28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Bashkohem edhe unë, por jo kur e thoni ju

Nga Ndriçim Mehmeti

Bashkohem edhe unë me thirrje për ti dhënë me shumë hapësirë modelit:
1. Të mjekut të ri, që do të qëndroj ne Shqipëri , por ju e dënoni me punë të detyruar 2-6 vjet;
2. Me të riun që do të ngrejë një biznes, por duhet të ketë të afërm një qeveritar ose ndonjë akraba, dajë, xhaxha, tese, hallë, babë etj. të fuqishëm e me para;
3. Me të riun që nuk bën pushime, por punon të nxjerr lekët e shkollës, se ju i gënjyet për bursat e degëve prioritare, si dhe të përballoj jetesën e shtrenjtë të Tiranës;
4. Me modelin e punëtorit të servisit, kamarrierit, të sipërmarësve të suksesshëm në emigracion, por jo me atë që na prezantoi në avion e në koncertet e Athinës e Milanos, Komandanti ( në rastin e Elisës, Skënderbeu);.
5. Pajtohem unë dhe ndoshta shumë si unë, që së paku 3 muaj të mos jua shohim fytyrën, se na jeni bërë si njerëzit e shtêpisë. Madje kemi arritur deri aty sa gatuajmë dy pjata më shumë, të jenë, se nuk e dimë kur vini, në sabah, në darkë a në drekë;
6. Lejani ca kohë fjalën të rinjve, që ikin nga sytë këmbët, atyre të rinjve që punojnë në punë të zeza, atyre që I tallin shokët dhe shoqet e gjimnazit që kanë 2 pantallona e 3 bluza të përdorura dhe kalojnë javën, lerjani nënave të reja që nuk e mbyllin muajin, lerjani atyre që vërtet janë modele.

Dhe së fundi zamet e ke një llaf Komandantit në vesh:

Italiani me orë 30 mijë euro, që bredh lirshëm në Shqipëri, nuk është ndonjë model për ta veçuar. Ne kemi bosat e lagjes, që 30 mijshen e kanë lek fazoletash, ose qokë synetlliku.
Hiret e një fotoje të bukur dhe luksi i kolltukut të Kryetares së Kuvendit, nuk e mbulojnë dot realitetin ulëritës të zbrazjes së përditshme të vendit, nga të rinjtë.

Ndaj ju lutem me përulësi: Heshtni

Paranoja e Edi Ramës: krijon robotë patronazhistë, por edhe ata e tradhëtojnë

I izoluar në zyrën e tij, Babloku rrethohet vetëm nga pak njerëz, që asnjëri nuk i përket mazhorancës apo qeverisë. Ata janë kryesisht staf i këshilltarëve të huaj, që i paguan prej 12 vjetësh. Por dhe atyre nuk i beson prej kohësh tashmë, pasi i sheh si agjentë të amerikanëve që duan të rrëzojnë…

Pushteti i gjatë e i tepërt e ka bërë Edi Ramën njeri më të vetmuar dhe më paranojak. Si Stalini e Enveri vaktit, ai nuk i beson më askujt.

Prej muajsh ka urdhëruar ngritjen e një projekti që të angazhojë inteligjencën artificiale për t’i shërbyer si patronazhistë, kryesisht në rrjetin e identifikimit të votuesve, por sidomos në rrjetet sociale. Një projekt që ka kushtuar ’qimet e kokës’, ka nisur si pilot prej dy muajsh duke u përdorur në mënyrë eksperimentale.

Qëllimi i AI në sektorin e marketingut, konsiston në përdorimin e robotëve për të ndërvepruar në rrjetet sociale. Duke i ushqyer me informacionet e duhura të logjikës që kërkon mazhoranca, më pas AI furnizon me anë të adresave që sektori i propagandës së PS-së ka përdorur në mënyrë manuale këto vite, e përgjigjet në çdo rast kur e kërkon qendra që drejtohet nga Endri Fuga.

Prova për këtë ka nisur prej një muaji, por siç mësohet ka pasur supriza aspak të këndshme për Edi Ramën.

Edhe pse stafi i propagandës ka furnizuar me një info të gjerë robotët se si duhet të silleshin në komentet online, mësohet se makinat kanë qenë jo aq besnike për standardin e Bablokut.

Prova është kryer në ndërveprimet e faqeve që menaxhon opozita, pasi prej tyre mund të ketë një sulm gjatë fushatës. E sipas strategjisë së mazhorancës, është lënë që robotët e AI të bombardojnë llogaritë opozitare me komente të njëpasnjëshme që të ndikojnë në qasjen e përgjithshme.

Paranoja e Edi Ramës: krijon robotë patronazhistë, por edhe ata e

Por në disa prej tyre, robotët janë përgjigjur në mënyrë thuajse korrekte, kritikë për opozitën, por duke sulmuar të korruptuarit e mazhorancës. Madje një prej robotëve ka përmendur Ilir Beqjen personalisht, si një nga më të korruptuarit në politikën shqiptare. Edhe pse ka qenë një nga ndërveprimet e para eksperimentale, në portalet opozitare, jo në faqet sociale të Ramës, kryeministri, i cili merr çdo mëngjes raportin për robotët, është xhindosur egër. Madje zërat thonë se është marrë personalisht me shefin e tij të propagandës, të cilin e ka akuzuar për paaftësi.

Mësohet se ka shfryrë që nuk mund t’i besojë asnjërit, refren, të cilin e përdor shpesh kohët e fundit, kur paranoja thuajse e ka errësuar totalisht.

Paranoja e Edi Ramës: krijon robotë patronazhistë, por edhe ata e

Shfrimi ndaj Fugës, mësohet se ka ardhur si pasojë e shpjegimit të specialistëve të IT, që kanë thënë se robotët reagojnë në bazë të magazinës së të dhënave që e furnizon. Specialistët kanë shtuar, se reagimi i tyre nuk është automatik por me një logjikë perfekte. Ndaj edhe quhet inteligjencë artificiale. Pikërisht kjo e ka futur në ankth edhe më shumë Edi Ramën, i cili i frikësohet një rebelimi edhe më të mëdhenj të robotëve. Pasi specialisti i ka shpjeguar se sa më shumë ata i ushqen me informacion, edhe arsyetimi i tyre është thuajse perfekt afër racionales.

Kjo e ka bërë Bablokun që ta pezullojë përdorimin e Inteligjencës Artificiale deri në një urdhër të dytë. I izoluar në zyrën e tij, ku tashmë thërret vetëm pak njerëz. Edhe ata, asnjëri nuk i përket mazhorancës apo qeverisë, por kryesisht pjesë të stafit të këshilltarëve të huaj, që i paguan prej 12 vjetësh. Por dhe atyre nuk i beson prej kohësh tashmë, pasi i sheh si agjentë të amerikanëve që duan të rrëzojnë.

Kohët e fundit, është prishur edhe me ekspertët turq, pasi ka filluar të dyshojë edhe të Sulltani, i cili në telefonatën e fundit mësohet se i ka futur ca të shara të forta. Nga këto nerva nuk është çudi të inskenojë edhe një furtunë tjetër qeveritare në shtator, për të turbulluar ujrat./Pamfleti

Zyrtarë amerikanë pritet të shkojnë në Kinë për takime mbi ekonominë

Zyrtarë të lartë amerikanë do të vizitojnë Kinën këtë javë, tha qeveria amerikane të hënën, në kuadër të përpjekjeve për të ruajtur lidhjet mes dy ekonomive më të mëdha në botë, pavarësisht tensioneve mbi çështjet tregtare.

Udhëtimi në Shangai do të jetë pjesë e bisedimeve të një grupi pune për çështjet financiare, “FWG”, i formuar vitin e kaluar, nga të dyja palët për diskutimin e qëndrueshmërisë financiare, çështjet që lidhen me të dhënat ndërkufitare, si dhe luftën kundër fentanilit.

Takimet e grupit të punës do të zhvillohen të enjten dhe të premten. Delegacioni amerikan do të kryesohet nga Brent Neiman, zëvendës sekretari i Thesarit për financat ndërkombëtare.

Zyrtarëve të Thesarit do t’u bashkohen përfaqësues nga Rezerva Federale dhe Komisioni i Këmbimit të Letrave me Vlerë.

Delegacioni kinez do të udhëhiqet nga zëvendësguvernatori i Bankës Popullore të Kinës, Xuan Changneng.

“Ne synojmë që ky takim të përfshijë bisedime mbi stabilitetin financiar, çështjet që lidhen me të dhënat ndërkufitare, huadhënien dhe pagesat, sektorin privat të financave dhe hapat konkretë që mund të ndërmarrim për të përmirësuar komunikimin në rast të një krize financiare”, tha zoti Neiman.

Ai shtoi se mbledhja e zyrtarëve ekonomikë të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës bazohet në “udhëzimet e Presidentit Joe Biden dhe Sekretares së Thesarit Janet Yellen për të vendosur linja të qëndrueshme komunikimi ndërsa ne menaxhojmë me përgjegjësi marrëdhëniet tona” me Pekinin.

Zyrtarët pritet gjithashtu të diskutojnë ndryshimet e mundshme të ligjit të Kinës kundër pastrimit të parave, sipas Departamentit amerikan të Thesarit.

Bisedimet do të shënojnë takimin e pestë të grupit të punës për çështjet financiare dhe raundin e dytë të tij në Kinë.

Grupi u krijuar në vitin 2023 së bashku me një grup tjetër pune për çështjet ekonomike, do raporton drejtpërdrejt tek Sekretarja Yellen dhe zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng.

Udhëtimi në Shangai këtë javë pason bisedimet e nivelit të lartë të zonjës Yellen në Pekin dhe Guangzhou në prill, ku ajo paralajmëroi me forcë për rreziqet e mbiprodhimit industrial kinez, një çështje për cilën zyrtarët kinezë kanë shprehur kundërshtime.

Administrata e Presidentit Biden ka bërë përpjekje edhe për ndërprerjen e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të kimikateve, që përdoren për prodhimin e fentanilit.

Ajo ka theksuar më parë fitoret nga diplomacia e saj me Kinën, duke përfshirë atë që zyrtarët thanë se ishte goditja e parë në vite nga Pekini ndaj prodhuesve të këtyre kimikateve përbërëse të drogës pas thellimit të krizës së varësisë nga droga në Shtetet e Bashkuara./voa

Ka zhdukur Muçin nga formacioni i Beshiktashit, trajneri Van Bronkhorst shpjegon: Ja pse nuk po luan

Ernest Muçi pritet ta ketë mjaft të vështirë në këtë sezon që të fitojë hapësira në radhët e Beshiktashit, pasi trajneri XhovanI Van Bronkhorst nuk e sheh mes titullarëve futbollistin e Kombëtares shqiptare.

Kjo është e qartë që pas ndeshjeve të para të sezonit ku ai ka preferuar Rafa Silva në rreshtim, duke lënë Muccin në stol gjithë kohës si spektator në ndeshjet ndaj Gallatasarajit në Superkupë dhe Samsunspor në kampionat, të dyja të mbyllura me fitore.

Pas kësaj sfide të dytë, trajneri holandez u pyet për mungesën e Muçit, i cili ishte blerja rekord e Beshiktashit në edicionin e kaluar.

“Jam unë ai që vendos për lojtarët. Unë preferoja të vendosja në fushë lojtarë që kanë mbrojtje të fortë. Në kemi një ekip të fortë. Ne kemi lojtarë që mund të përdoren kur të jetë e nevojshme dhe kjo është ajo që ndodhi sot”, tha tekniku pas sfidës, duke lënë të kuptohej se Muçi nuk preferohej për shkak të mangësive në lojën mbrojtëse në krahasim me të tjerët në pozicionin e tij.

Kjo ka krijuar një situatë shumë të pakëndshme për lojtarin shqiptar, i cili duket se po shtyhet gjithnjë e më shumë drejt largimit nga gjigandët e futbollit turk, edhe pse ka vetëm pak muaj që është bërë pjesë e tyre.

Nëse doni që të keni rezultate, kjo është koha më e mirë për ta pirë ujin me limon

Uji me limon në mëngjes është një mënyrë shumë e mirë për ta nisur ditën plot me ushqyes dhe vitamina.

Por uji me limon nuk ka përse të pihet vetëm në mëngjes sipas ekspertëve të ushqyerjes së shëndetshme.

Uji është i dobishëm për çdo qelizë të trupit dhe ka efekt pastrues për organizmin.

Nëse e pasuroni me lëng limoni, uji do të ketë më shumë alkalinë. Që do të thotë se sistemi tretës do të përfitojë më shumë prej tij.

Limoni nxit çlirimin e bikarbonatit të sodiumit në zorrën e vogël duke nxitur tretjen.

Uji me limon ju mban të hidratuar dhe përmirëson funksionet e muskujve dhe tretjen.

Athtësia e limonit nxit edhe prodhimin e lëngjeve tretëse dhe qarkullimin e tyre.

Përse janë limonët kaq të veçantë?

Limonët kanë një shije të mirë por janë edhe një burim i shkëlqyer i vitaminës C, polifenolëve, antioksidantëve e të tjerë.

Për më tepër, antioksidantët kurojnë organizmin nga dëmet e shkaktuara prej radikaleve të lira.

Pirja e ujit me limon që në mëngjes i jep trupit antioksidantët e nevojshëm për rigjallërimin e lëkurës dhe freskinë e saj.

Përse duhet të pini ujë me limon në mëngjes?

Uji me limon të bën mirë në çdo orë të ditës. Por mëngjesi ka më shumë rëndësi, më shumë për shkak të ujit se limonit.

Pirja e një gote me ujë në mëngjes ka efekt hidratues pas një nate në gjumë dhe zbut urinë.

Ekspertët thonë se trupi në mëngjes është tërësisht i dehidratuar.

Duke e nisur ditën me një gotë me ujë me limon, trupi furnizohet me ushqyesit e nevojshëm që e pastrojnë dhe e hidratojnë që në fillim.

Nëse i zëvendësoni pijet e ëmbëlsuara ose ato me kafeinë me ujë me limon atëherë do të përfitoni më pak kalori dhe më shumë ushqyes të dobishëm.

Kjo është një strategji fitimprurëse për trupin dhe trurin./AgroWeb.org

U dënua disa herë me burgim e internime dhe vepra e tij u ndalua, çfarë përmbante letra e Kasëm Trebeshinës për Enver Hoxhën në tetor 1955! Akuzat dhe paralajmërimi i shkrimtarit për diktatorin

NGA VISAR ZHITI/ Ç’do të themi për shkrimtarin Kasëm Trebeshina? – Kështu kisha pyetur një ditë pas një datëlindjeje të tij… që s’e kishin kujtuar fare, edhe pse shkrimtar me njohje dhe i burgosur që i përflitej disidenca dhe rebelimi zemërak. Pse kjo mëri e ndërsjellë me të? Edhe tani…? Rrallë ndodh të ketë një marrëdhënie të tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…

 

…Po sjell një shkrim timin, që nuk deshën të ishte parathënia e një libri për Kasëm Trebeshinën, pastaj nuk desha unë si pjesë e vorbullës dhe sherrnajës, që gjithsesi doli…

Është datëlindja e 98-të e tij, kur ai s’është më që prej 7 vjetësh…

DIMË QË DIKTATURA DËNOI SHKRIMTARIN, QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN

1. Gjithmonë dita më pas ka rëndësi tjetër, dita pas fitores, që mund të jetë humbje, pas rënies, që ka brenda hovin e ngritjes, pas kryqëzimit nga ku rrjedh gjaku i ringjalljes… Një ditë pas datëlindjeve të Kasëm Trebeshinës ç’do të mund të thuhet? Për kundërshtarin e pandreqshëm dhe të zemëruarin e gjithmontë, që duket sikur kumton tani vetëm me heshtjen, por folëse, me të shk(r)uarën, me shumë libra të pabotuar, me të burgosurin e lirë, me të lirin e vetëburgosur? Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe “credo”, atë të lirisë së vërtetë dhe të vërtetave të lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, që pengohet.

Duket sikur njeriun e vënë në provë fuqi të mbinatyrshme, tragjedira, përmbytje, murtaja, perëndi dhe gjysmë perëndi, luftëra dhe shtypje, por edhe gjëra më të pakta në dukje, frikëra të ndryshme dhe uri, por dhe kërcënimet, një hetues, gardian, e gjykatës, por mbi të gjitha dashuria, siperania, dashuria, miqësia, mirënjohja, bëmat e qëndrimet, qofshin dhe fare të vogla për të zbuluar sfidat dhe se sa njeri është. Po në përballje me njeriun cilët jemi? Duke gjakuar për të qenë sa më i vërtetë dhe më i natyrshëm, vetmitar dhe shoqëror gjithsesi, kam kërshërinë të shpalos në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës, ku më faniten të fshehta të tjera të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërrijmë tek tirania dhe sistemi i saj dhunues, por dhe zbresim te vetëburgimi i mëpastajmë sokratik, ku njeriu mbyllet si në shpellë.

Pra, duket si një kthim në gjenezë. Tani shkrimtari vërtet është mënjanuar shumë, gjithë mister të zymtë edhe kryeneçësi mospërfillëse, demiurg në mbrëmjen përthellonjëse të moshës, tashmë dhe i ikur, por dhe në atë që quhet horizonti i pritjes. Nuk ka rëndësi në arrin të thinjet fantazia e shkrimtarit a është fantazmë, po ç’bëjnë librat e tij, kur Trebeshina shumicën e dorëshkrimeve e ka të pabotuar, na thuhet, të një krijimtarie ethanake, treçerek shekullore. Jetëshkrimi për Kasëmin sjell mjaft bëma, por edhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë, dashuritë si dhe do të mund të na japë njërin nga çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira…

2.PARTIZAN DHE SHKRIMTAR

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ia bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me idealin e tij dhe asketizmin e tij dhe që ndryshon ngadalë, fat i kacafytjes dhe i mbylljes rrënuese, i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa di për të. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i (ç)misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit a të burgut dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qenë luftëtar i egër, oficer dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej dhe përfundoi në një burg të ri.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve, ndërsa flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit… dhe këqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, vrasës dhe kundërshtar i vrasësve. U shpreha kështu metaforikisht, në stilin e Kasëm Trebeshinës, si i hazdisur, nga që i çmoj guximet e tij, qëndresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që tani Trebeshina nuk është aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit etj., etj., nëse kanë mbetur, nuk janë lënë t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, vrasje të pabesa, të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina është njeriu që ka kërkuar vazhdimisht të ndeshet, qoftë dhe me të ulëtën, se për të beteja është e madhe. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij me të parët e vuri përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar dhunën e shtetit të tij dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndie fitimtar, por humbës asnjëherë, ama. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohon. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i mirë dhe i butë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërron demokracinë, nuk kënaqet as me të, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën, edhe kombësinë…

Kasëm Trebeshina na përshfaqet partizan, trim i çartur, që lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin etj., etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëherë: “Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë,/…/Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë”.

(Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme. Ndërkaq, çmoj kurajën për të thënë dhe të vërtetat e rënda. Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, gati një vit më i vogël se ai, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in? Natyrisht që letërsia ndahet nga ai që e prodhon atë dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë. Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën. Lidhja as sot, që gati nuk ekziston, (ashtu siç është bërë nga ana tjetër gërmadhë dhe burgu i Spaçit,) s’di ç’qëndrim të mbajë me Trebeshinën, me veten, me shkrimtarët e Realizmit Socialist, me ata që u dënuan me burg, që u pushkatuan, me veprat e tyre, me Kohën, me kohërat, me të tashmen, me risitë letrare, etj. Fjala s’është se ç’mund të thotë, por çfarë mund të bëjë dhe Lidhja e Shkrimtarëve s’ribëhet dot, kurse shkrimtarët si individualitete, si qytetarë edhe shqetësohen dhe ndodh që ta ngrenë zërin, por të kondicionuar nga e kaluara e tyre. Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhojnë dot liri. Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demaçi kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.

Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëherë kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorie diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë. Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Për mua ka rëndësi kumti i saj. Kasëm Trebeshina e mbart këtë kumt.

Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj metode, e përjashtuan, e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një grevë të tillë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte, do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por e morën për të çmendur ata që ishin më të çmendur dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Dhe e burgosën prapë. Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë tradicionalë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë të zymtë, një pjesë e të cilëve tani ishin nën dhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, Greqi e Turqi, etj.. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkund, as në mal, siç kishin qejf të thoshin adhuruesit e tij shkretanë. Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëherë kur s’po ndodhnin më akte të tilla kaq mizore dhe në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

3. KADARE DHE TREBESHINA, TREBESHINA DHE KADARE

Megjithëse i padëshirueshëm, madje dhe i pakuptimtë na duket se ka mbetur pezull një konflikt që shfaqej herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. përmendi inicialet e dënuara dhe të komplotuara me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtëletrare. Do të duhej të ndalej pak këtu. Trebeshina, sipas meje, ka një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë, por kështu edhe Kadareja për letërsinë e vërtetë. I pari i thotë burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruajë me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin.

Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë.

Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për propagandë dhe trembur, për të torturuar të gjithën, si rrjedhojë njeritjetrin dhe veten. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun. Po dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj, madje bukur, po edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim edhe partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu siç u këndoi poeti, në atë lartësi. Nëse nuk i meritonin ato vargje, atëherë nuk u përkasin atyre, por arsenalit të letrave shqipe, iluzioneve dhe kompromisit, gabimeve dhe harrimeve. Shpresoj që as dhe letërsisë. Trebeshinën s’e la vendi, shteti më saktë, ta botojë veprën dhe pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm.

Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes. Por ne, kur dalim jashtë letrave, duam qetësinë e brigjeve, pushimin e stuhisë, paqen, ku lexuesi të shkojë lirisht te njëri breg e te tjetri, te ishujt apo në detin e pamatë dhe t’i gjejë të gjitha, mrekullinë e ëndërruar. Kur Faik Konica botonte shqip në SHBA përrallat arabe, 100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një kardinal i njohur, por edhe Darvini, sipas një ankete, të dy i lexonin me ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre.

“…Dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”. Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, ashtu si lexuesit edhe krijuesit e tij. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin. Shtoj prapë tani se lexuesi korrigjon. Arrin të bëjë pajtimin e atyre që s’u pajtuan asnjëherë edhe kur s’janë më. Sepse ka veprën… Jo të brazojë, të japë vlerat, detyrë parësore e Kritikës së munguar. E them me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura, as aq jetëgjata sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme. Sa më larg zilive Lidhjes, të jashtëburgut dhe për burgun, të lavdisë dhunuese dhe krenarive hiperbolike, sepse që të gjitha nuk janë letërsi, por lëndë për letërsinë. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

4. EMBLEMATIKU

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin?

Sepse duam të farkëtojmë ndërgjegjen e shëndoshë kolektive, përgjegjësinë dhe guximin qytetar. Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën si heronj për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditshme. Që e gjitha të shndërrohet në letërsi dhe art.

Tirana e kullave bëhet qyteti me koston më të lartë të jetesës në Ballkan

Forcimi i lekut ndaj monedhave kryesore të botës dhe rritja e ccmimeve e ka shndërruar Shqipërinë si vendin me koston më të lartë të jetesës në Ballkan. Të dhënat vijnë nga Mercer, agjencia e njohur amerikane e shërbimeve financiare. Sipas Mercer, kryeqyteti i Shqipërisë renditet në vend të 103-të në Indeksin e Kostove të Jetesës për vitin 2024.

Renditja e këtij viti përfshin 226 qytete në mbarë botën dhe mat koston e jetesës të më shumë se 200 artikujve në çdo vend, duke përfshirë strehimin, transportin, ushqimin, veshjet, mallrat shtëpiake dhe argëtimin. Të dhënat tregojnë se Shqipëria është ngjitur me 50 pozicione nga viti i kaluar, ku renditeshim në vend të 153-të duke u renditur në 5 qytetet me rritjen më të madhe në botë për koston e jetesës.

Krahasuar me vendet e rajonit të cilat janë pjesë e renditjes në këtë indeks duket se Tirana është vendi me kostot më të larta të jetesës. Beogradi renditet i dyti në rajon pas Tiranës, si qytet më i lirë, i pozicionuar në vend të 159-të, me një rritje prej 16 vendesh.

Ndjek Shkupi në vend të 198-të dhe me kostot më të lira në rajon rezulton Bosnje Hercegovina. Sipas të dhënave të raportit Sarajeva është renditur në vend të 203-të për vitin 2024, pa shënuar ndryshime krahasuar me një vit më parë. Mali i Zi dhe Kosova nuk janë pjesë e këtij indeksi.

Hong Kongu, Singapori dhe Zyrihu janë qytetet më të shtrenjta për punonjësit e huaj këtë vit tregojnë të dhënat e raportit, ndërkohë qytetet në Pakistan dhe Nigeri rezultojnë si më të lirat.

Referuar raportit, Shqipëria renditet mes vendeve me rritjen më të lartë të kostove. Por cilët ishin faktorët kryesorë? Për të gjitha vendet vendet me rritje, përveç Tiranës, inflacioni i lartë ka të ngjarë të jetë arsyeja kryesore. Në Tiranë, luhatjet e kursit këmbimit dhe cmimet e larta të banesave shihen si shkaku kryesor i ndryshimit të kostos së jetesës për punonjësit e huaj që zjedhin Shqipërinë.

Scan TV

ZËRI I AMERIKËS/ Studimi: Kuvendi në Shqipëri nuk lufton konfliktin e interesit të deputetëve

Instituti i Studimeve Politike thekson në një raport mbi integritetin e Kuvendit, se parlamenti nuk ka mekanizma funksionale, që të shmangë dhe të parandalojë konfliktin e interesit të deputetëve. Drejtuesi i këtij Instituti, Dr. Afrim Krasniqi, thotë për Zërin e Amerikës se Kuvendi është një nga institucionet më pak transparente dhe më pak llogaridhënës në Shqipëri. Një ndër shqetësimet kryesore të monitoruesve të ISP-së mbeten bisedimet informale, jotransparente mes ligjvënësve dhe kompanive private për ligje dhe vendime të porositura, që kanë të bëjnë me projekte prej miliona eurosh

Ndryshe nga sa deklaron Kuvendi, se ka pranuar standartet e parlamentit të hapur, ekspertët e Institutit të Studimeve Politike konstatojnë që në zbatimin konkret të tyre sa u takon konfliktit të interesit dhe veprimeve jashtëparlamentare, parlamenti është praktikisht një nga institucionet më pak transparente dhe më pak llogaridhënës në Republikën e Shqipërisë.

Drejtuesi i këtij Instituti, Dr. Afrim Krasniqi, thotë për Zërin e Amerikës, pas publikimit të Raportit “Për një Parlament me integritet, Kodi i Sjelljes dhe Rregullorja e Kuvendit”, se kjo lloj sjellje bie në kundërshtim me nevojat dhe sfidat që ka Shqipëria, dhe theksoi se kjo është pjesë e raporteve kritike ndërkombëtare për Shqipërinë, përfshi edhe raportin e BE-së vitin e kaluar dhe raportin e Freedom House.

Shqetësim kryesor, sipas zotit Krasniqi, mbeten praktikat abuzive, ku deputetë negociojnë me palë informale, të cilët fitojnë miliona dhe përdorin parlamentin për qëllimet e tyre financiare, ndërsa deputetët e shohin këtë praktikë negative si një sjellje normale, por nga ana tjetër nuk gjendet një mekanizëm në parlament, që t’u thotë “Ndal!” këtyre veprimeve.

“Së dyti, kemi parë që ka një përdorim në mënyrë masive të bisedimeve dhe konsultimeve informale me grupe interesi, me firma private dhe kompani, të cilat janë në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit. Drejtues të komisioneve parlamentare, që duhet të gjykojnë dhe miratojnë një ligj ose një marrëveshje takohen me individë, të cilët përfitojnë nga këto marrëveshje dhe të gjithë këto takime nuk janë të dokumentuara. Parlamenti nuk zotëron asnjë dokument të këtyre bisedimeve, ndërkohë që publikisht deklarohet që është rënë në kompromis me to dhe është gjetur zgjidhja, siç ishin lojërat e fatit apo investimet strategjike dhe tema të tjera me ndikim të madh financiar”, thotë zoti Krasniqi.

ISP-ja i cilëson shqetësuese aktet e deputetëve që shihen në shihen në media, si incidente të shumta, sjellje joetike, përjashtime, arroganca dhe gjuha fyese e denigruese e politikanëve ndaj palëve kundërshtare.

Por përtej këtyre, gjatë monitorimit mbi konfliktin e interesit, thotë zoti Krasniqi, ISP-ja konstatoi që mekanizmi parlamentar për parandalimin e konfliktit të interesit është inekzistent, nuk funksionon, ndërkohë që ILDKPKI-ja (Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave) ia beson këtij institucioni, që të bëjë hetimet paraprake para se çështja të kalojë atje.

“Nëse ju shikoni në mënyrë të vazhdueshme takime publike, mbledhjet e komisioneve mbi vlera të mëdha financiare, dhe në deklarimet që bëhen aty, thuhet që ligji është konsultuar, është rënë dakord, etj., dhe po të kërkoni: Ku janë bisedimet? Ku janë negociatat? Kush kanë qenë kërkesat dhe pse është toleruar kjo apo jo kërkesë? Sa është pyetur qeveria dhe institucionet e pavarura? Sa është respektuar ligji? – nuk ka përgjigje për këtë gjëra, por thuhet se këto janë negociata personale. Mungesa e dokumentacionit për këto çështje do të bëjë të pamundur nesër hetimin e rasteve”, thotë zoti zoti Krasniqi.

Për t’u veçuar është edhe fakti që janë të njëjtët deputetë që gjykojnë tek etika mbi rastet e denoncuara të konfliktit të interesit, po ata që drejtojnë komisionet, po ata që marrin vendim për veten e tyre tek konferenca e kryetarëve dhe tek Byroja e Kuvendit, thotë drejtuesi i ISP-së, dhe kjo është në vetvete një tjetër konflikt interesi.

Parlamenti thotë se këto praktika ndalohen, por atëherë duhet të krijojë mekanizma që këto sjellje të hetohen dhe të parandalohen, theksoi zoti Krasniqi, duke kujtuar se as grupet parlamentare nuk kanë një mekanizëm të kontrollit të rregullores së tyre të brendshme, ku individët që shkelin ligjin deri diku të parandalohen brenda grupit.

“Së treti; kemi parë konceptin e legjislacionit të porositur, që ndikohet nga faktorë të tretë dhe imponohet përmes rrugës parlamentare, duke shkelur gjithë procedurat parlamentare. Së katërti; gjithë ajo që quhet deklarimi i konfliktit të interesit nga vet deputetët, deklarimi i sistemit të dhuratave, deklarimi i pjesëmarrjes në aktivitete të treta, që është detyrim ligjor dhe që duhet të jenë në faqen elektronike të parlamentit, nuk funksionon. Gjatë vitit të fundit asnjë nga deputetët nuk ka deklaruar. Ndërkohë ne kemi raportuar raste të shumta kur ka patur shkelje të tilla”, thotë zoti Krasniqi.

Në këtë legjislaturë janë dy ose tre raste të pretenduara për papajtueshmëri të mandatit të deputetit, shton ai, e ky fakt do të thotë se abuzimi me parimet e kodit të sjelljes ka përparuar në nivele të jashtëzakonshme dhe është i pakrahasueshëm me legjislatura të kaluara.

ISP ka çuar 3 raste në Kuvend, ku deputetë të caktuar kanë qenë në konflikt të hapur interesi, ose komisione kanë qenë në konflikt interesi, (rasti i zgjedhjes së një zyrtari nga parlamenti, kur vet parlamenti pranoi që ai është në konflikt interesi).

“Jo vetëm që nuk morëm asnjëherë përgjigje zyrtare, por mesazhi që individi megjithatë u zgjodh, do të thotë që individët që sponsorizonin konfliktin e interesit ishin më të fuqishëm se parimet që parashikon ligji. Në momentin që parlamenti i ka këto të dhëna dhe nuk arrin dot të hetojë, shpresa që nesër këtë do ta bëjë ILDKPKI-ja është gati utopike për shkak se ky parlament është në përfundim të mandatit dhe procedurat e ILDKPKI-së mund të përmbyllen pasi individi të mbyllë mandatin dhe e pamundëson hetimin. Kjo na ndodhur me disa raste të tjera, kur jemi ankuar për individë në konflikt interesi, ILDKPKI-ja ka marrë masë, çështja ka shkuar në gjykatë, dhe procesi ishte aq i gjatë sa individi nuk është më deputet”, detajoi zoti Krasniqi.

ISP-ja ka propozuar një paketë ndryshimesh teknike standarte në aktet rregullatore të parlamentit dhe në legjislacionin në fuqi, që të miratohen me transparencë dhe mirëkuptim nga parlament, të cilat të hyjnë në fuqi në legjislaturën e re parlamentare vitin e ardhshëm, duke lënë pas ndryshimet e njëanshme të regullores.

Ky, sipas ISP-së, është rasti më i mirë që Kuvendi të dëshmojë vullnet të vërtetë politik dhe institucional për të luftuar korrupsionin, duke nisur së pari hetimi i konfliktit të interesit në parlament, i pjesëmarrjes së deputetëve në veprimtari të treta të sponsorizuara në Kuvend, i përdorimit të Kuvendit për qëllime personale dhe për ligje të personalizuara, si dhe i praktikave abuzive që, sipas monitoruesve, ndodhin në Kuvendin e Shqipërisë. /VOA/

Rrugëtimi politik i oligarkut që rrezikon ta humbë pushtetin! Analiza e REL: Askush s’e di ku jeton, ka vepruar me vite mbrapa “perdeve”

Delyan Peevski, politikan dhe një prej oligarkëve më të fuqishëm në Bullgari, është figurë enigmatike.

 

Përveç disa hoteleve që ai thuhet se frekuenton, askush nuk e di se ku jeton ai.

Rrallë shihet në rrugë dhe preferon që në parlament të dërgohet me një konvoj makinash, si dhe me roje sigurimi.

Megjithatë, nëse pyesni ndonjë politikan bullgar se kë duhet fajësuar për krizën aktuale politike, meqë Bullgaria po përballet me zgjedhjet e shtata të parakohshme në tri vjet, shumica, me shumë mundësi, adresë e kanë Peevskin, 44-vjeçar.

Ky oligark ka vepruar me vite mbrapa perdeve.

Ai kontrollon shumicën e gazetave dhe mediave, dhe kështu ka dorë të madhe në formësim të opinionit publik.

Më 2018, organizata ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, u ka dhënë jehonë akuzave “ për korrupsion dhe përzierje në mes të mediave, politikanëve dhe oligarkëve”, në Bullgari, të cilat Peevski i mohon, duke thënë se kundërshtarët e tij politikë u bëjnë presion grupeve ndërkombëtare për të drejta të njeriut që ta përfshijnë emrin e tij nëpër raporte.

Duke qenë se ka shërbyer si deputet në Parlament prej vitit 2009, dhe ka mbajtur disa pozita shtetërore, përfshirë atë të shefit të agjencisë së kundërzbulimit në Bullgari, Peevski ka ndikim të konsiderueshëm te figurat politike dhe institucionet shtetërore.

Trazira politike

Më 2023, ky manjat mediash ka nisur të marrë pjesë rregullisht nëpër seanca parlamentare dhe ka folur para mediave. Në fillim të vitit 2024, ai është bërë kryesues i Lëvizjes për Liri dhe të Drejta (DPS), parti që tradicionalisht ka përfaqësuar minoritetet etnike turke dhe myslimane të Bullgarisë.

Në qershor, ai e ka udhëhequr partinë në zgjedhjet parlamentare, e cila ka dalë e dyta, duke fituar 47 prej 240 ulëseve parlamentare në total.

Teksa ai ka qenë yll në rritje në politikë, Bullgaria ka hyrë në një fazë të pashembullt të trazirave politike. Prej vitit 2009 e deri më 2021, partia e qendrës së djathtë, GERB, e udhëhequr nga Boyko Borisovi, ka udhëhequr pothuajse pa asnjë ndërprerje.

Mirëpo, prej vitit 2021, Bullgaria ka përjetuar gjashtë palë zgjedhje parlamentare.

GERB-i ka fituar katër prej tyre, mirëpo nuk ka arritur kurrë që të formojë Qeverinë.

Për një banor të rëndomtë bullgar, Peevski është epitomë e botës nën hije të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që shumë besojnë se e ka përfshirë shtetin.

Ai mund të jetë njëri prej politikanëve më pak të besueshëm në Bullgari.

Në një sondazh të kryer së fundmi, vetëm dy për qind e bullgarëve kanë thënë se i besojnë atij, për dallim prej 88 për qind të respondentëve që e mendojnë të kundërtën.

Sipas Aktit Magnitsky, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Peevskit, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe ndikim, “me qëllim të mbrojtjes së vetes nga gjyqi publik, dhe që të shtrijë kontrollin në institucione dhe sektorë kyç shtetërorë”.

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur, gjithashtu, sanksione ndaj tij, duke thënë se Peevski është përfshirë “në tentimet për të ushtruar kontroll në institucionet dhe sektorët kyç të shoqërisë bullgare, përmes ryshfetit dhe përdorimit të mediave të veta”.

Peevski, në anën tjetër, si manjat mediash dhe politikan, ka nisur kontekst ligjor ndaj sanksioneve dhe mohon vazhdimisht akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Ai ka nisur proces gjyqësor në SHBA për heqje sanksionesh, duke pretenduar se akuzat janë të motivuara politikisht.

Partner “toksik”

Reputacioni i tij i dëmtuar nënkupton që shumë politikanë bullgarë tani refuzojnë të punojnë me të.

Për ta, Peevski është “toksik”, ka thënë Dimitar Bechev, ligjërues në Shkollën e Oksfordit për Studime Globale, si dhe hulumtues i lartë në Institutin Carnegie Europe, me bazë në Bruksel.

Hristo Ivanov, njëri prej liderëve të koalicionit reformist pro-perëndimor, Ne vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria demokratike (PP-DB), i ka thënë Shërbimit bullgar të Radios Evropa e Lirë, më 30 korrik, se “problem thelbësor i Bullgarisë është ‘shteti i kapur’, i cili në vjetët e fundit është personifikuar më së shumti me Peevskin”.

Shumë politikanë bullgarë tani kanë nisur të besojnë se çdo bashkëpunim me këtë manjat mediash do t’ua humbë votat.

Koalicioni, Ne vazhdojmë ndryshimin – Bullgari demokratike (PP-DB), veçse mund t’i ketë parë pasojat e një bashkëpunimi të ngushtë me partinë DPS të Peevskit në periudhën, qershor 2023 deri në prillin e këtij viti.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të Bullgarisë, të mbajtura në qershor, mbështetësit e tij e kanë braktisur koalicionin në masë.

Partia GERB, e cila ka punuar ngushtë dhe publikisht me Peevskin, është përballur së fundmi me gjakderdhje të vazhdueshme, sa i përket mbështetjes së votuesve.

I lëkundur për reforma

Politikanët bullgarë e kanë akuzuar Peevskin edhe për lëkundje të vazhdueshme kur ka qenë fjala për reforma.

Në kohën e krijimit të një koalicioni mes dy partive më të mëdha politike në Bullgari, në atë kohë, GERB dhe PP-DB, që kanë udhëhequr shtetin më 2023-2024, të dyja partitë janë zotuar për ndihmë ushtarake për Ukrainën, mbështetje ndaj euros, dhe anëtarësim të plotë të Bullgarisë në zonën Schengen.

Megjithatë, PP-DB, e prirë për më shumë reforma, ka propozuar edhe masa që do të zvogëlonin fuqinë e Prokurorit të Përgjithshëm dhe zhdukjen e ndikimit rus në shërbimet e sigurisë.

Kur GERB i ka tërhequr këmbët prej reformave të propozuara, koalicioni qeveritar është shpërbërë në mars.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në prill, Nikolay Denkov, njëri prej kryeministrave me rotacion në Qeveri, e ka fajësuar Peevskin për rritje të presionit ndaj GERB-it dhe liderit të asaj partie, Boyko Borisov, që të prishet koalicioni qeverisës.

Peevski është frikësuar prej reformave, ka thënë Denkov, dhe ka arritur të ketë ndikim te Borisovi.

“E kam parë me sytë e mi… ne shkuam në takim dhe Peevski ishte ulur afër Borisovit”, ka thënë ai.

“Në fakt, gjatë atyre muajve, 80 për qind të kohës, bisedat janë zhvilluar me Peevskin dhe jo Borisovin”.

Pas zgjedhjeve të fundit në qershor, Borisov është distancuar prej Peevskit.

Partia e tij, GERB, i ka fituar zgjedhjet dhe DPS ka dalë e dyta, dy partitë do të mund të formonin qeverinë, me mbështetje të vogël të nevojshme nga disa deputetë të pavarur.

Mirëpo, Borisov ka thënë disa herë se nuk dëshiron të qeverisë vetëm me DPS-në dhe Peevskin.

Ndasi të thella partiake

Janë të shumë ata që zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të caktuara për tetor, i shohin si pikë kthese, për shkak të ndasive të thella partiake brenda DPS-së së Peevskit.

Pasi është ngjitur në krye të partisë, në fillim të vitit 2024, Peevski ka nisur të largojë prej partisë, anëtarë që janë të afërt me Akhmed Doganin, ish-liderin për kohë të gjatë të partisë DPS.

Ky fraksion tani është duke luftuar me të, dhe vetë Dogan – lider nderi i partisë – po kërkojnë dorëheqjen e Peevskit.

Si rezultat i ndasive brenda partisë, analistët kanë thënë se Peevski mund të dështojë që të sigurojë ulëse në Parliament, ose do të ketë numër shumë të vogël të ligjvënësve afër vetes.

Parti tjera kanë diskutuar mundësinë e izolimit të Peevkit në zgjedhjet e ardhshme të tetorit.

“Ne duhet të pranojmë se do të punojmë me ata që janë kundër Peevskit në DPS”, ka thënë Ivanov prej koalicionit PP-DP.

“Më në fund duhet të kemi strategji të mençur, kur krijohen mundësi, dhe të heqim qafe korrupsionin në shtet”.

Bullgaria po përballet me gjithë këto zhvillime në kohën kur është izoluar edhe në Bashkimin Evropian dhe po humb mbështetjen në bllokun evropian.

Bullgaria është vendi me shkallën më të lartë të varfërisë dhe korrupsionit në BE.

Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, është në pritje të Bullgarisë që të propozojë një komisionar evropian, mirëpo situata politike ka nënkuptuar që Sofja të mos ketë marrë ende një vendim.

Ndonëse BE-ja e ka pranuar një plan ekonomik në vlerë të 6 miliardë eurove, Bullgaria ka pak mundësi që t’i shohë me sy ato mjete, derisa t’i përfundojë reformat e kërkuara prej BE-së, përfshirë marrjen e masave kundër korrupsionit.

Situata politike brenda Bullgarisë mund ta ketë dëmtuar edhe sigurinë rajonale.

Sofja nuk është e përfshirë në mënyrë aktive në diskutimet për siguri rajonale, ka thënë Matthew Boyce, hulumtues i lartë në Institutin Hudson, me bazë në Uashington, i cili ka shërbyer një kohë si zëvendësasistent në zyrën e Sekretarit amerikan të Shtetit.

Vessela Tcherneva, zëvendësdrejtoreshë e Komitetit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, ka paralajmëruar që “nëse shteti nuk arrin të dalë prej kësaj bllokade politike”, atëherë kjo situatë “do të rrisë mundësinë që shtetet sikurse Rusia, të kenë ndikim në një vend anëtar të BE-së dhe NATO-s”./REL

Ofertë e papritur për Brojën, nënkampionët e Bundesligës kontaktojnë Çelsin për sulmuesin

Armando Broja vazhdon të mbetet në pritje të mësojë të ardhmen e tij, pasi është larguar nga ekipi i parë i Çelsit. Trajneri Enco Mareska e ka nxjerrë jashtë planeve bashkë me Romelu Lukakun dhe të dy po stërviten me ekipin U21 dhe të akademisë gjatë kësaj periudhe.

 

 

Shpëtimi i tij mund të vijë nga Bundesliga, pasi “Sky” bën të ditur se nënkampionët e sezonit të kaluar në Bundesligë, Shtutgart, janë të interesuar të firmosin me sulmuesin shqiptar. Shtutgarti sapo ka firmosur me Çengiz Undav, por duket se kërkon alternativa të tjera për repartin e avancuar, duke parë Brojën si një alternativë mëse cilësore.

Broja raportohet se është i interesuar për transferimin në Bundesligë, por bisedimet janë në hapat e parë mes klubeve, pasi Shtutgarti fillimisht është i interesuar për huazimin e tij dhe jo blerjen, siç kërkon Çelsi.