat dhe krahët e punës, dhe gjënë e gjallë, si bagëtitë e imëta, gjedhët apo kafshët e barrës. Fshatarëve këtej e mbrapa, u lejuan të mbarë-shtronin një numër të kufizuar bagëtish të imta, si për shembull, dhjetë dhenë ose dhi, natyrisht këto për një periudhë të shkurtër kohore, se më vonë ua morën të gjitha. Kaq pak, shihej e mjaftueshme për ekonominë e dobët fshatare që ajo u dobësua edhe më. Kështu, xha Karafilit mbasi i morën tokën, gjysmat e dhenve dhe pendën e qeve, edhe pse në moshë të shkuar, u detyrua të punonte argat në kooperativë sepse, nuk përfitonte asnjë lekë pension, ngaqë s’kish punuar në shtet asnjëherë por, sipas traditës, gjithë jetën ish rropatur në bujqësi dhe blegtori.

Si të moshuar, brigadieri e caktonte në detyra të lehta. Por atij i hanin duart e s’i rrihej rehat, ish rritur me punë. Sa mbaronte në brigadë, nisej dhe gjezdiste mezhdat që të mblidhte bar për qetë. Në një farë mënyre, i konsideronte ende mallin e tij; të paktën kështu ngushëllohej. Meqë s’i rrihej pa ta, kujdesej dhe i ushqente, ani-pse tashmë ato më radhë do t’i mbrihte në zgjedhë. Mirëpo edhe vetë pendarët qenë kthyer në argatë, vetëm sa iu vinin kularin në sabah kur gdhihej dhe ua hiqnin në mbrëmje, kur ngrysej. Ç’bëhej më pas për mbarë-shtrimin e tyre, as që e vrisnin mendjen; i konsideronin pronë e të gjithëve, rrjedhimisht e askujt.

Dhe qetë erdhën e t’u dobësuan e t’u bënë tezgene, iu ra qimja dhe përditë e më shumë, po iu shëmbëllenin ca qenve të zgjebosur. Xha Karafili, kur i shihte të katandisur në këtë derexhe, i pikonte në zemër, ndaj shtonte përpjekjet t’i ushqente më tepër. Por, përkujdesjen e xha Karafilit, s’e mposhtën dot trajtimin mizor të pendarëve xhahilë. Ky qe motivi i fillimit. Mes tij dhe atyre që punonin me qetë, u ndeh një antipati e ndërsjellët. Në një krah plaku i akuzonte për stërmundim të tepruar, nga ana tjetër brigadierët, ngulmonin të realizonin dhe tejkalonin planet; erdhi një moment e t’u bë një gjullurdi e pazgjidhshme.

Përfundimisht plaku u gjend mes dy zjarreve, me vërejtjet vend e pa vend u kthye në bezdi e pendarëve, po edhe i padëshiruar për kryesinë. Përfundimisht, shfrytëzuan moshën e kaluar dhe e urdhëruan të mos paraqitej më në punë. Faktikisht e përzunë si zevzek. E thanë, e bënë! Qysh të nesërmen, xha Karafilin s’e pranuan më në brigadë. Tashmë, i mbeti pylli me ato pak dhen që zotëronte. Me qetë, piqej rrallë e për mall. Po gjuha vete ku dhemb dhëmbi, meraku i rinisë të ndjekërka pas, edhe në pleqëri të thellë! Atij s’i shqitej shpirti nga qetë. I kish rritur e veselitur me duart e veta, që viça, i kishte mbrehur së pari, në zgjedhë, kur u bënë dema, u kishte mësuar me mundime të hapnin brazdën edhe pa pendar pas.

Një ditë në kullotë kur sheh qetë e tij mes tufës së kooperativës, s’iu ndenj pa u avitur që të çmallej me ta. Iu thirri në emër “Kazil” dhe “Verdhan”, siç i kish pagëzuar që të vegjël, e nisi t’i ledhatoj. Qetë, me ata sytë e mëdhenj paqësorë, e këqyrnin si të donin t’i shprehnin mirënjohje për përkëdhelat. Plaku kqyri sytë e xhamtë të “Verdhanit”, i kishin mbytur sklepat. Diçka nuk shkonte. Hoqi peshqirin nga qafa e nisi t’ia fshinte. Kur pas zverkut dora i zuri një bëlldungë të madhe sa grushti, gishtat i rrëshqitën mbi një masë viskoze. Doli në krahun tjetër, kur vëren një plagë nga kullonte një lëng i verdhë e i trashë. E shtrydhi gungën me forcë, copëza të mëdha shtrepash dhe llurbë e përgjakur, rridhnin nga vrima e hapur në lëkurën e kaut.

Sytë e plakut nisën të lotojnë. Shpërtheu në dënesa. Qante dhe pastronte plagën, ndërkohë i pëshpëriste, si të përkëdhelte një fëmijë: “A kuku, mori ‘Verdhan’, zemra për ty, po më kjan!/ Si t’asht ba qafa ferr, nj’ashtii zemra po m’qet vner!/ Plaga jote pa shërim, ma sterroi shpirtin tim”! Ia pastroi dhe ia lidhi, pastaj kur i mori bariu, u shkëput me dhimbje, si të ndahej prej një të afërmi të dashur, të cilin rrezikonte të e shihte më. Dikush pas ledhit e kish dëgjuar këtë monolog dhe kishte denoncuar Sigurim. Mbas ca ditësh, “Verdhani”, përfundoi në kasaphanë, kurse xha Karafili, në hapsanë.

Ustallarëve iu erdhi sahati. Me këtë rast, edhe plakut zevzek, i qepnin gojën, edhe fshatit i fusnin dërrmën. Me pak fjalë, e torën dhe e shturitën shtëllungën, deri sa e krodhën brenda, edhe pse i moshuar. Atje, nisi kalvari i pyetje-përgjigjeve: “Ke sharë Partinë”! – e akuzonin hetuesit.- “Jo bre, për Allah”! – këmbëngulte plaku. – “E ç’punë kam unë me Partinë apo Partia me mue”?! – “Ke sharë Enverin”! – vazhdonin avazin hetuesit. – “Tobe estagfurullah! Ç’punë kam me Enverin, bre? Ai asht n’Tiranë, e në këto anë, as e njoh e as më njeh, as e kam vra e as m’ka prë”! “Ke mashtruar kooperativën”! – sërish ata.- “Or zotnëj, s’kam punë me kooperativën unë! Allah’ile, vet m’kan qit punët, tash kam delet e mia e, me nj’ato, shkoj ditën n’pyll”!

Kështu vazhdoi hetuesia për mjaft muaj. Qëmtuan në fshat, se mos gjenin ndonjë dëshmitar, po s’qe e thënë dilte njeri, askush s’pranonte të merrte përsipër shahitin, kundër tij, kjo jo vetëm në shenjë respekti për të, po më shumë prej frikës së marrjes. “Se ku i dihej, asht fis i madh ai, e hajd m’i dalë n’kry”?! Kur dolën huq, hetuesit ndërruan taktikë: nisur nga mentaliteti i malësorëve për të pasur secili nga një armë në shtëpi, hartuan planin. Hodhën hipotezën se; edhe plaku duhej t’a kishte një të tillë. Po se në zgëqe të konakut e fshihte, s’po mundnin t’ia nxirrnin. I provuan të gjitha metodat, që nga teknika e fshehtë me aparatura dhe spiunë në qeli e, deri te torturat fizike. Plaku s’u dha, nuk e shqepi gojën, i rezistoi dhunës shtazarake, me vetëmohim dhe heroizëm .

Mirëpo si çdo gjallesë edhe ai kish dobësinë e vet; ishte fetar fanatik. Në gjithë krahinën e njihnin për besimtar dhe adhurues i librit të shenjtë, Kur’hanit. Këtë fatalitet shfrytëzuan hetuesit. Mbas shumë torturash ndërruan metodë. I vunë mbi tavolinë një libër të trashë, të mbledhur me beze jeshile. – “Ja, tek ke Kuranin, vere dorën mbi të dhe betohu se s’ke armë! Po e bëre, që sot do jesh i lire” – i thanë. Xha Karafili hezitoi, po ata ia vendosën dorën forcërisht mbi beze. Plaku besimtar, në të tetëdhjetë vitet e jetës së tij, s’e kishte ndjerë veten më ligsht. Kujtoi se i erdhi ora e rrëfimit të fundit, solli ndërmend predikimet e hoxhës dhe të pleqve të odave: “Para Pejgamberit, thuhet e vërteta dhe vetëm e vërteta”!

Kjo edukatë e kish bashkëshoqëruar për gjithë jetën, që nga fëmijëria, deri në pleqërinë e thellë; s’mund të gënjente para shëmbëlltyrës së Zotit. Ndjesia se po betohej me dorë mbi librin e shenjtë, e imponoi të thosh të vërtetën: – “Allah’ile, e kam një ‘Martinë’ të fshehun në kamaren e odës”! – u rrëfye ai. Policët rendën në shtëpi, bën kontroll dhe si triumfatorë, u kthyen me “Martinën” në krah. Sakaq, me zgërdhima cinike, për rrengun që i punuan, shpështuallën bezen dhe i tundën para syve një libër kapak-kuq, me figurën e një mjekroshi, stampuar mbi të:

– “Ja, ky është Kurani dhe ky këtu, Pejgamberi ynë”! – u gajasën së qeshuri me hutimin e tij. Xha Karafili u ndërgjegjësua për gafën që bëri, por tashmë ish shumë vonë, ç’ish për të ndodhur, ndodhi, ndaj me forcat e fundit që i kishin mbetur, i pështyu me neveri:- “Ptuh… xhins domuzësh! Ju që jeni tall me Kuranin, gur mbi gur, s’ka me ju mbet! Mallkimi i Allahut, ka m’u ndjek me breza! Farë e keqe”! Hetuesit, të trembur se gjithë mundi iu shkonte dëm, dhe plaku i handakosur mund t’u mbetej në duar, pa e nxjerrë në gjyq, shpejtuan: kopsitën dosjen fët e fët, me akt-akuzën për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe armëmbajtje pa leje. Brenda tri ditësh, i njoftuan datën e gjykimit. Gjykim i thënçin!

Seç sajuan në oborrin e shkollës së fshatit, nën hijen e një molle, një tip podiumi me ca dhoga lisi të shtrira mbi ca gurë dhe ca stola dërrasash, në të diellit, për demek spektatorët. Organizuan, me bashkëfshatarë dhe komunistë, të sjellë nga fshatrat rreth e rrotull, një komedi publike. Filloi linçimi. Në vendin më të dukshëm, u ul prokurori, mbi kokë i vigjilonin portretet mjekër-kreshpëruara të marksistë-leninistëve, ndanë tij, në një kënd nëntëdhjetë gradë, ishin rreshtuar trupi gjykues. Mbi ta, si shpata e Damokleut, buzëqeshte me cinizëm Komandanti i Përgjithshëm. Gjyqin e deklaroi të hapur kryetari, një imcak i shogët verdhacuk, me të trasha me skelet zhgualli breshke.

Mbasi mbaroi formalitetet për të dhënat gjenealogjike të të pandehurit, ia dha fjalën prokurorit. Ky u çua në këmbë çehrevrarë e hijerëndë, i hodhi një vështrim përfshirës turmës së fshatarëve, si për t’iu thënë: “Unë jam përfaqësuesi i djallit mbi tokë”, mandej iu kthye portretit të Njëshit, përshëndeti me grusht dhe nisi të zbrazë kundër plakut, breshërinë e akuzave pa fund. Kush e dëgjoi këtë lumë padish, pickonte veten: “Jam apo s’jam unë”! Secili i thërriste kujtesës, si të ish zgjuar, atë çast, i tromaksur prej një irre të makthshme: Të jetë ky, xha Karafili real, ai që ne bashkëfshatarët kemi njohur vetë për dekada, apo të kemi para një sozi mashtruese!? Kaq të fshehta paskëshin qenë bëmat e tij!? Bre, bre-eee”!

“O paska qenë i shitun te imperializmi amerikan e social-imperializmi sovjetik, qysh motit, bre!? Po na paska stehuar edhe diversantë në stan! Po na paskësh ken spiun i vjetër i U.D.B.-së?! Bre, bre-eee! Na syleshët, s’paskemi kuptu kyrrgja?! Si ka mujt bre, me vepru me agjenturat e huja?! Jo, mo! Kaq i rëndësishëm paska kenë ky, bre! O Zot, ç’po na ndijnë veshët! Or, po na kënka taku me të mëdhajtë e dyrnjasë, bre?! E, na thojshim se, s’kish ra as n’Peshkpaj! Pa shih, pa shih”?!

Çudia, për ç’po iu dëgjonin veshët, i kapërceu caqet e fantazisë së fshatarëve injorantë dhe u shndërrua në habi kolektive. Por këto i përkisnin së shkuarës, habia do dhjetëfishohej kur prokurori do zbrazte thesin me akuzat e fundit. U përqendrua në momentin kur u prishën objektet e kultit, xhamitë dhe kishat. Dhe plaku, “si ato nepërkat e shullëhut, na paskërka shfryrë zeherin helmues kundër Partisë dhe shokut Enver, po mbi të tjera, na paskësh anatemuar rininë dhe bazën. Pa le ma, kundër kolektivizimit vullnetar të fshatarësisë, na paskej shpërthyer e s’paskej duruar! S’paskej lënë gur e kusur pa lëvizur, për t’i vënë spica në rrota lokomotivës socialiste”!

E paskish quajtur këtë metodë: “Kolektivizim vullnetar, me hu”! “K’saj s’ke ç’m’i thua, or burra, me të grabit tjetri mallin e gjanë, që t’ka ra bretku tan jetën, m’e vu dhe me duartrokitë hajnin”! Mandej, na paskej shtuar me dashakeqësi: “Ene Turkia, ene Austria, ene Italia, ene Nemcja, ene Sërbia, ene Junani; na kan vra bre, po s’na i kan nga gjanë! Tash se nga na dueln ca hajna toskënie, dojn me na i përla t’tana, e me na lanë cupllak! Burra, ky asht turp; s’durohet ma!” Ç’nuk paskej thënë e bërë i pandehuri, për të penguar ecurinë e proceseve revolucionarizuese të rinisë dhe gruas socialiste dhe kur askush s’ia paskej varun, na paskërka nisur dialogun edhe me kafshët!

Veprimtaria e tij armiqësore shtrihej ngado, por kulmin e paskej arritur, kur me vrerin e tij vdekjeprurës, na paskej infektuar edhe ‘Verdhanit’, ish kaut e tij, që mbas yshtjeve në vesh nga i pandehuri, përfundoi në thertore! Dhe e fundit, po jo nga rëndësia, me keqdashje na u armatos me synimin e mbrapshtë të organizonte grupe terroriste, të godiste njerëzit e përkushtuar të Partisë dhe të pushtetit popullor”! – në këto e sipër, prokurori tundi mbi kokë “Martinën” e ndryshkur të kohës Turqisë:

– “Të gjitha sa përmenda më lartë, janë të dokumentuara, të vërtetuara nga dëshmitarë okularë, të cilët me vullnet të lirë, i kanë pohuar me gojën e tyre. Përfitoi nga rasti, në emër të shokut Enver, të Partisë dhe timin, t’i falenderoj gjithë bashkëpunëtorët që ndihmuan drejtësinë popullore, për vënien para ligjit të këtij krimineli të regjur…”! Kaq u zgjat zinxhiri i akuzave, sa edhe; “Një e qinda e tyne ba me kën vërteta, plaku meritonte jo konopin me dhjam thiu, që për të do ish kapak florinit, po e kish ba hak me ia qeth mishin me gërshanët e lenve”!

Mandej nisi dueli pyetje-përgjigje: “O, po ke thënë kështu dhe ashtu; jo, po në filan vit, je takuar me filanin dhe me fistanin; jo, po në iks vend, ke pritur dhe përcjellë Zenel Shehun, Hamit Matjanin; jo, po ke qenë mik me Fiqiri Dinen e, Halil Alinë, me Kaloshët e me Agollët e me të tjerë, pafund”! Fillimisht plaku u hutua. S’po iu besonte veshëve, kur përmendeshin gjithë ata emra burrash shquar. Por e mblodhi veten, u ngrit pa leje dhe mori fjalën: – “Or zotnëj, do isha shumë i nderuem me i pas miq, tan kta burra të ndigjuem! Po ku pata me i njoht, se?! Ata n’Tiranë e unë në mal, me dhitë”!? Kur prokurori tregoi me pompozitet dëshmitarët, ai kërkoi t’ja sillnin: ne ia than të vërtetën ballazi, si burri burrit! Por me gjithë ngulmimin e tij, asnjë s’ dëshmoi.

Prokurori i skuqur gjer në rrëzë të flokëve, pretendonte se s’kishin ç’i duheshin dëshmitarët, kur këto probleme i dinte vetë Partia, dhe citonte parullën: “Ç’thotë Partia, bën populli! Ç’don populli, bën Partia”! e të tjera si këto. Në momentin e padisë për helmimin e kaut, gjyqi u kthye në komedi. Xha Karafili pretendonte se:

“S’është e vërtetë, t’i kem qitur nga goja ato fjalë, që më akuzoni: – Vërtetoma, i nderuar, se i paskam folur kaut”! – iu drejtua ai prokurorit. – “Si folka njeriu me kafshën, bre?! Hajt, se po i marrkam përsipër, se ja paskam thanë taman njashtu si thuej zotnia juaj, po kush ka spiunue?! O kau ka spiunue për mue, o vet kam spiunue për vetin, se rob të qerë s’kishte rrokull”!

Kjo batutë e ktheu gjyqin në skeç estrade, kori i të qeshurave ushtoi në oborrin e shkollës. Por atë çast ndërhyri kryetari, i cili e mbylli seancën. Mbas një ore, e hapi sërish për të dhënë vendimin. Edhe pse prokurori në pretencë kërkoi dënim kapital, për një “det me krime”, tashmë akuza u reduktuar në agjitacion e propagandë dhe armëmbajtje pa leje, të një “Martine” të ndryshkur.

Kryetari foli në emër të popullit: “I pandehur, dënohesh me shtatë vjet heqje lirie, me pesë vjet internim mbas mbarimit të dënimit, si dhe me pesë vjet humbje të të drejtave elektorale. T’i konfiskohet pasuria, pjesa e tij. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit. Fjala e fundit i pandehur”?

– “Lus Zotin, me m’dhan jet ene aq sa m’keni d’nue, me dal gjall, për me ju pështy n’surrat”! Me kaq mori fund farsa gjyqësore. Tetëdhjetë vjeçari do duhej të jetonte edhe dymbëdhjetë vite të tjerë, që të paktën të mbyllte dënimin e dhënë nga gjykata, me burg dhe internim.

Mirëpo, plaku i cilësuar aq i rrezikshëm, sa e çuan të vuante dënimi në burgun e Burrelit, pas gjashtë vitesh, do ndërronte jetë. Shpirti do t’i drejtohej qiellit për prehje pranë të Madhit Zot, kurse mbetjet mishtore e kockore, do varroseshin me të shumtët, në gropë ndanë “Qershizës”, si një mallkim që do ndiqte prapa kryetarin që do vdiste nga veremi dhe prokurorin që do plaste nga damllaja! Memorie.al

Lacio kërkon të largojë Elseid Hysajn, zbulohen motivet

lseid Hysaj nuk bën më pjesë në planet e Lacios, por për momentin nuk ka asnjë ofertë konkrete për të.

Mediat italiane shkruajnë se mbrojtësi shqiptar është lënë i lirë nga drejtuesit e klubit që të largohet gjatë kësaj vere, pavarësisht se futbollisti ka një kontratë të vlefshme deri në 2025.

Ata e kanë lënë të lirë, kjo për një arsye të thjeshtë, kërkojnë të kursejnë pagën e tij sezonale pasi kujtojmë që Hysaj përfiton të Lacio 2,8 milionë euro në sezon.

hysaj

 

Agjenti i tij, Mario Guiffredi, zhvilloi një takim të martën me drejtuesit e klubit kryeqytetas, me këta të fundit që ia bënë të qartë edhe një herë vendimin e tyre. Pas mbledhjes, Guiffredi, u mjaftua vetëm me disa fjalë:

“Për momentin nuk ka asgjë të re”, duke lënë të kuptohet se për Hysajn nuk ka një pistë konkrete. Nëse Hysaj qëndron në kryeqytet do ta këtë të vështirë të gjejë hapësira pasi Lacio afroi gjatë verës Nuno Taveres.

Hapja e urës në lumin Ibër, Albin Kurti: Vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

 

“Ne do t’i vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së tij të mërkurën.

Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Çështja e urës ishte edhe temë diskutimi mes Kurtit dhe komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash, të martën vonë.

“Me komandantin e KFOR-it biseduam për hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”, tha Kurti të mërkurën.

Pas takimit të së martës mes Kurtit dhe Ulutasit, KFOR-i tha se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.

Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Ditë më parë KFOR-i tha se nuk dëshiron të spekulojë për ndonjë skenarë në të ardhmen, nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër.

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën se ka rrezik të vërtetë lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha Hovenier.

Autoritetet kosovare kanë kryer testimin e urës dhe punime në urë kohëve të fundit.

Ministria e Infrastrukturës e publikoi të martën më herët një raport fillestar për testimet e kryera në urë, duke thënë se është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan javën e kaluar kundër rihapjes së urës mbi Ibër./REL