32.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Gjergji Nika: Vlora ka nevojë emergjente për një Terminal Autobusësh Urbanë

Gjergji Nika, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Vlorë, ka theksuar domosdoshmërinë e ndërtimit të një Terminali të Autobusëve Urbanë në qytet, duke e cilësuar këtë si një nevojë emergjente për përmirësimin e jetës urbane dhe mobilitetit qytetar.

Sipas Nikës, mungesa e një terminali të tillë ka sjellë kaos në lëvizjen publike dhe ka ndikuar negativisht në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe turistëve. Ai ka bërë thirrje për një angazhim serioz institucional për të kthyer Vlorën në një qytet funksional dhe të organizuar.

Deklarata e plotë e kandidatit:
“Vlora ka nevojë emergjente për Terminalin e Autobusave Urbane!”

#GjergjiNika
#KoalicioniEuroatlantik
#VloraMeritonMëShumë
#Zgjedhjet2025
#Voto4

Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik, Marinela Ziu: Korça ka qenë dhe duhet të jetë qyteti i tregtisë dhe i arsimit

Nga Marinela Ziu

Korça ka qenë qendra më e madhe tregtare dhe arsimore, pas Voskopojës, kryesisht pas viteve 1800.

Arsimi i lartë në Shqipëri është sektori i shënjestruar nga qeveria për t’u shkatërruar, degraduar dhe shbërë. Qeveritë Rama 1, Rama 2, Rama 3, armike të dijes ia arritën qëllimit për ta shndërruar arsimin, fondamentin e kombit dhe shtetit, në një sektor grosist degësh dhe diplomash pa vlerë, të rankuara ndër të fundit në nivel botëror.

Kemi një shtet të vogël, me më pak se 1.9 milionë banorë dhe me universitet thuajse në çdo qytet, si asnjë vend tjetër në Europë dhe në botë, në raport 1 universitet shtetëror për 130 mijë banorë, së bashku me universitetet private 1 universitet për 85 mijë banorë.

Koalicioni Euroatlantik ka një program për arsimin në Shqipëri, me fokus Korçën!

Idea jonë konsiston në Krijimin e Qendrës së Dytë Universitare në Shqipëri, në qytetin e Korçës. (Ndërsa në Elbasan planifikojmë të funksionojë për traditë Pedagogjiku dhe në Durrës Shkolla e Lartë e Marinës.)

Shqipëria kështu, bëhet vend/shtet me dy qendra universitare dhe 2 satelitë universitarë të profilizuar.

Korça duhet dhe e ka kapacitetin për të qenë Qendra e Dytë Universitare në Shqipëri.

Në kapacite godinash dhe infrastrukture Universiteti i Korçës është i pari në Shqipëri, pas vlerësimit të fundit të Minsitrisë së Arsimit dhe komisionit të akreditimit.

Ka konvikte dhe terren shtojcë përreth, që jep mundësinë e krijimit të një zone rezidencash studentore (përveç se ka më shumë se 1.000 apartamente bosh në qytet).

Ky projekt i jep frymë qendrës më të madhe të arsimit në Shqipëri, atje ku shqipja mori trajtë dhe formë, atje ku u shkrua dhe u çertifikua si gjuhë, mes të tjerash.

Pse Korça duhet të jetë Qendra e dytë Universitare në Shqipëri?

Sepse Korça është vazhdim i Voskopojës.
Në vitet 1700-1800 Akademi në Ballkan, kishte vetëm Athina dhe Voskopoja.
Dhe Akademia e Voskopojës konsiderohet institucioni i parë i arsimit të lartë në kufijtë e shtetit shqiptar.

Ndaj dhe bazuar tek programi ynë, Universiteti i Korçës, dy degë të tij Filozofinë dhe Historinë do i shtrijë në Voskopojë dhe studentët do të qëndrojnë atje përgjatë ciklit Bachelor, me auditore dhe mjedise akomodimi. Gjithashtu, në kampusin e Voskopojës do të funksionojnë disa cikle të nivelit Master.

Korça e shpopulluar dhe e degraduar, me një prurje të re studentore prej 7 apo 8 mijë studentësh, ndryshon fizionominë e saj dhe merr jetë sërish.

8 mijë studentë janë 8 mijë rezidentë, individë që kontribuojnë në ekonominë e Qarkut.
8 mijë më shumë burime humane.

Prezenca dhe funksionimi i QDU Korçë, rrit tregtinë, prodhimin, rriten të ardhurat, sistemi i ciklit ekonomik fillon të qarkullojë dhe funksionojë. Nj nismë e tillë incentivuese do të risjellë jetën në Qarkun e Korçës dhe do e bëjë atë ashtu siç e ka ndërmend çdo shqiptar.

Dhe nëse disa nga diplomat do të fillojnë të jenë gradualisht të njehsuara me diploma universitetesh në BE (Greqi, Itali etj.), në Korçë do të vijnë edhe studentë nga Maqedonia, nga Kosova, por edhe vetë shqiptarë me banim në Greqi, do të dërgojnë fëmijët me studime në QDU Korçë.

Dhe dy fjalë prej meje personalisht:
Femrat e para shqiptare, që u diplomuan në universitet e botës janë korçare.
Pedagoget e para në nivelin universitar në Shqipëri, janë korçare.
E para anëtare e Akademisë së Shkencave është korçare.

Për këto dhe për 1001 arsye të tjera Korça mund dhe duhet të jetë, pas Tiranës metropol, Qendra e Dytë Universitare në Shqipëri.

Beso te Shqipëria
✅ Voto4️⃣ Koalicioni Euroatlantik
✅ Voto️ Marinela Ziu

Neli Demi: Votoni Nr. 4 për një Shqipëri të drejtë dhe të pakapur nga korrupsioni

Neli Demi, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Tiranë, ka dhënë një mesazh të qartë për qytetarët në prag të zgjedhjeve të 11 majit, duke i ftuar të votojnë numrin 4 si zgjedhjen e vetme të sigurt për një Shqipëri të ndershme dhe të drejtë.

Demi deklaron se vetëm përmes mbështetjes për Koalicionin Euroatlantik mund të ndalet korrupsioni, të forcohen institucionet e drejtësisë si SPAK, dhe të ndërtohet një e ardhme më e mirë për të gjithë qytetarët.

Ai është i drejtpërdrejtë edhe në qëndrimin ndaj kundërshtarëve politikë, duke theksuar se vota për numrin 1 është një votë për lirimin e Ilir Metës nga burgu, ndërsa vota për numrin 5 është një votë për shpërdorimin e parave publike në interes të klientelës së kryeministrit Rama.

Deklarata e plotë e Neli Demit:
Vetëm vota për numrin 4 dhe për Koalicionin Euroatlantik është vota e sigurt:
•⁠ ⁠për të luftuar korrupsionin,
•⁠ ⁠për të mbështetur SPAK-un,
•⁠ ⁠dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.
⛔ Nëse voton numrin 1, fatkeqësisht voton për të nxjerrë nga burgu Ilir Metën.
⛔ Nëse voton numrin 5, voton që paratë e qytetarëve të shkojnë te shokët e Ramës te 313.

#voto4
#KoalicioniEuroatlantik
#BesoTeShqipëria
#VotoNeliDemi
#votomemendnëkokë

Sondazhet e porositura/ Kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Marçel Hila: E nesërmja është shumë afër, ja, këtu, pak ditë na ndajnë

Nga Marçel Hila

Po, po e pranojmë se ne, Koalicioni Euroatlantik, kemi nga 0,7% deri tek 1,5 % të preferencave. Një e mesme do të ishte aq sa shkencërisht thonë sondazhet e besuara: 1 %. Nëse e marrim si të mirëqenë numrin prej 1.700.000 të zgjedhësve që mund të votojnë këtë radhë, ky 1% do të përkthehej në 17.000 vota. As edhe një më shumë e as edhe një më pak. Që do të thotë se nga veriu i largët e deri në jugun më të thellë, marrim kaq. Sondazhet, hetim me një teknikë të sofistikuar që nuk gabon, kaq na garanton.
Kështu, pra o popull i Koalicionit Euroatlantik, që ke kohë që bën fushatë e nuk thyhesh e nuk po tkurresh, ose rezisto deri në fund, ose ik. Largohuni të gjithë, ikni në shtëpitë tuaja, bojkotoni pa vonesë! Shkoni ose në partitë e tjera ose ikni fare. Sa të shumtë janë ata që do ta donin që kjo thirrje të merrej seriozisht kështu. Se ka shije disfate, dëshpërimi, thyerjeje. Edhe njëherë po jua përsëris: ikni, nuk fitoni asgjë, nuk merrni gjë, nuk merrni as edhe një deputet. Të gjitha përpjekjet e tuaja, sipas kësaj analize të hollë dhe ekzakte, do të shkojnë kot. Do të përfitojnë partitë e mëdha nga votat e besnikërisë suaj. Kuptohet, e atij minimumi prej 17.000 vetash në të gjithë territorin. A ia vlen të vazhdoni të militoni? Të qëndroni? Të ushqeni shpresë????
Por ka mundësi që kjo të mos ndodhë. Ka shumë mundësi. Është e disata herë që më qëllon të dëgjoj nga gojë të ndryshme të anëtarëve të partisë sime që thonë se sapo të mbarojnë zgjedhjet do të fillojë një riorganizim kapilar i partisë, kudo: në fshatra, në rrugë e në rrugica, në qyteza e në qytete. A nuk i bën kujt përshtypje ky optimizëm në kohën e disfatës më të madhe? Një “dashuri në kohën e kolerës”. Po, disfatë, se të marrësh 1 për qind e të jesh super i sigurt se në këto shifra nuk ka disfatë, por se ngritja do të ndodhë? A nuk është si një si paradoks? Pse kjo shpresë? Pse kjo bindje? Kjo këmbëngulje?
Sepse … së pari është krejt e thjeshtë: nuk do të ketë fitore as madhështore e as spektakolare as nga ana e opozitës madhështore e as nga pala e qeverisë. Nuk është fitore madhështore, kur ajo që fiton është një përzierje, një paçavure, një amalgamë, ku kjo supë, gatimi, është bërë me copëzat e partisë së djathë (ish e majtë) të Ilir Metajt, që është shkrirë me partinë e djathtë të Sali Berishës dhe aty, në këtë gjellë, janë hedhur si erëza pikante, copëza nga Partia e të drejtave të dikurshme të njeriut, sepse është bërë copë-copë e Dulja ka vetëm një thelë, tani të hedhur në të djathtën madhështore. Aty noton edhe Beleri, ky akrobat që e do aq shumë edhe Greqinë por edhe Shqipërinë, si thoshte Gjergj Fishta: “ndizi Zotit një qiri o biri i Adamit/ndizi edhe djallit një tjetër prej dhjami!”. Kemi aty të shkrirë e të tretur mirë, aq mirë sa nuk mund t’i ndash më, partitë e Shpëtim Idriit, që e ka aq shumë zët Grekun, saqë qan çdo ditë të përkujtimit të masakrave greke mbi çamët e mban zi, me lot, por ja që ka ardhur të bashkojë votat me Dulen. Jo për idealin për Çamërinë! Jo se ata të dy duhen, por se bashkimi bën fuqinë kundër Edit e po ëndërrojnë fitoren armiqtë e dikurshëm. Kulm hipokrizie, që na shitet si moment force. Brenda kësaj supe sillen si kokrra groshe në kusi edhe anëtarët e partisë së kreut të Klanit të Zemunit. Kreu, pra Agron Duka, një djalë shijakas me shumë karakter, ka gëlltitur shpifjet që i ka bërë legjenda e i vrapon pas tij e ka pranuar të shkrihet në partinë e tij, thjesht të marrë ndonjë votë. (Një prej klaneve më të rrezikshëm mafioze të Beogradit, i mafies serbe, që pati kulmin në vitet 1999-2003, kohë kur zoti Duka ishte në qeveri si ministër bujqësie, një ndër organizatat më të fuqishme kriminale të Evropës së Jugut). Është për t’u çuditur që ky djalë garip, i bindur plotësisht në vlerat e të së djathtës si Agroni, ka gëlltitur shpifjet sistematike të krye-legjendës. Goni i jonë, tani shumë i kënaqur se i është siguruar partisë së tij vend deputeti, si fëmija që lëpin akulloren, po lëpin atë të vjedhtë që u hodh mbi të, deri sa u bë bozë e edhe ai vetë qesharak. Në kompletin e erëzave pikante që të bëjnë gjellën sa më të shijshme, do të jetë edhe ai që pat dehur femrat në rininë e tij me uiski. Aty, plot egërsi që nuk honepset dhe me erën e qelbët të një krenarie lokaliste, sillet e përsillet edhe ajo që bëri parti që të shembte Partinë Demokratike, që e bëri figurë, por nga urrejtja, u marros. Por iu kthye urrejtja në gëzim, sepse e pa vetën në listën e mbyllur, të sigurt për një vend në parlament. (Aq kërkon, asgjë më shumë. Kjo i mjafton. Ideali kombëtar për të është një vend në parlament). Aty, pjesë e kësaj supe pa shije dhe të neveritshme, do të jetë edhe jetëgjati politik, gjithmonë i maturi dhe aktori Fatmir, që me imazhin e një burrë shteti me kravatë e flokët e lyer, u dhuron buzëqeshje kamerave kur e marrin në intervistë. Në krye, si koka e krapit në tavë, do të jetë hajduti i floririt të Krrabës, kryeministri terrorist (sipas fjalëve të legjendës), që i kujtuar prej halli, ndryshoi parimet e tij e nga i majtë u bë brenda nate i djathtë, dhe partia e tij që kishte emrin Lëvizja Socialiste, u bë shtëpi e Lirive dhe e vlerave konservatore. Çfarë akrobati. Po, por lum ata që e gëzojnë, sepse do të marrin prej tij 250.000 vota të sigurta e do të sigurojnë një fitore aq të nevojshme kundër të pa burrit Edi Rama. Ja, pra, e gjithë kjo akrobaci e bëri që në sytë e të djathtëve të mos konsiderohet më si ai që shihej. Biografia e tij ndryshoi: nga kryeministër hajdut e terrorist, u konvertua në të burgosur politik, në martir të demokracisë … me bekimin e legjendës.
Nuk do të mbaroja, sikur të vija në varg e vistër karakteristikat e koalicionit madhështor. Po e lë, sepse, edhe nëse ky koalicion fiton e ia del të na tundë para hundëve fitoren kolosale, ajo fitore nuk është e tillë. Thoshte Shën Agostini se kur një diçka nuk ka moralin brenda, nuk ia vlen të mbështetet: as qeveri, as shtet, as pushtet. Mos iu bind atyre që punojnë për fitore madhështore, por që nuk kanë moral! Çfarë lidhjeje ka mes Ilir Metajt, të konvertuarit të fundit nga i majtë ekstrem në të djathtë ekstrem, dhe ish të përndjekurve politikë, që kanë kaluar një jetë në mjerim e burgje, në internime e shtypje? Ilir Metaj ka ardhur në koalicionin madhështor si i djathtë, si i penduar, apo si interesaxhi? Përgjigja dihet, edhe mirë madje. Nëse fiton Ilir Metaj, a ka drejtësi këtu? A ka moral? Jo, edhe madhështorët vetë, me gjithë peshën e dijes që kanë mbi supe, e dinë se kjo është farsë, një gënjeshtër vetëm për t’u ngrënë, por vazhdojnë me kokëfortësi fushatën e tam-tameve, duke dashur të na bindin se këtë herë bëhet fjalë për një diçka të pa ndodhur më parë: për një triumf gjigand. A e besojnë madhështorët këtë? Jo, as ata vetë nuk e besojnë, por ligji i propagandës e pranon. Të pyesin Shën Agostin se ua tregon ai.
Atëherë, edhe nëse fitojnë, ky populli i 1 për qindshit, që jemi ne, e ndjen, e kupton me intuitë si dhe e ka krejt qartësi se përpjekje të vërteta e të mirëfillta na presin pas zgjedhjeve. Pasi Madhështorët të marrin përgjigje pozitive, në qoftë se do të jetë pozitive, e pasi të buçasin nga ballkonet se korrën një fitore gjigante, efekti do të jetë ky: është ushqim pa shije, një fitore pa sens, diçka qesharake. Që nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë: armiqtë e deri djeshëm bëhen bashkë thjesht për vota, duke gënjyer vetveten se po e duan shumë njeri-tjetrin e duke qenë krejtësisht të vetëdijshëm se kjo nuk është fitore por një Fake victory
Po nëse Madhështorët nuk fitojnë? Si nuk fitojnë? Kanë sjellë Lacivitën, mrekullibërësin! Ai do të na e gatuajë triumfin patjetër. Po nëse nuk ndodh? Një shkërmoqje e frikshme e pret koalicionin. Kam parasysh, ose më mirë të themi, marrim një përgjigje se amalgama Ilir, Sali, Kujtim, Agron, Shpëtim Vangjel, Beler, Fatmir, and &, kur nuk fitoi sot, nuk fiton më. Edhe pse doktori e uli vetën aq shumë sa hajdutëve u dha titullin martir dhe terroristëve u dhuroi statusin e të burgosur politik. Lind pyetja: Kush do të largohet i pari? Doktori, që i bëri të besojnë këtë përrallë? Apo Kujtim Gjuzi, që i vdesin shpresat hyjë në Parlament edhe njëherë, si zë i fuqishëm i konservatorizmit? E i bën karshillëk Ilirit e i thotë se konservatori i vërtetë jam unë e jo ti? Apo ikin Beleri, Idizi apo Goni i Shijakut? Një katrahurë akuzash reciproke e largimesh do të shohim e do të dëgjojmë. Të bëhemi gati, të rezervojmë kohë televizive për këtë.
Ndërsa, edhe nëse fiton Edi, as kjo nuk është fitore. Kur kanë hyrë në burg treçereku i qeverisë e kur janë bërë për burg çereku tjetër??? Çfarë fitoje madhështore është kjo? Një fund i palavdishëm i pret edhe ata. Në rast se do të fitojnë, do të brohorasin, por kur të arrestohen dinozaurët e pushtetshëm, si do t’i përcjellin në burg? Do t’i harrojnë menjëherë? Do të thonë se dalin shpejt? Se SPAKU është i blerë, me synimin për të shkatërruar Partinë Socialiste? Se na kanë inat? Se imperializmi amerikan ka komplotuar? Keq shumë i kanë punët.

3. Të kthejmë tek ne, tek një për qindshi.
Së pari, disa që më kanë lexuar deri këtu, le të kënaqen e të gëzojnë, se jemi me të vërtetë një për qind. Na kanë shkatërruar, na kanë asgjësuar, na kanë sabotuar. Sa mirë për ata që e dëshirojnë këtë. Kur po ndodhte divorci, kur Partia Demokratike po ndahej, shumë kolegë, anëtarë partie ma garantonin me hare në fytyrë se do të ishim vetëm diku të dy për qind. Edhe më keq për ne: një për qind. Kaq do të mbeteni më thoshin. Tani, tek ky ishulli ynë i vogël, tek ky një për qindshi, po ngrihet ajo që e thashë pak më parë. Kërkesa që pas zgjedhjeve, të organizohemi si parti e djathtë, që nuk i mban shpresat tek Ilir i djathtë, ish-hajdut i floririt, e as te Beleri, që qe akuzuar si ai që i priu shtegun terroristëve grekë në vitin 1994 të kryenin vrasje ndaj ushtarakëve shqiptarë, që u dënua në Greqi për këtë e na erdhi si peshqesh për të bërë një vepër të madhe: ta bënte Himarën Greqi. Kjo partia e jonë e një për qindshit nuk ka nga këto personazhe. Po mendon që të bëhet strumbullari për organizimin e të së djathtës së vërtetë. E di mirë, se të gjithë ata që po i lexojnë këto rreshtat e fundit, do të jenë duke u gajasur së qeshuri: Jeni të papërfillshëm – do të më thonë, – për një qëllim kaq të madh.
Sido që të shkojnë punët, ju garantoj se ky një për qindshi nuk do të shpërbehet.
4. Stefan Zvajg, në librin e tij kushtuar Magelanit, thotë se ai ia doli t’i mbushte mendjen autoriteteve mbretërore spanjolle e të merrte prej tyre tri anije karavela, që të udhëtonte drejt një rruge të re, që nuk e kishte bërë askush: të kërkonte udhë për në Inditë, me qëllim tregtie. Që të mos rrihnin një rrugë të largët e me rreziqe që bënin zakonisht, por një tjetër. U nis. Gjashtë muaj eci para, në ujërat e paanë të oqeanit Atlantik. Kur një ditë dalloi tokë. E pas një udhëtimit tjetër pa ndalesë e pa kthim pas, mbërriti deri te ishujt e Oqeanisë. Zbuloi se bota ishte e rrumbullakët. Kjo në sajë të këmbënguljes së tij. Sikur të ishte përkulur, thyer, dorëzuar, nuk do të ndodhte ajo që ndodhi atëherë. Spanja nuk do të fitonte pushtet mbi Amerikat. Kështu është në këtë rastin tonë: ky një për qindshi nuk është një grusht njerëz, sa ekuipazhi i Magelanit, por 17.000 veta. Do ecim. Do të synojmë, së pari, ndërtimin e një të djathte të vërtetë, pa heretikët që hynë te PD ja si Kali i Trojës. Vetëm këtë mendoni: doktor legjenda, ky sfinks paepur, i kërkon nder një të burgosuri për korrupsion, që t’i japë disa vota! Ai e di se Ilir Metaj është hajdut, por po ha fjalët e veta, thjesht që të marrë pushtet. O Zot ku kemi rënë! Doktori të kërkojë vota nga hajduti i floririt, nga kryeministri terrorist? Deri këtu? Te hajduti kërkohet fitorja? Po çfarë fitoreje është kjo? Madhështore? Mos u tallni me shqiptarët e shkretë që po mbyllin tranzicionin me këto gallata groteske.
5. Koncepti i të së majtës e i të së djathtës duhet kërkuar pas në histori. Në anën e djathtë të Parlamentit Francez të kohës së revolucionit, (Konvencion) rrinin zhirondinët, ndërsa në anën e majtë jakobinët, ata që morën pushtetin e propozuan masa drastike kundër kundërshtarëve të tyre, zhirondinëve, jakobinët, prej ku dolën Marati, Dantoni e Robeispieri, që prenë kokat në gijotinë e ju prenë atyre vetë kokat në gijotinë të tjerë. Deja vu me komunizmin shqiptar. Kur kryetari i seancës ia jepte fjalën dikujt i drejtohej anës së majtë e thoshte: kush e do nga e majta ta marrë fjalën; dhe nga e djathta: kush do ta marrë fjalën? Këtu nisi. E Majta dhe e djathta. Pastaj, idetë e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë u çmendën, siç çmendet një mendje njerëzore. U kthyen, duke ecur rrugës së tyre historike, në vrasëse: projektuan vrasje, burgje, izolim, shtypje, privime. Mjafton të shohim pak historinë tonë të komunizmit për të kuptuar se çfarë ndodhi. Ato idetë u tjetërsuan e u bënë vdekjeprurëse. Kjo ishte e majta klasike revolucionare. Ndërsa e djathta, e djathta e shkretë, u bë konservatore, që do të thotë të ruash traditën, pronën, besimin e të mos i besosh asnjë ideje novatore. Konservatorizmi është një lloj kundërgazi, që të mbron nga helmet e iluzionit të krijimit të njeriut të ri, që pretendon ndërtimin e një shoqëria të drejtë e të moralshme.
Sot jemi aq shumë larg nga kjo ndarja e majtë dhe e djathtë, sa që nuk kanë më asnjë lidhje me kohen kur u farkëtuan si terma. Nëse do të lexohen materiale që flasin për socializmin e konservatorizmin, të përshtatur sot, jemi në një konstekst tjetër. E majta sot synon të prekë aty ku nuk mendonte revolucioni zulmëmadh francez qe priste pa hezitim koka, e nuk e mendonte as pallati i stërmadh i diktaturës komuniste: e majta e sotme, në rrafshin moral, është hedhur në sulm që të përkrahë çdo liri perverse, të sfidojë ligjet hyjnore, ndërsa e djathta i mëshon vlerave që sistematikisht vihen në rrezik. E majta, në planin ekonomik e politik kërkon, tinëzisht e diku edhe hapur, që disa sektorë të ekonomisë t’i menaxhojë shteti (në Angli, duke ua marrë privatit e duke i vënën nën kontrollin shtetëror) e të ardhurat të përdorën për shtresat në nevojë; ndërsa e djathta është krejtësisht e kundërta e kësaj e synon që të ulë taksat e t’i lërë kapitalistit sa më shumë liri menaxhimi për investime e kështu shton punësimin dhe të ardhurat, konkurrencën e kërkimin shkencor e t’i vërë sa më pak taksa.
Mes dy botëve në luftë njëra me tjetrën, në të kaluarën e afërt, nuk ka mbetur asgjë Krejt e majta staliniste ka përfunduar në disfatë të plotë. Këto dy dallime, në rrafshin botëror, janë shumë të paqta, pa konflikt, sepse aty nuk është e përfshirë ideologjia. Të majtat nuk kanë qartësi ideore, të djathtat kërkojnë mbrojtjen e vlerave tradicionale.
Po tek ne? Mes të majtës dhe të djathtës, në këtë këndvështrim, në Shqipëri, nuk ka asnjë dallim. Po ai program, po ai konceptim. Vetëm se tinëzisht përpiqen që të hyjnë në fuqi ligje të perversionit.
Në lidhje me ndryshimet mes të majtëve dhe të djathtëve tek ne nuk bëhet fjalë për konceptime e dallime, por për grupime. Kush vjedh më shumë e kush përfiton më shumë do të ishte tipike slogani për të majtët tonë. Nuk i di askush parimet e të së djathtës moderne dhe as që përpiqet t’i aplikojë. Belbëzojnë kur i pyet se çfarë je. Jam i majtë thotë, pa ditur se për çfarë bëhet fjalë. Të djathtët duhet të tregojnë se janë të tillë, se janë kundër abortit, por nuk e shprehin këtë, (aborti është në fuqi në Shqipëri që në vitin 1992 e askush nuk e atakon). I mbetet të djathtëve shqiptarë të thonë se jemi të tillë vetëm se jemi kundër korrupsionit. Por kjo nuk është politikë e djathtë, por një politikë që mbështet ligjin kundër korrupsionit. Të djathtët duhet të bëhen gati të kundërshtojë në parlament ligjet që do t’u shkojnë për aprovim e që janë aprovimi i martesave homoseksuale, eutanazia, dhënia e mitrës me qira, lindjet surrogate. Duhet të themi se ka një kufi të qartë moral që përkthehet në vendim politik. Por e djathta dhe e majta në Shqipëri janë vetëm dy grupime, që vinë nga larg në kohë: e majta vjen nga partizanët e brigadave që pretenduan se çliruan Shqipërinë dhe vendosën diktaturën, ndërsa e djathta që u dërrmua nga ushtritë komuniste të furnizuara me armët e dhëna nga Aleatët Anglezë, e mbi të cilën ra e gjithë urrejtja e komunistëve. E majta ekstreme staliniste, Partia e Punës e Shqipërisë, u fishk, pranoi një program politik demokratik, braktisi monizmin dhe prodhoi figurat politike tipike të tranzicionit të saj: ideologun Servet Pëllumi e militantin Gramoz Ruçi, ndërsa antikomunizmi patriotik i Mehdi dhe Mithat Frahërit – që bënë thirrje që të mos përqafohej komunizmi – përjetuan dhimbjet e mëdha të braktisjes së familjeve të tyre, morën vesh se e gjithë klasa e vjetër politike u eliminua me plumb apo në burgje, familjarët i shkuan në burgje e në internime e tani, më keq nuk bëhet, kjo e djathë ka si përfaqësues që i ka dalë së fundi Ilir Metaj e Kujtim Gjuzi.
6. Në këtë panoramë duhet theksuar se djathta tek ne duhet ribërë. Duhet ngritur ledhi kundër anti vlerave që sjell sot post-modernizmi, kundër atyre propozimeve që shkatërrojnë shoqërinë. Është i nevojshëm një konceptim i djathë politik dhe një angazhim që të çinstalohet grupimi i hajdutëve që e mjeruan këtë vend, e vodhën dhe e varfëruan. Kjo është detyra. Por edhe të mbrohet familja, të ruhen vlerat, të mbrohet besimi. Kjo ka nevojë jo për individë, por për parti. Jo për një e dy njerëz, që janë ideologë e të formuar, por për struktura të mirë informuara e potencialisht e shpirtërisht të vendosura që mbrojnë një program të tillë. Është nevoja për misionarë. Nuk e bën këtë mbrojtje të shoqërisë as Flamur Noka, as Ed Paloka, as Dule e as Beleri, as Shpëtim Idrize e as Fatmir Mediu, (këta jo se nuk duan, por nuk e kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë, edhe pse Fatmiri është republikan si Çrampi e Regani dhe Kujtim Gjuzi konservator si Margaret Thecer). Duhet pikërisht një mbrojtje e njeriut, e individit, nga këto helme, ruajtje nga toksiket e majta që kanë zanafillën larg, por që u transformuan e u konvertuan nga vegla të tiranisë në mbrojtës të çdo perversioni. Duhet një shtet i fortë, me struktura efikase, që të mbrojë qytetarin nga sa u tha. Kjo është sfida. E majtë dhe e djathtë nuk thonë asgjë. Por duhet testuar e djathta: për njeriut apo kundër tij: this is the question.
Sot, e ngërthyer në një dyluftim të marrë, klasa politike, si në mundje, lufton me veten, pa marrë parasysh sfidat që e rrezikojnë shoqërinë. Kush e mund tjetrin? Apo duhet bërë një pyetje tjetër: kush i del për zot njeriut? Unë jam plotësisht i sigurt se vetëm një e djathtë që mbron vlerat, besimin, njeriun, familjen dhe dinjitetin, ajo do ta fitojë sfidën, sepse është imperativ i kohës. Prandaj, Shqipëria ka nevojë për një të djathtë të vërtetë, të azhurnuar, të organizuar, me shikim të qartë e me program të mirë përcaktuar. E djathta e Ilir Metajt dhe e Kujtim Gjuzit nuk janë zgjidhje, sepse, së pari, nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë, e së dyti se janë në këtë front vetëm për interesat e tyre; ndërsa e majta e Ramës do të jetë gati të bëjë çdo kompromis me djallin, mjaft që t’i shtojë një ditë më shumë pushtet vetës.
Uroj që Koalicioni Euroatlantik, bashkë me partitë e tjera të spektrit të djathtë, popullor dhe evropian, të përgatisin terrenin, menjëherë pas zgjedhjeve, për një konceptim të një politike të tillë që merr parasysh sfidat që po vijnë e i përkthen në vijë politike.
Me këtë qëllim e në këtë këndvështrim, ai një për qindshi i sotëm i yni, do të bëhet shumë i madh e do të ketë edhe bekimin e Zotit, sepse është në përputhje edhe me qëllimet e tij: që ta ndihmojë njeriun, qytetarin e ta mbrojë atë. Atëherë do të vijë dita e një të djathte të vërtetë. Për këtë do të punojmë.
Sot aleanca madhështore nuk e di se ku ka kokën: a te SPAKU a të të burgosurit e saj ekselentë, apo tek ata që janë gati të hyjnë brenda, a të anëtarët e koalicionit që po presin thelën. Po çfarë konceptimi konservator kanë?
Kemi historinë tonë të kohëve të fundit: vetëm kur ra komunizmi monist, qe e mundur formimi i partive të reja opozitare me frymë demokratike, kështu, sapo të mbarojë ky ngërç i sotëm, do të çlirohet shoqëria që të përqafojë një konceptim tjetër demokratik e evropianist, pa mbeturinat e infektuara të Belinda Balluku e Taulant Balla e pa idiotësitë që na shiten si demokraci tip Flamur Noka e Ed Paloka.
Jemi afër. Koha punon për këtë çasje.
Thoshte një filozof italian: një i marrë është një i marrë, dhjetë janë dhjetë të marrë, dhjetë mijë të marrë janë forcë historike. Jemi më shumë se dhjetë mijë, jemi edhe 35.000, ka shumë mundësi që jemi 2 përqind, ndoshta edhe 3. Të gjithë të vendosur, me ide të qarta, në prag të një risie të madhe: do të jemi forcë historike.
A mos 2 për qindshi, 34.000 anëtarët dhe votuesit, kërkojnë të gjithë realizimin e këtyre ideve? Nuk kam iluzione, ndoshta edhe jo, por ka shumë mundësi se po. Sepse jo të gjithë kanë ndjenjën e kësaj detyre, por ka mundësi se ligji i brendshëm moral natyror i dikton të orientohen nga vlerat religjioze. Por duhet thënë se lidershipi është pro këtyre qëllimeve. Lideri di të tërheqë turmat e t’i drejtojë aty ku është qëllimi: krijimi i një të djathë të vërtetë, konservatore. Liderishipi do ta kryejë këtë mision. Sot, e djathta e Ilir Metajt, nuk është në lartësinë e kësaj detyre. Ai kërkon vetëm lirimin nga burgu, duke synuar, me ndihmën e legjendës, mbylljen e SPAK. Po çfarë parimesh evropiane të së djathtës! Jam i sigurt se të gjithë ata që po i lexojnë këtë rreshta, e pranojnë përmbajtjen. Nuk është misioni i të djathtës të thërrasë Ilir Metajn në radhët e saj si i konvertuari i orëve të fundit, por është nevoja reciproke që i ka bashkuar. Halli i madh që u ka rënë sipër. Të kthjelltit shohin manovrat e fundit të të dështuarve mashtrues.
Gjithçka do të fillojë pas zgjedhjeve. The day after. Jemi krejt të bindur, se ky 2 për qindshi do të angazhohet seriozisht.

Denoncimi i Bashës: Nënkryetari i Bashkisë së Lezhës dhe drejtori i KESH-it, po blejnë vota. SPAK të veprojë menjëherë

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka denoncuar se nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, së bashku me drejtorin e KESH-it, janë kapur në flagrancë duke blerë vota pak minuta me parë nga kandidati i për deputet, Eduart Ndocaj.

Në reagimin e tij, Basha i bën thirrje SPAK-ut që të veprojë menjëherë, duke marrë çështjen në dorë dhe çuar para drejtësisë autorët dhe urdhëruesit e këtij skandali.

Basha gjithashtu ka kërkuar një reagim të menjëhershëm nga ata që, sipas tij, janë angazhuar në manipulimin e procesit zgjedhor, duke u bërë thirrje “patronazh-sondazhistëve” që të heqin nga llogaritjet e tyre çdo ndihmë të paligjshme për blerje votash.

Denoncimi i plotë i Bashës:

Nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, së bashku me drejtorin e KESH-it, janë kapur në flagrancë pak minuta me parë nga kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Eduart Ndocaj, në përpjekje për blerje votash në Lezhë.

I bëj thirrje SPAK të marrë menjëherë në dorë këtë çështje dhe të çojë para drejtësisë autorët dhe urdhëruesit e tyre.

Kam dhe një kërkesë për këta patronazh-sondazhistët, ti zbresin votat nga llogaritjet e parapërgatitura

Nikolin Radovani, i përndjekuri politik që kërkon votën e shkodranëve

Në horizontin e mjegullt të politikës shqiptare, ku shumë herë premtimet zëvendësojnë vizionin dhe fasadat zënë vendin e themeleve të forta, një emër po zë vend gjithnjë e më shumë në ndërgjegjen publike të qytetarëve të Shkodrës: Nikolin Radovani. I njohur për qetësinë, përkushtimin dhe sensin praktik, ai vjen në politikë jo si një figurë e rradhës, por si një projekt i ndërgjegjshëm për ndryshim. Nga rrënjët familjare te ndjeshmëria qytetare Radovani është lindur dhe rritur në Shkodër, një qytet që i ka dhënë Shqipërisë figura me peshë kulturore, politike e historike.

Duke qenë një kandidat që vjen nga shtresa e ish-të persekutuarve politik, me taban të fortë qytetar, ai shpalos shumë saktë dhe qartë pikat mbi të cilat do të mbështetet në politikë. ‘Për Shkodrën e zhvilluar dhe Shqipërinë në B.E. dhe përgjithmonë me SHBA-të’.
Vitet e diktaturës ishin shumë të vështira për familjen Radovani dhe për të atin e burgosur në burgjet e ‘ferrit’ ish-komunist. Baba i Nikos Alfons Radovani ka mbajtur qëndrim të shkëlqyer në burgjet komuniste. Nikolini sot vjen nga shkollimi për Administrim biznes, por në rininë e tij ka qenë edhe dashamirës i artit dhe i sportit. Ai ka luajtur në instrumentin e bukur të fizarmonikës dhe ka qenë futbollist shumë i mirë, teknik dhe i fuqishëm.
Nikolin Radovani është përfshirë shpejt në lëvizjen demokratike në vitet 90-të dhe ka punuar me shumë përkushtim e ndërshmëri në administratën publike.

Ai nuk flet për Shkodrën si një vend ku ka jetuar, por si një truall që e ka formësuar. Çdo rrugicë, çdo njeri, çdo përballje në këtë qytet e ka ndihmuar të ndërtojë një qasje të matur ndaj realitetit: të mos flasë shumë, por të dëgjojë më shumë. Në një kohë kur zhurma politike është bërë normë, ai ka zgjedhur të ngrejë profilin e një qytetari të ndershëm që e njeh si funksionon qyteti, jo vetëm në sipërfaqe, por deri në rrënjët e problemeve të tij sociale dhe ekonomike.

Nga ekonomia në angazhimin publik me një formim të fortë në fushën ekonomike, Radovani ka qenë pjesë e sektorit publik dhe privat, duke e njohur nga afër sistemin e shpërndarjes së burimeve, menaxhimit të infrastrukturës dhe dinamikat e shërbimeve urbane. Nuk është një politikan që e mëson qytetin nga zyra; përkundrazi, ai vjen nga terreni, nga zgjidhja e problemeve të përditshme, nga administrimi i realiteteve të vështira, që shpesh mbeten të padukshme për politikanët tradicionalë.

Shkodra që ai sheh – një qytet i mundshëm, jo i harruar Në vizionin e Radovanit, Shkodra nuk është një qytet i varfër për shkak të fatit, por për shkak të keqmenaxhimit. Ai flet për Shkodrën si një qendër potenciale të zhvillimit turistik, kulturor dhe ekonomik, me një rol kyç në zhvillimin e veriut të vendit. Për të, Shkodra nuk është periferia e një Tirane të tejmbushur, por porta që duhet të lidhet fort me Malin e Zi, Kosovën dhe tregjet e Evropës Qendrore.
Nën drejtimin e duhur, ai beson se qyteti mund të kthehet në një model të qeverisjes së ndershme lokale, duke përdorur burimet në mënyrë të drejtë dhe transparente, duke rritur aksesin e qytetarëve në vendimmarrje, dhe duke fuqizuar komunitetin nëpërmjet edukimit dhe investimeve të mirëmenaxhuara. Jo një populist, por një ndërtues i heshtur Në një vend ku populizmi është bërë sport kombëtar, Radovani nuk premton ura atje ku nuk ka lumenj. Ai nuk përdor slogane bosh, por ndan plane konkrete për zhvillimin e shërbimeve publike, për përmirësimin e transportit, rritjen e cilësisë së arsimit dhe të shëndetësisë, dhe – mbi të gjitha – për krijimin e një bashkëqeverisjeje me qytetarin. Ai nuk sillet si një shpëtimtar, por si një administrator i ndërgjegjshëm i një besimi që i jepet përkohësisht nga populli.

Një lidhje e natyrshme me Perëndimin Radovani është një nga ata shqiptarë që i ka rrënjët në vendin e vet, por sytë i ka të kthyer nga Perëndimi. Jo për t’u shkëputur nga vendi i tij, por për ta kthyer atë në një histori suksesi brenda familjes euroatlantike. Ai beson se Shqipëria nuk ka nevojë për mekanizma importi, por për zbatimin e atyre vlerave që bëjnë një shtet të funksionojë: meritokraci, ndershmëri, barazi përpara ligjit dhe respekt për dinjitetin njerëzor. Përfundim: Një qytetar që meriton të dëgjohet Nikolin Radovani nuk është një emër që vjen me bujë, por me përmbajtje. Në një kohë kur njerëzit janë lodhur nga fjalët boshe dhe nga politikanët që ndërrojnë flamujt sipas erës, ai përfaqëson një qëndrim: të punosh, jo të improvizosh. Të ndërtosh, jo të shkatërrosh. Të kesh vizion, jo thjesht pushtet.
Nëse Shkodra zgjedh të ecë përpara, atëherë figurat si Radovani nuk janë vetëm kandidatë – janë nevojë.

Përgatiti: Leonard Koja

Merruni me Ramën e bëni pushim për kaq ditë që kanë mbetur në luftën ndaj Bashës!

Nga Alban Daci

Lulzim Basha është i vetmi që nuk u largua nga PD për të krijuar një parti tjetër për qëllime pushteti! Atë tentuan dhe e detyruan me forcë dhe me ligj ta largonin! Ai është i vetmi që po e mbyllë këtë legjislaturë si deputet i Grupit Parlamentar të PD dhe po ashtu ka bërë rekurs për të marr legjitimitetin e PD!
Kjo do të thotë se e gjithë beteja politike e Bashës nga momenti i krizës së PD- jo për zgjedhje apo fajin e tij- është për parime dhe jo për pushtet personal! Megjithatë në mënyrë absurde është i vetmi që vazhdon të sulmohet pa pushim nga ata që e drejtojnë sot PD!
Në një subjekt politik ose në një forcë politike nuk duhet e nuk mund të jenë të gjithë në një mendje kundrejt lidershipit.
Basha ishte i detyruar të hynte në këto zgjedhje me një subjekt politik për të mos tradhtuar ata që i besuan dhe i qëndruan në mbështetje të vazhdueshme!
Nëse Basha nuk do e bënte këtë do të tradhtonte ata që i kanë besuar dhe i besojnë në qëndrimet e tij për një PD me orientim euroatlantik dhe në mbështetje pa kushte ndaj drejtësisë! Misioni që zgjodhi Basha është një ndër zgjedhjet më të vështira që mund të bëntë cdo lider, sepse dihej se rruga nuk do të ishte e shtruar me asfalt.
Nëse Basha do të kishte menduar karrierën e tij personale do i kishte rënë më shkurt sesa rruga që zgjodhi! Ai s’do të kishte marre asnjë vend dhe për pasojë do të vazhdonte të ishte kryetar i PD dhe ata që në fillimin e mbështeten dhe pastaj e braktisën do të vazhdonin të serviloseshin ndaj me të njëjtat doza ose edhe pak më shumë në pragun e zgjedhjen për të rikonfirmuar emrin e tyre në listat e mbyllura.
Më shumë se Basha askush tjetër nuk e ka ditë se me çfarë do të përballej me vendimin që mori, sepse më mirë se ai askush nuk e njeh liderin historik të PD! Marrëdhënie e tyre ka qenë më shumë speciale sesa vetëm një marrëdhënie e ngushtë politike.
Megjithatë, Bashës me siguri marrëdhënie e tij me Berishën ishte e bërë e tepruar dhe e padurueshme. Ai përtej problemit që lindi si pasojë e qëndrimit të SHBA-ve kishte dy rrugë:
– Të luante me dualizmin e lidershipit të tij që po i jepte kosto publike dhe po ashtu edhe për fitore të zgjedhjeve
– Të merrte në dorë lidershipin dhe të vazhdonte mes sfidave dhe problematikave reformimin e PD jo vetëm në kuptimin e organigramës, por edhe të imazhit dhe të modelit dhe qëndrimeve që lidheshin me çështjet e qasjes së këtij subjekti në raport me aleatët.
Basha me kurajë zgjodhi të rigjente vetën dhe për ta bërë këtë duhet të merrte vendime që do të kishin një kosto të madhe për atë së pari, por edhe me subjektin që përfaqësonte politikisht.
Nëse Basha do të kishte menduar vetëm për pushtetin e tij ose për karrierën e tij personale përtej dimensionit që duhet të kishte një lider, ai s’do të kishte marr asnjë qëndrim që në planin afatshkurtër do të kishin një kosto të madhe politike për të. Përkundrazi do të kishte vazhduar në heshtje duke u shtirur se pas vendimit të Dash nuk kishte ndodhur asnjë problem serioz me lidershipin e PD dhe kjo e fundit të vazhdonte në heshtje betejën e saj të rreme me “mullinjtë e erës”.
Përtej, kësaj Basha vazhdon të jetë, të paktën tre vitet e fundit lideri i vetëm që vazhdon të jetë koherent në qëndrimet e tij. Koherenca në politikë ka kosto, por siç ka thënë shpesh Basha është “Koha shëruese më e mirë” e ngjarjeve, qëndrimeve dhe vendimeve.
Edhe pse sulmi ndaj Bashës pikërisht nga ata që e konsideronin kryetar dhe lider ka qenë i vazhdueshëm dhe me të gjitha mjetet, ky i fundit me modelin e një lideri të moderuar nuk e ka përdorur për asnjë çast “hakmarrjen” edhe pse do të ishte krejt e pranueshme.
Përkundrazi, ai vazhdon të mos merret me Opozitë duke mos e sulmuar drejtpërdrejtë duke e përqendruar të gjithë aksionin e tij politik për të mundur Ramën.
Mendoj, se lufta që vazhdon nga brenda PD kundër Bashës, jo vetëm që nuk është i moralshëm, por është i dëmshëm në një front të përbashkët e pse me llogore të ndryshme për të mundur dhe nxjerrë në Opozitë PS e cila tashmë kërkon në një vend me demokraci të brishtë si Shqipëria një mandat të katërt. Është momenti që të merren me Ramën e të bëjnë një pauzë me luftën ndaj Bashës, sepse ka shumë gjasa që ky i fundit të jetë i dobishëm më shumë se kurrë pas zgjedhjeve të 11 Majit.

Cila do të ishte kostoja e vizitës së Vuçiqit në Moskë për Serbinë?

Vizita e paralajmëruar shumë herë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë, po shihet me shqetësim për shkak të pasojave të mundshme për rrugën evropiane të Serbisë.

Vendimin për të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores kundër fashizmit më 9 maj, Vuçiq e bëri të ditur në fillim të marsit, pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Nëse Vuçiq udhëton në Moskë, ku do të takohej për herë të parë fizikisht me Putinin që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, kjo do të ketë pasoja serioze për procesin e integrimit evropian të Serbisë, vlerëson për Radion Evropa e Lirë diplomati në pension, Sreqko Gjukiq.

“Kjo mund të jetë e dobishme për regjimin serb, por nuk është aspak e dobishme për rrugën evropiane të Serbisë, as për Bashkimin Evropian si një entitet i fuqishëm ekonomik e politik në arenën ndërkombëtare dhe, sigurisht, as për vendet e tjera kandidate për anëtarësim në BE”, shpjegon Gjukiq.

Serbia është në negociata për anëtarësim në BE që nga viti 2014. Ajo nuk është rreshtuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, dhe autoritetet në Beograd kanë vazhduar marrëdhëniet me Moskën edhe pas vitit 2022, përkundër paralajmërimeve nga Brukseli.

Paralajmërimi më i fundit erdhi nga komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, e cila vizitoi Beogradin në fund të prillit.

Në një konferencë për media më 29 prill, ajo tha se “është vendim i presidentit të Serbisë nëse do të shkojë në Moskë”, por paralajmëroi se nëse Vuçiq shkon, ajo do ta ketë “shumë më të vështirë ta ndihmojë Serbinë të mbetet fuqishëm në rrugën evropiane”.

“Të shkosh në Moskë dhe të festosh me Putinin apo me ushtrinë e tij që vret njerëz në Ukrainë është thellësisht në kundërshtim me vlerat evropiane dhe vendimin e Këshillit të BE-së të vitit 2022 që shtetet anëtare të mos ndërmarrin asnjë veprim që do të legjitimonte Putinin dhe Rusinë”, tha Kos.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë ende përgjigje për pyetjet e REL-it lidhur me paralajmërimin e Vuçiqit për vizitën në Moskë.

Pas vitesh balancimi mes Perëndimit dhe Lindjes, rruga evropiane e Serbisë është komprometuar, vlerëson ish-diplomati Gjukiq.

Ai thotë se në rast të shkuarjes së Vuçiqit në Moskë, “duhet pritur veprime të caktuara” nga Brukseli.

“Është e mundur që nga arsenali i pasur që BE ka ndaj Serbisë – përfshirë ndihmat financiare, donacionet, mbështetjen politike dhe regjimin pa viza – të gjitha ose një pjesë të rishikohen dhe të vihen në pikëpyetje”, thotë Gjukiq.

Bashkimi Evropian është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë. Nga vendet e BE-së vjen edhe pjesa më e madhe e investimeve të huaja direkte.

Gjukiq shton se afërsia e Serbisë me Rusinë nuk rrezikon vetëm rrugën e saj drejt BE-së, por ndikon negativisht edhe te shtetet e tjera kandidate për anëtarësim.

“Nuk është më e mundur të luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo duhet të marrë fund”, përfundon ai.

Për Jelica Kurjak, ish-ambasadore e Serbisë në Moskë, paralajmërimi i Vuçiqit për vizitën në Moskë është më shumë një mesazh për BE-në, sesa për Putinin.

“Ai ndoshta mendon se me këtë do t’i tregojë BE-së se nuk varet vetëm nga ata, se ka Rusinë pas vetes, dhe kështu përpiqet të forcojë imazhin e tij, për t’i bërë presion”, vlerëson Kurjak.

Sipas saj, nuk ekziston asnjë arsye tjetër e justifikueshme. Ajo përmend edhe kritikat që i janë bërë autoriteteve në Beograd nga BE-ja për shkak të protestave të zgjatura të studentëve, që kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad.

Sa i përket negociatave për kompaninë NIS dhe furnizimet me gaz natyror rus, Kurjak thotë se nuk është i nevojshëm një takim ballë për ballë mes Vuçiqit dhe Putinit.

“Në këtë rast konkret me NIS-in, nuk varet asgjë nga Rusia. Amerika ka vendosur sanksione ndaj kompanisë që bleu kompaninë tonë. Pra, Amerika do të vendosë kur dhe çfarë do të ndodhë”, thekson Kurjak.

SHBA-ja e shtyu për herë të tretë zbatimin e sanksioneve ndaj NIS-it në fund të prillit, edhe pse kompania është në listën e zezë që nga 10 janari për shkak të lidhjeve me Gasprom Neftin rus, që ndodhet nën sanksionet perëndimore për shkak të agresionit në Ukrainë.

Kur flitet për një marrëveshje të re për gazin, marrë parasysh që ajo aktuale skadon në fund të majit, Kurjak kujton se marrëveshja e fundit ishte arritur në maj 2022 – tre muaj pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia – pa pasur nevojë që Vuçiq të shkonte në Moskë.

Nga liderët evropianë, pjesëmarrjen në Moskë e kanë konfirmuar vetëm Vuçiq dhe kryeministri sllovak Robert Fico, një aleat i afërt i Kremlinit.

Vizitën e ka paralajmëruar edhe Milorad Dodik, presidenti i entitetit serb në Bosnje e Hercegovinës, Republika Srpska. Dodik është takuar disa herë me Putinin që nga fillimi i agresionit rus, për herë të fundit më 1 prill.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të qëndrojë në Rusi nga 7 deri më 9 maj, në kuadër të një vizite zyrtare që përfshin takime bilaterale dhe nënshkrim marrëveshjesh.

Sipas agjencisë shtetërore ruse RIA Novosti, pjesëmarrjen në paradë më 9 maj e kanë konfirmuar edhe presidentët e Bjellorusisë, Kazakistanit, Azerbajxhanit, Venezuelës, Brazilit dhe përfaqësues nga Kongo e Burkina Faso.

Që nga dhjetori i vitit 2021, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull negociues apo klaster të ri me BE-në. Për hapjen e një klasteri nevojitet konsensus i plotë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Që nga viti 2014, kur nisi zyrtarisht negociatat, Brukseli e ka përmendur vazhdimisht çështjen e marrëdhënieve me Kosovën si pengesën kryesore. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE ka ngecur.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Serbinë janë listuar probleme serioze si, gjendja e sundimit të ligjit, korrupsioni i përhapur, kontrolli shtetëror mbi mediat, ndikimi i qeverisë në gjyqësor, mungesa e dënimeve për krimet e luftës të viteve e ’90-ta dhe lartësimi i kriminelëve të luftës. Po ashtu është theksuar mospërputhja me politikën e jashtme të BE-së.

Gjatë vizitës së saj në Beograd, komisionerja Kos ka theksuar nevojën për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe përmirësimin e procesit zgjedhor.

“Punoni me ne për reformat, në mënyrë që anëtarësimi juaj në Bashkimin Evropian të jetë i mundur”, u shpreh Kos pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Gjuro Macuta, më 29 prill.

Serbia është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh një fond prej gjashtë miliardë eurosh. Megjithatë, për shkak të mungesës së përparimit në dialogun me Kosovën, as Serbia e as Kosova nuk kanë përfituar ende nga faza e parë e këtij plani që parasheh para në formë paradhënieje.

REL

Asllani me valixhe në dorë, do të vendoset pas Botërorit të Klubeve

Kristjan Asllani është një nga lojtarët që në fundin e sezonit mund të përshëndesë Interin. Pavarësisht golit që shënoi dhe dëshirës së tij për të realizuar ëndrrat me fanellën zikaltër, shqiptari do të largohet për t’u sistemuar në një ekip që luan më shumë dhe ndoshta të jetë titullar fiks.

Qëndrimi te zikaltrit nuk po e ndihmon sepse vazhdon të jetë zëvendësuesi i Çalhanoglusë dhe në këtë mënyrë e ka të vështirë që të gjejë ritmin dhe të rritet. Ai e rinovoi kontratën e tij në shtator deri në fundin e sezonit 2028, çka tregon se klubi ka besim te djaloshi kuqezi. Megjithatë vetë Asllani kërkon që të luajë më shumë. Pas Botërorit të klubeve do të ulet për të folur me drejtuesit në mënyrë që të vendosin bashkërisht se cila është më e mira për të dyja palët.

Për djaloshin kuqezi ka shfaqur interes ekipi i Bolonjës dhe mund të përdoret nga klubi si një mundësi për të transferuar në Milano Santiago Kastron ose ndonjë lojtar nga reparti i prapavijës. Për momentin, nuk ka asgjë konkrete. Bashkë me Asllanin do të largohen gjithashtu Arnautoviç dhe Korrea, të cilëve u përfundon kontrata.

Dallimi Midis Diabetit të Tipit 1 dhe 2 – Cili Rrezikon më Shumë Zemrën

[ File # csp2272008, License # 1508339 ] Licensed through http://www.canstockphoto.com in accordance with the End User License Agreement (http://www.canstockphoto.com/legal.php) (c) Can Stock Photo Inc. / Eraxion

Njerëzit që vuajnë nga diabeti i tipit 1 janë më të rrezikuar nga problemet kronike me zemrën, sidomos nëse janë diagnostikuar para moshës 10 vjeçare.

Këtë e thotë një studim i kohëve të fundit, të cilit i referohet AgroWeb.org.

Studimi zbuloi se diabetikët në fjalë preken edhe nga sëmundje të tjera siç janë ato të zemrës.

Rreziku relativ i sëmundjeve kardiovaskulare është në rritje pas një diagnostifikimi të hershëm të diabetit.

Të dhënat, të cilave i referohet AgroWeb.org tregojnë se pacientët e diagnostikuar me diabet përpara moshës 10 vjeçare janë 30 herë më të rrezikuar nga zemra.

Niveli i rrezikut është 6 herë më i lartë për diabetikët e diagnostikuar mes moshës 26-30 vjeç.

Mosha e Diagnostifikimit Faktor Vendimtar Për Mbijetesën

Ekspertët thonë se mosha në momentin e shfaqjes së sëmundjes dhe diagnostifikimit është faktor vendimtar jo vetëm për mbijetesën por edhe sëmundjet e zemrës.

Diabeti i tipit 1 është një nga sëmundjet më të përhapura kronike në mesin e fëmijëve.

Numri i të prekurve mes moshës 14 vjeç e më poshtë është në rritje që pas vitit 1980.

Diabeti i tipit 1 njihet si diabeti i varësisë ndaj insulinës.

Bëhet fjalë për një sëmundje kronike që pengon pankreasin të prodhojë pak ose aspak insulinë.

Insulina është një hormon i nevojshëm për futjen e glukozës në qeliza dhe për prodhimin e energjisë.

Cili Është Dallimi Mes Diabetit Të Tipit 1 Dhe Tipit 2

Diabeti klasifikohet në 2 kategori: Tipi 1 dhe Tipi 2.

Të dy tipet e diabetit janë sëmundje kronike që ndikojnë në mënyrën se si trupi rregullon sheqerin në gjak.

Glukoza është ushqim për qelizat, por ajo ka nevojë për një çelës që të futet në to.

Çelësi është insulina.

Njerëzit që vuajnë nga diabeti i tipit 1 nuk prodhojnë insulinë.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org trupi i njerëzve që vuajnë nga diabeti i tipit 2 nuk përgjigjet ndaj insulinës siç duhet dhe më vonë nuk arrin të prodhojë insulinë mjaftueshëm.

Të dyja tipet e diabetit mund të shkaktojnë rritje kronike të nivelit të sheqerit në gjak./AgroWeb.org